Në respekt dhe nderim të viktimave të sulmeve terroriste të pashembullta në Paris, qeveria shqiptare vendosi që dita e hënë të jetë ditë zie kombëtare.
Ky ka qenë propozimi i kryeministrit Edi Rama, që është miratuar nga qeveria.
Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulet flamuri në gjysmështizë dhe në orën 12:00 do të mbahet një minutë heshtje.
“Duke i dënuar me forcë këto akte terroriste, qeveria shqiptare mbetet thellësisht e angazhuar krah aleatëve të saj në luftën kundër terrorizmit”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga nga Kryeministria.(Foto dhe Info Shefqet Kercelli)
Kosova, sot ditë zie, solidarizim me Francën
PRISHTINË, 15 Nëntor 2015 – B.Jashari/ Në Kosovë sot është ditë zie, e shpallur nga Presidentja e Republikës, në nderim të viktimave të sulmeve terroriste në Paris dhe në solidarizim me popullin e Francës.
Me vendim të Presidentes Atifete Jahjaga, flamujt janë ulur në gjysmë shtizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
E ndajmë dhembjen me Francën dhe qëndrojmë me popullin francez kundër terrorizmit, shprehen drejtuesit institucionalë e politikë të Kosovës. Theksohet se, qeveria e Republikës së Kosovës qëndron fuqishëm përkrah koalicionit global në luftën kundër terrorizmit.
Para Ambasadës së Francës në Prishtinë janë vendosur buqeta lulesh në nderim të viktimave të sulmeve terroriste që ndodhën të premten në Paris.
Ambasadores franceze në Kosovë, Maryse Daviet, i janë shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave, popullin dhe qeverinë e Francës, në këto momente të vështira.
25 VJEÇARI NGA VLORA, APEL PËR JETËN NGA LAS VEGAS
Është një i ri nga Vlora që kërkon ndihmën e shqiptarëve të Amerikës. Ai quhet Edison Malaj. Është 25 vjeç. Nga shkaku i një aksidenti automobilistik prej 5 vjetësh ka mbetur i paralizuar. Pas ndërhyrjeve kirurgjikale në Tiranë dhe Maltë, ndodhet nën mbikqyrjen e mjekut amerikan William Smith në Las Vegas, për një ndërhyrje tjetër.
Në një apel që ka mbërritë në redaksinë e Gazetës Dielli drejetuar bashkatdhetarëve Edisoni kërkon ndihmë për ta përballuar këtë ndërhyrje që kushton shumë.
Ja mesazhi i plotë i Edison Malaj: Jam Edison Malaj 25 vjeç nga Vlora. Pas një aksidenti automobilistik, 5 vite më parë, kam mbetur i paralizuar nga mesi e poshtë. Kam bërë dy ndërhyrje kirurgjikale, një në Tiranë dhe tjetrën në Qipro nga mjekët amerikanë. Këto ndërhyrje kanë kushtuar shumë,aq sa prindërit i kanë shitur të pronat, shtëpinë dhe gjithçka tjetër.
Tash bëhet fjalë për një tjetër ndërhyrje. Me kërkesën e mjekut amerikan William Smith në Las Vegas për të qenë nën kontrollin e tij për një ndërhyrje tjetër të shoqëruar më pas me fizikotherapi.
Ju lutem nëna e baballarë, motra dhe vëllezër shqiptarë, kush ka mundësi e dëshirë të më ndihmojë për ta fituar këtë betejë, për të cilën po luftoj kaq vite. Ah sikur të ngrihem dhe një herë në këmbë! Kushdo që kontribuon do t’i jem mirënjohës për të gjithë jetën.
Numri i Llogarisë bankare:
Routing # 322271627(Chase bank)
Acount# 3371721688
Me respekt
Edison Malaj
Zoti Ju bekoftë!
Terrori nuk mund ta mposhtë Francën
TIRANE, 14 Nëntor /ATSH/- Qytetarë të shumtë janë mbledhur dhe kanë ndezur qirinj, të shtunën në mbrëmje pranë Piramidës në kryeqytet, në nderim të viktimave të akteve terroriste në Paris.
Homazheve i është bashkuar edhe ambasadori i Francës në Tiranë, Bernard Fitoussi.
Të pranishmit, pasi kanë ndezur qirinjtë për të përkujtuar dhjetëra qytetarë francezë që humbën jetën mbrëmjen e së premtes, kanë mbajtur një minutë heshtje.
Më pas ambasadori Fitoussi dhe qytetarët e tjerë kanë kënduar himnin francez.
“Ne nuk do të kemi frikë, pasi terrori nuk mund ta mposhtë Francën”, u shpreh ambasadori i Francës, Bernard Fitoussi.
Bilanci i sulmeve te Parisit: 129 të vdekur, 352 të plagosur
129 të vdekur, 352 të plagosur, shtatë terroristë të vrarë pas atentateve të përgjakshme në Paris/
PARIS, 14 nëntor /ATSH-AFP/ – Bilanci i atentateve në Paris arriti sot në mbrëmje në 129 të vdekur dhe 352 të plagosur, njoftoi prokurori i Parisit François Molins duke theksuar se terroristët kishin operuar në tre ekipe dhe se disa kishin përmendur Sirinë dhe Irakun.
Bilanci, fatkeqësisht paraprak dhe në zhvillim i atentateve të djeshme, është 129 të vdekur dhe 352 të plagosur, 99 prej të cilëve janë në gjendje shumë të rëndë”, deklaroi François Molins në një konferencë shtypi.
“Shtatë terroristë kanë humbur jetën gjatë aktit të tyre kriminal, gjashtë prej të cilëve kanë hedhur veten në erë”, theksoi ai.
Sipas prokurorit, terroristët, që kanë kryer sulmin në sallën e koncerteve “Bataclan” në Paris kanë përmendur Sirinë dhe Irakun. Ka pasur tre ekipe terroristësh”, nënvizoi ai.
Në total, disa qindra gëzhoja, pjesa më e madhe të kalibrit 7,62 milimetra u gjetën nësecilën skenë të sulmeve”, shtoi Molins.