• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BLETET, MJALTI, ARIU DHE NJERIU

September 24, 2015 by dgreca

Tregim nga Agim Xh. Dëshnica/

Lart  në krahun e majtë  të rrugës me pisha e plepa, që merr përpjetë për në Parkun e madh të Tiranës, në një sop nga  duket liqeni  dhe kodrat përballë, në dy stola të drunjtë rrinin ulur tre burra të thinjur, Lani, Nasi dhe Rudi. I pari  tregoi gjatë e gjerë  rreth  trimërive të tij kundër italianëve, kurse i dyti për heroizmat e veta kundër  gjermanëve. I treti, ishte kundër luftës, megjithatë dëgjonte me vëmendje, habitej e buzëqeshte me ato ndodhi, sa të rrezikshme aq, edhe të pabesueshme. Papritur,  mbi kokat e tyre kaloi duke zukatur një grenxë e verdhë. Rudi e pa tek ndaloi mbi një gur.

-Ky insekt  kriminel – tha- të pickon, edhe pa e trazuar e s‘e gjen gjë. Në ato çaste iu kujtuan bletët  fisnike e punëtore, ndaj vijoi:- ndryshe nga grenxa bleta të thumbon, kur mbron zgjoin, por pas pak, humb jetën!-  Rudi mandej nisi të  fliste  për  mjaltin, për ariun e njeriun: – Dikur  bletët jetonin në pyje me mare plot me lule. Zgjojet i ndërtonin nën tokë si milingonat ose në humnera si shqiponja! Këto soj bletësh trupin e kishin. më të madh. Fshatarët i quanin brumbuj. I pari që pat shijuar mjaltin e tyre ka qenë ariu i murmë.  E kam parë me sytë e mi, kur bridhja vetëm pyjeve me çifte në dorë. Pas ariut u mësua edhe njeriu, por ky më i zgjuar se ariu i zbuti dhe i strehoi në zgjoje pranë shtëpisë.

-Si shumë guximtar paske qenë!– tha Lani i habitur.-. Deri më sot  s’më ka qëlluar të shoh ari, duke ngrënë mjaltë.

-Vertet, çuditem edhe unë!- shtoi  Nasi –  Dhe jo vetëm kaq, por kohet e fundit  ti,  sikur shumë i ditur po na del. Në çfarë librash apo gazetash,  i ke lexuar histori të tilla, aman?

-A keni qenë ndonjëherë në fshatin Shënavlash të Elbasanit?

– Elbasan? Unë njoh vetëm Shënavlashin e Durrësit- tha Lani.

-Edhe unë!- vijoi Nasi.

-Mjalti si mjalti-thonë në atë fshat malor.  A keni nuhatur erën e luleve të mareve? Po  kokrat  e kuqe ai keni shijuar?  Po rakinë prej tyre?

-Maret po,  ndërsa  rakinë jo! – u përgjegjën njeri pas tjetrit dy miqtë e tij.

-Nëse kthen një gotë  raki mare, përvëlohesh, hëngre mjaltë prej luleve të tyre, bëhesh esëll dhe shërohesh.- Rudi  hapi  revistën “Flaka”, të mbështjellë tub e pyeti-  Për të mësuar më shumë, a doni një tregim nga shkrimtari Isuf Kodra, botuar në këtë rrevistë.

-Përrallë?- pyeti Lani.

-Ç’ne!  Eshtë ngjarje e vërtetë!

– Mirë, lexoje, por me zë burrash që  ta dëgjojmë mirë, sepse jo vetëm sytë, por edhe  veshët po na lënë-  tha  Nasi duke qeshur.

Para se të fillonte Rudi, morri frymë thellë:“Në një fshat nën hijen e Tomorit, na ishte një Pertef. Ky Përtefi, na qenkej pak si hamës ëmbëlsirash. Qysh në kohën e gjermanëve, kur nuk pat mbushur  edhe dymbëdhjetë vjetë,  i pëlqente mbi të gjitha, mjalti i bletëve.  Në atë kohë lufte, ai me shokë ruante dhitë e fshatit në pyjet me mare. Herë pas here nëpër livadh pikasnin papritur  tek brofnin e fluturonin lart bletët e egra. Rrëmonin me kujdes  e gjenin nën tokë foletë e tyre e kënaqeshin me mjaltë. Pastaj i mbulonin për vitin e ardhshëm.

Pas luftës, Pertefi u rrit e na u bë drejtues i rinisë. Ke parë ti? Sado u lodh nëpër fshatra, pyet këtu e pyet atje, hë në një shtëpi, hë në një tjetër, megjithatë për drekë a darkë, i shtronin vetëm dhallë e supë me grosh e pak bukë. Mjaltë asgjëkundi! Në mëngjes ngrihej i mërzitur e ia mbante për në fshatin  tjetër. I pat rënë në vesh se mjaltë të mirë nga bletë zgjojesh kishin kulakët, por Pertefi as në hijen e manit nuk u qasej, se, siç thoshnin,  syri sheh e lajmi fluturon në Komitet. Po ndërgjegjja? Kjo ia shtonte më tepër mërinë ndaj  kulakëve .

Një ditë prej ditësh, djaloshi ra në mjaltë. Në një fshat të humbur,  në shtëpinë e Kapo Sadushit, i shtruan  pëpara një poçe me mjaltë dhe pak bukë. U gëzua Pertefi sa s’ka. Ha e ha me lugë druri, saqë bukën e harroi. Djali i vogël i shtëpisë, ulur shesh përballë, e vështronte syshqyer tek mbushte lugën, e kalonte ngadalë midis buzëve, i lëpinte me gjuhë e kënaqej  me atë mjaltë bletësh të egra.

Kur mjalti  në poçe po mbarohej, Pertefi pyeti.

-Or çun- sa mjaltë keni marrë këtë mot?

-Tre qypa, dy me mjaltë bletësh nga zgjojet, një të vogël me mjaltin e brumbujve.

-Vërtet?

-Po, po!  Në qypin e vogël babi gjeti dje në mëngjes një mi të ngordhur.

Pertefi sa s’ulurti. I zemëruar sa s’ka, lugën e flaku tej, ndërsa poçen e përplasi në mur. Pastaj nuk u ndje mirë, i vinte  për të vjellë.

Çuni brofi në këmbë dhe vrapoi duke thirrur:

-O babi! O babi! Ai miku e theu poçen e këlyshit!“

* * *

Rudi e mbylli revistën:-Me kaq tregimi  i shkrimtarit tonë mbaroi, veçse unë di histori më të gjata me ujkun e uritur, që pasi ulurinte natën, linte pyllin e sillej rreth shtëpive e staneve pa bagëti. Erdhi një kohë kur ai i gjorë ose kaloi kufirin ose u zhduk. Tani çohuni se po afron dreka. Na presin gratë në shtëpi.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh Deshnica, ARIU DHE NJERIU, BLETET, MJALTI

Dekriminalizimi dhe të përndjekurit politikë

September 24, 2015 by dgreca

Nga Reshat   Kripa/

Ndoqa me vëmendje seancën e Komisionit te dekriminalizimit të Kuvendit të Shqipërisë. Dëgjoja ligjëratat e të dy palëve që theksin e vinin në përfshirjen ose jo në akte kriminale të ndonjë personaliteti, vetëm në periudhën pas përmbysjes së sistemit totalitar. Kur bisedova për këtë çështje me një mikun tim me të cilin kam qenë në burg, ai m’u përgjigj me shprehjen e njohur të Shekspirit:

– Fjalë imzot, vetëm fjalë!

U ktheva në shtëpi dhe fillova të analizoj fjalët e mikut tim. Çuditërisht ato tingëllonin ende në veshët e mi dhe aty për aty mendova se ai kishte të drejtë. Para syve më dilnin diskutimet e deputetëve tyë majtë dhe për çudi vura re se të gjithë i binin fyellit në të njëjtën birë. Nga të gjithë dëgjohej i njëjti avaz. M’u kujtua një propozim i shoqatës sonë, drejtuar komisioneve te dekriminalizimit dhe atij të reformes ne drejtësi, propozim që iu dërgua , për dijeni, edhe ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian. Në këtë propozim theksohej nevoja urgjente e përjashtimit nga pjesmarrja në organet e drejtësisë të ish gjykatësve, prokurorve, hetuesave, drejtuesve të organeve të Ministrisë së Brendëshme dhe Sigurimit të Shtetit në kohën e sundimit diktatorial, që mbajnë në ndërgjegjen e tyre vendimet makabre që çuan në marrjen e jetës apo burgosjen dhe internimin në kampet çfarrosëse të mijra vetëve dhe që edhe sot i shohim në krye të organeve të drejtësisë dhe atyre legjislativë. Pa përjashtimin e tyre nuk mund të ketë reformë të drejtë në drejtësi, nuk mund të ketë dekriminalizim. Për fat të keq, megjithëse kanë kaluar më shumë se dy muaj nga ky propozim, asnjë organ nuk ka denjuar të kthejë të paktën një përgjigje, madje nuk kemi dëgjuar asnjëherë që ky propozim të diskutohet në debatet e ndryshme midis deputetëve.

Përse kjo heshtje? Mos mendoni se duke heshtur do ta kaloni këtë çështje në kalendat greke, për ta çregjistruar fare nga historia e kombit tonë? A thua se njëzet e pesë vjetët që kanë kaluar që nga shembja e madhe nuk kanë mjaftuar për të nxjerrë kuadro të reja, qofshin socialist apo demokratë, që të zëvendësojnë mbeturinat e komunizmit?

Para syve më dalin figurat e disa liderve të tyre, që dikur mbanin poste ministrash apo gjykatësish të institucioneve më të larta të sistemit të përmbysur. Më dalin figurat e disa “ekspertëve“, që çuan në plumb njerëz të pafajshëm, duke përfshirë edhe poetë të dëgjuar.

Si nuk keni turp! Si nuk keni moral! Vetëm disa ditë më parë ju pamë të organizonit farsën qesharake të Pezës, duke himnizuar figurën e diktatorit? A nuk jeni ju që në faqet e gazetave dhe televizioneve na shfaqni lloj-lloj heroizmash të diktatorëve dhe sot paturpësisht lëpini ato që keni pështyrë duke u hequr si shenjtorë?Ju ligjëroni mirë e bukur, po ne që i hoqëm mbi shpatullat tona tmerret e atij sistemi a nuk duhet të flasim? Apo duhet të rrimë dhe t’ju dëgjojmë juve që deri më dje ligjëronit sipas shkopit të dirigjentit diktator dhe që në një mënyrë apo tjetër e ndihmuat diktatorin të qëndronte në fuqi për një kohë aq të gjatë? Dëgjoni si është shprehur zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës:

Nuk   ka   asnjë   vend   ku   komunizmi ka ardhur në pushtet dhe të ketë qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi,  as nga komunizmi, por  nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Të hapen dosjet, thërrisni ju, dhe vini në krye të komisionit për verifikimin e tyre, njeriun që hija e dosjes e ka ndjekur në çdo hap të jetës së tij. Po zotërinj edhe ne jemi dakord që të hapen dosjet të gjitha pa përjashtim. Por më parë duhet të hapen dosjet e sigurimit të shtetit, të komiteteve të partisë, të gjykatave dhe prokurorive, të shefave të kuadrit dhe sekretarëve të partisë në ndërmarrjet dhe kooperativat bujqësore, të shtypit, televizionit, artit dhe kulturës, si dhe çdo mjeti tjetër të shpikur nga diktatura. Ju vetë me gojën tuaj pranoni se ish spiunët sot janë ish ministra, zëvendësministra, ambasadorë, gjyqtarë, prokurorë, shefa zyrash apo në nivelet më të larta të hierarkive partike dhe administratës shtetërore . Pse nuk i përmendni emrat e tyre? Për një gjë të tillë do t’ju falënderonim se në këtë mënyrë do pastrohej administrata shtetërore nga mbeturina të tilla, qofshin këta të djathtë apo të majtë. Por ju nuk guxoni se jeni vetë të përlyer. Hidhni një shashkë, e cila nuk dihet se ku do të përfundojë. Arsyen e vërtetë e dini ju më mirë se kushdo. Ju nuk mund të shkëputeni nga demagogjia komuniste, nga mentaliteti totalitar.

Ndaj të përndjekurit politikë janë ngritur në protestë kundër ringjalljes së sistemit komunist, nëpërmjet ndërtimit të një bunkeri pranë Ministrisë së Punëve të Brendëshme, apo veprime të tjera të ngjashme me të. Por kjo nuk mjafton. Ndaj, së bashku me shëmbjen e këtij bunkeri ata duhet të ngrenë zërin deri në kupë të qiellit për realizimin e gjithë kërkesave të tyre. Më lejoni t’i paraqes këto kërkesa:

  1. Zbatimin sa më parë   të   Rezolutës së Kuvendit të Shqipëris “Mbi ndëshkimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në vendin tonë”.
  2. Dënimin nga Kuvendi i Shqipërisë të diktatorit të urryer Enver Hoxha, si shkaktarin kryesor të krimeve të kryera dhe heqjen e titujve dhe dekoratave akorduaratij nga kuvendi i periudhës komuniste
  3. Dhënia e kompetencave të plota Institutit të Hetimit të Krimeve të Komunizmit për të shqyrtuar arshivat sekrete të shtetit mbi krimet e rregjimit komunist në Shqipëri, në mënyrë që t’i analizojë dhe t’i publikojë ato.
  4. Rishikimin e legjislacionit për ta bërë atë të pajtueshëm me rekomandimet e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës.
  5. Hapjen e dosjeve të të gjitha niveleve, duke filluar pikë së pari nga ish-organet e diktaturës
  6. Largimin   nga   administrata   shtetërore   e   të gjitha   niveleve të   ish- sigurimsave, hetuesve, prokurorëve, dhe gjykatësve të implikuar në proçese gjyqësore të improvizuara
  7. Rishikimin   e   teksteve   shkollore,   për   t’i zhveshur ato nga fryma komuniste që mbizotëron..
  8. Rivlerësimin   e   figurave   të   shquara     të rezistencës antikomuniste dhe ngritjen e monumenteve përkujtimore për ngjarje të shënuara të kësaj rezistence.
  9. Hapjen   e   muzeve   në   vendet     ku   është   ushtruar më shumë dhuna politike.
  10. Caktimin e një date përkujtimore në kujtim të viktimave të këtij genocidi.
  11. Gjetjen dhe rivarrosjen e eshtrave të të rënëve dhe caktimin e një varreze të veçantë për ta, jashtë verrezave ku mbizotëron ylli i komunizmit që vrau trupat e tyre
  12. Përfundimin sa më parë   të   ligjit   mbi   dëmshpërblimin financiar të të përndjekurve politikë dhe zgjidhjen e problemit të letrave me vlerë.
  13. Barazimin e statusit të të përndjekurve me atë të veteranëve të luftës.

Por për t’ia arritur qëllimit të plotësimit të këtyre kërkesave, të përndjekurit politikë kanë nevojë për mbështetjen e të gjithë spektrit të djathtë të politikës shqiptare. Të përndjekurit politikë nuk janë vetëm për mbështetje në rast fushatash elektorale. Ata duan që edhe atëhere kur ngrihen në mbrojtje të të drejtave të tyre, t’ju kenë juve të krah. Bashkimi bën fuqinë thotë që fjalë e urtë popullore. Le ta realizojmë këtë bashkim. Pa zgjidhjen e këtyre kërkesave, çdo zgjidhje tjetër do të ishte demagogji dhe llafe pa fund. Komunizmi nuk mund të luftohet, pa rehabilitimin e plotë të atyre që e pësuan më tepër nga ai sistem. Rehabilitimi do të kryhet vetëm nëse plotësohen kërkesat e mësipërme

Të përndjekurit deri më sot janë lodhur mjaft me fjalë boshe. Jo më kot miku im më tha:

– Fjalë imzot, vetëm fjalë!

Ne nuk duam vetëm fjalë. Duam sinqeritet dhe pastërti, duam vullnet politik dhe jemi të gatshëm t’iu përgjigjemi në të njëjtën mënyrë. Në të kundërt do të jemi gjithmonë në krye të revoltave për një Shqipëri të lirë dhe demokratike.

Sa për ish-komunistët ekstremistë, ata meritojnë t’iu drejtohemi me vargjet e paharruara të poetit, ish-i burgosur politikë, Pirro Kuqi:

 

Ju që në shpirt na derdhët vrerin,

                        Ç’kërkoni ju në mesin tonë?

                   Ju natën qani për Enverin,

                        Kameleonë!

 *  Kryetar i Shoqatës Antikomuniste  të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Dekriminalizimi dhe të, përndjekurit politikë, reshat kripa

ZONJA SUZANA ARBNORI VIZITOI VATRËN

September 23, 2015 by dgreca

Të Martën në mbrëmje, me 22 Shtator, zonja Suzana Arbnori, bashkëshortja e të ndjerit Pjetër Arbnori, e shoqëruar nga djali Filip dhe vajza Justina, bënë një vizitë në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”.
Mysfirët u pritën nga kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj me bashkëshorten Nikoleta, nënkryetarët Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati,sekretarja Nazo Veliu,  anëtari i kryesisë dhe arkëtari i Vatrës Marjan Cubi, dhe Editori i Diellit Dalip Greca.
Kryetari i Vatrës u uroi mireseardhjen mysafirëve dhe shprehu respekt e nderim për Mandelën e burgjeve Shqiptare, ish kryeparlamentarin, si dhe mikun e Vatrës Pjetër Arbnori.
Konsiderata të larta dhe kujtime nga takimet dhe bashkëpunimi mes Vatrës dhe Pjetër Arbnorit, treguan zv/kryetarët Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, sekretarja Nazo Veliu, dhe Marjan Cubi.
Editori i Diellit u përshkroi mysafirëve rrugën 103 vjecare të Vatrës përmes fotografive dhe dokumenteve arkivore.
Familja i shkroi mbresat në librin e vizitorëve.
Për nder të mysafirëve Vatra shtroi një darkë ne restorantin Giovanni’s, pronë e bashkatdhetarit Gjergj Dedvukaj në Arthur Avenue.
Zonja Arbnori falenderoi për mikpritjen e ngrohtë .
Me pare zonaj Arbnori ishet prite edhe nga dega e Vatres ne Michigan me kryetar z. Alfons Grishaj.

Filed Under: Vatra Tagged With: vizitoi Vatren, Zonja Suzana Arbnori

SE C’MU KUJTUA AJO DITE !!…..

September 23, 2015 by dgreca

Refleksione te nje ish te perndjekuri politik per disa te perndjekur politik/

Nga Gjergj ANGONI/

Diktaturen ne Shqiperi nuk e solli i vetem Enver Hoxha sepse kjo ishte e pa mundur. Arkitekti i saj ishte vertet i vetem ai, por ndertimin e kesaj ngreine e beri ne bashkepunum te ngushte me “inxhinieret zbatues” qe mbante mbas vetes diktatori. Keta inxh-iniere mbasi i zgjodhi dhe i studioi, ju besoj zbatimin e projektit te hartuar prej tij. Shume nga keta inxhiniere i kishte mbas veht-es qysh nga koha e luftes dhe disa te tjere i zgjodhi gjate rruges per ndertimin e kesaj ngrehine. Pati shume nga keta diktatori, por me te zelleshmit i mbante cdo dite mbas krahu, i mbante te pushtuar mbas qafe, luante, festonte dhe argetohej me ta. I ven-dosi neper postet e larta te oligarkise dhe keshtu i cfrytezonte per te vene ne jete programet e tij.’ Gjate rruges per ndertimin ngrehines te diktatures, shume nga keta “inxhiniere”, te cilet ai me paranojat e tij dyshonte sadopak, i eleminoi duke ju ngjitur nofkat e bashkepunetorit me armiqte imperialisto-revizjoniste ose si sabotatore ne rrugen per ndertim-in e ngrehines te tij. I burgosi, i torturoi dhe se fundi shumicen i pushkatoi, kurse te tjeret moren denime te renda dhe me pas familjet e tyre simbas rastit i burgosi, i internoi etj. Eshte e kupt-ueshme qe i denoj dhe soj e sorollopet e tyre, te cilet simbas tij perbenin nje rezik te madh per garantimin e kokes te tij dhe fam-iljes se tij. Te tille, qysh ne fillimet e pushtetit te tij, ishin komu-nistet e betuar te cilet diktatori i konsideronte si “inxhiniere te klasit te pare”, te tille ishin Tuk Jakova, Bedri Spaihu, Ko-co Tashko, Sejfulla Malishova, Liri Gega, Liri Belishova, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Cako, Koco Theodhosi, Abdyl Kell-ezi, Nesti Nase, Kico Ngjela, Vasil Kati etj, etj per te vazhduar pastaj me von me Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, Fecor Sheh-un etj. (Te me fali ndonjeri nga ata ne se e kam haruar por ata ishin aqe shume sa dhe vete diktatori nuk i numuronte dot!)

Per ta realizuar kete masaker, diktatori i math cfrytezoi simbas radhes vete ata qe do  ti denonte me von, pra cfrytezoi dhe stim-uloi luften brenda llojit. Sikurse ceka me nalt, bashke me ta, natyrisht qe nuk do te mbet-eshin pa e pesuar dhe familjet e tyre te cilet i denoi duke i burg-osur dhe internuar, simbas cilesise dhe “rezikshmerise” qe ata paraqesnin. Para se t’ju hante koken, diktatori keta “inxhiniere ”, i mbante prane, i trajtonte qe te jetonin si pashallare me te gjitha te mirat ne ate “kopesht te mbrekullive”, ne ate “Eden”, te cilin, vete e pagezoi me emerin “Bllok.” Te gjithe atyre qe vete dikta-tori i pagezoi me titullin “inxhiniere” nuk ju mungonte asgje duke filluar nga ushqimet, veshjet, shkollimin e femijeve te cileve ju jepte deget me te preferuara, i dergonte per specializi-me pas universitare neper universitetet me te mira te europes dhe te botes, ju siguronte shendetin duke i derguar per tu kuruar neper klinikat me te mira europiane, i dergonte c’do vit me pushime te gjata neper plazhe te vecanta te vendit ose jashte tij, benin pushime malore ku te deshin ata, kishin ne dispozicion makina lluksoze, per kohen etj etj perfitime qe i bente ata te vecante, ndryshe nga njerezit e tjere te thjeshte te cilet vuanin biles dhe per buken e gojes. Natyrisht te gjitha keto salltanete kishin nje kosto shume te madhe qe natyrisht delte nga kurizi dhe djersa e popullit te shume vuajtur dhe te uritur.  Per tu justifikuar para popullit, diktatori keta “inxhiniere” i propogandonte se ata jane “ajka e kombit” dhe prandaj duhen ruajtur!! Ata ishin te pa cenueshem sepse ishin “ATA”, ata nuk ishin si te tjeret te cilet ne me te shumtat e rasteve ishin injo-rante dhe te pa shkolluar, keshtu pra ju siguronte nje imunitet qe askush nuk mund ti prekte se ne te kunderte shkonte ne te ashtuquajturen “shtepi pa qera” ose ne “giotine” pra shkonte per dhjame qeni ne ate bote. I vetmi qe mund ti c’imunizonte ishte vetem Ay dhe kete e bente sa here qe ai e shifte te aresyeshme ose qe ja desh puna.  Pra per mos ta zgjatur, ata ishin vete Pere-ndia dhe Jezu Krishti!!

E ceka me nalt, se kur diktatori vendoste per te denuar kete apo ate “Inxhinier”, bashke me te e hante dhe e gjithe familja e tij. E hante gruaja, burri, femijet, vellaj, motra, vjeri, vjera, xhaxhaj, xhaxhesha, kusheriri, kusherira dhe i gjithe farefisi deri ne shtate a me shume breza. Tani me nje llogjiken time, desha te bej nje paralelizme midis isheve dhe pinjolleve te tyre, me ata dhe pinjollet e tyre te cilet qysh ne fillimet e komunizmit ne vendin tone, u arestuan, u pu-shkatuan me dhe pa gjyqe, u burgosen dhe u denuan per bindjet e tyre politike dhe pse ata mendonin ndryshe nga diktatori. Ne me te shumtat e rasteve keta mjerane ishin nga intelektualet me ne ze te vendit, njeres te shkolluar ne shkolla me reputacion ne bote por qe ndryshe nga diktatori ishin kunder ideologjise kom-uniste tek e cila ata nuk besonin. Te bej paralelizem dhe me ata qe linden neper barangat e internimit ose neper qelite e hetuesa-ve, me ata qe nuk munden qe ti njohin prinderit sepse i lane ne barkun e nenes, kur diktatori i largoi nga kjo jete, me ata qe ju tha buza per te belbezuar fjalen magjike baba, nene ose moter e vella sepse e pesonin si dhe vete ata. Pra do te pyesnja se kjo kategori njerezish qe vuajten shume neper burgje, debime, internime etj si keto, a jane te barabarte me familjet, femijet dhe farefisi i “ish inxhiniereve” qe diktatori mbasi i mbajti dhe i tajtoi si jo me mire ne “Bllokun” e tij, per me se njezetepese a me shume vjet dhe me von kur nuk si duheshin me, i denoi duke i pushkatuar, burgos-ur dhe internuar? Ne se jo, atehere perse keta ishe dhe pinjolleve te isheve sot kerkojne me te madhe, kategorizimin dhe trajtimin si te perndjekur politike nga dikta-tura, biles kerkojne dhe demshperblimet?? Por perpara se keta isha ose pinjollet e tyre te kene nje pretendim te tille, le te bejne me pare nje bilanc te thjeshte, me dy kunder ballanca:  E para: Sa i kane mare ketij populli ne jeten e tyre me nje lluks maramendes ne ate te quajtur bllok, per sa vjet jetuan ne lirine prallore para se diktatori ti burgosi dhe internoje?   E dyta: Le te bejne diferencen me humbjet materiale, qofte dhe morale qe ata paten, per sa vjet bene burgjeve dhe internimeve dhe ky bilanc do tu tregoje ne se keta i detyrohen akoma popull-it, apo populli ju detyrohet atyre?

Mbasi ta kene bere kete bilanc, pastaj le te pretendojne. Ka shume nga keta isha por sidomos pinjolle te ishave te cilet kane shume pretendime aq sa dhe sot si ne “vitet e arta” te tyre duan te zene majen e “Olimpit” pa e bere kete bilac. Por ka dhe shu-me te tjere qe duke e ditur se sa kohe ata ose pinjollet e tyre ish-in pjese e diktatures dhe qe luftuan per ndertimin e saj, sot me modesti ulin koken dhe nuk bezejne, me mendimin se: “Edhe ne jemi perndjekur nga diktatura, por nuk flasim dot se eterit tone ose dhe vete ne e kemi dhje…..”! Te tille ka shume qe ndryshe nga shume te tjere, duke e njohur veten, heshtin dhe kane hequr dore dhe nga pretendimet e tyre te pa merituara dhe jo vetem kane hequr dore nga pretendimet por publikisht i kane kerkuar ndjese ketij populli qe me kontributet e tyre ne ndertimin e ngrehines te diktatures e kane shkretuar kete vend dhe kete popull.  Nuk e gjykoj qe te paraqes ne kete shkrim modest emra nga te dy kategorite sepse populli tashme i njeh fare mire se kush eshte ndjese kerkues dhe koke ulur per ate c’kane bere dhe kush jane pretendueset per te zene ne menyre abuzive, perseri “Majen e Olimpit.”

Me kete rast, desha te nxjer nga kujtesa e ime nje ndodhi qe me ka bere pershtypje dhe qe nuk e kam haruar  dhe nuk do ta haroj kure sa te jem gjalle, megjithese kane kaluar aq e aq vite: Para shume vitesh, bashke me time moter shkova per te uruar per shtepine e re te porsa mare te nje mikes sone. Aty gjeta dhe nje mikeshen e zonjes te shtepise qe kish erdhur per vizite per te njejten aresye si dhe une por dhe qe kishte lidhje fisnore me mi-ken  tone. U prezantuam dhe filluam te bisedojme. Kjo mikeshe e shoqes sone, me krijoi pershtypjen e nje snobeje dhe llafazaneje te pa pare, u mundua te na lere kete pershtypje sepse fliste sikur ajo i dinte te tera dhe se ne, ndoshta dhe mikja e ime dhe e sa njekohesishtj, ishim koti….kurse AJO ishte mbretereshe e Olimpit. Nejse thashe me vehte se dhe kungulli pushton gar-dhe por kjo nuk do te thote se ai “zevendeson mishin e hellos-ur!” sepse kungulli, kungull eshte dhe i tille mbetet! Ndenji sa ndenji mikesha, pa oren dhe u ngrit per te ikur me pretendimin se duhej te shkonte ne aeroport per te mare ushqimet qe i vinin enkas per te nga Italia me avion!?…

Kur ajo u largua, mesova nga shoqja e ime, se ajo kete pune, per te pritur ushqimet nga Italia, e bente c’do jave. Ishte e bija e nje ish drejtuesi te qeverise komuniste.  Me von i jati i saj, ish “Inxhinier” i ndertimit te diktatures, mes-ova se u denua nga diktatori i madh dhe ajo se bashku me famil-jen e saj u internua. Ne fakt ndjeva nje keqardhje sepse pesoi nje fat te keq, por nuk munda qe te haroj te kaluaren prallore  e saj. Kurse sot ajo “ishe” pretendon se eshte e persekutuar prej regji-mit komunist. Po c’fare ishte ai regjim per te? i cili pervec shume e shume te tjerave, i siguronte assaj cdo jave, ushqime nga Italia kur populli i saj nuk kishte per te ngrene as “misernike te thate”??? Kurse sot shpata e saj pret sa andej kendej duke drejtuar nje nga fondacionet te quajtura  jo fitim prurese por qe per te eshte shume e shume fitimprures dhe neper tribuna  dhe panele televizive, na ben moral per demokracine?? Si kjo zonje ka dhe shume e shume te tjere ne Shqiperi.

Po ju pyes te dashur miq, se kjo “ish” e perkedhelura ne kohen e diktatures dhe ata shume “ishe” si kjo, a nuk duhet qe te mendo-jne se i ka erdhur koha per te bere publikisht refimin dhe  “bilancin” e tyre? Dhe mbasi ta kene bere ate, jam i bindur qe se paku, duhet qe te heshtin?!                                                            .                                                                                                                             Jam me se i bindur se jo vetem kesaj, te perkedhelures nga diktatura, por dhe te gjithe isheve dhe pinjolleve te tyre, bilanci do tu dali negativ d.m.th. te gjithe ata duhet qe ti kethejne dhe jo ti marin akoma keti populli ose te pakten te heshtin!                 Shume veta, besoj do te ma kundershtojne kete mendim me ars-yetim: “ Po c’fjalos dhe ti!! Po ata kane bere burg ne kohen e diktatures dhe si mendon ti qe nuk jane te perendjekur nga dik-tatura??               Po, ashtu eshte, do t’ju pergjigjem une, kane bere burg dhe kete nuk ja u mohon njeri, jane denuar dhe internuar prape dhe kete nuk ja u mohon njeri. Por dhe mua nuk guxon dot qe te ma moh-oje asnje njeri, faktin qe ata kane jetuar per gadi njezet e pese vjet ne ate kopesht te bukur “Eden”, te stisur nga diktatori i madh se bashku me “Inxhinieret” e tij, nderkohe qe populli i tyre jetonte me lakra dhe “misernike te mykur”!! Prandaj kjo katego-ri “ishesh” duhet qe te mos e harojne dhe mos ta fshehin kete fakt.  Se fundi, perfitoj nga rasti qe ketyre isheve dhe pinjolleve te tyre t’ju bej apelin qe te nxitojne per te bere sa me pare “Bilancet” e gjithesejcilit, sikurese e kane vetebere shume nga “koleget” e tyre ish “ishe”!!!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjergj Angoni, refleksione, te ish te perndjekurit politik

Diplomacia e despotëve

September 23, 2015 by dgreca

Nga  Dr. Enver Bytyçi/

Më në fund kryeministri ynë ka dekretuar sot me një Ferman të tij një rregull të ri për diplomacinë shqiptare. E nisa fjalinë e parë me plotësorin kohor “më në fund”, sepse zoti Rama ka ndërtuar prej kohësh një diplomaci personale, një diplomaci në shërbim të pushtetit dhe fuqisë së tij kryeministrore të tipit të despotëve. Sipas fermoanit të kryevezirit tonë prej sot diplomatët, ministrat, ambasadorët, zv.ministrat, drejtorët, administrate e shtetit, pra të gjithë qatipat e tij, nuk kanë të drejtë të takohen me diplomat, nuk kanë të drejtë të udhëtojnë në vizita shtetërore jashtë vendit, nuk kanë të drejtë të flasin me të huajt pa lejen e kryeministrit. Nëse takohen dhe bëjnë vizita zyrtare jashtë, të gjithë këta janë të detyruar të informojnë me shkrim sulltanin e portës sonë të ulët për ato çfarë kanë biseduar me partnerët ndërkombëtarë, cilat kanë qenë takimet formale e informale, çfarë është biseduar në fruhstucket, drektat e darkat e punës që janë shtruar, cili ka qenë reagimi e partnerëve e kështu me radhë. Kjo do të thotë se prej sot psh Sajmir Tahiri mund të udhëtojë vetëm me lejen e kryevezirit tonë në Uashington për të marrë pjesë në konferencat rajonale të sigurisë. Madje dhe Ditmir Bushati do të duhet të matet shumë herë që t’i kërkojë ndonjë takim diplomatëve të huaj, ose të zhvillojë vizita jashtë vendit, sepse mundet që këtë ta refuzojë shefi i tij despot. Kjo do të thotë se dhespoti ynë ka vendosur të kontrollojë gjithçka në marrëdhëniet me jashtë. Jo se nuk e kishte bërë më parë, por se tani këtë kontroll e ka zyrtarizuar edhe formalisht. Nuk ka më epskpertizë diplomatike në Shqipëri. Nuk ka më konsulta dhe diskutime për të formuluar qëndrimet tona lidhur me zhvillimet e ndryshme në rajon, në Europë e në botë. Nuk ka më iniciativë diplomatike, madje diplomatët, ambasadorët duhet të jenë të kujdesshëm se mos ndërmarrin ose propozojnë iniciativa që bien ndesh me shijet e kryevezirit shqiptar. Nëse ndodh kjo i prêt fati i ambasadorit tonë në OSBE. Sulltani ynë i portës disko tashmë ka vendosur të luajë të gjitha rolet, edhe atë të presidentit, ka vendosur të emërojë e shkarkojë ambasadorë, gjeneralë e të gjitha nomenklaturat e parashikuara në kushtetutë e në ligj si kompetenca të Presidentit të Republikës. Edhe diktatori kishte përcaktuar disa rregulla dhe u linte pak hapësirë, ndonëse te censuruar, ministrave të tij. Edi Rama është i pari despot në historinë e shtetit shqiptar, i cili e ka shpallur veten ministër e kryediplomat, që harton strategji e taktika gjithnjë në shërbim të imazhit dhe axhendës së tij personale. I përfolur si një politikan I paaftë në çeshtjet e politikës së jashtme e të diplomacisë kryeministri Edi Rama është gjendur si në çdo fushë tjetër para dillemës hamletiane “Të bëj një diplomaci të shtetit, apo një diplomacy me të cilën t’u dëshmoj kundërshtarëve të mij, se jam i aftë ta bëj”. Në këtë dyluftim në subkoshiencën e tij ai zgjodhi këtë të dytën: Të luajë rolin e despotit edhe në diplomacinë e shtetit. Ai luajti dhe po luan këtë rol jo në funksion të një tradite të krijuar nga të gjitha qeverisjet, të majta e të djathta, në këto 25 vite. Mirë ose keq, qeveritë e kaluara kishin një strategji, kishin një objektiv strategjik sa i përket diplomacisë shqiptare dhe mundën të bëjnë që Shqipëria të bëhej pjesë e NATO-s, e KiE-së dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë, si dhe ta nisnin vendin për në dyert e Brukselit. Mirë ose keq, qeveritë e kaluara të të gjitha ngjyrave, pavarësisht prioriteteve të ndryshme strategjike në aleancat e krijuara, mundën të krijojnë një ekuilibër të admirueshëm në marrëdhëniet me fqinjët, aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë. Edi Rama me despotizmin e tij në diplomaci dhe injorancën në këtë fushë i ka prishur të gjithë këto ekuilibra dhe i ka vënë të gjithë diplomatët nga ata të hierarkisë së lartë e deri te i fundmi në rrjesht që të provokojë e promovojë veten si “lider botëror”, nëse i referohemi batutës tallëse të Aleksandër Vuçiç. Ai nuk ka lënë dhe nuk do të kursejë asnjë mjet, as dhe dronët e skenarizuar prej tij, për të demonstruar fuqinë e falsitetit të tij si despot. Qeveritë në demokraci mund të kenë objeksion ndryshimin e politikave sociale, fiskale, ekonomike, të administrimit, si dhe në fushën juridike. Por nuk ndodh që të personalizohet dhe të privatizohet politika e jashtme dhe diplomacia e shtetit, nuk ndodh që çdo javë e çdo muaj të ndërrohen “partnerët strategjikë”, siç ndodh tani në Shqipëri. Praktikisht askush nuk mund të priste që ndonjë despot i këtij formati të vinte në pushtet e të ndryshonte politikat ndaj shqiptarëve në rajon, në stilin e diktatorit komunist. Të ndërtosh marrëdhënie të mira e “të shkelqyeshme” vetëm me Serbinë dhe të sulmosh gjithë botën tjetër euro-amerikane, është lajthitje despotësh të marrë. Të ndërtosh një diplomaci të tillë që eleminon faktorin e Kosovës në marrëdhëniet me Serbinë, është punë prej Esat Pashë Toptani. Të marrësh përsipër nga deliri i madhështisë rolin e de Golit, kur Shqipëria me Serbinë nuk ka pasur asnjë histori si të Francës e me Gjermaninë, është marrëzi sulltanësh me delire. E krahasueshëm me paqen midis Parisit e Berlinit do të ishte një paqe e qëndrueshme midis Prishtinës e Beogradit. Në veprimtarinë e tij politike kryeveziri ynë vetëm këtë gjest ka dëshmuar, gjestin e afrimit me Serbinë dhe të konfrontimit me gjithë të tjerët, duke i dhënë Beogradit mundësinë të denigrojë politikat e Prishtinës dhe të përfitojë në politikat e saj kontinentale e rajonale. Edi Rama nuk na afroi më shumë me SHBA-të, përkundrazi u përpoq të na largojë prej tyre. U përpoq të na afrojë fillimisht me Ankaranë e shpejt na largoi prej saj. U përpoq më pas të na afrojë me Berlinin dhe në Vjenë vulosi distancën e tij me Europën. Gënjeu se do të na bashkonte me Italinë dhe shkon atje e kallxon barsoleta. Kjo është diplomacia e despotit tonë, i cili sot u kërkoi zyrtarisht të gjithë ushtarëve të tij, të cilëve u jep rrogë, që të mendojnë me trurin e sulltanit, të shohin me sytë e despotit, të dëgjojnë me veshët e kryevezirit, të sillen në modelin e diktatorit. Prandaj sot ishte një ditë e zezë për diplomacinë e shtetit shqiptar, një ditë që do të sjellë një katastrofë diplomatike në marrëdhëniet e Shqipërisë me botën e civilizuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Diplomacia e despotëve, Dr. Enver Bytyci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3514
  • 3515
  • 3516
  • 3517
  • 3518
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT