-Qeveria përshëndet përfundimin pa asnjë incident të vizitave të pelegrinëve serbë/
PRISHTINË, 7 Nëntor 2015/ Qeveria e Republikës së Kosovës përshëndet përfundimin pa asnjë incident të vizitave të pelegrinëve serbë në Kishën e qytetit të Gjakovës dhe në kisha, manastire dhe varreza nëpër disa qytete të tjera të Kosovës.
Qeveria e Kosovës çmon lartë sjelljen e qytetarëve dhe të pelegrinëve gjatë këtyre vizitave si dhe përkushtimin e kryetares së Komunës së Gjakovës dhe autoriteteve lokale të Pejës, Deçanit, Suharekës, Prishtinës, Mitrovicës dhe komunave të tjera, ku kanë qëndruar pelegrinët serbë, si dhe Policinë e Kosovës, për profesionalizmin e dëshmuar.
Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se kjo është dëshmia më e mirë reale e bashkëjetesës dhe tolerancës tradicionale që karakterizon qytetarët e Kosovës, të të gjitha etnive dhe besimeve fetare.
Deklarata thkson se, “Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, janë të përkushtuar për të respektuar të gjitha vlerat demokratike evropiane, për të qenë pjesë e botës demokratike dhe e të gjitha organizatave ndërkombëtare që kanë të bëjnë me trashëgiminë, kulturën, arsimin e shkencën dhe avancimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të gjithanshëm ndërmjet kombeve në botë”.
Me këtë rast, qeveria e Kosovës vlerëson se pranimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), ditën e hënë, do të ishte një hap i rëndësishëm për fuqizimin e këtyre vlerave. “Republika e Kosovës e meriton dhe është e gatshme të jetë anëtare e denjë e UNESCO-s, pasi që ndan dhe beson në vlera të njëjta me misionin e kësaj organizate”, thekson deklarata e qeverisë kosovare./b.j/ Foto: Kortezi Zeri
ZIJADIN SELA, VIZITA E TRETE NE SHBA
*Lideri për reforma në PDSH, zoti Ziadin Sela, mbrriti për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës/
*Kjo është vizita e tretë, brenda këtyre 10 muajve e liderit për reforma në PDSH, zoti Ziadin Sela, që po i bënë Shteteve të Bashkuara
Nga Beqir SINA – New York/
JFK NEW YORK : Lideri për reforma në PDSH, zoti Ziadin Sela, mbrriti mbrëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në Çikago, së bashku me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga të ftuar në Konferencën ekonomike organizuar nga Oda Ekonomike Izraelite – me bazë në Çikago.
Zoti Sela, mbrriti mbrëm në aeroportin ndërkombëtar të Nju Jorkut, JFK, i pritur nga një grup bashkëatdhetarësh. Ai më parë se të udhëtoi për në Çikago, gjatë kësaj vizite, do të zhvillojë dhe një seri takimesh të tjera në Nju Jork dhe Nju Xhersi .
Ndërkohë, duhet cekur se kjo është vizita e tretë, brenda këtyre 10 muajve e liderit për reforma në PDSH, zoti Ziadin Sela, që po i bënë Shteteve të Bashkuara
Në komunikatën për shtyp, thuhet se kryetari i LR-PDSH-së dhe Komunës së Strugës, Ziadin Sela, prej sot qëndron në SHBA në një vizitë zyrtare. Sela, është i ftuar special në Konferencën Ekonomike për Investime në Kosovë, që organizohet për herë të parë nga Oda Ekonomike Izraelite dhe Asociacioni Shqiptaro- Amerikan në Illinoi.
Në këtë konferencë do të jetë prezente edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Konferenca mbahet në Çikago më 11 dhe 12 Nëntor, ndërsa aktivitete të tilla nga kjo Odë Ekonomike shquhen për nivelin e lartë të organizimit dhe interesimit nga kompani dhe biznesmenë të fuqishëm që veprojnë në SHBA.
Përveç pjesëmarrjes në konferencë, Sela pritet të realizojë edhe disa takime me atdhetarë dhe veprimtarë shqiptarë që veprojnë në SHBA, prej ku siç bëhet e ditur nga portalet në rrjetet sociale , do të kërkojë mbështetje në lidhje me fushatën zgjedhore që po afron, për një fitore eventuale të LR-PDSH-së dhe Aleancës për Shqiptarët në zgjedhjet parlamentare që priten të mbahen në Prill të vitit të ardhshëm.
Lideri për reforma në PDSH, Ziadin Sela në këtë vizitë simbas njoftimeve në rrjetet sociale facebook dhe Tweeter, thuhet se do të flet për zhvillimet politike në Maqedoni, diskriminimin që e bëjnë maqedonasit ndaj shqiptarëve dhe mosrealizimi i premtimeve të pushtetit për një jetë më të mirë të qytetarëve shqiptar.
Sela sipas paralajmërimeve do të shpreh ankesat e qytetarëve shqiptar të cilët janë të lodhur nga pritjet për antarësim të Maqedonisë në BE dhe NATO, ndërsa do të shpreh shqetësimet nga veprimet e kryeministrit, Nikolla Gruevski, që sipas opozitës maqedonase bënë skenare për destabilizim të Maqedonisë.
Sela do të qëndroj në SHBA deri më 14 Nëntor dhe do të realizoj takime zyrtare edhe me lider të komunitetit shqiptar , veprimtar të dalluar, si dhe me kongresmen amerikan miq të dëshmuar të shqiptarëve.
Çmimi ‘’Kadare’’
Shkruan:Valbona Bozgo/
Në muajin shtator, rastësisht, dikush më njoftoi, që FONDACIONI MAPO, organizonte një konkurs letrar, me dorëshkrime në prozë, fituesi i të cilit, do të merrte çmimin ‘’Kadare’’, shoqëruar me një shpërblim miklues.
Kishte qenë edhe një dëshirë e imja, e hershme, që emri i shkrimtarit të madh, ‘’mantelin e të cilit e kemi veshur’’ të gjithë ne brezat, që u rritëm me letërsinë e tij, siç shprehej me plot të drejtë, koordinuesi këtij bordi, që do të japë këtë çmim, Alfred Lela, të përdorej për të kurorëzuar talente në letërsi.
Për të parën herë, vendosa të marrë pjesë edhe unë. E mënjanuar prej vitesh, për shkak të politikave komerciale, që në të shumtën e rasteve, kanë lejuar triumfin e mediokriteteve, më ishte krijuar mosbesimi i plotë, për falsitetin e konkurseve të tilla.
Por, kur bordi i fondacionit të lartpërmendur, kishte arritur të merrte ‘’bekimin’’ e shkrimtarit tonë, mendova, se më në fund, po shfaqeshin shenja serioziteti. Gjithsesi, dyshimi mosbesues, më gërricte në stomak, si thonjë maceje.
Houellebecq, tek ‘’Harta dhe territori’’ shprehet:
‘’Mund të punosh në vetmi për vite e vite, çka, në fakt, përbën të vetmen mënyrë për t’u shprehur e për të thënë të vërtetën; por vjen gjithmonë një çast kur ndjen nevojën për t’ia treguar punën tënde botës, më shumë për ta siguruar veten tënde mbi ekzistencën e një pune të tillë e, për pasojë vetë ekzistencën tënde – sesa për të mbledhë gjykimet e të tjerëve; në brendësi të qenies sociale individi është veçse një trillim i shkurtër”.
Vendosa kësisoj, që të nis edhe unë dorëshkrimin tim, të punuar gjatë dhjetë viteve të fundit, ndonëse në të shumtën e herëve, në kushte ‘’pa kushte’’, me nevojën për t’ia treguar punën time botës, ose, po t’i referohem një shprehjeje të Murakamit, që thotë: ‘’Lexuesi është mbreti im’’, të gjej edhe unë mbretin!
Iu prezantova verbalisht, dy – tre vetave të kësaj jurie, si një prozatore cilësore.
Siç e mësova më pas proçedurën e ndjekur, nga tridhjetë dorëshkrime, që ishin dorëzuar, në fazën e parë të përzgjedhjes, kishin dalë vetëm nëntë fitues. Çdo anëtari, (shtatë gjithsej) u kishin rënë për lexim, me short, 5-6 libra. Fituesit e fazës së parë do të vazhdonin garën.
Unë nuk isha në mesin e tyre. Thonjtë e maces në stomak, më gërvishtën sërish zhgënjyeshëm.
Fillova të shqyrtoj emrat e anëtarëve të jurisë, ndër të cilët, vetëm njërin prej tyre njihja, mikun tim, shkrimtarin Y. Aliçka, i cili, meqenëse gjatë kësaj periudhe ndodhet jashtë Shqipërisë, praktikisht nuk mund të ushtronte rolin e tij, si njëri prej anëtarëve të jurisë.
Virgjil Muçi, më dukej e pamundur, që t’a nënvleftësonte librin tim, për një arsye të thjeshtë: plot dhjetë vjet më parë, pa më njohur fare, duke treguar një objektivitet përgëzues, në revistën e atëhershme ‘’Klan’’, kishte bërë një vlerësim shumë pozitiv, për një librin tim me tregime, të sapobotuar.
Me korrektësi dhe mirësjellje, edhe dy prej anëtarëve të tjerë: G. Bakalli dhe P. Zogaj, më informuan, që dorëshkrimi im nuk u kishte rënë në short, për t’u gjykuar prej tyre.
Matematika elementare i thjeshtoi emrat e jurisë, nga shtatë, në tre. Më brente dyshimi se libri im nuk ishte lexuar, ose, më keq akoma, nuk i ishte dorëzuar fare, asnjërit prej anëtarëve të jurisë. Por, për të mos rënë në mëkat, dhe të akuzoja pa të drejtë, askënd prej tre të mbeturve, iu drejtova gjithsecilit, më shumë se një herë, për të më dhënë një përgjigje.
Askush prej tre zotërinjve të tjerë, anëtarë të kësaj jurie: Alfred Lela, që e ndërpreu menjëherë komunikimin me mua, sapo u krye faza e parë e përzgjedhjes, Henri Çili dhe Artur Zheji, nuk m’u përgjigjën, megjithë insistimin tim.
Më mbeti të besoj se: në qoftë se vërtetë libri ishte lexuar dhe nuk ishte përzgjedhur për vazhdimin e garës, një nga këta tre anëtarë, që do ta kishte lexuar dorëshkrimin, ose ishte joprofesionist në gjykimin e tij (e keqja më e vogël), ose i pandershëm, ose unë jam një delirante, që dua të shes mediokritetin për letërsi.
Shpresoj, që në një të ardhme, jo të largët, kur të bëhet botimi i librit tim, të rrëzuar ‘’nokaut’’ që në raundin e parë, nga juria e FONDACIONIT MAPO, për çmimin ‘’Kadare’’, lexuesi, ‘’Mbreti im’’, të gjykojë vetë.
Uroj gjithashtu, që fituesi vërtetë t’a meritoj këtë çmim, sepse me triumfin e vlerave fitojmë të gjithë. Por, edhe në qoftë se kjo fitore do të jetë e merituar, proçesi antidemokratik i arritjes së saj, e zvjerdh këtë nismë dhe e përdhos emrin e madh të këtij çmimi.
Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s në Paris, Kosova, Të Hënën Votimi
*Kumbaro: Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, i merituar/
*Votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO pritet të mbahet në seancën e 9 nëntorit/
TIRANË, 7 Nëntor/Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, theksoi sot në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s në Paris, se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është jo vetëm i nevojshëm, por mëse i merituar.
Gjatë fjalës së saj ministrja Kumbaro tha se “përsa i përket qasjes së tyre ndaj trashëgimisë kulturore autoritetet kosovare dhe elita e kosovës kanë treguar përgjegjësi institucionale dhe kulturore. Ata kanë reaguar njëzëri kundër dëmeve të shkaktuara nga trazirat e marsit 2004 ndaj kishave e manastireve ortodokse”.
“Pjesa më e madhe e objekteve të dëmtuara nga trazirat e vitit 2004 janë restauruar dhe rindërtuar me financimet e qeverisë së Kosovës dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Që prej fillesës së qytetërimit ballkanik trashëgimia kulturore në Kosovë ka qenë themeli i përbashkët i burrave e grave, të cilët kanë ndarë gjithçka, konfliktin dhe armiqësitë e një brezi madje edhe dy, e nuk mund të ndryshojnë çfarë përmban toka në thellësitë e saj kulturore dhe historike”, nënvizoi Kumbaro.
Kisha ortodokse serbe, vijoi ajo, njihet në Kosovë, identiteti I saj, dhe te drejtat e saj, mbrohen nga Kushtetuta dhe ligjet e tjera te vendit.
Ministrja Kumbaro theksoi se nuk është thjesht një çështje anëtarësimi në UNESCO, por është e gjithë çështja e emancipimit të shoqërisë dhe të gjithë shoqërive të mendjes së hapur.
“Kosova me historinë , popullin, monumentet dhe kulturën e saj ka ruajtur një pjesë të mozaikut kulturor të Ballkanit .Të gjitha shtetet e tjera të rajonit janë anëtarë të UNESCO dhe do të ishte absurde , madje edhe qesharake që një anëtar i familjes së Ballkanit të mos jetë formalisht brenda organizatës më të madhe në aspektin kulturës dhe arsimit”, u shpreh Kumbaro.
Kultura nuk njeh kufij administrativë, vijoi ajo, kultura nuk mbrohet duke përjashtuar tjetrin përkundrazi ajo pasurohet nga shkëmbimi dhe përfshirja. “Ky është thelbi i ekzistencës së UNESCO. Për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO nuk është e interesuar vetëm Kosova , por edhe fqinjët e saj Serbia, Shqipëria Maqedonia, Mali i Zi të cilët përfitojnë po aq shumë”, tha Kumbaro.
“Nuk do të mund të mbrojmë dhe të promovojmë kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore pa mbrojtur atë të fqinjve. Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi paqe e harmoni në Ballkan, do të ishte mirë që të bashkohemi të gjithë së bashku për të promovuar paqen kjo është në të mirë të të gjithëve”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja Kumbaro deklaroi se “është koha që Ballkani, i cili prej shumë kohësh mban në supe klishenë si “fuçi baruti në Europë”, sot të kthehet në “ fuçinë e Kulturës” në Europë. Ftojmë Serbinë ta kapë këtë mundësi për të dëshmuar se ka një shpirt bashkëpunues dhe të drejtë në raport me angazhimet e marra, të shkëpusë lidhjet me një të shkuar të errët dhe të shohë drejt një të ardhme europiane tek e cila serbët dhe shqiptarët duhet të shkojnë sëbashku.
“Ky është thelbi i Historisë dhe kjo do të jetë, pa asnjë dyshim, dhe një nga fitoret e shumta dhe të matura të Kulturës”, vazhdoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro tha se vendi im, Shqipëria, krenar që është anëtar i familjes së UNESCO-s, ka dëshmuar se ka vullnet të hekurt për të respektuar dhe ndjekur objektivin tonë të përbashkët në mbrojtjen e kulturave dhe zhvillimin e edukimit. Gjej rastin të falenderoj përzemërsisht Komitetin e Trashëgimisë Botërore, jo vetëm se u qëndron në krah institucioneve tona gjatë përpjekjeve të tyre për mbrojtjen e trashëgimisë, por edhe për mirëpritjen e përpjekjeve të ndërmarra nga shteti shqiptar për t’iu përgjigjur rekomandimeve të Komitetit”.
Më 21 tetor, Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s përkrahu kërkesën e Shqipërisë dhe i rekomandoi Konferencës së Përgjithshme futjen e çështjes së pranimit të Kosovës në këtë organizatë në axhendë.
Sesioni i 38-të i Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s nisi të martën, 3 nëntor 2015, në Paris dhe do të zgjasë dy javë. Në mesin e shumë çështjeve që do të konsiderohet është edhe rekomandimi i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Konferenca e Përgjithshme ka 195 anëtarë, nga të cilët 111 e kanë njohur Kosovën, e 84 jo, dhe rekomandimit i duhen dy të tretat e votave për të kaluar.
Votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO pritet të mbahet në seancën e 9 nëntorit. Në prag të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s për anëtarësimin e Kosovës në agjencinë e OKB-së, janë shtuar zërat në përkrahje të Kosovës, ndërsa Serbia në anën tjetër zhvillon një fushatë të gjerë diplomatike institucionale kundër synimeve të Kosovës për anëtarësim(Sipas ATSH-se)
Hahn vlerëson rolin e KFOR-it në ruajtjen e stabilitetit
Prishtinë, 7 nëntor 2015/ Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajori Guglielmo Luigi Miglietta, mirëpriti dje Komisionerin e BE-së për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, në kampin “Film City”, Shtabi i NATO/KFOR-it në Prishtinë.
Gjenerali Miglietta dhe Komisioneri Hahn fluturuan për në bazën ushtarake të KFOR-it në Pejë, në pjesën perëndimore të Kosovës. Komandanti i KFOR-it prezantoi një vlerësim të përgjithshëm të sigurisë në rajon. Komandanti i KFOR-it theksoi rëndësinë e rezultateve të dialogut Prishtinë – Beograd të udhëhequra nga BE-ja, si dhe sfidat e zbatimit të tyre. Ai mirëpriti nënshkrimin e MSA-së.
Në fund ai përmendi rolin e rëndësishëm të pranisë së BE-së në Kosovë, bën të ditur KFOR në njoftimin e dërguar sot.
Hahn theksoi rolin e rëndësishëm që KFOR-i luan në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë, me ç’rast ata diskutuan sfidat e sigurisë në rajon.
Në Mitrovicën e veriut, Gjenerali Miglietta takoi Drejtoreshën e administratës komunale të Mitrovicës së veriut, Adrijana Hoxhiq. Ata diskutuan çështjen e sigurisë dhe perspektivën e përmirësimit të kushteve të jetesës në veriun e Mitrovicës.
Gjenerali Miglietta theksoi se KFOR-i është plotësisht i zotuar drejt promovimit të mjedisit paqësor dhe tolerant në Mitrovicën e veriut.
Komandanti i KFOR-it theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer me Zyrën e BE-së dhe falënderoi Hahn për vizitën./b.j/