• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rëndësia e shoqërisë civile

September 25, 2014 by dgreca

Nga Frank SHKRELI/
Gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithëshsme të Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama mbajti pardje një fjalim para forumit të Nismës Globale Klinton, mbi rëndësinë që ai u kushton organizatave të shoqërisë civile anë e mbanë botës. Presidenti amerikan tha se të gjitha vendet mund të jenë më të begatë dhe të përparojnë më shpejt nëqoftse promovojnë dhe mbështesin veprimtarinë e shoqërive civile. Ai lavdëroi, para pjesëmarrësve të forumit të ish-Presidentit Bill Klinton, punën e atyre që ai cilësoi si, “qytetarë me kurajo”, të cilët promovojnë demokracinë, biznesin, lirinë e fesë dhe lirinë e fjalës, përball masave të qeverive që i kërcënojnë ata me burgim, e madje edhe me vdekje.
Duke premtuar mbështetjen e tij të plotë për lëvizjet që përkrahin dhe promovojnë lirinë anë e mbanë botës, Presidenti Obama tha se “Mbështetja e Amerikës për shoqërinë civile është një çështje e sigurimit kombëtar.” Duke përmendur raste të veçanta grupesh civile nga bota, përfshirë Kubën, Rusinë dhe Palestinën, Z. Obama theksoi se, “Janë udhëheqsit e grupeve të shoqërisë civile, ata që në shumë mënyra, me veprimtarinë e tyre, do të kenë efekte më të qëndrueshme dhe më të përhershme”, në shoqëritë ku veprojnë, sepse, shtoi ai,”titulli më i rëndësishëm nuk është as ‘President’ dhe as ‘Kryeministër’”, por tha ai, “Titulli më i rëndësishëm është qytetar”.
Duke folur në takimin e Nismës Globale Klinton në Nju Jork të martën, Presidenti Obama u tha të pranishëmve se si, zëri i vetëm një qytetari mund të na kujtojë se pse ekzistenca e shoqërisë civile në cilindo vend, është aq e rëndësishme. “Kur njerëzit janë të lirë të shprehin lirisht mendimet e tyre dhe kur qytetarët mbajnë përgjegjës dhe kërkojnë llogari nga udhëheqsit e tyre politikë, atëherë qeveritë janë më të përgjegjëshme, më efektive dhe më transparente në punën e tyre. Kur biznismenët janë të lirë të krijojnë dhe të zhvillojnë idetë e tyre të reja, atëherë ekonomia dallohet nga inovacioni dhe si e tillë tërheq më shumë tregti dhe investime dhe më në fund, si rrjedhim, bëhet një ekonomi më e begatë dhe më e shëndosh.”
Presidenti Obama vazhdoi fjalimin e tij mbi rëndësinë që ai mendon se ka shoqëria civile, duke thenë se, “Kur komunitetet e ndryshme, përfshirë dhe pakicat, janë të lira të jetojnë, të luten dhe të dashurojnë sipas dëshirës së tyre dhe atëherë kur kombet zbatojnë të drejtat bazë të popujve të vet — duke përfshirë veçanërisht, të drejtat e grave dhe të vajzave — atëherë ka më shumë të ngjarë që ato vende të përparojnë dhe të kenë një jetesë më të mirë për të gjithë. Nëqoftse dëshironi shtete të forta dhe të sukseshme”, atëherë shtoi Presidenti Obama, “Ju kini nevojë për një shoqëri civile të fortë dhe aktive.”
Janë qytetarët, burra dhe gra, të cilët janë të vendosur të përcaktojnë vetë të ardhmen e tyre — ata të cilët, gjatë gjithë historisë, kanë qenë shtytësit kryesorë të ndryshimeve dhe përparimit, tha Z. Obama. Qytetari, shtoi ai, është një forcë e fuqishme për ndryshim në shoqëri dhe theksoi se kjo është arsyeja se pse gjithnjë e më shumë qeveritë anë e mbanë botës, po bëjnë ç’mos për të shuar zërin dhe për të ndalur veprimtarinë e shoqërisë civile. Presidenti Obama përmendi me emër Rusinë, Kinën dhe Venezulën, ndër të tjera, si vende që nuk janë miqësore ndaj veprimtraisë së grupeve të shoqërisë civile në vendet e tyre. Duke shprehur gjithnjë mbështetjen e tij për shoqërinë civile në të gjithë botën, Presidenti Obama paralajmëroi se vihet re se, “Shtypja në rritje e sipër e shoqërisë civile, është në të vërtetë një fushatë për të minuar vetë idenë e demokracisë.” Dhe si rrejdhim, shtoi ai, “Ajo që është e nevojshme tani, është bërja e një fushate edhe më të madhe në mbështetje të demokracisë”, nga ana jonë, tha Presidenti Obama.
Në përputhje me këtë angazhim, Z. Obama njoftoi një numër masash të reja që do të marrin Shtetet e Bashkuara në mbështetje dhe në promovimin e organizatave të shoqërisë civile anë e mbanë botës. Ai u angazhua se të gjitha departmentet dhe agjencitë federale amerikane do të konsultohen më rregullisht me grupe të shoqërisë civile. Shtetet e Bashkuara, tha Presdenti Obama, do të kundërshtojnë përpjekjet e qeverive të huaja për të urdhëruar ose për të imponuar se cila do të jetë ndihma amerikane për shoqëritë civile dhe do të kundërshtojnë gjithashtu edhe kufizimin e lirisë së të shprehurit, dhe kufizimet ndaj lirisë për tu mbledhur ose për të demonstruar në mënyrë paqësore. Ndër masa të tjera në përkrahje të shoqërisë civile anë e mbanë botës, Presidenti Obama njoftoi se do krijohen qëndra të reja ku grupet e shoqërisë civile do të kenë mundësi të ndërlidhen, të komunikojnë dhe të nxjerrin informacion në lidhje me teknologjinë dhe financimin për të cilin kanë nevojë për të venë në zbatim idetë e tyre. Zoti Obama premtoi gjithashtu se Amerika do të ofrojë një mbështetje më të madhe dhe fonde më të mëdha për grupet e shoqërisë civile anë e mbanë botës, përfshirë ndihmën ligjore, ndihmat urgjente dhe mbështetjen teknike.
Presidenti Obama i siguroi shoqëritë civile kudo se ndonëse realiteti i politikës së sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara i detyron ato që nganjëherë të punojnë me qeveri që nuk i respektojnë të drejtat universale të qytetarve të tyre, kjo tha ai, nuk do të thotë se të drejtat e njeriut duhet të sakrifikohen për hir të ndonjë politike tjetër. Megjithëse, nganjëherë mbështetja e të drejtave të njeriut nga ana e Shteteve të Bashkuara, tha ai, shkakton konflikte e mosmarrveshje me vendet që nuk i zbatojnë ato të drejta, “Shtetet e Bashkuara nuk do të pushojnë së foluri në mbështetje të të drejtave të njeriut, për të gjithë njerëzit pa dallim dhe njëkohsisht do tu bëjnë presione qeverive që të zbatojnë këto të drejta dhe liri universale për popujt e vet. Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga kjo, sepse, kjo politikë është pjesë e qenjes sonë, e identitetit tonë dhe është pjesë e qëndrimit tonë mbi zbatimin e këtyre të drejtave për të gjithë njerëzit.”
Presidenti Obama e përfundoi fjalimin e tij në mbështetje të shoqërisë civile, të marten në Nju Jork, duke u thënë atyre se nuk jeni vetëm. “Edhe nëqoftëse përball kufizimeve të veprimtarisë suaj, të presioneve dhe frikësimeve ndaj jush, ata (qeveritë) përpiqen tu thonë se bota nuk çanë kokën për ju, se miqët tuaj u kanë harruar, mos u besoni”, tha Presidenti Obama, duke i siguruar përfaqsuesit e shoqërive civile, “Se ju nuk jeni vetëm. Ju, kurrë nuk jeni vetëm.”

Filed Under: Editorial Tagged With: e shoqërisë civile, Frank shkreli, rendesia

Marie Shllaku(1922-1946) përmendore në Prizren aty ku u pushkatua?!

September 25, 2014 by dgreca

Nga Leonora Laçi/
Marie Shllaku/
Brinjët ty t’i thyen, po nuk ta thyen zemrën… /
Buzët t’i shkrumuan, po s’ta mbyllën gojën…/
Sytë t’i shterruan, po në dritë u shëndërruan…/
Verë e vitit dyzet e gjashtë… /
Shefqet Kelmendit-Burgu i Zejmenit, Lezhë, 1986/
Prizreni, u vesh me të zeza më 24 nëntor 1946, sepse në vendmbledhjen e intelektualëve shqiptarë në Lidhjen e Prizrenit (1878), por disa dekada më vonë u zhvillua gjyqi famëkeq dhe pushkatimi i katër martirëve shkodranë, midis të cilëve ishte edhe heroina e pamposhtur Marie Shllaku. Mekati i saj i vetëm për të cilën u vu para togës së pushkatimit ishte pse sokolesha e re e deshti me gjithë shpirt atdheun e saj.
Natyrshëm lind pyetja retorike: A qënka mekat të duash atdheun e të sakrifikohesh për të?! Nëse kjo do quhet mekat, atëherë pse nderohen heronjët, pse ngrihen memorial, pse përkujtohen vit pas viti, pse mbushen faqet e historisë me bëmat e tyre?! Marie Shllaku e deshti atdheun, më fort se gjithçka, zgjodhi të mos ishte si të gjitha femrat e tjera, pasi veshi xhamadanin e plumbave në vend të vellos së nuserisë, veshi opingat që t’i ngjitet malit, e streh e saj ju bë, ashtu si foleja e shqipeve, hoqi dorë së ëndrruari.
Gjithmonë, është pak ajo që bëjme ne, për të nderuar heronjët, pasi ata bënë gjithçka që të bëhen shembulli jonë. Ky shkrim modest, le të shërbej si kujtesë, për ata që harrojnë shpejt duke përfshirë dhe historianët.
Për Marie Shllakun, janë shkruar disa vepra, si: “Shqipëria e Marije Shllakut” nga Ramiz Kelmendi e Viktor Gashi (Prishtinë, 1995); “Marije Shllaku-Kosovë, gjaku im t’u bëftë dritë” Ibrahim Metaj, Tiranë 1995; “Marie Shllaku-Bijë e Shkodrës martire e Kosovës” nga Tomë Mrijaj, (Nju Jork, 2004); “Heroina Marije Shllaku” Shefqet Kelmendi (Tiranë, 2004) etj. Përveç librave monografikë, kujtimeve, janë mbajtur shumë kumtesa, në takime përkujtimore dhe simpoziume historike shkencore, janë shkruar artikuj publiçistikë dhe mbajtur sipas rastit referate mbas viteve 1990…
Një rast i veçantë, është përkujtimi herë pas hershëm, që revista “Jeta Katolike” (1966), organ i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, që botohej nën përkujdesin e Mons. Dr. Zef Oroshit, ka botuar disa herë artikuj përkujtimore, me përmbajtje të thellë historike për figurën e madhe të luftëtares së Shqipërisë Etnike, Marie Shllakun.
Sokolesha sypatrembur, u gjend kudo, ku e thirri zëri i atdheut dhe vuri gjithë kapacitetin e saj intelektual dhe fizikë, për të përmbushur detyrat e saj, pranë veprimtarëve të shquar kombëtarë, duke shërbyer si sekretare e patriotit dhe Ministrit të Punëve Botore Iliaz Agushi (1942), i cili, u vra me atentat terrorist nga komunsitët, më 27 tetor 1943. Kurse më pas ajo ishte sekretare personale e Ministrit të Brendshëm Inxh. Xhafer Devës (1943-1944).
Miqesitë me personalitete të ndryshme e ndihmuan Marien, që të përftoj dije gjithnjë e më shumë. Kjo miqësi e ndërthurur me respekt e mirëbesim, u bë ujëdhes e pjesëmarrjes së saj, në kuvende me rëndësi kombëtare, ku u morën vendimet për çlirimin e atdheut, që ra në kthetrat e sllavo-komunsitëve. Ajo, u lidh menjëherë me shtabin e luftëtarit Shaban Polluzha, ku më 20 janar 1945, ai u largua nga luftrat vëllavrasëse, që ishin të dëmshme për kombin dhe i’u bashkua forcave nacionaliste.
Maria, u zotua mes trimave të lirisë, që kishin ndërmarrë aktin sublime për shpëtimin e Kosovës martire, ku, shpreh: “Se duhet të luftojnë me tërë fuqinë pushtetin e komunistëve, mos të shkojnë me Serbi, të largohen partizanët e Jugosllavisë nga Kosova, sepse këto forca e kishin mbushur çdo pus të Kosovës me krerë shqiptarë. Në këtë drejtim, partizanëve të Serbisë, u erdhën në ndihmë edhe partizanët e Shqipërisë”.
Ajo u bë pjesë e pandashme me bajraktarët dhe udhëheqësit nacionalistë, ku shërbej si një ndërlidhëse me vizion të qartë mes grupeve të Kosovës e Shqipërisë. Sërisht nga sa kemi lexuar dhe hulumtuar në dokumente dhe shkrime, ajo del pranë nacionalistit të shquar legalist Abaz Kupit.
Shkodranja e re, e vetmja femer mes burrave më të shquar të Kosovës, u gjend gjithnjë në krah të nacionalistëve të kohës, si: Rexhep Mitrovicës, At Benardin Llupi OFM, Ing. Xhafer Devës, Prof. Luan Gashit, Prof. Ymer Berishës, Ndue Përlleshit, Ukë Sadikut, Shaban Sadikut, Prof. Gjon Serreqit, Ibrahim Lutfiut, Mehmet Gradicës, Gjergj Dedës, Kolë Parubit, Gjergj Martinit e shumë luftëtarëve që kishin si qëllim të ngritnin popullin në luftë të armatosur kundër regjimit.
Shkodranja e dashuruar patologjikisht me Kosovën, iu përkushtua me gjithë qënien e saj, bashkimit të trojeve etnike, duke luftuar me armë kundër forcave komunsite. Ajo mori pjesë në Kuvendin e Drenicës, që ishte thirrur me qëllimin final shpëtimin e Kosovës nga pushtimi kolonizatorëve komunistët serbo-malazias-shqiptarë.
Heroina, angazhohet për të organizuar një parti me emrin Lidhja Nacionale Kosova Etnike, duke u nisur nga inisiativa e fratit At Bernard Llupit OFM me 26 dhjetor 1944 e deri me 27 shkurt 1945, arrin të themelohet Komiteti Demokratik Shqiptarë, që synonte krijimin e një rezistencë aktive kundër armiqve shekullorë serb.
Madhështia e saj përveç në organizimin e rezistencës mbarëkombtare nga Organizata NDSH dhe Besa Kombëtare, do luaj një rol të rëndësishëm edhe në Kuvendin e Doberdolit. Maria nuk u frikësua nga kërcenimet e komunistëve, për tu tërhequr nga aktiviteti atdhetarë dhe mbi të gjitha nuk iu dridh çërpiku as para togës së pushkatimit.
Si e kërkoi sigurimi Marie Shllakun?

Për herë të parë u zbardhën fakte të reja, se si Sigurimi i Shtetit komunist shqiptar bë bashkëpunim me atë Jugoslav UDB-në, përdori babain (Mark Simon Shllakun), për ta bind të bijën e tij (në Kosovë), që të kthehet në shtëpi (Shkodër).
Në revistën shkodrane fetaro-kulturore “Kumbona e së Diellës” (Nr. 1-2 Janar-Shkurt, 2014), publicisti i mirënjohur Tomë Mrijaj, në një shkrim interesant, rrefen kujtimet e të atit të tij Nikollë Pren Mrijaj (1911-1999), i cili, i mundësoi takimin atë e bijë, në kullën e tij që ishte bërë streh e nacionalistëve kosovar (pasi Nikollë Mrijaj ishte kryetar i Komunës së Zllakuqanit).
Në veprën monografikë të z. Mrijaj lexojmë: “Me ardhjen në Kosovë të babait të saj, Mark Simonit nga Shkodra( i dërguar nga Qeveria e Komuniste dhe forcat e Sigurimit, që përndiqnin për t’i vrarë antikomunistët dhe nacionalistët e vërtetë askohe, shënimi im T.M), për t’ia mbushur mendjen vajzës së tij të re, që të heq dorë nga rruga e saj patriotike, në male, me çetat nacionaliste të Kosovës kishte lindur ideja, që Maria të vinte në shtëpinë tonë, ku ishte më e sigurtë”.
Në luftën e Siçevës, ditën e tretë të festës së Bajramit ku mbetën në betejë mbi 30 burra të zgjedhur të atdheut, ajo mori disa plagë në trup i shpëtoi rrethimit. Për fat të keq, ajo më vonë në fshatin Acarevë, në vitin 1945 u zu rob nga bashkëpunëtorët e UDB-së.
Në procesin gjyqësor i zhvilluar askohe, të gjithë që kanë qenë në burg e kujtojnë si një vajzë sokoleshë, ku me një stoicizëm qëndroi e paepur, para torturave shtazarake që u bënë çdo ditë kundrejt saj. Po atë ditë, vendimi për denimin me vdekje (me pushkatim), ju dha dhe tre bashkëluftëtarëve të saj: At Bernard Llupit OFM, arsimtarit Gjergj Martinit dhe Kolë Parubit, të cilët disa ditë më vonë do të ekzekutohen, me24 nëntor 1946 në Prizren, ku edhe sot në Kosovën e lirë mjerisht ende nuk u dihen varret…

Si u zhvillua proçesi gjyqësor i Marie Shllakut?

Sot Prizreni në gji të vet
Me xhelozi ruan një skelet…
Në të lashtin Prizren gjemon historia
Në të riun Prizen rron edhe Maria! Shefqet Kelmendi

Gjykimi i grupit të madh të liridashësve të vërtetë shqiptarë zgjati 13 ditë. Ai u mbajt në ndërtesën ish Shtëpisë së Kulturës, duke filluar nga data 29 qershor 1946 e deri me datën 11 korrik të vitit 1946. Asokohe prokuror i përgjithshëm ishte Ali Shukriu. Gjatë seancës përfundimtare të gjyqit, në listën e të akuzuarve ishin 27 nacionalistë shembullorë. Në këtë shkrim, duke i respektuar të gjithë deshmorët e lirisë së Kosovës, po citoj vetëm të pushkatuarit, si: Marie Shllaku 24 vjeçe, At Bernard Llupi 60 vjeç, Kolë Parubi 41 vjeç, Gjergj Martini 29 vjeç, ku, të gjithë ishin nga qyteti i lashtë i Shkodrës, të cilët u denuan me pretencën finale me 15 korrik 1946, ndërsa pushkatimi u bë në nëntor të po atij viti.
Prokurori antishqiptar Ali Shukriu e akuzoi (sikurse thuhet në veprën ish të burgosurve dhe bashkëautorëve Ramiz Kelmendi dhe Viktor Gashit: “Shqipëria e Marie Shllakut…”, duke i rënditur asaj aktivitetin “armiqsor” (patriotik) në 11 pika.
1. Se në verë të vitit 1944, kur u vu në krye të Lidhjes së Dytë të Prizrenit Ing. Xhafer Deva, Marie Shllaku, ish sekretare e Ministrit të Punëve të Brëndshme Iljaz Agushit, u zgjodh sekretare e tij. Këtë detyrë e ushtroi deri në nëntor të vitit 1944, kur u “çlirua” Kosova. Ajo, edhe pasi iku Xhafer Deva jashtë shtetit, mbeti në Kosovë, për të luftuar kundër “sistemit të ri shoqëror”.
2. Se në nëntor të vitit 1944, pas “çlirimit” të Pejës, e la atë dhe bashkë me Mehmet Gradicën, Metë Danin dhe Adem Shalën tuboi disa qindra shqiptarë të armatosur dhe bashkë me ata doli në mal, në mënyrë që, me luftë të armatosur në prapavijë të frontit, të luftojë kundër partizanëve dhe sistemit të ri, duke “penguar kështu ushtrinë nacional–çlirimtare të ndërtojë pushtetin popullor dhe të rregullojë kushtet në Kosmet”.
3. Se nga mbarimi i vitit 1944, duke njohur mirë njerëzit, që kanë pasur lidhje me Ing. Xhafer Devën të cilët kishin mbetur vetëm, për të vijuar luftën, kundër partizanëve në prapavijë. Maria, punoi për bashkimin dhe lidhjen e tyre të ndërsjellë, duke marrë kontaktte me Ukë Sadikun dhe Ismail Goranin, prijës të “bandave” balliste, të cilët sulmuan Gjilanin, Ferizaj-n dhe vende të tjera.
4. Se në fillim të janarit 1945, pasi doli në mal dhe shkoi në Drenicë, punoi pareshtur për forcimin e radhëve të rezistencës, propogandoi që shqiptarët assesi të mos shkonin në armatën jugosllave, por të dilnin në mal për të zhvilluar luftë kundër partizanëve komunistë.
5. Se, po në janar të vitit 1945, mori pjesë në Kuvendin e Drenicës, ku gjendeshin prijësit e njohur, si: Prof. Ymer Berisha, Mehmet Gradica, Ahmet Shala, Ukë Sadiku, Major Qinisi, Shaban Polluzha, kapiten Rexhep Ismaili, Met Dine, major Kutova etj. Aty u vendos të sulmohen njësitë e ushtrisë nacional-çlirimtare në Drenicë dhe në minierën e Trepçës, si dhe u zgjodh udhëheqësia, që do t’i prijë kësaj lufte. Lufta e armatosur, që pasoi pas marrjes së këtij vendimi zgjati shumë ditë dhe shkaktoi viktima të rënda në jetën e njerëzve dhe në pasuri, betejë e cila ishte një goditje e rëndë për forcat tona, të cilat, asokohe zhvillonin luftra të rënda me gjermanët, në kufijtë e Sanxhakut.
6. Se, më të mbaruar Lufta e Drenicës e derisa u burgos, në vjeshtë të vitit 1945, vijoi me ngulm punën e saj në male me luftëtarët e rezistencës antikomuniste. Ajo mori pjesë në tubime të ndryshme me prijësit e tyre, ku, u morën vendime historike për të vijuar rezistencën me armë, dhe për të bindur popullin që të dilte në male, për t’u bashkuar luftëtarëve të Shqipërisë etnike; fshatarët t’i pranonin ato, t’i ushqenin, t’i mbanin dhe t’i ruanin në votrat e veta.
7. Se mori pjesë në Kuvendin e Dobërdolit (mbajtur në Llugën e Dan Pjetrit), në gusht të vitit 1945, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e të gjitha aradhave të armatosura anti-komuniste, në të cilin u zgjodh Prof. Ymer Berisha si udhëheqës politik, kurse Ukë Sadiku si udhëheqës ushtarak i gjithë luftëtarëve të rezistencës në Kosovë, ndërsa vetë Marie Shllaku ka mbajtur procesverbalin e takimit historik.
8. Se mbajti lidhje të vazhdueshme dhe të pandërprera me Prof. Ymer Berishën, i shkroi letra, njësoj si dhe me prijësit e tjerë, si Ismail Ymeri etj. 9. Se mori pjesë në betejat kundër njësive ushtarake jugosllave dy herë me radhë, ndërsa në Luftën e Siçevës, aty nga gjysma e shtatorit 1945, u vranë në luftime 11 oficerë dhe ushtarë të armatës jugosllave (në këtë luftë Marie Shllaku, u plagos në disa vende).
10. Se gjatë gjithë qëndrimit të saj në mal mbajti lidhje të vazhdueshme me fratin e Pejës At Bernardin Llupin OFM, ku, zhvilloi letërkëmbim me të, të cilët, u lidhën përmes korrierit, dhe mori nga ai para, ushqim dhe mesazhe.
11. Se e akuzuara Shllaku, ndonëse e plagosur dhe e stresuar në një shtëpi në Mitrovicë, u interesua për bandat, mbajti lidhje me ato dhe u kujdes për tërheqjen e tyre jashtë kufijve të vendit, sipas vendimit të marrë më parë, duke bërë kështu krim, që sanksionohen në nenin 3 pika 7 dhe 12, të ndëshkueshme, sipas nenit 4 alineja 1 të Ligjit mbi Veprat Penale kundër popullit dhe shtetit”. (Akuzat ndaj Marie Shllakut janë marr tekstualisht nga vepra e Ramiz Kelmendit dhe Viktor Gashit kushtuar asaj në faqet 15-17).
Mua mu duk e arsyeshme për t’i paraqitur akuzat ndaj Marie Shllakut, sepse kështu kuptohet dhe kontributi dhe aktiviteti i saj anti-komunist, si dhe dalin në pah faktet se pse shihej si kërcenim përsonaliteti saj për komunistët.
Marie Shllaku, do mbahet mend për heroizmat e saj. Është krenari të thuhet sot se vlerësimi i figurës së saj po bëhët dita-ditës, si në Kosovë dhe Shqipëri, ku po vihen emra rrugësh me emrin e saj. Ka ardhur koha që sot më shumë se kurrë kur njihet figura e madhe e Marie Shllakut ti ngrihet një përmedore në Shkodrën e saj ku lindi dhe u rrit, dhe në Prizrenin historik ku u pushkatua në moshën e re 24-vjeçare.
Për këtë figurë të spikatur të historisë kombëtare shqiptare, posaqërisht hulumtoi dhe shkroi me përkujdesje të veçantë studiuesi dhe publicisti shqiptaro-amerikan Tomë Mrijaj (Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit qysh prehj vitit 1978 në New York, shënimi im L.L.), që është dhe financuesi bujar i disa veprave, që janë botuar posaçërisht për Marie Shllakun.
Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit në SHBA publicisti bashkëkohorë Tomë Mrijaj, sëbashkut me miqtë e tij Prof. Dr. Muhamet Shatrin dhe studiuesin Mr.sc Nue Oroshin zhvilluan një takim të ngrohtë me Komandantin e UÇK-së dhe ish Kryeministrin e Kosovës zotin Ramush Haradinaj-n (Gusht, 2014) ku, iu kërkua brenda mundesive të tij, që të nderohet shkodrania martire Marie Shllaku sëbashku me tre martirët e tjerë (At Bernardin Llupin OFM, mësuesin Gjergj Martinin dhe Kolë Parubin), me një përmendore në qytetin e Prizrenit, pikërisht në vendin e pushkatimit të tyre.

Filed Under: ESSE Tagged With: aty ku u pushkatua?!, Leonora Laci, Marie Shllaku(1922-1946), ne Prizren, përmendore

RRUGA DEÇAN-PLAVË- MIRËNJOHJE QEVERISË SË KOSOVËS

September 25, 2014 by dgreca

ME 25 SHTATOR 2014 FILLON NDËRTIMI I RRUGËS DEÇAN-PLAVË/
Për shqiptarët e Plavës dhe Gucisë fillimi i ndërtimit të kësaj rruge ka rëndësi jetike dhe përbën proritet mbi prioritete. I jemi mirënjohës Qeverisë së Kosovës e cila më në fund vuri në jetë premtimet e shumta që I pat bërë Plavës e Gucisë për realizimin e këtij projekti.
Shqiptarët që jetojnë në Plavë dhe Guci, por edhe ata kudo që ndodhen i ka gëzuar pamasë ky lajm. Ata shpresojnë dhe besojnë në finalizimin e këtij projekti madhor dhe shumë të rëndësishëm për gjallërimin dhe zhvillimin e kësaj treve shqiptare.
Le të jetë ky projekt një shpërblim dhe mirënjohje për kontributin e pakursyer, që kanë dhënë Plava dhe Gucia për çeshtjën kombëtare gjatë gjithë periudhave të historisë.
Fondacioni Plavë-Guci me seli në SHBA-së ka pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarët më të lartë të shtetit të Kosovës dhe e ka ngritur çeshtjën e ndertimit te rrugës të lartëpërmendur. Pas premtiveve të vazhdueshme sot po korrim realizimin e premtimeve dhe kjo rugë,rrugë e shpresës, po fillon të ndërtohet.

Fondacioni Plavë Guci
P. O . Box 670923 Van Cott Station
Bronx NY 10467
Tel- 914-439-5798

Filed Under: Komunitet Tagged With: Esad Gjonbalaj, RRUGA DEÇAN-PLAVË- MIRËNJOHJE QEVERISË SË KOSOVËS

Ndërroi jetë Rexhë Berisha,ballisti i dekoruar nga Amerika

September 25, 2014 by dgreca

Baba Rexhë përjetoi lirinë e Kosovës dhe menjëherë pas luftës në vitin 1999 ai në shtëpinë e tij në Novosellë u vizitua me një qëllim nga zyrtarë të Departamentit Shtetëror të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Atë e dekoruan me medalje për luftën e tij kundër komunizmit dhe për liri kombëtare
Në fshatin e tij të lindjes në Novoselë të Pejës, të hënën ndërroi jetë dhe u varros ballisti Rexhë Berisha. Atij i munguan vetëm edhe dy vite që ta rrumbullakojë një shekull jetë. Por edhe ato që i jetoi nuk i ka çuar huq, pasi pjesën më të madhe të viteve të tij Baba Rexhë ia ka kushtuar lirisë së kombit dhe trojeve shqiptare.
Si pjesëtar i Ballit Kombëtar gjatë Luftës së Dytë botërore është përballur në beteja të shumta kundër forcave çetnike e komuniste. Vitin e fundit të Luftës së Dytë Botërore, që njihet si qendra antikomuniste, Rexhë Berisha me disa bashkëluftëtarë e ka jetuar në shpellën e Bozdanit në Bjeshkën e Haxhijave në Novosellë. I përndjekur nga forcat komuniste, ai dhe një grup bashkëluftëtarë të tij morën rrugën për në Greqi.
Pasi kaloi një kohë në Greqi ai iku në Gjermani ku u përfshi në strategjinë e përbashkët të Ballit Kombëtar, CIA-s amerikane dhe Shërbimit Britanik M16, për ta luftuar komunizmin. Në nëntor të vitit 1949 Rexhë Berisha me disa të tjerë zhvilluan një desant në veri të Shqipërisë, por misioni i përgatitur dështoi ngase ishte dekonspiruar.
Ai dhe disa shokë të tij pastaj largohen nga Shqipëria dhe rrugës duke kaluar nëpër Jugosllavi ata kapen në Çaçak të Serbisë. Mirëpo, me intervenim të CIA-s ata lirohen, kurse Berishës i bëhet e mundur të kthehet të jetojë në fshatin e tij në Novo Sellë, ndonëse gjatë tërë kohës deri në fund të luftës në Kosovë ka qenë nën vëzhgim të UDB-së.
Baba Rexhë përjetoi lirinë e Kosovës dhe menjëherë pas luftës në vitin 1999 ai në shtëpinë e tij në Novosellë u vizitua me një qëllim nga zyrtarë të Departamentit Shtetëror të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Atë e dekoruan me medalje për luftën e tij kundër komunizmit dhe për liri kombëtare./B..S/

Filed Under: Komunitet Tagged With: dekoruar nga Amerika, Ndërroi jetë ballisti i, Rexhë Berisha

KUJTESE DHE NDERIM-PËRKUJTIM – SOT NJË VIT; PA NJERIUN TONË TË DASHUR, PRENA GOJCAJ!

September 25, 2014 by dgreca

Sot, 25 Shtator 2014, u mbush plot një vit nga ndarje prej nesh e motrës, nënës, gjyshes, bashkëshortes së dashur, Prena Gojcaj!
E dashur Prena!
Ishte një vit i pikëlluar ky, që kaluam dhe zemrat tona janë djegë nga malli për Ty. Ti ishe aq e mirë, aq e dashur, aq e dhimbshur, sa e kemi të vështirë të mësohemi me faktin se të mori Zoti për vete e ne na la nën peshën e dhimbjes së madhe.
Ne ende i mbajëm sytë nga dera se mos ti rishfaqesh prapë e gjallë, e mirë, e dashur, ashtu me atë buzëqeshjen që nuk t’u nda as në castin e mbramë!
Do të kalojnë ditë, javë, muaj, vite, por ti do të jeshë e gjallë në mendjet, zemrat, shprtrat, kujtesën tonë!
I Përjetshëm Kujtimi Yt!
I lehtë dhe’u i Amerikës!
Shpirti në Paqë, motër, nënë, kunatë,gjyshe, bashkëshorte!
E Kujtojnë:
Vllëzerit Zef Tom Selca me familje, Rrok Tom Selca me familje, Llesh Tom Selca me familje, Tony Tom Selca me familje, Gjeto Tom Selca me familje, Ndoc Tom Selca-Motrat Tereze Selca Dojani me familje dhe Maria Selca Gojcaj me familje
Kunati Lek Gjeto Gojcaj me familje, të rejat Rudina Leka Gojcaj dhe Violeta Shkreli Gojcaj.
Bashkëshorti Pashko Gjeto Gojcaj,Fëmijët Gjon Pashko Gojcaj me familje;Augustin Pashko Gojcaj me familje,Norma Gojcaj Zagreda me familje;Diana Gojcaj Nikci me familje;Nipat Gabriel, Lukas dhe Christian Gojcaj ;Jakob dhe Adrian Zagreda;Mbesat Monika Gojcaj dhe Veronika Zagreda
New York, 25 Shtator 2014

Filed Under: Komunitet Tagged With: Familja Gojcaj, perkujtim, Prena Gojcaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4384
  • 4385
  • 4386
  • 4387
  • 4388
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT