Nga Marjana Bulku/
Gjithmonë i kam drejtuar sytë nga rinia,jo vetëm sytë por edhe shpresat. Arsyjet janë shumë , brenda dhe jasht meje ,për shkak të profesionit (duke qenë mësuese për shumë vjet kryesisht me maturantë), duke qenë prind që gjithmonë te fëmija sheh tejkalimin e vetvetes, duke qenë qytetare që beson se e reja është ajo që triumfon përherë pavarësisht barrierave. E meqënëse kjo ndodh , ridimensionohet rëndësia që ka modeli që implantohet te ky brez, tek statura që ndërtohet aty, tek shembulli që përcohet dhe reminishencat që e kaluara ngulit aty.
Kemi një rini aktive, që vrapon drejt dijes me shpejtësinë që teknologjia bashkëkohore ofron, një rini që tenton të ketë edhe reputacionin, edhe paranë , që ka frikë të flasë për politikën edhe pse shpesh është preja e saj ,një rini që pret shumë ,sheh shumë,shpreson , zhgënjehet .E cfarë mbetet në një rast të tillë??? Që DIKUSH t’ju krijojë kushte që keta të veprojnë.
Tashmë në të gjitha territoret shqiptare duket se ndërveprojnë disa faktorë : – Klasa politike , -Diaspora, -Brezi i ri që po edukohet globalisht, brenda territoreve shqiptare dhe jasht tyre .
Po ti analizosh vec e vec ,cka do të ishte dhe duhet të jetë objekt i tryezave të vecanta, do të rendisje pafundësisht epërsi, dobësi , resurse …
Nuk dua të ndalem tek Klasa politike , atë e kemi ushqimin dhe helmimin tonë të përditshëm.
Dua të cikloj dicka që më bën ta shoh me mirënjohje diasporën si një faktor që padyshim hijeshon shqiptarinë me modelin e punës, ruajtjes së traditës, lidhjeve të forta me trojet amë dhe patriotizmin e natyrshëm ,aspak formal apo sezonal por të përhershëm dhe inspirues. Mjafton të ndjekësh veprimtaritë e tyre ku duket se malli , dashuria dhe distanca shkrihen duke ”ndërtuar” një mini atdhe në mjediset e tyre familjare,shoqërore, të festës dhe më gjere, që edhe pse mund të duken patetike, mbartin vlera të trashëguara, të ruajtura,të ripërtërira , vlera që dëshmojnë se te e djeshmja jonë e ndritëshme ka shkëlqime shprese, ashtu sic po atje gjen edhe histori e persekutime të padrejta që nuk duhet të përsëriten kurrë më.
Diaspora është jo vetëm një faktor por edhe një thesar nga ku historia merr kuptim , shkëlqim dhe pasurohet duke ofruar shpresat e alternativës.
Faktorizimi i rinisë do ishte tejkalimi i ngërceve, dilemave por edhe i padijes si trashëgim, mallkim apo solidarizim. Në 25 vjetët e post komunizmit ka mundur të rritet një brez tjetër , një brez ndryshe , që dijnë të tejkalojnë prindërit e tyre mëkatarë ose jo ,sigurisht përmes dijes, studimit dhe eksperiencave më të mira. Ky brez frymëzon tre breza duke bërë bashkë ato :bashkëmoshatarët , prindërit dhe gjyshërit e zhgënjyer apo shpresëëndërrimtar.
Dikur shkruaja një draft me titull ”Profile adoleshence” ku me emra ,portrete dhe arritje kisha ndërtuar një ”familje ” me nxënës që sot në fakt, shumë prej tyre shkëlqejnë ,emrat e tyre më rrijnë në mendje po aq sa progresi nëpërmjet të cilit ato rriteshin e maturoheshin…Unë mbaja shënime,,,Erda, Selmani, Orgesta,,,,janë me dhjetra e dhjetra , brenda dhe jasht Shqipërisë ,por me qindra janë idetë e tyre , arritjet, ëndrat ku ka mbidoza të dashurive tona me të cilat ato u mëkuan. Profileve të tyre të adoleshencës mund të shohësh mjekun e ardhshëm , diplomaten , sociologen,,,po aty mund të shohësh edhe karakterin e dubluar dhe frikacak,,, atë që heziton , tenton , trembet nga përballja me jetën, atë që guxon.
Jetës nuk i thuren plane(ndoshta) ,por me siguri asaj i rrihet pranë me kujdesin e mendjes , shpirtit dhe materiales.
Si na mbytën në puse ! Si i mbuluam puset e vdekjes?
Nga Fahri Xharra/
“Zoti ambasador, çka mund t’na thoni për këtë skenë tëtrishtueshme?” Ai iu përgjigj:“Ky është krim kundër njerëzimit”.
Shprehja haptas e ambasadorit Uaker më 16 janar 1999 në Reçak, në mbrojtje të së vërtetës,duke rrezikuar madje edhe vetveten, do të mbahet mend përherë. Deklarata e tij para gazetarëve,ishte humane dhe korrekte. Sikur ambasadori Uoker të kishte dhënë një përgjigje diplomatike, duke thënë se kjo çështje do të shqyrtohej dhe ndërkohë do të formohej një opinion (ashtu siç ndodh me shumë diplomatë), mendoj se sot, jo vetëm që ne shqiptarët e Kosovës nuk do ta gëzonim lirinë e pavarësisë, por është pikëpyetje se sa shqiptarë të Kosovës do të kishinmbijetuar dhe sa shqiptarë do të ishin në Kosovë sot.
Dhe çështja e Kosovës nuk mbeti ashtu si e deshtën Serbët .Por, krimi ndaj nesh nuk kishte të ndalur “Gjatë aksioneve të forcave ushtarake, paramilitare dhe policore serbe në një vit e gjysmë,para se këto forca të detyroheshin të tërhiqeshin nga Kosova, Kosova ishte një makth i vërtetë i vdekjes, dhunës dhe shkatërrimit.”…”Kriminelët serbë kanë përdorur taktikë djallëzore dhe të ligë, duke i zhvendosur viktimat nga vendet ku ishte kryer krimi në vende të tjera, shpesh shumë larg, me qëllim që të maskohet,
ose të vështirësohet gjetja dhe identifikimi i trupave të vdekur. Kjo metodë ishte përdorur në gjithë periudhën e luftës nga janari 1998 deri në qershor 1999.”
“Çdo mysafir ndërkombëtar duke përfshirë këtu edhe presidentin Klinton, theksuan
rëndësinë e gatishmërisë për të falur, nëse kosovarët janë për bashkëveprim me Evropën dhe SHBA-në në të ardhmen. Shumica e kosovarëve e kuptojnë ose do ta kuptojnë nevojën për të falur, por me një kusht të rëndësishëm: serbët duhet ta pranojnë atë që ndodhi!”
Ne falëm dhe falëm, por më e keqja që edhe e harruam .Harruam gjithëçka që ndodhi !
Zërat e të mbytyrve nëpër puset e Kosovës , mbeten pa u ndëgjur as një herë .
“Vëllai im ishte brenda në shtëpinë e tij kur erdhën njësitet serbe në fshat. Ai u përpoq të
ikte, por serbët e ndaluan. Gruaja e tij së bashku me shtatë fëmijët ishin fshehur në një zone malore, e quajtur Tërpesh. Serbët i lidhën duart dhe këmbët Sherifit dhe e hodhën në pus”.Kur Qamili u kthye në fshat pas një muaji, ai e gjeti Sherifin e vdekur në pus “ (nga libri )…. Zërat kumbojnë të përzier me zhurmën e vdekjes.
“ Gjatë verës së vitit 1999, pas tërheqjes së forcave policore dhe ushtarake serbe, UNHCRja mori raporte të shumta për trupat e vdekur që gjendeshin në puse dhe në varreza masive gjithandej në Kosovë. Pas shtatë muajsh ndihmë me rastet e viktimave të puseve, u zbuluan një sërë veprimesh kriminale të bëra kundër fëmijëve të pafajshëm, burrave dhe grave. Unë, për aq sa ka qenë e mundur, jam përpjekur të sqaroj se çka ka ndodhur me viktimat e gjetura në puse dhe në varreza masive. Kam takuar dëshmitarë, farefisin dhe fqinjët e viktimave. “ ( nga libri ).
Pse me hedhë në pus? Pse më mbyt kështu të lidhur? ( Thirrjet e atyre që duhej të vdisshshin në këtë mënyrë )
“Unë quhem Avdyl Kabashi dhe jetoj në Polac. Unë jam biri i Mustafë Kabashit (52-
vjeçar). Kur filloi sulmi, babai im ishte në fshat bashkë me tre nipërit e tij. Ne u përpoqëm ta bindnim që të vinte me ne në male, aty ku fshihej pjesa tjetër e familjes, por ai insistoi të rrinte që të kujdesej për shtëpinë. Më 20 mars 1999 në orën 4 pasdite, forcat serbe sulmuan zonën ku jetonim ne. Kur u ktheva në vendin ku jetonim, unë shkova tek pllaja nën shtëpinë tonë ku ështënjë pus. Kur Unë dhe kushëriri im, Salihu, u afruam, gjetëm pallton e babait tim. Pas pak, ne e zbuluam trupin e tij në pus”. ( nga libri )
“Unë quhem Bajram Kerolli dhe jam nga Polaci. Forcat ushtarake serbe kishin zaptuar
fshatin tonë. Mustafa, dy nipat e tij, dhe unë, ishim fshehur në stallën e Mustafës për dy ditë…. ndërsa Mustafa, i cili ishte më i vjetër dhe më i ngadaltë se sa ne u kap nga policia. Pas kësaj ne nuk e kemi parë më”.
“Unë quhem Havë Kuçi, jam 84-vjeçare dhe jetoj në Kotlinë. Me 24 mars 1999, forcat
ushtarake e rrethuan fshatin tonë. Neve, grave dhe fëmijëve, na dërguan në qendër të fshatit dhe na mbajtën aty. Më vonë ushtarët i tubuan disa nga burrat tanë dhe i detyruan të shkonin në drejtim të shpatit të malit. Biri im ishte njëri prej 22 meshkujve, të cilët u vranë dhe u hodhën në dy puse në shpat të malit. Tre nga ta ishin nipat e mi. Viktima më e re ishte një djalë 16-vjeçar”.
” Njërin nga bijtë e mi e kishin vrarë në fshatin tonë dhe e kishin hedhur në një pus.
Ai ishte vetëm 23- vjeçar”.(Ismet Loku, 50 -vjeçar nga Kotlina)
(Materiali eshte nga libi “Josef Martinsen ÇFARË NDODHI NË KOSOVË? 1998-1999”)
Gratë dhe fëmijët në autobus po qanin me zë për të dashurit e tyre.. .në pus mbytej pafajsia . Ishin netët e gjumit të pafjetur , dhe e nesërmja e harresës së madhe.
SHQIPNIA PRAP NË RRJETEN E MARIMANGËS
NËN DREJTIMIN E INJORANCËS…/
Nga Fritz RADOVANI/*
1944 …/
Josif Broz Tito me sherbëtorët e vet në Shqipni, Dushan Mugoshen, Enver Hoxhen dhe Miladin Popoviqin, nga viti 1941 e deri në pragun e 1945, i ndihmuem nga “Aleatët”, të cilët i kishin lanë në llogoren e tij edhe djalin e Çërçillit, po zbatonin një anderr të vjetër të shumë e shumë shekujve përpara: Shkatrrimin dhe coptimin e Trojeve Shqiptare, me luftë civile!
Viti 1943 – 44 kishte shkretnue e la në gjak Shqipninë Jugore, deri në Shkumbin… Po e njajta gja po ngjante në Lindje me krahinat e Dibres e deri ne zemer të Kosovës e Maqedoni. Krahinat e Veriut ishin lanë per ma vonë. Roli Atdhetar i Klerit Katolik Shqiptar në Veri, kishte dobsue në maksimum propaganden perçarëse dhe vllavrasëse të PKSh, dhe të zagarëve të saj. Malësia e Alpeve tona, nuk kishte fare besim tek gënjeshtrat e propaganga e sherbëtorëve të Titos. Këte e verteton thanja e Heroit Prekë Cali, kur Mehmet Shehu i tha me datën 17 Janar 1945, kur Preka ishte i lidhun dhe i çarmatosun tradhëtisht nga bandat jugosllave që u printe terroristi Mehmet Shehu: E more Prekë Cali, të pat ardhur koha për ta mbyllur historinë me shkronja ari po t’u bëje me ne komunistët, pse veprove kështu? Vigani hero i Malëve Prenk Cali, u përgjegjë:“Jo zotni, faji bije mbi ju komunistat, se ju u batë me anmikun shekullor të Shqiptarit, me shkaun!” Atdhetari Prekë Cali, nuk e shiti Atdheun si Mehmet Shehu, Enver Hoxha e kriminelët tjerë, që per një sterlinë tradhëtuen Shqipni e Kosovë, Hot’ e Grudë e të gjitha Trojet tjera, bashkë me Flamurin e Gjergj Kastriotit, të cilin e kishin zhigatë me yllin e kuq bolshevik.
E kush asht ai Shqiptar, që edhe këte nuk e quen tradhëti antikombtare?
Ishte pikrisht ky Veri i Alpeve tona, që as bizantinët, as turqit, as Esad Pasha e as, nipi i tij Ahmet Zogu, nuk mujti me i futë në rrjetën e marimangës shoveniste sllave të traktateve të urryeme të Bristolit… E aq ma pak anadollaku Enver Hoxha, që e dinte me kohë thanjen e Nolit: “Mbetën katholikë malësorët e Veriut me armë në dorë!”…Ky ishte piksynimi i komunistëve sllav në Veri! Shfarosja e Atyne Bjeshkëve që në mija vjetë vazhdonin me i këndue Atdheut dhe Fesë me Lahutën e Tyne legjendare! Historianët nuk flasin kurrë per Kontin Galeazzo Çiano, që ka shkrue: “Shkollat e Klerit Katolik në Shkoder, kishin ba aq shumë propagandë antifashiste sa ne atje, nuk gjetem asnjë përkrahje.” (Libri “Kujtime”). Konsulli Meloni, shkruen: “Në shkollat e Shkodrës të drejtuara nga Françeskanët e Motrat Stigmatine…propagandohëshin ndjenja të një nacionalizmi të ekzagjëruar, antipatie e urrejtjëje ndaj Italisë” (Konsulli Meloni. Attivita contraria dei Frati Franceskani. Telegrami i tij dergue me 23 qershor 1939, në ASMAE.)
Pikpamjet e Klerit Katolik nuk i thonë “akademikët” anadollakë, ndonse, gjithshka asht e vertetueme që në shtator të vitit 1944, kur Don Ndre Zadeja u takue me oficerin anglez Neell, në Sheldi, të cilit, i tha: “Theksova nevojën që populli shqiptar, i vorfen e me armiq shekullor, që janë sllavi, bullgari, greku, Italia, ka nevojë për nji mbrojtje nga Fuqitë e hueja…” Prokurori Sotir Dodona, thekson: “Këtu nuk ka bërë tjeter veç detyrën e kollonës së pestë, dhe ka treguar një urrejtje për frontin N.Çl.” (Dosja 677) – Ja pra, kujt i shërbente fronti N. Çlirimtar!..
Pikrisht per këte thanje Don Ndreu u pushkatue i pari klerik në Shkoder, me Atdhetarin Prekë Cali, në Zallin e Kirit, me 25 Mars 1945, plot 20 ditë mbas Don Lazer Shantojës në Tiranë. Dashuninë per Flamurin ia quejtën “fashizëm”… Pikpamjet Atdhetare të Don Lazer Shantojës, At Bernardin Palaj dhe ndonjë tjetri, i cili, per të vetmen arsye: “Bashkimin e Trojeve Etnike me Atdheun Nanë”, e shikonin të mundshem ashtu si u realizue vetem nga Italia fashiste në fillim të vitit 1941, kur as nuk ekzistonte kund PKSh. Asnjëherë nuk asht tregue dokumenti i Ipeshkvijve, që nënshkruen mbas pushtimit fashist, ku i kerkojnë: “Ruejtjen e Pavarsisë kombtare.” (Telegram i Ipeshkvijve Shqiptarë, dergue Mbreti Viktor Emanueli III, 29.IV.1939. Arkivi Shtetit Tiranë)
Të gjithë u mbyten në tortura dhe u pushkatuen me etiketen “fashista”, se: “Dëshira e Tyne per Shqipninë Etnike” u konsiderue kunder të gjithë interesave të shovenistëve fqinjë, në sherbim të të cilëve ishin tradhëtarët e Atdheut të kuadruem në Partinë Komuniste, të vuem në sherbim të Titos, per interesat e Rusisë Sovjetike staliniste, nga vetë forcat Aleate.
Kleri Katolik Shqiptar e dinte para komunistëve të 1936, porosinë e Leninit në 1922: “Duhet të angazhohemi në luftë përfundimtare kundër klerit reaksionarë, të asgjësojmë qëndresën e priftërinjëve dhe të murgeshave me një mizori të tillë, që ta mbajnë mend me dekada të tëra.” Atè që “ndokush” me qellim me evitue termin e terrorit anadollak e quen sot “terror bollsheviko – komunist të Enver Hoxhës”.
Nëse katër Klerikë Katolikë, e pranonin Italinë per shanset Etnike, nuk duhet harrue se ishin 186 e sa… të tjerë, që kishin punue për Shqipninë e Gjergj Kastriotit, dhe për të ruejtë Unitetin Kombtar, arrijtën deri aty sa me nderhy nder komandat e pushtuesëve, për me shpetue pa dallim feje nga kampet e tyne rininë Shqiptare, që ishte drogue me pikpamje komuniste, aqsa kur vihej para pushkatimit ky “hero”, thërriste: “Rroftë Stalini i math…Bijtë e Stalinit jemi ne!”
Sa të rijë komunistë kanë shpetue misionarët Don Alfons Tracki dhe At Zef Maksen, të dy me origjinë gjermane, po ma Shqiptarë, se “komunistët tanë”, dhe mbas 1944, u pushkatuen!
Ky shperblim me “plumbin ballit” mori me vete mbi 60 Klerikë Katolikë, e nder ta të flaktin Atdhetar At Anton Harapi, i cili me 4 Shkurt 1944, hyni në dhomen e Xhafer Devës, tue i thanë: “Jo kështu, Xhafer, jo gjak, se edhe komunistët janë vllaznit tanë!” dhe pushoi pushka!
Po, Aleatët, a e dinin sa çifut kishte shpetue Ky At Anton Harapi si Rregjent?
Cili kje “shperblimi” që komunistët me Aleatë, i dhanë At Antonit? – Plumbin ballit!
■Ja dhe disa fragmente të Fjalimit të Tij, të mbajtun në Korrik 1944, në Korçë:
“Kush e kishte zanë besë?.. Antagonizmi fetar qiti kryet dhe u fut mizorisht ndër ateistët e ditës. Egërsitë e bame në Jug midis djelmënisë shqiptare vetëm pse muhamedanë e kristianë janë fakte që nuk lanë me lujtë, por janë prova të tmerrshme për jetën tonë fetare, shoqnore e kombtare. Përsa di unë deri me sot kjo çashtje kurrë nuk kje përballue kjartë e mirë sa herë kje kallë, menjëherë edhe kje mbulue si gaca nën hi. T’i mbetët hatri kujt të duen, unë due me e thanë mendimin tem haptas; marrë në shumicë, muhamedani shqiptar asht fanatik, ortodoksi fanatik, katoliku fanatik, e këta jo për besim sesa për inat e për parti. Ndër çastet ma të vështira të jetës sonë kombtare njëmend se shpetuem format e bashkimit shoqnor e të qetësisë ndër elementa, porse në fund të punës mbeti nji tharm, nji fond rryme e partie sa me të trembë e demoralizue.
Tue prekë me dorë plagën vjen pyetja: A do të mund të rrojnë në qetësi tre elementat fetarë ndër né? Ateistët me të gjithë skeptikët, indiferentët, natyralistët, aventurierët e opurtunistët, thonë jo: Na shqiptarët nuk mund të rrojmë të qetë, as nuk mund të formojmë shtet për pa i zhdukë të gjitha besimet, pse besimi i shqiptarit asht shqiptarizma!..Pra, tezën teme e vé kësodore: Shqiptarët, po të jenë vërtetë të qytetnuem e nacionalistë të sinqertë, besues edhe përnjëmend në nji Zot të vërtetë, nuk ka sesi të mos rrojnë vllazënisht shoq me shoq;…
Pengim i madh për jetën shoqnore, pra për qetësinë e vllaznimit tonë, asht fanatizmi, i cili asht një turp për përsonin, turp për besimin të cilit i përket personi e turp për jetën shqiptare… Besimi në një Zot të vërtetë,..do ta zbusë njeriun për ndjesi e jo ta egërsojë, do t’i rregullojë primjet e instinktit ndër të cilat asht egoizmi, që don të justifikohet me shkakun e besimit…Për të rrojtë vllazënisht nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekë fanatizmin në besim… Ngjitas me kulturën njerzore shqiptari do të marrë kulturën fetare. Kaloi koha që ta mbajmë besimin pse na e kanë lanë të parët, pse ashtu e kemi gjetë…
Një kusht tjetër që rrjedh prej kulturës së shpirtit asht nderimi për bindjet e të tjerëve…Nuk ka si shkohet jeta vllaznisht! Kështu arësyetojnë ata që besimet i kanë ferrë në sy!..Problemi zhvillimin e vet e gjen të plotë ndër tri parime që janë: 1. Intoleranca dogmatike, 2. Toleranca shoqnore-qytetare, 3. Toleranca shoqnore-politike…
Rrallë më ka ra me pa ndër shqiptarë polemikë pa pasion …Edhe po patëm arësye e të drejtë ndër çashtje, kurrë nuk kemi arësye e të drejtë të kapërcejmë caqet e njerëzisë, të shajmë shoqi-shojnë, të përdorim rrenën, të falsifikojmë historinë, të shtijmë në punë motive të ulta, të polemizojmë me pasion…tjetër asht përsoni e tjetër asht vepra:
Përsonin e falim, veprën e gabueme e dënojmë;.. Ky asht parim bazë që na shoqnon: Me kurrnjë gabim as kompromis as shoqni, por me të gjithë atdhetarët edhe të jenë të gabuem, afrim, dashni, vllaznim…
Pra, Zoti i të gjithë neve, e na të gjithë të Zotit. Në themel të këtij imperativi na jemi nji. Zoti asht visari i përbashkët i të gjithë Shqiptarëve.
Shteti njimend asht afetar, d.m.th. asnjanës, por jo antifetar, as ateist, as indiferent; shteti shqiptar e njeh Zotin, por nuk anon për kurrnjë besim ma fort se për tjetrin, hartuesit e Statutit u shtynë deri në ma të naltën shkallë të lirisë e të të drejtave të besimit: Ata pranuen tri besimet në themel të barazimit të plotë;..
Pra me mbajtë qetësinë midis elementave fetarë: 1. Duhet të kemi për bazë të vërtetën kundrejt parimeve. E vërteta nuk lot: Intoleranca teorike-dogmatike; 2. Duhet të kemi dashninë e sinqertë midis përsonave: toleranca shoqnore-qytetare; 3. Duhet të mbahët drejtësia me ndërgjegje ndër ligjë e ndër zyrtarë: Toleranca shtetnore-politike.
E praktika asht kjo: Me muhamedanët nuk bahet, ortodoksët janë grekomanë, katolikët janë italofilë. Kështu nuk mbet kush shqiptarë, as nuk mbetet kund shpresë për Shqipni; kështu nuk bajnë për Shqipni as Ismail Qemali as Bajram Curri pse janë muhamedanë, as Gërmenji as Negovani pse janë ortodoksë, as Gurakuqi as Ded Gjo’Luli, pse janë katolikë; kështu kemi ardhë ndër përfundime qesharake e do të vemi ndër konsekuenca rrënimtare!
Duhet ta pohojmë botnisht se për mungesë kulture jemi këtu.
Ky do të jetë hapi i parë i përmirësimit: ta njohim e ta ndiejmë sa duhet këte plagë shqiptare…na trashiguem ekzaltime, përbuzje, paragjykime e zemërime kundrejt shoqi-shoqit; me këta lindim, me këta rritemi, me këta edhe vdesim. Vetëm koha e kultura mund të na çrranjosë. Do të kalojë edhe ndonjë brezni që muhamedani ta harrojë tradicionin e të parëve, ta zhdukë krejt idenë “kaurr”, ashtu për një predispozicion të bamë petk, si kristjani i sotëm edhe i nesërmi kenë e pa kenë për çdo punë që nuk i bie për shtat, ka me kujtue e me u ankue: Po më bahet e padrejtë pse jam ortodoks, pse jam katolik…Shqiptari si tip asht madhështor. Ai ndien për vete edhe përtej se duhet. Mirëpo, kjo veti instiktive që kohët e kalueme ndihmoi shumë për me shpetue shpirtin, gjuhën, zakonet e traditat tona, nëse kje fat i madh asohere, sot për jetën tonë kombëtare mund të bahet rrezik i parë.
Kam pa e shoh përditë shqiptarë edhe me kulturë të cilët nuk janë të zotët të çveshen prej vetës së vet,…hir e pahir duen të bajnë të vetën; duen vetëm ata me kenë të mendshëm, ata gjela që këndojnë. E po gjetën injorantë, trashamanë, hipokritë, servilë, fanatikë, po edhe njerëz në të mbarë e pa të keq, more t’i shfrytëzojnë pa dhimbje, pa shpirt, edhe ngrehen kapadaij, udhëheqës, pionjerë a shka po di unë. E ja klanet, partitë prej nga rrjedhin dasitë e kontrastet shoqnore: Hallet shqiptare…Ku asht faji?….-Fajin e parë pse shqiptari ka mbetë fanatik e ka hoxha, prifti a popi, këtyne…. u do hjekë e drejta të mësojnë… Por fajin pse fetari e ushtron fanatizmin e ka ai liberali universitar, që mesa macja e qeni nuk e beson as Krishtin as Muhametin, por formon klane…Derisa mos të zbulohen e mos të qiten sheshit këta njerëz të rrezikshëm nuk ka qetësi në Shqipni!..
Mos të më thotë kush se nuk asht e vërtetë se unë jam tue e teprue… as nuk po e çoj ma gjatë për mos me e zbulue të gjithë vobeksinë e shpirtit tonë të kufizuem…
Nuk asht numri as pasunia që e ban superioritetin kulturor e kombtar, por personalitetet, që me cilësitë e nalta morale e me zotësi ditunore janë ata që bajnë pikën e gravitetit në një popull.
Derisa të jenë kush që kujton se myslimanët shqiptarë janë Shqipnia apo se, vetëm kristjanët janë nacionalistët e vërtetë, nuk kemi bashkim kombtar, nuk kemi jetë vllaznore, na jemi thikë e brisk. Historia asht e do të mbetet histori! Prandej, historia ja mos të prekët aspak, ja nuk ka kush të drejtë t’a falsifikojë e t’a sajojë vetë, për pa shkaktue zemrime, shqetësime e polemika që nuk ndertojnë, por prishin e rrenojnë.
Mos të rrijmë tue njehsue e tue theksue shka na dallon, por ma fort të ngrehim për shka na bashkon: Na bashkë kemi një Zot në të cilin besojmë, kemi dhetë urdhnimet që Ai na ka vue, kemi detyrë morale, shtetnore e kombtare të perbashkëta, kemi histori, kemi ide, ndjesi, jetesë, zakone, kangë, festa, shpresë, shpirt, interesa, gjuhë e të tjera visare e nevojë nëpër të cilat na jemi një në mënyrë të pandashme.
A nuk mund të përmbahemi pa e vu në veprim atë shpirtin kundërshtar që e kemi në palcë e në lëkurë? Ta kundërshtojmë terrorizmin, imoralitetin, luksin e alkoolin, vesin, dhunën, pasuninë e padrejtë etj, ; e jo, të kapemi për punë feje. Të na mbushet mendja mirë se, sikurse nuk janë fajtorë myslimanët pse janë shumicë në Shqipni, ashtu nuk kanë ma pak të drejtë kristianët vetëm pse numri i tyne asht ma i vogël…
Me gjak të vet e shuguroi Elterin e Atdheut katoliku, ortodoksi e muhamedani. Gjeçovi e Gurakuqi, Çerçiz Topulli e Bajram Curri, Germenji e Negovani nuk kanë ndryshim, por janë nji në mendim e nji në vendim, në vepër e në vdekje. Ata e kryen detyrën e vet tue e vulosun me gjak atë shka jemi: Vllazën të një gjaku!
Mirditasit e dukagjinasit, kosovari e dibrani, kurveleshasi e kolonjari për vjet e vjet hoqën keq me ruejtë të njejtën gjuhë, të njejtin shpirt, të njejtat zakone shqiptare ngase, ata kjenë nji në sakrificë e në drejtim, në saje të tyne trashëguem visarët tona kombtare. Me gjak e ndasi jemi ngopë. Kemi provue edhe se shka asht kthetra e huej. Jemi rysë tashma me të gjitha provat e egoizmit vetjak e kolektiv të partive dhe kemi pa e prekë me dorë se një popull i përçamë me grindje të mbrendshme asht i gjykuem me mbarue. Rreziku që na rri mbi krye të bjerrim Shqipninë, idealet e interesat që na dalin përpara, gjamët e shpirtit shqiptar e aspiratat e të gjithëve për gjithshka asht për të mbarë e të mirë, vlerë e nderë për popullin e kombin, për historinë trashëgim të breznive shqiptare, janë arësye e shkaqe që na imponojnë të lidhemi e të mbahemi nji ballë i çeliktë pa ndryshim besimi, partie, krahine a privilegji. Do të ishte një tradhti e naltë për brezninë tonë që tashti këtij blloku të çimentuem t’ia ndezim bomben e dasisë me shkëndinë e përçamjeve fetare…Jo, kurrnji mos pritshim t’ ia mërrijmë asaj ditë, kur për shkak të dasive, të shkrihemi porsi krypa në uji e të zhduket prej fëtyrës së dheut Vatra Shqiptare, mos të jehojë ma ndër kombe zani i Arbnorëve.A sot, a kurrë, të mobilizohemi për Fé e Atdhé! Ja, ky asht besimi e kjo asht Shqipnia që po na zhduket ndër duer…
Nuk shpeton, jo, sot as Xhamia pa Kishën, as Kisha pa Xhaminë, por as njena as tjetra pa Shqipninë. Të ngrihemi në kambë! Për një Zot të vërtetë për një Shqipni të lumtun, na jemi vllazën!”
■Kushedi sa herë e kam lexue dhe them me vete: “Ky dijetar, i vobegtë dhe i zbathun me zhgunin e fratit, që aq shumë ka pasunue kulturen Shqiptare, me veprat e veta Atdhetare aq të çmueshme dhe të pasterta si brilanti… Asht pushkatue si “tradhëtar i Atdheut dhe i Popullit”…
■Këto ishin pikpapjet e të gjithë Atyne Klerikëve që u pushkatuen nga komunistët!
■E pra, kjo asht Shqipnia… që po na zhduket ndër duer!
Melbourne, Nandor 2014. Vazhdon …
*Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…
Shtetësi për të shpërngulurit në Turqi nëse deklarohen si maqedonas mysliman
Shtetas të Turqisë me origjinë nga Maqedonia tashmë po joshen për të përfituar shtetësinë e Maqedonisë.
Kjo po ndodhë me gjithë ata emigrantë të Maqedonisë Lindore që dekada më parë janë shpërngulur në Turqi për rrethana të ndryshme sociale, por edhe diskriminime tjera, ndërsa bëhet fjalë për pjesëtar të besimit mysliman.
Autoritetet e Shkupit këta qytetarë po i njohin dhe emërtojnë si maqedonas mysliman, ndërsa shumica prej tyre që joshen janë të njohur si maqedonas, që kanë jetuar më parë në Maqedoninë Lindore.
Një histori e tillë përshkruhet në gazetën “Dnevnik” dhe bëhet fjalë për Kenan Balkan, një shtetas turk, i cili dekada më parë është shpërngulur nga zona e Demir Kapisë.
Ai thotë se është nga zona e Demir Kapisë në lindje të vendit dhe se familja e tij ishte shpërngulur në vitin 1956. Por ai thekson se familja e tij me tren ishte deportuar për në Turqi, por duke mos saktësuar asnjë arsye, dhe se për këtë nuk ka pyetur as gazetari që synon vetëm dhënien e shtetësive për këta shtetas turq, por me kushtin e vetëm që ata të deklarohen se janë me përkatësi etnike maqedonase, dhe fenë islame.
Një nismë të tillë për të rritur numrin e maqedonasve në vend, e kanë nxitur disa shoqata të maqedonasve mysliman, por edhe organizata nacionaliste maqedonase Kongresi Botëror Maqedonas, e cila ka kërkuar ndryshimin e ligjit për shtetësi dhe dhënien e mundësisë që shtetësinë të përfitojnë të gjithë siç thuhet “maqedonasit mysliman që janë shpërngulur drejt Turqisë”.
Në këtë temë nuk përmenden aspak shqiptarët e shpërngulur numri i të cilëve është edhe më i madh. Por për këtë kategori do të pamundësohet e drejta për pajisje me shtetësi. Ndryshimet e propozuara të ligjit do të pamundësojnë që shqiptarët e shpërgulur të mund të përfitojnë shtetësinë e vendit. Në atë periudha numri më i madh i të shpërngulurve ka qenë shqiptarë dhe se ata janë detyruar që të heqin dorë nga toka, pasuria dhe shtetësia jugosllave, duke firmosur një dokument se vullnetarisht largohen nga vendi. (INA)
Dr.Nail Draga:” Diaspora shqiptare, ka dhënë kontribut më vlerë gjatë gjithë kohës për çështjen kombëtare shqiptare”
Intervistoi: Beqir Sina/
NEW YORK : I ndodhur në SHBA- javën e kaluar, Dr. Nail Draga, drejtor i Qendrës Kulturore në Ulqin, si i ftuar në Konferencën e dytë ndërkombëtare, kushtuar shqiptarëve në Mal të Zi, e cila është mbajtur në Universitetin Oakland – Michiganit – mbajti kumtesë “Shqiptarët Në Mal Të Zi Në Regjistrimet E Popullsisë (1948-2011)” Në fund të kësaj vizite – në Nju Jork, Dr. Draga, i dha një intervistë të posaçme gazetarit tonë Beqir Sina, ku ai fletë për konferencën, gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi, dhe se cila është sot pozita e shqiptarëve në Mal të Zi tetë vjet pas pavarësisë.
Autori i 8 librave ka marrë pjesë në shumë takime, tribuna, sesione, simpoziume dhe konferenca të ndryshme shkencore, nga fusha e gjeografisë, etnologjisë, historisë, ekologjisë dhe çështjeve të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë vendit.
Dr Draga, ka qenë anëtar i Këshillit të përgjithshëm të arsimit(2003-2008), subjektit me të lartë arsimor në Mal të Zi. Me ftesë të kongresmenit Tom Lantosh, me datën 30.10.2003, në Kongresin Amerikan në Uashington ka dëshmuar në një seancë degjimore në lidhje me Poziten dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi. Ka marrë pjesë në takime të ndryshme shkencore në vend dhe në botën e jashtme me kumtesa nga fusha e gjeografisë.
Deri më tash, ai ka botuar rreth 300 artikuj, studime, recensione, vështrime dhe komente nga fusha e gjeografsië dhe e publicistikës, në botime të veçanta, revista dhe gazeta te ndryshme në hapësirën shqiptare dhe më gjerë.
Dr. Draga është një nder themeluesit e Shoqatës së Artisteve dhe Intelektualeve ART CLUB[3] (28.12.1990) në Ulqin si dhe president saj nga viti 1995-2002. Është themelues dhe kryeredaktor i revistës LEMBA (shkencë, kulturë, art) nga viti 1998. Po ashtu edhe redaktor dhe recenzentë i botimeve të ndryshme ne edicionin e botimeve të Art Club-it.Udhëheqes dhe organizator i shumë veprimtarive shkencore, kulturore dhe artistike. Gjithashtu merret edhe me publicistikë.
Cili është qellimi i vizitës suaj këtu në SHBA?
Isha i ftuar në Konferencën e dytë ndërkombëtare kushtuar shqiptarëve në Mal të Zi, e cila është mbajtur në Detroit. Konferenca u sponsorizua nga Departamenti i shkencave Politike dhe Enti i Studimeve ndërkombëtare të Universitetit Oakland, së bashku me disa shoqata shqiptaro-amerikane nga Nju Jorku dhe nga Miçigani.
Në këtë takim jam paraqitur me kumtesën “Shqiptarët në regijstrimet e popullsisë në Mal të Zi(1948-2011)”, ku kam trajtuar në mënyrë analitike pasaktësitë e tyre regjistrimeve sidomos sa i përket strukturës kombëtare të popullsisë, nga del se numri i shqiptarëve realisht ka qenë më i lartë se sa e ka paraqitur statistika zyrtare. Janë bërë krahasimet nga koha e monizmit dhe ate të pluralizmit, ku verehën dallime të mëdha. Aspak më mirë nuk qendron gjendja as më pjesëtarët e popujve të tjerë si serbeët, boshnjakët, kroatët etj.Nëse analizojmë të dhënat nga regjistrimi i vitit 1948 dhe këtë të fundit del qartë se kemi pasur të bëjmë me regjistrime ideologjike dhe koncepte unitariste, duke e paraqitur ketë mjedis si homogjen në mënyrë artificiale, edhe pse ky ishte dhe është tani mjedisi me heterogjen dhe me multinacional dhe kulturor në Evropën juglindore dhe më gjerë.
Ku më së shumti janë dëmtuar shqiptarët ? sipas jush
Në sajë te të dhënave të përpunuara sipas vendbanimeve shqiptare pikërisht në vitin 1948, një numër i konsideruar i shqiptarëve i kanë regjistruar si malazez. Rasti i zonës së Shestanit të Krajës në komunën e Tivarit për këtë vit është rast tipik i manipulimit të strukturës nacionale të popullsisë, sepse sipas këtij regjistrimi në zonën e Shestanit e banuar tërësisht me popullsi shqiptare, nga numri i përgjithshëm i popullsisë së regjistruar prej 1461 qytetarësh, 1452 janë deklaruar malazez, apo 99%(!!!), 3 kroatë(0.0020%),, ndërsa vetëm 6 persona janë deklaruar shqiptarë apo 0.0041%(!!!).. Ngjajshëm është vepruar edhe në vendbanimet dhe viset tjera shqiptare në Mal të Zi, sepse një veprim i tillë ishte orientim i politikës shtetërore, duke e paraqitur pjesëmarrjen e shqiptarëve nga 5-7% në kuadër të popullsisë së përgjithshme në Mal të Zi, edhe pse realisht ajo ishte më e lartë rreth 10 përqindshit.
Ky veprim që thoni ju ishte në monizëm e në pluralizëm si qendron puna ?
Sipas analizës sonë regjistrimi i vitit 2003 ishte më objektivi se të gjithë regjistrimet e deritashme. Në vitin 2003 në regjistrimin e popullsisë Komisioni komunal, ka pasur ingerenca në përpunimin e të dhënave dhe publikimin e rezultatëve, ndërsa në vitin 2011, iu mohua një veprim i tillë. I tërë materiali është përpunuar nga Enti Shtetëror i Statistikës (Monstat), ku nuk ka qenë i angazhuar asnjë person i kombësisë shqiptare.
Nga të dhënat e dy regjistrimeve të fundit 2003-2011, sa iu përket shqiptarëve del qartë se kemi të bëjmë me një raport të panjohur deri më tash në Mal të Zi. Ndryshimi negativ me minus 17243 banorë (apo minus 36.16%) dëshmon qartë emigrimin e shqiptarëve nga viset e tyre e me këtë edhe pabarazinë ekonomike e sociale në Mal të Zi.
Në vendet jodemokratike ka kohë që vlen konstatimi se nuk ka rëndësi se si kush voton, por rëndësi ka se kush i numëron votat, ku në mënyrë analoge vlen edhe për përpunimin dhe publikimin e rezultateve të regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi.
Atëhere si shpjegohet kjo rënie kaq drastike?
Në këtë regjistrim të popullsisë(2011), në emër të metodologjisë se punës, nuk është regjistruar fare diaspora shqiptare, duke iu mohuar të drejten e tyre qytetare më të vetmin argument se janë më tepër se një vit në botën e jashtme. Ishte ky një veprim përfid për të zvogluar dukshëm numrin e shqiptarëve në ketë mjedis.
Ishte kjo një padrejtësi, sepse diaspora shqiptare paraqet 1/3 e diasporës së përgjithshme të Malit të Zi, që dëshmon qartë statsusin e tyre social dhe politik.Me ketë rast duhet cekur se ishin pikërisht bashkëkombasit tanë në diasporë qe kanë ardhur e kanë votuar në referendmin për pavarësinë e Malit të Zi me 21 maj 2006. Madje vota e tyre ishte vendimtare, ndërsa tash anashkalohen apo më mirë të themi eliminohen, edhe pse pjesa dërmuese janë ende në regjistrat zgjedhore. Ndërsa për ata të cilët janë regjistruar si diasporë me banim deri në një vit në botën e jashtme, janë evidentuar vetëm si numra, pa identitet nacional, gjuhësor dhe fetar, që është rast i panjohur deri më tash në regjistrimet e popullsisë.
Rënia e shqiptarëve në popullsisnë e përgjithshme në Mal të Zi nga 7.09%(2003) në 4.91%(2011), dëshmon qartë pabarazinë e tyre ekonomike dhe shoqërore në ata komuna si popullsi autoktone, nga Ulqini në jug e deri të Rozhaja në veri-lindje. Dhe nga një gjendje e tillë e pabarazisë praktike qytetare dhe nacionale, si shpëtim ishte migrimi në botën e jashtme, ku tash më tepër shqiptarë nga Mali i Zi ka në botën e jashtme se sa në vet Malin e Zi. Nuk ka dilemë se kemi të bëjmë me një dukuri shumë shqetësuese, sepse dita ditës jemi duke u zvogluar numërikisht e po ashtu duke u rrudhosur territorialisht.
Çfarë mund të kuptojmë, ne shqiptarët sot mbas 25 vjet pas rënies së murit të Berlinit?
Rënia e murt të Berlinit(9 nëntor 1989) ishte ngjarje madhore qe dha shpresen për popujt në diktaturat komuniste.Dhe me pas me bashkimin me e popullit të ndarë gjerman, filloj shëmbja e diktaturave komuniste në Evropë, duke i hapur deren demokracisë dhe pluralizmit politik.Me një fjalë popujt e hipnotizuar nga ideologjia komuniste filluan të kenë një frymarrje të lirë ndërsa shëmbja e asaj ideologjie në mënyrë praktike, ishte fundi i sistemeve të dështuara totalitare, të cilat ishin instaluar në mënyrë jodemokratike pas Luftës së Dytë Botërore. Në mënyrë të veçantë kjo ishte një fitore për ne shqiparët si në shtetin amë-Shqipëri por edhe në ish-Jugosllavi sepse mungonte liria e shprehjes së fjalës dhe e demokracisë së brendshme.Pikërisht në ketë kohë këmi edhe shkatëërrimin e Jugosllvisë që ishte shtet artificial nga themelimi i saj, si pasojë e kontradiktave të brendshme në sajë të politikës hegjemoniste të oligarkisë politike serbe.
Si është sot pozita e shqiptarëve në Mal të Zi tetë vjet pas pavarësisë?
Nuk kemi se çka të gëzohemi, për fat të keq jemi dëshpruar si popull.Kemi pritur qe të filloj dialogu me ne shqiptarët, për të filluar realizimin praktik të barazisë nacionale dhe qytetare, të garantuar me kushtetutën dhe standardët ndërkombetare. Por, nuk ndodhi një gjë e tillë, sepse këtu vazhdon mentaliteti i kohës së monizmit, me ndonjë ndryshim kozmetik të rastit. Ne nuk jemi të përfaqësusr në mënyrë proporcionale në punësim, as në nivelin lokal dhe ate qendror.Mungojnë investimet në viset shqiptare. Në emër të privatizimit u plaçktitën ndërmarrjet ekzistuese, papunësia është alarmante. Nuk fushën e arsimit nuk është punuar asgjë.Shqiptarët në shkollat më mësim në gjuhën shqipe, mësojnë me programe dhe tekste shkollore të imponuara. Përveç tekstit të gjuhës shqipe dhe letërsisë, të gjitha tekstet janë nga autorë sllavë, të përkthyera në shqip. Tekstet nga lëndët e identitetit kombëtar si historia e kultura muzikore, janë skandaloze, mësojmë për të tjerët e jo për veten. Pra, kemi diskriminim praktik, duke arsimuar e edukuar nxënësit pa identitetin e tyre kombëtar, që është në kundërshtim me çdo normë ligjore e stndardët demokratike evropiane. Gjendja hiç më mirë nuk është as në fushën e informimit, kulturës etj. Dhe për ndryshime pozitive në ketë aspekt duhet të egzistojë vullneti politik i pushtetit për dialog me shqiptarët duke i trajtuar ata si partner e jo injoruar si veprohet në vazhdimësi.
Si e shpjegoni ju ndezjen e ndjenjave nacionaliste në Ballkan – kush duket se po i fryn erës së urrejtjes në këtë mes – E kam fjalën rreth incidentëve që kan ndodhur në Futboll – konkretisht tek ndeshja Sërbi – Shqipëri e zhvilluar në Beograd më 14 Tetor, dhe që u ndërpre për ato shkaqe çfarë ne i pamë në televizion apo jo ?
Nuk është diçka e papritur. Për fat të keq politika serbe me dekada me radhë e ka indoktrinuar popullin e vet, duke urrejtur në mënyrë patologjike popujt tjerë. Sepse sipas tyre ata janë popull hyjnor ndërsa të tjerët si jo ortodoks janë armiq të tyre. Një veprim I tillë është kamuflazhë për të realizuar konceptet hegjemoniste të politikës së Naçertanijes së shek.XIX, politikë e cila edhe sot është e pranishme te politika zyrtare serbe. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe kur në pushtet janë ata radikalët të cilët ishin nxitësit dshe pjesëmarrësit direct të luftërave në ish Jugosllavi, që luftuan më armë për Serbi të madhe. Por, si të tillë ata janë të lënduar dhe të helmuar me ideologjinë e tyre, ku paraqitja e tyre publike në ndeshjën e futbollit në Beograd, ishte dëshmi transpasrente se ata kanë mbetur ku ishin në mitologjinë mesjetare dhe në urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve.
A janë “zbehur” pak kërkesat e shqiptarëve për të drejta për vetëqeverisje lokale dhe a duhet të heqin dorë nga kjo, – për të kërkuar, edhe me shumë për të marrë atë që u takon ?
Në ketë aspekt keni të drejt, shqiptarët duhet të jenë kembëngulës në kërkesat e tyre, dhe ata duhet shtruar në mënyrë të vazhdueshme qeverisë aktuale. Madje, duhet informuar edhe faktorin ndërkombëtar për pozitën dhe statusin politik të shqiptarëve në ketë mjedis. Vetëm ne ketë formë duke senzibilizuar opinionin mund të arrijmë qellimin e dëshiruar.
Sa ndihet ndihma e shtetit amë Shqipërisë në ketë drejtim?
Me keq ardhje them aspak. Shteti amë Shqipëria nuk është duke e luajtur rolin që i takon. Madje ajo në sajë të nenit 8 të Kushtetutës së Shqipërisë është e obliguar të interesohet për ne, por deri me tash përveç deklaratave të rastit, nuk kemi asgjë konkrete. Ka qenë e udhës të nënshkruhën marrëveshje apo memorandume bashkëpunimi sidomos nga fusha e arsimit dhe kulturës në mes dy qeverive, por çdo gjë ka mbetur në pritje. Një veprim I tillë tash në pluralizëm në rrethana të reja nuk mund të arsyetohet më asgjë, dhe është kundër interesave dhe identitetit tonë kombëtarë.
Në se ka diçka që është për tu nënvizuar në atë përse Shqiptarët e Amerikës janë shumë më lart me kërkesa se sa politikanët shqiptarë në Mal të Zi ?
Të jetuarit në një vend demokratik sikurse është SHBA, ka ndikuar që edhe diaspora e jonë këtu të jetë aktive duke qenë shëmbull edhe për ne atje në vendlindje. Dhe nuk është për tu çuditur në kërkesat e tyre, sepse ata nuk kanë hipotekat personale sikurse mund ti kenë përfaqësuesit tanë të subjekteve politike.
Çfarë është bërë dhe duhet bërë nga Diaspora në Amerikë, për shqiptarët në Mal të Zi ?
Diaspora shqiptare ka dhënë kontribut më vlerë gjatë gjithë kohës për çështjen kombëtare shqiptare. Në lidhje me ne shqiptarët në Mal të Zi, duhet të angazhohet vazhdimisht ne lidhje me snzibilizimin e opinionit, sidomos këtu në SHBA, duke pasur kontakte me personalitetet e nderuara shtetërore e sidomos senatorët dhe kongresmenet e ndryshëm. Nuk ka dilemë se diaspora e jonë ka qenë është dhe do të jetë ndërgjegja e kombit tonë, e cila çdo here ka pasur qendrim të drejtë dhe konkret për çështjen shqiptare në të kaluarën e deri në ditët tona.
Jemi në muajin e shenjët të festës së Flamurit – 28 Nëntorin e Shpalljes së pavarësë së Shqipëris – një mesazh nga ju ! për lexuesit tanë !
Për çështjet madhore të lemë anash interesat personale, klanore e partiake. Sepse të bashkuar e realizojmë të pamundurën, ndërsa të ndarë edhe të mundurën e kemi të pamundur. Të jemi të ndërgjegjshëm, se punët tona nuk na i kryejnë të tjerët. Pasi kjo intervistë po jepet në prag të festës kombëtarë 28 Nëntorit -Ditës së Flamurit Kombëtar, të gjithë shqiptarëve kudo që janë iu roj festën duke iu uruar mbarësi personale e familjare.a