Ngjarje të rëndë të ndodhur në Spanjë ku forcat e gardës civile kanë rrëzuar një helikopter që transportonte drogë nga Maroku dhe piloti është një major i FA shqiptare. Ky major është në strukturat e Forcave të Armatosura Shqiptare prej 18 vjetësh, gradën major e ka marrë në vitin 2009 dhe është një nga pilotët më të besuar të Forcave tona të Armatosura./
Kryeministri i vendit, Edi Rama duke folur nga foltorja e kuvendit dhe në përgjigje të akuzave të opozitës ka informuar sot lidhur me një ngjarje të rëndë të ndodhur në Spanjë ku sipas tij është rrëzuar një helikopter që transportonte drogë i cili drejtohej nga një major i Forcave të Armatosura Shqiptare.
“Para pak minutash Ministria e Jashtme është njoftuar për një ngjarje të rëndë të ndodhur në Spanjë ku forcat e gardës civile kanë rrëzuar një helikopter që transportonte drogë nga Maroku dhe piloti është një major i FA shqiptare. Ky major është në strukturat e Forcave të Armatosura Shqiptare prej 18 vjetësh, gradën major e ka marrë në vitin 2009 dhe është një nga pilotët më të besuar të Forcave tona të Armatosura. Tani nuk ja vlen të hyjmë në diskutimin është piloti jonë apo juaji”, tha Rama.
Ndërkohë, mediat spanjolle e kanë raportuar së fundmi këtë ngjarje, duke saktësuar se në bordin e helikopterit ndodheshin dy persona, njëri spanjoll dhe tjetri i huaj, të cilët transportonin 30 pako hashash.
Helikopteri i ngarkuar me drogë është përplasur me një shtyllë tensioni në Cortes de la Frontera të Malagës duke shkaktuar vdekjen e dy pilotëve. Mes tyre është identifikuar majori shqiptar i FA, Sokol Feka. Ngjarja ka ndodhur në të gdhirë të ditës së martë, sipas gazetave ‘Diario Sur’ dhe ‘Malaga Hoy’.
Autoritetet kanë gjetur në helikopter rreth 30 pako hashash, por ende nuk është saktësuar sasia në kilogramë pasi hetimi po vazhdon.
Ministria e Mbrojtjes: Feka, instruktor në bazën ajrore të Farkës, kishte marrë leje 12- 31 janar
Ministria e Mbrojtjes është informuar në rrugë zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqiperisë se një ngjarje e pakëndshme ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Spanjë.
Guardia civil Spanjolle njoftoi se është rrëzuar një mjet fluturues akoma i paidentifikuar, i dyshuar se po merrej me aktivitet të paligjshëm. Nga verifikimet paraprake, helikopteri udhëtonte nga Maroku në Spanjë.
Si pasojë e rrëzimit të avionit piloti ka rezultuar i vdekur. Bazuar në dokumentet e gjetur mendohet se ky person të jetë shtetasi shqiptar Sokol Feka major, me detyrë instruktor në bazën ajrore të Farkës.
Ministra Mbrojtjes është duke bërë verifikimet nëse dokumentet e gjetura përkojnë me shtetasin në fjalë. Major Feka është pjesë e Forcave të Armatosura prej 18 vitesh dhe mban gradën major që nga viti 2009.
Me informacionin që Ministria e Mbrojtjes disponon, shtetasi Feka ka marrë lejen e zakonshme për periudhën 12- 31janar 2015, por nuk ka aplikuar për leje për të dalë jashtë vendit, duke shkelur rregullat e parashikuara në ligjin për Statusin e ushtarakut në Republikën e Shqiperisë. Përmes një shkresë zyrtare,
Ministria e Mbrojtjes i ka kërkuar verifikimin urgjent të lëvizjeve të shtetasit Feka, Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorishë së Përgjithshme të Policisë Shtetit.
VETEM PUNESIMI PARANDALON EKSODIN MASIV NE KOSOVE
NGA FAIK KRASNIQI-PUBLICIST NGA PRISHTINA/*
Me rezoluta në Kuvend nuk parandalohet ikja masive nga Kosova, por me hapjen e vendeve të reja të punës! Çdo zyrtar i lartë qeveritar merrë minimum pesë paga, por ka prej tyre që marrin edhe nga dhjetë e deri në pesëmbëdhjetë paga. Me nga pesë, dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vende pune që kanë, e që paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës, ( asnjërën nuk e kryejnë por vetëm marrin paga), këta zyrtarë ua zënë vendin mijëra të papunëve! Paga më e ulët e tyre është 600 euro, dhe më e larta që marrin shkon deri në 5000 -6000 euro!
1) Nëse Qeveria çdo zyrtari të saj do t’ua ndalonte marrjen e më shumë se një page, në ato vende të lira pune do të futeshin në punë disa mijëra të papunë!
2) Çdo zyrtari qeveritar t’i ulet paga! Duke filluar nga Presidentja, kryeministri, kryeparlamentari, ministrat, zv-ministrat dhe deputetët për tredhjetë për qind, kurse zyrtarëve të tjerë për njëzet për qind!
3) Në Kuvend të miratohet ligji që të mos ketë pagë më të lartë se 1000 euro, që paguhet nga buxheti i Republikës së Kosovës!
4) Të zvogëlohen mëditjet dhe shpenzimet telefonike për zyrtarët qeveritar dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës!
5)Të kursehet në karburante, mallëra dhe shërbime!
6) Qeveria për një mandat të mos blej vetura për institucionet shtetërore!
7) Mos të rriten pagat për shërbyesit civilë !
8) Heqjen e taksave apo lehtësim për investitorët e huaj dhe vendas!
9) Lirimin e energjisë elektrike!
10) Në këtë mandat të zvogëlohet buxheti për ndërtimin e autostradave!
11) Të ndalohet me ligj në Kuvend, marrja e më shumë se një page nga buxheti i Republikës së Kosovës!
12) Investimet kapitale të shkojnë në zhvillim ekonomik, kryesisht në bujqësi, në mënyrë që të hapen vende të reja të punës! Etj, etj!
Kurse nga kursimi i parave nga shpenzimet lukse të qeveritarëve, të gjitha të investohen në bujqësi, biznese të mesme dhe të vogla, për hapjen e vendeve të reja të punës! Por nëse vazhdohet kështu me avazin e vjetër, pastaj ky popull i shkretë ku të mbajë shpresë që do bëhet mirë dhe do të kenë një vend pune! Qytetarëve të Kosovës nuk është duke interesuar politika, por as edhe një parti apo lider! Qytetarët e Kosovës janë lodhur tash e 15 vite nga papunësia, skamja, varfëria, dhe iu ka humbur shpresa se këtu do të bëhet mirë, prandaj çdo natë me dhjetëra autobusa plot me qytetarë të Kosovës, të rinjë, gra dhe fëmijë, madje edhe pleq, po ia mësyjnë Hungarisë e për të vazhduar drejt shteteve të Perëndimit! Këtë s’po e bëjnë nga qejfi, por nga mungesa e perspektivës, papunësisë, skamjes dhe varfërisë!
Ata detyrimisht do të marrin rrugën e migrimit ilegal dhe asnjë rezolutë s’do të mund t’i ndalojë! Nëse vazhdohet me këtë trend të ikjes masive, brenda një viti Kosova do të zbrazet e tëra dhe do të kemi vetëm Qeveri dhe Kuvend por pa popull!
*Bashkepunetor i Gazetes Dielli
Muzika është po aq e bukur sa edhe e vështirë
….Më bën të lumtur harmonia e familjes time dhe më nervozon ligësia e njerëzve…/
– Flet Këngëtarja simpatike, Klodiana Hasani/
Nga Albert Z. ZHOLI
/
Energjike, sexy dhe me shumë adrenalinë. Kjo është Klodiana, këngëtarja simpatike e cila po korr sukses në fushën e muzikës të vendit tonë . Në këtë shërbim fotografik paraqet një imazh të përkryer të femrës së kohës, realizuar nga fotografi I talentuar Fani Aliko . Një buzëqeshje rrezëlitëse, sy që shkëlqejnë dhe një fytyrë që transmeton vetëm mirësi. Është një kënaqësi të bisedosh me një artiste si Klodiana . Edhe mënyra se si ajo flet, duket sikur po dëgjon një melodi. Me ciltërsi më tregon për jetën e saj, dashuria për familjen, klipin e fundit si edhe impenjimet aktuale. Një nga femrat më të bukura shqiptare, por më shumë se kaq ajo është një nga njerëzit më të mirë… Lexim të këndshëm !
- Do na tregosh pak kush është Klodiana, çfarë ka bërë deri më tani dhe si iu fute botës së muzikës?
Përshëndetje lexues, unë quhem Klodi dhe vij nga qyteti i Pukës. Muzika ishte pasioni im më i madh qysh në fëmijëri dhe tashmë një ëndërr e kthyer në realitet. Së fundi kam lancuar klipin tim më të ri, “Nuk me the lamtumire”
- E kujt kë qënë ideja e këngës dhe a ishe e sigurt për suksesin e klipit, ashtu si edhe për këngën? Ideja ishte e imja, por falenderoj edhe bashkëpunëtorët e mi, në veçanti Max Production
- E ke arritur suksesin që ke dëshiruar kohë më parë?
Mendoj se po.
- 24-orëshi i Klodianes , si është?
Shumë i ngarkuar me pune në studio e aktivitete muzikore.
- Pushimet më të bukura që kë bërë?
Në bregdetet e Greqisë.
- A e konsideron fat pamjen tënde të këndshme, apo do të më thuash sloganin që përdorin të gjitha, pamja të ndihmon po nuk është gjithçka?
Në rradhë të parë, është gjenetike, mendoj une, pastaj mosabuzimi kurrë me ushqimin apo pijet alkoolike. Këto janë kryesoret për të patur një fizik në formë.
- Muzika është po aq e bukur sa edhe e vështirë. Ti vetë ku e sheh të bukurën dhe ku të vështirën?
Sepse në ditët e sotme bota e muzikës është jashtëzakonisht konkurruese .
- Cila është mënyra më e mirë për të nisur një ditë të re?
Ta nisësh me muzikë dhe ritëm ..
- Kush e përbën familjen tënde?
Prindërit e mi të dashur, vëllezërit e mrekullueshëm dhe motra, të cilët i përshëndes.
- Udhëton vetëm apo me shoqëri?
Nuk para udhëtoj vetëm pasi udhëtimet e mia në të shumtën e rasteve janë udhëtime pune.
- Je nga ato vajzat që zgjedhin apo nga ato që presin të jenë të zgjedhura?
Të dyja rastet.
- Je xheloze?
Aspak.
- Sa e sigurt ndihesh në vetvete?
Çfarë të bën të ndihesh e tillë?
100%, sepse i di aftësitë e mia.
- Sa arrin të ndjekësh trendet e reja të modës?
Sigurisht që edhe unë përshtatem.
- Cili ka qenë harxhimi i fundit për veshje?
Disa ditë më parë shopping pranë një qendre tregtare.
- Dukesh qe je e angazhuar shumë, a gjen kohë të lirë për shoqërinë, veten, familjen? Varet nëse jam e përgatitur me kohën.
- A po troket dikush në portën tënde të dashurisë apo tashmë ka trokitur?
No comment.
- Cila është gjëja e parë që të vjen në mendje sapo hap sytë në mëngjës?
Ta filloj ditën me shumë buzëqeshje e energji pozitive.
- Cila është ajo gjë që, e vlerëson më shumë tek vetja?
Këmbënguljen & Ambicien.
- Çfarë muzike dëgjon për qejfin tënd?
Muzikë të huaj.
- Çfarë te bën të lumtur dhe çfarë te nervozon ?
Më bën të lumtur harmonia e familjes time dhe më nervozon ligësia e njerëzve.
- E ke pasur ënderr që të jesh e njohur në publik?
Po, pse jo !
- Facebook është bërë një urë komunikimi sot në gjithë botën. Sa e lidhur je me të? Apsolutisht që po, pasi është një trend që është shumë i preferuar nga të gjithë.
- A mund të ndikojë shoping-u në humorin tënd?
Normalisht që po.
- Sa e shpërblyer ndihesh në planin profesional?
Mendoj se jam mirë me ç’kam arritur por, kurrë nuk kënaqem me pak.
LETER E HAPUR NGA BOSTONI ME PERMBAJTJE SHUME KRITIKUESE PRESIDENTIT RUS VLADIMIR PUTIN
Letren e ka shkrue biofizicisti i njohur Maksim Kamanetski, i cili u largue nga vendlidja e tij Rusija 21 vit ma pare dhe u sistemue me banim ne Boston te Shteteve te Bashkueme.
Nga Dmitri Volcheck e Claire Bigg,RFE/
Perktheu per Diellin: GJON KADELI/
Vjeshten qe kaloi, shkencetari Kamanetski shkoi ne Moske per kater muej, per te dhane mesim ne nji universitet te atij qyteti, dhe njikohsisht me shprese per te kalue nji kohe te kandeshme ne vendlindjen e tij.
FAJTOR ASHT PUTINI /
Ne lidhje m,e qendrimin e tij ne Moske, Zoti Kamnets, e pershkroi gjendjen si vijon: Gjate kohes qe ishem ne Moske, u preka nga nji ndiesi e madhe neverie, e cila , cdo dite dukej se zmadhohej. Arsyeja, asnjihere nuk ka pase, nji perqendrim aq te madh, ne nji vend aq te madh, sic asht Rusija, ne duerte e nji personi si Putini, qe nga koha e Stalinit. Stalini ia mberrijti ketij qellimi tuej ngrite “Pereden e Hekurt” tuej ushtrue “Terrorin e Madh” tuej shkatrrue pothuejse cdo gja te se kaluemese tuej terrorizue ne menyre te pergjithshme me ndeshkime, tuej perdorun sistemin trishtues te burgjeve dhe te kampeve te perqindrimit, te pagezuem em emnin GULAG.
Sot, asnji prej ketyne gjanave nuk ekzistojne. Kufijte jane te hapun,sistemi shtypes, edhe pse, ende ekziston, asht shume ma i bute. Megjithe kete, njerzit qe perbajne eliten intelektuale, kane fillue te pererisin here mbas here, si me qene idiote, tuej deklarue dashunine e pakufizueme dhe te pakusht per Rusine, si edhe per kulturen dhe historine e saj. Ata te japin pershtypjen se kane frige, se ne qofte se nuk vazhdojne ti perserisin keto gjana, si te terbuem [cmendun] ,ata do ta gjejne veten me shpine per muer. Pervec kesaj, qendrimi i tyne te pergjithsue, e aspak te arsyeshem ndaj Shteteve te Bashkueme. Natyrisht e gjithe kjo, i ka rrajte ne nji kompleks [ndiesi] shume te madhe inferioriteti. Por prap se prap, kjo gja nuk mund te perdoret, gjithmone si arsye. Askush nuk asht i interesuem, ne gjeopolitiken e pergjitheshme, do me thane se si shikohen [perceptohen] ne qarqet e ndryshme nderkombetare, sjelljet e Rusie. Mos shikoni te tjeret se i keni pa mjafte, tashti ktheni sysyte nga ne. Por fakti asht, se ne keto vende te tjera, vendimet ,me gjithse nuk jane gjithmone te drejta e korrekte, ato merren ne baze te kuadrit [caceve] te procesit demokratik, dhe gabimet e mudeshme te nji administrate, mund te ndriqen nga qeveria pasuese. Ne Rusine e soteshme, te gjitha vendimet meren nga nji person, i cili do te zevendesohet vetem mbas vdekjes se tij natyrore, ose te vritet nga ndokush.
Ajo qe me befasoi edhe ma teper asht, se qytetaret e ketij vendi, te pakten shumica dermuese e tyne, nuk i shikojne keto gjana, si kernim ndaj tyne, ndaj familjeve te tyne, ose ndaj botes ne pergjithsi. Natyrisht, disa njerez largohen nga vendi.Cka presin te tjeret? Kjo gja asht nji msheftesi per mue.Une jam i bindun,se kur autoritetet thone se mbrenda nji vjeti, cmimi i naftes do te shtohet dhe se rubles do ti ngrihet vlera, ata i besojne keto.
Nji gja tjeter qe vuna re, dhe se pothuejse me cmendi fare, ishte para se te largohesha nga Moska shkova ne disa dyqane ku shiten gjana kujtimore, si kemisha, fanela e tjera. Ne to shifet fotografija e Putinit, ne poza te ndryshme, i cili pershkruhet si “Presidenti ma i mire, presidenti ma i sjellshem” e te tjera si keto. Dhe kjo gja nuk asht propagande shtetnore. Natyrisht, per keto gjana ka kerkesa. Njerezve jo vetem qe ju pelqejne, por edhe i blejne.
Zoti Kamanetski thote se me nji atmosfere te qarte pasigurije dhe friges ne shtim e siper, qe ekziston tash ne ate vend, Rusia mund te kthehet mbrapa ne ish sistemin sovjetik. Ai shton se ka frige se cdo njeri, pa perjashtim do te jape llogari, dhe rrjedhimet do te jene shume te kqija. Kjo asht arsyeja se pse une mendoj keshtu. Nuk mund te shesish neper dyqane sende kujtimore me fotografi tejet ofenduese e raciste, kunder Presidentit te nji shteti te madh, sic asht Amerika. Nji veprim i tille, heret o vone, mund te kete rrjedhim ndeshkuese. Nuk luhet loje [cicmic] me Ameriken.
Tuej marre parasysh poziten time mjafte te vecante, si nji njeri qe kam jetue nji kohe te gjate ne Shtetet e Bashkueme, e qe kalova kater muej ne Moske, po flas ne menyren ma te sinqerte qe asht e mundun.
Te gjitha thashe e thanjet rreth Shtetetve te Bashkueme dhe Arabise Saudite, se gjoja bashkpunuen per te ulun cmimin e naftes, si nji perpjekje per te ndeshkue Arushen e Rusise per sjelljet e keqija te saj, jane krejtesisht marrezina. Askush ne bote nuk i ka dhane randesi te madhe Rusise,qe nga koha e shpartallimit te plote te Bashkimit Sovjetik. As nji gja nuk e shpjegon ma mire idene e nji krize te stuhishme, perball te ciles gjindet tashti Rusia. Tri procese, ne menyre te pamvarun, kane ngja ne te njejten kohe
1] Dalja ne skene e teknologjise se re gjate 15 vjeteve te fundit, ka pase si rrjedhim nji shtim te madh prodhimit te naftes ne Shtetet e Bashkueme dhe ne Kanada.
2]Ka pase nji ngadalsim te veprimtarive ekonomike ne bote, vecanarisht ne Europe e ne Kine.Edhe ekonomia japoneze, ka qene vend-numro per nji kohe te gjate. Si perfundim kerkesat per nafte jane paksue. Kombinimi i ketyne dy faktoreve, domethane shtimi i furnizimit dhe paksimi i kerkese, ishin gjana normale qe shkaktuen, zuljen e cmimit te naftes. Keta dy faktor jane te mjaftueshem, per te shkaktue nji krize te vertete, e cila filloj ne vjeshten qe kaloi.
3] Faktori i trete “Krym nash” Krimeja asht e jona, nji krijese artificiale e trillueme nga Putini. Me duket se Rusia ende nuk mund ta kuptoje, se aneksimi [pushtimi] i nji territore te nji vendi tjeter, edhe pa shkaktue gjakederdhje, asht nji ceshtje serioze dhe shume e rrezikeshme. Prandej, perpara se me ndermarre nji mveprim te tille,duhet te mendohet njeriu mire. Nji aneksim i tille,perban nji veprim shume te rrezikshem, ne vecanti, per europen, e cila ishte fushe beteje kryesore e dy dy luftavete pergjakeshme botnore.
Por, Ruset jane te bindun se Krimeja asht toke ruse, dhe se me te drejte duhet te jete pjese e saj. Ata kane plote te drejte te mendojne keshtu. Por, a me te vertete asht keshtu? Cfar mund te thuhet per te ashtuquejtunen zonen e Kaleningradit, qe ma pare quhej Koeninberg dhe Prusi Lindore? A asht edhe kjo toke Ruse? A po asht Gjermane. Gjermanet ne te vertete, kane cdo te drejte te mendojne keshtu. Po a jo? Cfar mund te ngjaje ne te ardhshmen, kur Risia ta gjeje vehten, ne nji pozite te gjujsueme, gja qe nuk mund te konsiderohet e pamundeshme. Po a jo? Gjermania kerkon ti kthehet mbrapa Prusia Lindore, dhe debon nga ajo zone te gjithe bannoret Ruse, sic debuen Ruset, disa kohe ma pare, Gjermanet e asaj zone. Prandej, cfar duhet te bajme? Perseri per te treten here,mbrenda 100 vjeteve te fundit, te vizatojme nji harte te re per Europen, me ndihmen aneksime, armeve dhe tankeve?
A e ka shqyrtue Zotni Putini planin e tij per te b ashkue Krimen me Rusin, me ndonji udheheqes te ndonji vendi tjeter, e sidomos me Organizaten e Kombeve te Bashkueme, ose NATON, perpara se te zbatonte kete plan? Hitleri e bani nji gja te tille. Ai zhvilloi bisedime me Francezet dhe me Anglezet ne Mun hen te Gjermanis, perpara se te pushtonte Cekosllovakin.
Piutini, natyrisht mendon, se pasja e armeve berthamore e bane ate te mendoje keshtu domethane
se askush nuk mund te fitoje nji lufte kunder Rusis. A mos e ka harrue ai “Katastrofen gjeopolitike ma te madhe te qindvjeteshit 20-te? Sic e thashe ma pare, askush nuk i frigsohet Rusise. Ajo ashte shume e dobet ne cdo pikpamje. Prap se prap u desht te veheshin sanksione, kunder njeriut te terbuem.
Me duhet me thane, le te shpresojme qe sanksionet e vendeve perendimore, dhe kunder sanksionet e Putinit hiqen, e njerzit fillojne me shite perseri gjathe te mire. Ne qofte se kjo gjendje e kriejueme nuk ndryshon, dhe nji krize e madhe fillon, atehere ka du rruge. 1] Shpartallimi trishtues i rregjimit te Putinit dhe 2] nji gjendje katastrofike dhe te vazhdueshme, per popullin Rus.
Peticion për hapjen e dosjeve; personalitetet botërore, apel politikës shqiptare
Pas nismës së shkrimtares dhe gazetares Lindita Arapi, mbi 90 shkrimtarë dhe personalitete të botës ndërkombëtare kanë firmosur një peticion i cili mbështet hapjen e dosjeve në Shqipëri.
Ky peticion, i cili është një apel për hapjen e dosjeve, është bërë publik në ambjentet e institutit të ish-të përndjekurve politikë.
“Jemi vetëm 4-5 intelektualë shqiptarë që jemi pjesë e apelit të nënshkruar nga intelektualë të ndryshëm evropianë, por ne tentojmë që sot të sensibilizojmë publikun dhe të ftojmë ata që kanë ndjeshmëri t’i bashkohen peticionit”, deklaroi publicisti Mark Marku.
Por a ndikon hapja e dosjeve dhe bërja transparencë e funksionarëve të lartë të shtetit në dhunimin e së drejtës personale? Arapi solli shembullin e Gjermanisë.
“Nëse unë dua të ruaj të drejtat e mia, atëherë dua të di se çfarë ka të regjistruar shteti për mua. Kjo qe baza juridike e ligjit të dosjeve në Gjermani. Nuk kaloi kollaj, por sot në Gjermani çdo individ mund të shohë dosjen e tij dhe kjo nuk shkakton më frikë dhe tmerre që ngjallnin debatet mediatike”, deklaroi Arapi.
“Nëse ata që do emërojnë zyrtarë apo që do kenë mundësi të fusin në lista kandidatë do jenë të vetëdijshëm që kemi një ligj që bën transparencë mbi të shkuarën, nuk besoj se do jenë aq guximtarë e kurajozë që të marrin vendime për të vënë në jetën tonë publike njerëz me të shkuar të errët nga regjimi i kaluar”, tha nga ana tjetër Bilal Kola, drejtor i Institutit të ish-të përndjekurve.
Projektligji për hapjen e dosjeve parashikon që çdo i përndjekur politik të njihet me dosjen e tij, si dhe të mësojë se kush është bashkëpunëtori i sigurimit të shtetit, i cili ka hartuar dosjen.
Në nenin 28 të këtij projektligji kërkohet që për funksionarë të lartë të hallkave të shtetit shqiptar të bëhet transparencë, pra të shihet nëse ata kanë ose jo dosje.
Arkiv
Hapja e dosjeve, Veliaj: Jo “gjueti shtrigash”, pastrim të institucioneve/
Projektligji për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit përfshin pastrimin e figurave, por jo hapjen e një fushate për të dëmtuar emra apo persona të caktuar.
Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, tha se ky projektligj, i cili është hartuar sipas modelit gjerman por duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionin e Venecias, do të ndihmojë fillimisht ish-të burgosurit politikë, të cilët kërkojnë të zbulojnë se çfarë u ka ndodhur atyre dhe familjarëve të tyre.
“Një pjesë e politikës fillon e shantazhon pjesën tjetër, duke kërkuar një ligj lustracioni me një target të qartë në mendje, për të përjashtuar nga jeta publike dikë. Realisht ky ligj ka parasysh së pari transparencën totale; së dyti një lustracion apo pastrim të figurës, ku çdo institucion duhet të marrë këto përgjegjësi. Ligji përcakton që, për shembull, Këshilli i Ministrave apo kryeministri duhet të kërkojë verifikimin e figurave të anëtarëve të kabinetit të vetë dhe të marrë vendime mbi këtë verifikim që do t’i kërkohet komisionit. Ministri, një drejtues tjetër, apo një ambasador i ardhshëm, do të kërkohet gjithashtu të verifikohet dhe më pas të marrë një vendim. Ne nuk mund t’i heqim dikujt të drejtën kushtetuese, duke qenë se gjykata është shprehur për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, ose për të punuar diku. Por, kryesorja është se publiku ka të drejtë të informohet”, theksoi ministri Veliaj.
Por si do të bëhet pastrimi i figurave? Çdo institucion ka të drejtë të kërkojë lustracionin e zyrtarëve që punojnë aty.
“Kjo lloj pastërtie figure që ne kërkojmë do të jetë në vendimmarrjen e çdo institucioni. Parlamenti do të duhet të marrë një vendim për deputetët, ndërkohë që ekzekutivët për stafet e tyre, sepse një Sekretar i Përgjithshëm apo një drejtor në një Ministri nuk është i zgjedhur, por i emëruar ose ka fituar një konkurs. Kjo do të thotë se procedura të tjera janë për persona të ndryshëm. Ndaj dhe këtu nuk duhet të ngatërrojmë dënimet kolektive ‘alla komuniste’ për të kërkuar dekomunistizim, por duhet të kërkojmë për ata që kanë pasur përgjegjësi individuale”, u shpreh më tej Erion Veliaj.
Janë me mijëra dosje, të cilat duhet të dixhitalizohen dhe inventarizohen. Një komision prej pesë vetësh, jashtë politikës dhe krejtësisht të pastër, do të drejtojë këtë arkivë, ngritja e të cilit kërkon një buxhet dhe një staf të specializuar.