Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Korrik 2015-Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës nisi me përkujtimin e masakrës së Srebrenicës të para 20 viteve, në Bosnjë e Hercegovinë, po edhe të masakrave në Kosovë në luftën e para mëse 16 viteve të forcave serbe të Slobodan Miloshevicit, i cili më pastaj ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se, “20 vite më parë në verën përvluese të vitit 1995 në qytetin Srebrenica të Bosnjës u bë krimi më i madh në Evropë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”.
Ai përkujtoi se në masakrën e Srebrenicës, të gjenocidit e spastrimit etnik, që tronditi botën, mbi 800 burra u masakruan barbarisht nga njësitë ushtarake të gjeneralëve serbë të Miloshevicit dhe se e njëjta barbari e forcave serbe u shfaq pastaj në fshatrat e qytetet e Kosovës.
“20 vite pas krimit në Srebrenicë, e 16 vite pas krimeve të bëra në Prekaz, Izbicë, Suharekë, Mejë, Gjakovë e vende tjera të Kosovës drejtësia nuk është përmbushur akoma. Është e domosdoshme që drejtësia të vihet në vend, sepse krimet e padënuara ndjellin vetëm kobe të reja”, u shpreh kryeparlamentari kosovar, Veseli.
“Duke iu bashkuar përkujtimit global që po i bëhet Masakrës së Srebrenicës në 20 vjetorin e saj, në nderim të viktimave ju ftoj për një minutë heshtje”, përmbylli fjalën e tij kryetari i Kuvendit të Kosovës, në fillimin e seancës plenare.
Pas nderimit me një minutë heshtje, seanca vazhdoi sipas axhendës me deklarime jashtë rendit të ditës dhe të parit fjala iu dha deputetit të partisë boshnjake të Kosovës VAKAT, Qerim Bajrami nga Grupi parlamentar Gjashtë Plus, i komuniteteve pakicë, i cili poashtu përkujtoi masakrën e Srebrenicës, duke u shprehur se ishte dita më e zezë në historinë e popullit boshnjak në Ballkan. “Nuk ka pajtim në Ballkan pa gjykimin e drejtë të krimit”, theksoi ai, ndërsa njoftoi se në qytetin e Prizrenit sot për 20 vjetorin e masakrës së Srebrenicës do të organizohet një marsh nga dy organizata joqeveritare të boshnjakëve përkrahur edhe nga komuna e qytetit më të madh jugor të Kosovës.
Teki Dervishi, i përndjekur edhe në parajsë
Nga Fahri Xharra/
Me sa dhimbsuri flasim për kohërat që nuk linin të shprehnin atë që donim , atë që të gjithë e mirëprisnim dhe qoft mëshehtas apo haptass e lexonim, atë që ngriste rrënqethje trupi dhe besa edhe injorim nga “ shoqëria “ e kohës.
Por Kalosh Çeliku në një shkrim të tij shkruan : Teki Dervishi, i përndjekur edhe në parajsë. Po si ore , që në kohën e sotit të ndiqet edhe në parajsë . E shifni që nuk e kemi seriozisht kur flasim . Më qëllim e mora për analizim figurën e një të përndjekuri edhe sa ishte ,por edhe në amshim.” Teki Dervishi, njëri ndër shkrimtarët disident më të përndjekur në sistemin komunist, i cili gjithë jetën për së gjalli nuk do t’i përvidhet as burgut më famëkeq të Goli Otokut, edhe pas ikjes fizike nga mesi ynë në një mënyrë të përçuditshme (në “heshtje”), nuk do do t’i shpëtojë as përndjekjes të Policisë secrete letrare edhe në Parajsë.”
Por ne vazhdojmë të vajtojmë me të drejt. Por në cilët veshë po shkon kjo gjëmë e jona ?
Vargani it ë përndjekurve është i gjatë dhe me peripeci të shumta, të dhimbshme “Edhe në Kosovë nuk është hiç me mirë. Herë për shkak të autorit e herë për shkak të ideve të “zbiriluara” të veprës, anomalitë e tilla manifestoheshin me dekada…. Nuk duhej t’i botohej Teki Dervishit, sepse “helmonte rininë me shkrimet e tij”, siç qe shprehur një funksionar partiak i viteve. Kështu e pësuan veprat për bindjen e autorit, si romani “Njerëzit” i Hivzi Sulejmanit, që njëherë ishte edhe pushtetar, duke e botuar me vonesa disa vitesh apo duke mbetur dorëshkrim edhe sot pjesa e dytë e romanit po me këtë emër. . Apo vonesa e madhe në botim e romanit “Jeta e një maturanti” e Xhemil Dodës, edhe pse i vëllai i ishte vrarë për ditët më të mira të këtij populli. Ishin të shumtë madje krijuesit e rinj të kohës, të cilëve u merrej e drejta e publikimit. Sistemet totalitare kishin mënyrën e njëjtë të veprimit dhe të sundimit, kudo që ishin, ngase kishin burimin e njëjtë ideologjik dhe frymëzues. Për ta mbajtur postin pa të drejt, ata përdorin mjeshtëritë perfide, siç ishte kontrolli mbi gjithçka, e në veçanti mbi artet e letërsinë, e cila u shërbente për programin, qoftë të ideologjisë komuniste të personaliteteve pushtetore. Ata për t’i pasur nën zap, përdornin frikën, dhunën deri edhe asgjësimin.( Sinan Gashi, Hakërrimi ideologjik mbi letërsinë kombëtare ) Fatkeqësia kombëtare ishte e madhe ( në atë që po e shajmë i madh e i vogël ) , por sot sa i vlerësojmë po ata krijues të temave të mëdha kombëtare dhe që e kishin mbajtur gjallë kombëtarizimin brenda e jashtë atdheut politik të shqiptarëve. ? Sot ku jemi ?
Deshta që me disa fjalë t`i jap vend në mënyrën time , në kujtesën e të “vjetërve” por edhe të “rinjve”, figurës shumë markante të letërsisë shqiptare në Kosovë, figura që pëndiqet edhe në amshim Teki Dervishit nga Gjakova .Fatkeqësia kombëtare ishte e madhe ( në atë që po e shajmë i madh e i vogël ) , por sot sa i vlerësojmë po ata ata krijues të temave të mëdha kombëtare dhe që e kishin mbajtur gjallë kombëtarizimin brenda e jashtë atdheut politik të shqiptarëve. ?
I madh ishte Teki Dervishi se duke i ditur “miqtë” e tij në jetë, punë, varrime dhe rivarrime para kamerave televizive, do ta lë me testament (amanet), që varrimi i tij të bëhet në mesin e ngushtë familjar, pa “miq” e pa ceremoni mortore.” Populli thotë: Uji fle, por hasmi nuk fle. Edhe përndjekësit e Teki Dërvishit në kohën e sotshme nuk i merr gjumi. Natë e ditë shohin ëndrra të tmerrshme. Frikë kanë se, Shkrimtari do t’u ngritet nga varri dhe do t’u kërkojë përgjegjësi morale e politike për gjithë ato përndjekje të papara deri më sot për së gjalli. Që nga ditët e vuajtjes së dënimit si i ri me burg të rëndë në Goli Otok e deri te punësimi i tij në gazetën “Flaka e vëllazërimit”, në Shkup (K.Ç)
Ishte koha kur një ditë do të provokohet nga “policë – redaktorët” cenzurëkuq në redaksi, që të dalë me shkrime edhe kundër Ismail Kadaresë. Shkrimtari nuk do të bie në këtë provokokim politik, prandaj edhe policët “letrar” të redaksisë do ta përzënë nga puna, hedhin në rrugë Shkrimtarin si “irredentist, separatist e nacionalist i rrezikshëm për Shtetin”.
Shikoni ne dijmë të bëhemi edhe artista si “miqtë” e tij të penës, të cilët sot e përkujtojnë kokë më kokë pa fije turpi e morali me vajtime e përkujtime patetike, që dikur dolën me shkrime edhe kundër shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare në vazhdime do t’i derdhin lotët e rrejshëm rrëke nëpër faqe. Njeri i gjallë nuk do të gjendet t’i qetësojë pak, rroki për krahu t’ua fshi lotët e rrejshëm me faculetë. Boll mo , mos rreni!
(Shtëpia e sëmurë (1978), Zbutësi i njerëzve me sy prej zumryti (1979) Thashë (1981), Herezia e Dërvish Mallutës (1981), Bregu i pikëllimit (1985), Pranvera e librave (1990), Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit (1990), Palimpsest për Dush Kusarin (1993), Kufiri me atdhe (1996), Nesër nisem për në Parajsë (1999), Ku është populli (2003) etj)
Teki Dervishi lindi në janar të vitit 1943 në Gjakovëdhe vdiq në Qershor 2011 .. Pas shkollimit fillor ai i ra në sy regjimit serb të asaj kohe dhe u burgos e u dënua që në moshën 17 vjeçare, ku vuajti dënimin disavjeçar në burgjet serbe. Teki Dërvishi është ndër të burgosurit më të rinj shqiptar që vuajti në burgun famëkeq jugsollav të Goli Otokut .Teki Dervishi gjatë gjithë jetës së tij u mor me shkrime letrare e publicistike. Është autor i rreth 90 veprave letrare artistike, romane, poezi, drama. Është autor i romaneve: Pirgu i Lartë, 1972, Padrona, 1973, Skedarët. 1974, Herezia e Dervish Mallutës, 1981, Palimpsest për Dush Kusarin, 1993. I përmbledhjes së tregimeve: Etje dhe Borë, I vëllimit të poezive Nimfa 1970, Shtëpia e Sëmurë 1978, Thashë 1981, Nimfa 1986. Ka botuar edhe këto drama: Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi, 1979, Bregu i Pikëllimit, 1985, Pranvera e Librave, 1990, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, 1990, Kufiri me atdhe, 1996, Vojceku, 1996, Eshtrat që kthehen vonë, 2000, Nesër nisemi për Parajsë, 1999, Ku është Populli?, 2003 si dhe i veprës me ese e kritika mbi teatrin Qan e qesh Talia 1978. ( Bota sot)
Poezia e tij është e jashtëzakonshme, vlerat e saj i kanë siguruar vend të veçantë në panteonin e poezisë shqipe. Dramat e Teki Dervishit siç ia pohonin edhe miqtë të tij perëndimor, jo vetëm se ishin të jashtëzakonshme, por ia kishin siguruar Teatrit shqiptar, repertoarin për një shekull! (Por, sa ka regjisor të zot që mund ti vë në skenë ato). Proza e tij është po aq e jashtëzakonshme!
Numri i përgjithshëm i veprave të tij, kalon mbi 90, nga poezia tek publicistika!
Si i tillë homazhet për Teki Dervishin do të mbesin të përjetshme!
Presidenti Nishani priti Kancelaren gjermane, Angela Merkel
Tirane,8 korrik 2015-Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti në një takim Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Sh.S.Znj. Angela Merkel, e cila ndodhet në Shqipëri në një vizitë zyrtare në kuadrin e një turi diplomatik në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen dhe falënderimet në emër të qytetarëve shqiptarë për vëmendjen e mbështetjen që Kancelarja Merkel dhe Gjermania në tërësi po i japin vendit tonë si dhe për kontributin e madh ndër vite që institucionet dhe populli gjerman kanë dhënë për zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e institucioneve demokratike në Shqipëri. Duke theksuar se sot është një ditë historike për marrëdhëniet mes dy vendeve, Kreu i Shtetit u shpreh se: “Kjo vizitë përbën një mesazh i rëndësishëm inkurajues për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë, të cilët shohin tek Gjermania një vend simbol të punës, dinjitetit dhe prosperitetit”.
Nga ana e saj, Kancelarja gjermane u shpreh se: “Jam tejet e impresionuar nga përparimi i bërë nga Shqipëria pas viteve 1990-të, duke ditur dhe kuptuar vështirësitë historike nga jeni nisur dhe çka keni arritur deri më sot”.
Presidenti Nishani e garantoi Kancelaren Merkel se Shqipëria është e vendosur të vijojë me rrugën e reformave për konsolidimin e institucioneve demokratike që do të çojnë vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se: “Integrimi evropian mbetet alternativa e vetme për Shqipërinë dhe shqiptarët.”
Presidenti i Republikës theksoi se ndërtimi i institucioneve efikase dhe kultura demokratike janë dy sfidat madhore të vendit, dhe në këtë kontekst kërkoi vijimin e mbështetjes gjermane. Gjithashtu Presidenti siguroi se ndër 5 prioritetet e integrimit evropian, përparësi të veçantë merr reforma në drejtësi, duke e garantuar Kancelaren për angazhimin e tij maksimal në çuarjen e kësaj reforme përpara.
Kancelarja Merkel vuri në dukje se përkundër pretendimeve për një lodhje evropiane ndaj zgjerimit, ajo çfarë e shpejton procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, dhe vendeve të tjera janë reformat e thella e të suksesshme. Zonja Merkel veçoi reformën në drejtësi si çelësin e këtij suksesi, për të cilën Gjermania do të vazhdojë të japë ndihmën maksimale.
Zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve ekonomike, dhe veçanërisht rritja e investimeve direkte gjermane, ishte një prej temave të tjera të diskutuara mes Presidentit Nishani dhe Kancelares Merkel. Presidenti Nishani e garantoi Kancelaren Merkel se: “Investitorët gjermanë do të gjejnë tek Kryetari i Shtetit shqiptar një zë të fuqishëm dhe mbështetës”, duke shpresuar që kjo të ndodhë sa më parë.
Kancelarja Merkel vuri në dukje se ka mundësi dhe shanse për bashkëpunim më të mirë në fushën ekonomike, duke parë tek Shqipëria potencialin për një të ardhme të shkëlqyer përpara.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit rajonal, për të cilën Kancelarja Merkel përshëndeti zhvillimet pozitive dhe frymën e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. Duke shprehur vullnetin e Gjermanisë për ta ndihmuar rajonin në realizimin e projekteve rajonale zonja Merkel veçoi projektin e shkëmbimeve mes të rinjve, sipas modelit franko-gjerman. Presidenti Nishani e garantoi Kancelaren Merkel se Shqipëria beson tek fqinjësia e mirë, paqja, stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit dhe se konsideron që vendet tona kanë një shans historik për të bashkëpunuar me vullnet të mirë.
Kreu i Shtetit u shpreh se procesi i nisur një vit më parë në Berlin, me nismën e Kancelares e që do të vijojë këtë vit në Austri, i ka dhënë një vizion dhe optimizëm të ri bashkëpunimit rajonal, duke prodhuar një komunikim, bashkërendim dhe koordinim më të mirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Një temë tjetër me interes ishte dhe çështja e azilkërkuesve, për të cilën Kancelarja gjermane theksoi se duhet të bëhet më shumë punë për përmirësimin e kushteve ekonomike të njerëzve në vendin e tyre, dhe se shqiptarët sot janë qytetarë të një vendi kandidat për në Bashkimin Evropian, dhe si të tillë kërkesat për azil përbëjnë një shqetësim.
VEÇOJMË NGA VIZITA E KANCELARES MERKEL NË TIRANË
*Angela Merkel: Ju mbështesim në rrugën drejt BE-së/
*Kryeministri Rama: Europa ka nevoje per Ballkanin Perendimor/
Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët me znj. Angela Merkel, tha se kancelarja gjermane e kupton vështirësinë dhe përpjekjen e Shqipërisë “në rrugën drejt një demokracie europiane”. Rama e falenderoi kancelaren Merkel në emër të të gjithë shqiptarëve për mbështetjen ndaj vendit në aspiratën për integrim në BE./
Fillimisht në fjalën e tij, Rama i ka shprehur mirënjohjen e tij kancelares Merkel për “dorështrëngimin e Shqipërisë dhe Gjermanisë”, që nënkupton, sipas tij, vëmendjen e Berlinit ndaj rajonit për çështje shumë të gjera.
“Kjo vizitë është një fakt kuptimplotë i bashkëpunimit dhe vullnetit për të forcuar partneritetin mes nesh. Zonja kancelare, ju falenderoj për mbështetjen tuaj për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe integrimin e saj”, ka thënë Rama.
Ai ka vlerësuar se “konferenca e Berlinit përshpejtoi një proces bashkëpunimi në një rajon që ka qenë peng i së shkuarës” dhe një vit prej andej është arritur një progres i pamenduar më parë, që kulmoi me vizitat e kryeministrave në Beograd dhe Tiranë.
“Ne jemi të vendosur të ecim përpara me fqinjin tonë serb, duke përforcuar marrëdhëniet me të”, ka thënë Rama, i cili sa i takon integrimit të rajonit në BE ka thënë: “Ballkani ka nevojë për Europën po aq sa Europa ka nevojë për Ballkanin. Ne synojnë të gjithë aderimin në BE, por edhe Europa duhet të bëjë pjesën e saj, duke mos e trajtuar integrimin tonë si një biznes”.
“Ne nuk kërkojmë lehtësime apo shkurtime të kushteve nga Brukseli dhe ato që po bëjmë për integrimin po i bëjmë jo sepse na i kërkon Brukseli, por sepse i kërkon vetë shoqëria shqiptare”, ka përfunduar Rama.
Nga ana e saj, kancelarja Merkel ka shprehur “kënaqësinë e madhe” të saj që mbajti premtimin për të ardhur në Tiranë. Ajo ka theksuar se, kjo vizitë duhet të shërbejë si shtysë për të forcuar partneritetin ekonomik mes dy vendeve.
“Shqipëria ka bërë një progres mjaft të madh. Kemi mundesi më të mëdha për të arritur nivele të tjera në bashkëpunimin ekonomik. Bashkëpunimi ekonomik është një aspekt që shënon një pikë të rëndësishme në rrugën tuaj drejt BE-së”, ka thënë Merkel.
Përmes bashkëpunimit, ka nënvizuar kancelarja, Shqipëria ka mundësinë të përfitojë nga ekspertizat më të mira për reformën në drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Një tjetër pikë ku është fokusuar ajo ka qenë edhe bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit, aspekt në të cilin, sipas saj, është bërë progres me vizitën e kryeministrit Vuçiç në Tiranë dhe atë të kryeministrit Rama në Beograd.
Më pas, përballë pyetjeve të mediave sa i takon procesit të integrimit dhe afateve të mundshme të tij, kancelarja dhe kryeministri shqiptar kanë dhënë këto përgjigje: “Nuk po përcaktojmë afate të qarta në procesin e integrimit, ajo ku jemi fokusuar është kryerja e reformave. Në reformën në drejtësi janë bërë progrese, por nuk është realizuar tërësisht. KE i kushton rëndësi të plotë kësaj. Ne e duam anëtarësimin e vendit tuaj, por është një proces që merr vlerësimet gradualisht”.
“Në fund të vjeshtës së këtij viti do t’i plotësojmë të gjitha kushtet, përfshirë paketën për reformën në drejtësi. Integrimi është një proces që në radhë të parë vlerën e ka këtu dhe për ne. Ato që bëjmë janë detyra që i vlejnë modernizimit të shtetit. Kur të kemi plotësuar këto kushte, unë jam i bindur se kancelarja Merkel do të jetë e para që do të na mbështesë”, ka thënë Rama.
Merkel:JO AZIL NGA SHQIPERIA, Kërkojmë fuqi punëtore të kualifikuar
Në lidhje me çështjen e azilantëve, kryeministri Edi Rama nënvizoi edhe një herë tjetër se “shqiptarët nuk kanë të drejtë azili në BE”, por nga ana tjetër tha se ky është një problem social që mund të lehtësohet me ndihmën e BE-së.
“Shqiptarët nuk kanë të drejtë azili në BE, por kjo çështje duhet parë jo vetëm si çështje sigurie, por si një problem social që lehtësohet përmes mbështetjes ekonomike të BE-së ndaj vendit tonë”, tha Rama.
Ndërsa kancelarja Merkel tha se “Shqipëria nuk është një vend prej të cilit azilkërkuesit do të njihen si azilantë”. “Por bën pjesë tek ato vende që mund të ofrojnë fuqi punëtore të kualifikuar”, shtoi ajo.
Merkel dhe Rama fjalim nëforumin ekonomik Shqipëri- Gjermani
“Bashkëpunimi ekonomik, baza e partneritetit”/
Kancelarja gjermane, Angela Merkel e përmbylli vizitën e saj në vendin tonë me pjesëmarrjen në forumin ekonomik Shqipëri- Gjermani, të organizuar në Vorë, pranë aeroportit të Rinasit.
Edhe këtu kancelarja gjermane i tregoi Shqipërisë, e cila tashmë e ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE, që nuk ka pse të dërgojë emigrantë jashtë vendit, pasi Gjermania ka kërkesa për fuqi punëtore dhe Shqipëria i ka këto kapacitete të punonjësve të kualifikuar.
“Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE dhe këtë e merr një vend që ka krijuar kushtet bazë për t’u anëtarësuar dhe Shqipëria nuk ka pse dërgon emigrante jashtë vendit. Gjermania ka kërkesa për fuqi punetore dhe Shqipëria i ka këto kapacitete të punonjësve të kualifikuar. Unë dëshiroj t’ju inkurajoj në formimin profesional, pasi do të krijonte mundësine që të rinjtë të jenë të suksesshëm në fusha të caktura. Ne në Gjermani mund të mbështesim kualifikimin profesional të punonjësëve, si infermiere apo ekuivalentimit të diplomave”-tha Merkel.
Në fjalën e mbajtur në “Tirana Business Park” , Merkel vlerësoi shumë të rëndësishme marredhëniet ekonomike mes Shqipërisë e Gjermanisë.
“Është kënaqësi që shoh në këtë takim personalitete të shquara të biznesit gjerman. Kemi folur se çfarë mund të bejë politika dhe sipërmarrësit për intensifikimin e marredhënieve mes dy vendeve dhe ekonomia gjermane është e gatshme të investojë në Shqipëri kur ka garanci ligjore. Hapësirat e bashkëpunimit janë të mëdha në energji dhe në shumë fusha dhe ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë”- u shpreh ajo.
Nga ana e tij kryeministri Edi Rama duke i konsideruar si mjaft të rëndësishme investimet gjermane në vendin tonë, i shprehu mirënjohjen familjes Linder, e cila ka investuar 1200 milionë euro në vendin tonë.
“Kjo është një ditë e shënuar për raportet me Gjermaninë. I jemi shumë mirënjohës familjes ‘Linder’, jo vetëm sepse ka vendosur të investojë 100 milionë euro në vendin tonë, por sepse përmes këtij investimi po sjell një copëz Gjermanie në zemër të Shqipërisë. Po sjell një sipërrje të lirë si kontirubut ekonomik, social, urban. Një urë veprimi ku nuk do të qarkullojnë vetëm para, por edhe ide dhe kulturë baskëpunimi”-tha Rama.
Duke iu referuar, ‘Tirana Busines Park’, Kryeministri Rama theksoi se, “këtu parashikohet të punësohen deri në përfundim të investimit rreth 10 mijë vetë.
Por e rëndësishme është edhe fakti se sipërmarrja gjermane promovon biznesin në marrëdhëniet me ligjin dhe shtetin. Vendi ynë ka nevojë për para dhe punësim real, ndaj dhe sipërmarrja gjermane do të promovojë një kulturë të re pune në vendin tone”, tha Rama, i cili shtoi se me Gjermaninë diferencohemi jo vetëm me të ardhurat për frymë por edhe në dije.
Gjithashtu kryeministri solli shembullin e burimeve ujore dhe shfrytëzimin e tyre, që pavarësisht parasë së donatorëve vendi ynë vuan furnizimin me ujë dhe energji , edhe pse është vendi dytë më i pasur në Europë pas Norvegjisë.
Kryeministri Rama theksoi gjithashtu se donatrët kanë investuar edhe në rritjen e kapaciteteve.
“Donatori KFW nuk ka investuar vetëm në infrastukturë, por edhe në rritjen e kapaciteteve njerëzore përmes përcjelljes së dijes tek shqiptarët mbi sistemin e dijes dhe administrimin e dijes. Pra është një ndihmë që krijon sistem dhe sjell një kulturë të re menaxhimi”, tha Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se, “Jemi në luftë me imazhin dekurajues që është krijuar për vendin tonë ndër vite të tëra dhe me korrupsionin në drejtësi që është një kancer.
Presidentja Jahjaga takoi sot në Londër Ministren e shtetit për politikë të jashtme, Baroneshën Joyce Anelay
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga takoi sot në Londër Ministren e shtetit për politikë të jashtme dhe përfaqësuesen speciale të Kryeministrit britanik për parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, Baroneshën Joyce Anelay me të cilën diskutuan për iniciativat institucionale dhe shoqërore në Kosovë për t’i rehabilituar dhe reintegruar të mbijetuarit e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë dhe zhvillime të tjera në vend dhe rajon.
Presidentja Jahjaga e njoftoi Baroneshën Anelay për angazhimet ndërinstitucionale për t’iu ofruar mbrojtje ligjore dhe për të forcuar statusin juridik në shoqëri të mbijetuarve të këtij krimi të luftës. Presidentja Jahjaga theksoi se kjo kategori në Kosovë tashmë ka statusin e viktimave civile të luftës dhe që me nxjerrjen e akteve nënligjore do të njihen dhe mbrohen si grup i margjinalizuar. Ajo foli edhe për nevojën që të mbijetuarit e dhunës seksuale të fuqizohen ekonomikisht për t’iu krijuar një të ardhme më të qëndrueshme, dhe për të mundësuar qasje të barabartë në drejtësi në përpjekje për t’i vënë para drejtësisë kryesit e këtyre krimeve të tmerrshme. Presidentja i dhuroi një kollazh fotografish nga instalacioni artistik Mendoj për Ty që u është dedikuar të mbijetuarve të dhunës seksuale, fushatë për të cilën kishte dhuruar fustanin e saj të veshur në një moment të veçantë të karrierës së saj.
Në takim ku morën pjesë Ambasadori i Republikës së Kosovës në Britani, zotëri Lirim Greiçevci dhe Ambasadori britanik në Kosovë, zotëri Ruairi O’Connell, Presidentja Jahjaga falënderoi Baroneshën Anelay për rolin e shtetit të saj dhe lidershipin që ka dëshmuar për senzibilizimin e botës dhe përpjekjet konkrete për t’i dhënë fund dhunës seksuale si mjet lufte. Ajo në veçanti falënderoi Baroneshën për përkrahjen e qeverisë britanike institucioneve të Kosovës në përballjen me këtë pasojë të luftës.
Në takim gjithashtu u diskutua për zhvillimet rreth themelimit të Gjykatës Speciale. Presidentja Jahjaga shprehi zhgënjimin e saj me mosvotimin e amandamenteve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale dhe theksoi se pret nga institucionet e vendit të gjejnë mënyrën dhe kurajon që të përmbushin këtë obligim ndërkombëtar në përputhje me vendimin e Kuvendit dhe të marrëveshjes ndërkombëtare.
Presidentja Jahjaga e siguroi Ministren britanike se Kosova është shtet që beson në drejtësi dhe që do të veprojë mbi këtë parim.
Ministrja Anelay falënderoi Presidenten Jahjaga për përkrahjen viktimave të dhunës seksuale dhe për përkushtimin e saj ndaj drejtësisë.