• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

URIME KORRESPONDENTIT TË DIELLIT, BEHLUL JASHARI!

November 13, 2015 by dgreca

Gazetari me përvojë dhe korrespondenti i Diellit nga Prishtina Behlul Jashari nderohet me Çmimin “Karriera” nga Unioni i Gazetarëve/
Sot, në veprimtarinë e organizuar në Prizren, me rastin e 10 vjetorit të Unioni të Gazetarëve, korrespondenti i Diellit, Behlul Jashari, u nderuar me çmimin e lartë “Karriera”. Çmimin ia ak dorëzuar Presidenti i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa. Padyshim ky çmimi i merituar përbën një vlerësim real për gazetarin me përvojë të gjatë në gazetarinë shqiptare , i cili ka gjurmët e veta në shtypin e Shqipërisë (Përmes ATSH-së), në atë të Kosovës, por edhe në Diasporë përmes Diellit.
Çmimet u ndanë sot në sallën e Konferencave të Hotel Theranda në Prizren, Çmimet vjetore ishin: “Karriera”, “Gazetari i Vitit”, Dy “Çmimi Special”. Po aty u bë edhe nënshkrim i memorandumit të bashkëpunimit me Unionin e Gazetarëve të Preshevës. Pas veprimtarisë u shtrua një drekë e mundësuar nga JTI.
Urimet më të mira për gazetarin Behlul Jashari dhe të gjithë gazetarëve të tjerë që u nderuan me çmime!
Editori i DIELLIT
Dalip Greca
Në Foto:Presidenti i Unionit të Gazetarëve, Aleksander Çipa(majtas) duke i dorëzuar Çmimin”Karriera” gazetarit Behlul Jashari

Filed Under: ESSE Tagged With: Behlul Jashari, cmimi "Karriera" Unioni i gazetareve

Histori suksesi – Prof.Edlira Haxhiymeri

November 13, 2015 by dgreca

Prof. Edlira Haxhiymeri midis Universitetit te Tiranës, dhe Clemson University në South Caroline/
– Nga Liliana Pere/
Profili i Prof.Edlira Haxhiymeri/
Prof.Edlira Haxhiymeri-e lindur ne Tirane me origjinë nga prindërit Dibranë, rritur midis Tiranës dhe Dibrës (vendlindjes së prindërve). Gyshërit e saj jetuan në qytetin e vogël të Peshkopisë deri në fillim të viteve ’90.Ajo e viziton qytetin pothuajse çdo vit. Peshkopia e dikurshme i ngjallte shumë dashuri dhe mirësi. Njerëzit, mjediset, lumi Drin, gjithe bukuritë dhe traditat më të mira te qytetit, kanë ushqyer tek Edlira dashurinë pa kufi per origjinen e prindërve Dibren, megjithëse ajo është lindur dhe rritur ne Tiranë.
Edlira Ka studjuar gjuhën angleze, si diplomë të parë.
Më pas studimet për Psikologji-Pedagogji. Ka provuar profesionin e mësueses në të gjitha nivelet, në fshat dhe në qytet. Eshte angazhuar në mësimdhënie në universitet që në vitin 1987.
Ka mbrojtur gradën Doktor i Shkencave Psikologjike në vitin 1996.
Ka fituar titullin Profesore e Asocuar në vitin 2003.
Ne vitin 2015 ka marrë titullin Profesor.
Eshte pjesëmarrëse në mbi 100 konferecna ndërkombëtare në Amerikë, Angli, Francë, Gjermani, Belgjikë, Itali, Rumani, Bullgari, Estoni, Greqi e Shqipëri.
Ka botuar disa tekste për studentet, tekste për nxënësit e shkollës 9 vjecare dhe të mesme. Eshte autore e dhjetra artikujve shkencorë në revista ndërkombëtare dhe kombëtare si International Social Ëork, Cultural Health etj.
Ndër vite ka drejtuar disa projekte mbi arsimin e lartë si Tempus.
Ka punuar për një vit si pedagoge pranë Grand Valley State University në Micigan. Eshte pedagoge në distancë në Clemson University në South Caroline. Ka kontribuar për afër 10 vjet në Universitetin e Europës juglindore në Tetovë.
Sot punon Prof. ne Universitetin e Tiranes, ne Shkencat Sociale
***
E dashur Edlira. Disa impresione nga vëndlindja juaj e dashur, familja juaj, mbeshtetja e saj perju, mund te sillni ne vëmëndjen e publikut disa detaje per njohje ju lutem?…
Unë kam lindur në qytetin e Tiranës nga dy prindër me origjinë Dibrane. Prindërit e mi janë vendosur herët në Tiranë dhe kanë krijuar familjen në këtë qytet. Unë jam fëmijë i dytë në familje. Kam një vëlla më të madh. Jam rritur e rrethuar me kujdes e dashuri pa fund, mes njerëzve të dashur, të cilët më kanë ushqyer dashurinë për njerëzit, respektin, mirënjohjen dhe mbështetjne për njëri tjetrin. Dera e shtëpisë së prindërve të mi ka qenë gjithnjë e hapur për miq e të afërm. Nga prindërit e mi kujtoj me nostalgji dëshirën dhe sakrificat për të mbështetur këdo që e donte shkollën dhe arsimin. Mbase kjo ndikoi edhe në rrugën e jetës sime.
***
E nderuar Edlira. Jeta juaj bashkëshortore eshte nderthurur bukur me nje njeri te kapacitetit tuaj por me kultura te ndryshme krahinore, ku qendron bukuria dhe vlera e kesaj lidhje?
Unë jam e martuar dhe kam një djalë. Me bashkëshortin jam njohur kur isha studente në vitin e parë të fakultetit. Ai ishte pedagog në fakultet. Tashmë kanë kaluar 35 vjet nga njohja jonë. Ndërsa unë i përkas origjinës veriore, bashkëshorit im është me origjinë nga jugu I Shqipërisë. Kjo e ka bërë edhe më të bukur lidhjen tonë. Plot dinamizëm, ritëm dhe angazhim për t’ju afruar dhe përshtatur njëri tjetrit. Gërshetimin më të bukur të vlerave të trevave tona e kemi mishëruar tek djali ynë, i cili, migjithëse i studiuar e formuar jashtë Shqipërisë, ndihet edhe Geg edhe Tosk edhe tiranas! S’ka më bukur!

***
Tirana metropol, ështe qyteti juaj i zëmres,dhe shtepia juaj ne rrugen e Dibrës shërben si urë lidhese për të mos harruar vëndlindjen tuaj, sa nostalgji ka Edlira dhe si e shikon ajo këtë lagje ne këndvështrim zhvillimi ndër vite?
Unë kam lindur në Tiranë në vitin 1960. Tirana është qyteti i shpirtit dhe zemrës sime. Jam lindur dhe rritur në atë që njihet si rruga e Dibrës. Një lagje e qetë, e banuar nga njerëz punëtorë të thjeshtë dhe bartës të vlerave të popullsisë autoktone dhe të ardhurve në Tiranë, ku përfshihej edhe familja ime. Lagjja ku unë jam rritur nuk ka qenë asnjeherë në qendër të zhvillimeve të rëndësishme urbanistike. Ashtu si edhe vetë banorët e zonës, zhvillimet kanë qenë modeste. E lidhur kjo edhe me pushtetin e kufizuar që kjo popullatë ka patur tek politika në cdo periudhë. Madje, edhe rruga që kalon mes përmes kësaj lagjeje, është një nga rrugët e fundit që është rikonstruktuar në Tiranë. E ndërsa Tirana rritet cdo ditë, gradacielat dhe pallatet gjigande i grabisin cdo ditë pak histori te qytetit tim. Pavarësisht kësaj, rruga e Dibrës mbetet më pak e investuara! Aty gjen edhe ndonjë shenjë historie: shtëpi të vogla, mure me qerpic, rrugica të ngushta, sheshe për fëmijë, etj. Të gjitha këto më mbajnë të lidhur me kujtimet e fëmijërisë sime.
Por, të them të vërtetën, unë ndiej sikur jam rritur midis Tiranës dhe Dibrës (vendlindjes së prindërve të mi). Gyshërit e mi jetuan në qytetin e vogël të Peshkopisë deri në fillim të viteve ’90. Atje kaloja pushimet verore cdo vit. Nuk prisja të shkoja dhe kthehesha me vështirësi. Peshkopia e dikurshme më ngjallte shumë dashuri dhe mirësi. Njerëzit, mjediset, lum Drin, përroi i qytetit, fushat, livadhet, pyjet kanë ushqyer tek unë dashurinë pak kufi për natyrën. Sot, kur udhëtoj për në Peshkopi kam shumë dhimbje… Jo vetëm se gjyshërit dhe të afërmit e mi nuk janë më, por edhe sepse qyteti, rruga dhe mjediset janë degraduar….
***
Mesova nga biseda e thjeshtë se jeni nje natyre mjaft studjuese kembengulese me nje përkushtim maksimal drejt arritjeve, dhe nuk rreshtni se studjuari, për tu rritur profesionalisht në fushen Akademike, kush ka qene diplomimi juaj i pare, si ka vazhduar kjo rrugë suksesi, dhe sa e vështire ka qene?
-Pune dhe studim te pandërprerë Liliana. Kembengulje per te bërë dicka më tepër nesër. Por lodhja ndërkohe shoqërohet dhe me sadisfraksion shpirtëror, qe ndjehesh me e aftë, dhe përherë më kërkuese me vehten.
Kam studjuar gjuhë angleze, si diplomë të parë. Më pas kam vazhduar studimet për Psikologji-Pedagogji. Kam provuar profesionin e mësueses në të gjitha nivelet, në fshat dhe në qytet. Jam angazhuar në mësimdhënie në universitet që në vitin 1987.
Unë nuk jam ndarë kurrë nga shkolla. Shkolla ka qënë streha ime e profesionit dhe e shpirtit.
Ndëra kam qenë kërkuese ndaj studentëve të mi, kam qenë e tillë edhe ndaj vetes. Nuk u jam ndarë kurrë librave. Kam mbrojtur gradën Doktor i Shkencave Psikologjike në vitin 1996. Kam fituar titullin Profesore e Asocuar në vitin 2003 dhe tani sapo kam marrë titullin Profesor.
Jam pjesëmarrëse në mbi 100 konferecna ndërkombëtare në Amerikë, Angli, Francë, Gjermani, Belgjikë, Itali, Rumani, Bullgari, Estoni, Greqi e Shqipëri.
Kam botuar disa tekste për student, tekste për nxënësit e shkollës 9 vjecare dhe të mesme. Jam autore e dhjetra artikujve shkencorë në revista ndërkombëtare dhe kombëtare si International Social Ëork, Cultural Health etj.
Ndër vite kam drejtuar disa projekte mbi arsimin e lartë si Tempus.
Kam punuar për një vit si pedagoge pranë Grand Valley State University në Micigan. Jam pedagoge në distancë në Clemson University në South Caroline. Kam kontribuar për afër 10 vjet në Universitetin e Europës juglindore në Tetovë.

***
E nderuar Edlira. Une po verej se ju e dashuroni profesionin tuaj, dhe fushen Akademike, dhe jo vetem kaq, Liria e veprimit dhe angazhimet tuaja kane plotesuar nevojen per zhvillim në planin personal dhe ate social. Ju jeni pjesemarrese ne 100 e me shume koferencave nderkombetare, sa bashkëpunuese jeni mes kolegësh, cilat kanë qënë disa nga vlerësimet që keni marrë në karrierën tuaj profesionale?
-Po e vërtetë Liliana. Profesioni ka qenë si ushqim për mua. E kam dashuruar profesionin tim dhe jam përkushtuar në cdo cast. Nuk kam pritur vlerësime të posacme. Kam qënë modeste dhe besoj se kjo ka ndikuar për të më rritur shkallën e kënaqësisë. Është një shprehje që thotë: “kur nuk ke pritshmëri, mundësia për t’u zhgënjyer është më e vogël”, besoj se kjo më përshtatet mua. Nuk kam pritur asgjë nga askush. Ky parim i jetës sime më ka bërë të jem realiste dhe t’i gëzohem arrtijeve të mia. Natyrisht, kjo ka ndikuar edhe në marrëdhëniet me kolegët, të cilat i kam patur gjithnjë të mira. Kam bërë përpjkekje maksimale të jem në krah të tyre për të mundësuar avancimin e tyre në profesion me cdo kusht. Mbetet bindja ime se nga investimi tek kolegët nuk ka të humbur. Pavarësisht dozave të mosmirënjohjes apo të përftimit të sëmurë, që takohen mes nesh, kam qenë gjithnjë e prirur të bëj më të mirën për kolegët e mi.
***
Realiteti Shqiptar na vë para përgjegjësive te gjithëve për përmiresimin e modelit të funksionit te familjes shqiptare,cilat janë angazhimet tuaja të tjera, përvec fushës akadmike ne ndihmë te gruas shqiptare. Ç’fare contribute keni ne vite per forcimin e rolit dhe pozicionin e gruas dhe trajtimin dhe riintegrimin e tyre?
-Që në fillim të viteve ’90 unë i jam bashkuar lëvizjes së shoqërisë civile për mbrojtjen e të drejtave të gruas. Kam punuar direkt me viktimat dhe të mbijetuarat e dhunës në familje. Kam shkruar, studjuar, prezantuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre në cdo forum ku kam marrë pjesë. Sot drejtoj një strehëz për mbështetjen, trajtimin dhe riintegrimin e viktimave të dhunës.
Kam bërë investimin tim edhe në politikë, por e kam ndjerë veten shumë larg standarteve dhe nivelit ku është katandisur politika shqiptare, dhe jam larguar për t’ju përkushtuar profesionit tim.
***
Çfare cilësi te tjera te çmuara shikon Edlira ne temperamentin e saj te butë dhe elokuent, pervec Investimit pa kushte tek njerëzit.? Cfarë preferon Edlira më shumë ….në jetë? Cfarë eshte jashte preferencave tuaja?
Vlerësoj tek vetja durimin, këmbënguljen, dëshirën dhe pasionin për të bërë gjera të mira për njerëzimin edhe në kushte të vështira. Jam e qetë. Nuk marr vendime të nxituara. Më pëlqen t’i mendoj gjërat mirë përpara se sa t’i bëj.
Më pëlqen shoqëria. Jam pjesë e disa grupeve sociale. Përpiqem të marr më të mirën prej secilës prej tyre ashtu sikurse edhe jap me shpirt gjithshka kam. Investoj pa kushte tek njerëzit. Ndodh që edhe zhgënjehem. Por kjo nuk më mërzit. Njerëzit nuk janë të gjithë njësoj. Ka prej tyre që janë interesaxhinj dhe përfitues. Kjo është pjesë e tyre.
Pëlqej udhëtimet. Të vizitoj vende dhe mjedise të reja. Vecanërisht, më pëlqen natyra.
Cfarë përcmoj? Vanitetin/ kotësinë e disa njerëzve. Jetojnë kot. Këtë nuk do ta doja kurrë.
***
Cili është raporti që ju keni me vehten, profesionin dhe komunitetin e gruas qe të rrethon? A ruan Edlira një ekuilibër midis vetes, kohës për familjen, profesionin, shoqërinë dhe komunitetit?
Kjo nuk është e lehtë. Mosha, eksperienca, fusha e profesionit ma lehtësojnë këtë dhe besoj ja kam dalë. Nuk lë asnjë prej këtyre komponentëve jashtë vëemëndjes.
***
E dashur Edlira. Në këndvështrimin tuaj psikologjik dhe intelektual si do ta pershkruanit stadin e zhvillimit qe lë shumë per te dëshiruar, të shoqërisë shqiptare sot mbas 25 vitesh demokraci?
Shoqëria shqiptare vazhdon të jetë në krizë. Përqafimi i vlerave demokratike, përvetësimi I tyre dhe bërja e tyre pjesë e mentalitetit të shoqërisë duket se është ende larg. Shqiptarët vazhdojnë të kenë probleme me përdorimin e vlerave demokratike dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Kemi ende rrugë të gjatë përpara. Ky realitet reflekton edhe në jetën e gruas shqiptare.
***
Edlira: Në mbyllje do të desha të bëja një fal nderim për znj. Liliana Pere si presidente e Organizates Gruaja Shqiptare në Botë dhe misionin e saj fisnik për të promovuar vlerat dhe kontributet e gruas shqiptare kudo në botë. Ju faleminderit Liliana!
* Lilana: Ju faleminderit Prof Edlira. Biseda me ju ishte nje kenaqesi,një diapazon vlerash i nje gruaje te suksessshme, te mire komunikueshme, të thjeshtë, modeste dhe mjaft e sjellshme. Emri dhe puna juaj cilesore e devotshme me nivel të lartë akademik, sot është e dukshme dhe e prekshme, edhe jashte kufijve te vëndit me prezencën tuaj në disa Universitete, është percjellë dhe pasqyrohet ne studentet tuaj qe kanë ecur mjaft mire. Cilesia dhe kapaciteti juaj intelektual ështe per t’u admiruar dhe krenuar, E gjithe biseda me ju eshte plot mesazhe te vyera per gruan dhe gjithë shoqerine shqiptare. Ju faleminderit dhe ju uroj suksese te metejshme .
Bisedoi: Liliana PERE
Ing Informatik
Presidente
Organizimit Internacional.
”Gruaja Shqiptare Në Botë”
Honorary Advisor of Diplomatic Mission (DMPP)
Peace Missionary

Filed Under: ESSE Tagged With: - Prof.Edlira Haxhiymeri, Histori Suksesi, Liliana Pere

Zot shpëtoje Kosovën!

November 13, 2015 by dgreca

Nga Gani QARRI/
Siç është tanimë e njohur për gjithë opinionin e gjerë, dialogu me Serbinë në Bruksel edhe pse i ndërmjetësuar nga BE, gjatë tri viteve me radhë, me vet pëlqimin e palës kosovare, pothuajse tërësisht vazhdon të zhvillohet vetëm për çështje të brendshme të Kosovës dhe ndërhyrjen e Serbisë në rregullimin territorial të vendit tonë.
Helmut Schmidt,(1918-2015) kancelari që sapo ndërroi jetë në moshën 96 vjeçare, thuhet se shquhej jo vetëm për politikë, por edhe për publicistikë e filozofi.
Megjithëse sa i takon çështjes së Kosovës, për të cilën SHBA dhe NATO, në mars të vitit 1999, intervenuan me forcat e tyre ajrore, ai do të deklaronte, se; “Të udhëhequr nga SHBA,kinse kanë thyer të drejtat ndërkombëtare dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara,” në kohën kur ishte kancelar, Gjermania përjetoi zhvillim të hovshëm si në ekonomi ashtu edhe në të gjitha fushat tjera.
Por me gjithë aftësitë e mëdha drejtuese dhe sukseset e pamohuara në qeverisje, atëbotë, mediat siç e thotë edhe vet Schmidt, me vetëdije, mbulonin dobësitë e tij dhe zmadhonin të arriturat në përmasa të pabesuara.
Ndaj, personalisht i pa-pajtuar asnjëherë me veprimet e tilla jo realiste, në një lexim të kohëve të fundit, të cilin e ofruan të filmuar televizionet gjermane, ish kancelari për sjelljen e pahijshme të medias, thotë:
“Dobësitë mi mbuluat me një metodë shumë të rafinuar, kurse lavdinë ma zmadhuat në mënyrë tejet të tepruar ”
Po në gjendjen çfare e kanë sjellë sot, qeveritarët tanë Kosovën,a është e mundur, që njeriu të mos pyes se çka në të vërtetë mund të thonë politikanët kosovar nesër, në shërbim të të cilëve janë vënë shumica e mediave të shkruara dhe ato audio-vizive, kur kihet parasysh mjerimi udhëheqës dhe korrupsioni e kriminalizimi i politikës që ka goditë kaq pamëshirshëm mbi popullin dhe vendin tonë.
Mbi Kosovën e mjerë, me politikanët më të shantazhuar në Ballkan dhe Evropën gjithandej.
Emra të lakuar disa herë nëpër mediat e huaja me kushedi sa dosje në sirtar,të cilët ndoshta përditë kërcënohen me shpalosjen e tyre, ndaj dhe pranojnë e nënshkruajnë çdo gjë që u vihet përpara, mbi tavolinën e “bisedimeve”, për shpëtimin e prapanicës së vet.
Nga gjendja që po kalon vendi dhe faktet e cekura e të pacekura në tërësi, krijohet bindja se përveç parave të majme dhe kërcënimeve të mundshme, nuk ka asnjë arsye tjetër të shëndoshë, që edhe më tej, mediat e shitura e të manipuluara si dhe ato të mirë-paguara , të tregohen ende jo vetëm plotësisht të dëgjueshme por edhe kaq të “palodhshme” për t`ua mbuluar atyre tradhtitë e dyshuara, dështimet e gjithanshme dhe dobësitë e panumërta, në mënyrë aq të rafinuar si dhe fryjnë artificialisht lavdinë e shpifur, në mënyrë kaq të ekzagjeruar, sa të shkojnë deri aty,që ti shpallin ata edhe “heronj” e burra “të pazëvendësueshëm të kombit”!?
Derisa në kohën e tragjedisë dhe barbarive millosheviqiane që kishin mbuluar vendin tonë, SHBA dhe NATO, të vetëdijshëm për pengesat që mund të nxirrnin Rusia dhe Kina në Këshillin e Sigurimit, anashkaluan edhe OKB, për të intervenuar e ardhë në ndihmë popullit shqiptar dhe shpëtimit të tij, në Kosovën e pushtuar nga krimet serbe, heronjtë e vetëshpallur të “fitores në pjatë”, sot shesin kaq lirë dhe pa asnjë dhembje njerëzore as kombëtare tokat e Kosovës dhe pjellin gangrena e krijesa të paqena kanceroze me fuqi vendimmarrëse, kushtetuese dhe ligjore, brenda trupit të tkurrur të shtetit tonë, edhe ashtu të zvogëluar deri në minimum.
Nga aksionet e tyre “harakiri” për vendin tonë, ta veqojmë qoftë edhe vetëm një, krijesën fantazmë të njohur si “zajednica” serbe, e cila po u aprovua në Kuvend, sapo të marrë edhe bekimin ligjor, ajo pa vonesë dhe me siguri të 100%, menjëherë do të shndërrohet në barrikadë antishqiptare, do të stërkeqet shpejt dhe kthehet rrufeshëm në rrezik të përhershëm shtetëror për Kosovën si “kalë troje” i Serbisë brenda territorit tonë kombëtar e shtetëror.
Këtë e di mirë edhe zonja Ulrike Lunaqek e cila jo vetëm se u pajtua plotësisht me vendimin për pezullim të përkohshëm por edhe shtoi me të drejtë dhe tërësisht e bindur, se nëse vendos Gjykata Kushtetuese, atëherë duhet të ndryshohen pjesët e marrëveshjes që nuk janë në harmoni me Kushtetutën e vendit.
Por, siç kemi rastin të shohim kohët e fundit, pikërisht pikat që dëmtojnë të tashmen dhe të ardhmen e popullit dhe shtetit të Kosovës, vazhdon ti mbrojë me këmbëngulje dhe mbështes me egoizëm të pakuptueshëm e shkatërrimtar politika e përçudënuar shtetërore, duke kërkuar vazhdimin e bisedimeve të tilla edhe më tej me Serbinë!?.
Kjo ndodhë në momentet kur vet zonja Lunaqek deklaroi se edhe për atë personalisht, mbetet problematike, sidomos pjesa e marrëveshjes në të cilën thuhet se; “vetëm serbët mund të emërohen në pozita të caktuara udhëheqëse”, gjë që edhe me ligjet e BE-së, nuk guxon të ndodhë në një vend “multi” etnik, siç vazhdon të cilësohet Kosova.
Por kështu dhe kaq qartë nuk janë shprehur ende edhe qeveritarët e shantazhuar të Kosovës,madje ata deklarojnë se duan gjithsesi ti vazhdojnë bisedimet me Serbinë!
Kujtojeni vetëm faktin e përsëritur, të cilin e kemi mësuar disa herë nga përvoja e hidhur e historisë së luftërave të mëhershme ballkanike për okupim, se si shteti dhe qeveria serbe edhe kishat e manastiret ortodokse në Kosovë i shndërruan në baza agjenturore dhe zyra strategjike ushtarake, për pushtimin e tokave tona.
Ndaj, merreni me mend se çfarë poligoni ushtarak dhe shtrirje agjenturore do të rrjetëzoj Serbia në Veriun e vendit, sapo të aprovohet në Kuvend “zajednica” dhe i gjithë veriu të kalojë nën sundimin alien të saj.
Megjithatë dhe përkundër të gjitha dështimeve të shumanshme, korrupsionit, mosfunksionimit të gjyqësorit, kapjes së sistemit të drejtësisë, skandalet në arsim e universitete, nepotizmit në administratë e diplomaci, emigrimit masiv dhe varfërisë së pafund e deri te shitjet mijëra hektarëshe të tokave tona në emër të demarkacionit me shtetet fqinje, qeveritarët nuk u ngopën ende tërësisht.
Madje, edhe federalizmi i brendshëm me republika serpska apo “zajednica”, si krijesë kurrë e paqenë as në kohën e krajlave dhe komunizmit jugosllav,në këto troje, por që nën udhëheqjen e Qeverisë Thaçi, i erdhën si “dhuratë” Kosovës, qeveritarët aktual e ndoshta edhe votuesit e tyre, nuk i mbushi mend.
Siç duket, akterët e gjithë këtyre fatkeqësive, nuk i kthjelloi edhe dështimi në UNESCO dhe as pezullimi i “zajednicës” nga Gjykata Kushtetuese.
Fatkeqësisht, asnjë nga këto fakte të turpshme, nuk u kthyen në shembuj vetëdijesimi për ta, që më në fund, si pushtetar të dështuar, të japin dorëheqje.
Të gjitha këto, prodhuan një arrogancë të paturp dhe shtytje të “dëshpruar” për vazhdimin e qeverisjes së tyre makabër, kundër së cilës ka filluar të shprehë pakënaqësinë dhe deklarohet hapur edhe diplomacia perëndimore, ngase edhe 15 vite pas çlirimit, bartësit e politikës së kriminalizuar, edhe më tej nuk po e lënë këtë vend të shohë dritë dhe kthehet normalitetit.
Madje, derisa njohësit vendor të zhvillimeve politike por edhe ata evropian e ndërkombëtar si zonja Lunaqek, me të drejtë vlerësojnë se sjellja e Serbisë është jashtë çdo logjike të përmbajtjes së marrëveshjeve të Brukselit, vetëm politikanët e shitur e të shantazhuar shqiptar, ende nuk duan të kuptojnë asgjë, madje as tradhtitë e mundshme që ata me apo pa vetëdije i shkaktuan këtij vendi dhe dështimet e një pas njëshme, me të cilat e sollën Kosovën në këtë gjendje.
Çuditërisht, njerëz të tillë, nga të cilët po i zihet fryma këtij vendi, kanë fytyrë dhe guxim që edhe më tej të deklarojnë me këmbëngulje se pa marrë parasysh dëmet që i kanë shkaktuar Kosovës, përfshi demarkacionet e dyshimta me vendet fqinje dhe pjelljen e republikës serbe si “zajednica” brenda territorit tonë, me çdo çmim, do ti vazhdojnë bisedimet me Serbinë.
Edhe po të mos kishte ndodhur fare falja, apo ndoshta edhe shitja e dhjetëra mijëra hektarëve tokë FYROM-it, më herët dhe Malit të Zi tani, ata të paktën në këto momente dështimi dhe turpërimi para vendorëve dhe ndërkombëtarëve, vet duhet t`ia vejnë gishtin kokës dhe të mendojnë seriozisht se për çfarë arsye, në të vërtetë i duhet medoemos Serbisë e ashtuquajtura “zajednic” në Kosovë, kur dihet se serbët edhe ashtu kanë aq shumë të drejta të pakufizuara në vendin tonë, sa jo vetëm pakicat tjera por edhe vet populli shumicë shqiptar nuk i ka.
Për çka tjetër do ti nevojitej Serbisë, kjo krijesë e paqenë asnjëherë në veriun e vendit tonë, ku serbët do ta kenë të vetëm pushtetin absolut, përpos shndërrimit të kësaj pjese të atdheut të tkurrur të shqiptarëve, në një bazë të madhe agjenturore e ushtarake serbe brenda territorit të Kosovës, për ripushtimin e tërë vendit tonë edhe ashtu të vogël, në një të ardhme të mundshme nga Serbia.
Ndaj pas dështimit për pranim në UNESCO, dhe pezullimit të përkohshëm të “zajednicës”, Kosova përveçse ka nevojë që ti ndalojë menjëherë bisedimet, ajo duhet edhe ti rishikojë urgjentisht të gjitha marrëveshjet e deritanishme me Serbinë, të cilat jo vetëm se në masën më të madhe nuk ishin fare bilaterale, por ato pothuajse tërësisht, u zhvilluan për çështje të brendshme të Kosovës.
Sjelljet arrogante të udhëheqësve më të lart serb, janë në kundërshtim të plotë edhe me parimet e integrimeve evropiane. Ata jo vetëm pengojnë integrimin e Kosovës, kudo që munden dhe arrijnë, por vazhdimisht edhe dirigjojnë se për çfarë duhet të bisedohet në Bruksel.
Madje, duke shfrytëzuar paditurinë dhe shantazhin e udhëheqësve të frikësuar kosovar, udhëheqësit serb nuk lejojnë pothuajse asnjëherë, futjen në agjendë të çështjeve bilaterale të cilat do ti shërbenin edhe popullit të Kosovës dhe njohjes reciproke me Serbinë.
Për aq më keq, përpos humbjes së shumë territoreve, nuk ka asnjë shembull tjetër në rajon e më gjerë, si vendi ynë, të ketë edhe “zajednica” apo asociacione njëetnike, brenda vetes si shtet “multietnik”, siç vazhdon të cilësohet (padrejtësisht) Kosova.
Asnjëra nga shtetet fqinje, Serbia, Mali Zi apo FYROM, nuk u kanë dhënë kurrfarë autonomie as asociacioni, pakicave shumë më të mëdha, në shtetet e veta.
Bullgarët, turqit e grekët sado qoftë numri i tyre, përfshi edhe shqiptarët si populli numër dy në FYROM, pas “popullit shtet formues” sllavomaqedon, nuk kanë asnjë asociacion të tillë apo të ngjashëm.
P.sh. në vet Serbinë e sotme, përveç shqiptarëve, puna e të cilëve, kudo ende vazhdon të mbetet tabu dhe trajtohet si “sui generis” as myslimanët e Sanxhakut, kroatët, hungarezët, rumunët, romët e shumtë apo edhe bullgarët në trevat kufitare me Bullgarinë etj., nuk kanë kurrfarë asociacioni, në formë as përmbajtje me “zajednicën” serbe që ajo kërkon me këmbëngulje ta formoj në Kosovë.
E duke pasur parasysh përvojën e hidhur okupuese në të kaluarën dhe orekset e mëdha e të pashëruara serbe për pushtim edhe sot, agresioni i Serbisë mbi vendin tonë, nuk mund të përjashtohen fare as në të ardhmen, kështu që pikërisht në zonën veriore të sunduar nga “zajebnica” e saj, ajo me siguri për fillim, parasheh krijimin e heshtur të agjenturave policore e më vonë edhe përgatitjen e hapur të terrenit për vendosjen e furishme të bastioneve ushtarake, por jo assesi shndërrimin e saj, në “fushë pajtimi” ndërmjet të dy popujve apo zhvillimin e atraksioneve ndërshtetërore sportive, aty.
Për fat të keq edhe Tom Yozdgerd, drejtor i departamentit amerikan për Ballkanin Perëndimor, në emisionin “Ora e Bugajskit”, transmetuar nga RTK, tha se kur flitet për Serbinë, duhet të kihet parasysh, kisha, “historia” etj,mirë or i uruar, po ç`histori na paskan melezët sllavo maqedonë, të cilët nuk u japin jo vetëm asociacion por as të drejtat më elementare, kombëtare e njerëzore, popullit autokton shqiptar, apo edhe pakicave bullgare, rome, turke e greke të cilat ekzistojnë atje, kur dihet se FYROM, u krijua nga Tito, pas Luftës së Dytë Botërore dhe nuk ka kurrfarë tradite as historie të veten kombëtare, përveç asaj që vjedhë nga popujt fqinj.
Ndaj, është vërtetë e pakuptueshme se, për çfarë arsye vetëm Kosova, e cila përkundër humbjes së aq shumë territoreve që nga viti 1877,duke filluar nga Nishi e Toplica dhe Sanxhaku deri dje shqiptar, sot dënohet që edhe brenda kufijve të tkurrur të këtij pak territori të vizatuar pa dashjen tonë, patjetër të krijoj edhe një “zajednicë” serbe për bllokimin total të funksionimit normal edhe të këtij grim shteti të rrudhur përdhunshëm nga të gjitha anët.
Dihet nga të gjithë, vendorë e ndërkombëtar, se “Zajdnica” serbe me një porosi nga Serbia, mund të stërkeqet aq shpejtë e lehtë, sa që, sa qelë e mbyllë sytë, të kthehet në fantazmë të papenguar të interesave serbo-ruse, brenda vendit tonë, në Kosovën e vrarë pas shpine nga “heronjtë” e “luftës dhe të paqes” së dyshimtë.
Këto nuk janë kurrfarë fshehtësish, madje, analisti serb Dushan Janjiq, menjëherë pas vendimit të UNESCO-s, i bindur se autoritetet e Kosovës tanimë kanë hapësirë edhe më të kufizuar për refuzimin e pretendimeve serbe, deklaroi publikisht se Serbia duhet ta shfrytëzojë edhe këtë rast dhe në emër të “trashëgimisë kulturore e fetare”, të hap edhe dy tema të reja, si ai mbi pozicionin e Asociacionit të Komunave serbe dhe atë të kishës ortodokse në Kosovë.
Mjerisht, në anën tjetër, po-ashtu është fakt i pamohueshëm, se për të gjitha fatkeqësitë që kanë goditë atdheun tonë të vogël, e me siguri edhe për dështimin e fundit për pranim në UNESCO, fajet pa asnjë dyshim, u takojnë përfaqësuesve të padenjë të vet Kosovës, nga të cilët u pështirosën aq shumë edhe shtetet demokratike të Azisë si Japonia e Koreja Jugore por edhe Polonia evropiane, sa që për të shprehur ironinë e madhe dhe frustërimin e pafund ndaj politikanëve të kriminalizuar kosovar, megjithëse na kanë njohur para shumë vitesh si shtet, ato tani refuzuan të japin edhe votën e vet për pranim të Kosovës në UNESCO.
Por, pas pengesave të pashembullta dhe skajshmërishtë agresive të Serbisë, e cila përkundër obligimit nga marrëveshja e 19 prillit të vitit 2013, për mos pengimin e Kosovës në rrugëtimin e saj për integrime ndërkombëtare, vazhdimisht vijon të shkelë me të dy këmbët, jo vetëm mbi marrëveshjet e Brukselit, por edhe mbi politikën e BE-së, për fqinjësi të mirë, duhet ndërprerë bisedimet shterpe me të.
Kosova jo vetëm se duhet pezulluar menjëherë dialogun e pakuptimtë por edhe të rishqyrtoj seriozisht të gjitha marrëveshjet me një vlerësim detal ligjor e kushtetues, si dhe të mos i rifilloj ato pa ndryshimin e sjelljeve arrogante të politikanëve serb dhe paqësimin e plotë të qasjes agresive të Serbisë ndaj Kosovës.
Përndryshe, nën këto kushte, është i pamundur zhvillimi normal i bisedimeve të mëtejme, derisa vet Marrëveshja e Brukselit e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian më 19 prill të vitit 2013, në pikën 14 të saj , thotë: “Palët pajtohen që të mos e pengojnë njëra tjetrën për anëtarësim në organizatat dhe forumet ndërkombëtare”, por Serbia nga fillimi deri në fund e bënë të kundërtën.
Siç dëshmoi edhe rasti i fundit, ajo vazhdimisht vijon ta pengojë me arrogancë dhe bllokoj kudo që arrin, anëtarësimin e Kosovës, në cilën do organizatë dhe instancë ndërkombëtare.
Madje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pezullimin e përkohshëm të Asociacionit të Komunave Serbe, drejtori i zyrës për Kosovën Marko Gjuriq, përmes një paraqitjeje në Radio Televizionin e Serbisë, shkon aq larg me arrogancën e vet, sa që përpiqet jo vetëm ta urdhërojë “Prishtinën” që ta zbatojë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, sikur kjo të ishte “bahqe e babës” së tij, por edhe kërcënon Kosovën, se; Serbia nuk do të heshtë dhe qëndrojë duarkryq!?
Për aq më keq, ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq, shkoi edhe më larg dhe vetëm sa nuk i shpalli luftë të hapur Kosovës, duke e deklaruar këtë në mënyrë të tërthortë, kur tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sipas tij, dashka të thotë, hiq më pak se kërcënim për stabilitetin rajonal.
Por, pasi që Diplomacia e Kosovës është e mbushur me nepotizëm dhe militantë politik, Serbisë as pas këtyre zhvillimeve dhe kërcënimeve skandaloze, nuk ka kush ti përgjigjet me kohë dhe si duhet.
Politika e mbi 100 mijë qytetarëve të ikur, brenda një viti, në vend të reagimit ndaj kërcënimeve më të reja serioze të përfaqësuesve të shtetit serb, përmes zëdhënësit të “prontove” deklaron se si në PDK nuk e njohin dorëzimin, madje le të kërkojë kush të dojë, se përkundër të gjitha dështimeve, zëvendëskryeministri e Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi as zëdhënësi i tij Petrit Selimi, nuk do të japin dorëheqje.
Ndaj ,në vend të përfundimit, nuk mund të mos pyes njeriu me trishtim, se; athua deri kurë do të durojë ky popull i ynë fatkeq,pse duhet të toleroj mbulimin e tradhtive të mëdha dhe fshehjen e dështimeve të pa fund të kësaj kaste të kriminalizuar politikanësh. Edhe sa vite, do tu duartrokas shpikjeve manipulative dhe thurjes së lavdive të pa qena për heronjtë e rrejshëm, pa largimin e të cilëve nga udhëheqja vendore, populli dhe shteti i Kosovës, kurrë nuk do të lirohet nga krimi i organizuar, korrupsioni, varfëria e izolimi as përjetojë ligj e rregull të brendshëm si dhe përparim e aprovim të merituar ndërkombëtar. Zot shpëtoje këtë vend dhe popull nga udhëheqës të tillë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gani Qarri, Zot shpëtoje Kosovën

Vështrim gjuhësor mbi të folmen e Gumenicës së Vlorës

November 13, 2015 by dgreca

MONOGRAFIA E DR. ARTAN XHAFERAJ, BULËZ ALABANOLOGJIKE LULESHQIPE PËR FJALORIN THESAR TË LABËRISË/
Promovohet monografia “Vështrim gjuhësor mbi të folmen e Gumenicës së Vlorës” e Dr. Artan XHAFERAJ/
Shkruan: MSc. Albert HABAZAJ, bibliograf/
Një libër i shkruar hijshëm sapo çeli freskët, shkruar me luleshqipe në kopshtin e lulëzuar të gjuhësisë. Është libri “Vështrim gjuhësor mbi të folmen e Gumenicës së Vlorës”, monografi e përgatitur nga Dr. Artan Xhaferaj, pedagog i Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë. Në vijë kronologjike, pas Prof. dr. Rami Memushaj, hartuesi i kësaj monografie shkencore është i dyti autor vlonjat me origjinë nga Lumi i Vlorës, që del me një botim akademik për vendlindjen (vendorigjinën). Në qoftë se botimet e Prof. Memushajt për Kurveleshin dhe Himarën janë kontribute me dritë historike, gjuhësore dhe etnologjike, që rrokin hapësira më të gjera në dy krahinëza të krahinës së madhe etnografike të Labërisë, ky punim i Dr. Xhaferaj është thelluar vertikalisht ngushtë në një hapësirë të caktuar të njësisë bazë të bashkësisë njerëzore. Parë nga ky këndvështrim, Dr. Artan Xhaferaj është autori i parë me origjinë nga kjo trevë, që boton një punim shkencor për bashkësi lokale, që, në rastin konkret, është vendlindja e autorit, Gumenica e Vlorës, emërdëgjuar për kuvende e histori, për dije e kulturë. Monografia është strukturuar si një ndërtesë 9-katëshe, me dritë dhe hapësirë të plotë, në të cilën banorët e pallatit jetojnë këndshëm me dinjitet. Veçoritë gjuhësore të së folmes së Gumenicës duken në katin e dytë, të tretë dhe të katërt, parë në rrafshin fonetik, morfologjik dhe sintaksor, për të cilët janë specialistët e fushës, që kanë dhënë vlerësime të larta dhe të merituara. Ndiej kënaqësi, se e shikoj punimin e Artanit, sikur ta kisha realizuar unë, e, për këtë, falënderime të sinqerta kam për gjuhëtarin e shquar, Akademik, Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj për parathënien e librit. Po ashtu, mirënjohje shpreh për stafin e tre “supervizorëve”: Prof. dr. Enver Hysa, Akademikun vlonjat Ethem Likaj dhe, patjetër, Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, i vlonjatizuar më se 49 %…, të cilët ndoqën zbatimin e punimit të ndërtesës së “ustait” Artan Xhaferaj sipas projektit.
Kati i parë i pallatit është shumë i dobishëm, sepse u hap punë folkoristëve, etnografëve, etnologëve shqiptarë. Të dhënat e përgjithshme për fshatin e Gumenicës në rrethin e Vlorës i gjejmë pikërisht këtu. Në katin e parë njihemi me ritet, festat popullore e fetare; në këtë kat gëzon dasma, ndizet kënga dhe dollitë labërisht, sipas variantit gumenicjot, (nga këto vise ka dalë dhe fjala: “Fshat e zanat, der’ e tabiat”).
Ndjej respekt për autorin për ndershmërinë profesionale që tregon ndaj 20 subjekteve të përzgjedhur për materialin gjuhësor – dialektor të këtij studimi monografik (përfaqësues të të dy gjinive, të grupmoshave të ndryshme, të niveleve të ndryshme arsimore si dhe nga të gjitha lagjet dhe mëhallat) . Rastis bukur që paraqitja e botimit akademik “Vështrim gjuhësor mbi të folmen e Gumenicës së Vlorës” na shfaqet si prelud i Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike “Urat kulturore mes Himarës dhe Diasporës Arbërore në shek. XVI-XVIII (Kronkë identitare dhe eurocentriste)”. Është një këngë e vjetër që këndohet labçe këthëna, që shqyrton studiuesi Xhaferaj: “Që në Gumenicë e lart’/ Himarë i thonë çdo fshat…”.
Fjalët e urta, frazelogjitë, emërvendet, fjalësi i të folmes janë vlera të dukshme etnologjike, tregues i një pune të kryer me dashuri e dituri për atë hapësirë e bashkësi njerëzore, që autori njeh më mirë. Si pjesë e së tërës etnokulturore, materialet gojore të mbledhura prej Dr. Artan Xhaferaj janë visare origjinale, që i japin gjuhëtarit të ri edhe statusin e mbedhësit të palodhur e të vërtetë të traditës gojore dhe kulturës shpirtërore (jo materiale) të Gumenicës së Artanit, të “Gumenicave” të secilit studiues, që ka dëshirë e mundësi të bëjë studime të mira, të bukura, të dobishme për vendlindjen. Artan Xhaferaj për këtë monografi është mbështetur në dokumente të botuara dhe në burime arkivore, në një literaturë të pasur historike e gjuhësore, në folkorin e botuar të Gumenicës dhe të Labërisë, si dhe në folkorin burimor të gjurmuar në vendin e praktikimit me variante. Mbi të gjitha, puna e tij në terren, ekspeditat vetjake dhe, sidomos, harmonizmi i punës në terren me njohuritë teorike e kërkimet e mëparshme shkencore të autorit – është qielli i kthjellët, ku fluturon dallëndyshja e parë, që na lajmëron se po vjen pranvera edhe për botime të tjera të nivelit akademik për fshatra a zona të Lumit të Vlorës në çerdhen e Albanologjisë.
Një punë të pëlqyeshme dhe mbushmendëse, duke respektuar raportet e gjuhës standarde shqipe, të dialektologjisë dhe fjalëve të huaja, bën autori për pastrimin e gjuhës shqipe. Ai e quan të panevojshëm përdorimin e emrit toponim [edhe pse ka fituar qytetari], duke e zëvendësuar me fjalën emërvend. Po kështu, përbën risi gjuhësore futja e emrit fjalësi etj., që na kujtojnë vjershën e Naimit të madh: “Gjuha jonë sa e mirë!…”
Kjo monografi u vlerësua nga studiues shqiptarë, si Prof. dr. Roland Zisi, Prof. dr. Bardhosh Gaçe, Dr. Vilma Bello dhe në mënyrë të veçantë nga Prof. dr. Françesko Altimari, nga Universiteti i Kalabrisë, Prof. dr. Mateo Mandalá nga Universiteti i Palermos, nga Prof. dr. Dhori Q. Qiriazi nga Universiteti Aristotelian i Selanikut, si dhe nga kolegë e studiues të tjerë, miq të autorit.
*) drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Filed Under: Kulture Tagged With: “Vështrim gjuhësor, Artan Xhaferraj, mbi të folmen e Gumenicës, se Vlores

Cfarë po ndodh me daljet publike të qeveritarëve shqiptarë?

November 13, 2015 by dgreca

Opinion Nga Aurenc Bebja/Francë, 13 Nëntor 2015/
Kohët e fundit, daljet publike të disa qeveritarëve (politikanëve – zyrtarëve të lartë), që do shohim në vazhdim, na bëjnë të reflektojmë mbi sjelljen tonë publike, dhe mbase do të na ndihmojnë në të ardhmen të përmirësojmë edhe stilin e komunikimit. Fjalët tona nuk analizohen dhe interpretohen një lloj kur flasim si një person i shoqërisë civile apo si një qeveritar – politikan. Natyrshëm, lind pyetja nëse disa qeveritarë nxitohen disi në mënyrën e tyre të të shprehurit në publik ? A po këshillohen si duhet ? A janë të ndërgjegjshëm për gafat që bëjnë apo është një metode komunikimi e tyre ?
Tre shembuj konkretë, të marrë në aktualitetin shqiptar (median televizive dhe të shkruar) dëshmojnë që daljet publike të zyrtarëve të lartë, mbase dhe të pa përgatitura, nuk janë gjithmonë profesionale :
Së pari, Ministri i Shëndetësisë deklaronte [1] para disa ditësh në emisionin Opinion se nëse sëmuresh nga zemra përgjatë fundjavës vdes. Për fat të mirë gjatë javës në vazhdim, ky problem do zgjidhej dhe nuk do të vdisnim më përsa i përket zemrës. Domethënë gjatë qeverisjes dy vjeçare të koalicionit « ASE » jo vetëm që shëndetësia nuk u bë falas, ashtu si u premtua gjatë fushatës elektorale, por zbulojmë se situata ishte më kritike. Mund të vdisnim gjatë ç’do fundjave në rastin e sëmundjeve të zemrës, sepse nuk kemi patur shërbim mjekësor (urgjencë) për të. Dhe diçka e vërtetuar nga vetë ministri rëndon akoma më shumë çështjen e shëndetësisë dhe ngre dyshime mbi nivelin mjekësor (njerëzor dhe logjistik) në Shqipëri.
Së dyti, Ministri aktual i Drejtësisë, po në emisionin Opinion (ende jo ministër), fyente [2] në mënyrën më banale kancelaren gjermane, Angela Merkel, gruan më të pushtetshme në botë, duke paragjykuar fizikun e saj : « Për fund s’është ajo. Ajo s’është e mirë për grua…duhet të pyesim burrin e saj…noj hallexhi duhet të jetë…nana e dreqit ». Në nivelin e tij politik dhe drejtues nuk është e këshillueshme të përdoret një fjalor i tillë në daljet publike, sidomos për një shtet si Shqipëria, kur pretendojmë të futemi në Bashkimin Europian, dhe ku influencën e Merkelit e njeh e gjithë Europa dhe Bota, ashtu si dhe Kryeministri i këtij ministri. Eshtë Merkeli, ajo që të kalon ose të ngel në klasën europiane, prandaj nevojitet kujdes kur e sulmojmë atë. Dhe le të imagjinojmë pak sikur Zonja Merkel të kishte thënë një gjë të tillë ndaj ministrit të sotëm të drejtësisë apo ndonjë politikani tjetër shqiptar, çfarë reagimi do kishim ?
Së treti dhe së fundmi, Kryeministri i Shqipërisë, qëllimisht ose jo, « sulmoj » publikisht [3] median shqiptare : « Media këtu ka të gjithë lirinë të thotë çfarë të dojë, ka lirinë të shpifë sa të dojë, ka të drejtën të akuzojë kë të dojë, ashtu sikundër unë besoj se media nuk mund të sillet si lulja mos më prek ». Mbase pas reagimëve të Kryetarit të Parlamentit [4] dhe të OSBE-së [5], ai u detyrua të tërhiqet [6] : « Asnjë lidhje me shtypin kriminalizimi i shpifjes! Jo, shpifja duhet te jetë vepër penale për çdo politikan që paguhet me taksat e popullit ! ». Të shpifësh, nuk është aspak profesionale dhe është e nevojshme të përmirësohemi në këtë fushë, por të shtypësh lirinë e fjalës, është diçka anti -demokratike dhe e pa tolerueshme për një vend si ne që aspirojmë të futemi në BE.
Si përfundim, ç’do dalje publike kërkon me siguri të plotë një përgatitje serioze në prapaskenë, sidomos në nivelin e zyrtarit të lartë, sepse fjalët që thuhen ose shkruhen, analizohen dhe interpretohen, dhe kanë efekt të shpejtë (pozitiv ose negativ) në opinionin publik.
Burimi : © DARS (KLOS), MAT – ALBANIA – OPINION
http://www.darsiani.com/mendim-opinion/
REFERENCAT :
[1] Lapsi.al, 28 Tetor 2015 : « Gafa e Beqajt: Nëse sëmuresh nga zemra në fundjavë, vdes sepse nuk ka mjek në spital. »
[2] Opinion – TV Klan, 26 Tetor 2015 : « Gra të bukura dhe të pushtetshme ! »
[3] Syri.net, 11 Nëntor 2015 : « Pas kërcënimit që i bëri medias dje, Rama rikthen shpifjen vepër penale. »
[4] Panorama, 12Nëntor 2015 : « Shpifja, Meta : Ka një keqkuptim, besoj se do të ketë reflektim. »
[5] Tema, 12 Nëntor 2015 : « OSBE : Parlamenti ta refuzojë nismën e qeverisë për shpifjen.»
[6] Shqiptarja.com, 12 Nëntor 2015 : « Shpifja, Rama : Ndjesë ! Dënimi për gazetarët ishte keqkuptim. »

Filed Under: Opinion Tagged With: bebja Aurenc, daljet publike, qeveritaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3360
  • 3361
  • 3362
  • 3363
  • 3364
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT