-Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, njëherësh raportuese për Kosovën, Ulrike Lunaçek thekson rëndësinë e dialogut ndërmjet qeverisë dhe opozitës/
PRISHTINË, 11 Nëntor 2015/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli priti sot në takim nënkryetaren e Parlamentit Evropian, njëherësh raportuese për Kosovën në këtë parlament, Ulrike Lunaçek, me të cilën diskutoi rreth zhvillimeve aktuale në vend dhe rajon, dialogun dhe sfidat e Kuvendit në procesin e euro-integrimeve.
Veseli e njohu Lunaçek me axhendën legjislative, vështirësitë aktuale, nënshkrimin e MSA-së, përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, rëndësinë e procesit të dialogut, si dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Jemi në fazën kur dialogu dhe mirëkuptimi pozitë-opozitë është çelësi i vetëm i ecjes përpara me axhendën tonë në procesin e euro-integrimeve. Kemi ofruar vazhdimisht mundësi që të diskutojmë pa kufizime për çështjet e ngritura nga opozita, sepse jemi në situatë kur imazhi i vendit është luhatur para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm”, theksoi kryetari Veseli.
Lunaçek vuri në dukje rëndësinë e proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova, respektimin e instancave përgjegjëse lidhur me marrëveshjet, debatin me argumente brenda Kuvendit, por edhe njohjen e opinionit me punën institucionale. Ajo ritheksoi mbështetjen e plotë të saj në këto procese, duke vënë në dukje se qytetarët e Kosovës janë qytetarë të Evropës dhe BE-ja duhet t’i liberalizojë vizat për ta.
Lunaçek theksoi rëndësinë e dialogut ndërmjet qeverisë dhe opozitës, duke e vlerësuar të domosdoshëm edhe dialogun politik ndërmjet partive politike për normalizimin e jetës institucionale./b.j/
Pfandler:Kosova në 7 vjet pavarësi, përparime mjaft të mëdha
-Vlerëson ambasadori i ri, para 7 vitesh shef i misionit të Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler/
PRISHTINË, 11 Nëntor 2015/ Ambasadori i ri i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler vlerësoi sot progresin e arritur deri tani në Kosovë, ku në periudhën historike të shpalljes së pavarësisë në 2008 ishte shef i misionit të Austrisë.
Në takim me ministen e Dialogut, Edita Tahiri, ambasadori Pfandler tha se Kosova ka bërë përparime mjaft të mëdha që nga koha kur ai ka shërbyer në Kosovë para shtatë vjetësh.
Ai uroi Kosovën për marrëveshjen e Stabilizim Asociim me BE duke thënë se Kosova ka vendosur marrëdhënie kontraktuale me BE-në, tashmë.
Ambasadori Pfandler tha se Austria sikurse në të gjitha kohët e rëndësishme për shtetin e Kosovës do të vazhdojë përkrahjen e fuqishme drejt rrugëtimit në integrime euroatlantike.
Duke vlerësuar dialogun e Brukselit ai po ashtu shtoi se Austria vazhdon të përkrah dialogun si një proces kyç për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy vendeve dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës në përgjithësi.Ambasadori Pfandler njëherit konfirmoi angazhimin e Austrisë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral në mes të dy vendeve.
Në takim, ministrja Tahiri ka falënderuar shtetin austriak për ndihmën e vazhdueshme që po i jep Kosovës në përgjithësi si dhe përkrahjes në proceset që lidhen me axhendën euroatlantike./b.j/
Hap siparin panairi i librit “Tirana 2015”
Nga Shefqet Kërcelli/
U cel sot në pallatin e Kongreseve panairi i librit “Tirana 2015”. Nga data 11 deri më 15 nëntor 2015, dhjetra shtëpi botuese e botues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia po ekspozojnë botime të tyre, si të viteve të kaluara dhe ato më të fundit, me tematike, zhanre e gjini të ndryshme. Është fakt që numuri i botimeve gjatë këtyre viteve është përmirësuar ndjeshëm në sasi e cilësi. Por c’po ndodh me lexuesin shqiptar? Me keqardhje konstatojmë se numuri i vizitorëve dhe lexuesve shqiptarë po pakësohet ndjeshëm nga viti në vit, më e theksuar kjo tek të rinjtë shqiptarë. Nga një vëzhgim i thjeshtë, por dhe nga takimet me botues të ndryshëm, të gjithë ma shprehën këtë shqetësim të tyrin. Tashmë është fakt që situata e librit është në krizë, më thotë një botues. Botimet po bien, mjaft shtëpi botuese e librari po falimentojnë. Kjo lidhet jo vetëm me situatën ekonomike dhe internetin, por dhe me politikat zhvillimore dhe fiskale të shtetit ndaj botimeve. Nuk ka subvencione dhe investime nga shteti në këtë fushë të rëndësishme, që ka të bëjë me të ardhmen e kombit shqiptar. Dhe këtu në panair, taksa për truall është marramendëse. Ne me shitjet tona nuk mund të mbulojmë as ¼ e kësaj që po paguajmë. S’dimë si do shkojë kjo punë, thotë një botues tjetër. Ndërkohë për hir të së vërtetës duhet të pranojmë që janë botuar e përkthyer plot libra të mrekullueshëm, por mjaft blerës shkojnë drejt politikanëve të cilët reken ti japin librat me autografe. Kjo sepse politikanët tanë kanë mundësi financimi, reklamimi e marketingu, më shumë se kushdo në panairet tona të librit. S’lamë gjë pa politizuar ne shqiptarët. Në këtë grup të priviligjuarish futen dhe disa gazetërë që fillojnë reklamën e librit pa e botuar ende. Këto lloj politikash e demagogjish e c’orientojnë lexuesin tonë për të përzgjedhur librin e duhur, me ato pak lekë që ka ndarë për të blerë nonjë libër, sipas traditës së lëxuesit e dashamirësve të librit. Natyrisht mjaft lexues janë të prirur drejt librave bestseller, librave historikë e filozofikë. Këtë vit, për herë të parë në këtë panair u ekspozuan dhe libra dixhitalë. Gjithsesi kjo risi teknologjike nuk ka për të ndryshuar situatën e librit në Shqipëri. Tashmë nuk mund të fshihet fakti që shqiptarët i janë larguar librit. Ndaj është domosdoshmëri që si në fusha të tjera dhe për librin, duhet një strategji e vecantë ku të bashkërendojnë punën e tyre institucionet shtetërore dhe subjektet private. Ka disa vite që po ndjek panairet e librit, por pamja që të afron ky aktivitet mbarëkombëtar, nga viti në vit bëhet më trishtuese për librin. Kjo vihej re dhe në fytyrat e botuesve të ndryshëm që i vinin qark eksponateve të tyre por dhe të kolegëve. Gjatë vizitës sime të fundit në SHBA, shkova dhe tek biblioteka publike e New Yorkut. Madje i dhurova një libër nga botimet e mija kësaj biblioteke, ku mora qindra falenderime e urata nga personeli i saj. Ata e vlerësonin tej mase kulturën e dhurimit të një libri. Por ajo që vura re të paktën për 5 ditë qëndrimi atje ishte frekuentimi i kësaj biblioteke. Në cdo orë të ditës pashë qindra njerëz të grupmoshave të ndryshme që nuk rreshtin duke hyrë e dalë në këtë bibliotekë madhështore. Sigurisht për kushtet e ndryshme social-ekonomike dhe kulturore nuk mund të bëjmë krahasime mes dy vendeve, por libri është një, ai i ndricon mëndjen cilido njeriu, kudo që të jetë. Por c’po ndodh me ne shqiptarët në raportin me librin?! Kjo situatë duhet të na shqetësojë të gjithëve. Rrugë e mundësi për ta përmirësuar ka sa të duash, mjafton të jetë dëshira dhe vullneti i mirë i të gjithëve. Gjithsesi le të shpresojmë që ditët e tjera numuri i dashamirësve të librit do rritet në panairin “Tirana-2015”.
Marie Tuci, bijë e virtytit e vlerë demokracie
Nga Kolec Çefa/
Maria!
Kjo vajzë e re dhe e hijshme trashigonte gjakun fisnik të popullit tonë që i qarkullonte nder dej, si gen shqiptar, plot vitalitet race.
Pajisë me virtyte, ajo dha shpresa që heret per një jetë plot urtí, dëshira per dije, impulse per veprimtarì të dobishme. Kishte një fytyrë të hijshme plot dritë sinqeriteti, dy sy të butë e të urtë, ndriçue nga dashamirësia e zemres e nder buzë një qeshje e gjallë e gëzueshme të bante per vete. Të shikonte me dashunì, të ndëgjonte me vemendje e dialogonte njerëzishem. Në bisedë, mes interesës, arsyes e dashunisë, anonte nga dashunia. Fjala e saj, e bazueme në virtyt; sjellja, në hire; vepra, në fenë e gjallë. Fjala perherë e ambel, sjellja perherë e njerzishme, vepra perherë e dobishme per të tjerët. Kishte një shpirt transparent, sepse nuk i sherbente genjeshtres, së keqes.
Ishte ose virtyt i dhanun nga nalt, ose i trashiguem, ose i fituem në rrjedhje të viteve.
Edhe kur komunistët shperndanë shoqatat e urdhënat religjiozë, mbyllen shkollat klerikale, rrenuen lterët e kishave, ajo u ruejt nga ndryshku i shpirtit, nga kalbësimi i veseve, nga zvetënimi i mëkatit.
Kjo lule virtyti mbeti ma shumë “moter” se vajzë, ma shumë shpirt se trup, ma shumë ejell se njeri. Virtytet e shpirtit e lulet e kopshtit kundërmojnë erë të kandshme!
Shoqnia e sotme po sjell sytë ma shumë jo kah politikanët, as kah të aftit per shpikje, por kah këto krijesa shpirtmira, që vetflijohen në sherbim të të tjerëve, në atë rrugë që ndoqi Nanë Tereza, se : “Pa dashuní dhe flijim, jeta nuk ka kuptim”!
Pak biografi
Vajza e njohun e Nikollë Mark Tucit dhe e Dilës Fusha, lindi më 12 mars 1928 e u pagëzue mandej me emnin e bukur Marie. Familja e saj jetonte në fshatin Nderfushëz të Mirditës, me rrajë të vjetra fetare e ndjenja të njohuna patriotike. Qe familje fetare e antikomuniste. Rridhte nga trungu i dëgjuem i Prengë Bibë Dodës, nënkryetar i lidhjes së Prizrenit, shumë vjet i internuem në Anadoll të Turqisë, pjesëmarrës nder veprimtarí politike e ndeshtrasha shoqnore, mik i Abatit të Mirditës.
Edhe gjyshi i Maries permendet në Mirditë, si trim e patriot, madje këndohet në kangë popullore, se luftoi kundër turqve e veglave të tyne në Mirditë. Tue mos durue dhunën turke, ai, së bashku me Ndue Gjonin, vranë bimbashin turk që dogji kullat e Oroshit.
Dhe u rrit Maria mes kujdesit, perkdheljeve e dashunisë prindore, tue ndigjue lutjet e kangët per fe e per atdhe. E dëshirueme mbas Kishës e shkollës, mësimet e fillores e të mesmen i kreu në shkollën e motrave stigmatine, ku dijet e morali pervetësoheshin mirë, ku merrej një kulturë prendimore e rritej e forcohej karakteri. Per natyrë, e mêçme e me vullnet, ajo u dallue në mësime. Mandej mohoi gëzimet e jetës në lulën e rinisë, hyni në rrugën e vështirë të motrave stigmatine e u formue të jetojë per idealet “Fe e Atdhe”, e u aftësue të luftojë per të mbrojtë bindjet e veta. Ndonëse erdhen kohë të vështira, ajo u tregue e guximshme, madje luftarake. Monsinjor Gjini arrijti të nderhyjë që dy vajzat mirditore: Maria e Davida e Gjonmarkaj, si të afta, të edukueme mirë e të pregadituna të emnoheshin mësuese në Mirditë. Por shpejt lufta e klasave e transferoi Marien në një fshat shumë të largët të Mirditës. Dhe atje pati rezultate shumë të mira. Fshatarët filluen ta thërrasin “vajzë me tipare burrnore”.
Vrasja e Bardhok Bibës qe një pretekst i shfrytëzuem shpejt per të shtrie terrorin e kuq. Në Mirditen e panënshtrueme lehtë, filluen shpejt burgosjet, mbarë e mbrapshtë, internimet me faj e pafaj, pushkatimet me proces e pa proces. Mirdita provoi çdo me thanë diktaturë e proletariatit komunist e antikatolik. Siç deklaroi ma vonë një prokuror kriminel: “Lleshërat, Prengërat, Zefërat i kemi marrë mbarë e mbarë e i kemi likiuduar si armiqtë e popullit”.
Këtê fat provoi edhe familja e Maries, dhe vetë Maria, e cila u arrestue me 10.08.1949. Po në atë ditë u arrestue edhe i vëllai. Ndërsa e motra, edhe ajo aktivizue me grupin e studentave, me axhen u internuen në Tepelenë.
Ajo që harrohet persëritet
E futën në një birucë të errët, pa dritë, pa ajër, pa jetë.
E nisën hetuesinë me miklime mashtruese, e vazhduen me provokime e kercnime, per ta perfundue me tortura deri në vdekje. Hetuesi, njeri tërë ves e krim, ngulmoi ta perdhoste atë krijesë të re, të pafajshme, por vajza, gjak fisi e bijë virtyti, ishte edukue nga stigmatinet të perballonte terbimin e furishëm të mëkatit të flligshtisë e të urrejtjes klasore. Ai donte të perlyente virgjininë motrore, donte të thyente burrninë e Gjomarkajve.
Një shoqe nga burgu, Olimbi Baruti ka dëshmue: “Maria ishte e zgjuar, trime, besonte shumë e lutej shumë në burg. Ishte kundershtare e komunizmit ateist. Një herë në muej merrte diçka nga familja, përmes një mike shtëpie, të cilën e shpërndante ndër shoqet”. Ndërsa e bashkëburgosuna Vida Matlija (vdekë 1994) ka deklarue si vijon: “Gjatë të ftohtit rrinim të perqafuara për t’u ngrohur. Biruca e burgut ishte plot ujë që pikonte edhe në dyshek. Ate e çuan në spital në kushte të rënda shndetësore…”.
Por kjo martire virtyti e demokracie, dëshirën per jetë e shihte në dashuninë per njerëzit, bukurinë e jetës e shihte në sherbimin ndaj tjerëve; qellimin e jetës e shihte në qellimin e motrave stigmatine. Dhe të tria këto i zbutnin vuejtjet, i pakësonin dhimbat, i hiqnin frikën në ato orë torturash.
Zef Margjini, i perndjekuni i komunizmit në veprën “Ecje e një shqiptari drejt lirisë” shkruen per Marie Tucin: “Një vajzë rreth 20 vjetëve, kam njohë personalisht atë dhe familjen e saj, u arrestue per motive pikëpamjesh dhe iu nenshtrue torturave të tmerrshme: e zhveshen dhe e futën në një thas të madh dhe me te futën edhe një mace; thasin ia lidhën rreth qafës e pastaj, policët kriminela i binin maces me shkopij ta egersonin, ta hakërronin. Kafsha, tue mos pasë kah me dalë, gerdhishte trupin e vajzës…”. (faqe 38).
“Më tingëllojnë ende nder veshë fjalët e saj, – më tregon moter Virgjina. – Shkova në spital dhe duke ecur në korridorin e gjatë të spitalit, dëgjova një zë: ‘Moter Virgjina, a nuk po më njef, jam Maria!’ Gati më shperthyen lotët. U mbajta. ‘Më ka thanë kryetari i Degës, – vazhdoi Maria, – do të bëj të mos njohë as familja yte’. Dhe vërtetë, ishte bërë per të mos u njohur!”
Edhe ish të burgosunat Terezina Zorba, Drita Kosturi, Ana Daja, tregojnë nga sa kanë ndëgjue atëherë: “Torturat per të kanë qenë nga ma të ndryshmet dhe nga ma të tmerrshmet: uji i hjedhun gjatë ditës e gjatë natës në dyshek, urija, korrenti elektrik, shuen në lulën e rinisë jetën e saj. Atë e kanë zhveshë dhe i kanë futë macen në pjesën e poshtme të trupit. Ishte dobësue aq shumë, sa nuk u njihte. E pra, kishte qenë vajzë mjaft e hijshme. Një letër e shkrueme prej saj që nuk mujtem me e xjerrë prej burgut, do të ishte një dëshmi bindëse e veprës çnjerëzore e kriminelave të Sigurimit. ‘Ditët e mija po mbarojnë. Dëshira e Kolonelit per të më marrë jetën u realizue. Kriminelat e tij nuk lanë torturë pa provue në trupin tem’”. Siç ka deklarue Luçie Kola, ish e burgosun, e cila i ngjante shumë në pamje Maries: “Kur hetuesi më ka pa të varun per krahësh, âsht tmerrue, se ka kujtue se ishe Maria, e cila kishte vdekë para pak kohe”.
Click here to Reply or Forward
Edi po ecën vet
Ilir Levonja/
Me duart në xhepa. I gjatë si ai. Me bluzë herë me numrin e partisë në fushatë. Herë me stemën e OKB-ës. Herë me ngjyrën e rilindjes së tij. Po ecën. Më këmbë. Dhe ne që e postojmë me vrap në internet. Facebook, twitter, instagram. Kemi një kryeministër që ecën vet. Më këmbë. (Megjithëse në distance, truprojat mbajnë barkun me duar.) Vështrojnë sa majtas e djathtas. Edi po ecën në këmbë. Me duart në xhepa. Me ato buzëqeshjet e tia gjysmë të hidhura. Nganjëherë edhe nevrikoset. I bërtet, gazetarëve. Madje u tregon se sa për ibret të zotit janë bërë. Po ecën …, po shkon tek Iliri. Tek ai, me të cilin bëri gallatë për vite me radhë. Pozita dhe depozita etj.
1)Ndërsa po ndiqja mbrëmë deri vonë, një studio të radhës në Opinion. Ku njëri dëshmonte i gjallë. Dhe tjetri kërkonte fakte shkresore. Ku ziheshin për të folur. Ku në mënyrë përfekte sajohej një pyll zhaurimash. Një suferinë natyrale. Njëri ironik, tjetri pioner i devotshëm. Realiteti përpëlitej si puna e asaj presë’ në këmbët apo kthetrat e një grabitqari.
Pastaj sërish të njëjtin avaz. A ka krisje mes Edi Ramës dhe Ilir Metës? Përse iku ministri? Iku vet apo e detyruan.? Jepni përgjigje. Çfarë ka mes tyre.? Pastaj a vidhet në dogana? Vërtet, a keni dokumenta? Keni fakte? (Megjithëse përballë, në ekran një qënie e gjallë raportonte për kapjen e shtetit. Me emra… me aktivitet të deklaruar. Prapë, a keni fakte?). Shkurt, rrëmujë dhe paga të mira për të folur.
2)Sot vendi ynë është i kapur nga një ankth? Si po shkon humori I kryeministrit me kryeparlamentarin.? Duket sikur shëndeti jonë varet nga gjëndja e tyre shpirtërore. Ose të paktën kështu mendojmë ne. Një rast për debat të zjarrt. Mundësi për të treguar devotshmëri. Cili prej tyre është më i forti. Cili më i ndershmi.
Më pas e njëjta pyetje. Çfarë kërkon të tregojë Ilir Meta me lëvizjet në qeveri? Jo e ka kapur, jo nuk e ka kapur kryeministrin. Suferinë fjalësh. Kur është fare e thjesht. Qartësisht e dukshme. Kryeministri deklaron që nuk do ketë lëvizje ministrash. Kryeparlamentari bën të kundërtën. Prapë ne pyesim. Jo për çfarë e bën. Çfarë do t’i tregojë. Ndërkaq postojnë foto se si Edi ecën vet. Se si shkon tek zyra e padronit. Më këmbë, mes qytetarëve dhe truprojave. Moderni, kryeminstri ynë.
3)Me atë numër deputetësh, që ka … Ilir Meta jo që e kapur Edi Ramën prej fyti. Por me garipllëk i kërkon edhe takime. Madje me qetësi i thotë t’i bëj publike. Ta shikojnë shqiptarët se si ai ecën vet. Se i shkon në zyrë. Dhe keqardhjen më të madhe, sado që përpiqen ta lajnë e fshijnë nëpër studio e Opinionit. E kanë vet socialistët. I sillen vërdallë këtij buçkoje të rrëgjuar nga dietat. Gati ta mbysin. Por, çfarë të bëjnë? U desh kaq përpjekje bojkotike, kaq autobuzë ngjyrë violetë, kaq mund fushate, kaq guxim të fortish nëpër qytetet e Shqipërisë së lodhur. Që të vinin në pushtet. Sa inatin dhe duhmën për t’i dhënë shqelmin këtij buçkoje. E kthejnë në dhele idhnakësh. Edhe pse kombëtarja e Berishës është e shpërbërë. Nuk është larguar fantazma.
I pari që hallakatet kështu, që po u bën vetëm një shërbim të mbrapsht shqiptarëve. Socialistëve gjithashtu…, është Edi Rama.
Edhe pse është koha të tregojë largëpamësi politike. Ai nuk ka kurajo. Politkanë të tillë i vine rrallë një vendi. Do të jetë vonë kur ai të arsyetojë se…, (mbase kur të shkruaj librin e kujtimeve) prishja e një aleance. Çuarja e vendit në zgjedhje të parakohëshme. Nuk është fundi i botës. Përkundrazi një largëpamësi politike. Eshtë koha kur vendi, qytetarët kanë nevojë për një shanc. Që të largojnë të keqen.
4) Eshtë shanci i madh Edi. Me këtë krisje dhe ndarje që ka Pd-ja. Ca të Saliut, ca të Lulit. Ca në shtëpi pasi duan që të shkojnë e t’i luten. Ca në luftë për Primin elektoral. Dhe ca si e thashë, në një kombëtare të lodhur Kuvendi. Dhe po të kthehesh nga krahu tjetër, ku haraçi i aleancës me LSI e ka futur shqiptarin në një panik jetësor. Me rekorde ikjesh dhe aplikimesh pranë Llotarisë Amerikane. Me këtë karshillëk reformash etj. Nuk ke për ta çuar atë anije asnjëherë në Europë. Asesi ta rilindësh. Megjithatë, është shanci i madh…, për një politikan bashkëkohor. T’i japi qytetarëve mundësinë. Që ai të kuptojë nëse është apo jo një rilindas i vendit të vet.