Nga Gjergji Mima/ – Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi deklaroi sot përmes një deklarate për mediat se, “PD do t’i drejtohet me një kërkesë Komisionit të Venecias që ata të asistojnë procesin e dekriminalizimit dhe të ndihmojnë me ekspertizën e tyre”.
Sipas tij, prej 3 javësh, Edi Rama dhe Ilir Meta mbajnë të bllokuar procesin e dekriminalizimit, duke ndaluar çdo veprim, çdo hap përpara në këtë drejtim.
“Me datë 26 mars, unë në cilësinë e kryetarit të komisionit, i kam kërkuar Kuvendit t’i kërkojë Komisionit të Venecias dhe partnerëve të tjerë, aistencën dhe ekspertizën e tyre lidhur me paketën e amendamenteve të dekriminalizimit. Kjo letër, mbahet e mbyllur në sirtar nga ajo ditë nga përfaqësuesit e mazhorancës në komision. Kjo vonesë pengon marrjen e ekspertizës së Komisionit të Venecias përpara zgjedhjeve te 21 qershorit.
Prej 3 javësh, Edi Rama dhe Ilir Meta, gjithashtu, refuzojnë të sjellin ekspertët e tyre pranë komisionit të dekriminalizimit, megjithë kërkesat tona të vazhdueshme.
Nuk ka më asnjë dyshim, se Edi Rama dhe Ilir Meta nuk kanë asnjë grimcë vullneti për të bërë dekriminalizimin. Jo vetëm kaq, por e pengojnë dhe e bllokojnë atë në mënyrë sistematike”, tha Bylykbashi.
Arsyet janë të dukshme, shtoi ai, “kërkojnë që dekriminalizimi të mos bëhet, dhe posaçërisht dekriminalizimi të mos bëhet para zgjedhjeve të 21 qershorit, dhe pasojat po i shohim”.
Sipas tij, “shembulli më i freskët, është kandidimi nga Edi Rama i deputetit Artur Bushi në Krujë, i ndaluar dhe i arrestuar në Itali për trafik kokaine”.
“Mbarë qytetarët e vendit janë mbledhur dhe kanë shprehur revoltën e tyre kundër krimit në pushtet e kundër trafikantëve në vendimmarrje. Europa është alarmuar nga shkalla e lartë e inkriminimit. Shtetet e Bashkuara gjithashtu”, u shpreh deputeti Bylykbashi.
“Partia Demokratike nuk do të pranojë që krimi dhe përfaqësuesit e tij të bëhen pjesë e këtyre zgjedhjeve. Ne sot do t’i nisim Komisionit të Venecias kërkesën tonë që ata të asistojnë procesin e të ndihmojnë me ekspertizën e tyre. Partia Demokratike do t’i shkojë deri në fund këtij procesi, kësaj nevoje jetike siç është dekriminalizimi. Nëse Edi Rama dhe Ilir Meta do të zgjedhin sërish krimin dhe inkriminimin, atëherë qytetarët e vendit nuk kanë zgjedhje tjetër përveçse të përmbysin këtë regjim hibrid të krimit me pushtetin”, përfundoi deputeti demokrat.
Eurosong – Wivibloggs nxjerr fituese Elhaida Danin me 10.564 vota
Nga Almarina Gegvataj/
Nga 55.739 vota që janë grumbulluar në Wivibloggs, Elhaida Dani kryeson listën me 10.564 vota, ndërsa në vend të dytë me 5 mijë vota më pak, renditet Gjeorgjia me 5266 vota.
Wivibloggs që merret me lajmet e Eurosong, më 29 mars kishte bërë thirrje për votim se kush mund të jetë fituese në edicionin e këtij viti të Eurosong.
“Prej 29 marsit e deri më sot, ne kemi numëruar 55.739 vota. Po kryeson Elhaida Dani, këngëtarja nga Shqipëria. Ajo ka grumbulluar 10.564 vota”, është shkruar në faqen e Wivibloggs. Në vendin e dytë është këngëtarja nga Gjeorgjia me 5 266 vota, vendi i tretë është votuar të jetë Italia me 3.120 vota, ndërkaq, Irlanda është me 1.500 vota. Në listën prej 40 shteteve sa janë votuar në këtë thirrje publike në vendin e fundit është Moldavia me 613 vota.
“Jam gjallë sepse ti je gjithçka që dua”, është ky mesazhi që Elhaida Dani do përcjellë në festivalin europian.
“I’m Alive” është në kornizën e një pop balade, e tëra kushtuar dashurisë. Por në fokus të videoklipit, me të cilin do të prezantohet Shqipëria, ka edhe të tjera protagoniste.
Videoklipi u realizuar në një kohë të shkurtër nga këngëtarja dhe bashkëpunëtorët e saj, pasi kënga me titullin “Diell”, e cila më herët fitoi biletën për Eurovizion në Festivalin e RTSH-së, u tërhoq mbrapsht nga kompozitori i saj.
Megjithatë kënga e re është në përputhje të plotë edhe me rregulloren e Eurovizionit dhe tani gjithçka pritet të jetë një performancë sa më e mirë e Shqipërisë gjë të cilën po e dëshmojnë edhe votat ndaj këngës së shkodranes Dani.
Slogani i Eurovizionit për këtë vit që mbahet në Vjenë është “krijoni ura bashkëpunimi në gjithë botën”.
EUROVISION 2015: CURRENT POLL STANDINGS
1. Albania: Elhaida Dani with “I’m Alive” 18.95% (10,564 votes)
2. Georgia: Nina Sublatti with “Warrior” 9.38% (5,226 votes)
3. Italy: Il Volo with “Grande Amore” 5.6% (3,120 votes)
4. Spain: Edurne with “Amanecer” 4.32% (2,410 votes)
5. Sweden: Måns Zelmerlöw with “Heroes” 3.09% (1,723 votes)
6. Ireland: Molly Sterling with “Playing with Numbers” 3.05% (1,701 votes)
7. Estonia: Elina & Stig with “Goodbye to Yesterday” 2.79% (1,557 votes)
8. Norway: Mørland & Debrah Scarlett with “A Monster Like Me” 2.61% (1,456 votes)
9. Slovenia: Maraaya with “Here For You” 2.61% (1,455 votes)
10. Armenia: Genealogy with “Face the Shadow” 2.27% (1,263 votes)
11. Malta: Amber with “Warrior” 2.16% (1,205 votes)
12. Azerbaijan: Elnur Huseynov with “Hour of the Wolf” 2.14% (1,195 votes)
13. Belgium: Loïc Nottet with “Rhythm Inside” 2.1% (1,169 votes)
14. Germany: Ann Sophie with “Black Smoke” 1.87% (1,045 votes)
15. UK: Electro Velvet with “Still in Love With You” 1.86% (1,037 votes)
16. Greece: Maria-Elena Kyriakou with “One Last Breath” 1.75% (974 votes)
17. Australia: Guy Sebastian with “Tonight Again” 1.74% (968 votes)
18. Israel: Nadav Guedj with “Golden Boy” 1.69% (943 votes)
19. Romania: Voltaj with “De La Capat” 1.68% (934 votes)
20. Russia: Polina Gagarina with “A Million Voices” 1.64% (913 votes)
21. The Netherlands: Trijntje Oosterhuis with “Walk Along” 1.6% (893 votes)
22. Latvia: Aminata with “Love Injected” 1.59% (889 votes)
23. Iceland: María Ólafsdóttir with “Unbroken” 1.57% (873 votes)
24. Lithuania: Monika & Vaidas with “This Time” 1.53% (854 votes)
25. Belarus: Uzari and Maimuna With “Time” 1.44% (802 votes)
26. Portugal: Leonor Andrade with “Há Um Mar Que Nos Separa” 1.41% (788 votes)
27. Czech Republic: Marta & Vaclav with “Hope Never Dies” 1.39% (777 votes)
28. FYR Macedonia: Daniel Kajmakoski with “Lisja esenski” 1.38% (769 votes)
29. Poland: Monika Kuszynska with “In the Name of Love” 1.38% (768 votes)
30. Switzerland: Mélanie René with “Time to Shine” 1.36% (756 votes)
31. France: Lisa Angell with “N’oubliez pas” 1.34% (748 votes)
32. Hungary: Boggie with “Wars for Nothing” 1.34% (746 votes)
33. Serbia: Bojana Stamenov with “Ceo svet je moj” 1.26% (702 votes)
34. Austria: The MakeMakes with “I Am Yours” 1.23% (685 votes)
35. Montenegro: Knez with “Adio” 1.18% (655 votes)
36. Denmark: Anti Social Media with “The Way You Are” 1.17% (653 votes)
37. San Marino: Michele Perniola and Anita with “Chain of Lights” 1.15% (639 votes)
38. Cyprus: Giannis Karagiannis with “One Thing I Should Have Done” 1.14% (636 votes)
39. Finland: Pertti Kurikan Nimipäivät with “Aina mun pitää” 1.14% (635 votes
40. Moldova: Eduard Romanyuta with “I Want Your Love” 1.1% (613 votes)
Total Votes: 55,739(ATSH)
“PUNË ME QEDER“
Nga Fadil LUSHI/
Vështrimet, opinionet, editorialet po edhe analizat politike, jo gjithmonë e domosdo duhet të jenë të qëndrueshme, premtuese dhe realiste dhe jo detyrimisht e dosido duhet të lexohen, të vlerësohen a edhe të shijohen nga ana e lexuesit. Nëse ato nuk e kanë “takatin mental” për të kthjelluar çështje të caktuara politike, kulturore e të tjera, atëherë atyre do t’u mungojë vëmendja e masave, në veçanti e atyre që i lexojnë me përkushtim. Ne, këtë opinion tonin të radhës, do ta fillojmë me atë fjali që në vete përmban mësime të urtësisë sonë popullore: “Bujku që mbjell grurin lëre që di ta korrë, po edhe e di se në ç’kohë duhet ta korrë grurin”! (Që ne e parashtrojmë këtë shkrim tonin as që na bie ndër mend ta barazojmë me urtinë popullore të lartpërmendur, sepse një gjë të tillë, tekefundit, mund ta bëjë vetëm ikona e eseistikës shqiptare, Faik Konica).
Vështrimin tonë do ta vazhdojmë me atë “vakinë” me presidentin e nde-ruar të Republikës së Shqipërisë, zotin Bujar Nishani (besojmë se në asnjë mënyrë nuk do ta keqpërdorim emrin dhe postin që ka), i cili kohë më parë kishte “rruar mustaqet e tij”(!?). Me të marrë këtë “lajm”, thashethemexhinjtë në mënyrë të paturpshme “ia mbathën vrapit“, se kush më i pari “do të fuste hundët” në jetën intime a private të të respektuarit kryepar të shtetit shqiptar (ne që e bëjmë këtë shkrim për lexuesit tanë të nderuar, nuk do të futim hundët). Një “fut-hundje” të tillë nuk “hezitoi” ta bënte edhe “kryeplaku” i fshatit aty pranë Tiranës, edhe analisti, edhe politikani (hiq mënjanë berberët e bllokut), edhe deputeti, por edhe ata që shpërblehen a paguhen nga ana e shtetit, për t’i huma-nizuar standardet, parimet, moralin dhe ligjet e institucioneve, qofshin ato qendrore a vendore, dhe ata në vend që t’i emancipojnë institucionet në fjalë, ata do t’i ngatërrojnë ato, ata nuk shpërblehen që t’i ngatërrojnë afatet, nuk paguhen që t’i ngatërrojnë zyrat, t’i ngatërrojnë vulat, t’i ngatërrojnë suret (secili nga të njëqind e katërmbëdhjetë kapitujt e Kuranit famëlartë), jo të ngatërrojnë vaktet e namazit, jo të ngatërrojnë zërin e myezinit me atë ushtimën e kumarxhiut, jo të ngatërrojnë rrapin me panjën, jo të ngatërrojnë të mirën me të keqen, jo të ngatërrojnë profesionet, jo të ngatërrojnë tragjiken me komiken, jo të ngatërrojnë ngjyrat, jo të ngatërrojnë kompjuterin me televizorin, jo të ngatërrojnë identitetet e nevojtarëve të cilët ditë për ditë frekuentojnë hapësirat ku jepet lëmoshë, jo të ngatërrojnë orarin e punës, jo të bëjnë “punë me qeder”, jo të ngatërrojnë të vërtetën me atë “kambanarin e manastirit pa hair”(!?), atij kambanari, i cili kur t’i teket e si t’i teket e lëshon kushtrimin e rremë për liri”(!??), jo të ngatërrojnë xhepin e zbrazët të xhaketës së fukarasë me xhepat e thellë të pantallonave të nëpunësit të korruptuar…, dhe, së fundi, ata nuk paguhen të ngatërrojnë kompetencat!? Ca ngatërresa kompetencash kishin bërë edhe disa “kryeministra të Gadishullit Ilirik”. “I pari (se i pari, i dyti dhe i treti ç’emra kanë, kjo pak rëndësi ka për ne), në vend që të merret me drejtimin e vendit, në vend që të merret me qethjen e sistemit të drejtësisë hallakamë, në vend që të merret me dertet e miletit, në vend që të merret me varfërinë e…, ai ngatërron antikitetin a lashtësinë e kombit të vet…, ngatërron spiunët vendorë me kodoshët a përgjuesit e huaj. I dyti, në vend që të sikletoset me krimin e organizuar, në vend që të dalldiset me tritolet, merret me mustaqet e presidentit si dhe me ilaçet e doktorit. I treti, në vend që të merret me ekonominë e shkatërruar të vendit, në vend që ta pengojë eksodin e popullatës, ai ngatërron koalicionet joparimore si dhe merret me krijimin e…,”(!?). (unë nuk e them dot se me ç’krijim merret). Që të tre, në vend që krimit të organizuar institucional t’ia vënë teneqenë a legenin në bisht dhe në vend që ta varin për k…, ta varin në çengel (!?)…, ata “bëjnë shtëpi dhe shtete me sehir dhe për sehir”(!?).
Këtë shkrim do ta përfundojmë me atë fjalinë që në vete përmban mësime të urtësisë sonë popullore: “Lumi e ka ujin të pastër në burim”. Po ç’lidhje ka kjo urtësi me paragrafin e fundit të këtij shkrimi. Po besojmë se ka, me kusht nëse lidhet me meselenë dhe shpjegimin e një të moshuari që ka shkelur të shtatëdhjetat. Një ditë ky i moshuar ma lakoi dertin e tij që kishte me një burokrat të një institucioni qendror, i cili edhe pas një dekade, nuk ia kishte larë një borxh të vjetër…, pos të tjerash, më tha: “Ti, miku im, pa më thuaj pse unë duhet të jem i përjashtuar nga turma e njerëzve që janë të barabartë edhe para ligjit, edhe para librit të shenjtë-Kuranit, edhe para drejtësisë, edhe para Perëndisë, po edhe para fjalës së drejtë!”. Vazhdoi të ma shpjegonte të kaluarën fëmijërore dhe adoleshente të burokratit: “Eh, sa i bukur ishte kur i kishte pesë vjeç, sa i bukur ishte kur filloi të mbante mend, sa i bukur ishte kur filloi të këndellej. Eh, sa i bukur ishte kur gocat filluan t’i shkojnë vërdallë, eh, sa i bukur ishte kur për herë të parë filloi të urinojë drejt, eh, sa i bukur ishte kur burrat për herë të parë e ftuan a e gostitën në tryezën a sofrën e tyre, eh, sa i bukur ishte kur pinte ujin e pastër në burim… Eh, ai e humbi burrërinë dhe nurin kur ra në kthetrat e njerëzve shpirtligj dhe ngatërrestarë…, ata të cilët e detyruan që punën ta bënte me qeder…, u bë si njerëzit kur dalin lugat”(!?). Para se të ikte, m’u duk sikur majë gjuhës i ishte ngatërruar një “fjalë fyese”, nuk e shqiptoi dot, kishte marrë avdes për namazin e iqindisë…, kishte larë këmbët, veshët, sytë, duart dhe kishte shpëlarë gojën. Thonë se ai bujku i mirë edhe sivjet do ta korrë grurin, nuk do të ngatërrojë vaktet, siç ne ngatërruam toptan këtë shkrim – dhe siç e turbulluam ujin që nga burimi…, nëse kjo është për njëmend, atëherë le të më ndjejë lexuesi i shkrimeve të mia. Tekefundit, “qari dhe qederi shkojnë bashkë”.
Karikatura Ilustruse nga Bujar Kapexhiu
Për pak kulturë më shumë…
Shkruan: Entela Binjaku*
“Kultura është thesari më i çmuar i njeriut të qytetëruar, është stolia e mendjes, lartësimi i shpirtit, shkathtësia e ndjenjave, freskia e spiritës…”,- kështu thoshte më 1938 një ndër personalitetet e kulturës dhe gazetarisë shqiptare, z. Tajar Zavalani.
Por, si arrihet tek kultura? Si mund mbërrihet që ky mendim të kthehet në mendësi dhe bindje shoqërore?
Ky shkrim lindi pikërisht nga një refleksion i mbështetur në nevojën për të njohur shoqërinë në disa dimensione, siç është aftësimi emocional falë kulturës, leximit, si qëndron gjinia femërore në këtë lëmi etj.
Stimulimi emocional që arrihet falë teatrit, filmit, artit muzikor, librit etj., është një domosdoshmëri për vetë ekzistencën e njeriut si një qënie e përmbushur shoqërore. Në mungesë të këtij stimulimi, jeta karakterizohet nga një egërsi dhe agresivitet që shkon vetëm në rritje.
Edhe pse në dukje një parim i universalizuar dhe larg realitetit tonë, një vështrim në jetën e shoqërisë shqiptare mund ta pohojë këtë ide. Raporte ndërpersonale që tensionohen falë moskuptimeve apo keqkuptimeve, ndjesi të pashprehura falë varfërisë në fjalor, empati e kufizuar, indiferencë ndaj përjetimeve emocionale të tjetrit etj., janë disa nga elementët që përshkruajnë tablonë tonë shoqërore.
Edhe pse në këtë çerekshekulli jeta në Shqipëri njohu mjaft aspekte liberalizuese, sërish agresiviteti në shoqëri ka qënë gjithëherë i pranishëm dhe i shfaqur në mënyra e intensitete të ndryshme.
Po të vështrohet jeta e qytetarëve shqiptarë në të gjithë vendin, do të vihet re se për aspekte të stimulimit emocional nuk është menduar aspak, përkundrazi kësaj mungese i janë shtuar vështirësitë ekonomike, të përballimit të mbijetesës, të cilat në kushtet e zbrazëtisë shpirtërore bëhen edhe më të vështira. Shkaku i kësaj apo arsyet për këtë mund të gjenden kudo por në mënyrë të përmbledhur do të thoshim se vetë ngritja e kufizuar kulturore e shoqërisë dha premisa për këtë gjendje.
Pak ose aspak kinema, pak ose aspak shfaqje teatri, pak ose aspak shfaqje të muzikës serioze…kjo është situata e përgjithshme në çdo cep ku jetojnë qytetarët shqiptarë, edhe pse nevoja shpirtërore e tyre është e krahasueshme me cilindo qytetar evropian kudo ku jeton.
Megjithatë gjatë kësaj periudhe një ndër fushat që u pasurua mjaft në vendin tonë, ishte fondi i letërsisë në gjuhën shqipe.
Tituj të panumërt nga fusha të ndryshme të aktivitetit njerëzor, autorë nga më të vlerësuarit në botë, emra përkthyesish që u bënë të njohur, qëndrojnë përkrah emrave nga më mirët e fushës së përkthimit, etj.
Gjatë këtyre viteve shoqëria u njoh me emocionet e”Nobelit”, me konceptin e librave “më të shitur”, u njoh me letërsinë që vinte nga të gjitha anët e botës, duke pasuruar bazën e asaj letërsie klasike me të cilën ishte edukuar shoqëria që në periudhën e para viteve ’90 etj.
Por, a është kuptuar rëndësia e të lexuarit tek shqiptarët? Më tej akoma, në morinë e lexuesve, sa janë gra dhe vajza duke qenë se ato kanë një përgjegjësi të madhe edhe në edukimin e fëmijëve?
Për t’ u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve është e udhës të japim disa përcaktime lidhur me rëndësinë e leximit. Ashtu siç veprojnë edhe studiues të ndryshëm në botë, edhe ne kemi nevojë të rekomandojmë në mënyrë të vazhdueshme lexuesit lidhur me efektet e letërsisë dhe të të lexuarit.
Duke i mëshuar universalitetit të rëndësisë së leximit, nisur edhe nga boshllëqet e sipërpërmendura, duke theksuar idenë se shoqëria ka nevojë për gra dhe vajza që lexojnë, letërsia bëhet një aspekt i domosdoshëm për përparim tek ne.
Jo vetëm si një element i zhvillimit të imagjinatës, as thjesht si mundësia e pasurimit të fjalorit, por tek letërsia qëndron fuqia e pasurimit të botës shpirtërore të njeriut.
Studiues nga kultura të ndryshme në botë kanë arritur në përfundime të rëndësishme sa i takon ndikimit të letërsisë në aspektin psiko- emocional të njeriut.
Konkretisht, disa studiues nga Universiteti i Torontos janë të mendimit se “vlera e letërsisë së lexuar qëndron në përpjestim të drejtë më aftësimin e lexuesit për të kuptuar dhe deshifruar veprimet e të tjerëve”. Sipas tyre, “sa më e vlerë të jetë letërsia e lexuar, aq më e lartë është shkalla e njohjes së përjetimeve emocionale tek të tjerët dhe tek vetja”. Gjatë punës së tyre ata panë se një letërsi e zgjedhur, rriste ndjeshmërinë ndaj emocioneve të të tjerëve duke ju dhënë madje atyre edhe shpjegime mjaft të thelluara.
Duke shqyrtuar edhe lexues të letërsisë “komerciale” e asaj fantastike-shkencore u vu re se edhe pse këto lloj letërsie figurojnë në krye të listës së “librave më të shitur”, nuk mund të japin pot ë njëjtin përfundim si lexuesit e rastit të sipërpërmendur.
Duke u kthyer në vendin tonë, shoqëria duhet të kuptojë se të lexuarit nuk është një mënyrë “për t’u arratisur nga realiteti”, as edhe një mënyrë “për të kaluar kohën”, por është mjeti për të rritur ndjeshmërinë njerëzore dhe forcën shpirtërore për të përballuar veprimtaritë e jetës.
Letërsia, duke na dhënë mundësinë të vendosim veten në vendin e personazheve, na ka ndihmuar të zbatojmë ndjesitë e përjetuara dhe aftësitë e fituara falë tyre, edhe gjatë gjithë aktivitetit tonë jetësor.
Duke njohur agresivitetin e jetës shqiptare gjatë kësaj periudhe, është e domosdoshme të ndihmohet jeta shoqërore duke jua bërë të qartë qytetarëve tanë këtë korelacion që ekziston midis ndjesive emocionale që kultivohen dhe procesit të të lexuarit.
Për të parë efektet që ka letërsia tek lexuesit, studiuesit e universitetit të Torontos shqyrtuan në mënyrë të krahasuar reagimet e lexuesve të letërsisë së lëvruar nga nobelistja Alice Munro, me të cilën është njohur edhe lexuesi shqiptar, me reagimet e lexuesve së një letërsie që kishte përftuar edhe cilësimin “best-seller”.
Elementi kryesor që i dallon këto dy lloj letërsish është fokusi: tek Alice Munro përqëndrimi është më shumë tek personazhet sesa tek veprimi apo intriga në vetëvete. Sipas studiuesve, rrëfimi i saj nuk vendos ato kufij të autoritetit që i kanë të nevojshëm shkrimtarët e tjerë që lëvrojnë letërsinë e tipit ‘best-seller”.
Vetë nobelistja e vitit 2013, Alice Munro me të cilën lexuesit tek ne janë njohur përmes romanit “Virgjëresha shqiptare”, nuk të thotë çfarë të besosh, por ashtu siç ndodh edhe në jetë, ajo nxit vetë lexuesit të paraprijnë reagimin e personazheve.
Është e pamohueshme që letërsia nxit fleksibilitetin emocional i cili është bërë kaq i nevojshëm në këto kohë kur raportet ndërpersonale mes njerëzve janë kthyer në thjesht formale, dhe ku vetë përfshirja emocionale në to është e ulët.
Librat janë një ushtrim i mirë për imagjinatën, e cila njihet për rëndësinë që ka në rezonancat afektive tek njeriu.
Ndaj qytetarët shqiptarë në përgjithësi duhet të kuptojnë se të lexuarit ndikon në kultivimin e atyre cilësive që kanë një rëndësi të madhe në dinamikën e jetës, siç është ndjeshmëria, empatia, thellimi tek aspektet emocionale, aftësia për të paraprirë reagimet e tjetrit etj.
Nëse në radhët e lexuesve, numri më i madh do të ishte nga gjinia femërore, kjo e dhënë do ta shtonte optimizmin tonë për një grua më të edukuar kulturalisht, të pajisur me një botë shpirtërore të pasur, emocionalisht më të përmbushur, me aftësi shprehëse të admirueshme etj.
Në kushtet kur jeta shoqërore në vendin tonë, nuk njeh shumë mundësi stimulimi emocional nga të tjera fusha të artit e kulturës, së paku leximi mund të plotësojë atë pjesë që mbetet në mungesë të tyre.
Një shoqëri më e lexuar në përgjithësi dhe një grua e lexuar në veçanti do të ndihmonte shumë edhe aspektet e tjera të zhvillimit kulturor. Ajo është një domsodoshmëri për shoqërinë, jo vetëm për ekzistencën e saj njerëzore, por edhe për aspektin e saj si qënie shoqërore. Një grua që lexon, ndër të tjera nënkupton një nënë të ardhshme me një botë shpirtërore të pasur, me një fjalor të edukuar, me emocione për të përcjellë, me ndjeshmëri ndaj së bukurës etj.
Për këtë arsye leximi rekomandohet dhe nxitet përmes agjencive të ndryshme që ka ndërtuar shoqëria, siç është edhe media, pjesë e së cilës janë edhe revistat. Ndaj për të mbërritur të përcjellim si një mendësi shoqërore pohimin e z. Zavalani është e nevojshme të “shfrytëzohet” çdo mjet që shoqëria ka krijuar për të përcjellë mesazhin e kulturës dhe të një shoqërie që leximit i avitet me dashuri dhe vullnet.
*Drejtore e Fondacionit “Harriet Martineau”.
150 vjet nga vrasja e Presidentit Abraham Linkoln
Përgatiti për “Diellin”, Shefqet Kërcelli/
Më 14 prill të vitit 1865, u vra Presidenti Abraham Lincoln. Një shekull e gjysëm më vonë, ai konsiderohet si një nga udhëheqësit më të dashur të Amerikës, legjitimiteti i të cilit vazhdon të frymëzojë presidentët amerikanë dhe udhëheqësit botërorë. Në vijim po i hedhim një vështrim arritjeve kryesore të presidentit Linkoln dhe si po e përkujton atë një kinema-ikonë e Uashingtonit këtë ngjarje historike. Njëqind e 50 vjet më parë, më 14 prill, u vra presidenti amerikan Abraham Lincoln, kur bashkë me të shoqen po shikonte një shfaqje në kinemanë Ford në Uashington. Ndërsa vrasë si i tij, John Wilkes Booth largohej nga skena e krimit, zotin Linkoln e çuan në një shtëpi pranë kinemasë, ku ai vdiq mëngjesin e së nesërmes. Vdekja e tij ndodhi pikërisht në momentet kur ai po e udhëhiqte vendin drejt daljes nga Lufta Civile, gjatë së cilës u vranë mbi 620 mijë ushtarë amerikanë. Shpëtimi i Unionit ishte një prej arritjeve më të shquara të presidencës së tij, thotë Michelle Krowl, historiane në Bibliotekën e Kongresit. “Në se vendi do të ishte udhëhiqur nga një burrë më pak i fortë, më pak i vendosur, më pak mendjemprehtë, shumë thjesht mund të kishte ndodhur ndryshe. Por ai i pa Shtetet e Bashkuara si një eksperiment i demokracisë, që ai po e mbështeste, një çështje që baballarët e kombit e kishin filluar dhe ai nuk donte që ky ekperimentim i demokracisë të dështonte.” Presidenti Lincoln ndihmoi gjithashtu që t’i jepej fund skllavërisë në Shtetet e Bashkuara. Proklamata e Emancipimit e publikuar më 1 janar të vitit 1863, i hapi rrugën lirisë së afrikano-amerikanëve. Më vonë, po atë vit, zoti Lincoln mbajti fjalimin historik të Getisburgut, katër muaj pasi ushtarët e Unionit mundën forcat e Konfederatës në betejën më të rëndësishme të Luftës Civile. “Kur lexon fjalimin e Getisburgut, Lincolni thotë se “kjo është qeveria e popullit, e zgjedhur nga popullit dhe në shërbim të popullit”, ai e nënkuptonte këtë. Lincolni ishte një njeri i cili donte t’i zgjeronte të drejtat e popullit. Ai donte që Shtetet e Bashkuara ta përmbushnin me të vërtetë potencialin e tyre demokratik, për të qenë një vend që përmbush Deklaratën e Pavarësisë, ku thuhet “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë”. Për të shënuar 150 vjetorin e vrasjes së Presidentit Lincoln, muzeumet dhe institucionet historike të mbarë vendin kanë hapur ekspozita të veçanta, ku jepen edhe shfaqje. Një nga më të rëndësishmet është kompleksi i Teatrit Ford. Këtu, objektet paraqiten së bashku për të parën herë që nga ajo mbrëmje tragjike. Mes tyre është edhe një pistoletë e vogël, me të cilën John Ëilkes Booth vrau Presidentin. “Domenthënia e kësaj arme është se ajo ka ndryshuar drejtimin e historisë; në një moment të vetëm, një nga presidentët tanë më të madh e rrëzuan, duke e vrarë.” Tracey Avant, kuratore e ekspozitës, thotë se po ashtu janë ekspozuar shumë nga objektet personale të zotit Lincoln, mes tyre dhe kapelja e tij karakteristike. “Kjo është një kapele-ikonë. Të gjithë e përfytyrojmë Abraham Lincolnin me kapele. Por ajo që e bën atë më të bukur, është se ai i vuri kapeles këtë shirit për të kujtuar djalin e tij Willie, i cili vdiq në vitin 1862 nga ethet e tifos. Kjo tregon se sa shumë e ndjeu ai humbjen e djalit.” Një objekt tjetër i preferuar i vizitorëve janë syzet e Presidentit Lincoln. “Bishti i syzeve ishte thyer, prandaj ai përdorte një copë spangoje për t’i lidhur. Për mua ky është një detaj që e bën atë shumë njerëzor.” Ndërsa jeta e tij u pre në mes, legjitimeti i zotit Lincoln vazhdon të jetojë, si një nga presidentët më të mëdhenj në historinë e Shteteve të Bashkuara. Për të janë shkruar më tepër libra se sa për çdo president tjetër amerikan. Fytyra e tij është gdhendur tek monedha amerikane. Miliona njerëz e vizitojnë memorialin e tij në Uashington. Ndërsa amerikanët shënojnë 150 vjetorin e vdekjes së presidentit të tyre të 16-të, shumë besojnë tek vizioni i Abraham Lincolnit dhe i paraardhësve të tij, – për një vend ku të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, -se një ditë do të realizohet. Nërkohë Presidenti Abraham Linkoln do mbetet dhe për shqiptarët kudo që janë, vecanërisht për shqiptaro-amerikanët, simbol i demokracisë, i së drejtës, i sakrificës, i barazisë dhe humanizmit njerëzor.