• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NANAT SHQIPTARE NUK KANË MONUMENTE…

February 8, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/*
Shpeshë e përsëriste një halla ime, Moter Gjyzepina Radovani, një thanje, që ka shkrue At Konrrad Gjolaj: “As mos e mendoni se ka me mujtë kush me shkrue ndonjëherë se, shka kanë ba komunistët mbi Klerin Katolik dhe Atdhetarët Shqiptarë, edhe me i mbajtë mend të gjithë ka me u dashtë me u kthye Deti Adriatik në mereqep (bojë shkrimi), për me shkrue shka asht ba mbi Popullin Shqiptar. As mos u lodh me i mbajtë ndër mend… Ata që nuk i kanë provue ose pa me sy krimet e sigurimit, jo vetëm nuk kanë me i besue, por edhe me ua tregue, kanë me kerkue me i harrue shpejtë” Më duket se, po dalin fjalët e saja..!” (At K. Gjolaj O.F.M. “Çinarët”, faqe 106, viti 1996).
Një tmerr i vërtetë me i mendue futat e zeza, velat si futa dhe degermijat e bardha që të shihte syni me vite të tana mbi kokat e grave dhe vajzave Shqiptare, tue fillue aty ku flitet e mendohet në gjuhën Shqipe, e deri ku ka pasë edhe vetem një Nanë Shqiptare, që u ka dhanë kjoftë edhe një ditë me pi qumesht prej gjiut vet foshnjeve në prêhên të Saj…
E pra, Ata Nana, ishin që i falnin Atdheut dritën e së ardhmës, shpresen e fitores dhe ua trashigonin me dashninë e pakufi Rinisë Shqiptare virtytin e Besës, Burrnisë e Bujarisë në Gjakun e tyne, tue ua mëkue me “bukë, djathë, e shka ka dhanë e falë i Madhi Zot!”
Ato Nana ishin dhe janë, që kanë provue ma shumë se kujtojmë né! Madje, ka edhe nga ata tradhëtarë që vazhdojnë me i dhunue Nanat Shqiptare me “yllin e kuq” në dorë…
Me “yllin sllavokomunist të Titos, Stalinit e Mao Ce Dunit…dhe tradhëtarit E. Hoxha!”
po, ajo nuk asht “Nana Shqipni”! Nana Shqipni asht Ajo që u masakrue nga komunizmi dhe tradhëtarët e Atdheut, me “yllin e kuq” në ballë e në zemer… që nga viti 1941…
Ato ishin Nanat Tona! Ato ishin Nana Shqipni!
Nanat Tona ishin Ato Burrnesha që qendruen mbi shkambijë atje naltë në Bjeshkët e Nêmuna dhe u varrosën dikund, ku sot, nuk ka asnjë shenjë as Dheu i zi kah Tepelena, bash Aty, ku thundra e tradhëtarit t’ Atdheut vriste Motrat e Bijat e Tyne, si ndër Male e shpella, ku hasmi e bishat komuniste flinin bashkë tue u ushqye me Gjak Shqiptarësh…
Historia e Nanave Shqiptare asht shkrue prej kohës ma të vjetër dhe asht daltue në gurin e Trojeve tona, po edhe në drunin e kthyem në Gur… Atë dru nuk e kalbi as Toka!
Asht bash Ai dru që nuk la përjetsisht me u mbyllë Asnjë nga Ato Dyer që sot gjallojnë!
Asht bash Ai dru që nxjerrë xixa, e xixat sjellin Dritën e Shtëpisë, Gjakun e Rij Shqiptar!
Asht bash Ai dru që dora tradhëtare kerkoi me e vra natën për terr…
Asht bash Ai dru që rriti një Mal nder ma të naltit e Shqipnisë…
Asht bash Ai dru i Maleve të Sheperit të Zagorisë…
Asht Nana Ynë Shqiptare KALIOPI DILO SHEPERI…
Shikojeni mirë foton naltë! Shikojeni… Se sytë e Saj nuk mbyllen kurrma!
Ata sy, rrezatojnë Dritën e Pasosun, pikrisht, të Asaj Jete ku Ajo asht n’ Amshim!
E duertë e Saja të lidhuna vazhdojnë me tregue dhimbjen e madhe prej së cilës, Ajo Nanë… me 25 Janar 1991, dha Shpirtin e Saj besnik në Familjen Dilo, nga masakrat e panjohuna barbare komuniste… I hodhën acid dhe e dogjën…e dhimbjet e plagës Nanën e mbyten, e mbytën barbarët…E pse? – Vetëm, pse ishte Burrneshë Shqiptare!
Ajo Nanë e Pavdekshme sot, më kujtoj mbi 500 000 Nana Shqiptare që djelmët e vajzat e Tyne, ua vranë, masakruen, torturuen, i rjepen dhe i dogjën persëgjalli, ua groposën dhe nuk i lanë asnjë shenjë varri të tyne…, dhe nuk u ngopën po, masakruen, interrnuen dhe zhdukën edhe Ato Nana, që Trupat e Tyne u lanë me lotët që vazhdojnë me rrjedhë nga Sytë e Tyne plot dritë e shpresë… E dhimbje… si gjithë jetën e Tyne të Nderueme!
Nana Ynë e Ndjerë Kaliopi! Ju nuk keni Monument, sepse, nuk mbajte kurrë ndër duerë “yllin e kuq” të tradhëtarëve… Ndër duertë Tua të bekueme Ju mbajtët edhe një liber… Pikrisht, atë liber, ku shkruhet per Ty o Nana Ynë Kaliopi Dilo Sheperi:
***
Kanë me kallzue se sa pjesë qiellit vrâni
Vdekja n’ atë vorr. E atë botë i largët shtegtari
Të lehtë dhéun ka me t’ urue, e t’ paqta e t’ buta
Shinat e boren: e, kur n’ male t’ veta
T’ dredhojë ké stani, fëmijës ka me i kallzue
Shka ndjeu per ty. E fëmija e tij asobote
Emnin t’and kanë per t’ këndue, e vrrini e bjeshka
Gjithmonë i ri, tue njehë furit e mnershme,
Ambel prej emnit tand kanë me jehue.
Me maje t’ briskut kanë me shkrue mbi lisa
Me shkrola t’ njohuna veç e prej barijve:
Kanë me u rritë lisat, përse sopata as rêja
S’e prekin landen, ku asht ravisë ai emën:
E tue’ u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;
E kshtu ma t’ kjarta mbas disa qindvjetëve
Nipat ma t’ vonët kanë me i këndue, e emni
Sa t’ bjerë dielli tokës ka me t’u këndue.
At Gjergj Fishta «Mrizi i Zanave»

Në shenjë Nderimi e respekti per Nanat Tona Shqiptare pa Monument ! Autori.
Melbourne, Shkurt 2015.
*Në 70 vjetorin e përmbytjes sëShqipnisë…

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, Histori, Kaliopi Dilo

Dy vendime “ për shpërnguljen e suksesshme të shqiptarëve”

February 8, 2015 by dgreca

Migrimi i shqiptarëve në drejtim të Turqisë përkon me dobësimin dhe rënien e Perandorisë Osmane dhe në një mënyrë përfaqëson “evakuimin” nga territoret e humbura. Në anën tjetër, motivet të cilat nxitën shpërnguljen, ishin fetare, politike, ekonomike dhe ekzistenciale. Ishte proces ballkanik në një shkallë të madhe (Greqi, Rumani, Bullgari, Jugosllavi), në të cilin hynte interesi i përbashkët i vendeve të Ballkanit dhe Turqisë. Jugosllavia u përpoq në këtë mënyrë të zgjidhë problemin me shqiptarët dhe të fitoj toka për kolonizim, ndërsa Turqia “me element të përshtatshëm” t’i populloj pjesët e boshatisura të vendit nga i cili ishin dëbuar më parë kurdët, armenët dhe grekët. /
Nga Ismet Azizi/
Qarqet sunduese, kulturore e shkencore serbe dhe veçanërisht ideologët e krijimit të hapësirave të pastra etnike, me gjithë masat e ndërmarra ndaj shqiptarëve, nuk ishin të kënaqur me rezultatet e kolonizimit dhe të shpërnguljes së shqiptarëve në vendet tjera. Edhe përkundër të gjitha masave drastike, numri i shqiptarëve nuk u zvogëlua, por, përkundrazi, shënoi rritje në saje të natalitetit të lartë në kushtet e rënda të jetës e të punës. Prandaj, pushteti i atëhershëm vendosi që këto qëllime të vetat t’i realizoj me shpërnguljen me dhunë e terror të të gjithë shqiptarëve nga trualli i Kosovës dhe meritoreve rreth saj, në një anë, dhe kolonizimin sa më intensiv të serbëve në Kosovë, por edhe në Maqedoninë Perëndimore. Për këto qëllime dhe u përpiluan një varg elaboratesh dhe planesh.
Një kontrollim i kaosit të shpërnguljes është legalizuar më 11 korrik 1938 me nënshkrimin e Konventës jugosllave-turke në Stamboll. Sipas konventës ishte paraparë dëbimi i 40.000 familjeve nga viset e pushtuar nga Serbia, “të cilët flasin turqisht dhe kanë kulturë turke” nga 46 rrethet e banovinave të Vardarit, Zetës dhe Moravës. Sipas konventës së përmendur, Turqia ka qenë e detyruar të pranoj 40.000 familje brenda gjashtë viteve, ndërsa me marrëveshje parashihej që Jugosllavia të paguaj kompensim Turqisë nga 500 lira turke për familje, d.m.th. në total 20 milion lira. Konventa parashikonte transferimin e emigrantëve dhe pasuritë e luajtshme deri në portin e Selanikut në kurriz të Jugosllavisë.
Elaboratit me karakter fashizoid, me titull “Shpërngulja e shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta), i paraqitur në klubin Kulturor Serb më 7 mars 937 të cilin e hartoi Dr. Vasa Çubriloviq, i parapriu një sërë veprimesh të kreut polit serb. Me këtë rast, po paraqesim dy dokumente që i paraprijnë elaboratit të Çubriloviqit dhe nënshkrimin e Konventës në mes Jugosllavisë dhe Turqisë.
Dokumenti i parë është Procesverbali i konferencës ndërministrore, e cila u mbajt në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jugosllavisë më 20 shtator të vitit 1935, në të cilën u diskutua për dëbimin e popullatës jo-sllave nga Serbia Jugore.
Teksti i dytë paraqet projekt planin për shpërngulje të cilin e ka hartuar komiteti i ngushtë ndërministror, që është miratuar në mbledhjen e 24 shtatorit 1935 në Beograd. Ndër konkluzionet e këtij projekti të cilin e kanë përpiluar së bashku përfaqësuesit e pesë ministrive dhe Gjeneralshtabit dominon nevoja e miratimit urgjent të konventave dypalëshe me Turqinë dhe Shqipërinë, ndërsa në rast të problemeve me shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri është propozuar të zhvendosen nga zonat kufitare në brendësi të territorit të Jugosllavisë. Lehtësime tatimore janë paraparë për ata të cilët do të heqin dorë vullnetarisht nga shtetësia, ndërsa për transport pa pagesë deri në Selanik mund të llogarisnin vetëm ata të cilët pasurinë e tyre të paluajtshme ua lënë shtetit. Pothuajse të gjithë propozimet e përfaqësuesve të Shtabit të Përgjithshëm u miratuan unanimisht si masa të cilat projekti propozon për “shpërngulje të suksesshme dhe më të shpejtë të popullsisë jo-sllave në Turqi ose Shqipëri”: Shtypjen e propagandës kundër dëbimeve që vinin nga Tirana, si dhe thirrjet sa më të shpeshta të regrutëve nga rrethet kufitare në stërvitje ushtarake dhe manovra, ndalimin e pranimit në shërbimin civil “të personave të cilët vijnë në shprehje për dëbim”, transferimi e zyrtarëve shqiptarë në pjesë të tjera të vendit, nacionalizimin e toponimeve dhe mbishkrimeve, etj. Të dy këto dokumente janë ruajtur në Arkivin e Jugosllavisë, në kuadër të Fondit të Ambasadës së Mbretërisë së Jugosllavisë në Turqi-Stamboll, Ankara (370), dosje 9, njësia arkivore 42, faqe 637-643.
Tekstin po e paraqesim (të përkthyer nga autori) në formën e vet origjinale, pa asnjë ndërhyrje stilistike apo gjuhësore.
Procesverbali i Konferencës ndërministrore , është mbajtur në Ministrinë e Punëve të Jashtme më 20 shtator të viti 1935. në lidhje me shpërnguljen e popullatës jo-sllave nga Serbia Jugore.
Prezent:
– nga Ministria e Punëve të Jashtme: Z. Ilia Milikiq, Shef i Seksionit të IV repartit politik, g. Milivoje Milçiq, këshilltar, g. Peter Çabriq, këshilltar, zoti Radovan Mitroviq, sekretar;
– nga Ministria e Bujqësisë: g. Vojislav Magovçeviq, inspektor, g. Gjuro Tataloviq, shef i seksionit financiar ;
– nga Ministria e Punëve të Brendshme: Z. Dushan Tadiç, inspektor;
– Nga Shtabi i Përgjithshëm: Z. Jovan Sokolloviq, gjeneral kolonel;
– nga Ministria e Financave: Z. Dushan Trajkoviq, këshilltar;
– nga Ministria e Transportit: g. Milosh Popoviç, zyrtar i lartë Komercial. Departamenti General i drejtorisë së hekurudhës.
Seancën e udhëhoqi g. I Milikiq. Procesmajtje e udhëhoqi g. Dr. Feodor Koreniç dhe g. Dr. Jozo Logar, notar të Ministria e Punëve të Jashtme.
Seanca u hap në ora 18
***
G. Ilija MILIKIQ thotë se zoti V. Magovçeviq shprehu dëshirën që në një konferencë ndërministrore të trajtohet çështja e shpërnguljes së turqve dhe myslimanëve të tjerë nga rajonet jugore. Kjo çështje duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse në masë kompakte turqit dhe arnautët përgjatë kufirit të Arbërisë ( Shqipërisë) paraqesin problem kombëtar dhe në aspektin ushtarak problem të rëndësishëm. Numri i shqiptarëve, i cili është mbi gjysmë milion, nga viti 1931 është rritur për rreth 65.000 veta. Arsyeja e dështimit të nacionalizimit të elementit jo sllav, arsyeja është se popullsia ortodokse në rajonet jugore numerikisht është e vogël (në rajonet jugore ka vetëm 165.000 ortodoks) dhe për shkak se elementi jonë nuk ishte mjaft e përgatitur për ushtrimin e nacionalizimit. Prandaj, nuk mbetet gjë tjetër përveç dëbimit të elementit jo-sllave nga vendi.
Ministria e Punëve të Jashtme konstaton se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet Arbanasëve [Shqiptarëve], sepse ata janë kompakt dhe në kontakt të vazhdueshëm me Arbaninë [Shqipërinë] fqinje, ku, pavarësisht pa përcaktimit politik, megjithatë, ngadalë krijuan një ndjesi kombëtare.
Shpërngulja politike, deri më tani, nuk ka dhënë ndonjë rezultat të veçantë. Ky element shpërngulet në Turqi dhe në Arbani [Shqipëri]. Ekziston mundësia që numri i të shpërnguluarëve në Turqi të rritet duke u bazuar në ligjin turk të vitit të kaluar për popullimin e të gjitha krahinave të saja me popullatë të kulturës turke. Për këtë qëllim, turqit kanë lidhur një marrëveshje me Rumaninë, dhe tani negociatat janë duke i zhvilluar edhe me Bullgarinë. Marrëveshja me Rumaninë parasheh që turqit nga Rumania, të cilët janë rreth 400.000, duhet të shpërngulen brenda 5 viteve. Të gjithë pasurinë e tyre, para se gjithash, do të mund të kompensohen nga qeveria rumune. Gjatë dëbimit ata gëzojnë privilegje të caktuara; udhëtojnë pa pasaporta të zakonshme, tatimet e vjetëruara shlyhen, zyrtarëve iu kthehen të gjitha paratë e paguar në fondin e pensioneve, rekrutët janë të liruar nga shërbimi ushtarak të mëtejshëm, për transportimin e gjërave me anijeve nuk paguhet taksë, ose transportin e kafshëve, mjetet tjera, e kështu me radhë. Vlera e pronave të emigrantëve, të cilët, për shkak të kohës së shkurtër kan mbetur të pa shitura, sikurse pronat e vakëfeve, qeveria rumune do t’ua paguaj emigrantëve nga burimet e tyre, ndërsa më vonë do të merren vesh me qeverinë turke.
Qeveria e Shqipërisë, e cila më parë ka qenë e gatshëm të pranojë një numër të caktuar të shqiptarëve tanë, tani thotë se kjo nuk mund të bëhet për arsye financiare. Megjithatë, ne besojmë se këtë nuk e bënë për shkaqe kombëtare: ajo nuk dëshiron të reduktojë numrin e Arbanasëve [Shqiptarëv] tek ne për shkak të pretendimeve të ardhshme territoriale. Qeveria turke, në të kundërtën, ka miratuar për emigrantët e saj deri në vitin 1936. 3.000.000 lira turke.
Ligjit mbi Shtetësinë e bëri të mundur për dëbimin e popullatës jo-sllave; por megjithatë ka disa vështirësi nga ana jonë.
Në radhë të parë është vërejtur se është bërë një gabim, për shkak se në mesin e deklaratave për largim gjinden edhe një numër i madh i kërkesave të myslimanëve nga Sanxhaku, të cilët janë megjithatë njerëz tanë. Prandaj nuk ka arsye që ata të largohen nga vendi. Ne ia kemi tërheqë vëmendjen Ministrisë së Brendshme se deklarata të tilla në të ardhmen të popullatës sonë sllave mos të pranohen.
Vështirësi tjetër është likuidimi i pasurisë së patundshme të të shpërngulurave. Kjo çështje deri diku mund të zgjidhet me huanë të cilën Ministria e Bujqësisë mori nga Bankën Hipotekare Kombëtare në vlerë prej 21,800.000 dinarë.
Ne nuk duhet të harrojmë se edhe ata që e kanë likuiduar tashmë pronat e tyre, hasin në vështirësi në marrjen e pasaportave, duke pasur parasysh formalitetet mëdha të mbledhjes së certifikatave. Ministria e Punëve të Jashtme ka propozuar që këto vërtetime të lëshohen sipas detyrës zyrtare.
Ata emigrantë, kryesisht të varfër, nuk munden vetë t’i bartin shpenzimet e transportit. Prandaj, është e nevojshme që të sigurohet transport pa pagesë deri në kufi ose të paktën një zbritje prej 75%. Megjithatë, Ministria e Transportit nuk do të bëjë ndonjë lëshim nga rregullorja për tarifa.
Si do që të jetë, dëbimi duhet të bëhet me një plan të caktuar. Për shkak të kredisë së kufizuar që posedojmë, duhet të përcaktojmë se cilat rrethe, nga arsyet ushtarake dhe politike, duhet në radh të parë t’i shpërngulim.
G. Milivoje MILÇIQ konstaton se çështja e shpërnguljes së myslimanëve nuk është e re, sepse ka ekzistuar që nga viti 1878 (Muhaxhirët). Është e re në raport me § 55, i cili deri në vitin 1933 mbeti vetëm në letër. Më në fund në këtë vit qeveria shqiptare e ka ngitë këtë çështje, me qëllim ë zgjidhjes çështjen e shtetësisë të atyre shqiptarëve, të cilët për çfarëdo arsye kishte ikur nga vendi ynë në Arbani. § 55 vlera e së cilës u cilësua më 1 nëntor të 1933 është vazhduar me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme deri më 1 nëntor 1938. Nga ata që dhënë deklarata, rrallë rrallë kush është shpërngulur duke marrë parasysh faktin, që qeveria shqiptare nuk ka dhënë leje për imigrim.
Deri më tani, janë shpërngulur në Turqi vetëm rreth 20.000. Për Shqipëri janë dhënë rreth 2000 deklarata, por asnjë nga këto nuk iu është dhënë leje për tu vendosur në Shqipëri. Turqit në vendin tonë paraqesin një element të qetë, të shkëputur nga metropoli (Stambolli) nuk u janë nënshtruar propagandës nacionaliste. Tek Shqiptarët situata është krejt e ndryshme në lidhje me faktin se u vendosën në masë të dendur në rajonet kufitare (në disa rrethe mbi 90% nga numri i popullsisë së përgjithshme).
Ne jemi në marrëdhënie miqësore me Turqinë dhe brenda disa muajsh ne mund të zgjidhim çështjen e dëbimit të turqve. Turqia pranon të gjithë njerëzit e kulturës turke dhe në këtë mënyrë do të jemi në gjendje t’i shpërngulim një pjesë të Arbanasëve.
Në asnjë mënyrë viktimat nuk do të ishin të shumta, për tu zgjidhur kjo çështje. Ministria e Bujqësisë, me anë të një organizimi të planifikuar, duhet ta shkatërroj kompleksin Arnaut, duke i vendosur në çdo fshat disa familje tona, dhe përgjatë kufirit me Shqipërinë duhet krijuar një brez të pastër pa shqiptarë.
Z. Vojislav MAGOVÇEVIQ thotë se Ministria e Bujqësisë kryen kolonizimin për 15 vjet me radhë. Më së shumti u shpërngulën nga rajonet pasive(Bosnja, Lika, Hercegovina, Mali i Zi). Me këtë veprim janë konsumuar të gjitha sipërfaqet e lira që i kishim në dispozicion, por janë edhe 17.000 familje të cilat kanë aplikuar për ndarjen e tokës dhe janë në pritje për t’iu krijuar mundësinë për vendosje (kolonizim ) në rajonet jugore. E vetmja zgjidhje e problemit do të ishte, shpërngulja e elementit turk dhe shqiptar, i cili është veçanërisht i fortë në 17 rrethe; atje relacioni është 73% me 27% në dëm të popullatës sonë. Arsyet kombëtare kërkojnë të vazhdojmë me kolonizimin pikërisht pran kufirit shqiptar. Për këtë qëllim, tani Ministria e Bujqësisë ka marrë një kredi prej 21,000.000 dinarë në Bankën Hipotekare Kombëtare për blerjen e pronave turke dhe shqiptare në jug të Serbisë. Nëse dëshirohet të blihen 15.000 hektarë tokë, ku do të mund të vendosen 3000 familjet e kolonistëve tanë, atëherë do të ishte e nevojshme një shumë prej 30.000.000 dinarë. Megjithatë, disa do të donin të fitojnë transport falas deri te kufiri turk, dhe për këtë kishin me dhënë pasuritë e tyre pa pagesë.
Përgjatë zonës kufitare me Shqipërinë, ku është rreth 85% e popullsisë shqiptare, është aktiv edhe Komiteti Shqiptarë, të cilin e ndihmon qeveria shqiptare, e cila inkurajon shqiptarët të mos shpërngulen.
Ne do t’u jepnim para për prona vetëm personave të cilët marrin pasportë valide, të cilët kanë kryer shërbimin ushtarak dhe kanë të paguara të gjitha taksat; ata menjëherë do të hipin në tren. Praktika e mëparshme e policisë së qeverisë sonë, kur ka lëshuar pasaportë me vlefshmëri prej gjashtë muajsh, ishte e gabuar, sepse këta persona nuk kanë humbur shtetësinë, dhe kështu ata u kthyen.
Duhet përpiluar një plan dhe program për shpërngulje me idetë kryesore. Në këtë drejtim, me siguri do të mund të shërbejë si një marrëveshje bazë me Rumaninë.
G. Ilija MILIKIĆ pastaj kalon tek masat të cilat duhen ndërmarrë për eliminimin e vështirësive, të cilat po pengojnë shpërnguljen e popullsisë jo-sllave në bazë të § 55 të Ligjit mbi Shtetësinë. Këtu do të vinte në shprehje: lëshimi i pasaportave pa pagesë, lirimi nga të gjitha detyrimet, dhënia e mundësisë që pa pagesë të arrihet në kufirin shtetëror në këmbim të pasurive të paluajtshme në shfrytëzim të shtetit, nënshkrimi i një konvente me Turqinë, të ngjashme me atë të Rumanisë, lirimi nga shërbimi ushtarak. Gjithashtu, duhet thjeshtuar procedurat administrative me rastin e nxjerrjes së çertifikatave të shumta, të cilat janë të nevojshme për të shpërngulurit.
Me qëllim të zbatimit sa më të shpejtë të këtyre masave në jetë, g.Milikiq propozon organizimin e një Komiteti të ngushtë, në të cilin do të hyjnë g. M. Milçiq, kolonel, J. Sokolloviq, D. Tadiç dhe V. Magovçeviq, me detyrë të hartimit të një projekti të masave të cilat duhet të ndërmerren për të shpejtuar emigrimin e popullsisë jo-sllave, e cila do të paraqitet në Këshillin Ministror për miratim.
Të gjithë të pranishmit u pajtuan me këtë propozim.
Z. Kolonel J. Sokoloviç, thotë se ai ka disa propozime pavarësisht Konventës, e cila do të arrihet me Turqinë, për të përshpejtuar shpërnguljen e popullsisë jo-sllave.
1. Me forcën e ligjit t’i detyrojmë t’i kryejnë të gjitha detyrimet tatimore;
2. Emigrantët të largohen nga trevat e banuara me turq dhe shqiptar, sepse edhe ata të cilët llogariten si miq tanë, bëjnë propagandë kundër shpërnguljes;
3. për shkak se turqit tanë nuk konsiderohen si pakicë kombëtare, të detyrohen fëmijët e tyre të vijojnë shkollat tona kombëtare, sepse deri tani ka ndodhur që tre të katërtat e të rinjve të kësaj ane, të cilët vijnë në shërbim ushtarak, shkruajnë vetëm turqisht;
4. të lëshohen njoftime konfidenciale për ata që nuk shpërngulen, të mos pranohen në shërbime shtetërore dhe as në shërbime publike ;
5. këto treva të shënohen me emra tonë nacional ;
6. të krijojmë zonën e banuar me elemente tona përgjatë kufirit shqiptar. Për këtë qëllim, të fillojmë kolonizimin e hapësirave pran kufitare, kështu që të shkojnë në mënyrë sistematike në drejtim të brendshëm. Kjo çështje të zgjidhet pjesë-pjesë, planin e aprovuar për 10 vitet e ardhshme.
Si masë të parë për organizimin e shpërnguljes të elementit jo sllav g. Kolonel J. Sokoloviq propozon krijimin e një komiteti të përhershëm intern, i cili do të mbetet i tubuar me përgjegjësi të plotë, pavarësisht juridiksionit.
Të gjithë që ishin të pranishëm u dakorduan me këtë propozim.
Konferenca sjell konkluzionin e mëposhtëm:
1. Duhet iniciuar çështjen e shpërnguljes me qeverinë turke dhe të përpiqemi për të zgjidhur të njëjtën gjë në një mënyrë të ngjashme si ajo që bëri Rumania, pra përmes një konvente speciale.
2. Kushdo që dëshiron të shpërngulet, duhet t’iu epen pasaporta pa pagesë.
3. Të gjitha këta persona duhet të jenë të liruar nga detyrimet ndaj shtetit (tatimet, taksat vendore, etj).
4. Atyre që ofrojnë pasuritë e tyre të patundshme në këmbim të transport falas deri në kufi, t’ju bëhet e mundur një gjë e tillë, ndërsa atyre të cilët i kanë shitur pasuritë t’ju mundësohet 75% zbritje.
5. Këta persona duhet liruar nga pagesa e detyrimeve të inventarit të vdekur, të cilin e bartin me veti, sikurse edhe paratë.
6. Ministria e Ushtrisë dhe Marinës tashmë ka nxjerrë një urdhër që të gjithë personave, të cilëve u jepet leja për shpërngulje pa marrë parasysh se a kanë obligime ushtarake. Gjithashtu, duhet liruar ata që duan të shpërngulen, edhe nëse janë në kryerjen e shërbimit ushtarak.
Komiteti i ngushtë, do të përpiloj një plan projekt për shpërngulje, i cili në konferencat e ardhshme ndërministrore definitivisht të pranohen dhe t’i dorëzohet Ministrit të Bujqësisë. Zoti ministër i Bujqësisë do ta sjellë para Këshillit Ministror, i cili do të sjellë zgjidhjen e caktuar.
U mor vendim që komiteti i ngushtë të takohet më 24 shtator 1935. Në ora 9 në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Seanca përfundoi në ora 20.
Proces mbajtës Dr. Feodor Koreniç d.v, Dr. Jozo Logar d.v.
Takimin e kryesoi Ilia Milikić d. v.
20 shtator 1935. Beograd
Projekti i Konferencës së Komitetit të Ngushtë mbi shpërnguljen e elementit jo-sllav nga jugu i Serbisë
Për zgjidhjen e vendimeve te Konferencës ndërministrore të 20 shtatorit të 1935, komiteti i ngushtë është takuar më 24 shtator të këtij viti, i cili për çështjen e shpërnguljes së popullsisë jo-sllaves së vendit tonë, konkretisht nga Serbia Jugore, sipas nenit 55 të Ligjit për Shtetësi, ka marrë këtë përfundim:
1. Çështjen e shpërnguljes duhet rregulluar sa më shpejt sipas konventës speciale midis vendit tonë dhe Turqisë, si dhe në mes vendit tonë dhe Shqipërisë, sipas formës që kjo çështje është rregulluar ndërmjet Turqisë dhe Rumanisë.
2. Në rast se me Shqipërinë nuk mundemi të arrijmë marrëveshje për shpërnguljen e Shqiptarëve në Shqipëri, ose shqiptarët të cilët nuk dëshirojnë të shpërngulën në Turqi, duhet menjëherë të aplikohen ligjet në fuqi për detyrimin e këtij elementi të zhvendoset nga zona kufitare në brendësi dhe të njëjtat treva të popullohen me popullsi sllave.
3. Për të gjithë ata persona të cilët, në bazë të nenit 55 të Ligjit për Shtetësi t’u ipen deklaratat me të cilat do të heqin dorë nga shtetësia jonë, për një kohe të caktuar të shpërngulen jashtë vendit tonë, t’u mundësohen përfitimet e mëposhtme:
a) t’iu lëshohen pa pagesë pasaporta të emigrantëve, sipas rrethanave edhe kolektive;
b) të lirohen nga të gjitha detyrimet ndaj shtetit (taksat, tatimet, ushtria, etj);
v) në rastin kur personat të cilët shpërngulën, kanë hipoteka dhe borxhe private (letra me vlerë, obligacione dhe dokumente të ngjashme), të bëra deri më 1 shtator 1935, t’iu paguhen pasuritë të tyre të paluajtshme në vlerën e paraparë ;
g) t’ju sigurohet transporti pa pagesë deri në Selanik dhe Svilengrad, nëse kanë deklaruar se të gjithë pasurinë e tyre e paluajtshme t’ia lënë shtetit tonë. Gjithashtu kjo vlen edhe për emigrantët e varfër;
d) t’ju lejohet zbritje në shfrytëzimin e hekurudhave për 75% e personave të cilët qëndrojnë mirë financiarisht apo që më herët kanë shitur pronat e tyre;
f) të lirohen nga të gjitha pagesat për eksportin e inventarit të vdekur dhe të të hollave;
e) të lirohen nga momenti i dhënies së deklaratës për shpërngulje nga: rekrutimi, dërgimit në ushtri, shërbimit ushtarak, ushtrime ushtarake. Nga kjo mund të bëhet përjashtim, nëse shpërngulën brenda një viti nga data e dhënës së deklaratës.
4. Për një migrim më të suksesshëm dhe më të shpejtë të popullsisë jo-sllave në Turqi, ose Shqipëri, komiteti ka ardhë në përfundim se është e dobishme për të marrë këto masa:
a) me të gjitha mjetet të parandalohet dhe të përjashtohet çdo propagandë që bëhet në mesin e këtij elementi kundër shpërnguljes e cila kryhet nga Shqipëria;
b) nga popullsia jo-sllave që vjen në konsiderim për shpërngulje, të kërkohet zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve ekzistuese, veçanërisht ato që lidhen me pagesën e detyrimeve fiskale (tatimet, mbi-tatimet, shërbimet ushtarak, etj);
v) sa më shpesh të jetë e mundur në territorin e Serbisë së Jugut, veçanërisht nga trevat kufitare të thirren në ushtrime ushtarake, ushtri rezervë me origjinë jo-sllave, pa marrë parasysh ushtrime apo manovra, qoftë për ndërtimin e rrugëve ose objekteve fortifikuese;
g) kryesisht mos të pranohen në shërbimin civil (dhe publik) personat të cilët janë emigrant potencial, ndërsa ata që tashmë janë në shërbime të tilla, të shpërndahen në zona ku jeton popullsia jonë;
d) të zbatohet në mënyrë rigoroze principi i arsimimit të detyrueshëm të fëmijëve të këtyre trevave në shkollat tona fillore;
f) në mënyrë strikte të zbatohen të gjitha rregullat e popullimit të rajoneve jugore, kryesisht viset kufitare) menjëherë të ndërmerren masat e shtetëzimit të objekteve gjeografike (vendbanime,lumenj, male, etj) me emërtime tona. Kjo vlen për mbishkrimet publike, emrat e kompanive, reklamave, etj;
e) Të gjitha masat e përmendura, tërësisht dhe menjëherë duhet të zbatohen duke filluar nga vija kufitare me Shqipërinë drejt brendësisë së vendit tonë.

24 shtator 1935. Beograd

Filed Under: Histori Tagged With: Dy vendime “ për shpërnguljen, e suksesshme, Ismet hazizi, te shqiptareve

MBRTERESHA ,LA DIVINA HYJNORE, E MAGJISHMJA INVA MULA

February 7, 2015 by dgreca

Intervistë e Raimonda Moisiut me Sopranon Lirike, Artisten e Shquar me famë botërore,Inva Mula/
Bota e Operës është një piramidë gjigande, ku shumë pak arrijnë të kapin majën e e saj. Madhështore po aq edhe magjepsëse, të intepretuarit në stilin klasik, madhështia e talentit dhe kredencialeve të arritjeve dhe sukseseve të saj, e kanë rradhitur Artisten e Shquar shqiptare, Sopranon lirike operestike, Inva Mula, këtë artiste, në krye të Epokës së Artë të Sopranove të shquara me famë botërore. Kritikët e artit dhe të operas në Shqipëri dhe në mbarë botën e kanë vlerësuar teknikën, vokalin, zërin dhe intepretimet dramatike të saj, si nga më të talentuarit e profesionalë. Repertori i Artistes Shqiptare me famë botërore shkon nga veprat klasike të Verdi-t dhe Pucini-it, George Bizet, etj. E lindur, rritur dhe edukuar nga dy prindër artistë dhe muzikantë, Inva Mula e filloi karrierën si soprano që në moshë fare të re. Në lidhje me teknikën e zërit që në moshën 16 vjecare, ajo ka marrë mësime në piano dhe ka studjuar muzikën seriozisht. Në vitin 1987-ë ajo fitoi konkursin e Cantante d’Albania në Tiranë dhe në 1988-ë fitoi kompeticionin George Enescu në Bukuresht. Në vitin 1992 ajo fitoi një tjetër kompeticion Butterfly në Barcelonë, duke u vlerësuar me Cmimin të Placido Domingo në Operalia International Opera në Paris, 1993-e. Ndër vitet më pas Inva Mula debuton krahas tenorëve të famshëm në Opera Bastille në Paris, në Bruksel për Europalia Mexico, në mynih dhe në Oslo. Në 1996-ë, ajo interpretoi në Opera Médée, të Luigi Cherubini-dhe ju rikthye operës së George Bizet, La Jolie fille de Perth, dhe në vitin 1998-ë ajo incizoi La RONDINE të Pucini-t, së bashku me Angela Gheorghiu për EMI, dhe në 2005-ën, ajo mori rolin kryesor atë të Magda-s, gjatë cfaqjeve në Tuluzë dhe Paris. Artistja Shqiptare do të interpretonte versionin klasik të Ivan IV-t të George Bizet- me debutimin e saj recital, në Salle Pleyel në Paris. Më pas ajo debuton në Itali , duke përformuar Falstaff të Verdi-t në Teatro Alla Scala dhe Rigoletto në Verona Arena. Inva Mula ka intepretuar në Lucia di Lammermoor, La Boheme, dhe Manon, ndër të tjera. Ajo është shumë e njohur dhe e famëshme si Violetta në La Traviata, jo vetëm si roli i parë në TOB, por do të ishte ky rol që i hapi dyertë e shumë Teatrove botërore dhe për shumë vite unë ka interpretuarViolettën, sikur të isha e destinuar për këtë kryevepër të repertorit operistik të saj, duke e interpretuar këtë rol në shumë qytete e shtete në mbarë botën, duke përfshirë Tokio, Bilbao, Orange, Trieste dhe Toronto, por që i dha edhe famën Artistes Shqiptare. Në vitin 2007-ë, ajo interpretoi , Adina në operën L’elisir d’amore në Tuluz, dhe në 2009 ajo interpretoi rolin kryesor të Mireille e Gounod-së në Opera e Parisit, Palais Garnier. Ajo gjithashtu është e njohur duke përformuar zërin e Diva Plavalaguna në film Fifth Element.Artistja Shqiptare nuk ndalet! Ajo vazhdon të debutojë në skenat prestigjioze botërore. Talenti i saj muzikor, i kanë dhënë asaj vlerësimin në botë si La DIVINA-Hyjnore! Në këtë intervistë –që unë e quaj veten me fat e të privilegjuar të intervistoj një Artiste të Shquar me përmasa botërore,-Inva na rrëfen se cilat janë dashuritë e dhe sukseset e saj. Për më shumë ndiqni intervistën
Bisedoi Raimonda MOISIU /
-Përshëndetje, më pëlqen të jem e drejtpërdrejtë me Ju. Ju jeni tashmë një prej sopranove me popullaritet botëror dhe më të mira shqiptare, që po debutoni me shumë sukses në skenat europiane, botërore dhe sigurisht ato të origjinës, shqiptare. A është karriera gjëja më e rëndësishme në jetën tuaj?
Edhe unë për të qenë e drejtpërdrejtë, dëshiroj të them se dikur kam menduar që karriera ishte gjëja më e rëndësishme për mua. Unë nuk egzistoja si person, por ajo që unë ndërtoja artistikisht ishte, qenia ime etj. Etj. Kur mendoj tashmë sa larg të vërtetës sime kam qenë, më vjen të buzëqesh me veten.
Në fakt një artist në vitet e para të suksesit duhet t’i kaloj këto faza, por ka kolegë, që nuk e kalojnë asnjëherë këtë fazë, ndërsa une jam e cliruar nga kjo ndjenjë narciziste, e cila i ka lënë vendin egzistencës time personale dhe përparësive që unë kam zgjedhur në jetë.
-Na tregoni dicka për historinë e zërit tuaj dhe kush mendoni se një sporano e bën të jetë e vetëdijshëme, se si ka qenë zëri i saj, dhe kur keni filluar të këndoni?
-Historia ime ka qenë e ndryshme, duke qenë se edhe prindërit e mij, ishin këngëtarë operistikë. Fillimisht doja të bëja si nëna ime dhe si gjithë fëmijët, të cilët kanë dëshirë të imitojnë. Bëja të njëjtat ushtrime dhe pjesë nga arjet që këndonte mamaja deri në momentin kur një ditë ata më thanë nëse do vërtetë të bëhesh këngëtare lirike duhet të mësosh teknikën vokale. Nëse jo, do ngelesh në nivel amator dhe kjo nuk mjafton për t’u bërë dikushi në jetë!
– Ju keni bërë debutimin e rolit kryesor të një prej operave më të famshme,(vendos titullin e operes e dashur Inva ) në TOB –Kombëtar –Tiranë dhe në disa shtete të Europës e gjetiu në botë,.Si do t’i krahasonit këto eksperienca të jetës suaj?
Në fakt roli im i parë në TOB ka qenë Violetta në La Traviata dhe po ky rol më ka hapur dyertë e shumë Teatrove botërore dhe për shumë vite unë interpretoja Violetten, sikur të isha e destinuar për këtë kryevepër të repertorit operistik. Nëse nuk do t’i kisha hedhur këto hapa të parë të ndrojtura, por me entuziazmin e një 22 vjecare në TOB, nuk besoj se do kisha sigurinë ta interpretoj këtë rol në Scala të Milanos, në Arenën e Veronës, në operën e Parisit në Coven Garden të Londrës etj etj. Dhe besoj se po të këndosh në këto maja të teatrove operistike, e kupton që sa afër dhe sa larg është suksesi. Larg kur nuk e ke akoma , afër kur e përjeton, por gjithmonë me dyshimin nëse je në një ëndërr, të paktën kështu kanë qenë përjetimet e mija .
Për kohë të gjatëka qenë roli i Violettës roli im i preferuar për forcën e madhe dramatike dhe faqet e shkëlqyera muzikore që Giuseppe Verdi i ka gdhendur këtij personazhi.
-Kush janë disa nga sopranot e shquara nga Epoka e Artë e operistikës botërore, në rregjistrimet e të cilave ju gjeni veten?
Unë dëgjoj shumë dhe mundohem të frymëzohem nga shëmbujt më të mirë. Kur jam përpara një roli të ri, e dëgjoj në shumë variante dhe nxjerr mësime nga të gjithë. Kam shumë këngëtarë të preferuar. Por ajo që të mëson vetëm nga mënyra se si këndon pa e parë, është Mirella Freni dhe e kam patur gjithnjë si një pikë referimi .
-Mekanizmi tuaj debutues është mbresëlënës. Në cfarë moshe keni filluar të mendoni në lidhje me teknikën, si ta përmirësoni atë,-dhe cila nga këto mekanizma në kulturën tuaj muzikore është më e vështirë për Ju?
Në lidhje me teknikën e zërit kam filluar në moshën 16 vjecare, por që e vogël kam marrë mësime në piano dhe kam studjuar muzikën seriozisht. Nëna ime ka qenë shumë rigoroze dhe si një profesioniste nuk mund të linte që unë të edukohesha muzikalisht vetëm për argëtim. Ka patur momente kur dëgjoja zërat e shoqeve të mija që luanin në oborr dhe unë duhet të luaja ushtrimet e pianos pa lëvizur nga vendi. Po ju them se kjo nuk është aspak e lehtë për një fëmijë, por vendimtare për një artist të ardhshëm .
-Dhe gjatë kësaj karriere mbresëlënëse, a jeni ndjerë ndonjëherë nervoze apo e lodhur?
Të ndjehesh nervoze apo e lodhur është pjesë e lojës dhe nuk mbaron vetëm me kaq !
-Është e vërtetë se të gjithë muzikantët ndajnë të njëjtën dashuri për muzikën dhe të njëjtin motivim për punën e tyre? Sa individualizëm mund të përballojnë orkestrantët?A ju motivojnë ata? Si e gjeni ekuilibrin e duhur mes përformancës individuale dhe përformancës të orkestrëës?
Nuk di të them nëse të gjithë muzikantët ndajnë të njëjtën dashuri dhe passion. Kjo varet nga individi, ashtu si dhe në jetë nuk jemi njësoj mendoj. Njerëzit e një profesioni nuk mund të jenë të tillë.Kur jam në skenë mendoj gjithnjë: Ç’e shtyn një artist të përballojë sfidën e përgjithësisë dhe kush ja jep këtë forcë për të përballuar sytë dhe veshët e mijëra spektatorëve, të cilët fokusohen në një “trim të vetëm në fushën e betejës”, ndërsa muzikantët e orkestrës ndajnë përgjithësinë e grupit dhe ekspozimi i tyre nuk është i kësaj përgjithësie natyrisht.
-Një nga aspektet më interesante të punës tuaj duhet të jetë me siguri sfida e koordinuar mes këngëtarëve të operës dhe aktorëve. Cili është sekreti i komunikimit të ideve tuaja me ta në një vepër operistike?
Një këngëtar operistik duhet të jetë dhe një aktor i mirë. Sot nuk mjafton vetëm një zë i bukur, por një artist i kompletuar. Gjithnjë e më shumë kërkohet nga regjizorët një “aktor që këndon bukur” dhe jo një këngëtar që aktron, pasi janë kërkësat e tilla. Madje kërkohen dhe këngëtarë operistik me fizik të mirë, nuk mjafton vetëm zëri i bukur në një botë arti kaq kompetitiv .
-Si arrini ju të krijoni rolin me partnerët meshkuj në një skenë dashurie? A ka ndonjë mënyrë për të vepruar natyrshëm, që të vazhdoni ta mbani atë në nivelin profesional?
Pyetje që më bëhet për herë të parë në një intervistë, por që është shumë interesante për t’u shtjelluar. Më ka qëlluar të interpretoj një skenë dashurie me partnerin dhe nëse provat kanë filluar më përpara dhe të kem ardhur me vonesë, të mos dij as emrin e personit në fjalë. Në fakt kësaj i thonë të jesh në “pozitë të vështirë”. Por, qëllon të kesh partner një koleg, shok me të cilin ke interpretuar më parë dhe ti kalosh këto momente në mënyrë sportive.Vërtet vjen një moment që ti harron se kush je dhe futesh në petkun e personazhit, kështu kalon dhe momenti i ndrojtjes, duke i lënë vendin profesionalizmit. Është vërtetëgjuha e trupit dhe personazhi që rilind në personin tënd, i cili futet në kontakt me ngjarjen dhe raportin me të tjerët, të bën të harrosh kush je dhe cilën epokë apo ngjarje je duke përjetuar.
-Do doja t’iu pyesja se në ç’raport është lidershipi i sopranos me muzikën simfonike kundrejt asaj operistike? A keni më shumë liri në interpretim?
Të interpretosh një personazh operistik dhe të jesh në skenë ne versionin koncertal janë dy këndvështrime të ndryshme. Sigurisht në versionin e dytë ke lirinë, për të krijuar një spektakël pa petkun e personazhit, kështu ti krijon dhe jep në njëfarë mënyre më shumë nga vetvetja .
-C’mund të na thoni në lidhje me kulturën muzikore dhe atmosferën artistike në Shqipëri? Cfarë do të dëshironit të kishte bota shqiptare nga kultura muzikore e atyre vëndeve të huaja ku ju keni debutuar, vecmas e Parisit?
Arti dhe kultura i një kombi shkon paralel me zhvillimin e tij ekonomik. Kur sot në Shqipëri akoma diskutohen dritat, uji, rrugët nuk mund të pretendojmë që lulëzon arti. Fatkeqësisht ne diskutojmë sot për probleme egzistenciale, për shumicën e popullsisë, por nuk mund të mohojmë arritje të individëve të talentuar, të cilët nuk i kanë munguar dhe i mungojnë kombit tonë. Sot të jesh artist në Shqipëri dhe të paguhesh si i tillë, është shumë larg asaj që duhet, prandaj dhe shumë syresh i janë kthyer artit komercial , që është për të mbushur mbi të gjitha barkun. Problemet janë të ndryshme dhe në të gjitha fushat e artit, të diskutosh për to, nuk ke nga ta fillosh, pasi dhe zinxhiri i funsksionimit të dikurshëm të institucioneve artistike është prishur. Ajo që dhemb më shumë është se shteti nuk e ka në listën prioriteteve të tij mbështetjen e artit e anash kalon për t’i lënë vendin zhvillimit kaotik që po merr cdo hallkë e zinxhirit artistic. Nuk e di deri kur do vazhdojë kjo, por frytet e kësaj gjendje do t’i paguajnë brezat që do vijnë dhe do të jenë të pariparueshme konseguencat.
-Sipas mendimt tuaj, cfarë është qëllimi maksimal i Artit?
Definicioni im për Artin është: Liri e shpirtit për ta shprehur atë në formën me sublime të krijimit të formës artistike .
-A jeni duke punuar në ndonjë projekt tani-për –tani? A mund të na jepni ndonjë informacion në lidhje me të?
Projektet janë të shumta në fushën e interpretimit, por ajo që për mua është tepër interesante dhe e vecantë është një bashkëpunim që do të kem në muajin maj me TOB për të interpretuar dhe vënë në skenë operën Pagliacci të kompozitorit italian Leoncavallo. Unë vij për herë të parë si regjizore e spektaklit, por e kam thënë dhe më parë, jo për të filluar një karrierë të re, atë si regjizore, por për të realizuar dhe konceptuar një produksion, i cili është frut i eksperiencës dhe vizionit tim të spektaklit nga fillimi në fund. Kjo do jetë një sfidë e re në karierën time dhe jam duke punuar fort për t’ja arritur qëllimit .
-Kur jeni ndjerë krenare për punën tuaj?Dhe pse?
Kur realizova koncertin Rrugëtimi i Kombit në 28 Nëntor 2012-ë, në Pallatin e Kongreseve, për rëndësinë e ngjarjes, por mbi të gjitha kushtet e vështira të realizimit të këtij projekti.
-Cfarë është dashuria për Ju, dhe kur e ndjen një grua se është e dashuruar!
Dashuria për mua është përjetim, i cili nuk përkthehet me fjalë. Nuk pres të ma japin dashurinë të tjerët, për ta ndjerë atë, si dhuratë, por jap në cdo moment dashuri nga e imja, për ta ndjerë që ajo egziston dhe atë që ti jep, të kthehet e shumëfishuar.
-Cfarë ju lidh me Kosovën, vecmas me Gjakovën? Po me Rusinë?
Kosava dhe Rusia janë dy vendet ky u lindën prindërit e mij dhe sigurisht unë si fëmijë jam rritur dhe me imagjinatën e këtyre dy vendeve të kulturave dhe gjuhëve të ndryshme dhe pa patur mundësinë për t’i vizituar në ato kohë. Thënë kjo në ambientin ku unë jam rritur, ëshëe folur për gjithshka dhe ka patur gjithnjë shumë hyrje dalje, shumë shoqëri, shumë miq, shumë festa. Kështu unë u rrita si një vajzë kryeqyteti, ku dhe nëna ime e donte pafund Tiranën megjithëse erdhi në moshën 28 vjecare, për mos folur për babain që ishte 16 vjecar kur zbarkoi në Tiranë .
Kur mendoj qëedhe unë u largova nga Tirana në mosheën 28 vjecare dhe vazhdoj të udhëtoj pafund nëpër botë pa gjetur akoma vend-qendrimin ideal, e kam vështirë të përkufizoj cfarë kam marrë dhe cfarë kam lënë nga “rrënjët e mija ”
Përsa i përket formimit tim artistik këtë ja dedikoj prindërve të mij, që më dhanë në radhë të parë dashurinë për artin, dijen për artin, sakrificën për artin, seriozitetin dhe profesionalizmin për artin dhe bënë që jeta ime falë artit të ishte më bukur dhe një ëndërr që jetohet cdo ditë.
-Sa ju mbështet familja në karrierën tuaj artistike?
ARTI është përkushtim. Shumë herë jam ndjerë në faj për kohën që nuk mjaftonte për t’u kujdesur për familjen dhe fëmijët e mij, por një gjë e di që perkushtimi im shpirtëror për familjen time është në të njëjtin intensitet, për atë që në jetë quhet ART.
Ju faleminderit!
Bisedoi: Raimonda MOISIU

Filed Under: Interviste Tagged With: flet Per Diellin, Inva Mula, Raimonda Moisiu

Ja pse ndodhin përmbytjet në jug

February 7, 2015 by dgreca

Flet Prof. Niko Pano, kryetar i shoqatës “Mbrojtja dhe Ruajtja e Ujërave të Shqipërisë”/
-Duhen ndërtuar urgjent kaskadat e Devollit, Vjosës, Shkumbinit që të ndalohen përmbytjet/
– Kemi lartësi mesatare të madhe të relievit, intensitet të madh reshjesh dhe reliev të thyer/
-Për përmirësimin e gjendjes nuk duhet të përmbahemi tek masat administrative por tek ato shkencore/
– Pra kemi një potencial ujor shumë të fuqishëm, por shumë delikat, shumë “aristokrat”/
– Shkenca shqiptare duhet ti dali zot dhe ta menaxhojë hidroekonominë shqiptare/
– Ministria e Bujqësisë, Ministria e Mjedisit, dhe ajo e Energjetikës duhet të bëjnë një plan shkencor
– Volumi i prurjes maksimale të Vjosës është 888 milion metër kub ujë. Kjo prurje e plotë vazhdon 5-6 ditë.
-2 000 metro kub ujë dalin jashtë shtratit të Vjosës dhe bëjnë përmbytjet
– Reshjet maksimale në Shqipëri arrijnë nga 350-450 mlm brenda 24 orëve
– Prurjet maksimale nuk rregullohen aty ku derdhen, por aty ku formohen në zonën malore të territoret.
– Vjosa e ka prurjen maksimale në 100 vjet 4450 metra kub ujë në sekondë
– Zona e degradimit nga këto reshje është nga Zvërneci deri në derdhjen e Semanit
– Është e papranueshme që kjo tokë dikur pjellore, të mbetet e pa shfrytëzuar për shkak të kripëzimit
– Deformimi i shtratit të lumit sjell probleme të pallogaritshme.
– Dëmtimi i mjedisit, prerja e pyjeve, zhveshja e pyjeve, marrja pa kriter e inerteve, kanë prishur ekuilibrat natyror
– Masat e qeverisë, janë të domosdoshme dhe efikase, por janë shumë të përkohshme
– Ndryshimet klimaterike janë shumë më të ndjeshme në Shqipëri se vendet e rajonit
– Baza e këtyre problemeve, përmbytjeve sot, është impakti i ndryshimeve klimatike
Nga Albert Z. ZHOLI/
Ditët e fundit, jugu i Shqipërisë po kalon një situatë të vështirë për shkak të reshjeve të shumta të cilat kanë sjellë përmbytje dhe shumë dëme materiale. Me gjithë masat e shumta administrative të shtetit, dëmet janë të pallogaritshme. Lind pyetja: Pse kanë ndodhur përmbytjet në jug? Sipas dy specialistëve më të mirë të burimeve hidrike, shkaqet janë të shumta por që zgjidhja kërkohet në shkencë dhe jo vetëm në masat administrative. Sigurisht që qeveria po merr masa të mira, por janë të pamjaftueshme, pasi problemet janë të mbartura theksojnë specialistët. Vendi ynë është një vend me reshje të shumta, ndër vendet me reshje më të mëdha në Europë dhe përmbytjet do të jenë gjithmonë prezent, por nga ana tjetër, për 25 vjet janë prishur shumë kolektorë, hidrovorë, delta të lumenjve, sikundër janë bërë ndërtime dhe në zona ujëmbajtëse. Por kryesorja është që në 25 vjet demokraci nuk është ndërtuar asnjë kaskadë e re si e Fierzës që të pengojë përmbytjet. Ja si shprehen dy specialistët e mirëfilltë për gjendjen në jug

Reshjet problemi i ditës në Shqipëri ku kemi përmbytje dhe dëme të mëdha materiale. Nga se kanë ardhur këto dëme?
Arsyet janë të shumta. Kemi lartësi mesatare të madhe të relievit, intensitet të madh reshjesh dhe reliev të thyer. Nuk po ndërtojmë kaskadat e tjera në Devoll, Vjosë Shkumbin që kështu me këto projekte frenojmë prurjet maksimale. Jemi shumë të ekspozuar ndaj reshjeve. Por, ky problem nuk zgjidhet vetëm me masa administrative, situata duhet menaxhuar shkencërisht dhe jo vetëm administrativisht. Ministria e Bujqësisë, Ministria e Mjedisit, dhe ajo e Energjetikës duhet të bëjnë një plan shkencor, pasi projektet për kaskadat janë gati. Pse kanë ndodhur përmbytjet në jug? Sepse Shqipëria ka një potencial të lartë hidrik, madje jemi vendi me potencial më të lartë, më të madh në Europë, Ne kemi modulin e rrjedhjes 30 metër në sekondë për kilometër katror, nga më të lartat në Europë, ku reshjet shkarkojnë 1308 metër kub ujë në sekondë. Kemi variacione të mëdha gjeofizike,d.m.th, prurjet në dimër janë shumë të larta, dhe e dyta ka variacione ndaj ciklit 100-vjeçar. Pra kemi një potencial ujor shumë të fuqishëm, por shumë delikat, shumë aristokrat. Atëherë ndryshimet klimaterike janë shumë më të ndjeshme në Shqipëri se vendet e rajonit por do të jenë akoma më të ndjeshme në të ardhmen. Prandaj nëse hidroekonomia shqiptare nuk do mbështet në shkencë, por do të mbështetet vetëm në administratë dhe në masa administrative si kanale, hidrovore, kullime (pra nëse nuk do të menaxhohet shkencërisht) problemet do të jenë edhe më serioze. Jam shumë dakord me masat e qeverisë, ato janë të domosdoshme dhe efikase, por janë shumë të përkohshme. Ne duhet të jemi shumë më të ndjeshëm ndaj impaktit të ndryshimeve klimaterike, pasi jemi shtet me potencial të madh ujor. Reshjet në Shqipëri arrijnë nga 450-500 mlm në vit. Pra ka një shkarkim të jashtëzakonshëm të reshjeve të cilat sjellin prurje të mëdha. Ndaj shkenca shqiptare duhet ti dali zot, dhe ta menaxhojë hidroekonominë shqiptare. Është normale që vendi ynë është i ndjeshëm nga këto dukuri. Dhe baza e këtyre problemeve sot është impakti i ndryshimeve klimatike. Por ne nuk po shfrytëzojmë kapacitetin hidroenergjetik të vendit.
Si do ti cilësonit prurjet e lumit Vjosa?
Vjosa e ka prurjen maksimale në 100 vjet 4450 metra kub ujë në sekondë. Volumi i prurjes maksimale, të plotë, është 888 milion metër kub ujë. Kjo prurje e plotë vazhdon 5-6 ditë. Aftësia ujëheqëse, ujë thithëse, e lumit drejt detit është 2500 metër kub në sekondë, që kështu, gati 2 000 metro kub ujë dalin jashtë shtratit dhe bëjnë përmbytjet. Është shqetësuese, por kjo situatë dëmin më të madh e sjell në zonën e bregdetit dhe që e degradon atë.
Si degradohet dhe cila është kjo zonë që degradohet?
Zona e degradimit nga këto reshje është nga Zvërneci deri në derdhjen e Semanit. Ky degradim që ndodh, e ka kthyer tokën në të pashfrytëzueshme. Kështu krijohet difuzioni i kripës, sepse uji i kripur me ujin e ëmbël përzihen. Është e papranueshme që kjo tokë, kjo hapësirë kaq e bukur, dikur aq pjellore, të mbetet e pa shfrytëzuar për shkak të kripëzimit. Nuk është e pranueshme që grykëderdhja kaq e bukur të lihet në mëshirën e ujit të pa orientuar. Përmbytja degradon territorin, jo vetëm njerëzit.
Po si mund të rregullohet apo anashkalohet përmbytja?
Prurjet maksimale nuk rregullohen aty ku derdhen, por aty ku formohen, në zonën malore të territoret. Prandaj të ndërtohen kaskadat. Ndërtimi i tyre prodhon energji dhe ruan mjedisin. Dëmtimi i mjedisit, prerja e pyjeve, zhveshja e pyjeve, marrja pa kriter e inerteve, kanë prishur ekuilibrat natyror. Të gjitha këto probleme prishin shtratin e lumit. Deformimi i shtratit të lumit sjell probleme të pallogaritshme.
Duke u ndalur në këtë pikë…sa është shfrytëzuar kapaciteti hidroenergjetik në vendin tonë?
Mund të them aspak. Përkundrazi, është lënë në mëshirë të fatit. Aktualisht sot në Shqipëri është shfrytëzuar vetëm 30 për qind e kapacitetit hidroenergjetik, që bën një masë shumë të vogël në raport me realitetin. Ne ndoshta jemi vendi që kemi shfrytëzuar më pak se të gjithë burimet hidrike të vendit. Vende të tilla si Zvicra, Spanja apo Franca kanë shfrytëzuar rreth 90 për qind. Pra të gjitha këto tregojnë interesin e lartë që kanë treguar këto vende për energjinë hidrike si një nga ndërmarrjet kryesore për sigurimin e energjisë elektrike.

Cilat janë lumenjtë më të pashfrytëzuar të vendit tonë?
Lumenjtë më kryesorë ku ne nuk kemi bërë hidrocentrale apo që janë lumenjtë më të pashfrytëzuar, janë lumenjtë e Drinit të Zi dhe lumit Vjosa. P.sh në ish –Jugosllavi, në Drinin e Zi, ka tre hidrocentrale ndërsa ne jemi vendi që nuk kemi marrë asnjë nismë mbi këtë lum me kapacitete hidrike mjaft të mëdha. Por akoma më shumë është lumi Vjosa, i cili mund të themi se nuk është shfrytëzuar fare. Ato hidrocentrale të vegjël që janë bërë mbi Vjosë janë fare të papërfillshëm.

**************
Akademik Farudin Hoxha: Rrënjët e pemëve e bëjnë të patundur tokën. Toka rri në krye

Në një intervistë të zhvilluar vitin e kaluar me akademik Farudin Hoxha, për problemet e përmbytjeve shprehet:

-Mbeturinat e spitaleve të Gjirokastrës janë në lumin Drino dhe bëhen burim sëmundjesh
-Janë prishur argjinaturat, hidrovoret, deltat e lumenjve janë devijuar dhe janë bërë ndërtime në fusha
– Kaskadat lehtësojnë përmbytjet, ato mbajnë nën kontroll disa mijëra metra kub ujë.

Kush janë lënë në mëshirë të fatit në Shqipëri, cilat rezerva natyrore?
Pyjet. Pyjet janë metalurgji prodhimesh. Sa kalon Qafë-Thanën dhe futesh në Maqedoni është natyrë tjetër. Sepse çdo zonë ka rojtarët e vet. Kjo varet nga mirëmbajtësit e pyllit. Ata kanë mirëmbajtje të çdo peme me numër. Pylli është një kombinat i madh pa fund. Pylli ka mishin dhe lëkurën e kafshëve të egra pa fund, si derrin, kaprolli, dhelprën. Në Lezhë ka pasur derra të egra pa fund dhe tani aty nuk janë më sepse filluan të presin pyllin.

– Prerja e këtyre a ka ndikuar shumë në Shqipëri?
Ka ndikuar në pyje. Toka është një betonarme. Rrënjët e pemëve e bëjnë të patundur tokën. Toka rri në krye. Pylli nuk është vetëm që e bën zero erozionin. Pylli është një rezervuar i madh i lagështisë dhe i ujit. Në vendet ku ka pyje, në behar vazhdon e rrjedh uji. Pylli është një kompleks industrial që ka disa uzina dhe disa fabrika. Duke filluar nga kërpudhat, që nuk shiten në Shqipëri, ndërsa në vendet e perëndimit ato janë me shumicë. Aty ku ka pyje ka reshje. Pyjet në zonat tona malore janë të zhveshura.

– Po lumenjtë e jugut janë më të pastër se sa të Shqipërisë së mesme?
Ndotja ka filluar në të gjithë Shqipërinë. Mbeturinat e spitaleve të Gjirokastrës janë në lumin Drino. Dhe thonë kush futet në lumin Drino, njerëzit janë mbushur me plagë dhe janë shtruar në spital. Për këtë, emisionet televizive duhet të kenë një propagandë të paktën dy orë në ditë. Këto nuk janë vetëm edukuese por kanë edhe sensin shkencor brenda.

-Pse kanë ndodhur shpesh përmbytje në veri?
Pasi janë prishur argjinaturat, janë prishur hidrovoret, deltat e lumenjve janë deformuar, devijuar nga ndërtimet dhe janë bërë ndërtime në fusha ku dihet që bëhen përmbytje. Po të eliminohen këto për disa ditë rregullohet çdo gjë.

– Pse ndodhin sot përmbytja dhe nuk ndodhnin në kohën e diktaturës?
I shpjeguam më lart. Por në veri tokat nuk i përmbysin hidrocentralet. Njerëzit disa herë i interpretojnë gabim ngjarjet. Duhet të jemi realist. Hidrocentralet nuk mund ta mbajnë të gjithë këtë ujë që bie. Ku ta çojnë? Po sikur të mos ishin këto hidrocentrale, ku do të shkonte ai ujë? Kur vjen periudha me shumë shira, kaskadat nuk kanë ku e çojnë ujin e tepërt dhe e shkarkojnë dhe bëhen përmbyten. Përmbytja më e madhe është bërë në vitin 1962 ku erdhën 5500 metër kub. Uji i Drinit nuk vjen vetëm nga Shqipëria, vjen nga 48 mijë km katror tokë që rrjedh ujë në territorin shqiptar. Këtu formohen edhe prurjet e mëdha. Kur shkrin bora, është e paevitueshme që do të kesh prurje të mëdha. Kaskada lehtëson përmbytjet. Merr dhe mban dhe disa mijëra metra kub ujë.
– Po vendet fqinje, Maqedonia apo Greqia a kanë hidrocentrale të këtyre përmasave?
Asnjë nga vendet që janë rrotull nesh nuk ka më shumë se sa ne hidrocentrale apo të këtyre përmasave. Mali i Zi ka disa, ndërsa shumë vende të tjera përdorin TECET me qymyr. TEC-i është si soba, po nuk i fute dru, ftohet soba. Edhe TEC-in duhet ta mbushësh vazhdimisht që të prodhojë energji elektrike. Por ka shumë ndotje. HC-i është i pastër.

– Janë më ekonomik TEC-et?
Asnjëherë, ato prodhojnë gaz karbonik për të cilët është e ndaluar. Që të kesh TEC- in duhet të kesh edhe qymyr. Mbeturinat e TEC-eve duhet vend se ku ti hedhësh. TEC-et nuk janë ekologjik por janë ndotës të mëdhenj. TEC-et duan fuqi të madhe punëtore.
– ******************
– Flet Prof. Ago Nezha
– Situata është tepër e vështirë, tejet e dhimbshme, me gjithë masat që po merr qeveria. Këto janë probleme të mbarsura për 25 vjet, ku nuk është punuar me strategji për të përballuar situata të tilla. Në këto 25 vjet, Shqipëria është lënë në mes të katër rrugëve, si mall pa zot.
– Këto përmbytje kanë ardhur sepse:
– -Janë prishur të gjitha argjinaturat dhe kanalet e dyta dhe të treta të kullimit të ujërave në tokat e punueshme.
– -Janë prishur thuajse të gjitha stacionet hidrometereologjike, të cilat paralajmëronin situata të tilla.
– -Lumenjtë kanë devijuar nga shtretërit, si rezultat i ndërtimeve dhe marrjes së inerteve pa llogari, dhe si zor që këto shtretër të mund të disiplinohen më.
– -Brezat pyjorë që ishin mbjellë për luftë kundër erozionit (gërryerjeve), janë prerë dhe shkatërruar në mënyrë të përbindshme.
– -Pyjet nëpërmjet rrënjëve të pemëve thithin 70 % të ujit, që tashmë kalon në gjendje të lirë, pa pengesë.
– – Janë prishur hidrovoret dhe të gjitha kolektorët.
– Çfarë do të ndodhë pas këtyre përmbytjeve?
– Tokat e përmbytura nuk do të jenë në gjendje pjellorie natyrale, mikroelementet kanë shkuar në det dhe toka nuk do të mund të rigjenerohet.
– -Riaftësimi i tokës për prodhim, kur uji qëndron për ditë të tëra mbi tokë, do kohë të riaftësohet.
– -Detyrë e shtetit është që në mbjelljet e pranverës duhet të investojë për fermerët me plehra kimikë, që të riaktivizojnë pjellorinë e tokës.
–

Filed Under: Analiza, Interviste Tagged With: Albert Z. Zholi, ja pse ndodhin, ne Jug, permbytjet

PA NDËRMJETËS ME ZOTIN DHE VENDLINDJEN!

February 7, 2015 by dgreca

Në vend të një recensioni për monografinë studimore akademike”Tropoja e mrekullive shpirtnore”të autorit Skënder Haklaj/
E ke të njohur të vjetër apo dhe e sheh për të parën herë, Skënder Haklaj është gjithmonë mbresëlënës përpos të tjerash me veçantinë e portretit të tij! Ka diçka në paraqitjen e tij që të detyron pavullnetshem të ekranizosh në memorie karakteret mistike të personazheve që dominojnë Eposin e Kreshnikëve. E nëse e njeh vërtet Skënderin impresioni i veçantë të shumëfishohet…
Afër një gjysëm shekulli në skenë, ky princ i valles dhe i folkut të Alpeve ka emocionuar me mijëra ndjekës në atdhe e përtej kufijve. Deri në çlirimin e Kosovës unë levizjet epike të Skënderit, vargjet e Hamitit, zërin e Fatmires e Gëzim Nikës i kam pasë quajtur një “UÇK” më vehte. Duhet të jesh specialist të perifrazosh profesionalisht lëvizjet gati mitologjike të koreografisë e valles së Skënder Haklajt, por e përbashkëta që ndodh te cilido është emocioni, krenaria,karakteri i fortë e vendosmëria që prodhon e përçon për t’u inkorporuar ëmbël tek ti çdo lëvizje e tij.
Mirëpo të jesh artist i kompletuar në dimensionet e tij nuk mjafton talenti, puna e palodhur dhe vullneti! Aspak! Është diçka më e magjishme, më spirituale që lidh lëvizjet e Skënderit me botën e paeksploruar të mrekullive.
Për sa kohë e njoh jam munduar ta përkthej SKËNDERIN:E kam ndjekë në skenë e kam dashtë t’ja lexoj ëndrrën e tij të ngrime shprehur në rimën e poezive brilante. E ato kanë buajtur tek unë bash si një piskamë e këngëve majekrahu për të më zhurmuar heshtjen.
Por prapëseprapë kuizi i heshtjes sime do ngelej i pazbuluar mirë nëse Skënderi nuk do na ftonte ditë më parë të pinim ujë në gurrën e kroit magjik me të cilin ai tash sa dekada, ndoshta sa vetë jeta ka mbytur etjen e tij! E ky krua i bekuar ndodhet sipas Skënderit vetëm në vendlindje. Këtë fakt ai jo vetëm e konstaton por dhe e mirë argumenton në monografinë studimore akademike “Tropoja e mrekullive shpirtnore”.
Kjo vepër është çertefikuar nga Akademia e Shkencave dhe komentet a komplimentet do të qenë repriza të pa vend por ajo që dua të theksoj se është ndërthurja organike e profesionalizmit me thjeshtësinë, argumentin e patrazuar me stilin mjaft modern të narracionit. Skënderi jo me sllogane por me fakte unike ka zgjedhur ta vërë vendlindjen në piedestalin që i takon por i mungon. Janë doket, zakonet, ritet, legjendat e baladat, folku unikal e i virgjër që i rikthejnë Tropojës piedestalin që nuk tundet e ndërrohet përjetë, bash aty në majën e Shkëlzenit me kapuç të bardhë mbi kokë përjetësisht. Me një gegnishte të pastër e të thjeshtë që secilin lexues nuk e lodh por e mrekullon Skënder Haklaj na jep një dhuratë pa çmim të cilën sidomos ne, tropojasit, do të mund ta përdorim si një kolateral plus të krenarisë sonë!

Filed Under: ESSE Tagged With: DHE VENDLINDJEN!, PA NDËRMJETËS ME ZOTIN

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4108
  • 4109
  • 4110
  • 4111
  • 4112
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT