Ka ndërruar jetë Justin Raja, i biri i Anton dhe Gloria RAJA/
Një lajm tragjik ka mbërritur në redaksinë e Gazetës DIELLI.Justin Raja, i biri i Anton dhe Gloria Raja, ka ndërruar jetë në Greqi. Familja Raja udhëtoi për një gazmend familjar në Greqi. Të enjten ajo kishte mbërritur nga SHBA në Shtetin Grek. Këtë të Dielë, ishte e planifikuar një ceremoni martese për vajzën e familjes Raja, e cila është e fejuar me një amerikano-grek. Së bashku me familjen ka udhëtuar edhe Justin, i cili ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur, duke pikëlluar prindërit Anton e Gloria, bashkëshorten Laura, vellane, Mathew, motrën Dana dhe të gjithë familjen Raja, fisin dhe miqtë.
Federata VATRA dhe Gazeta Dielli i shprehin ngushëllimet më të thella Familjes RAJA!(Dielli)
Pensionet e emigrantëve shqiptarë në Itali: cila është e ardhmja?
Në një nga sallat e komunës së Romës, u mbajt një takim me temën “Punëtorët shqiptarë në Itali, ç’lloj sigurimesh shoqërore për të ardhmen”. I promovuar nga disa shoqata emigrantësh shqiptarë, nga mediat italo-shqiptare dhe nga ambasada e Shqipërisë në Romë, në takim u diskutua çështja e pensioneve për ata emigrantë, që kanë vite pune në Shqipëri, të cilat, sipas ligjit aktual nuk u shtohen viteve të punës në Itali, pra nuk llogariten për pension.
Kujtojmë se në Itali jetonë mëse 500 mijë emigrantë shqiptarë, nga të cilët rreth 250 mijë janë në marrëdhënie të rregullta pune, pra, paguajnë kontributet për pension. Por shpesh, ata nuk e plotësojnë minimunim e 20 vjetëve për të marrë pensionin e pleqërisë në Itali, pavarësisht se numri efektiv i viteve të punës, duke llogaritur ata të Shqipërisë, mund të arrijë edhe 40. Kjo sjell probleme jo vetëm për punëtorin, por për të gjithë familjen e tij, përveç faktit se kemi të bëjmë me mungesën e një të drejte, e cila do të njihet automatikisht pas integrimit të plotë në Bashkimin Evropian. Por ç’mund të bëhet më parë? A s’është e mundur të arrihet një marrëveshje dypalëshe me Italinë? E ndërsa në Vatikan vijon Sinodi për Familjen, na u duk se ky argument, specifik për familjet shqiptare të emigruara, mund të jetë interesant për opinionin publik. Prandaj, ia drejtuam mikrofonin, njërës nga relatorët, ekonomistes Shqiponja Dosti, e cila përshkruan gjendjen aktuale.
Rando Devole, studiues shqiptar, sekretar kombëtar i FAI CISL, një nga sindikatat e mëdha italiane, thekson nevojën e marrëveshjes për pensionin e emigrantëve shqiptarë.(Per me shume degjoni intervisten ne Radio Vatikani)
KRYEMINISTRI RAMA NE BEOGRAD- JO DUARTHATE PER LUGINEN E PRESHEVES
Keshilla per axhenden e Kryeministrit shqiptar ne Beograd:Lule te permendorja e Tucoviqit; vizite ne kishen Orthodokse te Shen Saves; Vizitë xhamisë në Beograd,Kërkesa për njohje të pavarësisë së Kosovës, Jo duarthate per presheven etj…etj…/
Nga Nexhmedin SPAHIU- Analist/
Vizita e pritur e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd do të ndodhë pas afro 7 dekadash. Pikërisht për këtë edhe ka rëndësi historike dhe simbolika luan rrol të madh.
Edi Rama nuk duhet ta përsërisë gabimin e Ilir Metës, i cili kur shkoi në Beograd si ministër i jashtëm vuri kurorë lulesh mbi varrin e ish-kryeministrit Zoran Gjingjiq. Gjingjiqi vërtetë ishte njëri ndër kryeministrat më të zotë e më pro-perëndimor në historinë e Serbisë, por ai njihet si politikani serb që deshi ta ndante Kosovën mbi baza etnike dhe respekti për Gjingjiqin, simbolizonte pajtimin e Shqipërisë që Kosova të ndahet në baza etnike mes Shqipërisë e Serbisë. Është e sigurt që Ilir Meta nuk do ta ketë menduar kështu aspak këtë punë, por çështja është si e panë gjestin e tij opinioni publik në Beograd.
Kurorë lulesh tek pëmendorja e Dimitrije Tucoviqit
Edi Rama duhet të vëjë kurorë tek përmendorja e Dimitrije Tucoviqit (1881-1914) në qendër të Beogradit. Dhe ai duhet ta thotë arsyen përse. Tucoviqi ishte politikani i parë serb që kundërshtoi ushtrinë serbe për pushtimin e tokave shqiptare dhe përshkroi masakrat ndaj shqiptarëve. Kur pas luftës së fundit në Kosovë (1999), emrat e rrugëve dhe shesheve të Prishtinës u zëvendësuan me emra shqiptarë, edhe pse dominonte frymë ekstremisht nacionaliste, autoritetet lokale të Prishtinës e panë të udhës që emrin e Dimitrije Tucoviqit edhe më tutje ta bartë një rrugë e Prishtinës. Fatkeqësisht, në Tiranë nuk ka një rrugë më emër të tillë. Do t’ishte mirë të kishte. Do të shprehte kulturë e respekt për autorin e veprës monumentale “Serbia e Shqipëria”.
Ceremoni fetare në Kishën e Shën Savës në Beograd
Edi Rama do të duhej të vizitonte Kishën e Shën Savës në Beograd dhe të bënte kryqin sipas ritualit ortodoks. Kjo do të kishte jehonë tejet pozitive në opinionin serb dhe do të tregonte kulturë e respekt që do të shkrinte shumë paragjykime.
Paraprakisht Edi duhet ta praktikojë këtë në Kishën Ortodokse në Tiranë që, si fëmijë i komunizmit ateist, të mos bëjë ndonjë gafë gjatë ritualit dhe kësisoj të arrijë kundërefekt. Këtë ceremoni duhet ta zhvillojë jo për hir të bindjeve të tij fetare (sepse Edi ka të drejtë të jetë edhe ateist, tek e fundit është e drejtë personale e secilit), por pse si kryeministër i Shqipërisë përfaqëson edhe një komunitet të madh të krishteresh ortodoksë.
Vizitë xhamisë në Beograd
Edi Rama do të bënte mirë ta vizitonte edhe xhaminë e Beogradit, për të treguar se si kryeministër i Shqipërisë përfaqëson një komb myslimano-kristian. Natyrisht, në xhami nuk ka nevojë të kryej ceremoni fetare, sepse do t’ishte qesharake që një kryeministër të bëjë edhe kryq edhe namaz. Thjesht, Edi Rama në Beograd duhet të tregohet si një i krishterë, por që qeverisë me një komb që është myslimano-kristian.
Me këtë ai do të tregonte superioritet duke qenë se serbët janë një komb ekskluziv mono-fetar (ortodoks) përballë kombit shqiptar si komb multi-fetar.
Takim me artistë, por jo nga ata të kohës kur Shqipëria ishte inferiore e Serbia (Jugosllavia) superiore
Edi Rama bënë mirë të takohet me artistë serbë, pasi edhe vet është artist, por bënë mirë t’u shmanget takimeve me artistë serbë që krijuan famë në kohën kur Shqipëria ishte e izoluar. Pra, Edi bënë mirë t’i shmanget takimeve me Goran Bregoviqin, Emir Kusturicën, Zdravko Qoliqin etj, për asgjë tjetër përveç se për arsyen se takimet me këto personalitete të artit e kultures serbe përkujtojnë kohën kur Shqipëria ishte inferiore karshi Serbisë (Jugosllavisë). Mund të takohet me artistë që kanë bërë emër viteve të fundit, kohë kjo që nuk ngjallë kujtime të kohës së kaluar kur Shqipëria ishte inferiore karshi superioritetit të Serbisë (Jugosllavisë).
Intesifikimi i marrëdhënieve ekonomike, autostrada Durrës-Nish
Pasi të ketë treguar superitet kulturor përmes simbolikës që përmenda më lartë (kurora lulesh te permendorja e Tucoviqit, kryqimi në kishë, vizita në xhami), pozicioni i tij do të jetë krejtsisht solid. Atëherë ka mundësinë të flasë i relaksuar për marrëdheniet ekonomike që duhen intensifikuar, ku theksi duhet vënë në ndërtimin e autostradës prej Nishi deri te kufiri me Kosovën, ku serish ka rastin të tregoj superioritet pasi që pjesa shqiptare dhe ajo kosovare e autostradës tashmë kanë përfunduar.
Jo duar thatë, për shqiptarët e Luginës së Preshevës
Kryeministrit shqiptar nuk i ka hije të shkojë duarthatë tek komuniteti shqiptar që qeveriset nga shteti serb. Do t’ishte mirë që në emër të qeverisë shqiptare të bënte ndonjë donacion për ndonjë shkollë, çerdhe të fëmijëve, shtëpi kulture apo çfaredo qoftë që të ketë nevojë në Luginë të Preshevës.
Kërkesa për njohje të pavarësisë së Kosovës
Pika mbi shkronjën “i” vëhet në fund me kërkesën ndaj qeverisë serbe që ta njeh sa më parë pavarësinë e Kosovës, duke theksuar këtu se Qeveria e Shqipërisë mbështet plotësisht dialogun Prishtinë-Beograd.
Gjatë deklaratave publike e jo publike duhet të shmagen lajkat, por edhe tonet e ashpra, si kundërpergjigjie e toneve nga pala serbe.
Kombi shqiptar si fitues i konfliktit 140 vjeçar
Pozicionimi i kryeministrit shqiptar gjatë gjithë qëndrimit në Beogradi duhet të jetë i tillë që të dëshmojë se kombi shqiptar dhe ai serb ishin në konflikt 140 vjeçar, por ky konflikt ka përfunduar me fitoren e kombit shqiptar dhe aleatëve të tij, dhe si komb fitimtar nuk sillet me arrogancë e përçmim, po sillet me urtësi e respekt për humbësin. Natyrisht, punën e fituesit e të humbësit nuk duhet ta thotë shprehimisht, por veprimet e tij në Beograd duhet ta manifestojnë këtë.
Ligji i lustracionit në Ukrainë
Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko nënshkroi të enjten një legjislacion që Kievi thotë se mund të bëjë që qindra e mijëra nëpunës civilë të humbasin vendet e punës, nëse gjendet se kanë patur lidhje me qeveritë e kaluara sovjetike apo pro-ruse.
I ashtuquajturi “ligji i lustracionit” synon të heq çdo nëpunës civil i cili ka mbajtur një pozicion federal apo rajonal në qeveri për më shumë se një vit nën ish presidentin pro-rus Viktor Janukoviç.
Një legjislacion tjetër i planifikuar për miratim javën e ardhshme do të detyrojë zyrtarët e gjyqësorit dhe të zbatimit të ligjit të deklarojnë pasuritë e tyre financiare dhe pronat e tjera, si dhe ato të familjeve të tyre.
Ky legjislacion gjithashtu do të krijojë një njësi anti-korrupsion e cila do të hetojë rastet në të cilat mënyra e jetesës së zyrtarëve i tejkalon të ardhurat e deklaruara nga familjet tyre.
Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Ukraina ka krijuar një reputacion global për korrupsion në të pothuajse të gjitha nivelet e qeverisë dhe në jetën publike.
Gazetarët, mediet dhe koha në të cilën po jetojmë
Nga Albert Z. ZHOLI/
Gazetarinë të bukur e bëjnë gazetarët e mirë dhe të zotë- apo të vështirë, ata që ngecin në këtë profesion pa e dashur atë. Ndaj edhe gazetarët që kërkohen, që kujtohen, që merren si pika referimi për kohët, janë pak, shumë pak, por mëse të mjaftueshëm për të krijuar idenë se kur e do një profesion e bën atë të lexueshëm, të shikueshëm dhe tërheq vëmendjen e shoqërisë dhe politikës ndaj tij.
“Ai që nuk lexon kurrë gazeta, është i marrë, por ai që beson çdo gjë që lexon, vetëm se thuhet në gazetë, është edhe më i marrë”, është shprehur para dy shekujsh August fon Shlëcer, historian dhe gazetar gjerman në fundin e shekullit të 18-të, kur ende televizioni nuk ishte shfaqur si ide.
Parë në këndvështrimin e kësaj sentence, del qartë se gazetaria është sa profesion i vështirë po aq i bukur. Është i vështirë sepse duhet ta bësh lajmin në kohë dhe të besueshëm që gazeta të blihet (ndërsa sot televizioni të shikohet), është e bukur sepse nëpërmjet lajmit apo komentit, njerëzve u serviret në duar ushqimi i përditshëm shpirtëror për të ruajtur ekuilibrat e dy marrëzive, atë që njeriut të mos i shkojë ndërmend të lexojë (nqs lajmi është i pa bazë), por edhe atë që jo çdo gjë që lexon ta fusë brenda vetvetes me seriozitetin më të madh.
Shërbimi mediatik është një mjet për të transmetuar jetën e secilit, bashkësisë dhe një globi të tërë, me ngjarjet më pikante, ndaj dhe rëndësia e tij është më shumë se forca e perëndisë.
Dikush mund t’i ketë zili gazetarët
Leximi i emrit në gazetë është disi tundues për lexuesin e thjeshtë, por edhe atë me përvojë (kualifikuar). Lexuesi mendon se një gazetar mund të ndihet disi krenar për veten, ngaqë emri i tij del në gazetë, apo shfaqet në ekran. Por në gazetë apo ekran nuk dalin zhgënjimet, rivaliteti, xhelozitë, fyerjet, poshtërimet, ankthet, montazhet, efektet, zërat, përplasjet që i ndodhin çdo gazetari në profesionin e tij. Gazeta apo ekrani është dukja e një fabrike të madhe e cila punon “nëndheshëm” por me mendjen më të civilizuar dhe me pjekurinë maksimale, se ndryshe, jo vetëm nuk do duket puna e gazetarit, por do mbytet edhe ai vet nën trysninë e shikuesit apo lexuesit që zakonisht di të çmojë dhe të vlerësojë.
… Një gazetare në Poloni ka përmendur një vështirësi tjetër: “Nuk e dimë kur do të pushojmë dhe kur do të punojmë”. Ndonjëherë kjo ndikon për keq në jetën private dhe ritmi i shpejtë i punës mund të na krijojë probleme në jetën familjare. Një gazetar në ish-Bashkimin Sovjetik nxori në pah atë që mund të quhet zhgënjimi më i madh: “u lodha shumë dhe, si përfundim, ( materiali) nuk u botua”. Një gazetare sportive në një gazetë të Hollandës është shprehur: “Shpesh më kanë quajtur injorante. Disa lexues zemërohen ose mërziten, e ngaqë ndonjëherë në sport emocionet dalin jashtë kontrollit, disa janë përpjekur të më vrasin.”
Dhe raste të tilla ka të shumta në Shqipëri. Jo pak kolegëve tanë u është vënë jeta në rrezik. Atëherë, çfarë i shtyn gazetarët të vazhdojnë “rrugën e mundimshme drejt njohjes?” Disa e shohin gazetën si mjet jetese, mënyrën e vetme ose profesionin e vetëm që mund të mbijetojnë, ku marrin një pagë, por nuk është kështu për të gjithë. Po kaq e kanë pasion këtë profesion dhe nuk mund ta kuptojnë jetën pa të. Në mbarë botën është folur për pasionin e shumë gazetarëve të cilët kurrsesi nuk mund ta braktisin profesionin e vështirë edhe kur jeta e tyre është vendosur në fije të perit, ashtu sikundër ka gazetarë, që nuk mund ti përshtaten punës në kompjuter, duke lënë mënjanë tastierën e zhurmshme të makinës së shkrimit, që i ngacmon në punën e përditshme. Një gazetare meksikane ka thënë: “Të paktën u jap njerëzve diçka që ia vlen ta marrin vesh”.
Në Japoni, një redaktor i vjetër i gazetës së përditshme më të madhe në botë komenton: “Kënaqem kur mendoj se i kam ndihmuar njerëzit dhe kur drejtësia vihet në vend. Sigurisht që gazetat nuk janë vetëm fryt i punës së gazetarëve. Në varësi të madhësisë dhe të organizimit të shtëpisë botuese, mund të ketë redaktorë përgjegjës, korrektorë bocash, kontrollorë për verifikimin e fakteve, arkivistë e shumë të tjerë që punojnë pa u lodhur, edhe pse emri i tyre nuk del në gazetë. E gjithë kjo bëhet që gazeta të arrijë deri tek lexuesi”.
Besimi tek gazetaria
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një anketë të zhvilluar në vitin 2005, shumica e njerëzve treguan se ende u besojnë gazetave apo lajmeve televizive. Por nga ana tjetër një anketë e organizuar nga Qëndra Kërkimore “Pju” tregoi se përqindja e lexuesve ka rënë. Oshilacionet e tregut të shtypit ndoshta kanë të bëjnë me arsyen e të dyshuarit në vërtetësinë e asaj që thuhet në gazete apo televizion, sidomos kur tema e trajtuar prek interesat kombëtare të vendit. Ç’ndodh në një rast si ky? Shpesh sakrifikohet e vërteta. Siç tha dikur edhe Artur Ponsonbi, një burrë shteti anglez i shekullit të 20-të: “Kur shpallet luftë, viktima e parë është e vërteta. Edhe kur nuk shpallet ndonjë luftë, mirë është t’i shohësh lajmet me një sy deri diku dyshues duke ju përmbajtur një proverbi në raportet gazetar –lexues ku thuhet se “ Kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij”.
Reklama negative shumë herë e oprimon dëshirën e tyre për të nxjerrë në shesh të vërtetën për shkak të reklamës negative që kanë deri diku mediat shqiptare. Fakti që pjesa më e madhe e mediave shqiptare janë media të varura ekonomikisht nga interesa biznesi që janë të lidhur ngushtë me politikën që e ushqejnë këtë lloj biznesi, bëjnë që të shtohen gjithnjë e më tepër hendeqet që e ndajnë interesat e politikës nga interesat e njeriut të thjeshtë. Lidhja e politikës me biznesin, varësia e tij nga politika dhe interesat partiake humbin mosbesimin e njerëzve, por njëkohësisht ndikojnë negativisht dhe në korpusin kryesor të dobisë së medias që është kërkimi i së vërtetës. Kur flasim për shtresa të varfra, shtresa problematike, gjithnjë e më shumë i afrohemi themelit të së vërtetës.
Shtresa të tilla të braktisura nga fati janë ato njerëz që në mënyrë urgjente shfaqin problematikën e një vendi. Sepse politikat sociale, mbrojtja që ushtrohet ndaj tyre dhe përkujdesja, janë faktorët bazë që tregojnë cilësinë e një shoqërie dhe të menaxhimit të një shteti apo qeverie. Ajo që mund të quhet ura lidhëse ose një lloj ishulli magjik ku njerëzit e kësaj shtrese dëshirojnë të gjejnë limanin e tyre të së vërtetës është një media e lirë dhe e pavarur që të ndihmojë gjetjen e kësaj të vërtete dhe ta vërtetojë atë në bazat e krijimit të saj. Media ka gjithnjë rolin e një gjykate, një gjykate të ashpër ku duhet të sundojë e drejta njerëzore dhe barazia. Duke qenë se gazetarët janë pararojë e shtresës intelektuale dhe pa dyshim një pjesë e madhe e tyre quhen akoma ëndërrimtarë, pa dyshim që është detyra e tyre të krijojnë këtë urë lidhëse.
Parimet e gazetarisë
Që të gjithë ata që kanë preferuar mes profesioneve të tjera gazetarinë, duhet ta dinë që ky profesion ka parimet e tij, kodin kryesor të gazetarisë: – e vërteta. Suksesi i gazetarisë dhe i gazetarit që e përcjell apo punon me lajmin është të zbulojë lajmin dhe ta përcjellë atë në kohë reale, duke ruajtur kodin e etikës, duke qenë sa më korrekt me shikueshmërinë e lajmit, pa mbajtur njëanshmëri dhe pa i dhënë ngjyrimet e dallimit apo konceptit. Përcjellja e lajmit duhet ti përshtatet sa më shumë ndodhisë së vërtetë dhe mbi të gjitha sa më shumë ti shërbejë kombit. E pra ky është qëllimi i mirëfilltë i gazetarisë.
Po si është realiteti i medieve shqiptare?
Një zallamahi e vërtetë e operatorëve të lajmit. Gazetarë që kalojnë nga një televizion tek tjetri, nga një gazetë tek tjetra, nga një bindje politike tek tjetra. Analistë që gdhijnë tek një kanal televiziv dhe ngrysen tek një tjetër. Pa patur pikën e qëndrueshmërisë luhatjet e tyre për mendimet dhe problemet e politikës të krijojnë ndjenjën e përvjeljes. Figura të njohura të analizës politike, që prej kohësh godisnin padrejtësinë dhe ishin bërë shembujt e mendimit potencial bëhen papritur e pa kujtuar benjaminë të politikbërësve dhe politikave në fuqi. Menjëherë sa vijnë në pushtet ndërrohet pllaka, dhe dikur “armiqtë e shigjetuar” kthehen në idhuj, veprimet e tyre vishen me hiperfuqi dhe skandalet e politikës lehtësohen, thjesht për faktin se media ka interesa të caktuara politike të varura nga ndikimet e pushtetit.
Mënyra se si e dredh politika median shqiptare tashmë nuk është më një quiz i vështirë. Të gjithë e kuptojnë moralin e opinioneve, tryezave dhe takimeve të politikanëve dhe të analistëve shqiptarë. Në tryezat e opinioneve në televizionet kombëtare ose gjoja të pavarura, shihet se numri i analistëve është krejtësisht i kufizuar, si të thuash drejtuesi kavardiset me miqtë e tij të idealit, pra me të gjithë ata që e kanë dredhur bishtin “and company” sa herë ka ardhur në fuqi njëra apo tjetra parti. Janë kjo kastë “dredhaxhinjsh” që emigrojnë nga një potencë mediatike në tjetrën duke u shpërblyer me shuma marramendëse, duke u paguar sa 20 shqiptarë të zakonshëm për të propaganduar dhe servirur sillën e pushtetit në fuqi. Ato përbëjnë pjesën më të dukshme të operatorëve të mendimit shqiptar, sepse të gjithë e dinë tashmë që media është një mjet për ti bërë presion politikës, por që në fakt nga shqiptarët kuptohet si konformitet interesash të pista. Të gjithë njerëzit jashtë historisë mediatike, që besojnë tek televizioni, tek vlerat dhe fuqia e magjisë së shtatë, pa dyshim nuk i njohin në disa raste trillet dhe gjirizet gazetareske (që nuk duhet të ndodhin).
Qëllimi i medieve
Media është një shembull për të tjerët, qëllimi i saj është propagandimi i kulturës, i etikës, i gjuhës së bukur, i mendimit të lirë dhe të edukuar, i mendimit të papërlyer me interesin. Gazetaria, si çdo fushe tjetër ka përkryerjen e saj tek e vërteta e përjetshme. Ndërkohë që realiteti është kryekëput ndryshe. Disa analistët kanë formuar ciklet e tyre të mbyllura, ku nuk ka mendim të freskët, analizat kanë nisur të myken brenda standardeve të njohura pa njohur reformime. Analistët që njohin njëri tjetrin shfaqen në të gjitha fushat, në të gjitha televizionet duke dhënë mendime për të gjitha problemet, që nga lakrat, tek decentralizimi, që nga përrallat me mbret tek alergjia e stinës së pranverës, duke e shfaqur veten të kudondodhur dhe të shumëditur, sikur të jenë specialistë për gjithçka.
Por a ndodh gjithnjë kështu? Jo! Shumë gazetarë nuk luajnë me profesionin, shenjtërinë e tij. Disa herë në përballjet televizive mes politikanëve, analistëve dhe njerëzve të thjeshtë që diskutojnë për problemet e tyre, janë njerëzit e thjeshtë ato që dalin liderët e vërtetë të analizës, politikës dhe gjendjes aktuale, duke i befasuar dhe vetë gazetarët që drejtojnë emisionin. Edhe pse janë viktimat e politikave dhe analizave të tradhtuara, që në fakt duhet të shërbejnë për ta vënë para përgjegjësisë dhe ndërgjegjësimit politikën, janë ato njerëzit më të mençur që meritojnë respekt për gjykimin dhe analizën më profesionale të realitetit. Këto dhe shumë të tjera ishte arsyeja pse mora penën për të bërë këtë libër. Sepse shumë figura të fonissë, apo ekranit shqiptar që kanë bërë epokë po harrohen kur ata i kanë dhënë aq shumë shikuesit si dhe një pjesë e gjeneratës së re, shihet si e shkëputur mes brezave të mëparshëm.
Idhujt e fonisë apo ekranit duhet të mbeten të tillë, me të mirat dhe të këqijat e tyre, ata kanë qenë shëmbëlltyra e vetë jetës shqiptare. Zëri i tyre na detyronte dhe na detyron të ngjitemi pas aparateve të radios, apo ekranit të vogël dhe të dëgjojmë ç’po ngjet në atdheun tonë. Këta njerëz që janë në këtë libër meritojnë shumë dhe pse në këtë Shqipëri tashmë mbushur me ngjarje ku dominon politika ata vlerësohen pak. Pak, sepse ata janë pjesë e çdo familjeje shqiptare, pjesë e gëzimeve dhe hidhërimeve tona, pjesë e përditshme e jetës sonë. Ata pa dashur e kanë ngritur piedestalin e tyre të të qënit publik, të respektuar dhe pse koha në të cilën jetojmë i bën disi të ndihen në kufijtë e heshtjes, të mos marrin vlerësimin e duhur. Por mbi të gjitha disa prej folësve, transmetuesve të ndeshjeve, apo themeluesve të radio televizionit shqiptar, mbeten (sipas mendimit të shumë specialistëve), përdoruesit, hulumtuesit më të shkëlqyer të gjuhës shqipe. Ata na kanë paraqitur idealen e një figurë morale të besueshme me pjekurinë, bukurinë e zërit, elokuencën, veshjen, qetësinë, seriozitetin, humanizmin, dinamizmin, prezencën, profesionalizmin, që sot rrallë mund ti gjesh në shumë folës apo drejtues emisionesh.
Të gjitha fjalët që shkrova më sipër për monopolin e medias, një ditë do të harrohen. Shumë shpejt, ashtu si do harrohen këto krijesa të mjera që frymojnë sipas një logjike shterpe. Ajo që do mbetet është gazetaria e vërtetë, ajo që ka mbetur deri tani, gjurmët e së cilës unë do ti përshkruaj një e nga një në këtë libër modest. Besojini këtyre njerëzve, sepse ata nuk janë krijuar nga politika, por nga profesioni.
Dhe jam i bindur që po kështu do t’i kërkoni edhe pas 10, 20, 30 vjetësh, apo më shumë, kur disa nga gazetarët të jenë edhe më pak profesionalë, edhe më pak njerëz. Që të mos humbë sharmi i këtij profesioni çdokush ka kohë të mësojë. Falënderoj gazetën “Telegraf” që nëpërmjet rubrikave të posaçme, më la hapësirat e veçanta, që të gjithë këta gazetarë që ishin ndër nismëtarët e krijimit të RTSH, të shpreheshin lirshëm dhe me sinqeritet.
Por lexuesi le ti gjejë mendimet e mia për ta, vetë jetën e tyre, apo historinë e krjimit të RTSH-së, në vetë fjalët dhe përgjigjet e tyre…