• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti, dekoratë “Pishtar i Demokracisë”, organizatorëve të demonstratës antikomuniste

February 6, 2015 by dgreca

Në një ceremoni të organizuar në presidencë, Kreu i Shtetit Bujar Nishani, u akordoi dekoratën “Pishtar i Demokracisë” disa prej drejtuesve dhe organizatorëve të demonstratës antikomuniste të Shkodrës më 14 janar 1990: Dedë Kasneci, Gjergj Beka, Rini Monajka (pas vdekjes), Tonin Dema, Nikolin Thana, Gjovalin Rrolba, Ndoc Lëqëjza (pas vdekjes), Flamur Begu (pas vdekjes), Kolë Margjini, Klaudo Daka, Aldo Perizi, Kolec Hublina, Viktor Martini, Pjerin Veli dhe Gjovalin Zefit (pas vdekjes).
Presidenti Nishani në fjalën e rastit theksoi se, kjo ceremoni organizohet në kujtim, dhe në nderim të burrave, por edhe të një lëvizjeje, e cila prezantoi në mënyrë publike, pas një kaluare të gjatë të dhunës, të diktaturës të regjimit komunist, jo vetëm dëshirën, jo vetëm synimin, por edhe gatishmërinë edhe për të sakrifikuar për parimin që është më i pazëvendësueshmi dhe më të pamposhturi për individin, njeriun, shoqërinë, botën dhe për njerëzimin siç është liria.”
Duke folur për diktaturën makabre dhe të pakrahasueshme me asnjë tjetër në Evropën Lindore, Presidenti u shpreh se natyrisht ishte një fat i keq që në tërë këtë perandori të së keqes, Shqipëria ishte vendi i fundit që arriti të dalë nga ajo agoni shumë e gjatë dhe në të këtë kontekst vuajtjesh dhe sakrificash, demonstrata e 14 janarit në Shkodër ishte ashtu “siç e keni quajtur ju: Shkëndija e parë e lirisë, e cila do të çonte në çlirimin përfundimtar dhe të vërtetë të Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
Ky 25-vjetor i rënies së regjimit komunist në Shqipëri na ngarkon të gjithë ne shqiptarëve, institucionet e shtetit në radhë të parë, por edhe çdo individ, shoqatë që të nderojmë e të kujtojmë me respektin më të lartë shtetëror dhe shoqëror përpjekjet e gjatë dhe vuajtjet e mëdha që u kaluan si dhe momentin e rrëzimit të saj diktature, nënvizoi Kreu i Shtetit.

Filed Under: Kronike Tagged With: dekoratë “Pishtar i Demokracisë”, organizatorëve të demonstratës antikomuniste, presidenti

PERMBYTJET NE SHQIPERI- Pogradec, humb jetën një grua

February 6, 2015 by dgreca

Pritet tjetër përkeqësim i motit në 48 orët e ardhshme. Kryeministri Rama kërkon ndihmën e Bankave për fermerët e dëmtuar nga përmbytjet në jug Kërcënimi nga moti i keq nuk është lënë ende pas krahëve, ndërsa sot u shënua dhe viktima e parë. Një grua 38 vjecare në Pogradec, humbi jetën ndërsa u rrëmbye nga rjedha e lumit që kishte dalë nga shtrati. Dy ditët e ardhshme pritet të rëndojnë situatën e cila 24 orët e fundit pati një përmirësim për shkak të ndërprerjes së reshjeve. “Moti nuk do të jetë aspak i favorshëm as 48 orët e ardhshme dhe sipas parashikimeve meteorologjike duhet të presim më të keqen”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama.
Dëmet e shkaktuara në zonat e jugut janë të konsiderueshme, ndonëse ende nuk ka një bilanc të qartë. Kryeministri Edi Rama u takua sot me drejtuesit e bankave që veprojnë në vend për të kërkuar edhe mbështetjen e tyre ndaj fermerëve të dëmtuar nga përmbytjet e që kanë marrë kredi për aktivitetin e tyre. “Kërkesa jonë ishte e qartë: Të gjithë këta kredimarrës duhet të mos trajtohen njësoj si të tjerët. Atyre duhet t’u jepet një periudhë kohore e arsyeshme, pa asnjë detyrim ndaj bankave. Për të bërë të mundur që në ndërkohë, ndihma që ne do t’u japim t’i rikthejë në pozitë normale ndaj bankave”. Kryeministri u shpreh se kishte marrë përgjigje pozitive nga Bankat të cilat së bashku me autoritetet dhe guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë, do të hartojnë një marrëveshje të posacme për fermerët kreditorë.
Pas vizitës së djeshme në zonat e prekura nga përmbytjet, presidenti Nishani sot e vlerësoi problematike gjendjen e krijuar. Duke ju përgjigjur pyetjes së gazetarëve për nevojën ose jo të sjhpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ai la të kuptohej se po të kishte qenë kompetencë e tij do ta kishte bërë një gjë të tillë, duke vlerësuar megjithatë pozitivisht masat e marra deri më tani. “Institucionet përgjegjëse të emergjencave, të shpëtimit të jetës së njerëzve, por dhe të komunikimit ishin pranë njerëzve, ishin marrë masa dhe pikërisht dhe për shkak të marrjes së këtyre masave nuk ka pasur humbje të jetës së njerëzve”, deklaroi presidenti Nishani.
Por opozita vazhdon të këmbëngulë se situata nuk është aspak e favorshme dhe se qeveria nuk ka një plan të qartë masash dhe se sipas saj kërkon me cdo kusht të shmangë zhdëmtimin e banorëve.“Kryeministri ka treguar se ka një dhe vetëm një shqetësim: si të mos u japi dëmshpërblimin banorëve. Por kërkesa jonë nuk ka të bëjë vetëm me dëmshpërblimin. Ka të bëjë me faktin se gjendja e emergjencës është pikërisht ajo që aktivizon planin e emergjencës, shtabin qendror të emergjencës, planin konkret të masave, fondet speciale të emergjencës së shtetit. Eshtë e vetmja gjendje që na kualifikon në sytë e Qendrës operacionale europiane për ndihmë”, theksoi kryetari demokrat Lulzim Basha.
Por kryeministri përsëriti sot dhe një herë se “ne nuk do t’i shmangemi asnjë detyrimi që do të burojë nga inventari real i dëmeve. Sikundër, ne do të mobilizojmë forcat dhe burime si asnjëherë më parë për t’iu gjendur pranë njerëzve në kurimin e plagëve imediate dhe për të kuruar dhe shëruar plagët që rrezikojnë të dëmtojnë edhe ekonominë e gjithë atij territori në afatmesëm”, u shpreh zoti Rama.

Filed Under: Kronike Tagged With: grua nga përmbytjet, humb jetën një, Pogradec

Lulzim Basha: Përmbytjet, Rama po shfrytëzon momentin për tu pasuruar

February 6, 2015 by dgreca

Kreu i opozitës Lulzim Basha, ka akuzar qeverinë se po shfrytëzon momentin më të rëndë për qytetarët për të mbushur xhepat e tyre përmes aferrave korruptive.
Sipas tij një qeveri e korruptuar nuk mund të ketë kurrsesi prioritet jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të saj. “Ka një anë tjetër të qeverisjes së Edi ramës. Qeveria inekzistente, po shfaqet me korrupsion në kulmin e përmbytjeve.Rama dhe qeveria janë të përmbytur të zhytura në korrupsion.
Paratë e taksapaguesve shqiptarë për energjinë elektrike, kanë përfunduar në xhepat e këtyre hajdutëve.
Blerja e fundit e çmimit të energjisë elektrike nga OSSHE është dy herë më e shtrenjtë.
Kjo është fytyra e këtij njeriu, kjo është qeveria e korrupsionit. I bej thirrje prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për këtë situatë korruptive, u shpreh kru i opozitës.
Basha ka ritheksuar se opozita shqiptare është në mbështetje të banorëve të zonave të përmbytura, duke apeluar sërish për solidaritet nga ana e të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Filed Under: Politike Tagged With: Basha: Përmbytjet, për tu pasuruar, po shfrytëzon momentin, Rama

Skënder Luarasi ‘’Njeriu i Fjalës së Lirë’’

February 6, 2015 by dgreca

Nga Petro Luarasi/
Skënder Luarasi – legjendë, mit dhe realitet/
Këtë vit përkujtojmë 115-vjetorin e lindjes së Skënder Luarasit (1900-1982) Nder i Kombit, ndër personalitetet më përfaqësues të inteligjencies shqiptare në shekullin XX.
Në kushte të vështira ai kreu veprimtarinë madhore të atdhetarit demokrat-antifashist, si mësues edukator e pedagog, publicist, biograf, përkthyes, dramaturg, historian, linguist poliglot, me shumëllojshmëri arritjesh cilësore. Për bindjet republikane e antifashiste ai u burgos nga rregjimi monarkist dhe vuajti kampet e përqëndrimit fashist. Në sistemin diktatorial u përndoq si intelektual demokrat jokonformist ndaj kultit të individit dhe tezave të ideologjizuara që i imponoheshin letërsisë dhe historiografisë shqiptare. E përjashtuan për disa vjet nga Lidhja e Shkrimtarëve, e akuzuan ‘’për veprimtari armiqësore’’, ‘’historian borgjez’’ e ‘’oportunist’’ dhe rrekeshin ta izolonin, censuronin dhe pengonin në botimin e veprave, i sajonin dhe e përgojonin me historiçka e shantazhe, por nuk e mposhtën dot ‘’Njeriun e Fjalës së Lirë’’!
Këtë mekanizëm terrori mund t’a përballonin vetëm njerëz idealistë me karakter të fortë. “Skënder Luarasi, Kasëm Trebeshina, Mehmet Myftiu e ndonjë tjetër, mbetën të vetëm në përpjekjen e tyre ballore ndaj diktaturës. Mungesa e karaktereve të fuqishme, ishte fatkeqësia më e madhe e letërsisë dhe e shoqërisë shqiptare në ato vite 60′.” 1. (Fatos Arapi. Kujtohem që jam, f.150.)
Edhe pas ndryshimeve demokratike, ndihen paragjykimet politike-ideore me teza tabu të së shkuarës dhe interesat klanore që Skënder Luarasi të mënjanohet nga studimet akademike dhe programet shkollore.
Për masat e gjera ai përfaqëson personazhet e mirënjohur: shkrimtarin Astrit Larinasi në librin e V.Kokonës “Në valët e jetës”, atdhetarin demokrat Prof. Luarasi në veprën “Burgu” të Haki Stërmillit, ideologun antifashist prof. Tomorri në “Hasta la Vista” të Petro Markos, pedagogun e letërsisë të Qemal Stafës me shokë në filmin “Qortimet e Vjeshtës’’, vullnetarin e parë antifashist që u nis nga Shqipëria të luftojë fashizmin në Spanjë, ku më 1937 organizoi dhe transmetoi për herë të parë në histori emisionet radiofonike në gjuhën shqipe, me platformë antifashiste dhe program të qartë për bashkimin kombëtar pa dallim feje, krahine , ideje dhe përkatësie ekonomike. Me qindra e qindra intelektualë, shkrimtarë e historianë, pëshpërisnin ‘’bëmat’’ e Skënder Luarasit dhe frymëzoheshin nga sfida e tij kundër dhunës e terrorit të sistemit monarkist, fashist dhe atij diktatorial, kundër dhunimit të principeve demokratike dhe nëpërkëmbjes së personaliteteve dhe vlerave kombëtare.
Në dy dekadat e fundit, të mendimit të hapur e shtypit të lirë, janë publikuar vlerësime të shumta për Skënder Luarasin. I janë kushtuar poezi e studime, janë zhvilluar aktivitete letrare e kulturore mbi personalitetin, veprimtarinë dhe disa anë të veprës së tij. Përgjithësisht ai përmendet në fushën e përkthimeve ( shqipëruesi i Shekspirit, Gëtes,Shilerit, Uitmanit, Bajronit me shokë) më pak në punimet biografike ( biografi i I.Qemalit, I.Boletinit, Migjenit…) dhe pak si drejtues mediash, gazetar e publicist, me kontribute në pedagogji, studimet historike dhe dramaturgji. Përkundër ndonjë kapitulli përshkrues, ende nuk i është botuar ndonjë biografi apo bibliografi . Institucione në Shqipëri e Kosovë e kanë vlerësuar Skënder Luarasin me dekorata të larta, emërtime objektesh, sociale, arsimore e kulturore.
Ndërkohë veprimtaria dhe vepra e Skënder Luarasit paraqet interes për opinionin publik duke u bazuar në koeficientin e lartë të referimit dhe klikimit në mediat e shtypura e elektronike. Me qindra shqiptarë intelektualë, akademikë, pedagogë, shkrimtarë, gjuhëtarë, regjisorë teatri e kinemaje, aktorë, studjues të rilindjes e të luftës antifashiste, e kanë përmendur dhe i referohen për çështje të ndryshme historiko-letrare, sikurse Fan S.Noli, Kristo Luarasi, B.Merxhani, T.Zavalani, L.Poradeci, I. Kadare, D.Agolli, A.Buda, V.Kokona, P.Marko, A. Uçi, K.Frashëri, N.Prifti, M.Zeqo, etj. Dëshmitarë ngjarjesh e studjues të ndryshëm kanë zbuluar ngjarje, kontribute dhe veprimtari “të pabesueshme” të cilat edhe të vetme do ti bënin nder kujtdo personaliteti.
Thuhet se kush ndjen dhimbje është i gjallë, por kur ndjen dhimbjen e tjetrit është Njeri. Skënder Luarasi mbi të gjitha vlerësohet si Njeri i dhimbsur, bujar dhe i sakrificës. Shumë intelektualë e shkrimtarë bashkëkohës, ia kujtojnë me nderim ndihmën që u ka dhënë në fushën humane, letrare, kulturore, pedagogjike etj. Ata janë nga ajka e elitës intelektuale, letrare e kulturore shqiptare ndër vite si: Parashqevi e Sevasti Qiriazi, Lasgush Poradeci, Aleks Buda, Qemal Stafa, Arshi Pipa, Xhemal Broja, Migjeni, Ismail Kadare, Jusuf Vrioni, etj, etj.
Ylli Popa, Kryetar i Akademisë së Shkencave, e çmoi: “Nëse lexon disa prej veprave të tij, qoftë krijimtari e mirëfilltë, qoftë përkthime, do të vesh re disa veçori morale aq të vlefshme sa dhe kontributi i tij në fushën e kulturës”. 2. (Petro Luarasi, Skënder Luarasi personaliteti, veprimtaria dhe vepra.Studim.Bibliografi.) http://www.forum-al.com/showthread.php?t=15197&page=2
Në tërësi ato përbëjnë traditën e Skënder Luarasit “legjendë, mit dhe realitet’’ , traditë e cila ka zënë rrënjë në shtresa të thella të kombit shqiptar, tek ata që e kanë njohur, kanë lexuar, analizuar e përqafuar pikëpamjet dhe idealin e tij.
Dritëro Agolli e shquan si intelektual me kulturë të gjerë evropiane, hallka lidhëse e epokës së Rilindjes me atë të demokracisë. ‘’ Në kulturë zë radhën e parë të traditës përparimtare demokratike, ndërsa në traditën e dinjitetit të njeriut të kulturës është i pakrahasueshëm me asnjëri.” 3. (Dritëro Agolli. Skënder Luarasi-legjendë, mit dhe realitet, Zëri i popullit, 20.1.2000, f.10.)
Ndaj kombi shqiptar, shteti me institucionet e tij, kanë nevojë për traditën Skënder Luarasi, për kapërcyer me sukses pengesat në rrugën e ndërtimit të një shteti demokratik me shoqëri të emancipuar.

Monografia “Ismail Qemali” (1962)
Skënder Luarasi ka dhënë kontribut të vyer edhe si autor monografish mbi personalitete të shquara të kombit shqiptar. Ndër vite ai botoi veprat: ”Kolonel Thomson” (1934), ”Migjeni”(1957),”Petro Luarasi” (1958), ‘’Ismail Qemali” (1962), ” Isa Boletini” (1971), ”Gjerasim Qiriazi”(1962), ”Motrat Qiriazi” (1962) (anglisht e frengjisht). Ndërsa veprat ”Sevasti Qiriazi” dhe ”Motrat Qiriazi” (1962) iu bllokuan nga censura, “ Fan Noli-jeta dhe vepra” “humbi” në Institutin e Historisë.
‘’Do të mjaftonin këta emra atdhetarësh për të kuptuar kostelacionin e yjeve që ndizte Skënder Luarasi në qiellin tonë sterrë për të kuptuar se çfarë rruge i tregonte ai këtij populli, dhe më në fund, për të kuptuar se prej çfarë materie, prej çfarë drite dhe me çfarë orbitash jete dhe lirie jetonte ky burrë.”
Historiku i botimit të monografive të tij, madje edhe për Flamurtarin e Pavarësisë Ismail Qemal -Vlora, përmban peripeci të shumta. Skënder Luarasi vërente që në diskutime, artikuj e botime historianësh e politikanësh, për arësye subjektive, mbahej një qëndrim jo i drejtë ndaj jetës dhe veprës së personalitetit të shquar Ismail Qemali. Nga disa thuhej se kinse nuk njihej, nga të tjerë se kishte bërë gabime të mëdha. Përkundër këtyre pikëpamjeve, ai theksoi se pikërisht për veprën madhore, Ismail Qemali u bë njeriu më i luftuar dhe më i lëvduari në historinë e Rilindjes shqiptare, ndaj të cilit u sajuan shumë shpifje e intriga nga armiqtë e Shqipërisë, por që populli shqiptar duhet ti marrë si lëvdata për të, e t’i jetë mirënjohës për jetë.” 4 (S.Luarasi. Ismail Qemali, Tiranë, SHBLP, 1962, f.10-11)
Ai në përkujtimin e 50-vjetorit të Pavarësisë këmbënguli që t’i botohej monografia e flamurtarit të saj. Pretekstet e recenzentëve të urdhëruar nga lart qenë të shumta, ata theksonin “gabimet” dhe mbivlerësonin opinionet kundër Ismail Qemalit. Skënder Luarasi bëri sfidën e rradhës me sentencën:”Bota nga balta bën heronj, ne heronjtë i bëjmë baltë” duke theksuar: “Në shtypin patriotik shqiptar janë bërë kritika, nganjëherë të ashpra jashtë masës, për veprime, ose qëndrime të caktuara të Ismail Qemalit. Mirëpo veprimtaria e Ismail Qemalit nuk duhet vlerësuar nga pozitat e asaj kritike që iu bë atëherë, por duhet vlerësuar para së gjithash nga rezultatet përfundimtare të gjithë punës së tij… Në këtë rrugë të gjatë, të vështirë e të ndërlikuar që ndoqi Ismail Qemali, nuk do të kishte pasur burrë që t’u shpëtonte gabimeve. Është për tu çuditur që e mbylli jetën me kaq pak gabime”. 5 (S.Luarasi. Ismail Qemali, f.11)
Botimi, edhe pse iu censurua me mbi 30 fletë, ngjalli entuziazëm të madh në Shqipëri, Kosovë e diasporë ku u shkruajtën mjaft komente mbi këtë vepër dhe autorin e saj.. Libri fillonte me amanetin kuptimplotë të Ismail Qemalit: “Djemtë e mi, nuk bëra pasuri t’ja lija trashëgim Shqipërisë. Po ju lë një atdhe – amanet. Lamtumirë!”.
Ndër të tjera, bënte paralelizma midis Ismail Qemalit e Shqipërisë dhe Isa Boletinit e Kosovës këtyre dy prijësve të njohur politike e luftarake, kështu farkëtonte unitetin mbarëkombëtar.
“Profesor Skënder P.N.Luarasi, ka treguar një kujdes të posaçëm duke mbledhur në libra dhe nëpër broshura jetën dhe veprat patriotike të Nacionalistëve Shqiptarë që lëftuan me pushkë dhe me penë për çlirimin e Shqipërisë nga kthetrat e robërisë së huaj” 6 (Lajmërim. Liria, Boston, Mass. 12.5.1972, f.2.)
Ai ndjehej i lumtur që mundi të paguajë këtë tribut të vogël të detyrës ndaj Varrit të Dëshmorëve. ”Ç’është e vërtetë për Ismail Qemalin, mund të thuhet edhe për shokun e tij të armëve Isa Boletinin, i cili bëri për atdhenë në fushën e betejave, atë që bëri Ismail Qemali në fushën e politikës e të diplomacisë”. 7. (S.Luarasi. Isa Boletini: Jetëshkrim i shkurtër, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1971, f.5.)
Rëndësinë që paraqiste për kohën botimi i monografisë për Ismail Qemalin e dëshmon edhe regjisori i shquar Viktor Gjika, kur në vitin jubilar të 70- vjetorit të Pavarësisë iu vu punës për të realizuar filmin ‘’Nëntori i Dytë‘’. ‘’Angazhimi në një vepër të tillë ishte i paprecedent. Deri atëherë nuk ishte realizuar asgjë në këtë temë, nuk ishte shkruar asnjë dramë, roman apo tregim, as në lëmin e arteve figurative nuk kishte ndonjë portret apo tabllo, e aq më tepër ndonjë vepër në fushën e muzikës së kultivuar. Për çudi, edhe në historiografinë shqiptare nuk kishte shumë materiale, studime e botime. Në duart e mia kisha vetëm librushkën “Ismail Qemali” të shkruar nga Skënder Luarasi, një shirit me disa këngë popullore dhe shumë pak fotografi. Si i thonë fjalës “i hyra detit më këmbë!” 8 (Viktor Gjika, Kur ëndrra bëhet film) http://www.aqshf.gov.al/artikull-1.html

Pikëpamje mbi vdekjen e Ismail Qemalit
Skënder Luarasi ka analizuar me profesionalizëm dhe kurajo edhe një nga çështjet më delikate: ndarjen e Ismail Qemalit nga jeta, për të cilën diskutimet dhe spekulimet nuk ka rreshtur.
Në monografinë ‘’Ismail Qemali’’ (1962) ai shkroi :
‘’Le ta marrim si testament letrën që na ka mbetur nga ato të fundit, dhe të cilën e ka shkruar vetëm katër ditë para vdekjes: “Sot është dita vendimtare për Shqipërinë: Do të ngjallemi apo do të vdesim. Të kisha marrë të holla do të hidhesha gjer atje për një marrëveshje të plotë me gjithë atdhetarët e Amerikës. Po pas marrëveshjes me qeverinë, e gjeta të nevojshme të vajturit në Romë. Së andejmi mund të bëja një marrëveshje me gjithë shqiptarët e Shqipërisë për të vendosur veprimin kombëtar në këtë kohë kaq të rrezikshme dhe t’i japim fund hartimit të programit. Nga Italia kam uzdajë të bëj të nisen prej Shqipërisë së sipërme, të mesme e të poshtme, tre a gjashtë delegatë të cilët me delegatët e Amerikës të vemi në Pariz për t’i propozuar konferencës kërkesat dhe të drejtat e Shqipërisë…’’
Pas kësaj letre, i thirrur nga Qeveria e Romës, ai u nis për në Itali. Në Peruxhia i erdhi urdhëri të presë atje sepse ata që e kishin ftuar Kryeministri dhe Ministri i Punëve të jashtme të Italisë, nuk ndodheshin në Kryeqytet. Ismail Qemali, i tronditur nga kjo dredhi, nuk u përmbajt dot dhe thirri: ‘’Më hëngër me të pabesë!” se e kuptoi që e ftuan për ta izoluar në Itali. Etemi, biri i Ismail Qemalit, ia ka treguar kryetarit të Bashkisë, Ali Asllanit, qëndrimin e tyre në Peruxhia kështu: “Një ditë i përgatitën Ismail Qemalit një konferencë për gazetarët. Pas buke, Ismail Qemali hyri në sallonin ku e prisnin korrespondentët. Që në fjalitë e para të bisedës, i zverdhur dhe i lëkundur, nisi të belbëzojë e të mos i lidhte dot fjalët. Kërkoi ta shpinin në odë e banjës. Atje e mbyti shkuma e të vjellët… Ismail Qemali vdiq më 24 janar 1919. Kufomën e mbajtën në Peruxhia edhe nja dy javë që ta “baslamosnin” dhe e nisën për në Vlorë më 9 shkurt. Në fakt ja nxuarë gjithë të brendshme që të mos i linin asnjë shenjë në rast autopsie”… Kur të dihet shkaku i vërtetë i vdekjes së tij, Ismail Qemali do të qëndrojë jo vetëm në krye të shtyllës së pionierëve, por edhe në krye të shtyllës së dëshmorëve të Shqipërisë sonë të rilindjes.”9. (S.Luarasi, Ismail Qemali, 1962, f.89-90)
Nga sa shkruhet: ‘’Etemi, biri i Ismail Qemalit, ia ka treguar kryetarit të Bashkisë, Ali Asllanit’’, për vdekjen e I.Qemalit, Ali Asllani është referues dhe jo dëshmitar. Gjithashtu askund nuk përmendet fjala helmim, por aludohet me autopsinë. I theksojmë këto pika në ballafaqim me ditarin e akademikut Dhimitër Shuteriqi dhe sajesat e disa ‘’historianëve’’.

Trillim, nga kush dhe përse?!
Dhimitër S. Shuteriqi në ditarin e tij, datë 22 shkurt 1966, ka shkruar që së bashku me Odhise Paskalin, Abdullah Cangonjin dhe bashkëshorten Mynever ka vizituar Ali Asllanin e sëmurë, kur ai ‘’tregoi se si vdiq Ismail Qemali… Po kopjoj ç’tha, nga sa shkrova kur ai fliste (pasi i mora leje që të shënoj).’’
Ndër të tjera Shuteriqi shkruan se Ali Asllani i ka thënë:
‘’Përjashta u hap lajmi se I. Qemalin e helmatisën italianët… Pas buke më thonë të pyes qysh ngjau kjo vdekje e papritur dhe pyes djemtë e I. Qemalit. Tahir beu tregon:’’…Me nderime dhe me tren të posaçëm vajtëm në Peruxhia dhe u vendosëm në një hotel. Atje qëndruam disa ditë dhe babai kërkoi prapë gazetarë, të cilët erdhën. Po atë kohë që u ngrit të flasë, për çudi nuk i lidhte dot mendimet! U çua dhe me ngut vajti në banjë prej ku dëgjuam të na thërrasë: “Evladëm! Evladëm!”. E gjetëm duke vjellë e duke pëgërë, e ngritëm dhe e vumë në shtrat. Të nesërmen vdiq dhe ne telegrafuam në Vlorë.
Kështu na ka treguar Tahir beu’’ thotë Ali Asllani. Unë përsëris çfarë kam dëgjuar dhe nuk kam asnjë siguri se vërtet italianët e vranë I. Qemalin. Këtë s’e kam vërtetuar dot. Them si dëgjova nga djali i tij i madh, Tahir beu dhe si e dëgjuan aty dhe të tjerë. Populli besonte se e helmuan, po këto nuk thuheshin sheshit, se italianët qenë brenda në Vlorë dhe kishin një pjesë të mirë të jugut…. Këto ja kam treguar edhe Skënder Luarasit, po ai i këmbeu. Unë s’them dot se italianët e helmuan siç më ka bërë ai të them në librin e tij mbi I. Qemalin. Më erdhi keq kur ja këndova dhe ja thashë. E pranoi se qe gabim shtypi. I kërkova deklaratë që unë si kam thënë një gjë të tillë; më tha se do ta ndreq gabimin kur të shkruaj një gjë më të gjatë për I. Qemalin. U zemëruam e u ftohëm.’’ Skënder Luarasi ka shkruar se I. Qemali qe nisur të vijë në Shqipëri. Kjo nuk qe e mundur. Në Shqipëri qe pushtimi italian. Ai nuk donte të ishte nën Piacentinin, i cili do ta mbante si në kuvli të artë. Këtë i kishte propozuar edhe Esat Toptani I. Qemalit, po ky se pranoi dhe nuk i vajti.” 9. (Dhimitër Shuteriqi. Ali Asllani për Ismail Qemalin) http://www.voalonline.ch/index.php?mod=article&cat=K%C3%8BNDIISHKRIMTARIT&article=27224
Nga data e ditarit të Dhimitër Shuteriqit (22.2. 1966 ) rrjedh se pretendimi i Ali Asllanit, sipas versionit të Dhimitër Shuteriqit, duhej të bazohej tek libri i Skënder Luarasit ‘’Ismail Qemali-Jeta dhe vepra’’ i vitit 1962, f. 89, ( i ribotuar edhe më 1972 dhe në Kosovë në vitin 1971). Por kushdo mund ta verifikojë që në këto botime, S.Luarasi shkruan se ‘’Etemi , biri i Ismail Qemalit (dhe jo Tahiri!) ia ka treguar ngjarjen kryetarit të Bashkisë, Ali Asllanit’’. Kështu e dinë të gjithë që i janë referuar A.Asllanit. Gjithashtu nuk shkruhet asgjëkundi nga Skënder Luarasi se A.Asllani e deklaroi helmimin e I.Qemalit, as se në atë kohë ‘’I. Qemali qe nisur të vijë në Shqipëri’’!!! Natyrshëm lind pyetja: Nëse Skënder Luarasi nuk ka shkruar asgjëkundi çfarë pretendohet nga Dhimitër Shuteriqi të jetë shprehur Ali Asllani, atëhere nuk qëndron as paragrafi: ‘’Këto ja kam treguar edhe Skënder Luarasit, po ai i këmbeu…’’ Si mundet Skënder Luarasi të korrigjonte atë që nuk e kishte shkruar?!
Në kujtimet e tij dhe publikimet në media nga ‘’studjues’’ gazetarë, hasen shumë sajesa mbi kinse ‘’çfarë ka thënë e shkruar Skënder Luarasi’’.
Miq të vjetër si Ali Asllani, Thoma Papapano i kanë treguar ‘’sajesat’’ që u kanë servirur për t’i armiqësuar në kohën e diktaturës.
Skënder Luarasi kujton:’’Me Ali Asllanin patëm qenë njohur në Sofje ku qe ministër i Shqipërisë, më 1927, gjatë një udhëtimi që bëra festave të Pashkës së Madhe nga Vjena nëpër Danub, në Lom e Sofje. Këtu ai më ftoi për drekë në kryeqytetin e Bullgarisë dhe më dha vizë për të vazhduar shëtitjen time gjer në Stamboll…
Shpesh vija në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, i sëmurë siç isha, me ndjenjën se po shërohesha nga vegimet e bukura kur bëja krahasimin midis së kaluarës së hidhur dhe të ardhmes së lumtur të atdheut. Doja të kisha shëndet e gëzime që të punoja por nuk po më ndaheshin provokacionet dhe shpifjet.
Piqesha në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve edhe me Ali Asllanin. Nga mosha isha më afër tij, prandaj ndoshta na hahej muhabeti aq shumë. Një herë, më priti në klub i zemëruar. “Për gjëra që kanë ndodhur kur ti, Skënder, s’ke qenë këtu, pyet ata që i dinë mirë. Isha kryetar i bashkisë së Vlorës. Më ftuan në një luftanije italiane. Vajta. Përnjëherësh vapori u nis dhe më zbriti në Bari. Pa ditur asgjë vetë më paraqitën në komisionin që kish arrirë për ti shpënë kurorën e Skënderbeut mbretit të Italisë. A e kupton dot se në ç’pozitë u ndodha?”
“Po pse ma tregon mua këtë ngjarje?” e pyeta.
“Se ke folur kundër meje në komisjonin e Lidhjes!”
“Po nga mund të flisja për një gjë të tillë kur unë sot po e dëgjoj për të parën herë ç’të paska ndodhur?” iu përgjegja.’’
‘’Thoma Papapanon e pata njohur në Gjirokastër atë ditë qershori 1920, kur u ktheva nga Sh.B.A. dhe banda ‘’Vatra’’ marshonte nga Tepelena drejt Vlorës për të ngritur atje flamurin e Skënderbeut për të dytën herë…
Një ditë mori prej Thoma Papapanos një letër ( Gjirokastër, më 18.8.1963)
ku i shkruante se sa herë dhe kur kishte shkuar në Itali.’’Prej nëntorit 1923 syt’e mi s’e kanë parë tokën italiane.Thuaju atyre, që të kanë thënë se Thomai i Papapanos ka shkuar në Itali edhe ndonjë herë tjetër: ”Jini rrenashë të poshtër. Thomai.’’
‘’Kur u poqa me mikun tim të vjetër në Tiranë dhe e pyeta se ç’më interesonte mua sa herë pati qenë ai në Itali, më bëri po atë akuzë që më pat bërë Ali Asllani. Veç se miku im vlonjat ma tregoi me emër intrigantin, kurse gjirokastriti mik nuk m’i tregoi, që të vija dhe tu thosha: ”Jini rrenashë të poshtër. Merimangat po mbështillnin cergat rreth meje dhe mua më mungonin shamitë t’u lidhja gojën intrigantëve. ‘’
Kohët e fundit janë botuar e ribotuar disa shkrime (nga F. Balliu, B.Velaj etj) se kinse Skënder Luarasi e ka shpallur dhe mbrojtur i pari tezën e helmimit të Ismail Qemalit:
‘’ Këtë tezë, e cila më parë qarkullonte në heshtje, e shpalli publikisht Skënder Luarasi në biografinë që ai botoi për Ismail Qemalin në vitin 1962. Skënder Luarasi shkruan tekstualisht se kur I. Qemali mori vesh se edhe Kryeministri italian u largua për në Paris pa iu përgjigjur fare kërkesës së tij, u revoltua jashtë mase. “Më prenë në besë”, paskësh thënë plaku i prekur thellë në sedrën e vet… Megjithatë, vazhdon S. Luarasi, shkaku i vërtetë i vdekjes duhet të ketë qenë një dozë helmi e dhënë nga një dorë e fshehtë para konferencës së shtypit.’’ 10. (Fatjon Balliu, Vdekja dhe varrimet e Ismail Qemalit ) http://www.albaniapress.com/lajme/10392/Vdekja-dhe-varrimet-e-Ismail-Qemalit.html
Normalish një pohim kaq i rëndësishëm , duhej të propagandohej në media vetëm po të bazohej në referenca. Derisa nuk ekziston, as tek botimet e librit të Skënder Luarasit, teza përmban jo vetëm ‘’lajm sensacional’’, por edhe shpifje me sanksione penale.
Në monografinë e tij mbi Ismail Qemalin, ndonëse nuk e përmend ‘’helmimin’’, Skënder Luarasi ka theksuar se atë ‘’e balsamosën që të mos i linin asnjë shenjë në rast autopsie’’. Kështu ai shprehte dyshimin e tij si historian objektiv për rrjedhën e ngjarjeve duke u bazuar në disa të dhëna, mbi të gjitha nga dëshmia e të birit Qazim Ismail- Vlora, i cili u helmua po atë ditë së bashku me të atin. Ai i mbijetoi helmimit, por me pasoja shëndetësore gjatë tërë jetës së tij, me sëmundje kronike në fyt.

Kujtimet ‘’Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’
S.Luarasi filloi të shkruante kujtimet e tij, të titulluara‘’Ç’kam pare e ç’kam dëgjuar’’ ( të lëna në formë të daktilografur, në dorëshkrim dhe me indikacione) kur e nxorrën në pension në fund të viteve 60-të, në një periudhë kur sundonte terrori, kur nëpërkëmbej liria e fjalës dhe e vërteta historike mbi ngjarje e personalitete madhore kombëtare si dhe kur nuk dihej se si do të përfundonte jeta e tij.
Në atë situatë ai shkroi mbi idealin e tij dhe mbrojtjen e së vërtetës historike: ‘’ …Duke qenë, pra, ai që jam, them se kam vepruar kështu për dy arsye: Së pari, e kam ndjerë veten të lidhur me atdhenë gjithë jetën time. Shprehem kështu që të mos përdor fjalën patriotizëm, me të cilën janë bërë aq shumë spekullime. Së dyti, kam dashur që në këtë atdhe populli të bënte një jetë të njerëzishme, me drejtësi dhe barazi shoqërore, që secili të gëzonte frutet e punës së vet, të nderohej si qytetar i plotë e të mos rronte njeri në kurriz të tjetrit. Shprehem kështu që të mos përdor fjalën patriotizëm, me të cilën nuk janë bërë më pak spekullime… Më bie të flas për një periudhë gjatë së cilës kanë ndodhur ngjarje me rëndësi historike të jashtëzakonshme …Dhe përse u kthehemi këtyre ditëve? Thuhet se i vetmi mësim që nxjerrim nga historia është se prej saj nuk mund të nxjerrim asnjë mësim. Por jo, mund dhe duhet të nxirret. Epo, përse nuk nxirret?
Mua më duket se njerëzit i rrëmben me vete lumi i jetës dhe vështrojnë përpara. Ajo që na pret përpara është e lidhur me atë që kemi lënë prapa shpine dhe që koha sa më shumë shkon aq më shumë e mjegullon. Dihet se me moshën dobësohet kujtesa por historinë nuk e shtrembëron vetëm skleroza e trurit. Ka edhe interesa e pasione të poshtra, të egra, barbare, gjer në atë gradë sa s’të besohet se mund të ketë të tilla. Njerëz me këto vese kanë guxim të kërkojnë prej historisë jo vetëm përligjen, por edhe lavdinë në fron të nderit!
Prandaj na dhimbset e vërteta në histori dhe do të isha i lumtur të ndriçoja përmes këtyre kujtimeve, në dritën e së vërtetës, qoftë edhe ndonjë ngjarje ose personë të kësaj historie të së kaluarës, se ja që do s’do vjen një kohë kur duhet të bëjmë bilancin e jetës e t’i japim përgjigjen shoqërisë: Ç’i lamë vendit? Epo unë?Vetëm fjalë: ja, këta kujtime. Mirpo fjala është forcë, është vlerë. Thuhet: Në fillim qe Fjala. Por jo fjala sido-kudo. Për kombin tonë qe fjala shqipe. Kjo Fjalë, që u shkrua në Abetare dhe përhapi Dritën, ngriti Shqipërinë. Qofshin edhe këto kujtime pjesë të fjalës shqipe.’’
Këtyre kujtimeve i shtoi dedikimin: ‘’E shkruaj për vogëlushin tim, Petron, që të dijë kush qe i ati kur të më jetë kyçur goja për fare’’. Ky ishte një nder e motivim për të birin, ende të parrahur me jetën, por edhe detyrim përkushtimi për t’ia ruajtur të pacënuar emrin dhe nderin e gjenin paraardhës, origjinalitetin e mendimeve të autorit, por edhe ta ringjallte duke vijuar idealet e misionin, të provonte dhe sqaronte publikisht mjaft çështje, sajesa e spekulime në vitet e mëvonshme, kur për mbarësi edhe do të gëzonte liri fjale. Pjesë të këtyre kujtimeve u publikuan nga media duke ngjallur entuziazëm, vlerësime e replika, edhe për keqkuptime për gabime shtypi, nga perifrazime, komenteve apo edhe diçitura të gabuara fotosh. Këto faktorë e rritën përgjegjshmërinë e publikimit, nxitën sqarimin me referenca e dokumenta të çështjeve, por edhe zgjeruan lëndën bazë të kujtimeve të Skënder Luarasit me fakte, dokumenta e referenca, analiza e opinione, të mbledhura gjatë një periudhe 30-vjeçare pas ndarjes së S.Luarasit nga jeta. Mendojmë se polemikat dhe debatet, kur i ndihmojnë zbardhjes së të vërtetës, kanë vlerë dhe e justifikojnë kohën e humbur.

Filed Under: ESSE Tagged With: ‘’Njeriu i Fjalës së Lirë’’, Petro Luarasi, Skender Luarasi

SINDROMI I LUFTËS SË PARË BOTËRORE DHE LUFTA AKTUALE MIDIS RUSISË DHE UKRAINËS

February 6, 2015 by dgreca

Nga Dr. Islam Lauka*-
Drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike/
Aneksimi i Krimesë nga Rusia, në mars të këtij viti dhe mbështetja prej saj e forcave separatiste ukrainase në Donjeck dhe Llugansk, bëri që shumë historianë, analistë, studiues e politologë të përsërisin pyetjen e shtruar para gjashtë vjetësh, kur në gusht 2008, Rusia ndërhyri ushtarakisht në Gjeorgji, duke shkëputur prej saj dy krahina, Abhazinë dhe Osetinë e Jugut, të njohura ndërkombëtarisht edhe nga vetë Rusia, si pjesë e territorit gjeorgjian. Pyetja e atëhershme ishte kjo: Kush e ka radhën pas Gjeorgjisë? Përgjigja e një pjese të mirë të ekspertizës politike e shkencore të asaj kohe, fatkeqësisht, rezultoi të jetë e saktë-radhën do ta kishte Ukraina.
E njëjta pyetje shtrohet edhe sot: Kush e ka radhën pas Ukrainës? Shtetet balltike, Lituani, Letoni, Estoni? Aq më tepër që këto dy të fundit kanë komunitete të rëndësishme rusësh etnikë e rusishtfolës. Apo Moldavia, shteti i brishtë, ku si pasojë e ndërhyrjes së Armatës së 14 ruse, në fillim të viteve `90, sot e kësaj dite, ekziston konflikti “i ngrirë” i Transdnistrias, krahinës që këtë vit i kërkoi zyrtarisht Moskës përfshirjen në Federatën Ruse? Sipas analistit Pavel Sheremet, Putin do të përpiqet të dalë në Moldavi dhe krahinën e saj, Transdnistria për t`u ndërfutur në trupin e Europës Qëndrore dhe Lindore, duke e futur në rreth Ukrainën dhe duke e vënë plotësisht nën kontroll Detin e zi.1 Të gjitha shtetet e lartpërmendura kanë qenë pjesë e BS, deri në shpërbërjen e tij, në vitin 1991.
Të tjerë analistë e studiues shkojnë edhe më tej, duke mos përjashtuar nga lista e zezë e Putinit as Poloninë, dikur pjesë e Perandorisë Ruse.
Pyetje të tilla janë shprehje e shqetësimit të thellë të botës akademike, shkencore e politike që shkaktoi aneksimi i Krimesë, akt, i cili përbën “rastin e parë të pushtimit territorial në Europë, që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.2 Ky shqetësim ka të bëjë edhe me nëpërkëmbjen e hapur të së drejtës ndërkombëtare nga Moska , si dhe natyrën, historikisht, ekspansioniste të Rusisë, që, për hir të interesave të saj si fuqi e madhe, nuk është ndalur dhe nuk ndalet as para aventurave ushtarake të tipit të Gjeorgjisë 2008 dhe Ukrainës 2014.
Meqenëse lufta Rusi –Ukrainë përkoi me shënimin e 100- vjetorit të Luftës së Parë Botërore, shumë studiues kërkuan dhe gjetën paralele domethënëse midis tyre, pavarësisht se i ndan një shekull i tërë. Sipas Bashkëdrejtorit të Institutit të Analizës së Sigurisë Globale në Uashington, Gal Llaft “kuptimi i llogarive strategjike”3 që bënte Rusia në prag të Luftës së Parë Botërore na ndihmon të deshifrojmë kodin e sjelljes së sotme të Moskës në Ukrainë.
Në Manifestin e Carit, Nikollaj i II, të datës 20 korrik 1914, thuhet: “Duke ndjekur amanetin e vet historik, Rusia, një dhe e pandarë me popujt sllavë në besim dhe gjak, kurrë nuk ka qenë indiferente ndaj fatit të tyre. Këto ditë, kur Austro-Hungaria i paraqiti Serbisë kërkesa krejtësisht të papranueshme për një shtet, në mënyrë unike dhe me një forcë të veçantë, shpërthyen ndjenjat vëllazërore të popullit rus ndaj sllavëve…”4
Po të merret i shkëputur ky fragment, mund të biesh lehtë pre e stereotipit, sipas të cilit, Rusia u përfshi në Luftën e Parë Botërore, jo për shkak të interesave të veta perandorake, të cilat ajo i perceptonte si jetike, por për hir të aleates së saj ballkanike, Serbisë. 5
Kjo tezë, natyrisht, mbështetësit e saj kryesorë i ka të përqëndruar në Moskë dhe në Beograd, por nuk mungojnë as në Perëndim.6 Midis tyre është edhe ish Sekretari Amerikan i Shtetit, Henri Kisingeri, i cili, duke iu referuar lidhjeve ruso-serbe dhe mbrojtjes së Serbisë nga Rusia, arrin në përfundimin se “Kombet e Europës i lejuan vetes të bëheshin pengje të klientëve të tyre kokëkrisur ballkanikë, në vend që t`i frenonin ata”.7 Për hir të së vërtetës, duhet thënë se në librin e tij “Diplomacia”, Kisingeri, si një nga përfaqësuesit më të shquar të shkollës realiste, sjell fakte dhe argumente qe rrëzojnë tezën, sipas së cilës, fuqitë e mëdha të asaj kohe, përfshirë Rusinë, u tërhoqën në konflikt nga klientela ballkanike, në kundërshtim me vullnetin e tyre.8 Faktet dëshmojnë se Rusia hyri në Luftën e Parë Botërore për interesat dhe egon e saj si fuqi e madhe. Janë të njohura rivalitetet historike të Rusisë me fuqitë e tjera europiane për ndikim në Ballkan, në Europën Lindore, në Azinë Qëndrore etj.
Por në prag të Luftës së Parë Botërore, si kërcënim kryesor, Perandoria Ruse shihte Gjermaninë. Kjo situatë është fiksuar në një informacion sekret të Shtabit të Përgjithshëm të Flotës Detare të Rusisë, drejtuar Carit, Nikollai i ll, në fillim të vitit 1914 : “Pesëmbëdhjetë vitet e fundit, Gjermania është përpjekur me të gjitha forcat për ta nënshtruar Rusinë ekonomikisht dhe për ta dobësuar atë politikisht dhe ushtarakisht…Por rilindja e Rusisë, tashmë, ka filluar dhe po përparon me shpejtësi. Për pasojë, në Gjermani po shfaqet frika, lidhur me shtrirjen e mëtejshme të ndikimit të saj, prandaj gjermanët po nxitojnë të marrin masa”.9
Por në prag të Luftës së Parë Botërore, si kërcënim kryesor, Perandoria Ruse shihte Gjermaninë. Kjo situatë është fiksuar në një informacion sekret të Shtabit të Përgjithshëm të Flotës Detare të Rusisë, drejtuar Carit, Nikollai i ll, në fillim të vitit 1914 : “Pesëmbëdhjetë vitet e fundit, Gjermania është përpjekur me të gjitha forcat për ta nënshtruar Rusinë ekonomikisht dhe për ta dobësuar atë politikisht dhe ushtarakisht…Por rilindja e Rusisë, tashmë, ka filluar dhe po përparon me shpejtësi. Për pasojë, në Gjermani po shfaqet frika, lidhur me shtrirjen e mëtejshme të ndikimit të saj, prandaj gjermanët po nxitojnë të marrin masa”.9 Është koha kur Berlini kishte shpallur synimin për ndërtimin e një hekurudhe që do ta lidhte me Bagdatin, nëpërmjet Stambollit. Pikërisht në këtë periudhë , nisin e forcohen marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Perandorisë Osmane, sidomos në fushën ushtarake. Një mision ushtarak gjerman u vendos në Stamboll për të drejtuar stërvitjen dhe modernizimin e ushtrisë turke, në mënyrë të veçantë, Korpusin e saj të Parë, që kishte për detyrë mbrojtjen e kryeqytetit dhe të Ngushticave . Perandori gjerman, Vilhelmi i II, shprehu besimin se flamujtë e vendit të tij “së shpejti do të valëviten mbi fortifikimet e Bosforit”.10 Në takimin që Nikollaj i II pati me ambasadorin britanik në Shën Peterburg, deklaroi se në një situatë të tillë, Rusia do ta kundërshtonte me të gjitha forcat Gjermaninë “edhe sikur lufta të ishte e vetmja alternativë”.11 Kjo luftë, sipas shefit të administratës ushtarake të Rusisë, Nikollaj Obrushev, “do të ishte e përgjithshme, jo e lokalizuar”.12 Kërcënimin tjetër ndaj interesave të saj, Perandoria Ruse e shihte tek Austro-Hungaria. Viena konsiderohej nga Shën Petërburgu si një ndër rivalët e tij më të egër në Ballkan. Në qendër të politikës ballkanike ruse, për rreth tre shekuj me rradhë, ka qenë frenimi i ekspansionit austriak në drejtim të Ballkanit, duke përdorur të gjithë instrumentët që kishte në dispozicion, ushtrinë, diplomacinë, shpesh edhe popullsitë ortodokse të këtij rajoni duke i manipuluar dhe shfrytëzuar ato në funksion të interesave të veta, për ta mbajtur Austro- Hungarinë sa më larg Ballkanit. Në këtë kontekst, duke filluar që nga Lidhja e Prizrenit, por edhe para saj, Rusia nuk ka lënë gurë pa lëvizur për copëtimin e trojeve shqiptare dhe pengimin me çdo mjet të përpjekjeve për formimin e shtetit të pavarur shqiptar, i cili shihej prej saj si një projekt, kryesisht , austro – hungarez. Të tre projektet 13 e hartuar nga Shën Petërburgu, në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, e gjymtonin atë territorialisht, deri në kufinjtë e një prefekture, midis Matit dhe Elbasanit, ndërkohë që një gjymtim akoma më i rëndë i bëhej përmbajtjes së tij: sipas projekteve ruse, ai do të quhej “shteti mysliman shqiptar”.
Rusia ishte ndër fuqitë e para, krahas Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë që, në fillim të Luftës së Parë Botërore, në vend që të mbronte pavarësinë e Shqipërisë si garantuese e saj, në bazë të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, i shkeli ato me të dyja këmbët, duke iu rikthyer, edhe një herë tjetër, tezës së vet të vjetër për copëtimin e trojeve Shqiptare. Në një takim me ambasadorin e Francës, Moris Paleologu 14, Cari, Nikollaj i II 15, i paraqiti atij pikëpamjen ruse, lidhur me Shqipërinë londineze, edhe ashtu të cunguar. Sipas tij, Serbia duhet të marrë pjesën veriore të Shqipërisë, Greqia, atë jugore, ndërsa Vlora duhej t`i kalonte Italisë. 16
Politikën e mbajtjes larg të Austro-Hungarisë në Ballkan, Rusia e ka ndjekur edhe lidhur me Serbinë. Sipas llogarive të Shën Peterburgut, me pushtimin e Serbisë, Vjena nuk do të ndalej vetëm me kontrollin e Adriatikut, por mund të dilte në Egje, duke pretenduar edhe ajo kontrollin e Ngushticave. Rusia mund të pajtohej me gjithçka, por kurrsesi me marrjen nën kontroll të Ngushticave nga një fuqi e madhe si Gjermania, apo aleatja e saj, Austro-Hungaria. Kjo do të thoshte asfiksi ekonomike për perandorinë cariste, pasi nëpërmjet Dardaneleve dhe Bosforit kryhej pjesa më e madhe e eksport-importit rus. Në të njëjtën kohë, do të shkaktonte asfiksi ushtarako-strategjike, sepse nëpërmjet tyre kalonin anijet luftarake ruse për mbrojtjen e interesave të saj si fuqi e madhe në Mesdhe dhe po nëpërmjet Ngushticave futeshin anijet luftarake të kundërshtarëve të saj, gjë që Rusia e kishte provuar, duke e pësuar keqas, në Luftën e Krimesë, gjatë viteve 1854-1856.
Një interes tjetër që e çoi Rusinë drejt përfshirjes në Luftën e Parë ishte ai i përmirësimit të imazhit. Pas poshtërimit nga Japonia, më 1905 dhe nga Berlini e Vjena, më 1908, duke e detyruar që të pranojë aneksimin austro-hungarez të Bosnjës, pa marrë asgjë në shkëmbim, Rusia dëshironte që, nëpërmjet fitores që ajo shpresonte ta arrinte në Luftën Botërore, të rivendoste autoritetin dhe prestigjin e saj si fuqi e madhe e klasit të parë.
Këto ishin interesat themelore që e shtynë Peterburgun drejt Luftës së Parë Botërore dhe jo sllavofilia apo serbofilia ruse, që propagandohet nga historigrafia ruse dhe një pjesë e historiografisë serbe.
Në manifestin e lartpërmendur të Carit, Nikollaj i II, nuk flitet hapur për këto interesa, sepse ai ishte një dokument moralizues e propagandistik që kishte për qëllim mobilizimin e perandorisë në emër, gjoja, të solidaritetit me vëllezërit serbë të një feje e të një gjaku.
Megjithatë, edhe në këtë dokument ka një fjali kyçe që shpreh thelbin e interesave ruse në Luftën e Parë Botërore, që, siç e formulon Cari, është “mbrojtja e pozitës së Rusisë si fuqi e madhe” .17 Këtij qëllimi i janë nënshtruar “serbofilia” dhe “solidariteti sllav” apo pretendimet e Peterburgut për, gjoja, mbrojtjen e paqes e të rendit ndërkombëtar.
Deshifrimi i kodit të sjelljes së sotme të Rusisë putiniste, nisur nga “kuptimi i llogarive të saj strategjike”, në vitin 1914, do të thotë që këtë sjellje ta shohim të kushtëzuar nga interesat e saj aktuale si fuqi e madhe, ashtu siç i percepton ajo.
Sot, pas 100 vjetësh, sipas Moskës, pozitat e Rusisë përsëri janë të kërcënuara .18 Nëse atëhere problem themelor ishin Ngushticat dhe frika e kontrollit të tyre nga Gjermania apo Austro-Hungaria, këtë radhë, Presidentin Putin e ka kapur ankthi se mos, pas orientimit properëndimor të Ukrainës, Krimea kthehet nga një bazë e fuqishme ushtarake ruse, në bazë ushtarake amerikane ose të NATO-s, duke e kthyer Detin e Zi në një det të rrezikshëm, armiqësor për Rusinë. Qëllimi i aneksimit të Krimesë, duket se ishte parandalimi i një zhvillimi të tillë, që, në gjykimin e Moskës, cënonte interesat e saj jetike në fushën e sigurisë. Por duke fituar Krimenë, Rusia humbi Ukrainën.
Me humbjen e saj, si republika më e madhe dhe më e pasur, pas Rusisë, në ish-Bashkimin Sovjetik, merr fund edhe ëndërra e Putinit për Bashkimin Euraziatik, si një pol i veçantë fuqie, në botën shumëpolëshe. Ndërhyrja në Ukrainën juglindore dhe mbështetja e forcave separatiste në Donjeck dhe Llugansk, duket se ka si qëllim që, në pamundësi të kthimit të Ukrainës në sferën e saj të ndikimit, ta destabilizojë atë dhe të mos i japë asnjë mundësi që të integrohet në strukturat e BE dhe NATO-s. Pengesë kryesore për realizimin e ambicjeve si fuqi e madhe, Rusia e konsideron SHBA-në, NATO-n dhe BE-në.
Duke vazhduar me deshifrimin e kodit të sjelljes së sotme të Rusisë, mund të pohohet se, ashtu si me 1914, edhe me 2014, përmirësimi i imazhit, rikthimi i vendit në hierarkinë e lartë të fuqive botërore, ishte një tjetër interes që e shtyu Kremlinin drejt goditjes së Ukrainës dhe aneksimit të Krimesë.
Mesazhi që ai dëshiron t`i japë Perëndimit, nëpërmjet ndërhyrjes në Ukrainë, është ky: Nëse nuk doni të dëgjoni zërin dhe mendimin tonë, nëse nuk doni të respektoni interesat tona, ne do t`ju detyrojmë ta bëni këtë. Në logjikën e Putinit, tani Rusia është bërë aq e fortë, sa t`i lërë pas fyerjet dhe poshtërimet që, sipas tij, Perëndimi ia ka bërë Rusisë, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjes së BS.
Ashtu si 100 vjet më parë, edhe në vitin 2014, Rusia nuk kursehet në përdorimin e demagogjisë. Për shkak të ndërhyrjes me forca ushtarake kundër një vendi tjetër sllav, siç është Ukraina, Moska nuk mund të flasë më në emër të “solidaritetit sllav”, si në rastin e Serbisë, por ka shpikur “mbrojtjen” e të drejtave të rusëve etnikë dhe të popullsisë rusishtfolëse” 19, duke i dhënë vetes të drejtën e ndërhyrjes, jo vetëm në Ukrainë, por në gjithë hapësirën ish sovjetike, kudo ku jetojnë pjesëtarë të së ashtuquajturës “botë ruse” dhe sa herë që ajo vetë e gjykon se të drejtat e tyre po “shkelen”. Natyrisht, nuk janë të drejtat e rusishtfolësve ato që e shqetësojnë Moskën, por interesat shtetërore të saj, si fuqi e madhe.
Përtej Rusisë, në plan më të gjërë global, një tjetër ekspert amerikan, Ambasadori Charles Freeman, gjen “ngjashmëri shqetësuese” midis sfidave të një shekulli më parë dhe atyre të sotme. Ai thekson se edhe në prag të Luftës së Parë Botërore procesi i globalizimit po zhvillohej me shpejtësi, ekuilibri i forcave po ndryshonte, fryma nacionaliste po përhapej, tensioni shoqëror-ekonomik po rritej, ndërkohë që teknologjitë ushtarake po përsoseshin, 20 duke paralajmëruar ndryshimin e karakterit të veprimeve luftarake.
Sot këto dukuri po shfaqen në progresion gjeometrik. Gazeta “Die Welt” konstaton “ngjashmëri të dukshme strukturore”21 midis sistemit të sotëm ndërkombëtar dhe atij që ekzistonte në prag të Luftës së Parë Botërore. Këtu, në radhë të parë, ajo ka parasysh lëvizjet tektonike në shpërndarjen e fuqisë dhe shfaqjen e lojtarëve të rinj që aspirojnë të sfidojnë rregullat e vendosura pas Luftës së Ftohtë, midis të cilëve, ndër më aktivët dhe më agresivët, paraqitet Rusia.
Pas zhvillimeve dramatike në Ukrainë, janë bërë gjithnjë e më të shumtë zërat për fillimin e një “lufte të ftohtë” të re midis Lindjes dhe Perëndimit. Sipas politologëve rusë, Fjodor Llukjanov dhe Sergej Karaganov, “lufta e ftohtë”, as që është ndërprerë ndonjëherë, sepse, sipas tyre, edhe pas viteve `90- të të shekullit të kaluar, Perëndimi vazhdoi politikën e frenimit, të margjinalizimit dhe poshtërimit të Rusisë.22 Profesori i Universitetit të Nju Jorkut,Stiven Kohen, jo vetëm që e pranon se situata e tanishme në marrëdhëniet ndërkombëtare i ka të gjitha shenjat e “luftës së ftohtë”, por e krahason atë me momentet më të mprehta të ballafaqimit midis Perëndimit dhe Lindjes, duke u shprehur se kriza aktuale është me e rrezikshme se ajo e Karaibeve në vitin 1962 .23
Nuk janë të paktë zërat, sipas të cilëve, po shfaqen fantazmat e luftës së tretë Botërore 24, e cila, sipas tyre, nuk mund të jetë tjetër veç luftë bërthamore.
Profesori i Universitetit Kolumbia, Robert Levgold, paralajmëron se acarimi i krizës së sigurisë në qendër të Europës mund të kthejë rrezikun e kësaj lufte .25
Aq më tepër që Vladimir Putini, më se një herë, gjatë këtij viti, i është referuar arsenalit bërthamor rus dhe nevojës së modernizimit të tij. Në doktrinën ushtarake dhe atë të sigurisë të Federatës Ruse, që në vitin 1993, është hequr dorë nga parimi “i mospërdorimit i pari të armës bërthamore”. Para pak kohësh, ishte pikërisht Moska ajo që kërcënoi se vetëm Rusia është në gjendje që ta shndërrojë SHBA-në në pluhur radioaktiv .26
Se çfarë do të thotë luftë bërthamore, këtë e ka paralajmëruar me kohë Albert Ajnshtajni: pas luftës së tretë, e katërta do të zhvillohet me gurë dhe me shkopinj .27
Nisur nga arsenalet e fuqishme bërthamore që zotërojnë SHBA dhe Rusia armagedoni eventual atomik, me shumë gjasë, do t`i jepte fund jetës në planetin tonë.
Sa janë reale gjasat për luftë botërore, në mënyrë të veçantë, për një ballafaqim bërthamor midis Rusisë dhe SHBA-së?
Për t`i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, duhet nisur nga rrethanat aktuale, si dhe nga raporti i forcave midis aktorëve kryesorë të skenës politike ndërkombëtare. Precedentët historikë janë të pamjaftueshëm për të arritur në përfundime të argumentuara shkencërisht. Analogjitë me të shkuarën mund të ofrojnë pjesë të së vërtetës, por asnjë prej tyre nuk pasqyron dot situatën e tanishme, sidomos sa u përket prognozave katastrofike .28 Duke pranuar që situata e sotme ndërkombëtare ka “ngjashmëri të dukshme strukturore” me atë në prag të Luftës së Parë Botërore, duhet vënë në dukje se ato janë larg së qëni identike. Mark Tuen ka shkruar se historia rimon 29, duke kuptuar me këtë që ajo nuk përsëritet, as nuk mund të përsëritet pikë për pikë.
Dallimi themelor është se me 1914, përballë njëri-tjetrit ishin dy blloqe antagoniste, nga njëra anë, Antanta (Britani, Francë dhe Rusi) dhe, nga ana tjetër, Blloku Qëndror, (Gjermani, Austro-Hungari).
Në mars 2014, Rusia ndërhyri e vetme në Ukrainë, pa patur ndonjë aleat pas vetes. Bile as Bjellorusia dhe Kazakistani, anëtarë të Bashkimit Doganor Euraziatik, nuk i mbështetën veprimet e Moskës në Krime.
Një dallim tjetër, gjithashtu thelbësor, ka të bëjë me raportin e forcave. Moska, vërtet, ka arritur paritetin strategjik me Uashingtonin, që në mesin e shekullit të 20-të, por në të gjithë elementët e tjerë të fuqisë ekziston një asimetri e dukshme midis këtyre dy vendeve. Mjafton të përmendim që ekonomia e SHBA-së është tetë herë më e madhe se e Rusisë, buxheti ushtarak amerikan është shtatë herë më i lartë se ai rus 30, pa folur për epërsitë e SHBA-së në teknologji, në telekomunikacion, në “fuqinë e butë”, etj.
Në këtë kontekst, vështirë të thuhet që Putini është i gatshëm për një ballafaqim me SHBA, me NATO-n dhe Perëndimin, në përgjithësi. Deklaratat e tij kërcënuese duhen parë më shumë si mjet presioni ndaj Perëndimit, për të zbutur sanksionet apo për ta lënë të qetë në “tajgën” e tij, sesa kërcënim real për përdorimin e armës bërthamore. Kërcënime të tilla pati bërë edhe paraardhësi i tij, Boris Jelcin, në vitin 1995, gjatë luftës në Bosnje-Hercegovinë, si dhe në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, si shprehje e pakënaqësisë së tij ndaj ndërhyrjes së NATO-s kundër forcave serbe .31 Ato mbeten pjesë e retorikës së nxehtë, më shumë simbol i dobësisë, sesa i fuqisë ruse. Siç do të mbeten të tilla, me siguri, edhe kërcënimet e Putinit. Sepse çdo udhëheqës shteti që ka pultin e komandimit të armës bërthamore e di që shtypja e tij çon në shkatërrimin e ndërsjellë, të sigurtë. Është vetë arma bërthamore që shërben si siguresë për mospërdorimin e saj dhe jo arsyeja e shëndoshë e Putinit dhe as triumfi i drejtësisë ndërkombëtare. Ka shumë të ngjarë që, po të mos ishte arma bërthamore, lufta botërore do të kishte filluar me kohë.
Megjithatë, siç konstaton me të drejtë studiuesi bullgar, Ivan Krastev, përkujtimi i 100 vjetorit të fillimit të Luftës së Parë Botërore, e bëri të pashmangshme referimin ndaj analogjisë me të 32, gjë që nuk kaloi pa ndikim në vendimmarrjen dhe reagimin e Brukselit dhe të Uashingtonit. Sipas këtij koncepti, që njihet edhe si “sindromi i Luftës së Parë Botërore”, meqenëse konflikti para 100 vjetësh erdhi si pasojë e keqkuptimit dhe mungesës së besimit midis fuqive të mëdha, pra, dështimit të diplomacisë, atëhere, mësimi që duhet nxjerrë është ky: kujdes nga reagimi i tepruar, jepi shans diplomacisë 33 ; ndaj veprimeve të Moskës të veprojmë me kujdes, të mos e provokojmë atë, përndryshe ajo do të bëjë ndonjë të keqe edhe më të madhe. Ky koncept gjeti vend në reagimet e para të Perëndimit ndaj aneksimit të Krimesë, të cilat ishin të vakëta dhe të mangëta 34, duke u kufizuar me disa sanksione ndaj një numri nëpunësish të administratës së Putinit.
Koncepti tjetër, që filloi të shfaqet me thellimin e krizës, ishte i kundërt me atë të sindromit të Luftës së Parë Botërore: ndaj Rusisë duhet qëndruar fort 35, ajo duhet frenuar në agresivitetin e saj dhe ky frenim duhet të jetë sistemor, në të kundërt, lëshimet dhe pasiviteti e trimërojnë regjimin e Putinit dhe ai mund të ndërmarrë aventura të tjera, me pasoja edhe më të rënda. Pra, jo reagimi, por mosreagimi do të ishte i rrezikshëm. Këtë kishte dëshmuar përvoja e Luftës së Dytë Botërore, kur politika e pajtimit me Hitlerin, veç i kishte shtuar orekset e tij dhe historia e saj, tashmë, dihet. Këtë dëshmoi edhe përvoja e Luftës së Ftohtë, kur politika amerikane e frenimit dhe sanksioneve ndaj BS dha frytet e veta.
Këtë dëshmoi edhe rasti i Kosovës, kur qëndrimi i fortë i Perëndimit ndaj Millosheviçit u konkretizua me ndërhyrjen e NATO-s, në pranverën e vitit 1999, duke parandaluar spastrimin etnik të shqiptarëve nga dhuna e strukturuar ushtarake dhe policore serbe.
Koncepti i qëndrimit të fortë gjeti konkretizimin e vet me sanksionet e nivelit të tretë të BE-së dhe vendimet e Samitit të NATO-s në Uells, të cilat, pritet që në të ardhmen e afërt, të japin efektet e duhura.
Përkujtimi i 100 vjetorit të fillimit të Luftës së Parë Botërore, si dhe zhvillimet e sotme ndërkombtare, sidomos lufta e Rusisë kundër Ukrainës, pra historia dhe e sotmja duhet të shërbejnë si momente reflektimi për shqiptarët. Popujt dhe kombet seriozë nxjerrin mësime të vyera nga përvoja historike dhe ajo aktuale. Ashtu si gjatë historisë, politika zyrtare e shtetit rus vazhdon të jetë në kundërshtim me interesat tona kombëtare shtetërore. Moska vazhdon të mbetet kundërshtari më i egër i pavarësisë së Kosovës. Si instrument të lojërave të saj gjeopolitike në rajonin e Ballkanit, ajo ka zgjedhur Beogradin dhe serbët, natyrisht, në funksion të interesave të veta dhe jo “vëllezërve sllavë”.
Nga ky këndvështrim, ngjarjet në Ukrainë, edhe një herë tjetër, rikonfirmojnë të vërtetën e shpallur, që në kohën e Rilindjes dhe të përsëritur si devizë kryesore në lëvizjet demokratike, në kapërcyell të viteve `80- `90-të të shekullit të 20-të, se për Shqipërinë dhe Kosovën, ashtu si për gjithë kombin shqiptar, nuk ka alternativë tjetër, veç forcimit të lidhjeve të gjithanshme me Perëndimin dhe, veçanërisht, me aleatin tonë strategjik-SHBA, si dhe vazhdimi i proceseve integruese në strukturat euro-atlantike.
_________________
1.Pavel Sheremet, “Peredel Ukrainy”, Ukrainskaya Pravda, 14.04.2014
2. Robert Kagan, “Superpowers don`t get to retire”, www.newrepublic.com, 26.05.2014
3.Gal Luft, “Tsar Vladimir the first”, www.foreignpolicy.com, 05.08.2014
4.Viktor Cernomyrdin, “Vyzov”, M., 2003, s. 193-194;
“Za balkanskimi frontami Pervoy Mirovoy Voyni “, M., 2002, predisllovye, s.3
5.Nikolay Rizhkov, Vyacheslav Tetyokin, “Yugoslavskaya Golgofa”, M., 2002, s. 22-35;
E. Yu. Guskova, “Istoriya Yugoslavskogo krizisa” (1990-2000), M., 2001, s. 508;
A. Bezhicky, “Voyna, kotoraya vsegda s toboy”, Ogonyok, nr. 30, iyul`, 1995
6.Henri Kisinger, “Diplomacia”, Tiranw 1999, f. 194;
Patrick. J. Buchanan, “Who and what is Vladimir Putin?”, The American Conservative, 18.03.2014;
Margaret Macmillan, “Sherri i madh i Serbisë së vogël”, Koha Ditore, 18.01.2014
7.Henri Kisinger, op. cit
8.Henri Kisinger, op.cit, f. 181;
N. Rich, “Diplomacia e fuqive të mëdha 1814-1914”, Tiranë, 2006, f. 260-261
9.Yu. Pisaryev, “Tayny Pervoy Mirovoy Voyny. Rossiya i Serbiya v 1914-1915 gg.”, M., 1990, s. 109-110
10.D.C.B. Lieven, “Russia and the origins of the First World War”, New York, St. Martin`s Press, 1983, p. 46
11.D.C.B. Lieven, Op.cit, p. 69
12.George F. Kenan, “The fatefull alliance: France, Russia and the coming of the First World War”, New York, Pantheon, 1984, Apendix II, p. 264
13.“Istoriya vneshney politiki Rossii”, M., 1997
14.Moris Paleologu, (1859-1944), diplomat i shquar francez, nga viti 1914 deri në vitin 1917 ka qenë ambassador i Republikës së Francës në Perandorinë Ruse
15.Cari Nikollaj II (1868-1918), ka qenë perandori i fundit rus. Gjatë revolucionit të shkurtit të vitit 1917, abdikoi nga froni. Me urdhër të autoriteteve sovjetike, në vitin 1918 u pushkatua në qytetin Ekaterinburg, me të gjithë anëtarët e familjes së tij.
16. Moris Paleologu, “Tsarkaya Rossiya vo vremya mirovoy voyny”, M., 1991
17.Viktor Cernomyrdin, op cit
18.Gal Luft, op.cit
19. Vladimir Putin, “Obrascheniye Prezidenta Roossiskoy Federacii”, www.kremlin.ru, 18.03.2014
20.Charles W. Freeman, “Kogda bessil`na diplomatiya”, www.globalaffairs.ru, 03.09.2014
21.Dominik Geppert, Sonke Neitzel, Cora Stephan, Thomas Weber, “Pochemu vinovata ne tol`ko Germaniya”, Die Welt, www.inosmi.ru, 12.01.2014
22.Sergey Karaganov, “Evropa: Okonchit` holodnuyu voynu”, www.globalaffairs.ru, 08.04.2014;
Sergey Karaganov, “Evropa i Rossiya: Ne dopuskat` novoy holodnoy voyny”, www.globalaffairs.ru, 27.04.2014;
Fyodor Lukyanov, “Mechta o holodnoy voynye”, www.globalaffairs.ru, 28.04.2014;
Georgiy Bovt, “Hotyeli russkiye voyny?”, www.globalaffairs.ru, 02.03.2014
23. Stephen F. Cohen, “The new cold war and the necessity of patriotic heresy”, www.thenation.com, 12.08.2014
Dominik Geppert, Sonke Neitzel, Cora Stephan, Thomas Weber, “Pochemu vinovata ne tol`ko Germaniya”, Die Welt, www.inosmi.ru, 12.01.2014
Sergey Karaganov, “Evropa: Okonchit` holodnuyu voynu”, www.globalaffairs.ru, 08.04.2014;
Sergey Karaganov, “Evropa i Rossiya: Ne dopuskat` novoy holodnoy voyny”, www.globalaffairs.ru, 27.04.2014;
Fyodor Lukyanov, “Mechta o holodnoy voynye”, www.globalaffairs.ru, 28.04.2014;
Georgiy Bovt, “Hotyeli russkiye voyny?”, www.globalaffairs.ru, 02.03.2014
Stephen F. Cohen, “The new cold war and the necessity of patriotic heresy”, www.thenation.com, 12.08.2014
24. Jacques Attali, “Geopolitique de l`humiliation”, www.slate.fr, 16.09.2014;
Gareth Evans, “Five reasons why the sky is not falling”, www.project-syndicate.org, 27.05.2014;
Han Siudun, “Pora gotovit`sya k tret`yey mirovoy”, Huancin Zhibao, www.inosmir.ru, 16.09.2014
25..Robert Legvold, “Managing the new cold war”, www.foreignaffairs.com, 08.08.2014
26.Fyodor Lukyanov, op cit
27.Andrey Bystritskiy, “SMI v koren` ”, www.globalaffairs.ru, 27.01.2014
28.Dominique Moisi, “Vladimir Poutine donne un nouvel elan a l`axe Paris-Berlin”, Les Echos, FR, 24.03.2014
29.Graham Allison, “Could the Ukraine crisis spark world war?”, The national interest, 07.05.2014
30.Robert Legvold, op cit
31.John Mearsheimer, “Why the Ukraine crisis is the west`s fault?”, www.foreignaffairs.com, (nr. 5, 2014), dt.31.08.2014
32.Ivan Krastev, “1914 protiv 1938: kak yubileynyie daty delayut istoriyu”, www.globalaffairs.ru, 19.07.2014
33. Ivan Krastev, idem.
34.Robert Kagan, op cit
35. David J. Kramer, “Action, not words needed for Ukraine”, The Washington Post, 22.04.2014; David Francis, “How NATO could confront the Putin doctrine”, www.foringpolicy.com, 26.08.2014
*Kumtesë e mbajtur para disa muajsh në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Islam Lauka, lufta aktuale, sindromi i Luftes se I Boterore, Ukraina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4112
  • 4113
  • 4114
  • 4115
  • 4116
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT