• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shuhet regjisori i njohur italian Francesco Rosi

January 10, 2015 by dgreca

ROMË, 10 janar – Regjisori i njohur italian, Francesco Rosi, autor mes të tjerash edhe i filmit “L’Affaire Mattei” me të cilin fotoi Çmimin e Madh të Festivalit të Kanës në vitin 1972, vdiq sot në shtëpinë e tij në Romë në moshën 92-vjeçare, njoftoi media italiane.
Sipas gazetës italiane ”Corriere della Sera”, regjisori dhe skenaristi i njohur, vuante prej disa javësh nga një bronkit i rëndë.
Francesco Rosi u lind më 15 nëntor 1922 në Napoli.
Në vitin 1948 merr pjesë së bashku me Luchino Viscontin në realizimin e filmit “La terre tremble”.
Me Viscontin ai bëri edhe filmin e njohur “Bellissima”.
Rosi njihej si mjeshtër i filmave investigativë ku “Salvatore Giuliano” bëri xhiron e botës në vitin 1961.
Në vitin 1963 me filmin “Main base sur la ville” mori çmimin Luani i Artë në Venecia.

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Francesco Rosi, regjisori i njohur italian, shuhet

Fatos Lubonja: Jo luftë me islamin, ne vrasësit i kemi në parlament, ky është rrezik

January 10, 2015 by dgreca

TIRANE-Analisti Fatos Lubonja e konsideron të rrezikshëm reagimin në panik pas aktit terrorist që ka ndodhur në Paris. Nëse reagohet në këtë mënyrë, thotë ai, rreziku i vërtetë pas këtyre akteve është të ndahen njerëzit në myslimanë të këqij në njërën anë dhe europianë të mirë në anën tjetër. Në një intervistë për kosovaren, Express, ai thotë se fakti se ka ndodhur një ngjarje e tillë nuk duhet të dramatizohet dhe të thuhet se jemi në luftë. Lubonja parashikon forcimin e partive të djathta që janë kundër emigracionit kryesisht mysliman.
Sulmi terrorist që ndodhi në Francë e ka tronditur gjithë botën e qytetëruar. Si është e mundur që në një vend si Parisi të ndodhin sulme terroriste pikërisht nga njerëz që janë rritur e lindur në këtë vend?
Në një vend si Franca ku ka 6 milion myslimanë, shumica e të cilëve jetojnë në paqe dhe harmoni me pjesën tjetër, fakti që kanë dalë disa grupe terroristësh dhe se ka edhe një numër të rinjsh që kanë shkuar të luftojnë në ISIS, më duket se nuk duhet dramatizuar deri në përdorimin e termave të tilla si jemi në luftë, siç po ndodh. Reagimi me panik që mund të krijojë ky dramatizim e që mund të çojë në ndarjen në të mirë e të këqij, midis myslimanëve dhe të tjerëve në Europë e më gjerë, mund të jetë rreziku i vërtetë i këtyre akteve.
Ngjarja pa dyshim duhet parë si tregues i një krize të rëndë nga e cila duhen nxjerrë mësime. E rëndësishme është kriza e Europës që në përgjithësi nuk po krijon të ardhme për të rinjtë, dhe veçanërisht për një pjesë emigrantësh që ndihen të frustruar, për shkak të vështirësive ekonomike, të mosintegrimit në shoqëri, keqshkollimit, përjashtimit, humbjes së shpresës në të ardhmen etj. Është ngjarje që lidhet edhe me vatrat e ndezura të konflikteve në botën myslimane si Afganistani, Iraku, Siria, Libia, konflikti Izrelito-palestinez ku Perëndimi ka luajtur role shpesh problematike e që, në kohën e globalizimit e internetit që po jetojmë, për kategorinë e të rinjve myslimanë, të frustruar në Perëndim, apo edhe që kanë një shpirt aventura e protagonizmi, bëhen tërheqëse.
Sulmet po dyshohet se kanë ardhur nga njerëz që janë pjesë e organizatës terroriste Al – Qaeda ose ISIS. Ka edhe njerëz të Kosovës e Shqipëri që janë pjesë e këtyre organizatave. Duhet të shihet ky sulm edhe si kërcënim për sigurinë dhe për fjalën e lirë edhe në vendet e tjera, përfshirë edhe Kosovën?
Në Shqipëri dhe Kosovë, sipas mendimit tim, siguria dhe fjala e lirë janë edhe sot të kërcënuara jo nga islamikët, por nga dy kasta në pushtet që kanë ndërtuar më shumë atë që mund të quhet shtet i mafies sesa shtet ku ka edhe mafie. Përpara këtij “ujku’ që kemi përpara syve, “gjurmët” se disa myslimanë që kanë shkuar të luftojnë në Siri e që mund të kthehen e të bëhen rrezik për Shqipërinë dhe Kosovën më duket i largët. Madje do të thosha se nëpërmjet përhapjes së kësaj ideje, kjo elitë e korruptuar mund të kërkojë të legjitimojë vetveten duke na thënë: shtrëngoni radhët rreth nesh se përndryshe vijnë “ata”. Në Shqipëri po ndodhin përditë vrasje nga krimi i organizuar dhe shumë kriminelë nuk i prek kush pasi janë të lidhur me polici e politikanë. Vrasësit na kanë hyrë deri në Parlament. Vrasësit me pagesë janë bërë si të ishin punëtorë ndërtimi në të zezë. Ja ky është rreziku i vërtetë për momentin. Në këtë situatë emigracioni i të rinjve të frustruar nga ky realitet në Europë apo edhe vajtja e disave në vende si Siria më së shumti janë valvula shkarkimi. Por mund të vijë një moment që këto valvula të mos mjaftojë. Prandaj ideja që kam shprehur edhe më herët është se një ditë islami mund të kthehet në fenë e të varfërve në Shqipëri e Kosovë dhe të instrumentalizohet e të kthehet në një lëvizje politike kundër kësaj elite të korruptuar properëndimore me fjalë po kriminale me vepra siç ka ndodhur së fundi në disa vende që përjetuan atë që u quajt “pranvera arabe” që fatkeqësisht nuk sollën demokraci, por më së shumti kaos.
Fakti që jemi në Europë nuk mjafton që të mos ndodhë kështu edhe tek ne. Veçanërisht po dështoi projekti europain dhe ne lihemi në dorë të këtyre kastave që më duket se përditë e më tepër thellohen në të keqen. Prandaj mendoj se s’duhet humbur kohë për ta kthyer këtë prirje, për të kthyer energjitë drejt luftës kundër korrupsionit dhe lidhjes së politikës me krimin, shkollimit të njerëzve, drejt zbutjes së pabarazive dhe padrejtësive në mënyrë që edhe po u krijua nesër një parti me afiliacion fetar islamik, të jetë demokratike e tipit të partive demokristiane në Europë që respekton shtetin laik dhe rotacionin e pushteteve.
Sa do të ndikojnë këto sulme në ndryshimin e perceptimit të europianëve dhe partive politike në këtë kontinent, ndaj të tjerëve, ndaj pakicave dhe posaçërisht ndaj emigracionit shqiptar?
Kur flasim për europianët nuk duhet të mendojmë një qëndrim të vetëm ndaj kësaj ngjarjeje, por disa qëndrime dhe qasje. Kjo ngjarje në sy të parë duket se do t’i shtojë votat e partive të ekstremit të djathtë që kanë luajtur gjithnjë me ndjenjat e një pjese të popullsisë që e sheh veten të kërcënuar nga emigrantët – veçanërisht ata që vijnë nga vendet me popullsi kryesisht myslimane. Në përgjithësi këto parti janë edhe antieuropaniste dhe, sipas mendimit tim, janë një kërcënim i madh edhe për ne që ëndërrojmë të bëjmë pjesë në Europën e Bashkuar, si një hapësirë paqeje, mirëqenie dhe demokracie. Por për këtë rrezik është e vetëdijshme edhe ajo pjesë e europianëve, fatmirësisht ende më e madhja, që tek projekti europian, tek multikulturalizmi dhe bashkëjetesa me të tjerët dhe hapja e Europës ndaj tyre shohin një të ardhme më të mirë për të gjithë. Rezultati do të përcaktohet nga dinamika e këtyre dy forcave. Duket se të dytët për momentin kanë marrë një goditje, por mundet që kjo goditje edhe t’i forcojë, veçanërisht nëse ata arrijnë të kenë edhe mbështetjen e komuniteteve myslimane që distancohen dhe dënojnë vendosmërisht akt terroriste të tilla. (Kortezi:Express)

Filed Under: Interviste Tagged With: Fatos Lubonja, Fatos Lubonja: Jo luftë me islamin, i kemi në parlament, ky është rrezik, ne vrasësit

Dhjetëra mijëra persona manifestojnë pas atentateve në Paris

January 10, 2015 by dgreca

PARIS, 10 janar – Dhjetëra mijëra persona manifestuan sot në disa qytete në kujtim të viktimave të sulmeve që kanë zhytur në zi Francën këto ditë, sipas burimeve policore.
Në Pau, në juglindje, të paktën 30 000 persona janë mbledhur për një tubim të heshtur.
Në Orleans, në pjesën qendrore te vendit, bëhet fjalë për 22 000 persona, ndërkohë që në Nice, në juglindje, të paktën 23 000 manifestues janë mbledhur deri tani, sipas burimeve policore./

Filed Under: Kronike Tagged With: Franca, manifestim ne Paris

Shqipëri, Komuniteti Mysliman dënon sulmin në Paris

January 9, 2015 by dgreca

Skënder Bruçaj: Muslimanët janë të parët që vuajtën dhe po vuajnë nga këta pseudo-besimtarë në shumë fusha, në aspektin njerëzor, teologjik dhe personalitetit e tyre si musliman./
Komuniteti Musliman i Shqipërisë dënoi me forcë vrasjen e gazetarëve në Paris, duke theksuar se asnjë vrasje nuk mund të bazohet në fenë islame. Kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, tha në intervistë për “Zërin e Amerikës, se gazetarët po goditen nga terroristët sepse po thonë të vërtetën dhe po përpiqen të largojnë mjegullat e ideologjive të rreme.
Zëri i Amerikës: Zoti Bruçaj! Si e përjetuat lajmin nga Parisi se dy persona të armatosur duke përmendur bindjet e tyre fetare sulmuan një redaksi gazete dhe vranë aty 12 gazetarë?
Skënder Bruçaj: Me thënë të drejtën jam tronditur shumë, si të gjithë njerëzit normalë me etikë, që vlerësojnë jetën e njerëzve. Në fillim nuk e bëra dot një lidhje. Është një fatkeqësi shumë e madhe që në këto kohë dhe në këtë civilizim të ndodhin akte të tilla, të cilat nuk mund të atashohen as me ndonjë ideologji fetare as me ndonjë aspekt tjetër human, është jashtë njerëzore dhe e dhimbshme.
Në çastin që e dëgjuam nga mediat, në emër të Komunitetit Musliman të Shqipërisë ne bëmë një deklaratë dhe shprehëm dhimbjen tonë dhe ngushëllimet për të dëmtuarit. Morën edhe kontakt me ambasadorin e Francës në Tiranë. Vërtet janë ngjarje të dhimbshme, të cilat njerëzimi nuk duhet t’i përjetojë. I lutem Zotit që ngjarje të tilla të mos ndodhin as në Francë dhe në asnjë vend tjetër të botës, sepse është e dhimbshme kur merret jeta e njeriut, jetën që Zoti e ka krijuar, Zoti ia ka falur njeriut dhe nuk ka ë drejtë asnjë njeri që ta marrë atë. Jeta është e shenjtë dhe asnjëri nuk ka të drejtë të marrë jetën e asnjë personi, duke u bazuar në asnjë ideologji, për asnjë shkak, për asnjë arsye çfarëdoqoftë.
Zëri i Amerikës: Zoti kryetar! Këta persona terroristë në shumicën e rasteve godasin gazetarët. Cili është mendi juaj për këtë?
Skënder Bruçaj: Mediat kanë një rëndësi shumë të madhe sepse informojnë opinionin publik dhe shumë personave nuk u intereson që e vërteta të jetë shumë e qartë për njerëzit, sepse iu pëlqen kur a mjegull, kur ka gjëra të paqarta, sepse luftojnë për pushtet, luftojnë për kauzën e një të keqeje. Nëse do të sqaroheshin njerëzit dhe do të ishin më të qartë, nuk do të kishin ndjekës, nuk do të arrinin të manipulonin njerëz të tjerë, nuk do të arrijnë të gjejnë simpatizantë. Kjo ndoshta i shtyn ata të bëjnë një presion kundër mediave, për të bërë një presion kundër lirisë së fjalës. Ky është shkaku besoj. Ndoshta disa shkrime nëpër gazeta, libra që kanë dalë ose disa karikatura mund të kenë kaluar kufirin etik për sa i përket lirisë së fjalës; ndoshta disa muslimanë mund të jenë të shqetësuar nga mënyra se si janë shprehur apo si është folur për të shenjtin e tyre, por asnjëherë nuk është shkak për një veprim të tillë. Profeti Muhamed, gjatë kohës si predikues, ka hasur shumë vështirësi të mëdha, është keq keqtrajtuar mjaft në mënyrën më çnjerëzore, por asnjëherë nuk ua ka kthyer në atë formë; ai gjithmonë është lutur që njerëzit të jetojnë në paqe, të jenë në mirëkuptim me njëri-tjetrin. Pra, në aspektin Islam nuk ka asnjë lloj pike ku të mbështeten ata që kryejnë vrasje; nëse pretendon se është musliman – ai nuk është musliman, edhe nëse e ka emrin musliman ai në thelb nuk është musliman, se nuk janë parimet e Islamit ato që motivojnë atë grup njerëzish për të bërë akte të tilla si Parisi. Jam plotësisht i sigurtë që të gjitha komunitetet muslimane nëpër botë qysh atë ditë e kanë shprehur shumë qartë qëndrimin e tyre dhe e kanë dënuar këtë akt që është johuman dhe është jashtë çdo lloj koncepti fetar.
Zëri i Amerikës: Zoti kryetar! Edhe nga Shqipëria e Kosova ka të rinj që shkojnë në Siri dhe iu bashkohen aksioneve terroriste atje. Çfarë komenti keni mbi këto zhvillime?
Skënder Bruçaj: Të them të drejtën, këto dekadat e fundit problemin më të madh muslimanët e kanë patur me terroristët. Muslimanët janë të parët që vuajtën dhe po vuajnë nga këta pseudo-besimtarë në shumë fusha, në aspektin njerëzor, teologjik dhe personalitetit e tyre si musliman.
Besoj se këtu duhet një rol më i fortë nga shteti, nga ngo, nga komuniteti musliman për të parë qartë se cilat ishin shkaqet që detyruan disa individë, disa shqiptarë për të shkuar në Siri dhe për të luftuar për një kauzë që nuk e mbështet feja dhe parimet islame dhe as ato njerëzore dhe për t’i eleminuar ato shkaqe.

Zëri i Amerikës: Po cilat janë këto shkaqe?

Skënder Bruçaj: Nga studimet doli se injoranca është thelbi i këtyre. Këto njerëz as fenë që pretendojnë se janë pjesë e asaj nuk e njohin. Mungesa e një kulture, problemet ekonomike dhe psikologjike, karakteri individual i shtyn ndoshta për të marrë pjesë në një fushatë që nuk e di as vetë se si do të zhvillohet. Në rastin e Shqipërisë, edhe ngarkesa emocionale mund të jetë një nga shkaqet. Gjithmonë, sado të mëdha e të vogla mund të jenë religjonet e ndryshme diversiteti eksizton dhe ndodh ndonjëherë që individët kanë qasje ekstremiste. Por janë vetëm një grup i caktuar dhe ne duhet të jemi më të kujdesshëm që ky grup apo individë që nuk e kanë kuptuar fenë si duhet por e keqpërdorin për të fituar partizanë për të fituar pushtet, të njihet nga publiku se rruga e tyre nuk është një rrugë e drejtë, se mendimet e tyre janë jo të shëndosha për shoqërinë. Fal Zotit, në Shqipëri kemi patur pak raste. Ne kemi qenë shumë të hapur me muslimanët për të qartësuar gjërat si duhet, që brezat e rinj, ato individë që nuk janë të mirinformuar të mos manipulohen e të mos keqpërdoren. Në histori kemi parë se si njerëzit manipulohen nga ideologji të caktuara dhe dalin jashtë normave humane, dalin jashtë koncepteve normale.

Zëri i Amerikës: Nga se burojnë këto mendime që justifikojnë vrasjet?

Skënder Bruçaj: Unë them se kjo është një ideologji e re, por nuk bazohet në frymën e fesë islame dhe traditën profetike, sepse në to nuk gjen asgjë që të mbështesë vrasjet. Megjithatë ajo ka gjetur ndjekës të veçantë. Vendet ku shkojnë këta ndjekës janë prej vitesh në trazira dhe dhimbje, me autoritete të çuditshëm, dhe kur ka kaq shumë trazira e dhimbja dhe nuk ka demokraci as respektim të vlerave njerëzore, kur nuk ka një qetësi në shoqëri dalin rryma që vijnë si një lloj proteste. Unë besoj se ata janë individë jo të shëndoshë që janë grumbulluar atje, se kanë gjetur atje diçka që mendojnë se u përket. Janë mbledhur atje nga shumë shtete të shprehin ndjenjat negative që nuk i shprehin dot në vendet e tyre. Fatkeqësisht u ka dalë një rast atyre që anën e keqe njerëzore, perceptimet e gabuara që kanë t’i shprehin në një vend të caktuar, në një ideologji të caktuar që fatkeqësisht po dëmtojnë muslimanët dhe po shqetësojnë miliona njerëz në gjithë botën.
Është një ideologji e re, nuk është fe, nuk ka të bëjë as me profetin Muhamet, as me parimet e Islamit. Asnjë komunitet fetar, asnjë fe nuk e frymëzon një ideolgji, një veprim të tillë. Në Kuran dënohet ai person që i merr jetën një personi të pafajshëm sikur ka marrë jetën e gjithë njerëzimit. Kjo është shkruar fare qartë, ndaj nuk e di se ku e marrin guximin të bëjnë ato veprime, nëse besojnë te Kurani. Nuk mund të besosh te Kurani dhe të bësh ato veprime; kjo është një hipokrizi. Besoj se ata njerëz po jetojnë një hiporizi të skajshme, sepse nuk mund të thuash se jam ndjekës i një feje dhe vepron totalisht në kundërshtim me parimet e asaj feje. Dhe faktikisht këtë po shohim në ato vende.

Zëri i Amerikës: Disa xhami dhe disa oratorë fetarë u vunë në qendër të vëmendjes për mesazhet e papërshtatshme dhe përpjekje për rekrutime. Çfarë masash u morën për këto?

Skënder Bruçaj: Gjatë 20 vjetëve të fundit në Shqipëri ka patur shumë paligjshmëri dhe midis këtyre ishin edhe ndërtimet. Aty nis hapi i parë te paligjshmëria dhe për këtë ne kemi kërkuar pjesëmarrjen e shtetit për të hedhur çdo hap në përputhje me ligjin dhe me standartet, dhe që ne të jemi brenda kritereve ligjore. Një pjesë e mirë e këtyre njerëzve flasin nëpër xhami që janë jashtë kontrollit teknik, zyrtar dhe juridiksionit të komunitetit musliman shqiptar. Ai ka ndërtuar xhami në një fshat në tokën e tij dhe ka një këndvështrim privat të qasjes së gjërave dhe kjo e bën të dalë më tepër jashtë linjave institucionale. Ne jemi munduar që me ata njerëz të flasim se komunikime të tilla janë në dëm të shoqërisë dhe u kemi treguar parimet e fesë islame dhe se janë bërë rast negativ për Shqipërinë. Ndonjëherë nuk kemi gjetur mirëkuptimin, ndaj kemi kërkuar të kemi një komunikim më të rregullt zyrtar. Unë jam për lirinë e fjalës, për shprehjen e botëkuptimit fetar, por ne jetojmë në një ved që aspiron të shkojë drejt Europës, dhe na duhen disa rregulla, që të na mbajnë pak nën kontroll.
Duke filluar nga ky vit ne kemi centralizuar ndërtimin e xhamive, sipas një marrëveshje me shtetin dhe përmes një shtese në ligj. Tani e tutje xhamitë nuk mund të ndërtohen pa miratimin e komunitetit musliman dhe ky është një hap për të vendosur një përgjegjës në xhami, i cili ta përfaqësojë sa më mirë Islamin. Nëse në xhami një flet një person i painformuar me parimet e Islamit, flet nga mendja e tij dhe nga furnizime prej burimeve të tjera, atëherë ai i ndikon njerëzit. Ne po mundohemi që njerëzit që flasin në Shqipëri në emër të fesë të jenë më të qartë të jenë më të kujdesshëm dhe të kenë një ndikim më pozitiv tek besimtarët muslimanë.

Zëri i Amerikës: Cili është në fund të bisedës, një mesazhi juaj për besimtarët muslimanë shqiptarë?
Skënder Bruçaj: Unë i lutem krijuesit të gjithësisë që të ketë sa më shumë paqe dhe begati mes njerëzve, mirëkuptim, të duhen njerëzit mes tyre se edhe Zoti kështu dëshiron, që ne të gjejmë rrugën e komunikimit, ta duam njëri tjetrin, sepse jemi të gjithë krijet e tij, megjithë diversitetin që kemi.
Këshilla ime për besimtarët shqiptarë është që ta njohin më mirë fenë e tyre, të mos bazohen në mendimet e individëve të caktuar, por të lexojnë Kuranin dhe traditën profetike, sepse ato janë burimet kryesore të fesë tonë. Ata nuk duhet të ndikohen nga rryma të caktuara, që ndikohen nga globalizmi, nga rrugë të ndryshme për ta marrë informacionin në burime jo të sakta, por t’i afrohen më shumë fesë, të kenë më shumë besim, sepse besimi është ushqimi i shpirtit. Besoj që njerëzit që e ushqejnë shpirtin janë më të devotshëm ndaj Zotit, janë individë dhe qytetarë më të mirë dhe do të kenë më tepër kontribut në shoqëri. Shoqëritë e sotme kanë nevojë për njerëz që dinë ta ushqejnë shpirtin, që dinë të punojnë për shoqërinë, që dinë të jenë më tepër humanistë, dinë të kontribuojnë në shoqëri nga ana ekonomike, shoqërore dhe në promovimin e vlerave universale që Islami i promovon dhe i ka në esencë.(Bisedoi per Zerin e Amerikes Ilirian Agolli)

Filed Under: Interviste Tagged With: dënon sulmin, Komuniteti Mysliman, ne Paris, shqiperi, Skënder Bruçaj

Myftiu Tërnava: Sulmi në Paris s’ka lidhje me besimin

January 9, 2015 by dgreca

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava dënoi ashpër sulmin dhe vrasjet e së mërkruës në Paris. Në një bisedë për Zërin e Amerikës, ai tha se ngjarjet e tilla nuk kanë të bëjnë me besimin, ndërsa vlerësoi lartë rolin e Francës në luftën për çlirimin e Kosovës. Myftiu Tërnava mbështet cdo përpjekje për të parandaluar përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat në Lindjen e mesme, përfshirë edhe ligjin për parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftëra të huaja.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava e dënoi sot ashpër sulmin e së mërkurës në Paris që la pas vetes 12 të vrarë. Në një bisedë për Zërin e Amerikës ai tha se aktet e tilla që po bëhen në emër të islamit, nuk kanë të bëjnë asgjë me porositë që dalin nga mësimet e Kuranit.
“Them dhe e ngris zërin lartë duke dënuar atë akt barbar, qyqar, naiv dhe të pamoralshëm, i cili ndodhi në Paris nga njerëz kriminel të cilët asgjë nuk kanë të bëjnë me parimet fisnike islame, por janë kundër tërë asaj që urdhëron i madhi Zot në Kuran dhe vet shëmbëlltyra e ndritur e Muhamedit a.s. Pejgamberit tonë të fundit”.
Ai tha se njerëzit për motive të ulta, për interesa të grupeve e klaneve, po e keqpërdorin besimin duke bërë përpjekje të arsyetojnë krimet. Feja, tha ai, urdhëron në paqe, tolerancë e harmoni në mes të gjithë njerëzve, pa dallim vendi, gjuhe e ngjyre.
“Ndaj unë si myfti, shfrytëzoj këtë rast që të shprehë keqardhjen time dhe ngushëllimet e mia për tërë atë që ka ndodhë në Paris. Dhe këtë dhimbje i përcjell edhe kombit francez, por edhe familjarëve të cilët humbën më të dashurit të tyre, qeverisë franceze, që ditën të qëndrojnë krah për krah me Kosovën në kohën kur Kosova kishte nevojën më të madhe të ndihmës nga aleatët tanë evropian dhe ata amerikan, por edhe nga bota mbarë”.
Myftiu Tërnava thotë se institucionet islame kudo qofshin, duhet të jenë më të zëshëm dhe më të guximshëm për të thënë atë që duhet.
“Kurani nuk i jep të drejtë askujt të vrasë në emër të tij. Të bëj krim e të dhunojë në emër të tij. Mirëpo, duhet pasur shumë kujdes të gjithë ne në respektimin e vlerave, të qytetërimeve fetare, të kulturave fetare të popujve të ndryshëm. Duhet që këto kultura, këto qytetërime të mos kenë përplasje, por të kenë harmoni mes vete dhe të bashkëjetojnë njëra me tjetrën”.
Luftërat në Lindjen e Mesme kanë shtuar shqetësimet edhe për përfshirjen e qytetarëve të rajonit në zhvillimet e atjeshme. Askush nuk e di numrin e saktë, por shërbimet e zbulimit pohojnë se mund të ketë disa qindra shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria që mund të jenë duke luftuar në radhët e militantëve në lindjen e Mesme. Deri tash besohet se mbi 20 qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën në ato luftëra.
Myftiu Trënava shprehu bindjen se thirrjet e Bashkësisë Islame kanë ndikuar në zvogëlimin e përfshirjes së qytetarëve nga Kosova. Ai tha sot sërish së askush nuk duhet të niset në atë rrugë duke u arsyetuar në emër të besimit.
“Sepse ajo rrugë për në Irak dhe për në Siri sot, nuk ka asgjë të bëjë me fenë dhe me konditat, parimet, fondamentet e fesë sonë të shenjtë islame. Ndaj edhe nuk duhet marrë atë rrugë dhe se ajo rrugë nëse merret, duhet të dijë çdonjëri që shkon në atë rrugë se po punon kundër asaj që urdhëron Zoti, urdhëron Pejgamberi, ngase të marrësh pjesë në një vend ku bëhen krime edhe nëse vet nuk bën krim, je i dyshuar që vërtetë ke marrë pjesë o pasive o aktive në krimet që i kanë bërë ndoshta të tjerët, nëse dikush edhe i shpëton vet aktit të krimit duke qenë atje. Atje po vrasin, po dhunojnë, po kriminalizojnë, po maltretojnë njerëz të pafajshëm, që i Madhi Zot xh.sh. para 14 shekujve na ka thënë se ‘të vrasësh një njeri është sikur të vrasësh tërë njerëzimin dhe të bëhesh shkaktar të shpëtosh një njeri është sikur ta shpëtosh mbarë njerëzimin”.
Së shpejti parlamenti i Kosovës pritet të hedhë për miratim një ligj për parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë vendit. Myftiu Tërnava thotë se kjo do të jetë një ndihmesë e madhe në përpjekje për të parandaluar shkuarjen e qytetarëve të Kosovës në Siri dhe Irak.
“Besoj që kjo është një punë e mirë në raport me ruajtjen e shëndetit të të riut tonë, flas për shëndetin e gjithëmbarshëm dhe mirëqenien e gjithëmbarshme të të rinjve tanë, këtu në këtë nënqiell ku i Madhi Zot xh.sh. na ka krijuar dhe na ka bërë neve që të qëndrojmë, të rrimë, ta ruajmë dhe ta përparojmë këtë vend, sepse për neve, ky është vendit ku duhet të jetojmë dhe të vdesim”.
Myftu Tërnava tha se kombi shqiptar është i vetëdijshëm në atë masë sa të mos i lejojë askujt destabilizimin e tij në emër të fesë.
“E ndjej veten jashtëzakonisht mirë se ende në Kosovën tonë nuk ka ndodhur edhe ekscesi më i vogël ndërfetar. Pra, është një respekt ndërfetar i madh, është një harmoni dhe është një besim i ndërsjellë me të gjitha besimet që frymojnë dhe jetojnë në Kosovë. Ndaj, Kosova, Shqipëria, vendet tona ku jetojnë shqiptarët, kombi shqiptar, është model që duhet ndjekur për bashkëjetesë fetare edhe shtetet tjera në zhvillim”.
Ai thotë se institucionet dhe bashkësitë fetare duhet të bashkërendojnë veprimet për të penguar dhe parandaluar çdo përpjekje për të nxitur veprime të skajshme në këto hapësira dhe për ruajtur e kultivuar tolerancën si një nga vlerat më të mëdha të kombit shqiptar.(Bisedoi per Zerin e Amerikes Besim Abazi)

Filed Under: Interviste Tagged With: me besimin, s'ka lidhje, Tërnava: Sulmi në Paris

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4177
  • 4178
  • 4179
  • 4180
  • 4181
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT