• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LISAT E KULLAVE TË BARDHA, JANË TË PAVDEKSHËM !

January 26, 2015 by dgreca

KULLA E MARKAGJONËVE NË SHKODER/
Nga Fritz RADOVANI/
Mirditë, mos mbaj zi per Kapidanin Tand Kreshnik Dedë Gjomarkagjoni!
Kullat Tua vazhdojnë me kenë të bardha si biluri!
Lisat pranë Atyne Kullave rriten, rriten e nuk ka çka u ban as stuhija, as rrebeshi, as rrufeja dhe, as “drapen e çekani apo pushka e kazma” barbare e komunizmit!
Ata Kulla nuk i skuqi as nuk mujt me i nxi as zjarri zharitës i tradhëtarëve t’ Atdheut!
Edhe pse e mbetun pa asnjë njeri të Atij Fisi, qendronte madhështore e krenare!
E vetmja shpresë e njëdite “ma të mirë” ishin dallëndyshët që hynin e dilnin nga dritaret pa xhama e korniza druni, të mbetuna në mëshiren e murrlanit e shirokut të Shkodres…
Asnjë shenjë jete tek ajo kullë per vite të tana… Përveç emnit, Kulla e Markagjonëve!
Historia e vërtetë e Kullave të Malësorëve të Veriut asht një volum në vete, sëpse, edhe lufta per rrafshimin e Tyne kje një program në vete. Gjithshka e parashikueme me një saktësi dhe pashpirtësi barbarësh, ku “shqiptari” kundër Shqiptarit u ba si bisha.
Edhe shumë vite kanë me kalue pa e besue njerëzit historinë e vërtetë të Atyne Kullave.
Ua vranë burrat e djelmët e Atyne Kullave…Ua interrnuen Nanat plaka e nuset e reja me fëmijë nder djepa…Ua plaçkitën gjanë e mallin e bagëtinë…Dhe, ua vune zjarrin derisa edhe muret e tyne u kthyen në grumbuj gurësh… Një vend vërtetë i shkretnuem…
Shqipnia e Veriut mbas vitit 1944 u kthye në një germadhë e çerdhe varfnije…ujqish.
Kjo ngjau në Mirditë, ku qendresa antikomuniste kje ma e gjata, po kjo flakë zharitëse kishte shkretnue që në ditët e para ku shkeli kamba e “çlirimtarëve” sllavoshovenistë, me yllin e kuq në ballë, nën masken shfarosëse komuniste që përsa shekuj e kishte andrrue këte 29 nandor të zi të vitit 1944, fillue nga Maja e Vermoshit e deri ku kishte Shqiptarë nder viset e Tepelenës e poshtë në Çamëri, ku pushka zevendsonte jestekun…
E Shqiptarët ishin po, në Kelmendin e Prekë Calit, Dedë Cokut t’ Bregut Matës… Pukës së Mirakajve, Hotnjanëve të Gjelosh Lulit, Shkrelasve dhe Shllakasve ku kriste pushka e Gjergj Vatës e deri nder shpellat e Dukagjinit ku flinin Trimat e Lekës… Bash aty ku ishte Zef Kolë Prela që me një kunjë shkrepse të ngjymë me gjak të vet, i tregoi Nanës se po vritej i pafaj vetem, se donte me zemer Atdheun…Pak ma pertej ishte edhe Muharrem Bajraktari, që plumbi nuk e kapte se ishte betue me vdekë për Atdhe të Lirë!
U vranë dy vllaznit Mark e Llesh Gjon Markagjoni… Po Shqipja e Atyne Bjeshkëve nuk e derdhi “pasha një pikë lot”! E Nana me vajzat e veta të internueme u mbluene në zi… Mirdita u dogj e zjarri i saj mori dheun mbarë. Motrat humbën vllaznit… E i vetmi vlla i mbetun në prangat e kriminelëve komunistë Deda i Gjonit Markagjonit, kalbej burgjesh.
Heu ju Bjeshkët e Nêmuna shumë gjakun keni pa e, shumë pushken keni dëgjue…
Edhe Tokës sate i vjen edhe sot era rub… Nuk mbet një lis pa plumba në trup të vet…
E pse?! – Vetem se hasmi shekullor donte shkimjen e Atyne Kullave të bardha si vetë kësulat e veshuna per majet e Atyne Bjeshkëve Heroike e të Pathyeshme.
Fort po shndritë ai diell, e pak po nxenë…Fillonte dikur një vjerrshë…
Dedë Gjon Markagjoni asht një prej Herojve të burgjeve shfarosëse komuniste ndoshta, pak i persëritun në krejtë Lindjen komuniste… 46 vjetë tortura, burg e interrnime.
Edhe Dedë Gjon Markagjoni (1921 – 2015) që në vitin 1944 pra, 23 vjeç, filloi Kalvarin e pafund bashkë me të gjithë familjen e vet, që masakrat nuk ju ndanë asnjëherë…
E pse?! – Ishte dhe mbylli jeten i martirizuem per Kryqin, me etiketen “antikomunist” !
Kje dënue në 1944 me 5 vjetë burg…U mbajt 3 vjetë në tortura në sigurimin e shtetit, dhe mbas izolimit u dënue 7 vjetë… u interrnue .. u dënue…u dënue…u interrnue… Vetem për një shkak: “Nuk pranoi me u ba agjent i sigurimit të shtetit gjithë jeten e Tij!”
Nga viti 1944 Deda u arrestue dhe u dënue katër herë, bani rreth 4 vite hetuesi, vuejti mbi 16 vite burg dhe 31 vjetë të tjera, ishte i interrnuem në kampe shfarosje…
E deri kur nder pranga e tortura? Deri në vitin 1990… Në moshen 67 vjeçare lirohet dhe vjen në vitin 1991 në Kullen Markagjonëve në Shkoder…Me motrat e veta të Nderueme dhe nipin e vet të dashtun Gjonin e Markut Markagjonëve, të cilin shpejtë Zoti, e mori në Mbretninë e vet… Një plagë e pasherueshme kurrma e Fisit Markagjonëve…
Në vitin 1991 u njoha me Dedë Gjomarkun… I papersëritshëm ai takim në dhomen e Tij të pritjes, krejt e boshatisun e vetem me dy karriga…Ku, Motrat e Tij e rikthenin atë dhomë me pritjen e perzemert të Tyne, në një Salon Princor të Mirditës Heroike!
E pyeta rreth Golgotës së Tij se, shka të ka mbetë në mendje nga 46 vjetë tmerri?
Bani buzën në gaz, më shikoi dhe filloi një nga episodet e hetuesisë së dënimit të fundit:
“Më torturoj një hetues keqas, më gjakosi aqsa kaloi gjaku nen thesin që më kishte lidhë në fyt, gjoja mos me njollosë rrobat… Kur fillova me ardhë në vete mbas sa kohe s’ e dij, vetem, e shikova drejtë e në sy… Ai më tha: Pse, po më shikon mor qen e bir qeni?…
Vazhdova me e veshtrue pa mu tutë syni drejtë e në fëtyrë… He, mor qen, më tha, a po mendon se çfarë do më kishe bërë po të vij koha yte, or reaksionar i qelbur… Edhe po të vij koha yte or qen, ligjët tua nuk të lejojnë kurrë për të bërë ate që bëjmë neve me ligjët tona! Pikërisht këtu, qendron forca e diktaturës së proletariatit!.. A more vesh tani?!
Shiko, i thashë: Unë jam Shqiptar, po jam edhe Katolik. As nuk më shkon mendja kurrë me masakrue një vlla të timin Shqiptar, ashtusi veproni ju me ne. Ndersa, si besimtar në
Zotin dhe trashigimtarë i Prindëve të mij të Nderuem në mbarë Mirditen, as nuk dij shka domethanë me vra, me masakrue, me vjedhë, me torturue dhe me gjakosë Njeri, kjoftë edhe fajtorë, se për të pafajshëm asnjëherë në jeten teme! E këte mësim e kam marrë njëherit me qumështin e gjiut Nanës seme, që sot nuk i dij as Varrin… Prindët tanë na mësuen me dashtë Shqipninë e Shqiptarët pa dallim Feje, se jeni vllaznit tonë!
Unë do të vdes pa e njollosë emnin e Prindëve të mij, do të vdes pa pranue kurrë me ju sherbye ju, se per këte kanë dhanë jeten e vet Vllaznit e kushrinjtë e mij, per këte po vuejnë Motrat e mija e gjithë Shqipnia, dhe se kjo, asht edhe Ndera e fisit tim!”
Kur u ndame heren e fundit në vitin 2000… Ju mbushën sytë me lot…
E mue, fjala mu pre…
Lisat e Atyne Kullave të Bardha janë Herojë të Pavdekshem të Popullit Shqiptar!

Melbourne, 25 Janar 2015.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fritz radovani, Kullat e Bardha

“BARONESHA SHENTEBEN” – NJË ROMAN I DETAJEVE TË PATHËNA

January 26, 2015 by dgreca

Shkruan:Pirro Dollani/ Las Vegas/
Nga gjërat e bukura që mora me vete kur u ktheva nga Shqipëria ishte edhe një çantë plot me libra. Një pjesë të tyre i kam lexuar, pjesa tjetër pret radhën.Natyrisht, librin e Kadaresë “Mëngjeset në Kafe Rostand” e lexova pa mbërritur avioni në Las Vegas.Por libri që më befasoi, që më futi në mendime e më bëri t’i kthehem përsëri është romani i funditi shkrimtarit Viktor Canosinaj, “Baronesha Shenteben”.
Nga faqet e para, ku Vilma, baronesha, zgjohet nga klithmat e një orgazme që i shpërthen në një ëndërr dashurie me një shqiptar, mikun e të shoqit,dhe deri në faqen e fundit ku shërbyesja njofton se te dera “është një shqiptar”, lexuesi kalon nëpër një “rroller koster” emocionesh e befasish saqë e ka të pamundur ta largojë nga dora pa arritur faqen e fundit.
Ngjarjet në roman zhvillohen në fillimet e shekullit XX. Autori ka arritur ta japë mjeshtërisht atmosferën e kohës, një atmosferë marrinash, vrasjesh, grindjesh, apo siç thotë njëri nga personazhet: “Shqiptarët nuk rrinë dot pa shpalosur fodullëkun dhe marrëzitë e tyre”, atmosferën ku tragjedia “Medea”, pasi luhet në një skenë primitive me Vilmën në rolin kryesor, ndodh liveshekuj e shekuj pas vënies së saj të parë në skenë me një grua shqiptare.
Por romanin e bën edhe më interesantfakti që ajo atmosferë e fillimshekullit XX shërben edhe si një lloj alegorie për realitetine kohës postkomuniste, ku politikanët grinden për mustaqet e Çelos, apo siçndodh edhe në roman gjatë një dasme ku plas sherri. Përse? Sepse një palë mbrojnë tezën se laraska ka më shumë pendë të bardha, ndërsa pala tjetër mbrojnë të kundërtën.Dhe e gjitha kjo ndodh gjatë dasmës. Ndërmjet Vilmës dhe Gretës, dy të huaja që ndodhen aty, zhvillohet ky dialog:
– Pse sillen si fëmijë kur i kanë mustaqet një pëllëmbë?
– Sepse janë ende në fëmijëri të njerëzimit, – tha Greta.
Një nga meritat e kësaj vepre është se autori, me shumë art e guxim, lëvron një temë që deri tani, realisht tani,ka qenë tabu në letërsinë shqipe.Me romanin “Baronesha Shenteben” për herë të parë ndeshim në letërsinë shqipe personazhe homoseksualë, që nuk paraqiten si karikatura të shëmtuara aposi figura të gjymtuara, por përkundrazi, janë dhënë me shumë objektivitet.Historia e këtyre karaktereve shërben edhe si një kontrapunt për të krijuar kontrast me realitetin shqiptar të atyre viteve. Autori, si një eksplorator që shkel për herë të parë në këtë “tokë”, ka bërë kujdes që karakteret homoseksualë të jenë thuajse të huaj. Kanë qenë të zakonshme largimet nga vendet e tyre të njerëzve me prirje seksuale ndryshe.Rast shumë i njohur është ai i autorëve të mëdhenj amerikanë Allen Ginsberg, Jack Kerouac, Paul Bowles etj., që në vitet 1950 shkonin të jetonin në Marok, apo autorë të tjerë që vendoseshin në Paris për t’u shpëtuar ligjeve amerikane të kohës.Si shumë të huaj që nën petkun e misionarit, studiuesit, bamirësit etj., vendoseshin në vende të tjera, ashtu edhe heroi kryesor i romanit, baroni Shenteben,ka ardhurnë Shqipëri. Kuptohet lehtësisht se autori është ngacmuar në realizimin e kësaj figure nga disa motive të jetës së albanologut të njohur austro-hungarez, baronit Franc Nopça, një figurë tepër interesante dhe e veçantë për kohën kur jetoi.Ndoshtamund të jetë edhe figura e lordit Bajron,arsyeja e vërtetë e largimit të të cilit nga Anglia ishteorientimi i tij seksual tepër ekstravagant për kohën.Dhe po ashtu si Bajroni qëndihmoi lëvizjen çlirimtare greke për të fituar pavarësinë, ashtu edhe baroni Shenteben i furnizon shqiptarët me armë.
Pavarësisht sesi paraqitet baroni Shenteben në vepër, nuk është e vështirë të përcaktosh se cila është arsyejae vërtetë e ardhjes së tij në Shqipëri,po të kihet parasysh sesi përfundon në fund të romanit.Ai shkruan në revista për botën shqiptare, merret me trafik armësh e shpeshherë largohet nga qytetit në mënyrë misterioze.Ndryshe nashfaqetGreta, gruaja e konsullit perandorak.Nëse baroni Shenteben është më i rezervuar, Greta është më e hapur dhe nuk lë rast pa shprehur pikëpamjet e saj homoseksuale. Autori ka meritë në skalitjen e figurës së saj. Është një personazh gjithë mish e gjak e me një shpirt polemizues që të bën të mendosh.
Por këto karaktere nuk i manifestojnë veprimet e tyre hapur.Natyrisht, jo.Pasingjarjet në roman nuk e kalojnë cakun kohor të dekadës së pare të shekullit XX.Prandaj autori është mjaft i kursyer në rrëfim.Ai e shikon homoseksualitetin si një fat njerëzor dhe jo si prirje seksuale. Pikërisht këtu qëndron vlera parësore e veprës.
Në një tekst të tillë, lexuesi është po aq i rëndësishëm sa edhe vetë autori. Ai duhet të “plotësojë” e të interpretojë tekstin për të nxjerrë në dritë atë pjesë të padukshme të “ajzbergut” që autori nuk e zbulon. Le të marrim një fragment për ilustrim: Vilma bashkëbisedon me të ëmën, e cila është e shqetësuar se, edhe pas disa muajsh martesë, e bija s’ka mbetur ende shtatzënë.

Do të kalonin muaj dhe, një ditë, ndërsa Vilma po pinte çaj me të ëmën në dhomën e ndenjies dhe sytë ia kishte ngulur një fotografie të të shoqit me mikun shqiptar,ajo do ta pyeste jo pa habi:
– Bija ime, çfarë shikon ashtu e mekur në atë fotografi?
– Tim shoq, – i ishte përgjigjur ajo kokulur.
– Ky është miku shqiptar i Rudit?
– Njëri nga miqtë. Dy shqiptarë i ka bërë vëllezër. Ka pirë gjak me ta.
– Ashtu?! Zakon ivjetër. . . Racë e egër, por e bukur. . .I martuar është miku i Rudit?
– Jo, mama, është ende iri, vetëm 25 vjeç.
– Oh, raca e tyre martohet që 16 vjeç.
Kupa e çajit të nënës kishte tringëllirë mbi pjatën e porcelantë…

Siç shihet nga ky dialog, që nga ky çast shqetësimi i nënës për shtatzëninë e Vilmës do të dalë në plan të dytë. Shkrimtari na e jep shumë bukur këtë gjendje emocionale të nënës, por hesht për të shpjeguar arsyen. Pikërisht këtëpjesë të padukshme të “ajsbergut” ua lë lexuesve ta zbulojnë. Dhe me këtë “formulë”, me këtë “technique of absence – teknika e mungesës”, siç e quajnë studiuesit, autori procedon gjatë tërë romanit.
Një vlerë tjetër e romanit është se autori nuk i “përflet” veprimet e karaktereve.Ata shpalosen para syve të lexuesve me lëvizjet e veprimet e tyre si të jetë hapur sipari i një skene.Pikërisht, ky procedim e ka bërë më dinamik e më të zhdërvjellët rrëfimin.
Edhe pasi lexuesitdo të kthejnë faqen e fundit, atyre do t’u mbeten shumë pikëpyetjeje dhe historiqë autori qëllimisht i ka lënë të hapura, si: Çfarë e lidhte zonjën Horti me zonjën Shentenben? Ç’marrëdhënie ka Greta me shërbyesen shqiptare?Ç’ndodhi në të vërtetë me shqiptarin, mikun e Rudit? Etj. etj. Ndoshta tërë këto “të pathëna” autori do t’i shtjellojë në një vëllim të dytë. Këtë mendim e përforcon edhe më shumë fraza mbyllëse e romanit që do të nxisë më shumë fantazinë e lexuesit.
“Te dera ndodhet një zotëri. Thotë se është shqiptar.”
Vërtet, cili është ky shqiptar? – do të pyesë lexuesi kur të mbyllë faqen e fundit.

Las Vegas, Janar 2015
* Falenderojme Prof Pirro Dollanin, qe e dergoi per lexuesit e Diellit

Filed Under: ESSE Tagged With: - NJË ROMAN I, “BARONESHA SHENTEBEN”, DETAJEVE TË PATHËNA, Pirro Dollani

TRETJA E SHQIPËRISË

January 25, 2015 by dgreca

NGA ISMAIL KADARE*/
Zoti ministër, desha t’ju bëj një pyetje fare të thjeshtë, dhe po aq pa të keq:sa banorë ka Shqipëria?
Pyetja i drejtohet një ministri të Brendhshëm të Shqipërisë, gjatë një darke te fqinjët e mi, në Mal të Robit.
Pres që ministri të ngryset, por ai e mban veten. Turp më vjen që ta them, por vetëm para dy muajësh e kam marrë vesh shifrën e vërtetë. Pesë milionë!
Biseda është bërë para tri vitesh.
Kam kujtuar se, më në fund qenka ndrequr një nga keqkuptimet më dramatike të Shqipërisë: Çështja e numrit të banorëve të saj.!
Shpresa ka qenë e kotë. Pas dy-tre muajësh që Shqipëria u bë më në fund pesëmilionëshe, e keqja u rikthye me ngulm. Jo pesë, por tre.Ashtu si më parë. Ashtu si tri vite! Si trembëdhjetë! Si tridhjetë vite më parë.!
Është përmendur disa herë mendimi, më saktë habia e Jakob Fallmerayer më 1860, se popullsia e turqëve osmanë në fillimet e perandorisë së tyre, në vitet 1300, ishte afërsisht sa ajo shqiptare, një milionë! Kurse sot, vazhdon Fallmeryer, më 1860, shqiptarët kanë mbetur po aq, një milionë, në kohën që turqit osmanë kanë arritur 16 milionë!
Shifrat do të ndiqeshin me një shpërfillje të çuditshme midis vetë shqiptarëve! Gjithfarë avokatësh do të dilnin për të përligjur orën e mbetur të popullsisë, thënë ndryshe të tretjes së Shqipërisë. Një million, në disa qindra vite?! Vërtet pak e çuditshme, por sidoqoftë e shpjegueshme. Dhe sytë e ekspertëve, e pas tyre ata të qeveritarëve, ministrave, kryeministrave, presidentëve, ngrijnë me atë ngrirjen e veçantë të pagdhendjes.
Një dëshirë e habitshme që të jetë ashtu.
Shifra një million nuk i ndahet Shqipërisë, gjatë disa shekujve.(Anglia, ndërkaq, për të sjellë veç një shembull, nga tre-katër milionë, arrin në 40-50 milionë). Shqipëria, si në një kurth fatal, s’lëviz. Në vitet ’20, është po aq, një million! Në vitet ’50, ’60, po aq, një million. Të gjithë ngulnin këmbë për të.Nga Enver Hoxha, te Stalini, te Çubrilloviqi. Pse? Asnjë shpjegim!ç
Një ditë kur mashtrimi ka rrezik të shpërthejë haptas , ndodh një kapërcim i befasishëm: nga një milion, Shqipëria shkon tre milionë. Asnjë shpjegim përse është fshehur shifra kaq kohë! Përse është ngulmuar! Ç’grup armiqësor ka qenë në themel të mashtrimit! Ç’prirje revizioniste! Ç’agjenturë e huaj! Ç’puç!
Asgjë. Shifra tremilionëshe për gati 30 ose 40 vite sundon në Shqipëri.Kundër çdo logjike.Nën vështrimin guhak të zyrtarëve, dijetarëve, ministrave.Në komunizëm. Në paskomunizëm. Gjer tek dreka e fqinjit të Malit të Robit. Gjer te skandali i dy viteve më parë, kur popullsia e Shqipërisë u shpall aq sa numri i zgjedhësve: dy milionë e tetëqind mijë!Dhe asnjë habi nga askush!
Shqipëria vazhdon të tretet në sytë e të gjithëve.
*Marrë nga libri më i fundit I shkrimtarit Ismail KADARE ”Mëngjeset në kafe Rostand”-Motivet e Parisit-Onufri 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Ismail Kadaree, Mengjeset ne Kafe Rostand, motive te Parisit, TRETJA E SHQIPËRISË

Basha: Nesër, të fikim makinat 5 minuta për ti thënë stop padrejtësive

January 25, 2015 by dgreca

Nga Arbi Fortuzi/
TIRANË, 25 Janar/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim i bëri thirrje te dielën qytetarëve shqiptarë të protestojnë ndaj padrejtësive ekonomike-sociale që, sipas tij Qeveria Rama po rezervon ndaj tyre .
Kryetari të Partisë më të madhe opozitare në vend gjatë një deklarate për shtyp nga selia blu bëri të ditur se nesër do të nis pranvera e protestave për PD-në dhe qytetarët Shqiptarë që ndihen të mënjanuar nga qeveria e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama.
“Të gjithë shqiptarët, në të gjithë territorin e vendit tonë, ku do që të ndodhen nesër në orën 11:00’ të fikin mjetet e tyre për 5 minuta, në shenjë proteste ndaj rritjes së çmimit të naftës dhe të gjitha padrejtësive të tjera që kjo qeveri po i rezervon”, tha Basha.
Sipas tij, protesta e nesërme çel sezonin e ri të protestave për Partinë Demokratike. “Protesta e të hënës është hapja e një pranvere protestash të pandalshme masive dhe popullore”, cilesoi ai.
Sipas Bashës, qytetarët shqiptarë kanë nëvojë për përkujdesje dhe jo fjalë. “Do t’i dërgojmë një mesazh të qartë qeverisë së pushteti është një e mirë publike, se ky vend ka nevojë për një qeveri të dijshme që përkujdeset për fatet e qytetarëve, jo për një qeveri që zhvat paratë dhe shton ankthin e tyre”, tha Basha.
“Nafta është energjia e zhvillimit ekonomik. Ulja e çmimit të naftës ul koston e shërbimeve dhe të jetesës. Këtu rritet artificialisht. Dy herë në dy vitet e fundit qeveria rriti taksën e qarkullimit. Detyrohemi të paguajmë taksat Rama, në çdo litër karburant që blejmë. Eshtë një krim që duhet ndalur. Erdhi koha që njerëzit të mbrojnë veten”, bëri thirrje Basha, duke shtuar në fund se përmes kësaj proteste duhet t’i tregojmë qeverisë që nuk e pranojmë më rritjen e taksave dhe arbitraritetin.

Filed Under: Politike Tagged With: Basha: Nesër, stop padrejtësive, të fikim makinat 5 minuta për ti thënë

Gjuha shqipe, në degën e pemës gjuhësore botërore

January 25, 2015 by dgreca

TIRANË,25 Janar / Gjuha Shqipe gjithmonë ka qenë objekt studimi për shumë studiues në botë.
Së fundmi,gazeta prestigjoze “The Guardian” ka publikuar një ilustrim të Minna Sundberg që tregon hartën e gjuhëve që ekzistojnë sot në botë.
Në foton e botuar dallohet qartë gjuha shqipe si një degë më vete e pemës simbolike të gjuhëve botërore.
Kjo vërteton edhe njëherë se shqipja është një gjuhë unike dhe e lashtë.

Filed Under: Histori Tagged With: botërorë!, gjuha shqipe, gjuhësore, në degën e pemës

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4144
  • 4145
  • 4146
  • 4147
  • 4148
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT