• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pranimi i Shqiperise ne Lidhjen e Kombeve dhe roli i Fan Nolit

March 14, 2015 by dgreca

Nga Prof.Dr. Muharrem Dezhgiu*/
Në rrethanat e pasluftës botërore shteti shqiptar ishte rrezikuar seriozisht. Traktati i Fshehtë famëkeq i Londrës të vitit 1915, i firmosur nga fitimtarët e luftës, parashikonte copëtimin përfundimtar të shtetit shqiptar,. Territoret ishin të pushtuara ende nga tri ushtri të huaja. Faktori shqiptar nuk ishte në një zë për kërkesat që i duheshin paraqitur Konferencës së Paqes. Fuqitë që drejtonin këtë konferencë lejuan pazarllëqe në dëm të Shqipërisë e të popullit shqiptar, duke favorizuar pretendimet e fqinjve ( Memorandumi i Anglisë, Francës dhe ShBA- së i 9 dhjetorit të vitit 1919 dhe kompromisi i 13 janarit të vitit 1920 midis Anglisë, Francës dhe Italise.)
Pas Kongresit të Lushnjes, Shqipërisë iu desh të mbronte ekzistencën dhe të rikonfirmonte arritjet e viteve 1912-1913 (pavarësinë dhe 28 000 km2 territor), duke luftuar si në planin diplomatik, po ashtu edhe me armë në Vlorë, në Koplik, në Dibër, në Mirditë etj.. Nenshkrimi i Protokollit shqiptaro-italian (9 gusht 1920), me të cilin qeveria italiane respektonte sovranitetin shqiptar mbi Vlorën dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë, luftimet kundër intervencionistëve jugosllavë dhe forcave separatiste antiqeveritare në vend,,ishin suksese te rendesishme te qeverise shqiptare te dale nga Kongresi Kombetar i Lushnjes autoritetin e delegacionit te posacem te akredituar ne Lidhjen e Kombeve ,te kryesuar nga Fan Noli.
Delegacioni shqiptar paraqiti ne Sekretariatin e Lidhjes dokumentet e kerkuara: (Traktatin e Londres te 30 majit 1913 (art.2 dhe 3),Vendimin e Konferences se Londres te 29 korrikut 1913,Statutin Organik te Shqiperise te prillit 1914 (art.1,2 te kap.1 si dhe art.7,8 te kap.II).Dokumentacioni u plotesua nga nje memorandum qe iu paraqit Sekretariatit te Lidhjes se Kombeve,me 22 nentor 1920 nga vete Fan Noli.
Memorandumi perbente nje platforme te plote juridike te zgjidhjes se drejte te ceshtjes shqiptare pas Luftes se Pare Boterore.Duke iu referuar njohjes se shtetit shqiptar dhe te qeverise se tij para lufte,statusit te Shqiperise gjate Luftes dhe njohjes se qeverise pas luftes, Noli trajtonte qarte ne memorandum disa tregues themelore qe flisnin per gjendjen reale te Shqiperise deri ne ate kohe Ai argumentonte se ,”Shqiperia nuk ishte nje shtet i ri,i krijuar pas Lufte,sepse ai ekzistonte si shtet i pavarur qe me 1913. Zhvillimet e Luftes se Pare Boterore nuk e ndryshuan aspak statusin e saj nderkombetar.”
Memorandumi trajtonte si nje ceshtje te rendesishme ate te njohjes se qeverise shqiptare pas luftes.Shteti shqiptar ishte po ai qe u njoh me 1913.Keshtu qe, nuk ishte nevoja per ta njohur “ex novo” Me fjale te tjera, ai pohonte se qeveria shqiptare ne kete kohe i ka te gjitha cilesite per t’u konsideruar si qeveri de jure dhe de facto e shtetit shqiptar Ajo kishte dale nga nje Asamble Kombetare, si shprehje e vullnetit te popullit dhe kishte marredhenie miqesore diplomatike me vende te tjera.
Perballe pikpamjes shqiptare, te shprehur ne memorandum,u formesua nje pikpamje e kundert,ne forme te nje memorandumi te posacem,qe sekretari Drummond ia drejtoi Asamblese se Lidhjes.Ne kete memorandum mbizoteronin pikpamje qe e veshtiresonin hapjen e dyereve te Lidhjes per Shqiperine.
Shqyrtimi i kerkeses shqiptare u be ne dy faza.Ne fazen e pare u bene debatet ne Komisionin e V dhe ne fazen e dyte,u be diskutimi ne seancen plenare te Asamblese se Lidhjes se Kombeve.Komisioni qe hartoi raportin per Asamblene propozonte qe ceshtja te shtyhej derisa Statusi nderkombetar i Shqiperise te sqarohej definitivisht.Protagonist i kesaj pikpamjeje ishte francezi Vivian,Ndersa,kundershtimin e saj e kryesonte Lordi Robert Cecil,delegat i Afrikes se Jugut.Ai u shpreh me argumente ne favor te pranimit te Shqiperise.Ai paraqiti si argument ndjenjen e forte kombetare te Shqiperise,si prove te vazhdimit e te ekzistences kombetare.”Shqiperia-tha ai,perben nje komb per arsye te sentimentit unanim te banoreve te saj”.
Noli, me dije e kulture te gjere dhe njohes i thelle i gjuheve te huaja,luajti rol te rendesishem per lobimin me personalitetet qe kishin peshe ne vendimmarrje.Miqesia e tij me personalitete te shquara ne Asamble dhe komisione,sic ishin Obri Herbert e Robert Cecil,siguruan perkrahjen ne debatin e zhvilluar ne Asamble per pranimin e Shqiperise ne Lidhjen e Kombeve.Noli solli ne shume bashkbisedime me keta personalitete shembuj e fakte konkrete qe ilustronin te kunderten e atyre shpifjeve dhe insinuatave te armiqeve te Shqiperise,sidomos te fqinjve. Si rezultat i mbeshtetjes qe pati ceshtja shqiptare,u votua propozimi i R.Cecil,se Shqiperia duhet te pranohet ne Lidhjen e Kombeve,perderisa i ka te gjithe karakteristikat e nevojshme per te qene shtet.Dhe ajo ka dhene prova se eshte nje shtet qe do te ekzistoje.
Me 17 dhjetor 1920 Shqiperia u pranua ne Lidhjen e Kombeve,duke marre 35 vota pro,7 abstenime dhe asnje vote kunder.Shqiperia u be i 43-ti anetar me i ri i kesaj organizate nderkombetare.Me pranimin e Shqiperise ne Lidhjen e Kombeve,bashkesia nderkombetare njohu dhe perforcoi sovranitetin e shtetit,duke i garantuar ne nje fare menyre kufijte qe i kishte caktuar Konferenca e Ambasadoreve e Londres e vitit 1913.Fjala e rastit qe mbajti Noli pas pranimit,ngjalli emocione te medha tek te pranishmit.Vete Noli e ka vleresuar aktin e pranimit te Shqiperise ne Lidhjen e Kombeve si suksesin me te madh te arritur prej tij ne karrieren e tij diplomatike.
Me 9 nentor te vitit 1921 ,Konferenca e Ambasadoreve te Anglise,Frances,Italise dhe Japonise,rikonfirmoi pavaresine dhe sovranitetin e Shqiperise ne kufijte e vitit 1913.

Filed Under: Histori Tagged With: Lidhjen e Kombeve, noli, Pranishi i Shqiperise, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu

“Vatra”, Noli, Konica dhe Wilsoni

March 14, 2015 by dgreca

NGA ANTON CEFA/*
Lufta e Parë Botërore përbënte një rrezik evident për pavarësinë e Shqipërisë. Me hyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Luftë, udhëheqësit e “Vatrës” erdhën në përfundimin se fitorja kaloi nga Forcat e Boshtit, tek të cilat kishin shpresuar deri atëherë në zgjidhjen e çështjes shqiptare, në anën e Forcave Aleate (Antantës). Në mënyrë të veçantë, atyre ua ngrohi zemrat qenia në krye të këtij shteti të madh e presidentit Woodrow Wilson që “predikonte me gjithë zellin e një profeti biblik nevojën për një kod moral në politikën ndërkombëtare”
Më 8 janar 1918, Wilsoni propozoi “14 Pikat” e tij të njohura si bazë të bisedimeve për paqen. Si njëri nga katër udhëheqësit e Konferencës së Paqes, ai luftoi burrërisht për të kontrolluar lakminë e vendeve fituese dhe u përpoq për të vendosur drejtësi për të gjitha kombet.
“14 Pikat”, ndër të tjera, kërkonin që politika e jashtme e një shoqërie demokratike të mbështetej në baza të shëndosha morale, zgjidhja e konflikteve të bëhej nëpërmjet marrëveshjeve të hapura, drejtësisë dhe vetëvendosjes së popujve. Në përpjekje për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë, të mohuar nga Anglia, Franca, Italia, udhëheqësit e “Vatrës” i joshi kërkesa e Presidentit për ndalimin e traktateve të fshehta.
Deklaratat e Wilsonit për të drejtën e vetëvendosjes së kombeve u ngjalli shpresat popujve të shtypur për drejtësi në vendimet e bisedimeve për paqen. Vatra u bë një avokat militant i kauzës së aleatëve. Anëtarët e saj nënshkruan huat për luftën dhe I Përndritshmi Fan Noli vizitoi kampet ushtarake në Massachusetts, duke u mbajtur fjalime të zjarrta ushtarëve shqiptaro-amerikanë, për t’i bindur që vetëm Amerika mund ta shpëtojë dhe do ta shpëtojë Shqipërinë. Ja si shkruan Qerim Panariti: “Me hyrjen e Amerikës në luftë në Prill 1917, shpresat për çlirimin e Shqipërisë nga okupatorët u shtuan, po me zgjerimin e shpresave për shpëtimin e Shqipërisë, u zgjerua dhe aktiviteti i Nolit. Nolit tani s’i zinin këmbët dhe. Detyrat kishëtare s’mund t’i neglexhonte, Vatrën s’mund ta neverite. Personi i Nolit, oratori më i shënuar i racës Shqiptare n’Amerikë, u detyrua të bredhë nëpër kampet e rekrutimit ku ndodheshin djem Shqiptarë duke i këshilluar se hyrja e Amerikës në luftë do të shpëtonjë Shqipërinë dhe botën nga tirania militariste e autokrative monarqike të Evropës Qëndrale.”
Noli dhe vatranët e konsideronin Wilsonin si të vetmin përkrahës në radhët e aleatëve fitues të luftës dhe kishin bindje të plotë që ai do ta mbronte Shqipërinë në Versajë. Edhe pse Wilsoni në “14 Pikat” nuk e kishte përmendur Shqipërinë, ata, vlerësonin frymën e propozimeve të Presidentit Amerikan. Wilsoni thonte: “Një parim evident përshkon gjithë programin që unë kam paraqitur. Është parimi i drejtësisë për gjithë popujt dhe shtetet, dhe e drejta e tyre për të jetuar në marrëdhënie të barabarta të lirisë dhe sigurisë me njëri-tjetrin, qofshin të fortë a të dobët”.
Më 4 korrik 1918, në pelegrinazhin e organizuar nga presidenti Wilson në Mount Vernon, vendi historkik ku është varrosur presidenti i Parë i Amerikës, George Washington, “Vatra” dërgoi Nolin, kryetarin e saj, për të përfaqësuar Shqipërinë. Në këtë mision, Nolit iu dha rasti të shtrojë shkurtazi problemin e Shqipërisë. Pas takimit që pati me Wilsonin, ai i dërgoi Komisionit Qëndror të “Vatrës” nga Washingtoni këtë mesazh: “Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me Presidentin Wilson, i cili më dha shpresa të mëdha . . .”
Vlërësimi i lartë i Nolit për Wilsonin shkëlqen në mënyrë të veçantë në Panegjerikun që ai mbajti në Kuvendin Themeltar të Shqipërisë, më 11 shkurt 1924, me rastin e vdekjes së presidentit Wilson. “Amerika dhe tërë bota vajtuan këto ditë vdekjen e Wodrov Wilsonit, të njëzetetetit President të Shteteve të Bashkuar. Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi edhe Shqipëria e cila qanë në fytyrën e amerikanit të madh, idealistin bujar dhe mbrojtësin e tij më të fortë.”
Spikat, në Fjalimin e Nolit, idealizmi i Wilson-it dhe i vetë Amerikës.”Veç titullit ‘Amerikan’, Wilsoni ka për mirënjohjen tonë edhe një titull tjetër, atë të idealistit dhe të profetit të vëllazërimit ndërkombëtar dhe të paqes së përbotshme. Presidenti Wilson ishte idealist se ishte amerikan. Ata që kujtojnë se Ameriaka është vendi ku njerëzia kujdesen vetëm për të bërë dollarë, nuk e njohin Amerikën aspak. Fakti që një idealist si Wilsoni u zgjodh dy herë President, arrin për të provuar thezën tonë.”
Duke cituar nga Fjalimi i Nolit, është vështirë të nxjerrësh citate të shkëputura për të dhënë vlerësimin e tij për Presidentin, sepse të trazon tundimi për ta përfshirë tërë fjalimin. Një tundim disi i veçantë të shtyn të mendosh dhe të bësh paralelizma mes idealistit tonë të madh, Nolit, dhe idealistit të madh, amerikan Wilsonit (A nuk qe edhe Noli një “apostull i një ideali kristian e njerëzor” e po aq edhe kombëtar?) Ngjan se kur flet për Wilsonin, Noli mediton për veten e vet, që, si Presidenti Amerikan, “Fuqinë e qeverisë e kërkoi dhe e fitoi si një qëllim, jo si një mjet për apostullatën e tij.”
“Në janar 1920, tha Noli në fjalimin e tij, një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë në të gjitha anët e vendit tonë, i cili qe si i vdekur në agoni. Projektet e copëtimit të Shqipërisë, redaktuar prej Aliatëve, ishin njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej fakt definiti. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Wilson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Wilson, jo vetëm që nuk vuri firmën, po u përgjigj dhe me dy nota, në të cilat mpronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeverim, dy nota që janë dy nga xhevahirët më të ndritshëm të karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dhanë rasje të marrim frymë e të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot. Që Prefekturat jugore nuk u invaduan para se të caktoheshin kufiret, kanë një shkak dhe shkaku është Presidenti Wilson.”
Duke na dhënë me ngjyra të gjalla vdekjen e Presidentit Amerikan, Noli e vazhdon fjalimin me vlerësimet e panumërta për Wlsonin, duke e quajtur atë: “profeti bujar i paqes njerëzore, ati spiritual i Lidhjes së Kombeve, titani dhe kalorësi idealist”. Dhe më poshtë: “Fara e idealit që mbolli do të rrojë e gjallë sa kohë ka zemra njerëzore në botë”; dhe më pas, duke iu drejtuar Kuvendit Themeltar në emër të tij dhe të shokëve të tij idealistë demokratë, Noli e tradhton veten kur thotë: “Lufta jonë s’ka qenë e kotë (është fjala këtu për luftën për demokraci gjatë viteve 1920-1923, shënimi im, A. Ç). Se atje ku ka varre si yti, atje ka jetë e ngjallje”.
Sikurse idealistët e mëdhenj, ëndërrimtarë dhe fisnikë, në vizionet e të cilëve ravijëzohet profecia e një të ardhmeje më të ndritur, Noli e përfundon panegjerikun e tij për Wilsonin dhe Amerikën: “Amerika, ajo nënë bujare që i ka dhënë botës Wilsonin, ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ay, kalorës të cilët të kenë sqytin e tyre kryefjalën e Virgjilit: ‘Regere parvos, debellare superbas’ (Të mbrosh të vegjëlit, të mposhtësh kryelartët), të cilët mprojnë të vegjëlit dhe përunjin kryelartët, kalorës të cilët të vazhdojnë dhe të mbarojnë veprën e paqes, e vëllazërimit, e mirëdashjes ndërkombëtare.”
Dhe vërtet, Amerika, në ditët më të vështira për kombin tonë, kur barabaria serbe e etur për gjak u përpoq të zhdukë nga faqja e dheut një pjësë të gjakut tonë, e lindi kalorësin e madh Bill Klinton që “të mbarojë veprën e paqes, të vëllazërimit e të mirëdashjes ndërkombëtare”. Dhe, po ashtu, ajo lindi George W. Bushin, i cili në vizitën më 10 qershor 2007, në Tiranë, deklaroi qëndrimin amerikan: “Kosova do të bëhët e pavarur.” Dhe, në emër të Amerikës, e njohu Pvarësinë e saj të shpallur më 17 shkurt të këtij viti.

* * *

Dy fjalë për vokacionin fetar dhe atë atdhetar të Nolit

Eshtë folur shumë për kontradiktat e Nolit, aq sa është thënë që ekzistojnë shumë Nolër, në kundërshtim me njëri-tjetrin. Janë quajtur ato kundërthenie, inkoerenca, kontradikta dhe paradokse. Eshtë më se e vërtetë që Noli të jep mundësi e argumente që ta trajtosh atë kontradiktor në disa hulli. Në vorbullën e kontradiktave noliane, ato më ngacmueset janë dy: a ka qenë Peshkopi ynë i shquar besimtar i bindur apo skeptik ndaj besimit, a u bë prift se ishte ideali i tij apo thjesht se kështu kishte mundësi t’i shërbente më mirë atdheut? Dhe, në zgjidhjen e problemeve të mëdha shoqërore e politike, a ka qenë për përdorimin e dhunës a kundra saj, a ka qenë revolucionar a kundërrevolucionar”.
Me pak fjalë kështu është trajtuar vendimi i Nolit për t’u bërë prift dhe misioni i tij fetar nga mendimi i shkencës shqiptare nën trysninë e diktaturës: Noli u bë prift pa pasë një thirrje të brendshme, sepse përkundrazi ai ishte “skeptik” në qëndrimin ndaj fesë; por u vetëflijua tragjikisht për “nevojat e politikës kombëtare”. Bile – bile, edhe sot e kësaj dite ka studiues që i qëndrojnë besnnikë këtij trajtimi tejet të gabuar.
Nga të gjitha vokacionet e Nolit, dy janë më të fuqishmet dhe më ndikueset në veprimtaritë e tij: ai fetar dhe ai atdhetar, vokacioni qiellor dhe një nga “tokësorët”. Është një gjykim tepër i sipërfaqshëm mohimi i thirrjes së mbrendshme, vokacionit fetar, që e drejtoi Nolin në rrugën e priftërisë.
Shfaqja dhe jetëgjatësia e vokacioneve kanë kronologjinë e tyre në jetën e njeriut, gjë që del më në pah tek njerëzit e mëdhenj. Pa u zgjatur në këtë çështje duhet të pranojmë se është vokacioni fetar, ndoshta për vetë natyrën e tij ekskluzivisht shpirtërore, që u shfaq tek Noli shumë heret, që në moshë të njomë, dhe që e shoqëroi atë tërë jetën. (Eshtë për t’u shënuar se në hullinë e religjionit, vokacioni është një thirrje e brendshme që Hyu i bën një shpirti për t’ju kushtuar i tëri Atij; ndërsa në vokacionet e tjera, “tokësoret”, motivacioni është krejtësisht në hullitë njerëzore dhe shfaqet tek aftësitë dhe talenti i njeriut.).
Vetë Noli na tregon në “Autobiografinë” e tij se ai ishte i vetmi prej pjesëtarëve të familjes që e shoqëronte gjyshe Sumbën në agjërimet e saj; bile edhe ndër ato më të vështirat, siç ishte të qëndruarit, dy herë në vit, tri ditë rresht, pa ngrënë e pa pirë; megjithëse gjyshja, “përherë rropatej ta bindte që të mos agjëronte, sepse ishte shëndetlig”. Si mund të shpjegohet ndryshe ky veprim fëminor, përveçse me një impuls të brendshëm shpirtëror? Ky predispozicion shpirtëror i fuqishëm e shoqëroi Nolin tërë jetën. Dhe më vonë në një moshë të pjekur, duke iu nënshtruar këtij vokacioni hyjnor dhe duke synuar në sendërtimin e idealeve të tij të larta qiellore e tokësore, fetare e atdhetare, Noli nuk flijoi kurrëfarë lirie të vetëvetes; nuk bëri ndonjë vetëflijim, përkundrazi ai krijoi mundësinë që të pajtonte dy vokacionet e tij më të fuqishme, duke u vënë plotësisht në shërbim të tyre dhe për hir të këtyre vokacioneve ai solidarësoi bashkësinë shqiptare ortodokse të Amerikës, duke e shkëputur atë nga ndikimi, intrigat dhe politika antishqiptare e Patrikanës dhe themeloi Kishën Shqiptare, u mor me politikë, duke u bërë një luftëtar i flaktë për ndërtimin e një shoqërie shqiptare sa më të çliruar shpirtërisht dhe lavëroi në tërë ato fusha të kulturës, artit, shkencës, aftësitë e tij të rralla.
Eshtë tepër e çuditshme, flagrante të pranojmë se personaliteti i Nolit në tërë madhështinë e gjenialitetit të tij t’ia kishte nevojën maskave dhe maskaradave.
Jeta dhe veprimtaria e Nolit nuk lënë në dyshim vokacionin dhe bindjen fetare të tijen. Noli e hapi dhe e mbylli jetën si besimtar i zellshëm. Në frymëzimin e tij shpirtëror, në prirjen dhe misionin jetësor dhe, jo e parëndësishme, në trashëgiminë instinktive dhe edukatën që mori që heret në familje, ai na dëshmohet katërcipërisht fetar. Fetar në ideal, fetar në bindje, fetar në veprim. Fetar në fëmijëri, fetar në rini, fetar në moshë të pjekur dhe në pleqëri; fetar në jetë, fetar në vdekje.
Më shumë se çdo gjë dëshmon vepritaria e tij jetësore. Nën ndikimin e edukatës familjare, që në fëmijëri, ai mendonte të bëhej “kalorës i Skendërbeut” dhe “misionar i Krishtit”, dhe përpara marrjes së çdo vendimi ai pyeste veten: “Si do të kishte vepruar Krishti, në një rast të tillë?” Dhe përgjigjej: “Krishti do t’i besonte Zotit dhe do të shkonte përpara”.
Gjatë gjithë jetës, ai jo vetëm ushtroi detyrën si prift, por kohën më të madhe ia kushtoi propagandës fetare. Që më 22 mars 1908, në moshën 26-vjeçare, vetëm 14 ditë mbasi u dorëzua prift, celebroi Liturgjinë e Parë Hyjnore në gjuhën shqipe dhe po këtë vit botoi “Shërbesat e Javës së Madhe”, duke filluar me botimet e materialeve fetare, që vazhduan gjatë gjithë jetës. Me që lista e tyre është shumë e gjatë, po shënojmë këtu vetëm vitet e botimeve fetare: 1908, 1909, 1913, 1914, 1916, 1936, 1941, 1948, 1949, 1950, 1952, 1954, 1955, 1956, 1957, 1961, 1962 dhe vetëm një vit para se të vdiste botoi Psalmet e përkthyera nga hebraishtja. Sqarojmë që në disa prej viteve të përmendura më lart, ai realizoi dy e më tepër botime. A mund të bëhëj e gjithë kjo punë e vëllimshme dhe e shtrirë në krejt hapësirën jetësore pa një predispozicion të fuqishëm shpirtëror dhe vetëm e diktuar nga nevojat e politikës kombëtare?
Noli ka shkruar: “Nga të gjitha veprimtaritë e mia, dashuria ime e parë është kisha”; ndërsa përkthimin dhe kompilimin e Kremtores (Menoion) – një libër shërbese që përmban psalmet, odet dhe troparia të vitit liturgjik ortodoks – e ka quajtur “sodisfaksionin e tij më të madh” dhe “veprën, në të cilën janë përqëndruar përpjekjet e tij më të mëdha shpirtërore, letrare, muzikore dhe intelektuale” .
Në tryezën e punës, ditën që vdiq, iu gjetën: një vëllim i vogël poezish franceze, disa fletë me përkthime nga ky vëllim, (dëshmi e gjallë e hapësirës kohore dhe fuqisë së vokacionit për artin poetik), si dhe një dorëshkrim, në të cilin qe shkruar kjo lutje drejtuar Zotit: “Kur ju të vini në tokë, Mbret i Qiejve, me pushtet dhe shkëlqim, e gjithë bota do të dridhet nga frika, lumenjtë e zjarrit do të rrjedhin para fronit të gjyqit tënd të tmerrshëm, librat do të hapen dy kapakësh, do të zbulohem mëkatet më të fshehta. Më kurse mua prej zjarrit të pashuar e të amshuar dhe më vendos në krahun e djathtë në Parajsë, Gjykatës i drejtë dhe mëshirëplotë!”. Sa larg skepticizmit fetar dhe sa kuptimplote për vokacionin fetar të Nolit është kjo lutje !
I qenësishëm për t’u theksuar, lidhur me çështjen që po trajtojmë, është fakti që vokacioni fetar dhe ai atdhetar tek Noli ishin shumë të fuqishëm dhe kjo përmasë dyfishohej, kur ato viheshin në shërbim të njëri-tjetrit. Dhe ai i vuri mjeshtërisht jo vetëm në pajtim, por edhe në funksion të njëri-tjetrit. Dukuri e padiskutueshme e veprimtarisë së tij.
***
Njohës i thellë dhe vlerësues i paanshëm i kulturave e qytetërimmeve botërore, të lashta e bashkëkohore, perëndimore e lindore, të cilat ai ia shtroi popullit tonë aq mjeshtërisht në sofrën e dijes; i ushqyer nga një dhimbje e thekshme atdhetari idealist, ithtar i flaktë i “mejtimit të lirë”, i pashembullt në energjinë e tij; ai u bë një gjenerator i fuqishëm i lëvizjes mendore të kohës së tij, që vazhdon e do të vazhdojë të ndikojë gjithnjë mbi inteligjencien shqiptare, një kultivator i mendimit demokratik, duke e futur popullin tonë në rrugën e gjerë e të vështirë të çlirimit shpirtëror e shoqëror, rrugë në të cilën, ai qe njëri nga prijësit më të shkëlqyeshëm.
Noli qe një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të kulturës sonë në kulturën evropiane e botërore. Në fushën e kulturës, ai qe i madh si shqiptar dhe po aq i madh si evropian. Noli qe një Mojsi që u përpoq me të gjitha forcat për ta çuar popullin tonë në tokën e premtuar të demokracisë, por nuk ia arriti. Ai ia arriti ta drejtojë atë në tokën e dëshiruar të kulturës e të qytetërimit.
* Kumtesë e mbajtur në Seminarin përkujtimor kushtuar Fan S. Nolit me rastin e 50 Vjetorit të ndarjes nga jeta, Organizuar nga Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA (Variant i shkurtuar dhe pa referenca)

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, Konica dhe Wilsoni, noli, Vatra

SAINT GEORGE CATHEDRAL- ALBANIAN ORTHODOX ARCHDIOCESE IN AMERICA

March 14, 2015 by dgreca

SAINT GEORGE CATHEDRAL/
ALBANIAN ORTHODOX ARCHDIOCESE IN AMERICA/
Boston, Massachsuetts/
Dr. Gjon Bucaj/
Pan Albanian Federation of America-VATRA/
Dear Dr. Bucaj,
On this 50th Year of Remembrance of the Repose of Fan Stylian Noli in 1965, please accept our profound greetings to you and to all your colleagues of the Pan-Albanian Federation of America – VATRA. It is fitting that on March 13th – the precise anniversary day of his passing into eternity – VATRA gathers to reflect and hear of the remarkable contributions that Fan Noli had made to enhance the knowledge of and image of our shared inheritance.
Fan Noli served as one of the esteemed founders of VATRA. Thus, we stand in reverence, gratitude and admiration of the awesome legacy that he made in such diverse fields as religion, literature, history, journalism, scripture, music, poetry and statecraft. In many ways, he became a “Man for All Seasons.” As such, by his extraordinary life and prodigious works he continues to serve as an embodiment of all that our people value and hold sacred. Indeed, his inheritance has become an Icon of the Albanian National Identity and an inspiring role model for generations to come: IKON i KOMBIT.
Further, to gather during the month of March enables us to recall and honor him with humility. It was in the month of March that he was ordained as the first Albanian Orthodox priest to begin his ambitious life-long mission. In March, he established his first church in Boston that reached into the homeland. And it was in March fifty years ago that he entered into eternity.
Accept our heartfelt congratulations that VATRA and all honorable compatriots convene to revivify the immortal inheritance offered to us and to humankind by Fan Stylian Noli. May his memory ever be eternal.
I perjetshem qofte kujtimi i tij!
With prayerful respect,
Very Rev. Arthur E. Liolin

Filed Under: ESSE Tagged With: at arthur Liolin, SAINT GEORGE CATHEDRA

RADIO VATIKANI- Peshkopi ortodoks Imzot Fan Noli në përvjetorin e vdekjes

March 14, 2015 by dgreca

Më 13 mars, kujtojmë peshkopin e madh ortodoks shqiptar, Imzot Fan Nolin, në përvjetorin e vdekjes. Pra, si sot, më 13 mars 1965, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbylli sytë peshkopi Theofan Stilian Noli.
Imzot Fan Nolit, si një nga themeluesit e Kishës ortodokse autoqefale shqiptare, teolog, shkrimtar, atdhetar dhe figurë e ndritur e kombit.
Me rolin e tij diplomatik, Fan Noli siguroi edhe anëtarësimin e Shqipërisë në Ligën e Kombeve, paraardhëse e Organizatës së Kombeve të Bashkuara , duke i siguruar vendit të tij njohjen ndërkombëtare brenda kufijve të sotëm, njohje që i mungonte deri atëherë shtetit të ri shqiptar. Edhe Aneksimi i Epirit të Veriut nga Shqipëria ishte rezultat i punës politike e diplomatike tij të jashtëzakonshme.
Imzot Fan Noli lindi në Qytezë, fshat i banuar nga shqiptarë në rrethin e Edrenesë, më 6 janar të vitit 1882. E gjatë dhe shumë e pasur në ngjarje jeta e tij, që e çoi nga në vise të ndryshme të botës, e edhe në Shqipëri. U nis nga Qyteza në Greqi, nga Greqia në Egjipt e, që këtu, në Sh.B.A. ku luajti rol udhëheqës në përpjekjen për bashkimin e shoqërive shqiptare dhe për botimin e gazetës Kombi.
Në këto vite Fan Noli krijoi vargjet e para, duke nisur edhe shqipërimet, shkroi drama, botoi artikuj në gazetën “Drita”, përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”… Megjithëse jetoi larg Shqipërisë, dha shumë për të.
Në moshën 27 vjeçare, kur shqiptarët ortodoksë të Amerikës kërkonin të shpëtonin nga kontrolli i ortodoksisë greke mbi kishën, Noli u dorëzua prift. Si prift ortodoks kremtoi për herë të parë më 22 mars 1908 në sallën e marrë me qera, Knights of Pyrhias Hall, në 159 Tremont Street në Boston Liturgjinë Hyjnore në gjuhën shqipe. Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Në vitin 1913 vizitoi për herë të parë Shqipërinë dhe kremtoi të parën shërbesë hyjnore kishtare ortodokse në gjuhën shqipe, në prani të princit Vilhelm Vid.
Qe kryeministër, shumë i diskutuar, i qeverisë që doli nga revolucioni i Qershorit (17 qershor 1924). Pas kthimit të Zogut, u largua përgjithnjë nga Shqipëria.
Veprimtaria e tij mund të ndahet kryesisht në tri degë: në atë kishtare, politike e diplomatike dhe letraro-artistike. Në përvjetorin e vdekjes përkujtohet si një nga personalitetet më të shquara të kombit shqiptar, si figurë e shumanshme e letërsisë, teologjisë, kulturës, jetës fetare e kishtare, veprimtarisë politike e atdhetare shqiptare. Si njeri i alternativave, kontradiktave, tensioneve të brendshme, si poet, teolog, dramaturg, muzikant e muzikolog, historian, politikan, publicist, një nga përkthyesit më të mëdhenj në gjuhën shqipet, njohës i thellë i disa gjuhëve e i gjuhës amtare. Pastaj peshkop ortodoks që organizoi në Amerikë Kishën ortodokse autoqefale shqiptare dhe që shqipëroi me shumë sukses një pjesë të mirë të Shkrimit Shenjt. Me të drejtë përkthimet e Imzot Fan Nolit përdoren edhe sot e kësaj dita për nevojat e liturgjisë në Kishën ortodokse.
Përsa i përket krijimtarisë letrare peshkopi Fan Noli shquhet për krijime origjinale po aq sa edhe për përkthime letrare e liturgjike. Përmendim këtu vjershat monumentale “Anës Lumenjëve,” “Marshi i Barabajt” apo “Historinë e Skënderbeut”. Ndër përkthimet e tija zënë një vend të rëndësishëm veprat e Shekspirit si edhe romani i shkrimtarit spanjoll Servantes “Don Kishoti i Mançës”. Vdiq në Florida më 13 mars të vitit 1965 në moshën 83 vjeçare.

Filed Under: Histori Tagged With: Fan S Noli, Radio Vatikani

FAN NOLI DHE LUIGJ GURAKUQI

March 14, 2015 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI*
Z. Kryetar, së pari dëshiroj tu falenderoj ju dhe Komisionin përgatitës për ftesën që më bëtë për të marrë pjesë në këtë takim përkujtimor me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Fan Nolit.
Unë, në atë temen — duke mos qenë studjues i Nolit, as akademik dhe as historian, por pikërisht nga pikpamja e një publicisti të thjeshtë — u përpoqa ta shënoja këtë përvjetor me një shkrim modest para nja 10 ditësh, për arsye të respektit që kam për të, por edhe me shpresën se do të ketë kujtime të tjera me rastin e këtij përvjetori, prandaj u përgëzoj që kini organizuar këtë takim përkujtimor.
Unë nuk kam arritur ta njihja personalisht Fan Nolin, ndonëse emigrova në këtë vend 5 vjetë pasi ndërroi jetë ai, por gjatë viteve kam pas fatin ta njihja atë nepërmjet disa njerëzve të cilët e kishin njohur mirë Nolin.
Një prej tyre, ishte Louis Prifti, një ish-koleg imi në Zërin e Amerikës, i cili gjatë karierës së tij tek VOA kishte mbuluar shumë prej aktiviteteve të Nolit dhe kishte marrë një numër intervistash prej tij. L. Prifti – ishte një thesar mbi jetën dhe veprimtarinë e Nolit. Përveç kësaj, Fan Nolin e simpatizojmë më shumë edhe për arsye se ai është i yni, si shumë prej nesh, bir i diasporës, i cili pjesën dërmuese të jetës e kaloi jashtë trojeve shqiptare. Ndante pra një fat si të gjithë ne, që pjesën më të madhe të jetës tonë jemi duke e kaluar në mërgim.
Veprimtaria e Fan Nolit ishte e shumëanshme dhe roli i tij i mrekullueshëm. Sepse Noli, siç ka thënë një bashkohas i tij Baba Rexhebi i Teqesë Bektashiane në Detroit, “Ishte një prijës i denjë në fushën shpirtërore, kulturore dhe kombëtare.”

Ndërsa folësit e tjerë prekën fushë të ndryshme nga veprimtaria e Nolit, si dhe prirjet e tija të rralla krijuese poliedrike, unë deshta që ndër të tjera, të përmend, shkurtimisht, lidhjet e tija të veçanta me Luigj Gurakuqin dhe rolin e tyre të përbashkët në mbrojtje të interesave të kombit – ashtuqë të kujtojmë edhe Gurakuqin, pasi 2 marsi i këtij viti shënoi 90-vjetorin e vrasjes së mikut dhe bashkpuntorit të ngushtë të Fan Nolit.
Është me vend që t’i kujtojmë këta shqiptarë të mëdhej që s’janë më – ndonëse nganjëherë të harruar — ata janë të pranishëm me veprat dhe me trashëgiminë e tyre, me idealet e tyre të shënjta, me shembëllat e tyre dhe me përpjekjet dhe rolin e tyre prej titanësh, që ata luajtën për t’a bërë Shqipërinë dhe shqiptarët ashtu siç janë sot, megjithse besoj se do të dëshironin Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët kudo — më mirë se ç’janë sot.
Këta dy përvjetorë shëndrisin me germa të mëdha ari historinë e shqiptarëve, sepse Noli dhe Gurakuqi — veçmas dhe së bashku — luajtën role të mëdha në fatin e kombit shqiptar. Në të vërtetë, ishin aq bashkpuntorë të ngushtë sa që Noli, në elegjinë kushtuar Gurakuqit pas vrasjes së tij, e quan Gurakuqin, “vëlla”, “Gojë mjaltë dhe zemër hekur”:
“Sa më mirë e kam njohur”, do të thoshte Noli për Gurakuqin“, aq më tepër kam qenë i shtërnguar ta respektoj.” Noli do ta bënte Gurakqin Ministër të Financave në qeverinë e tij dhe si këshilltar të ngushtë e merr Gurakuqin me vete pjesë e delegacionit shqiptar në mbledhjen e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, në shtator të vitit 1924. Fillimisht ata morën pjesë në punimet e komisioneve të ndryshme, ku folën të dy në emër të qeverisë shqiptare, por ishte fjalimi i Fan Nolit në sesjonin plenar të Lidhjes së Kombeve ai që do të tërhiqte vëmendjen më të madhe ndërkombëtare. “Peshkopi, Kryeministër Fan Noli i Shqipërisë i bëri delegatët e Lidhjes së Kombeve të mbeten gojëhapur, kur u mbajti një nga fjalët që bëri bujë dhe pa dyshim një nga fjalët më piktoreske”, do të shkruante në atë kohë gazeta amerikane Nju Jork Tajms.
Suksesi i Fan Nolit në mbrojtjen e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, e vërtetoi dhe e ngriti atë në një nivel diplomati të rangut botëror dhe e bëri Nolin si njërin prej udhëheqsve më të dalluar të jetës politikës dhe diplomatike shqiptare, ndoshta i të gjitha kohërave, ndërkohë që nga Shtetet e Bashkuara ai shërbeu si një zëdhënës dhe përfaqsues i denjë i të të drejtave të Shqiptarëve kudo.
Në këtë përvjetor të vdekjes së tij, kujtojmë pra një burrështeti dhe diplomatin shqiptar i cili me veprat e tija kombëtare atdhedashëse, në vazhdimësi dhe në përjetësi, nderon kombin shqiptar. Sipas një komenti të gazetës britanike, Manchester Guardian të vitit 1924, sot kujtojmë “një burrë me të cilin do krenohej çdo vend, një diplomat i përkryer, një ekspert i politikës ndërkombëtare, një debatues i aftë, i cili la një përshtypje mbresëlënse në Gjenevë. Ai, me një mjeshtëri të pazakontë, i mundi kundërshtarët e tij ballkanikë, gjithmonë duke u qeshur”, shkruante gazeta britanike.
“Një prelat shqiptar, i krishterë, kërkonte një Shqipni të lirë dhe hynte dorëzanë se ndjeksat e tri besimeve do të jetojshin në harmoni të plotë vullnetesh e qëllimesh. Pranija e Tij ishte një përgnjeshtrim i akuzave të anmiqvet”, do të shkruante Ernest Koliqi me rastin e vdekjes së Nolit, duke thënë se armiqtë e kombit shqiptar, “Nuk e pritshin aty në atë mbledhje (të Lidhjes së Kombeve) atë plotni argumentash historikë e gjeografikë të paraqitun me stil të naltë, që dëshmonte pregatitje të jashtzakonshme kulturore. Si mos me e pranue një shtet që nxirrte njerzë me gjithë ato veti të rralla?”, pyeste Ernest Koliqi në shkrimin e tij në revistën Shëjzat me rastin e vdekjes së Fan Nolit në mars të vitit 1965.

Pjesëmarrja aktive në punimet e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë në vitin 1924 nga përfaqsuesit shqiptarë Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi mund të konsiderohet si përpjekja e parë shqiptare, në një nivel të tillë ndërkombëtar, për t’ia bashkuar vendin e tyre të izoluar dhe të harruar Europës dhe vlerave universale të njeriut. Nolit e Gurakuqit, në të vërtetë, iu bashkuan pak më vonë edhe Bajram Curri dhe Hasan Prishtina, të cilët shkuan në Gjenevë për të protestuar para Lidhjes së Kombeve duke kërkuar drejtësi për popullin shqiptar të Kosovës, që shovinistët serbë donin ta zhduknin nga faqja e dheut. Për shumë vite Bajram Curri e Hasan Prishtina mbanin mbi shpatulat e tyre vuajtjet dhe dhimbjet e një populli i cili nuk kërkonte asgjë më tepër veçse të jetonte i lirë në trojet e veta autoktone. Nuk ua merrte mendja të shkretëve se pjesmarrja në atë sesion të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë më 1924, do të ishte e fundit për të gjithë këta rilindas të kombit si përfaqësues të Shqipërisë dhe shqiptarëve në atë nivel të diplomacisë ndërkombëtare.
Prandaj, me rastin e këtyre përvjetorve për Luigj Gurakuqin dhe Fan Nolin, nuk mund të harrojmë as 90-vjetorin e vdekjes së Bajram Currit, gjithashtu në mars të vitit 1925. Në një kohë kur Shqipëria sot është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për anëtare në Bashkimin Europian dhe kur Kosova është shtet i pavarur dhe kurë shqiptarët janë më të lirë se kurrë – duhet të kujtojmë se ishin pikërisht këta burra të cilët ndërtuan urat e para drejtë Europës dhe perëndimit. Porta e Europës ishte e mbyllur atëherë për shqiptarët, për arsye se të huajt nuk i donin shqiptarët. Por Fan Noli, Luigj Gurakqi, Bajram Curri dhe Hasan Prishtina — si individë dhe si grup — ishin të qartë dhe të vendosur mbi interesat aftagjata të kombit të vet, se bazuar në traditën, vlerat dhe në kulturën e kombit, Shqiptarët ishin dhe janë pjesë e Europës.
Në një shkrim të Ernest Koliqit në të cilin thotë se edhe ai vet ishte një “nëpunës i vogël por besnik në Qeverinë e kryesueme prej Fan Nolit më 1924”, thekson tiparet e këtyre burrave sipas Nolit, duke u shprehur se “Në Luigj Gurakuqin, Fan Noli njofti burrninë që rrjedh nga vetitë shqiptare, trashigue nga të Parët dhe të zhdrituna shkëlqimisht në rrezet e nji kulture së gjanë. Në Bajram Currin njofti e përlavdoi instinktet e shëndosha burrnore që me gjarpënim vetimash e shungllim bubullimash shfaqen papritmas në përpjekje për ideal, pa dalë nga vijat e urtisë dhe pa u shkoq nga trashigimi stërgjyshnuer i nderit e i drejtësisë.”
Sot, 25 vjetë pas shëmbjes së komunizmit, aspiratat e kombit shqiptar për hapjen e portës së Europës nuk po realizohen – megjithë fjalët e mira. Kjo kryesisht për arsye të një politike përçarse dhe korruptive, si dhe të mungesës së mirëfilltë të një dialogu politik, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, për një bashkrendim të një politike mbarë kombëtare, në mbështetje të interesave të përgjithshme strategjike, afat-shkurtëra dhe afta-gjata të kombit. Duke marrë parasyshë gjëndjen aktuale politike në trojet shqiptare, është vështirë të mos vihet në dyshim sinqeriteti dhe gatishmëria e kësaj klase politike shqiptare, për të ndjekur shëmbëllin e këtyre rilindasve. A duan këta politikanë të sotëm ta çojnë trenin shqiptar drejtë vlerave universale, drejtë Europës, në ato shina dhe mbi ato ura që ndërtuan me aq mund e sakrifica, Noli dhe Gurakuqi me bashkohasit e tyre.
Ndryshe nga sot, Luigj Gurakuqi dhe Fan Noli ndiqnin një politikë parimore konsekuente diplomatike në favor të interesave të kombit shqiptar. Shqiptarët në fillim të shekullit të kaluar e kishin punën shumë ngusht, me shumë armiq të cilët ishin të vendosur të copëtonin vendin — por pa shumë miqë — në krahasim me situatën e sotëme, kur kombi shqiptar radhitë si miq e përkrahës vendet më të zhvilluara perëndimore. Por, megjithë sfidat e kohës, fatbardhësisht Shqipëria mbijetoi, falë veprimtarisë, sakrificave, atdhedashurisë dhe patriotizmit pa interesa personale — të burrave si Noli, Gurakuqi e Bajram Curri — të cilët mbronin para botës interesat e vërteta të kombit. Këta i përkisnin një brezi viganësh të Rilindjes së vërtetë të kombit shqiptar, të cilët shkrinë jetën për idealet e kombit.
Ishte ky një brez pra patriotësh shqiptarë, i cili synonte me çdo kusht dhe pa kompromis sigurimin e të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta, por njëkohësisht ishin të gatëshëm të merrnin përsipër edhe angazhimin e tyre për përvetsimin dhe zbatimin e vlerave të përbashkëta, të standardeve dhe vlerave universale të kombeve të zhvilluara. Ata ishin të gatëshëm ta bënin këtë si një përgjegjësi dhe obligim, jo vetëm kombëtar, por edhe personal.
Shënimi i 50-vjetorit të vdekjes së Fan Nolit natyrisht bëhet për të kujtuar jetën dhe veprimtarinë e njerzve të mëdhej të kombit siç ishte ai, por duhet gjithashtu të shërbej për brezat e sotëm të politikanëve, në duart e të cilëve është sot fati i kombit — si një rast i mirë për të mësuar diçka nga jeta dhe veprimtaria e tyre, e rolit të tyre altruist, madje edhe nga gabimet e tyre, megjithse ata jetuan dhe vepruan nën rrethana shumë më të vështira se sot dhe në krahasim me arrijtjet e tyre të metat dhe gabimet ishin të vogëla.
Trashëgimia e tyre, në këtë rast trashëgimia dhe roli i Fan Nolit, është monumental në historinë e shqiptarëve. Aktiviteti i tij ishte gjithpërfshirës!
Por, siç shkruante Ernest Koliqi me rastin e vdekjes së Nolit, asgjë tjetër mos të kishte bërë Fan Noli për atdheun e vet, kur për hir të zotësisë së Emzot Nolit, Shqipëria u pranua si anëtare e Lidhjes së Kombeve, kur Shqipëria siguroi të drejtat e veta dhe doli faqebardhë – kjo vepër e tija në vetvete meriton mirënjohjen e përjetshme të të gjithë shqiptarëve.
Më shumë se asnjëherë më parë, kombi shqiptar ka nevojë sot për Fan Nola, Luigj Gurakuqa dhe Bajram Curra. Brezi i sotëm i shqiptarëve nuk mund të thotë se nuk ka shembuj për tu ndjekur! Nëqoftse ka vullnet, ja shembujt e burrënisë, të nderit, të atdhedashurisë, të pajtimit e të harmonisë, por edhe të kulturës perëndimore, të cilët gjithë jetën e tyre – megjith rrethanat e vështira nën të cilat jetuan — ata u munduan gjithmonë të sjellin ujin në mulli të atdheut të vet.
I madh mbetet Fan Noli 50-vjetë pas vdekjes! I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
* Kumtese e mbajtur ne Seminarin e Vatres per perkujtimin e Fan S. Noli ne 50 vjetorin e ndarjes nga Jeta

Filed Under: ESSE Tagged With: DHE LUIGJ GURAKUQI, fan noli, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4022
  • 4023
  • 4024
  • 4025
  • 4026
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT