• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DED GJOMARKAJ HERO I QENDRESES KUNDER DIKTATURES KOMUNISTE

January 27, 2015 by dgreca

Ne Foto: DED GJOMARKAJ 1921-2015/
Nga Lek Pervizi/
Ky lajm solli një trishtim te madh në të gjitë ata që e kanë njohur Dedën në konditat e burgjeve e kampeve të internimit,j ku ai kaloi gjithë jetën. Pavarësiht nga mosha e madhe 94 vjeç, figura e tij mbetet gjitmonë ajo e atyne rrethanave të vështira në të cilat na kishin bashkuar dënimet e njepasnjeshme të regjimit komunist. Deda i pëtkiste asaj familje të madhe e të nderuar të Gjomarkajve, Kapidanave të Mirditës, që edhe Turqia ia kishte njohun titullin e lartë princor dhe, ku siç dihet, Mirdita është e vetmja krahinë e mbetur krejtësisht katolike, ku perandoria osmane nuk ndikoi.
Nuk ka dyshim se ky trashëgim historik pëshonte edhe mbi shpatullat e Dedës, si pinjoll i asaj familje. Kjo do të thoshte, se ai duhej t’i përgjigjej situatës së rëndë që e kishte përfshi. Dhe koha do të tregonte se ai kurrë nuk ia lejoi vetës të mposhtët sado që konditat të ishin të vështira e pothuejse të padurueshme.
Si bashkëvuejtës dhe i afërt i tij, nip e dajë, jemi gjetur ne te njejtat rrethana, jo vetëm si familje të destinuara nga diktatura që të asgjësohën, por edhe ne rrethana vetjake, ku kërkohej qëndresë e vendosmëri për të mos u përkulur para dhunës e joshjëve. Diktatuira komuniste pëdorte të gjithë mënyrat e mjetët për të thye qëndresën e disa përsonave që vinin nga familje të mira e të mëdha për t’i denigruar e përulur.
Kemi shumë raste ish te burgosurish e të internuarish që e kanë paraqitur veten si flamurtarë të qëndresës duke rreshtue dënimet e tyre e duke u vetquajtur Mandela, në kurriz te atyne që ua kishin kalue sa herë mandelave. Deda ishte nje nga ata, që nuk doli të rrahë gjoksin, as të ngrejë zanin. Ai ishte tepër fisnik e nuk mund ta ulte veten aq poshtë sa me e reklamue veten si burrë i mirë. Sot, në këtë ditë të zezë të vdekjës e gjithë reklama e tij shpaloset me madhështinë e saj si njeriu që për 46 vjet rresht i tha diktaturës, ndal, me mue nuk ia del, as me forcë as me të mirë (dinakeri).
Lindur më 1921, në moshën 22 vjeç arrestoët dënohët 5 vjet burg. Përveç burgut njohu tmerrin e kampëve të punës, Maliq, Vloçisht, Beden e Lekaj deri 1950. Këtu Deda lirohet për plotësim dënimi e vjen në Tiranë e bashkohët me ne dajat e kushërij të tij Ku të shkonte ? E gjithë familja në internim në Tepelenë. Vllazznit e malit, Marku dhe Lleshi ishin vra. I ati me dy vllaznit e tjerë ishin arratisë jashtë shtetit e nuk kishin asnjë lidhje me familjhën ertyne. Aq ma pak me Dedën. Shtëpia në Shkodër konfiskue. Sarajet e Oroshit, djegur. Menjëherë u kuptue se lirimi tij ishte ba me qëllim. Spiunët u dyfishuan në vigjilencë ekstreme ditë e natë. Ky qëllim rrinte mbi skrivanitë e Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut. Kjo dyshe e tmerrshme po sajonte një lojë për asgjësimin e gjithë të arratisurve, sidomos të veriut, ku kishte fillue hedhja e diversantëve nga ajri dhe hyrja nga kufiri jugosllav. Duhej gjetur njeriu që mund ta realizonte atë punë. E kush mund ta bante më mirë se Ded Gjomarkaj, ky pinjoll i Kapidanëve të Mirditës ? Arretestohëmi në dy vllazni. Deda paraqitet se u paskej shpëtue e dale në mal. Ndërkohë unë e Valentini mbyllemi në Kalanë e Portopalermos. U hap fjala se Ded Gjomarkaj ishte arratisur dhe djemte e Prenk Pervizit i kishin zhdukur. Kjo fjalë shkoi në veri, Mirditë, Kurbin, Krujë Lezhë, Pukë. U shpall me fjalë, se Ded Gjomarkaj, djal’i Kapidan Gjonit, i ftonte të gjithë të arratisurit të mblidhëshin në një vend në Zall Herr për të krijuar bashkiminj e gjithë të arratisurve për organizimin e qenresës së armatosur kundër komunistëve, me ndihmën e jashtme. Sigurimi me në krye Kadri Hazbiun, krijuen gjoja grype të arratisur (sigurimca) për me ra në kontakt me të arratisurit e malit. Po Deda ku ishte ? Duke kujtuar se Deda do ta pranonte atë lojë, me premtimet shumë joshëse, pra me të mira, krenët e Sigurimit, si Mehmeti ashtu Kadriu u gjeten para nje refuzimi kategorik. Deda mbahej në izolim të plotë. Askush nuk dinte gjë për të. Kështu që pralla se ka dalë në mal bahej e besueshme. Në Portopalermo sollën do Mirditorë, Të pyetur prej nesh mos dinin gjë. Ata e besonin daljen e Dedës ne mal dhe u çuditën kur na gjetët aty. Sepse ne quhëshim të zhdukur. Duke mos ia dale as me të mire as me të keq me Dedën, Kadri Hazbiu e ndryshoi lojën. Gjetën një të burgosun (tiranas) të cilin e kurdisën të paraqitej si Ded Gjomarkaj në atë mbledhjën e Zall Herrit. Një si sosi e tij. Në këtë plan, Kadri Hazbiu u bë si arratisur e me disa njerëz të sigurimit shkoj në Kurbin, drejt në Skuraj. Me anë të disa spiunëve arrin të këtë një takim nga larg me Ndue Gjergjin, kushëri i Dedës dhe yni. Ndou ishte i arratisuri më i rëndësishëm për krahinat veriore, Kurbin, Mirditë, Pukë e Lezhë. Gëzonte dhe reputacionin si nip i Gjeneral Prenk Pervizit. Takimi bëhët. Kadriu lëshon zërin nga larg, duke i bërë te fala nga Ded Gjomarkaj i cili e ftonte në Zall Herr ku do të mbahej një mbledhje e të gjithë të arratisurve. Ndou ishte përgjigjur, se në qoftë se Deda është arratiur e ka vendin këtu në Skuraj e jo në Zall Herr. Loja e Kadriut dështoi dhe ai u kufizue me shti në kllapa të arratisur të Krujës, Durrësit, Kavajës, Elbasanit etj. ku Dedën nuk mund ta njihte kush si pamje. Tani diçka e çuditshme. Si shkoi mbledhja. Kam dëshminë e dy të arratisurve kruetanë pa ndonjë rëndësi që i internuan ne Tepelenë. Ata tregonin. Kur ishin mbledhur në një si barake të madhe, ç’të shihje, mbushur plotpërplot me t’arratisur, ulur grupe grupe Deda u kthye me familjën në Shkodërc më 1991
dhe u vendos në banesën e tij që e kishin kthyer në shtëpi pionieri, pa 46 vjet ndarje prej saj.

këmbëkryq me armët në prehër. Kur ja doli një njeri që qëndroi pas një tavolinë e dikush foli. U njohim me kapidanin e Mirditës Ded Gjomarkajn. Duartrokitje. Deda i rremë qendisi nje fjalim te bukur, sa na u bë zemra mal. Kur mbaroi, ne nisëm të duartrtokasim e brohorasim. Kur befasuisht na i vunë nga tri gryka pushkësh në bri. Prangat dhe shqelmat e drejt e në birucat e Sigurimit. Disa u pushkatuen te tjerë kalbën në burg. Ne shpëtuem kot. Kështu mbaroi ajo lojë që Mehmeti e Kadriu kishin nisë me të madhe, po ama disa të arratisur i zunë. Po Deda ? Nga izolimi i madh në një qeli të ngushtë e t’errtë, ushqye vetëm me buk e ujë, Deda ishte dobësuar shumë, pas tre vjet izolimi të plotë. Atij i kishin ba presione të mëdha, vetë Mehmet Shehu bashkë me Kadriuin, me premtime e privilegje. Donin ta detyronin t’i shkruente t’atit, Kapidan Gjonit, me ra në marrëveshje me ta, etjera punë. Një ditë sollën aty një mjek. Kur e pa ashtu Dedën të katandisur aq keq, u kishte thanë oficerëve që e shoqëronin, shpejt shkoni e blini mollë, portokalle, pemë. Nuk e shihni se e ka zene skortbuti ? Ky po vdes per mungesë vitaminash. Deda i shpëtoi asaj gjëndje. Për të justifikuar atë lojë e nxorën në gjyq ku, për ta denuar, e akuzuan për arratisje ne marrëveshje me ne. Deda ishte përgjigjë, që mi nxirrni këtu përpara ato kushërijtë. Nuk u bë gjë. . Ky ishte një sebep i kotë. Gjyqë formal. E denuan shtatë vjet, dhe e izoluen ne kalanë e Gjirokastrës, pa mundësi kontakti me askënd. Ne dhe familja në internim në Tepelenë nuk dinim asgjë. Unë e Valentini e kishim kuptuar se me Dedën po luhej një lojë. Arratisja ishte një prallë e sajueme. Ngjarjet u rrotulluan, dhe unë e Valentini përfunduem në kampin e Kuçit të Vlorës, ku më 1957 sollën edhe Dedën. Atëhere u muer vesh e gjithë historia e përpjekjeve të shtetit për ta thyer. Siç treguem më sipër. Deda na e kishte thanë, unë vendosa me dek, po në asnjëmenyrë me u dorëzue. Ky nuk asht një tregim për me rrëfy torturat e diktaturës. Asht një tregim me tregue vullnetin e pathyeshëm të këtij njeriu, që si Gjomarkaj i vërtetë, e ka treguar me fakte se i përkiste një familje nga më fisniket të Shqipërisë. Një familje me dinasti princore shekullore dhe e përfshirë në historinë e Shqipërisë. Këtë qëndrim të vendosur, nuk ia fali pushteti komuniste, sepse e arrestoi përsëri megjithëse ishte i internuar në Gjazë, duke e denuar 10 vjet te tjerë, që gjithsejt iu bënë 22 vjet burg e 24 vjet internim, 46 vjet.
Në dënimin e tretë në Lushnje, ku nuk kishte pranuar në asnjë menyrë të firmoste proces-verbalin e hetuesve, kur doli në gjyq, pas fjalës së akuzës e pyesin se ç’kishte përt të thënë. Me bini një letër dhe një pen, ishte përgjigje. .Kur ia sollën, vuri firmën në fund të letrë së bardhë, tani u tha, shkrueni ç’të doni. Hetuesi i drejtohet, a e di se ç’të pret nga kjo firmë. Deda ia kthen, pse e di e kam firmosë. Kjo ngjarje beri që ai hetuesi pas do kohë të jepte dorëheqje, sepse Deda i kishte dhanë atë mësim që nuk mund të ia jepte askush. Pse, ai e kuptoi se si hetues ishte kthye në një vegël qorre të regjimit, për të denuar njerëzi të pafajshëm kot.

U shtyva në këtë tregim ku përfhsihet Deda, për të nxierrë ne dritë se ky njeri, që pësoj aq dënime dhe u tregue aq i pamposhtur, e kishte ne natyrën e genit nga i cili rridhte që të qendronte sypatrembur e ballë hapur ndaj atyre që nuk kishin lenë krim pa kryer dhe poshtërësi pa bërë në Shqipëri. Deda dhe familja e tij nuk e përfillën fare atë diktaturë çnjerëzore në çdo sjellje e qëndrim të tyre, lartësisht fisnikë dhe të pathyeshëm, qoftë burraq ashtu dhe femra. Motrat e Dedës, edhe ato janë heroina të vërteta po aq të vendosura, te pamposhtura e trimëresha.
Për këtë hero të vërtetë .që i qëndroi burrërrisht i pamposhtur diktaturës me t’egër që kishte sunduar mbi shqiptarët, asnjë nga gjashtë Presidentet, dukefilluar nga i pari, dhe një radhë e gjatë kryeministrash nuk u denjuan të venë ujin në zjarr (popullorçe) që ta nderojnë me dekoratën me të lartë që mund të meritojë një njeri, e këtë njeri e kanë pasur aty para syve tash 25 vjet, pa u kujtuar për një herë. Po se mos ua vari ai atyre !
. Nuk ka më turp për një shtet që të mos njohë e mos vlerësojë qytetarët e tij, sipas meritave reale dhe jo sipas thashethemve e prallave me mbret qe kohët e fundit qendisin në Shqipëri, për heroj te paqenë e histori të paqena. Jo qe kanë arritur te dekorojne kriminelë që kanë derdh gjak shqiptari.
Ded Gjiomùarkaj, për ata që e kanë njohur nga afër, mbetët një njeri shëmbëll, edhe për sjelljën e tij jatëzakonisht njerëzore dhe të afrueshme. Ai kurrë nuk impohej me autoritetin që i vinte nga origjinëna, si pinjoll i derës së lartë së cilës i përkiste. Fisnikeria e tij imponohej pra me një qëndrim si të thuesh popullor, gjithë urtësi mirditore, ku fjala që thuhej merr vlerë për mesazhin që jep. Deda ishte mjeshtër i bisedës, ku dallohej sgjuarsia tradicionale e trashiguar nga shekuj në familjën e tij. Me urtësinë, me fjalën e ambël dhe kuptimplote, me marrjen me te qeshur edhe sitautat ma të vështira, Deda fitonte simpatinë e e respektin shoqërisë e imponohej vërtetësisht si një bir i denjë i asaj familje që i qëndron e pandame dhe bashkangjitur historisë shqiptare. Deda nëqoftëse nuk përmendet si një përsonazh historik, patjetër se do të përmendet, të kujtohët e të nderohet si një hero dhe martir i lirisë dhe demokracisë, Do të ishhte mirë që ky shkrilm të shkonte në veshët e kërij presidenti ose pasardhësit, (më që paraardhësit s’benë gjë) të kishin miresinë me u perul para të tillë figurave madhore të qendresës së pamposhtur ndaj diktaturës komuniste. Dedë Gjomarkaj është ai shqiptar, ai i përdjekur politik, i burgosur e internuar 46 vjet, simbol i një qëndrese jashtëzakonisht burrëror, fisnike që e meriton të quhët e të shpallet Hero i qëndresë kundër diktaturë komuniste, Hero i Lirisë e Demokracisë dhe përçues i virtytëve me të larta shqiptare.

Filed Under: ESSE Tagged With: Antikomuniste", Ded Gjomarkaj, heroi i rezistences, Lek Previzi

Sofra e Diellit-Poezi nga Bajame Hoxha

January 27, 2015 by dgreca

Poezi nga Bajame Hoxha – Çeliku/
DY PIKA LOTI/
Dy pika loti u dukën/
në syrin tënd të zi,/
I putha/
por buzët më mbetën aty!/

VARGJET E MIA/

Oh,sa vargje kemi thurrë,/
me ritme zemre, me kthjelltësi…/
Si të ligës iu bëre urë,/
u trete,humbe në padrejtësi?/

Po ku shkuan,po ku vanë
vargjet e mia plot trishtim,
atje ku lotët e mia u thanë,
kampeve ku mbeti dhe shpirti im…

DUA

Dua të hap krahet,
të perqafoj lëndinat,
t’u marr aromën luleve,
shqerrkave, blegërimat.

Dua të hap zemrën,
për ty, ja tani,
dua të puth ëndrrën,
dhe ty, kushedi.

PO QAN MUA APO VETEN

Endërr jam a zhgjëndër jam,
Hap sytë e shoh verdallë,
sytë me lot s’ti kisha parë,
pse sot erdhe për të qarë?

Më qan mua apo veten,
kush nga ne të dhemb më shumë?
zemra ime larg e tretur,
apo zemra jote gur?!

NENES

S’duroj dot asnje fije floku të bjerë e të rendojë

Mbi shpirtin e nënës sime të dlirë,

Ajo që ishte aq e bukur,

Aq e ëmbel,

Që bukurinë e saj e struku nën shaminë e bardhë,

Gjithë bardhësi,

Ajo heroinë e kohes së kalbur,

Që s’i mori dot jetës një ditë të bukur,

Më ishte shumë e shtrenjtë nëna,

Ajo permbante heshtjen perzier me dhimbjen,

Dhe dashurinë njerëzore në ditët e lenduara,

Nëna ime,edukatorja ime e butë,

Vetë zoti e kishte zbritur nga qielli

Të paisur me të gjitha virtytet,

Per të edukuar njerëz paqësorë,

Sot mua, vajzës së saj,

Me vershon rrembyeshem ,

Edukata,

Fjala e urtë e saj,

Ju të gjithë nuk e njohët nënën time,

S’ia njohet asaj shpirtin e vrarë,

Ia dogjen unazën me gurë diamanti,

Dhe ajo dhimbje nga më të thella ndjeu,

Goditje të pa numërta,

Por mbijetoi me shpirt të plagosur,

Ndoshta dhe me ndonjë përbuzje nga pas,

Nëpër kampe përqëndrimi,

Ku çdo ditë e rraskapitur fundosej, fundosej,

Në mjerimin e kohës kolerë,

Nënë,

Tani doren time me btësi,

E shtrij mbi varrin tënd dhe bisedoj me ty,

Ti vetëm më dëgjon, por s’më pergjigjesh dot,

Sepse ti m’i ke thënë të gjitha, të gjitha,

Por një fjalë të vetme unë

Dua nga ty,

O nëna ime sot.

Nënë,

E vetmja dashuri e vërtetë,

Lotin që po të lë mbi mermer,

Ktheja me buzëqeshje si dikur,

Bijës tënde që mbi varr të gjunjëzohet sot

Dhe lutet,

Tek lan varrin tënd,

Duke derdhur mbi të lot,

Lot,

Lot,

Lottë them:

Zgjohu,

Më thuaj një fjalë,

Më jep një këshillë, o nënë

Jepi bijës tënde një porosi

Unë bija jote,

Kam nevojë per këshillën tënde dhe tani…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Bajame Hoxha, poezi

Ledia Goga, shkencëtarja farmaceutike në Boston

January 27, 2015 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli*/
Ëndërronte të ishte dentiste në një klinikë në Durrës, por sot punon në Boston, si ndërlidhëse kliniko-shkencore për kompaninë farmaceutike “Boehringer Ingelheim”. Vajza nga qyteti bregdetar i Durrësit, Ledia Goga, u largua nga Shqipëria në gusht të vitit 1996, por, pamvarësisht se kanë kaluar 18 vjet, ajo është e bindur se do të mbetet përgjithmonë në mes të dy kulturave, asaj shqiptare dhe asaj amerikane. E lindur në Shqipëri dhe e arsimuar profesionalisht në Amerikë, Ledia nuk mund të ndihet 100 për qind pjesë e asnjërës shoqëri. Ajo ka një personalitet të vecantë, me përkatësi të plotë vetëm në grupin e emigrantëve si vetë ajo, me rrënjë diku në mes të Atlantikut. Pavarësisht rrugës së gjatë e të vështirë të integrimit, Ledia ishte me fat që iu dha mundësia për t’u shkolluar në Amerikë. Në mesin e viteve 90 -të shekullit të kaluar, shumë bashkëmoshatarë të saj përpiqeshin të gjenin mënyra të ndryshme për ta ndërtuar të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë së tranzicionit. Është interesante se sa forcë ka rastësia në përcaktimin e drejtimit të jetës të Ledias. Pasi mbaroi gjimnazin “Gjergj Kastrioti” në Durrës, ju desh të zgjidhte midis konkursit të stomatologjisë dhe atij të anglishtes, sepse ishin të dy në një ditë. Por vajza e re zgjodhi stomatologjinë dhe, për fat të keq, nuk e fitoi. Arsyet nuk i di edhe sot e kësaj dite, sepse konkurruesit nuk kishin të drejtë të shihnin apo t’i diskutonin përgjigjet e pyetjeve të komisionit. Ato mbeteshin përfundimisht mbrapa dyerve të mbyllura, ku bëheshin pazaret e radhës. Vitin që vijoi Ledia aplikoi për të filluar studimet si përkthyese në Xhenova, Itali, dhe si studente e përgjithshme në Amerikë. Atë verë iu desh të zgjidhte përsëri, por këtë herë midis Italisë dhe Amerikës, sepse viza italiane dhe bursa amerikane erdhën në një dite. Zgjodhi rrugën e Amerikës; Një vendim që përcaktoi drejtimin e 18 viteve më pas. Në kolegj nxënsja e shkëlqyer e “Gjergj Kastriotit” zgjodhi degën e biologjisë dhe më pas doktoratën në fiziologji, në University of Louisville, Kentucky, sepse shkenca e biologjisë e ka tërhequr që kur ishte nxënëse në qytetin e saj bregdetar. Interesi e pasioni për të ju zgjuan që në klasën e pestë, me mësuese Sosen, në shkollën “Mujo Ulqinaku”, dhe më pas u përforcuan nën ndikimin e pedagogut Michael Capp në kolegjin “Carlow College”, në Pittsburgh, Pennsylvania, i cili ja prezantoi përsëri biologjinë me një elokuencë e mjeshtëri të rrallë pedagogjike. Pas vitit të parë të kolegjit, fondet e bursës nga Shoqata Kulturore Shqiptaro-Amerikane mbaruan dhe studentja e biologjisë u ndodh në mes të një udhëkryqi shumë të vështirë:-ose të kthehej mbrapsht në Shqipëri, ose të vazhdonte të luftonte, të punonte çfarëdolloj pune e të studionte njëkohësisht, për të përballuar taksat e shkollës dhe jetesën. Rezultatet e larta në provime e ndihmuan vetëm pjesërisht, sepse, duke qenë studente e huaj, bursa e pjesshme që i jepte universiteti ishte shumë e vogël. Pavarësisht se vështirësitë financiare për t’u diplomuar e për të përballuar jetën në një vend të huaj ishin të rënda mbi shpatullat e një adoleshenteje, deri atëherë “e mbrojtur” nga kujdesi dhe dashuria e prindërve, Amerika gjithmonë e ka shpërblyer vullnetin, sakrificën dhe këmbënguljen e emigrantëve në baza meritokracie. Për këtë shumë djem e vajza shqiptare e respektojnë gjithmonë vendin ku vendosën të studiojnë e të jetojnë, pasi, ashtu siç thotë shprehja e mençur amerikane, “Ajo që nuk të vret, të bën më të forte!”. Ky është një parim bazë, mbi të cilin është ndërtuar kultura e punës amerikane dhe përpjekjet e tyre të pandalshme për të ecur përpara. Pa i harruar sakrificat e së kaluarës, prirja e natyrshme e Ledias është të fokusohet tek e tashmja dhe te sfidat e tanishme të realitetit të saj profesional. Porse ky profesion ende nuk njihet në Shqipëri, në mungesë të kompanive farmaceutike që bëjnë kërkime klinike dhe hedhin në treg medikamente të reja.
Ledia Goga shërben si ndërlidhëse e shkencës klinike ndërmjet kompanisë “Boheringer Ingelheim” dhe mjekëve ekspertë pulmonologë në rajonin e New England, që përfshin shtetet Massachusetts, New Hampshire, Maine, Vermont dhe Rhode Island. Në SHBA, industria farmaceutike është tepër e mbikëqyrur nga qeveria amerikane, nëpërmjet Administratës së Ushqimit dhe Medikamenteve (FDA). Çdo medikament i ri që hidhet në treg duhet të kalojë teste klinike rigoroze të efikasitetit, por edhe të padëmshmërisë te pacientët përkatës. Këto teste janë investime miliona dollarëshe dhe, për të qenë i suksesshëm në treg, sugjerimet e mjekëve ekspertë për vlerat e medikamentit të ri janë të një rëndësie thelbësore. Detyra e saj është të ndërtojë ura lidhëse midis interesave tregtare të “Boehringer Ingelheim” dhe interesave kliniko-shkencore të ekspertëve pulonologë që praktikojnë në New England. Me takimet që ajo organizon i mban të dyja palët në dijeni të studimeve të reja klinike dhe zbulon ku kanë interesa të përbashkëta për të investuar më tej në fushën e pulmonologjisë. Ledia Goga ndihet shumë e realizuar në këtë profesion, sepse e bën t’i mbajë aktuale njohuritë në fushën e pulonologjisë, si edhe të komunikojë vazhdimisht me mjekë shkencëtarë të shquar në fushën e tyre me statusin e klientit, por edhe atë të kolegut brenda kompanisë së saj. Përvoja e saj si emigrante në Amerikë mbetet pozitive, sepse sakrificat shpërblehen si nga ana intelektuale dhe ato materiale. Ashtu si edhe mjaft bashkatdhetarë të saj në Europë e kudo nëpër botë, të prezantuar denjësisht me dijet e tyre, Ledia nuk e ka ndier diskriminim etnik thjesht sepse nuk ka lindur në Amerikë, apo sepse anglishten e flet me theks të huaj. Detyra e saj ishte të konkurronte për të njëjtat shkolla, bursa dhe mundësi pune ashtu si vendasit, por zgjedhjet u bënë gjithmonë në bazë të vlerave të saj akademike, eksperiencës profesionale dhe rekomandimit të pedagogëve dhe kolegëve. Kjo meritokraci është një nga arsyet e progresit amerikan që duhet të frymëzojë çdo person në Shqipëri që ka në dorë CV-në e një kandidati për universitet apo punësim.
Le ti urojmë shkencëtares së re durrsako-amerikane suksese në kërkimet e saj farmaceutike!
* Përshtati nga revista “Elite”, për “Diellin”, Shefqet Kercelli

Filed Under: ESSE Tagged With: Ledia Goga, ne Boston, Shefqet Kercelli, shkencëtarja farmaceutike

Kujtime nga Auschwitzi: “Kam refuzuar të vdes”

January 27, 2015 by dgreca

Nga Carl Shreck/
Pas nëntë ditë luftimesh të ashpra afër kampit, një heshtje e pazakontë mbërtheu një seksion të Auschwitzit, aty ku Eva Mozes Kor, atëherë 10 vjeç, ishte fshehur me motrën e saj binjake, Miriamin.
Heshtja u thye në orët e pasdites.
“Një grua vrapoi në barakën tonë duke bërtitur: Jemi të lirë, jemi të lirë, jemi të lirë. Ishte e mrekullueshme, tingëllonte për mrekulli”, thotë Kor për Radion Evropa e Lirë.
Vetëm gjysmë ore më vonë, më 27 janar 1945, Eva Mozes Kor përpara vetes kishte “një turmë të madhe njerëzish, të veshur në mushama të bardha”.
“Qeshnin që të gjithë”, thotë ajo.
“Dhe për mua pjesa më e rëndësishme ishte se nuk u ngjanin nazistëve fare. Vrapuam drejt tyre. Na dhanë çokollata, biskota dhe përqafime. Kjo ishte shija ime e parë e lirisë”.
Zonja Kor, sot është 80 vjeç Ajo dhe e motra ishin në mesin e rreth 7,000 të burgosurve të liruar nga kampi famëkeq i përqëndrimit, me ndihmën e Ushtrisë së Kuqe, 70 vite më parë.
Ditën e lirimit, në orët e mbrëmjes, Kor rikujton si ushtarët sovjetikë erdhën në barakën e saj, duke pirë vodkë dhe duke vallëzuar me këngë ruse.
Dy-tre ditë më vonë, ata u rikthyen duke bartur me vete kamera masive dhe me një kërkesë të çuditshme: ata kërkuan nga fëmijët që të veshin sërish uniformat e kampit dhe inskenojnë një marshim përreth tij.
Jo të gjithë u pajtuan të vishen me uniformat famëkeqe, por duke qenë se ishte janar dhe ftohtë, zonja Kor i thotë së motrës se duhet të ruhen nga i ftohti dhe të veshin sipër rrobave edhe uniformat.
“Ishim krejtësisht vetëm”
Eva dhe Miriami kishin arritur në Auschwitz me të ëmën, babanë dhe dy motra më të mëdha, në maj të vitit 1944, pasi kishin kaluar katër ditë me mijëra hebrenj të tjerë në një geto në rajonin e Transilvanisë në Rumani.

Kampi Auschwitz, Janar 1945
Kjo ishte hera e fundit që binjaket patën kontakt me familjen, e cila u zhduk në turmë.
“Mamaja kishte zgjatur duart në dëshpërtim dhe përpiqej të na mbante, ndërkohë që gjermanët e tërhiqnin prapa. Nuk e pata rastin as t’i them lamtumirë, por atëherë nuk e kisha kuptuar se kjo do të ishte hera e fundit që do ta shihja”, thotë zonja Kor.
Binjaket nuk arritën të kuptonin kurrë se çfarë në të vërtetë ndodhi me prindërit dhe motrat.

“Nuk pranova të vdes”
Vajzat iu bashkuan rreth 1,500 binjakëve të tjerë, të cilët iu nënshtruan eksperimenteve mjekësore në Auschwitz, nën mbikqyrjen e mjekut famëkeq nazist, Josef Mengele, veprimet e tmerrshme të të cilit bënë që të njihet me nofkën “Engjëlli i Vdekjes”.
Binjakët iu nënshtruan ekzaminimeve torturuese, injeksioneve, dhe eksperimenteve tjera gjenetike, por për dallim nga shumica, Eva dhe Miriami nuk vdiqën.
Evës iu dha një injeksion dhe pas këtij eksperimenti, mjekët në kamp e kishin mbajtur nën vëzhgim, në pritje të diçkaje për të ndodhur. Ajo madje kujton fjalët e Mengeles…
“Duke qeshur me sarkazëm, ai tha: ‘Sa keq, aq e re, dhe ka vetëm dy javë jetë’. E dija se kishtë të drejtë, por unë refuzova të vdes dhe bëra një zotim në heshtje, për t’ia dëshmuar doctor Mengeles se e kishte gabim. Do të mbijetoj dhe do të ribashkohem me motrën”.
“Fëmijëria e humbur”
Pas çlirimit të kampit, motrat u vunë nën kujdesin e murgeshave vendëse, të cilat vazhdimisht u ofronin vajzave lodra.
“Në një farë mënyre, për mua kjo ishte fyese, sepse ato nuk kuptonin se ne nuk ishim më fëmijë dhe unë nuk isha në gjendje të luaja me lodra. Jam e sigurt se përpiqeshin për më të mirën, por vërtetë nuk e kuptonin se çfarë kishim përjetuar ne, në moshën 11 vjeçare”.
“Kurrë nuk kam luajtur me lodra më. Fëmijëria ime kishte humbur përgjithmonë në Auschwitz”, thotë zonja Kor.
Të dyja motrat kane emigruar në Izrael në vitin 1950 dhe vetëm atëherë, Eva kujton se ka qenë në gjendje të fle gjumë për herë të parë.
Të dyja, kanë ndërtuar karrierë, janë martuar dhe kanë fëmijë.
Eva jeton në Shtetet e Bashkuara, së bashku me të shoqin amerikan, kurse Miriami ka ndërruar jetë në vitin 1993, për shkak të problemeve shëndetësore me veshkët, për të cilat Eva fajëson eksperimentet e doktor Mengeles.
Vite pas vdekjes së Miriamit, Eva ndërmorri një rrugë të re të çlirimit: atë të faljes së torturuesve të saj nazistë.
Në vitin 1995, ndërkohë që bota shënonte 5 vjetorin e çlirimit të Auschwitzit, zonja Kor kishte arritur të marrë një letër-dëshmi nga një mjek nazist, Hans Muench, të cilit i kishte kërkuar të detajonte horroret e shkaktuara në kamp.
E kishin munduar shumë idetë e disa revizionistëve se ishin hebrenjtë ata që e kishin sajuar Holokaustin dhe donte një dëshmi të një torturuesi për të vërtetuar historinë e saj, por letra pati një efekt tjetër te ajo…e ndihmoi të falte nazistët.
Deklarata e saj pati nxitur reagime dhe kundërthënie marrë parasyshë përmasat e krimeve gjatë Holokaustit.
“Ajo çfarë zbulova në atë rast, kishte të bënte me mua. Zbulova se kam fuqinë për të falur. Askush nuk mund të ta japë atë fuqi dhe askush nuk ta heqë dot. Ishte e imja dhe mund ta shfrytëzoja sit ë doja”, thotë zonja Kor.
Falja, thotë ajo, e ka çliruar “nga e kaluara tragjike, nga Auschwitzi dhe nga Mengele”

Filed Under: Histori Tagged With: "Kam refuzuar, Kujtime nga Auschwitzi:, të vdes"

Shqiptarët ofruan “tokën e premtuar” për hebrenjtë

January 27, 2015 by dgreca

Nga Gresa Kraja/
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë shqiptarë në Kosovë e Shqipëri strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë e përndjekur. Në mesin e tyre është edhe familja Rezniqi në Kosovë, e cila njihet për rolin që ka luajtur në mbrojtjen e hebrenjve nga regjimi nazist dhe për këtë ka marrë mirënjohje edhe nga shteti izraelit.
Me anë të “Besës Shqiptare” — një akt nderi, më shumë se sa një fjalë — shqiptarët iu premtuan të përndjekurve siguri, duke dhënë fjalën se ata do të mund t’ua besonin jetën e tyre dhe të familjes.
Në këtë formë shpjegohet “Besa” nga Yad Vashem, që është Autoriteti Kombëtar Përkujtimor i Martirëve dhe Heronjve të Holokaustit, i formuar në vitin 1953 nga Parlamenti i Izraelit (Knesset), për përkujtimin e 6 milionë çifutëve të vrarë nga nazistët gjatë viteve 1933 – 1945.
Përfaqësues të organizatave shqiptaro-izraelite, tregojnë se ky angazhim dhe kjo “Besë e dhënë” nuk ishin akte vetëm individuale, por edhe institucionale.
Xhangyle Ilijazi, nga Shoqata e Miqësisë Kosovë – Izrael “Dr. Haim Abravanel”, tregon për rolin që luajtën shqiptarët e Kosovës në mbrojtjen e strehimin, por edhe në rrugëtimin drejt Shqipërisë, vend që nga hebrenjtë, siç thotë ajo, konsiderohej si “tokë e premtuar” për mbijetesë.
“Besa, si fenomen shoqëror shqiptar është elementi kryesor që ka ndihmuar në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe ishte pikërisht Besa e dhënë familjeve hebreje që kaluan nëpër Kosovë për të shkuar në Shqipëri, e cila atëherë ishte si tokë e premtuar për mbrojtjen e tyre. Këta hebrenj vinin nga vise të ndryshme të ish-Jugosllavisë dhe të Evropës. Angazhimi nuk ishte vetëm individual, por edhe institucional”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Bartja e hebrenjve për në Shqipëri nga Kosova ishte mundësuar edhe me ndihmën e autoriteteve lokale në Kosovë, duke lëshuar, siç tha zonja Ilijazi, dokumente të falsifikuara të identifikimit, e me të cilat ata pastaj kanë kaluar kufirin dhe kanë mbijetuar.
Një dokument i tillë është zbuluar një vit më parë në SHBA. Dokumenti është lëshuar nga autoritetet bashkiake të kohës së atëhershme në Ferizaj, për familjen Kolonomos nga Manastiri, duke i regjistruar me emra shqiptarë”, bën të ditur zonja Ilijazi.
Sipas Yad Vashem-it, në vitin 1934, ambasadori amerikan në Shqipëri, Herman Bernstain, kishte shkruar se “Nuk ka gjurmë të diskriminimit të çifutëve në Shqipëri, sepse Shqipëria del të jetë një nga trevat e rralla të Evropës sot, ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekziston, edhe pse vetë shqiptarët janë të ndarë në tri besime”.
Përpos “Besës”, Yad Vashem shpjegon se si me ardhjen e regjimit nazist në pushtet, në vitin 1933, shumë hebrenj gjetën strehim në Shqipëri.
Nuk ka shifra të sakta për numrin e tyre; megjithatë, burime të ndryshme vlerësojnë se 600 deri 1,800 refugjatët hebrenj shkuan në Shqipëri nga Gjermania, Austria, Greqia dhe Jugosllavia, me shpresën për të depërtuar për në Izrael apo vende të tjera.
“Pas pushtimit gjerman më 1943, popullsia shqiptare, në një akt të jashtëzakonshëm, nuk pranoi të pajtohet me urdhrat për të dorëzuar hebrenjtë, të cilët jetonin brenda kufijve të vendit”, thuhet në faqen zyrtare të Yad Vashemit.
Aktualisht në Kosovë, përkatësisht në qytetin e Prizrenit, jetojnë 56 hebrenj.
Përfaqësuesi i tyre, Votim Demiri, nga Bashkësia Hebraike e Kosovës thotë se, edhe pse komunitet i vogël, ata vazhdojnë të kenë aktivitete të ndryshme…
“Këta 56 vetë janë të lidhur me organizatat hebraike në regjion, dhe mbajnë mbledhje të zakonshme. Në fund të fundit, edhe feja hebraike, sipas propozimit të ligjit të ri, i cili kaloi leximin e parë në parlament, do të aprovohet si një religjion zyrtar i Kosovës”, thotë Demiri.
Zoti Demiri përmend faktin se trevat shqiptare ishin të vetmet ku numri i hebrenjve ishte më i madh pas Luftës së Dytë Botërore, se sa para saj.
Ai nënvizon edhe tolerancën ndërfetare e cila ka qenë gjithmonë e pranishme.
“Trevat shqiptare, të Kosovës e Shqipërisë, janë të njohura si treva në të cilat në kohën e Holokaustit u rrit numri i hebrenjve. Të vetmet treva në Evropën kontinentale ku është rritur numri i hebrenjve janë këto treva. Po të mos kishte qenë toleranca, mirëkuptimi, bashkëjetesa, nuk do të kishim mundur t’i thoshim këto fjalë”, shprehet Demiri.
Pavarësia e Kosovës ende nuk njihet nga Izraeli, dhe vazhdon të jetë një nga vendet e pakta të Evropës, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë për në Izrael pa viza.
Në Prishtinë, në shenjë përkujtimi për hebrenjtë e Kosovës që u zhdukën në kampet e nazistëve gjatë Holokaustit, është ngritur një memorial, i cili gjendet në mes të ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës në Prishtinë. Pikërisht në këtë lokacion, deri në vitin 1963 ka qenë Sinagoga e Prishtinës.
Në këtë memorial, shkruan “Populli i Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë”.

Filed Under: Histori Tagged With: "tokën e premtuar" p, ër hebrenjtë, Shqiptarët ofruan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4140
  • 4141
  • 4142
  • 4143
  • 4144
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT