Nga Bardhyl Selimi/
Zonja Eglantina Mandia, e cila jeton në Kanada që nga viti 1997, është autore e disa romaneve tregimeve,dramave, si edhe e shumë reportazheve dhe artikujve analitikë. Këtë vit ajo vjen në botën e librit me “Fytyrën e Dashurisë”, ku përfshihen kujtime, refleksione, reportazhe, artikuj të shumtë.
Libri hapet më rrëfimin-homazh për tre oficerë patriotë shqiptarë, që u ekzekutuan nga trupat austriake, sepse mbrojtën monumentet arkeologjike të Pojanit, për të mos u bartur jashtë Shqipërisë. “Nuk jemi tradhëtarë, po pushkatohemi për një çështje të shenjtë e të drejtë”- ishte fjala e fundit e Kamber Benjës, shkruan autorja. Më tej njihemi me shumë aspekte të këngëve karakteristike korçare, serenatave të famshme. “Neli qe bërë një djalosh shumë i pashëm, i gjatë, flokë gështenjë, me sy të zinj, depërtues, që shokët e thërrisnin ‘zemërzjarrti’…ndërsa Beki ishte e bardhë si dëbora, me trupin e hajthëm, delikat, me vështrimin e syve larushë, disi të habitur, që flisnin të gjitha gjuhëte botës”- janë disa portretizime të heronjve të shkrimtares.
Në libër gjen vend edhe mësuesi i saj në Roskovec, z. Hekuran Zhiti, një burrë i pashëm, flokëkaçurrel, shpatullgjerë dhe shumë i qeshur, i qetë, që nuk e ngrinte asnjëherë zërin; edhe infermierja sypatrëmbur e vullnetarëve të Spanjës, zonja Justina Shkupi, për të cilën dikush kish thënë se ‘ishte një femër, me të cilën mund të mburrej çdo vend, një grua fisnike’.
Si ish nxënës i mësuese Eglantinës, në vitet 1962-1963, mund ta kuptoj më mirë tregimin e saj për gruan fisnike dhe trime nga Petersburgu, Ninën, mësuesen e anglishtes dhe ish bashkëshorten e shkrimtarit tonë të njohur Dritëro Agolli, të cilën e detyruan të divorcohej e të largohej nga Shqipëria bashkë me djalin autoritetet enveriste të kohës. Në tregim sillet edhe atmosfera mbytëse e regjimit të atëhershëm. Padyshim, reportazhi për “Maturën 63” është më interesanti për mua dhe bashkënxënësit e mij. Aty portretizohen shumë nga shokët dhe shoqet tona të klasës. Për këtë, librin, në fjalë, na e dhuroi vetë mësuesja në fillim të korrikut 2014, gjatë dy takimeve me të në Tiranë. Temën e shkollës në komunizëm rrok edhe tregimi për ‘Vitin e krisur 1967’, që e kam përjetuar edhe vetë, pasi në gjimnazin “Partizani” kryeja atëkohë praktikën pedagogjike.
Lexuesi do gjejë në libër edhe shumë fakte nga jeta e poetit të madh, Lasgush Poradecit (Lazar Gushos), por edhe një homazh për intelektualen trime, të martirizuar familiarisht, Musine Kokalarin, motrën e autorit të “Kosova –djepi i shqiptarizmit”, z. Hamit Kokalari. Një shkrim i veçantë i kushtohet intelektuales tjetër të madhe, Nermin Vlorës. Nuk mund të mos tërhiqte vëmëndjen për zonjën Eglantina edhe rasti i Ramize Gjebresë, pushkatuar nga partizanët me akuza të padrejta, që në këtë libër pasqyrohet në një këndvështrim të ri.
Midis materialeve të tjera në vijim dua të përmënd edhe homazhin për familjen e zonjës Nekibe Kelmendi, të cilës forcat policore serbe ia vranë bashkëshortin avokat të njohur dhe dy djemtë, pasi i rrëmbyen në mes të natës. Unë, personalisht, kam kënaqësinë të lëxoj këtu edhe për ish mësuesen tjetër time të letërsisë, zonjën Drita Siliqi, ‘Dritën shpirtbukur me erë gjethe dafine’- siç shprehet vetë autorja, kolege e saj.
Libri mbyllet me përshkrimin e nobelistes shqiptare, të madhes Nënë Tereza, ‘këtë të zgjedhur vajzë të popullit shqiptar, nënën e shumë të varfërve, midis më të varfërve të botës, që me ngrohtësinë e besimit, dërgon nga brenda saj te të tjerët zemërgjerësine shqiptare’.(Ne foto:Englantina Mandia)