Vritet në Siri shqiptari i Kosovës
Bekim Mulolli nga Prishtina, ka vdekur para rreth dhjetë ditësh, në luftimet fetare në Siri. Vdekjen e Bekimit e ka konfirmuar familja Mulolli, e cila ndodhet, në lagjen Kodra e Trimave (Vranjevc) në Kryeqytet.
Familjarja e të vrarit ka rrëfyer se djali i tyre është vrarë “në tokën e Shamit” në Siri, para disa ditëve, përderisa trupi i tij ende nuk është sjellë për t’u varrosur në Prishtinë.
“Djali m’u ka vra qe nja 10 ditë në Sham” ka thënë plaka me lot në sy, që është identifikuar si nëna e Bekimit, ndërkohë që biseda me të është ndërprerë pas ndërhyrjes së familjareve të cilat thanë se është “amanet” i Bekim Mulollit për të mos folur me askënd.
I vrari, Bekim Mulolli, do duhej të ishte në Kosovë pasi që është pjesë e një procesi gjyqësor të nisur kohë më parë, ku akuzohej për organizim dhe pjesëmarrje në grupe të dyshuara terroriste dhe po ashtu për sulm dhe nxitje të urrejtjes fetare.
Avokati i Bekimit, Mentor Neziri thotë se nuk është në dijeni se klienti i tij ndodhej tash e disa muaj jashtë vendit e as se ka përfunduar i vrarë.
Ai pretendon se ka kohë që nuk ka qenë në kontakt me Bekim Mulollin edhe pse vazhdon ta ketë klient.
“Qe një muaj nuk kam kontakte me të . Nuk kom informacione tjera. Nuk besoj qe ky e ka lëshuar Kosovën”, tha avokati Neziri.
Express ka tentuar të kontaktojë edhe Policinë e Kosovës për të marrë edhe versionin e tyre rreth rastit, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.
Bekim Mulolli bashkë me katër të akuzuar tjerë ishin arrestuar me 5 nëntor 2013, nën dyshimet për organizim dhe pjesëmarrje në terrorizëm. Ndaj tij dhe katër të dyshuarve tjerëve, Valon Shala nga Bresalci (Gjilan), Adrian Mehmeti nga Gjilani, Genc Selimi nga Bresalci (Gjilan) dhe Nuredin Sylejmanit, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë tek 14 muaj pasi ishin mbajtur në paraburgim.
“Të pandehurit janë arrestuar në Prishtinë duke u përpjekur të blejnë një numër të madh të armëve dhe municionit sulmues ushtarak, si rezultat i hetimeve në vazhdim e sipër të Drejtorisë së Policisë së Kosovës (PK) kundër Terrorizmit, dhe të agjencive të tjera, për sulme të rëndë të kryer kundër dy misionarëve të krishterë nga Shtetet e Bashkuara”, përmendej në njoftimin për aktakuzë ndaj tyre ku edhe njoftohej se rasti ishte duke u ndjekur penalisht nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK’së.
Mulolli që në seancën e parë të mbajtur me 11 shkurt të këtij viti (2015) e kishte pranoi fajësinë për sulm të rëndë, ndërsa të arrestuarit bashkë me të, të ngarkuar për kryerjen e veprave që lidhen me terrorizmin, e konsideronin veten të pafajshëm. Kështu, Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte ndarë lëndën e Mulollit pasi ai dyshohej vetëm për sulm ndaj dy misionareve të krishtera ndaj të cilave gjatë pranimit të fajësisë shprehu keqardhje për sulmin e ndodhur dy vjet më parë.
Derisa me 28 prill, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte marrë vendim për lirim e tre të akuzuarve, Valon Shala, Nuredin Sylejmani dhe Genc Selimit, të cilët ishin arrestuar bashkë me Mullollin. Ndërkaq po e njëjta gjykatë ia kishte vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj tjerë të dyshuarit tjetër në këtë grup Ardian Mehmetit .
Ndërsa në Maj të 2015’së, ndaj Mulollit, Gjykata kishte hequr masën e paraburgimit duke e caktuar atë me masën e arrestit shtëpiak me detyrim paraqitje në stacionin policorë, ndërkohë që pas seancës për pranimin e fajësisë, po Gjykata Themelore nuk e kishte marrë parasysh fajësinë me arsyetimin se ai nuk kishte deklaruar se veprën penale e kishte kryer bashkë me Sylejman Nuredinin, që ishte po ashtu i akuzuari tjetër në po të njëjtin grup.
Bekim Mulolli tashmë është vrarë, por luftën përkrah grupit terrorist ISIS në Siri tash e vazhdon vëllai i tij Bashkimi i cili që nga viti 2012 ndodhet atje duke e lënë punën e tij të vjetër në Kosovë, taksi me makinë kombi.
Sipas të dhënave deri më tani në Siri dhe Irak kanë vdekur rreth 50 shtetas kosovarë ndërkohë që edhe qindra të tjerë ndodhen atje.
Deputetja Mesila Doda: Lamtumirë PD!
TIRANE, 26 Shtator/ATSH/- Pas 25 vitesh në krah të së djathtës, deputetja Mesila Doda largohet nga Partia Demokratike. Përmes një letre të hapur të cilën e ka postuar në rrjetin social në Facebook, deputetja Doda shprehet se largohet me keqardhje nga partia të cilën e bashkëthemeloi me të djathtët 25 vite më parë.
Pavarësisht se “de juro” nuk pati një përjashtim të saj nga PD-ja, Doda thotë se është përjashtuar “de facto” nga kreu i grupit parlamentar, Edi Paloka, menjëherë pasi deputetja, ndryshe nga grupi i saj, votoi në Kuvend për heqjen e imunitetit të deputetëve Tom Doshi e Mark Frroku, të cilët u vune para drejtësisë. Këtë përjashtim Doda e ka ndjerë edhe gjatë zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, ku Paloka nuk e përfshiu në fushatën e Tiranës, shtuar këtu humbjen e doktor Halim Kosoves, të cilin e cilëson si mikun e saj, ku fajëson drejtuesit më të lartë të PD-së për rezultatin në garën e tij elektrorale me Erion Veliajn.
Në sytë e Dodës tashmë në PD mbretëron klientelizimi, ndërsa humbja e zgjedhjeve, sipas saj, nuk u analizua kurrë. “Ndryshoni qasje ose do rithemelojmë të djathtën që e dërrmuat ju, thotë Doda. Deputetja Doda thotë se në 2 vitet e fundit ka thënë të vërteta të hidhura të papranueshme për shumëkënd.
“Largohem me keqardhje nga një parti që e krijuam bashkë me studentë dhe pedagogë 25 vjet më parë, por që sot e shoh të rithemeluar larg kontekstit, boshtit dhe qëllimit politik, për të cilin u krijua. Tash është klientelizmi mbret i situatës së re dhe shpresoj fort që njerëzit politikë që ende po rezistojnë edhe për pak, të arrijnë të kthjellojnë individët përgjegjës për dëmin e madh që po shkaktojnë. Shpresoj që edhe ky largim do i shërbejë vendimarrësve partiakë të kenë nje qasje tjetër ndaj figurave të vërteta politike, burra e gra të mençura që i shoh shpesh kur fyhen, anashkalohen, mallkohen e sulmohen me dhe pa intriga, për të vetmen arsye, sepse ende nuk kanë pranuar kodin e heshtjes dhe pranimin e disfatës së rradhës.
Nëse jo, do duhet të shihemi jo shumë shpejt, kur ta kuptoni që zgjerimi dhe pranimi i tjetrit si i ndryshëm me ty është fuqi dhe të vendosni që gjithë ata që s’i deshët e që qëndruan si njerëz me dinjitet përballë, do duhet të krijojnë së bashku me ju e si të barabartë edhe më shumë se ju, rithemelimin e së djathtës që e dërrmuat ju”, shkruan Doda.
Kryeministri Mustafa në Nju Jork
-I ftuar nga Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, në Samitin Global të Liderëve Kundër ISIS-it dhe Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Shtator 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka udhëtuar sot për në Nju Jork, ku është ftuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, që të marrë pjesë në Samitin Global të Liderëve Kundër ISIS-it dhe Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, që do të mbahet më 29 shtator.
Në Samit, së bashku me kryeministrin Isa Mustafa do të jenë të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, dhe në të do të diskutohet për të arriturat e shteteve në luftën kundër ISIS-it dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Gjatë vizitës në Nju Jork, kryeministri Mustafa, po ashtu do të marrë pjesë në Konferencën Globale të Clinton Global Initiative, që udhëhiqet nga ish-Presidenti Amerikan Bill Clinton si dhe në shumë takime të tjera që organizohen në margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Mustafa, me delegacionin qeveritar, gjatë qëndrimit në Nju Jork, do të takohet edhe me dhjetëra liderë dhe homologë të vendeve të ndryshme, si dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare e rajonale.
Kryeministri Isa Mustafa do të zhvillojë takime edhe me udhëheqës të lartë të administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me kryeministra të shumë vendeve të Bashkimit Evropian, zyrtarë të lartë të mekanizmave të BE-së si dhe liderë të shteteve të ndryshme anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshirë edhe të shteteve që ende nuk e kanë marrë vendimin formal për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.
Gjatë takimeve me liderët e vendeve të ndryshme të botës dhe organizatave ndërkombëtare, kryeministri Isa Mustafa do të kërkojë përkrahje konkrete për fuqizimin e mëtutjeshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.
Kush po na e risjellë “Sulejmanin e Madherueshem”
Nga Fahri XHARRA/
Një lojë e fëlliqur me kombin, një dëshirë për mposhtjen tonë morale, një tentim për të na larguar edhe më shumë nga Europa: ” Pllaka me mbishkrimin ne gjuhen osmanisht qe sjell ne vëmendje periudhën osmane dhe Sulejmanin e Madherishem është rivendosur ne hyrje te kalasë se Lezhës, aty ku ne fakt ishte vendosur ne vitin 1522 “.
Dikush po luan me ne , dhe na pavetëdije po e lozim vallen e dreqit të mallkuar : ““Përveç TIKA-s , janë shumë organizma publik turk të cilët e kanë për detyrë të inkurajojnë shpërndarjen e gjuhës turke, që të mbështesin projektet turke për ruajtjen dhe vlerësimin e trashëgimisë otomane në Ballkan. Është gjithashtu Instituti Junus Emre (Yunus Emre Enstitüsü, YEE) i cili e shpërndan një vëmendje të posaçme turke ne Ballkan . Me vite të tëra serialet televizive turke janë bërë shumë të njohura, e njëra ndër to ishte edhe “Muhteşem Yüzyıl “ ( Shekulli madhështor ) ( nga studimi i më sipërm , me nëntitullin : Série télévisées : le soft power de Soliman le Cathodique )””( Fahri Xharra, Atentati ndaj kombit me seriale turke debat.al )
*Kalaja e Lezhës ka një simbolikë shumë të madhe, sepse është edhe simboli i Besëlidhjes së Lezhës të bërë nga Skënderbeu që bashkoi princat shqiptar kundër turqve, po ashtu është edhe vendi ku është varrosur Skënderbeu.*
“Ky është një konspiracion ndërshtetëror shqiptaro-turk ,( e ndoshta edhe shqiptaro-serbo-turk ) Së pari, duhet me qartësuar opinion publik me atë që po ndodh në Kalanë e Lezhës e dikush duhet të mbaj përgjegjësi e kjo e fundit nënkupton e kërkesës e faljes nëse gabohet si dhe aktin e dorëheqjes nëse gabimi është i rëndë”. Por jo nuk është gabuar pa qellim , por ajo pllakës është vendosur me qellim; dhe me një qëllim me pasoja. Me besoni , me pasoja historike.
Historia nuk është prone individuale e as një njeriu ( sepse ai njeri e ka vdekjen ) e asnjë qeverie ( sepse ajo e ka mandatin e kufizuar) , e asnjë ministri ( sepse ay, në çdo kohë mund të del jasht loje). Vetëm historia është e pavdekshme dhe është prone e kombit tonë. Ajo nuk duron mbështjellje me rrena dhe intriga. Edhe ajo një ditë pëlcet!
“Se kombi ynë është në gjendje të mjerë dhe në duar të mbetjeve osmane e renegatëve këtë e dëshmojnë më së miri veprimet e pamenduara mirë dhe të paguara nga qarqet e ndryshme te politikes turko-sllave për ndryshimin e themeleve të historisë së kombit shqiptar dhe monumenteve të tij të lashta.” – shkruan historiani Gjon Keka . Por unë them që jo, fajet janë tek qeveritarët tanë të cila e ngacmojnë një popull të tërë vetme për ” një darkë të shtruar “ në mënyrë konfidenciale.
E pat kombi , na humbi ardhmëria në Europë, sepse i madh e i vogël po mundohen që gjëja ne jemi të pandashëm nga e kaluara jonë me turqit : vendosja e mbishkrimit të Sulltan Sylejmanit në Kalanë e Lezhës është një nga poshtërsitë më të mëdha në vazhdën e shumë poshtërsive që po iu bëhet kombit tonë nga renegatët dhe mbetjet osmane. Si mund të vendoset një mbishkrim i tillë në atë Kala të lashtë Ilire, në atë Kala që u bëri ballë pushtuesve barbarë? Kush po i lejon këto marrëzira të ndodhin para syve tanë si komb ndër më të lashtët në gadishullin Ilirik dhe në kontinentin europian.
Më besoni qe ne si popull që jemi , jemi të pafajshëm, jemi të pa sherr. “Sherri “ po na vjen nga individë qeveritar. Është një konspiracion antishqiptar !Në një vepër mbi gjeografinë e Europës, të botuar në vitin 1852, faqe 361, shkruan kështu: “Lezha ose Alessio me 3000 banorë është një qytet i vjetër që nga koha e Dyonysius von Syrakus me emrin Lissus, pastaj sërish ra në duar të ilirëve dhe aty ishte një kala malore e pazëvendësueshme-Aero-lissus”. – shkruan Gjon Keka.
“Klasa politike në Shqipëri e ka të vështirë të dali nga kurthi i së kaluarës. Ajo nuk e ka as aftësinë e as vizionin për një gjë të tillë. Ata kalojnë nga krekosja nacionaliste, në përulje kozmopolite. Të kthehem te çështja e Europës Është i njohur admirimi i pakusht i shqiptarëve për Europën dhe SHBA-në. Kjo ndoshta vjen ngaqë humbjen e Europës ne e kemi përjetuar më tragjikisht se të tjerët. Qysh në vitet 30-të një poeti ynë ka shkruar se ne “e duam Perëndimin me një dashuri tragjike”. Ky tragjizëm u theksua gjatë izolimit komunist.
Por ne nuk po e duam Europën , me krenari po mbesim në tutelën antishshqipare.Pyetja shtrohet fare thjesht: Ç’do të bëhet me shqiptarët sipas zgjidhjes turke? Të kthehen në turq? Të ikin? Të dëbohen? Ja, pra, e kthyem historinë parapa .
,25.09.15, Gjakovë