Nga Aurel Dasareti, USA/*
Demokracia nuk mund të imponohet duke eliminuar pikëpamjet rivale; suksesi i saj nuk mund të garantohet as kur ideali fiton një pranim të përgjithshëm. Demokracia thjesht nuk mund të garantohet, sepse ajo mbetet e kushtëzuar nga energjitë krijuese të atyre që marrin pjesë në të. Shqiptarë të FYROM-it, mos rrini pasiv, bashkojuni protestave të opozitës sllavo-folëse, alternativa më e mirë për momentin, hapi parë…Shtyni në përdorim energjitë e juaja ose digjuni.
***
Një firmë punoi dy javë në rindërtimin e kuzhinës verore në kopshtin para shtëpisë time në Kaliforni si dhe plazhit privat që kufizohet me kuzhinën. Puna u krye para tre ditëve, por pastrimin e terrenit nga mbeturinat duheshe ta bën ndonjë firmë tjetër e nivelit të ulët. Kërkova në internet, gjeta një reklamë ku thuhej:
Djemtë e plehrave
Ne i marrim dhe i bartim plehrat dhe mbeturinat tua shtëpiake për riciklimin. Djemtë e plehrave i hedhin mbeturinat tua.
Një alternativë më e mirë se sa t`i hedhësh në koshin e plehrave!
Ne mbledhim dhe hedhim:
– Të gjithë mbeturinat që ju kanë mbetur pas rindërtimit të nevojtoreve ose objekteve tjera shtëpiake
– Mbeturinat e kopshtit që me muaj kanë qenë në qese mbeturinash
– Çfarë ju nuk e kuptoni se pse është e vendosur në bodrum ose në nën çatinë e shtëpisë
Dhe çdo gjë tjetër që ju nuk dëshironi për të disponuar.
***
Më shkoi mendja te tradhtarët Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, të cilët unë nga respekti i madh që kam për ta, nuk do t`i quaj: “enveristi i Zajazit” dhe “bakllavaxhia i Tetovës”, por “Djemtë e Plehrave”. Kjo sepse këta dy nuk vyejnë gjë. Rrenave të tyre për gjoja se avancimin e çështjes shqiptare u besojnë vetëm budallenjtë.
Ndodhi edhe Kumanova – Maj 2015, por djemtë e plehrave pasi janë pjesëmarrës në inskenimet e ngjarjeve tragjike atje, nuk largohen vullnetarisht nga qeveria terroriste e FYROM-it. Djemtë e plehrave e kuptojnë vetëm forcën por pasi për momentin nuk shohin rrezik nga ajo, akoma mashtrojnë shqiptarët, tani, që të mos u bashkohen protestave të opozitës sllavo-folëse në krye me Zoran Zaevin. (Jo për të ngritur Zajevin por rrëzuar Gruevskin).
Nuk ka dyshim se nevojiten ndryshime të mëdha, të gjitha këto parti të korruptuara shqipfolëse duhet të shemben, shkatërrohen. Nuk pritet që „politikanët“ të heqin dorë nga interesat vetjake. Prandaj lypset mobilizuar opinionin publik për të ushtruar trysni mbi ta.
A do të mbijetojnë si komb shqiptarët etnik të FYROM-it nuk është aspak e sigurt, kjo varet nga fakti nëse rendi i tanishëm kriminel do të mbijetojë apo jo. Do të mbijetojnë nëse më përpara e pastrojnë oborrin e vetë nga djemtë e plehrave. T`i shembim kriminelët më përpara se kriminelët të na shembin neve.
Djemtë e plehrave 25 vjet me radhë përçmojnë, shtypin dhe kontrollojnë shqiptarët e pambrojtur, të paorganizuar dhe të paarmatosur që nuk mund t`jua kthejnë goditjen. Këta tipa janë sadistë pikërisht për shkak se ndihen të pafuqishëm, të paaftë. Sadisti orvatet të gjejë një kompensim, duke ushtruar pushtet mbi të pambrojturit, duke u shndërruar – ai që ndihet një krimb – në një zot.
Qysh prej vitit 2001 kam shkruar rregullisht se shqiptarëve etnik të FYROM-it u duhet një UNITET që të reagojnë s`bashku kundër regjimeve terroriste të atij shteti të përkohshëm, përndryshe kurrë nuk do të jenë në gjendje të konkurrojnë shtetin terrorist sado i dobët të jetë ky, sepse shteti ka forcën e detyrimit.
Sa më shumë atdhetar të jenë të aftë të vërejnë me qetësi dhe sy kritik skenën për shqiptarët, të cilën e përgatisin armiqtë e jashtëm në bashkëpunim me armikun e brendshëm, aq më i vogël do të jetë rreziku i çmendurive të mëdha kolektive, dhe në radhë të parë, i luftës vëllavrasëse. E ardhmja e juaj varet nga serioziteti i juaj: si t`i shkatërroni partitë “politike”, si t`i qaseni problemit të juaj ekzistencial dhe cila rrugë ju shpie drejt lirisë, demokracisë dhe barazisë me sllavo-folësit, ose ndarja definitive dhe ribashkimi me shtetin amë.
“Suksesi”, popullariteti dhe pasuria personale janë, vetë-terapia e “politikanëve” shqipfolës (djemve të plehrave) kundër depresionit dhe çmendurisë. Duke luftuar për të arritur pikësynimet e tyre, në të vërtetë luftojnë për shëndetin e tyre mendor. “Politikani” shqipfolës i tokave shqiptare, është i hareshëm dhe mbron pareshtur se është i kënaqur prej jetës së tij, mbetet i pështjelluar nga ëndrra, dhe fillon të shprehë pikëpamje të ndryshme mbi punën e tij përkundër faktit se veprimtaria e tij “politike” nuk ka asnjë qëllim Kombëtar përveç atij për të bërë pasuri për vete dhe se, për të ky është një motiv i mjaftueshëm për jetën; dhe më tej, me gjithë larminë në dukje, problemet “politike” të cilave duhet t`u jep zgjidhje, janë në thelb të gjithë të njëllojtë, ose mund të “kryhen” me një numër të kufizuar të metodave të përsëritura..
***
Ngjashmëria në themel e një njeriu me një tjetër dhe të drejtat e patjetërsueshme të njeriut janë ide të një epoke tjetër. Thjesht fakti se jemi qenie njerëzore nuk sjell me vete ndonjë të drejtë: përballë ligjit skllavi nuk ndryshon nga një pasuri tjetër e tundshme. Privilegjet i takojnë më fortë pozicionit në jetë sesa vetë personit. Për shembull, në një shoqëri feudale toka është më e rëndësishme se pronari i tokës, ky i fundit privilegjet i gëzon vetëm nga që zotëron tokën.
*Ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)
Beteja në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë
Nga Fetnete Ramosaj/
Mëngjesin e nëntë majit, të gjithë shqiptarët u zgjuan me ankthin e lajmeve për luftën e sapofilluar në qytetin e Kumanovës, madje jo vetëm kaq. Sakaq pamjet e tmerrit të luftës në “Lagjen e Trimave” pushtuan botën. Një shtet i tërë, i njohur tashmë për ligje e veprime raciste, madje edhe terroriste kundër njërit nga popujt më të fuqishëm shtetformues të tij, madje jo vetëm kundër atij, vuri në përdorim gjithë arsenalin e rëndë luftarak tokësor e ajror kundër një lagjeje shqiptare me një popullsi prej 20 mijë banorësh! Edhe banorët, edhe vendbanimi u godit pa paralajmërim nga të gjitha anët, nga toka dhe nga ajri, me të gjitha mjetet!
Madje nën hijen e luftës së Kumanovës, mbeti edhe parada e famshme e Moskës, e organizuar në 70-vjetorin e luftës kundër fashizmit, në të cilën presidenti i shtetit pa emër, Ivanov, po merrte pjesë, krahas homologut të tij serb, Nikoliq, të dy të ftuar nga presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin. Të ndalemi pak këtu.
Maqedonia ka vite që është duke u vërtitur ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Paraprakisht në Maqedoni askush nuk foli për vendimin e Ivanovit për të shkuar në Moskë, në kohën e acarimit të raporteve Perëndim – Rusi, kur pothuajse të gjithë përfaqësuesit e shteteve perëndimore refuzuan ftesën e Putinit. Në prag të shkuarjes në Moskë, Ivanov, doli dhe i qortoi edhe një herë NATO-n dhe BE-në, të parën kinse për mashtrimin e popullit për integrim në strukturat euroatlantike, ndërkaq të dytën se nuk ia paska zgjidhur çështjen e emrit! Njëherësh deklaroi se ai drejton një politikë të “të qenit të hapur ndaj të gjithëve”, dhe se shkuarjen në Moskë e konsideron “interes shtetëror”!
Po. Kishte ndarë mendjen të shkonte në Moskë, ku Rusia pritej që të tregonte fuqinë e saj luftarake, dhe prej andej do t’i përcillte porosinë Perëndimit se Rusia ka dhe investon në pajisje moderne luftarake, sidomos në prodhimin e saj të famshëm tankun e sofistikuar të tipit “T-14 Armata”. Por, ndodhi që pikërisht ky tank – “krenaria ruse” të prishet mu në mes të Sheshit të Kuq në Moskë gjatë provës gjenerale për paradën e 9 Majit, dhe u detyruan ta tërheqin zvarrë për ta larguar nga parakalimi!
Ditën e 9 majit, që në orët e hershme të mëngjesit shteti pa emër (IRJM) ndërmorri një operacion terrori kundër lagjes shqiptare në Kumanovë, që assesi nuk mund të quhet ndryshe pos luftë, që la pas viktima, djegie e shkatërrim, bërje rrafsh me tokë të një lagjeje të tërë. Agjencia e lajmeve “Reuters” duke parë gjendjen e pasluftës vlerësoi se “Lagja e Trimave” në Kumanovë duket sikur të jetë goditur nga një cunam, rrugët kanë mbetur të shkatërruara dhe muret të rrëzuara nga artileritë e rënda ushtarake të njësisë anti-terrorizëm të forcave speciale maqedonase”.
Natyrisht se i gjithë ky operacion dyditor i luftës e terrorit shtetëror u mbulua edhe nga një fushatë mediale, e përcjellë me informacione të mangëta, të pavërteta dhe tendencioze. Ndonëse, u tha se nuk kishte viktima civile, kësaj të dhëne është vështirë t’i besohet, pasi që tashmë shteti pa emër ka stazhin e veteranit për fshehje, montime e tjetërsime faktesh! Çuditërisht mjetet dhe metodat që po i përdorë tash sa vite kundër shqiptarëve nuk dallojnë fare nga ato millosheviqiane. Me banorët e lagjes një pjesë të burgosur e të terrorizuar, të lënë pa strehë, një pjesë të degdisur në të katër anët, pa guxuar as të flasin, vështirë të besohet kjo. Do të ishte e udhës që të vërtetën e Kumanovës ta zbardhë pa humbur kohë një Komision Hetues Ndërkombëtar. Është e çuditshme se si na kategorizojnë ne shqiptarëve, si heshten e minimizohen aktet e rënda të terrorit shtetëror. Paramendojeni se çdo të kishte ndodhur po të ishte aplikuar një terror i tillë kundër serbëve apo të tjerëve?! Të paktën do të mblidhej me urgjencë Këshilli i Sigurimit!
Ndonëse ministrja e brendshme, Jankullovska, deklaron se i duhet vetëm pak kohë për t’i zhdukur shqiptarët (siç u zbardh edhe nga bisedat e përgjuara), lufta në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë e dëshmoi të kundërtën, ashtu siç e kishin dëshmuar shqiptarët edhe më 2001. 30-40 të rinj shqiptarë u përballën me 3 – 4 mijë forca ushtarako-policore e njësite speciale, të cilat i lëshuan edhe pikat kufitare për të mësyer Kumanovën. Në kushte tepër të pabarabarta, luftuan e qëndruan mbi 30 orë, të rrethuar nga të gjitha anët në një qendër urbane!
Po t’u referohemi njoftimeve të para mediale, ende të pacensuruara, duke iu referuar deklaratave të policëve të plagosur maqedonas të dhëna nga spitalet e Shkupit mësojmë se pos që kanë pasur armatimin më modern të kohës, “personat e armatosur që janë përleshur me policinë maqedone në Kumanovë” gjatë tërë kohës sa janë zhvilluar luftimet në “Lagjen e Trimave” kanë kënduar këngë patriotike shqiptare. Policët e plagosur vazhdojnë më tej se “personat kanë qenë të armatosur mirë dhe të veshur me uniforma të zeza, të ngjashme me ato të njësive speciale “Tigrat”, por se në krah kanë pasur emblemën e UÇK-së. Madje, sipas tyre, kanë qenë uniformat ato që i kanë hutuar në disa raste pjesëtarët e Njësive Speciale të policisë maqedone, me ç’rast edhe është shënuar një numër i madh i viktimave në radhët e tyre”. (Zëri.info, 9 maj 2015).
Po, një pjesë e këtyre djemve kishin mbi supe përvojën e fituar në nga dy-tri luftëra: në Kosovë, në Kosovën Lindore dhe në IRJM më 2001! Ata që ishin liribërës, madje me ndikim në fitoren e luftës më 2001 në këtë vend, pasi që partitë politike shqiptare të atjeshme kanë dështuar të mbrojnë interest e popullit që e përfaqësojnë, kur Marrëveshja e Ohrit ka vdekur ende pa u realizuar, kishin 1001 arsye për ta riaktivizuar Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare për t’i dalë në ndihmë popullit të vet, dhe për këtë treguan se nuk mund t’i ndalojë asgjë, sikurse nuk mund ta tjetërsojnë misionin e tyre për liri, barazi e mirëqenie të shqiptarëve. Prapë u treguan të gatshëm të vdesin për atdheun e tyre, për njerëzit e tyre!
Mirsad Ndrecaj, një nga drejtuesit e kësaj lufte, më 26 prill 2015, pas aksionit në pikën kufitare në Gushincë, do t’i drejtohej në mes tjerash popullit me një letër publike, për t’i sqaruar se këtë aksion nuk e ndërmorën njerëzit e Gruevskit, por luftëtarët më të mirë të luftës së vitit 2001: “…Popull i dashur Shqiptar në tokën e Iliridës, ju betohemi në gjakun më të ndershëm të Dëshmorëve të Kombit Shqiptar se ne djemtë Tuaj, për Lirinë Tuaj ne më shumë e duam Vdekjen se sa armiku e don jetën, vetëm e vetëm që fëmijët tanë dhe ju shqiptarë një herë e përgjithmonë të jetoni në tokat tuaja të lirë, ndershëm, si çdo popull i botës së civilizuar”.
Kur ndalemi dhe i analizojmë porositë e shkruara që kanë lënë ata që tashmë domosdoshmërisht janë shndërruar në heronjtë e kësaj beteje të përgjakshme, dhe si të tillë shpirtërisht me dhembje e krenari po i njeh dhe po i pranon mbarë Shqiptaria, nuk lë fare hapësirë për të dyshuar në misionin e tyre atdhetar, ndonëse po udhëhiqet një fushatë e tmerrshme mediale për poshtërimin e tyre. Por, këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme! Nuk është hera e parë që e bëjmë këtë, mbase na është bërë tradicionale, jemi të vonuar në hap me kohën në reagime e në veprime, dhe me dije apo pa të e bëjmë punën e tjetërkujt.
Po të kthehemi prapa, shohim se pothuajse ndaj të gjithë heronjve tanë kemi bërë të njëjtat veprime, të njëjtat gabime. Fillimisht i kemi akuzuar, i kemi poshtëruar ende pa u varrosë as pa u tharë gjaku i tyre i derdhur për liri. Përmendim këtu vetëm rastin e Tahir Mehës, meqë këto ditë e kishte 34 vjetorin e rënies, pikërisht më 13 maj 1981 në ditën e të ashtuquajturës polici jugosllave, kur u rrethua nga të katër anët në kullën e tij në Prekaz. Ndonëse shtypi, mediat e politika e kohës tentoi ta poshtërojë e ta etiketojë si armik të popullit, qëndresën dhe rënien e tij populli e ndjeu ndryshe. Ndër ata të paktët që i bënë nderime dhe e varrosën pa pyetur për “hyqymet” qenë Shaban Jashari me të bijtë Hamzën e Ademin. Aty edhe u betuan se do të hakmerren për të, aty edhe u ribetuan se do ta vazhdojnë luftën për liri. Epilogun e këtij betimi e dimë të gjithë. Ndaj, është e habitshme se si populli di të ecën me kohën, di t’u bëjë vend në zemër heronjve të vet. Këtë e bëri edhe me heronjtë e betejës më të re – me Heronjtë e Betejës së Kumanovës.
Sipas të dhënave zyrtare, në luftimet dyditore në Kumanovë u vranë 8 pjesëtarë të njësive speciale (katër maqedonas, tre serbë dhe një shqiptar) dhe u plagosën rëndë e lehtë 37 të tjerë. Ndërkaq, të dhënat për palën shqiptare qoftë për të vrarët, qoftë për të plagosurit, qoftë për të burgosurit që po keqtrajtohen tmerrësisht janë kontadiktore. Njëherë u tha se janë vrarë 14 shqiptarë, pastaj se janë vrarë 10! Familjarëve të luftëtarëve shqiptarë, emrat e të cilëve u publikuan pos që jozyrtarisht u kanë thënë se të afërmit e tyre janë të vrarë, janë të masakruar e të bërë copë-copë sa të mos mund t’i njohin, zyrtarisht ende nuk u janë dorëzuar trupat e tyre! Shteti i Kosovës ka bërë fare pak, për të mos thënë aspak për t’u interesuar për qytetarët e vet, për t’u dalë në ndihmë familjeve të tyre, për të zbardhur të vërtetën ciladoqoftë, për të kërkuar zbatimin e konventave ndërkombëtare për raste të tilla. Realisht interesimi dhe përkujdesja për qytetarët e vet nuk do të duhej të varet nga vullneti, dëshira apo disponimi pro apo kundër i zyrtarëve, por si në çdo shtet normal të botës edhe zyrtarët e shtetit tonë interesimin dhe përkujdesin për qytetarët e vet e kanë obligim kushtetues.
Asnjë prej mekanizmave ndërkombëtarë perëndimorë luftëtarët e Betejës së Kumanovës nuk i etiketoi si terroristë, sepse nuk e përbënin asnjë element të terrorizmit. Asnjë prej shteteve më të fuqishme perëndimore nuk i etiketoi si të tillë. Ashtu iu atribuuan vetëm qeveritarët e zyrtarët e shtetit pa emër, ata të Serbisë e të Rusisë. Ashtu iu referua edhe ndonjë politikan apo zyrtar shqiptar nga shteti pa emër, nga Kosova e nga Shqipëria që dolën me deklarata të ngutshme e të papeshuara.
Në ditët e sotme si të doni quajeni, por Beteja e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare e zhvilluar më 9 e 10 maj, në Lagjen e Trimave në Kumanovë, domosdoshmërisht shënon fundin e regjimit terrorist kundër shqiptarëve dhe fillimin e një epoke të re. Nëse shpëtohet, kjo betejë do të jetë faktori vendimtar që do ta shpëtojë shtetin pa emër, ashtu siç e shpëtoi UÇK-om më 2001. Ka kaq ditë dhe shqiptarët anembanë botës po jetojnë me jehonën e saj, me dhimbjen e saj , me krenarinë e saj, me heronjtë e saj të papërsëritshëm!
Kadare për Lubonjën: Çmitizuesi shqiptar
Epoka (e turpit ) para gjyqit – Pjesa e dytë
/
Gjyqi moral kundër Fatos Lubonjës, për shtrembërimet e tija të porositura nga dikush të historisë shqiptare dhe “mundi “ i tij i pa shoq për të rrënuar Kështjellën e Madhe të trashëgimisë sonë identitare po e filloi me fjalët e gjeniut tonë Ismail Kadare ; i cili tezat lubonjase i quan antishqiptare, dhe tejet të rrezikshme.
“…Ditën e 31 majit 1999, në kulmin e bombardimeve të NATO-s, shënimi i ditës merret me një polemikë midis shqiptarësh në gazetën “Illyria” të Nju-Jorkut. Shkak është shkrimi “Skënderbeu e kishte nënën sllave” (me autor Fatos Lubonjën), botuar pak ditë më parë në “Courrier International” të Parisit. Autori shqiptar i shkrimit fajësohet me një gjuhë tejet të ashpër, për qëndrim antishqiptar e njëherësh antieuropian. Pra, është 31 maj i vitit të fundit të mijëvjeçarit të dytë. Shprehja “ora e keqe”, më shumë se metaforë, është përcaktim i saktë i kohës për Kosovën. Ajo mezi po merr frymë nën masakrën serbe, një nga më të egrat e shekullit. NATO-ja është duke bombarduar Serbinë, për shkak të shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarët po paguajnë taksën. Shkurt, për ndëshkimin e Serbisë, NATO-ja ka vënë aviatorët dhe avionët më modernë të saj, kurse Kosova ka vënë gjënë më të vjetër në botë, në kësi rastesh: gjakun. Liria e kërkon se s’bën këtë karburant të vjetër, dhe shqiptarët e dinë këtë. Hakmarrja serbe është në kulmin e saj: grirje foshnjash, përdhunime vajzash e grash, djegie shtëpish, vrasje verbazi, shpërngulje, tmerr…”
“Ata zbuluan se “çmitizuesi” shqiptar nuk ishte aspak origjinal, siç kishin kujtuar. Tezën e prindërve serbë të Skënderbeut, e kishte marrë nga dikush tjetër dhe ky dikush tjetër nuk ishte veçse famëkeqi, sipas tyre, Vuk Drashkoviç, një nga ministrat e Millosheviçit, rrjedhimisht një ndër përgjegjësit për plojën e Kosovës. Së dyti, se kjo tezë ishte botuar në vitin 1987, pra, dymbëdhjetë vjet përpara plojës, në gazetën franceze “Le Monde Diplomatique” dhe bënte pjesë në tezat që duhej të përgatisnin shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova. Së treti, se as Drashkoviçi nuk ishte origjinal, por përsëriste në shkrimin e tij teza të vjetra serbe, të Radonicit, 1942, e teza edhe më të vjetra të Vladan Gjorgjeviçit, të Grashaninit, të Çubrilloviçit, të Millosheviçit, që flisnin jo vetëm për zanafillën serbe të Skënderbeut, por, kryesorja, e lidhnin këtë zanafillë me këmbënguljen e tyre se Kosova kishte qenë e mbetej djepi i serbizmit, ndaj serbët nuk do ta lëshonin kurrë atë. Së katërti, strehsat zbuluan se shumicën e argumenteve, qoftë për Skënderbeun, qoftë për rrënjësinë e shqiptarëve në Ballkan, mohsat i kishin marrë nga famëkeqja, sipas tyre, Akademia serbe e Shkencave”-shkruan ndër të tjera Kadare
Fahri Xharra
20.05.14 , Gjakovë
A u bind Zoti Blushi se në Maqedoni problemet ndëretnike nuk zgjidhen me zgjidhje ushkurësh?
Vizita që i bëri deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Ben Blushi Lagjes së Trimave në Kumanovë është vizitë që zuri vendin e merituar në mediet e vendit. Krahas asaj se ishte vizitë tejet domethënëse për banorët e terrorizuar nga një shtet terrorist mediet aktualizuan qëndrimin e z. Blushi se “zgjidhja e mundshme e problemit etnik në Maqedoni do të bëhet përmes martesave të shqiptarëve dhe maqedonasve”.
Ajo që më bëri përshtypje nga deklaratat e tij kanë të bëjnë me konstatimin e z. Blushi se “banorët e Kumanovës u sulmuan nga një shtet i pabesë” dhe se kjo “ditë e shëmtuar në historinë e Ballkanit modern, që nga koha e luftërave në Bosnjë dhe në Kosovë u përsërit në Kumanovë për arsye që ende janë të pashpjegueshme”!
Fillimisht desha të theksoj se pabesia mund të vij nga dikush që nuk e pret. Sa u përket shqiptarëve Maqedonia ka pasur një politikë konsekuente të aplikimit të terrorit shtetëror dhe shqiptarët e kanë pritur dhe presin vetëm të këqija nga ky shtet terrorist.
Po sqaroj për lexuesit që nuk e dinë se me shtet terrorist në shkencat politike definohen ato shtete që nuk synojnë legjitimitetin e popullit në përgjithësi, apo të një grupi të caktuar etnik, racor, kulturor apo fetar në veçanti.
Që nga themelimi i saj, Maqedonia nuk e ka dëshiruar legjitimitetin e shqiptarëve. Përkundrazi, që nga fillimi i funksionimit të këtij shteti Maqedonia ka aplikuar diskriminimin racial kundër shqiptarë.
Madje, ky diskriminim vazhdoi edhe pse më 18 janar 1994 Maqedonia nënshkroi Konventën Ndërkombëtare për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racial dhe Paktin Lidhur me të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore. Përkundër zotimeve se nuk do të kryej asnjë veprim apo praktikë të diskriminimit racial kundër personave, grupe personash apo institucionesh dhe se do tё sigurojë që të gjitha autoritetet publike dhe institucionet publike, kombëtare dhe lokale, t’i përmbahen këtij detyrimi dhe u zotua se do të heq diskriminim racial, që me Konventat ndërkombëtare nënkupton çdo dallim, përjashtim, kufizim, ose preferenca që bazohet në racën, ngjyrën, prejardhjen ose origjinën kombëtare e etnike, gjuhën apo fenë Megjithatë, në praktikë diskriminimi racial ndaj shqiptarëve në Maqedoni vazhdoi me intensitet edhe më të madh.
Përkundër nënshkrimit dhe ratifikimit të Kartës Evropiane për gjuhët nga shteti i Maqedonisë (25 korrik 1996) gjuha shqipe, si kërkesë e vazhdueshme e përfaqësuesve politikë shqiptarë, nuk u zyrtarizua në nivel shtetëror. Asgjësimi i gjurmëve ilire, që dëshmonin për vazhdimësinë e shqiptarëve në këto troje, vazhdoi, ashtu siç vazhdoi ndërrimi i toponimeve dhe imponimi që toponimet të shkruhen dhe shqiptohen vetëm në gjuhën maqedonase. Gjykata Kushtetuese ndaloi përdorimin e flamurit kombëtar dhe simboleve tjera me të cilat identifikohen shqiptarët; u shkatërrua Instituti për Trashëgimi Kulturore Shqiptare, si i vetmi institucion ku duhej të përcaktohej mënyra e sistemimit të vlerave historike dhe kulturore, pa gjykuar për statusin politik të shqiptarëve, dhe u krijua «Muzeu i Lirisë», hipokrizi e pashembullt për një popull të robëruar!…
Të gjithë e dinë se për shkak të dhunës dhe politikës së diskriminimit racial, që Maqedonia aplikonte ndaj shqiptarëve, shpërtheu Lufta e vitit 2001. “Marrëveshja e Ohrit” përfundoi luftën por nuk ndërtoi paqen!
– Në vend të rregullimit të statusit të dëshmorëve të kombit dhe përkujdesjes
institucionale të familjarëve të tyre, kemi privilegje të panumërta për “branitelët maqedonas”;
– Në vend të riparimit të dëmeve materiale të luftës në territoret shqiptare, u zhdukën gjurmët e 500 milion eurove, që Konferenca e Donatorëve në Bruksel i ndau Maqedonisë për zonat e dëmtuara nga lufta e vitit 2001;
– Në vend të ndarjes proporcionale të buxhetit, nuk u bë asnjë investim në vendbanimet shqiptare;
– Në vend të paqes dhe sigurisë, u ushtrua dhunë e paparë në territoret e banuara me shumicë shqiptare (mbi 500 shqiptarë u vranë dhe u plagosën në rrethana ende të pandriçuara pas përfundimit të luftës);
– Në vend të respektimit të ligjit për amnisti, term që nuk është adekuat për luftëtarët e lirisë, kemi burgosje masive të ish ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare;
– Në vend të lirimit nga burgu i shqiptarëve që padrejtësisht janë dënuar, ndodhi montimi i procese të reja gjyqësore gjatë të cilëve u dënuan me burg të përjetshëm me dhjetëra persona të pafajshëm…
Zoti Blushi e di se Maqedonia është nënshkruese e Konventës për të drejtat e fëmijëve. Neni i 16 i kësaj konvente përcakton qartë se “asnjë fëmijë nuk u nënshtrohet ndërhyrjeve arbitrare ose të paligjshme në jetën e tij private, në familje, në shtëpi …”
Megjithatë, që nga përfundimi i luftës së vitit 2001 dhe ardhjes së VMRO-së në pushtet, nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit u ushtrua dhunë dhe terror shtetëror në Tanushë, në Brodec dhe në Kumanovë. Gjatë këtyre operacioneve ushtarako-policore maqedonase, u vranë, u plagosën dhe u arrestuan me dhjetëra shqiptarë në prezencën e familjarëve të tyre. Posaçërisht fëmijët shqiptarë përjetuan tmerret, duke qenë dëshmitarë të dhunës shtetërore edhe ndaj prindërve të tyre.
Vizita e z. Blushi në Lagjen e Trimave në Kumanovë është një vizitë me vlerë të madhe simbolike për popullin e terrorizuar. Shpresoj se ai gjatë kësaj vizite e kuptoi hendekun e madh ndëretnik që ka krijuar pushteti maqedonas përmes politikës së diskriminimit racial kundër shqiptarëve. Shpresoj se ai është bindur se në Maqedoni problemet ndëretnike nuk zgjidhen përmes martesave por përmes instalimit të një shteti demokratik që do të respektojë diversitetin etnik, kulturor dhe fetar.
Zotit Blushi, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe si intelektual me peshë në hapësirën kulturore shqiptare mund të kërkojë që institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës të ngrenë zërin në të gjitha institucionet ndërkombëtare kundër torturës dhe institucionet politike të BE-së dhe të kërkojnë krijimin e një komisioni të veçantë ndërkombëtar për hetimin e tërësishëm të asaj që ndodhi në Kumanovë.
Në Kumanovë janë ekzekutuar njerëz të grupit të armatosur shqiptar që u dorëzuan;
Në Kumanovë janë ekzekutuar edhe njerëz që nuk kanë pasur lidhje me grupin e armatosur;
Në Kumanovë janë torturuar çnjerëzisht të arrestuarit, pjesëtarë të grupit të armatosur;
Në Kumanovë janë torturuar njerëz që nuk kanë lidhje me grupin e armatosur vetëm e vetëm për të pranuar veprat që nuk i kanë bërë.
Bashkimi Evropian e ka për obligim të ndriçojë këtë krim të rëndë që pushteti i VMRO-së dhe BDI-së e bënë kundër shqiptarëve në Kumanovë.
Ajo që është tepër urgjente e që z. Blushi mund të ndikojë të bëhet është krijimi i një ekipi mjeko ligjor të ekspertëve të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe të kërkojnë ndihmën e BE-së në këtë drejtim për të vërtetuar pohimet se të dorëzuarit janë ekzekutuar dhe gjymtuar pas dorëzimit. Ky është hapi i parë i domosdoshëm për ndriçimin e një pjese të asaj që ndodhi gjatë terrorit shtetëror në Kumanovë.
Bardhyl Mahmuti
20 maj
Voto për këtë!
Shkruan: Ilir Levonja-Florida/
Ne jemi katërcipërisht të ndërgjegjësh që e kemi instaluar hipokrizinë.
1)Referuar portalit të Syrizas në Greqi, parti e themeluar në majin e 2004. Kupton një luftë vërtetë domethënëse të një populli përballë klasës politike.
Nga 3.3%, në atë vit, që është konvertuar me 6 vënde në parlament. Sot Syriza ka 36%. Ose 149 vende në parlament. Por thelbi nuk qëndron tek Syriza. Ashtu sikur edhe nuk mohojmë arritjen e kësaj force politike. Por tek populli. Tek lëvizja e tij për të zhvendosur, ose shpërbërë kolonat e vjetra të partive tradicionale. Që në një apo tjetër mënyrë, ishin bërë imazh i sojit patriarkal në botën moderne. Afërmendsh, edhe dy soje vatrash që thithnin buxhetin e Greqisë. Paralel oponencave të mirëkuptuara, edhe pse denigronin e shanin njëra-tjetrën.
Sot Greqia vuan pikërisht nga ky dualitet politik. Ndërsa shoqëria atje, e di që ka pastruar trupin nga shushunjat e tipit, Papandreu, Micotaqis etj.
A do i nënshtrohet Cipras, programit ekonomik të planifikuar nga Europa? Eshtë çështje e tij. Ndofta edhe prova e tij. Megjithëse shënjat janë se po i vihet veshi Europës.
2)Në Shqipëri, nuk ka akoma shenja të tilla. Edhe pse ne kemi arritur pikun e polizimit. Ndofta jo me familje, por me sejmenë familjesh. Kjo do të thotë se kriza e Greqisë nuk është parashikuar aspak nga populli ynë.
Përshembull Lëvizja Mjaft rezultoi e gjitha me një produkt të tipit Veliaj. Aleanca e Spahiut, një artopolant i vjetër. Partitë e vogla vazhdojnë të ndahen. Treni i Berishës me aleatet, në zgjedhjet e kaluara, nuk bëri gjë tjetër veçse fuqizoi koalicionin qeverisës sot. Rasti i Shpëtim Idrizit. Nuk besoj se ka demokratë që të mos ketë kuptuar se koalicione të tilla, janë dobësime që zor se riparohen kollaj. Forca e Lsi, edhe pse Dritëroi Agolli këmbënguli atëhere duke thënë se një parti e tretë është si ato të burrit që tunden në mes shalëve. Pra kot. Doli si më nevralgjikja. Me sa duket Dritëroi harroi se burrit kur i prek ato, bie për tokë. Aty mblidhen të pakënaqurit. Qofshin këta, të kuq, blu, bluzinj, të zinj, të kaltër, larush, burgaxhinjë etj. Baba Likja i ka dyert e hapura.
Shoqëria civile? I ka mbetur vetëm emri. Plot i ke panelet me rektorë të varur. Artistë ogiçë. Këngëtarë me sukses të paparë. U bën milionerë duke mbushur sheshet e partive. Me buxhetet e partive. Studentë më të zjarrtë se kryetarët aktualë. Kujt t’ia vëm gishtin? A nuk doli Reshat Arbana si babaxhan. Doli dhe i madhi Kadri Roshi vite më pare. T’i besojmë qeveriut, tha. Dhe qeveriu e bëri. Nga teatër kombëtar, në eksperimental.
Të pavarurit. ? Në botën shqiptare janë? Apo në atë të Servantesit.? Me keqardhje duke si mëshirimin i Don Kishitotit .
3)Pse jemi aktorë të hipokrizisë. Eshtë një fushatë lokale dhe me një hartë të re elektorale.Si e tillë duhet të fokusohet në problemet lokale. Ndërkohë kur kanë filluar akuzat ndaj liderëve. Akuza bën organi përkatës. Kandidati platformë qeverisëse. Se sa ka vjedhur iksi apo ypsiloni, nuk është problem i një qytetari në periferinë e një bashkie. Atje problem është rruga e pa shtruar. Ngushtimi i kësaj rruge ditë më ditë. Kanali i ujrave të zeza. Pusetat pa kapak. Uji i pijshëm. Gaforret me tela korenti sipër kokave të tyre. Që njëri fqinj ia shkarkon zhavorin fqinjit tjetër mu përpara derës. Që pallati trekatësh, zgjohet katërkatësh etj. Ndaj nuk e kuptoj përse duhen harxhur gjithë ato para për të dekoruar rrugët. Për të improvizuar shiun entuziazt të diktaturës. Me që përmenda Ciprasin dhe ato ishin zgjedhje parlamentare. Flamuj ka vetëm nëpër duart e sipmatizantëve. Në tubime, në sheshe etj.
Ne flasim për rregulla loje, për respektim ligji. E shkelim me dy këmbë. Ngryset qielli blu. Zbardhet dita me qiell të prushëruar, blunjtëzuar etj.
Kërkojmë debat publik, pa asnjë lloj platforme. Pa e ditur se përse bëhet debati. Si bëhet debati.? Cilët janë moderatorët që do drejtojnë auditorin.? Ku do vendoset tabela e shumatoreve të përqindjeve, në auditor, apo në selitë e partisë? Bëjmë sondazhe pa asnjë vlerë. Pasi tek webet e majta kanë fituar të majtët. Tek webet e djathta kanë fituar të djathtët.
4)Një grua plakë, e vetmuar. Për shkak se i iku djali me gjithë familjen në kurbet. Ku ta merrnin të shkretën. Bagazh i tepërt. E gjeti oborrin plot me të rinj e të reja. I pastruan shtëpinë, ia zbukuruan me poste, flamuj fushate. Plot të rinj me bluza…, plot portrete. Kur e vetmuara pyeti se i erdhi djali prapë? Iu përgjigjën. Ai që iku nuk të kthehet më. Djali yt është ky në gjokset tona. Voto për këtë! Dhe ajo e lumtur pranoi. Në fund të fundit, ca ditë fushate janë lumturia vet.