• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Takim ndërfetar midis studentëve të Teologjisë Islame dhe asaj Katolike

March 27, 2015 by dgreca

Nga Gjergji Mima/ -Studentët e Shkencave Islame të Universitetit ‘Bedër’ dhe studentët e Teologjisë Katolike nga Seminari Ndërdioqezian Shkodër zhvilluan me 26 Mars 2015 një takim miqësor të organizuar për të promovuar dialogun ndërfetar, nëpërmjet hapave konkret të njohjes dhe prezantimit të studentëve të teologjisë.
Të ftuarit nga Seminari Ndërdioqezian “Nëna e Këshillit të Mirë”, përbëheshin nga rektori i këtij Seminari Don Leonardo Falco, Drejtori i Institutit Filozofiko-Teologjik dhe pedagog i teologjisë dogmatike Atë Mario Imperatori, rektori i Seminarit “Redemptoris Mater” në Lezhë Don Lorenzo Rosseti, pedagogu i teologjisë dogmatike dhe i dialogut ndërfetar Don Robert Kola, si dhe rreth njëzet studentë të teologjisë katolike.
Ata janë pritur nga stafi pedagogjik i Departamentit të Shkencave Islame, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. Ajhan Tekinesh, Drejtori i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Dr. Genti Kruja, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Selman Kuzu, Drejtori i Qendrës për Studime Islame Dr. Atakan Derelioglu, pedagogu z. Elton Karaj, si dhe studentë të Shkencave Islame në Universitetin Bedër.
Gjatë takimit në një nga auditorët e universitetit, pas njohjes dhe prezantimit nga të dyja palët, studentët kanë prezantuar secili departamentin e tyre, mësimet dhe leksionet që marrin, duke u njohur kështu më mirë me aspektin arsimor dhe atë të literaturës të teologjisë Islame dhe asaj katolike.
Gjatë kësaj vizite, stafi pedagogjik i delegacionit katolik, është pritur edhe nga rektori i Universitetit ‘Bedër’, Dr. Ferdinand Gjana.
Të dyja palët e kanë vlerësuar si mjaft të frytshëm këtë takim, duke e cilësuar si hapin e parë të kalimit nga dialogu teorik në atë praktik, pikërisht nëpërmjet takimit dhe njohjes midis stafit pedagogjik dhe studentëve të Shkencave Islame dhe të Teologjikë Katolike në vendin tonë, duke u bërë një shembull konkret i harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri.

Filed Under: Komunitet Tagged With: asaj Katolike, midis studentëve, Takim ndërfetar, të Teologjisë Islame dhe

NGA PARLAMENTI I LUSHNJES TEK PARLAMENTI I METES

March 27, 2015 by dgreca

95 vjet Parlamentarizëm shqiptar/
Ne Foto: – Këshilli Kombëtar i Lushnjës (Senati) (27 mars 1920-20 dhjetor 1920) /
Nga Anila STRUGA*/
TIRANË, 27 Mars/ATSH/.- 95 vjet më parë, më 27 mars 1920, u krijua Parlamenti i parë shqiptar, i dalë nga Kongresi i Lushnjës. Organi i parë legjislativ për Shqipërinë përbëhej nga 37 anëtarë të zgjedhur nga vetë delegatët e Kongresit dhe mund të quhej një shprehje e vullnetit të shqiptarëve për të marrë fatin e vendit në duart e veta.
Në këtë periudhë afirmohen për herë të parë parimet e parlamentarizmit: emërimi dhe shkarkimi i Qeverisë nga Senati, si dhe ushtrimi i kontrollit parlamentar ndaj saj. Megjithëse parlamenti i parë shqiptar e shtriu veprimtarinë e tij legjislative në një periudhë të shkurtër kohe, ai arriti të miratonte disa ligje të rëndësishme, ku akti më i rëndësishëm ishte Statuti i Lushnjes që përbënte një ligj kushtetues.
– Kuvendi Kombëtar i Vlorës (1912) –
Institucioni i parlamentarizmit në Shqipëri ka histori relativisht të shkurtër dhe të lidhur ngushtë me evolucionin e shtetit shqiptar. Gjatë kësaj periudhe ai ka pësuar ndryshime të vazhdueshme duke iu përgjigjur sistemeve të qeverisjes apo dinamikës së kohës, duke krijuar përvojën e tij në mënyrën e organizimit dhe funksionimit dhe duke u kthyer në institucionin më të rëndësishëm të zhvillimit të jetës politike në vend.
Institucioni i parlamentarizmit në Shqipëri i ka fillimet e tij prej ditës së pavarësisë, me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Vlorës. Si organi i parë përfaqësues i popullit, ai mori përsipër realizimin e detyrës së rëndësishme të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Ai zgjodhi Qeverinë e Përkohshme, të kryesuar nga Ismail Qemali.
– Shteti shqiptar nën Princ Vidin dhe Statuti Organik i Shqipërisë (1914) –
Pas Kuvendit Kombëtar të Vlorës, parlamentarizmi si institucion u sanksionua në të gjitha statutet që pasuan konsolidimin e shtetit shqiptar. Për herë të parë ai parashikohet në Statutin Organik të Shqipërisë, të hartuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, më 1914, megjithëse, fillimi i Luftës së Parë Botërore e bëri të pamundur krijimin e një organi të tillë.
Sipas statutit, Asambleja Kombëtare, si organ legjislativ, përbëhej nga anëtarë të zgjedhur nga populli, anëtarë të emëruar nga princi dhe anëtarë “ex officio” (gjithsej 36 anëtarë).
Pas shpalljes së pavarësisë vite të tjera të vështira do të vinin për Shqipërinë. Megjithëse Traktati i Londrës kishte përcaktuar kufijtë e saj, dëshirat ekspansioniste të shteteve që donin të përfitonin më shumë territore ishin ende aktive duke ëndërruar përsëri ndarjen e saj. Në këto rrethana më 27 mars 1920 u mblodh Kongresi i Lushnjes.
Kongresi i Lushnjes, i mbledhur më 27 mars 1920, krijoi Senatin, Parlamentin e parë shqiptar (më vonë Këshilli Kombëtar), si organ legjislativ, i cili përbëhej nga 37 anëtarë të zgjedhur nga vetë delegatët e Kongresit. Kongresi shprehu në formë të organizuar politike vullnetin e shqiptarëve për të marrë fatin e vendit në duart e veta.
Në këtë periudhë afirmohen për herë të parë parimet e parlamentarizmit: emërimi dhe shkarkimi i Qeverisë nga Senati, si dhe ushtrimi i kontrollit parlamentar ndaj saj. Megjithëse parlamenti i parë shqiptar e shtriu veprimtarinë e tij legjislative në një periudhë të shkurtër kohe, ai arriti të miratonte disa ligje të rëndësishme. Akti më i rëndësishëm ishte Statuti i Lushnjes që përbënte një ligj kushtetues. Veprimtaria legjislative e Këshillit Kombëtar mori fund në dhjetor të vitit 1920, kur Këshilli u shpërnda për t’ua lënë vendin zgjedhjeve të para në Shqipëri (mars 1921).
Këshilli Kombëtar (21 prill 1921-30 shtator 1923) – Statuti i Zgjeruar i Lushnjës
Nga zgjedhjet që u zhvilluan në mars të vitit 1921, vendi u përfaqësua me 78 deputetë. Që nga kjo periudhë, parlamenti filloi të shfaqej rregullisht si një organ i dalë nga populli, me detyra të përcaktuara qartë në statutin e kohës. Zgjerimi që iu bë Statutit të Lushnjës, i cili në histori njihet si statuti i shtetit shqiptar i vitit 1922, e shndërroi këtë akt në një kushtetutë të mirëfilltë me fuqinë më të lartë në shtet dhe sanksionoi plotfuqinë parlamentare.
Organi më i rëndësishëm që ushtronte pushtetin legjislativ, i quajtur “Këshill Kombëtar” mori emrin “Parlament”. Si organ i vetëm legjislativ ai përbëhej nga një dhomë deputetësh të cilët zgjidheshin nga populli në bazë të zgjedhjeve të përgjithshme (votim i tërthortë).
Në fushën legjislative, veprimtaria e Këshillit Kombëtar u përqëndrua në nxjerrjen e ligjit për organizimin gjyqësor, në plotësimin e rregullores ekzistuese me elemente të reja për transparencën e veprimtarisë parlamentare, betimin e deputetëve përpara Këshillit, etj. Në shtator të vitit 1923, Këshilli Kombëtar i mbylli punimet e tij në përfundim të legjislaturës 2 vjeçare për t’ua lënë vendin zgjedhjeve të reja për Kuvendin Kushtetues, të cilat u mbajtën në dhjetor të po këtij viti.
Kuvendi Kushtetues, i përbërë nga 100 deputetë, ushtroi veprimtarinë e tij në dy periudha (21 janar-2 qershor 1924 dhe dhjetor 1924-2 mars 1925). Detyra kryesore e tij ishte hartimi dhe miratimi i një kushtetute të shkruar (prej së cilës mori dhe emrin) ku të sanksionohej forma e qeverisjes.
Objektivi nuk u arrit në periudhën e parë të veprimtarisë së tij për shkak të acarimit të situatës politike në vend me vrasjen e Avni Rustemit dhe atentatit që iu bë kryeministrit të asaj kohe Ahmet Zogu.
Më 2 qershor të vitit 1924 Kuvendi mbylli punimet e periudhës së parë. Pas shpërbërjes së Qeverisë, Ahmet Zogu u largua nga Shqipëria, duke mbetur në ilegalitet deri në dhjetor të vitit 1924. Gjatë kësaj periudhe erdhi në pushtet Qeveria e Fan Nolit, e cila pati një jetë të shkurtër (qershor-dhjetor 1924).
Me rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet, moment që shënoi në histori të ashtëquajturin “triumf të legalitetit”, rifilloi punimet Kuvendi Kushtetues. Ai arriti të përmbushte detyrën për të cilën ishte krijuar: miratimin e Statutit Themeltar të Shtetit dhe përcaktimin e formës së tij.
Statuti afirmonte formën e qeverisjes duke e përcaktuar Shqipërinë si Republikë Parlamentare “e kryesueme prej një kryetari sovraniteti i së cilës buronte prej popullit”. Me një vendim të posaçëm të Kuvendit Kushtetues, Ahmet Zogu u zgjodh në krye të shtetit. Parlamenti, për herë të parë dhe të fundit në historinë parlamentare të Shqipërisë, paraqitet i përbërë nga dy dhoma: Senati dhe Dhoma e Deputetëve.
Sistemi dydhomësh pati një jetë të shkurtër parlamentare dhe përbënte eksperiencën e vetme në historinë parlamentare të Shqipërisë. Dhoma e Deputetëve (Dhoma e Ulët) përbëhej nga 57 deputetë të zgjedhur nga populli ndërkohë që Senati (Dhoma e Lartë) përbëhej nga 18 senatorë, 2/3 e të cilëve zgjidheshin nga populli, ndërsa 1/3 nga Kryetari i Republikës.
Statuti afirmonte një sistem dydhomësh perfekt, por që në raste të caktuara i jepte përparësi Senatit, duke e vënë Dhomën në pozita inferioriteti. Një organ tjetër i Parlamentit ishte ai i mbledhjes së dy dhomave në një seancë të përbashkët, të quajtur Asamble Legjislative, që paraqitej në statut si organ më vehte.
Gjatë kësaj kohe parlamenti miratoi një sërë ligjesh me rëndësi ndër të cilat mund të përmenden: ligjin mbi bankën kombëtare, ligjin e pensioneve civile, etj. Ai u karakterizua nga mungesa e pluralizmit dhe për shkak të problemeve të mëdha të sistemit zgjedhor, ruajti një karakter përfaqësues fiktiv. Mungesa e partive politike karakterizoi të gjithë periudhën e sundimit të Ahmet Zogut si Kryetar Republike e më pas si Mbret i Shqiptarëve.
Shpërndarja e Parlamentit të Republikës erdhi pas debateve për ndryshimin e formës së qeverisjes, duke i lënë vendin zgjedhjeve të reja për Asamblenë Kushtetuese.
– Periudha e Mbretërisë Shqiptare 1928 – 1939 –
Asambleja Kushtetuese, e dalë nga zgjedhjet e 17 gushtit 1928 me 58 deputetë, sanksionoi në statut formën “monarkike” të qeverisjes, dhe parashikoi sistemin njëdhomësh parlamentar. Shqipëria shpallej “mbretëri demokratike, parlamentare, dhe e trashëgueshme”, ndërkohë që Mbret i shqiptarëve sanksionohej “LartMadhëria e tij Zogu I, nga familja e famshme shqiptare Zogu”. Ajo i dha fund punimeve më 1 dhjetor 1928, duke u transformuar në parlament. Në këtë periudhë u miratuan akte të rëndësishme si kodi civil, kodi tregtar, kodi penal, apo kodi i procedurës civile të cilët shënuan shkëputjen drastike nga legjislacioni i periudhës osmane. Për këtë arsye, parlamenti i kësaj kohe u quajt nga Zogu I si “parlament konstruktiv” e “parlament reformator”.
Pas pushtimit Italian të Shqipërisë në prill të vitit 1937, Mbreti Ahmet Zogu I u largua nga Shqipëria. Mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit III, iu ofrua kurora e Shqipërisë.
– Parlamenti në periudhën e luftës –
Sipas statutit themeltar të mbretërisë shqiptare të akorduar nga mbreti, Viktor Emanueli III, shteti shqiptar ishte monarki kushtetuese. Pushteti legjislativ ushtrohej nga mbreti në bashkëpunim me Këshillin e Epërm Fashist Koorporativ. Më vonë, më 16 tetor 1943 me ardhjen e pushtuesve nazistë u mblodh Kuvendi Kombëtar me 247 anëtarë, i cili rivendosi krijimin e Këshillit të Lartë si kryetar shteti. Ai u kthye në parlament, duke ushtruar pushtetin legjislativ së bashku me këtë organ. Kjo periudhë karakterizohet nga mohimi i parimeve të parlamentarizmit.
– Parlamenti në periudhën e pasluftës –
Zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese të pasluftës u zhvilluan më 2 dhjetor 1945. Për herë të parë në votim morën pjesë edhe gratë. Në këtë periudhë u miratua kushtetuta e 14 marsit 1946, ku Asambleja Kushtetuese u kthye në Kuvend Popullor. Në kushtet e mungesës së pluralizimit politik në vend, Kuvendi Popullor ishte një organ formal i cili mblidhej në sesione vetëm dy herë në vit. Në vitin 1976 Kuvendi Popullor miratoi Kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë e cila ruajti më tepër tiparet e një programi politik plotësisht të ideologjizuar me ideologjinë e kohës. Roli i parlamentit mbetej fiktiv, sa kohë që nuk sanksionoheshin zgjedhje të lira dhe as që mund të flitej për pluralizëm. Pas 5 dekadash në Shqipëri shfaqen shenjat e para të rilindjes së parlamentarizmit. Pas një periudhe 67 vjeçare mblidhet parlamenti i parë pluralist i dalë nga zgjedhjet e 31 marsit 1991 (250 deputetë). Ligji “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, i miratuar në këtë vit solli ndryshime në kuadrin e organizimit demokratik të shtetit. Ai u plotësua gradualisht nga një sërë ligjesh të tjera kushtetuese, deri në miratimin e një kushtetute të re tërësore.
Më 21 tetor 1998 Kuvendi Popullor miratoi Kushtetutën e re, të hartuar edhe me ndihmën e organizmave ndërkombëtarë. Kushtetuta e re krijoi mundësinë për të kuptuar më mirë sistemin politik në Shqipëri dhe rolin e aktorëve të tij. Emërtimi Kuvend Popullor ndryshohet në Kuvend i Shqipërisë (njëdhomësh, 140 deputetë).
Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, Kuvendi, si organi më i lartë i Pushtetit ligjvënës, vazhdoi procesin e hartimit dhe miratimit të ligjeve. Gjatë këtyre viteve roli i Kuvendit është rritur ndjeshëm në krijimin e një kuadri kushtetues e ligjor, si premisë për vendosjen e shtetit juridik. Ai është kthyer në institucionin më të rëndësishëm të zhvillimit të jetës politike në vend. Veprimtaria legjislative është bërë një nga instrumentët më aktivë në konsolidimin e institucioneve të shtetit dhe të integrimit euroatlantik.
*Titulli i redaksise se Dielli

Filed Under: Histori Tagged With: 95 vjet, Nga Parlamenti i Lushnjes, Parlamenti i Metes

Kush ia zgjodhi kriminelët Ramës

March 27, 2015 by dgreca

Nga Armand Shkullaku/*
Edi Rama duhet të jetë vërtetë në një hall të madh. Ai mezi arriti të lidhte disa fjali të enjten në Kuvend, kur nisi të fliste për pensionet dhe doli tek 21 janari. Në më pak se dy vjet në pushtet, kryeministri që mori përsipër Rilindjen e Shqipërisë po shikon t’i vërtetohen çdo ditë akuzat e kundërshtarëve të tij se ai synoi pushtetin si qëllim të vetëm, pavarësisht mjeteve për ta arritur atë. Se pranoi të bëjë aleancë edhe me djallin dhe tashmë ndodhet brenda lojës së tij.
Të enjten, pas votimit në Kuvend për t’i hapur rrugën arrestimit të dy deputetëve të shumicës, shqiptarët panë kryeministrin e tyre që foli se duhej të fliste, por në fakt nuk tha asgjë. Atë që nuk e tha me fjalë, Rama e demonstroi me nervozizmin e tij, me akuzat bajate ndaj opozitës, me rikthmin e 21 janarit për të balancuar politikisht prokurorinë dhe me mungesën totale të një ndjese publike. Ai u detyrua, faqe gjithë botës, të gëlltisë lugën e parë të çorbës që ka gatuar vetë.
Edi Rama është në hall në radhë të parë me aleatin e tij kryesor, Ilir Meta, të cilin dy vjet më parë e sulmonte me zemër dhe sot është i detyruar ta mbrojë fare pa zemër. Rama është gjithashtu në hall edhe me deputetët e tij. Ai i vërtiste fjalitë të enjten në gojë pa thënë asgjë, sepse nuk mund të fliste dot hapur për Tom Doshin, një nga njerëzit e tij më të afërt, të cilin e prezantonte dy vjet më parë si një nga Rilindasit e shquar të ekipit të tij, ndërsa tani i ka hapur rrugën për ta dërguar në qeli. Nuk flet dot as për Mark Frrokun, të cilin e bëri aleat për kokë, ndonëse e dinte që në partinë e tij, i dyti në listë ishte një individ i akuzuar për vrasjen e një oficeri të lartë policie. Nuk u del për zot as dy deputetëve me të cilët krenohej kur goditën kolegun e opozitës dhe tani me heshtjen e tij ka dhënë “miratimin” për dënimin e tyre.
Kryeministri do duhej t’u tregonte sot shqiptarëve atë që po ngjet me mazhorancën e tij. Se si ndodhi që ajo përfshi në një spirale të tillë skandali ku çdo ditë shfaqet një i akuzuar i ri dhe nuk dihet se ku do të përfundojë zinxhiri. Dhe për ta bërë këtë, Edi Rama kishte vetëm një mënyrë. Të fliste hapur dhe të kërkonte ndjesë publikisht. Të pranonte se ai e ka ditur që në fillim se çfarë individësh po u ofronte shqiptarëve për të votuar në listat e tij. Se çfarë aleancash lidhi për të ardhur në pushtet dhe deri ku u detyrua të shkojë për disa mijëra vota më shumë. Ai do të duhej të pohonte se gjithë kjo telenovelë e pështirë që po zgjat me javë është kësti parë i kredisë së lartë që Edi Rama ka marrë për të ardhur në pushtet. Dhe duke pranuar këtë, angazhimi i tij për një distancim nga bota e krimit në të ardhmen do të ishte më e besueshme. Pse jo, mund të kishte edhe mbështetje më të gjerë nga opinioni publik.
Në vend të ndershëmrisë politike në një moment kritik për Shqipërinë, kryeministri zgjodhi të bëjë atë që di më mirë. Ta shkarkojë përgjegjësinë tek të tjerët dhe të ndezë motorrin e lodhur të propagandës. Ai u përpëlit para Kuvendit duke mos gjetur asnjë argument bindës për atë që po i ndodh brenda vathës së tij. Mbajti një leksion të stërpërdorur mbi të djathtën, përsëriti batutat bajate me Shqup, u kujtua të kërkojë drejtësi për 21 janarin, provoi të bëjë herë grindavecin e herë strategun, por në fund nuk tha se si ndodhi që Rilindja sot po kthehet në Riciklim. Madje kulmin e arriti kur akuzoi opozitën se po bëhej zëdhënësja e Durim Bamit, një gangsteri nga Fushë- Kruja.
Në fytyrën e kryeministrit dallohej qartë se as ai vetë nuk i besonte ato që thoshte, por ishte i detyruar të thoshte diçka. Meqë nuk mund të shpjegonte dot se përse ky gangsteri nga Fushë Kruja, me dijenë e tij, pra të vetë kryeministrit, ishte takuar tri herë me ministrin e Brendshëm e me drejtues të lartë të policisë dhe ata e kishin pritur me kafe e muhabet në zyrat e shtetit, ateherë rrugëdalje e vetme mbetet propaganda dhe armiku i klasës. Në të kundërt, kryeministri do të duhej të shpjegonte edhe përse ai, ministri Tahiri dhe drejtori i policisë nuk bënë kallzim në prokurori për dëshmitë e gangsterit nga Fushë- Kruja, të cilin tani kërkon t’ia faturojë opozitës. Ky është vetëm një shembull nga logjika e hallit që e ka zënë kryeministrin. Sepse ka shumë e shumë të tjerë.
Në thelb të gjendjes në të cilën gjendet sot shumica dhe kryeministri, nuk është as mënyra se si bën opozitë PD dhe as se çfarë thotë apo nuk thotë Durim Bami. Problemi i vërtetë qëndron tek aleanca e dikurshme me djallin për të cilën ka ardhur momenti për të dhënë llogari. Sa më shumë të fshihet Edi Rama pas gishtit aq më të vështirë do ta ketë shkëputjen nga rrjeta që ka thurrur vetë. Në fjalën e tij në Kuvend kryeministri sugjeroi të mos përdoret fjala dekriminalizim i parlamentit sepse, tha ai, “populli nuk ka zgjedhur të përfaqësohet nga kriminelë”. Kjo është e vërtetë. Populli ka zgjedhur të votojë përfaqësuesit që i caktojnë kryetarët e partive. Se kë ka caktuar Edi Rama, sigurisht nuk është faji i popullit. Populli tashmë po rri e vështron. Dhe sot po sheh një kryeministër në hall.
*Kortezi-Koha Jone

Filed Under: Editorial Tagged With: Armand Shkullaku, kriminelët Ramës, Kush ia zgjodhi

Motive nga libri “Fytyrë e Dashurisë”, i Eglantina Mandias

March 27, 2015 by dgreca

Nga Bardhyl Selimi/
Zonja Eglantina Mandia, e cila jeton në Kanada që nga viti 1997, është autore e disa romaneve tregimeve,dramave, si edhe e shumë reportazheve dhe artikujve analitikë. Këtë vit ajo vjen në botën e librit me “Fytyrën e Dashurisë”, ku përfshihen kujtime, refleksione, reportazhe, artikuj të shumtë.
Libri hapet më rrëfimin-homazh për tre oficerë patriotë shqiptarë, që u ekzekutuan nga trupat austriake, sepse mbrojtën monumentet arkeologjike të Pojanit, për të mos u bartur jashtë Shqipërisë. “Nuk jemi tradhëtarë, po pushkatohemi për një çështje të shenjtë e të drejtë”- ishte fjala e fundit e Kamber Benjës, shkruan autorja. Më tej njihemi me shumë aspekte të këngëve karakteristike korçare, serenatave të famshme. “Neli qe bërë një djalosh shumë i pashëm, i gjatë, flokë gështenjë, me sy të zinj, depërtues, që shokët e thërrisnin ‘zemërzjarrti’…ndërsa Beki ishte e bardhë si dëbora, me trupin e hajthëm, delikat, me vështrimin e syve larushë, disi të habitur, që flisnin të gjitha gjuhëte botës”- janë disa portretizime të heronjve të shkrimtares.
Në libër gjen vend edhe mësuesi i saj në Roskovec, z. Hekuran Zhiti, një burrë i pashëm, flokëkaçurrel, shpatullgjerë dhe shumë i qeshur, i qetë, që nuk e ngrinte asnjëherë zërin; edhe infermierja sypatrëmbur e vullnetarëve të Spanjës, zonja Justina Shkupi, për të cilën dikush kish thënë se ‘ishte një femër, me të cilën mund të mburrej çdo vend, një grua fisnike’.
Si ish nxënës i mësuese Eglantinës, në vitet 1962-1963, mund ta kuptoj më mirë tregimin e saj për gruan fisnike dhe trime nga Petersburgu, Ninën, mësuesen e anglishtes dhe ish bashkëshorten e shkrimtarit tonë të njohur Dritëro Agolli, të cilën e detyruan të divorcohej e të largohej nga Shqipëria bashkë me djalin autoritetet enveriste të kohës. Në tregim sillet edhe atmosfera mbytëse e regjimit të atëhershëm. Padyshim, reportazhi për “Maturën 63” është më interesanti për mua dhe bashkënxënësit e mij. Aty portretizohen shumë nga shokët dhe shoqet tona të klasës. Për këtë, librin, në fjalë, na e dhuroi vetë mësuesja në fillim të korrikut 2014, gjatë dy takimeve me të në Tiranë. Temën e shkollës në komunizëm rrok edhe tregimi për ‘Vitin e krisur 1967’, që e kam përjetuar edhe vetë, pasi në gjimnazin “Partizani” kryeja atëkohë praktikën pedagogjike.
Lexuesi do gjejë në libër edhe shumë fakte nga jeta e poetit të madh, Lasgush Poradecit (Lazar Gushos), por edhe një homazh për intelektualen trime, të martirizuar familiarisht, Musine Kokalarin, motrën e autorit të “Kosova –djepi i shqiptarizmit”, z. Hamit Kokalari. Një shkrim i veçantë i kushtohet intelektuales tjetër të madhe, Nermin Vlorës. Nuk mund të mos tërhiqte vëmëndjen për zonjën Eglantina edhe rasti i Ramize Gjebresë, pushkatuar nga partizanët me akuza të padrejta, që në këtë libër pasqyrohet në një këndvështrim të ri.
Midis materialeve të tjera në vijim dua të përmënd edhe homazhin për familjen e zonjës Nekibe Kelmendi, të cilës forcat policore serbe ia vranë bashkëshortin avokat të njohur dhe dy djemtë, pasi i rrëmbyen në mes të natës. Unë, personalisht, kam kënaqësinë të lëxoj këtu edhe për ish mësuesen tjetër time të letërsisë, zonjën Drita Siliqi, ‘Dritën shpirtbukur me erë gjethe dafine’- siç shprehet vetë autorja, kolege e saj.
Libri mbyllet me përshkrimin e nobelistes shqiptare, të madhes Nënë Tereza, ‘këtë të zgjedhur vajzë të popullit shqiptar, nënën e shumë të varfërve, midis më të varfërve të botës, që me ngrohtësinë e besimit, dërgon nga brenda saj te të tjerët zemërgjerësine shqiptare’.(Ne foto:Englantina Mandia)

Filed Under: ESSE Tagged With: “Fytyrë e Dashurisë”, i Eglantina Mandias, Motive nga libri

DR. ISLAM LAUKA,“QYTETAR NDERI”, NE BAJRAM CURRI

March 27, 2015 by dgreca

TROPOJA NDERON ME TITULLIN “QYTETAR NDERI” DJALIN E PERSONALITETIN E SAJ, DR. ISLAM LAUKA, AMBASADOR/
Nga Valdet ERMALI/
Këshilli Bashkiak i qytetit alpin Bajram Curri, qendra administrative e rrethit të Tropojës, me unanimitet, në mbledhjen e tij, më 23 mars 2015, e nderoi me titullin “Qytetar Nderi”, djalin e personalitetin e saj, dr. Islam Lauka, ambasador, me motivacionin: “Për rolin e kontributin e pandërprerë në promovimin e vlerave historike, kulturore, arsimore e turistike të qytetit Bajram Curri dhe Malësisë së Gjakovës, , për argumentimin shkencor e mbrojtjen diplomatike në botë të çështjes kombëtare shqiptare, në veçanti, të Kosovës, si dhe lobimin për njohjen e saj shtet i pavarur e sovran ”.
Ambasadori i parë i Shqipërisë në Kosovë (2009-2014), dr. Islam Lauka, shkencëtar, politilog, diplomat, kulturolog, publicist, përkthyes, autor i disa veprave shkencore për Kosovën etj., President i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, Drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, ka marrë disa vlerësime kombëtare e ndërkombëtare, ndër të cilat edhe titullin “Qytetar Nderi” i komunës së Bytyçit, vendlindjes së tij, në vitin 2010.
Jo vetëm kur jetoi e punoi në detyra të ndryshme në qytetin Bajram Curri e në
rrethin e Tropojës, po asnjëherë zoti Islam Lauka nuk e ka harruar vendlindjen e tij, Malësinë e Gjakovës, përkundrazi, gjithmonë ka theksuar se para se të jetë diplomat, studiues, publicist, apo përkthyes, ai e ndjen veten tropojan në çdo qelizë të tij, natyrisht një tropojan patriot, i përkushtuar ndaj vendit dhe kombit të tij. Në CV e tij dhe në historikun e bashkisë së Tropojës njihen gjithato kontribute të tij në fushën e arsimit, shëndetësisë, kulturës, turizmit, etj.
Gjithashtu, dr. Islam Lauka është autor i disa librave shkencor me jehonë (ndër)kombëtare, si: “Kosova, rast universal apo sui generis” (shqip, anglisht, arabisht, rumanisht). “Evoluconi i problemit të Kosovës dhe gjendja e tij aktuale”.(rusisht). “Shkëputja e Kosovës nga Rusia” (shqip, anglisht). “Kosova e pavarur ose dështimi i kryqëzatës ruso-serbe”. Bashkëautor i veprave: “Shqipëria në arkivat ruse”; “Antologjia e kryqëzimit: qëndrimi rus ndaj çështjes shqiptare, 1878-2012”.
Ceremonia për dorëzimin e titullit “Qytetar Nderi” do të organizohet në fillim të muajit prill 2015 në qytetin Bajram Curri me pjesmarrje dhe të disa personaliteteve shqiptare nga institucione shtetërore e të shoqërisë civile nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, etj.

Filed Under: ESSE Tagged With: B Curri, Dr. Islam Lauka, qytetar Nderi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3990
  • 3991
  • 3992
  • 3993
  • 3994
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT