Nga Astrit Lulushi-Çështja është se Rilindja ka interpretime të shumëfishta, ashtu si pas gjumit gjëja e parë është ruajtja e kujtimit të ëndrrës. Njeriu fillimish mendon se Rilindja është akt tragjik, ku ai përjeton dhe qan njëkohësisht. Me kalimin e kohës, ndërsa rritet, piqet e plaket, lëkura rregjet, njeriu qesh me të madhe, duke mos pasur kurrë kohë të pushojë. Asnjëherë nuk është i sigurt nëse e ka kuptuar vërtet, Rilindjen, sepse posa mendon se kupton diçka, koha i kundërvihet premisës së tij.
“Rilindja” e sotme, me qëllimet e saj të fshehta, në dukje boshe, është e treta e Shqipërisë moderne, ku protagonisti është në luftë me parimin e realitetit që pranon domosdoshmërinë, ose pashmangshmërinë e vdekjes. Një “Rilindje” e dytë para kësaj (1944) e futi në kurth shoqërinë shqiptare. Megjithëse pretendojnë se kanë për qëllim kryesisht t’i lëvizin a ringjallin njerëzit në emocione, këto “rilindje” përdorin një ndryshim sistematik të kursit për ta çuar shoqërinë asgjëkundi, për ta lënë gjithmonë në prag të tragjedisë dhe komedisë në të njëjtën kohë. Këto gjoja rilindje sistemi janë karikatura të Rilindjes Kombëtare; sepse, historia nuk përsëritet, por rimon, thotë një aforizëm që i atribuohet Mark Twainit.