• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova miraton Marrëveshjen Stabilizim Asocim

October 24, 2015 by dgreca

PRISHTINË, 24 Tetor 2015/ Qeveria e Republikës së Kosovës sapo miratoi Marrëveshjen Stabilizim Asocim, bën të ditur ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.
“Ky është hapi i fundit para nënshkrimit të kësaj marrëveshje të rëndësisë historike dhe jetike për integrimin politik, ligjor dhe ekonomik të Republikës së Kosovës ne Bashkimin Evropian”, thekson ai.
Si kryenegociator, vijon Çollaku, i falënderoj të gjithë ata që kanë qenë pjesë dhe që kanë mbështetur këtë proces.
“Pres me padurim të marten kur do të bashkë-nënshkruaj këtë marrëveshje në emër të Republikës së Kosovës. Urime për Kosovën evropiane dhe qytetarët e saj”, përfundon deklaratën Çollaku./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Bekim Collaku, Marrveshja e Asocim, Ministri Integrimit

Tym Kosove

October 24, 2015 by dgreca

*Eshtë fakt që ideatorët e gazit lotësjellës janë dy ish luftëtarë. I pari protestuesi i përjetshëm Albin Kurti. Dhe i dyti, i ashtuquajturi Ramboja shqiptar Rramush Haradinaj. Akoma kujtojnë se janë në front./
*…Në liri, një shtetar i tillë është armiku i vendit të tij./
Nga Ilir Levonja/
E kam theksuar disa herë, ne shqiptarët kemi probleme me lirinë. Liria na verbon. Eshtë një soj ekstaze që na deh. Na marrëzon. Na bën të dhjesim mbi gjithë mburrjet shekullore. Mbi gjithë krenarinë zhurmë madhe. Mbi vetveten, të bindur. Madje mbi vetveten më shumë se mbi armikun.Ndaj armiku më i egër i shqiptarëve është po shqiptari.
1) Ndërsa ish kryeministri i Kosovës Rramush Haradinaj ndukte mikrofonin. Një goxha bjonde,mashkull femër, ndukte nga poshtë. Poshtë banakut. Një mister galerish minierash. Errësirën e dhunës. I ndizte fitilin një bombe gazi lotësjellës. Një gjysmë bjonde tjetër, gjuante me sende,fasadën. Apo panelin e burrave kuvendarë. Në fakt duhet thënë, panelin e burrave katundarë. Por më vjen turp nga vetja. Më vjen keq që, nën emrin apo përcaktorin katundar, rrimë akoma në province. Në atë province të cilën mbetën duke e shtrydhur. E rishtrydhur katundarët me kollare.
Që varin mureve të shtëpisë dhe fb, foto me flamurin e Sklëndërbeut. Por pa harruar edhe Kuranin.Me zallin fanatik të Lindjes së Mesme. Me sh esnafllëkun e diktatorit të Koresë së Veriut.Përdorimi i femrave shik. Kamikazeve me kostume një ngjyrësh. Bjonde ose brune.
2)Për çfarë na duhen grate në Kuvend? Një pyetje që të lodh. Por të mbush dhe me humor. Ka përgjigje dhe batuta. Na duhen për të ndukur nga poshtë. Për shukur, shkundur, e shkulur flokësh,xhaketash. Për akte kamikazësh. T’u mësojnë fëmijëve se si hidhet një bombë gazi lotësjellës. Bash mu aty, në Kuvendin e burrave të parë. Në Kuvendin e kohës së elektronit. Mund të marrin tema dhe ide. Mund të zhvillojnë subjekte në këtë të tashme, kohën e tyre moderne. Të cilën ne au kujtojmë me krahasim. Me tonën, atë të zbatharakëve. Dhe tani u themi atyre se janë me fat. Pasi kanë plot lodra. Punon Japonia dhe Kina për ta. Ne vetëm dimë të rrihemi. Ndaj gratë e Kuvendit u japin tema dhe ide me veprimet e tyre prej sharlamentare. Mund të ndërtojnë video me luftra gazi lotësjellësh. Mund t’i hedhin këto video në youtube. Mbase marrin klikime. Fitojmë ndonjë lekë.
Kushedi, u jepet dhe shanci. Të ikin…, kësaj Kosove apo Shqipërie në tërësi. Sepse, vatani u mjafton vetëm për në korniza muresh. Për t’u ngjyrosur. Vatani është në letër.
3)Në tërësi politika shqiptare. Ajo e fasadave …, ajo që i jep mend edhe suksesit europian apo botëror. Raporton kancelarive të Europës. Sidomos fushatave për përfshirje më të lartë të grave në politikë dhe vendimarrje. E bën këtë kur Europa apo e bota nuk e ka si kusht. Por thjesht këshillon.
Dhe përdor terma korrekt, si përshembull përfshirje më të gjërë të grave etj. Por ne trumbetojmë si fushatistë të përjetshëm. Me entuziazëm, po.
Dhe zgjedhim. Zgjedhim gra të forta. Gra me muskuj. Kamikaze. Që heqin bokshet, që kanë harruar turnet, që vendosin pudër me shumicë si e si të vrasim në mënyrë spektakolare. Pasi na është rrënjosur që nga koha e ”largët”, kur përmbysnim diktaturën në atdheun amë. Dhe atë serbe në pjesën e epërme, Kosovë. Që sot i themi Kosovo me dashuri profetike. Se në politikë duhen të qënie të forta. Në politikë, forca bën udhë. Jo logjika. Dhe rezultati. Një luftë e pashtershme, mes ishëve dhe pushtetit. Mes pushtetit pasardhës dhe atyre që bëhen isha. Dhe krah tyre gra kamikaze.
Kështu në Shqipëri. Kështu në pjesën e epërme të saj, në Kosovë.
4)Pse nuk mësohemi me lirinë? Pse kemi probleme me lirinë. E para është e thjeshtë. Urrejmë njëri­tjetrin. E dyta është fakti real që ideatorët e gazit lotësjellës janë dy ish luftëtarë. I pari protestuesi i përjetshëm Albin Kurti. Dhe i dyti, i ashtuquajturi Ramboja shqiptar Rramush Haradinaj. Akoma kujtojnë se janë në front. Akoma nuk po kuptojnë se edhe në front vjen një çast kur i thua vetes mjaft. Sidomos komandantët. Dhe se të rrëzosh një qeveri me metodat e frontit,nuk i shërben as popullit e as vendit.
Por ripushtimit. Dhe në liri, një shtetar i tillë është armiku i vendit të tij.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Tym Kosove

Kuvendi i Kosovës: Seanca në sallë alternative

October 24, 2015 by dgreca

-Komunikatë e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës/
E Shtune, 24.10.2015/ Në pamundësi për mbajtjen e seancave plenare, më 17 shtator 2015, 8, 15 dhe 23 tetor 2015, ku është bllokuar puna e seancës plenare, është cenuar siguria dhe shëndeti i deputetëve, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të mbajtur me 23 tetor 2015, është është marrë vendimi përmes të cilit kërkohen veprime plotësuese, duke përfshirë edhe ndërhyrjen e zyrtarëve të policisë për siguri, në mënyrë që të sigurohet shëndeti i deputetëve dhe mbarëvajtja e punimeve të seancës plenare.
Ky vendim është marrë në mbështetje të nenit 67.6 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 41, paragrafi 4 i Rregullores së Kuvendit.
Vazhdimi i seancës së 23 tetorit 2015 në sallën tjetër të Kuvendit të Kosovës, është bërë mbi bazën e nenit 4 të Rregullores së Kuvendit.
Salla në të cilën është mbajtur vazhdimi i seancës nuk është byfeja e Kuvendit, por sallë alternative e sallës kryesore.
Një nga arsyet pse seanca është zhvendosur në sallën alternative është se deputetët opozitarë me veprimet e tyre kanë shkaktuar dëmtim në rrjetin e zërimit përmes prishjes së gjashtë mikrofonave.

Filed Under: Kronike Tagged With: i Kosovës: Seanca, Kuvendi, në sallë alternative

Fëmijë të këndit amerikan në Kukës

October 24, 2015 by dgreca

Foto Lajm/
Fëmijë të këndit amerikan në Kukës mësojnë gjuhën angleze nëpërmjet lojërave të ndryshme. Tashmë në tre këndet amerikane, Në Kukës, Tiranë dhe Vlorë, fëmijë të moshave të ndryshme mund të mësojnë gjuhën angleze nëpërmjet metodave bashkëkohore dhe një bazë didaktike të pasur. {SH.K}

Filed Under: Kronike Tagged With: Kendi amerikan, Kukes

CUNEO, NJË NGA EMBLEMAT E ARKITEKTURËS SË GJALLË TË NATYRES ITALIANE

October 24, 2015 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA/*
Në hapsirat e gjëra, si një qylym i qendisur me larmi peisazhesh, rrugë, lumenj, vendbanime, pyje, rrethuar nga malet Bizalta, Monvizo, të vendosur përbri njëri- tjetrit, madhështorë e të pamatë mes egërsisë shkëmbore, shtrihet provinca Cuneo. Ajo është rajon i Piemontes me qëndër Torinon, Italia Veriore, ku shtrihen disa qytete: Cuneo, Mondovi, Fasano, Saluzzo, Alba e dhjetra komuna të banuara prej shekujsh me histori interesante, bukuri natyrore, kulturë e arkitekturë të veçantë. Peisazhet të ngacmojnë të shijosh me kënaqësi të madhe magjinë e tyre. Me historinë shumë domethënëse, Cuneo daton që në shekullin e XII. I ndërtuar si fortifikim në mbrojtje të rrugëve, kjo prej pozicionit strategjik afër kufirit francez, Cuneo njihet për rëndësinë që ka patur në periudhën e shtetit të Savojës.
Si çdokush që shkel për herë të parë, kureshtja të shtyn të shëtisësh qytetin. Rrugët e tij të gjëra gëlojnë vrullshëm me dinamikë nga lumi vërshues i njerëzve dhe makinave. Vetëm duke kaluar përbri tyre, vështron arkitekturën e veçantë me vlera historike. Duke u futur thellë, për ta soditur endshëm, patjetër e prek historinë, kulturën, arkitekturën e ndërtimeve. Qytetin e bëjnë interesant pikërisht ndërtesat arkitekturore qindra vjeçare të larta, të mëdha e shumëkatëshe. Ballinat të hirnosura, të stilit të Rilindjes me arkada mesjetare. Si thesare trashëgimie janë restauruar, për të pasur çfarë t’u tregojnë brezave. Ato, të zbukuruara me elementët e dekoracioni, statuja, shenjtorë, skulptura të mbeten gjatë në kujtesë. Katedralja e Santa Croce e stilit barok e ndërtuar në shekullin e XVIII është kthyer në muze soditës. Në stacionin hekurudhor gjenden të ekspozuara në një muze relika të vjetra lokomotivash dhe vagonë. Ndër ndërtimet e familjeve fisnike, vila Oldofredi Tadini të rrëmben befasishëm shikimin e të bën për vete me pamjen. Madhështia e rrezatuar në shekuj është ndërthurur me ndërtimet e reja të atmosferës së qyteteve bashkohore italiane, peizazhe interesante, parqe të gjelbëruara, pishina, fusha tenisi, vila luksoze, qendrat e mëdha tregtare, urat e larta, nënkalimet, godinat publike funksionale edhe për të ardhmen e largët. Cuneo, si shumica e qyteteve italiane,që ndërtohen afër lumenjëve, edhe ky qytet është krijuar në afërsi të shtratit të rrjedhave Geso e Stura Di Demonte.
Duke shijuar kënaqësinë që ndodhesh këtu, impresione merr në sheshet dhe rrugët e qytetit nga bustet e emrave të famshëm të historisë dhe kulturës italiane. Në Piazza Galimberti lartësohet një statujë monumentale, duke përbërë simbolin e qytetit dhe një nga vendet më të rëndësishme të tij, si pikë referimi e qytetit Cuneo, ku çdo të martë një treg simpatik edhe në tezga të improvizuara reklamon gjithfarë mallrash. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, 1943-1945, Cuneo ishte një nga qendrat e rezistencës partizane kundër pushtimit gjerman të Italisë. Në kujtim të këtyre ngjarjeve është ngritur monumenti, që simbolizon rezistencën e partizanëve italianë. Të tilla monumente historike, në përkujtim të këtyre ngjarjeve, vështron edhe në Mondovi, Peveragno, Alba, Bove. Në një shesh të vogël, Garibaldi, kjo figurë e njohur historike, është përjetësuar në bust. Patjetër që kombi italian krenohet me këtë emër mitik në historinë e saj, si prijës i bashkimit të Italisë. Cuneo njihet edhe si qytet i festave, festivaleve dhe panaireve të shumta, si i gështenjave, djathit, çokollatës etj. Me një repertor të pasur, muzikë, valle, lojra, kostumet karakteristike, konkurset e bukurisë, çmimet e vlersimet interesante për gjithë pjesëmarrësit janë festa të gëzueshme popullore.
Në Cuneo, në qytetet dhe komunat e provincës së saj, banon një komunitet jo i pakët emigrantësh shqiptarë. Kryesisht nga trevat e Veriut të Shqipërisë, por edhe nga Berati, Fieri, Elbasani. Të integruar natyrshëm në jetën ekonomike e sociale, kanë ndryshuar edhe imazhin e krijuar kur erdhën, duke lënë pas vështirësitë e fillimit, të njohura e emigrimeve të tilla si mosnjohja e gjuhës, leja e qëndrimit, mungesat e natyrshme, por edhe e një opinioni negativ ndaj tyre. Tani janë pajisur me dokumenta qëndrimi. Bëjnë një jetë siç e dëshirojnë dhe me standarte. Punojnë, fitojnë, arsimohen, festojnë e gëzojnë njësoj si italianët. Ska dyshim që gjuhën shqipe, fëmijëve të lindur e rritur këtu ua mësojnë për të mos e harruar.
* * *
Arteriet e rrugëve pa mbarim. Të drejta e të gjera, rrethuar nga drurë dekorative trungjegjerë, të vjetër dhe krahasitur për bukuri e që ngjasojnë si truproja. Qytezat, kodrat, fushat e mbjella me bimë bujqësore, gërshetuar me plantacione drurësh frutorë të çlodhin sytë. Admiron bukurinë e ndërtimeve, gjelbërimin që i rrethon, peisazhet joshëse dhe qetësuese për shpirtin. Të impresionon Chiusa di Pesio, vendbanim i këndshëm me ndërtime komode e në harmoni. Mjaft të hedhësh sytë në kopshtet e gjelbëruara, verandat dhe dritaret mbuluar nga lule kacavjerrese zbukuruese ngjyra-ngjyra të kaplon kënaqësia. Panorama e Peveragnos pas një kodrine të gjelbëruar të rrëmben vështrimin. Ajo shtrihet në këmbët e malit Bisalta. Rrugët e kalldrëmta, të shtruara me simetri, që dredhojnë mes ndërtesave tepër të mirmbajtura, ngjeshur afër njëra – tjetrës, ruajnë një frymë arkaike shumë shekullore. Por në Peveragno, gjëja me e bukur dhe më e veçante është festa e luleshtrydhes, si një nga ditët më të gëzuara të banorëve të saj me emocione të pashlyeshme. Në Boves ndihet akoma më shumë freskia e pyllit. Jo vetëm kishat që dominojnë mbi gjithë ndërtesat e tjera, por edhe ndërtimet karakteristike pranë njëra-tjetrës, lyer me ngjyra të gjalla, të magjepsin me shkëlqimin e fasadave.
Një nga ato momente që nuk duhen humbur, nëse ke pak interes për këto, ndihesh i mrekulluar, kur viziton Certosa di Pesio. Një urdhër fetar që në terësi të jep pamjen e një parajse, të dhuron emocione të tjera me ndërtesat e vendosura rrëzë të një kodre, rrethuar nga një aureolë magjke gjelbërimi e qetësie të paqtë. Përshkon rrugicat përmes ndërtesave, muret, sallonet e stolisura me mbishkrime, piktura e zbukurime të tjera, dhe e ndjen veten sikur hyn në një arkivë të pambarimtë, historike e kulturore, prehje e pafund e shpirtit. Të mbetet vështimi mbi statujat, pllakatat, bustet në sheshet, që të nxisisin t’i lexosh mbishkrimet, por edhe t’’i fotografosh.
Mondovi është një qytet i bukur, mbresëlënës e miqësor, që të magjeps me shtrirjen, peizazhin, arkitekturën. Ndihesh i befasuar nga pamja tërheqëse aq edhe madhështore e tij, me shembuj të shumtë të artit arkitektonik, si një pikturë gjigande. Mondovi ka një popullsi prej 23 mijë banorësh. Një lum i vogël, Ellero, sistemuar dhe veshur me gjelbërim kalon mespërmes tij. Në kodrën paranomike janë skalitur pamje mrekulluese të ndërtimeve të vjetra, që ja shtojnë hijeshinë qytetit, e çdo njëra prej tyre ka në vetvete histori interesante. Piazza Maggiore e rrethuar nga portikë e ndërtesa të stilit gotik dhe barok, të mahnit me afresket dhe koleksionet qeramike, të krijuar dy shekujt e fundit. Pjesa e sipërme e Mondovisë lidhet me pjesën e poshtme edhe me teleferik. Në pjesën e poshtme ndodhen qendrat tregtare, kafene e restorante të shumta me ndërtime moderne e të dizenjuara kah bashkohores. Mondovi është e njohur për qeramikën prej argjili. Një traditë shekullore, e cila kohët e fundit me promocionet e shumta ka marrë të tjera vlera. Nëse kërkon të mësosh më shumë, Mondovi njihet edhe si qytet fushëbetejash në shekujt e ekzistencës së tij, midis pronarëve feudalë dhe klerikëve fetarë. Me këtë rast s’ka se si të lihet pa u përmendur edhe fakti që këtu është zhvilluar një nga betejat e Napoleon Bonapartit.
Si një nga veçoritë karakteristike të këtij qyteti, janë kishat e vjetra me afresket gotike, të veçantë, jo vetëm nga përmasat, por edhe nga arkitektura e ndërtimit. Ato të futin në botën mistike, si prehje e hapësirave shpirtërore. Në Vicoforte ndodhet një nga bazilikat e famshme, Santuario Di Vicoforte, e vlerësuar për madhësinë dhe format arkitektonike të saj. Kubeja e saj është eliptike, 74 metra e lartë dhe me një diametër mbi 30 metra. Ajo, më shumë se një objekt kulti, me vlerat artistike e përmasat e mëdha, është kthyer në një adhurim e peligrinazh për mijëra vizitorë nga e gjithë bota. Ndërsa kundron madhështinë e saj, emocionohesh me dekorin e brendshëm. Me një frymë të gjallë dhe harmonike të ndjesive, hapësira e kubesë, përmes një dritëhije rrumbullakosëse, shkrin harmonikisht ngjyra me një shkëlqim verbues. Figurat e pikturuara të engjëjve, ngarkuar me plot fantazi, të befasojnë si në një sfond të hapur qiellor.

* * *
Moria e ndërtesave zëvendësohet nga peisazhet frymëzuese. Dielli lëshon mbi to rreze dritë e ngrohtësi. Të tërheqin vëmendjen të tjera peisazhe interesante, rrezellitëse, qetësuese, argëtuese dhe e bëjnë të këndshëm udhëtimin. Udhërrëfyesi turistik të fton në parkun natyral Alta Valle Pesio e Tanaro shtrirë malit Bisalta. Pamja mbizotëruese e tij me lartësinë si piramidë, në shkëlqimin e ngjyrave të stinës e diellit vjeshtak, të jep të drejtën të meditosh. Si një privilegj të vlerave të veçanta, që shfaq parku Alta Valle Pesio e Tanaro me larminë e botës bimore dhe shtazore, i këndshëm e përrallor, si poezi më vete, me peisazhe ngjyra – ngjyra, që tjetërsohen pas çdo kilometri, të cilave nuk ia gjen shëmbëlltyrën, të le pa fjalë, kur e kundron dhe të shtyn kureshtjen e dëshirën për ta shkelur e për t’i shtuar vetes më shumë kënaqësi. Humbet thellësive të pyllit drejt lartësive të malit Bisalta, nëpër një mori rrugësh gjarpëruese. Heshtja thyhet butësisht nga zhurmat e lehta, bisedat e vizitorëve që në këtë stinë nuk janë të pakët, cicërimat e zogjëve, fëshfërijtja e lehtë e gjetheve të rëna në tokë nga drurë gjithfarësoj, të lartë e të dendur. Në luginat e ngushta, rrjedhin lumenj të vegjël, diku të rrëmbyeshëm e diku gurgullues si melodi e ëmbël. Pamjet nga ç’mund të shohësh në një kalim janë mbreslënëse. Sa të zë syri një pamje, ia le vendin një pamje tjetër po aq të bukur. Të përkundur thellësisht në këtë ndjesi të soditjes së peisazheve piktoreske, orët kalojnë pa u kuptuar dhe aspak nuk ndjen lodhje. Peizazhet piktoreske marrin më shumë vlera, kur ruhen, mirëmbahen dhe ndërthuren me të dobishmen. Parku Alta Valle Pesio e Tanaro njihet edhe për vlerat kurative. Resortet turistike buzë ujrave, në sheshe e brinja kodrash, pingul diellit në mesditë, teksa rrihen nga flladet e erërave, së largu shfaqen me ambiente elegante për t’u ç’lodhur endshëm. Në restorantet alpine shijon prodhimet vendase. Verën “Dolcetto”, djathin “Raschera”, që cilësohet më i miri midis djathrave të Alpeve perëndimore, çokollatën “Arione”, etj. Ecim në peisazhe të tjera mbreslënëse të parkut natyral Alta Valle Pesio e Tanaro, ku ndërthuren ujvara, burime, shkëmbinj, drurë të lartë e të shumëllojshëm, sa mbetesh përherë pa fjalë.
Cilido, që i ka rënë rasti të udhëtojë, kur i afrohet kufirit të Italisë me Francën, në lartësitë e Alpeve Detare, aty ku rruga merr për në tunelin Cole de Tende, 1321 m, përjeton një emocion të një natyre të veçantë. Në gjirin e një lugine të ngushtë, rrethuar nga malet, shtrihet Limone Piemonte, një vendbanim i lashtë dhe një ndër mjediset më piktoreske të Italisë. Rrugët e ngushta e me tipare të spikatura, të shtruara me kalldrëm që gjarpërojnë ndërtimeve arkitekturore impresionuese dhe karakteristike prej guri, janë shkrirje e trashëgimisë historike me modernitetin. Lule dhe flamuj të kombësive të ndryshme zbukurojnë mjediset e ndërtesave. Këtu janë përqëndruar edhe buste të figurave të njohura të këtij vendbanimi të lashtë, në fusha të ndryshme, si ajo e kardinalit Riberi Antonio, sociologut Antonio Marro etj. Në Limone Piemonte, adhuruesit në çdo stinë të vitit, gjejnë pikërisht vendin e duhur, me mundësi të shumta argëtimi. Të pushojnë, t’i ngjiten majave të larta, me shpatet shkëmbore dhe vështirësi të mëdha, përmes peisazheve joshëse me forma të shumëllojshme, të bëjnë ski. Limone Piemonte, në afërsi të Torinos, San Remos, Xhenovës, por edhe qyteteve franceze Menton, Nisë dhe principatës së Monakos, është një destinacion prej një shekulli i pasionantëve të sporteve dimërore, skive dhe patinazhit, ku janë organizuar edicionine të Kupës Botërore.
* * *
Me këtë mori përshtypjesh të pashlyeshme, sa të mungojnë fjalët për t’’i përshkruar më shumë, ditët e ardhshme të pandara nga dëshira për të soditur të tjera qytete e komuna të Piemontes, për të shijuar magjishëm arkitekturën dhe peisazhet mahnitëse.
*Ne Foto:Piazza Galimberti

Filed Under: Reportazh Tagged With: Cuneo, emblemat e arkitektures, Pellumb Gorica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3411
  • 3412
  • 3413
  • 3414
  • 3415
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT