*NËSE KA NJË NJERI NË KËTË RRUZULL, QË TORTUROHET EDHE E VDEKUR,AJO ËSHTË MUSINE KOKALARI./
*(Në vend të përgjigjes Elida Hektor Kokalarit, preferoj e citoj vazhdimisht Ismet Toton para pushkatimit : “Bota su përket atyre që ngrohen, Bota u përket atyre që digjen”)/
Nga Novruz Xh Shehu/
Mbas denoncimit të këngëtares Alida Hyska për përdhunim, paradoksalisht një grup autorësh, dolën jo në frontin për të denigruar krimet makabre të sigurimit të shtetit komunist, që ja ka kaluar c’do shteti komunist te Evropës lindore, por në denigrim të heronjve.
Alida Hyska u desh të ikte menjëherë në Gjermani, të largohej nga kjo atmosferë makabre. Ajo u detyrua të mohonte ato që kish denoncuar. Dhe kjo ikje dëshmon se ka grupe të caktuar, mbeturina të ish sigurimit, që kërkojnë të retushojnë me të gjitha mënyrat krimet monstruoze të Komunizmit, të cilat sa të jenë pa u gjykuar do të vazhdojnë të kutërbojnë kolerë e qelbësirëllëk në shoqërinë shqiptare.
Me këtë qëndrim të shoqërisë, politikës, inteligjencies, kjo virozë rrezikon do të transmetohet nga njeri brez në tjetrin duke u shndërruar në “Të sëmurët e përjetshëm të Europës.”
Unë qëndrova krah Alida Hyskut, duke dhënë në gazetat Shqiptarja.com , Minerva ( e më von u dha nga shumë gazeta si VOAL, Tema, rrjetet sociale etj) denoncimin e mëposhtëm:
” Kam këtë të dhënë nga Nipi i Musinesë, Hektor Kokalari, sot 87 vje:
“Musineja erdhi tek ne kur i vdiq nëna Hanushja, në vitin 1964. Erdhi ta përcillte për në banesën e fundit…Mu afrua dhe më tha:
-Në burg kam hequr më shumë nga ç’do parashikim.
E shikova me vëmendje. Nuk mund ta ndihmoja.
-Ne qeli më sollën një person lakuriq..
Musineja u drodh ndërsa e pohoi ketë fakt tronditës. Ndoshta e tha që dikush te hakmerrej! Ndoshta e tha se duhej t’ja thoshte dikujt ketë krim makaber!…Ndoshta e tha se duhej dikush ta merrte vesh (ajo ish e bindur se do të përmbysej sistemi i kolerës).
-Cili ishte?
– Se njoha…”
Vajza e nipit të Musine Kokalarit, Linda, ashtu si tërë ata që u revoltuan për “mbrojtje të nderit të humbur të sigurimit të shtetit” e “të të vërtetës për Alida Hyskun”, u revoltua për këtë denoncim duke dhënë argument se nuk është e vërtetë dhe duke ngritur patosin në mbrojtje të saj në shkrimin e botuar gazetën” Mapo” data 6.11. 2015, e gazetën “Tema”. Ajo e argumenton se “kam shpifur” mbasi nëna e Musinesë s’ka vdekur në vitin 1963 por në vitin 1964, Hektori babai i saj (që paska vdekur para dy muajsh,Pastë Paqe!) nuk mbushte 87 vjec këtë vit por 85 vjec, se Musineja s’ishte në burg por në internim, kur vdiq Aneja dhe se i ati ja thosh të tëra Lindës e s’kish se si të m’i thoshte mua!!!!!!! Dhe sipas këtyre argumenteve “të mëdha” ajo shkruan konkretisht konkluzionin e saj jo të cuditshëm
“Novruz Shehu nuk duhet të shqetësohet kaq shumë për imazhin e Musine Kokalarit….Imazhin e saj nuk e shkatërruan dot ata që e burgosën dhe e interrnuan tërë jetën dhe jo më një artikull delirant i mbushur me shpifje dhe fjalë të ndyra. Një fjalor i tillë rrugësh, nuk mund të qëndrojë në të njëjtin artikull ku flitet për Musine Kokalarin, pavarësisht se kujt i drejtohet”
Desha t‘i thosha zonjushës Linda dhe tërë atyre që përplasën duart me “ C’ja bëre mirë se na cau kokën!” të mbushur me xhelozi e cinizëm se për faktet e mëposhtëme unë s’mund të quhem prishës i imazhit të Musine Kokalarit:
1-Unë jam personi që kam realizuar botimin e 1000 faqe krijimtari te Musine Kokalarit
(Musine Kokalari, vepra, vëllimi i parë, vëllimi I dytë, 2009), ku vec veprave të saj të njohura, u botuan per here të parë dhe tema e doktoraturës Për Naim Frashërin ( ky jeni ju përkthyesja), Jeta ime universitare, Kolla e vdekjes (skica poetike), Korrespodenca, studime gjuhësore, kujtime te saj etj, si dhe monografia më vete “Vajza uragan Musine Kokalari”. Kjo pune voluminoze, duke ruajtur me skrupulozitet identitetin e shkrimve të autores,u vlerësua nga albanologu Robert Elsie me dy fjalë “Punë kolosale!”).
2- Mbasi mora firmat e dhjetra personaliteteve të personalitetetve të shkencës, artit, kulturës, i propozova presidentit të Shqipërisë për vlerësim dhe asaj ju dha titulli që meritonte Nder i Kombit” nga z. Bamir Topi.
3- Kam denoncuar në mediat e shkruara faktin makabër se Musineja prehet ende në varr me tela në duar (në rast se bisedën me motivin e qelisë Ju po e mohoni, dëshminë që kur e zhvarrosën e gjetën me tela në duar, e kam me shkrim dore nga Hektor Kokalari.) …Së bashku me nipin e saj Hektorin dhe kameramaninThemistokli Todhe, kam arritur te realizoj lejen per vendosjen në një varr në vete, ti hiqja telat e t’i shpija në MUZE, por s’munda. ( Vet familja e ktheu fjalën, kundërshtoi të nesërmen dhe ajo vazhdon në varr me tela në duar!)
4- Kam kërkuar me këmbëngulje ngritjen e shtatores së saj në Tiranë mjaft shkrime e intervista në TV si dhe ngritjen e Muzeut në shtëpitë e saj në Gjirokastër prej shtetit. Sipas dhe porosisë së ambasadorit amerikan Uidhers.
5 – Me Visar Zhitin dhe prof Italian Mario Gerco kemi arritur të mundësojmë në Ialli botimin e “Jeta ime universitare”
Po kush vazhdon të tentojë t’ja ulë imazhin e Musine Kokalarit?!
1-Është qëndrim i ulët deri në kanibalesk lejimi e qëndrimi në varr me tela në duar i Musine Kokalarit!
2-Është qëndrim aspak fisnik dhe aspak intelektual që të mos vendoset në Varret e Kombit shkrimtarja dhe politkanja e parë ( femër) shqiptare!
3-Ndërsa jepet një cmim me motivin e qëndresës në ambasadën amerikane, nuk jepet ende nga institucionet shtetërore shqiptare një cmim kulturor, apo politik me emrin e saj!
4- U dogj vitin e kaluar (2014) shtëpia historike e Musine Kokalarit në Gjirokastër duke u zhdukur një herë e përgjithmonë identiteti real i saj!!!! Aty banonte dhe mbante nën ruajtje ( me lejen e familjes rrënjëse Kokalari) dhe kish realizuar shtëpinë muze një e afërme e Musinesë. Nga media dhe shteti u trajtua sikur u dogj një kasolle në Malin e Gjerë. Ende s’kemi të deklaruar në media një versjon ligjor të dhënë nga hetuesia për arsyen e djegjes së kësaj shtëpie! Rastësi është ky fakt! (Cudi si s’u dogj shtëpia e shokut Enver pesëdhjetë metra më poshtë, Qoftë larg!, po u dogj e Musinesë!!! E cuditëshme!)
5- Duke mos u dhënë në Arkivin e Shtetit nga të afërm të Musine Kokalarit ,( shënime,ditare, kujtime dhe njëmijë përrlla etj. për të cilat vet nipi i saj Platoni!”) është penguar botimi i plotë i veprës së saj dhe për për pasojë është mbajtur i dëmtuar e i palotë imazhi artistic!!!
Vet Platon Kokalari ka botuar porosinë e dhënë në letra prej Musinesë: “ Dorëshkrimet i kam në një dosje plastmasi, ti dorëzosh në arkivin e shtetit e të lihen në shkrimet e Sotir Kolesë. Vërtet unë i kam mbledhur e përpunuar, por ai ka qenë mësuesi e frymëzuesi im…29. 1.1982.” “Nëqoftëse pësoj ndonjë gjë , sa për dorëshkrimet do ti vesh me dorëshkrimet eSotir Kolesë. E përsëris dhe një herë. …6 prill 1982.”
Në rast se do të kishim në dorë ditaret e saj, shënimet e saj, Musineja s’do të kish nevojë për askënd nga ne që se nderuam kur ishte gjallë e endej e vetme me virusin e kancerit në gjoks,me pendën në dorë duke shkruar midis të tjerash thënien e saj lapidare “ Tëshpëtojmë sa të mundim nga vlerat morale” ne do të kishim, kemi e do të kemi nevojë për Musine Kokalarin..
Tiranë, 8 nëntor 2015
Blerim Destani, aktori më i mirë në New York
Fundjavën e kaluar ka përfunduar festivali Java e Filmit Shqiptar në Manhattan të Nju Jorkut. Në kinemanë prestigjioze “Bow Tie Cinema” në Manhattan, u ndan 10 shpërblime nga juria profesionale e përbëre nga Louis Romano, Gjilberta Lucaj, Xhevat Limani dhe Shpend Xani.
Festivali simbas organizatorit shënoi edhe një edicion të suksesshëm të radhues, ku me këtë rast u përcjellë nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe pati një interesim shumë të madh për kinematografinë shqiptare.
Gjatë një jave të këtij festivali u prezantuan 32 filma të kinematografisë shqiptare, ndërsa u ndanë dhjetë shpërblime në kategori të ndryshme.
Gjithashtu festivali ndau edhe dy shpërblime inkurajuese për dy regjisore të rinj – Sabri Pajaziti dhe Fisnik Muji, ndërsa eventi u përmbyll duke shënuar kështu një sukses të madh në prezantimin e kinemasë shqiptare në Nju Jork, duke ushtruar kështu një ndikim të madh që kultura e filmit shqiptar të pëlqehet dhe pranohet edhe nga audienca amerikane.
Aktori shqiptar Blerim Destani është shpërblyer me një çmim për të arrituar në karrierën e tij si aktor. “Java e Filmit Shqiptar” në New York ka nderuar aktorin shqiptar me çmimin e aktorit më të mirë, transmeton Telegrafi. Megjithëse ky event thuhet nga ekspertët e kinemasë nuk mund të konsiderohet me përmasa ndërkombëtare, Destani, u shpërblye për punën jashtë kufijve shqiptar madje në metropolin e botës Nju Jork, qytetin ku mbahen disa fetivale të kinematografisë botërore me jehonë të madhe ndërkombëtare.
Ndryshe filmi më i ri “ Soko 5113” ku merr pjesë aktori shqiptar, ka premierën sonte në kanalin e njohur gjerman, ZDF. /B.Sina/
TRI VJETË DREJTË PAFUNDSISË !
DANIEL GAZULLI (1942 – 2012)/
Nga Fritz RADOVANI/
Kështu të njoha!/
Nuk dij se ke ndryshue!/
Gjithnjë kur të kujtoj…/
Më duket se më thue: /
“Jam në udhëtim!..”/
Poezia Yte më ban me t’ “Besue”…/
O Miku im…/
NGA DANIEL GAZULLI:/
NË UDHËTIM/
Në udhëtimin tim,/
sovran i një shpirti të çliruem nga prangat,/
që shpesh të venë urrejtja dhe smira,/
u përpoqa t’i jepja kuptim jetës,/
ndërsa lodhesha në shkronja të pjerrta librash të vjetër,
apo përpiqesha të deshifroja vështrimin shpërfillës të yjeve
në shoqninë e një heshtjes që gdhente dhimbjen mbrenda meje;
mendimet treteshin deri atje përtej ku nuk arrijti kurrë
syni i njeriut; rrezatimi i tyne depërtonte
tej çdo rontegeni në galaktika mjegullore
dhe gjithë bota që më rrethonte tashma ishte mbrenda meje:
drita përshkonte çdo skutë të errtë
e më davariste trishtimin.
Udhëtoja në detin e jetës mes dallgëve të Fatit,
që përditë më ngushtonte horizontet
e më burgoste andërrat e shkronjat m’i ndryshkte,
përkrah udhëtarësh të tjerë me frikën e së nesërmes në bebëze,
me andërrën e Lirisë në qerpik, kthye tashma në një mirazh,
që zhdukej porsa binte mbramja
dhe mbylleshim në një dhimbje memece.
Po kurrë nuk e humba Zotin e Shpresës e të Qetësisë
dhe vazhdova udhëtimin drejt Tij pa lutje të më dhuronte
ma shumë se orët, ditët, vitet e jetës, që bujarisht më kishte dhanë,
ndërsa i gëzohesha edhe një luleje të egër
çelë në mes rrenojave të faltores së shembun nga dora e padijes;
nuk prita si ata që çdo mëngjes
presin vejushat të dalin nga shtëpia
e pastaj përhumben në ekstazë para një gote rakie pa meze
në ajrin e ndotun nga tymi i duhanit;
udhëtimin vazhdova shtegut në mes pyllit të zhytun në mjegull,
sepse e largët nuk do të ishte drita jetëdhanëse e diellit,
që ban të drejtohet e të gjelbrojë edhe atë bimëzën që nën gur
ka kalue e mardhun dhe e zbehtë dimnin.
Udhëtova bashkë me shpirtin e dhimbjes e të mundimeve
në kërkim të Zotit të Shpresës e të Dritës,
që ndriçon në thellësi të qenies së secilit.
***
Shenim nga FR: Me 12 Nandor 2012, na la një nga Figurat e Nderueme të Gazullorëve, që vetem koha, do të sjellin Vlerat e Përjetëshme të Danielit Gazullit tek brezat e rij.
Melbourne, Nandor 2015.
DHUNA NË KUVEND, KUNDËR TRADITËS DHE DEMOKRACISË
DHUNA E TERRORI NË KUVENDIN E KOSOVËS NGA OPOZITA ËSHTË KUNDËR TRADITËS SONË DHE KUNDËR DEMOKRACISË/
Opinion Gjekë Gjonlekaj/New York/
Aktet e dhunshme të opozitës në Kuvendin e Kosovës janë tepër shqetësuese për shqiptarët e diasporës, e veçanarishtë për shqiptarët e Amerikës, të cilët kanë një përvojë të gjatë jetese në demokracinë e këtij vendi. Terrori i opozitës në Kuvendin e Kosovës dhe i demonstruesëve kundër forcave të rëndit është njollë e zezë për këtë vend, që vuajti aq shumë nga pushtimet e huaja. Fotografi të mëdha të skenave të frikshme të rrëmujës e tymit në Kuvendin e Kosovës u botuan në gazetat më prestigjioze të Amerikës, bile edhe në gazetën “The New York Times”. Skena të tilla kemi parë gjatë protestave të mëdha dhe gjatë Luftës në Kosovë. Pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë, shqiptarët e diasporës ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët e Amerikës filuan të qetësohen për atë popull të shumëvuajtur. Tani vajtjet dhe ardhjet e shqiptarëve të Amerikës në Kosovë u bënë të përditshme, pastaj filluan investime serioze në fusha të ndryshme. Të gjitha kanalet televizive të Kosovës shihen edhe në Amerikë. Këto transmetime janë të rëndësishme për shqiptarët e diasporës, por disa prej atyre skenave televizive mund të kenë pasoja tepër negative për interesimin dhe respektin e diasporës shqiptare, sidomos të brezërive të lindura në Amerikë dhe në Evropë. Kur djemtë dhe vajzat amerikano-shqiptare e shohin Kuvendin e Kosovës në tym e dhunë, të shkaktuar nga deputetët shqiptarë ata zmbrapsen nga frika se çka mund të ndodhë në këtë vend. Kërcënimet e opozitës janë të frikshme. Ata paralajmrojnë mundësinë e përplasjeve edhe më të madha, që mund të kenë pasoja katastrofike për Kosovën. Dhuna e demonstruesëve në rrugë, është rezultat i dhunës në Parlament. Ajo dhunë barbare kundër forcave të rëndit, dirigjohet nga krerët e opozitës. Ata protestuesë huliganë janë vënë në shërbim të bandave të opozitës.
Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, botuar në Tiranë-1980 shkruan gjërsisht për Kuvendin dhe kuvendet. Edhe “Kanunin i Lekë Dukagjinit” i kushton një hapësirë të madhe kuvendit. “Fjalori i Gjuhës se Sotme Shqipe, shkruan: “Kuvendi është mbledhje e gjerë për një problem të rëndësishëm për një fushë të caktuar të veprimtarisë shoqëror e të tjera.” Ndërsa neni 1125 i Kanunit të Lekës thotë: “Po i a shkrepi kush kuej armen në kuvend, shpija i digjet e sjellsi i armës grihet kuvendisht e shkon gjak-hupës”. (If someone shoots at another person during an assembly, his house is burned and he is executed by assembly, and his blood remains unavenged). Populli shqiptar në të kaluarën gëzonte respekt për Kuvende dhe kuvendime. Në kuvendet e krerëve të popullit e të vegjëlisë u morën vendime historike për liri,pavarësi e pajtime, bile edhe për shkencë e kulturë. Në të kaluarën këto mbledhje u nderuan si të shëjta. Në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” Tiranë 2008, është botuar historia e shumë kuvendeve shqiptare në Kosovë, në Shqipëri dhe në trojet tjera arbërore. Disa prej tyre janë quajt edhe kongrese siç ishte rasti i Manastirit. Në Shtetet e Bashkuara Kuvendin Popullor e quajnë Kongres. Për kishën dhe kuvendin populli kishte një respekt të jashtzakonshëm. Gjatë pushtimeve të ndryshme Kosova mbijetoi në kushte të vështira duke respektuar vendimet e kuvendeve popullore, qofshin ato për luftë, për paqë ose për pajtim kombëtar. Kosova gëzon një traditë historike të dëgjueshmerisë dhe respektit të marrëveshjeve në kuvende. Dhomat e kuvendeve në kullat e Kosovës ishin parlamente klasike. Këto që po ngjajnë sot në Kuvendin e Kosovës janë plotësisht në kundërshtim me traditën shumë shekullore të atij vendi. Sjelljet e Ramush Haradinajt në Kuvendin e Kosovës janë kundër traditës së kuvendeve dhe pleqërive në kullat e Rrafshit të Dukagjinit për të cilat para disa vjetësh shkroi gjërsisht revista e famshme amerikane “Vanity Fair”. Në atë shkrim të mrekullueshëm zoti Haradinaj ishte personazhi kryesor. Aty flitej gjërsisht edhe për disa norma të Kanunit të Lekës dhe se ishin normat morale të atij Kodi që e futi Kosovën në luftë për liri. Të gjithë e pranojnë se zoti Haradinaj kishte qënë hero në luftën e Kosovës për liri, por George Washingtoni ka thënë se: “është më vështirë me qënë hero në paqë se në luftë”. Por një hero i vërtetë, nuk vepron ashtu siç po vepron këto ditë Ramush Haradinaj në Kuvendin e burrave dhe grave të Kosovës. Zoti Haradinaj mbasi e ka të qartë se arti i politikës është kompromisi. Pataj nuk mund ta mohoni se pavarësia e Kosovës është bërë me kompromis dhe me ndërhyrjen e dashamirëve të mirë. Lufta për lirinë e Kosovës nuk është fituar vetëm, por me aleatët e Kosovës dhe tani kërkesat e tyre nuk mund të injorohen. Juve zoti Haradinaj, Kosova nuk u ka mbet borxh, sepse u ka dhënë grada të larta, u ka dhënë pasuri dhe pushtet më shume së kujdo tjetër në Kosovë. Kujdes zoti Haradinaj se zingjiri i mëkatit këputet pasi trashet. Të jemi të qartë se një numër i madhë familjesh dhe personalitetesh të Kosovës kanë sakrifikuar shumë për atë vend, por nuk kanë marrë asnjë shpërbim. Të gjithë e pranojnë se Familja Jasharaj ka sakrifikuar shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Megjithatë Jasharajt nuk kanë kërkuar asnjë lloj shpërblimi. Ju zoti Haradinaj kohë më parë u pritët me nderime në Komunitetin Shqiptar të Amerikës, bile edhe në Kishën ”Zoja e Shkodrës”, por tani pas dhunës në Kuvendin e Kosovës nuk besoj se do t’i ishit i mirëpritur në shoqërinë amerikane dhe as në shoqërine shqiptare. Mos harro zoti Haradinaj se dërgimin tuaj në Hagë shqiptarët e Amerikës e kanë përjetuar rëndë, bile kanë bërë demonstrata para OKB-ës për lirimin tuaj.Për lirimin tuaj dhe të Fatmir Limaj nga burgu i Hagës shqiptarët e Kosovës dhe të diasporës kanë dhënë kontribute të mëdha financiare.
Fatmirë Limaj dhe NISMA e tij mezi e kapërceu pragun e derës së atij Kuvendi dhe tani kërkon pushtet me çdo kusht. Zoti Limaj ju e dini që ne ishim mik i juaj. Iu kemi pritur me shumë nderime në New York. Të gjitha këto i kemi i bërë për respekt dhe jo për ndonjë përfitim material. Dërgimin tuaj në Gjykatën e Hagës e përjetuam rëndë. Duke u nisur nga parimi vëllazëror e ungjillor: “vizitoje të burgosurin dhe të smurin” ishim në Hagë në ato ditë të veshtira. Lirimin tuaj pas disa vjetësh e pritëm me gëzim të madh. Në atë kohë për Ju zoti Limaj dhe për perspektivën tuaj politike gazeta “The New York Times” kishte thënë fjalë të mira. Dhunën që po ushtroni sot në Kuvendin e Kosvës nuk e kishit përjetuar në burgun e Hagës. Isha i pranishëm kur Gjykatësi i Tribunalit iu pyeti për kushtet dhe sjelljet e rojës në atë burg famëkeq. Ju zoti Limaj deklaruat se nuk kishit asnjë vrejtje. Kështu deklaruan edhe dy kolegët tuaj shqiptarë në atë Tribunal. Pavarësisht se ishte burg, ata nuk kishin ushtruar dhunë kundër jush. Ju zoti Limaj dhe shoket tuaj të opozitës po ushtroni dhunë e terrorizëm kundër shokëve dhe shoqeve në Kuvendin e atij populli, i cili u nderon dhe u mban lartë.
Ndërsa Albin Kurti dhe shokët e tij të organizatës “Vetëvendosja” na kujtojnë lëvizjet marksiste, leniniste, ndonjëherë edhe xhihadiste. Kjo organizatë e mbrapshtë duhet të ndalohet me ligj, para se të bëhet vonë për Kosovën. Albin Kurti dhe shokët e tij janë kundër Evropës Perëndimore dhe kundër Shteteve të Bashkuara, siç kishin qënë marksisët shqiptarë para Luftës së Dytë Botërore. Kjo lëvizje marksiste mbase edhe fundamentaliste ështe vënë në shpërbim të lëvizjes ruse për pushtimin e Ballkanit, përndryshe ata janë gati të bashkëpunojnë edhe me ato organizatat e rrezikshme të Lindjes së Mesme të cilat përgatiten çdo ditë për t’u futur në Kosovë. Deputetët dhe aktivistët e e kësaj Organizate, në dukjen e parë të lënë përshtypjen se janë revolucionarë komunistë, në dukjen e dytë duken si xhihadistët arabë-iranianë. Hiqen se janë të ditur, por janë të pa besë. Vetëvendosja në Kuvendin e Kosovës ka votuar kundër ligjit për ndalimin e pjsëmarrjes se shqiptarëve në luftërat e Lindjes së Mesme. Ata kanë votuar edhe për ligje tjera që janë në përputhshmëri me Sheriatin. Kurdoherë që kanë vizituar Shtetet e Bashkuara, ata janë shoqëruar me grupet komuniste enveriste të Amerikës.
Dhuna e terrori që shihet sot në Kuvendin e Kosvës nuk është parë kurrë në kuvendet e botës së qytetëruar. Ato veprime dënohen me ligj. Kuvendi është tempulli kryesor i ligjeve dhe politikës së një kombi. Është institucioni më i nderur i një vendi. Ata që bëjnë ligje në Kuvend duhet të jenë të qetë dhe të sigurt. Aty më mirë se kudo tjetër përfaqësohet populli. Dhuna, sharjet e fyerjet nuk kanë vend në Kuvend. Gjatë historisë kuvendet ndërkombëtare kanë përjetuar çaste të vështira, bile edhe pushtime me dhunë,por ato kanë qënë të përkohshme. Kështu kishte ndodhur në Parlamentin e Madridit pas rënjes së diktaturës së Frankos, kështu kishte ndodhur edhe në Dumën e Rusisë në kohën e Gorbaçovit. Megjithatë nuk patën sukses. Disa herë janë shënuar incidente në seancat e parlamenteve të ndryshme,por nuk ishin të organizuar siç po ndodhë në Kuvendin e Kosovës, ato ishin thjeshtë incidente që nuk u përsëritën më. Mospajtimet e partive politike në vendet demokratike janë të zakonshme, por më në fund respektohet vendimi i shumicës. Deputetët e opozitës në Kosovë mund të votojnë kundër shumicës, por në mënyrë absolute nuk kanë të drejtë të anulojnë vendimet e shumicës. Më në fund ligjet dhe vendimet e shumicës janë të natyrshme, janë njesoj si ligjet e fizikës. Në Shtetet e Bashkuara janë të ndaluara me ligj thirrjet për ndryshmin e pushtetit me dhunë. Ata që bëjnë thirrje për ndryshimin e pushtetit futën në burg dhe dënohen. Edhe ata që ushtrojnë dhunë kundër forcave të rëndit dënohen me burgim. Opozita mund votojë kundër dhe mund të largohet nga Kuvendi për një kohë të caktuar, por në mënyrë absolute nuk ka të drejtë të ushtrojë dhunë në Kuvend. Ato veprime që po shohim këto ditë në Kuvendin e Kosovës janë sjellje rrugaçësh, bandash e banditësh. Ato janë veprime antinjerëzore dhe antishqiptare. Gazi lotësjellës i grave deputete dhe gjuajtja e tyre me shishe uji përulin nderin dhe dinjitetin e gruas shqiptare kudo në botë, sidomos këto ditë kur Kosova është në qëndër të vemendjes evropiane. Për Donika Kada Bujupin dhe shoqet e saj, mbase një ditë do të këndojnë rapsodët e Kosovës siç kënduan për heroinat e Partisë së Punës në Shqipëri. Donikës i doli zëri për aftësitë e shpërthimit të fitilave në Parlament. Siç duket ka marrë lejen shëndetësore për këtë veprimtari helmuese nga deputeti mjek Dr. Pal Lekaj. Nga transmetimt televizive kemi parë se Dr. Lekaj qëndron pranë Donikës në momentet e shpëthimit. Çdo mjek serioz në botë do të kundërshtonte një veprimtari të tillë, ndërsa mjeku ynë shqiptar Pal Lekaj jo?!. Besnikëria e Palë Lekës për Ramushin është njësoj si besnikëria e Pal Vatës për Shokun Enver. Vallë nuk mendojnë deputetët e opozitës se me këto veprime çvlerëojnë nderin dhe dinjitetin e atij Tempulli ku kanë folur shumë personalitete të botës demokratike midis tyre edhe Nënpresidenti në detyrë i Shteteve te Bashkuara Joe Biden. Sjelljet e opozitës kontribuan shumë edhe për mospranimin sot të Kosovës në UNESKO. Ato skena të Parlamentit i përdori Sërbia si propagandë kundër Kosovës, duke thënë se këta që bëjnë kështu kundër institucioneve të tyre nuk meritojnë hyrjen në UNESKO. Një fjalë e urtë popullore braziliane thotë: “Stuhia mund të krijohet në krahët e fluturës”. Kosova ka përjetuar shumë stuhi dhe në këtë kohë nuk i duhen stuhi të tjera.
” Illyrian society of law enforcement” Bashkoi komunitetin ne Russo’s on the Bay
Shpesh dëgjojmë të thonë që Shqiptaret janë vetëm problem për New yorkun, kanë e sjellin probleme. Por shifrat thonë tjetër gjë!
Shoqata e policave amerikan me origjin shqiptare ” Illyrian society of law enforcement” Bashkoi komunitetin ne Russo’s on the Bay.
Diaspora Shqiptare ne New York, sipas te gjitha te dhenave perben pjesen me te madhe te popullsise shqiptare ne U.S.A te cilet jan mire integruar ne kete qytet multietnik. Integrimi është një proces multidimensional që ka si qëllim bashkëjetesën në sociale ndërmjet individëve, grupeve me kultura dhe etni të ndryshme. Integrimi është multidimensional, sepse në atë ndërthuren si aspektet sociale, siç mund të jetë kultura, si aspektet individuale, siç është gjendja psikologjike e individëve e mbi të gjitha, integrimi është një proces i gjatë dhe kërkon shumë kohë të realizohet. Të afirmosh që minorancat u integruan është e njëvlefshme me faktin që ato kanë asimiluar normat, vlerat dhe sjelljet e shoqërisë ku janë përfshirë.
Jeta i ka shpërndarë shqiptarët në shumë vënde të emigruar, por ajo që ne na lumturon është fakti se ata me dije, punë dhe ndershmëri e kanë gjetur vehten e tyre, në rrjedhën e shteteve ku jetojnë. Të shumtë janë bijt e bijat shqiptare që shërbejnë në sektorin e nderuar të policisë. Ata nëpërmjet shkollës dhe profesionalizmit në punë gëzojnë këtu në zëmrën e Amerikës, në New York e New Jersey, respektin dhe dashurin e mbarë shtetasve për punën plotë sakrifica në mbrojtje të lirisë të këtij vëndi të bekuar. Ato janë në zëmrat e çdo familjeje sepse mbrojnë jetën e tyre dhe ndjekin me konseguencë zbatimin e kerkesave ligjore. Ne u shprehim mirënjohjen të gjithë drejtuesve të komunitetit, policisë, bisnesmenëve e familjarëve të cilët na kanë qëndruar afër dhe na kanë mbështetur në maksimum si sektor specifik që është policia. Arritjet e punonjseve te rendit jane të dukëshme, por mendoj se me organizimin e sivjetëm shtysa e realizimeve do të jetë edhe më e madhe. Shpreh respekt për gjithë pjesëmarrësit, Drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës z.Shpend Maxhuni, Drejtusin e pare Artan Didi Nga Polcia e shtetit Shqiptare për dhe gjithë dashamiresit tanë. Falenderojm gjithe komunitetin per mbeshtetjen ne pergjithesi.
Gjithë urimet për ju dhe arritëshi gjithmon suksese. Le të ecim gjithëmon ballëlart, me nder dhe dinjitet, duke rritur më tej prestigjin e sektorit tonë të nderuar.
Zoti ju bekoftë dhe mbroftë familjet tuaja.
Zoti e bekoftë policin e shteteve tona.
Zoti e bekoftë Amerikën.
Arben Dedaj