Njoftojm komunitetin, se me datën 24 tetor 2014, pushoi së rrahuri në vendlindje, zemra e njeriut tonë shumë të dashur Prendush Gjon Gega (1916-2014) në moshën 98-vjeçare. Ai mbylli sytë i rrethuar nga familja dhe farefisi i tij, me shumë nipa e mbësa, në krahët e djalit të tij Nikës në Dajç të Lezhës, ku trupi i tij prehet në varrezat e vendit… Kujtojmë, se i ndjeri u rikthye në Atdheun e tij të dashur, pas 50 vjetve në emigracion.
I biri Matosh Gega me familje dhe rrethin e gjërë, presin vizita ngushëllimi, në sallën e Qendrës Kulturore “Nënë Tereza”, pranë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”.
Orari:
Ditën e Shtunë me 8 Nëntor 2014, prej orës 11:00 para dite deri në ora 4:00 mbas dite, pranë Qendrës “Nënë Tereza”, në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës, Hartsdale New York 10530.
Telefoni i Familjes Gega:
718-679-8160
NË VËMENDJE TË SHTETIT SHQIPTAR: NDEROJENI AMERIKANEN CARRIE HOOPER!
CARRIE HOOPER, MESAZH EDITORIT TE DIELLIT
Përshëndetje i dashur Dalip! Po te njoftoj se në tetor mora pjesë në një projekt shumë domëthënës për mua. Në qytetin e Nju Jorkut ka një organizatë me emër Songs of Love Foundation (Fondacioni Këngë të dashurisë) që krijon këngë për fëmijë të sëmurë. John Beltzer, kryetari i kësaj organizate, kërkoi një këngëtar shqiptar për të kompozuar një këngë për një fëmijë të sëmurë shqiptar. U lidh nëpërmjet emailit me Dr. Anna Kohen, kryetare e shoqatës së grave shqiptaroamerikane Motrat Qiriazi dhe e pyeti nëse njihte ndonjërin që mund ta ndihmonte me këtë punë. Dr. Kohen ia dha Zotit Beltzer emrin tim dhe na vuri në kontakt nëpërmjet emailit.
Zoti Beltzer më dërgoi të dhëna për fëmijën e sëmurë trevjeçare që jeton me familjen e saj në Worcester të Massachussetts-it dhe shkruajta një tekst në shqip të mbështetur në të dhënat që ma kishte dërguar. Pastaj ia dërgova Zotit Beltzer tekstin shqip si dhe një përkthim anglisht me email. Disa ditë më vonë Zoti Beltzer dhe unë folëm në telefon dhe e ndihmova me shqiptimin e fjalëve. Kishim rënë dakord se Zoti Beltzer do të kompozonte mzikën për tekstin tim dhe do ta këndonte këngën. Megjithëse Zoti Beltzer nuk flet shqip, flet disa gjuhë të huaja, prandaj ka një vesh të mirë për gjuhë.
Pasi e ndihmova me shqiptimin e tekstit, Zoti Beltzer kompozoi një këngë dhe ma dërgoi me email. E dëgjova dhe i shkruajta Zotit Beltzer duke ia dhënë pëlqimin tim të këngës dhe duke i thënë se tingullonte mirë dhe kishte shqiptuar tekstin tim me shumë saktësi. Atëherë ma dërgoi kënga si cd dhe ia dërgoi edhe familjes në Worcester. Ndiej veten të privilegjuar që kisha mundësi të merrja pjesë në këtë veprimtari dhe patjetër mendoj se muzika është një prej ilaçeve më të mira për shpirtin.
Të uroj gjithë të mirat.
Të fala,
Carrie
***
Shenim i Editorit
* Carrie Hooper, është një ambasadore vuulnetare e kombit Shqiptar. E njeh shkëlqyer Gjuhën shqipe. në tekstin e mësipërm unë nuk kam bërë asnjë ndërhyrje.
Zonjusha Hooper ka shkruar shumë poezi e ka kompozuar këngë në gjuhën e bukur shqipe, ka evokuar figurat tona Kombëtare, ka mbështetur shumë Kosovën dhe ka shkruar e kënduar për të, ka dhënë koncerte ne qyteza e institucione të ndryshme amerikane me programe të këngëve shqipe. Ka marrë pjesë në shumë veprimtari të shqiptarëve në Amerikë dhe në Kanada, edhe pse ka problem me shikimin, që e ka humbur tërësisht. Ajo ishte pjesmarrëse në festimet dyditore të 100 vjetorit të Vatrës me 28 dhe 29 prill 2012, ku këndoi këngë shqipe dhe Hymnet Kombëtare të Amerikës dhe të Shqipërisë. Ka dhënë koncerte në komunitetin shqiptar dhe ka marrë pjesë në Festivalin Shqiptar në Michigan.
Do të doja që Shteti Shqiptar të bëjë dicka per ta nderuar këtë ambasadore që bënë më shumë veprimtari për cështjen Shqiptare se sa ambasadorët dhe konsujt e dekretuar të Shtetit Shqiptar dhe atij të Kosovës.
Fisi i Çirakajave, një fis i vogël, por patriot dhe arsimdashës
Nga ky fis do të përmendja Abdurraman Çirakun patriotin e madh, mbështetësin dhe përkrahësin e Ismail Qemalit/
Shkruan: Albert Z. Zholi/
Në grykën që krijohet mes maleve të Gribës me majën më të lartë atë të Këndërvicës, në anën lindore të kësaj gryke dhe malit të Çipinit në anën perëndimore, ndodhet fshati i Vërmikut. Kjo grykë me karakteristikat e saja të veçanta dhe disa kilometra e gjatë mban emrin e këtij fshati. Banorët e këtij fshati ashtu si edhe të gjithë krahinës së Kurveleshit që në kohët më të hershme janë shquar në vazhdimësi për ndjenja të larta patriotike, ata i kanë luftuar me pushkë pushtuesit që kanë dashur që hynë në këtë fshat, por edhe për ta hyrë në krahinën e Kurveleshit, nëpërmjet kësaj “porte”. Nga ky fshat herë pas here, kur e kanë kërkuar interesat e vendit kanë dalë djem dhe vajza, burra dhe gra të zot në mbrojtje të vatanit dhe i kanë thënë ndal ushtrive të huaja pushtuese. Në këtë fshat malor midis shumë familjeve dhe fiseve, ka jetuar edhe ai i Çirakajve, i cili është larguar nga fshati në fund të vitit 1939.
Fisi i Çirakjave ka qenë i lidhur me Luftën NCL, por edhe më pas, ata janë dalluar për përkushtim dhe korrektësi në shërbim të vendit. Nga ky fis do të përmendja Abdurraman Çirakun, patriotin e madh, mbështetësin dhe përkrahësin e Ismail Qemalit, i cili i qëndroi atij besnik..
Abdurramani është lindur më 5 mars 1888, pasi kreu shkollën në gjuhën turke në qytetin e Vlorës, vazhdoi studimet në Stamboll të Turqisë për oficer artiljer. Gjatë kohës në Turqi, u njoh me shumë patriotë shqiptarë, të cilët punonin për çështjen kombëtare. Për aktivitetin e tij ai shikohet me dyshim dhe për të shpëtuar, ai arratiset nga Turqia dhe shkon në Marsejë të Francës. Duke përfituar nga amnistia e shtetit turk ai kthehet përsëri në Turqi dhe shërben oficer në ushtri. Në tetor të vitit 1912 ai arratiset nga shërbimi në ushtrinë turke dhe shkon në Vlorë, ku po bëheshin përgatitjet për ngritjen e flamurit. Qeveria e Ismail Qemalit e caktoi me detyrë komisar të policisë për qytetin e Vlorës. Kur Ismail Qemali u largua nga Shqipëria e mori Abdurraman Çirakun si shoqërues të tij në Francë. Më pas, ai kthehet përsëri në Shqipëri dhe vazhdon aktivitetin patriotik. Ai ka qenë një ndër luftëtarët më në zë të luftës së vitit 1920, kur Labëria hodhi italianët në det. Komiteti Ushtarak, i cili drejtonte Luftën e vitit 1920 e kishte ngarkuar Abdurramanin të komandonte artilerinë, e cila ishte vendosur në malin e Shashicës. Në këto luftime ai rrëzoi një aeroplan dhe dëmtoi një benzinatë të flotës italiane në gjirin e Vlorës
Përgatitjes së tij të lartë, zotësisë dhe trimërisë si ushtarak i kushtohet edhe kënga e kushtuar nga populli i Vlorës:
………………………………….
Në urë të Peshkëpisë
Ra balona e Italisë
Aeroplanin kush e shtiu
Trim Avdurraman Aliu …!
……………………………….
Sa herë që këndohej kjo këngë nëpër dasma dhe sebepe, ai ulte kokën dhe i vinte rëndë dhe thoshte me modesti se mbase e kishte qëlluar edhe ndonjë tjetër… Sa herë përkujtohej dita e qëllimit me top të Asamblesë Kusilinge, nga kodrat e Saukut, atë si një nga artiljerët e parë shqiptar e thërrisnin në Tiranë.
Më 16 maj 1924 ai ishte pjesëmarrës në batalionin “Bashkimi”, i cili marshoi drejt Tiranës për përmbysjen e Ahmet Zogut.
Përveç Abdurramanit, një bir i denjë i këtij fisi ka qenë edhe Xhule Çiraku, i cili që në moshën e tij të re u lidh me lëvizjen e LANÇ-it. Në fillimet e kësaj lëvizjeje ai njihet me Hysni Kapon, ky bashkëpunim e çoi edhe më përpara aktivitetin e tij në qytetin e Vlorës. Në vitin 1942, ai aktivizohet dhe merr pjesë në përpilimin dhe shpërndarjen e trakteve kundër pushtuesve italianë. Më 9 maj 1942 merr pjesë në demonstratën e bukës, që u organizua në Vlorë. Më qershor të vitit 1943, krijohet çeta “Avni Rustemi”, ku ai do të ishte një nga pjesëmarrësit e saj. Më vonë, inkuadrohet në Brg. e VI Sulmuese, duke arritur të bëhet edhe Komisar i saj. Pas çlirimit të vendit, ai kryen detyra të rëndësishme: Komisar në mbrojtjen bregdetare të vendit, në disa degë të Punëve të Brendshme si dhe në Ministrinë e Brendshme me detyra të rëndësishme deri dhe në postin e zëvendësministrit.
Gjatë gjithë kohës që ai shërbeu është dalluar si një kuadër i zotë, i ndershëm, i drejtë, i përkushtuar dhe me një aftësi të rrallë komunikimi. Ai në të gjitha detyrat që ka kryer nuk ka përfituar prej tyre as më të voglin privilegj, përkundrazi ka qenë shembull e model për zbatimin e ligjeve të shtetit. Edhe pse i larguar nga vendlindja, ai interesohej herë pas here për bashkëfshatarët, mbante lidhje të vazhdueshme me ‘ta dhe i ka ndihmuar për hallet e problemet që ata kanë patur. Por jo më pak aktivitet patriotik kanë patur edhe tre vëllezërit në fisin e Çirakajve, Qemali, Seiti dhe Jonuz Çiraku. Që në moshë të re ata u radhitën me forcat partizane dhe luftuan deri në çlirimin e Shqipërisë.
Me krijimin e Këshillit Nacional Çlirimtar në fshatin e Vërmikut, më 25 shtator 1942, Qemal Çiraku zgjidhet sekretar i këtij këshilli. Po kështu, më 22 tetor 1943 në këtë fshat, krijohet celula e Partisë Komuniste dhe Qemali ishte një nga anëtarët e kësaj celule. Për shumë vite ai punoi dhe shërbeu në detyrën e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme në qytetin e Fierit, ku edhe sot ai kujtohet e përmendet nga banorët e këtij qyteti, për përkushtimin dhe kryerjen me korrektësi të detyrës.
Qemali së bashku me vëllanë e tij, Seit Çirakun ishin aktivist dhe pjesëmarrës direkt në shpërndarjen e trakteve të Partisë Komuniste si dhe në demonstratat e zhvilluara në qytetin e Vlorës, së bashku, edhe me disa bashkëfshatarë të tjerë.
Për pjesëmarrjen dhe trimërinë e treguar prej tyre në Luftën NÇL, po përshkruaj më poshtë luftimet në fshatin Qesarat dhe plagosjen e komandantit të kompanisë Seit Çiraku.
Beteja e Qesaratit ka qenë nga më të përgjakshmet dhe më heroike në historinë e Luftës NCL. Për luftimet e zhvilluara në Qesarat ish -luftëtari i kësaj beteje Seit Çiraku, në kujtimet e tij ka shkruar midis të tjerave : “….Terreni dhe bora na e bënë edhe më të vështirë përplasjen me gjermanët. Partizanët pasi kishin shpartalluar një grup gjermano-ballistësh, u futën në fshat për t’u qetësuar si dhe mjekuar disa shokë të plagosur. Gjatë kohës që po qetësoheshim, forcave gjermane u kishin ardhur përforcime të shumta dhe rrethuan brigadën partizane. Lufta u bë e përgjakshme dhe e vetmja mundësi për të dalë nga kjo situatë ishte çarja e rrethimit. Komandanti i brigadës më urdhëroi mua, komandantin e njërës prej kompanive, që së bashku me një grup partizanësh të kapnim majën e kodrës përballë Qesaratit. Me të mbërritur në kodër, efektivi i partizanëve u përplas me një kompani ushtarësh gjermanësh, të cilët e kishin kuptuar se marrja e pikës dominante do t’u jepte edhe fitoren. Qëlluam me breshëri ndaj komandos gjermane dhe plumbat e automatikut e prenë në mes komandantin gjerman, i cili në ato çaste hedh edhe një granatë që e kishte në dorë ndaj grupit të partizanëve. Granata më bie në parakrah dhe unë e kam marrë veten pas 36 orësh në dëborë dhe i vetëm. Partizanët e grumbulluar pas beteje më kishin konsideruar të vdekur dhe u habitën, kur morën vesh që unë ashtu këmbë e duar dhe i gjakosur mbërrita në fshat. Parakrahu pothuajse ishte copëtuar në copa lëkure dhe gjak i ngrirë vareshin përpara meje. Pasi mbërrita në fshat më çuan në spitalin partizan dhe më vonë me anije drejt spitalit aleat në Bari….”, – përfundon tregimin e tij ish-partizani dhe Komandanti i Kompanisë, Seit Çiraku.
Në fisin e Çirakajve do të përmendja midis të tjerëve edhe Burhan Çirakun, i cili si një intelektual e pedagog ka dhënë një kontribut e ndihmesë të veçantë në fushën e historisë, me kontributin e tij në detyrën e Drejtorit të Muzeut Kombëtar, detyrë të cilën e ka kryer për disa vite. Ai ka kontribuar për pasqyrimin sa më mirë të historisë së popullit tonë në këtë muze.
Fisi i Çirakajve, edhe lidhjet miqësore i ka bërë në familje të dëgjuara e patriote si në Kuç e Vërmik të Vlorës, në Gjirokastër, në Korçë, në Fier, Dibër etj..
Aktiviteti i fisit të Çirakajve, megjithëse, një fis relativisht i vogël, në shërbim e për të mirën e vendit, është i madh e i rëndësishëm, i cili nuk mund të përshkruhet vetëm me një shkrim në të përditshmen “Telegraf”. Ata kanë qenë dhe do të mbeten një fis atdhetar e patriot, që gjithë jetën e tyre ia kanë kushtuar vendit të shqiponjave, atdheut të tyre.
Vlerësimi i shoqatës “Labëria”
Në Kongresin e fundit të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, që u mbajt në muajin Maj 2014, në qytetin historik të Gjirokastrës, z. Agim Çiraku, pasardhës i denjë i fisit Çiraku, u zgjodh nënkryetar i shoqatës me votim unanim. Disa muaj më parë z. Agim u vlerësua me titullin “Personalitet i Labërisë” Për ndihmën dhe punën e bërë në ndihmë të aktiviteteve të shoqatës. Ky vlerësim ju dha vetëm disa prej personaliteteve të Labërisë në fusha të ndryshme të historisë, letërsisë, shkencës. Ky është vlerësimi më i madh që iu bën kjo shoqatë, figurave intelektuale dhe patriotike të saj.
ERË E RE
Shkruan: PRANVERA GJONI-Belgjikë/
“Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” zonjën Fatmira Breçani me motivacionin:“Për punë të shquar dhe vlera të veçanta artistike të shfaqura si interpretuese e këngës popullore, e mirënjohur në të gjitha trevat shqiptare, përcjellëse e traditës dhe vlerave kombëtare”; zotin Azgan Haklaj me motivacionin: “Për veprimtarinë e tij të shquar si artist, letrar e drejtues në paraqitjen dhe organizimin e vlerave të artit dhe të kulturës së mbarë kombit shqiptar” si dhe zotin Hamit Aliaj me motivacionin: “Një nga figurat e spikatura të krijimit poetik në letërsinë shqiptare, lëvrues me përmasa evropiane i motiveve të fuqishme shpirtërore dhe dinjitetit njerëzor”.”
– Duke u nisur nga ky lajm tejet sensacional, si bashkëqytetare, si krijuese, si një femër-njeri e dashuruar marrëzisht pas artit, së bukurës dhe humanitetit në të gjithë vertikalitetin që shprehin, që përcaktojnë në thelb dhe mbartin brenda vetes, u lumturova.
Po, po, e them me zë të lartë që qava nga gëzimi i përligjur i këtij nderi që kreu i shtetit shqiptarë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë zoti Nishani akordoi çmimin e nderit, “MJESHTËR I MADH” të plotëmerituar për këtë TRINOM-vlerash të qytetit verior të Tropojës.
– E shurdhuar deri në dëshpërim dekadave të fundit,( i ndjek në mënyrë rigoroze gjithë zhvillimet, edhe pse jetoj jashtë trojeve shqiptare) nga përcjellja e kronikave të zeza për këtë zonë dhe jetën agresive, të dhunshme të njerëzve mes njeri-tjetrit, e cila na bëri të njohur ( edhe pse për keq) që ekzistoka dhe një qytet i harruar brënda Shqipërie.
-U kujtuan fatlumsisht këtë tetor se ky popull qëndrestarë, mikëpritës, artëdashës, atdhetarë, i bukur, i kësaj zone paska dhe artistë, paska dhe anën tjetër të medaljes që shkëlqen. Që percipiton thesare që ndrisin jo vetëm këtë zonë hyjnore, por kompasi i magjisë tyre, përfshinë një gamë të papërcaktuar, të panjëhsuar.
– Ka magjinë e penës Homeriane zotin Hamit Aliaj.
I cili ka derdhur shpirtin e tij epik, lirik, reflektues, kritikues, në zemrën e krijesave të veta, me të gjitha ngjyat e mundshme origjinale, të pangatërrueshme me një tjetër. Të përkëdhelura me diamantin bruto të thellësisë poetike. Gjë e cila i jep meritën dhe vlerësimin të paekuivueshëm.
– Zonjën dhe bilbilin e këngës popullore Fatmira Breçani, e cila ka thyer gjithë kufinjt me zërin dhe interpretimin briland të sajë.
– Zotin Azgan Haklaj, i cili me një përkushtim të admiruar, bashkoj shpirtrat e artistëve dhe artdashësve, cep më cep ku flitet shqip. “Rrënoi” çdo barrierë financiare, burokratike edhe më…për të përcjell vlera njerëzore, artistike dhe bashkim kombëtare.
– U thye një mur (me shumë vonesë) për elitën e harruar tropojane.
Brezash kanë sjellë në letërsi, artin viziv dhe atij të shkruar, në sport, muzikë, kostumografi, studime shkencore, vlera të qënësishme.
Por, të mbetura fatkeqësisht të izoluara brenda “istikamit” krahinor.
E dhimbshme kjo dukuri deri diku “ fondamentaliste” për shumë faktorë:
– për shpirtin vital evoluiv të identitetit individual.
– Për shtrirjen e vlerave dhe publikimin e tyre në çdo skaj të vendit tonë.
– Për indiferentizmin burokrativ, mentalitetin ural, apo dhe paragjykime të mefshta, që për hir të vërtetës, nuk është dhe aq e vështirë të çkodohen, kur vlerat njerëzore, historike të këtij rodi me freski alpesh, kanë vazhdimësinë, frymëmarrjen e rrënjëve, të traditës së Eposit të Kreshnikëve. Që ka nxjerr ky dhé, dhe janë kaq transparente dhe të frytshme në të gjitha fushat e jetës.
– Për mbylljen në një qark të ngushtë rrethore, për dekada me rradhë, duke vrarë nga pak shpirtin disadimensional, të personaliteteve të fushave të ndryshme…
– E përjetoj në çdo damarë këtë ngjarje historike ( unë dhe besoj çdo tropojanë), si ogurbardhë për të ardhmen. Duke na shtuar besimin dhe rritur shpresën, që çdo përkushtim që sjell vlera duhet të vlerësohet, pa marrë parasysh vendbanimin, idetë, fenë…
Gjithashtu, duke përcjellur mesazhin gjithë kombëtarë: koha e çmontimit të miteve oborrtare, lëpirësve, jargavitësve, rushfeteve ndaj drejtuesve ekzekutiv të antivlerave…PO TROKET.
Belgjikë,1. 11. 2014
Mark Gjonaj – nesër sfida për një mandat tjetër!
Mark Gjonaj : Nga një burrë me rrënjët shqiptarë në mërgim – në një detyrë të lartë në kryeqytetin e Nju Jorkut Albany – i pari Assemblyman shqiptaro-amerikan në Nju Jork, gati për të marrë një mandat të dytë në Qarkun 80-të – të qytetit të Bronxit/
Nga Beqir SINA Bronx New York City/
ALBANY NEW YORK : Një gazetë më e madhe – në qytetin e Bronxit – BronxTimes, shkruante disa muaj më parë, se :”Duke ecur në lindje përgjatë rrugës Lydig Avenue në lagjen e Morris Parkut të Bronx , rrugës që mban edhe emrin e Noblistes shqiptare Nëna Tereses – ju nuk mund të “kaloni” pa vështruar edhe posterit e fushatës elektorale të asambleistit të parë shqiptarë Mark Gjonaj – përfaqësuesit të Kuvendit të Nju Jorkut – Qarkut të 80-të .
Tani dy vjet më pasë posteri i tij ” Mark Gjonaj choice for Progresive” është zvendësuar me “Elected Mark Gjonaj – for Assembly”, i cili është i “ngjitur” në dritaret e bizneseve, zyrat e shtetit, kryqëzimet e rrugëve kryesore, vitrinat e dyqaneve , dhe muret e pallateve. Kudo në Bronx të shfaqet portreti i fisnik i asamblestitit të parë shqiptarë, me flokët e tij të zeza – krehur mbrapa dhe sytë e tij ngjyrë kafe e ndezur me një kostum të zi ashik dhe këmishë të bardhë, me një pin në jakën e xhaketës që tregon se ai është asambleistë.
Në Barnes Avenue në selinë e fushatës Gjonaj – çdo gjë është dekoruar në të njëjtën ngjyrë si postera të tij – në rrugët e sheshet e qytetit , ku votuesit e tij tani “mezi” po presin edhe marrjen e mandatit të dytë dhe ai vetë është duke të jetësuar mandatin e tij të dytë – për në assemblen e Nju Jorkut – në Albany.
Një poster që lexonë ” “Elected Mark Gjonaj – for Assembly,” Zgjedh Mark Gjonaj – për Kuvendin e Nju Jorkut , ” shkruar me tekst të kuq dhe të bardhë në një sfond blu të një strishte të gjatë, duket se i “ngacmon” për her të fundit zgjedhësit e tij për nesër që të dalin në votime. Mbasi, banorët, e Bronxit – lagjet e Qarkut 80-të, ku asambleisti shqiptarë, po shërben tash dy vjet në mandatin e tij të parë – dhe është duke u bërë gati të marrë edhe një mandat të dytë – lagjet të cilat përfshijn Morris Park, Pelham Parkway , Van Nest , Pelham Bay , Pelham Parkway , Norwood , Allerton dhe Van Cortland Valley, mund shkojnë nesër e votojnë përsëri Mark Gjonajn për në Asamblenë e Nju Jorkut Qarkun 80-të.
Më shumë postera dhe fotografi mbulojnë muret e brenda selisë Gjonaj , së bashku me copa të “zgjedhura” gazetash( përfshirë gazetën Bota sot- Illyria dhe Dielli) të cilat, kan shkruar rreth fushatës së tij dhe çmimet të mirënjohjes, marrë prej tij nga organizata të ndryshme vendore . Aty gjenë dhe Formularët për regjistrimin e votuesve Nju Jork, të cilat janë grumbulluar në një tavolinë me broshura informative, që lexojnë disa nga objektivat në fushatën e Gjonajt. Aty shkruhet se ai është fokusuar në rrethin e tij 80-të në Bronx .
Mark Gjonaj , 43 vjeç , bëri histori kur mundi në mandatin e kaluar Assemblywoman në detyrë Naomi Rivera në zgjedhjet paraprake, Demokratike në 13 shtator 2013 me një diferencë prej 11 për qind . Riveren – e cila i përkiste një dinastie politikanësh në këtë Qark , me përvojë të gjatë në politikë.
Kurse, sfiduesi i tij në zgjedhjet e përgjithshme nesër në 4 nëntor , thuhet se është një republikan, i cili “nuk ka as më të voglin shancë’, për të i bërë ballë , demokratit Mark Gjonaj Simbas, shtypit lokal ka të ngjarë, që në listë të mos ketë asnjë republikan në Qarkun 80-të, Bronx, ku rikandidon demokrati Gjonaj, nga “frika” e ndonjë humbje të rëndë nga ana e Republikanëve.
Gjonaj – i cili është biri i dy emigrantëve shqiptarë, i lindur dhe rritur në Bronx, i kushton një pjesë të madhe të jetës së tij për aktivitetet e të gjitha komuniteteve, si dhe duke ndihmuar komunitetin shqiptaro-amerikan në të gjithë zonën e New Yorkut.
Ai mori detyrën në Asamblenë e Shtetit të New York-ut, më 1 janar 2013, duke sjellë me vete përvojat e tij – si biri i një emigranti – një pronari të biznesit të vogël dhe praktikat e vështira për të jetuar dhe punuar në lagjen Bronx. Ai është i pari shqiptarë i Amerikës, në historinë e emigracionit që zgjidhet me votat elektorale në një detyrë kaq të lart në shtetin e New Yorkut.
Në mandatin e tij të parë si Assemblyman i Qarkut të 80-t, Gjonaj – thuhet se ka ndihmuar shtetin e New Yorkut, të bëjë përparime të mëdha në fushën e mbulimit afatgjatë të sigurimit të kujdesit shëndetësor, të shtetësisë dhe të emigracionit, të shërbimeve të tjera sociale për shtresat e varfëra, duke ndihmën e tij në sistemin e arsimit, dhe atë të shërbimit civil.
Si një Assemblyman i mandatit të parë, në shtetin e New Yorkut, Qarku 80-të në Bronx, Mark Gjonaj – simbas shtypit lokal – ka luajëtur një rol aktiv në Albany dhe në Qarkun 80-të, për të krijuar vende pune dhe të mirë paguar, strehim të përballueshëm për qiramarrësit, arsim cilësor në shkollat publike, zgjerimin e objekteve të kujdesit shëndetësor në qytet, mbrojtjen dhe sigurinë e lartë në qendrat socialepër të bërë rrugë të sigurta në të gjitha lagjet, dhe një cilësi më të mirë e jetës për të gjithë komunitetet.
Gjatë fushatës së tij, Assemblymani Gjonaj – ka premtuar se përsëri në mandatin tjetër, ai do të jetë i pranishëm në të gjitha ngjarjet e planifikuara në Qarkun e 80-të, duke u gjendur pranë të gjitha komuniteteve, indianëve, Jews, kinezve, rusve, shqiptarëve, hispanikëve, atyre me ngjyrë, arabve , italianëve dhe të tjerëve.
Në një fjalim entusiast, para dhjetëra mbështetësve të tij në Restorantin Don Coqui – në mbyllje të fushatës së tij ai tha, se do të donte të falënderoj të gjithë për mbështetjen e tyre në fushatën për rritjes së fondeve. “Në fund të fundit, tha Gjonaj – një zyrtar i zgjedhur nuk është asgjë pa mbështetjen e komunitetit, ku ai është zgjedhur, poqese ai nuk është i lidhur me hallet e problemet e zgjedhësve të tij. Unë jam i kënaqur për gjithëçka kam bërë, gjatë këtij mandati për ju dhe duke punuar së bashku me ju “.
Gjonaj u lind më Arthur Avenue në Zonën Fordham të Bronxit, nga prindër emigrantë shqiptarë, të cilët kishin emigruar dekada më parë nga Reçi i Ulqinit . Pas 10 vjet në zonën Fordham , familja e tij u zhvendos në zonën Pelham Parkway . Nëna e tij punoi si një shërbyese në Spitalin Jacobi dhe babai i tij ka punuar si inspektor ndërtimi .
Zgjedhja e tij në mandatin e parë, i ka bërë jashtëzakonisht krenar të gjithë shqiptarët në Amerikë, madje edhe ata në vendlindjen e tyre, Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës, Çamëri, e kudo që ka shqiptarë.
” Për shqiptarët , kjo do të thotë shumë , sepse për aq kohë ne nuk kemi pasur dikë që të na përfaqësojë , në Albany, Mark Gjonaj, patjetër që është krenaria jonë që kemi një shqiptarë, tani në Albany” thotë veprimtari i dalluar i komunitetit shqiptarë – Harry Bajraktari, botuesi i parë i gazetës shqiptaro amerikane Illyria. Ai pohoi se komuniteti shqiptar, është dashur të kontribuojë, në çdo fushat për të zgjedhur të tjerë, në Nju Jork, për të pasur mbështetjen e tyre në të kaluarën – Mirëpo,” tani ne kemi një përfaqësues të lart në Albany nga mesi ynë , pra kemi Mark Gjonaj , në Kuvend , që mund të flasi edhe për komunitetin tonë. ” thotë Harry Bajraktari.
Kongresmeni demokart e New Yorkut, Elliot Engel, i cili mori pjesë në natën e mbylljes së fushatës Gjonaj – në një fushat për rritjen e fondeve, u shpreh se ai po e mbështetëse fuqishëm asambleistin Mark Gjonaj – edhe në një mandat të dytë, sepse:. “Prej kur ai u zgjodhë për herë të parë, tha Engel – unë kam patur shumë besim se Marku do të jetë një përfaqësues i mirë i zërit tuaj në Albany – dhe se ai tashmë është njeriu i duhur edhe për një mandat tjetër për të gjitha komunitetet në Bronx” tha Engel – duke shtuar se si i pari asambleist shqiptarë, në New York, unë dhe Mark Gjonaj – kemi qenë present në shumë ngjarje të komunitetit shqiptarë”.
Ndërsa, edhe zyrtarët e tjerë lokal e kanë vlersuar punën e Mark Gjonaj në Kuvendin e Nju Jorkut, Qarku 80të në Bronx – Nju Jork, Kontrollori i Qytetit Scott Stringer, ka thënë se “Ju sot nuk po mbështesni vetëm një asambleist të New Yorkut – por ju po mbështetni atë sensin që ka Mark Gjonaj – për të përfaqësuar ju në qytetin tonë”