PRISHTINË, 10 Qershor/Po bëhen 137 vjet që kur më 10 qershor 1878 filloi organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një ndër lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e GJ. K. Skënderbeut dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e XV-të.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtarë shqiptar. Komiteti i Stambollit i themeluar nga ajka kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllav dhe ai grek, pasi Perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftërave ruso-turke më 1875/76, me shpejtësi po goditej dhe tronditej nga e ashtuquajtura “Kriza Lindore”, shqiptarët të cilët vepronin dhe punonin në kuadër të Perandorisë në fjalë, me kohë kishin nuhat rrezikun e copëtimit të troje ve të tyre. Prandaj, ata me shpejtësi themeluan “Komitetin e Shpëtimit” të trojeve etnike, transmeton KP.
Komitetin e Stambollit e përbënin një plejadë intelektualësh më të shquar të kombit në kohën aktuale të krizes lindore. Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zia Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Korenica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mon Tahiri etj. Këtyre intelektualëve do t`u bashkohet ideologu dhe patrioti i shquar i familjes së njohur Frashëri, Abdyl bej Frashëri.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pati karakter gjithëkombëtar, kurse Prizreni nuk u zgjodh rastësisht kryeqytet dhe seli, në të cilin u mbajt Kuvendi mbarëkombëtar shqiptar më 10 qershor 1878.
Kjo lidhje dhe Kuvendi i Prizrenit edhe sot e kësaj dite është një ndër ngjarjet më të rëndësishme historike që nga Lidhja e Lezhës e vitit 1444.
Kjo ngjarje e historisë të kohës së re, edhe pas 131 vjetëve, është e ngulitur thellë në memorien e çdo shqiptari që veten e njeh pjesëtarë të kombit shqiptar./KosovaPress/
Isa Boletini kthehet në Boletin, ceremonia në Mitrovicë me nderimet e gjithë kombit
MITROVICË, 10 Qershor/
Nga Behlul Jashari/.-Me Himnin Kombëtar Shqiptar dhe Himnin Shtetëror kosovar, në Mitrovicë, në Stadiumin e qytetit, u zhvillua sot në mesditë ceremonia qendrore e rivarrimit të Isa Boletini, me nderimet e gjithë kombit e pjesëmarrjen e përfaqësuesëve të institucioneve shtetërore nga Kosova e Shqipëria, ku ishte i pranishëm dhe presidenti Bujar Nishani.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalën e tij gjatë hapjes së ceremonisë së rivarrimit të Isa Boletinit duke iu drejtuar rinisë së Mitrovicës tha krenohuni ju bashkë me ne se pas 100 vitesh kemi tribunin popullor, gjeneralin e pavarësisë së tokave shqiptare Isa Boletinin”.
“Boletini po kthehet sot i fundit nga beteja e madhe per lirinë e Kosovës, një shekull zgjati kjo betejë nga Kaçaniku në Boletin. Kosova më në fund u bë e lirë, por kësaj lirie i mungonte diçka, i mungonte heroi i saj i madh, tribuni popullor Isa Boletini”, theksoi Veseli, duke shtuar se ne sot jemi të lirë, por kishim mall për ty.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në fjalën e tij theksoi se “sot në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit po nderojmë heroin e kosovës, tribunin e kombit shqiptar, Isa Boletinit, ashtu si ndodh gjithmonë me njerëzit e epokave edhe Isa ynë bëhet urë bashkimi për ne të gjithë pavarësisht nga bindja jonë politike apo prejardhja jonë rajonale. Përtej ngushtësive të pragmatizmit politik Isa Boletini ishte njeri i idealeve madhore kombëtare, duke qenë i këtyre përmasdave ai na bashkon edhe sot ditën kur po mbyllet udhëtimi i tij gjatë pothuajse shekullorë drejt Boletinit të tij aty ku lindi dhe ku e pret toka e tij vendi, i cili nga sot do të bëhet një panteon i ri i shqiptarizmit , një vend i shenjtë ku të gjithë ne do të përkulemi me nderim”.
“Isa Boletini po i kthehet sot vendlindjes , pasi ka udhëtuar në qendrat kryesore kosovarenëpër të cilat përcoi mesazhine unitetit dhe dashurisë pa kushte mes vëllezërve te nje gjaku e një gjuhe mes vëlllezërve të një fati e një ëndrre”, nënvizoi Mustafa.
Në fjalën e tij, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, tha se “Shqipëria dhe Kosova, dy shtete shqiptare, janë shndërruar në faktorë të paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Ballkan”.
“Shqipëria evropiane, Kosova evropiane, Kosova anëtare e OKB-së dhe në NATO, Ballkani evropian, janë mundësia dhe çasti ynë historik”, theksoi presidenti shqiptar në manifestimin e madh në Mitrovicë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafa në fillim të fjalimeve të tyre përshëndetë edhe pjesëmarrjen e kryetarit të PD-së, Lulëzim Basha, i cili po ashtu mbajti fjalë rasti, si dhe të Princ Lekës.
Pjesë e manifestimeve sot paradite në Mitrovicë ishte edhe seanca e veçantë e Kuvendit të Komunës jugore, në të cilin kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se, “në kohë të vështira për vendin dhe kombin, Isa Boletini u vu në ballë të lëvizjes sonë kombëtare për liri dhe pavarësi”.
“Me fuqinë e fjalës së tij ai udhëhoqi shumë kuvende për çështjen kombëtare dhe me guximin e tij prej komandanti popullor udhëhoqi shumë beteja, nga Kaçaniku deri në Shkup, nga Shkodra deri në Vlorë. Në vjeshtën e rëndë të viti 1912, Isa Boletini u nis nga malet e Kosovës për t’u vënë në mbrojtje të shtetit shqiptar të sapo shpallur në Vlorë”, theksoi kryeparlamentari kosovar, Veseli.
Ai vuri në dukje rëndësinë e rrolit të Isa Boletinit në mbrojtjen e çështjes kombëtare, angazhimin e tij të pandalshëm në diplomacinë dhe rrjedhat ndërkombëtare ku prekej interesi nacional si dhe aktivitetet e tij diplomatike jashtë vendit, duke e bërë kombin, Kosovën dhe Mitrovicën krenare.
Heroi Kombëtar, Isa Boletini, në ditën e 137 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kthehet sot përgjithmonë të prehet në Boletin, vendin e lindjes në rajonin e Mitrovicës në Kosovë, prej nga para më shumë se 100 viteve me 400 bashkëluftëtarët e tij shkoi në Vlorë në krah të Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në Vlorë, bashkëluftëtarët e Isa Boletinit përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë shqiptare të kryesuar nga kryetari i saj Ismail Qemali, themeluesi i shtetit shqiptar, firmëtari i parë të Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare.
Me nderimet e gjithë kombit e ceremonitë shtetërore manifestimet treditëshe në Kosovë të nisura në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare në Prizren, qytetin më të madh jugor, përmbyllen sot në qytetin më të madh verior, Mitrovicë, prej nga kortezhi niset edhe më tej në veri. Deri në Boletin, nga Mitrovica, arkivoli i Heroit Kombëtar Isa Boletini do jetë në shoqërim të familjarëve dhe të ftuarëve që do marrin pjesë edhe në ceremoninë e rivarrimit në ora 15:00.
Isa Boletini lindi në Boletin të Mitrovicës, në vitin 1864. U vra bashkë me shtatë nga njerëzit e tij në Mal të Zi, Podgoricë, mbi Urën e Moraçës, në 23 janar 1916.
Në vitin 1998, institucionet e Kosovës të lëvizjes për liri e pavarësi, të informuara se në vendin e varrezave në Podgoricës do të ngriheshin ndërtesa banimi, vendosën për një organzim që fshehurazi të sjellin në Mitrovicë eshtrat e Isa Boletinit dhe bashkëluftetarëve të tij për t’i ruajtur në fshehtësi, në rrethanat e rënda të okupimit e të luftës. Mëse 17 vite eshtrat qëndruan në thasë për shkakun e vetëm se familjarët e Isës donin që rivarrimi të bëhej me ceremoni ushtarake.
Garda Kombëtare Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës është pjesë e manifetimeve treditëshe në nderim të Heroit Kombëtar Isa Boletini, që dje u zhvilluan edhe në kryeqytetin e Kuvendin e Kosovës e zhvillohen edhe sot në Mitrovicë.
Në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas seancës së veçantë kushtuar jetës dhe veprës së heroit kombëtar, Isa Boletini, dje pasdite bënë homazhe drejtuesit e institucioneve shtetërore, deputetët dhe qytetarët.
Të parët bënë homazhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafa, duke vendosur kurorë me lule. Homazhe per nder te Boletinit beri edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Homazhet në Kuvendin e Kosovës nën tingujt e orkestrës “Rexho Mulliqi” vazhduan deri në orën 17:45. Nga kryeqyteti Prishtina kortezhi u nis drejt Mitrovicës.
Manifestimet për rivarrimin e heroit kombëtar Isa Boletini mbahen me moton “Prapë, na erdhi Baca Isë”.
Ilir Ikonomi- një portret te gazetës austriake per Isa Buletinin, 104 vjet më parë
-Gazetarët e huaj e quanin privilegj të bisedonin me Isa Boletinin. Një korrespondent, i cili e kishte takuar Isën në kullën e tij në Boletin, na jep një përshkrim të shkurtër që e gjeta në gazetën e Vjenës, Neue Freie Presse, të 6 prillit 1911. Në atë kohë, malësia e Mbishkodrës ishte përfshirë nga revoltat kundër xhonturqve. Përpara kësaj, revoltat kishin tronditur Kosovën dhe emri i Isa Boletinit përmendej në gazetat e mëdha. Vendosa ta përkthej këtë artikull, sepse korrespondenti e përshkruan Isën thjesht dhe pa ato fjalët e mëdha që lexojmë shpesh për të.
___________
Në kohën e regjimit të Abdyl Hamitit, Isa Boletini jetonte në kullën e tij pranë fshatit Boletin dhe për të arritur atje, duhet të ecje nëpër një shteg fare të ngushtë. Kulla ishte e ndërtuar me gurë të mëdhenj, deri në një metër të gjerë dhe ngrihej mbi një kodër, në këmbën e së cilës rrjedh lumi Ibër. Kanatat e dritareve ishin prej pllakash të trasha hekuri dhe krejt kulla kishte një pikë vëzhgimi, prej nga mund të shihje si në pëllëmbë të dorës vendin rreth e qark. Nga kjo fortesë, Isa Boletini vëzhgonte gjithçka dhe, kur kërcënohej nga ndonjë rrezik, mjaftonte të shtinte një herë me pisqollë në ajër, që shqiptarët të rrëmbenin armët.
Për mendësinë tonë, Isa Boletini mund të konsiderohet si një grabitës ose vrasës, por për shqiptarët ai është njeri me një mision të shenjtë, i cili nuk ka bërë tjetër përveçse detyrën si shqiptar, sepse ka marrë hakun e të vëllait, kunatit dhe disa të afërmve të vrarë.
Isa Boletinit i ndalohej hyrja në Mitrovicë, e megjithatë të paktën dy herë në javë njerëzit kishin rast ta shihnin zotërinë nga Boletini në rrugët e qytetit, hipur mbi kalin e tij arab. Mbante jelekun e shkurtër tipik shqiptar të qendisur me fije ari, ndërsa në brezin e gjerë ngjeshte një pisqollë të madhe me dorezë argjendi. Në qafë varte një martinë, edhe kjo plot me stolisje argjendi. Vazhdimisht rrethohej nga 40-50 burra, që të gjithë të armatosur deri në dhëmbë, disa që ecnin në këmbë e të tjerët mbi kuaj.
Në Mitrovicë turqit kanë një garnizon ushtarak, por askush nuk guxonte ta shqetësonte këtë burrë të respektuar.
Një ditë të bukur, Isa Boletini u bë mik me Sulltan Abdyl Hamitin, i cili i dhuroi një mulli dhe i caktoi një pagë mujore prej 50 lirash. Isa jetoi ca kohë në paqe me rrogën e qeverisë turke, por me rivendosjen e Kushtetutës në vitin 1908, të ardhurat e tij u shterën me shpejtësi, sepse qeveria nuk e paguante më dhe mulliri iu mor.
Mund të kuptohet kësisoj se përse Isa Boletini nuk është shumë miqësor me regjimin e ri turk. Ai nisi një propagandë antiturke dhe u shpall i jashtëligjshëm. Disa batalione turke shkuan për të sulmuar kullën e tij, mirëpo u sprapsën me humbje të rënda. Pas kësaj, kulla u rrafshua me top, por Isa Boletini kishte ikur dhe thuhet se ishte plagosur rëndë. Ai u tërhoq në pronat e veta në Pejë dhe kur filluan revoltat e shqiptarëve doli përsëri në skenë si luftëtar. Pas shtypjes së revoltave, Isa u tërhoq në Mal të Zi, por hyri disa herë në territoret shqiptare për të përgatitur kryengritjen. Të gjitha përpjekjet e turqve për ta dobësuar fuqinë e tij dështuan.
Isa Boletini është 45 vjeç, ka trup të gjatë dhe të derdhur, fytyrë të zbehtë dhe sy të zinj e melankolikë. Kur flet për familjen e tij, që është vrarë thuajse e gjitha për lirinë shqiptare, ai trishtohet dhe bie në mendime. Ka një djalë, të cilin e do shumë dhe e ngushëllon në heshtje.
DISKRIMINIMI
Nga Rasim Bebo, Çikago/
Pas krijimit të degës së Partisë Komuniste Jugosllave në Tiranë, në nëndor 1941, nga emisarët e saj Miladin Popoviçi e të tjerë, ata vunë në krye Enver Hoxhën, njeriun e studiuar për interesat e tyre. Deri në prill të vitit 1948, (kur dolën letrat e Informbyrosë, se Jugosllavia e Titos tradhtoi), në çdo dikaster, ishin vendosur instruktorë jugosllavë dhe flitej gjerësisht për “miqësinë e madhe”, “Vllazërim-Bashkim (Bratsvo – Jedinstvo)”
Jemi në vitin 1946. Rruga drejt Jugosllavisë së Titos, ishte hapur vetëm për studime. Kështu edhe nga Ministria e mbrojtjes u caktuan grupe ushtarakësh, njëri prej tyre, ishte grupi ynë prej mbi 40 ushtarakësh, që filluam nga muaji tetor i vitit 1946, deri në prill të vitit 1948, të kryenim shkollën e tankeve të oficerëve të Armatës Jugosllave, me emrin “Petar Drapshin”, në qytetin Bella Cërkva. Për të diskriminuar oficerët tanë, instruktorët jugosllavë në Ministrinë e Mbrojtjes, caktuan në zyrën e kuadrit të dërgoheshin për studime, persona analfabetë e gjysmë analfabetë, me dy-tre klasë fillore dhe me fillore, pati tre persona me 2 klasë të mesme. Pra, ky ishte brumi i shqiptarëve të ardhur në Jugosllavi për të vazhduar shkollën e tankeve. A mundet vallë oficerët tanë të kuadrit të Ministrisë së Mbrojtjes të dërgonin vetë ushtarakë me këtë nivel kulture mjaft të ulët për studime? Kuptohet, se dominuan oficerët instruktorë jugosllave qëllimisht për diskriminim. Ky grup “studentësh” përbëhej prej shumicës, që kishin qenë partizanë të viteve 1943 – 1944, gjysma e tyre ishin anëtarë partie dhe gjysma tjetër të rinj komuniste. Kishte edhe një pjesë prej ushtarëve të mobilizuar pas çlirimit.
Sekretar i partisë, për grupin shqiptar në shkollë, u caktua Murat Kasapi (i nipi i kolonel Rrahman Ruçit, që më vonë u pushkatua). Ndërsa Mua më caktuan sekretar të organizatës së rinisë. Por mbas pak kohe, Murati bëri një thyerje disipline dhe për këtë e shkarkuan si sekretar të organizatës së partisë dhe më ngarkuan mua. Unë kisha mbaruar 5 klasë fillore në kohën e Zogut 1933-1939. Kisha lexuar shumë libra të Rilindësve të trashëguara nga gjyshi dhe babai, të vdekur njëri pas tjetrit, duke më lënë mua 4 vjeç jetim. Në shkollë kam qenë i rekomanduar, për t’u takuar me atasheun ushtarak të ambasadës tonë në Beograd, në çdo dy muaj, për informacion dhe udhëzime. Në shkollë, veç jugosllavëve, kishte studentë të ardhur nga vendet e ish demokracive popullore dhe të gjithë ishin me kulturë të mesme e të lartë. Ne vinin nga jeta e luftës partizane, të viteve 1943 – 1944, disa me dekorata të “Kujtimi” e “Trimërisë”. Pjesa më e madhe, ishim fshatarë, bujq e blegtorë, disa kishin qenë kuadro në ushtri. Por të gjithë me mungesë kulture, e pa literaturën e nevojshme për të mësuar gjuhën. Ne paraqiteshim me një horizont tepër të ngushtë, por me një krenari të theksuar prej shqiptari. Kësisoj, sllavo- serbët na shikonin me përçmim dhe na vinin në lojë, fjala e parë e tyre ishte: “Allbanac bez kulturni çovek”. “Shqiptari pa kulturë”. Sllavët në përgjithësi, e serbët në veçanti, fjalën “jebenti” (të q…fsha) e kishin në majë të gjuhës dhe e përdornin si pa gjë të keq. Kur shqiptarët mësuan kuptimin e fjalës “Jebenti”, filloi grushtimi. Atëherë ata na ofendonin më shpesh për gallatë. Shpreheshin se Shqipëria do të behet republika e shtatë jugosllave. Shpesh në stërvitje në teren, veç talljeve me gojë, na vinin këmbëzën duke na penguar, për të rënë në baltë ose në pellgje uji dhe kjo ishte gëzimi i madh i tyre. Por disa nga ne shqiptarët, si Hasan Berberi, Shyqyri Fera, Kosta Ranxhi e tj, nga filli kanë shpëtuar, se do t’u kishin nxjerrë zorrët me bajonetën e pushkës. Kishte disa studentë, si kolonel Selmanoviç Esadi nga Bosnja, që na afronte si mysliman dhe premtonte në mbledhje, se do të na mësonte shkronjat për të zhdukur analfabetizmin, por kjo ishte një tallje e tij për humor.
Në poligonin e tankeve do të behej qitje me tre topa të tankeve. Kur erdhi radha e tre shqiptareve për të bërë qitje me top, ndërresa serbe që bëri qitje para nesh, u kishin hequr “Okularët, periskopëve të topit. Ata sabotuan qitjen e shqiptarëve me një urrejtje të hapur kundër nesh. Shkolla bënte shërbim garnizoni (roje 24 orë). Sipas radhës, na vinte edhe ne shqiptarëve ky shërbim, por në një mbledhje në mencë, pas ngrënies së drekës, komisari i shkollës, koloneli Mirko Vraniç tha: “Shqiptarët kanë ngrënë bukë misri, prandaj janë gjaknxehtë për të ruajtur miqësinë me ne, që mos të ndodhi ndonjë aksident me armë, unë urdhëroj, që nga sot, shqiptarët të mos bëjnë më shërbim garnizoni (roje me armë)… Të gjithë studentët quheshin me parashtesën e emrit të Titos “Titovi Pitomci” (studenti i Titos). Kur të thërrisnin, ose kur dilje në raport, apo kur doje të paraqiteshe tek eprorët, duhet të thoshe: “Të paraqitet studenti i Titos Filani”. E gjithë shkolla kishte divizën, kostumin e liridaljes në festa ose piknikë, për liridalje të shtunën e të dielën dhe veshja e kostumit përfaqësonte armën e tankeve. Ne, shqiptarëve, akoma nuk na e kishin dhënë këtë kostum, ndonëse kishin kaluar 6 muaj dhe ne paraqiteshim në qytet me një veshje të përçudnuar. E kishim kërkuar disa herë kostumin, por thoshin, me sot e nesër, si nga përfaqësia ushtarake që na mbulonte edhe nga drejtoria e shkollës. Kishte edhe studentë të ardhur nga ish demokracitë popullore, por ata kostumin e kishin marrë brenda javës. Ndërsa për ne shqiptarët, kishte kaluar gjysmë viti pa e marrë. Pra, edhe këtu kishim të bënim me një diskriminim të hapur… Më 7 maj 1947, ishte ditëlindja e Titos. Atë mëngjes, kambana bëri zgjimin e të 30 studentëve të dhomës më herët. Të gjithë merreshin me rregullimin e krevateve, përgjegjësi i dhomës, (stareshina) Millosaleviç Kristivoj, më urdhëroi: “ dëgjo pitomac Bebo, sot në orën 3:30, lajmëro të mblidhen të gjithë shqiptarët para shkollës, se e gjithë shkolla do të shkojë te omlladinski dom (shtëpija e rinisë), për të festuar ditëlindjen e Marshallit Tito”.
Unë iu përgjigja:
–Zoti nënkolonel Kristivoj, ne shqiptarët nuk vijmë, mbasi ne nuk kemi uniformën e liridaljes së shkollës!…
-Dëgjo edhe një herë, ju urdhërojmë të vini për ditëlindjen e Titos patjetër, s’ka asnjë diskutim.
-Ne, po të vijmë, do të jemi në fund të kolonës, me një uniformë të keqe dhe qytetarët do të na marrin si robër gjermanë e mund të na gjuajnë me sende të qelbura. Sepse krijohet një kontrast i madh përpara grand uniformës tuaj…
-Unë nuk dua të di. Ju do të vini për ditëlindjen e Titos patjetër!…
-Jo. Ky është diskriminim që na bëni ne shqiptarëve, kur presim të na jepni uniformën si ua keni dhënë të tjerëve brenda pak kohe, ndërsa për ne kaluan 6 muaj.
-Urdhër! – klithi ai, – do vini për Titon!…
Unë në atë moment, pa menduar thellë, përdora shprehjen e zakonshme të tyre) “Jeb….. Titon, ne nuk vijmë!”…
-Ti allbanac, shan mareshalin Tito?… Unë të godas! – dhe mori në dorë ristelen e gjatë që hekuroste krevatin për të më goditur.
-Në qoftë se ti godet, unë do të hedh nga dritarja, të biesh poshtë i vdekur!… – i thashë. Këtu atij i mbeti ristela e ngritur në dorë dhe u kthye mbrapa. Nuk foli më. Nga të 28 veta të dhomës asnjëri nuk foli, të gjithë ishin jugosllavë, veç dy shqiptarë, unë dhe Ramadan Osmani nga Korça. Ramadani lajmëroj të gjithë shqiptarët, që asnjëri mos të dalë në shesh për reshtim dhe asnjë nuk doli. Nuk pati asnjë reagim nga drejtoria, asnjëri nga studentët nuk e zuri në gojë. Unë prisja arrestimin apo dëbimin nga shkolla, isha në ankth tre ditë me radhë.
Në orën 1, të natës së tretë, oficeri i rojës më zgjoi nga gjumi:
-Çou, koloneli i juaj të kërkon!…
-Ku është Koloneli?…
-Në një klasë të pallatit, kur të dalësh jashtë do të shikosh klasën që ka dritën ndezur.
Shkova në katin e katërtë dhe trokita në derë. Asnjë përgjigje. Hapa derën. Koloneli Pertef Pumo, “ Atashe Ushtarak në Ambasaden Shqiptare në Beograd”, kishte vendosur kokën mbi të dyja duart me bërrylat mbi tavolinë. Paraqitem si pas rregullit dhe ky nuk e ngriti kokën. Mbas 5-6 minuta më drejtohet, sikur do të më hante të gjallë:
-Kush je ti që shan Mareshallin Tito?… Na ke shqetësuar të gjithëve. Nesër në Tiranë të pret gjyqi ushtarak dhe pushkatimi… Të kishim një kuadër të mirë, tani të pret vdekja. Pse arrite deri këtu duke vënë dy shtete në lëvizje, don të na prishësh miqësinë “Bashkim- Vllazërimin” me Jugosllavinë e Mareshallit Tito, tani gjyqi special të pret…
Kur unë dëgjova fundin tim, vendosa të akuzoj:
-Unë nuk jam fajtor, fajtor je ti, që ke aprovuar për studentë disa analfabetë e gjysmë analfabetë dhe serbët kanë gjetur shkakun të na shajnë dhe ofendojnë orë e çast, duke thënë: “Allbanac bez kulturni çovek”…
-Pusho, se nuk dua të të dëgjoj!…
-E mira është që t’i dish edhe ti ato që unë do të deponoj në gjyq. Ne jemi brumi më i ulët, përpara këtyre që janë me kulturë të mesme dhe të lartë. Unë të paktën kam bërë shkollën fillore në kohën e Zogut dhe kam lexuar shumë libra, por çfarë të bësh me Selfo Dalanin, Kapllan Ajdinin, Viktor Golemin, Ahmet Bezharan e të tjerë, që serbët tallen në klasë e në stërvitje, duke u vënë këmbëzën dhe ata bien në ujë, baltë, llucë, fëlliqen ndoten dhe bëhen gazi i tyre… Ka pasur raste me Hasan Berberin, Shyqyri Ferren, Kosta Ranxhin etj, me bajonetën e pushkës deshën t’u çanin barkun, por kanë shpëtuar për qime. Diskriminimi që vazhdon është, sepse ne nuk kemi divizën e shkollës, të cilën studentet e marrin brenda javës kurse për ne kaloi gjysma e vitit e nuk na e dhanë, ne jemi me uniformën e vjetër të ushtarit. Me paturpësi na kërkojnë të rreshtohemi për ditëlindjen e Titos në fund të kolonës, që të dukemi më keq se robërit gjerman (kur në qytet ka shumë të tillë) dhe me paraqitjen tonë edhe populli arrin të na qëllojë me ndyrësirat e rrugës. Mbasi edhe në popull ekziston një urrejtje kundër shqiptarëve.
Pas këtyre fjalëve, zjarri i zemërimit kundër meje ra te koloneli Pertef Pumos. Më në fund shpëtova me një vërejtje në kartën e regjistrimit si dënim.
Në prill 1948, komanda e shkollës së tankeve, mbylli programin e studimit, shpërndau diplomat me motivime të ndryshme. Ne u kthyem në Shqipëri dhe u rreshtuam në krijimin e regjimentit të tankeve me emrin “Vojo Kushi”. Po të rrojë sot, ndonjëri prej shokëve të atëhershëm, pas 68 vjetëve e kujton patjetër atë diskriminim të egër serbo-sllav.
Rasim Bebo, Addison, Çikago, qershor 2015.
SHQIPTARI QË KALOI OQEANIN ATLANTIK DHJETËRA HERË PËR MORTE NË VENDLINDJEN E TIJ
Nga Gjekë Gjonlekaj/New York/
Dyert e shpërnguljeve biblike të shqiptarëve nga Mal i Zi u hapën në fund të viteve 60’ dhe qysh atëherë e sot nuk u mbyllën kurrë. Lamtumira(goodbye) vendlindjes është akt trishtues,sidomos për gra e burra në moshë të shtyrë. Prindërit tonë relativisht të moshuar nuk erdhën në Amrikë për një jetë më të mirë, dhe jo se jo për t’u pasuruar,por për të mos u ndarë nga njerëzit e tyre më të dashur.Kjo periudhë mërgimesh të mëdha meriton studime dhe analiza të shumta nga ekspertët e shoqërisë shqiptare. Rrugët e shpernguljeve nuk ishtin të shtruara me lule,por me lot e dhimbje të mëdha. Historia e mërgimit ishte ndonjëherë edhe tragjike. E tillë kishte qënë për familjen e Kolë Mirit të Hotit. Dy djemtë e Kolës dhe nusja e djalit të madh kishin emigruar nga vendlindja në vitin 1971,dhe ishin vendosur në Itali. Gjatë pritjes për emigrim ata ishin vizituar shumë herë nga të dashurit e tyre. Nëna e tyre Djellushë Lekja i kishte vizituar 9 herë brenda një viti,ngase ajo e përjetonte rëndë mungesën e tyre.Para nisjes së tyre për në Shtetet e Bashkuara,prindërit kishin shkuar në Romë për t’u thënë udhën e mbarë. Pasi kjo bijë fisnike e shtëpise së përmendur të Zek Nikut të Kojës ishte përqafuar e përshëndetur me djemtë e saj aty në vend i kishte rënë pika në zëmër dhe një ditë vonë kishte dhënë shpirt në spitalin e Romës,në moshën 43-vjecare. Ndërsa ata kishin arritur në New York ,nëna e tyre qëndronte e vdekur në morgun e Romës në pritje për t’u kthyer në Hot të Malësisë. Përsëri Kolë Miri “mes dy zjarresh”,do të kishte kënduar rapsodi shqiptar Sali Mani. Kola kishte mbetur qyqe vetëm në rruget e Romës. Për vdekjen e gruas së tij kishte njoftuar menjëherë kushririn e tij besnik Patër Daniel Gjecaj. Ky meshtar françeskan shqiptar shumë i nderuar i kishte qëndrua pranë deri atë ditë që Kola dhe gruaja e tij e vdekur ishin nisur për në vendlindje. Kolë Mirit kjo vdekje i kishte shkaktuar çrregullime që nuk i kishte paramenduar kurrë. Njëra nga ato ishte vendimi për t’u larguar njëherë e përgjithëmonë nga Malësia. Kola nuk e kishte imagjinuar asnjëherë largimin nga ajo tokë.Por pas vdekjes së gruas kishin ndryshuar planet e tij familjare.Nuk shihte rrugë tjetër përveçë bashkimit familjar.Një vit më vonë, së bashku me 4 fëmijet e tij, imigroi në Shtetet e Bashkuara. Ashtu siç e kishin traditë ata punuan ditë e natë dhe pas disa vjetësh u rregulluan shumë mirë në pikëpamje ekonomike. Kolë Miri gëzonte respekt të madhe tek malësorët shqiptarë dhe emëri i tij ishte garanci për shumë suksese të familjes dhe shoqërisë. Ai bënte fushata për ngritjen e qëndrave fetare dhe shoqërore në New York dhë në Detroit. Merrte pjesë aktive në mbledhje e ceremoni të ndryshme dhe vepronte si një misionar për paqë e marrëveshje midis malësorëve kudo. Kolë Miri dhe Mark Miri kishin një të kaluar të lavdishme sepse ishin kryqëzuar në “Kalvarin e Hotit” nga bandat kriminale komuniste të Toger Babës dhe Bajo Stankut. Marku dhe Kola kishin pësuar mundimet e Krishtit për të shpëtuar kapiten Gjelosh Luli nga mizoritë barbare staliniste. Për qëndresën e tyre legjendare flitet sot e kësaj dite. Kolë Miri ishte tepër i sinqertë dhe modest. Ai ishte natyrisht i zgjuar,fliste nga përvoja dhe përjetimet personale. Nuk kishte prirje për dukje as për krye të vendit.Ai ishte natyrisht i mirë dhe besnik. Per mortin e tij para 23 vjetësh me rastin e vdekjes e kisha shkruar se besa e Kolë Mirit ishte më e fortë se Mali i Veleçikut. Për çudi, Kola i kishte mësuar përmendësh lagjet e New Yorkut ku jetonin malësorët. Nuk lexonte dhe nuk shkruante por në aparatin e tij të kujtesës ishin fotografuar pikat kryesore te orientimit.Kur i mbushej mendja Kolës për vizita nuk bente lutje e duva për ndihmë ,por merrte shkopin dhe nisej tek miqtë dhe dashamirët e tij. Pavarësisht se nuk ishte i shkolluar Kolë Miri ishte malësori shqiptar më i nderuar në këtë vend. Merrte pjeë në dhimbjet e mëdha shoqërore,sidomos në morte qofshin ato në Shtetet e Bashkuara ose në Malësi, Prej vitit 1975 e deri në vitin 1990,Kolë Miri kishte kaluar Atlantikun, vajtje e ardhje mbase 100 herë, të gjitha për morte në vendlindjen e tij.Ai mbante titullin e kampionit për udhëtime të kësaj natyre. Asnjë shqiptar ose amerikanë,bile as ndonjë i huaj tjetër nuk mund të ketë bërë aq shumë udhëtime për vdekje jashtë Amerikës. Shumë herë malësorët pyesnin pse nuk po e mbyllim këtë ceremoni cka po presim? Dikush atje më largë përgjigjej po presim Kolë Mirin nga Amerika.Gjatë këtyre udhëtimve Kola kishte përjetuar episode të ndryshme,ngase nuk fliste asnjë gjuhë tjetër përveç gjuhës shqipe. Në një rast në Londër e kishte humbur lidhjen e aeroplanit për New York. Dhe për këtë autoritetet e aeroportit kishin sjellur një përkthyes nga gjuha shqipe në sërbisht,por Kola nuk merrte vesh sërbisht. Pas pak ata kishin prurë një përkthyes shqiptar,por as atë nuk e kuptonte sepse perkthyesi fliste dialektin tosknisht. Mosha e shtyrë dhe vështirësit e komunikimit kishin qënë pëngesë e madhe gjatë këtyre udhëtimeve.Para Luftës së Dytë Botërore,Kola kishte jetuar në Shqipëri në Hot të Ri në Shtoj të Mbishkodrës. Kishte jetuar atje një çerek shekulli me vëllezër e motra.Ai ruante kujtime të mrekullueshme nga jeta në Shqipëri. Kolë Miri tregonte shumë për Shqipërinë e asaj kohe. Kishte parë e takuar personalitete të larta të shoqërisë shqiptare. Ai e kishte pëlqyer shumë kohën e Zogut. Pavarësisht se nuk merrte pjesë në mbledhje partish politike,Kola ishte zogist i vërtetë. Në vitin 1944 ishte kthyer përgjithëmonë në vendlindjen e tij në Traboin të Hotit në Mal të Zi, ku jetoi deri në vitin 1973. Kolë Miri vdiq me 21 Maj te vitit 1992 në moshën 82-vjecare. Gjatë kohës në spital e kisha vizituar disa herë,duke i thënë fjalë të mira e kurajo se do të bënte më mirë,por ato ditë nuk ishte aspak optimist. Nje ditë më vonë vdiq në Spitalin Lawrence në Bronxville të New Yorkut,në qytetin ku kishin jetuar shumë familje të njohura amerikane,midis tyre edhe Familja Kennedy. Nderimet dhe ceremonitë mortore u bënë për dy ditë me radhë në Memorial Day Weekend. Për Kolë Mirin si për asnjë shqiptar tjetër ishin bërë tri ceremoni mortore. Një në New York, një në Hot të Ri në Shtoj të Mbishkodrës në Shqipëri tek nipat dhe mesat e tij ku kishte jetuar 25 vjet dhe nderimet më të fundit dhe varrimi ishin bërë në Vuksanlekaj të Hotit në Mal të Zi. Historianët amerikanë thonë se për Abraham Lincolnin ishin bërë ceremoni mortore në disa qytete të Amerikës para se të bëhej varrimi në vendlindjen e tij në Illinois.Misioni i Shqipërisë pranë OKB në New York ia dha vizën Kolës së vdekur dhe 32 malësorëve tjerë për varrimin e tij në vendlindje. Ky ishte malësori i parë i vdekur që kaloi nëpër tokën e Shqipërisë pas rënjes së diktaturës.Ky ishte mort i madh dhe ceremonial,që nuk ishte parë asnjëherë më parë dhe natyrisht kishte pasur shumë gojtarë,vajtore e gjëmtarë. Por një tragjedi shumë herë më e madhe se kjo u përsërit edhe një herë në shtëpinë e Kolë Mirit në New York më 11 Shtator 2001,kur nipi i tij Simon Dedvukaj ra dëshmor në Kullën Binjake(World Trade Center) në Manhattan. Kjo tregonte se rrugët e tyre të mërgimit kishin qënë të shtruara me gjëmba e jo me lule. Por kjo familje fisnike i përballoi të gjitha me nder e faqe të bardhë.Prej Kolë Mirit mësuam të gjthë.Ai ishte mësuesi ynë më i mirë i jetës,sepse fliste nga përvoja personale. Kurrë nuk kam parë asnjë shqiptarë si Kolë Mirin që mund t’i ketë zbatuar aq bindshëm normat e Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe urdhënimet e Tëzot që janë 10. I tillë kishte qënë edhe vellau i tij Mark Miri. Por Markun e kam takuar vetem një herë gjatë një vizite në New York. Mark Miri dhe Kolë Miri kishin një kod të tyre moral të veçantë dhe për këtë meritojnë monument në tokën shqiptare. Ata ishin nderi i kombit,dhe duhet të respektohen si të tillë sot e përgjithëmonë.