• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PJESËMARRJA NË QEVERI JO PËR INTERESA PERSONALE

October 16, 2020 by dgreca

Në pritje të bisedimeve për pjesëmarrje në Qeveri, për shqiptarët parësore duhet të jenë jo interesat personale por  pozita dhe statusi i shqiptarëve në Mal të Zi, sepse ka ardhur koha të ndryshoj qasja e pushtetit, që të përfitojnë shqiptarët e jo individet si deri më tash, e ate kryesisht në fushën e punësimit që paraqet treguesin kryesor  të barazisë qytetare  e nacionale në këtë mjedis. Me pjesëmarrjën e pakicave kombëtare në Qeveri si parnter e jo dekor  do dëshmohej në praktikë se qeverisja nuk është pronë e shumicës parlamentare por edhe të tjerëve që janë pjesë e mozaikut politik  në këtë mjedis.

Shkruan: Nail   Draga–

Duke analizuar periudhën e pjesëmarrjës në Qeveri nga viti 1997 e më pas, del qartë së shqiptarët nuk mund të jenë të kënaqur me përfaqësimin e tyre përkatësisht të punësimit sipas pjesëmarrjës në popullsinë e përgjithshme. Dhe një trend i tillë dëshmon pabarazinë praktike, sepse çështja e punësimit nuk zgjidhet nëse vendoset si ministër ndonjë individ shqiptar, apo drejtor në ndonjë ministri. Çështja e tillë është me peshë të veçantë sepse struktura e të punësuarve është dëshmi e barazisë nacionale në çdo mjedis. Dhe të ndodhur në një situatë të tillë të pavolitshme, ku në sajë të privatizimit u plaçkiten të gjitha ndërmarrjet ekonomike, papunësia u rrit dukshëm andaj për të mbijetuar  zgjidhje e imponuar ishte emigrimi  në botën e jashtme. Dhe nga një dukuri e tillë çdo i treti shqiptar nga Mali i Zi është në botën e jashtme, me trend të vazhdimit që do të jetë me pasoja për shqiptarët në këtë mjedis.

Të refuzohet ministria  e pakicave 

Deri më tash  për pjesëmarrje në Qeveri për shqiptarët  ka qenë e rezervuar Ministria e Popujve Pakicë dhe të Drejtave të Njeriut. Por, duke marrë parasysh se shqiptarët kanë kuadra edhe për fusha të tjera, mendoj se do të ishte e udhës që nëse arrihet marrëveshja për pjesëmarrje në Qeveri, një ofertë  e tillë duhet të refuzohet. Sepse një ministri e tillë me tepër ka qenë në favor të imazhit të Qeverisë, se sa të vet shqiptarëve,  sepse nga ajo ministri elektorati shqiptar nuk ka pasur përfitim, përveç benifiteve personale. 

Në këtë aspekt shqiptarët  duhet të orientohen nga disa ministri tjera, siç janë ministria e ekonomisë, turizmit, bujqësisë etj. Ndërsa në fushën e arsimit dhe të kulturës duhet të ekzistojë një qasje tjetër, e jo si deri më tash, pa peshën e duhur në ruajtjen e identitetit arsimor e kulturor. Sepse shqiptarët janë të vetmit popullsi josllave me gjuhë, kulturë e tradita të veçanta nga të tjerët, andaj duhet gjetur forma dhe mundësi në mbrojtje dhe ruajtje të identitetit kombëtar nga aspiratat asimiluese. Nuk ka dilemë se për ndryshime pozitive në këtë drejtim përveç kuadrave me integritet personal e profesional duhet patjetër të ekzistojë vullneti politik i pushtetit i cili deri më tash ka munguar(!).

Mungon platforma politike

Duke marrë parasysh se deri më tash nuk ekziston ndonjë platformë politike e cila do të ishte e pranueshme për të gjithë spektrin politik të shqiptarët në Mal të Zi, është e udhës të punohet për dy platforma: platforma për veprim politik dhe platforma e përgjithshme politike.

Në këtë aspekt përkujtoj së në vitin 2015 është formuar një komision për shkruarjën e platformës, me pjesëmarrje nga përfaqësues të partive politike shqiptare, ku ishte edhe autori i këtij artikulli. Por, pas disa takimeve dhe shqyrtimit të materialit përkatës, për çudi komisioni ndërpreu punën, ku si shkas ishte jostabiliteti politik në pushtetin lokal të Ulqinit. Dhe nga ajo kohë e deri më tash nuk ka pasur nisma që të punohet në këtë drejtim, që nuk mund të arsyetohet nga partitë politike të shqiptarëve në Mal të Zi.

Nga bisedime në marrëveshje

Fillimisht duhet të zhvillohen bisedime nga përfaqësuesit e Listës shqiptare me shumicën e re parlamentare. Ndërsa lista e dytë parlamentare Koalicioni shqiptar, ka refuzuar për të qenë pjesë e pushtetit, duke theksuar se pjesëmarrja në Qeveri ku është edhe DF, për ata është i pa pranueshëm. Në sajë të  bisedave duhet të parashtrohen kërkesat që duhet të jenë jo me peshë personale për për pozitën dhe statusin e shqiptarëve në këtë mjedis. 

Në lidhje me këtë çështje përkujtojmë se me 27.11.2016 është arritur një marrëveshje në lidhje me bashkëpunimin  paszgjedhor  në mes DPS-it dhe Koalicionit “Shqiptarët e vendosur”. Është çështje tjetër  se çka është shkruar dhe realizuar në praktikë  nga kërkesat në këtë marrëveshje, por ky është dokumenti i parë i kësaj natyre, duke krijuar raporte të partneritetit me pushtetin(DPS), për periudhën katërvjeçare(2016-2020). Dhe diçka të tillë presim të realizohet tash me shumicën e re parlamentare, por me një përmbajtje më të kompletuar.

Nëse shqiptarët kësaj here do të jenë pjesë e pushtetit, duhet të zgjedhin me përparësi kërkesat e tyre  dhe me afate të realizimit të tyre. Sepse çdo kërkesë e shqiptarëve që është në favor të tyre dhe nuk është kundër popujve të tjerë në Mal të Zi, duhet të pranohet nga ana e pushtetit demokratik, që është në favor të barazisë qytetare e nacionale si kudo në botën e qytetëruar. 

Pakicat,  partner e jo dekor të Qeverisë

Në vendet demokratike çështja e përfaqësimit të pakicave është përcaktuar me kushtetutë si aktin me të lartë juridik e jo sipas disponimit të pushtetit. Andaj në këtë aspekt duhet të punohet edhe në Mal të Zi, sepse vetëm në këtë formë të veprimit do të eliminoheshn dilemat e përfaqësimit të tyre në qeverisje qendrore. Nga miratimi i pluralizmit kjo çështje asnjëherë nuk është trajtuar në mënyrë serioze, sepse ndaj pakicave kombëtare vazhdimisht ka ekzistuar qasja e animozitetit, sidomos kur janë në pyetje shqiptarët, që dëshmohet me mos  pjesëmarrje të tyre në Qeveri. Nëse kjo çështje ka ndryshuar nga viti 1997, më ndryshimet politike me formimin e Ministrinë e Pakicave dhe të Drejtave të Njëriut, që në një farë mënyre ishte e rezervuar për shqiptarët, të tjerat ministri kanë qenë të panjohura. 

Pjesëmarrja e pakicave në Qeveri është në favor të prezantimit dhe përfaqësimit të tyre në pushtetin ekzekutiv, sepse çështjet preokupuese të pakicave  askush nuk mund ti paraqesë në mënyrë me të qartë se  sa vet ata. Dhe janë pikërisht  përfaqësuesit autentik të tyre, që ofrojnë  mundësi praktike të partneritetit me pushtetin  në këtë mjedis. Vetëm në këtë formë të veprimit pakicat eliminojnë përceptimin e tyre si dekor i qeverisë, që është koncept i demoduar për mjediset  me qasje autokratike. 

Asnjë ministër shqiptar nga radha e DPS-it

Ndonëse në skenën politike në Mal të Zi  një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve votojnë DPS-in, ky subjekt politik  deri më tash   asnjëherë nuk kanë emëruar asnjë shqiptar  si minister  në Qeveri. Një konstatim i tillë, dëshmon se këtij subjekti politik shqiptarët i janë nevojitur për t’iu siguruar kontigjent të votave, e jo të emërojnë ndonjë shqiptar në pozitë të tillë. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë  dëshmon  mos konsideratën ndaj kuadrave shqiptare nga ky   subjekt politik si në të kaluarën dhe në ditët tona. 

Ndërsa e kundërta ka ndodhë me pjesëtarët e popullit boshnjak, të cilët vazhdimisht kanë pasur ministra, nga ana e subjektit të tyre politik(PB), por edhe në parti të tjera (DPS, PSD, SD), duke qenë të përfaqësuar në qeveri me shumë ministra, që ka ndikuar në punësimin e pjesëtarëve te popullit në tyre në institucionet dhe subjektët e ndryshme qeveritare.

Në pritje të realizimit të drejtave të mohura 

Shqiptarët nuk duhet të mbesin peng të individëve apo interesave të ndryshme, por duhet të përpiqen për të realizuar në praktikë kërkesat e tyre që janë  optimale në avancim të pozitës dhe të statusit të tyre, sipas standardëve ndërkombëtare. Pjesëmarrja në Qeveri duhet të trajtohet si kompromis i dyanshëm, e jo sa për imazhin e tyre demokratik, por mundësi reale për të dëshmuar në praktikë se  kanë kapacitet demokratik  e jo si  Qeveria e deritashme, e cila në aspektin e punësimit të shqiptarëve ka pasur dështim të plotë. 

Pikërisht duke pasur parasysh këto rrethana pushteti i ri duhet të ofrojë mundësi për realizimin praktikë të drejtave të mohura, të cilat pushteti aktual i ka injoruar vite më radhë. Dhe një veprim i tillë ofron mundësi te bashkëpunimit në nivel të partneritetit, ku përfaqësuesit autentik të shqiptarëve këtë moment duhet shfrytëzuar jo për interesa personale siç ka qenë deri më tash por për  të avancuar pozitën dhe statusin e tyre në këtë mjedis.

Filed Under: Analiza Tagged With: Interesat Personale, Jo per interesa personale, Nail Draga

Doktorantja Arjeta Ferlushkaj pranohet në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

October 16, 2020 by dgreca

Nga Adnan Mehmeti–Presidenti i Shoqatës*-

Stamford, 16 tetor 2020– Është një traditë e bukur që muaji tetor të quhet ndryshe dhe “Muaji i Letërsisë”, dhe ditët e këtij muaji duhet të kenë mjaft lajme të reja, të bukura.

Në kushte më të mira pa COVID 19 do të ishte të bënim në ndonjë qytet të Amerikës promovime të veprave të botuara. Po prapë na vjen lajm i gëzuar. Fillimi i muajit tetor vjen me një ogur të bardhë për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, sepse pranuam si anëtare në radhët e Shoqatës doktoranten e letërsisë Arjeta Ferlushkaj. 

Arjeta Ferlushkaj është shpërngulur në SHBA në fund të vitit 2016 dhe jeton mes shteteve Nju Jork dhe Nju Xhërsi. Pas bashkëpunimit që kemi pasur në të kaluarën, ajo tani është anëtare e rregullt e Shoqatës së Shkrimtarëve.

Studiuesja Arjeta Ferlushkaj me kohë ka dërguar në bibliotekën e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë librin e saj “Pasqyrat e postmodernitetit”, si dhe ka plotësuar formularin e anëtarësimit. Është ky një rregull për të qenë e barabartë në komunitetin e poetëve dhe shkrimtarëve anembanë Amerikës në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, një lidhje elitare, e suksesshme dhe modele për krijuesit shqiptaro-amerikanë. Arjeta Ferlushkaj ka në proces botimi librin e saj të dytë që pritet të dalë  pas pak ditëve.

Kryetari i Shoqatës, Mëhill Velaj, bashkë me kryesinë, e vlerësojnë anëtarësimin e doktorantes Arjeta Ferlushkaj si studiuese serioze e letërsisë, por edhe për aftësitë e saj në fushën e bibliografisë. Le të kujtojmë që gjatë vitit 2020 kemi pranuar edhe katër anëtarë të rinj:  Xhemal Gora, Jani Plasa, Ermira Mitre dhe Frank Shkreli. Kemi botuar librin “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë -Autorë dhe vepra”, me mbi 103 anëtarë, gjithashtu edhe revistën e vetme letrare në SHBA “PENA”, organ i Shoqatës së Shkrimtarëve.

Shënime biografike për doktoranten Arjeta Ferlushkaj

Arjeta Ferlushkaj ka lindur në Shkodër më 22 shtator 1983. Ka studiuar në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në degën Gjuhë-Letërsi. Në Universitetin e Tiranës ka kryer studimet Master në profilin “Studime Letrare”. Nga viti 2006-2016 ka punuar në Bibliotekën Shkencore të Universitetit të Shkodrës në pozicionin e përgjegjëses së Fondit të Librit Shqip. Ka qenë anëtare e Institutit Alb-Shkenca nga 2009-2016. Është doktorante në profilin “Shkenca Letrare” pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë (sot quhet Akademia e Studimeve Albanologjike). Ka marrë pjesë në seminare e Konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka botuar artikuj publicistikë dhe studimorë në gazeta, revista e buletine shkencore brenda e jashtë Shqipërisë.

Ka botuar studimin “Pasqyrat e postmodernitetit. Elemente të poetikës postmoderne në romanet e Ridvan Dibrës” në vitin 2012 nga Shtëpia Botuese “Onufri”, Tiranë. 

Si studiuese e letërsisë është e specializuar në atë bashkëkohore e posaçërisht në zhanrin e prozës. Studimet pasuniversitare për Master dhe shkolla doktorale, të dyja të fokusuara në prozën bashkëkohore, e kanë plotësuar dhe, sigurisht, rritur nivelin kërkimor shkencor. Ka ndjekur metodat studimore bashkëkohore kryesisht, me fokus kryesor në shkollat e kritikës letrare që kanë në vëmendje tekstin e më pak autorin. Prirja për ta vlerësuar një vepër nisur më shumë nga emri i autorit nuk është e re. Është një “problem” që e ka dëmtuar jo pak artin e vërtetë, letërsinë si art i fjalës. Prandaj ka synuar në Shqipëri dhe synon tani edhe këtu në SHBA që të përcjellë frymën e një kritike të vërtetë sa i takon vlerësimit që i duhet bërë një krijimtarie. Në çdo rast, studiuesi duhet të ketë bazë të punës tekstin, pavarësisht autorësisë.

Përvoja e saj dhe e disa anëtarëve që merren me studimin e letërisë Shoqatës sonë i hapin horizonte të reja. Nëpër disa vite ne kemi organizuar seminare, por që synojmë që të organizojmë të tjera seminare, pse jo edhe konferenca shkencore për data të rëndësishme historiko-letrare, për shkrimtarë të ndryshëm apo edhe për dukuri letrare.  Një temë diskutimi mbase do të jetë prirja e letërsisë së diasporës. Në to secili pjesëmarrës në seminar ose konferencë të përgatisë shkrime për autorë të diasporës, apo të bëhen analiza rreth prirjeve tematike dhe të formës letrare që po ndjekin autorët e diasporës. Kjo duhet të jetë një domosdoshmëri përderisa në Shoqatë kemi krijues e studiues me grada shkencore.

Arjeta Ferlushkaj mirë se erdhe në gjirin e ngrohtë të Shoqatës! 

Doktorantja Arjeta Ferlushkaj dhe Adnan Mehmeti

*Shenim i Diellit: Arjeta Ferlushkaj eshte anetare e Keshillit te Federates Panshqiptare te Amerikes”VATRA”

Filed Under: ESSE Tagged With: Adnan Mehmeti, Dr.Arjeta Ferlushkaj

Kosova zbaton Marrëveshjen në Uashington të 4 Shtatorit 2020

October 16, 2020 by dgreca

“Kosova do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku mund të ketë pajisje të tilla, institucionet përkatëse të vendit do të angazhohen për heqjen e tyre”, theksoi Kryeministri Hoti/


PRISHTINË, 16 Tetor 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kosova zbaton zotimet e Marrëveshjes historike të 4 Shtatorit 2020 në Uashington të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në prani  të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump,  nga Kryeministri Kosovar dhe Presidenti i Serbisë.Në një nga pikat e Marrëveshjes së Uashingtonit theksohet: “Të dyja palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku tashmë ka pajisje të tilla, të dyja palët angazhohen për heqjen e tyre dhe përpjekje tjera të ndërmjetësimit në kohën e duhur.”Sot nga Qeveria e Kosovës u paralajmërua se, në Kosovë nuk do të ketë më përdorim të pajisjeve 5G që sigurohen nga shitës të pabesueshëm.Në komunikatën e dërguar nga Zyra e Kryeministrit theksohet:Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), si organi më kompetent në fushën e komunikimeve elektronike.Në këtë takim, Kryeministri Hoti potencoi rëndësinë e sigurisë kombëtare, ruajtjes së rendit publik, ruajtjes së kufirit shtetëror për funksionim të qëndrueshëm e të besueshëm përmes institucioneve përkatëse shtetërore dhe bashkërendimit të veprimeve ndër-institucionale.“Kosova do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku mund të ketë pajisje të tilla, institucionet përkatëse të vendit do të angazhohen për heqjen e tyre”, theksoi Kryeministri Hoti.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, marrveshja e 4 shtatorit

PALOK VUSHAJ, NGA INTERNIMI I PËRJETSHËM TE AGU I LIRISË

October 16, 2020 by dgreca

Sokol PAJA – DIELLI-Palok Vushaj sot është 77 vjeç dhe kujton çdo detaj të internimit të familjes së tij nga Selca e Kelmendit për në fshatin Nënshatë të nën Shkodrës. Edhe pse kanë kaluar 46 vite nga ajo kohë e tmerrshme, Paloka rrëfen me detaje persekutimin, dëbimin, internimin, konfiskimin  e pasurisë dhe luftën e tmerrshme të klasave në internim. Familja e Palok Vushajt prej 26 anëtarësh u internua nga muaji Tetor 1974 deri në Prill të vitit 1991. Pas arratisjes së vëllait të Palokës, Gjeto Vushajt nga fshati Selcë për në ish-Jugosllavi më 27 Shtator 1974, mbi këtë familje do ushtrohej një terror i paparë prej organeve të Sigurimit të Shtetit, Ushtrisë e Policisë. Një përndjekje që do i tmerronte për 17 vite derisa do përmbysej diktatura dhe familjarisht fituan lirinë e privuar padrejtësisht. Paloka kujton se para arratisjes së vëllait ai punonte në Pyjore, ndërsa kthehej në shtëpi një ditë më pas, katër ushtarë e ndaluan, i drejtuan armën dhe filluan ta godasin për arsyen e arratisjes së vëllait. Në të gdhirë të ditës kujton Paloka, shtëpia jonë u rrethua nga Sigurimi i Shtetit, ushtria kufitare dhe policia. Meshkujt e familjes dhe prindërit u çuan në qendër të Kelmendit në Tamarë. I rreshtuan para Postës Ushtarake. Pasi i morën në pyetje nën dhunë e kërcënim, kur erdhi radha e marrjes në pyetje të Palokës, Oficeri i Sigurimit e etiketoi kriminel, tradhëtar  dhe të poshtër se pse nuk kishte raportuar arratisjen e vëllait. Shtëpia e familjes u ruajt me armë dhe nën rrethim policor e ushtarak kujton Paloka. Gratë e shtëpisë i lanë në fshat, meshkujt e shtëpisë e prindërit u internuan në Mjedë në një ndërtesë si tip burgu ku qëndruan për 2 javë të burgosur, të kequshqyer e me ruajtje të armatosur duke u shkaktuar terror, frikë e panik. Pas dy javëve të tmerruar, e të dhunuar fizikisht e psikologjikisht u shpallën organet policore vendimin e internimit të përjetshëm në Nënshatë. Jetesa aty ishte shumë e rëndë. Një dhomë  shumë e vogël me kushte skandaloze për një familje të madhe siç ishim ne kujton Paloka. Policia e ushtria dolën në fshatin Selcë dhe boshatisen shtëpinë, morën me dhunë gratë e fëmijët dhe i bashkuan të gjithë në internim në Nënshat ku jetuan në kushte ekstreme për vite me radhë nën kërcënim e frikë. Pas internim-dëbimit nga fshati, Paloka kujton se ndaj familjes iu bë konfiskimi i pasurisë dhe vjedhja prej komunistëve të fshatit. Përgjatë kohës së internimit, familja e Palokës, anëtarët një për një duheshin që të paraqiteshin tri herë në ditë te roja i posaçëm që ruante të internuarit. Çdo javë vinte operativi i Sigurimit nga Shkodra dhe bënte mbledhje në fshat duke i instruktuar fshatarët dhe kuadrot komunistë kryesisht sesi të na ruanin e paraqisnin raporte kundër familjes Vushaj me qëllim burgosjen e tyre tregon Paloka. Pra regjimi nuk njihte limit ligësie, agresiviteti e represioni ndaj familjeve që komunizmi i quante armiq të popullit e klasës punëtore. Familjeve të internuara në komunizëm i jepeshin punët më të rënda të koperativës. Paloka kujton se punonin si familje në një perimetër të caktuar për afro 20 metra nën kërcënim se nëse largoheshin nga ato pak metra katrore, do vriteshin me plumba. Komunistët dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit herë pas here e provokonin në kampin e punës Palokën dhe familjarët e tij, madje dhe duke i vajtur në shtëpi për ta provokuar në biseda kundër regjimit me qëllim prangosjen e tij dhe të meshkujve të shtëpisë. Paloka tregon se komunikimet me të afërmit ishin të kufizuara, letërkëmbimet i lexonte Sigurimi dhe i griste. Ata jetonin të izoluar prej botës që i rrethonte. Të internuarit, të përndjekurit e regjimit ishin skllevër në një botë rrethuar me tela me gjëmba. Paloka tregon një episod ku vëllai i arratisur Gjeto Vushaj u shkroi nga Amerika një letër dhe kjo desh i kushtoi burgosjen familjarisht. Vëmëndja e Sigurimit dhe Spiunëve sa shtohej dhe më shumë. Popullsia vendase siç ishin komunistët në koperativë në rangje shtetërore drejtuese dhe spiunët e sigurimit në koperativë ku punonin i mallkonin, shanin e ofendonin si armiq, tradhtarë dhe kriminelë. Paloka tregon me dhimbje se ishim të padëshiruar për kohën, për sistemin dhe popullsinë vendase. Punonim dy herë më shumë se të tjerët, paguheshim dy herë më pak, s’kishim asnjë të drejtë lëvizjeje. Çdo ditë komunistët shkruanin letra kundër nesh. Jo vetëm për çdo fjalë por edhe për çdo mendim, jetonim me frikë se mos keq interpretohej e na fusnin në burg. Me trishtim, Paloka kujton se në internim nëse një ditë nuk dilnim në punë, Sigurimi na hiqte bukën. Kafja, sheqeri e buka ishin me racion. Jetonim në kushte të tmerrshme tregon Paloka, ku përveç mungesës së lirisë na mungonte gjithçka tjetër. Jeta çdo ditë që kalonte na bëhej edhe më e pamundur. Fëmijët në shkollën fillore i urrenin, edhe pse mësonin shumë mësuesit komunistë nuk u jepnin hakun dhe bashkëmoshatarët e tyre instruktoheshin prej organeve të sigurimit ti shanin, ti ofendonin e të mos u flisnin. Një luftë e tmerrshme klasash tregon Paloka, që ngjan si një film i frikshëm kur e rikujton. Sapo erdhi demokracia, vëllai i Palokës, Gjeto Vushaj vizitoi Shqipërinë. Paloka i kujton ato ditë me lumturi e trishtim, veç qanim e flisnim ditë e natë. Nuk na besohej se ishim ende gjallë. Ky ritakim pas afro 20 vitesh  dukej si një ëndërr kujton Plaoka, ishte takim me jetën, me vuajtjen, me lirinë, me vetminë, me tmerrin që përjetuam për gati 20 vjet. Një takim çmallës. Një përlotje për jetën në vuajtjet e pamerituara në një sistem diktatorial që prodhoi mjerim, viktima e shkatërrim. Pengu më i madh familjar kujton Paloka ishte vdekja e prindërve në internim dhe dëshira për të parë djalin e arratisur para se të mbyllnin sytë përgjithmonë. Në Selcë, pas shëmbjes së komunizmit, kur familja Vushaj u rikthye në fshat, e gjetën gjithçka të rrënuar e shkatërruar dhe ndërtuan jetën në Shtoj të Shkodrës. Paloka rrëfen se edhe pas vuajtjeve të tmerrshme ku humbën gjithçka, ndjehet mirë se ka shtëpinë plot, por ato vuajtje dhe sot e tmerrojnë dhe i duken absurde e të pabesueshme. Komunizmi ishte mallkimi më i madh për shqiptarët, mbyll rrëfimin e tij për jetën në internim Palok Vushaj.

Filed Under: Histori Tagged With: Palok Vushaj, Sokol Paja

Shakaja e “Rilindjes”

October 15, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi

Nga Astrit Lulushi-Çështja është se Rilindja ka interpretime të shumëfishta, ashtu si pas gjumit gjëja e parë është ruajtja e kujtimit të ëndrrës. Njeriu fillimish mendon se Rilindja është akt tragjik, ku ai përjeton dhe qan njëkohësisht. Me kalimin e kohës, ndërsa rritet, piqet e plaket, lëkura rregjet, njeriu qesh me të madhe, duke mos pasur kurrë kohë të pushojë. Asnjëherë nuk është i sigurt nëse e ka kuptuar vërtet, Rilindjen, sepse posa mendon se kupton diçka, koha i kundërvihet premisës së tij.
“Rilindja” e sotme, me qëllimet e saj të fshehta, në dukje boshe, është e treta e Shqipërisë moderne, ku protagonisti është në luftë me parimin e realitetit që pranon domosdoshmërinë, ose pashmangshmërinë e vdekjes. Një “Rilindje” e dytë para kësaj (1944) e futi në kurth shoqërinë shqiptare. Megjithëse pretendojnë se kanë për qëllim kryesisht t’i lëvizin a ringjallin njerëzit në emocione, këto “rilindje” përdorin një ndryshim sistematik të kursit për ta çuar shoqërinë asgjëkundi, për ta lënë gjithmonë në prag të tragjedisë dhe komedisë në të njëjtën kohë. Këto gjoja rilindje sistemi janë karikatura të Rilindjes Kombëtare; sepse, historia nuk përsëritet, por rimon, thotë një aforizëm që i atribuohet Mark Twainit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Shakaja e “Rilindjes”

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 343
  • 344
  • 345
  • 346
  • 347
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT