Nga Fritz RADOVANI*/
■FRIDA SADEDINI (1914 – 2004)/
ME SHKRUE TË VËRTETËN NUK ASHT KURRË VONË!/
PROCES – VERBAL-
Sot me 17 Maji 1949 merret në pyetje e pandehura Frida Sadedini, e cila deklaron:
Quhem Frida Sadedini e bija e Ahmetit, gjallë (ndodhet në burg) dhe e Martha Dodës në burg e dënueme me dhjetë vjet, jam e datlindjes 1914, lindur në Shkoder, banuese qysh nga 1922 në Tiranë, e pamartueme, e padënueme, me arsim të mesem (5 klasë gjimnaz). Ma perpara nuk jam marrë me ndonji punë, vetem tani 2 vitet e fundit kam sherbye si sherbëtore pranë konsullit Francës Giz, dhe tani së fundi pranë Domeng. Baba ka ushtruar profesionin doktor, nana nuk ka pas ushtrue ndonji profesion, shtresë e lartë.
Tri vjetët e para të shkollës fillore i kam ba në shtëpi, ku më jepte mësim nji mësuese gjermane privatisht, e cila quhej Ana, që mbiemni i saj nuk më kujtohet.
Në vjetin 1924 kam shkue në shkollë në Itali (Bari), ku kam ndejë në kolegjë nji vjet, me bursen e prindërve të mij. Mbas nji vjeti d.m.th. në vjetin 1925 kam emigrue në Itali me baben e me nanën pse ishin “opozitë” dhe ndiqeshin nga Zogu dhe në këtë kohë unë dal nga kolegja dhe vazhdova studimet jashtë, gjithnji në Bari në shkollen Regjina – Elena. Në vitin 1926 largohem me nanen nga Bari per në Romë, ku unë vazhdova mësimet në kolegjë, internat murgeshash, e cila quhej Dorote. Nga Bari u larguem mbasi midis nanës dhe babës kishte dizarmoni, kështu që nana dhe unë u larguem tue lanë baben në Bari. Mbas ardhjes në Romë nana bani demarsh dhe aty nga vitët 1937 – 1938 këthehet në Shqipni, tue më lanë mue në Itali (Romë).
Aty nga viti 1927 ose 1928, jam kthye nga Italia per vakanca, pastaj jam kthye persëri në Itali, ku kam vazhdue mësimet në kolegjë deri në vitin 1929, në këte kohë kam ardhë per vakanca në Shqipni, ku sëmuhem (paratifo) etj. dhe simbas këshillave të doktorëve që thojshin per mue se duhet ndrrue klima (të largohem nga Italia), nana vendosë dhe më largon nga Italia në vitin 1929 dhe më dergon me vazhdue mësimet në Vienë (Austri).
Në Itali pata vazhdue mësimet deri në të dyten gjimnaz. Në Vienë hyna në kolegj që quhej Dame – Disian, në këte shkollë perdorej edhe gjuha frengjisht mbasi aty kishte murgesha franceze dhe per mue kjo ishte nji lehtësi mbasi unë e dijshe frengjishten. Më duket se gjatë shkollës që unë vazhdojshe shkollen në Vienë, nana merrte bursë per mue. Vjetin e parë kam mësue gjuhën. Kam qendrue në Vienë në shkollë deri në vjetin 1934, në këte kohë kthehem në Shqipëri per gjithnji dhe nuk kam vazhdue ma asnji shkollë.
Në shkollë kishe dëshirë dhe kam mësue ma teper letraturë – gjuhë.
Si gjuhë të huaja flas dhe shkruaj mirë italishten e gjermanishten. Dij gjithashtu të flas mirë dhe të shkruaj (me gabime) frengjisht. Frengjishten e kam mësue në familje mbasi baba e nana flitshin në shtëpi gjithnji frengjisht mbasi baba nuk e dinte shqipen.
Nga vjeti 1934 që u ktheva nga Austria kam qendrue vazhdimisht me banim në Tiranë. Perafersisht nga viti 1937 kam shkue në Austri per qejf tek shoqet e mija të shkollës, ku kam qendrue afer nji muej. Në Itali kam shkuar dy herë, heren e parë aty nga vjeti 1938, shkova me marrë nanen e cila ishte sëmurë dhe heren e dytë, në vjetin 1939, se italianët na kishin në sy të keq me qellim që të largohemi nga Shqipëria. Kemi qendrue në Romë nga muej Mars deri në Korrik 1939 dhe jemi këthyer përsëri në Shqipëri. Në vjetin 1942 kemi dashtë të shkojmë edhe njiherë në Itali, mbasi ishte nana e sëmurë, por u penguem nga policia italiane.
Sa siper janë të verteta dhe i firmoj.
E Pandehura: (Frida Sadedini) firma Hetuesi: Toger (Esat Mani) firma.
■18 Maji 1949; Hetimet vazhdojnë…deri në muejn Korrik 1950…15 muej Hetuesi !!
■Frida SADEDINI deklaron:
Gjatë luftës nuk kam ba pjesë n’ asnji Parti as organizatë politike.
Këtu në Tiranë rrethi jem shoqnor dhe që unë kam shoqni ose miqësi me ta janë:
Familja Fuat Toptanit, Tirana me të bijen Dylfiqare, mesa Sanije…Me të bijat e Pjeter Bumçit: Çilen, Albina e Elda… Me Bibika Vilen në Rromë…Me familjen e Gjon Bonattit. të bijen Xita, të bijtë Nikollen dhe Alfredin…Me Agostin Bonattin dhe gruen Gjyljana… Me Ganimet Toptanin (e arrestueme)…Semiha e Hyqmete Toptanin. Zef Guraziun… Me Luçije e Angjela që banin flokët ondulacion…Nuk ua dij mbiemnin…Luçia asht në burg.
Llesh Ndojin nga Mirdita me djalin Gegen… Vinte tek na Skender Shkupi… Njoh në Shkoder Sander, Patrik e Tonin Saraçin…Ida Melgushin…Aurel e Alfred Ashikun…Këta i njoh qysh fëmijë…Luçije dhe Ana Kola që vinin nga Shkodra. Kam në burg kushrij Dod Bardhokun dhe Luigjin…Kam njohë disa nga antarët e misionit anglez në Tiranë …Jacobs shefin e misionit amerikan… Majorin e misionit Francez Visdorf… Mbasi iku misioni erdhi Legata franceze…Pico dhe Henri Giz. Këto i njoh që në Shkoder në vitin 1921…Aty kam njoh edhe daktilografisten Shufie, Chartie që ka ardhë tashti në 1949 …kur unë ishe sherbtore në Ambasadë. Aty nga Giz mësova per arrestimin e Riza Danit dhe Dan Hasanit në Shkoder…Kam njoh edhe Pader Gjadrin, Pader Mëshkallen dhe Guljelm Luken… Nga Preng Previzi ka ardhë një kartolinë, ku kuptohej se asht në Greqi.
Kam njoh edhe Rrok Obotin… Po me këta njerzë nuk kam pasë asnjë lidhje…
***
■Ministria e P. Mbrendshme
Drejtoria e Sigurimit Shtetit
= Dega e VII- të =
■Tiranë, 17 Qershor 1949.
Mbas një shkrese nga kapiten Skënder Vinçani… perpilohet:
■AKT – AKUZA:
Me 3 Janar 1950 i ka sjellë kësaj Gjykatë Proces Verbalet e mbajtura nga ana e Sigurimit të Shtetit kundër: Agostin Bonattit…Frida Sadedinit…. etj… Tiranë 6 Janar 1950…
Gjyqi u formue prej: Kap. I Mustafa Iljazi Kryetar; Kap. I Shaban Hoxha Antar, Aspirant Hilmi Haxhija Antar; Ndihmes Prokuror Ushtarak Kap. II Hilmi Telegrafi, sekretar marshall Et-hem Guda… Gjyqi u caktue me 7 Janar 1950. Mbasi u sollën të burgosurit nga burgu, u caktuan avokatet e mbrojtjes kapitenët Gaqo Stefa dhe Vangjel Gjomeka…
U muar në pyetje F. Sadedini: Unë nuk dij gja per pushtetin, mirë kam rrojtur perpara dhe mirë po rroj tashti… Konsullit dhe të tjerëve u kam bërë nga nji çaj… Nuk më kujtohet që të kemi bisedue gja per Preng Pervizin, letrat i kanë ardhur konsullit, jo mue.
Francezët me mue nuk kanë bisedue kurr per shqiptarë… Ajo nuk pranon asnjë akuzë politike dhe se asht qenë në sherbim të spijunazhit francez…
■VENDIM:
“N’ EMEN TË POPULLIT”
Gjykata Ushtarake e Tiranës e formuar prej:
Kapiten I – Mustafa Iljazi, Kryetar, Kapiten I – Shaban Rexha, Anëtar; N/Toger Veli Lilaj, Anëtar. Nd. Prokurori i Ushtrisë Popullore Kap I – Hilmi Telegrafi dhe sekretar Reshter Nestan Ceka, sot me daten 6 Korrik 1950 dha këte
■Vendim: Në padinë penale të regjistruar nr. 117 Radhorit Themeltar të vitit 1950…:
Agostin Bonati, 2. Skender Konica, 3. Skender Shkupi, 4. FRIDA SADEDINI,
5. Adem Pilku, 6. Guljelm Rasku, 7. Simon Rasku, 8. Gjon Çefa, 9. Pader Paskal Gjadri, 10. Luçia Kola, 11. Gjysh Shkreli, 12 Elena Beçi, 13. Isuf Vrioni, 14. Kosta Meksi, 15. Rakip Strazimiri, 16. Lush Pogu, 17. Agop Kahanexhian, të arrestuar 1949…
■Në perfundim të gjykimit me dyer të mbyllura, asistuan Kap.I Vangjel Gjomeka dhe Kap.II Gaqo Stefo (Avokatë të Ministrisë së Mbrendshme)…Prokurori Kap.II Hilmi Telegrafi kerkon:…Per të pandehuren Frida Sadedini 20 vjet privim lirie e punë të detyruar.Humbjen e të drejtave civile per 5 vjet. E pandehura Frida nuk ka ba rekurs fare dhe nuk ka paraqitë asnjë kerkesë. Në fjalen e fundit e pandehura Frida Sadedini tha: Nuk kam qenë agjente në Legaten franceze. Kerkoj mëshirë. Tiranë, 23 Qershor 1950.
■Simbas nenit 3 dhe nr. 10 të ligjit 372, datë 12/12/1946 i dekllaron fajtorë të gjithë të pandehurit per fajin e spijunazhit. Me anën e këtyre agjentave misionet e huaja kanë mundur të mësojnë të gjitha sekretet e shtetit shqiptar…
***
■Republika Popullore e Shqipërisë
Gjykata e Lartë Ushtarake
Nr. 233 Regj. Themel. Nr. 161 i Vendimit. Data 29 Korrik 1950.
N’ Emër të POPULLIT
■Gjykata e Lartë Ushtarake e formuar në Këshillë prej:
Kapiten I – Vangjel Kocanit Kryetar;
Kapiten I – Nonda Papuli Antar; Kapiten II – Hidaji Lagji Antar;
Duke qenë t’ asistuar Sekretar Reshter Kasem Murataj, dhe Nd. Prokurori Kapiten I
– Hilmi Telegrafi, me daten 29 Korrik 1950, shpallë këte Vendim:
■Frida SADEDINI dënohet me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar. Per 5 vjet humbjen e të drejtave civile elektorale. Konfiskimin e pasurisë së luajtëshme dhe të
paluajtëshme per të gjithë të dënuarit. U shpall me 8 Korrik 1950. (Vetem firmat)
Gjykata shenon: Së bashku me të dënuarit e sipërm edhe e dënuara Frida Sadedini,
bij e Ahmetit e Martha Dodës, …Arrestuar me 17 Maji 1949, porse kjo nuk ka paraqitur rekurs ankimi. Vendimi i Gjykatës së faktit nuk paraqet ndonji të metë ligjore, prandaj ■Vendosi:
Ky vendim është i formës së prerë. Tiranë 29 Korrik 1950. (Vetem firmat)
Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake: Pasi dëgjoi referatin e Kap. I Vangjel Kocanit,
dhe pasi bisedoi gjerësisht çështjen, ligjëroi vendimin e Gjykatës Ushtarake Tiranë.
***
■Nga viti 1949 zj. Frida SADEDINI, vazhdoi me kenë e burgosun…E interrnueme…Prap e burgosun, e torturueme dhe gjithnjë e dënueme po, por edhe e diskriminueme per ma shumë se 45 vjetë, mbasi Frida Sadedini vazhdoi me kenë e dëbueme edhe mbas 1992.
Martha, ama e Fridës ishte mesa e Preng Pashës, kështu që lidhej me Markagjonët dhe Fisin Pervizi. Edhe kjo lidhje ishte shkak burgosje dhe interrnimi i Frida Sadedinit.
Ajo ishte një simbol i qendrueshmënisë së pathyeshme nder hetuesitë sllavokomuniste të shtetit terrorist të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, dhe organeve të tyne të diktaturës.
Këte Ajo e tregoi edhe në Prill të 1968, kur Frida e shoqnueme me polici u pat sjellë edhe në Shkoder, kur po zhvillohej në Kishen e Motrave Stigmatine gjyqi i montuem nga sigurimi per Klerikët Katolik të Tiranës ku, Frida mohoi të gjitha akuzat e shpifjet…
Ishte hera e parë që njoha një Shqiptare të Maleve Heroike të Mirditës!
Ndoshta edhe një film per Te, sot asht i pabesueshem nga Rinia Shqiptare!
Në vitin 1992 e njoha zj. Frida Sadedini në Shkoder, në Shtëpinë e Markagjonëve ku, me 2004 ka mbyllë edhe sytë bashkë me rrugen e pafund të një Kalvari të pashoq!
■Jo heshtje, Shqiptarë!
Figurat e Nanave dhe Motrave Shqiptare që vuejtën dhe u diskriminuen si pak gra e vajza të vendeve komuniste, në Shqipninë e Donika Kastriotit…
Nuk duhet ti mbulojmë me pluhun turpi…
Ato ishin e mbeten Heroina të Nderueme të Popullit Shqiptar!
■Dosja e sejciles prej Tyne asht një Liber Antikomunist në vete!
Melbourne, Qershor 2015.
*Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…
Një zë në shkretëtirë i një mësuesi dhe i një atdhetari të nderuar
Nga prof.dr. Eshref Ymeri/
Në Dielli online kam lexuar kohë pas kohe analiza mjaft interesante të zotit Abdurahim Ashiku, mësues në pension, emigrant në Greqi. Në ato analiza ai ka nxjerrë në spikamë përpjekjet sa të lodhshme, aq edhe të jashtëzakonshme që bëjnë emigrantët shqiptarë në Greqi, për të ruajtur identitetin kombëtar të fëmijëve të tyre përmes shkollimit edhe në gjuhën shqipe.
Përveç artikujve që ka botuar në vijimësi në faqet e internetit, ai ka vënë në qarkullim edhe disa libra, botimin e të cilëve e ka përballuar tërësisht me shpenzimet e veta.
Në faqet e internetit të datës 17 prill 2015, i nxitur nga një skicë e gazetarit të talentuar Albert Zholi me titull “E ç’i duhet shqipja?!” (të botuar më 20 mars 2015), pata përcjellë artikullin me titull “Fol shqip, se je shqiptar!”.
Ja se si pati reaguar ndaj këtij artikulli mësuesi atdhetar Abdurahim Ashiku në rubrikën “Komente” të gazetës internetike “Fjala e lirë”:
“Si gazetar dhe shkrimtar në mërgimin e egër grek, i kam ndjekur me penë në dorë, me diktofon dhe me fotoaparat përpjekjet e mësuesve shqiptarë (janë mbi 60) për t’u mësuar fëmijëve gjuhën shqipe vullnetarisht, pa pagesë, pa asnjë përkrahje nga shteti shqiptar, pa asnjë stimul moral. Kam botuar tre libra monografikë për mësuesit dhe për problematikën për gjuhën shqipe, me mbi 1 000 faqe. Librat titullohen:
“Rilindësit e Kohës Sonë”, “Shkolla Shqipe e Athinës”, “Shkolla Shqipe e Selanikut”.
Të tre këta libra janë financuar nga pensioni im dhe i bashkëshortes sime, mësuese në ushtrimoren e Shkollës Pedagogjike në Peshkopi. Realizuam së bashku me operatorin Arian Melonashi një film domethënës për mësuesen Vera Shkurti që kalon detin dhe u mëson fëmijëve të shkruajnë, të lexojnë dhe të këndojnë shqip në ishujt e Tinosit dhe të Sirosit”.
Përveç kësaj, mësuesi Abdurahim Ashiku, në mbështetje të neneve 8 dhe 57 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në ligjin nr. 69/2012 përsistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, neni 11 (arsimimi për fëmijët shqiptarë jashtë vendit), ka përgatitur edhe një Projektligj për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë. Këtë Projektligj ai ia ka nisur parlamentit, kryeministrit, qeverisë, ministres së arsimit dhe avokatit të popullit. Por deri tani nuk ka asnjë reagim nga ana e tyre.
Vetvetiu lindin disa pyetje:
Këto hallka të qeverisjes së vendit a kanë ndër mend ta respektojnë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë? A duhet t’i kthejnë përgjigje mësuesit mëmëdhetar Abdurahim Ashiku për Projektligjin që u ka dërguar? A mendojnë vallë këto institucione shtetërore se shkollimi në gjuhën amtare i fëmijëve të emigrantëve shqiptarë është një detyrë që ua ngarkon Kushtetuta për ta zbatuar? Apo hallkat në fjalë do të vazhdojnë, si deri tani, t’i shpërfilllin kërkesat e mësuesve dhe të prindërve emigrantë për shkollimin e fëmijëve të tyre në gjuhën amtare dhe t’i lënë ata në mëshirën e asimilimit në vendet e huaja? Po mjetet e informimit masiv pse heshtin për një problem kaq të mprehtë?
Do të ishte shumë mirë sikur këshillëtarët e Presidencës të mendonin për t’i përcjellë Presidentit Nishani propozimin për ta dekoruar mësuesin dhe atdhetarin e shquar Abdurahim Ashiku për atë kontribut me vlera të jashtëzakonshme që ka dhënë dhe vazhdon të japë, së bashku me mbi 60 mësues të tjerë, mes prindërve emigrantë shqiptarë në Greqi për shkollimin e fëmijëve të tyre në gjuhën shqipe.
Tiranë, 04 qershor 2015
Zëri i kukuvjakës në Tiranë
Opinon nga Behar Gjoka/
E kemi fjalën për kakarisjet e radhës të Kapllan Buroviq (Resulit), që as më pak e as më shumë, të kujtojnë klithmat e kukuvajkave, diku në mesnatë, kur nuhasin mbarimin e ëndrrës serbomadhe, e prandaj lëshohen zemrueshëm. Më tepër se toni pa asnjë vlerë i kukullimës së tij, të bën përshtypje jehona që i bëhet marrëzive të tij në shtypin e shkruar në Tiranë, paraqitur me fanfara sikur ky pinjoll i ëndrrave në diell të serbëve, kishte zbuluar mrekullinë e tetë. Kushdo që e ka ndeshur qoftë edhe njëherë në bisedë ose, ka lexuar shkarrashkrimet e tij, nuk e merr seriozisht, e le të jetë i lirë në “marritë” e veta.
Njeriu, pra edhe Resuli, ka me vete gjithë të drejtën e vetë, të jetë si të dojë, të merret me çfarë të dojë, të fluturojë me dhe pa presh. Punët e tij, dje dhe sot, në mënyrën se si e ka trajtuar kulturën dhe letërsinë shqipe, ku janë të shkruara, e zeza mbi të bardhë, kundërtitë logjike, fluturimet pindarike përmbi të, mbi atë se kush është ai, dhe cilat janë idetë e hallakatura për historinë, letërsinë dhe figurat e saj. Prandaj, prej shumë kohësh, nga mjediset serioze nuk merret fare në konsideratë, pra nuk trajtohet seriozisht. Dalja e fluturimeve pindarike të radhës, e marrëzive në shërbesë të shovinizmit serbo-sllavë, në shtypin shqiptar, në pjesën dërrmuese të medias së shkruar, meriton vëmendje dhe qasje serioze, vetëm e vetëm për të kuptuar grackën ku bie njeriu, pra ku si padashje, bie edhe media.
Tezat mjerane, pa asnjë grimë thelbi shkencor, aq më pak albanologjik, të tilla si, origjina e shqiptarëve nuk ka lidhje me ilirët, është një këngë kukuvjakash që serbo-sllavët dhe fqinjët tanë, nga të gjitha vijat e horizontit, e këndojnë prej një shekulli, solo dhe në korr të përbashkuar. Pra, pohimi i Resuloviqit (duket më bukur se Buroviq), vetëm sa i jep zë dhe ngjyresa dëshpëruese këngëtimit të hershëm të kukuvajkave, të serbëve, që në filozofinë e tyre, kombëtare dhe shtetërore, inidividuael dhe komunitare, pohojnë “shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur”. Me po atë lehtësi, tashmë nga strofulla e shërbëtorit të etheve dhe ëndrrave në diell të serbëve, lëshon marrëzinë se Kosova do të kthehet në Serbi. I ka mbetur ora, në kohën e Baba Qemos, është në folenë e vetë, ku ndjehet mirë, ku shërben me zell, e prandaj është vetëzbulimi më i mirë, që për një njeriun normal nuk merren seriozisht, sepse janë veçse zgjatim i planeve asgjesuese të shqiptareve, të Karagjerogjeviçëve, Çubrilloviqëve, dhe të gjithë serbëve, që ende vijojnë të bëjnë jetën e akrepit, që në fund kafshon veten, pasi nuk kanë asgjë në dorë për fatin e shqiptarëve, kroatëve, sllevenëve. Serbomëdhenjtë dhe shërbëtorët e tyre, të tipit Kapllani, të bindur se e kanë humbur davanë me shqiptarët, e sidomos me Kosovën, qysh me ndërhyjen e truipave të Nato-s në mars 1999, janë vënë në kërkim të hienave që këndojnë këngën e perënduara të kukuvjakave, të bindur edhe ata vetë se marrëzia e ëndrrave shfarosëse të shqiptarëve ka marrë fund. Në thelbin e tyre, këto hipomarrëzi të Resulit, pra që shqiptarët nuk kanë lidhje me origjinën ilire, apo që Kosova do të kthehet në Serbi, nuk e kuptojnë shqiptarët, kroatët dhe gjithë njerëzit që kanë logjikë të ftohët, se çfarë lidhje kanë me albanologjinë. Sa albanolog e bëjnë këto pohime, të mbrapshta dhe antishqiptare, që nuk sjellin asnjë argmunt tjetër, vetëmse këndojnë hasantë e Serbisë, pra lehtësisht bindesh se janë vepër e pastër e serbofilisë. E kur serbofilia shitet për alabanologji, në shtypin shqiptar, në mes të Tiranë, kjo është faturë për këdo, e sidomos për godtijen e identitetit kombëtar. Kuptohet se kur marrëzitë shiten për albanologji, nuk meriton vëmendje, por tezga ku shiten, pra shtypi shqiptar i shkruar, të shqetëson jo pak.
Kapllan Resuli (Buroviq), autori i romanit “Tradhtia” një vepër antikombëtare, dhe pa vlera letrare, e ka lënë të shkruar dhe vulosur se kush është, në një tekst të hershëm. Në mënyrë të çuditshme quhet albanolog, një sharlatan që vetëm ka hedhur baltë mbi Budin, Bogdanin, Çabejn etj. , i bëhet jehonë e paimagjinueshme sharlatanizmit të një të bleri dhe të shkalluari se Kosova do t’i kthehet Serbisë… Ai është ai që ka qenë e do të jetë, po media si do e lajë fytyrën nga turpërimi që i bëri vetes duke shpalluar albanolog një figurë të tredhur, që ka për art dhe filozofi mbijetese spiunimin dhe ndërrimin e zotave, si shërbëtor i pakundzshoq…
RAPORTI I KESHILLIT TE ATLANTIKUT LIDHUR ME NDERHYRJEN RUSE NE UKRAINE
Nga Ron Sinivic/
Perktheu GJON KADELI/
Me 28 te muejt qe kaloi, Enti i Keshillit Atlantik, qe merret me ceshtjet nderkombetare, i cili e ka qendren ne Uashington, ne raportin ne fjale, kritikon shume ashper, nderhymjen e dretjtperdrejte ushtarake Ruse, ne Ukrainen Lindore, tuej ardhun ne perfundim se Presidenti Putin, e udhehoqi vendi e tij ne lufte, dhe rreni [genjeshtroi] rreth kesaj ceshtjeje. Ne ate raport, gjithashtu, akuzohet Putini, se asht tuej e perdorun, paksimin e luftime, si rrjedhim i marrveshjes per paqe qe umbrrijte ne Minsk ne Fruer, per te perforcue forcat kryengritese Ruse me ushtare dhe me paisje, per t’i pergadit ato, per fazen e ardheshme te luftimeve.
Ne te njejten kohe, analistet e Keshillit Atlantik, thone se ,”Kremlini asht tuej koreografue planin, qe forcat qe mund te marrin pjese, ne rifillimin e luftimeve jane vendase, dhe jo foca te krijueme
nga Moska,” Raporti titullohet “Tuej e fshehun te verteten e pamohueshme, luften e shkaktueme nga Putini ne Ukraine.”
Megjithe mohimet e vazhdueshme nga Putini, faktet e vertetueme po shtohen, qe tregojne nderhymjen Ruse ne ate konflikt, ndermjet qeverise Ukrainase dhe Kryengritesve; gja qe ka shkaktue vdekjen e 6100 njerezve ne Ukraine, lindore, qe nga Prilli i vjetit te kaluem.
Ne te njejten kohe kjo gja ka shkaktue, keqsimin ma te madh te marredhanjeve, ndermjet Rusise dhe vendeve perendimore, qe nga mbarimi i Luftes se Ftohet.
Analistet qe u mueren me kete ceshtje, bane kerkime shume te hollsishme, tuej perdorun burime te rregullta, tuej mbledhun hetime te ndryshme, tuej perfshi fotografi te marruna nga satelite, nga interneti, te dergueme nga banoret ne te dy anet e kufinit, si edhe fotografi nga rrjeti social, te dergueme nga ushtaret ruse, ne zonen lindore te Ukraines.
Perfundimet jane, ato qe perpilusite e raportit, i quejne,”prova te
pamohueshme” se konflikti ne Ukraine, “asht nji krijese Ruse, e cila
perkrahet nga armet qe dergon Rusia, si edhe nga ushtaret e saj, dhe
qe perkrahet, drejte per drejte nga Zotni Putini.”
Nenpresidenti ekzekutiv i Keshillit te Atlantikut, Zotni Demon
Uillson, tha se raporti paraqet,”historine e vertete te luftes Ruse ne
Ukraine. ” kjo nuk asht lufte civile, por asht nji lufte e rregullt,
ku ushtaret Ruse, jane gati per luftime, ne bazat e perkohshme,
pergjate kufinit Ruso Ukrainase, qe perkrahen nga dergimi i
vazhdueshme, i armeve dhe paisjeve te tjera ushtarake, dhe nganjkihere
e perkrahun nga gjuetje me aretileri, ne anen e kufinit Rus.”
PSE SHQIPËRIA KA MA SHUMË VOTUES SE BANORË TË SAJ ?!
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Kushtetuta, neni 45 i saj, përcakton se kush quhet votues: “Çdo shtetas që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë dhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhet”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Shqipërisë, muajin e kaluar, sipas të dhanave të Ministrisë Brendshme, flet për 3.164.859 votues në të gjithë Shqipërinë.
Nga ana tjetër, INSTAT, institucioni shtetëror me ekspertizën ma të lartë për të dhanat për popullsinë e Shqipërisë, dokumenton se më 1 janar 2015 vendi ynë numëronte 2.893.005 banorë. Përndryshe: CIA, në korrik 2014, në librin e fakteve, publikon një shifër tjetër për Shqipërinë: 3.020.200 banorë.
E para: Si është e mundur që Shqipëria të ketë 271.854 votues ma shumë se popullsia e saj e publikuar nga INSTAT, ndërkohë që numri i të larguarve nga Shqipëria është 46.413 banorë, numri i imigrantëve në Shqipëri është 28.367 banorë, shtesa natyrore vjetore e popullsisë është 15.104 banorë?!
E dyta: Një përllogaritje, në se popullsia e Shqipërisë është 2.893.005 banorë (sipas INSTAT) tue pasë parasysh se mbi 800 mijë banorë të saj janë nën moshën 18 vjeç, atëherë del se vendi ynë ka 2 milionë votues, që do të votojnë në 4.932 qëndra votimi në 12 qarqet. Atëherë, si dalin mbi 1.200.000 votues ma tepër?!
2.Në Zgjedhjet Parlamentare 2013, sipas të dhanave të KQZ (të bazuara në ato të Ministrisë së Brendshme), ishin 3.271.885 votues të rregjistruar. Këtë shifër, me termin “votues”, KQZ e paraqet dhe në raportin e vet vjetor të shkurtit 2014 para Kuvendit të Shqipërisë. Votues kemi ma shumë se banorë (!) Sivjet, në Zgjedhjet Lokale të qershorit 2015 janë mbi 100 mijë votues ma pak?!
Ç’ka ndodhi? Në 5.008 qëndra votimi në të gjithë Shqipërinë u gjetën vetëm 1.749.358 fletë votimi në kutia. Përndryshe: 53.47 për qind e votuesve. Pra, ne, kësisoj, sipas këtyre praktikave zyrtare, etj. shkojmë nga një palë zgjedhje tek tjetra me një pjesmarrje të ulët në votime. E, pastaj, lideri i opozitës, Edi Rama, mburret për 1 milionë shuplaka, që ndoshta janë afër çerekut të popullsisë së Shqipërisë, etj.?!
3.Shqipëria, si rrallkund tjetër në botë, në Kushtetutë, bash te neni i parë i saj, pika 3, flet për ato që i kemi vnue në përbaltim gjithmonë: “zgjedhje të lira, të barabarta”, tue i lanë tek i 14-eti nen i saj – Gjuhën, Flamurin, Hymnin Kombëtar, etj. Neni 45, tek Kreu III “Liritë dhe të Drejtat Politike”, flet për shenjtërinë e votës si “vetjake, e barabartë, e lirë, e fshehtë”, po në elektoriada shqiptare ka arritë dhe të vidhet, dhe të shitet e të blihet, etj.
Nisur nga ky detyrim kushtetues duhet që Shteti Shqiptar, me organizmat e veta: INSTAT. MB, KQZ, etj. duhet të argumentojnë e të flasin hapur para popullit e elektoratit shqiptar, para ndërkombëtarëve: Sa është popullsia reale e Shqipërisë?! Sa është numri real i votuesve në Shqipëri, si fjala vjen, në Elektoriadën e 21 Qershorit 2015?! Kush di ma mirë le të flasin ma qartë, ma shumë, ma shpejt, ma saktë.
Tiranë, 4 qershor 2015