SHTETI HELEN 5 VJET JASHTE EUROZONES?/
Ministrat e Financave të Eurozonës nuk kanë arritur në asnjë përfundim ditën e shtunë, pas një samiti dramatik maratonë, kanë vazhduar edhe sot bisedimet në një klimë të mbushur me skepticizëm,ndasi dhe pozicionime të ndryshme për sa i përket propozimeve që ka sjellë Greqia në institucionin europian për të marrë një paketë financiare, të tretën sipas radhës dhe për të shmangur falimentimin e plotë të saj.
Por edhe në ditën e dytë të samitit të Eurogrupit ,mes negociatave të konsideruara prej shumicës së tyre si shumë të vështira, partnerët e Athinës kanë kërkuar prej saj premtimin për reforma akoma më të thella në sistemin ekonomik dhe financiar para se të japin dritën jeshile për një kredi shumëmiliardëshe.
Vendet anëtare të Eurozonës thuhet se janë të ndara në tre grupe, në ato që përkrahin qëndrimin e ashpër të Gjermanisë, e cila siç u bë e ditur kishte gati një plan për daljen e Greqisë për 5 vjet nga Eurozona, ose reforma të ashpra dhe siguri politike për zbatimin e tyre.
Në vendet asnjanëse që presin si do të shkojnë negociatat dhe në vendet pro Greqisë që janë të pakta, por që përbëjnë një aks kryesor në familjen europiane, siç është Franca, që ndihmoi Greqinë në hartimin e propozimeve të reformave, por edhe Italia që ka frikën se do të jetë edhe ajo në epiqendër të tregjeve, në rastin e një “Grexit” të mundshëm.
Në përfundim të samitit të ministrave të eurozonës janë bërë të ditura edhe hollësitë që përmban drafti i masave të reja që europianët kërkojnë nga Athina:
• Përputhje të plotë me programin afatmesëm për arritje e tepricave primare deri në 3.5% deri në 2018,
• Zbatimi i reformave ambicioze për reformën e pensioneve
• Reforma në tregun e ushqimeve
• Barnave dhe artikujve të konsumit të përditshëm dhe liberalizimi i çmimeve
• privatizime në tregun e energjisë
• Reforma në marrëdhëniet e punësimi
• Forcimi i sistemit financiar
• Një program i ri dhe i fuqishëm i privatizimeve në përgjithësi
Ministrat e Financave i japin stafetën e bisedimeve liderëve të vendeve të Eurozonës, ku vëmendja e të gjithëve tashmë fokusohet në faktin se si do të veprojë kancelarja Merkel.
Të gjithë analistët vlerësojnë se një “Greqxit”, pra një dalje e Greqisë nga Eurozona, do të shkatërrojë aksin franko-gjerman duke dëmtuar imazhin kryesor të BE-së.
Ndërkohë anulimi i samitit të 28 vendeve të BE-së interpretohet si një lajm i mirë për Greqinë, pasi thuhej se ishte i domosdoshëm në rast të një dështimi të bisedimeve dhe liderët e familjes europiane do të diskutonin vetëm për ndihmën humanitare që do t’i jepej Athinës në këtë rast, duke i siguruar ushqime dhe barna.
Por nga ana tjetër tregon se marrëveshja për Greqinë nuk do të mbarojë kaq shpejt dhe do të duhen shumë ditë e javë, në fillim që Greqia të marrë një ndihmë të përkohshme dhe të mos falimentojë, e më pas, në bazë të reformave që do të miratojë dhe ecurisë, parlamenti i saj të marrë me këste edhe paketën e madhe të ndihmës që përllogaritet pothuajse e në nivelin e paketës së parë që mori në vitin 2010.
5 VJET JASHTE EUROZONES?/
Zyrtarisht mendimi gjerman për propozimet e reja greke për çështjen e borxhit ka qenë diplomatik, duke shfaqur hera-herës një skepticizëm të thellë, por jozyrtarisht thuhet se Berlini e ka të qartë; Greqia duhet të largohet nga Eurozona.
Të paktën kështu shkruan media gjermane. “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, duke cituar një dokument, sipas saj, të dalë nga Ministria e Financave, e drejtuar nga Wolfgang Schaeuble, thotë se plani grek nuk bind.
“Propozimet nuk janë të besueshme. Do t’u themi kolegëve tanë grekë që nuk kanë bërë asgjë për të forcuar besimin e ndërsjelltë”, thuhet në dokument.
Ajo që përforcon këto lajme është deklarata e ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schaeuble, i cili i përshkroi bisedimet si “tmerrësisht të vështira”.
Vetë Kancelarja gjermane, Angela Merkel u shpreh skeptike më herët. Ajo reagoi të premten, ku shkurtimisht tha se masat e reja duhet të shkojnë përtej atyre që kreditorët kishin kërkuar me parë nga Greqia.
Mediat ndërkombëtare flasin se Merkel tani është në presion dhe mes dy zjarresh; borxhin grek nga njëra anë dhe popullin gjerman nga ana tjetër. Në një sondazh të zhvilluar së fundmi gati gjysma e tyre kërkon që Greqia të lërë Eurozonën, si edhe kolegëve ndërkombëtarë, që nuk e duan një skenar “Grexit”.
Informacioni është jozyrtar dhe i pakonfirmuar, por mediat gjermane këmbëngulin se plani i Athinës për 12 miliardë euro, do të rrëzohet dhe Greqia do të largohet nga Eurozona, por jo përfundimisht. Të njëjtat burime thonë se Gjermania do të propozojë një pezullim 5-vjeçar për palën greke në Eurozonë, një kohë që Berlini e cilëson si të mjaftueshme për Athinën për të ristrukturuar borxhin e saj.
Në orët e para të së shtunës, Parlamenti grek kaloi me shumicë dërrmuese votash draft-propozimet e qeverisë Tsipras, që i janë paraqitur huadhënësve ndërkombëtarë. Mes propozimeve bëjnë pjesë shumë reforma dhe masa shtrënguese, të cilat qytetarët i rrëzuan në referendumin e së dielës që kaloi.
Sipas ministrit të Financave, Euclid Tsakalotos, propozimet e reja kanë vërtetë pika të vështira me rritje taksash dhe reforma të ashpra, por ka edhe favorizime për Greqinë si: dhënia e një frymëmarrjeje të re nëpërmjet financimit për të mos falimentuar, mundësia e një ristrukturimi të borxhit grek, apo paketa e masave dhe investimeve për zhvillimin e ekonomisë, të cilat do të nxjerrin vendin nga recesioni.
Vlerësohet se paketa e ndihmës përmban financime prej 53.5 miliardë euro, si dhe rreth 15 miliardë për rikapitalizimin e bankave, ndërsa masat shtrënguese thuhet se shkojnë në rreth 12 miliardë euro./Raport nga Top Channel
KOSOVE, Pesë persona të arrestuar për terrorizëm
Autoritetet e rendit në Kosovë gjatë ditës së shtunë kanë arrestuar pesë persona nën dyshimin e bazuar për përfshirje në vepra penale që sipas Kodit Penal, ndërlidhen me terrorizëm.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka treguar për aksionin e policisë që ka filluar që nga orët e hershme të mëngjesit.
“Sot në orën 1:40 minuta në magjistralen e Prishtinë – Gjilan, konkretisht në afërsi të Liqenit të Badocit njësitë policore fillimisht kanë arrestuar tre persona të dyshuar, në dyshimin e bazuar se janë përfshirë në vepra penale që ndërlidhet me terrorizëm”.
“Lidhur me këtë rast janë inkuadruar edhe njësitet kundër terrorizimit të Policisë së Kosovës për të kryer hetime më intensive dhe si rezultat i veprimit me kohë të njësiteve policore, është arritur të arrestohen edhe dy persona të tjerë të dyshuar që ndërlidhen me tre personat e parë”, ka sqaruar Kelani.
Personat e dyshuar, ka shtuar Kelani, kanë pasur dy vetura, njëra Golf 2 ngjyrë të kuqe dhe tjetra Pasat, po ashtu ngjyrë e kuqe. Në vetura, ka treguar Kelani, janë gjetur edhe disa dëshmi tjera, siç janë rroba dhe flamuj me mbishkrime arabe.
“Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë kompetente dhe pesë personat e dyshuar, tanimë të arrestuar, janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme policore”, ka shtuar Kelani.
Nisur nga këto arrestime, të cilat janë bërë në afërsi të Liqenit të Badocit, Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” ka ndërprerë furnizimin me ujë në disa lagje të kryeqytetit, që në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës.
Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arieta Mjeku, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ndërprerja e furnizimit me ujë për qytetarët që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit, është bërë për shkaqe sigurie.
“Ne kemi bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe pas konfirmimit të arrestimit të atyre personave të dyshuar për vepra terroriste, në afërsi të Liqenit të Badocit, e kemi parë të arsyeshme të ndërpresim furnizimin me ujë”, ka deklaruar Mjeku.
Në orët e pasdites, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik pas analizave të bëra, ka konfirmuar se uji është i pijshëm.
Lidhur me ndërprerjen me furnizim me ujë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka theksuar se nuk është gjetur asnjë element që mund të ndërlidhet me helmim të ujit, por që për të qenë më të sigurt kishin kërkuar që të ndërpritet furnizimi dhe të bëhen analizat e ujit.
Policia e Kosovës ka theksuar se janë duke u kryer hetime të mëtutjeshme dhe se aktualisht nuk mund të japim më shumë informacione.(Luljeta Krasniqi- Veseli)
MIQTE E PROF.SAMI REPISHTIT, SIMPOZIUM PER 90 VJETORIN
Miqte dhe koleget e Prof. Sami Repishtit do the organizojne nje Symposium kushtuar 90 vjetorit the Linndjes. Per te mesuar me shume klikoni mbi poster…
E kujt është “Koha Ditore” ? ose…
…“Kud svi turci”, i “ Koha Ditore” tamo!…/
Nga Fahri XHARRA/
Të nderuar miq. Mediat njoftojnë se Kryeministri Turk ka deklaruar se po punohet shumë për të ngjallur kulturën turke në trojet etnike shqiptare.Ndërsa lexojmë “shqipëria ndodhet në një rrezik të lartë nga radikalizimi fetar dhe ekstremizmi i dhunshëm, ndërkohë që nuk është vend imun ndaj këtyre fenomeneve.Ky është konkluzioni i një studimi të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDN), që e sheh fenomenin si të hershëm në Shqipëri.Ky studim u trajtua gjerësisht të premten në një konferencë, ku të pranishëm ishin ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sajmir Tahiri, ambasadorja e Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin, studiues dhe përfaqësues të komuniteteve fetare, ndërkohë që ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, bëri thirrje që shoqëria civile të luajë një rol më aktiv për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, shkruan sot Koha Ditore.
Vazhdojmë me lajme inkurajuese : Policia e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 01:40 në magjistralen Prishtinë-Gjilan, konkretisht afër liqenit të Badovcit, njësitet relevante policore kanë arrestuar tre persona të dyshuar, me dyshimin e bazuar për përfshirje ne vepër penale. Zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani ka thënë për “Zërin” se personat e dyshuar kanë qenë në posedim të dy veturave, njëra Golf 2 ngjyrë e kuqe dhe tjetra Pasat po ashtu ngjyrë e kuqe.
Ndërkohë, njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se rreziku nga sulmet terroriste nuk është i papritur.” Rreziku nga sulmet terroriste nuk është i papritur. Porse, fatkeqësisht, shoqëria dhe institucionet e Kosovës nuk kanë dashur ta shohin këtë rrezik. Madje, kanë demonizuar pothuajse të gjithë ato dhe ato që kanë ngritur alarmin qysh vite më parë. Radikalizimi, që ka filluar vite më parë, dhe tru-shpërlarja e organizuar dhe financuar nga organizata e rrjete ekstremiste dhe/apo terroriste kanë dhënë pasoja të shumta deri më tash. Por, rreziqet e vërteta për sulme terroriste edhe në Kosovë janë afruar çdoherë e më shumë”…… Te vetdijshëm ? Po
Tani lexoni një shkrim shumë të “ nevojshëm” për kohën e sotit , që unë e shoh si hipokrizia më e madhe në publikimet e “Kohës Ditore” : “Ka njëzet vite që në historiografinë e Shqipërisë zyrtarisht është imponuar një qëndrim negativ karshi Perandorisë Osmane, invazionit të turqve në Ballkan, kulturës lindore, madje kundër çdo prurjeje që ka të bëjë me Lindjen.
Me një fjalë, kundër çdo fenomeni dhe ndodhie që ka ardhur nga pushtimi osman i Ballkanit, shkruan Koha Ditore, në serinë e artikujve nga Hasan Kaleshi, si pjesë të kumtesës që kishte lexuar në Kongresin I Ndërkombëtar të Turkologjisë në Stamboll, në vitin 1973.
Në shumë vende të librit “Historia e popullit shqiptar” (“Historia e popullit shqiptar I”, botim i dytë, Prishtinë, 1969, në disa vende), i cili dhe reflekton qëndrimin zyrtar të historiografisë shqiptare, hasim shprehje të panjohura për terminologjinë shkencore, si për shembull “turqit e tërbuar”, “hordhitë turke”, “aziatikët turq”, “barbarët”, etj.. “(Turqit ndërprenë asimilimin e shqiptarëve, Koha Ditore , 11 Korrik 2015 )
Dhe “Koha ditore” qanë e vajton : “Administrata e osmanëve në Ballkan, shpërbërja e Perandorisë Osmane dhe padrejtësitë që me të vërtetë iu bënë popullit shqiptar shihen nga prizmi i shekullit XIX. Gjykohen ndikimet shumë të mëdha të orientit në secilin dimension material e shpirtëror të popullit shqiptar. (P.sh. në të gjitha shkrimet rreth folklorit shqiptar nuk thuhet asnjë fjalë për ndikimin e kulturës orientale, megjithëse ky ndikim është tepër i madh.” Dhe redaktorët e kësaj të pëditshmeje” zulmëmadhe “ bashkohen dhe në grup vajtojnë e qajnë dhe sa e sa loti derdhët : . Në njërën anë promovohen veprat “atdhetare” të disa aktivistëve të dyshimtë të periudhës së Rilindjes Kombëtare, e në anën tjetër lihen në harresë personalitete të dobishme të kombit shqiptar. (Në librin “Historia e letërsisë shqipe I-II” të botuar nga Instituti Shtetëror i Tiranës, një kapitull iu është kushtuar humanistëve shqiptarë që shkruan në gjuhën latine dhe italiane, por nuk thuhet madje një fjalë e vetme për Koçi Beun, Lytfi Pashën, Jahja Bej Dukagjinin, Mesihin nga Prishtina, Shemsedin Sami Frashërin, Mehmet Akif Ersojin, e shumë të tjerë që lanë gjurmë në letërsinë dhe shkencën turke. Nga letërsia janë tërhequr edhe ata emra të poetëve shqiptarë që krijuan shqip me alfabet arab). “
Desha ta përfundoj por thash me vete ndoshta edhe ju do të vajtoni dhe po iu japi mundësinë të shkreheni në vaj dhe mos t`ë lejojmë që vetëm ata të “ Kohes Ditore’ të vuajnë nga nostalgjija (përmallimi i tepruar për Hasan Kaleshin , dhe kohën osmane ) .” Pa dyshim se pushtimi i Ballkanit nga turqit rezultoi me dëme të rënda për serbët, grekët, bullgarët dhe disa popuj të tjerë të Ballkanit, të cilët kishin shtet, organizim të kishës, kulturë, letërsi dhe shkrim të vetin. Pushtimi turk i dha fund procesit zhvillues të këtyre popujve, si dhe ngadalësoi zgjimin e tyre kombëtar dhe kulturor, organizimin si kombe unike dhe pjesëmarrjen në lëvizjet kulturore dhe qytetëruese të Evropës. Por, nuk mund të flitet njëjtë edhe për popullin shqiptar, ngase ai nuk kishte asnjërën prej këtyre që përmendëm. Deri në periudhën kur erdhën turqit, shqiptarët ishin nën sundimin e të huajve dhe nën influencën e kulturës së tyre, dhe pandërprerë asimiloheshin etnikisht dhe kulturalisht. Në kohën që po finalizohej pushtimi turk i Ballkanit, populli shqiptar ndodhej para sprovës më të rëndë historike, pra rrezikonte të asimilohej i tëri. “
E , i nderuari Kadare e sheh se sa largë jemi nga realiteti shqiptar? : Më “kot” e thua; “Me Nenë Terezën, ne duhet të krenohemi, ajo është e të gjithë botës, gjithë planetit. Ç’do njeri i shquar në botë ka dy informacione bazë. E para, ku ka lindur ajo dhe e dyta e ç´populli është? Ky është ligj universal i njerëzimit. Tani të heqim dorë ne nga modestia. E dimë ku ka lindur, po atë punën popullit nuk e dimë mirë ne ,. Popullin nuk e dimë që i ka varret e nënës dhe motrave në Tiranë! Pse duhet të tregohemi kaq modest papritur? Kur të tjerët s´na kanë lënë gjë pa na thenë. Na kanë bërë, egërsira, gangstera, kodoshë e prostituta .. Ç´nuk kanë thënë për shqiptarët. Po ja që paskemi një figurë ne që se paskan të tjerët. Të ishte nje vendi tjeter Nënë Tereza hajde de, ajo s´është e ndonji vendi tjetër, ajo gjakun e ka shqiptar “
Kud svi turci , i “Koha Ditore” tamo,kishim më thënë boshnjakët.( Aty ku janë të gjithë turqit, aty edhe ne të Kohes Ditore)
Fahri Xharra , 11,07,15, Gjakovë
Luiza Papa Çako tregon për dashurinë dhe karrierën
PERSONAZH/ Flet sopranoja Luiza Papa Çako/
-Nuk e besoja kurrë se do të martohesha me Gaqo Çakon, ne ishim shokë/
– Gaqo ma shfaqi dashurinë në Moskë, u martuam në vitin 1963, në Tiranë/
-Gaqo është treguar me tërë kuptimin e fjalës burrë, u martua me mua dhe pse kisha biografi të keqe/
– Pirro, ishte i urtë, një fëmijë i dëgjueshëm që i shfaqi dhuntitë për muzikën që në vegjëli/
– Ne jepnim koncerte në fshatra, ku gjella e preferuar ishin fasulet dhe taratori/
– Një natë kemi fjetur në një shkollë, nga çimkat e kaluam natën si ushtarët në shërbim/
-Idhulli im ishte këngëtarja e madhe Luçie Miloti, këngët e saj i këndoja me shpirt/
– Në Rumani një këngë popullore ma kthyen disa herë, ishte një çudi për të gjithë
Nga Albert Z. ZHOLI/
Ajo tregon shumë e re dhe pse është tek të tetëdhjetat. Ka bërë jetë të gjallë artistike dhe larg streseve. Është tre vjet më e vogël se Gaqo dhe kurrë nuk e priste se do të dashurohej dhe do të martohej me të. Dashuria lindi në Rusi dhe pse në Lice ishin bashkë, Gaqo 3 vjet më i madh. Ka luajtur të gjitha operat kryesore në Operën shqiptare, por ka kënduar dhe këngët popullore qytetare nëpër koncertet brenda dhe jashtë Shqipërisë. Djali, Pirro thekson ajo, ishte i urtë, një fëmijë i dëgjueshëm që i shfaqi dhuntitë për muzikën që në vegjëli.
Në regjimin komunist flitet se ju shkonit kudo nëpër fshatra me Ansamblin Shtetëror për të dhënë koncerte. Ku keni shkuar dhe ku hanit në atë kohë?
Është e vërtetë. Thuajse kemi shkuar në gjithë Shqipërinë pa diskutuar qytetet por edhe në shumë fshatra nga jugu në veri. Shkonim në çdo vend, dhe pasi mbaronim koncertet, kur ishim në fshatra ktheheshim në qytetet më të afërta dhe flinim nëpër hotele. Kishte raste që flinim dhe në shtëpitë e fshatarëve. Mbaj mend se njëherë kur shkuam në një fshat në jug, e mbaruam koncertin vonë dhe nuk kishim ku të flinim. Na çuan në një shkollë. Thuajse kemi fjetur mbi banga. Ishte një shkollë e vjetër, Na grinë çimkat. E kemi kaluar në këmbë atë natë. Eh, sa çudi më duket sot.
-A kishit ushqim të veçantë kur shkonit nëpër koncerte?
Jo asnjë lloj ushqimi të veçante. E veçanta ishte se kudo ku shkonim kërkonim të gjenim sallatë me ullinj. Ishte gjella jonë e preferuar. Por rrallë gjendej dhe ajo. Kemi shkuar në fshatrat që kishin kërkesa për Ansamblin. Për shembull kemi shkuar nëpër fshatrat e jugut në Vrinë, Konispol apo dhe në veri ku hanim vetëm groshë. Ndërsa gjellë të dytë kishim taratorin. Kur gjenim tarator kishte festë. Gëzonim si fëmijë.
-Në sa fshatra keni shkuar afërsisht?
Në të gjithë Shqipërinë. Në veri si në Peshkopi, Kukës deri në Vermosh. Por në Vermosh nuk kemi fjetur. Në veri jepnim operën shqiptare “Mrika”. E pëlqenim apo jo, ishim të detyruar ta bënim s e do të dilnin njerëzit të shikonin.
-Sa vite keni lëvizur duke dhënë shfaqje?
Në fillim pak, si në vitin e parë. Pra me krijimin e Operas dhe Ansamblit, kur ishim në vitet e konsolidimit, lëviznim shumë pak jashtë Tiranës. Kjo edhe ëpr arsye se vinin edhe artistë dhe grupe artistike nga Çekia, Polonia, Rumania dhe bënim spektakle bashkë me ta. Pastaj kur u prishëm me Rusinë dhe u lidhëm me Kinezin nuk patëm më shumë bashkëpunime me koncerte. Nga Kina nuk mund të vinin grupe artistike, ose më mirë të themi tepër rrallë. Kjo bëri që ne të dilnim në terren. Kur shkonim në fillim na erdhi Estrada e Operës.
-Po kur ke lindur djalin përsëri shkoje nëpër turne?
Po. Ishte detyrë. Nuk kishte lëshime. Pirron e lija me vjehrrën. Ajo kujdesej më mirë se unë. Por ishte dhe një problem tjetër. Unë kam qenë edhe me biografi të keqe (siç i thoshin në atë kohë-qesh) dhe nuk më linin pa më marrë në koncerte. Ndryshe më thonin se do të kalbeni në këto fshatra.
Si ishte Pirro i vogël?
Pirro ishte nj djalë i urtë, i dëgjuar që nuk na ka sjellë asnjë shqetësim. Si vjehrra si nëna ime që e kanë mbajtur nuk u nxirrte telashe. Që në fëmini ishte i dhënë pas muzikës. Pra dukej që do ndiqte rrugën tonë. Nuk e kishim problem kur iknim për koncerte jashtë Tiranës apo jashtë shtetit.
-Ku u njohët me Gaqo Çakon?
Eh, ku jam njohur…Jam njohur në shkollë të mesme. Ne kemi ter vjet diferencë me njeri tjetrin. Pra Gaqo është tre vjet më i madh se unë. Ne ishim në Shkollë të mesme, në shkollën e muzikës, Lice. Që aty Gaqo shquhej për zë dhe njihej nga të gjithë. Ne që ishim më të vegjël i shikonim me admirim ata që ishin më të mëdhenj dhe këndonin bukur. Mundoheshim ti arrinim. Në atë kohë ne kishim thjesht një përshëndetje me Gaqon. .E kush e besonte atë kohë se një ditë unë do të bëhesha gruaja e tij? As më shkonte kurrë ndërmend. Thjesht më dukej një shok. Atëhere kishim shoqëri të rrallë, shoqëri të pastër të bukur. Tek shoqëria ne gjenim ngushëllim nga vuajtjet. Me njeri tjetrin qanim hallet.
Si dhe ku lindi dashuria me Gaqon?
(Hahaaaaa, qesh). Të të tregoj dashurinë tonë nuk të besohet. Kjo për arsye se nga shokë u bëmë burrë dhe grua. Ne u lidhëm në Rusi ku ishim të dy për studime. Gaqo iku në vitin 1957 dhe unë në vitin 1959. Në fillim ishim shokë. Ditët e pushimit dilnim bashkë në qytet, diskutonim, flisnim për të ardhmen. Në Rusi kishte femra shumë të bukura, shumë të mira, por ne sikur ishim prerë ëpr njeri-tjetrin. Kaluam jetën më të bukur të jetës në Rusi. Aty muzika, opera respektohej dhe vlerësohej shumë. Moska ishte qytet i kulturës ku muzika operistike ndiqej shumë, ishte kthyer në kulturë. Kështu lindi dashuria jonë,. Nuk u habita kur Gaqo më shprehu dashurinë. Miqësia jonë e sinqertë ishte kthyer në dashuri. Dashuri në Rusi, në qytetin e dashurisë, në qytetin e poetëve të mëdhenj që i kishin kënduar me aq zjarr dashurisë. Rusia ishte e mbushur me skulptura që të jepnin frymëzim.
Kur u martuat?
Martesa është tjetër gëzim i madh.Sa u kthyem nga Rusia u martuam. U martuam në vitin 1963. Që kur erdhëm të dy filluam punë në Teatrin e Operas dhe nuk lëvizëm më.
Është folur shumë për biografinë tuaj të asaj kohe, duke qenë me biografi të tillë si vendosi Gaqo të martohej?
Gaqo është treguar me tërë kuptimin e fjalës burrë. Unë i tregova për biografinë, por ai me vendosmëri tha, dashuria del mbi çdo gjë. I mori të gjitha parasysh. Biografia filloi të vihej në dukje kur unë do dilja për herë të parë jashtë shtetit të këndoja. Ansambli do të shkonte në Rumani. Ishte periudha që daja im ishte internuar. Po bënim provat gjenerale. Në atë kohë nga ne kishin ikur disa nga këngëtaret më të mira. Kishin shkuar në institucione të tjera, por dhe kishin dalë shumë herë jashtë. Pra më kishte ardhur ua radha të dilja. Grupi që do nisej kishte shumë pak këngëtare pasi ishte larguar Nailja, Fitnetja,. Nuk kisha as kostum dhe mora atë të gjyshes time (ahere e re dhe ksihte një kostum të rinisë shumë të bukur). Në grupin tonë të këngëtareve ishim tetë veta. Vaçja, Hysen Koçia, grupi baletit. Duhej plotësuar grupi dhe me një këngëtare, pra që më binte radha mua. Të gjithë thanë merrni Luizën se këndon bukur. Drejtuesit mbyllën njërin sy dhe njërin vesh dhe më morën me vete. Unë me Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve unë kam marrë pjesë në shumë koncerte, por kur vinte puna për të shkuar jashtë, plotësoja vrimat dhe pse kam pasur shumë sukses.
Përveç këngës lirike në këto aktivitete dhe koncerte, çfarë këngësh të tjera këndoje?
Unë kam pasur shumë pasion edhe këngën popullore. Më thanë të këndoja në Rumani këngë popullore dhe ndonjë duet me Hysen Koçinë. Kur kam shkuar në Rumani kam pasur një sukses të paparë sa nuk më besohej. Madje kënduam këngë në shqip. Nuk e di si i ngjiti rumunëve kënga jonë popullore. Na kthyen. Ishte nj sukses i madh për mua. Pas kësaj ngjarjeje të rëndësihme në jetën time artistike, opera jonë shkoi në Kinë. Në fillim ishte dhe emri im. Por gjuetia e shtrigave kishte bërë të vetën, nuk më lejuan. Pastaj ishin dhe xhelozitë mes nesh.
Një ketë në opera, si do ta cilësonit punën ën këtë institucion shumë të rëndësishëm të artit?
Në opera kam pasur hapësirën time, sepse edhe punoja shumë. Kam qenë shumë e shkathët. Atë kohë shitej një biletë 50 lekë për të parë Luiza Papën. Vinin hungarezet me shampanjë tek dera, me sapunë me erë por nuk i merrja kurrë. Ruaja personalitetin. Ishte viti 1964 kur isha në kulmin e karrierës. Në rolin ”Princesha e Çartneshit” më kanë sjellë një shportë me karafila.
Keni punuar dhe në Opera dhe tek Ansambli i Shtetit?
Po, kam qenë edhe në opera dhe tek Ansambli i Këngëve dhe i Valleve. Në opera kam 20 role duke filluar që nga “Lola”, “Nina”, “Don Paskuale” që mora dhe bursën “Mamicën”, Karnavalet e Korçës”,”Rigoleton” etj. Dua të veçoj se një problem kam pasur kur doja të shkoja në Japoni, nuk di pse nuk më jepnin vizën. Kisha dëgjuar që aty i pëlqenin shumë sopranot.
Pra keni kënduar dhe këngë popullore,. Këngët e kujt treve pëlqeje dhe cila ishte këngëtarja juaj e preferuar?
Kam kënduar këngë shumë, por më shumë dëshirë kisha këngët qytetare shkodrane. Kjo për arsye se sepse më pëlqente shumë këngëtarja e madhe Luçie Miloti. Ajo ishte idhulli im. E ndiqja vazhdimisht me shumë dëshirë deri kur ndërroi jetë.
Jeni grindur me Gaqon?
Kurrë. Më ka respektuar në maksimum.
Cili është pengu juaj?
Pengu që dola në pension në lumin e karrierës. Ashti ishte në atë kohë.