• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

1 shtator 1928 – 1 shtator 2018- 90 vjetori i Mbretërisë Shqiptare

September 1, 2018 by dgreca

Shpallja e Monarkisë domosdoshmëri kombëtare dhe e ligjshme/

1-Martesa-e-Zogut-300x131

Këtu e 90 vjet më pare, pikërisht me 1 shtator 1928, ora 09.12, Asamblea Kushtetuese në mbledhjen e saj të katërt me vota unanime miratoi ndryshimet e Statutit, ku dy më kryesoret ishin: “Shqipëria është Mbretëri demokratike, parlamentare dhe e trashëgueshme” dhe “Mbret i Shqiptarëve është Nalt Madhëria e Tij – Zog I”./

foto per email

Nga Ekrem Spahiu/

Kalimi i Shqipërisë në sistemin monarkik të formës së regjimit, ishte në fakt kalim në një sistem më afër tradicionales dhe më të pranueshëm për shqiptarët, se sa sistemi republikan. Mbretërinë e instaloi i njëjti personalitet, i cili tre-katër vite më parë kishte instaluar Republikën dhe ishte shpallur President i kësaj Republike. Ky akt është pritur dhe vlerësuar me kundërthënie nga më të ndryshmet. Vlerësimi më radikal ka qenë se monarkia e instaluar nga Ahmet Zogu nuk ka qenë e ligjshme dhe ishte thjesht shprehje e ambicieve personale të Ahmet Zogut.

Një vlerësim tjetër është se instalimi i mbretërisë nuk ka qenë i ligjshëm, por një akt politik i domosdoshëm për stabilitetin dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Një vlerësim i tretë është se instalimi i mbretërisë ka qenë domosdoshmëri kombëtare dhe është bërë në mënyrë krejtësisht të ligjshme.

Nga pikëpamja juridike, të treja vlerësimet meritojnë vëmendje, për më tepër që mbretëria, si sistem politik e ka në rrënjë mbretërinë e ligjit si sistem juridik. Atëherë, le të ndalemi tek disa aspekte të instalimit të mbretërisë në Shqipëri.

Sikurse e thamë, i njëjti personalitet që drejtoi vendin për rreth katër vjet në cilësinë e Presidentit dhe Kryeministrit, po ai u shpall edhe Mbret i Shqiptarëve. Nëse kjo do të ishte çështje vullneti apo ambiciesh politike, atëherë çfarë apo kush mund ta ndalte Ahmet Zogun që ta instalonte Mbretërinë qysh më 1924, ku u rikthye në pushtet? Autoritetin e kishte. Vlerat drejtuese i kishte shprehur edhe më parë, madje  në një  post  mjaft delikat  si  ai i  Ministrit  të Brendshëm.  Kundërshtarët politikë të udhëhequr nga Fan Noli, që erdhen në pushtet në rrugë jolegjitime nuk gëzuan asnjë njohje ndërkombëtare dhe u larguan pas gjashtë muajve nga pushteti (24 dhjetor 1924). Shqipëria nuk kishte një traditë politike dhe në këto kushte mund të bëje si të doje. Atëherë përse nuk e bëri Ahmet Zogu qysh në fillim këtë akt të shpalljes së Mbretërisë? Për hipokrizi?

E vërteta është krejt ndryshe. Ahmet Zogu u tregua shumë i kujdesshëm në hapat e tij për ta ndryshuar formën e regjimit në Shqipëri nga Republikë në Monarki, duke punuar në disa drejtime dhe për të qenë në harmoni me proçesin politik, opinionin publik shqiptar, bindjen dhe mbështetjen e marrë nga faktori ndërkombëtar e në veçanti nga Fuqitë e Mëdha, dhe mbi të gjitha me nismat dhe respektimin e proçedurave kushtetuese e ligjore.

Ahmet Zogu nuk mund të bënte një hap politik që do të ishte në kundërshtim me të drejtat e trashëgimisë. Sikurse është e njohur, në Konferencën e Ambasadorëve 29 korrik 1913, midis të tjerash, ishte vendosur qysh në pikën 1 të Deklaratës se: “Shqipëria konstituohet si një principatë autonome, sovrane dhe e trashëgueshme sipas rrjedhës së paraardhësve të një gjaku, nën garancitë e gjashtë Fuqive të Mëdha. Princi do të caktohet nga gjashtë Fuqitë e Mëdha”. Po ashtu, dimë se menjëherë pas Konferencës së Ambasadorëve, u caktua edhe trashëgimtari që do të ushtronte këtë funksion, princi me origjinë gjermane Vilhelm Vid, i cili nuk mundi të qëndrojë më shumë se sa rreth 6 muaj (7 mars-3 shtator 1914) për të ushtruar pushtetin princëror të tij.

Princi Vilhelm Vid, edhe pse i larguar, asnjëherë nuk pati shpallur abdikimin për të liruar rrugën, qoftë për mbret apo princ pasardhës, qoftë edhe për të hapur rrugën ndryshimit të regjimit. Në këto kushte, më 1924, Ahmet Zogu nuk mund të shpallte vijimin e rrjedhës mbretërore/princërore, sepse kjo i takonte vetëm Princit Vilhelm Vid. Atëherë, Ahmet Zogu zgjodhi rrugën e dytë: shpalljen e Shqipërisë Republikë dhe të vetes së tij President dhe Kryeministër.

Por e pashpjeguar mirë në historiografinë e Shqipërisë deri tani, është se përse Ahmet Zogu nuk u shpreh ekskluzivisht dhe paralelisht se “Nuk njeh mbretërinë”, kur ai e shpalli Shqipërinë “Republikë” dhe veten “President dhe Kryeministër”? Mendoj se pikërisht këtu qëndron çelësi i shpjegimit dhe jo sikurse e shpjegojnë një kategori historianësh, të cilët shprehen se me shpalljen e Shqipërisë Republikë dhe të Ahmet Zogut si President të saj, u suprimua plotësisht forma monarkike e qeverisjes në Shqipëri.

Ahmet Zogu, në vitin 1925, kur erdhi në krye të Republikës si President, shpalli një lloj regjimi që të ishte i pranueshëm dhe në dobi të popullit e shtetit shqiptar, një regjim të tillë që do të vendoste në rrugë institucionale, funksionimin e gjithë shoqërisë dhe të politikës shqiptare, të cilat prej 13  vjetësh nga  shpallja  e pavarësisë,  kishin  qenë në  kaos  të plotë. Ndërkohë, me këtë akt, Ahmet Zogu nuk shpalli mosnjohjen e mbretërisë. Përkundrazi, ai la hapur mundësinë e vijimësisë mbretërore.

Sapo Zogu e forcoi shtetin në masën e mjaftueshme për të qenë i aftë të marrë dhe të administrojë pushtetet e veta, atëherë ai shkoi përsëri në origjinën politike të njohur apo të deklaruar edhe nga Fuqitë e Mëdha: mbretërinë e trashëgueshme. Për të kaluar këtë “prag politik”, mbetej vetëm një pengesë: Princi Vilhelm Vid ishte gjallë dhe ai ende nuk qe shprehur nëse vijonte të pretendonte fronin mbretëror apo abdikonte prej këtij froni, duke ia lënë dikujt tjetër mundësinë ta trashëgojë. Në këtë kuadër, shumë historiografë e kanë deformuar apo nuk e kanë lexuar si duhet referimin për deklaratën e Princ Vidit të datës 24 gusht 1928, të cilën po e citojmë me korrektesë siç është sjellë nga autori i paanshëm Ouen Pearson, në librin e tij “Shqiperia dhe Mbreti Zog” (faqe 292-293), “Ish Mbreti Vilhelm, Princi Vidi, i cili kurrë nuk kishte abdikuar, lëshoi një deklaratë me të cilën shpallte se ai i pretendonte për veten dhe për trashëgimtarët e tij të gjitha të drejtat për fronin e Shqipërisë, megjithë aspiratat e Ahmet Zogut për të qenë mbret. Ai i qëndronte mendimit, besimit, se shumica e shqiptarëve e mbështesnin akoma atë, por ai ndjente se kthimi i tij i menjëhershëm nuk mund të diskutohej, përderisa nuk ishte e mundur të zhvillohej një referendum i lirë dhe i pandikuar në atë kohë. Ai deklaroi se ai ishte i lirë nga ambiciet e tij personale dhe se kurrë nuk kishte ndërmend të provokonte mospajtime midis shqiptarëve, pasi bashkimi, përparimi dhe prosperiteti i të cilëve kishte qenë dhe ishte akoma synimi i vetëm i tij. Kështu ai do të shmangte vështirësitë politike të brendshme dhe të jashtme, duke pritur momentin e përshtatshëm për t’u kthyer në Shqipëri, e cila do të parakuptonte domosdoshmërisht një dëshirë unanime të popullit”.

Deklarata është bërë, sikurse e thamë më lart, në datën 24 gusht 1928. Ndërkohë, dihet që Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë – Mbretëri në datën 1 shtator 1928. Atëherë, cili është leximi që duhet konsideruar si themeli i proçesit të ligjshëm?

Shpallja e Shqipërisë – Mbretëri u bë pasi u deklarua Princi i ligjshëm i saj, Vilhelm Vid. Por tashmë ish Princi, në deklaratën e vet, u shpreh se ai kurrë nuk kishte abdikuar, gjë që do të thotë se, në një farë mënyre, ai e pranonte se ekzistonte edhe mundësia e abdikimit. Ish Princi, pranon gjithashtu se ky abdikim do të mund të ishte i arsyetuar pas mbështetjes ose jo të popullit shqiptar, të cilën ai mendonte se e kishte. Ndërkohë, ai ndjente se mbështetja duhej “lexuar” përmes një referendumi, ku populli të shprehte vullnetin e tij. Këto labirinte arsyetimesh, nxjerrin në pah se, për shumë arsye, Princ Vidi e kishte humbur besimin dhe ndoshta të drejtën për të vijuar mbretërimin. Të mos harrojmë se ai ishte larguar prej 14 vjetësh nga Shqipëria, duke mos ushtruar asnjë atribut.

Tani vijmë tek momenti vendimtar që përcakton llojin dhe përfaqësuesin e një regjimi legjitim: mbështetja popullore.  Cili ishte vullneti i popullit që kërkonte Vidi? A nuk e përfaqësonte Asambleja Kushtetuese vullnetin e popullit? A premtonin ato kohë të trazuara që të organizohej e të zhvillohej një referendum klasik sikurse e kërkonte Princi që kishte “humbur”?

Atëherë, në thelb, e gjithë deklarata e ish Princit mund të interpretohet pak a shumë kështu: “Mbretëria duhet të vazhdojë. Unë (ish Princi) jam njeri prej atyre që mund ta pretendojnë këtë fron, por për këtë duhet pyetur populli”. Sikurse është e njohur, populli, me fuqinë e Asamblesë Kushtetuese u shpreh, se Mbretëria duhet të vazhdojë. Gjithashtu, po në emër të vullnetit të popullit shqiptar, Asambleja përcaktoi edhe Mbretin – një Shqiptar të Madh, i cili e ka treguar veten se di të realizojë atë dëshirë e synim fisnik të vetëm që kishte edhe ish Mbreti Vilhelm Vid – bashkimin, përparimin dhe prosperitetin e shqiptarëve.

Pavarësisht nga deklarata e Princ Vidit më 24 gusht 1928, Zogu në këtë çeshtje tregoi kujdes të veçantë, se i trembej gjetjes së ndonjë hapësire tjetër ligjore nga Fuqitë e Mëdha për rikthimin e Vidit në fronin e Shqipërisë. Si rrjedhim, lëvizjet e tijë për të fituar kurorën mbretërore shqipëtare gjatë periudhës së parë të aktivitetit politik në krye të shetit shqiptar ishin kryesisht të ngadalta dhe shumë të matura. Zogu dhe ndihmësit e tij mendonin se ishte e domosdoshme fillimisht të bënin përpjekjet maksimale për të bindur Fuqitë e Mëdha si dhe për të siguruar mbështetjen e tyre në arritjen e këtij synimi madhor për të ardhmen e Shqipërisë dhe të tij.Pikërisht për këtë çeshtje historiania Valentina Duka, në librin “Monarkia Shqiptare 1928-1939” shkruan: “Më në fund, diplomacia britanike dhe ajo europiane në përgjithësi, të bindura edhe nga diplomacia italiane, tejet aktive në këtë mes, si dhe të etura për të parë një Ballkan të qëndrueshëm, u pajtuan për t’i hapur dritën e gjelbër ndryshimit të formës së qeverisjes në Shqipëri”.

Edhe pse arriti ta bindë faktorin ndërkombëtar, Zogu e kuptonte se një ndryshim i tillë kushtetues kërkonte domosdoshmërisht përgatitje të shumta edhe në planin e brendshëm. Duke qenë kurdoherë mjaft i kujdesshëm për ruajtjen e formës legale, ai u përpoq që ky ndryshim të bëhej brenda një kuadri kushtetues të rregullt.

Meqenëse, juridikisht, Asamblesë nuk i njihej e drejta që të ndryshonte Kushtetutën, u vëndos rishikimi i përgjithshëm i Statutit (Kushtetutes) dhe për ketë, ishte e domosdoshme që deputetët të votonin një ligj organik. Në atë kohë, në vendin tonë ishin dy Dhoma, njëra e Deputetëve dhe tjetra e Senatorëve. Më 7 qershor 1928, u mblodhën dy Dhomat në një mbledhje të përbashkët dhe për të qenë në përputhje me shkronjën dhe frymën e Statutit, vëndosën një shtojcë të nenit 141 me këte përmbajtje: “Rishikimi i përgjithshëm i Statutit i përket vetëm Asambles Konstituente”.

Kur vëndoset nevoja e rishikimit të përgjithshëm të Statutit, dy Dhomat quhen vetvetiu të shpërndame dhe dekretohen zgjedhje për Asamblen Konstituente.

Më 17 gusht 1928, u zhvilluan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese dhe asamblistat e dalë nga populli në këto votime, filluan mbledhjet më 25 gusht. Më 1 shtator 1928, ora 09.12, Asamblea Kushtetuese në mbledhjen e saj të katërt me vota unanime miratoi ndryshimet e Statutit, ku dy më kryesoret ishin: “Shqipëria është Mbretëri demokratike, parlamentare dhe e trashëgueshme” dhe “Mbret i Shqiptarëve është Nalt Madhëria e Tij – Zog I”.

Në një mënyrë shumë domethënëse për një vend me disa besime, Zogu bëri betimin mbi Bibël dhe Kuran: “Unë, Zogu, mbret i shqiptarëve, me rastin e marrjes në duart e mia të fuqisë mbretërore, betohem para Zotit të plotfuqishëm se do të ruaj unitetin kombëtar dhe integritetin territorial të shtetit. Unë do t’i përmbahem me besnikëri Kushtetutës dhe do të veproj në bazë të akteve të saj dhe ligjeve në fuqi, duke mbajtur gjithnjë parasysh vullnetin e popullit”.  Në bazë të statutit të ri të Mbretërisë, Asambleja Kushtetuese u transformua në Parlament dhe e filloi mbledhjen e vet të parë me këtë cilësi të re, më datë 10 dhjetor 1928.

Përgatitja e opinionit publik shqiptar për kalimin nga republikë në monarki dhe zgjedhjen e Ahmet Zogut – Mbret të shqiptarëve, ishte shumë i domosdoshëm përpara se ky veprim të ekzekutohej. Stafi pran Zogut i kushtoi një rëndësi të madhe sensibilizimit të opinionit publik për këtë ngjarje historike kombëtare, ku u bë me të gjitha mjetet e duhura, por kryesisht nëpërmjet organeve të shtypit shqiptar dhe të huaj. U organizuan manifestime dhe mitingje, ku populli kërkonte ndryshimin e formës së regjimit dhe shpalljen e Zogut – Mbret.  I pari telegram që mbërrin në Tiranë ishte ai i zgjedhësve të Skraparit, dërguar më 17 gusht, ku kërkohej zgjedhja e Ahmet Zogut si Mbret. Si Skrapari vepruan edhe prefektura dhe nënprefektura të tjera. Ky organizim dhe kjo atmosferë festive kulmuan me një miting të madh më 30 gusht në Tiranë.

Sigurisht që faktori ndërkombëtar ishte i informuar dhe i kishte dhënë Zogut mbështetje të plotë për këtë proçes. Njohja zyrtare e Mbretërisë u bë në fillim nga Italia dhe në vijim, nga Hungaria, SHBA, Greqia, Jugosllavia, Uruguaji, Austria, Bullgaria, Franca, Holanda, Belgjika, Zvicra, Spanja, Polonia, Lituania, Letonia, Suedia, Finlanda, San Marino, Ekuadori, Egjipti, etj.

Këto ishin pra kushtet dhe rrethanat, por edhe fazat e kalimit të proçesit ku u vendos dhe u legjitimizua monarkia në Shqipëri. Çështja e legjitimitetit është një çështje madhore që lidhet drejtpërdrejt me stabilitetin politik dhe sigurinë kombëtare. Kjo formë qeverisje, erdhi edhe si vlerësim i përgjithshëm i situatave reale që kishte dhe po kalonte vendi, por edhe si domosdoshmëri, për të dalë mbi forcat e ndryshme politike dhe mbi krerët lokale, pasi rreziku i grindjeve partiake dhe individuale për të ardhur në pushtet me çdo mënyrë, shihej si një problem i madh kombëtar.

Periudha nga viti 1912 deri në ardhjen në fuqi të Monarkisë, ka qenë periudha më e destabilizuar e vendit dhe, rrjedhimisht, më e prekshmja për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Në këto kushte, për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku jetonin, nuk kishte zgjidhje tjetër shpëtimi, mbijetese e sigurie kombëtare, përveçse të kalohej në një përqendrim edhe më të madh të energjive, përpjekjeve dhe forcave të të gjithë kombit, gjë që u mishërua në zgjidhjen politike të instalimit të Monarkisë.

Me shpalljen e Shqipërisë Mbretëri, u krijuan kushte të favorshme për tu ushtruar plotësisht pushteti dhe qeverisja në të gjithë teritorin e vendit dhe dhënien fund të intrigave dhe prapaskenave, në dëm të interesave të vendit. Gjithsesi, kjo mund të vlerësohet edhe si një mundësi për të ndikuar personalisht në zgjidhjen e problemeve kombëtare, në kushtet e klanizimit të politikave të brendshme shqiptare.

Formula dhe betimi mbi Kuran dhe mbi Bibël, u konsiderua faktor i rëndësishëm për stabilitetin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e punëve shtetërore. Ai materializoi idenë e bashkëpunimit me të gjitha institucionet fetare, duke bërë hapa konkretë për të siguruar faktorë të rëndësishëm mbështetës e gjithëpërfshirës në çështjet e sigurisë kombëtare, ndër të cilët bashkëjetesa e feve të ndryshme, konsiderohej themelore.

Shpallja e Ahmet Zogut, Mbret i Shqiptarëve shënoi fillimin e fazës më të rëndësishme të realizimit të vizionit të tij për konsolidimin e shtetit dhe të gjithë instrumenteve që i japin kuptim qeverisjes moderne të tij.

Si përfundim, duhet thënë se gjendja e Shqipërisë përpara vendosjes së monarkisë, ka arsye të ndahet në dy periudha: në periudhën 1912-1925 dhe në atë të viteve 1925-1928. Të dy periudhat i ndan fakti se, në të parën, Shqipëria, edhe pse bëri “kapërcimin e ylberit”, d.m.th., kaloi nga gjendja e pushtimit 500 vjeçar në gjendjen e të jetuarit si komb më vete, nuk arriti, prapëseprapë, të formonte një shtet për të qenë, një shtet serioz që të kishte forcën e vet brenda vendit dhe fjalën e vet jashtë vendit. Sistemi politik qe i mjegullt dhe shumë i paqëndrueshëm.

Në kushtet e ndarjeve krahinore e fisnore, si dhe për shkak të ndikimeve të interesave të ndryshme të brendshme e të jashtme, në një periudhë prej vetëm 7 vjetësh pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, do të vinin e do të largoheshin plot 14 qeveri me kryeministrat: Myfid Bej Libohova, Fejzi Bej Alizoti, Turhan Pashë Përmeti, Esat Pashë Toptani, Sulejman Delvina, Iljas Bej Vrioni, Pandeli Evangjeli, Qazim Koculi, Hasan Prishtina, Omer Pashë Vrioni, Xhaferr Ypi, Ahmet Zogu, Shefqet Vërlaci dhe Fan Noli. Madje në dhjetor të vitit 1921 për shkak të ambicieve personale dhe konflikteve të vazhdueshme ndërmjet grupimeve politike, në vetëm 18 ditë, si pasojë e kësaj situate u ndërruan tre kryeministra, qëndrimi i të cilëve në qeverisje u mat me ditë: Qazim Koculi për një ditë, Hasan Prishtina për 5 ditë dhe Idhomeno Kosturi për 12 ditë.

Sikurse duket qartazi, Shqipëria, në këto vite, ka qenë në vakum pushteti, me mungesë stabiliteti dhe rrjedhimisht, e prekur edhe në sigurinë e vet kombëtare. Kjo paqëndrueshmëri politike në vend u pasqyrua edhe në takimet kryesore zyrtare evropiane ku vendoseshin fatet e vendit tonë. Elementi zyrtar shqiptar, në më të shumtën e rasteve, nuk ka qenë i pranishëm. Por edhe në rastet kur ka qenë i pranishëm, ai ka qenë i përçarë, sikurse ishte Konferenca e Paqes së Parisit në 1919– shembulli më kuptimplotë.

Në këto kushte, Shqipëria nuk ishte thjeshtë e përçarë dhe e izoluar, por thuajse e lënë pas dore nga bota dhe, në rastin më ekstrem, e rrezikuar për të humbur edhe sigurinë kombëtare. Vendi ishte zhytur në varfëri. E vetmja zgjidhje ishte emigracioni, i cili, në ato vite, jo vetëm filloi, por edhe u masivizua si kurrë ndonjëherë.

Përkundrazi, në periudhën e dytë (1925-1928), që jo rastësisht lidhet me emrin e Ahmet Zogut, edhe pse brenda një kohe fare të shkurtër, Shqipëria u fut në rrjedhën e individualitetit të shtetit, të forcës dhe të fjalës së tij. Shqipëria filloi të pyetej në arenën ndërkombëtare, madje t’i dëgjohej edhe fjala sikurse ishte rasti për Çamërinë. Shteti, pothuajse u plotësua në infrastrukturën e vet politike. Gjithsesi, ajo që i bashkon të dyja periudhat është varfëria përgjithësisht e skajshme e vendit, infrastruktura e dobët, sistemi arsimor jo i zhvilluar, sistemi ligjor jofunksional dhe përfaqësimi diplomatik në botë jo i plotë.Duke marrë parasysh sa më sipër, si dhe faktin tepër të rëndësishëm se, pikërisht në ato vite, situata e sigurisë në Ballkan dhe në Evropë po shkonte drejt përkeqësimit, atëherë për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku jetonin, nuk kishte zgjidhje tjetër shpëtimi, mbijetese e sigurie kombëtare, përveçse të kalohej në një përqendrim edhe më të madh energjish, përpjekjesh dhe forcash të të gjithë kombit, gjë që u mishërua në zgjidhjen politike të instalimit të Monarkisë.

Një përvojë të tillë të përqendrimit të pushtetit politik në kohë rreziqesh të mëdha për sigurinë kombëtare e kanë përjetuar shumë kombe, pavarësisht se në çfarë forme është bërë ky përqendrim. Kështu pat vepruar dikur Gjermania nën “Monarkun” Bismark. Kështu patën vepruar edhe fqinjët tanë më të afërt, Serbia, Greqia, etj. Shqipëria nuk kish pse bënte përjashtim nga ky rregull. Përndryshe ajo do të vijonte të bëhej objekt lakmish të egra. Kalimi nga regjimi i Republikës në regjimin e Mbretërisë ishte, jo vetëm i domosdoshëm, por edhe i ligjshëm. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse një qeverisje legjitime është guri i themelit të stabilitetit politik dhe sigurisë kombëtare. Këtë legjitimitet, Ahmet Zogu e fitoi me mjete të ligjshme dhe me kontribute të spikatura të udhëheqësit të pranuar dhe të mbështetur në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Se çfar arritën shqiptarët dhe Shqipëria nën drejtimin e Mbretit Zog I gjatë 11 viteve të Mbretërisë, është temë në vehte dhe duhet trajtuar në një shkrim të veçantë.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: 90 vjetori, Ekrem Spahia, i Monarkise Shqiptare

MARTIN CAMAJ NE 90 VJETORIN E LINDJES

July 22, 2015 by dgreca

Ne Foto: Martin Camajt (1925-1992)/
Dielli: Nga hovet lirike të poezisë së Camajt- “Mos pshtyj në zjarm, mos pshtyj në dritë !”/
Martin Camaj, u lind më 21 korrik 1925 në një zonë malore, në Temal të Shllakut. Ky mjedis i egër malor do të lërë mbresa dhe do të ndikojë te shkrimtari dhe gjuhëtari i ardhshëm. Që në fëmijëri u dallua për një zgjuarsi të veçantë, gjë që u ra në sy prindërve të Camajt. Kështu atyre u lindi dëshira që Martini të mos ndiqte rrugën e disa bashkëmoshatarëve për t‘u bërë çoban në ato zona, por të arsimohej më tej. La Temalin e largët dhe erdhi në Shkodër për të ndjekur mësimet në kolegjin Saverian, një kolegj me emër në të cilin kishin studiuar patriotë, shkrimtarë, gjuhëtarë dhe mësues të afirmuar në profesionin e tyre. Pasi mbaroi studimet në këtë kolegj, filloi të ushtrojë detyrën e mësuesit në fshatin Prekal të zonës ku lindi, 25 km larg Shkodrës. Bindjet e tij nuk pajtoheshin me regjimin e kohës, prandaj në vitin 1948, në moshën 23-vjeçare arratiset për në Jugosllavi. Pas disa peripecish, ai filloi studimet e larta në Universitetin e Beogradit, në degën Gjuhë-Letërsi Sllave dhe latine, pranë profesorit të dëgjuar kroat, Henrik Bariç. Menjëherë prirjet e tij letrare i konkretizoi me botimin e dy vëllimeve poetike “Nji fyell ndër male” (Prishtinë, 1953) dhe “Kanga e vërrinit” (Prishtinë, 1954). Nuk i dimë rrethanat se si u krijuan, por Martin Camaj, 8 vjet pasi ishte arratisur dhe pasi kishte mbaruar Universitetin e Beogradit, në vitin 1956, posa i kishte mbushur 31 vjetët, shkoi për studime pasuniversitare në Romë, duke lënë përfundimisht Beogradin dhe duke u bashkuar me shokët e një ideali E. Koliqin, K. Gurakuqin, M. Krujën etj. Në Universitetin e Romës u specializua për gjuhësi, duke konsoliduar gjithnjë e më shumë formimin e tij filologjik. Ai zgjodhi si temë disertacioni veprën e parë të gjuhës shqipe “Mesharin” e Gjon Buzukut, një studim mjaft interesant dhe i rëndësishëm për kohën kur u shkrua. Fillimisht Martin Camaj do të jetë lektor në Universitetin e Romës pranë katedrës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe që drejtohej nga shkrimtari E. Koliqi, por njëkohësisht që për disa vjet qe edhe kryeredaktor i revistës prestigjioze “Shêjzat”(Le Pleiadi) (1957-1978) që dilte në Romë. Por jeta e këtij intelektuali ishte në lëvizje. Pas një qëndrimi prej afro 10 vjetësh në Romë, do të lerë kryeqytetin italian dhe do të vendoset në Mynih të Gjermanisë, ku do të merret kryesisht me studime gjuhësore. Në Universitetin e atij qyteti do të mbrojë me sukses një temë nga fusha e formimit të fjalëve të shqipes, të titulluar “Fjalëformimi i shqipes. Mënyrat e formimit të emrave të vjetër.” Në Mynih jo vetëm do të mbajë leksione për studimet albanologjike, por pas disa vjetësh do të themelojë katedrën e gjuhës shqipe në atë universitet që do ta drejtojë gjatë 20 vjetëve, prej vitit 1971-1990, vit në të cilin doli në pension. Autori ynë do të jetë një personalitet i cili do të vlerësohet nga instancat shkencore të kohës dhe redaksitë e disa revistave që dilnin në Evropë. Vdiq larg vendlindjes së tij, në Bavarinë e Epërme, në fshatin malor Lengries, më 12 mars 1992, në moshën 67-vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme pranë së shoqes dr. Erika Camaj. Me gjithë ndryshimet e ndodhura në vendin tonë, me përmbysjen e regjimit monist, për arsye shëndetësore, ai nuk arriti të shohë vendlindjen e tij Temalin e largët malor, por edhe Shkodrën, me të cilën e lidhnin shumë kujtime, kryesisht, nga qëndrimi i tij në kolegjin Saverian.
***
Me rastin e 90 vjetorit te Lindjes sjellim nga arkivi i Diellit, shkrimin ne vijim
Nga hovet lirike të poezisë së Camajt
(fragment)
“Mos pshtyj në zjarm, mos pshtyj në dritë !”

Një hov lirik shqiptar i madhërishëm: sa i njëmendtë aq i figurshëm, sa fizik aq shpirtëror, sa i lëndët aq fluid dhe sado që në kontekstin e dhënë të poezisë luhaten hije bestytnie dhe vezullojnë ngjyra pagane, ai të merr sytë me ndriçimin shoqëror, qytetërues, emancipues.
Lutje, këshillë, porosi, urdhër i prindit. Gjakim i urtisë së Arbrit, i shqiptuar me një ton të rëndë si hija e malit, i prerë, i dalë nga një shpirt i shqetësuar.
“Tha i urti: çdo njeni asht nji ngjyrë
e na hije në te prej bardh deri në zi.”
“Mos pshtyj në zjarr, në dritë!” Hije bestytnie,- na shkon ndër mend fill. Jo pa të drejtë. Ndërgjegjja e popullit tonë ka qenë mjaft e errësuar nga hija e saj: “Mos e bëj këtë! Është keq, diçka e keqe ka për të të ndodhë!” Po ky hov lirik tek Camaj përshkëndit më tepër si një dëshmi e lashtë e shpirtit pagan të shqiptarit. E çiltër dhe e drejtpërdrejtë.
Drita është energji dhe energjia është bijë e zjarrit, ngrohjen e të cilit shqiptari e ka marrë gjithnjë nga vatra familjare, që nuk është shuar asnjëherë. Ngrohjen fizike dhe ngrohjen shpirtërore, burimi kryesor i së cilës vjen prej Diellit, që trojet tona mitologjike deri në kohët më të vona e kanë nderuar si Perëndi, i janë falur dhe i janë betuar.
Në mitologjinë greke Heliosi-perëndia i dritës, ishte i vetmi perëndi që me një vështrim të vetëm zotëronte të gjithë sipërfaqen e tokës dhe njoftonte Olimpin për çdo gjë që ndodhte.
Fizikisht, drita është energjia lëndore më e shpejta dhe më e lehta, – po sa e rëndë është ajo si energji shpirtërore. Ajo ndriçon çdo gjë reale dhe ideore. Dhe në këto të fundit, mbi të gjitha, ajo ndriçon arsyen njerëzore. Mistiku i madh, Shën Françesku i Assizit i qe lutur Zotit: “O Zot, më bën vegël të paqes sate; ku është errësira të bie dritën.” Gjithësesi, drita krijon një harmoni të brendshme shpirtërore shoqëruar me një jehonë amshimi hyjnor. “Pastë dritë! – thuhet për të vdekurin.
Porosi shumëdimensionale me përmbajtje didaktike dhe edukative. Në fokus, një edukatë shumëplanëshe: didaktike, morale, higjenike, estetike. Didaktike: të vlerësosh ndriçimin e dritës dhe zjarrin si burim ngohjeje dhe kusht i domosdoshëm jetik. Mirësjelljeje, që shkelet duke pështyrë në vatër. Higjienike- e lidhur me ruajtjen e shëndetit. Estetike: a nuk është e shëmtuar të pështysh në vatër e kudo?
Moral i lartë dhe mësim i vlertë që mali i ka dhënë fushës, që etërit ua kanë përcjellë bijve, një moral shqiptar i përjetshëm, sepse:
“Kam harrue shum sende që m’i than’ prindët
Shum tjera m’sova e dola ndoshta i larmë;
Por bijve të mij un kam me u thanë tu’u rritë:
Mos shkelni bukën,
Mos pshtyni në zjarm,
Mos pshtyni në dritë!”
Një hov lirik që njëmendëson si mesazhin më të qenësishëm traditën. Traditën si forcë, traditën si vlerë, traditën si identitet: identitet lënde, identitet shpirti, identitet qenësie.
“Trishtimi i kaluem i seme amë
jeton si gjaku i saj në mue
pse jam shqiptar.”
Me këtë traditë është e lidhur poezia e Camajt, “më evropianit prej poetëve tanë”. Në thelb, mesazhi i motivit është tradicional. Po atëherë çfarë është esenca evropiane tek ai? Në poezinë moderne, çdo hov lirik përmban në vetvete dimensione të shumta e të larmishme, të transmetuara me një mjeshtëri të lartë artistike. Dimensione që duhet t’i përjetojë lexuesi. Sado që, kur shkruante vargjet e kësaj poezie (v.1957), poeti nuk e kishte bërë të vetën praktikën krijuese poetike moderne, që heret poezitë e Camajt e kanë tharmin e saj.

Filed Under: Histori Tagged With: 90 vjetori, dielli, i lindjes, Martin Camaj

Prof. SAMI REPISHTI, NJRIU QË I SHERBEU TËRË JETËN ÇËSHTJES SHQIPARE

July 15, 2015 by dgreca

Me rastin e 90 vjetorit të lindjes së Dr. Sami Repishtit/
Nga Ramadan Gashi*/
Familjarët, kolegët e miqtë e shumtë të bashkatdhetarit tonë, humanistit të shquar shqiptaro-amerikan, edukatorit e intelektualit mendjendritur, ligjëruesit universitar, autorit, demokratit dhe luftëtarit të palodhur per te drejtat e njeriut, Dr. Sami Repishtit, kanë vendosur që më 18 korrik, në shenjë respekti për gjithçka që ka bërë për shqiptarët në Ballkan, ta shënojnë përmes një Simpoziumi në New York, 90 – vjetorin e lindjes së këtij burri të nderuar.
Unë, si njeri nga miqtë e tij të shumtë, pa pretenduar se po them diçka të re e të panjohur nga të tjerët, përmes këtij shkrimi, si një formë urimi, dua ta përgëzoj dhe t’ia uroj nëntë dekadat e jetës dhe shumë dekada të veprimtarisë patriotike: Shëndet të plotë e pleqëri të bardhë, siç e ke merituar, si dhe lumturi në familje, miku im i nderuar, Sami !
“Profesori që vazhdon te na mahnite me freskine dhe forcen e mendimit te tij”, siç e vlerësoi kohë më parë në një shkrim të tij, Z. Fotaq Andrea, u lind ne Shkoder, ku kreu edhe shkollën fillore e te mesme. Studimet universitare – histori moderne – i vazhdoi ne Universitetin e Firenze-s (Itali). Ne vitin 1943 u kthye ne Shqiperi dhe u aktivizua ne Lvizjen e Rezistences kunder okupatorit, pa u përfshirë në anetarësi partiake. I shgenjyer nga propaganda dhe terroi i PKSH-se, ai shpejt mori nje qendrim opozitar qe i kushtoi 14 muaj torturë çnjerëzore në hetuesi, si dhe dhjete vjet burgim e pune te detyrueshme. Doli nga burgu më 1956. I perbuzur dhe i perndjekur, asnjëherë konformist, ne gusht 1959 vendosi të arratisej dhe u arratis ne Jugosllavi. Babai i tij, viktime e fashizmit, Nana, 54 vjeçare, motra (14) dhe vellau (11), viktima te terrorit komunist, u internuan ne Berat dhe ne Veliqo te Tepelenes per disa vite. Në Jugosllavi, ku kishte kërkuar storehim të përkohshëm, vuajti nji vit burg -incommunicado – per idete e tij pro-prendimore dhe u mbyll ne nji kamp refugjatësh, nga ku merr arratinë perseri dhe ikën ne Itali. Ne vitin 1962 emigroi ne SHBA.
Me gjithe vuejtjet e rënda e te gjata, ish i burgosuri Sami Repishti, nga kampet e punes se detyrueshme të Shqipërisë, ia doli të ngjitet ne sallat e univeristeteve te New Yorkut dhe Parisit, ku perfundoi studimet e larta për letersi e qytetërim francez. (Ph.D. French ’77). Në saje të punës së pandalur dhe pergatitjs intelektuale, Prof. Repishti arriti të ligjërojë Prof. Repishti arriti te ligjeroje per 25 vjet ne gjimnazet amerikane (kryetar i departmentit per gjuhet e hueja) dhe si pedagog i jashtem prane Adelphi University (N.Y.)
I pensionuar ne vitin 1991, Dr. Repishti, krahas punës shkencore, tërë fuqinë e tij intelektuale e vuri ne sherbim te çeshtjes shqiptare, sidomos te çështjes së “Shqiperise Lindore”, siç i quante ai toket e banuara nga shqiptaret jashte “Shqiperisë Londineze” (Kosove, Maqedoni, Presheve, Mal i Zi dhe Çameri). Autori i shume studimeve te veçanta monografike, të shkruara nga vetë ai, ose si bashkeautor, Prof. Repishti ka botuar në shtypin shqiptar dhe të hua qindra artikuj, ese, memorandume, peticione, etj. mbi problemet shqiptare në Ballkan, si dhe lidhur me shkeljen e te drejtave te njeriut gjithandej.

Eksperienca e tij ne burgjet komuniste pershkruhet ne dy vllime: “Pika loti” – Tregime burgu (1997, 2008) dhe “Nen hijen e Rozafés” (2004).
“Kosovari nga Shkodra” – siç e quajme ne “kosovaret” ne SHBA, qe kur kishte ardhë në Amerikë, ishte bërë pjesëmarres aktiv ne jeten e bashkesise shqiptare në ketë vend. Ai eshte i pari shqiptar qe ka deshmuar per Kosoven para Kongresit amerikan (1965), duke mbajtur kontakte te vazhdueshme me Departmentin e Shtetit dhe Shtepine e Bardhe, gjithnjë per çeshtje shqiptare. Ne vitin 1982, ka organizuar (bashke me Prof. Arshi Pipen) Konferencen Nderkombetare per Kosoven, suksesi i pare dhe i madh për nderkombetarizimin e problemit kosovar ne Amerike. Ne vitin 1986, ka kerkuar nga N/Presidenti George H.W.Bush hapjen e Zyres Informative Amerikane ne Prishtine (“syte dhe veshet e SHBA-se ne Kosove”) dhe hapjen e zyres se LDK-se ne Washington, DC, kerkese qe u plotesue ne vitin 1997. Dr. Repishti ka bashkethemelue organizaten Rinia Shqiptare Kosovare ne Boten e Lire (1968-2000) Kosova Relief Fund USA, Inc, (1978-2000) American Friends of Albania (1992-96) dhe Keshillin Kombetar Shqiptaro-Amerikan (1996 ) I njohur si “lobby” shqiptaro-amerikan më me influence (president 1996-98). Per veprimtarine e tij te palodhshme, Dr. Ibrahim Rugova Presidenti, tashmë Historik, i Kosoves, shkruante:
I dashuri Sami
Jam I bindur se kemi te perbashket gezimin per hapjen e Zyres Informative Amerikane ne Prishtine, per te cilen Ju jeni angazhuar dhe keni punuar me tere qenien, bashke me shume miq amerikane dhe veprimtare te çeshtjes se Kosoves dhe te kauzes shqiptare ne SHBA. Hapja e kesaj Zyre ne Prishtine pa dyshim eshte kurorezimi me sukses i punes Suaj, prandaj me lejoni t’ju shpreh pergezimet me te perzemerta.
Besoj se Ju me dijen, pervojen dhe kurajon e pashmebullt do te punoni edhe ne te ardhmen per sensibilizimin e opinionit shteteror e publik amerikan per pavaresine e Kosoves dhe per çeshtjen shqiptare ne pergjithesi.
Ne emer te popullit te Republikes se Kosoves dhe ne emrin tim personal, Ju falenderoj edhe nje here per punen e madhe qe po beni ne Amerike, dhe Ju uroj shendet te mire e jete te gjate.
Kryetari Republikes se Kosoves (firma) Dr. Ibrahim Rugova
Prishtine,15 qershor 1996
Ne vitin 2003, Dr. Rugova i dha profesorit, Medaljen e Arte te Lidhjes se Prizrenit.
Dr. Sami Repishti ka shpërfaqur aftesite dhe frymen e tij patriotike gjitheshqiptare per me shume se 50 vjet qendrimi ne SHBA. Ai ka qene gjithehere element përbashkues i komunitetit tone, frymezim per te gjithe, te rinj e te vjeter. I pergatitur ideologjikisht e kulturalisht per te luajtur nje rol udheheqes ne ditet e trurbullta por vendimtare, Prof Repishti ka deshmuar forcen e karakterit dhe të përkushtimit të tij, pa kushte, ndaj çeshtjes se mbrojtjes të të drejtave te njeriut, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare, mbetur padrejtësisht nën pushtimin jugosllav, si dhe të shqiptarëve në Çamëri. Ai ka qene dhe ka mbetur si nje shembull i shkelqyer i figures pa komplekse partizanie politike, pa anime krahinore, pa paragjykime fetare ose tendenca negative përçarëse, qe, fatkeqësisht, shpesh here e kane ngadalesuar veprimtarine atdhetare te bashkesise sone shqiptaro-amerikane.

Autori dhe historiani shqiptaro-amerikan, Peter R. Prifti , ne vitin 2003, e percaktonte keshtu rolin e tij: “Per mendimin tim, prof. dr. Sami Repishti qendron ne krye te intelektualeve te diaspores shqiptaro-amerikane. Ai eshte pasardhes i denje i Rilindasve, sepse ka zbatuar me besnikeri idelaet e tyre te larta”.

Per te kaluaren e tij te pasur, per te tashmen e tij frymezuese, dhe per sigurine qe kemi se edhe ne te ardhmen ai do te vazhdoje rrugen e gjate te çlirimit social dhe te emancipimit te te gjithe shqiptareve, ai ka fituar admirimin e madh nga te gjithe ne, ne kete atdhe te adoptuar, si dhe vleresimin e udheheqesve te Shqiperise, Kosoves dhe Shteteve te Bashkuar të Amerikës. Ne vitin 1992, Presidenti i Shqiperise, Dr. Sali Berisha i akordoi Medaljen e Arte – Pishtar I Demokracise me kete motivacion:

”I perkushtuar qe ne moshe te re ndaj çeshtjes se drejtesise shoqerore, armik i përbetuar i diktatures komuniste, intelektual dhe studiues, erudit, i cili gjithe veprimtarine e tij te panderprere e vuri ne sherbim te çeshtjes shqiptare, te zhvillimit te kultures shqiptare, mbrojti interesat kombetare, sidomos punoi me perkushtim per te njohur te drejtat legjiltime te popullit tone ne Kosove duke arritur qe çeshtjen kosovare ta nderkombetarizoje ne qarqet me te larta shtetrore te Europes, te Amerikes dhe ne organizmat nderkombetare”.

Ne vitin 1997, Presidenti i Shteteve te Bashkuara, William J. Clinton, i shkruante:
“Sami Repishti, Ph .D. President i Keshillit Kombetar Shqiptaro-Amerikan, Suite 400, 1825 I Stret N.W. Washington,D.C.
I dashuri Sami,
Falemnderit per Letren tuaj te 13 qershorit ne lidhje me gjendjen e shqiptareve etnike ne Ballkan. Shqiperia ka arrijte nje pike kritike ne rrugen e saj per demokraci, dhe paqesimin e kaosit qe mbizoteron atje qe nga Marsi ka marre nji perparesi ne politiken tonë të jashteme.
Administrata ime eshte njekohesisht e shqetesuar per akuzat qe vijne nga shkeljet e te drejtave te njeriut, veçanerisht ne lidhje me Kosoven. Shtetet e Bashkuara perkrahin perpjekjet e popullit te Kosoves per siguruar te drejtat e tyne njerëzore, me mjete paqesore dhe demokratike. Per kete qellim, tani se voni kemi hapur nje Zyre Informative Amerikane ne Prishtine dhe ne kemi ngritur zerin dhe shqetesimet tona para autoriteteve ne Beograd ne nivelet me te larta. Respekti per te drejtat e njeriut ne Kosove eshte nje element kyç per sanksionet tona kunder Serbise, dhe per derisa te mos behet perparim ne kete fushe, Shtetet e Bashkuara nuk do t’i normalizojne marredheniet diplomatike me Beogradin. Per me teper, ne do te vazhdojme të kundershtojmë anetarsine e Beogradit ne institucionet nderkombetare….
Me lejoni t’ju siguroj se Administrata ime eshte e vendosur te punoje per perparimin e te drejtave te te gjithe qaytetareve ne Ballkan, si dhe te vazhdoje perpjekjet tona drejt nje zhvillimi te demokracise dhe rivendosjen e rendit ne Shqiperi. Perseri, ju falendroj per interesin aktiv qe ju tregoni per kete problem me rendesi.
Sinqerisht i juaji, (firmosur) Bill Clinton”.
Per keto arsye, bashkesia shqiptare-amerikane, koleget edhe miqte e Dr. Sami Repishtit kane vendosur qe me daten 18 korrik 2015, te mbahet nji Simposium “Jeta dhe Vepra e humanistst shqiptaro-amerikan Sami Repishti” Ky tubim shkencor do te mbahet ne International House, “Hall of History” , 500 Riverside Drive, New York City,N.Y
Me kete gjest, shqiptaro-amerikanet, sidomos ata me prejardhje nga Kosova, shprehin mirenjohejen e thelle per “Kosovarin nga Shkodra” dhe i urojne atij jete te gjate, shendet te plote e lumturi familjare.
Urime, Profesori ynë i nderuar!
* Autori jeton dhe vepron ne New York qe nga viti 1975, ka qene bashkepunetor i te ndjerit Presidentit Dr.Ibrahim Rugova. Njiherit eshte edhe kryetar i Deges se LDK-se per tre shtetet :N.Y, N.J. dhe CT.Eshte anetar i Keshillit te VATRES

Filed Under: Komunitet Tagged With: 90 vjetori, i lindjes, Ramadan Gashi, te Prof. Sami Repishti

MIQTE E PROF.SAMI REPISHTIT, SIMPOZIUM PER 90 VJETORIN

July 12, 2015 by dgreca

Miqte dhe koleget e Prof. Sami Repishtit do the organizojne nje Symposium kushtuar 90 vjetorit the Linndjes. Per te mesuar me shume klikoni mbi poster…

Filed Under: Featured Tagged With: 90 vjetori, Sami repishti, Simpozium

Artikujt e fundit

  • Xhevat Kallajxhiu, kontributi patriotik e publicistik nga “Zëri i Amerikës” te gazeta “Dielli”  
  • Në veriun e Mitrovicës para 23 viteve serbët vranë e dëbuan shqiptarët
  • Boshnjakët dhe shqiptarët kërkojnë reciprocitet të të drejtave
  • Maya Angelou mbretëresha e poezizë zezake 
  • SHQIPTARO-AMERIKANËT SHËNOJNË 1-VJETORIN E VARRIMIT TË SENATORIT BOB DOLE
  • New Proposal on School Meals Includes First Limits on Added Sugars
  • Nga Dante Aligieri dhe piktori i famshëm italian Mariotto Albertinelli tek djali i Drenicës përndjekur nga genocidi serb
  • SHQIP NË ASPROPIRGO – ATHINË
  • 15 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS NË NEW YORK
  • Emri im nuk është Marjuana!
  • PIKËPYETJE…
  • William McKinley, Presidenti i 25-të i ShBA
  • Kosova’s 15th Anniversary of Independence Celebration
  • PAL ËNGJËLLI, KRYEIPESHKËV I DURRËSIT I SHKRUAN GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT – PRINCIT TË EPIROTËVE PËR FILLIMIN E LUFTËS KUNDËR SULLTANIT OSMAN – MEHMETIT TË II-TË
  • In Memoriam Presidenti Woodrow Wilson

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT