Baba Rexhë përjetoi lirinë e Kosovës dhe menjëherë pas luftës në vitin 1999 ai në shtëpinë e tij në Novosellë u vizitua me një qëllim nga zyrtarë të Departamentit Shtetëror të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Atë e dekoruan me medalje për luftën e tij kundër komunizmit dhe për liri kombëtare
Në fshatin e tij të lindjes në Novoselë të Pejës, të hënën ndërroi jetë dhe u varros ballisti Rexhë Berisha. Atij i munguan vetëm edhe dy vite që ta rrumbullakojë një shekull jetë. Por edhe ato që i jetoi nuk i ka çuar huq, pasi pjesën më të madhe të viteve të tij Baba Rexhë ia ka kushtuar lirisë së kombit dhe trojeve shqiptare.
Si pjesëtar i Ballit Kombëtar gjatë Luftës së Dytë botërore është përballur në beteja të shumta kundër forcave çetnike e komuniste. Vitin e fundit të Luftës së Dytë Botërore, që njihet si qendra antikomuniste, Rexhë Berisha me disa bashkëluftëtarë e ka jetuar në shpellën e Bozdanit në Bjeshkën e Haxhijave në Novosellë. I përndjekur nga forcat komuniste, ai dhe një grup bashkëluftëtarë të tij morën rrugën për në Greqi.
Pasi kaloi një kohë në Greqi ai iku në Gjermani ku u përfshi në strategjinë e përbashkët të Ballit Kombëtar, CIA-s amerikane dhe Shërbimit Britanik M16, për ta luftuar komunizmin. Në nëntor të vitit 1949 Rexhë Berisha me disa të tjerë zhvilluan një desant në veri të Shqipërisë, por misioni i përgatitur dështoi ngase ishte dekonspiruar.
Ai dhe disa shokë të tij pastaj largohen nga Shqipëria dhe rrugës duke kaluar nëpër Jugosllavi ata kapen në Çaçak të Serbisë. Mirëpo, me intervenim të CIA-s ata lirohen, kurse Berishës i bëhet e mundur të kthehet të jetojë në fshatin e tij në Novo Sellë, ndonëse gjatë tërë kohës deri në fund të luftës në Kosovë ka qenë nën vëzhgim të UDB-së.
Baba Rexhë përjetoi lirinë e Kosovës dhe menjëherë pas luftës në vitin 1999 ai në shtëpinë e tij në Novosellë u vizitua me një qëllim nga zyrtarë të Departamentit Shtetëror të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Atë e dekoruan me medalje për luftën e tij kundër komunizmit dhe për liri kombëtare./B..S/