SHTETI HELEN 5 VJET JASHTE EUROZONES?/
Ministrat e Financave të Eurozonës nuk kanë arritur në asnjë përfundim ditën e shtunë, pas një samiti dramatik maratonë, kanë vazhduar edhe sot bisedimet në një klimë të mbushur me skepticizëm,ndasi dhe pozicionime të ndryshme për sa i përket propozimeve që ka sjellë Greqia në institucionin europian për të marrë një paketë financiare, të tretën sipas radhës dhe për të shmangur falimentimin e plotë të saj.
Por edhe në ditën e dytë të samitit të Eurogrupit ,mes negociatave të konsideruara prej shumicës së tyre si shumë të vështira, partnerët e Athinës kanë kërkuar prej saj premtimin për reforma akoma më të thella në sistemin ekonomik dhe financiar para se të japin dritën jeshile për një kredi shumëmiliardëshe.
Vendet anëtare të Eurozonës thuhet se janë të ndara në tre grupe, në ato që përkrahin qëndrimin e ashpër të Gjermanisë, e cila siç u bë e ditur kishte gati një plan për daljen e Greqisë për 5 vjet nga Eurozona, ose reforma të ashpra dhe siguri politike për zbatimin e tyre.
Në vendet asnjanëse që presin si do të shkojnë negociatat dhe në vendet pro Greqisë që janë të pakta, por që përbëjnë një aks kryesor në familjen europiane, siç është Franca, që ndihmoi Greqinë në hartimin e propozimeve të reformave, por edhe Italia që ka frikën se do të jetë edhe ajo në epiqendër të tregjeve, në rastin e një “Grexit” të mundshëm.
Në përfundim të samitit të ministrave të eurozonës janë bërë të ditura edhe hollësitë që përmban drafti i masave të reja që europianët kërkojnë nga Athina:
• Përputhje të plotë me programin afatmesëm për arritje e tepricave primare deri në 3.5% deri në 2018,
• Zbatimi i reformave ambicioze për reformën e pensioneve
• Reforma në tregun e ushqimeve
• Barnave dhe artikujve të konsumit të përditshëm dhe liberalizimi i çmimeve
• privatizime në tregun e energjisë
• Reforma në marrëdhëniet e punësimi
• Forcimi i sistemit financiar
• Një program i ri dhe i fuqishëm i privatizimeve në përgjithësi
Ministrat e Financave i japin stafetën e bisedimeve liderëve të vendeve të Eurozonës, ku vëmendja e të gjithëve tashmë fokusohet në faktin se si do të veprojë kancelarja Merkel.
Të gjithë analistët vlerësojnë se një “Greqxit”, pra një dalje e Greqisë nga Eurozona, do të shkatërrojë aksin franko-gjerman duke dëmtuar imazhin kryesor të BE-së.
Ndërkohë anulimi i samitit të 28 vendeve të BE-së interpretohet si një lajm i mirë për Greqinë, pasi thuhej se ishte i domosdoshëm në rast të një dështimi të bisedimeve dhe liderët e familjes europiane do të diskutonin vetëm për ndihmën humanitare që do t’i jepej Athinës në këtë rast, duke i siguruar ushqime dhe barna.
Por nga ana tjetër tregon se marrëveshja për Greqinë nuk do të mbarojë kaq shpejt dhe do të duhen shumë ditë e javë, në fillim që Greqia të marrë një ndihmë të përkohshme dhe të mos falimentojë, e më pas, në bazë të reformave që do të miratojë dhe ecurisë, parlamenti i saj të marrë me këste edhe paketën e madhe të ndihmës që përllogaritet pothuajse e në nivelin e paketës së parë që mori në vitin 2010.
5 VJET JASHTE EUROZONES?/
Zyrtarisht mendimi gjerman për propozimet e reja greke për çështjen e borxhit ka qenë diplomatik, duke shfaqur hera-herës një skepticizëm të thellë, por jozyrtarisht thuhet se Berlini e ka të qartë; Greqia duhet të largohet nga Eurozona.
Të paktën kështu shkruan media gjermane. “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, duke cituar një dokument, sipas saj, të dalë nga Ministria e Financave, e drejtuar nga Wolfgang Schaeuble, thotë se plani grek nuk bind.
“Propozimet nuk janë të besueshme. Do t’u themi kolegëve tanë grekë që nuk kanë bërë asgjë për të forcuar besimin e ndërsjelltë”, thuhet në dokument.
Ajo që përforcon këto lajme është deklarata e ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schaeuble, i cili i përshkroi bisedimet si “tmerrësisht të vështira”.
Vetë Kancelarja gjermane, Angela Merkel u shpreh skeptike më herët. Ajo reagoi të premten, ku shkurtimisht tha se masat e reja duhet të shkojnë përtej atyre që kreditorët kishin kërkuar me parë nga Greqia.
Mediat ndërkombëtare flasin se Merkel tani është në presion dhe mes dy zjarresh; borxhin grek nga njëra anë dhe popullin gjerman nga ana tjetër. Në një sondazh të zhvilluar së fundmi gati gjysma e tyre kërkon që Greqia të lërë Eurozonën, si edhe kolegëve ndërkombëtarë, që nuk e duan një skenar “Grexit”.
Informacioni është jozyrtar dhe i pakonfirmuar, por mediat gjermane këmbëngulin se plani i Athinës për 12 miliardë euro, do të rrëzohet dhe Greqia do të largohet nga Eurozona, por jo përfundimisht. Të njëjtat burime thonë se Gjermania do të propozojë një pezullim 5-vjeçar për palën greke në Eurozonë, një kohë që Berlini e cilëson si të mjaftueshme për Athinën për të ristrukturuar borxhin e saj.
Në orët e para të së shtunës, Parlamenti grek kaloi me shumicë dërrmuese votash draft-propozimet e qeverisë Tsipras, që i janë paraqitur huadhënësve ndërkombëtarë. Mes propozimeve bëjnë pjesë shumë reforma dhe masa shtrënguese, të cilat qytetarët i rrëzuan në referendumin e së dielës që kaloi.
Sipas ministrit të Financave, Euclid Tsakalotos, propozimet e reja kanë vërtetë pika të vështira me rritje taksash dhe reforma të ashpra, por ka edhe favorizime për Greqinë si: dhënia e një frymëmarrjeje të re nëpërmjet financimit për të mos falimentuar, mundësia e një ristrukturimi të borxhit grek, apo paketa e masave dhe investimeve për zhvillimin e ekonomisë, të cilat do të nxjerrin vendin nga recesioni.
Vlerësohet se paketa e ndihmës përmban financime prej 53.5 miliardë euro, si dhe rreth 15 miliardë për rikapitalizimin e bankave, ndërsa masat shtrënguese thuhet se shkojnë në rreth 12 miliardë euro./Raport nga Top Channel