Materiali i botuar më poshtë është i përcjellur tekstualisht siç është marr nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, me Dosje 290, viti 1953, nga faqja 1-3, “ Citate nga shtypi i huaj për Shqipërinë gjatë Muajit Mars 1953./
Shkroi: Leonora Laçi /
Disa nga mediat botërore të kohës si ato Angleze, Italiane, Franceze apo dhe shtypi Jugosllav e Grek, i kanë dhënë një hapësirë të veçantë ngjarjeve në Shqipëri. Ndjekja me interesë të madh të zhvillimeve në Shqipërinë komuniste vinte për disa arsye, nga njëra anë vdekja e liderit Sovjetik Stalinit u prit me dhimbje nga Enver Hoxha qe e kishte idhull, dhe tashmë ishte vënë në pikëpyetje si do ishin raportet Shqipëri-Bashkim Sovjetik. Por dhe për një arsye mjaft të rëndësishme, sepse kishte disa kohë që nën Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë” ishin ndërmarr hapa për destabilizimin, dhe krijimin e turbullirave në Shqipërinë komunsite, ku dërgoheshin nga ajri dhe nga deti, ushtarët e lirisë që sterviteshin në Myhni të Gjermanisë nën “Kompanin 4000”. – Gazeta Engleze“ Daily Mail” datë 7 Mars 1953, në një lajm me burim nga Beogradi me titull “ Trupat Shqiptare nuk janë në levizje” shkruan: “… Njësira t’ushtrisë, Policis dhe të Partisë Komunsite në Shqipëri kanë qënë t’angazhuara kundër veprimtarisë së shtuar të guerriljeve që erdhi në vazhdim të vdekjes së Stalinit, thonë lajmet që mbërrijnë këtu…” E përjavëshmja “Sunday Times” datë 8 Mars 1953, në një lajm me burim gjithashtu nga Beogradi me titull “ Kryengritje të guerileve në Shqipëri, shkruan: “… Vdekja e Zotit Stalin, ka qënë sinjali për kryengritje gueriljesh në Shqipëri, me të voglit por me të rëndësishmit satelit, nga ana strategjike të Rusis Sovjetike n’Adriatik. Qeveria e Titos është duke ndjekur me kujdes ngjarjet në Shqipëri e cila ndahet nga pjesa e tjetër e imperatoris Sovjetike prej Jugosllavisë. Besohet e mundshme që ndonjë udhëheqës i gueriljeve ose i komunistëve pro Tito të marr fuqi në dorë dhe të kërkojë të bashkohet me bllokun e ri Jugosllav-Greko-Turk…” “… Rregjimi kukull i Gjeneral Hoxhës e mban nën kontroll këtë vend të vogël me madhësi të barabartë me Welles, vetem me përkrahjen e trupave të pajisur mirë Ruse, të cilat çmohen në 20.000 vetë. Interesi kryesor i Rusisë në Shqipëri është bregdeti i saj mbi Adriatik me bazë navale dhe strehim nëndetesesh…” -“The Times” datë 7 Mars në një lajm të korespondentit të saj në Beograd, shkruan: “… Agjensia Zyrtare Jugosllave e Lajmeve “Tanjug” duke u mbështetur në lajme t’ardhura nga Tirana, flet për veprimtari të shtuar të gueriljeve në Shqipërinë e Veriut, ku përfshihen edhe banda t’arratisurish pas lajmit të sëmundjes së Zotit Stalin. Turbullirat me të mëdha thuhet se po ndeshen në Rrethet e Shkodrës, Kukësit, Kolgecaj dhe Pukës. “The Daily Mail” datë 13 Mars 1953 botonte një lajm me burim nga Athina ku thuhet: “ Ceta partizane janë aktive kundër Kryeminstrit të Shqipërisë Komuniste Enver Hoxhës, sipas lajmeve nga Kostoria(Kosturi), një qytet i vogël Grek afër kufirit Shqiptar. Partizanët kanë hyrë në shumë katunde dhe thuhet se janë pritur në mënyrë të përzemert nga fshatarët. Pretendohet se Policia ka arrestuar prindërit e partizanëve dhe i ka torturuar ata për të nxjerr tregime…” – Gazeta Angleze“ The Daily Telegraph” datë 13 Mars 1953 në një lajm me burim nga Parisi shkruan: “… Në Shqipëri ku sipas vronjëtueseve, gjendja është aq e rënd sa që Enver Hoxha dhe rregjimi i tij lekundën nga turbullira më e vogël, duken tani shënjat e lëvizjes së disa njësive të ushtrisë shqiptare n’afërsi të kufijve Jugosllave…” – Gazeta Franceze “Le Monde” datë 17 Mars në një artikull me titull ” A thua se ka pasur një puç antikomunist në Shqipëri? –shkruan: “… Eshtë jashtëzakonisht vështirë të marrësh informata të denja për besim mbi Shqipërinë. Asnjë agjenci perendimore e shtypit nuk ka korespondent në Tiranë, ku të dy diplomatët “borgjez” Ministrat e Francës dhe Italisë, jetojnë pak a shumë t’izoluar nga bota e jashtme dhe pa asnjë kontakt me udhëheqësit ose popullaten e vendit. Dihet megjithë atë se që nga seizma e Titos, rregjimi mbahet në këmbë vetem nepërmjet metodave të terrorit dhe se anarkia mbreteron në shumë pjesë të Republikës së vogël. “… Në Romë është krijuar bindja se Marshalli Tito i cili disponon agjentë të shërbimit të tij sekret në atë vend, do të tentojë shpejtë a vonë t’organizojë një grusht shteti në Tiranë. Rrethet Ushtarake Italiane e njoftojnë këtë prespektivë pa asnjë optimizëm mbassi preket ekuilibri i tanishëm i Adriatikut. N’Athinë flitet me fjalë të mbuluara për një Shqipëri të coptuar në zona influence Greke dhe Jugosllave. “… Situata e Shqipërisë në brendësinë e bllokut Sovjetik është jashtëzakonisht delikate dhe në rast se ekziston ndonjë satelit që ka shanc për t’u shkëputur pa luftë nga kontrolli i Kremlinit, kjo është Shqipëria”. – Gazeta Italiane “Il Corriere Mercantile” datë 12 Mars 1953, në një lajm me burim Vjenen me titull “ Një kryengritje në Tiranë” shkruan: “… Trupat Shqiptare të dërguara në kufirin veriorë të Shqipërisë për të shtypur guerriljet, kanë refuzuar të luftojnë. Një pjesë e oficerëve u kanë dhënë kryengritësve armë e pajisje. Të tjerë janë dorëzuar në rojet kufitare Jugosllave. Pas zhdukjes së Stalinit, Qeveria e Tiranës duket se e ka humbur kontrollin e situatës e veçanërisht në krahinat e Veriut. Emigrante politik Shqiptar në Jugosllavi thonë se gjëndja në Shqipëri mund të përmbyset para se të vij behari”. – Gazeta Angleze “ The Daily Express” datë 6 Mars 1953, në një lajm nga Beogradi me titull “ Tankset e Titos në kufi”, shkruan: “… Marshall Tito dërgoi sonte një divizion të blinduar drejt kufirit shqiptar. Lajmet nga kufiri thonë se një lëvizje e fshehtë anti-komuniste është duke bërë përpjekje të përmbysë rregjimin pro rus të diktatorit Enver Hoxha në Shqipëri…” – Gazeta “Laurore” datë 9 Mars 1953, duke komentuar vizitën e Titos në Londër dhe problemet që do bisedoj si me Churchillin, në lidhje me Shqipërinë, shkruan: “… Ndërmjet problemeve Ballkanike, problemi Shqiptar do të tërheqë në mënyrë të veçantë vemendjen e Titos, Churchillit dhe Eden’it. Situata n’atë vend vazhdon të jetë e turbullt dhe dihet se Jugosllavët njëlloj si Greket kanë shumë dëshirë që t’a shikojnë të zhduket rregjimi komunist i Enver Hoxhës, i cili e bëri Shqipërinë një krye ure Sovjetike në bazë t’Adriatikut…” – Gazeta Italiane “Il Popolo di Roma” datë 14 Mars 1953, në një artikull me titull “Dorë të Lirë Marshall Tito në Shqipëri në shkëmbim të një tërheqjeje në tokën e Lirë të Triestes” shkruan ndër të tjera: “… Eden, me fjalë të tjera, mendon t’a zgjidh problemin e tokës së lirë të Triestes duke i premtuar Marshall Titos dashamirësinë e Britanis së Madhe karshi synimeve Jugosllave mbi Shqipërinë por me kusht që ai të marr parasysh pretendimet Italiane mbi Triesten…” -Gazeta Italiane“ Il Secolo D’Italia” datë 14 Mars 1953 në një lajm nga Beogradi me titull “Titoja do të kërkoj në Londër rrugë të lirë në Shqipëri”, shkruan: “…Autoritetet Politike Jugosllave nuk i fshehin qëllimet e udhëtimit të Titos në Londër. Ata mund të përmblidhen në tri pika themelore: I- Përfundimi i një akordi politik me Britanin e Madhe në bazë të të cilit Britani e Madhe do të garantoj drejtëpërdrejt Jugosllavinë nga çdo aggression eventual të BS ose të satelitëve të tij. II- Përcaktimi i situatës Shqiptare. Do të jetë fjala për zonën “B” të tokës së Lirë të Triestës…” III- Rregullimi i çështjes Shqiptare do të trajtohet në substance duke i dhënë rrugë të lirë Titos për të përmbys rregjimin komunist në këtë vend dhe për aneksimin virtual të Shqipërisë nga Jugosllavia. Kuptohet mirë, në dëmin e Italisë gjithmonë…” Gazeta “Il Tempo Roma” datë 14 Mars 1953, në një artikull informative me burim nga Parisi dhe me titull “ Braktisja e Shqipërisë në projektet e Malenkovit” shkruan ndër të tjera: “… Zërat e shpërndara këto ditët e kaluara mbi gjëndjen e mbrëndhsme në Shqipëri, vazhdojnë të jenë objekt komentesh nga ana e shtypit Francës. Nga një vend i pa caktuar i kufirit Shqiptar, një i dërguar i posaçëm i gazetës “France Soir” telegrafon se në Tiranë vdesin urie dhe se populli e urren rregjimin, se sheshet e katundeve janë bërë vend për varje njerëzish dhe se çdo dite më të rënë muzgu, fillojnë pushkatimet”.
Kim Jong-ët tanë
Nga Ilir Levonja/Florida/
Edhe pse ditë me zhurmë, këtu në skajin më të largët, prapë e mbaja kokën prapa. Te shtypi, të rejat, statutet e miqve në fb etj. Kështu edhe sot. Pikat e nxehta vlojnë në disa çështje. Çmimi Nobel? Kadareja, shëndeti I Ramës, sidomos I Metës, ndeshja me Serbinë etj. Thua se e fituam Danimarkën nesër?! Ngërçi politik I Kosovës etj…, ja edhe së fundi shëndeti I Kim Jong-ut (Kim Yong) në Korenë e Veriut. Paralel, me dhjetra statute për mungesën e energjisë elektrike, këtë gangrene shqiptare. Si edhe revanshi I videove të fshehta, me skandalet e radhës. Sidomos ai I Libonikut në Korçë, kryetari me rripin pantallonave që ndiqte nëpër zyrë një grua shtatëzënë?! Në të njëjtën kohë, përmatanë derës, prisnin në radhë qytetarët. Takimet formale, pritja e popullit.
Megjithatë fjala është për Kim Jong-un e Koresë së Veriut. Diktatorin 31 vjeçar. Çfarë po ndodh me ‘të. Përse nuk po shfaqet në publik. Po afron edhe përvjetori i parties. Që dreqi e mori, përkon me shumë përvjetorë edhe aty, në Shqipërinë time.
Para disa kohëve një nga revistat më të zëshme people, fliste për jetën e babait të tij. Kim Jongut ii, tekat më ekstravagande ishin flutrimet e avionëve presidencial për haviar në Siberi. Por edhe për konjak francez , deri në Paris, pikërisht nga krahina Charente. Vendlindja e konjakut. Për purot speciale. Dhe shumë gjëra të tjera nga bota rozë. Dhe e gjitha kjo, në mbikqyrjen e një kujdestari amerikan. Armikut më të madh. Kurse tani I biri, nuk ka se si të ndryshojë tekat. Janë pjesë e ritit të familjes.
Ai është i marrosur jo vetëm pas Francës, por edhe Zvicrës. kryesisht për djathin e butë. Atë që e sevirin të tretur e të ngrohtë. Më kalorikun.
Nga ana tjetër Koreja sot, është vendi më I izoluar. Me një varfëri të skajshme, me luftën e klasave më të egër. Mjafton të futesh në google dhe do shohësh, se portetet, fytyrat, lëkurat e njerëzve, I gjen në webin Shqipëria e viteve 80. Rreshkjen, athtësinë e lëkurës.
Unë nuk jam kundër kënaqësive. Ato janë pjesë e jetës. Por kur këto I bëjnë udhëheqësit, njëshat, kanë tipare monstruoze. Sidomos për vendet ku të ardhurat për frymë janë nën minimunim e jetesës . Në vëndet ku akoma flitet për rritjen e mirëqënies. Përmisimin e kushteve të jetës. Dhe jo në vendet ku flitet se si të mbrohemi nga mirëqënia.
Në Shqipëri kemi plot të tillë. Borxhlinjë, dhe festojnë ditëlindje faraonësh.
I votojmë. I bëjmë udhëheqës.
Kongresmenët amerikan vijnë në Tiranë për çështjen e pronave dhe jo për ndarjen e territoriale
Nga Arben LLALLA/
Është paralajmëruar se më 11 Tetor në Shqipëri do bëjnë takime me përfaqësuesit e shtetit shqiptar tre Kongresmen amerikan, republikani me origjinë greke Gus Biliraqis, Gregory Meeks dhe Jack Kingston të cilët do të takohen me kryeministrin Rama, Ilir Metën, kryepeshkop Anastasin, Vangjel Dulen dhe përfaqësues të Komunës së Himarës.
Propaganda greke shkruan se tre Kongresmenët amerikan vijnë për ti bërë presion kryeministrit Rama rreth ndarjes së re territoriale për pikën e nxehtë rreth bashkimit të Himarës me Vranishtin. Por e vërteta është krejt ndryshe. Duke parë që komuniteti himarjot në SHBA llogaritet mbi 1.500 anëtarë, janë një grupim i mirë votash pasi në Nëntor në disa zona mbahen zgjedhjet për në Kongres. Të gjithë e dinë se fushata e politikanëve amerikan është demokratike, ku çdo kandidat për në Kongres, Senat apo kandidat për presidentë ka nevojë për çdo votë, ka nevojë për 1 dollarë dhe komuniteti himarjot se ka problem që të sponsorizojë rreth 150.000 dollarë për takimet e tilla të kongresmenëve që të thonë diçka rreth pronave dhe të drejtave të njeriut për Himarën. (Shqiptarët kanë përvojë rreth sponcorizimeve për fushatat e tilla, kjo tashmë është dëshmuar me suksese).
Në të vërtetë tre Kongresmenët amerikan, Gus Biliraqis, Gregory Meeks dhe Jack Kingston vijnë në Tiranë për të lobuar rreth zgjidhjes së pronave të Himarës pas kërkesave të shumta dhe takimeve që kanë patur me Komunitetin himarjot në SHBA, si dhe me Vasil Bollanon dhe Jorgo Goron. Gjatë vizitave në SHBA, dy kryetarët e Komunës së Himarës, Vasil Bollano dhe kryetari aktual Jorgo Goro i kanë premtuar himariotasve në SHBA se problemin e pronave do e zgjidhin por pengesa ndeshin nga qeveritë. Kongresmeni greko-amerikan Gus Biliraqis, direkt ka konflikt interesi me politikën shqiptare pasi është zgjedhur me votat e greko-amerikanëve, kështu nuk do mund të shprehi sinqeritetin e një kongresmeni të vërtet amerikan, por ato greke. Kongresmeni Gus mund të ketë edhe interesa familjare në lidhje me pronat në Himarë, pasi para disa vitesh ai është shprehur se familja e bashkëshortes së tij është me origjinë nga Jugu i Shqipërisë.
Kongresmeni Gregory Meeks njihet si një përfaqësues i korruptuar i Kongresit Amerikan. Ai është përfolur dhe akuzuar për shpërdorim të fondeve bamirëse dhe çështje të tjera korrupsioni me karakter të përfitimeve ekonomike.
Megjithatë, vizita është më shumë private se sa zyrtare, për tju treguar votuesve greko-amerikan se diçka po bëjnë në favor të tyre në politikën greko-shqiptare.
Brenda pak kohe përfaqësuesit e komunitetit himarjot në SHBA kanë bërë shumë takime ku kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth së drejtës së pronës private.
Më 18 janar 2012, kryetari i Komunës së Himarës, Jorgo Goro u takua në Uashinton me Kongresmenin greko-amerikanin Gus Biliraqin. Në këtë takim u diskutua rreth çështjeve të të drejtave të minoritetit grek dhe pronave të kishës ortodokse.
Më 14 Nëntor 2013, përfaqësuesit e komunitetit të himarjotëve me banim në SHBA u takuam me ambasadorin grek me seli në Washington Kristo Panagopulos dhe biseduan me diplomatin grek rreth problemeve të së drejtës së pronave dhe perspektivën e Shqipërisë në BE. Ku morën garanci se Greqia do ta mbështesë Shqipërinë për tu anëtarësuar në BE dhe zgjidhjen në bazë të ligjeve çështjen e pronave në Himarë.
Në 14 Shkurt 2014, përfaqësuesit e shoqatës së himarjotëve u takuan me ambasadorin e Shqipërisë në SHBA z.Gilbert Galanxhin dhe diskutuan rreth çështjeve politike dhe problemet për zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit në zonën e Himarës. Në fund të takimit përfaqësuesit e organizatës së himarjotëve në SHBA falënderuan përzemërsisht ambasadorin e Shqipërisë Galanxhin për kohën dhe respektin që tregoj me këtë përfaqësi.
Komuniteti himarjot në SHBA i shkruan letër Sekretarit të Shtetit të SHBA z.John Kerry dhe ambasadorit të SHBA në Tiranë z. Arvizu. Në letrat që i dërguan dy personaliteteve të qeverisë së SHBA, komuniteti himarjot në asnjë rresht të tyre nuk përmendnin ndonjë problem fetar, gjuhësor apo etnik që mund të ekzistojë në Himarë, por ata ishin të interesuar për pronat e tyre të konfiskuara në vitin 1945 dhe Ligjin 7501 për shpërndarjen e vetëm 20% të tokës së Himarës.
Më 28 Mars 2014, përfaqësuesit e komunitetit të Himarës në SHBA u takuan me Christopher Carver, zyrtar i Departamentit të SHBA për Shqipërinë, ata diskutuan rreth çështjeve për rikthimin e pronave të himarjotëve që jetojnë dhe punojnë prej shumë dekadash në SHBA.
Më 21 Maj 2014, komuniteti himarjot në SHBA bënë takim me Kongresmenin amerikan me origjinë greke z.Gus Biliraqis për ta njohur rreth problemeve të pronave në Himarë.
Shoqata e Himariotasve të SHBA nderon me Mirënjohje Vangjel Dulen
Më 18, Gusht 2014, shoqata e Komunitetit himarjot në ShBA nderoj me Mirënjohje Kryetarin e PBDNJ, Vangjel Dule. Mirënjohja ju dorëzua në Himarë gjatë kohës që Vangjel Dule kalonte pushimet me familjen e tij nga anëtar i bordit HSA Petro Gjikuria, Vasil Bollani dhe Beleris. Ceremonia e dorëzimit të Mirënjohjes linte shumë për të dëshiruar nga veshja e z.Dule dhe të përfaqësuesve të Komunitetit të Himarës. Nga fotografia publikuar për mediat duke qartë se Mirënjohja nuk i jepet kryetarit të PBDNJ që ka postin e zëvendëskryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, por një sportisti i ndodhur rastësisht në Himarë.
Kongresmeni greko-amerikan, Gus Bilirakis i shkruan znj. Kondoliza Rajs për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri
Më 28 maj 2008, Kongresmeni Republikan greko-amerikani Gus(Kostandin) Bilirakis i shkruan znj.Kondoliza Rajs Sekretare e Sh.B.A-as. Duke i shprehur shqetësimin e tij për mungesën e informacionit dhe mosveprimin e autoriteteve shqiptare, në respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që të ofrojë të drejtat themelore të njeriut për pakicën greke në Shqipëri. Ndër të tjera z.Bilirakis thotë: “Unë mendoj se do të ishte më mirë që ambasada e SH.B.A në Tiranë, duke mbledhur të dhëna të sakta statistikore, të bëjë një vlerësim në lidhje me atë se çfarë veprimesh janë ndërmarrë që të bindë qeverinë shqiptare të përmbushë obligimet e saj ndaj pakicave. Shqipëria është e obliguar që të realizojë analiza që të përcaktojë se a është dhe deri në ç’masë është gjendja e rëndë e disa minoriteteve, rezultat i diskriminimit etnik ose racor kundër tyre”.
Kongresmeni i Lobit greko-amerikan z.Gus para se ti shkruante Sekretares së Shtetit znj.Rajs kishte zhvilluar një takim në Amerikë me kryetarin e Omonia-s dhe të bashkisë së Himarës Vasil Bollanon duke dëgjuar nga ai ankesa të shumta për keqtrajtimin që Shqipëria u bën minoritetit grek si “refuzimin nga qeveria shqiptare për të miratuar legjislacionin që të sigurojë titujt e pronës dhe tokave kullota që u përkasin familjeve të minoritarëve grek”. Gjithashtu Bollano shfaqi shqetësimin e mos kthimit të pronës së kishës ortodokse dhe artifaktet fetare të përvetësuara gjatë diktaturës komuniste.
Letrën rekomande z.Gus drejtuar znj.Kondoliza Rajs e përfundonte: “Shtetet e Bashkuara kanë qenë kampionë të të drejtave të njeriut për gjithë pakicat etnike dhe fetare në botë. Unë kam çdo besim që SH.B.A-ës do të marrin udhëheqjen në sigurimin e mbrojtjes së pakicës greke në Shqipëri. Unë do ta çmoj shumë të di se çfarë veprimesh planifikon Departamenti i Shtetit që të bindë zyrtarët shqiptarë të përmirësojnë trajtimin që ata u bëjnë pakicave në vend, dhe çfarë bën për momentin ambasada amerikane drejt këtij qëllimi. Çështja është personale për mua, pasi shumë nga zgjedhësit e mi duke përfshirë edhe familjarët e gruas sime, vijnë nga një rajon i Shqipërisë jugore i njohur si Epiri i Veriut ku është i koncentruar minoriteti grek. Unë besoj fuqimisht, se është në interesin më të mirë të Shqipërisë që kërkon integrimin në Europë, që të trajtojë pakicat e veta në atë mënyrë që insiston të trajtohen shqiptarët etnikë në vendet fqinje. Ju Faleminderit për kohën dhe konsideratat tuaja. Unë shikoj para që të punoj me ju që të garantojmë që gjithë pakicës greke në Shqipëri ti sigurohet liria fetare, politike dhe ekonomike”.
Kush është Kongresmeni Gus Bilirakis
Kongresmeni Republikan Gus Bilirakis (greket e thërrasin Kostandin) ka lindur më 1963 në Florida. Babi i tij Michael Bilirakis është zgjedhur disa herë Kongresmen nga viti 1983-2006, duke ja pasuar më tej frontin të birit. Gus Bilirakis është zgjedhur për herë të parë Kongresmen më 7 nëntor 2006. Momentalisht ai gëzon mandatin e dytë si Kongresmen dhe shërben në Komitetin e Sigurisë së ShBA-ës, në çështjet e Veteranëve dhe Punëve të Jashtme, është kryetar i nënkomitetit për emergjencë. Jeton në Palm Harbor, i martuar dhe babai i katër fëmijëve. Kongresmeni z.Bilirakis është shumë aktivë në Lobin greko-amerikan në çështjet e minoriteti grek në Shqipëri dhe për zgjidhjen e çështjes së Qipros.
VATRA E PAS LUFTES SE DYTE BOTERORE
Marrëdhëniet e Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”me Shqiperine në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore 1944-1947/
Shkruan: Erjon Dervishi-Doktoran prane Qendres se Studimeve Albanologjike,Tirane/
Abstrakt:Marrëdhëniet e federatës “Vatra” më Shqipërinë kanë qënë të lidhura ngushte që në momentin e krijimit të saj si organizatë më 1912. Kjo vinte nga fakti se themeluesit e kësaj organizate në pjesën më të madhe ishin njerëz të cilët kishin jetuar në Shqipëri dhe sepse ata mund të lëviznin shpesh herë nga Shqipëria në Amerikë. Lëvizja e shpeshtë krijonte mundësi që shumë emigrantë të tërhiqnin njëri-tjetrin për në Shtetet e Bashkuara. Komuniteti shqiptar i Amerikës ishte më i madhi në numër dhe më i rëndësishmi pasi aty jetonin dhe zhvillonin veprimtarinë e tyre figura të rëndesishme të nacionalizmit shqiptar. Gjtihashtu rëndësia e tyre dhe roli që u është caktuar gjatë historisë ka qënë tepër i rëndësishëm pasi ata jetonin në një vend të madh dhe demokratik si Shtete e Bashkuara të Amerikës ku në shekullin e XX u përqëndrua e gjithë vemendja e diplomacisë botërore. Pesha e tyre është ndjerë gjithmonë edhe në vitet më të vështira të Shqipërisë, kur vihej në pikëpyetje vetë ekzistenca e kombit shqiptar. Një mori letrash, telegramesh e memorandumesh u bënë pjesë e kancelarive perëndimore nga ana e Federatës “Vatra”, në një kohë kur shteti Shqipëtar e kishte të pamundur të angazhonte figura të denja si pasojë e brishtësisë financiare që kishte. Të gjitha këto projekte diaspora dhe veçanërisht “Vatra” i realizoi pa marrë ndonjë shpërblim të madh apo përfitime politike. Por me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore kjo marrëdhënie ndërpritet, si pasojë e vendosjes së sistemit komunist. Vatra duhet të luftojë nga njëra anë për të fituar besimin e Shqipërisë, besim i cili ishte lëkundur si pasojë e filtrimit të Vatrës me qeverine e Zogut, ç‘ka për udhëheqjen komuniste ishte e papranueshme dhe më Italinë fashiste por njëkohësisht i duhet te punojë shumë për të afruar Shqipërinë me Shtetet e Bashkuara vend tek i cili ata banonin prej shumë vitesh. Nën dritën e burimeve arkivore Vatra do ta ketë shumë të vështirë ta realizojë këtë binom historik. Qëllimi kryesor është të vërtetojë në bazë të dokumentacionit arkivor vendosmërinë e Federatës Vatra për t’u afirmuar edhe një herë si një aktor kyç në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Vatra dhe Shqipëria
Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri vijnë komunistët. Shteti shqiptar duhej të transformohej nga e para, me një sistem të ri, te panjohur më parë nga shqiptarët, me një qeveri të re dhe me aleatë të rinjë. Natyrisht që këto ndryshime u reflektuan edhe në kolonitë shqiptare të Amerikës si Federata Pan Shqiptare “Vatra” dhe “Shqipëria e Lirë”. Historia e Federatës “Vatra” është një histori suksesi. Ajo ka dëshmuar se qëndron në pararojë të patriotizmit shqiptar sidomos në gjysmën e parë të shekullit XX. Ndërsa në fillimet e Luftës së Dytë Botërore besimi i saj si një organizatë patriotike ishte lëkundur mjaft. Ahmet Zogu dhe veçanërisht diplomati i tij në Amerikë Faik Konica e kishin kthyer këtë organizatë dhe organin e saj “Dielli” në shërbim të pushtetit dhe propagandës së tyre politike.(Çekrezi, 2013, fq, 91). Por ajo që e kompromentonte më rëndë “Vatrën” ishin elozhet që i bëheshin Benito Musolinit gjatë kohës së miqësisë së ndritur italo-shqiptare.(Gazeta,“Dielli”, fq, 2). Për këto arsye “Vatra” duhej të merrte iniciativën e para për të treguar që ishte një organizatë në mbështetje të Shqipërisë dhe tërësisë së saj territoriale. Duke marrë parsysh nevojën e Shqipërisë për të patur sa më shumë aleatë, sidomos perëndimor, “Vatra” do t’i shërbente udheheqjes shqiptare mjaft mirë për interesat e tyre imediate.
“Vatra” kishte fare pak djeni për ngjarjet që po zhvilloheshin në Shqipëri. Të vetmet informata vinin nga Londra ku BBC transmetonte një emision shumë të shkurtër në gjuhën shqipe. Në një artikull të gazetës “Dielli” të datës 8 korrik 1944, “Vatra” shprehet se “Ç’do lajm që del nga Shqipëria kalon në dy çensura: Çensura Gjermane dhe ajo Aleate” (Gazeta“Dielli“ 1944 ,fq, 2). Dhe për këtë arsye lajmin e formimit të Kongresit të Përmetit, që hodhi bazat e sistemit komunist, ata e morën me rrugë të tërthorta. Por Federata “Vatra” ishte e vetëdijshme se vepronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe si rrjedhojë do të duhej të zhvillonte një politikë që përkonte me ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë gjithë periudhës së Luftës së Dytë Botërore “Vatra” këmbengulte që Amerika duhej të përkrahi një vend të vogël si Shqipëria. Gazeta “Dielli” shprehej me nota pozitive për kujdesin amerikan ndaj Shqipërisë. Ajo analizonte se Amerika konsiderohet nga kombet e vegjël të Evropës si shpëtimtare e tyre dhe ata e mirëpresin.(Gazeta, Dielli ,fq, 2). Për sa kohë që Shtetet e Bashkuara mbështesinin luftën antifashiste edhe “Vatra” nuk kishte arsye që të ishte kundër. Në mbledhjen e famshme të 23 qershorit 1944, të zhvilluar në Boston, në praninë e shumë atdhetarëve shqiptar dhe disa zyrtarëve amerikan Fan Noli dhe një pjesë e Federatës “Vatra” hoqën përfundimisht dorë nga Ahmet Zogu si përfaqësues i Shqipërisë pas lufte.(Çekrezi, 2013, fq, 71). Natyrisht e gjitha kjo mbledhje qe u zhvillua nën kujdesin amerikan tregon më së mëri orientimin e ri që duhej të merrte “Vatra”. Edhe pse në Shqipëri ishte forumar një qeveri komuniste, Fan Noli me një përgjigje te shpejt tha se “edhe ata djemtë tanë janë”.(Çekrezi, 2013, fq, 71). Kjo fjali e mbetur në histoirnë e Federatës “Vatra” dhe emigracionit shqiptar do të konfirmohej rreth dy vite më vonë nga vetë Fan Noli si një përgjigje për të shpëtuar Shqipërinë. Është e qartë se qeveria komuniste nuk mund të lintë pa shfrytëzuar këtë mundësi për të treguar se “Vatra” ishte një organizatë plotë ideale dhe patriotike.
Qeveria e Tiranës kishte kohë që vëzhgonte kolonitë shqiptare dhe sidomos ato amerikane, meqënëse ishte edhe më e madhja në numër. Por ata ishin të vetëdijshëm se ekzistonin shumë paqartësi për orientimin e “Vatrës” si një organizatë pro tyre. Në një raport të paraqitur nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste vihet re një element shumë i rëndësishëm: mungesa e njohjes së komunitetit shqiptar në Amerikë.(Arkivi Qendror Shteteror, [AQSH], 1946). “ Si reluzultat i analizës doli që: “Jashtë Shqipëria nuk njihet, ose dihet fare pak për të, që Shqipëria nuk është një faktor indipendent në politikën e jashtme, edhe kolonitë shqiptare janë të paqarta pse dijnë fare pak për Shqipërinë”(AQSH, 1946). Për këtë arsye në përfundim u vendos që për kolonitë, “Me dërgue material propagande e informata e letra nga miqtë dhe familjet e tyre, organizata antifashiste fronti, rinija e gruaja të mbajnë lidhje me ta dhe me dërgue delegacione.” (AQSH, 1946). Më pas raporti vazhdon me zhvillimin dhe forcimin e propagandës jashtë vendit. Sipas raportit të përpiluar me kujdes nevojitet që propaganda jashtë shtetit të mbështet mbi luftën dhe relaizimet e Shqipërisë. Mjetet kryesore të propagandës do të ishin: “Shtypi, të botonte ndonjë revistë e broshurë në gjuhë të huaja, të bëhen botime jashtë nga ambasadat tonë, të shkruhen për Shqipërinë në shtypin e jashtëm. Radioja të fuqizohet për me u ndegjue jashtë dhe të përgatiten emisione në gjuhë të huaja të posaçme.” (AQSH, 1946).
Pamvarësisht faktit që udheheqja shqiptare nuk kishte krijuar një profil të qartë për kolonitë, qeveria shqiptare merr iniciativën për të bashkëpunuar me “Vatren”. Kjo për faktin sepse në të ishte i pranishëm edhe Fan Noli, një figurë e fuqishme dhe mbrojtëse e ideve të majta në Shqipëri, pikërisht ai që kishte hedhur mbrapa krahëve Ahmet Zogun. Në një letër që Koço Tashko i dërgon Fan Nolit, pasi dikur kanë qënë miq të ngushtë, i shpreh mirnjohjen që kanë shqiptarët për të dhe që nuk e kanë harruar akoma. Ai i kërkon Nolit që Shqiptarët e Amerikës të japin përkrahjen e tyre në të mirë të atdheut dhe popullit. (Gazeta, Dielli, 1944, fq1). Nga ana tjeter regjimi u perpoq që me ane të një huaje te mbajë nën kontroll kolonitë e Amerikës. Sipas udhëheqjes shqiptare “shtrirja e huasë në këtë vend, përveç anës ekonomike ka edhe efektet e saj politike. Në këtë vend ndodhen afër 70.000 vetë me origjinë shqiptare të shpërndarë në mjaft qëndra të ndryshme”.(Arkivi i Ministrise se Puneve te Jashme [AMPJ], 1945). Më tej kjo fushatë synonte që të përdorej për t’u “vënë në dije shqiptarëve të emigruar përparësitë e mëdha që ka bërë vendi ynë në sajë të pushtetit të sotëm në të gjitha fushat ekonomike e të kulturës dhe perspektivat që ngrihen në të ardhmen, si rezultat do të bëhet e mundur shtimi i radhëve të bashkatdhetarëve që e aprovojnë dhe e mbrojnë pushtetin tonë të sotëm”. (AMPJ, 1945). Menjëherë “Vatra” angazhohet për t’i arrdhur në ndihmë Shqipërisë. Ndihmat e para do të ishin ne ushqime dhe në para. Më 1947 sekretari i “Vatrës” Qerim Panariti i dërgon një letër Ministrisë së Tregtisë në të cilën sqaron shumën e të hollave që po dërgohet dhe sasinë e ushqimeve. Shuma e përgjithëshme që zotëronte në ato momente “Vatra” ishite 10 mijë dollarë. Gjithashtu u mblodhën fonde të cilat do të shërbenin për të blerë ilaçet.(AQSH, 1947). Një fushatë e madhe u shtri në të gjithë Amerikën për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve të sapo dalë nga lufta. Shumat e mbledhura kishin arritur në gati 20,000 dollarë. (Gazeta, Dielli, 1945, fq,1).
Megjithësë ne dukje punët e “Vatrës” po ecnin mirë dhe pa pengesa në skenë del orgnizata tjetër në Amerikë, “Shqipëria e Lirë”. Kryetar i kësaj organizatë ishte Chostandine A. Chekrezi një anti-zogist i thekur. Në pamundësi për të analizuar biografinë e tij, sepse kërkon me tepër vend, është e nevojshme që të analizojmë arsyen e ngritjes së kësaj organizate e cila me kalimin e kohës do të kthehet në vasale të bindur të regjimit komunist. Në qoftë së “Vatra” u krijua nga një grup atdhetarësh dhe intelektualësh krejtësisht shqiptar, organizata “Shqipëria e Lirë” është një krijim me ndikim te theksuar amerikan.(Bland dhe Price, 1981, fq, 72). Çekrezi diti të shfrytëzonte mjaft mirë përçarjen e “Vatrës” dhe u ofrua si një kondidat i besueshëm për të krijuar bashkimin e të gjithë shqiptarëve të Amerikës. Por ndërsa “Vatra” kërkonte që bashkimi të bëhej me Zogun kryetar, këtë gjë Çekrezi nuk mund ta lejonte jo vetëm për të kaluarën e tij por edhe për faktin se fuqitë e mëdha (Amerika dhe Anglia) nuk e donin Zogun përsëri si udhëheqës. Në kujtimet e tij Çekrezi nuk e përmend mënyrën e kalimit nga kampi i Francës për në Amerikë por ndalon vetëm tek krijimi i organizatës “Shqipëria e Lirë”.(Cekrezi, 2013, 31). Duke qënë se “Shqipëria e Lirë” u krijua me ndihmën e Amerikës edhe programi i saj ishte tepër i qartë: “Bahkëpunim me aleatët dhe veçanërisht me Shtetet e Bashkuara”.(Çekrezi, 2013,fq, 13).
E rëndësishme është që të theksohet arsyeja e braktisjes nga ana e Çekrezit të këtij ideali demokratik duke u lidhur më Enver Hoxhën. Sipas tij arsyeja e largimit nga organizata “Shqipëria e Lirë” është së kjo organizatë mori pikpamje krejtësisht komuniste.(Cekrezi, 2013, 91). Kjo është pjesërisht e vërtetë. Kthesa kryesore vjen nga qëndrimi i ri amerikan kundrejt Shqipërisë. Tashmë Enver Hoxha ishte një aleat i luftës dhe nuk mund të mënjanohej kollaj nga skena politike shqiptare. Si rezultat i kësaj Çekrezi e kishte plotësisht mundësinë për t’u vetofruar si një përkrahës i palodhur i Shqipërisë. Më 8 prill 1945 Çekrezi i dërgon një letër të gjatë Enver Hoxhës nga Amerika në të cilën i shpreh përgëzimet më të thella për fitoren e pashembullt në histori. Më pas ai e njofton se “pas një sërë mosmarrëveshjesh midis pjestarëve të Komitetit Qëndror dhe Këshillit të Shqipërisë së Lirë, u vendos që organizata jonë t’i japë gjithë përkrahjen qeverisë s’uaj pa rezerva dhe pa kondita”. (AMPJ, 1945). Këtë gjë Çekrezi e bënte në emër të linçimit të tij si protagonist në jetën politike shqiptare sepse ai nuk mund ta pranonte që “Vatra” një organizatë nacionaliste të fitonte simpatinë e regjimit. Por siç do ta shohim më poshtë ngjarjet lëvizën në drejtim të kundërt me Çekrezin. Me pamundësinë për të qënë protagonist dhe me drejtimin e ri që mori organizata “Shqipëria e Lirë” më 20 maj 1945 Çekrezi largohet përfundimisht nga kjo organizatë duke e lënë rrugën e hapur që të penetronte agjentura komuniste.
Përçarjen midis “Vatrës” dhe “Shqipërisë së Lirë” e shfrytëzuan mjaft mirë komunistët shqiptarë. Megjithë besnikërinë e “Shqipërisë së Lirë” dhe “Vatrës” sigurimi komunist ishte në djeni se Çekrezi dhe disa anëtarë të “Vatrës” kishin simpatinë e Departamentit të Shtetit. Në fund të fundit ata aktivitetin e tyre e zhvillonin në Amerikë dhe për këtë sigurimi interesohej që këta të ishin krejtësisht besnik të qeverisë komuniste. Ministria e Jashtme i dërgon një letër Legatës sonë në Jugosllavi në të cilën kërkon të ruhet mirë Çekrezi dhe Fan Noli. Në këtë mënyrë do të dilte se kush ishte më besnik ndaj qeverisë së re. Sipas legates rezulton se “Komandanti ka marrë nga Qerim Panariti një letër në të cilën demaskon përpjekjet e Çekrezit për të mbledhur dhe organizuar gjithë “plehërat” kundër qeverisë s’onë. (AMPJ, 1945). Në këtë letër Çekrezi kërkon që të bindi Fan Nolin për bashkëpunim. Është tentuar që iniciativën ta mari vetë Fan Noli madje për këtë Çekrezi i është ulur edhe ne gjunjë.(AMPJ, 1945) Kjo letër është shkruar më 17 Janar 1945. Pikërisht pse dështoi kjo përpjekje Çekrezi u dëtyrua që t’i përulej Enver Hoxhës dhe të hiqte dorë përfundimisht nga “Shqipëria e Lirë”. Me tej raporti thote: “Natyrisht qëndrimi zyrtar i legatës duhet të jetë i njëjtë me atë që ka thënë komandanti, pra të aktivizohet grindja mes Fan Nolit dhe Çekrezit në mënyrë që të dalin të palarat e tyre dhe duke demaskuar politikën anglo-amerikane karshi Shqipërisë” (AMPJ, 1945).
Vatra dhe Shtetet e Bashkuara te Amerikes
Me largimin e Çekrezit dhe me nënshtrimin e “Shqipërisë së Lirë” kundrejt qeverisë komuniste e vetmja organizatë që mund të shërbente për të afruar Shqipërinë me Amerikën ishte “Vatra”. Për këta qëllim “Vatra” angazhoi të gjitha pontecialet e saj duke filluar me memorandumet, telegramet apo edhe letrat e shumta që u dergoheshin fuqive të mëdha për të njour qeverinë shqiptare dhe për të bërë të mundur antarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në kushtet kur qeveria shqiptare e Enver Hoxhës nuk u lejua të merrte pjese në Konferencën e Kombeve të Bashkuara në San-Francisko, Federata Pan Shqiptare “Vatra” i doli edhe një herë për zot vendit duke dërguar njeriun që i kishte kushtuar jetën Shqipërisë, pikërisht Charles Telford Erickson.(Berisha, 2012, fq, 282). Por sado që Erickson nuk përfaqësonte popullin shqiptar dhe Shqipërinë por thjesht një organizatë në emigracion ai punoi me vullnet të fort dhe të admirueshëm duke shfrytëzuar të gjitha lidhjet që kishte me zyrtarët amerikan. Nga ana tjetër po në emër të “Vartrës” u angazhua Fan Noli duke ndërmarrë udhëtime të shumta në të gjithë Amerikën dhe duke takuar shumë nga personalitetet e shteteve të mëdha dhe të vegjël. Për çdo informacion që merrte ai njoftonte Qeverinë Shqiptare dhe Legatën tonë në Jugosllavi. Noli shfrytëzoi edhe Kishën Ortodokse Shqiptare në Amerikë si një mundësi për të njohur Shqipërinë nga fuqitë perëndimore, duke organizuar çdo te diele mesha ne mbrojtje te Shqiperise dhe kufijeve te saj te cilat rrezikoheshin nga Greqia. Në vitin 1945 Kisha Ortodoksa Autoqefale Shqiptare në Amerikë i dërgon një letër udhëheqësve kryesor të Luftës së Dytë Botërore, midis tyre edhe Presidentit Roosevelt, ku i kërkon që: “Së pari , të njihni zyrtarisht qeverinë e formuar në Berat nën lidershipin e Kolonel-Gjeneral Enver Hoxha; së dyti, të lejohet kjo qeveri të dërgojë një delegacion nëpër kryeqytetet kryesore të Kombeve të Bashkuara për të prezantuar dëshirat dhe nevojat e popullit shqiptar; së treti, të ftohet qeveria shqiptare të dërgojë përfaqësues në Konferencën e Paqes; së katërti, të ndalohet copëtimi i Shqipërisë nga fqinjët e fuqishëm dhe të garantojnë integritetin dhe pavarësinë; së fundi, të lejohet ushqimi, veshmbathjet dhe ilaçet për në Shqipëri, këtij populli të cilët kanë vuajtur nga Italia dhe agresioni Gjerman që nga prilli 1939.” (AQSH, 1945).
Në një letër që Departamenti Amerikan i Shtetit i dërgonte Nolit shprehte mirenjohjen e tyre për Shqipërinë por theksonte së “në Konferencë janë ftuar vetëm guvernat anëtare të Kombeve të Bashkuara, pra ata që e kanë firmosur, dhe duke marrë parasysh këtë situatë, Departamenti beson se nuk do të jetë e udhës të këshilloj që ky vendim të shtrohet përsëri për duskutim” (Gazeta, Dielli, 1945, fq, 1). Nëpërmjet këtyre refuzimeve që i bëheshin “Vatrës” dhe Shqipërisë po vihej re një hije dyshimi në lidhje me qëllimet e vërteta të fuqive perëndimore karshi Shqipërisë. Ajo që kishte ndodhur ishin dalja në skenë e kufizimeve të reja nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta kushtëzuar Shqipërinë me zhvillimin e zgjedhjeve të reja demokratike dhe njohjen e të gjitha traktateve diplomatike të lidhura mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë përpara vitit 1939. Duke parë këto kërkesa të reja “Vatra” e kuptoi se çështja e njohjes ose jo të regjimit shqiptar tashmë nuk ishte në dorën e saj. Këtë e ka bërë të qartë edhe një tjetër delegat i “Vatrës” për çështjen shqiptar Charles C. Hart . Në një letër që i dërgon John Nasses anëtar i organizatës “Shqipëria e Lirë” ai shpreh “keqardhjen që paratë për çështjen shqiptare po shpenzohen kot. Megjithëse nuk jam në gjendje të jap këshilla mund t’ju them se Peshkop Noli dhe bashkëpuntorët e tij nuk e njohin situatën ndërmjet qeverisë Shqiptare dhe asaj Amerikane, për rrjedhojë ata po veprojnë në terren të rrezikshëm” (AMPJ, 1946).
Nga ana tjetër është kryetari i “Vatrës” Vasil Pani i cili i dërgon një letër sekretarit të Jashtëm Britnaik për të shprehur kënaqësin e fitores së aleatëve dhe për mundësinë e njohjes shumë shpejt të qeverisë shqiptare të kryesuar nga Enver Hoxha. (Gazeta, Dielli, 1945, fq, 3). Duke parë hapat e ngadaltë që po bëheshin në drejtim të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, Vatra po e kuptonte që shpresat për një pranim të Shqipërisë në OKB duheshin kërkuar jo vetëm tek Departamenti i Shtetit por edhe tek udhëheqja shqiptare. Rrjedhimisht proçesi i afrimit të Shqipërisë me perëndimin kishte ngecur. Askush nuk mund të deklaronte për ngjarjet që do të pasonin më tej. Vatra ka qënë shumë këmbëngulëse pranë Departamentit të Shtetit për njohjen e qeverisë së Enver Hoxhes. Por ridimensionimi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe krijimi i dy blloqeve të Lindjes dhe Perëndimit nuk mund të linte pa prekur edhe Shqipërinë. Natyrisht shumë vite më vonë Enver Hoxha kishte qënë dakort që njohja e traktateve të bëhej pa probleme. Njohja e dokumentacionit arkivor vitet e fundit, sipas disa studiuesve të Luftës së Ftohtë, tregon se Enver Hoxha ishte ngurues për pikën që e bënte Shqipërinë “kombin favorizues” për Shtetet e Bashkuara, si rrjedhojë e presionit Jugosllav dhe atij Sovjetik. (Kaba, 2013, fq, 193). Këta të fundit e këshilluan qeverinë shqiptare që të mos i njihte të gjitha traktatet dhe marrëveshjet ndërmjet dy vendeve, por vetëm një pjesë të tyre, duke lënë mënjanë sidomos traktatin që i njihte SHBA si “komb të favorizuar”. (Kaba, 2013, fq, 193).
Por edhe vetë natyra e shtetit Shqiptar kishte ndryshuar. Ajo ishte bërë më e mbyllur dhe më mosbesuese dhe pasojat e saj do të ndiheshin edhe në koloninë shqiptare të Amerikës. Prania e shumë të arratisurve politik në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë do të bënte që regjimi të ishte shumë i vëmendshëm ndaj veprimtarisë së tyre. Frika më e madhe është që asnjë ish-i arratisur të mos penetrojë në ambientet e “Vatrës” apo të “Shqipërisë së Lirë”. Nga legata jonë në Beograd vjen mesazhi se në “Amerikë kanë mbërritur dy agjent të vjetër të fashizmit, bashkëpunëtor të Ballit dhe Legalitetit dhe nën maskën e njerëzve të Frontit Demokratik të Shqipërisë përpiqen të mashtrojnë dhe spekullojnë Shqiptarët e Amerikës, si të tillë jemi të autorizuar të sqarojmë opinionin e Shqiptarëve të Amerikës se të tillë njerëz jo vetëm nuk përfaqësojnë Frontin dhe luftën tonë por kërkohen prej qeverisë për të dhënë llogari për veprtimatrinë e tyre.” (AMPJ, 1946). Në këtë mënyrë qevria shqiptare ishte e gatshme të hiqte dorë nga njohja e Amerikës dhe të mbyllej në vetvete se sa të lejonte që këto organizata të kapeshin nga të arratisurit dhe agjentet e perëndimit. Duke parë këto deklarata Fan Noli përpiqet që të fitoj terren në sytë e regjimit duke akuzuar anëtarët e organizatës “Shqipëria e Lirë” se “kjo organizatë ka qënë krijuar prej agjentësh provokatorë me famë të përbotshme dhe akoma sundohet prej tyre. Këta gangsterë duke pretenduar se janë besnik me qeverinë tuaj janë duke u korresponduar me emigrantët fashistë shqiptarë në Itali dhe Greqi.” (AMPJ, 1946).
1. Konkluzione
Si përfundim mund të themi që proçesi i njohje së Shtetit Shqiptar nga ana e Fuqive të mëdha ishte një proçes politik dhe i diktuar nga rrjedhat e kohës të cilat i diktonte Lufta e Ftohtë. Federata Pan Shqiptare “Vatra” nuk e humbi kurrë rëndësinë e saj por kishte kaluar një kohë shumë e gjatë që kur “Vatra” pati marrëdhënie të drejtpërdrejta me Shqiperinë. Në fund të fundit kjo ishte edhe synimi kryesor i regjimit, që t’i mbante sa më larg të ishte e mundur këta njerëz nga vendi i tyre dhe të përpiqej të krijonte tek ata imazhin e një Shqipërie të lumtur dhe demokratike. Në një promemorje të bërë nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste kjo iniciativë shfaqet qartë. Në promemorje thuhet se “E vërteta është se në kolonitë e Shtetve të Bashkuara, e cila është më e madhja e më e forta, në organet drejtonjëse egzistojnë edhe elementë armiqë, me gjithë që qëndrimi i tyre hë për hë është në favorin tonë”. (AQSH, 1949). Më tej promemorja vazhdon “ata presin sigurisht rastin e volitshëm kur me një kthesë, të tërheqin me vehte edhe masat e kolonisë”. (AQSH, 1949). Për rrjedhojë duke qënë se “Çështja e kolonive përbën një problem të rëndësishëm për shtetin t’onë pse rreth 350.000 njerëz të këtyre kolonive, përbëjnë një forcë politike të madhe si dhe një burim moral e material. Nga ana tjetër egziston edhe detyrimi për të mos e lënë këtë masë të bjerë në thonjtë e reaksionit ose të asimilohet dhe të humbasë.” (AQSH, 1949). Të gjitha sa u thanë më sipër tregojnë qartë angazhimin serioz të Qeverisë Shqiptare për të mos lejuar asnjë organizatë shqiptare në emigracion të ndërhyjë ne punët e brendshmë të Shqipërisë. Për këto qëllime u sakrufikuan shumë njerëz dhe u hoq dorë nga afrimi me perëndimin. Këto fakte me kalimin e kohës “Vatra” po i kuptonte dhe po fillonte të distancohej por “Shqipëria e Lirë” u mbajt peng për shumë vite duke paraqitur një realitet tjetër shqiptar, realitet të cilin ata vetë do ta preknin kur do të vizitojnë Shqipërinë.
Erjon Dervishi/
Doktoran prane Qendres se Studimeve Albanologjike, Tirane
09.10.2014
Të mjerët ne kujt i kemi besuar!
Shitja e identitetit shqiptar nga Rexhep Qosja/
Opinion Nga Fahri Xharra/
“Qeveritë shkojnë e vijnë dhe fusin në ekuacionet e tyre të politizuara për efekt mbajtjesh interesash kujtesën historike kombëtare, duke e deformuar si plastelinë në përshtatje të modeleve politike. Qeveritë, me naivitet politik, bëjnë identifikimin e fenomeneve historike, me ndonjë figurë, pas së cilës mendojnë se do të ishte më e sigurt qëndresa në pushtet. Pra sot kemi një komercializim të historisë dhe fenomeneve apo ngjarjeve historike. Si çdo gjë, edhe historia e vendit është shitur dhe është blerë në të gjitha format e komunikimit dhe të transmetimit, prej duarve të tregtarëve-historianë, apo historianëve-politikanë.(Robert Q.)” Po pse baci Rexhep edhe ti u fute në ekuacionet e vështira matematikore te politikës?
Derisa shkruaja dhe të zgjedhja fjalët për të përshkruar ashtu si na dole , u trondita nga ky lajm : “ Edhe një i ri kosovar i moshës 22 vjeçare është vrarë në orët e mbrëmjes të ditës së hënë në Siri.Familjarë të të vrarit bëjnë të ditur për, se djali tyre 22 vjeç, Arbnor Uksmajli, u vra mbrëmë në orën e vona në Siri. Familja e të vrarit nga fshati Jezerc i Ferizajt, ishin vendosur me vendbanim në Nerodime (vend periferik i Ferizajit)”(lajm i shtypit 7,10.14 i ores 15.00). Po pse Baci Rexhep nuk e ngrite zërin dhe të dilje në mbrojtje të këtyre të rinjve që mos të shkojnë si mercenarë në luftërat e huaja , luftëra që neve na kompromitojnë ?
At ditë kur u takove dhe u duarshtëngove me Shefqet Krasniqin , pse nuk ia tha një fjalë në vesh që edhe ai të hjekë dorë nga propaganda e tij antishqiptare?
Baci Rexhep Qosja , me kujtohet , ishte viti 1978 kur e kam lëxuar librin tënd : “Dialogje me shkrimtarët” dhe sa e ndjeja në krenari në vete që jam shqipëtar ! , se ishin vitët e një drite që e kishte filluar ta ndiqon Kosovën por nuk e dija që në ty mëshifet një mohues i kombit, një mohues i identitetit kombëtar. Mos më thuaj , jo; kemi shumë prova që e vërtetojnë këte që po e them.
Baci Rexhep ,po kush mbeti mik me ty ? , një popull e demoralizove dhe i bëre që të humbin besimin në të “mëdhenjt” e kombit .
Miku im i shkrimit Robert Qafzezi na shkruan se : “ në Shqipërinë e sotme kemi një situatë të turbullt, kaotike në lidhje me kujtesën kolektive, dhe kjo nuk është e paqëllimshme. Po të vërejmë me kujdes, do ta kuptojmë absurdin e historisë së Shqipërisë, ku ngrihen në piedestal qeleshet e zeza të pelushit otoman, si shpëtimtarë të vendit. “. Po , pse vallë edhe ti futesh në këtë absurditet?
A edhe ti je në këtë grup tenorësh e sopran-es “Më e tmerrshmja është se sot po dëgjojmë “tenorë” të reaksionit më të errët të kombit tonë, të hedhin parulla që thonë se nën pushtimin e huaj Shqipëria ishte më mirë dhe se rezistencat kundër pushtimeve e kanë lënë vendin prapa. Akoma më e tmerrshme është kur e di se këta “tenorë” kanë ose kanë patur edhe funksione të larta shtetërore, ose ishin në hiearkin akademike të kombit
Ata që u shërbyen me vetëmohim osmanëve, duke marrë ofiqe dhe përfitime materiale, sot po dalin heronj të pavarësisë së Shqipërisë. Po kështu, edhe ata që bashkëpunuan me me serbin , grekun e turkun e sotëm, sot janë bërë heronj të nderuar, dhe patriotë e çlirimtarë..
Sikur ti Baci Rexhep , si qytetar i ndershëm të na obligoje të gjithëve me shkrimet e tua që ta dijmë që e kemi detyrë kombëtare ruajtjen e historisë dhe kujtesës historike të vendit dhe nuk duhet të bjere viktimë e këtyre shtrembëruesve, që për arsye politike mundohen të deformojnë historinë tonë dhe ngjarjet e saj,sa kishte me qenë mire!
Pra , te lutemi publikish tërhiquni se Boll mo! edhe ty të doli boja.
“U çjerr maska e akademik Rexhep Qosjës! ( nga Dibran Idriz Gashi)
Vërtet më nuk ka dilemë se cili eshte roli R.Qosjes, pasi ai tashmë doli i demaskuar me maskë të çjerrë tërësisht!
Rexhep Qosja mbron veprimtarinë e hoxhallarëve vehabist dhe vajton arrestimin e tyre tue e krahasuar me arrestimet dhe burgosjet e atyre shqiptarëve që burgoseshin nga sistemi komunist, e të cilët kërkon liri dhe të drejta kombëtare.
Një personalitet që mbron e mbështet fundrrinat fundamentaliste islamike në dëm të kombit të vet është gdhendësi i trungut shqiptar dhe turpi i kombit shqiptar. Ç’absurd i llojit të vet, ç’hipokrizi e tmerrshme të bësh një krahasim të tillë!…
Me këtë, ky personalitet po dëshmon shumë qartë rolin e tij kobçar ndaj kombit shqiptar tash dhe në të gjitha periudhat dhe kështu na dëshmon se ishte mashtruesi më i madh, të cilit i kemi besuar kaq shumë dhe me emrin e të cilit jemi krenuar.
Ky personalitet iluzionist antikombëtar i veshur (maskuar) me petka të babait te kombit (superpatriotit) u paska sherbyer dhe po u shërben qarqeve më të ndyra antishqiptare.
Sa e padenjë dhe frustruese t’i kemi besuar këtij njeriu në pozitën akademike, i cili paskesh qenë i përkdheluri i sistemit titist dhe tash i përkdheluri i pushtetarëve si dhe adhuruesi e përkrahësi i neootomanizmit dhe vehabistëve islamik, luftëtar të kauzës neootomaniste.”
Të mjerët ne kujt i kemi besuar!