Ese për njëmijë pikturat e piktorit, Ahmet Ibrahimi/
Nga Rrustem Geci-Dortmund-Gjermani/
S´ka më artistike se natyra, se ylberet e saj, se e ngrohta e rrezeve të diellit, se hovet e lumit të zemëruar, se jeta e heroizuar e popullit. Në mëngjesin e 26 marsit të vitit 1981, tek po shkruaja parullën, „Unitet“ dhe “Bashkim“, për dy shkronjat e fundit mu harxhua ngjyra, mirëpo, patrioti Riza Demaj, student, që ishte afër meje, çau me thikë gishtin e tij tregues, për të dëshmuar se liria fitohet me gjak dhe me sakrificë. Prandaj, në të gjitha vlimet e mëdha të Luftës së Kosovës, piktori Ahmet Ibrahimi, ishte brenda betejave të kohës, dhe kryekëngës së kombit – flamurit Kuq e Zi!
Fillimet e artit figurativ në Kosovë janë të hershme. Gjurmët e këtij arti më thotë Prof. Ahmet Ibrahimi, i gjejmë nëpërmjet zbulimeve arkeologjike, e veçmas në qeramikë, tarakota, monedha ari, gurë të shkruar, punime druri, qëndisma, dhe në shkrime poetike e folklorike të popullit tonë. Jeta e artistëve të pikturës është trashendentale. Artisti i pikturës, përpara s´e të kap ngjyrën, ai kap formën, thëllimin, ndriçimin, dhe krejt në fund, të përtejmen dhe thellimën e së bukurës. Kosova është shumë e pasur me art dhe histori!
Artisti i pikturës shpirtin e ka pa xhama, shprehet prof. Ahmet Ibrahimi. Piktori shpirtin e njeriut e sheh tejpërtej vetes, dhe kërkon dritën e fshehur tek frymëzimet. Krijimet në pikturë s´janë të lehta, dhe as të thjeshta. Harmonizimi i ngjyrave, kontrasti, hijet, ndriçimet e vogla, i japin formë veprës; portretit, ose peisazhit. Motivet në pikturë janë me bollëk. Mirëpo, çdo gjë varet nga autori i pikturës. Veprat e mirëfillta artistike në pikturë duan ndjeshmëri, dramaticitet shpirtëror, njohje të mjaftueshme të realitetit dhe të kontradiktave shoqërore.
Piktori, Ahmet Ibrahimi, u lind në Hogosht të Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Dardanë, ndërsa në Prishtinë, Fakultetin e Arteve, dhe studimet pas Univerzitare. Jeta e Ahmet Ibrahimit është një tregim përpjekjesh e një artisti të devotshëm. Dy dashuri të mëdha më ndjekin vazhdimisht; dashuria për Kosovën dhe bukuritë e saj, dhe dashuria për pikturën. I lindur në një ambient epik të Kosovës, Ahmeti do t´i përkushtohet me tërë qenien, artit të pikturës. Mbjellja e ngjyrave dhe motiveve në pikturë janë koha, hija dhe ajri i saj. Shija e dhimbjes më shpie përpara. Artisti i pikturës s´guxon t´i thyej gjunjët përpara sfidave të jetës. Maja e një burri është të bëhet babë, ndërsa maja e një gruaje të bëhet mëmë. Këto dy motive shumë të bukura, kujtoj s´e pak janë përshirë në frymëzimet e piktorëve të vjetër dhe të rinj të Kosovës.
Poezia e ngjyrave në pikturë është dramatike. Brenda ngjyrave, vijave dhe kontrasteve, rrezaton e tashmja e kaluar, dhe e djeshmja e ardhshme. Drita e ngjyrave s´guxon të mbytet nën hije, ajo duhet të jetë e para, si fjala, dhe rrezja e diellit. Hija e asnjë mali më thotë piktori Ibrahimi nuk guxon të jetë mbulesë, për mangësinë e dritës në portret ose peisazh. Liria e ngjyrave dhe e shprehjes artistike në pikturë është e domosdoshme. Kosova është pasuri e madhe e jetës sonë. Kosova, Shqipëria, atdheu ynë në tokë, në ujë, në ajër, është hapësira ime ku unë krijoj.
Në peisazhin e njëmijë pikturave, hapet bota pikturale e piktorit të shquar të Kosovës, e prof. Ahmet Ibrahimit. Natyra, portreti dhe peisazhi janë motivet dhe frymëzimet në shpirtin e piktorit. Jeta dhe bukuritë e Kosovës, qofshin ato lirike dhe epike, kanë forcë të madhe tek krijimet e mia. Lufta çlirimtare, heronjtë e saj, plagët dhe pushkatimet e popullit tonë nga gjenocidistët serbë, janë vetëm disa nga motivet ekspresive që tundojnë shpirtin e piktorit Ibrahimi. Jo rrallë më thotë piktori, studentët më pyesin; përse në artet figurative të Kosovës mungojnë lulet, darkat shqiptare, përroi i dhimbjeve dhe vuajtjeve tona. Pyetje me vend shprehet prof Ahmet Ibrahimi,
leximi i mirëfilltë i pikturës do ta njohësh pikturën, për të kap shijen dhe mesazhin e saj. Në disa raste të ndërlikuara të ngjyrave dhe vijave, artisti qëllimisht i le hapësirë publikut të flet vetë me pikturën. Piktori Ahmet Ibrahimi, është piktor i vlerësuar nga publiku dhe kritikët e artit. Artisti, Ahmet Ibrahimi është vlerësuar me disa çmime, dhe mirënjohje. Çmimin për pikturë 1997 – Flaka e janarit , çmimin për pikturë 2003 – Flaka e janarit, çmimin për pikturë 2012 – salloni i Gjilanit, Çmimin blerës për pikturë 2013- Flaka e janarit. Të gjitha këto aktivitete kulturore në pikturë, shprehet piktor Ibrahimi, janë natyra dhe bota ime pikturale.
Mirëpo, Duhet thënë se piktori Ahmet Ibrahimi deri tash ka realizuar rreth njëmijë piktura, 50 ekspozita kolektive, dhe 17 ekspozita personale. Në të gjitha këto ekspozita, piktori Ahmet Ibrahimi është vlerësuar nga publiku dhe njohësit e artit të pikturës me çmime dhe mirënjohje. Pikturat, “Golgota”, “Masakra e Gjilanit 1944”, “Adem Jashari”, “Dritë e Kosovës”, “Malet me pushkë”, “Portret lirisë”, “Shqiptarja”, “Një pikë gjak për lirinë”, ciklin, “Thyerja e madhe”, “Pasha këtë tokë”, dhe njëmijë piktura të tjera, shprehin fuqinë krijuese dhe artistike të piktorit të paepur, Ahmet Ibrahimit.
Piktori zëmadh i Dardanës dhe i gjithë Kosovës, Ahmet Ibrahimi, është Profesor i angazhuar që nga themelimi i Universitetit, „ Kadri Zeka“ të Gjilanit, në lëndën, Artet vizuale. Në lojën e kujtesës dhe të harresës, motivet dhe frymëzimet në mua bëjnë luftë pashpallur. E ardhmja s´pyet thotë piktori Ibrahimi, ajo e do tërë të tashmen , për të ndërtuar të ardhmen e saj. Sukses piktorit, Ahmet Ibrahimit!
Rrustem Geci – Dortmund, 2015
Ambasadori Ferit Hoxha “Lamtumire OKB”!
NEW YORK : Mbas gjashtë vite e gjysmë largohet nga OKB- ja, ambasadori Ferit Hoxha/
Nga Beqir SINA New York/
“…Ka qenë një nder dhe privilegj të përfaqësoj vendin tim në Organizatën më të madhe Botërore, OKB por edhe për mbështetjen dhe punën tuaj, dhe, unë do të marr me vete atë pjesë më të bukur të karrjerës time, ngrohtësinë e miqësisë, që kemi ndarë gjatë gjithë këto vite me çdonjerin prej jush – organizatat dhe shoqatat e komunitetit, dhe çdo gjë që kam mësuar nga secili dhe të gjithë ju keni mësuar nga diplomacia shqiptare”.
NEW YORK “Kjo, është koha që t’ju them lamtumirë” – “Time To Say Goodbye”, ka thënë ai gjuhën diplomatike, në një mesazh privat nisur në adres të miqëve të tij, para largimit nga detyra, që të le pas gjashtë viteve e gjysmë, ku shërbeu si ambasador dhe përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork,” mbasi, shprehet ambasadori Hoxha, “misionit tim i ka ardhur një fund”.
Ambasadori Ferit Hoxha – sqaron se do të jetë duke e lënë Nju Jorkun – SHBA më 12 nëntor, 2015, dhe do të marrë një pozicion tjetër në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, Shqipëri, pa saktësuar se cili është posti i ardhshëm.
Punën e tij si ambasador dhe përfaqësues në Misionin e Përhershëm të R.Shqipërisë në OKB, ai e ka quajtur si shumë të rëndësishëm dhe nder e pervilegje për të drejtuar diplomacinë shqiptare në Kombet e Bashkauara, gjatë këtyre gashtë vite e gjysmë, duke u bërë ambasadori me jetë gjatë prej rënjes së komunizmit.
Ambasadori Hoxha shprehet :”Detyra ime ka qenë një nder dhe privilegj të përfaqësoj vendin tim në Organizatën më të madhe Botërore, OKB, por edhe për mbështetjen dhe punën tuaj, dhe, unë do të marrë me vete atë pjesë më të bukur të karrjerës time, ngrohtësinë e miqësinë, që kemi ndarë gjatë gjithë këto vite me çdonjerin prej jush – organizatat dhe shoqatat e komunitetit, dhe çdo gjë që kam mësuar nga secili dhe të gjithë ju keni mësuar nga diplomacia shqiptare”.
Andaj me të drejt thotë Ambasadori Hoxha në mesazhin e tij të shpërndar, sot në rrjetin social facebook dhe twitter se :”Unë sinqerisht shpresoj se ne do të vazhdojmë të mbetemi në kontakt dhe të mbajmë lidhjet e mira – dhe, që rrugët tona të kalojnë sërish, nga Tirana, në Nju Jork, apo diku tjetër”.
ZBULIMI I LETRËS SË BILAL XHAFERRIT PËR ENVER HOXHËN
-Grotesk si në gërmimet e Tares/
Nga Kolec TRABOINI/
Kaq qesharakë janë bërë këta që luajnë me materialet e dosjeve që zyrtarisht janë të mbyllura, por në qarkullim dalin soj e soj sajesash, sa arrijnë të bëjnë edhe libra me këto zbulime, kur ligji për dosjet ende nuk është miratuar. Dhe më tej, të vjen vërtet të thërrasësh në kupë të qiellit, sepse kur duan i hapin dosjet, kur nuk duan nuk i hapin, madje i grisin, i fshehin, i djegin. Por tani me kërkime si këto të Dashnor Kaloçit në “Kadare i denoncuar”, po ndodh një çudi e padëgjuar më parë. Na zbulojnë një letër të Bilal Xhaferrit (lexo letrën e Bilal Xhaferrit botuar në “Gazeta Shqiptare” 7.11. 2015 ) që na e paska dërguar drejtpërdrejt për Enver Hoxhën e ku na flet kundër Ismail Kadaresë. Madje duke e akuzuar atë dekadent dhe veten të pastër qelibar e margaritar i partisë!!!
Të gjithë ne që e kemi jetuar atë kohë e dimë mirëfilli furinë e egër me të cilën u lëshuan kundër Bilal Xhaferrit tërë kalemxhinjtë e partisë. Kaq i egër ishte turri i militantëve partiakë me ideologun komunist Fadil Paçramin në krye, sa po të mos qe arratisur Bilal Xhaferri, ishte e sigurtë që do të pushkatohej, sepse kundër tij ishin lëshuar ndërkohë edhe çakejtë e sigurimit. Madje nuk është aspak enigmë vdekja e tij. Edhe atje, në Çikago të Amerikës e gjetën.
Bilal Xhaferri në Amerikë nuk u përzie me atë pjesë të komunitetit që ishte e organizuar, sepse ekzistonte rreziku që agjentët e sigurimit të kishin infiltruar në to, por mblodhi rreth vetes njerëz të besuar. Në vitin 1970 kur shkoi në Amerikë e deri sa kishte frymën gjallë, ai u bë armiku më i madh i komunistëve shqiptare. Le të prekim vetëm disa momente. Në vitin 1978 Bilal Xhaferri i shpëton një atentati e mbetet i plagosur. Në vitin 1981 i djegin zyrat e revistës “Krahu i Shqiponjës”. I digjet thuaj e gjithë krijimtaria. E përjetoi si tragjedi të madhe këtë humbje, por nuk reshti së punuari si një veprimtar i madh në Komunitetin Shqiptar të Amerikës. Nisi të shfaqte shenjat e para të një sëmundjeje dhe i nënshtrohet operacionit. Hyri për të bërë një operacion në kokë, që doktori amerikan e konsideroi të suksesshëm, por Bilal Xhaferri kurrë më nuk u përmend, më thoshte Prenk Gruda në Amerikë, i cili e kishte njohur dhe e kish strehuar Bilalin në shtëpinë e vet. Kështu jeta e tij u shua në Çikago, më 14 tetor 1986.
Por Bilal Xhaferrit nuk iu ndanë denigrimet e shpifjet as pas vdekjes. I anatemuar nga komunizmi, por edhe i lakuar në segmente të caktuara që punojnë për të lartësuar një figurë a një tjetër e për të poshtëruar të tjerë, po ashtu me dëshirën e zjarrtë të krijojnë disidenca të paqëna. Një donkishotizëm ky perfekt për kohën tonë marroke, sepse disidencë të hapur në Shqipëri nuk ka pasur. Aq më tepër shkrimtarët korifenj të komunizmit, që ishin kthyer në monumente për së gjalli e mbroheshin nga diktatura, nuk mund të ishin shprehës të kurrfarë disidence. Por gjithsesi grafomanët nuk do t’i ndahen edhe 40-vjet pas vdekjes Bilal Xhaferrit. Ka diçka që i mundon të gjallët kur kujtojnë madhështinë e të vdekurve. Poeti i burgosur dy herë nga diktatura, Frederik Rreshpja, thoshte për shkrimtarët zyrtarë, korifenj të socializmit, se këtyre ua gërvisht kristalin vetëm elmazi (diamanti) i mprehtë i Bilal Xhaferrit. Frederik Reshpja, ky lirik i madh, që përpiqen ta harrojnë pasi e spiunuan grafomanët e kohës, e konsideronte Bilal Xhaferrin shkrimtar të madh e të panjollë.
Po nuk janë të një mendje ata që punojnë me klane e tarafe, që marrin titullin profesor me ca studime laramane, të cilët shpikin e shpifin disidenca e Bilal Xhaferrin e anashkalojnë apo dhe e shpifin. Dhe një mrekulli e shtypit tonë marrok ishte edhe versioni që u hodh në media sikur Bilal Xhaferrin e dërgoi në Amerikë sigurimi i shtetit komunist shqiptar. Gjetën dhe një oficer kufiri të rrjedhur nga trutë, që mbante mend se ditën kur iku Bilal Xhaferri në Greqi, na qënkan fikur dritat në postën kufitare. Kështu kapen shpifësit pas budallenjve dhe lançohen si studiues, marrin tituj e ndere, gjejnë mënyra për t’i futur librat e vet në listat e librave të rekomanduar nga Ministria e Arsimit dhe kësisoj mbushin xhepat vet me lekë e kokat e studentëve me marrëzira. Nuk kaloi as një vit nga shpifja me sigurim që kurrkush nuk e gëlltiti si histori e tani na zbret nga qielli me “deux machina” një libër i ri siç e publikon lajmin gazeta Mapo, ku na u zbuluaka për herë të parë një letër e Bilal Xhaferrit dërguar Enver Hoxhës. Dhe ku Bilali na e akuzuaka Kadarenë dhe “Dasmën” e tij si një dekadencë e jo një letërsi proletare. Duke qënë se e dimë atë kohë, dhe aq shumë është përfolur për atë mbledhje në Lidhjen e Shkrimtarëve, të vjen çudi se si qënka ruajtur kjo letër për 25-vjet pa u parë nga askush, por pikërisht nga Dashnor Kaloçi. Dhe ky drejt e në një libër pa iu nënshtruar ekspertizës së specializuar, duke bërë kështu show-n e rradhës në shtypin tonë bulevardesk që shushat mendjet e lexuesve me këto zbulim-shpik shpifje. Pse e them këtë. Se ajo letër, te cilën e lexova me vëmendje, nuk mund të mendohet se është shkruar nga Bilal Xhaferri. Të paktën nuk është konceptuar nga ai. Ajo në të vërtetë jep hollësi, por është një letër cerebrale, e shkruar me gjak të ftohtë dhe me kujdes madje të tepruar për të dhënë detaje për gjithçka që kishte ndodhur kohët e fundit në Lidhjen e Shkrimtarëve. E pabesueshme që Bilal Xhaferri, ky mjeshtër i fjalës së shkruar të shprehej kaq thatë në një situatë kur jeta e tij rrezikohej nga çasti në çast. Dhe letrën e paska shkruar në Fshatin Kullë, më 31 dhjetor 1969 (shih “Gazeta Shqiptare” dhe web-sitet elektronike ). Por more të uruarit e perëndisë, shpikës të letrave që na i shkruajnë të vdekurit nga varri, Bilal Xhaferri është arratisur më 30 gusht 1969, pra 4 muaj para se të shkruhej letra e paraqitur si zbulim i madh nga Dashnor Kaloçi dhe që po bën xhiron e rradhës në të gjitha faqet e shtypit. Dhe për më tepër në përmbajtje të letrës, Bilal Xhaferri na i raportuaka Diktatorit se vitin e kaluar kish botuar dy libra “Njerëz të rinj – tokë e lashtë” dhe “Lirishta e kuqe”. Po si mund të shkruante pasaktësi të tilla autori i librave, kur librat qenë botuar i pari në 1966, pra tre vjet më parë, dhe i dyti në 1967, pra dy vjet më parë nga data e shpikur 31 dhjetor 1969. Kuptohet se çdo letër e sajuar nuk i shpëton pasaktësive, edhe në këtë zbulim zbritur nga qielli ndodh e njëjta gjë. Por edhe sikur e vërtetë të ketë qenë ajo nuk thotë asgjë, por është thjesht fjala e fundit e një të dënuari me vdekje, sepse në atë gjendje ndodhej Bilal Xhaferri, kur të tjerëve, të cilët sot na dalin si disidentë nuk u hynte ferrë në këmbë dhe madje hanin dreka e darka me diktatorin.
I dimë mençuritë popullore për të gjallët, por që në Shqipërinë e çudirave funksionuakan edhe për të vdekurit “Shpif shpif se diçka do të mbetët”, por proverbiale janë edhe fjalët “Gërmo Tare, gërmo se qenin e ngordhur ke për të gjetur!”. Nuk u harrua kurrë zanati i gërmimin në këtë tokë të shqiponjave, por së shumti dëgjohen edhe çakej dogmatikë.
Letra, që sipas Dashnor Kaloçit, është shkruar Bilal Xhaferri drejtuar Enver Hoxhës:
I dashur shoku Enver
Unë që po ju drejtohem me këtë letër jam një punëtor. Ju shkruaj për një çështje që është çështje jete për mua, bile akoma më shumë, se i kalon kufijtë e jetës sime personale dhe tani vetëm ju jeni njeriu që do ta zgjidhni përfundimisht e me drejtësi.
T’ju tregoj me dy fjalë biografinë time.
Babai im ka qenë në radhët e Ballit dhe është pushkatuar në fillim të vitit 1945. Megjithatë, pavarësisht nga rasti i tim eti, familja jonë, duke filluar që nga Hoxha Tasimi, ka qenë një familje patriote.
Unë jam rritur jetim. Kam hyrë në punë që kur isha fëmijë dhe sot kam 17 vjet që jetoj e punoj në gjirin e klasës punëtore, si punëtor i thjeshtë në prodhim. Nuk kam mundur që të marr arsim dhe të kryej studime, por duke punuar në mënyrë autodidakte jam përpjekur të grumbulloj pak njohuri dhe të stërvis dorën në letërsi artistike. Si rezultat i përpjekjeve të mia, vitin e kaluar u vu në qarkullim një vëllim i imi me tregime dhe u botua edhe një vëllim me poezi; gjithashtu, shtëpia botuese “Naim Frashëri” përgatiti për të futur në shtyp një roman, të cilin e shkrova me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut.
Shkurtimisht kjo është biografia ime. Dhe tani, që të mos e zgjas dhe të mos ju shkurtoj minutat tuaja të shtrenjta, po vij te çështja për të cilën vendosa t’ju shkruaj.
Në pranverën që shkoi, u organizua në Tiranë një diskutim letrar rreth romanit “Dasma” të shkrimtarit Ismail Kadare. Atje u ngrita dhe unë të shfaq mendimet e mia. Fola kundër këtij romani. Si pasojë, ndodhi një skandal që mori më vonë përpjesëtime të bujshme. Shoku Fadil Paçrami që foli pas meje, njoftoi sallën që unë kisha babanë të pushkatuar dhe më deklaroi mua si armik, kurse romanin “Dasma” e vlerësoi lart. Me autoritetin e tij ai përcaktoi qëndrimin që do të mbahej më vonë kundrejt meje.Më pushuan nga puna. U ndalua vënia në qarkullim e vëllimit tim me poezi dhe romani im u tërhoq nga shtypi. U morën edhe masa të tjera kundrejt meje. Kështu, ngjarjet ndoqën ngjarjet dhe tani unë ndodhem në një gjendje ku shpresa e vetme jeni vetëm ju, është gjykimi juaj.
Nuk dëshiroj t’i kundërvihem një anëtari të Komitetit Qendror, siç është shoku Fadil Paçrami, as nuk dua ta paraqes veten si një viktimë e pafajshme, por megjithatë, në ndërgjegjen time unë nuk jam i bindur që ta quaj veten fajtor, dhe, gjithashtu, akoma nuk jam i bindur që të pranoj se kundrejt meje janë sjellë me drejtësi partie, me drejtësi proletare. I thonë një fjale: “Jepja pëllëmbën tjetrit, sipas faqes”.
U ngrita kundër romanit “Dasma”, se ai më dukej i gabuar fund e krye në brendinë e tij. Vlerat që i atribuoheshin, sipas meje, ishin vetëm vlera në dukje. Por, që ta çmosh një vepër letrare vetëm nga dukja e saj e jashtme, të verbohesh nga shkëlqimi i stilit plot ekstravagancë, pa shikuar brendinë reale, pa zbuluar kuptimin e vërtetë të gabuar në esencë, kjo do të thotë që ta çmosh atë vepër vetëm për sytë e bukur. Një shkrimtar i mirë revolucionar, nuk duhet të abuzojë me idetë e mëdha të partisë, duke i përdorur si prestigjator tezat dhe parullat e partisë, vetëm sa për të bërë efekt, vetëm sa për të krijuar iluzione te lexuesi.
Lexuesi e ka ndjenjën e së vërtetës dhe të realitetit dhe kërkon një letërsi të vërtetë dhe realiste. Ai di ta dallojë atë që shkruhet nën flakën e fantazisë së një shkrimtari, prapa së cilës zvarriten hije mendimesh të shkapërdisura, zvarriten kapituj të mbështetur në rërë simbolesh e konvencionesh të errëta, të mbështetura në pajandime frazash me kuptime të papërcaktuara, të dyfishta.
Romanin “Dasma”, unë e denoncova si një vepër të shkruar shumë larg metodës së realizmit socialist dhe të rënë nën ndikimin e artit dekadent. Nuk ngul këmbë që vetëm si them unë duhet të jetë dhe që vetëm unë duhet të kem plotësisht të drejtë, por sidoqoftë, mendimet që kam shfaqur, jam në gjendje t’i mbroj gjer te presja dhe te pika e fundit, kundër interpretimeve të shtrembra që u janë bërë. Atje unë nuk bëj aluzione, por flas hapur, saktë dhe direkt, duke marrë në analizë të metat e romanit.
Diskutimi im është bërë me shkrim dhe ekziston si dokument. Le të merret ai në shqyrtim dhe le të thirrem unë që të jap llogari për ato që kam thënë atje. Jam i bindur gjer në vdekje, se e drejta është me mua për sa i përket thelbit dhe qëllimit të kritikës sime kundrejt romanit “Dasma”, dhe gjithashtu për sa u përket çështjeve të veçanta më të rëndësishme që trajtoj unë në atë kritikë.
Unë jam punëtor dhe kam shtatëmbëdhjetë vjet që punoj me djersën e ballit. Kam punuar si minator, hekurkthyes, hidraulik, punëtor krahu në bujqësi, në ekspedita gjeologjike dhe në fabrika si teknik ndërtimi, në punime rruga-ura dhe vullnetar që në aksionet e para. Kështu, në gjirin e klasës punëtore po kaloj gjithë rininë time. Ndokush mund të përmendë babanë tim të pushkatuar. Megjithatë, prapëseprapë, unë jam punëtor. Mua nuk më ka rritur dhe nuk më ka edukuar babai im, të cilin nuk e mbaj mend dhe nuk e njoh, por më ka rritur dhe më ka edukuar klasa punëtore. Dhe, në qoftë se duhet të flitet për atësinë time, unë jam bir i klasës punëtore, i brumosur me idealet e saj. Unë vij drejtpërsëdrejti nga zemra e kësaj klase.
Këtu jam rritur që kur isha fëmijë i njomë, këtu njoha gëzimet dhe hidhërimet e jetës, këtu mësova të shkruaj, të dashuroj dhe të urrej, këtu gjeta frymëzimin, heronjtë, gjuhën, subjektet dhe motivet. Pavarësisht nga gabimet e mia të mundshme, pavarësisht pastaj nga antipatia dhe opinioni i keq që mund të kenë persona të veçantë kundrejt meje, unë mbetem gjer në fund bir i klasës punëtore dhe i Partisë së saj të punës. Në qoftë se ka njerëz që e kanë ndërgjegjen flori kundrejt klasës punëtore dhe kundrejt partisë, unë jam nga ata që e kanë margaritar. Unë kam dhënë prova për këtë, në çfarëdo kushtesh që jam vënë; kam dhënë prova në punën dhe qëndrimin tim si njeri, si qytetar dhe si punëtor, kam dhënë prova me veprën time modeste letrare, ku pasqyrohet shpirti im, mendimi im, qëndrimi im ndaj çështjeve të popullit dhe të socializmit.
I dashur shoku Enver
Unë e kuptoj mirë domosdoshmërinë për të zhvilluar luftë ndaj armikut të klasës, si dhe mprehjen e vigjilencës në kushtet aktuale të thellimit të revolucionit tonë, por njëkohësisht e di se Partia nuk gjykon thjesht në bazë të konceptit patriarkal të gjakut dhe nuk mund të më dënojë mua për babanë tim. Unë dua të gjykohet për jetën time. Le të më bjerë mbi kokë dënimi më i rreptë i Partisë dhe i popullit, në qoftë se kam devijuar nga çështja e Partisë dhe popullit dhe në qoftë se këtë e kam bërë me ndërgjegje dhe me qëllim, po kot së koti, pa faj, jam i bindur se nuk do të dënohem, nuk do flakem tutje. Me këtë ndjenjë të palëkundur bindjeje dhe besimi, ju drejtohem juve, që jeni njeriu më i dashur dhe më i drejtë për të gjithë ne.
Pse t’jua fsheh, shoku Enver? Jam në një gjendje të rëndë, plot ankth dhe dëshpërim, dhe më duket sikur më kanë mbetur vetëm dy rrugë në jetë: ose të më jepet përsëri e drejta e botimit, e drejta që t’i shërbej çështjes së Partisë dhe popullit, ose të hidhem nën rrotat e trenit, se nuk duroj dot që të vegjetoj kot, në një jetë pa kuptim, larg problemeve të mëdha të kohës, larg artit tim.
Mbetem në pritje, me shpresën te ju.
Këtë mbrëmje të Vitit të Ri, ju uroj jetë të gjatë dhe forca të reja, ju uroj të jetoni edhe më
shumë se 60 vjet të tjera.
Me respekt të thellë
Bilal Xhaferr Hoxha
Kullë, 31.12.1969
Kosovë-Investitorë nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar
PRISHTINË, 11 Nëntor 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim përfaqësues të kompanisë amerikane “Stone Alliance”, të udhëhequr nga ish-gjenerali Michael Berbero, si dhe përfaqësues të kompanisë nga Londra, “Fox Marble”.
Kryeministri Mustafa, i njoftoi investitorët lidhur me lehtësirat fiskale që janë ndërmarrë gjatë vitit 2015, të cilat e kanë lehtësuar ndjeshëm të bërit biznes në Kosovë dhe po ashtu, i njoftoi lidhur me përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit të të bërit biznes, që po e karakterizon ekonominë kosovare.
Gjatë takimit, investitorët potencialë në industrinë e mermerit, shprehën interesimin e tyre që të lëvizin shumë shpejt me investime prej mbi 100 milionë eurosh në Kosovë, investime këto që do të krijonin nga 2000 deri në 3000 vende të punës.
Kryeministri Isa Mustafa shprehu përkrahjen e plotë të qeverisë së Kosovës për këtë projekt, duke i njoftuar edhe me përmbajtjen e përgjithshme të Ligjit për Investime Strategjike, i cili siguron kushte të nevojshme që të krijohet hapësirë për investime dhe gjenerim të vendeve të reja të punës./b.j/
Protestë e Studentëve në Tiranë
Sali Berisha: Të mbështesim studentët në protestën e tyre/
Foto: Pamje nga protesta e sotme. Fotografi e korrespondentit te Diellit Shefqet Kercelli/
Studentë të Lëvizjes për Universitetin, protestuan sot, e Merkure 11 nentor, kundër ligjit të ri të arsimit të lartë, kryeministri Rama u ka dhënë përgjigje nga Durrësi, ku po merrte pjesë në një takim, për prezantimin e arritjeve të qeverisë. Ai tha se reforma e re në arsimin e lartë është një mundësi që universiteti të kalojë në një shkallë më të lartë, ndërsa vuri theksin te mbyllja e disa universiteteve private.“Nuk kemi arritur të kemi universitete më të mira, po ta kishim arritur për dy vjet duhet të merrnin me siguri drejtimin e botës, por kemi arritur të pastrojmë një tumor të madh, tumorin e universiteteve private që ishin fabrika diplomash, gjithashtu edhe një sistem të tërë të cilit do ja shihni hajrin që të gjithë, edhe ata që që sot janë të bindur se është e duhura. Është një mundësi që universiteti të kalojë në një shkallë të re”,¬ tha Rama.
Sali Berisha: Të mbështesim studentët në protestën e tyre/
Ish kryeministri Sali Berisha, i ka kërkuar Partisë së tij të japë përkrahje për protestat e studentëve. Ai shkruan ne Facebook:Sot studentet dhe pedagoget e universiteteve publike te vendit, ne revolten e tyre ne mbrojtje te te drejtes kushtetuese te shkollimit ne arsimin e larte te te rinjve shqiptare, mbushen per ore te tera sheshin para kryeministrise, ne nje revolte qe zgjati ore te tera. Oratore te shumte moren fjalen, ata etiketuan Ramen, i cili i tmerruar ja kishte mbathur para se revolta te arrinte tek dritaret e tij.
Te revoltuarit denoncuan dhunen, keqtrajtimin e Edi Rames, qe ushtroi me badiguardet dhe fallangat e krimit me uniforme ndaj studenteve qe e goditen ate me veze si person i shpallur nongrata nga studentet e universiteteve publike.
Motoja e levizjese e revoltes universitare eshte moto kushtetuese: “arsim publik falas”, kerkese percaktuese per shkollimin dhe te ardhmen e femijeve te Shqiperise.
Revolta e studenteve eshte revolte kunder mbylljes se dyerve te universiteteve me ligjin e arsimit te larte nga Edi Rama, i hartuar nga lobe te universiteteve private pas korruptimit koke e xhep te Edi Rames.
Fitorja e levizjes studentore eshet e nje rendesie vendimtare per triumfin e revolucionit demokratik qe po zien ne zemren e mbare qytetareve shqiptar. Ndaj ju bej thirrje dhe nje here, nxenesve, gjimnazisteve, studenteve, te rinjve, te rejave, prinderve te tyre, mesuesve, pedagogve, mbare qytetareve te mbeshtesim me te gjitha mundestite tona revolten studentore. Studentet do te fitojne!