• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRIMI KOMUNIST DHE DEKORATAT

December 11, 2014 by dgreca

Shkruan: Filip Guraziu/ Shkoder*/
Krimi komunist vazhdoi panderprerje që pas Konferencës së Mukjes e deri në vetëkapitullimin e sistemit diktatorial. Unë, së bashku me shumë të tjerë, patëm fatkeqësinë të jemi deshmitarë të gjallë të atij kobi, që, si rrufe ra ne familjet tona. Mbrënda një nate, 27 Shkurt 1951 (jo në kohë lufte dhe revolucioni, por në periudhë paqeje dhe nën një pushtet të konsoliduar) hijet e zeza me zemër të kuqe, eleminuan 22 intelektualë nacionalistë, pa zhvilluar proçes gjyqësor dhe pa provuar asnjë lidhje me akuzën, vetëm e vetëm për terror, si kurban per servilizëm ndaj baba Stalinit. Kaq e turpëshme dhe skandaloze qe ajo masakër, sa që Ramiz Alia, për ti treguar shqiptarëve dhe botës së lirë se komunizmi në Shqipëri po fillonte të merrte “fytyrë njeriu”, urdhëroi Plenumin e Gjykatës së Lartë që të shpallte të pafajshëm 22 intelektualët e masakruar ! Vendimi u muar me 8 Gusht 1991. Ky qe rasti i parë që komunistët shqiptarë pranuan publikisht krimin e tyre !
Aplikimi i krimit komunist, si metodë kriminale-mafioze-terroriste për të fituar dhe mbajtur pushtetin, eleminoi elitën intelektuale shqiptare, shkatërroi institucionet fetare, i mori jetën në tortura rreth 6000 shqiptarëve, burgosi 30.000 “ armiq” dhe interrnoi 60.000 te tjerë. Familjarët e tyre u përbuzën , u poshtëruan, u diskriminuan dhe u quajtën “të prekur”!. “Të prekur” ?, po prej kujt? : “Të prekur nga murtaja komuniste”.
Po, krimi komunist ishte një murtajë, një sëmundje çfarosëse me virus politik, që aplikoi klika kriminale e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut “and company” për të ndërtuar gjoja (sepse edhe ato e dinin që ishte utopi) shoqërinë komuniste, në themel të së cilës duhej të qëndronte “njeriu e ri”, gjë që do të realizohej në luftë të pamëshirëshme dhe të vazhdueshme me ‘ mbeturinat e shoqërisë së vjetër kulako-borgjezo-kapitaliste’ !.
Ato krime të gjithë i jetuam dhe një pjesë e madhe e popullit shqiptar i provoi mbi supe. Brezat e ri që lindën rreth viteve 90, arritën ti njohin sipas tregimeve të prindërve të tyre, arkivave të shtetit apo dëshmive autentike në publikimet që bënë dhe vazhdojnë të bëjnë ato që i vuajtën direkt në burgjet komuniste.
Sot pas 23 viteve të kapitullimit të diktaturës komuniste dhe të përpjekjeve të shoqërisë shqiptare për konsolidimin e demokracisë, po përjetojmë një situatë vertetë të paparashikuar dhe të koordinuar sipas një propogande mediatike të mirëmenduar e cila tenton ta bëjë ujkun qëngj, ose me qartë po kerkon të bindë brezat e rinjë “se edhe në qoftë se ndonjëherë diku në Shqipëri paska patur krim komunist ( pasi minareja nuk futet në thes), ai krim është bërë vetëvetiu, pa urdhërdhënës, si pasojë askush nuk mund të mbajë përgjegjësi !.
Për të arritur në këtë konkluzion makiavelist, personazhe me të kaluar të errët ne aparatin shtypës të diktaturës së Enver Hoxhës, duke përfituar nga mangësitë e demokracisë së brishtë shqiptare, po publikojnë libra, artikuj si dhe po organizojnë programe televizive për të paraqitur se si ujqërit e kuq komunistë nuk paskan pasë qenë bisha që u ushqyen me gjakun e pafajshëm të shqiptarëve, por në realitet, paskan pasë qenë qëngja, që ngjajnë me ujkun rastësisht… Ato udhëheqës komunistë, urdhëruesat dhe zbatuesat e gjenocidit, paskan pasë qenë një lloj qënie njerëzore e veçantë, vertetë të ashpër me armikun e klasës, por me “shpirt babaxhani, kryefamiljarë të dashur, me moral të pastërt, me shije letrare, poetike dhe sentimentale, të ditur, strategë dhe burra shteti…etj.,etj”.
Kurse me krimin komunist ato skanë të bëjnë fare, atë e kanë bërë vetë shqiptarët, (pra populli), ato vetë e kanë dashur, ajo është vepër e tyre !
Trashëgimtarëve të ish kupolës komuniste, përgjegjëse për krimet më mizore ndaj popullit shqiptar, sot pas 23 viteve ndërrim sistemi, nuk i mjaftojnë pozitat e larta që zotërojnë në sferat e pushtetit, nuk i mjafton pasuria që ato gëzojnë, pensionet e majme që marrin etj., por duan më, duan më. Po çfarë pra duan !? Ato duan moralin, të rifitojnë moralin e humbur, që sipas tyre, do të arrihet duke vlerësuar dhe respektuar “ titujt që i dhuruan njëri tjetrit” në kohën e diktaturës, marrjës së dekoratave të reja në demokraci si dhe duke ringritur monumente në kujtim të krimeve të bëra dhe të “meritës së madhe” së veprës për transformimin e Shqipërisë në varrezë bunkerësh dhe “njeriun e ri” shqiptar në qënien më mjerane në botë.
Çfarë kuptimi tjeter, për një shoqëri demokratike, mund të kenë dekorimet që u janë bërë kohën e fundit gjerarkëve të kupolës komuniste?
Le ti rendisim: I jepen tituj ‘Qytetarë nderi’ kryekriminelit Melmet Shehu dhe ndihmësit të tij Feçorr Shehu; i akordohet titulli ‘Nderi i Kombit’ gjeneralit komunist terrorist Rahman Parllaku, ringrihet vënd dhe pavënd foto e diktatorit, dhe së fundi dekorohet per merita ne luftën Nacional Çlirimtare Shoqia Vito Kapo…..
E thënë troç dhe shqip, kjo do të thotë përbuzje e kujtimit te atyre martrirëve që u masakruan dhe vuajtën nga diktatura e Enver Hoxhës, do të thotë përdhunim dhe poshtërim i shtresës së ish të përndjekurve politikë që kontribuoi aq tepër në konsolidimin e demokracisë.
Në diktaturë humbëm njerëzit më të dashur dhe pësuam vuajtjet e ferrit dantesk, sot pas 23 viteve në demokraci , po përpiqen të na vjedhin dinjitetin dhe moralin dhe kjo nuk duhet lejuar !Eshtë koha, që të gjithë forcat përparimtare; shoqatat, institucionet, religjonet, partitë, intelektualët me bindje liberale, mediat progresiste etj., të reagojnë të bashkuar, ndaj kësaj përpjekje te mbarsur me moral përvers që po kërkon ti serviret dhe në një fazë të dytë ti imponohet brezit te ri . Helmatisja e brezit te ri me ideollogji primitive dhe reaksionare që himnizon kriminelin dhe krimin, përbën aktin më të turpshëm dhe më të papranueshem për një shoqëri demokratike . Indiferentizmi ndaj kësaj çështjeje, duhet konsideruar tradhëti ndaj idealeve të atyre që dhanë jetën dhe u sakrifikuan per liri dhe demokraci; ( kujtojm ato mijra të rinjë që vdiqën në luftë kundër okupatorit gjatë luftës së dytë botërore si dhe ato mijra të tjerë që u përsekutuan nga diktatura komuniste)
Duhet ta dini se historia, për kriminelët që bënë krim dhe gjenocid ndaj popullit të vet, është e pamëshirëshme, ajo për ta, nuk rezervon vënd tjetër, veçse koshin e madh të plehrave.
O nostaslgjikë donkishoteskë të diktaturës komuniste ! Lerini ato kriminelë aty ku janë hedhur nga historia. Mos i ngacmoni me dekorata dhe tituj të rinj dhe mos u bëni merak, se në kohën e sundimit të tyre kanë marrë aq shumë sa nuk ja zë më gjoksi…Lerini në punë të tyre, të gëzojnë njëri tjetrin “të shtërnguar në unitet të çelniktë, si në bironë politike” dhe mos ja vështirësoni ecjen përpara shqiptarëve të stërvuajtur, duke i ngarkuar artificialisht me emocione imorale te së kaluarës diktatoriale! Na leni edhe neve të qetë në vuajtjet dhe hallet tona që skanë të mbaruar… Shqiptarët sot, kanë nevojë më fort se kurrë, për forcim të unitetit kombëtar dhe jo për përçarje për “mullinjtë e erës”.
* Redaksia falenderon z. Filip Guraziu, kryetar i Shoqates te Perndjekurve Politike ne Shkoder, qe opinionet dhe analizat i ndane le lexuesit e Diellit.

Filed Under: Analiza Tagged With: “KRIMI KOMUNIST, DHE DEKORATAT, Filip Guraziu

QEVERISJA E MIRË VLERËSOHET ME SHKALLËN E PUNËSIMIT TË QYTETARËVE

December 11, 2014 by dgreca

Nga Illo Foto-Studiues/New York/
Autoriteti ekonomik ndërkombëtar këtë dekadë nuk i vlerëson qeveritë vetëm me GDP- në vjetore , por dhe me punësimin e shtetasve të vet që qeveris.
Punësim normal konsiderohet kur njeriu i aftë për punë punësohet me vullnetin e tij . Nisur nga ky përkufizim sistemi socialist të punësonte pa dëshirë dhe të jepte atë profesion, që ti mund të mos e shkoje fare nëpërmend. Papunësia nuk është fenomen i ri dhe as i pa pritur , ndërsa punësimi nuk është thjesht veprim praktik ,por mbart filozofinë e vet , brenda labirinteve të tregut të vështirë të punës .
Shpirti i zhvillimit ekonomik , në ekonominë e decentralizuar , eshtë sipërmarria private , që mbiquhet biznes dhe që nuk drejtohet nga shteti , por është partner me të . Biznesi konsiderohet fertil , kur gjeneron zgjerim dhe krijon vende të reja pune.Shumica e bizneseve jo prodhuse shpejt kthehen në sterile. Ata janë të limituar në zgjerim dhe punësim. Bizneset , që zgjerohen mbi mundësitë natyrale , hanë vetveten , duke përfunduar në faliment . Gjatë regjimit enverist rolin e bizesmenit e mbajti shteti në mënyrë eskluzive . Shoqëria jonë , mban mend këtë metodë punësimi, që ishte punë dhe varfëri për të gjithë.
Menjëherë pas vitit 1990 , me një spontanitet të paparë dhe me një etje të akumuluar, shumica e shqiptarëve , u vërsulën drejt pronës shtetërore , për të ngritur sejcili një biznes fitimprures .Nuk gjetën të tërë mundësinë e kapjes së biznesit , por u dallua një numur i madh bizesmenësh , kryesisht në tregeti , duke u kombinuar me pjesën tjetër të popullatës, që vijuan drejt emigracionit biblik , që përfshiu 1/3 e popullsisë .
Biznesi shqiptar zë fill qysh më fillimin e futjes në Ambasada. Shqiptarët me dhunë ndaj qeverisë së tyre izoluse, themeluan industrine e emigracionit , industria e fuqishme, që ende mbahet gjallë vetë , mban gjallë dhe biznesin e ri shqiptar.
Për pak kohë , sipërmarria private , dominoi sferën ekonomike , në të tëra drejtimet. Vetë biznesi krijoi strukturat e veta , të mbarvajtjes , kontrollit dhe të sigurisë .Këtë proces transformus e drejtoi instikti , për mbijetesë , që ka lindur bashkë me jetën e gjallë .
Shumë programe dhe grante u emetuan nga vendet miq , për t’i dhënë shtysën e duhur , qe të shëroheshin shpejt plagët , që kishte shkakëtuar enverizmi dogmatik . Sot , pas gati një cerekshekulli , Shqipëria konsiderohet një nga vendet me ekonomi biznesi të stabilizuar , pa mohuar dobësite dhe të metat e rritjes. Në këtë kuadër sëmundjet më e rënda , mbeten informaliteti , zhvillimi monopol dhe bizneset e kundraligjshme .
Rritja dhe maturimi i biznesit shqiptar ka ardhur i vonuar dhe aguridh , sepse nuk mund të ishte ndryshe nga zhvillimi historik dhe vecanërisht ai demografik . Gjat kohës , që isha në Atdhe , vjeshtën e sivjetme , diskutimi më i rëndësishëm ishte punësimi i njerzve . Thuhet se papunësia ka arritur 29 %. Socialiste të devotshëm ankoheshin se Partia e tyre nuk i kishte punësuar , kur ata ishin përkushtuar familjarisht në fushatën elektorale. Demokratët ankoheshin se ishin hequr pa drejtësisht nga puna . Punësimi është temë jetike . Për të nuk do mbarojnë ndonjëherë diskutimet . Me që socialistë ankohen për Partinë e tyre , tregon se punësimi është në hullinë e duhur , por që ende në fillimet e këtij procesi të paanshëm .
Ato c’ka ndjeva dhe u bëra pjesë e debateve në Atdhe , nuk do t’i mbaj për vete , sepse ndarja e mendimit me njerzit , bëhet natyrë e dytë e njriut , që shkruan.
Bizesmenë shqiptare dhe shkëmbim faturash , gjen në Kinë , Japoni , Rusi , Amerike . Biznesi , për një kohë të shkurtër , fitoi natyrën kozmopolite , që i pat munguar . Këtë pelerinë kozmopolite , biznesi shqiptar e veshi në mënyrën më të shpejtë të mundëshme , falë talentit dhe vullnetit të hekurt , për të mos mbetur pas botës . Natyrisht do të kishte ecur më shpejt , po qe se nuk do të pengohej seriozisht nga amatorizmi qeverisës . Ne te dy sistemet , mendimi i perparuar publik shqiptar , ka qene shume me perpara se mendimi politik shqiptar, ky realitet deshmohet nga shume ngjarje te shkuara dhe te sotme .
Muajin para ardhes , regjistrova disa tabla dyqanesh , ne rruget kryesore , ku gjallon biznesi Tiranas . Ja si shkruajne tabelat e dyqaneve: Toskanna, Club Posedion , Vila Grass , Mancini- Relax Rafle ,Ceccebot , Dora city , Tobaco shop ,Extrox – Ekton , Clubi corner , Market Eco, Pasticeri Dolce vita e mijra te tjere , te kesaj natyre .Te sqarohesh, brenda dyqanit , per hollesite e mallit dhe te blerjes , duhet te njohesh gjuhen angleze dhe italiane .
A ka fshatare shqiptare , qe kupton se , c’duan te thon keto mbishkrime ? Une nuk i kuptoj , vetem marr vesh se shitet dicka dhe behet sherbim , per nj biznes , qe e dalloj nepermjet xhamit . A eshte normale nje situate e tille ? Une them se po , derisa klientet shpenzojne brenda ketyre bizneseve .
Biznesi i tregut cam ruan tiparet e origjines , jo vetem formalisht , por nga te tera pikpamjet . Udhton brenda tij sic mund te ndihesh ne Stamboll dhe ne tregun e kinezve , sic mund te ndihesh ne Hong -Kong. Te tera sa thame tregojne se biznesi shqiptar eshte drejt maturimit kozmopolit . E ka dhene te tere kapacitetin e tij .
Biznesi yne , si ne shumicen e vendeve sot, eshte i prirur drejt sherbimeve . Nuk ka biznese te mbeshtetura ne industri te mirfillte . Ne cdo kend rruge , ne cdo shesh , ka dyqane te Vodafonit , shume dyqane te tille , me drita verbuse dhe me personel te bollshem , me uniforma . Fillimisht kujtoja mos ishin agjensi te turizmit hapsinor. Te krijohet pershtypja se shqiptaret vetem pine kafe, flasin ne telefon me oferta lehtesuse dhe perdorin gjeresisht skajpin.
Ka nje ndryshim me biznesin kosovar. Ky i fundit eshte me afer vatres familjare . Emertimet e ketij biznesi , kane kuptim tjeter . Po ju parashtroj dy emra biznesi kosovar, por jane perfaqesus te mases se gjere. Njeri, qe nis ne tunelin e Kalimashit e ka emertimin : “ Kater njeshat “ , qe do te thote 4 oratke te barabarte dhe te te tere quhen njesh , nga rendesia.Biznesi i dyte eshte ngritur ne te dale te kufirit , afer Morines . Pronari prizrendas Rushit Sinanaj e ka emertuar “Mifabliri “ , qe jane geramat e para te 4 djemve te tij (Mirseti , Fatmiri, Blerimi, Iridoni ).
Emri eshte njera risi , tjetra eshte fakti se lokali modern eshte ngritur mbi rezervatin e peshkut , nje zgjidhje e mencur vizuale , per turistin , por po kaq ekonomike, per biznesin dhe ekonomine . Pronari i ketij biznesi gjigant , zoti Sinanaj eka ngritur ne fshat , mbi nje baze te shendoshe ekonomike prodhuse . Ky eshte biznes vital , qe ka pak lidhje me cmimet ne burse dhe as me aksizen e doganes.
Emertimi i bizneseve , ne Tirane dhe Prizren , ka kahje te ndryshme , nuk ka ndonje rendesi esenciale , por shpreh nje prirje te pronarit , nje synim te tij te afert dhe te larget . Bizneset kosovare jane afer tradites dhe ngjyrimit te vendelindjes , i mban kembet ne toke . Kur ka ngjyrat e vendlindjes eshte me afer fshatit dhe ka me shume karakter prodhus .
Qeverisja mund te inflencoi , ndoshta 10%, ne rritjen ose ngadalesimin e ekonomise private , rritja tjeter varet nga vete biznesi .Aktualisht biznesi shqiptar i ka vene ne pune shumicen e mundesite ekomoike natyrore , qe ka vendi . Ka nje stanjacion te zhvillimit ekonomik. Biznesi qe nuk ka tendence drejt punesimeve te reja , byllet ne guasken e tij . Bashkepunon me veshtiresi. Edhe kur nuk eshte ne krize , eshte ne stanjacion.
Ne keto rraste shkencetaret ekonomiste rekomandojne , kthimin tek bizneset prodhuse . Biznese jo prodhuse kane nje fund te zgjerimit . Keshtu ndodh me ndertimet , telefonine etj .
Ish Presidenti Clinton , ne librin e vet “ Kthim tek puna “ , rekomandon , qe biznesi te ktheje fytyren nga prodhimi . Biznesi prodhus i jep oksigjen ekonomise, qe rrezohet , ose qe po tkurret . E tille eshte ekonomja e sotme shqiptare, me sa gjykoj , une si spektator .
Biznesi shqiptar , eshte element i rralle , qe ne kete tranzicion , eshte rritur normalisht dhe brenda ligjeve ekonomike kapitaliste, kur kemi parasysh deshtimin drejt krijimit te shtetit ligjor .
Biznesi shqiptar funksionon , por gjithnje e me pak . Jeta kerkon punesim . Jemi popull me popullsi te re ne moshe . Kjo situate presupozon tjeter fytyre biznesi . Kerkon biznes vital . Biznes i tille eshte vetem biznesi bujqesor , per vendin tone . Ne nuk kemi burime energjitike , mbi te cilat ndertohen biznese te shumllojshme . Profili yne eshte bujqesor . Bujqesia sot ka pamjen e saj industriale . E tille eshte bujqesia e serave , perimeve , hidroponike , blegtoria , bujqesia vertikale dhe fusha e gjere e kultivimit dhe e cfrytezimit pyjor .
Lodhia e biznesit ndodh sa here nuk gjenden rruge , per zgjerimin e tij te metejshem .U ndjeva shume mire , ditet e fundit , sepse pashe ne shtyp , qe nje sipermarrje polake do te ngreri Kombinatin e sheqerit ne Maliq . Kjo perben nje nga zgjidhjet e medha , te zhvillimit te biznesit qytet – fshat . Kultura e panxharit eshte me e konsoliduara si teknollogji prodhuse dhe konservuse , per zonen e Korces . Si kulture , jep rendimente te larta , ne fushen bregdetare , qe jane toka me orgjine kenetore . Me nismen e Kombinatit gjallojne 4 fytyra te biznesit prodhue : kultivimi i panxharit , qe sot eshte ne nivelin zero dhe do shkoi ndoshta tek 20 mije Ha , prodhimi i sheqerit , melases se alkolit dhe bersive , qe jane ushqim i mire i blegtorise . Me nje gur vriten 4 zogj shume te majme . Do te ishte mire , qe dikush te ringreri industrine e cigareve , qe kultivusit e sotem te duhanit shqiptar , te mos mbeten pre e sekserve greke .
Ka shume emigrante , qe jane kthyer nga Greqia dhe i jane perveshur punes ne bujqesi , kryesisht ne sera dhe ne blegtori . Njeri prej tyre e pyeta se ku e gjente ujin e ujitjes . Me tha se e gjente me pus . Qindra mije puse jane hapur ne Shqiperi . Cdo sere ka nje e me shume puse , c’do vile ka nje pus . Mijra pompa , qe shpenzojne energji , ndoshta dhe pa pagese . Ujrat e rrjedhshem , ku vene ? Deri sot , nuk shof askend te reagoi , per pasurite ujore .
Nje bizesmen potencial , mund te marri tokat me qira dhe te ngreri nje e me shume biznese bujqesore . Fuqia puntore leviz me autobuza . Ka pak rendesi ne se nuk kthehen me banim ne fshat . Mjafton te punesohen. Bizneset bujqesore jane te pa ngopur me fuqi puntore .
Fermat ne Shqiperi ( Bizneset bujqesore ) , kane ekzistuar qysh ne kohen e Zogut . Ishin te modelit amerikan dhe italian . Enveri i shtetezoi dhe ato funksionuan si sipermarrie shteterore , pa as nje shenje privatizmi , por prodhonin ne nivel te kenaqshem . Gjithcka kondicionohej nga cmimet e produkteve , qe i grumbullonte shteti . Gruri blihej me 2 cent , misri 1.7 cent , qumushti 2 cent , veza 0.7 cent etj . (Jane shprehur me monedhen e kohes te emertuar me dollar )
Qe te zhvillohen biznest bujqesore , duhet te kthehet ne gjendje pune toka bujqesore , qe e kemi te mire dhe te bollshme , por te kenetezuar dhe te mbuluar me vila te jashtligjshme . Nismat , qe u moren ne qytete dhe ne bregdet , per prishjen e ndertimeve te pa ligjshme , eshte pjesa me e vogel e tragjedise , qe ka cperfytyruar territorrin shqiptar . Ne fushe eshte bere masakra me e madhe . Vetem ne Ultesiren bregdetare , thuhet se jane mbi 200 mije ndertime jasht fshatit, por ndertime te tilla , ka kudo . Kushdo , qe mori nje cope toke ne fushe , ndertoi dhe nje shtepi , pa pyetur askend, ndoshta vile .
Toka , shtepite , ujrat mbitokesore , jane bere nje unitet , qe duhet shume pune dhe mund , t’i rikthesh ku ishin . Nuk mund te pritet me , me kete gjendje te krijuar . Ndertimet e pa ligjshme , pa as nje medyshje duhet te ishin prishur me kohe . Ne qytet mund te behet ndonje tolerim , por jo ne fushe . Fusha eshte e traktorit , e kombajnes , e infrastruktures bujqesore ; nuk eshte truall ndertimi . Te paret tone nuk kishin mekanike bujqesore , token e punonin me parmende , qe mund t’i vinte rrotull ndertimit , por ata token nuk e zune kurre me ndertime. Maksimumi , mund te ndertonin nje kasolle fushore , por kurre shtepi me themel . Kush e prishi kete tradite te civilizuar ? U kuptua shtrember demokracia , e cila nuk eshte anarshi , por diktature e sundimit te ligjit . Bizesmeni nuk afrohet ne token mocalore . Ai kerkon toke funksionale ne te tera pikpamjet , se do te investoi para dhe pune , qe nuk ja fal askush .
Ne rrast se Ultesira bregdetare shqiptre , do te mbulohet me sipermarres fermere , do te kemi tjeter pemje , per zhvillimin makroekonomik dhe mirqenien e shqiptarve . Kur fusha te vihet e tera nen kulture , do te kemi 1 mije ferma moderne , me nga 300 ha . Ne te tere kete mozik biznesi kompleks , do te gjenerojne , jo me pak se 400 mije vende pune, perfshi dhe funksionet anesore te transportit , servisit mekanik etj .Kur ky projekt do te asimiliohet plotesisht , Shqiperia do te quhet vend i zhvilluar , sepse nga keto ferma produktive , do te riciklohen shume biznese parazitare , qe jane drejt falimentimit .
Kosovaret nuk e kane problem te merren vesh , per zgjerimin e mekanizimit dhe te prodhimit te madh . Kam pare fusha ne Prizren , me madhesi 20 ose 50 Ha . qe ishin mbjelle me te njejten kulture . Jane marre vesh , per strukturen, perdorimin e mekanies dhe ndarjen e prodhimit sipas prones dhe kontributit te punes . Pervojen nuk e kemi larg , vec ne Prizrend . Kosovaret i kane shume funksionale shoqatat dhe marrveshjet fermere . Nuk kane as nje nevoje , per artifict e kooperativave dhe sajesa te pa provuara , per te cilat flitet pa fund ne Shqiperi . Konferenca , konsulta , shkrime te gjata , per te zgjidhur si do unifikohen tokat . Kete filozofi mund ta mesoni ne Kosove , brenda dites .
Kam bindje se shume funksionare , do thone se une flas nga pozitat komode te nje sehirxhiu , qe e njof situaten nga gazetat. Nuk them se ky sugjerim nuk eshte brenda kufijve reale , por i kerkoj zoterise te formuloi nje alternative tjeter , per te kthyer fytyren e biznesit drejt fshatit . Kam shkruar me pare ,se fusha e Shkoder- Lezhes , nga avioni nuk duket si fushe , por si nje qytet kaotik . Duke qendruar duar kryq , vijojme ta bejme me kaotik , kete gjoja qytet .
Theksova me siper se zgjerimi i bizneseve ne fshat eshte terapi anti krize . Po jap nje shembull. Kur isha ne Tirane degjova ne Tv , se dy familje nga Kolisani i Kuksit , kane shume vite , qe banojne familjarisht ne Bathore , qe eshte thjesht zgjatim i Tiranes .Banesa e Bathores eshte vile me bace me shume peme , por ne Qytet nuk gjeten pune dhe iken per ne Kolosian te Kuksit , ku krijuan nje stan me dhi dhe sigurojne te ardhura te mira .Keta te pa pune , nuk kane studjuar ekonomi , por jeta i mesoi , si te gjenin rrugen racjonale ekonoike . Nje gje te tille kane bere shume emigrante te riatdhesuar dhe ndjehen ekonomikisht dhe moralisht te motivuar . Bizneset bujqesore jane pa kufi , mjafton te arrish te plugosh token dhe te mbjellesh fare . Bizneset bujqesore jane shume si sasi dhe llojshmeri , prandaj konsiderohen si biznese qe crrenjosin papunesine .
Kur toka e Ultesires bregdetare , do te mund te punohet e gjithe dhe te vihet nen kulture , duke u mbuluar me ferma te nivelit mesem dhe te larte , GDP – ia e Shqiperise do te rritet 1.8-2 mije dollar , per cdo shqiptar dhe papnesia me varferine , do te shenojne piken zero . Perllogaritjet e mia kane rezerven , per te qene brenda .
Pse nuk vihet ne pune fusha bregdetare , kam folur gjate , me paerpara , prandaj nuk kam pse e lodh lexusin.
Nga vrojtimet e mija , qe nuk mund te quhen profesionale , biznesi kosovar ka prirje te theksuar drejt bujqesise dhe fshatit , ndersa biznesi shqiptar , eshte larg te qenit prodhus . Duke qene biznes me prirje prodhuse bujqesore , biznesi kosovar eshte me i shendetshem dhe shume me premtus , c’ka do te kontriboi ne nje rritje te ndjeshme ekonomike dhe te punesimit, ne nje te arthme te afert . Keto mundesi biznesi shqiptar , aktualisht nuk i ka dhe nuk do t’i kete , deri sa te pervetesohet Ultesira bregdetare , qe aktualisht dergjet nen ujra dh nen ndertimet e pa ligjshme.
Illo Foto / Studius . NY Nendor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: E PUNËSIMIT, Illo Foto, ME SHKALLËN, QEVERISJA E MIRË VLERËSOHET, TË QYTETARËVE

Një fotografi që apelon:Mjaft më me retushime!

December 11, 2014 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/
Midis festimeve të organizuara në nëntorin e këtij viti në kryeqytet dhe qytetet kryesore të vendit, si ato zyrtare ashtu dhe nga shoqata të ndryshme atdhetaro-kulturore, ku shqiptarët në mënyra të ndryshme shfaqën gëzimin e kënaqësinë për këto festa të rëndësishme, më ra në sy një gjetje origjinale e Bibliotekës Kombëtare, e cila kishte sjellë dicka të re në festimet e atyre ditëve. Në një ambient të vogël, në hyrje të Bibliotekës, ndryshe Këndi i Kulturës Amerikane, ishin ekspozuar disa libra, gazeta, dokumente dhe fotografi, të cilat deri tani ishin në fondin rezervë të Bibliotekës kryesore të vendit, me një titull të vecantë, “Shqipëria në Luftë, 1939-1944”. Duke shpjeguar qëllimin e kësaj ekspozite, organizatorët në një mesazh të tyre sqaronin se kjo ekspozitë i kushtohet teatrit kompleks të luftës në territorin shqiptar gjatë Luftës së II-të Botërore. Tashmë pas 70 vjetësh, shqyrtimi dhe studimi i saj na nxit në një rikthim modern e bashkëkohor të dokumentit arkivor, rikthim tek dëshmia e përjetimit, tek imagjinarja kolektive, tek rindërtimi retrospektiv, debati konceptual e deri tek domosdoshmëria e përhershme e rishkrimit. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë bëhet pjesë e këtij refleksioni, përmes një përzgjedhje cilësore nga fondi i cmuar i historianëve evropianë, anglezë dhe amerikanë, kontributi i të cilëve paraqitet për herë të parë në publikun shqiptar, duke tërhequr vëmendjen mbi qasjen dokumentare të trajtimit të Shqipërisë në Luftën e II-Botërore….Pikërisht nga këto pamje në dukje të vogla ngrihet dhe dëshmia e madhe e Luftës, lufta dhe fëmijët, lufta dhe letërsia, lufta dhë dëshmimi, lufta dhe imazhi, por dhe lufta e imazheve, e simboleve dhe ideve, vijnë në këtë ekspozitë duke na ftuar ta ripërjetojmë këtë moment tragjik të historisë, i cili vijon të bashkëveprojë në mënyrë të pashmangshme me të tashmen tonë…e mbyllnin njoftimin organizatorët. Kështu nga data 27 deri 4 dhjetor, kërshëria shtyu mjaft shqiptarë e të huaj ta vizitonin këtë kënd modest. Në hyrje të ekspozitës zinte vend shtypi i shkruar i 7 prillit 1939, si. psh “Gazeta e Korcës”, 7 prill 1939, që për kryeartikull kishte shkrimin e zotit Mehdi Frashëri, “Ajo që po i ngjet sot Shqipërisë, nesër mund tu ngjasë të tjerëve”, ku i bëhet thirje diplomacive perëndimore dhe fqinjëve të reflektojnë mbi këtë pushtim të paralajmëruar të Shqipërisë nga fashistët. Nga ana tjetër “Gazeta Shqiptare” e 9 prillit 1939, e jep me nota pozitive këtë pushtim, se si trupat italiane hyjnë në Shqipëri dhe Konti Ciano merr pjesë në manifestimet popullore për Ducen dhe Italinë Fashiste, etj. Krahas botimeve të kohës në shqip, si “Shqipëria e Re”, e Këshillit e Regjencës fashiste, të binin në sy dhe mjaft botime të ushtarakëve dhe diplomatëve italianë të kohës, si “Ditari” i Kontit Ciano, “Italia dhe Shqipëria” të Alessandro Rosellit, “Të vërtetat dhe gënjeshtrat mbi ekspeditën në Shqipëri”, A.Trizzione, “Një luftë e gjatë”, e Franco Benantit, “Politika e Shqipërisë në Itali”, Francesko Jakomoni, “Komanda e lartë”, Ugo Cavallero, “Qëndresa e ushtarëve italianë në Shqipëri”, Massimo Coltrinari, etj. Botime këto të ngelura nga ajo kohë, ose të dhuruara. Paralel me këto botime kishte foto të asaj kohe. Në vijim ishin ekspozuar kujtime të Hebrenjve të shpëtuar në Shqipëri, si “Shpëtimi në Shqipëri”, Harvey Sarner, “Në sajë të Shqipërisë, rrëfime për vete”, Johana Jutta Neumann, “Prania historike dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë luftës”, e Naim Zotos, botime të autorëve rusë, anglezë, gjermanë, amerikanë, etj. me të cilat në një masë të madhe opinioni shqiptar e më gjerë është njohur më parë. Natyrisht vend të vecantë në këtë ekspozitë zinin dhe mjaft autorë, studjues dhe historianë amerikanë, të cilët më parë nuk kanë pasur shansin të paraqiteshin në asnjë vend apo cep të këtyre ekspozimeve, të bërë mbi 60 vjet, nga historianë, studjues e shërbëtorë besnikë të regjimit. Pamvarësisht teprisë me masat e sigurisë, mendoj që ishte një hap i mirë i Bibliotekës Kombëtare sjellja në vëmendjen e qytetarëve dhe studjuesve e këtyre botimeve. Unë do sugjeroja që gradualisht personeli i kësaj biblioteke mund të bëjë dhe dixhitalizimin e këtyre botimeve, ashtu si Univeristeti i Harwardit ka bërë me dhjetra botime në anglisht për Shqipërinë. Kjo do ja lehtësonte punën studjuesve të ndryshëm, por dhe studentëve të historisë. Gjithsesi kjo është temë më vete, sepse ajo që më bëri përshtypje në këtë ekspozitë, ishte publikimi i një foto të 28 nëntorit 1944, festimi i ditës së clirimit në Tiranë, ku në sfondin kryesor ishte flamuri amerikan dhe aleatëve, krahas me atë shqiptar. Kjo ishte dhe ngasja ime për ta vizituar këtë kënd. Për mëse 6 dekada shqiptarët në librat e tyre të historisë, në shkrime për luftën, revista, studime historike, me mijëra faqe, kanë parë një foto të burgosur, të retushuar, një imazh të përmbysur, ku flamuri i aleatit kryesor të shqiptarëve, SHBA-ve, nuk ekziston. Breza të tërë janë gënjyer, mashtruar, hipnotizuar e margjinilizuar, me këtë fotografi, ku propaganda e sistemit monist me qëllimi e ka manipuluar kontributin e ushtarakëve të SHBA gjatë Luftës së II-Botërore dhe më pas. Studjues dhe historianë të kollarisur e kanë shkruar dhe pranuar në heshtje këtë fakt, dhe tani dalin e flasin për histori. Mbi c’moral? Është koha për refleksion në radhë të parë të këtyre njerzve që u bënë shërbëtorë të bindur të sistemit, vetëm për hatër të titujve, gradave, honorareve e shpërblimeve pa fund. Nuk jam për asnjë lloj ekstremizmi, por për atë realen, të vërtetën, e cila vonon por nuk harron, ku nqs njëra palë është glorifikuar, tjetra është injoruar. Vërtet ka rjedhur shumë ujë i ndotur për historinë e këtij vendi, por asnjëherë s’është vonë, tashmë është koha dhe momenti, që nëpërmjet burimeve historike e dokumenteve të shumta, të vendosim gjërat në vendin e duhur. Ti cojmë ato në burimin e tyre, duke i hequr retushimet e spekullimet periodike. Le të kemi mirësinë dhe durimin që brezave pasardhës ti lemë një histori të kulluar, si kroi i burimit. Psh. duhet sqaruar, si dhe sa kanë ndikuar ndihmat e aleatëve anglezë dhe amerikanë, në organizimin e rezistencës antifashiste dhe krijimin e formacioneve partizane. Dikujt mbase mund ti duket i vogël asgjësimi i një depo armatimi, municioni, i një depo karburanti në atë kohë, por në planet operacionale në terren, vecmas në nivelin taktik, ndikimi i tyre ishte i madh. Mendoje, sa i kushtonte mbartja e një arke municioni nazistëve nga nga Mynihu në Durrës, ndërkohë që Rajhut të III-të i duheshin fishekët në frontin e Lindjes e Perëndimit?! E pra, këto duhen rivlerësuar e llogaritur nga specialistët, studjuesit dhe historianët ushtarakë. Pikërisht në ndihmë të kësaj pune, na vjen dhe kjo foto e thjeshtë e pafajshme, e cila bart një të vërtetë e përmbajtje të madhe, të retushuar qëllimisht për 6 dekada mbas asaj dite nëntori, ku fotoreporteri Costa na solli në celuloid këtë foto historike. Një fotografi që përcjell një lajm e ngjarje të madhe dhe njëherazi, të ngjall kureshtje, gëzim por dhe pikëllim. Blici i aparatit fotografik të zotit Costa na ka sjellë një foto historike, një tablo me një dimesion të shtuar në kohë dhe hapësirë. Fotografi Costa ka humbur në thellësinë e viteve, por na ka lënë një fotografi që flet me gjuhën e qytetarëve shqiptarë, partizanëve, ushtarakëve aleatë. Nderim dhe respekt për kët fotograf brilant! Natyrisht, fatet e personazheve të kësaj fotografie nuk dihen, dikush mund të kenë vdekur, dikush është me thinja, dikush rrugëve të harresës, por ata janë memorizuar në histori nëpërmjet kësaj foto, nëpërmjet gjurmëve të saj. Në horizont shndrit flamuri shqiptar, i SHBA dhe aleatëve të tjerë. Kështu fotografia rrëfen duke u shndruar në kujtim, përjetim, histori, ajo nuk është memece, lëviz e këshëllon…Por, duke depërtuar në gjuhën e fotos, duke bashkëbiseduar me të, sepse dhe ajo ka gjuhë, ajo na zgjon ndjenjën e kthimit të kohës dhe qartazi na bën një thirje për realitetin e tanishëm:-o shqiptarë, mos retushoni më, mos fshini dokumenta, foto, tapi, dosje, se ajo është historia juaj, është mishi dhe kocka juaj, me të mirat e të këqijat e veta! Ndyshe do të ndjeheni të braktisur në honet e errësirës!

Filed Under: Analiza Tagged With: më me retushime!, Një fotografi që apelon:Mjaft, Shefqet Kercelli

STOP KORRUPSIONIT!

December 11, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Këtë javë, Dita Ndërkombëtare kundër korrupsionit tërhoqi vëmendjen e udhëheqsve të lartë botërorë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, (OKB) Ban Ki Moon dhe të Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, si dhe organizatave ndërkombëtare jo qeveritare që merren me luftën kundër korrupsionit, siç është Transparency International.
9 dhjetori është Dita Ndërkombëtare kundër Korrupsionit dhe shënohet çdo vit si e tillë ç’prej miratimit të Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsinit, në vitin 2003.Konventa e OKB-së përcakton se Kombet e Bashkuara janë, “të shqetësuara për seriozitetin e problemeve dhe të kërcënimeve që paraqet korrupsioni ndaj sigurisë së shoqërive kudo, duke minuar institucionet dhe vlerat e demokracisë, vlerat etike dhe drejtësinë, duke rrezikuar në këtë mënyrë zhvillimin e qëndrueshëm dhe zbatimin e ligjit.”
Nuk është e qartë se çfarë efekti ka shënimi i përvitshëm i kësaj dite ndërkombëtare në luftën kundër korrupsinit, pasi Transparency International në raportin e fundit thotë se korrupsioni sa vjen e shtohet anë e mban botës, por qëllimi i shënimit të kësaj dite në nivel ndërkombëtar, është që tu kujtojë njerëzve koston e lartë të korrupsinit për shoqëritë dhe për zhvillimin e tyre në përgjithësi. Shërben gjithashtu – për ata që duan — si një rast për të theksuar rëndësinë e të vepruarit kundër korrupsinit dhe njëkohsisht kjo ditë përbën edhe një platformë për qeveritë, organizatat e shoqërisë civile, për median dhe për publikun në përgjithësi që të angazhohen seriozisht për të luftuar praktikat korruptive si dhe sfidat që paraqet korrupsioni për shoqërinë e tyre.
Korrupsioni është një fenomen i mbrapsht ekonomik dhe politik që prekë të gjitha vendet, të zhvilluara dhe ato në zhvillim e sipër, andaj OKB-ja dhe qeveri të ndryshme si dhe organizata të shoqërisë civile anë e mbanë botës, këtë ditë ndërkombëtare kundër korrupsionit e përdorin si një rast të mirë për të inkurajuar një pjesëmarrje sa më të madhe nga të gjithë sektorët e shoqërisë që të merren me shkaqet kryesore të korrupsionit dhe ta luftojnë atë me mjetet që kanë në dispozicion. Sipas Sekretarit të Përgjithëshëm të OKB-së, në këtë fushatë kundër korrupsionit, një rol të rëndësishëm duhet të luaj shoqëria civile dhe media, sidomos për të informuar publikun e gjërë mbi faktin se si praktikimi i korrupsionit në nivele të larta të qeverisë dhe të shtetit si dhe në shoqërinë e gjërë, “Minon zhvillimin e demokracisë dhe zbatimin e ligjit — çon drejtë shkeljeve të të drejtave të njeriut, pengon zhvillimin normal të tregut, ulë standardet e jetesës dhe promovon krimin e organizuar, terrorizmin, dhe paraqet kërcënime të tjera ndaj sigurisë shoqërore.” Ban Ki Moon u bëri thirrje të gjitha shteteve anëtare të OKB-së që për të “Shëmbur muret e larta të korrupsionit, ato që nuk kanë bërë ende një gjë të tillë, duhet të ratifikojnë dhe të zbatojnë Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit.”
Të prishet zinxhiri i korrupsionit është sllogani i OKB-së me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit për vitin 2014
Në promovimin e shënimit të kësaj dite, thuhet se korrupcioni, ndër të tjera, kontribuon drejtë mos-stabilitetit qeveritar, se korrupcioni përbën një sulm të drejtë për drejtë ndaj bazës së institucioneve demokratike, çoroditë procesin elektoral dhe krijon një situatë jo të këndshme burokratike, qëllimi i vetëm i së cilës është për të kërkuar ryshfet. Theksohet gjithashtu se ndër kostot e larta të korrupsionit për shoqërinë, është fakti se atmosfera korruptive njëkohësisht çkurajon investimet e huaja dhe thuhet se në një atmosferë të tillë, është e pa mundur që tregëtitë e vogëla të përballin kostot fillestare, pikëprisht për arsye të korrupsionit.
Ndërsa në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry shfaqi më heret shqetësimin e vendit të tij mbi pasojat e korrupsionit anë e mbanë botës dhe theksoi angazhimin e Washingtonit për të punuar me partnerët e SHBA-ve në luftën kundër korrupsionit.”Kostoja morale dhe praktike e korrupsionit nuk është më një çështje debatesh. Korrupsioni promovon mos-stabilitetin shoqëror, nxitë protesta popullore dhe revolucione”, tha këtë javë, kryediplomati amerikan me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër korrupsionit. Ai shtoi se të ardhurat nga praktikat korruptive të fshehura në bankat ndërkombëtare mundësojnë financimin e grupeve terroriste dhe mbajnë në fuqi regjime që nuk kanë asnjë përgjegjësi ndaj askujt, duke shtuar se si rrjedhim, korrupcioni rrezikon edhe sigurimin kombëtar të Shteteve të Bashkuara. John Kerry tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të përpiqen të jenë shembull për të tjerët, duke promovuar transparencën në qeverinë e vet dhe do të inkurajojnë dhe do të mbështesin organizatat e shoqërisë civile, gazetarët dhe prokurorët, me qëllim që ata të mbajnë përgjegjës zyrtarët qeveritarë për praktikat e tyre në fushën e korrupsionit.
Në mesazhin e tij, John Kerry u bëri thirrje qeverive partnere, shoqërisë civile dhe sektorit privat që tu bashkohen Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit.Ai u bëri thirrje gjithashtu, “vendeve që janë duke përjetuar tranzicionin demokratik që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të vendosur qeveri që janë përgjegjëse ndaj qytetarve të tyre dhe ndaj zbatimit të ligjit. Sekretari amerikan i Shtetit, gjithashtu tërhoqi vëmendjen e tij të mëparshëme, duke thënë se, “Ne sot po ritheksojmë rishtas paralajmërimin tonë ndaj kleptokratëve anë e mbanë botës: se vjedhja e pasurisë së komuniteteve tuaja nuk do të tolerohet dhe se komuniteti ndërkombëtar është i zotuar se nuk do të lejojë strehimin e juaj dhe as të të ardhurave dhe pasurive tuaja ilegale.”
Si në këtë foto të OKB-së, organizata botërore njofton se edhe këtë vit, aktivistë anë e mbanë botës protestuan kundër dukurive të korrupsionit. OKB-ja thekson se me anë të demonstratave, të protestave, koncerteve, diskutimeve dhe shfaqjeve të ndryshme, aktivistët kudo në botë të përpiqen të bindin njerëzit se ata, po të kenë vullnetin, e kanë fuqinë për t’i thënë: STOP Korrupsionit!
“Nëqoftse duhet të realizohet drejtësia, ne të gjithë si qytetarë duhet të ngremë zërin, të promovojmë sanksionet shoqërore dhe të flasim haptazi për të demaskuar problemet që rrjedhin për shoqërinë nga korrupcioni dhe të kërkojmë me këmbëngulje bërjen e ndryshimeve”, u shpreh me këtë rast, Kryetari i organizatës Transparency International, Jose Ugaz. Ndërsa Drejtori i kësaj organizate ndërkombëtare, Cobus de Swardt theksoi këtë javë me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit se, “Njerëzit anë e mbanë botës janë lodhur me dukuritë e korrupsionit dhe se ata duan të japin kontributin e vet për të ndaluar dhe për të zhdukur këtë sëmundje shoqërore. Çdo njëri mund të veprojë.Çdo njëri mund të bëjë një deklaratë kundër korrupsionit. Secili mund të refuzojë të japë ryshfet kur i kërkohet një gjë e tillë dhe të promovojë luftën kundër korrupsionit, të raportohet kur diktohen dukuri të korrupsionit në veprim dhe të mbështesin udhëheqës me integritet”, përfundoi zyrtari i lartë i organizatës Transparency International e cila ekspozon dhe lufton korrupcionin anë e mbanë botës.
Këshilla të mira këto për çdo shoqëri dhe aktivistë të shoqërisë civile kudo, përfshirë edhe Shqipërinë e Kosovën, dhe për të gjithë ata që e marrin seriozisht rrezikun afat gjatë dhe afat shkurtë që paraqet korrupcioni i pa kontrolluar ndaj ndërtimit të demokracisë dhe të zhvillimit të mirëfilltë ekonomik të çdo vendi, si edhe ndaj respektimit dhe zbatimit të të drejtave të njeriut të çdo qytetari.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, STOP KORRUPSIONIT!

“Artemisa në Dyrrah”

December 11, 2014 by dgreca

Posta Shqiptare emeton katër pulla me hyjneshën antike/
Nga Gezim Kabashi/
– Hyjnesha Artemisë e qytetit të lashtë të Durrësit ka zënë vend këto ditë në serinë e re të pullave postare shqiptare me temë nga arkeologjia. Katër pullat me vlerë nga 50 deri 90 lekë, janë emetuar nga Posta Shqiptare me rastin e 102-vjetorit të shpalljes së Pavarsisë dhe në to janë paraqitur katër figurina të zbuluara në rrethinat e Durrësit gjatë viteve 1970-1971.
Prof. Fatos Tartari, arkeolog dhe bashkëdrejtues i misionit 10-vjecar shqiptaro-francez, që studioi mbi 5 ton materiale të zbuluara në Kodrën e Dautes, tha se nga repertori tipologjik i gjetur në qytetin antik janë përzgjedhur për pullat postare 4 terrakota dhe figurina në mermer dhe në bronx, që i kushtohen asaj dhe që përfaqësojnë atributet më të rëndësishme të saj në qerthullin ilir.
Dy nga figurat e punuara në baltë të pjekur i përkasin shekullit të IV para erës sonë, e treta është një kokë mermeri me lartësi 15 cm e së njejtës periudhë, ndërsa e fundit një statujë në bronx me lartësi 12 cm, në të cilën hyjnesha paraqitet në këmbë-tha arkeologu i njohur durrsak. Këto objekte ruhen në Muzeun arkeologjik të Durrësit.
Prof. Tartari shtoi se për 10 vjet radhazi, që nga viti 2002, një mision i përbashkët franko-shqiptar punoi për studimin e materialit arkeologjik të zbuluar nga arkeologu i mirënjohur Vangjel Toçi, në zonën kodrinore të Dautes dhe Kokomanes në veriperëndim të qytetit. Pranë kësaj zonë sipas të gjitha gjasave ndodhej sanktuari i hyjnisë së Artemisës dhe materialet arkeologjike datohen që nga shekulli i 6-të para erës sonë. Gjatë ekspeditave të viteve 1970-1971 u zbuluan mbi 5 ton objekte të periudhave klasike, helenistike dhe romake, mes të cilave mbizotërojnë figurinat e grave prej balte të pjekur, enët dhe monedhat. Ekspedita studimore u kujdes për identifikimin dhe klasifikimin e këtij materiali të bollshëm.

Filed Under: Kulture Tagged With: “Artemisa në Dyrrah”, Gezim Kabashi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4232
  • 4233
  • 4234
  • 4235
  • 4236
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT