Shkruajne: Dr. Rovena VATA& Sokol DEMAKU*/
Ujdhesa e re/
Aty afër qytetit Kalmar, por në det, shtrihet ujdhesa Öland. Öland-in, ndryshe e thërrasin “Ujdhesa e diellit dhe e erës”, përndryshe kjo është një rrafsh, pra një ujdhesë në rrafsh, ku ka erëra të forta dhe me shumë rreze dielli se në çdo pjesë tjetër të vendit. Edhe bregdeti i saj e bën Öland një vend me mjaft popullaritet që njerëzit të kalojnë pushimet e tyre të verës. Është karakteristike se në ishull gjatë sezonit së dimrit jetojnë për afërsisht diku 25 000 banor, ndërsa në sezone të verës në ishull mund të këtë diku mbi 2 milionë turistë.
Në të dy skajet e ishullit ka nga një Fener. Ai në veri quhet Feneri i Erikut të gjatë, ndërsa ai në jug quhet Feneri i Janit të gjatë.
Në vjeshtë zona ajrore për rreth Fenerit të Janit të gjatë është e populluar me shpendë. Shumë shpend shtegtarë pushojnë këtu para se të marrin rrugën për në vendet e ngrohta në jug. E njëjta gjë ndodh edhe kur ato kthehen në pranverë në Suedi. Valët e detit hedhin në breg shumë peshq, me të cilët do të ushqehen shpendët shtegtarë para se të marrin udhëtimin e gjatë vjeshtor.
Era këtu është një motor që vë në lëvizje shumëçka dhe syri i njeriut has në çdo vend Mulli ere. Njeriu këtu në këto vise të njëjtit i ka përdorur për të bluar drithërat në kohët e shkuara. Krahët gjigantë të mullinjve i vinte në lëvizje era e fuqishme dhe ata rrotullonin gurët e mëdhenj të mullinjve, të cilët thyenin kokrrat e drithërave dhe i bënin miell.
Sot këtu njerëzit nuk ndërtojnë më mullinj ere, por ata në këtë fushë të gjerë ndërtojnë Centrale elektrike me fuqi ere për prodhim të energjisë elektrike në ishull e këtu sot ka mbi 40 sish në veprim.
Öland është i njohur edhe me prodhimin e luleshtrydheve, e këtë ia mundëson klima, pra dielli dhe lagështia e bollshme në këtë vend.
Öland është parajsa e Suedisë dhe suedezëve. Këtë ishull e bënë të njohur Ura mbi det, flora dhe fauna e saj, mullinjtë e erës që ishin atraksion një kohë në këtë vend, qytet e saja të lashta me arkitekturën e tyre, gurët gëlqeror në çdo cep të saj, me një karakteristikë të veçantë pasi këta gurë gëlqeror janë përdorur në ndërtim thuajse në gjithë vendin.
Me një florë mjaft të pasur e sidomos me Arkaide, të cilat këtu janë ndër lulet më të kërkuara dhe me të pëlqyera. Këtu është edhe Vila Mbretërore e pushimeve verore të familjes Mbretërore Suedeze e ngritur në vitin 1906, që është mjaft e vizituar gjatë gjithë vitit nga turistë. Mullinjtë e erës të ndërtuar nga një stil i veçantë kryesisht me dru janë një atraksion i vërtetë i Öland edhe sot e që mendohet të jenë diku mbi njëqind sosh në këtë ujdhesë. Qytetet më karakteristike dhe joshëse për vizitoret janë Färjestaden, Borgholm.
Borgholm është qytet i vetëm në ishull, ku pranë tij qëndrojnë muret e qytetit të lashtë mbi 200 vjet, që në atë kohë ishte shkatërruar nga zjarri. Në sezone të verës në gërmadha të qytetit antik organizohen koncerte verore. Nga Borgholm nuk është larg as Rezidenca Mbretërore në Soliden, ku Mbreti dhe Mbretëresha kalojnë pushimet verore dhe se kjo rezidencë vizitohet edhe nga turistët të cilët kalojnë pushimet në ishull.
Öland është ishulli i dytë më i madhi Suedisë dhe Provinca më e vogël. Ai është i vendosur në lindje të Detit Baltik dhe krahinës Småland, nga e cila është ndarë nga ngushtica Kalmar. Ishulli është që nga viti 1972 i lidhur me kontinent nëpërmjet urës Öland. Ndërtimi i urës Oland ka filluar në janar në vitin 1968. Ura Öland u inaugurua në 30 shtator 1972.
Öland është gjeologjikisht një ishull shumë i ri. Ishulli është i përbërë nga gurë gëlqerorë, të ndryshëm nga gjeologjia kontinentale e Småland. Portet dhe shumica e ndërtesave ndodhen në anën perëndimore të ishullit, sepse janë më të mbrojtur dhe në kontaktet me qytetin Kalmar.
Fillimisht ka qenë zgjidhja më e rëndësishme përgjatë bregdetit lindor të ishullit, me Köping në anën perëndimore, si vendi kryesor gjatë mesjetës së hershme. Banorët e Öland e kishin të ndaluar më vonë që të angazhohen në tregtinë, por e gjithë tregtia e tyre duhej të kalonte nëpër Kalmar.
Nga 1569-1801, i gjithë ishulli Oland, i ngritur si kopsht mbretëror, u bë edhe parku i gjuetisë së Mbretërisë Suedeze.
Kur qyteti i Borgholm u ndërtua me dekret mbretëror në 1816, u bë një ringjallje e tregtisë në Öland edhe nëpërmjet lundrimit të anijeve.
Ndërtimi i urës mes Kalmar – Öland, i dha fund shërbimit të trageteve në mes të qytetit Färjestaden në Öland, me Kalmar.
Në Öland, ka kohë që jeton dhe vepron patrioti, poeti, përkthyesi, shkrimtari, leksikografi i njohur shqiptar Sadulla Zendeli Daja, cili me dashamirësi tregon:
Pas diplomimit të shkollës së lartë të bibliotekarisë, duhej të punësohesha. Si vend për të jetuar zgjodha ishullin Öland. Më tepër e kam zgjedhur si një ishull shqiptar, se kështu e paramendoja. Edhe shenjtorja Birgita (Härliga Birgita) e ka kështjellën këtu. Ajo, kur ka shkuar në Itali, e gjeti një ishull si Ölandin dhe mbeti atje. Përmendorja i është ndërtuar në këtë ishull, aty afër shtëpisë verore, mbretërore.
Motivi ka qenë se, duke qenë larg Atdheut, mërgimtarët tanë i pret pashmangshëm asimilimi i pjesshëm ose ai i plotë. Ajo, që brengos çdo njeri, në rrethanat e jetës jashtë atdheut, është ruajtja e gjuhës. Mendoja se detyra e secilit intelektual ishte t´u ndihmonte shqiptarëve në mërgim.
Këtu është një nga urat më të gjata në Europë. Ky ishull më solli frymëzime… Siç e thashë më lart, Ölandin më tepër e kam zgjedhur si një ishull shqiptar. I pata thënë vetës: Unë do të shkoj në një ishull. Deti Baltik është i madh, sigurisht edhe një pikë e këtij deti piqet me detin Adriatik. Kjo ishte ujdhesa ime dhe e Shqipërisë sime. Ky ishte mendimi im. Dhe këtu më lindën shumë frymëzime… Këtu është jeta ime dhe shtëpia ime, në Fërjestaden. Nuk është vetëm shtëpi e flamurit dhe shqiponjës. Ajo është një bibliotekë e pasur, ku u shkruan mijëra fjalë shqip. Një shtëpi botuese dhe një shtëpi drite në ujdhesë.
Fati më ndihmoi që të ma zbuste këtë dhimbje, duke më çuar në pllajat nordike të Suedisë. Kam prekur tokën e ftohtë, me besimin se ëndrra ime për arsim dhe liria e popullit tim do të realizohen.
Bregdet me rërë të cekët apo vendeve gurore të thella, trotuar gëlqeror ose pyje të dendur e të gjelbër, arti modern apo klasik, zejtaria, këto janë karakteristikat kryesore të Öland dhe kësaj oaze magjike, e cila shtrihet pra në pjesën jug-lindore të Suedisë.
Pastaj në fshatrat e këtushme me varre Vikingësh, kopshteve zoologjike ose edhe ambiente joshëse për të huaj, turistë dhe fëmijë. Pra diçka në Öland për shijen e të gjithëve. Bimësia në pyje, livadhe dhe në kënetë, shumë tërheqëse për fëmijët që duan të luajnë në breg ose në qoftë se ju doni të hidheni në ujë menjëherë, pastaj arti dhe vepra artizanale për të gjitha shijet, historinë suedeze dhe skandinave dhe argëtuese nga kopshte dhe në klube nate.
Tërë rajoni i Mbretërisë së Kristaltë dhe rajoni i qytetit të lashtë Kalmar lidhen nëpërmjet urës së bukur në tokat jugore dhe pastaj rruga vazhdon deri në veri, edhe me provincat lindore të vendit. Dyqanet, kampingjet, hotelet ose bujtinat, në të dy anët e ujdhesës, fushat e rërës, fushat madhështore të golfit, vendet arkeologjike, kalërime me kuaj të vegjël, parqet karakteristike të këtyre anëve, kjo është e gjitha atje!
Me siguri edhe dielli ka zgjedhur Öland si në peizazhin e tij të preferuar suedez në nxehtësi dhe me dritë. Këtu është dielli dhe ditët janë të ngrohta. Këtu rëra është e bardhë. Deti ka ngjyrë blu dhe i jep një gjallëri jetës, natyrës në Öland, e bën këtë vend edhe më tërheqës për vizitorët e, sidomos, për ata të cilët janë për herë të parë në këtë ujdhesë.
*(Marrë nga libri me te njejtin titull dalë nga shtypi këto ditë në Tiranë dhe që do botohet në vazhdime e që ka fillua që ka kohë më këtë)
NEOKOMUNISTET
VAZHDIMI I MENTALITETIT KOMUNIST NE NEOKOMNISTET QE I LENE STAFETEN NJERI TJETRIT/
Opinion nga AJET DELAJ/ NEW YORK/
Nese i referohemi zhvillimeve te fundit dhe krejt punes se qeverise Rama pergjate nje viti e ca ne pushtet ndryshimi i vetem me qeverine para ardhese te z Berisha eshte se nen qeverine Berisha ishte leshur cdo gje pa duar duke vjedhur kudo dhe ne cdo gje nen qeverisjen e Rames kemi aksione e propogande revolucionare me produktivitet 00000000 .
Per te ilustruar gjendjen aktuale te politikes e qeverisjes aktuale, gjeja e pare qe me shkoje ne mendje kure degjova nje minister te qeverise ne studio me nje eksponent te opozites ishte nje e forte e emisionit “fix fare” para dy vjetesh kur nje pacient shkoje te doktori pasi i leshonte gazrat pa vullnet. Pasi doktori e vizitoje natyrisht qe i dha edhe ca ilace. Pas ca kohesh doktori takon pacientin dhe e pyet se si ndihej. Pacienti ja kthen doctor tani jam rehat se lirohem e nuk kam turp fare.
Pra politikanet e qeveritaret shqiptare jo vetem jane te papergjegjshem ne ato cfare thone e bejne por edhe nuk kane me frike askend e dalin para publikut pa asnje problem per injorancen dhe poshtersine qe mbartin ne vtevete.
Pa u skuqur e pa u zverdhur fare opozitaret deklaronin se prokuroria e shtetit i kishte pushuar akuzen ndaj rrezimit te pallatit te vjeherrit te kryetarit te opozites kurse ministria e qeverise jo vetem nuk guxonte te shprehej per ligjshmerine e ndertimit te bashkeparlamentarit te saje ne Himare por deklaronte se pallati i opozitareve ishte ndertuar me dokumenta te fallsifikuara se kete e kishin thene gazetat.
Asnjera pale nuk i zuri me goje 5 milon dollare qe kane dale nga thesari i shtetit pra nga taksat e qytetareve shqiptare per nje rrezim pallati qe eshte bere me vendim qeverie e jo me vendim gjykate se nuk po flasim per te ndeshkuar qe minimalisht kane shkaktuar nje dem prej miljona dollare vlere monetare e mjedis.
Vetem shtetet diktatoriale qeveria shemb pronen e tjetrit dhe ndane pronat e qytetareve per partiaket e tije dhe te jeni te sigurte opozitare e qeveritare shqiptare se kurdo ta dergoje ne Strasburg pronaret e ish-pallatit te Vlores xhepat tuaj do te paguajne edhe me se pakti edhe 35 milion euro te tjera.
Cfare u be me aksionin e mbylljes se lojrave te fatit ne gjithe Shqiperine dhe sa eshte numri I tyre sot pasi gojet e liga thone se jane rihapur ato qe u mbyllen dhe ca te tjera me shume.
Cfare po behet me ata e jane larguar nga puna me nje vendim administrativ te Qeverise Rama antikushtetues dhe cfare po behet me inukun e qeverise po antikushtetues te shpallur me vendim nga Gjykata Kushtetuese e Shqiperise. Po ashtu sa eshte demi i shkakuar prones se qytetareve shqiptare nga ndarja e copave te letrave kryq e terthor fshatrave te shqiperise si Enveri ne 1946 dhe sa kane shkuar gjer tani kostua e demit te shkaktuar nga qeverite shqiptare ne 24 vitet e fundit e llogaritur nga Gjykata e Strasburgut.
Vijme tek aksioni per prerjen dhe ndeshkimin e e atyre qe vjedhin energjine qe 24 vjet ku qeverite e meparshme kane abuzuar ne menyren me te pafytyre me qindra milon dollare ku shumicen i vidhnin vete e therrimet i villte populli sa per te ngjyer gishtin.
Jam 100% me ndalimin e kesaj baterdie e ndeshkimin te tere atyre qe kane abuzuar me energjine ne teritorin e Repuplikes se Shqiperise por nuk jam me vrullin revolucionar e propoganden e qeverise Rama. Nese Rama do ishte serioz do e kishte filluar me abuzuesit e medhenj te energjise shqiptare nafte, gaz, elektrik e deri tek mineralet duke ngritur edhe sistemin e siguracioneve ne tere aktivitetin e kesaje dege te rendesishme te ekonomise shqiptare .
Pasi ti kishte ndeshkuar ne menyre ekzemplare keta abuzues se bashku me nje megaplan te studjuar te merrte masa per stopim radikal me abuzuesit privat te energjise ne banesa e biznese duke perfshire dhe distrubutoret e energjise ne tersi por edhe duke menduar per shtimin e burimeve te energjise e ndihmen e shtresave ne nevoje per te perballuar jeten.
E njejta gje ne fushen e menaxhmit e transportit rrugore e rregullave te qarkullimit ne teritorin e repuplikes se Shqiperise. Te fillohej me sinjalistiken qe eshte per ibret e te vazhdohej liberalizimin e modernizimin e kontrollit teknik te atomjeteve qe vazhdojne akoma koloudimin si para 30 vjetesh kur dihet tani se pjesaderrmuese e atomjeteve jane elektronike permiresimin e sistemit te licensimit dhe cordinimin ndermjet ministris se brendshme , asaj te transportit e gjykates administrative se bashku me ndryshimet ne kodin penal per ata qe demtojne pronen e tjetrit apo marrin jeten e tjetrit se bashku me rritjen e efikasitetit te sherbimeve te emergjences e pastaj te kalohet tek paketa e ndihmes se shpejte apo trekendeshi sinjalizues.
Nese keto te fundit jane vendour pasi kete biznes e ka marre babai i ministrit te brendeshem sic po thuhet atehere ministri duhet te largohet brenda dites per te shpetuar Kryeministrin kesaje radhe.
Flasin opozitaret per parlament halabakesh gje qe eshte e vertete dhe nuk e thone nje fjale te vetme se kush e mbushi parlamentin me halabake e injorante e nuk guxojne te thone nje gjysme fjale per origjinen e ketij parlamenti qe e ka ne marveshjen Brenda nates te 2008 ndermjet Berishes e Rames
Kjo eshte pak a shume resumeja e punes se kesaje qeverie qe per mua eshte totalisht jashte misionit te saje per te cilen eshte votuar e kane shpresuar shqiptaret aq sa eshte respektuar vendi i tyre dhe po vazhdoj keshtu po ju garantoj se nese shqiptaret do presin 2017 te jeni te bindur se shqiptaret do jene me keq se ne 2013 ashtu sic jane sot me keq se ne 2009ten .
Shoqerite e lira demokratike e kane te papranueshme madje eshte e rrezikshme ne te tera planet filozofia dhe praktikat komuniste e aq me keq akoma kur keto praktika aplikohen nga qeveritaret shqiptare pergjate 24 viteve te fundit duke proklamuar per shqiptaret demokracine alla-shqiptare qe nuk eshte gje tjeter vec vazhdimsi neokomuniste kriminale.
Kete radhe nuk u fokusova sesi duhet dale ngakjo gjendje por vec evidentova ca gjera te vogla ne morine e zullumeve qeveritare e ish-qeveritare me shpresen se po ndikoj sado pak ne shperndarjen e mjegulles se propogandes komuniste megjithse neokomunistet kane uzurpuar edhe mediat ashtu sic kane marre peng jeten e cdo qytetari shqiptar qe jeton sot ne Shqiperi..
Jusuf Buxhovi dhe “Dosja e Hapur “
Nga Fahri Xharra/
“Dosja e hapur” ,roman i Jusuf Buxhovit , një vepër që të lë gojëhapur dhe të futë thellë në çështjen ende të pazgjidhur shqiptare . A duhet të mëndojmë se me të vërtetë
ne jemi në një situate ku ende qëndrojmë peng i të kaluarës sonë ,asaj pjese të turpshme?
“Dosja e hapur “ roman ndryshe nga të tjerët por që në të vërtëtë e spjegon mos aftësinë tonë për të parë të vërtetën në sy , dhe mos dëshirën tonë që njëherë e përgjithmonë të mbyllim dosjen tonë tëcilën të tjerët nuk duan ta mbyllin. E ne iu ndihmojmë!
Dosja e hapur…”Në vitin 1958 njëfarë Ivan Popoviçi (Slaven und Albaner in Albanien und Montenegro) e ”zbulon” se duke u mbështetur kryesisht në ”argumentime” gjuhësore , i paraqet shqiptarët si popullsi e ardhur në trojet e sotme të tyre në një kohë të pa përcaktur në mesjetë ,por sipas tij gjithësesi pas sllavëve.
Pse e gjithë kjo luftë , pse i gjithë ky ngulm gati dyqind vjeçar i fqinjve që të na “gjejnë kohën se kur kemi ardhë “këndejpari ,dhe të “ nderojnë “ edhe me vendin se nga “ishim”?
Historia është shkencë egzakte dhe nuk duron “ mrekullira” se e vërteta qëndron edhe nën tokë e edhe në ujë , asaj ne duhet t´i japim gjuhën dhe te flet.
“Në malet ,mbi zonën e banuar me sllavë dhe protoromanë mbeti një popullsi blegtorale që mund të cilësohen si protoshqiptarë” thoshte Ivan Popoviçi.
Objekti dhe qëllimi i i pikëpamjeve që e kundërshtojnë autoktoninë e shqiptarëve është i qartë (N.Çabej, Ilirët që mbijetuan) , të gjëndet një vend nga dikur jofortlargënë histori. shqiptarët të kenë ardhur. .Por, kot. “Mrekullitë” nuk i duron shkenca e historisë.
Por ka edhe nga ata , që nuk i bishtnojnë fakteve dhe e thonë atë që duhet thënë se në burimet historike nuk bëhët fjalë për ndonjë megrim të shqiptarëve.Andaj është e natyrshme që shqipja është folur , që nga kohët e lashta në ato vende ku flitet edhe sot, pa i llogaritur vendet tjera ku iu kanë humbur gjuhën..Gjuhëtari Radoslav Katiqiç: “ grupe shqipëfolëse ka në Epir , në pjesën perendimore të Maqedonisë dhe në lindje të Malit të Zi. Në Kosovë ,popullsia është kryesisht shqiptare.(Katiqiq, Ancien Lanuages of the Balkans) dhe përfundon që kjo zone e banuar me folës të shqipës gjendet thuajse terësisht mbrenda territorit të lashtë të Ilirëve.Për këtë arsye ai e sheh normale dhe të natyrshme gjuhën shqipe si pasardhëse moderne të ilirishtes.(fxh)”
Dosja e hapur.. “Në një blog serb lexova ku thuhet se shqiptarët e Kosovës nuk kanë aspak lidhëshmëri me ne dhe ata janë ta ashtu si e thoshte plaku shqiptar ne nje Tv-intervju :” ne jemi ilirë’ ,ky nuk është vendi i serbëve, ne gjithëmonë kemi qenë këtu, kjo është e jona, kjo është e jona…” (Albanci sa Kosova naravno nemaju aspolutno nikakve veze sa nama i oni su kako kaze drtavi starac koga su intervjuisali na TV-u “mi smo Iljiri, ovo nee srbska zemlja, mi smo od uvek bili ovde, ovo nasho, sve ovo nasho…” (fxh)
Dosja e hapur …..” Ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrenjeve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.(At Gjergj Fishta ,1939).” (fxh)
“-Zoti Strauss, faleminderit që pranuat intervistën. Kur babai juaj vizitoi Shqipërinë për herë të parë në 1984, unë kam qenë e vogël, por e kujtoj zhurmën që u bë, veçanërisht më pas, pas viteve të para të rënies së komunizmit. Ju ishit me të në Shqipëri, si e kujtoni atë vizitë?
-Ende e mbaj mend. Në fillim përgatitjet, u ulëm bashkë në zyrën e babait tim, për të bërë planet për vizitën, dhe ai planifikoi një vizitë pushimesh dhe jo një takim zyrtar dhe më pas u shndërrua në një çështje shtetërore, vizitë shtetërore. Ne hymë nga Hani i Hotit dhe ndoshta isha numri dy që hyja në Shqipëri pas babait tim.
-Ju thatë se ishte një vizitë private por në ato vite, pikërisht disa vite më vonë ra Muri i Berlinit si dhe komunizmi në vendet e lindjes. A nuk ishte një përpjekje për vendosur marrëdhënie diplomatike midis Gjermanisë dhe Shqipërisë?” ….Dosja ende e hapur
Dhe Jusuf Buxhovi romanin e tij “Dosja e Hapur” (faqe 482) e përfundon kështu:”Autori: -Meqë ishte kështu, atëherë pse duhejtë vritej kur ai ndodhej para vetëvrasjes?
Gjenerali Josip Paleviq :- Kësaj petjeje duhet t`i japin përgjigje vetë shqiptarët, nëse nuk dëshirojnë të mbeten edhe më tutje pjesë e dosjes së hapur….”
Mo` zo` më keq për ne !(fxh)
Fahri Xharra
01.11.14 , Gjakovë
KUJTESË- Fahri Fazliu- një kreshnik i shqiptarisë
Një cerekshekulli më parë, pikërisht më 2 nëntor 1989, ranë heroikisht në Prishtinë në luftë me policinë serbe Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia./
Nga Skender Haliti/
Pas 11 marsit të vitit 1981 kur rinia studentore dhe masat e gjera popullore u hodhën në revoltë të hapur kundër politikave diskriminuese dhe ckombtarizuese serbe, Lëvizja Kombëtare për Clirim që në gjirin e saj tubonte formacione të ndryshme politike ilegale, shpeshherë pa kontakte të mirëfillta organizative mes veti për shkak të rethanave të vështira të veprimit në ilegalitet të thellë, gjithnjë e më tepër po e shqyrtonte mundësinë e organizimit të një qëndrese të armatosur kundër represionit policoro-ushtarak të Serbisë. Shumë organizata ilegale kishin filluar të mendonin edhe për armët që nuk gjindeshin leht, gjë që tregon se ideja e luftës së armatosur, ende në embrion, po rrekej të kalonte në një stadium tjetër. Një mundësi tjetër clirimi, duke e njohur natyrën dhe synimet historike të politikës serbe, nuk mund të merrej seriozisht në konsiderim, sepse një zgjidhje paqësore e konfliktit serbo-shqiptar, e provuar më herët pa sukses nga komunistët shqiptarë, ishte thjesht një iluzion politik në konstelacionet e atëhershme. Edhe sot kur statusi ndërkombëtar i kombit shqiptar ka ndryshuar esencialisht për të mirë, në Serbinë e dobësuar në cdo drejtim nuk ka ndryshuar asgjë në këtë pikë. Racizmi antishqiptar është ai që e njihnim dikur: tepër primitiv. Sigurisht në ato vite të flisje hapur për një rezistencë të armatosur në stil të gjerë jo vetëm ishte një punë me rrezik të madh nga ata që ishin në përgjim të farkatores historike tek shqiptarët, por edhe tek njerëzit e tu rrezikoje të quheshe një lloj don Kishoti, përfshirë këtu edhe skeptizicmin shpërfillës në qarqet ilegale. Kjo mundësi e dëbimit të Serbisë nga Kosova konsiderohej e parakohshme për shkak të konjunkturave ndërkombëtare që nuk e favorizonin ndryshimin e strategjisë së Lëvizjes tonë Kombëtare për Clirim. Dhe këto konjunktura për pesimistët që atëherë nuk ishin të pakët, ishin të përjetshme. Sidomos fakti që aleatja më e madhe e serbëve, Rusia sovjetike, ishte ende një faktor determinues i politikës botërore e bënte një shestim të tillë për shumë shqiptarë më tepër një dëshirë mendjelehtë sesa një mundësi reale. Megithatë këta skeptikë harronin dicka krejt të thjeshtë dhe nuk mund ta merrnin me mend se konjunktura ekzistuese, padyshim disfavorizuese për ide të tilla, mund të ndryshonin shumë shpejtë, madje edhe brenda një nate sic do të tregojë më së miri shembja e Murit të Berlinit saktësisht një javë pas rënjes se Fahriut dhe Afrimit. Sidoqoftë shembujt e qëndresës së armatosur nuk kanë munguar edhe në mesin e atyre që ishin të organizuar politikisht në ilegalitet dhe që i përmbaheshin relativisht në mënyrë të rreptë linjës së veprimit të politik pa iu përgjigjur dhunës shtetërore serbe me të njejtën monedhë. Qëndresa e armatosur e Tahir Mehajt në maj të vitit 1981 ishte një shenjë e qartë se shqiptarët nuk do ta duronin dhunën e shtetit jugosllav pa një reagim të vendosur, mirëpo ajo ishte, në anën tjetër, e një natyre tjetër, një instinkt spontan vetëmbrojtës shqiptar kundër sundimit të huaj që në rrjedhën e shekujve kurrë nuk ishte shuar ndër shqiptarë dhe kishte bërë që shqiptarët të mbeteshin shqiptarë. Rezistenca e armatosur e Bajram Bahtirit, Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës në vitin 1984, përfaqësuesit më promimentë të organizatave ilegale politike që vepronin atëbotë në Kosovë, tregonte ndërkaq se koha e një lufte të armatosur kundër pushtuesit nuk do të vononte shumë. Por në atë kohë ende ishte vështirë të jepej ndonjë parashikim se kurdo të fillonte dhe sesa e gjatë dhe e mundimshme do të ishte kjo luftë. Dhe cilët konkretisht do të ishin aleatët tanë, për të cilët nuk dyshonim se i kishim në Perëndim, edhepse sot nuk mungojnë segmente shoqërore që përpiqen të na bindin për të kundërtën.
Si shok i jetës ilegale i Fahri Fazliut mund të them pa hezitim se ai dhe Afrim Zhitia përfaqësonin atë fraksion në Lëvizjen Ilegale Shqiptare që cështjen e rezistencës së armatosur nuk e shihnin vetëm si një mundësi teorike në një të ardhme të papërcaktuar, por si dicka shumë praktike, për të cilën duhej menduar seriozisht dhe me urgjencë qysh tani, d.m.th. qysh në vitet 1980 deri në momentin e rënjes së tyre, kur themelet e rendit botëror që dolën nga Lufta e Dytë Botërore ishin tronditur dhe kur Muri i Berlinit pak më vonë sa hap e mbyll sytë po kthehej në një fantazmë të një kohe tjetër të frikshme të ndarjes së botës në blloqe armiqësore, kur Jugosllavia kishte hyrë në një fazë dekompozimi politik dhe shtetëror të përshpejtuar, cështja e ndeshjes finale me serbët më shumë se teori ishte kthyer në një cështje imediate praktike. Rënja e tyre pas një lufte burrnore me serbët e dëshmon më së miri këtë që them. Bashkë me Afrim Zhitinë, Fahri Fazliu do duhej të konsiderohej njëri nga ushtarët e parë pararendës të UCK-së, e cila tashmë e kishte hedhur hijen e saj në Prishtinë. Gjashtë vite më vonë bashkëluftëtarët të mëvonshëm të armëve të Fahriut dhe Afrimit do ta arrinin me aksionet e tyre të armatosura edhe kryeqytetin e Kosovës dhe tre vite më vonë së bashku me NATO-n do të hynin si fitimtarë në kryeqendrën e dikurshme të organizimit ilegal.
Kush ishte Fahri Fazliu?
Fahri Fazliu lind më 24.02.1963 në Llaushë në një familje me tradita atdhetare. Ende pa shkuar në shkollë ai e kishte mësuar në oda faktet themelore të historisë së popullit të tij, në rrëfimet e të rriturëve që e kishin përjetuar dhunën dhe terrorin serb, i cili më shumë se në kudo tjetër i kishte gjurmët e tij ende të freskëta në këtë kraninë kufitare, në Llap. Jeta më vonë do t’ia bëjë një gjë mëse të qartë: liria kombëtare nuk do të bëhej realitet kurrë përderisa njerëzit nuk do të mendonin për të si për cështjen e bukës së përditshme. Të mendonin kështu dhe të ishin të gatshëm për sakrifica supreme.
Me këto mendime dhe qëndrime ai do të bëhet pastaj një protagonist i shquar i veprimit të pakompromis kundër pushtuesit serb. Shpejt do të kycet në strukturat ilegale dhe do të shquhet si një njeri tepër i vendosur. Spektri i veprimtarisë së tij ishte i gjerë. Nuk do të kishte asnjë lloj veprimi sado i rrezikshëm të ishte që ai nuk do ta ndermerrte, nëse shokët do t’ia ngarkonin. Shpërndarje traktesh, literature ilegale, ndihmonte shokët ilegalë dhe familjet e të burgosurëve politikë, etj. gjithë jeta e tij në thelb kishte vetëm atë përmbajtje që mishëronte rezistencën. Ai ishte një organizator me talent të madh, gjë që do të tregohej në demonstratat studentore dhe popullore ku ai ishte organizator dhe pjesëmarrës aktiv. Ishte një njeri jo vetëm i guximshëm, por edhe shumë i zgjuar dhe i palodhshëm. Që në momentin kur e njoha më ra në sy karakteri i tij i jashtëzakonshëm i arketipit të luftëtarit kombëtar, një lloj kreshniku modern që kishte zbritur nga eposi I lashtësisë shqiptare në realitetin tonë të trishtë të pushtimit për të na dhënë zemër, për të na thënë dhe treguar me shembullin e tij se robëria nuk është fat i përjetshëm për ata që nuk e pranojnë atë si fatalitet. Kjo ndjenjë më shoqëroi vazhdimisht saherë e takoja, saherë e shihja këtë gjigand të atdhetarisë. Si bashkëveprimtar politik të bënte të entuziazmoheshe dhe të besoje se edhe përkundër represionit të pashembullt shtetëror dhe peshës së rëndë të robërisë që po rritej nga dita në ditë agimi i lirisë nuk do të ishte i largët. Ai ishte ëndrrimtar dhe realist në të njejtën kohë. Ai e ëndrronte atë që do të vinte dhe megjthatë nuk mbetej brenda ëndrrës, por si realist që ishte luftonte atë që kishte përpara dhe që ishte barriera e madhe drejt të ardhmes pa prangat e robërisë. Fahri Fazliu e dinte dhe nuk trembej aspak faktit se liria rrugën e ka të shtruar me gjak. Ai ishte i gatshëm për të gjitha flijimet e mundshme. 2 nëntori i vitit 1989 e tregoi se ai i kishte hyrë luftës për clirim pas asnjë iluzion, pa asnjë lloj frike, me vendosmërinë e kreshnikëve të eposit që e bënin luftën me krajla në mënyrën e tyre që në shekuj u nderua si shkëlqim i racës sonë. Shpallja e tij hero i kombit nga ana e presidentes Jahjaga para disa vitesh është një nder që i bëhet atij që në jetë vërtet kishte qenë i tillë. Kështu ai nga një vdekatar i zakonshëm u shndërrua në një yll të përjetshëm që ndricon në qiellin e ndërgjegjes dhe kujtesës sonë kombëtare. Unë e kam ndjerë atëherë, në kohën e veprimit ilegal, dhe e kam ndjerë pastaj edhe më intenzivisht veten të privilegjuar që pata rastin të njihem me të, të veprojë për shumë vjet bashkë, të kujtoj pastaj gjatë gjithë këtyre viteve se pa njerëz të tillë si Fahri Fazliu kombi ynë do të ishte zhdukur prej kohësh në terrin e shekujve.
NJË MBUROJË E ZBULUAR NË APOLLONI-A MOS VALLË I PËRKET NJË PRIJSI APOLLONIAT, PJESMARRËS NË BETEJAT E ALEKSANDRIT TË MADH?
*NË 8153 COPA! 760 RRUGË PËR KONSERVIMIN E SAJ! PUNË NË MË SHUMË SE 20 VJET! KOSTOJA: MË TEPËR SE 10000000 LEKË! NJË PUNË MIDIS PASIONIT DHE KËMBËNGULJES PROFESIONALE!/
Shkruan: Frederik Stamati/
Viti 1983 i dhuroi Apollonisë një pasuri të rrallë arkeologjike: në tumat e fshatit Kryegjat arkeologu Vangjel Dimo zbuloi një varr që ngriti mëndjen e të gjithë specialistëve të fushës. Në varr ndodhej një mburojë prej bronzi, e mbi të skëleti i shtrirë anash i të zotit të saj. Objekte të tjerë, të rrallë për nga forma dhe dekoracionet interesante gjindeshin përgjatë mbeturinave kockore të trupit të dikurshëm: një përkrenare e pa parë, po prej bronzi, një shpatë hekuri së bashku me gjurmat e këllëfit të zhdukur, katër enë prodhim vendas në qeramikë, sandale prej metali, thika, kruajtëse, etj, etj dhe gozhdat me të cilat ishin mbërthyer fort dërrasat e qivurit të madh. Thuajse të gjithë arkeologët e antikitetit shkuan nga dita në ditë për të parë zbulimin e rrallë. Kuriozitetin më të lartë e krijonte mburoja, forma e shkatarruar e së cilës lindëte diskutime jo pa hamendësi.
Unë shkova kur mburoja ishte nxjerrë nga toka, ishte transportuar dhe mbahej në ruajtje të sigurtë në magazinat e muzeumit. Ah, e sigurtë! Një pjesë e saj, rreth një e treta, në mos më shumë, ishte shembur së bashku me dheun nën të, duke u kthyer në thërrmija të vërteta! Por për hir të së vërtetës duhet thënë se edhe pjesa tjetër e saj, ajo që kishte shpëtuar nga shembja nuk ishte më mirë: vetëm një mori thërrmijash dhe diku më shumë, por të organizuara në një rrafsh, ku nuk merrej vesh thuajse asgjë. Tetëmijë e njëqint e pesdhjetë e tre copa!
Që në njohjen e parë lindi e vërteta për vështirësinë e ringritjes së saj. Konsulltat pa fund nuk ipnin zgjidhje. Një rebus? Nuk është asgjë! Isha si mbi det, ku lëkundesha nga tallazet e mendimeve të ndryshme. Jo me orë, as me ditë dhe as me javë, por me muaj të tërë kam qëndruar mbi coprat e mburojes për të gjetur lidhjet midis tyre dhe zhvillimin e motiveve zbukuruese, tashmë të prishura. Vëzhgoja gjithshka në stereomikroskop. Mundohesha të kapja edhe shenjën më të vogël që do të orientonte lidhjet. Pashë të gjithë relievet me mburoja dhe të gjitha statujat luftarake në muzeumet e Shqipërisë për të kuptuar të kaluarën e panjohur nga ne. Sot, kur e shikon të restauruar, është e lehtë të flasësh, por nuk duhet harruar se ajo ka njëzet vjet punë dërmuese të trupëzuar në vetvete.
Thanë që ta restauronin diku jashtë, si për më mirë, por askush nuk e mori përsipër. I mbeti laboratorit tonë. Përpunova dhe eksperimentova shtatëqint e gjashtëdhjetë rrugë dhe nga ato përzgjodha atë që do ta çonte punën deri në fund, duke dhënë garanci absolute. Absolutisht asnjë mëdyshje për ta “parë më konkretisht kur të vinte momenti”, gjithshka e parapërcaktuar dhe ashtu u veprua pa asnjë problem deri në fund.
E kam tepër të vështirë të paraqes në një shkrim gazete punën e kryer. Jo vetëm se ka qenë një rrëmujë e vërtetë. Ajo nuk kishte rend, por kryhej ashtu siç e ipte rasti, e fundit në fillim dhe anasjelltas dhe e gjitha e bashkalidhur për të dhënë të tërën. Prandaj po e shmang këtë pjesë që zorr se i intereson kujt dhe po mundohem te shkruaj nëpërmjet të konkluzioneve.
Pësëri e kam të vështirë. Ndoshta do të jetë e mira që ta fillojmë nga fundi, pra nga mburoja e restauruar dhe që aty të depërtojmë në njohjen e saj dhe në punën e bërë.
Fotot dhe skicat që shoqërojnë botimin do të na ndihmojnë në shtjellimin e temës. E shoh të domosdoshme edhe paraqitjen në skicë të prerjes tërthore. Është në shtatë nivele: 1-Meduza, prej bronzi, 2-fleta metalike e sipërme, po prej bronzi, 3- material i zi lidhës dhe mbushës, 4-dru, 5-përsëri material lidhës, 6-lëkurë, 7-elementë bronzi, që shërbenin për ta mbajtur si dhe gjatë ecjes. Diametri: 72 cm. Trashësia në qendër rreth 2,5 cm, anash rreth 4 mm. Lartësia e kurbaturës nga plani 11-13 cm.
Gjëja e parë dhe mbi të gjitha ishte përfytyrimi i saj në lashtësi. Këtu nuk po i ipnim “kon”. U konsulltova disa herë në Gjermani, në Hungari dhe në Greqi. Vetvetiu që literatura e pasur …
Krahas përpjekjeve për konceptimin e mburojes, u punua edhe për njohjen e materialeve me të cilat ishte ndërtuar. Të gjitha pjesët metalike u analizuan për përbërjen kimike, mineralogjike dhe kristaline në Institutin e fizikës bërthamore, në Institutin e gjeologjisë, në atë te Kërkimeve ushtarake dhe në Fakultetin e shkencave të natyrës. Rezultatet e pritura me padurim treguan mjeshtërinë e prodhimit. Teknologji tepër e lartë për kohën e atëhershme! Mjeshtra të një përvoje të përzgjedhur gjatë viteve! Bronzi kishte përbërjen të tillë në bakër dhe kallaj që lejonte goditje të forta me çekiç pa dëmtuar fletën metalike. Tjetër ishte përbërja e elementëve konstruktivë, pjesë të sistemit të mbajtjes dhe tjetër përbërja e gozhdave. Sikur të ishin sot!
Materiali i zi lidhës dhe mbushës u analizua në Institutin Mbretëror të Pasurive Artistike Kombëtare në Bruksel, institut me famë botërore dhe rezultoi të ishte një masë bituminoze me vaj gjysëm të thatë, ku ishte shtuar edhe rrëshirë pishe.
Po në këtë institut u kontrollua në se ka qenë e lyer me ndonjë bojë lëkura dhe rezultoi që jo. E bëmë këtë kontroll sepse në literaturë thuhet se herë-herë lëkura në pjesën e mbrapme të mburojes lyhej me bojë të kuqe. Në rastin tonë nuk u gjet asnjë element kimik, që të përdorej në lashtësi në formë komponimesh, e që jep ngjyrë të kuqe. Veçse në ka qenë e ngjyer me të kuqen e purpurit! Ajo kur shpëbëhet nuk lë asgjë për ta identifikuar. Kështu na mbetet që të pranojmë faktin. Lëkura e përdorur ka qenë lëkurë nga bagëtitë e trasha dhe pikërisht lëkurë kau.
Në Universite Paris-Sud, në Laboratorin e hidrologjisë izotopike dhe në Laboratorin e datimeve me karbon 14 në Saklei si dhe në Institutin e fizikës bërthamore në Tiranë u përcaktua mosha. Po, është e periudhës së Aleksandrit të Madh!
Dhe këtu na u ngrit mëndja!
Mburoja është e tipit maqedonas. Të gjithë ata që mendojnë se është ilire, gabohen. Gabohen sepse forma dhe ndërtimi janë krejtësisht të mburojes maqedonase te shekullit te katërt para Krishtit. Vërtet që rrathët koncentrikë i gjejmë edhe në monedha ilire, por ky huazim nuk është pasaportë për të kaluar kufijtë e kulturave. Në mes të mburojes është koka e Meduzës. Mitologjia e shpjegon në një formë shumë tërheqëse. Perseu, mbasi ja preu kokën, e futi në një thes dhe i a dhuroi Athinasë, e cila e vendosi në qendër të mburojës së saj. Dhe kudo që ta shohësh Athinanë me mburojë, gjithmonë do të dallosh kokën e Meduzës në qendër të mburojës. Me sa duket Athinaja e bëri këtë me që koka e Meduzës kishte vetinë që të kthente në gur çdo njeri që do ta shikonte. Aleksandri i Madh ishte shumë i dhënë mbas këtij miti dhe dha urdhër që të gjitha mburojat në ushtrinë e tij, të kishin në qendër të tyre kokën e Meduzës.
E me që jemi tek Medusa, po merremi pak edhe me Meduzën e mburojës tonë. Ajo është realizuar në një fletë metalike dhe kapej me pesë gozhda në bazamentin nën të. Motivet janë punuar me dalta tepër të holla dhe të vogla, 2 mm të trasha. Ja, këto dalta i kanë kaluar nëpër vrraga për të krijuar flokët në formë gjarpërijsh, vetullat, etj. Si nuk kanë përtuar! Gjuha ka qenë e ngjitur me kallaj. Sytë e bardhë janë prej guri gëlqeror në formën e cilindrave të hollë, që ngjiteshin me kushedi se çfarë në pjesën metalike. Zakonisht përdornin dyllra bimorë. Edhe Meduza erdhi copë në laborator, por në foto është mbas përfundimit të punimeve.
Fleta e sipërme e mburojes është një e vetme dhe e shtrirë me rrahje. Mirëpo një studim në laboratoret e “Strukturës së materies” në Fakultetin e shkencave natyrore na detyron të biem në mendime. Në qendër ka një brimë. Aty ajo ka pas qenë mbërthyer përkohësisht gjatë punës në negativin e formës të saj. Ky negativ duhet të ketë qenë prej materiali jo shumë të fortë. Nga mbrapa është gërvishur e gjithë skema e zbukurimit. Pastaj zbukurimi është realizuar me rrahje, duke i dhënë profilin e ullukut. Në shtatë vende metali është çarë. U gjetën shtatë arna të ngjitura me kallaj.
Dekoracioni është nga ata që gjinden rëndom në lashtësi: rrathë koncentrikë dhe themtha. Për organizimin e dekoracionit kanë pas përdorur koefiçentin tre. Ashtu punonin në lashtësi, me koefiçentë të një munuri të përzgjedhur. Po ta shikoni me kujdes do të vëreni se gjithshka është tre, ose shumëfishi. Tre rrathë koncentrikë, gjashtë grupe gjithsej, tre themtha, (themthat janë ato si gjysëm sfera), madje edhe hapja këndore në themtha dhe në rrathët kocentrikë është 120 gradë.
Pra, dekoracionet janë në reliev. Kjo do të thotë që mburoja nuk është luftarake. Ato luftaraket nuk janë me reliev, sepse do t’u ipnin më shumë mundësi shigjetave. Luftaraket ishin të lëmuara, në mënyrë që të rrëshqisnin shigjetat. Dekoracionet i pikturonin me bojë të kuqe. Dhe vërtet kërkuam, por nuk gjetëm asnjë shenjë ku mund të ishte ngulur ndonjë shigjetë.
Rezulton që mburoja të jetë ceremoniale. Ai që e ka patur këtë mburojë ka qenë një njeri i rëndësishëm në Apolloni! Dhe kjo na e fut më tepër mëndjen në labirinthet e kuriozitetit. Por këtë çështje do ta shtjellojmë në fund.
Dy kanë qenë format e mburojeve maqedonase në atë kohë: me buzë dhe pa buzë. Kjo e jona është pa buzë. Gjatë marshimit ato me buzë vareshin në sup, këto të tjerat kishin nga mbrapa rrypin me lëkurë ku futej krahu dhe një spango paksa të lëvizëshme që kapej në grusht, e tërhiqej për ta tendosur. Spangoja kalonte nëpër tetë udhëzues, katër prej të cilëve në rastin tonë kanë në palmeta tipin e zbukurimeve më të arrira në atë shekull. Njëra u gjet e thyer dhe me mungesa. Nuk u gjet edhe njëri nga të katërt udhëzuesit e tjerë në formë rrethi. Kishte rënë kushedi se kur dhe ishte zëvendësuar me një të një lloji tjetër, por jo të panjohur në ato kohëra. Kuptohet se një mburojë nuk mund ta bënte një njeri i vetëm, sepse duheshin disa mjeshtëri. Ato prodhoheshin në punishte të specializuara dhe kjo është edhe një nga arsyet përse elementë të ndryshëm janë të njësuar.
Pjesa më e qëndrueshme e mburojës ishte ajo e brendëshmja, prej druri, ku montoheshin të gjithë elementët e tjerë përbërës të saj. Nuk e gjetëm, ishte zhdukur gjatë kohës së qëdrimit në tokë. Me këtë pjesë fillonte puna. Në anën e prapme ngjitej lëkura me materialin e zi bituminoz. Pastaj mbërtheheshin me gozhda elementët udhëzues për spangon dhe rrypi prej lëkure ku futej krahu. Në qendër ka patur gjithmonë një kuti prej argjendi, në të cilën futej ndonjë lutje për luftëtarin. Pra, ishte si punë hajmalie. Kjo pjesë nuk është gjetur, veçse në fletën prej metali duken gjurmat e ngjitjes me kallaj të një kutije katrore me brinjë rreth 5 cm.
Pastaj i vinte rradha montimit të fletës së sipërme. Edhe ajo pozicionohej me ndihmën e masës bituminoze, që luante edhe rolin e mbushësit për ulluqet e dekoracioneve, që ata të mos shtypeshin. Kjo fletë mbërthehej anash me 98 gozhda prej bakri, të gjitha të përthyera në të njëjtin drejtim. Së fundmi buza e mburojes qarkohej me një fashetë bronzi në formën e germës U, që e lidhte përfundimisht.
Tani, mbasi e përshkruam, po themi edhe disa pak fjalë për punën që mori vite të tëra, e që u shtri në periudhën kohore nga 1983, e deri në 2011, por jo pa ndërprerje. Realisht mori pak më tepër se njëzet!
Restaurimi i saj ishte një shartim i idesë dhe faktit. Edhe e kundërta: fakti drejt idesë. Është e vështirë t’i ndash. Për njëzet vjet ata kryqëzoheshin me njëri tjetrin në një rrjetë imagjinatash. Idetë qëndrojnë në ajër. Vite të tëra imazhi i saj qëndronte përpara syve, në hapësirë, në një lëvizje të papërcaktuar. Luhatje në mendime dhe imazhe! Dhe këto duhej të thëthiteshin nga rrëmuja e materialit, ose materiali të gjente vend në ide dhe imazh. Ka qenë e vështirë, tepër e vështirë! Kushedi se sa herë kjo lojë e papërcaktuar u përzie edhe me mjekun e urgjencës nga rritja e tensionit… Ndoshta, pa shumë filozofi, mund të thomi se me kohë u formua një si forcë centripetale që bashkoi imagjinatën me faktin. Aty filloi edhe puna konkrete, që zgjati aq shumë.
Gjithshka u pastrua nga papasteritë dhe mineralet e korrozionit deri në atë siperfaqe ku këto produkte korrozioni formonin atë që quhet patinë fisnike, një shtresë minerale sa më pranë asaj origjinale. Është si të thuash një harmoni midis ruajtjes dhe prishjes, midis asaj që ka mbetur dhe tendencës së transformimit natyror drejt niveleve më të ulta energjitike. Sot, të gjithë muzeumet e botës e kanë kthyer në postulatë këtë ekuilibër të brishtë. Ai nuk mund të mbahet vetë, do ta detyrosh. Do ta detyrosh nëpërmjet të reaksioneve kimike dhe pasivizimit të transformimeve. Nuk është e lehtë, jo vetëm nga rrethanat që krijohen si rrjedhojë e “plakjes” në tokë. Kimikatet që përdoren për këtë punë janë helme dhe njëkohësisht kancerogjenë. Do mendosh jo vetëm për objektin, por edhe për kokën. Të tilla ndërhyrje janë bërë në këtë mburojë. Vitet e kaluara gjatë qëndrimit në laborator dhe fakti që nuk u çfaq asnjë problem qëndrueshmërie vërtetuan se qëllimi ishte arritur. Mirëpo çështja nuk mbyllet me kaq. Do të duhet të mendosh edhe për personelin e muzeumit që do ta marri nëpër duar dhe për vizitorët. Edhe këto janë marrë parasysh. Qëndron më ndryshe puna e pasivizimit të disa reaksioneve kimike. Transformimet në tokë janë të tilla që krijojnë disa lloje mineralesh të qëndrueshëm në vetvete, por që kthehen në pluhur kur lagështia në mjedis është e lartë. Kësaj pune nuk ka se çfarë t’i bëjë laboratori, ajo krijohet në vitrinë, apo në sallat e muzeut nëpërmjet të ushqyerjes me ajër të kondicionuar, me kondicionerë jo nga ata që përdoren nëpër shtëpi, por profesionalë. Por puna është se muzeumet e Shqipërisën janë të pa paisur me teknologjinë e përshtatshme, kështu që rreziku i riprishjes mbetet “mbas derës”.
Më kujtohet se ka qenë tepër e vështirë, por jo problematike, lëvizja në bllok e fragmenteve deri në thërrime, sa nga një suport në një tjetër, pa ndryshuar asgjë nga pzicioni i gjetjes fillestare, përmbysja, organizimi i të tërës, pozicionimi, imprenjimi me lëndë forcuese.
U ndërtua një bazament sektori sferik, (po i bie shkurt, sepse ai ishte mjaft i komplikuar), mbi të cilin u “transferua me rregull” e gjithë moria e çrregullsisë së fargmenteve. Aty, për vite të tëra mburoja u formua në pozitivin e saj, që ka formën e saçit. Pastaj erdhi momenti më emocional, kur u shkëput me ngritje nga bazamenti. Mrekulli! E plotë, pa asnjë dëmtim! Që njëzetë e ca vjet më parë ishte parashikuar ky çast kaq delikat! Kishim dëshirë që në vend të drurit të munguar të formonim një strukturë të njëjtë në formë, por që të ishte e tejdukshme, në mënyrë që të ipte një strukturë hapsinore, ku të dallohej qartë ajo çfarë kishte mbetur dhe mënyra se si ishte ndërtuar mburoja. Por sado që kërkuam nëpër Evropë një material të tillë plastik, fillimisht të lëngshëm, e që pastaj të ngurtësohej, nuk e gjetëm dot. Kështu që u detyruam të përdornim rezinë poliester, në të cilën u trupëzuan shtresa prej tekstili xhami. Në këtë moment futa në masën akoma të pa forcuar të materialit plastik një pllakë prej bakri, në të cilën kam shkruar me gërvishje me dorën time një mesazh për restauruesit e vitit 2311, si dhe një foto. Mora të gjitha masat që ato të qëndrojnë të paprishura gjatë tre shekujve të ardhshëm. Kështu, pllaka prej bakri është amalgamuar me zhivë dhe pastaj është veshur me një shtresë argjendi dhe mbi të një shtresë ari. Që të mos lidhet me rrëshirën sintetike e dyllosa me dyll mikrokristalin në të nxehtë. Edhe fotoja gjithashtu. Gjatë punës u mendua edhe për ndonjë ndërhyrje të papritur. Për këtë arsye të gjithë elementët e mburojës nuk u lidhën pazgjidhshmërisht me rrëshirën: ata mund të smontohen lehtësisht.
Më në fund u bë edhe integrimi në ngjyrë i masës plastike, e cila e lënë në një nivel paksa më të ulët dallon realen nga e shtuara. Mbetej edhe tre ditë punë, gjthsej edhe tre ditë nga njëzet e ca vjet! Do të përurohej Muzeu i Apollonisë. U thashë të gjithë atyre që merreshin me përgatitjet që të mos e merrnin mburojën: ajo le të ekspozohej më vonë. Një ditë të shtunë e morën fshehurazi dhe e çuan në Apolloni, ku qëndron e ekspozuar si saç televizori në një vitrinë krejtësisht të papërshtatshme dhe jashtë projektit konservues, të llogaritur që në fillim.
Më kot kërkova nga Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve që ta kthente disa ditë në Tiranë mburojën, aq sa për të mbyllur punimet. Ndërsa ministria pyeste ata që nuk kanë punuar kurrë me të në se kanë përfunduar apo jo punimet! Sidoqoftë mburoja i bëri ndonja dy xhiro andej nga Italia dhe Kosova…
Kam patur rastin që të prezantoj punën në vazhdim e sipër në aktivitet të ndryshme, sidomos në ato të organizuara nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Kurioziteti në sallë ka vazhduar me biseda edhe më vonë në “coffee break”. E gjithë vëmendja përqëndrohej në kapërcimin e problemeve pa fund. E kuptoja se ishte më tepër nga një shkollë. Gjithashtu ka patur raste kur këtë mburojë e kanë vizituar në punë e sipër studiues në rang botëror nga shtete të ndryshme të Evropës. Mbas shpjegimit kam ndëgjuar pak fjalë: “Puuu! Frederik, kjo është çmenduri!” Ndërsa ndonjë nga kolegët e punës: “E mor, sikur çfarë ke bërë! Shumë e ke zgjatur!”
Mirë, tani le të kthehemi tek dy pyetjet më kurioze: kush ka qenë mbajtësi i saj dhe në se mund të lidhet me Aleksandrin e Madh.
Dihet që Aleksandri i Madh thërriste në fushatat luftarake të gjithë shtetasit e vet. Në këtë rast edhe apolloniatët. Që poseduesi i kësaj mburoje ka qenë në fushatat e Aleksandrit zorr se mund të kundërshtohet. Armatimi i gjetur në varr, sidomos i shpatës jep edhe më shumë argumente bindëse. Këllëfi i shpatës kishte elementë kockorë tipikë të Lindjes. Por ka edhe dëshmi të tjera. Fatkeqësisht shumë objekte të këtij varri u vodhën në vitin 1992 dhe sot nuk i “thërrasim” dot në diskutim. (Shpesh herë kam menduar me keqardhje se pse nuk i mora në laborator të gjithë ato objekte që përbënin inventarin e varrit). Do të thoni se nga Lindja mund t’i ketë sjellë dhe tregëtia? Po, por është e vështirë të grumbullohen në një varr të gjithë ato lloj armësh që përbënin arsenalin e luftëtarit të asaj kohe dhe që mund të kenë preiardhje nga tokat përtej kufijve të Maqedonisë së atëhershme. Vite më parë, kur ndodhesha për një specializim në Muzeun numizmatik të Athinës, drejtori i atij muzeu, që ishte veçanërisht i interesuar për objektet metalike që u gjetën nga ushtarët dhe zboristët në atë varrin e pasur pranë Bellshit, më tregoi disa botime të ilustruar me foto, ku pashë forma krejtësisht të njëjta me ato të objekteve të Bellshit, që i pata restauruar dikur. Ai më shpjegoi se enët metalike që shihja në foto ishin nga Lindja dhe se Aleksandri i Madh i lejonte ushtarët e tij që të përvetësonin të gjithë plaçkën e gjetur në qytetet e pushtuara dhe kur nuk kishte aq plaçkë për të grabitur, ai u ipte si shpërblim ushtarëve materiale nga thesari i tij.
Armatimi i gjetur në varrin “e mburojës” është armatimi bazë, por gjithsesi jo i plotë i ushtarit të falangave. Kallçitë përshembull mungojnë. Pse? Nuk e thomi dot. Pra i varrosuri nuk ka qenë hoplit, por falangist. Me falangat e Aleksandrit të Madh duhet të ketë luftuar ai! Fantazinë dhe gjykimin na e shtyn më tej mburoja. Ajo, siç edhe e thamë më lart, është ceremoniale dhe jo luftarake. A mund ta konsiderojmë në mënyrë figurative si gradë, apo shpërblim? Pra ky ka qenë një njeri i rëndësishëm, ndoshta një prijës që ka komanduar ushtarët apolloniatë. Në mbyllje po thomi se ishte edhe i pasur. Veç të tjerave këtë e dëshmojnë sandalet metalike, që mund t’i mbanin vetëm të pasurit. Lëre pastaj objektet e tjerë aq të rrallë dhe cilësorë!
Akoma edhe diçka: a u varros thjeshtë dhe pa lënë asnjë shenjë përkujtimore, përshmembull një stelë? Këtë nuk e dimë, por në fund të murit të dhomës së vogël anësore të kishës së Apollonisë, pikërisht mbi themel, shihet një bllok i madh prej guri, në të cilin është gdhendur një mburojë e tipit pa buzë, një përkrenare dhe një shpatë. Të treja këto janë prishur më vonë, duke u goditur me daltë. Në muret e kishës dhe të manastirit dallohen dhjetra gurë me motive të marrë në rrënojat e Apollonisë. Guri me mburojën e gdhendur në të, në mos qoftë stela e varrit të “prijësit” tonë, na bën zë që në të ardhmen të zbulohet në Apolloni edhe një e dytë!
# # #
Ky është objekti më i vështirë që është restauruar, apo më mirë, konservuar, ndonjëherë në Shqipëri. Një punë e shtrirë në më shumë se njëzet vjet! Më tepër se dhjetë milionë lekë, në se do të bazoheshim në koston e së sotmes! A ja vlejti e gjitha kjo? Mburojen sot e ka jo vetëm Shqipërija, por e gjithë bota! Po mua, çfarë më mbeti nga i gjithë ky stërmundim? Mua? Asgjë!