• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FLET ISH LUFTETARJA E UÇK së, TETUTA (KAMBERI) LLALLA

February 17, 2015 by dgreca

Pjesë nga intervista dhënë redaktores së Radio Shkupit, Arlinda Kalisi/
Znj.Teuta pasi që në fillim të bëra një prezantim të shkurtër të tjerat do na i shpalosësh gjatë bisedës , pasi që sot shënohet 16 shkurti dita e UÇK së, pasi opinioni i gjerë të njohin si njëra ndër femrat e rralla që ka dhënë kontributin e saj kombëtar gjatë luftës së 2001 do na flasësh pak më detajisht rreth kësaj?
Po të bëjmë një retrospektive të historisë sonë kombëtare, përpjekjeve të shqiptarëve dhe këmbënguljes që gjithmonë të jemi të lirë dhe të pavarur, do të vërejmë se edhe femra shqiptare gjithmonë ka qenë përkrah trimave liridashës. Edhe unë isha njëra nga femrat e shumta të UÇK, për të cilin akt krenohem sepse përmbusha një obligim ndaj popullit për liri, drejtësi, përparim dhe emancipim të shoqërisë.
Si e sheh Teuta gjendjen e vendit tonë, gjendjen e shqiptareve të lirë pas 14 viteve janë arritur qëllimet e popullit shqiptar në këtë drejtim, cilët janë të arriturat dhe çfarë mendoni se ka ngel pa u realizuar?
Pas 14 vitesh unë aspak nuk shoh avancim të proceseve në radhë të parë gjuha dhe flamuri kombëtar nuk e ka zë vendin që i takon, nga popull shtetformues, jemi kthyer në popull me përqindje edhe atë me përqindje degraduese, të nxierr nga rregjistrimet e dështuara.
Dikur, në ish/Jugosllavi në dokumentet e identifikimit na shënohej kombësia shqiptare, kurse sot identifikohemi zyrtarisht me kombësi maqedonase.
Arsimi në përgjithësi është degraduar, në aspektin ekonomik veçanërisht familjet shqiptare janë rënuar totalisht. E gjitha vjen si rezultat i keqmenaxhimit të politikës, nga ana e përfaqësuesve tanë.
Teuta, lajmë më i freskët ishte dhe pozicionimi juaj në skenën politike si Kryetare e PPD që vërtet ishte lajm i mirë se skenës sonë i mungonte një gjë e tillë qe femrat të jenë lidere, mirëpo çfarë ndodhi Teuta, pse menjëherë për shkurtë kohë dha dorëheqje nga kjo pozitë?
Besoj se në deklaratën që lëshova për mediat, shkaqet e dorëheqjes i sqarova me saktësi. Unë si kryetare që u zgjodha në Kongres me vota demokratike, kërkova më tej që PPD ti hapë dyert për të gjithë intelektualët, doja që të mbizotërojë demokracia e brendshme, doja që për çdo sferë të krijohen komisione profesionale nga njerëz eminent. Por, aty brenda kishte një grupacion me ide të vjetra diktatoriale komuniste të cilët me çdo kusht kërkonin ti uzurponin postet kyçe të partisë, siç janë Kryetari i Kuvendit, sekretari gjeneral, postet e kryetarëve të degëve të ndaheshin në bazë të lidhjeve shoqërore e familjare. Kurse në Kongres unë ju pata premtuar, atyre që më votuan se asnjëherë nuk do të keqpërdorja besimin e tyre dhe nuk do ti tradhtoja për asnjë interes personal.
Pas shumë diskutimesh, kuptova se orientimet e mia, vizionet e mia demokratike ishin të papranueshme për personat që edhe sot e kësaj dite mbajnë vulat dhe çelësat e partisë, prandaj unë vendosa tju qëndroj besnike vizioneve të reja dhe betimit tim kombëtar.
Do vazhdon të merret me politik Teuta edhe me tej ?
Do ti rikthehem sërisht deklaratës së dorëheqjes, në fund të saj kam thënë Mirupafshim në Beteja të Ardhshme, që d.m.th., se idealet e mia vlejnë më shumë se karriera ime si Kryetare e një partie .
Teuta jeni profesoreshë e gjuhës shqipe në shkollën e mesme Kiril Pejqinoviq na thuaj si ja kaloni me nxenesit ?
Unë më mirë do ta quaja Gjimnazi i Tetovës se sa shkolla e mesme Kiril Pejqinoviq. Puna me nxënësit është pasioni im, sepse do të them se është profesion Trashëgimi Familjare.
Po si profesoreshë e gjuhe njëkohësisht merresh dhe me publicistik na thuaj çfarë më detajisht ka shkruar Teuta deri më tani , do na i përmendësh?
Teuta, merret me publicistikë, opinione, jam autore e librit Antologjia e Poezisë Arvanitase, jam redaktore e disa librave të autorëve të ndryshëm.
Çfarë të pëlqen të shkruash më së shumti?
Rrethanat më imponojnë që të mbetem zë i opozitës, mundohem të paraqes problemet që tangojnë qytetarët, por me theks të veçantë problemet në arsim.
Teuta, jeni dhe përfaqësuese e te drejtave te njeriut në Maqedoni, ku dhe keni qenë pjesëmarrëse në SHBA na thuaj me ftesë të kujt ishit atje dhe çfarë prezantuat ju atje si përfaqësuese e Maqedonisë?
Në Shtator të vitit 2012, me ftesë të disa shoqatave shqiptaro/amerikane, u ftova të marr pjesë për të prezantuar gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë. Ftesa mu bë si anëtare e Forumit Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut dega Maqedoni. Ku unë prezantova situatën e rëndë në të cilën gjenden shqiptarët si Problemin e shtetësisë, heqjen e termit dhe librin Abetare për nxënësit shqiptar, rastet e montuara dhe dënimet e rënda që japin gjykatat e politizuara ndaj shqiptarëve. Kotë janë vetëm disa nga pikat e raportit të dorëzuar.
Tani pos punës suaj në shkollë të mesme me çfarë aktivitetesh tjera po merresh z. Teuta?
Siç ju thashë më lartë, përmos punës merrem me publicistikë e politikë dhesi çdo grua jam në shërbim të familjes.

Teuta do të bëja një retropsektiv të karriereës tënde , para se të punosh si profesoreshë e gjuhës shqipe çfarë ka punuar Teuta?
Filla pas mbarimit të studimeve, dega Gjuhë/Letërsi shqipe në UT, në bazë të mesatares së lartë, stafi pedagogjik, më ndali të punojë asistwente e lëndës së Morfolëogjisë, të cilën e ligjëronte asaj kohe prof.dr. Fadil Sulemani, rektori.
Pas disa vitesh fillova të punojë si lektore në një gazetën Global në Shkup. Me mbylljen e saj, fillova punë në Gjimnazin e Tetovës, u vazhdoj dhe sot e kësak dite.
Sa mendoni se femra shqiptare ne Maqedoni ka arritur atë ngritjen e saj intelektuale?
Femra shqiptare gjithmonë ka pasur ngritje dhe nivel intelektual, dhe mbetet në këtë piedestal.
Mendoni se është involvuar në çdo sferë, në çdo institucion?
Në rrethanat ku jeton femra shqiptare në Maqedoni dhe bindjet e prapambetura që fatkeqësisht përfshin një numër të madh të familjeve tona, janë bërë pengesë për avancimin e femrës shqiptare nëpër të gjitha sferat e jetës dhe institucionet.
Sa mendoni se numri i femrave shqiptare në Maqedoni që kyçen në politikë është i kënaqshëm, mjaftueshëm?
Përfaqësimi i femrës shqiptare në politikë, unë e do ta kisha ndarë në dy grupe 1. Një pakicë janë tu admiruar, janë aktive, kurse pjesa tjetër për fat të keq në politikë janë vetëm numra për të plotësuar përgjindjen që e kërkon ligji.
Mundë të na flasësh pak për anën tuaj private je martuar me Arben Llallën nga Shqipëria ku ke dhe një djalë na thuaj nga lindi dashuria me Arbenin ju kujtohet takimi i parë dhe si vendoset te martoheni me të?
UT u bë shkaku i njohjes sonë, asaj kohe Arbeni kishte një marrëveshje me UT dhe vinte të mbajë disa ligjërata për çështjen e arvanitasve të Greqisë.
Ke kohë për Arbenin, djalin, të afërmit të tjerë miqtë?
Për të dashurit dhe miqtë e ki gjithmonë gjendet kohë, në rradhë të parë koha i përket përkushtimit familjar.
Sa je prezente në manifestime të ndryshme qoftë politike , qoftë kulturore, ke kohë për ti ndjekur gjithë këto?
Nuk besoj se ka aq aktivitete kulturore sa që të mos na dali koha për të qenë prezentë.
Çfarë literature preferon të lexosh, të ndodh ndonjëherë të rikthehesh për të rilexuar ndonjë gjë?
Lexoj, dhe mundohem të ndjek botimin e librave të rinjë, shtypin ditor. Shpeshherë më ndodh të rrikthehem për të rilexuar librat sepse e do profesioni im.
Cilët autor do i kishe veçuar?
Autorët e Rilindjes Kombëtare, sepse mbeten frymëzimi I vetëm I edukimit të brezave të rinjë në aspektin Kombëtar.
Cilat do jenë planet për të ardhmen në aspektin profesional por dhe privat?
E ardhmja nuk e dime se çfarë na ofron, por unë di vetëm se do të mbetem e paluhatur në bindjet e mia.
Cili do jetë mesazhi juaj për femrat shqiptare?
Në rradhë të pare femra duhet të jetë këmbëngulëse për të drejtat e saja, të ketë besim në vetvete sepse mundet, ka energji, ka potencial për të arritur atje ku dëshiron.
Por unë mesazhin do tua adresoja meshkujve sepse ata duhet ta pranojnë ndryshimin dhe barazinë gjinore.

Filed Under: Interviste Tagged With: flet, ISH LUFTETARJA E UÇK së, TETUTA (KAMBERI) LLALLA

KU SHKOJNË?

February 17, 2015 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/
1.TV në Europë dhe DW po shprehin hapur një shqetësim :Shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është duke parë një rritje dramatike të numrit të qytetarëve të saj duke e lënë viset e tyre për t’i shpëtuar papunësisë dhe varfërisë.
Sipas OKB-së, 35 për qind e njerëzve në Kosovë janë të papunë dhe gati 30 për qind e vendit jeton në varfëri. Është vlerësuar se më shumë se 30.000 njerëz janë larguar nga vendi në dy muajt e fundit, duke kaluartranzit në mënyrë të paligjshme nga një vend anëtar i BE Hungari nëpërmjet Serbisë.
Duke vijuar me komentet këto axhanse lajmesh shkruajnë se :Midis krizave të vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe pjesë të Afrikës, së bashku me gjendjen e vështirë kosovare, Gjermania mori një total prej 203.000 aplikacioneve për azil në 2014 – një rritje 60 për qind në vitin e kaluar. Ky ishte numri i tretë më i lartë i refugjatëve që kërkojnë azil në Gjermani në histori dhe kjo ishte numri më i lartë i aplikimeve çdo vend i BE-së të marra vitin e kaluar.
Nëse skanon shkaqet, që kanë nxitur këto rritje në mas të emigrimit të kosovarëve drejt vendeve të BE,faktori më kryesor qëndron te varfëria që ka parëfshirë krejt rajonin ballkanin dhe papunësia në rritje.Një politikane si Ballvora tha “Njerëzit duan disa perspektiva. Dhe ata e shohin në Evropë. Njerëzit janë të pakënaqur me kushtet në vendin e tyre. Kosova është ende strehë vorfënore e Evropës. Ka mungesë të vendeve të punës dhe reformave ekonomike,korrupsioni është i përhapur,”
. Varfëria dhe mungesa e perspektivës në shtëpi janë vetëm dy arsye pse ata janë lënë. “Pse duhet të qëndroj këtu?” pyet Fitim S., i cili ka tre fëmijë, të moshës 10, 8 dhe 3. Deri disa muaj më parë, ai marrë 80 euro në muaj në përfitime. Por edhe kjo ka qenë e prerë tani, pasi ai zotëron një shtëpi dhe të tjerët nuk e bëjnë. “Ne kemi qenë të thënë se ne mund të kërkoni azil në Gjermani”, thotë Fitim, duke shtuar se ai do të donte për të qëndruar në Kosovë nëse ai mund të gjejë punë të paguar “rreth 200 euro ($ 230) në muaj.” Por, gjërat janë ashtu si janë, të gjithë pesë prej tyre janë të mbushura dhe të gatshëm për të marrë në autobus në Gjermani. Për më shumë se dy muaj, deri në 10 autobusë kanë lënë veriun çdo mbrëmje
Kosovarët nuk besojnë në partitë politike, parlamentit apo qeverisë më,” tha sociologu Artan Muhaxhiri DË. “Pra, shansi i parë ata marrin, ata largohen.” Kosova është një nga vendet më të varfra në Evropë, me papunësinë në 45 për qind dhe më shumë se 34 për qind e njerëzve që jetojnë në varfëri, që do të thotë më pak se 1.42 euro në ditë. Rreth 18 për qind madje edhe të jetojnë në vetëm 94 cent në ditë. Por ka edhe disa kosovarë të klasës së mesme duke i dhënë dorë nga punët mjaft mirë-paguar të largohen nga vendi në mënyrë të paligjshme.
Rritja e eksodit tregoi edhe shifrat e këtij emigrimi vetëm në muajin janar, 3630 kosovarët kanë aplikuar për azil politik në Gjermani.Kjo paraqet një rritje 85 për qind gjatë dhjetor 2014. Në 2015, më shumë se 18.000 kosovarë kanë arritur në Gjermani, dhe shumë janë duke pritur për një moment të favorshëm për të paraqitur kërkesën e tyre për azil.Bavaria, Baden-Ëuerttemberg, North Rhine-Ëestphalia dhe Saksonia e Ulët, katër shtetet më të prekura, kanë vendosur tashmë për të shpejtuar procesin e verifikimit për aplikimet për azil, por ekspertët kanë filluar të dyshojnë se a do të jetë e mundur për të pranuar ose refuzuar një azil aplikimi brenda periudhës së synuar prej dy javësh.
2.
Një ndër faktorët që kanë shtyrë një pjeë të madhe të rinisë kosovare të marar rrugën e emigrimit është edhe situata politike në Kososvë.Analistët e mediumeve evropiane thekësojnë shkakun e qëndrimit të gjatë pas zgjedhjeve si dhe trazirat e dhunshme dy javë më parë në Prishtinë të nxitura nga eksponetet të opozitës.
Ku shkojnë është vetëm një pyetje sepse brenda ankthit, që ka përfshirë eksodin gjënden edhe faktorë të tjerë.Lajmet që kanë qarkulluar jo vetëm në Kosovë por edhe në këtu tek ne se: Gjermania jep azil për shqiptarët e kosovarët, ka përfshirë trafikanët dhe të tjerë spekulantë të cilët organizojnë ikjet nga vendi amë drejt një vendi evropianë me standarte të larta jetesë. Ka ardhur koha ,që BE duhet të heqi vizat për kosovarët për të mos i lënë kombet, që kanë formuar Evropën,jashtë gardhit të tyre.
3.
Ky eksod i shfaqur edhe nëpër mediumet evropiane ka nxitur edhe analistë proserb të cilët kanë filluar spekulimet e tyre , duke harruar një histori të tërë që është shkruar përmbi truallin dardan.Këto shtrëmbrime të qëllimshme të serbofilëve të nxitur nga ky eksod kanë nevojë për përgjigje. Lidhur me lashtësin e këtij trualli le ti referohemi vetëm qytetit të Ulpianës.Edi Shukriu vlerëson se qyteti 2 mijë vjeçar i Ulpianës dhe shumë objekte tjera trashëgimore nëpër lokalitete tjera, janë pasqyrë me të cilën mund të matet niveli kulturor dhe historik i Kosovës është shprehur arkeologia kosovare. Tek fytyra e Ulpianës, ne gjejmë një trashëgimi antike ngase kohë-formimi saj ngjet para pushtimit romak me një vijimësi dardane.
-Viale Vittorio në enciklopedia italiane shkruan:Dardani (Δαρδανεῖς, Δαρδάνιοι, Δάρδανοι, Daraăni). Njerëzit më klasike ilire që u ndahen kufijtë veriorë të Maqedonisë. Më saktësisht, Dardani zënë dy bankat e sipërme kurse dell’Axius (Vardar) dhe Marava, afërsisht në mes të headëaters e Timacus (Timok) në veri-lindje, si dhe ato të Dricon (Drin), në jug-perëndim. Sovrappostisi ndoshta një popullsi e vjetër, e skllavëruar, dardanët u ndanë në shumë fise, ndër të cilat më kryesore janë të njohura nga Straboni kryesore: ato të Galabrii dhe Thunatae. Dardanët ishin banorët më të hershëm të Kosovës së sotme.
-Etimologjia e fjalës dardan-shkruan, MA.Sc.Qazim Namani- rrjedhë nga gjuha indoevropiane dardj-a, në gjuhën shqipe dardha (vend i dardhave).[2] Fjala darda është fjalë shqipe që do të thotë dardhë, në trajtën dardan-os del se është sufiks pellazgjik,
mbretëria e dardanisë.
-Të parët e tij quheshin ilirë. Thotë prof I.Kelemendi,Këta qenë ndër arianët më të parë që patën ardhë në Europë.Vendi i tyre quhej Iliri. Fiset ilire: Ilirët kanë qenë të ndarë në fise: Ardianët, Laebetët, Liburnët, Autoariatet, Dalmatët, Dradhanët, Venetët si dhe mesapët dhe japuget që banojshin në pjesën e jugut të gadishullit italian. Përveç këtyre kishte edhe fise të tjera. Ky fenomen shpjegohet vetëm me përbamjen dhe natyrën e vendit ku banonin. Ndër fiset e Ilirvet,ma i madhi qe fisi i Dardhanevet. Vendi i tyre ishte Kosova e sodme deri në Nish dhe në Jug,në Vardarin e Sipërm deri në afrësinat e Manastirit. Kryeqyteti i Dardhanis ishte Shkupi i cili quhej atehere Skupi(Scupi).Vehej në dukje bukuria e gravet të tyre. Edhe sot ka mbete në Kosovë e në vende të tjera,kur duen të ekzaltojnë bukurinë e ndoji femre thonë:”Qenka si Dardhane”. Ulpiana, e shquar edhe për pozitën gjeostrategjike, për herë të parë përmendet nga Ptolomeu në shekullin II. Lokaliteti antik romak dhe bizantin i Ulpianës është pa mëdyshje njëra nga qendrat më interesante arkeologjike në Kosovë dhe rajonin e gjerë të Gadishullit Ilirik ,thotë guida arkeologjike e Kosovës. Mirëpo në Ulpianë sipas studiuesve jeta këtu ka filluar më herët dhe gjurmët të shpien në periudhat parahistorike të hekurit dhe bronxi ose e njohur ndryshe si lashtësia dardane. Çfarë sollën pushtimet romake ?Kjo pyetje që ngrihet për origjinën e saj saktëson edhe mjaft teza se Ulpiana është një vazhdimësi e qytetërimeve ilir kryesisht në Kosovë. Edhe këto qëndra qytetërimesh formuan Evropën e sotme.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Llojdia, KU SHKOJNË?

ISMAIL KADARE: DOSJET, TURP QE NUK JANE HAPUR

February 16, 2015 by dgreca

Shkrimtari i madh Ismail Kadare ka folur në emisioni Shqip me Rudina Xhungën për çmimin e madh të Jeruzalemit, por edhe për atë që po ndodh në vendin tonë. Per Dosjet dhe per ikjen e kosovareve. Rrëfimi i shkrimtarit për atë që ka ndodhur në vitet ’90 dhe pse mosbesimi vijon edhe sot tek shqiptarët.
Rudina Xhunga: Ishte një ceremoni e jashtëzakonshme ceremonia e çmimit, ne YMCA, Jeruzalem. Çfarë lloj çmimi është ky në kategorinë e çmimeve tjera që ju keni marrë?
Ismail Kadare: Është e vërtetë që dimensionet e kremtimit të tij janë shumë të ndjeshme, shumë të fuqishme. Ishte presidenti i vendit, i cili foli relativisht gjatë, gjë e rrallë, dhe foli si profesionist, duke analizuar veprën në mënyrë konkrete. Presidenti paraardhës, ishte gjithashtu njohës dhe mik i letërsisë, unë e kam takuar disa herë, madje një herë ka bërë diçka të çuditshme. Me rastin e daljes së librit tim “Piramida” u bë një promovim për botimin në gjuhën hebraishte. U habita kur më thanë do ta kryesoj vet Shimon Perez. E kryesoi takimin si profesionist, me librin përpara, me nënvizime, duke theksuar anë të ndryshme. Dmth në këtë vend ka një traditë shumë të bukur që çmohet letërsia në nivelin më të lartë. Ky vend ka një status për t’u pasur zili në botë
Presidenti në fakt më bëri përshtypje kur fliste për librin tuaj “Aksidenti”. Menjëherë shkova më pas ta gjeja librin në hebraisht. Kishte shumë libra të tjerë tuaj, të botuar. Këtu, ju keni shumë lexues .
Kadare: Libri “Aksidenti”, është një libër i imi, i zakonshëm, nuk është as ndër të shquarit, as ndër ata më të paktët, si të thuash. Për çudi këtu ka pasur përhapje dhe sukses të ndjeshëm. Ky është fakt. Edhe unë u çudita kur përmendi disa herë këtë roman, siduket i ka pëlqyer mjaft.
Më ka bërë përshtypje, kur kam intervistuar dy shkrimtarë izraelitë Amos Oz dhe David Grossman dhe të dy flisnin për ju. Madje nuk harroj fjalën e Amos Oz: “Ka hapur një dritare për mua për të njohur Shqipërinë, e kam njohur nëpërmjet tij”. Çfarë bisede bën një shkrimtar me një shkrimtar tjetër?
Kadare: Është shumë e lehtë kur niveli i shkrimtarëve është pak a shumë i njëjtë, psikologjia e tyre është pak a shumë e ngjashme. Tjetër gjë është kur një shkrimtar është tepër i njohur, tjetri më pak i njohur e që dëshiron të njihet dhe bëjë karrierë por ska arritur ende.
R.Xh: Jeni ju i pavëmendshëm ndaj çmimeve? I keni marrë të gjithë çmimet që keni dashur?
Ismail Kadare: Në botë ka shumë çmime, por njeriu nuk mund të dalldiset pas çdo çmimi që merr. Çmimet kryesore dihen kush janë, unë kam marr disa ndoshta shumicën e çmimeve kryesore, që është Man Booker Prize, i cili jepet nga Britania e Madhe. Është çmimi që jep Spanja , çmimi Princi Asturias, ka disa ditë që është bërë Princesha Asturias ngaqë Princi u bë Mbret. Çmimi tretë më i rëndësishëm është ky i Jerusalemit megjithëse nuk mund të thuash se është aq i njohur sa këta në planin e përditshëm, por është shumë i fuqishëm, i theksueshëm nga ana morale, edhe temën e ka të bukur, jepet për lirinë në letërsi. Një çmim që e çmojnë shumë sidomos shkrimtarë që vijnë nga një botë problematike, nga një botë ende e pasqaruar mirë, siç është bota ish komuniste, ende me arkiva të mbyllura. Unë e thashë dje edhe në fjalim, që Shqipëria është shteti i fundit në hapjen e dosjeve sekrete. Liria është gjëja më sublime që ka krijuar njerëzimi, madje qëndron mbi njerëzimin vet. Nëse mund të mburret njerëzimi me diçka është se ka krijuar paradigmën e lirisë, por që ai ende nuk e arrin dot. Njerëzimi është nën nivelin e lirisë.
Ka një debat të madh për hapjen e dosjeve. Gjithmonë përsëritet ky debat, duket sikur je afër dhe asnjëherë nuk ndodh.
Kadare: Eshtë një turp që kjo nuk po ndodh. Nuk ka asnjë arsye objektive që mos të ndodhë. Ka shumë avokatë të moshapjes së dosjeve që gjejnë nga mënyrat më meskine për ta përligjur. Disa fillojnë nga një frazë që duhet ta keni dëgjuar shpesh; ata që bërtasin më shumë për hapjen e dosjeve e kanë mizën nën kësulë. Kjo është një mënyrë shumë dinake, vulgare dhe meskine për ta bllokuar procesin. Njerëzit thonë se prit se unë nuk po flas, mos kujtojnë të tjerët se kam ndonjë dosje. Janë mënyra të ulëta, dekurajuese. Ç’ti hapësh? Ato janë prishur të gjitha, janë vjedhur; thonë të tjerë. Asnjëherë nuk ka hapje dosjesh dhe arkivash, pa nxjerrë të vërteta të mëdha, pa nxjerrë të vërteta të hidhura për një shoqëri. Mirëpo bllokimi që i ka bërë Shqipëria vite me rradhë, justifikimet që kanë bërë pseudoanalistët , ndonjëherë mediat, akademikët, kanë një marrëveshje dinake të përgjithshme që kjo gjë mos të ndodhë. Kjo gjë na turpëron, sepse vendet e tjera sidoqoftë, mirë apo keq i kanë hapur, ne jemi në gradën më të fundit në Europë dhe nuk vazhdohet me arsyetime boshe për të kryer një gjë që duhet kryer. Shqyrtimi i ndërgjegjes njerëzore është absolut. Nuk është një luks, është një domosdoshmëri, nuk është një trill a kapriço, jo është i detyrueshëm.
Hapja e dosjeve nuk është kuriozitet. Çdo vend që ka shkuar përpara, falë kësaj ka shkuar.
Pse ju mendoni që mund ta çoj përpara Shqipërinë hapja e dosjeve?
Kadare: Vetvetiu e çon përpara. E nuk është siç thonë disa se do ndodhë tragjedi, do të ndodhë armiqësi, do të ndodhë ftohja e madhe. Jo, nuk është e vërtetë. E vërteta sado e hidhur të jetë ka logjikën e saj, ka një gjë pozitive brenda.
Ju folët për dosjet ashtu siç pranuat edhe faktin se vepra juaj ka një problem me lirinë për shkak se është vepër e shkruar në robëri. I ktheheni shpesh shpjegimit të veprës suaj, e ndjeni ju të nevojshme ta shpjegoni veprën, veten, Ismailin, Kadarenë?
Kadare: Ke disa detyrime kur je person publik. Unë mund të them mos më çani kryet, merruni ju, bëni ç’të doni, unë jam shkrimtar e nuk merrem, por herë pas here duhet të merresh, kur mashtrimi bëhet kaq publik, kur kalon çdo kufi, saqë është mëkat ta lësh të përhapet akoma më shumë. Më vjen turp ta përmend si shembull se është fare vulgar, por është hapur një legjendë sikur unë paskam sharë refugjatët shqiptarë. U bë gati gjë zyrtare, u detyrova të ndërhyj dhe nuk ia dola. Mashtrimi ishtë aq i fortë, saqë e mundi të vërtetën. Kohët e fundit ndodhi një ngatërresë me një revistë të huaj, i doli emri dikujt, e ky mashtrim u vu në revistë ndërkombëtare. Revista më pas kërkoi ndjesë. Është mirë, kur ka raste të tilla, të ndërhysh. Rasti i shkrimtarëve që kanë krijuar në joliri, në robëri, kjo është gjithashtu një nga rastet e mashtrimeve, që kanë prirje të bëhen zotëruese. Thuhet se ne që kemi shkruar në atë kohë vetvetiu kemi bërë letërsi të keqe, ose letërsi që s’ka pse të jetojë më. Ky problem duhet sqaruar. Letërsia është absolutisht shpërfillëse nga regjimi shoqëror, regjimi mund t’i bjerë në qafë, mund ta fusë në burg, ta pushkatojë shkrimtarin, ta torturojë por s’ka ç’i bën letërsisë, nuk e ndryshon dot letërsinë. Fakt që në kohën e Stalinit, në ish Bashkimin Sovjetik janë bërë tmerret më të mëdha dhe prapë shkrimtarët më të shquar të shekullit janë ata që kanë jetuar nën presionin stalinist. Letërsia është kundërshtim i tiranisë. Nëse është letërsi normale është antitiranike. Vetëm letërisa e keqe nuk është as antitiranike, nuk është asgjë në të vërtetë.
Në fakt nuk kanë dashur të thonë se letërsia juaj ishtë e keqe, kanë dashur të thonë se letërsia juaj, ju bën juve përfaqësues të realizmit socialist.
Kadare: Kjo s’ka asnjë kuptim. Çfarë kuptimi ka realizëm socialist? Realizëm i kohës së socializmit, është fare normale. Letërsi e kohës së komunizmit. Letërsi e realizmit socialist është letërsia që u krijua në atë kohë. Kjo fjalë as e dëmton, as e justifikon, as e lavdëron, nuk bën asgjë, është thjesht një term që e tregon, asgjë tjetër. Këtu janë thjesht spekullime të pafundme që bëhen. Disa thonë se na mbytën këto shkrimtarët e realzimit socialist, disa thonë se këta kanë mbetur po këta korifej edhe sot. Po kush i cakton këta si korifej? Letërsia ka ligjet e saj, s’ke ç’i bën ti si shtet. Letërsinë nuk e prish dot regjimi, letërsinë e prishin vet shkrimtarët. Pra nqs një regjim fabrikon shkrimtarë të pandërgjegjshëm, vetëm ata mund ta prishin letërsinë. Ashtu si një mur nuk ke nevojë ta rrëzosh duke e goditur me top, me artileri, por i vë tulla të këqija, që kur të kalojë pak kohë, të rrëzohet vetë. Pra po ne mund ta prishim letërsinë, po ne mund ta ndreqim. Ne jemi përgjegjës për të këqijat e saj, ne kemi meritën për të mirat e saj, ne shkrimtarët. Askush tjetër.
Po demokracia çfarë ndikimi ka te letërsia?
Kadare: Për çudi as demokracia, as liria që është gjëja më sublime në botë nuk e përmirëson dot letërsinë, ky është vërtetimi i kumit të pavarsisë së saj.
Dua t’i rikthehem edhe njëherë momentit që është folur për njerëzit që ikin, për njerëzit që lanë Shqipërinë. Është shkruar shprehimisht, Ismail Kadare tha se ata janë jashtëqitja e kombit.
Kadare: Kur ndodhi ikja e refugjatëve, akuza ishte e tmerrshme sepse doli që shkrimtari më i shquar shqiptarë i quajti brezin e ri që lë Shqipërinë atë që thatë juve, s’dua as ta përmend. Kjo ka ndodhur në fund të verës së 90, për 2- 3 javë unë do të ikja vetë. Kur kam ikur, unë kam bërë një hymn për këtë, për djemtë e vajzat që lanë Shqipërinë në atë mënyrë tragjike, e botova në shqip dhe në frëngjisht. Thashethemi u përhap, në fillim për të ekuilibruar këtë gjë, pas kësaj thashethemi u shumëfishua në formë hakmarrjeje kundër shkrimtarit. Unë shkrova diçka vërtet tronditëse, e kam botuar disa herë, kam përshkruar tablonë më dramatike që kam në letërsinë time, natën e ikjes së refugjatëve shqiptarë. Mashtrimi ka fituar mbi këtë fakt. Dhjetë herë mund të kem ndërhyrë unë për të korrigjuar këtë trillim, e pamundur, trillimi triumfonte gjithmonë. Kur u përsërit edhe në një revistë ndërkombëtare, u bë një skandal ende i pasqaruar plotësisht. Diktatura është jashtëzakonisht hakmarrëse, edhe e rrëzuar është hakmarrëse, ka mekanizmat e saj që veprojnë, është një frymë që ka mjete konkrete për të vepruar.
Çfarë e mban akoma gjallë këtë frymë?
Kadare: Këtë e mban një mllef i madh, një dëshpërim i madh që Shqipëria s’është më e tyre. Ka shumë njerëz që nuk e duan këtë lloj Shqipërie, njerëz që thonë; Shqipëria mos qoftë. Nuk e duan për disa arsye, se kanë humbur privilegjet e tyre, kanë humbur pushtetin që kishin, kanë humbur arrogancën e tyre, kanë humbur gjithçka, gëzohen, kur këtij vendi i shkojnë keq punët, shpirti ua do, që meqë nuk e gëzuan ata, Shqipërine, mos ta gëzojë askush. Kjo është gjëja më e keqe që po ndodh në Shqipëri, një frymë mosbesuese, një frymë e theksuar kultivimi dëshpërimi, e mungesës së shpresës. Po të shikosh njerëz krejt normalë, ndonjëherë, kur i pyet, pse ikni nga Shqipëria, thonë: Se kemi humbur shpresën. Ç’shpresë? Ai nuk di ç’është shpresa, koncepti shpresë. Çfarë shprese humbi ai njeri i thjeshtë, që lë shtëpinë e vet, lë tokën dhe ia mbath të arrijë në Vlorë, sepse u hapën fjalë se ka dy anije. Si shkon me gra dhe fëmijë, ky njeri?

Filed Under: Interviste Tagged With: ISMAIL KADARE: DOSJET, JANE HAPUR, QE NUK, Turp

HAPNI DOSJET!

February 16, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI:Pjesa II/*
ENVER HOXHA:TIRANI MA I MADH I SHEKULLIT XX/
47 VJET KRIME E DOSJE… NUK ZHDUKEN/
■Në vitin 1944 Shqipnia kishte 1.200.000 banorë! Vrasjet e krimet e Enver Hoxhës me bashkpunëtorët e tij terroristë ndaj të gjithë Atdhetarëve Shqiptarë në 47 vjetë robni të panjohun në Shek. XX, nuk mund të krahasohen me ASNJË tjetër, as me Stalinin!
■Specialistët jugosllavë dhe sovjetikë kishin mërrijtë që në ditët para të robnisë…
■Urdhni per pushkatime dhe arrestime përgatitej nga qendra, pra, direkt nga E. Hoxha.
Veprimet kriminale në Jug ishin realizue me sukses. Po e njajta rrugë shfarosje për të gjithë antikomunistët asht ndjekë edhe në Veriun e vendit, ku siguria nder veprime ka kenë edhe ma e madhe, mbasi rretherrotull Shqipnisë ishin forcat jugosllave të gatëshme per me nderhy po kje se, “njerëzit e malit” sillnin probleme per forcat e ndjekjes.
■PKSh që fshihej nën rrobat e ushtrisë, dhe sigurimi nen forcat e ndjekjes, të jepnin idenë se komunistët janë “dorëjashtë” në terrorin që filloi njëheri me robninë e forcave të bolshevikëve të Titos, me pseudonimin “specialistët” jugosllavë. Metodë që ma vonë u zbatue nga “këshilltarët” sovjetikë, dhe u vazhdue nga terroristët shqiptarë me sukses.
■Tirani Enver Hoxha, fitoi shumë shpejtë besimin e të gjithë antishqiptarëve, me dorën e tij gjakatare dhe vrasëse, tue iu krijue të gjitha privilegjet e një udhëheqësi të PPSh, dhe tue u ndihmue nga sovjetikët, jugosllavët, anglezët, amerikanët, francezët, italianët, kinezët… dhe cilido terrorist që do ta ndihmonte ate me mbajtë pushtetin me të gjitha mjetet materiale dhe ushtarake, për shfarosjen e Atdhetarëve të shquem Shqiptar.
■Per të gjitha arrestimet, pushkatimet e burgosjet, dhe mbas 15 Majit 1945 interrnimet, të gjitha krimet e kryeme në territotin e Shqipnisë, duheshin ba të dijtuna Enver Hoxhës, madje, edhe “vullneti i fundit i të pushkatuemëve” para gropës së varrosjes pa emen…
■Kur PKSh doli haptas me emnin PPSh, dhe drejtohej zyrtarisht nga E. Hoxha, ajo ka fillue planifikimin e terrorit në Shqipninë e robnueme haptas dhe me dokumenta, që e faktojnë këte që me 17 Nandor 1944, kur forcat partizane hyne zyrtarisht në Tiranë.
■Byroja politike e Komitetit Qendror të PPSh, merrte vendimet e saja per arrestimet që do të baheshin nder rrethe, sa vetë do të pushkatohen (ku vendin e parë e zinte Shkodra), sa do të dergohen nder kampe pune e shfarosje, sa do të interrnohen, sa shtëpi, dyqane e tokë do të konfiskohen…dhe kjo shifer e detajueme i kalonte per zbatim direkt ministrit të mbrendshem, mbasi aprovimi i kryeministrit ishte marrë në Byronë politike të K.Q.
■Ministri i Mbrendshëm shperndante planifikimin nder rrethe tue ngarkue kryetarët e degave të mbrendshme me dergue listat emnore në ministri, per personat që mendohej me u burgosë dhe masat e dënimit që do të jepeshin në perputhje me shifren e qendres.
■Mbas aprovimit nga ministri i mbrendshëm, ngarkohej dega e mbrendshme me ba arrestimin, fillonte hetimet, mbyllej dosja hetimore, dhe personi i kalonte gjykatës per dënim. Jepej dënimi dhe çeshtja shkonte në Gjykatën e Naltë, shoqnue me mendimin e kryetarit të degës së mbrendshme, i cili theksonte masen tue zbatue vendimin e parë që kishte dergue me dosjen konsultative ministri i mbrendshem (nenkuptohej planifikimi).
■Vendimet me pushkatim i kalonin Presidiumit Kuvendit Popullor. Mbas ekzekutimit të viktimës njoftohej tirani Enver Hoxha per suksesin, dhe “vullnetin e tij të fundit”…
■Personat që dënoheshin me “heqje lirije”, shperndaheshin nder kampe ose burgje.
■Kur perfundonte dënimin dhe lirohej, viktima porsa fillonte punen do të plotsonte një dosje “pune”, e cila mbyllej vetem kur vdiste personi… Motivacioni i lirimit nga burgu i ndiqte të gjithë familjarët e viktimës dhe trashigimtarët e tij, tue i etiketue “të deklasuar” per gjithë jeten e tyne dhe fëmijët e tyne që do të lindshin edhe 20 apo 30 vjetë mbas…
■Per trashigimtarët e të pandehurit dhe familjarët e tij, porsa jepej dënimi nga gjykata, kryetari i lagjes bante rregjistrimet në degen ushtarake per mashkujt, ndersa nder vendet e punës së familjarëve të tjerë bahej menjëherë rregjistrimi nga shefat e kuadrit.
■Pra, si konkluzion arrijmë me vertetue se një i “persekutuem ase i pushkatuem” ka këto Dosje, të cilat fillojnë me persekucionin e tij dhe vazhdojnë me trashigimtarët:
■Dosja konsultative: Ministri jep motivacinin e arrestimit, Dega e mbrendshme e rrethit percakton personin kriminel per zbatim, hetuesin dhe akuzen…si dhe afatin e veprimit.
■Dosja operative: Kryetari i degës ose shefi i hetuesisë, ngarkonin hetuesin X me ba arrëstimin, me fillue hetimet me té në pistën e planifikueme, tue parashikue torturat, dishmitarët, dhe dënimin. Per të gjitha veprimet ose ndryshimet njoftohej ministri.
■Hapet Dosja e hetimeve me të arrestuemin: Mbyllej kur i arrestuemi dënohej.
■Hapet Dosja e Gjykatës në rrethin ku dënohet i arrestuemi. Per ushtar ku asht arrestue.
■Hapet Dosja e Gjykatës së Naltë, që vendosë vendimin e parashikuem nga ministri.
■Hapet Dosja e Kuvendit Popullor, me vendimin perfundimtarë per të dënuemit me vdekje, dhe vendimi i percillet gjykatave të rrethit, ministrisë së mbrendshme per zbatim.
■Zbatimi i vendimit perfundimtar me vdekje, zbatohet nga degat e mbrendshme nder rrethe, tue kenë i pranishem prokurori i rrethit ase kryetari i gjyqit të çeshtjes.
■Hapet dosja e burgut: Per të dënuemit me burg, punë të detyrueshme etj…
■Dega e mbrendshme e rrethit njofton degen ushtarake, komitetet ekzekutive dhe të gjitha këshillat e lagjeve per vendimin e marrun nga gjykata e naltë, dhe menjëherë do të bahen rregjistrimet nder vendpunimet e familjarëve të tjerë, kurse komiteti ekzekutiv në zyren e kuadrit të veten, merr vendimet per punësime, largime, bursa studimi etj…
■Komiteti i PPSh hapë Dosjen per kadrot e nalta të të dënuemit, dhe percakton “luften e klasave”, masat ndaj personave të asaj familje që u asht dënue pjestari i saj.
■Komiteti i PPSh Hapë Dosjet e perjashtimit nga Partia të familjarëve të dënuemit, dhe jep udhzimet në Degen e Mbrendshme per ata dhe rrethin shoqnor të tyne.
■Per të gjithë personat që kanë perfundue shkollat e nalta ka Dosje Personale, ku asht e shenueme sjellja, qendrimi politik, aktivizimi me aksionet e rinisë (ku nenkuptohet me sigurimin e shtetit) dhe sa asht i vlefshem per të ardhmën…në sherbim të PPSh.
■Për disa persona të “veçantë” Komiteti Qendror i PPSh, ban trasferime nga burgjet, dhe me urdhën sekret të komiteteve të PPSh rretheve, terroristët bajnë zhdukjen e tyne kryesisht, kur mungojnë faktet publike per pushkatim, si rasti i Ndrekë Kodhelit, Don Zef Maksen etj., që gjoja dergohen nga Tirana per burg të Burrelit e vriten gjatë rrugës.
■Per të gjithë agjentët e sigurimit të shtetit kishte privilegje, shperblime, dekorata dhe gradime të dhanuna per vrasje, burgime, hetime në tortura dhe rekrutime agjentash.
■Të gjitha veprimet terroriste të këtyne agjentave udhzoheshin dhe kontrolloheshin nga metastazat e komitetit qendror të PKSh (PPSh) nder rrethe, me qender Komiteti i PPSh.
■Besueshmenia e një komunisti matej me sherbimin e tij si agjent i sigurimit të shtetit.
■Pra, asht e kjartë se nga të gjitha këta dokumentacione dhe Dosje, sot ne vertetojmë të
gjitha krimet e Gjenocidit komunist, kriminelët dhe vrasësit me veprat terroriste të tyne,
per të cilat Enver Hoxha, Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha, Haxhi Lleshi, Mehmet Shehu, dhe të gjithë pasuesit tjerë, vazhdojnë me kenë “Heronjë të Popullit” JO Shqiptar!..
■Shqipnia asht kenë dhe vazhdon me kenë një shtet i errësuem me dashje dhe pa asnjë prospektivë “drite” nga e mira, përderisa nuk nxjerrë në pah faktët historike, Krimet e pashembullta në një Shqipni, e cila nuk mund të krahasohet me ASNJË shtet tjetër, per krimet e kryeme ndaj një Populli Shqiptar, me atë sasi popullsije që kishte Shqipnia!
Sot metastazat e tyne po vazhdojnë me qëndrue në parimin komunist të baballarëve:
“Çkado që kemi bërë ose mund të bëjmë, né kemi të drejtë ta bëjmë prap!”.
Vazhdon: Pjesa III Dosjet e agjentave të burgosun…
Melbourne, Shkurt 2015.
*NNe vijim te ciklit: ë 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Hoxha, Fritz radovani, Hapni Dosjet, krimine

MISTERI I JETEGJATESISE SE VATRES DHE DIELLIT

February 16, 2015 by dgreca

NGA PETER PRIFTI*/
“Vatra e mbaroi qëkuri misionin e saj historik.”!/
“Vatra dhe Dielli po i ngrysin ditët.”!/
Sa herë, vallë, na kanë dëgjuar veshët fjalë si këto?/
Fjalë të këtilla për Vatrën dhe Diellin janë pëshpëritur poshtë e lart me vite e me dekada. E megjithatë, Vatra dhe Dielli janë gjallë dhe sot e kësaj dite. I kanë përgënjeshtruar të gjitha predikimet e vdekjes së tyre. Si për inat të pesimistëve, kanë refuzuar të tërhiqen dhe të zhduken nga skena e botës shqiptare.
Jetëgjatësia e Vatrës dhe organit të saj – të dyja tashmë në dekadën e tetë të jetës së tyre – është më tepër se kureshti. Ajo paraqitet si një “mister” që të çudit, dhe që kërkon shpjegim. Por, po të rrish e të mendosh pak, nuk është vështirë të kuptosh pse Vatra dhe Dielli kanë arritur një moshë kaq të lashtë.
Pa dyshim, arsyeja numër një është shërbimi madhështor që i bëri atdheut Vatra gjatë 12 vjetëve, që kur u themelua më 1912 dhe deri më 1924. Me punën e shkëlqyer që bëri në atë periudhë, Vatra rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, madje kaq thellë sa nuk mund ta harronm as brezi i imigrantëve të parë që e krijoi atë shoqatë, as brezat që pasuan 20, 40 dhe 60 vjet më vonë, deri në ditët tona. Vatra dhe Dielli u bënë fanar i shkëlqyer që ndriçonte rrugën e shqiptarëve në atë periudhë të artë, dhe trumbetë e fuqishme që ndizte zemrat e tyre flakë me ndjenjat e atdhedashurisë. Oshëtimat e asaj trumbete nuk heshtën, nuk u tretën në hapësirë, por tingëllojnë edhe sot në veshët e shqiptarëve.
Jeta e Vatrës është paralele me jetën e Shqipërisë moderne. Të dyja kanë një moshë. Prandaj, kur kujton apo bisedon për Vatrën, shqiptari dashur pa dashur e lidh emrin e saj me kombin shqiptar, me vendin e origjinës së tij. Dhe, sikundër ai dëshiron që të rrojë Shqipëria, po ashtu dëshiron – ndofta pa e kuptuar dhe ai vetë – të rrojë edhe moshatarja e saj, Vatra. Kjo ndjenjë fisnike i ka nxitur shqiptarët ta mbajnë gjallë këtë shoqatë famëmadhe për më se 80 vjet.
Kur kujton apo bisedon për Vatrën dhe Diellin, shqiptari, gjithashtu, kujton menjëherë emrat e nderuar të Fan Nolit, Faik Konicës si edhe të veteranëve të tjerë që themeluan Vatrën dhe punuan natë e ditë për Shqipërinë. Prandaj, respektin dhe admirimin që ka për Nolin dhe Konicën, ai e ndan me Vatrën, që është krijesa e tyre dhe thesari që u lanë trashëgim shqiptarëve. Këtë trashëgim shqiptarët e kanë ruajtur si amanet, dhe kjo ka ndihmuar për t’ia zgjatur jetën Vatrës nga një brez te tjetri.
Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë të thjeshtë, por si një institut, apo monument historik. Si e tillë, ajo qëndron përmbi interesat lokale, të kufizuara dhe kalimtare të këtij ose atij grupi. Ndonëse është marrë me politikë – se me politikë u angazhua edhe Skënderbeu dhe Ismail Qemali – ajo shihet gati si simbol kombëtar, që përfaqëson dhe bashkon të gjithë shqiptarët, pa dallim. Ja një tjetër arsye që shpjegon jetëgjatësinë e Vatrës dhe DIELLIT.
Dielli është regjistri më i vjetër i jetës kolektive të shqiptarëve të Amerikës. Në faqet e tij është shkruar gati gjithë historia e tyre, që kur zbarkuan imigrantët e parë dhe deri te imigrantët e fundit. Vetë ky fakt i lidh ata me Diellin dhe Vatrën në një mënyrë intime, të ngrohtë, pak a shumë ashtu siç lidhen njerëzit me shokë e miq të vjetër dhe të paharruar. Edhe ky fakt ka lojtur rol në jetëgjatësinë e Vatrës.
Ka edhe një arsye tjetër që shpjegon misterin e lashtësisë së pashembullt të Vatrës. Ky është faktori semantik apo gjuhësor që ka të bëjë me vetë emrin e Vatrës dhe të organit të saj. Fjala “Vatra” tingëllon bukur në vesh, mbasi na sjell para syve imazhc të këndshme e të dashura si oxhakun e shtëpisë, zjarrin e ngrohtë, rrethin familjar, zakonet e mikpritjes dhe bujarisë. Po ashtu fjala “Dielli” na tërheq si një magnet, sepse “diell” do të thotë dritë, energji e pasosur, jetë e gjallëri. “Vatra” dhe “Dielli” janë emra të goditur, që i kanë tërhequr shqiptarët qysh nga fillimi i shekullit 20 dhe deri te pragu i shekullit 21, ku kemi arritur.
Nga diskutimi i sipërm del se jetëgjatësia e Vatrës dhe Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm. Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi ato janë të lidhura ngushtë qoftë me jetën e jashtme, kolektive të shqiptarëve (është fjala për punët e mëdha që kanë bërë nëpërmjet Vatrës), qoftë me jetën e tyre të brendshme, me ndjenjat shpirtë- rore dhe emocionale, me krenarinë dhe nostalgjinë për të shkua- rën, me gjithë historinë e tyre në Amerikë.
* Ky artikull u botua DIELLI, Nju Jork, numri janar-shtator 1994.)

Filed Under: ESSE Tagged With: DHE DIELLIT, MISTERI I JETEGJATESISE, peter R Prifti, se Vatres

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4086
  • 4087
  • 4088
  • 4089
  • 4090
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT