TIRANE, 27 Mars/ Komisioni Europian ka reaguar pas heqjes së imunitetit dhe ndalimit të menjëhershëm të dy deputetëve shqiptarë. Të kontaktuar nga Top Channel zyra e shtypit pranë Komisionerit Hahn sqaron se “BE i jep përparësinë më të madhe sundimit të ligjit dhe zbatimit të plotë të shtetit të së drejtës, pa asnjë kompromis’.
“Ne mbajmë shënim për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku, urdhëruar nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm për dëshmi false ndaj komplotit të dyshuar për vrasje. Ne presim një proces të shpejtë, të papenguar dhe të plotë për të hedhur dritë mbi këtë rast, si dhe vazhdimin e hetimeve të urdhëruara nga Prokuroria që të kryhen shpejt dhe në mënyrë të plotë,” thuhet në këtë qëndrim.
Më tej shtohet se “BE përsërit rëndësinë për të gjitha institucionet e përfshira, si Prokurori i Përgjithshëm, Parlamenti, institucionet e drejtësisë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, që të përmbushin përgjegjësitë e tyre respektive për të siguruar një proces të duhur dhe në përputhje me ligjin.”
CARRIE HOOPER ME POEZI PER PRANVEREN NE SOFREN E DIELLIT
NGA CARRIE HOOPER/
Arritja e pranverës/
Ka ardhur pranvera/
Dhe bora ka shkrirë!/
Po ngroh dielli/
Tokën e ngrirë./
Kalimin e dimrit/
Të gjithë festojnë,/
Dhe nëpër lëndina/
Gjallesat vallëzojnë./
Lodhja zhduket,/
Kemi prapë energji./
Luajmë dhe qeshim/
Porsi fëmijë!/
Këtë ditë/
Gjatë kemi pritur/
Dhe tani brohoritim,/
Pranvera ka arritur!/
Jargavanët/
O jargavanë,
Nga aroma jote
Që flladi pranveror sjell me vete,
me kënaqësi dehem!
Gishtërinjtë e mi,
Sa dëfrehen të përkdhelin
Gonxhet e tua delikate
Që Si rruaza ari varen.
Bashkë me ekstazin,
Një valë pikëllimi më pushton
Se bukuria jote e brishtë
Shumë shpejt do të venitet.
Vetëm një kujtim Do të mbetet.
Prandaj në këtë rruzullim të ëmbël
Dua të qëndroj.
Këtë çast të papërsëritshëm
Dua ta zgjas
Sa të mundem!
Këngë e shpresës
Kur të ka pushtuar zhgënjimi,
Kur dhe shpresa të mungon,
Kur të ka mbuluar trishtimi,
Mbaj mend që Zoti të do.
Vetëm në rrugë ai s’të ka lënë.
Edhe pse nuk e kupton tani,
Një derë tjetër do të hapet.
Ka për ty një plan të ri.
Si pas stuhisë pëson qetësia
Dhe pas natës dita agon,
Kështu pas dëshpërimit gufon gëzimi’
Lart ngre kokën dhe jeta vazhdon!
Këngë për natyrën
Male ngrihen në madhështi.
Gurgullojnë lumenj në pastërti.
Ngjyrat e Luleve tok6n pikturojn6.
Pyjet ëmbëlsinë e tyre lëshojnë.
Qielli si zjarr xixëllon,
Fusha dhe lëndina ndriçon.
rrezet e diellit fort shkëlqejnë.
Lotët e shiut pemët ushqejnë.
Më magjeps kjo bukuri.
Mbështjellem me paqe dhe harmoni.
Kur barra e jetës më rëndon,
Natyra përherë më ngushëllon.
Koncerti i pranverës
(E shkruar pasi një shoqe e mirë më përshkruajti praninë e pranverës në kopshtin e saj)
Shfaqet koncerti i pranverës
Në të gjitha kopshtet.
Në puhinën e ëmbël
Na dëfrejnë
Me vallet e tyre
Drunjtë dhe lulet.
Zogjtë cicerojnë,
Gëzuar pranverën!
Lule e vogël
Lule e vogël,
Pas gjumit dimror
Kokën tënde
po ngre.
Rrezet e mëngjesit
Të ledhatojnë dhe puthin,
Dhe në çeljen tënde
Buzëqesh pranvera.
Lule e vogël,
Mezi të vëren
Turma që nxiton
Dhe të anashkalon,
Ah, po të dinte
Se gjërat më të vogla
Shfaqin bukurinë
Më madhështore!
Një ditë vere
dielli ngroh faqet e mia.
Erën e ëmbël të luleve
Frymëzoj thellë.
Zogjtë me këngët e tyre
Zotin lavdërojnë.
Fryn një erë e lehtë,
Shushurijnë drujntë.
Në oborr qeshin dhe luajnë fëmijët.
Ah, i them vetes,
Sa shijohnë jetën me gjithë qejf!
Nuk mund të mos këndojë zemra ime:
Lavdi Zotit!
Në qetësinë
Që qenien time përshkon,
Reflektoj se si jeta
Si dhe vera
tepër shpejt kalojnë.
Pra Të çmojmë çdo çast si fëmijë!
Në ngjarjet e zakonshme
Të vëmë re mrekullitë!
për njeri-tjetrin jetojmë!
Të njohim shpirtin e Zotit në të gjithë!
sa shpesh këto mësime të thjeshta harrojmë
Duke kthyer verën në dimrin
Me urrejtjen tonë,
Me fjalë të ashpëra,
Me luftëra dhe vrasje,
Me ndotjen e tokës
Që në marrëzinë tonë
Pretendojmë të pronojmë.
Kjo ditë vere më kujton
Sa tepër e çmueshme
Dhe e shkurtër është jeta
Për ta humbur kështu.
Një stuhi
Vapa frymëvjedhëse
Në furrën e saj
Na pjek.
Qetësia e tendosur
Para shfaqjes së natyrës.
Përnjëherresh
Shkëndijet e vetëtimës
Qiellin elektrifikojnë.
Shiu mbi çatitë
Dhe dritaret
Si një ushtri gjëmon.
Tamburi i bubulimës
Plaset dhe buçet.
Pasditen paqësore godet.
Zotin fuqiplot
Ky spektakël natyror paraqet.
Na kujton
Se vetëm kokrra
Në gjithësinë e madhe jemi.
Për një përrua
Përrua, mor përrua,
Ku po shkon?
Udhëtimin tënd vazhdon
Pa ditur
Fundin e tij.
Përrua, mor përrua,
Kur rruga e jetës
Na çon
Në drejtime të papritura,
Na mëso
Të mos druhemi.
Na gurgullo besimin fëmijëror
Se rrjedhjen tonë,
Ashtu si rrjedhjen tënde,
Zoti vetë drejton.
AMBASADA AMERIKANE KERKON NJE PROCES TE RREGULLT LIGJOR
Të sigurohet një proces i rregullt/
Deklaratë e Ambasadës së SHBA në Tiranë/
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara rithekson deklaratën e saj të mëparshme, e cila bën thirrje që Prokuroria dhe Institucionet gjyqësore të përmbushin përgjegjësitë e tyre për të zbatuar ligjin dhe për të siguruar një proces të rregullt”.
“Ne vazhdojmë të nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive, si dhe mbështesim përpjekjet e Kuvendit për të hartuar legjislacionin, në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014”. përfundon deklarata.
Tirane, 27 mars2015
Dëshmorët e Kombit të fshatit Samadraxhë dhe liria e Kosovës
Nga Prof.Dr.Emin Kabashi*/
Fshati Samadraxhë i komunës së Therandës së lashtë ka dhënë pesëmbëdhjetë Dëshmorë të Kombit. Ata janë pjesë e lirisë sonë. Ata janë pjesë e kujtesës sonë moderne historike. Pra, ata nuk kanë nevojë të kujtohet vetëm në këngën e popullit, doemos që nuk i harron kurrë, por ata janë pjesë e kujtesës sonë, sepse janë pjesë e lirisë sonë, sepse janë pjesë e proceseve historike që ka hapur Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, procese historike që kanë hapur rrugët e bashkimit kombëtar.
Hyrje
Nga dita e 28 nëntorit të vitit 1997, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli publikisht, në gjithë territorin e pushtuar për gati një shekull, doli një forcë që mori në duart e saj fatin e shqiptarëve të robëruar të kësaj pjese të atdheut. Kjo forcë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pra, i tha popullit të saj, nga gjiri i të cilit kishte dalë, tashti e tutje, fatin tonë e kemi në duart tona, liria e kësaj pjesë të atdheut, është ideali ynë jetësor, kurse çlirimi i të gjitha pjesëve të okupuara të atdheut do të jenë amaneti ynë këndej dhe andej vdekjes.
E shihni pra, Dëshmorët e Kombit, kudo dhe kurdo që kanë rënë, ia kanë falur jetën lirisë dhe çlirimit të atdheut, duke lënë një amanet, të cilin nuk e tretë as dheu i atdheut. Sepse, deri me rënien e Dëshmorëve të Kombit, andaj edhe të Dëshmorëve të Kombit të fshatit Shamadraxhë të Therandës, të vdekurit tanë varroseshin në dheun e tokës. Nga kjo luftë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rënët për liri dhe për çlirim, si dhe të gjithë të vdekshmit e tjerë varrosen në dheun e atdheut, varrosën në tokën e atdheut të tyre. Ngase dihet kaherë, atdheu është i atij populli që jeton në të, vetëm kur është i lirë.
Një fshat i tërë në shërbim të lirisë
Si kudo në Kosovë pjesa më e madhe e popullatë ishte vënë në shërbim të luftës për liri, që po e bënte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Mirëpo, si kudo dhe si përherë, kishte edhe aty-këtu mish dhie, siç thotë mendësia e popullit tonë, që jo vetëm i shmangeshin luftës, por ndonjëherë edhe bëheshin argat të kolonës së pestë, e në raste të veçanta edhe argat të pushtuesit të tokave shqiptare. Mirëpo, fshati Samadraxhë i Therandës së lashtë, lirisë ia dha 15 Dëshmorë të Kombit. Pjesë e lirisë u bën edhe 26 qytetarë të këtij fshati, të cilët, sekush në mënyrën e tij, sekush brenda mundësive të tij, ishte pjesë e luftës. Dhe, armiku ynë, në shenjë hakmarrjeje i vranë, i pushkaton, i masakron 26 qytetarë të këtij fshati.
Andaj, mund të thuhet, ata janë pesëmbëdhjetë Dëshmorë të Kombit, që janë bërë edhe pjesë e kujtesës sonë historike, që vunë gjakun e tyre në themelet e lirisë së kësaj toke. Ata janë njëzet e gjashtë qytetarë të Samadraxhës, që u vranë nga forcat serbe për hakmarrje. U vranë, u pushkatuan, u masakruan dhe u bënë pjesë e lirisë sonë. Ata janë një fshat i tërë, që ishte vatra e luftës, që ishte sofra e luftëtarëve të lirisë, që ishte pushka dhe buka e saj.
Kjo mënyrë e përkufizimit të të rënëve në luftën për liri, jo vetëm nuk ia heq as nuk ia shton askujt hisen e vet në luftën për çlirimin e kësaj pjese të atdheut, por përkundrazi, e bën jetësor atë mësimin e madhe të Rilindjes sonë Kombëtare, bartësit e së cilës, pra rilindësit tanë, jo vetëm luftuan dhe e bënë atdheun, jo vetëm luftuan për lirinë e tij, sa herë historia e kishte vënë në rrezik, jo vetëm krijuan kujtesën tonë kombëtare shekullore në shëmbëlltyrën e kryetrimit tonë Kombëtar-Skënderbeut, jo vetëm na mësuan të mos kursejmë as jetën për liri, por na mësuan edhe të mos rrahim gjoks që paskemi qenë një ditë a dy, një vit a dy në shërbim të atdheut. Sepse, lirisë së atdheut i ka hije, vetëm kur mësohemi të themi, mos pyet se çka bëri atdheu për ty, por pyete veten çka bëre ti sot për atdheun.
Atdheu dhe liria e tij nuk është hise e askujt
Kështu thotë historia. Atdheu nuk është hise e askujt, as e të gjallëve, as e të rënëve për liri, as e të vrarëve. Por të gjithë këta janë hise e atdheut, të gjallët dhe të rënët, të vrarët dhe të masakruarit, të dhunuarat dhe të zhdukurit. Kudo që kanë rënë, janë hise e lirisë së atdheut. Kudo që janë vrarë, janë hise e tragjedisë së tij, sepse i janë pakësuar njerëzit atdheut. Kudo që janë varrosur brenda tokës së tij, janë hise e tokës së atdheut.
Siç dihet historikisht kur vjen liria pas luftës çlirimtare, siç ishte Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç ishte Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit, siç ishte Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në tokat shqiptare nën Maqedoninë, ajo vjen për të gjithë. Vjen edhe për ata që kanë rënë dhe janë dëshmorët e saj, vjen edhe për ata që janë vrarë dhe janë hise e historisë së atdheut, vjen edhe për ata që nuk kanë bërë asgjë për ardhjen e lirisë së atdheut. Prandaj, atdheu dhe liria nuk janë hise e askujt, por të gjithë ata që kanë bërë diçka për atdheun dhe lirinë e tij, janë hise e tij dhe e lirisë së tij. Samir Frashëri ynë i madh, një herë e një herë, më shumë se nje shekull më parë, ka thënë se ai që nuk jep një grosh për atdhe, ai që nuk jep një copë bukë për atdhe, ai që nuk shkreh një pushkë për atdhe, ai nuk do të duhej të kishte as vend për varr në atë atdhe. Mirëpo, kohët kanë ndryshuar. Bashkë me kohët kanë ndryshuar edhe njerëzit. Bashkë me ta ka ndryshuar edhe mendësia e tyre. Luftërat nuk janë bërë më humane, pra më njerëzore, por njerëzit janë bërë më të shumanshëm, janë bërë më njerëzor. Andaj, edhe në lirinë e Kosovës, kanë vend edhe ata që nuk kanë bërë asgjë për ardhjen e lirisë në këtë pjesë të gjeografisë së pushtuar të atdheut tonë që quhet Shqipëri. Kosova, siç dihet historikisht, është vetëm një krahinë e saj, pra një krahinë e atdheut, që një ditë doemos do të bëhet i tëri.
Përfundim
Pesëmbëdhjetë Dëshmorët e Kombit të fshatit Samadraxhë të Therandës, të cilët po i kujtojmë sot, janë shenjat e kujtesës sonë historike, me të cilat do të mësojmë të ecim të lirë në jetë, me të cilët do të mësojmë të shkojmë në shkollë dhe në arë, në shtëpi dhe në punëtori, te miku dhe të i dashuri pa pasur frikë se mund të na vrasë armiku i atdheut tonë. Dhe, siç ndodh përherë me lirinë, që kurdo herë zgjuar, ditën dhe natën, zgjuar dhe në gjumë, sa herë na kujtohet fjala liri, do të na kujtohen edhe emrat e tyre, sepse janë pjesë e saj, sepse janë pjesë e luftës për liri, sepse janë pjesë e çlirimit të atdheut. Bashkë me ta, në këtë fshat të Therandës së lashtë, do të na kujtohen edhe 26 qytetarët e saj të vrarë e të pushkatuar në shenjë hakmarrjeje, pasi armiku ynë shekullore nuk arrinte ta zhdukte luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse ata ishin konaku dhe buka, ishin pjesë e luftës së lavdishme për ardhjen e lirisë së kësaj pjese të atdheut tonë.
Lavdi Dëshmorëve të Kombit të fshatit Samadraxhë!
Lavdi të gjithë të rënëve të këtij fshati!
Lavdi Dëshmorëve të Kombit kurdo dhe kudo që kanë rënë për lirinë e atdheut.
*Prishtinë, më 26. 3. 2015
*Këshilltar shkencor
Instituti Albanologjik i Prishtinës
Prishtinë
SHFLETIME-HISTORIA E FEDERATËS VATRA (1)
Në prag të 103 Vjetorit të themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA/
Nga Refat Xh. GURRAZEZI/
Konitza e drejtoj Diellin gjer në Mars 1910, dhe u-hoq; gazetën e nxori komisioni i shoqërisë “Besa-Besën” gjer në funt të Prillit. Prapë Konitza mori drejtimin e Diellit me 6 Maj dhe qëndroj gjer në Korrik, pastaj botimi i gazetës pushoj për tre muaj. Faik Konitza shkoj në St. Louis, Mo., për pakë kohë dhe atje nxori gazetën “Trumbeta e Krujes,” po nuk e vazhdoj. Si Konitza ashtu dhe Noli patnë ca mosmarëveshje të vogëla me komisionin e shoqërisë “Besa-Besën,” e cila botonte Diellin. Fan Noli ahere ish në Harvard University që bënte mësimet e larta shkollare, njëkohesisht kish dhe punët e kishës.
Me gjith’ ato, Fan Noli mori drejtimin e Diellit për nëntë muaj, Tetor 1910-Qershor 1911. Pastaj barra e editorit i mbeti Efthim Natsit, i cili sherbeu dy herë si drejtor i gazetës për një kohë fare të shkurtër. Natsi që punëtor i palodhur, dhe një nga atdhetarët e pakët t’asaj kohe. Pas tij, u-zgjodh Kristo Floqi editor i Diellit në Tetor 1911, dhe vazhdoj gjer në Korrik 1912. Duke vënë re këtu ndryshimet e editorëve njëri-pas-tjatrit, kuptohet se udha për bashkimin e Shqipëtarëve rreth një shoqërie kombëtare nukë qe e shtruar me lule, po me gjemba, përandaj i shenuam këtu me radhë.
Faik Konitza iku nga St. Louis-i dhe u-kthye prapë në Boston, po nuk u-muar me punët e Diellit për pakë muaj. Ay desh të bëhej mësonjes (“mesues”) dhe pati nevojë për një dipllomë universiteti të gjuhës inglishte. Ashtu në Gusht 1911 mbushi aplikatën për të hyrë në “Graduate School of Arts and Sciences” dhe u-pranua nga Harvard University, Cambridge, Mass. Konitza filloj studimet në Shtator 1911, dhe i mbaroj në Maj 1912 duke marë dipllomen “Master of Arts”. Po s’pati rast të bëhej mësonjes në nonjë universitet se duhej të punonte për çështjet kombëtare: për lirin’ e Shqipërisë. Kur mbeti keq financialisht pas vitit 1939, një shkollar shqipëtar i tha: “Përse s’vete të japesh mesime si profesor në Harvard University?” Konitza u-pergjigj: Se s’dua të merem më çiliminjte tani në kohë të pleqërisë.”
Editori i fundit nga ata që shenuam më lart (Kristo Floqi) e gjeti të shtruar në tryezën e bisedimit idenë dhe planin për bashkimin e gjithë shoqërive shqipëtare t’Amerikës rreth një shoqërie të madhe kombëtare, po për çudin’e të gjithëve ay quante inisiatoret e asaj ideje dhe t’atij plani si “pengonjës të bashkimit”! Ahere Fan Noli, i cili fliste dhe për Faik Konitzen, i bëri përgjigjje editorit dhe i thosh që ata të dy ishin kurdoherë gati të merjin pjesë në bisedimet për bërjen e bashkimit të shoqërive shqipëtare, po me këtë kusht: të bëhej një punë e pëlqyer dhe serioze, dhe jo qesharake. (Dielli: 18 Jenar 1912.)
Konitza ronte në Cambridge, afër shkollës që studionte, kur shoku i tij Noli i përgjigjej editorit të Diellit për ato që shkruante kundrë tyre në lidhje me çështjen e bashkimit të shoqërive. Konitza thosh se s’ish në kontakt të dëndur me shokët për aresyen se ronte pakë lark Boston-it, — dhe shtonte që Diellin nuk e këndonte se kish frikë mos harronte shqipen! Nga ay shkak, “nuk e dinte mirë se ç’po bëhej për punën e bashkimit te shoqërive”, punë të cilën e nisi ay vetë dy vjet më parë.
Shokët e tij ne Boston ishin: Fan Noli, Llambi Çikozi, Kristo Kirka, Elia Tromara, Josif Pani dhe disa atdhetarë të tjerë. Konitza ish kryetar i Komitetit “Flamuri i Krujes” i New England-it, dhe dendur i therriste shokët në mbledhjet e Komitetit për çështjen e bashkimit te Shqipëtarëve t’Amerikës rreth një shoqërie federale. Sekretar i Komitetit ish Elia Tromara i cili mbante letrëkëmbimin me anëtarët, dhe nukë vinte aqë mirë me editorin e Diellit shkaku se ky bënte propagandë kundrë Komitetit dhe ashtu i bëhej dëm çështjes së bashkimit.
Passi vazhduan bisedimet miaft kohë për punën e bashkimit të shoqërive të ndryshme si më anë te shtypit ashtu dhe të mbledhjeve, bisedime t’urta dhe nga nonjë herë t’ashpëra po kurdoherë për të mirën e përgjithëshme, erdhë të gjithë në marëveshje dhe me 24 Dhjetor 1911 u-bë mbledhja e parë në Rathbone Hall, 724 Washington St., Boston, Mass. Mbledhjen e thirri shoqëria “Besa-Besën”, dhe e kryesoj Kristo Floqi si çairman. Atje u-bisedua dhe u-strugas mirë çështja e bashkimit. Në mes t’atyre argumentave, u- ngrit Marko Adamsi dhe proponoj për zgjedhjen e një Komisioni të Bashkimit. Marko Adamsi s’kish edukatë shkollare, po ish njeri i kuptuar dhe një nga atdhetarët e rradhë të kohës së tij.
Ashtu u-zgjoth Komisioni i Bashkimit, i cili përbëhej nga këta katër njerës: Faik Be Konitza, At Fan S. Noli, Kristo Floqi dhe Paskal Aleksi. Ky Komision u-ngarkua të merej vesh me komisionet e shoqërive fshatare të ndryshme për punën e bashkimit.
Komisioni i zgjedhur në mbledhjen e përgjithëshme me 24 te Shën-Endreut 1911, bëri disa mbledhje gjër sa u-realizua bërja e bashkimit të shoqërive të ndryshme nënë hien e një shoqërie të madhe dhe të fortë. N’ato mbledhje u-bisedua forma e bashkimit dhe qellimet e shoqërisë që do të themelohej. Me 17 Mars 1912 u-mbajt mbledhja e parë e përbërë prej të katër anëtarëve të Komisionit të Bashkimit, dhe delegatve të shoqërive të ndryshme. Mbledhja u-mbajt në sallën e Kishës Shën-Gjergji, 227 Tremont St., Boston, Mass.
N’atë mbledhje muarnë pjesë këto shoqëeri: “Komiteti Flamur’ i Krujes” i New England-it, “Kombëtare” e Worcester-it, “Mirëbërëse” e Syracuse-it, “Mall’ i Memëdheut dhe Përlindja” e Jamestown-it, “Dëllëndyshja” e New York-ut, dhe “Besa-Besën” e Amerikës, e cila botonte Diellin. Më von u-bashkuan dhe të tjera shoqërira të mbetura jashtë, si për shëmbëll shoqëria “Skendër Beu” e Gary-it Indiana. Shoqëria “Mbarësia” e Luarasit kish dhënë fjalën se do të mirte pjesë, po delegati i saj nuk u-duk në mbledhjen, shkaku përse, s’dihet. Shoqëria “Mirëbërëse” e Syracuse-it kish zgjedhur At Naum Cerën për delegat të saj, po ay ish i zënë me punët e kishës dhe dërgoj Kost. Kotten në vënt te tij, natyrisht me pëlqimin e shoqërisë.
Kurse shoqëria korçare “Arësimi” u-hoq nga bashkimi i shoqërive shkaku se si një “shoqeri kulturale” që quhej ,– “S’deshi të merej me politikë.” Politika munt të duket si zanat i keq për intelektualët idealistë, po është miaft e dobishme për politikanët,– dhe kurdoherë molla e përçarjeve në partira të ndryshme.
Vendimet e mbledhjes u-shenuan në Rekordin IV, dhe e nënëshkruan të dy palët. Për Komisionin e Bashkimit shenuan: Faik Konitza, Fan Noli, Kristo Floqi dhe Paskal Aleksi. Dhe delegatë të shoqërive që shenuan Rekordin qenë keta: Elia Tromara, Lambi Cikozi, Kristo Kirka, Kostika Treska dhe Kost. Kotta.
Mbledhja e dyt’ e komisionit të bashkimit dhe delegatëve të shoqërive u-mbajt te Dielën tjater me 24 Mars, dhe përfundoj keto:
REKORD V.
“I. – Shoqëria Federale që do të formohet do të ketë nënë hien e saj gazetën DIELLI, me konditën që gazeta do të mbahet vetëm me të ardhurat e saj, nënë kontroll moral të Shoqërisë.
“II.- ZZ. Faik Be Konitza dhe Kristo Floqi muarrë persipër të bëjnë një kanunore provizore inglisht të një avukat nga më të dëgjuarët në Boston.
“III. – U-votua një sumë 25 dollarësh për harxhet e para të kanunores.
“IV. – Të mbledhja tjatër do të vihet në votë kanunorja dhe do të pagëzohet Shoqëria e Re.
“V. – Mbledhja e tretë do të mbahet të Dielën që vjen me 2-6 pas dreke në sallë të Kishës. – Boston, Mass., 24 Mars 1912.”
Këtu vazhdojnë nënëshkrimet e anëtarëve të komisionit të bashkimit dhe delegatëve të shoqërive që shenuam më lart.
Të gjithëve u-pëlqente bashkimi, po disave prej tyre u-vinte keq të shikojin tretjën e shoqërive të tyre në shoqërinë “Besa-Besën”, e cila ish pronare e gazetës Dielli. Duke kuptuar atë pengim të bashkimit, Faik Konitza, në një nga ato mbledhje të dëndura, përdori fjalën “federim” (“federation”) në vent të fjales “bashkim”, q’ashtu t’u-dukej kundërshtarëve se bëjin pjesë të gjithë në federatën pa humbur qenien e shoqërive të tyre fshatare. Dhe për çudi, ndryshimi nç perdorjen e njç fjalç çau udhën për bërjen e bashkimit të shoqërive të ndryshme fshatare në një federatë të madhe e cila bëri shumë sherbime të mbedha për popullin shqipëtar!(Vijon)