-Ta jetojmë jetën sikur te ishte dita e fundit/
-Kam prezantuar Koncertin e Pranverës dhe Mis Albania në Kanada/
– Mashkulli im ideal duhet te ketë zgjuarsinë, humorin dhe thjeshtësinë/
– Mendoj se meshkujt në Shqipëri janë dominues dhe prepotent
Nga Albert Z. ZHOLI/
Ajo është rritur në Kanada, por gjuhën shqipe e flet në mënyrë perfekte. Edukimi i saj arsimor ndahet mes Amerikës dhe Kanadasë ku ajo të dyja shkollat i përcakton të cilësisë shumë të lartë. Në Kanada e filloi karrierën e modelingut dhe tashmë kërkesat në Shqipëri dhe vende të tjera janë të përjavshme. Por më shumë se të qenit modele ajo dëshiron të jetë një intelektuale e aftë dhe me karrierë./
Kur je larguar nga Shqipëria?
-Jam larguar në vitin 2000, kam qenë 9 vjeçe. Ishte një dëshirë e nënës që sot e kuptojmë sa mirë ka bërë.
Si je ndjere në Kanada dhe a ke pasur shenja racizmi?
-Jam ndjerë shumë mire pasi në Kanada nuk ekziston racizmi, çdo njeri ndjehet i barabartë. Është shtet që ka çdo kombësi.
Keni disa kërkesa për modele, cila është paraqitja e parë?
-Po, kërkesa për modeling kam pasur plot. Për herë të parë në moshën 18 vjeç, kam qenë modele e kompanisë Carolyn’s Modeling në Toronto por nuk e vazhdova më gjatë pasi me merrte shumë kohë me shkollën e lartë që do vazhdoja. Dhe pse për një kohë ju përkushtova shkollës së lartë, kërkesat për modeling sa vinin dhe rriteshin. Shpesh herë e pyesja veten, sikur t’i përkushtoja pak kohe s’do ishte keq.
Imazhi i kujt jeni aktualisht?
-Aktualisht jam imazhi i “LiliSposa” me fustanet e nusërisë 2015 në Tiranë.
Si është shkolla kanadeze në krahasim me atë shqiptare?
-Unë kam ikur e vogël nga Shqipëria, në klasën e 4-ët. Nuk ja kam idenë shumë me shkollat shqiptare, por shkollat kanadeze të japin me shumë mundësi për një edukim shkollor.
Studimet e larta ne Amerike, a ndiheshit e vetmuar?
-Jo, përkundrazi, u ndjeva e mirëpritur nga pedagoget e shkollës dhe shoqëria s’më mungonte. Gjithashtu kishte dhe studentë të tjerë që kishin udhëtuar nga shtete te ndryshme për të njëjtën arsye dhe kjo më bënte të mos ndihesha e vetme apo e vetmuar. Në Amerikë isha vetëm për dy vjet, pasi dy vjet i bëra në Toronto, Kanada. Jashtë orareve të shkollës ka gjithmonë aktivitete që mund të merresh, një arsye tjetër që s’më linte të ndihesha e vetmuar. Por mbi te gjitha familja ime, sidomos mami, më qëndronte pranë dhe pse ishim 1 orë larg me avion. Përveç këtyre, çdo 3-4 javë udhëtoja për në Kanada dhe kështu gjatë gjithë kohës kam qenë gjithmonë aktive, dhe kur je aktive si mund të ndiesh e vetmuar? Pastaj s’më linte njeri mua te ndihesha e vetmuar, gjithmonë jam e rrethuar nga njerëz që më duan.
A ka ndryshime mes Amerikës dhe Kanadasë?
-Jo, nuk kanë ndonjë ndryshim të madh. Te dyja shtetet, si Kanadaja dhe Amerika, janë vende sociale, multikulturore dhe multi-kombësi.
A jeni e dashuruar dhe cila është e veçanta në dashurinë tuaj?
Dashuria është një gjë shumë e bukur, sidomos kur besimi, çiltërsia dhe sinqeriteti si mungojnë. Mua këto s’më kanë munguar asnjëherë dhe kam qenë gjithmonë e dashuruar, sidomos me njerëzit që më vlerësojnë si person por dhe kohën që i përkushtoj.
A ka ndonjë mashkull qe ju ka rrëmbyer zemrën?
-Hehe, po çfarë të them!? Kam një personalitet ku s’më mungon konfidenca dhe kjo sikur e sfidon pak një mashkull për të më rrëmbyer zemrën. Po është dikush që më ka rrëmbyer dhe ja kam rrëmbyer zemrën dhe që më lumturon shumë. Sigurisht është shqiptar.
Minifundet janë veshje e përditshme apo në raste të veçanta?
- Te dyja rastet janë të veçanta. Më pëlqen të vishem sipas stilit tim dhe kjo përfshin minifundet. Për mua dhe ditët e përditshme janë raste te veçanta, pasi ajo që ikën nuk vjen më dhe pse jo? Ta jetojmë jetën sikur te ishte dita e fundit.
Ngjyra më e preferuar në veshje?
-Mua me pëlqejnë te gjitha ngjyrat, pasi ato janë pjesë e jetës se përditshme, por do veçoja ngjyrën e zezë.
E praktikoni plazhin nudo?
-Po, e praktikoja dikur, kur isha 1 ose 2 vjeçe… hahaaaa.
Cili është mashkulli ideal sipas jush, çfarë duhet të ketë?
-Mashkulli im ideal duhet te ketë xhentilecën, përkujdesjen mbi veten dhe normalisht për mua, zgjuarsinë, humorin dhe thjeshtësinë.
Ku vihet re maskilizmi i shoqërisë shqiptare?
-Mendoj se meshkujt në Shqipëri janë dominues dhe prepotent, por këto cilësi janë shqetësuese për te gjithë femrat në gjithë shoqërinë njerëzore.
Ngjyra e preferuar?
-Siç përmenda me sipër, çdo ngjyrë ka vendin e vet ne shijet e mia por në veçanti ngjyra bojë qiell dhe e kuqe pak me shumë.
Po syzet, këpucët dhe parfumi i preferuar?
Jam shumë çmendur pas parfumeve, kam shumë por për momentin preferoj Giorgo Armani si dhe Miss Dior. Kam dhe disa palë syze që i ndërroj shpesh si Burberry, Roberto Cavalli, Raybans, Guçi. Këpucët janë hobi im. Mund te kem rreth 70 palë ne gardërobe. Të preferuarat e mia janë Christian Loboutin, posedoj 3 palë për momentin dhe dua të rris koleksionin.
Jeni supersticioze?
-Jo, nuk jam.
Mendoni te ktheheni ne Shqipëri?
-Jetës nuk i dihet, ndoshta një ditë edhe mund të kthehem por për momentin me pëlqen te kthehem për pushime, pasi në Kanada kam ikur në moshë shumë të vogël dhe kam krijuar një jetë tjetër atje.
Angazhoheni me aktivitete Shqiptare atje?
-Po, kam prezantuar Koncertin e Pranverës, Miss Albania në Kanada si dhe mbrëmjet për Festën e Flamurit. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Gjithashtu kam qenë pjesëtare e Grupit të Valleve që kemi kërcyer tek festat tona kombëtare.
GRANATIMI I USHTRISË AKTIVE SERBE MBI VENDBANIMET E PA MBROJTURA CIVILE
Shkruan:Isuf B. Bajrami/
DEKLARATË DËSHMIE/
PËR GRANATIMI I USHTRISË AKTIVE SERBE MBI VENDBANIMET E PA MBROJTURA CIVILE NË LAGJEN “QENAR QESHME” MË 28.03.1999, E CILA ËSHTË DORËZUAR NË GJYKATËN E QARKUT NË GJILAN PAS LUFTËS POR AKOMA NUK ËSHTË PËRFILLUR NGA ASKUSH/
Me fillimin e bombardimeve të NATO-së (me 24 mars 1999) mbi caqet e ushtrisë serbe në Kosovë, filloi një shpresë për jetën dhe lirinë e afërt për popullatën e pambrojtur në Kosovë. Njëkohësisht filloi edhe tmerri dhe frika e popullsisë civile shqiptare, e cila mbeti nën mëshirën e forcave paramilitare serbe dhe ushtarako-policore.
Qysh në ditën e parë të bombardimeve të NATO-së caqet e Ushtrisë serbe në Komunën e Gjilanit, popullata e pambrojtur shqiptare në shumicën e fshatrave të Karadakut si në Livoq i Ulët, Livoq i Epërm, Cerrnicë, Pasjak, Bresalcë, Përlepnicë, Shillovë, Malishevë, Uglarë, Pogragjë, Velekincë, Llashticë, Lladovë, Zhegër, etj. u urdhëruan nga forcat paramilitare serbe, që banorët shqiptarë t’i lëshojnë këto vendbanime.
Më 27. 03. 1999 para mbrëmjes, Komandanti i policisë serbe për lagjen e “Qenar Qeshmes”, Vitomir Iliqi, nga fshati Kormijan K. K. Kamenicë me vendbanim ne lagjen Kamnik (banesë shoqërore) ka qenë duke kaluar afër shtëpisë së Ramadan Azemit nga fshati Suharne. Ka trokitur në dritarën e shtëpisë së tij dhe kur ka dal mixha Ramë me bashkëshorten e tij, Iliqi i ka thënë;”… nesër do të ketë bombardime në lagjen “Qenar Qeshmë”!!!”. Kjo ka të bëjë lidhur me vëzhgimin e një grupi të oficerëve të Ushtrisë serbe, të cilët me një automjet të tipit NIVA (ishin tre vetë) e kanë vëzhguar lagjen tonë. Vëzhgimi ka qenë një javë para bombardimeve, të cilët për tri dite rresht e vëzhguan lagjen e “Bregut të Diellit” dhe në lagjen “Qenar Qeshmë”.
Më 28.03.1999 në ora 22 Komandanti i policisë serbe për “Qenar Qeshme”, Vitomir Iliqi së bashku me dy persona ka ardhur afër derës së hyrjes së shtëpisë të Hetem Murtezit (baba i Hajdin Murtezit dhe Ukshin Ajdini). Ka vëzhguar terrenin (shtëpitë e Hetemit dhe të djemve të Ukshinit dhe Ajdinit) me qëllimin se ku kanë qenë, dhe në cilën shtëpi gjenden anëtarët e gjerë të familjes.
Djali i Hetemit, Ukshini sëbashku me djalin e hallës së tij Ahmet Halili me vendbanim në fshatin Zhegër K.K Gjilan, ishte i strehuar së bashku me familjen e tij (tre fëmijë dhe bashkëshortja). Në kohën e lartpërmendur kishin dalë në derë të shtëpisë së babait të tij dhe në atë moment ndeshen me një civil të panjohur (kishte të veshur farmerka dhe një xhemper ngjyre hiri). Ai kishte tentuar ta hapte derën e dyerve të oborrit, por në atë moment e kishte parë Ukshinin dhe Ahmetin. Ishte tërhequr mbrapa dhe disa metra nga aty, kishte renë në një vend me rërë. Aty kishte qëndruar dy-tre minuta dhe pastaj është ngritur në këmbë për t’u larguar. Me rastin e largimit, ai i bashkohet në një vend më larg komandantit të policisë Vitomir Iliqit. Iliqi me këta dy persona të panjohur kanë vazhduar pastaj rrugën dhe afër 100 metra në rrugën e epërme që ka hyrjen tek varrezat, me këta tre kanë ardhur edhe tre persona të panjohur! Janë ulur dhe kanë biseduar për planet e tyre. Vitomir Iliqi u kthye me dy persona afër shtëpive tona te muri i varrezave, mbi shkollën fillore “Abaz Ajeti”, dhe aty janë ulur. Kurse tre personat tjerë, të panjohur (bashkëpunëtorë të Iliqit) kanë dalë në lagjen e epërme “Bregu i Diellit”, afër shtëpisë së mixhës Ramë dhe Shabanit të Uglarit.
Të njëjtën natë, më 28.03.1999 në ora 22.00 e kam pare Iliqin kur e ka shkrepur revolen me predhë ndriçuese, për t’i sinjalizuar forcat e ushtrisë serbe të cilat ishin të stacionuara në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”, për gjuajtje nëpër shtëpitë shqiptare në lagjen e “Qenar Qeshmë” dhe në lagjen “Bregu i Djegur” në Gjilan.
Shumë qytetarë të lagjes “Qenar Qeshmë” dhe “Zabelit të Sahit Agës”, janë dëshmitarë të cilët e kanë dëgjuar komandën ushtarake: “Nishani” ( merrë në shënjestër) dhe komandën tjetër “Pali” (zjarr). Gjuajtja e parë me granatë është bërë në shtëpinë e Shaip Zekës. Nga kjo gjuajtje është goditur dhoma e ndejës. Fatmirësisht asnjë anëtarë i familjes nuk ishte në atë dhomë, pasi që në atë moment ata ndodheshin në oborrin e shtëpisë. Nga ky sulm, është dëmtuar një dhomë e shtëpisë së Shaipit, ku të gjitha tjegullat e shtëpisë kanë rënë në tokë. Përveç kësaj, në këtë sulm të ushtrisë serbe është plagosur djali i Shaip Zekës, Isa Zeka.
Në afërsi të shtëpisë së Shaipit, nga ky granatim janë plagosur rëndë Zyhrije Pireva (e lindur me 13.08.1978) dhe Fikrije Pireva (1981). Familja Pireva menjëherë i marrin për t’i dërguar me automjet e tyre privat në ambulanten e qytetit. Sipas deklaratave të familjes, janë ndalur nga policia serbe dhe janë pyetur se;” … ku jeni duke shkuar”, ata janë përgjigjur:” …në ambulant, për kontrollim mjekësor. Janë të plagosura 2 vajza”.
Policja serbe i ka urdhëruar të kthehen mbrapa dhe ju kanë thënë:”… lypni ndihmë prej UÇK-së dhe NATO-s!!!” Me atë rast një polic e ka gjuajtur veturën me automatik dhe e ka plagosur për së dyti herë Fikrijen. Këta prej frikës kanë shkuar drejt në spitalin e qytetit, dhe i kanë dërguar të plagosurit.
Zyhrije Pireva ka vdekur në Spitalin e Gjilanit dhe është varrosur në varrezat e qytetit më 01.04.1999.
E dyta Granatë është gjuajtur në shtëpinë e Ukshin Ajdinit. E ka kapur vetëm kulmin e shtëpisë. E shoqja e Ukshinit, Hasije Ajdini ka qenë në katin e 3-të, e frikësuar që e kishte kapur flaka e granatës. Për fat nuk kishte eksploduar në shtëpinë e tij, të gjithë fëmijët kanë qenë në shtëpi. Fëmijët e vëllezërve, Babai, Nëna, Fëmijët e nipit të Ahmet Halilit nga zhegra. Mbas 5 minutave ka ardhur Fqinji i parë Xhavit Daku dhe ka pyetur a keni shpëtua familja e juaj, se granata ka rënë në kulmin e shtëpisë së juve.
Unë ju kam përgjigjur se jemi të gjithë mirë, fati i jone nuk ka eksploduar në shtëpi, por ka rënë në varreza.
E treta gjuajtje e granatës është gjuajtur pranë shtëpisë mixhës Ramë, ka pasur të plagosur.
Gjuajtja e katërt është gjuajtur në oborrin e mixhës Ramë, predha ka rënë në murin e oborrit para shtëpisë. Në dalje të derës kanë qenë në shtëpinë e mixhës Ramë, Ramadan Salihu është vra në vend, një copë e granatës e ka rrokur në kokë dhe të gjithë trutë ja ka qit në tokë.
Hajdin Murtezi është plagosur rëndë, bashkë me të është plagosur mixha Ramë dhe e shoqja e tij që gjendet ende gjallë.
Mixha Ramë dhe Hajdin Murtezi kan vdekur si pasojë e palgosjes prej Granatimit.
Granata e pestë është gjuajtur te shtëpia e Shabanit të Uglarit. Granata ka rënë në kulmin e shtëpisë dhe të gjitha tjegullat kanë qenë të thyera. Granata e ka rrokur pllakën e katit të dytë të shtëpisë dhe copat i kanë rënë shtëpisë së Xhemajl Ymerit të LLadovës, shtëpisë së Aziz Kadriut të Zhegrës . Në ballkon të shtëpisë së vet është vrarë Xhemajl Ymeri.
Granata e gjashtë prej forcave ushtarake serbe, përsëri është gjuajtur në shtëpinë e Xhemajl Ymerit, ku i ndjeri ishte i vrarë në vend. Kishte edhe të tjerë të plagosur, por nuk kanë guxuar të lajmëroheshin për shkak të policisë serbe!
Shtëpitë kanë qenë të dëmtuara shumë prej granatimit, shtëpia e mixhës Ramë, shtëpia e Shabanit, shtëpia e Xhemajl Ymerit, shtëpia e turkut dhe banesa ku ka Banuar Hajdin Murtezi.
Me datën 28. 03. 1999 në këto vrasje dhe plagosje nga ushtria dhe policia serbe, ajo mbrëmje ka qenë shumë e trishtueshme për këto familje dhe banorët e “Qenar Qeshmes”. Atë natë, vrasja e Ramadan Salihut dhe Xhemajl Ymerit, si dhe plagosja rëndë e Hajdin Murtezit dhe Zyhrije Pireva e Lindur më 13. 08. 1978. Në atë moment ka qenë Masar Morina dhe vajza e tij, e cila ishte motër medicionale.
Të nesërmen në mëngjes me 29.03.1999 dita e Bajramit, tmerrin nga vrasjet dhe plagosjet prej forcave serbe, Hajdin Murtezin e kanë sjell Fëmijët e vet në shtëpinë e të Atit Hetem Murtezit. I plagosur shumë rëndë prej granatimit, as fytyra nuk i shihej, as sytë e gjithë lëkura i kishte rënë dhe mishi prej copave të granatës e copave të betonit!!!
Kishte edhe copa të mëdha në tërë trupin e tij. Kishte dhimbje shumë, sikur kur e nxjerr prej zjarrit i djegur ishte prej flakës së granatës dhe copave. Ne nuk guxonim që ta dërgojmë në spital, shkaku se kishte ushtarë dhe polici serbe. Tentonin të na vrisnin dhe thoshin lypni ndihmë prej UÇK-së dhe NATO-s!!!
Ne jemi detyruar ta thërrasim mjekun shqiptar në shtëpi për ndihmë mjekësore, ai ishte Shaqiri nga Burinca me banim në lagjen “Qenar Qeshme”, ku i ndihmonte edhe vajza e Ukshin Ajdinit (motër medicionale). Vajza e vëllait të Hajdinit, i kanë dhënë ndihmë mjekësore, ushqim artificial, injeksione dhe vaksinim kundër helmimit të gjakut. Edhe Shaqiri i kishte thanë Meritës se nuk e zënë 24 orëshi, ka për të vdekur se është rëndë i plagosur dhe merr helmim gjaku prej plagëve të rënda.
Merita dhe doktori bënin pastrimin me alkool dhe me jod trupin e tij.
Tre muaj ai është shëruar prej motrës medicionale Merita Ajdini dhe Shaqiri nga fshati Burincë me banim në Lagjen tonë dhe Dr. Maliq Bajrami doktor i syve.
Ai ishte shtrirë në krevat dhe tërë kohën i kanë nxjerr nga trupi me pincetë copa të granatës, prej fytyrës, kokës dhe trupit deri në vdekje. Kanë mbetur shumë copa granate në trupin e tij dhe helmi i tymit të granatës ia dogji mushkëritë dhe organet e frymë marrjes. Vdiq në mënyrë më mizore, me plagë të rënda të granatimit të forcave ushtarake dhe policore serbe.
Të vrarë dhe të plagosur janë:
1. Zyhrije Pireva. E Lindur me 13.08.1978 emri i babait Sherif, emri i nënës Bahtije e lindur ne fshatin Tugjec Komuna e Kamenices ne vitet 1970-ta familja e saj janë shpërngulur nga fshati dhe jetojnë në lagjen qenar qeshme (arbëria). Kanë shtepinë e vet, shkollen fillore dhe 8 vjeqaren Zyhrija e ka kryer në shkollen Thimi Mitko në gjilan, shkollen e mesme gjimnazin Zenel Hajdini e ka kryer në Gjilan si dhe fakulltetin pedagogjik e ka kryer në Gjilan. Esht plagosur rënd prej granatimit të ushtrisë aktive serbe me 28.03.1999 në ora 22:00, ka qenë ditë Bajrami. Ushtria serbe ka granatuar shtepine e Shaip Zekes Dhe Zyrija është plagosur rënd prej copave të granates, me të ka qenë edhe kusherira e saj Fikrije Pireva edhe kjo ka qenë e plagosur. Familjaret e Zyrisë e kanë marrur me makin për ta dërguar në ambullanten e qytetit policija serbe e kanë kthyer e kanë plagosur edhe një herë Fikrije Pireven me automatik dhe e kanë derguar në spitalin e Gjilanit ku dhe prej plagëve të rënda Zyhrija ka vdekur në spital me daten 01. 04. 1999 ka vdekur dhe është varrosur në varrezat e qytetit në Gjilan.
2. Ramadan Salihu, i lindur me 23. 06. 1950 emri i babait Ymer Salihu, emri i nënës Mevlyde. I Lindur në Gjilan, shkollen fillore dhe 8 vjeqaren e ka kryer në shkollën Musa Zajmi, shkollen e mesme ekonomike e ka kryer në Gjilan, Fakulltetin Ekonomik e ka regjistruar, ka qenë futbollist i klubit futbollistik DRITA në Gjilan, ka punuar në entin e banimit (SIZ) në Gjilan, ka qenë shef i kontabilitetit. Me daten 28.03.1999 është granatuar prej ushtrisë aktive serbe shtëpia e Ramadan Azemit, granata ka rënë në murin e oborrit para deres së hyrjes së shtëpisë 7 metra para tyre. Ramadani gjeti vdekjen në vend, Hajdini dhe mixha Ramadan Azemi me bashkshorten u plagosen rëndë prej granates. Ramadan Salihu të nesermen është varrosur në varrezat e qytetit të Gjilanit.
3. Xhemajl Ymeri, i lindur me 20. 06. 1938, emri i babait Zenel, emri i nënës Arzije. I Lindur në fshatin LLadov, komuna e Gjilanit. Shkollen fillore 8 vjeçare e ka kryer në Zheger, ka punuar prej vitit 1974 në KOSOVA TRANS të Gjilanit deri në vitin 1990. E kanë larguar prej punes dhe deri në vitin 1999 ka punuar si Taksi privat. Është granatuar shtëpia e tij prej ushtrisë aktive serbe prej Zabelit të Sahit agës. Granata ka rënë në shtëpinë e tij ku ai ishte në terasen e shtëpisë dhe është vrarë në vend. Copat e granates janë gjetur para shtëpisë së tij. Ky ka vdekur me daten 28. 03. 1999 në ora 22:00 në kohen e granatimeve. Varrimi është bërë të nesërmen në varrezat e qytetit të Gjilanit.
4. Hajdin Murtezi, i Lindur me daten 20. 09. 1944, emri i babait Hetem M. Uka. Emri i nënës Nagjije. I Lindur në fshatin Sefer, Komuna e Preshevës. Shkollen fillore e ka kryer në fshatin Sefer, shkollen e mesme ekonomike e ka kryer ne Gjilan, Fakulltetin Juridik e ka kryer ne Prishtinë në vitet e 70-ta. Familja e tij erdhi në Gjilan për të jetuar me shtëpi në lagjen qenar qeshme numer 16/A në Gjilan. Hajdini është punësuar në Viti si shef në entin e inkuadrimit dhe pas andej ka kaluar në Gjilan në entin për inkuadrim ka punuar deri në vitin 1999. Me daten 28. 03. 1999 në ora 22:00 policia serbe ishte në vëzhgim. Ushtria serbe aktive granatoi shtëpinë e Ramadan Azemit, aty ishte Ramadan Salihu, vdiq në vend me daten 28. 03. 1999. Hajdin Murtezi u plagos rëndë dhe prej plagëve të rënda ka vdekur në vitin 2001 si dhe është varrosur në varrezat e qytetit në Gjilan. Ramadan Azemi është plagosur rëndë dhe ka vdekur në vitin 2000, gjithashtu ka qenë e plagosur edhe bashkëshortja e Ramadanit. Në vend të ngjarjes janë gjetur copat e granates të ushtrisë serbe.
5. Ramadan Azemi, i lindur me 15.07.1928. Emri i babait Alim emri i nënës ?……./ i Lindur në fshatin Suharnë, Komuna e Bujanovcit. Është shpërngulur prej fshatit dhe kishte shtëpinë e vet në lagjen “ish-qenar qeshme” në bregun e diegur në Gjilan. Shtëpia e Ramadan Azemit është granatuar nga forcat ushtarake aktive serbe prej Zabelit të Sahit ages ku ishte depoja e ushtrisë serbe ku si pasojë gjeti vdekjen në vend. Ramadan Salihu u plagos rëndë, Hajdin Murtezi u plagos rëndë. Ramadan Azemit, granata ka rënë në murin e oborrit para deres së hyrjes, ku dhe prej pasojave të plagëve ka vdekur me daten 11. 05. 2000. Varri i tij gjindet në varrezat e qytetit të Gjilanit. Edhe bashkëshortja e tij është plagosur.
6. Fikrije Pireva është plagosur me granatim, ku është plagosur për së dyti me automatik nga polici serb me datën 28.03.1999.
7. Isa Zeka është plagosur në shtëpinë e vet, prej granatimit me 28. 03. 1999.
8. Është rrahur prej policisë serbe plaku i vjetër, Tefik Vokshi.
Pasi përfundoi granatimi në lagjen tonë, filluan ta granatojnë edhe fshatin Malishevë. Me rastin e granatimit të fshatit Malishevë, ka pasur të vrarë dhe të plagosur. Emrat nuk i di, por janë të njoftuar përgjegjësit e fshatit Malishevë. Gjuajtja është bërë nga ushtria serbe, me bazë ushtarake në “Zabelin e Sahit Agës”.
Në ditën që janë vorrosur Ramadan Salihu dhe Xhemjal Ymeri, policia serbe që kan qenë në varrim i kanë ofenduar njerëzit, i kanë torturuar, ku në mesin e të torturuarve është edhe vellau i Ajdin Murtezit, Faredin Murtezi, të cilin edhe fizikisht e kanë rrahë. Katër policë, me uniforma dhe me makinën “ZASTAVA” e kanë derguar deri te salla e sporteve, pasi e kan torturuar dhe rrahur fizikisht e kan qit jashtë makines. Njëri prej tyre i kishte thënë me injorancë, “mbase je me ni datlindje të njejtë me timen po të liroj!!!”.
Policia serbe katër herë kanë ardhë te shtëpia e Hetem Murtezit, me na regjistruar sa anëtarë jemi në shtëpi dhe kërkonin armë. Një herë kan ardhur me daten 10. 04. 1999 policia speciale me uniforma, të përgaditur me armatim të gjatë. Mbi dhjetë policë ishin, por ne anëtarët e familjes së Hetem Murtezit ishim të stresuar. Ata iu drejtuan babës – plakut 80 vjeqar në oborrin dhe i thanë; ”A i ke djemtë të gjithë në shtëpi, a keni armë …!”. Babai Hetemi i tha po …, se nuk e ka ndegjuar mir dhe prej merzisë se djalit që ishte i plagosur rëndë. Ajdin i tha;”… babë, i thuaj se nuk kemi armë .”Ai u tha se nuk kemi armë, por policia fillaun kontrollimin e shtëpive. Pasi kontrolluan shtëpi për shtëpi shkuan. Me policinë speciale këtë herë ka qenë edhe Vitomir Iliqi, policët tjerë rrinin në gjendje gadishmerie.
Me datën 15. 04. 1999, kemi dalur Ajdin Murtezi me të vllaun Ukshin Ajdinin te shitorja. Aty banonin Romët, te banesa e socialit, në Lagjen tonë. Aty në atë moment ka ardhur Vitomir Iliqi, me makinë “Niva” ka qenë vet i 3-ti. Ka dalur vet prej makines dhe iu ka drejtuar Ajdinit, i cili ishte i plagosur prej granatimit dhe i tha;”… shif si je plagosur, se ti nuk na don neve, shtetin tonë serbinë. Kurse romet na dojnë neve dhe këta nuk i nguc kerkush.”
Çdo herë që vinin me na regjistruar nëpër shtëpitë tona, na thojshin një problem ma i vogli me ndodh dhe ku ka terorista kem me gjujatë me topa. Ushtria serbe atyre shtepive që kanë terrorista shqiptarë ka me ja vra të gjithë familjen. Pysnin ku ka UÇK, në atë shtëpi ku dyshonin se kishte ushtarë të UÇK-së, ushtria aktive serbe gjuante me topa, në ato shtëpi dhe policia i rrethonte për t’i vrarë të gjithë.
Në fund të muajit Maj, kanë kaluar me dhjetra makina paramilitare dhe kombi të mbushur plot me paramilitarë të cilët i kishin djegur shtepitë në fshatin Llashticë dhe Velekincë, si udhëheqës ( komandant ) i tyre ishte Zara.
Në Lagjen tonë na lajmeruan, që të gjithë banorët e Lagjes të shperngulen, se ai që nuk shperngulet prej shtëpive të veta i vrasim dhe shtëpitë i kallim.
Ne banorët që ishim në këtë lagje dolem 10 – 15 vetë, kurse të tjerët kishin ikur më herët. Aty erdhi një makinë, aty ishte një prej policisë speciale dhe na tha;”… e keni lypë NATO-në, le t’ju ndihmojë NATO. Çizme e ushtrisë së NATO-së, nuk ka me mundur të hyjë në Kosovë. 20% NATO-ja na ka shkatërruar neve, kurse ushtria dhe policija serbe juve shqiptarve 80% ja u kemi q… nënën. Ju kemi shkatërruar.”
Gjuajtja që është bërë në këtë lagje, është bërë prej ushtrisë serbe – ushtri aktive, të cilët ishin të vendosur në bazen ushtarake “Zabeli i Sahit Agës”. Aty ishte edhe Depoja e armatimit serb. Në vëzhgim ishin edhe policia serbe, policia speciale dhe ushtria paramilitare serbe.
Edhe në Malishevë, të njejtën mbrëmje, kanë gjuajtur ushtria aktive serbe .
Ç’do herë që është bërë kontrolla e policisë, regjistrimin e shtepive, në krye të policisë ka qenë polici Vitomir Iliqi. Regjistrimi u bë nëpër disa kartela të mavita.
Në shtëpinë e Fahri Idrizit, nga Zhegra me banim në Lagjen tonë, gjatë granatimit të ushtrisë aktive serbe nga Kazerma në “Zabel”, nji granatë të cilën e kishte goditur shtëpinë e Shabanit të Uglarit, copat i kanë goditur shtëpitë e Xhemajl Ymerit dhe Fahri Idrizit. Një copë të predhës nga Topi MT-12, i ushtrisë aktive serbe, gjendet akoma në shtëpinë e Xhemajl Ymerit. Kjo copë e predhës mund të shërbejë si provë materiale për të vërtetuar se me të vërtetë është gjuajtur nga topat e ushtrisë aktive serbe.
Gjatë granatimit të NATO-së mbi caqet serbe, Vitomir Iliqi në muajin e pestë e ka burgosur edhe Masar Morinën.
NË BORÅS TË SUEDISË U MBAJT FESTIVALI I POEZISË ”SOFRA POETIKE BORÅS 2015”
Nga Sokol Demaku/
Poezia ka veti dhe aftësi të mrekullueshme për të shprehur gëzime dhe hidhërime, vuajtje dhe fitore, shpeshherë në pak rreshta./
Në një atmosferë madhështore në qytetin Borås të Suedisë në organizim të Qednrës Kulturore Shqiptare Migjeni nga ky qytet dhe Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar në Suedi ”Papap Klemnti XI” Albani për herë të tretë me radhë u mbajt Festivali i poezisë ”Sofra poetike Borås 2015”.
Të prnanishëm anëtar të QKSH ”Migjeni”, anëtar të ShShASh në Suedi, poetë, poete, miq suedez, anëtare të shoqatave kulturore shqiptare si motra të QKSH Migjeni në Suedi, anëtar të shoqatave suedeze që kanë miqësi dhe bashkëpunim me QKSH Migjeni, albanologu i njohur dhe miku i madh i shqiptarëve Ullmar Qvick, poetë dhe poete nga Norvegjia, Gjermnai, Zvicra dhe peot suedez dhe shqiptar që jetojnë dhe veprojnë në Suedi. Puntor kulturor dhe udheheqës të enteve kulturore të qytetit Borås ku edhe e zhvillon akvitietin e vetë QKSH Migjeni.
Me fjalën e moderatorës solide dhe sharmante Saranda Iseni filloj punën Festivali i tretë me radhë i poezisë ”Sofra poetike Borås 2015” në qendër të qyteti të textilit në Borås. Hapjen solemne të këtij evenementi e bënë Krystari i ShShASh në Suedi Hysen Ibrahimi dhe Kryetari i QKSH Migjeni në Borås Bahtir Latifi.
Ata në fjalën e tyre thanë se janë krenar me ate cka bejnë për zhvillimin dhe kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqipe në mërgatë dhe se edhe me do angazhohen në të ardhmen në këtë drejtim, ata u dëshiruan të pranishmëve momentet ë këndshme në shijimin e krijimeve poetike të autorëve tanë nga vendlindja dhe mërgata.
Pastaj mori fjalen anëtari i kryesisë së QKSH Migjeni Hamit Gurguri i cili në emër të kësaj shoqate falendertoj së pari miqt suedez për ndihmen që japin në punën e shoqatave tona kulturore këtu dhe respetkin që tregojnë për gjuhën dhe kulturën tonë.
Fastivalin përshendeten edhe Erika Strömber nga Borås, Bardha Mance nga Athina, Behide Hasani nga Zvicra një humanitare e nohur nga mergata atje, si dhe me fjalën e tij prej albanalogu i dha ate që meriton ky manifestim peotik pra me fjalne e tij Ullmar Qvick.
Fjala e mikut të shqiptarëve në Festival Ullmar Qvick
Kära deltagare i poesidagen ”Sofra Poetike”!
Först vill jag rikta ett varmt tack till arrangörerna för denna albanska poesidag, då framför allt till Sokol Demaku och Albanska kulturcenret Migjeni här i Borås. Jag vill också hälsa ledningen för den albanska författar- och konstnärsföreningen, med Hysen Ibrahimi som ordförande och som uppkallats efter påven Clemens XI, som hade albanskt ursprung.
Min hälsning till er alla denna poesidag anknyter till poesins egenart och den innebörd och betydelse som denna konstart har. För många år sedan läste jag om en skald under vikingatiden, som uttryckte varför han blivit diktare. Han sa med det högtidliga språk som användes för 1000 år sedan:
JAG UNDFICK SMÄRTANS GÅVA, OCH DÄRFÖR BLEV JAG SKALD. Denne okände poet för ettusen år sedan ger oss budskapet att lidandet och smärtan kan ses positivt, som en gåva, eftersom den kan förvandla det onda till något gott och vackert, till poesi.
Den albanska poesin har mycket smärta och likaså mycket längtan efter frihet. Därför tror jag att denne vikingatidens nordiska poet har en samhörighet med de albanska poeterna i våra dagar.
Smärtan över hemlandets öde, över grymma fienders dåd, över döden som drabbar hårt och skoningslöst, allt detta är ingredienser i albansk poesi. Naturligtvis finns där också kärlekslycka och optimism, men ändå inte så mycket som smärta och längtan.
Jag undfick smärtans gåva och därför blev jag skald. Genom tusen år talar forntidens poet till oss.
Här finns tanken på rening och försoning genom lidandet och att smärtan förvandlas till en gåva, som kan räckas fram till nästan. Det är poesins underbara förmåga att föra fram glädje och sorg, lidande och seger till oss, ofta på några få rader. Poesin går genom årtusenden och har viktiga budskap också till nutidens människor. Jag hälsar därför med stor glädje detta initiativ att på nytt sätta den albanska kulturen och poesin e centrum för vår uppmärksamhet och hoppas att alla får en god behållning av dagen.
Të dashur pjesëmarrës në ditën e kulturës ”Sofra poetike”!
Së pari dua të shpreh falënderimet e mia të ngrohta për organizimin e kësaj dite të poezisë shqipe, në plan të parë Sokol Demakut dhe Qendrës së kulturës shqiptare ”Migjeni” këtu në Borås. Përshëndetja ime i drejtohet edhe kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Suedi, me në krye Hysen Ibrahimi, shoqatë që mban emrin e Papës Klementi XI, i cili ishte me prejardhje shqiptare.
Përshëndetja ime për ju të gjithë në këtë ditë të poezisë është e lidhur me karakterin e poezisë dhe me domethënien dhe kuptimin e kësaj lëmie të artit. Para shumë vitesh lexova për një poet në kohën e Vikingëve i cili spjegoi pse ishte bërë poet. Ai e shprehu me gjuhën solemne të përdorur para njëmijë vitesh. E MORA DHURATËN E DHIMBJES, DHE PRA U BËRA VJERSHËTAR. Ky poet i panjohur para një mijë vitesh na jep mesazhin se si vuajtja dhe dhimbja mund të shihen pozitivisht si dhuratë, duke qenë se ajo mund të shndërrojë të keqën në diçka të mirë dhe të bukur, në poezi.
Poezia shqipe ka shumë dhimbje dhe në të njëjtën kohë shumë mall për lirinë. Për atë arsye besoj se ky poet nordik nga koha e lashtë ka një lloj ngashjërie me poetët shqiptarë deri në ditët tona. Dhimbja për fatin e atdheut, për krimet e armiqëve mizorë, për vdekjen që vjen papritur dhe pa mëshirë, të gjitha këto janë pjesë përbërëse në poezinë shqipe. Kuptohet se në këtë poezi jetojnë edhe lirika, lumturia e dashurisë dhe optimizmi, prapë jo aq shumë sa dhimbja dhe malli.
E mora dhuratën e dhimbjes, pra u bëra vjershëtar. Nga koha e lashtë na flet poeti nordik. Këtu shihet mendimi për një pastrim dhe një pajtim përmes vuajtjes, se si shndërrrohet dhimbja në një dhuratë për ti dorëzuar njeriut tjetër. Poezia ka veti dhe aftësi të mrekullueshme për të shprehur gëzime dhe hidhërime, vuajtje dhe fitore, shpeshherë në pak rreshta. Poezia kalon nepër shekuj dhe përmban mesazhe të rëndësishme edhe për njerëzit e kohës sonë. Për atë arsye mirëpres me gëzim të madh këtë iniciativë për të futur përsëri kulturën shqipe dhe poezinë në qendër të vëmendjes duke shpresuar që të kemi të gjithë dobi dhe kënaqësi nga dita e Sofrës poetike.
Fetah Bahtiri
Recension
NJË ROMAN AUTOBIOGRAFIK PLOT ME NDJENJA, EMOCIONE E PËRRMALLIM PËR VENDLINDJEN
NUHA ZULLUFI: ”LARG VENDLINDJES”, Roman, PRISHTINË, 2014
Botues: Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi.
Libri roman me titullin ”Larg vendlindjes” i kushtohet familjes së autorit, prejardhjes së saj, vendosjes si muhaxhir në Kosovë e në Suedi, jetës së rënduar gjithnjë larg vendlindjes.
Libri fund e krye është i sajuar në bazë të kujtimeve, mbushur me përmallim plot me travaje për vendlindjen, për florën e faunën e saj, për gjeografinë dhe për njerëzit e saj.
Gjërat janë shtruar dhe thënë ashtu si i ka parë syri, si i ka kuptuar mendja dhe si i ka ndier shpirti i autorit.
Në libër hasim shkrirje ndjenjash dhe emocionesh të cilat depërtojnë me lehtësi edhe në shpirtin secilit lexues.
Prej nga lind gjithë ky frymëzim, ky përmallim, kjo dashuri dhe kjo vuajtje kaq e madhe e autorit?
Fati jetësor deshti që familja muhaxhire e autorit përsëri u bë muhaxhire – në Suedi, larg vendlindjes, me çka tani edhe një herë, pra përsëri, u bë muhaxhir në vendlindje – në Koliqin dhe Kosovën e tij të dashur. Muhaxhir në Kosovë, muhaxhir në Suedi!…
Muhaxhir një herë…
Muhaxhir dy herë!…
Muhaxhir shumë herë!…
Romani është i shkruar larg vendlindjes, në formën e vetës së parë (unë) dhe ka karakter autobiografik. Pra, është i mbështetur në kujtimet e autorit për ngjarjet e ndodhitë me të cilat jeton dhe në të cilat ai ”gjen ngushëllime”, i përshkuar me mall e përmallim për vendlindjen – Koliqin, me dashuri për atdheun, për familjen e farefisin (sidomos për nënën dhe babain), me përshkrime edhe romantike e edhe realiste të ngjarjeve, ambienteve e të njerëzve të vendlindjes, por edhe me shumë tabllo të jetës muhaxhiriane në Suedi.
Naracioni në formë të një kronike për familjen dhe vendlindjen gjatë një kohe të caktuar është një mënyrë e të shprehurit dhe e derdhjes së kujtimeve me ngjyra artistike, të cilat librit ia ndërtojnë vlerën dhe kriterin për t´u klasifikuar edhe në beletristikë, por më shumë i përket publicistikës.
Romani është i pasur me figura stilistike, me primesa të një gjuhe e nëndialekti të vendlindjes së autorit, me shumë shprehje e fraza të bukura popullore, cilën gjuhë autori dëshiron dhe insiston ta ruaj e ta kultivojë, karakteristika këto të cilat paraqesin një kolorit interesant për lexuesin dhe librit ia shtojnë vlerën. Ndërkaq, me një sistematizim më të mirë struktural romani do të mund të ishte edhe më i suksesshëm.
Libri: “Vec një zemer”
Autor: Shuquri Sejdijaj
U vazhdua me promovimin e librit të autorit Shuquri Sejdijaj me titull “Vec një zemer” për të cilën foli Hysen Ibrahimi, e ku në mes tjerash ai tha se ky libër është një në të cilin lexuesi do gjejë vendlindjen dhe mallin e autorit për te, do gjejë idilin e vendlindjes, o do gjejë edhe ndjenjen e atdhedahsurisë dhe daurinë ndaj vendlindjes. Eshtë një libër që lexuesi memzi pret të kaloj nga poezia në poezi për të mbushur shpirtin me ndjnejn e poetit.
Recension
Qibrije Hoxha
RINOJE JETËN EDHE ATËHERË KUR TË BËHET SHTRIGË PLAKË
Të nderuar miq, pjesëmarrës të festivalit të poezisë ”Sofra poetike Borås 2015” edhepse fizikisht sot nuk jam me ju, sepse gjindem në Kosovë, kam nderin që të flas për poezinë e poetes tonë Lebibe Zogiani.
Êshtë shumë e lehtë ti lexosh dhe të ndjesh kënaqësi me poezitë e bukura të Lebibes. Êshtë kënaqësi e jashtëzakonshme të lundrosh lehtë nëpër vargjet kuptimplota herë herë të trazuara të poetes.
Por nuk është aspak e lehtë që të dish të përcjellësh bukurinë e fjalës saj dhe mesazhin tejet njerëzor të shpirtit të dlirë të Lebibes. Për ta bërë këtë me sukses duhet të kesh bukurinë e shpirtit të saj dhe fuqinë e lapsit të saj gjë të cilën jo të gjithë ne kemi fatin ta posedojmë.
Ajo që mua më dha guximin që ti shkruaj këta rreshta modest për poezinë e Lebibes, është mesazhi të cilin e përshkon mrekullueshëm me anë të poezisë RINOJE JETËN EDHE ATËHERË KUR TË BËHET SHTRIGË PLAKË.
Ju lutem me guximin tim sot dhe çdo ditë Qoftë edhe një ëndërrë të vetme, mos e kaloni Jepni jetë, dritë , rinone jepni shpirt Provo, të rilindish edhe për herën e dytë Nuk ka më bukur se të vdesësh guximshëm Kur edhe nata të bëhet dritë…! Poezia e Lebibes nuk është vetëm shprehje e lineare e ndjenjave të saj. Ajo përcjell mesazhe të cilat afirmojnë vlerat njerëzore. Poezitë kushtuar Nënës, Atëdheut, Nënë Terezës, këngëtareve të kombit Nexhmije Pagarushës dhe Vaçe Zelës dhe disa të tjera, përbajnë mesazhin e vlerave, të cilat lenë gjurmë te lexuesit, mësojnë për vlerat dhe rëndësinë bukurisë dhe traditave kombëtare.
Êshtë kënaqësi të njohësh dinjitetin e lartë të një femre e cila këtë dinjitet e fitoi me ”luftë” të guximshme me vehten dhe ngadhnjen në betejat e saj. Këto mesazhe krijojnë respekt për poeten por edhe mesojnë se si ngadhnjehet:
Jo, nuk mund ta falë krenarinë Më falë Nëse nuk e dua veten time
Nuk do t’më duash as ti …………………………..
Sa herë desha të jem ti
Nuk isha më unë
E shkurt e gjatë
Më duaj kështu si jam
Fjala më e bukur që ma fale
Krenari të kam, më the atë ditë aq ëmbël
Dhuratë që e ruaj me shumë mall…
Betejat e Lebibes për fitoren e dinjitetit të saj ajo i pasqyron jashtëzakonisht bukur tek poezitë: SHPRESA NUK VDES ME TY dhe DASHURIA NUK VDES ME TY. Guximshëm dhe bukur poetja ligjëron për jetën e saj, përvojat e saja të hidhura të cilat në vehte mbartin mesazhin shumë të fuqishëm femror apo njerëzor.
Më së bukuri, për ruajtjen e dinjitetit, Lebibja i bën thirrje femrës, bën thirrje dhe lutet shpirtërisht, pafundësisht që guximi të mbizotërojë shpirtin e femrës në mënyrë që të ngadhnjejë dinjiteti i saj. Dhe këtë poetja e bën fuqishëm në poezinë e saj TË THËRRAS ME MALLIN E GËZIMIT TËND
Të thërras me mallin gëzimit tënd O NËNË
Vlerat themelore të traditës tone kombëtare, që është falënderimi, poetja Lebibe Zogiani i sjell në poezinë MIKUT ULLMAR QVICK
Dashurinë për Atëdheun poetja e shpreh me një ngrohtësi dhe thellësi të mrekullueshme njerëzore në poezitë:
MI MORI FJALËT DHEMBJA, 100 VJET DESHA TË UDHËTONTE GËZIMI e tj.
Presim edhe shumë tituj librash poetja jonë e mrekullueshme Lebibe Zogiani, sepse pa mesazhet tua për dashurinë, për njerëzoren dhe drejtësinë ne do të mbetemi më të etshëm, më të zbrazët dhe më të paguximshme.
Të uroj shëndet, rrezatim të bukur të buzëqeshjes tënde, dridhjen e këndshme të zërit të të bukur me recitimet tua të cilat na mbushin me energji, mirësi dhe dashuri!
Suksese të tjera me tituj të ri, poetja e dashur Lebibe Zogiani!
FESTIVALI I POEZISË ”SOFRA POETIKE BORÅS 2015”
VENDIMI I JURISË
Festivalin e poezisë ”Sofra poetike Borås 2015” e kanë organizuar bashkërtisht Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi dhe Qendra Kulturore Shqiptare ”Migjeni”, Borås, Suedi.
Bartësit e manifestimit kanë formuar një juri të cilës i është dhënë detyra që t´i vlerësojë të
gjitha poezitë konkuruese në Festival dhe t´i ndajë çmimet. Juria ka këtë përbërje:
Fetah Bahtiri, kryetar
Xhavit Çitaku, anëtar dhe
Bahtir Latifi, anëtar.
Jurisë i janë dërguar të gjitha poezitë që kanë konkuruar për çmimet. Sipas kërkesës së Jurisë, poezitë janë dorëzuar të koduara, pra me shifra dhe juria nuk ka pasur njohuri se cilët janë autorët e krijimeve letrare. Kështu, të gjithë autorët kanë qenë anonimë.
Ka pasur edhe ndonjë poezi pa shifër, pa kod – me emrin e saktë të autorit, por këto poezi nuk janë marrur fare në konsiderim për ndonjë çmim.
Juria e ka pranuar detyrën dhe çështjen e ka shtruar me përgjegjësi të plotë dhe ka punuar shumë seriozisht, në mënyrë vetëmohuese. Juria ka hasur në vështirësi serioze. Ka hasur në shumë poezi tepër të bukura, shumë të suksesshme, ashtu që ka pasur vështirësi t´i përcaktojë 4 + 4 për çmime.
Pas shumë konsultimesh të ndërsjella, Juria ka vendosur:
Së pari, të gjithë pjesëmarrësve që kanë konkuruar për çmime në Festivalin e poezisë ”Sofra poetike Borås 2015” e që sot janë të pranishëm këtu në manifestim, t´u ndahet nga një fletëfalënderimi.
Juria u shpreh falënderime dhe respekt të veçantë për miqtë suedezë të cilët kanë konkuruar me krijime e tyre në gjuhën suedeze dhe kështu e kanë pasuruar veprimtarinë tonë dhe është konkretizuar një bashkëpunim i frytshëm shumëvjeçar i dy kulturave – asaj shqiptare dhe suedeze.
Tack ska ni ha, våra svenska vänner! Tack så mycket!
3. SHSHASHS i ndan këto çmime:
– Çmimi i parë për peozinë më të mirë dhe 300:- kr i ndahet autorit ”Bora 7” për poezinë ”Vëllaut tim”. Autore Lebibe Zogiani.
– Çmimi “Gjergj Fishta” dhe 200:- kr i ndahet autorit “Bora 8” për poezinë “Nëse koha pret”. Autore Myrvete Almazi
– Çmimi “Lasgush Poradeci” dhe 200:- kr i ndahet autorit “Bora 28” për poezinë “Zhgënjimi”. Autor Bajram Muharremi
– Çmimi prej “Ali Podrimja” dhe 200:- kr. i ndahet autores Lusi Hordvardson të poezisë në gjuhën suedeze “Lyssna, lyssna”.
4. QKSH Migjeni i ndan këto çmime:
– Çmimi i parë për peozinë më të mirë dhe 300:- kr i ndahet autorit “70VL44-12-W-8”për poezinë “Hapma zemrën, o nënë!” Autor Vilhelme Vranari
– Çmimi “Naim Frashëri” dhe 200:- kr i ndahet autorit “Bora 4” për poezinë “Ik ti!…”Autor Isa Ferizi
– Çmimi “Migjeni” dhe 200:- kr i ndahet autorit “Bora 21” për poezinë ”Uuuuuu!…”Autor Vaso Papaj
– Çmimi Azem Shkreli prej 200:- kr. i ndahet autorit Henrik Mimersson të poezisë në gjuhën suedeze “Du”.
Borås, 28.03.2015 Juria e Fesdtivalit ”Sofra poetike Borås 2015”
Poezia shqipe ka shumë dhimbje dhe në të njëjtën kohë shumë mall për lirinë
Kështu tha Ulmar Qvick, albanolog, shkrimtar, gazetar e mik i madh i shqiptarëve në festivalin e djeshëm të poezisë “ Sofra poetike” që u mbajt në Boros të Suedisë/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Qendra Kulturore Shqiptare “ Migjeni” në Boros të Suedisë, në kuadër të shumë aktiviteteve konkrete që po zhvillon një kohë të gjatë, së bashku me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “ Papa Klementi XI Albani” që vepron në këtë shtet skandinav, për herë të dytë organizuan manifestimin letrar i titulluar “ Sofra poetike në Boros”, i cili u mbajt dje e në të cilin morën pjesë krijues e dashamirë të fjalës së shkruar jo vetëm nga Suedia, por edhe nga Norvegjija, Gjermania, Zvicra e Greqia si dhe poet e miqë suedez. Sipas organizatorëve, Sokol Demakut, Bahtir Latifit dhe Hysen Ibrahimit, udhëheqës të këtyre asosacioneve ky manifestim që tashmë është bërë tradicional qëllim kryesor ka kultivimin dhe ruajtjen e poezisë shqipe në mërgatë. Thënë konkretisht, kjo veprimtari ka për qëllim që ta kultivoj e ruaj gjuhën dhe kulturën shqiptare në mërgim në këtë pjesë të Evropës. Njëkohësisht ky manifestim, kjo sofër, paraqet një shtytje e nxitje për të gjithë ata që janë të prirur të merren me shkrime që ta gjejnë vetën këtu, të veprojnë kështu në mënyrë të organizuar dhe nesër të krijojnë vepra më të mira letrare, artistike e kombëtare.
Në fillim të këtij evenimenti, Saranda Iseni, e cila ishte edhe moderatore, recitoj bukur vjershën e shkrimtarit suedez, Karl Nordstrym, “ Ata dhe Ne” kushtuar vuajtjes së madhe që shqiptarët patën gjatë luftës së fundit në Kosovë nga soldateska famkeqe serbe.. Me poezitë e tyre u paraqitën edhe Hysen Ibrahimi, Remzi Basha, Louesie Halvardson,, Henrik Mimerson, Shuquri Sejdijaj, Shaban Osmani, Nuha Zllufi, Myrvete Mehmeti. Ndërkaq, Juliana Janku që kishte ardhur nga Gjermania pos në shqip ajo lexoi krijimet e saja edhe në gjuhën anglishte me qëllim që edhe krijuesit dhe miqtë suedez të kuptojnë më afër përmbajtjen e tyre të mrekullueshme.
Dhimbja të bënë vjershëtar
Në këtë tubim të rëndësishëm poetik e morën fjalën edhe disa krijues, të cilët lartësuan poezin si një fuqi magjike që po arrin t’i tuboj krijues e dashamirë të fjalës së shkruar nga shumë vende të botës. Ullmar Qvick, albanolog, shkrimtar, gazetar e mik i madh i shqiptarëve, i dha një përgjigje karakterit dhe domethënies se poezisë , kësaj ëme të artit duke thënë: Para shumë vitesh lexova për një poet në kohën e Vikingëve, i cili shpjegoi pse ishte bërë poet. Ai e shprehu me gjuhën solemne të përdorur para në mijë vjetësh. “ E MORA DHURATËN E DHIMBJES, DHE PRA U BËRA VJERSHËTAR”. Ky poet i panjohur para njëmijë vjetësh na jep mesazhin se si vuajtja dhe dhimbja mund të shihen pozitivisht si dhuratë, duke qenë se ajo mund të shndërroj të keqen në diçka të mirë dhe të bukur, në poezi. Poezia shqipe ka shumë dhimbje dhe në të njëjtën kohë shumë mall për lirinë. Për këtë arsye besoj se ky poet nordik nga koha e larshtë ka një lloj ngjashmërie me poetët shqiptar deri në ditët tona. Dhimbja për fatin e atdheut, për krimet e armiqve mizor, për vdekjen që vjen pa pritur dhe pa mëshirë, të gjitha këto janë pjesë përbërëse në poezinë shqipe. Kuptohet se në këtë poezi jetojnë edhe lirika, lumturia e dashurisë dhe optimizmi, prapë jo aq shumë sa dhimbja dhe malli. Poezia ka veti dhe aftësi të mrekullueshme për të shprehur gëzime dhe hidhërime, vuajtje dhe fitore, shpeshherë në pak rreshta. Poezia kalon nëpër shekuj dhe përmban mesazhe të rëndësishme edhe për njerëzit e kohës sonë. Për këtë arsye mirëpres me gëzim të madh këtë iniciativë për të futur përsëri kulturën shqiptare dhe poezin në qendër të vëmendjes duke shpresuar që të kemi dobi dhe kënaqësi nga dita e Sofrës poetike”, tha ndër të tjera ai.Hamit Gërguri, autor i disa librave në gjuhën shqipe e suedeze, ndër të tjera theksoi se në shqiptarët erdhëm në këtë vend të largët e të ftohtë, por me zemër të ngrohtë. Gjetëm strehim, bukë e përkujdesje dhe buzëqeshjen e parë kur ikëm nga ato përndjekje barbare që na i bënte regjimi fashist serb. Ne, krijuesit dhe artistët shqiptar, me punën tonë po bëjmë përpjekje që ta rrisim dhe pasurojmë degën në atë drurin e pasur kulturor të Suedisë. Bardha Mançe, redaktore e programit shqip në radio Athinë, foli fjalë miradije për punën e mrekullueshme që po bëjnë qendra kulturore “ Migjeni” dhe Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar këtu në Suedi, të cilat duhet të jenë një shembull i mirë edhe për të tjerët se si duhet të punohet në mërgim. Behide Hasanaj , foli kryesisht për punën e saj 35 vjeçare në fushën e humanizmit dhe të ndihmës së madhe që ajo së bashku me shoqatën i dhanë popullit në kohën kur kishte më së shumti nevojë. Shuquiri Sejdijaj, krijues dhe gazetar, tha se vërtetë tash po e kuptoj se sa e fuqishme, sa magjike qenka poezia me vetë faktin se sot në këtë eveniment kanë ardhur krijues e dashamirë nga shumë vende evropiane.
U ndanë tetë shpërblime për poezitë më të mira
Sofra poetike ka edhe karakter garues ndaj edhe u ndanë tetë shpërblime për krijimet më të mira poetike, dy nga ato iu ndanë dy krijuesve suedezë. Do theksuar se në garë morën pjesë me krijimet e tyre morën pjesë mbi 30 poet nga shumë vende evropiane, Kosova e Shqipëria. Të shpërblyerit janë: Lebibe Zogiani, Myrvet Elmazi, Bajram Muharremi, Louise Halvardsson, Vlhelme Vranari, Isa Ferizi, Vasa Papaj dhe Henrik Mimersson.
Në këtë tubim u promovuan edhe Libri i Lebibe Zogianit “ Më falë një jetë”, i Hysen Berishës “ Familja Teraba, i Nulla Zullufit” Larg Vendlindjes dhe i Shuquri Sejdijajt “ Veç një zemër”.
SHSHASH “Papa Klemnti XI” dhe QKSH “ Migjeni” që veprojnë në këtë shtet të largët meritojnë lëvdata për një punë të mrekullueshme që janë duke bërë këtu në mërgim me synimin e vetëm që në këtë mënyrë t’i shërbejnë rinisë sonë, popullit tonë dhe atdheut të cilin e duan aq shumë të gjithë këta krijues, shkrimtarë e veprimtarë. Po ashtu, qëllimi i këtij manifestimi është që t’i afroj njeri me tjetrin krijuesit shqiptar me krijuesit e vendit ku ata veprojnë e krijojnë, pra me poet suedezë dhe poet të komuniteteve tjera që jetojnë e veprojnë këtu.
RASTI DOSHI – KUPOLA SHTRËNGON RADHËT, POPULLI SHTRËNGON SHPIRTIN
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Pamë në Këshillin e Mandateve se si opozita bashkoi votën e saj me shumicën sunduese, ndonëse kjo e fundit nuk solli asgjë bindëse për të arsyetuar arrestimin e deputetit Tom Doshi.
Lepuri që opozitës Kupola ia ka vënë në bark dhe që kishte uluritur në sallën e Kuvendit e në sheshe, mbrëmë vetëm cijati.
Popullit para ekranit të vogël të ABC News iu kujtua koha kur Partia dilte me radhë më të shtrënguara pas çdo goditjeje që ajo iu jepte armiqve të saj të brendshëm. Iu kujtua kjo kohë edhe popullit që ka lindur para vitit 1990, edhe popullit që ka lindur pas vitit 1990.
Sa herë që Partia shtrëngonte radhët e saj, populli shtrëngonte shpirtin, mos me i dalë atje në mjerimin e tij që vetëm shtohej, në frikën dhe pasigurinë që vetëm shtoheshin. Sa më e rreptë bëhej lufta e klasave në radhet e partisë, aq më shumë populli trembej dhe druhej për të tashmen dhe të ardhmen e tij.
Sa herë që Mafia shtrëngon radhët e saj, populli shtrëngon përsëri shpirtin mos me i dalë atje në vendin ku më shumë se gjithçka mungon shpresa për të sotmen dhe për të ardhmen. Sa më egërsisht që Kupola i kërcëllon dhëmbët dhe vjell flakën, aq më shumë populli bëhet sus i mbështjellë në guaskën e tij të mbijetesës, e vetmja pasuri që trashëgoi nga diktatura.
Në një qëndrim të mëvonshëm, siç e pamë, opozita nuk do ta bashkonte votën e saj në Kuvend me shumicën, nuk do ta miratonte kërkesën e shumicës për arrestimin e dy deputetëve nga radhët e kësaj shumice. Opozita ka kërkuar gjithashtu publikimin e videopërgjimit, realizuar nga vetë prokuroria me vendim të gjykatës për krimet e rënda.
Meqë kërkesa për publikimin e videopërgjimit nuk iu pranua, atëherë iu krijua mundësia ta rezervonte qëndrimin e saj deri sa të realizohej kërkesa e saj. Ky qëndrim do të kishte një bazë të fuqishme parimore në favor të saj.
Me këtë veprim, ajo nuk u tregua e zgjuar as e vendosur. Kështu shumica do të jetë më e shfajësuar dhe më e rehatshme në sjelljet e saj të papërgjegjshme.
Lepuri që opozitës Kupola ia ka vënë në bark dhe që mbrëmë vetëm cijati a do të fillojë të ulërijë përsëri?
A do të jetë e zonja opozita ta braktisë Kupolën? A mund ta përballojë e vetmuar opozita kundërgoditjen e Kupolës? A mund t’i shikojë opozita interesat e saj të përfaqësuara jashtë Kupolës? Apo thjesht opozita do të japë ndihmesën e vet në shtrëngimin e radhëve të Kupolës dhe atje do ta presë duarkryq fatin e saj të përcaktuar nga Kupola?
Atë që bëri në Këshillin e Mandateve, opozita nuk mund ta zhbënte ne seancën plenare. Vetëm sa manifestoi në mënyrë konsekuente mungesën e koherencës në mes qëndrimeve dhe veprimeve, fjalëve dhe bëmave.
Mafia nuk lejon askënd të përpiqet për t’ia dobësuar radhët. Mafia duron vetëm forcimin e radhëve. Kush i bën dredha këtij ligji të Mafias, do të pësojë zvogëlimin e peshës dhe të rolit të vet brenda Kupolës. Do të përjetojë një nëpërkëmbje gjithnjë e më brutale.
Nëse opozita kërkon të ketë identitetin e saj, atëherë këtë mund ta bëjë vetëm duke i bashkuar interesat e saj me interesat e popullit. Nuk mund ta bëjë duke e quajtur veten opozitë dhe duke iu kundërvënë interesave të popullit, çka kulmoi gjatë tetë viteve të rikthimit në pushtet.
Muajt deri në 21 qershor, kur mbahen zgjedhjet lokale dhe kur testohet opozita e re, janë një kohë e shkurtër. Opozita e sotme do ta marrë mësimin e duhur përsëri e përsëri.
Kjo datë do të shënojë gjithashtu rënien përfundimtare të institucionit të zgjedhjeve në Shqipëri. Do të shënojë institucionalizimin përfundimtar të farsës në Shqipëri.
Edhe kur cijat, edhe kur ulërin, lepuri në barkun e kësaj opozite mbetet gjithnjë lepur, derisa Shqipëria të ketë një opozitë të vërtetë, një opozitë të re, që nuk e shpërfill popullin, nuk e keqpërdor popullin. Një opozitë e re do të jetë ajo që do t’ua rikthejë shqiptarëve institucionin e zgjedhjeve.
Sa ishte në pushtet opozita e sotme ka manifestuar vetëm cinizëm ndaj popullit që e ka votuar.
Tashi do të korrë frytet e këtij cinizmi. Kjo e mbyll pa shpresë rrethin e saj vicioz brenda Kupolës.