• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Katolicizmi dhe ndarjet fetare të shqiptarëve

September 19, 2014 by dgreca

Nga Rafael Floqi/
Në fillim të shekullit të 19-të me rritjen e levizjes sonë kombëtare dhe me nxitjen edhe të arbëreshëve të Italisë, por dhe të tendencave të Italisë për t’u interesuar për Shqipërinë pati një varg botimesh ne italisht për Shqipërinë, shumica e tyre nga arbëreshë si Zef Skiroi, Krispi por dhe shumë studiues italiane, ndër të tjera bie në sy edhe historiani, italian Arturo Galanti, autor i dy librave për Shqipërinë, njeri prej tyre “L’Albania;notizie geografiche, ethnografiche e storiche”, (Shqipëria,njoftime gjeografike etnografike dhe gjeografike) botuar më 1901. Autori ka një vlerësim të madh për kombin shqiptar dhe për të citon fjalët e historianit romak “Cornelio Tacito, kur thotë për fisin gjermanik Longobardeve, se si ata për shqiptarët ia vlen thënia “se është një shenjë lavdie numri i tyre i pakët”. Nga ky libër historik, mjaft interesant i botuar më 1901 shkëputa kapitullin mbi besimet fetare, në kuadër të vizitës të Papës, ku tregohet në gjerësi përhapja e fesë katolike gjatë Perandorisë Osmane në Shqipëri.
Fetë në Shqipëri.
– Popullsia e Shqipërisë u përket tri besimeve të ndryshme fetare: Myslimane, të krishterë katolikë dhe të krishterë ortodokse. Në Shqipëri, feja katolike është më e vjetra ndër të tria. Ortodoksia do të përhapej në kohën e sundimit bizantin e ndjekur nga skizma e Lindjes (e shek. XI) dhe të infiltrimeve serbe, bullgare, greke dhe vllahe në kombin shqiptar. Myslimanizmi filloi të përhapet në veçanti në mesin e zotëve shqiptarë të tokave(të bejlerëve) dhe pjesëtarëve të familjeve të tyre nga koha e pushtimit turk me (shek. XV), si mjeti i vetëm për t’i shpëtuar arrogancës dhe grabitjes të pushtuesit. Kontribuoi për përhapjen e islamizmit në Shqipëri, midis fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, sundimi i Ali Pashë Tepelenës. Në Shqipërinë e sipërme, në mes të fiseve gege në malet në të majtë të Drinit dhe në disa pjesë të bregdetit nga Ulqini deri në Vlorë feja katolike është një tërësi, e ndjekur nga muhamedane, dhe e fundit në një distancë më të madhe ajo ortodokse; midis fiseve të fushës dhe në mesin e atyre që jetojnë përgjatë Drinit të Bardhë dhe të Zi dhe në të djathtë të Drinit, mbizotëron besimi muhamedan, është i dukshëm dhe ai katolik, por gjithashtu ka edhe disa mijëra ortodoksë.
Në Shqipërinë e Jugut mbizotëron në mënyrë absolute besimi mysliman i ndjekur nga ai ortodoks në raport 3-2. Katolikët vendas nuk ka në Shqipërinë e poshtme. Katolicizmi aty përfaqësohen nga të huajt, kështu në vilajetit të Janinës nuk ka më shumë se 400 katolikë.
Shifrat e më poshtme janë sipas disa statistikave, po në të vërtetë ndonjë gjë, e sigurt dhe të saktë për numrat e tyre nuk dihet. Në Shqipëri numri katolikëve është i vogël dhe nuk i kalon më shumë se 110.000 vetë, ndërsa ka 1,100,000 myslimanë; dhe në këtë drejtim duhet theksuar, se Mirditorët janë krejtësisht katolikë; po ashtu katolikë janë shumicë e fiseve të Hotit, Kelmendit, Shkrelit, Kastratit, Pultit, Shalës, Shoshit dhe e disa qendrave të tjera të vogla; numri i katolikëve dhe myslimanëve në Dukagjin dhe Postribë është disi më i balancuar ( megjithatë ka një përparësi të vogël të katolikëve) në fiset e Grudës, Rjollit, Koplikut dhe Bregu të Matit (ka një mbizotërim të lehtë të myslimanëve); dhe në të fundit ka më shumë katolikë në krahinën e Zadrimës dhe në qytetin e vogël të Lezhës dhe territorin përreth. Në të gjithë pjesën tjetër të Shqipërisë numri i katolikëve në Shqipëri dhe shumë më i vogël.
Pothuajse të gjitha Toskët që nuk janë ortodoksë janë myslimanë dhe popullojnë sidomos Karaburun, (Akeraunet) dhe në kazatë e Beratit, Tepelenës, Gjirokastrës e të Delvinës. Toskët ortodoksë janë rreth 150.000 vetë.
Muhamedanët e qyteteve të Shqipërisë janë përgjithësisht më besimtarë fanatikë. Por megjithatë, shqiptarët muslimanë dhe të krishterë jetojnë së bashku në harmoni, madje edhe në të njëjtën shtëpi dhe kanë miqësi dhe martesa mes tyre, e njëjta gjë në mes të katolikëve dhe myslimanëve të fiseve malësore. Besimtarët muhamedanë të Shqipërinë poshtme nuk janë fanatikë dhe ndodh të dëgjojmë që betohen si për (Shën Marinë) dhe për Profetin. Ndërsa hebrenj ka një pakicë në Shqipërinë e poshtme të vendosur qysh nga koha kur Filipi II i ndoqi izraelitët nga Spanja. Jashtë Shqipërisë gjeografike shqiptarët janë më shumë myslimanë, si: në Bosnje, Serbi, dhe në Serbinë e Vjetër, në Prishtinë, në Shkup, Manastir dhe pjesë të tjera të Turqisë. Për katolikët shqiptarë të Italisë dhe Greqisë aplikohen shifrat e përmendura tashmë për popullsinë shqiptare në këto dy shtete. Shqiptarët e Italisë i përkasin një tjetër forme besimi në pjesën më të madhe ata janë të ritit grek-unit.

Por cila ishte ndarja e hierarkia fetare katolike në Shqipërinë e fundit të shek të XVIII-të? Arqipeshkëvitë, ipeshkvitë dhe dioqezat?

– Shqipëria tri dioqeza arqipeshkvore dhe tri ipeshkvi katolike. Arqipeshkvi janë: Shkupi me 8 famulli, me qendër në Prizren,Shkodra me 20 famulli, Durrësi me qendër në Blinisht me 78 famulli, ndërsa ipeshkvi janë: Zadrima ose Sapa me 20 famulli me qendër në Nënshat, Lezha me qendër në Kallmet me 10 famulli, dhe Pulti me 9 famulli, ka dhe një Abaci në Orosh, me një abat të mitruar të cilin Mirditorët e njohin edhe si udhëheqësin e tyre shpirtëror. Abacia e Oroshit ka 10 famulli. Po ashtu ka një arkipeshkvi me 10 famulli, edhe në Tivar që sot ndodhet në Malin e Zi.

Peshkopët ortodoksë/
– Peshkopët ortodoksë e kanë qendrën në Ohër, Durrës, Gjirokastër, Berat, Janinë, Paramithi, Konicë dhe Prevezë.
Xhamitë. – Çdo qendër me popullate myslimane ka edhe xhamitë e veta, dhe në xhami u transformuan nga turqit shumë kisha të krishtera. Në Prizren ka rreth njëzet e katër të tilla. E shumë kishave të tjera të krishtera që sot nuk ekzistojnë janë rrënoja në Shqipërinë e veriut dhe të Jugut.
Manastiret. – Disa manastire pak a shumë të vjetra ka pasur edhe në disa qytete shqiptare, ndër të tjera, manastiri i famshëm i Shën Françeskut në Lezhë, e cili sipas traditës thuhet se u themelua personalisht nga Shën Francesku i Asizit. Qyteti i Manastirit nga na tjetër ia detyron emrin e tij Manastirit të Bukovës, i cili ndodhet një orë larg qytetit. Ka rrënoja të një Abacie të famshme benedektine, të Shën Gjonit, e cila qëndronte në Shkodër, në dioqezën e Drishtit, në mes të lumit Kiri dhe liqenit, siç del nga regjistrat papnore dhe dokumentet e Venedikut të shekujve të katërmbëdhjetë dhe pesëmbëdhjetë.
Shkollat e besimit – Aty ku ka popullata të krishtera, ka shkollat misionare të drejtuara nga shoqata fetare katolike dhe greke. Priftërinjtë katolikë, priftërinjtë grekë dhe myftinjtë myslimanë janë shumë shpesh mësues të fëmijëve shqiptarë kleri është kryesisht vendas. Mësimet e myezinit janë të kufizuar në Kuran. Për më tepër, prindërit thjesht nuk kujdesen për të shkolluar fëmijët e tyre dhe përqindja e shqiptarëve që mund të lexojnë dhe shkruajnë mbetet shumë e ulët, veçanërisht në mesin e gegëve.
Shkodra ka pasur shkolla që janë favorizuar në mesin e popullsisë katolike vetëm nga françeskanët. Sot shtohet se krahas françeskanëve ka dhe jezuitë dhe murgesha stigmatine të ardhura nga Zagrebi (Kroaci). Austria ka marrë përsipër mbrojtjen e fesë katolike në Shqipëri dhe ofron në një masë të madhe dhe me lehtësi për nevojat e veta. Gjithashtu ajo subvencionon tri shkolla, dy për djem të administruar nga jezuitët dhe françeskanët dhe një për femra të drejtuar nga murgeshat, si dhe si një kopsht. Ajo mbron dhe subvencionon edhe seminarin e Shkodrës, të drejtuar nga Jezuitët. Ata kanë themeluar dy shkolla, një për djem dhe një femërore në Durrës,si dhe një shkollë djemsh në Tiranë, një për femra në Pejë dhe një për meshkuj në Gjakovë. Shkolla të tjera austriake ekzistojnë në Shirokë në liqenin Shkodrës, një Troshan (Zadrimë) dhe një në Hot. Një shkollë vajzash që do t’u besohet Motrave të Bamirësisë të Zagrebit, është duke u ndërtuar në Kallmet, qendra e banimit e Ipeshkvit të Lezhës. Austriakët kanë themeluar dhe mbajnë një spital në Shkodër ku shërbejë Motrat e Bamirësisë të Zagrebit dhe një mjek-kirurg me pagesë të ulët që shërben për katolikët e varfër. Nuk ka mungesa bursash të dhëna nga Qeveria Austriake për të rinjtë shqiptarë, të cilët mund të shkojnë në shkollat e mesme dhe universitetet. Austria nga ana tjetër mbron misionin francez të Vincentians në Manastir.
Grekët nga ana e tyre, kanë hapur shkolla në Elbasan, në Artë, por më veçanërisht në Epir, dhe këto varen nga shkollat e tyre dhe nga ana e kleri dhe peshkopët ortodoksë, dhe subvencionohen nga Silogu i Athinës (Shoqërisë për përhapjen e gjuhës greke) . Ajo çka një rëndësi të posaçme është Gjimnazi grek i Janinës(Zosimea). Ka edhe shkolla turke, por Turqia shpenzon për ato disa mijë lira turke.
Parhapja e shkollave italiane. – Italia, e cila ka tradita të vjetra të kulturës dhe përhapjes së gjuhës së saj në Shqipëri dhe për të ruajtur marrëdhëniet e vjetra të tregtisë dhe afërsisë të mirë në mes të dy brigjet e kundërta të Adriatikut, ka vetëm një shkollë teknike dhe një tregtare, dy shkolla fillore (një mashkullore dhe një femërore dhe një kopsht më fëmijë në Shkodër. Gjuha italiane është e mirënjohur, sidomos në Shqipëri e Epërme,ku italishtja flitet më shumë. Fjalët italiane kane depërtuar dialektin e Shkodrës gjatë kohës së sundimit të Venedikut: nga ana tjetër shumë banorë të maleve shqiptare injorojnë emrin dhe madje edhe ekzistencën e vetë Italisë.
Shkolla kombëtare/
– Me zgjimin e ndjenjës kombëtare pak nga pak shqiptarët po binden për nevojën e shkollave kombëtare. Tani për tani, kanë një shkollë kombëtare në Korçë dhe një në Prizren. Ata vetëm dëshirojnë të hapen më shumë shkolla të tjera të ngjashme shpejt në të gjithë Shqipërinë. Por është e vërtetë, për më tepër, se qeveria osmane kurrë nuk kishte dhënë leje deri tani që mësimi në shkolla të jepej në gjuhën shqipe.

Filed Under: Histori Tagged With: Katolicizmi, ndarjet fetare en Shqiperi, Rafael Floqi

JA SI DO TE LEVIZET TE DIELEN NE TIRANE

September 19, 2014 by dgreca

Ministria e Kulturës bëri sot publike detajet dhe mënyrën se si do të jetë e organizuar vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, më datë 21 Shtator 2014, një ditë kjo e veçantë dhe historike për shqiptarët.
Në këtë kontekst është hartuar e vënë në zbatim një plan i posaçëm masash me detyra konkrete për të gjitha strukturat e policisë dhe të gjithë institucionet e përfshira me përgjegjësi për sigurinë e vizitës së Papës në Shqipëri.
Policia e Shtetit do të kalojë në gatishmëri të përforcuar në të gjithë vendin, ndërkohë që 2500 forca policore do të jenë të angazhuara me detyra konkrete për të siguruar mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve të planifikuara. Janë marrë masa të gjithanshme duke nisur nga Pikat e Kalimit Kufitar e deri në brendësi të territorit.
Policia e Shtetit bën me dije publikun se do të ketë kontrolle të shtuara policore në të gjitha akset rrugore, si dhe në të gjitha pikat hyrëse në kryeqytet. Në zonën ku do të zhvillohet aktivitetet e parashikuara në axhendën e vizitës, masat e sigurisë dhe prezenca e punonjësve të Policisë së Shtetit me uniformë dhe civilë, do të jetë maksimale.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit u kërkon të gjithë qytetarëve të kufizojnë në maksimumin e mundshëm lëvizjet me automjetet e tyre në të gjitha akset rrugore të qytetit të Tiranës, si dhe akset që lidhin kryeqytetin me zonat përreth tij gjatë ditës së vizitës së Papës.
Policia do të jetë në gatishmëri të plotë për të shoqëruar të gjitha autoambulancat në rastet e emergjencave shëndetësore.
Lëvizja e automjeteve që do të transportojnë pelegrinët
Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Veriu i Shqipërisë do të devijojnë lëvizjen tek Sheshi Shqiponja përmes Unazës së Re, duke kaluar tek rruga e Kavajës drejt kryqëzimit tek “21 Dhjetori”, ku do të zbresin pelegrinët. Më pas parkimi i autobusëve do të bëhet në Unazën e Re.
Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Jugu i Shqipërisë do të qarkullojnë përmes aksit Plepa- Ndroq-Kombinat, duke kaluar tek rruga e Kavajës drejt kryqëzimit tek “21 Dhjetori„ ku do të zbresin pelegrinët. Më pas parkimi i autobusëve do të bëhet në Unazën e Re.
Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Juglindja e vendit do të kalojnë përmes Unazës së madhe dhe më pas tek Kopshti Zoologjik do të bëhet zbritja e pelegrinëve dhe njëkohësisht parkimi i autobusëve.
Për automjetet me të cilat do të bëhet transporti i personave me aftësi të kufizuar pjesëmarrës në aktivitetet, parkimi i tyre do të bëhet tek Fakulteti Filologjik.
Lëvizja e autobusëve me pelegrinë do të lejohet deri në orën 08:00. Pas orës 08:00 asnjë autobus nuk do të lejohet të hyj në qytet.
Lëvizja e qytetarëve që do të marrin pjesë në aktivitet
Në të gjithë perimetrin që rrethon Sheshin Skënderbej, Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe Sheshin Nënë Tereza janë vendosur 27 pika kontrolli, ku do të realizohet kontrolli i të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni me detektor metalesh, lëndësh eksplozive dhe pajisjesh të tjera speciale për kontroll e mbikëqyrje.
U kërkohet të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni që të kalojnë përmes këtyre pikave të kontrollit. Nëse tentojnë të kalojnë jashtë këtyre pikave do të shoqërohen në Komisariatet e policisë.
Personat që do të marrin pjesë në ceremoni me ftesa, bashkëngjitur ftesës duhet të kenë edhe kartën e identitetit. Nga ana e policisë do të bëhet kontrolli me listat përkatëse në pikat e kontrollit dhe nuk do të lejohen personat që nuk kanë kartat e identitetit. Personat që kanë ftesë por nuk do të figurojnë në listat që ka Garda apo Policia e Shtetit në pikat e kontrollit do të shoqërohen në ambientet policore.
Lëvizja drejt Aeroportit të Rinasit dhe fshatit Bubq
Aksi rrugor në drejtim të Rinasit do të jetë i bllokuar nga ora 08:00 deri në orën 10:30.
Të gjitha akset rrugore në drejtim fshatit Bubq do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në ora 19:00.
Aksi Bubq – Rinas do të jetë i bllokuar nga ora 17:00 deri në 20:30.
Qytetarëve që kanë lëvizje drejt aeroportit u kërkohet që të shfrytëzojnë hapësirat jashtë këtyre harqeve kohore për shkuar në Rinas.
Asistenca mjekësore
Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në Sheshin ”Nënë Tereza”, Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa në mënyrë që qytetarët të asistohen nga:
Çadra me staf mjekësor të specializuar
15 ambulanca
helikopter mjekësor
dy qendra mjekësore të ndihmës së shpejtë do të ngrihen në Pallatin e Kongreseve dhe përgjatë Blv „Dëshmorët e Kombit”
vullnetarë në pikat e ujit përgjatë gjithë kohës së zhvillimit të aktivitetit;
vullnetarë me çanta uji përgjatë Blv „Dëshmorët e Kombit;
Në Bulevardin „Dëshmorët e Kombit” dhe përreth tij do të vendosen 60 tualete të lëvizshme, me akses edhe për njerëzit me aftësi të kufizuara.
Vullnetarët, e vendosur përgjatë gjithë bulevardit „Dëshmorët e Kombit” do t’i identifikoni nga shenjat dalluese (bluza dhe baxha).
Ekrane LIVE
Ardhja, takimet dhe Mesha e shenjtë që do të mbajë Papa Françesku do të transmetohen LIVE në ekrane të vendosur përgjatë gjithë Bulevardit „Dëshmorët e Kombit”, sheshi „Nënë Tereza” dhe Pallatit të Kongreseve.
Pallati i Kongreseve do të transformohet në një qendër mediatike ku agjencitë ndërkombëtare të medias të akredituara për këtë vizitë do të transmetojnë LIVE vizitën e Papa Françeskut.
Programi i vizitës së Papa Françeskut në Tiranë
Më 21 shtator 2014, ditë e diel, Papa do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit në orën 9.00 ku do të pritet me një ceremoni të veçantë nga Kryeministri shqiptar Edi Rama.
Në orën 9:30, Papa do të pritet nga Presidenti i Republikës.
Në orën 10:00 do të takohet me autoritetet në sallën e pritjes së Presidencës dhe do të ketë një fjalim të Atit të Shenjtë.
Në orën 11:00 do të kremtohet një meshë në sheshin “Nënë Tereza”, shoqëruar nga fjala e Papa Franceskut në fund të saj.
Në orën 13:30, papa do të takohet në një drekë me Ipeshkvinë shqiptare dhe shpurën papnore.
Në orën 16:00, papa do të takohet me krerët e komuniteteve të tjera dhe komuniteteve të krishtera në Universitetin katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe aty do të mbajë një fjalim.
Në orën 17:00 do të ketë një kremtim të lutjes mbrëmesore në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, ku do të ketë edhe një fjalim të posaçëm.
Në orën 18:30 do të ketë një takim me fëmijët e qendrës “Betania” dhe një përfaqësi të qendrave bamirëse të kishës katolike në Shqipëri.
Në orën 19:45, Papa do të largohet me një ceremoni nga aeroporti “Nënë Tereza”.
Këshilla për qytetarët që do të marrin pjesë në ceremoni
Qytetarët që do të marrin pjesë në ceremoni të evitojnë veshjet e rënda, pasi nga policia do të ketë kontrolle trupore.
Nuk duhet të kenë me vete çanta shpine apo valixhe të ndryshme.
Të mos mbajnë sende të forta apo objekte të tjera që mund të jenë të dyshimta për forcat e policisë.
Nuk do të lejohet mbajtja e shisheve të qelqit. Rekomandohet përdorimi i shisheve plastike për ujë apo pije të tjera freskuese.
Qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në meshë, duhet të afrohen drejt sheshit para orës 09.00. Pas kësaj ore do të jetë e pamundur hyrja në Sheshin ”Nënë Tereza”. Meshën mund ta ndjekin të gjithë.
Sheshi “Nënë Tereza” është një hapësirë e limituar për arsye sigurie, ku vendi i pjesëmarrjes do të jetë i përcaktuar nga Kisha dhe autoritetet e protokollit të Shtetit.
Përgjatë Bulevardit mesha mund të ndiqet nëpërmjet ekraneve që transmetojnë direkt.
Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e qetë dhe sigurinë përgjatë gjithë ditës, jo vetëm në zonën e qendrës, por në të gjitha vendet ku do të zhvillojë takime Papa Françesku.
Për qytetarët janë vënë në dispozicion dy numra:
Numra emergjence: Telefononi në numrin 129 për të gjitha rastet kur do të konstatohet diçka të dyshimtë.
Telefononi për ndihmë mjekësore në numrin 127 dhe 042222235(Kortezi ATSH-Almarina Gegvataj)

Filed Under: Kronike Tagged With: Ministria e Kultures, për qytetarët, publikon udhëzimet

DARKË ME PRESIDENTIN NISHANI DHE DELEGACIONET E SHQIPËRISË DHE KOSOVËS

September 19, 2014 by dgreca

VATRA DHE KOMUNITETI SHQIPTAR DO TË SHTROJNË DARKË PËR DELEGACIONIN E DREJTUAR NGA PRESIDENTI I SHQIPËRISË, Z. BUJAR NISHANI DHE DELEGACIONIN E KOSOVES/
Me rastin e vizitës së presidentit Bujar Nishani, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në bashkëpunim me Komunitetin Shqiptar në New York,në mbrëmjen e 27 shtatorit, do të shtrojnë një darkë , ku janë të ftuar edhe klerikët e të gjithë besimeve fetare.
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe Komuniteti Shqiptar ftojnë shoqatat dhe fondacionet që të bëhen pjesë e darkës që do të shtrohet në nder të delegacionit shqiptar të kryesuar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bujar Nishani, i cili do të marrë pjesë në punimet e Sesionit të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, që mbahet gjatë muajit Shtator 2014.
Darka do të shtrohet Ditën e Shtunë, 27 Shtator 2014 në orën 7.00 të mbrëmjes në restorantin MAESTRO’S, që ndodhet në adresën:
1703 Bronxdale Ave, Bronx, NY 10462
Tel: (718) 792-8844
Vatranët dhe komuniteti janë të ftuar që të bëhen pjesë e kësaj darke.
Telefononi:
917-254-61-03, (718) 365-99-00, 917-848-3999, 914-316-0045; 917-669-2082, 917-355-1486, 914-772-2478, 973-819- 88-67; 914-76- 05-653
Për Shoqatën Camëria, rezervimet mund të bëhen përmes kryetarit Fuat Mamo në telefonin: 201-893-67-76, Për Legalistët rezervimet mund të bëhen përmes Ndrec Gjergji 718-347- 9472, për rezervime nga shoqatat e Malësisë mund të bëhen rezervimet tek koordinatori Esad Gjonbalaj në Tel: 914-4395798, për rezervime nga Shoqata Rugova mund të bëhen përmes telefonit të Shaban Lajcit 917- 445-4126,për rezervime nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane thirrni Agim Alickaj në tel:914-237-6400, për rezevime nga Bashkimi Kombëtar dhe Shkolla Shqipe telefononi tek Dede Gjonvukaj Tel- 718.933.4141 ose 718.933.4466, Për rezervime nga Shoqata e Shkrimtarëve telefononi Dede Elezaj në tel: 917-445-4126.
Mbremja eshte e hapur per Komunitetin.

Filed Under: Vatra Tagged With: bujar nishani, dalip greca, Darke me Presidentin, Komuniteti, Vatra

ZOTI KRYEMINISTËR OSE ME PAPA FRANÇESKUN, OSE ME DIKTATORIN…!

September 19, 2014 by dgreca

Opinion Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
E ndoqa mbrëmë kryeministrin Rama tek Opinion.
Do të ndalem tek qëndrimi i zotit kryeministër midis dy ngjarjeve, njëra në Tiranë dhe tjetra në Gjirokastër: ndërsa në Tiranë, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit janë të varura fotot e viktimave të diktaturës; në Gjirokastër, nën praninë e anëtarëve të qeverisë Rama, festohet 70 vjetori i çlirimit të qytetit duke panegjeruar diktatorin, vrasësin e viktimave, që kryeministri i ka shpalosur në Bulevard. Sikur Edi Rama të jetë Mbreti i Republikës të Absurdit.
Edi Rama tha tek Opinion se nuk e çon në mendje të ndryshojë pensionistët enveristë, duke marrë në mbrojtje tre ministrat e tij Erion Veliaj, Arben Ahmetaj, dhe Bledi Çuçin që, sipas tij, i dëgjonin me indiferentizëm brohorimat „Lavdi Enver Hoxha“ dhe bënin shurdh-memecët, sikur me trup ishin aty, por me mendje e shpirt pranë Edi Ramës.
Qeveria Rama ka bërë përgatitje shumë serioze për pritjen e Papa Françeskut. Ke dëshirë ta shohësh Sheshin që do të presë Shefin e Vatikanit dhe Tirana ngazëllen prej ngjarjes së madhe. Por e gjithë kjo përgatitje tingëllon demagogji e pastër, kur ekranët e televizioneve të Tiranës – japin paralelisht – këndej kronikën e Bulevardit Dëshmorët e Kombit me fotografitë e viktimave të diktaturës, ndërsa në anën tjetër kronikën ku anëtarët e qeverisë Rama, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj dhe Bledi Çuçi marrin pjesë në festimet ku brohoritet diktatori që ishte vrasësi i viktimave, fotot e të cilave Rama tha se janë vendosur me vendimin e tij në Bulevard.
Fotot në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, me fotot e Enver Hoxhës në Gjirokastër, janë dy ngjarje me sens diametralisht të kundërt, që e përjashtojnë njëra-tjetrën, që do të thotë se mund të jetë ose njëra ose tjetra, por kurrë bashkë dhe njëkohësisht. Dhe kryeministri Rama nuk mund të gjejë asnjë argument për t’u justifikuar. Nuk ka argumenta. Nuk ekzistojnë në këtë rruzull argumenta që të justifikojnë këtë makabritet figurativ dhe shpirtëror.
Edi Rama nuk mund të jetë njëkohshëm edhe kryeministri i atyre që kujtojnë xhelatin edhe kryeministri i atyre që kujtojnë viktimat e xhelatit.
Një lider dhe një politikan i kalibrit Perëndimor nuk mund të hajë me disa lugë, edhe me lugën e lugatit, edhe me lugën e shenjtorit. Sepse parimet e lirisë janë një.
Po e jap edhe një herë shembullin me Angela Merkel. Angela Merkel dhe shteti gjerman nuk do të pranonte kurrë që në fitoren e çlirimit të Berlinit, të kujtohej Hitleri, apo në festimet e bashkimit të Gjermanisë të glorifikohej nazizmi apo Erich Honecker dhe Egon Krenz. Nuk mund të ndodh që ministra të Angela Merkel të marrin pjesë në një aktivitet ku veteranë të luftës të brohorasin për Hitlerin. Gjermania kërkon ndjesë për viktimat edhe sot e kësaj dite, ndërsa viktimat e regjimit komunist në Shqipëri as nuk kujtohen dhe as nuk dënohen krimet monstruoze të diktaturës.
Pra kryeministri Rama është i pajustifikuar në këtë pikë. Ai duhet të jetë i qartë. Ai nuk mund të jetë aleat me Partinë e Punës dhe Partinë Komuniste e ndërkohë të jetë aleat edhe me Perëndimin, Angela Merkel dhe Obamën. Ky është pragmatizëm vulgar, ky është si të shkelësh mbi parimet Perëndimore.
Edi Rama nuk mund të luajë kështu, sepse Perëndimi nuk do ta pranojë.
Le të kujtojmë motivacionin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, i cili është shfaqur në të gjitha mediat shqiptare, ku ai thotë në mënyrë të thjeshtë dhe pa asnjë ekuivok arsyen e ardhjes në Shqipëri: “Të dielën e ardhshme, me ndihmën e Hyjit, do të shkoj në Shqipëri. Vendosa ta vizitoj këtë vend, sepse ka vuajtur shumë, për shkak të regjimit të tmerrshëm ateist“. Regjimi ateist është regjimi i Enver Hoxhës, i cili pavarësisht fjalëve të Papës, u kujtua në Gjirokastër, në mënyrë glorifikuese nën praninë e ministrave të kabinetit Rama. Ministrat e Ramës ishin duke blasfemuar në atë ceremoni të mjerë. Edhe kryeministri Rama blasfemon, nëse thotë se nuk ua prish qejfin veteranëve të luftës të kujtojnë diktatorin.
Jo, nuk mund të luajë kështu Rama. Rama duhet të luajë pastër, qartë dhe pa qëndrime ambige. Perëndimi është duke e pritur që ai të vejë në jetë premtimet. Edi Rama nuk mund t’ia lejojë vetes që të ketë dy personalitete paralele. Duhet të ketë vetëm një. Duhet të ketë vetëm personalitetin që organizoi mikpritjen e Papës, që organizoi vendosjen e fotove të martirëve në Bulevardin „Dëshmorët e Kombit“, atë personalitet që i ka premtuar Angela Merkelit dhe Perëndimit reforma.
Këtyre kohëve në Shqipëri kanë ndodhur mjaft ngjarje dhe Edi Rama duhet të mbajë qëndrime të prera. Nëse nuk i mban, i bën keq kryeministrit. Në rastin konkret, Edi Rama duhet të ngrejë në qiell Luftën Antifashiste, por duhet të dënojë enverizmin dhe enveristët, përfshirë edhe ata që demonstruan në qytetin e Gjirokastrës. Dhe po të isha unë në vend të tij, të tre ministrat e kabinetit që morën pjesë në manifestime që ringjallin diktatorin, do t‘i kisha përjashtuar pa u lodhur fare, me një të rënë të lapsit. Sepse unë do të mbroja faqen dhe integritetin e kryeministrit.
Por nëse kryeministri Rama do të vazhdojë të tolerojë skandale të dimensioneve të tilla, të gjitha do të kalojnë në llogari të tij dhe po kalojnë në llogari të tij..

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, OSE ME DIKTATORIN...!, ZOTI KRYEMINISTËR OSE ME PAPA FRANÇESKUN

VALSI POETIK I EMIGRANTIT FESTIM LITI

September 19, 2014 by dgreca

(Festim Liti, “Valsi i Vdekjes”,poezi, prozë, publicistikë, Tiranë-Larisa, 2014)/
Nga Kolec TRABOINI/
Festim Liti është një emigrant që tashmë i ka kaluar dy dekada jashtë atdheut dhe ka prekur tërë kontinentin e me odisenë e tij. Me prirje letrare që në rini, por pa mundur të botojë në shtypin e kohës, sepse “biografia politike” ka qenë plaga e vuajtja e shumë e shumë shqiptarëve të ndaluar në shkollim dhe krijimtari. Festim Liti, i ndaluari i diktaturës fillimisht shkoi emigrant në Gjermani. Tentoi të qëndrojë në Francë, dhe pasi aventura e arratisjeve nëpër kufijtë europianë nuk i rezultoi me sukses, sepse edhe largësia e lodhi, preferoi Greqinë, kështu që u vendos në Larisa ku pati mundësinë të bashkohej edhe me familjen.
Në një nga ditët e zakonshme të punës, në një qytet ku kishte pak shqiptarë, gjen në në një kioskë ku shitej shtypi, një gazetë “Egnatia”. Një gazetë në gjuhën shqipe dhe iu duk se po takonte atdheun. Menjëherë i shkruan kryeredaktorit në Athinë që ishte miku i tij i rinisë dhe që është autori i këtyre radhëve. Që atëherë Festim Liti u bë një nga bashkpunëtorët kryesorë të gazetës dhe korrespondenti i saj për Larisën. Janë të shumta shkrimet e Festim Litit në gazetën “Egnatia”, reportazhe, përshkrime, poezi, gjithashtu ai është një nga autorët e përfshirë në albumin poetik të emigrantëve “Balada e largësive” botuar në Athinë në vitin 1995.
Mbylljen e “Egnatias” e priti me dëshpërim, por ndërkohë kishin dalë gazeta të tjera shqipe në Athinë. Afrohet me klubin e shkrimtarëve “Drita” në Athinë dhe revistën “Pelegrin” ku është një nga anëtarët më aktivë.
Boton librin e parë “Shtëpinë e kam në një pikë lot”- monografi, dhe këtë vit sjell librin e tij të dytë “Valsi i vdekjes” – poezi, tregime dhe publicistikë.
Janë krijime të dy dekadave, subjekte të qëmtuara me kujdes e të limuara me pasion. Një libër në kaq vjet mund të duket pak, por kur e lexon e ndjen se skalitja e vargjeve dhe e fjalës ka dashur kohën e vet. Si një gurgdhendës i mirë që nuk e vë gurin në mur pa e latuar në atë mënyrë që të mos e lëvizë më as koha, por as lëkundjet e tokës.
Poezitë e Festim Litit mund të themi se kanë katër karakteristika: kanë ndjesi, kanë figuracion, kanë mendim dhe janë lakonike, çfarë të bën t’i lexosh me kënaqësi dhe të kesh po atë ndjesi edhe kur t’i lexosh sërish. Festim Liti si autor i shmanget dy elementëve që e bëjnë poezinë të lodhshme: retorikës dhe pasthirrmave, të cilat vihen re në disa autorë që rreken të bëjnë emër duke buçitur më shumë sesa duke medituar. Atdhedashurinë e gjen tek vargjet e Festim Litit siç e gjen lexuesi tek Manushaqja e Naim Frashërit, të thjeshtë e të brishtë, por edhe me një metaforë që të ndez imagjinatën për të bukurën e të mirën. Janë 55 poezi në tre cikle që kanë një gjeografi vendesh krijimi që kalon shtetet e Europës në kalim kufinjsh, “Baladë për rininë e vrarë” – Tuluzë 1992, “Dilemë” -Nyrenberg 1992, “Kurbeti” në Larisa 1993, por edhe “Në kopshtin e huaj” në Naples, Florida të Amerikës 2013 ku ai është gjendur si vizitor, ashtu siç ka edhe poezi shkruar në Tiranë vitet e fundit, ku vjen më shpesh tashmë, sepse sa më shumë shkon mosha aq më shumë malli për atdheun të tundon.
Poezia e Festim Litit është intime, si një bisedë në një distancë të afërt, ta zëmë me veten, me një mik a me një shok, me një vajzë a me një lule, me një pëllumb apo me një pemë lule në oborrin e shtëpisë. Edhe kur poezitë kanë karakter shoqëror, pra që vijnë jo nga një mundim a brengë personale, por nga një hall që u ka rënë shumë njerëzve në shpinë, ai mbetet në kufinjtë e njeriut që edhe zemërimin e ka të butë. Një zemërim që të thërret për t’i ndryshuar gjërat, sepse kësisoj nuk shkojnë. Të duken si fjalët e pleqve të urtë që edhe zemërimin e kanë si urtësia e syve melankolikë. Edhe kur shfaqet ky zemërim me të keqen nuk gjen urrejte, sepse fjalën e konsideron si një medikament për shpirtin e argasur të njeriut.
Do ta konsideroja poezinë e protestës të Festim Litit si fjalët e këshillat e një Bude të mençur që mediton thellë, që i flet të nesërmes, që sheh dritë atje ku të tjerët kanë ngecur: /tek tingujt hyjnorë mbështeta ballin/ e ndjeva qetësi, qetësi./
Ka vargje të dëshpëruara për fatin e mërgimtarëve të varfër, të cilët ndoshta më shumë se askush janë pranë natyrës, në rastin tonë pranë pëllumbave që i ushqen me varfërinë e tij, që ndonjëherë i duhet t’u kërkojë ndjesë atyre që janë simboli i paqes, duke iu drejtuar:/ Më falni, o fluturakë fisnikë,/sot s’mund t’iu pres jam me nxitim!/ Tej, tek katedralja hijerëndë,/ një dorë prifti do të puth, /për të marrë një rracion ushqim…/
Poezia herë-herë mbështetet në imagjinatë e abstragim nga realiteti duke të futur në botë misterioze, gjë që tregon se autori parapëlqen edhe poezitë me ide filozofike e me një mendim jo të drejtpërdrejtë, siç është poezia “Njeriu pa kokë” për një njeri që kish bërë një jetë pa patur kokën e vet mbi supe dhe në dëshpërim në fund të jetës lutet: / Më ndihmoni, o njerëz!/Presidentë qofshi a ministra,/deputetë, lypsarë, zuzarë a kusarë,/ diku po e gjetët ma thoni./ Nuk dua sytë, veshët apo gojën,/as dhëmbët nuk i dua se ishin proteza,/por trurin, ju lutem, të ma ktheni,/për të vajtur i lumtur në varreza…/
Padyshim kjo poezi është ndër më të bukurat, sepse është edhe e veçantë, nuk është një temë që e gjen të rrahur përditë, nuk është përgjërim, por një mendim i thellë se çfarë në të vërtetë është më e çmueshme për njeriun në jetë e çfarë kemi humbur nëse nuk kemi ditur të jemi vetvetja, por njerëz me mendje të shartuar e të budallepsur nga politika e ditës. “Fabul makabre” është një poezi e kësaj natyre që përgjithëson nëpërmjet subjektit mistik, ikja e dy kufomave nga morgu. Të duket misterioze në plan të parë, sikur ke të bësh me një ngjarje vërtet makabre, por që përfundon me një grotesk të goditur dhe e bën poezinë një krijim të realizuar me mjeshtëri. Pasi po përpiqeshin të zgjidhnin misterin e ikjes së kufomave zbulojnë se ata kishin vjedhur vetëm kasafortën e spitatit, ndaj: / Vetëm atëherë ministrat e deputetët,/morën frymë të lehtësuar./ O Zot, sa me fat jemi,/ç’do mbetej për ne,/sikur të vidhnin arkën e shtetit?!/.
Poezia është shkruar në korrik 2013, po a nuk jemi në realitetin e sotëm kur dikush e ka vjedhur arkën e shtetit? Poezia e mirë është ajo që edhe pse i referohet një kohe apo një ngjarje, vlen edhe për kohë të tjera, ka forcën si të veçantës por edhe të përgjithësimit. Tek Festim Liti i gjen këto sepse ai punon me kujdes me poezinë, e qëmton me kujdes vargun, punon me idetë, është i kursyer në vargje dhe siç tërë jetën ka qenë një mekanik tornitor i mire, bën punë të imta, i jep metalit formë dhe vargut bukuri e hijeshi.
Kam kënaqësinë të jem personazh i Festim Litit në një poezi, “Kupëz malli”, shkruar në 1995 kur bashkë punonim për gazetën e emigrantëve shqiptarë “Egnatia” në Greqi. Një poezi me ndjesi të thellë për shokun e rinisë, por edhe bashkvuajtësin në mërgim, në prag të një fluturimi të ri përtej oqeanit: por sado larg të ikim me mërgimet tona shpirti na mbetet në Atdhe: / Ndërsa “kuajt e tu të bardhë”, jele-harlisur,/ me trok të rëndë rendin drejt moskthimit./ Ma thotë zemra, vëlla, ma thonë yjet,/ ma thotë hëna tek lan faqet burimeve/ta pimë bashkë në këtë mbrëmje ndarje, /një kupëz-malli me nektar Shqipërie!/
Titulli i librit është marrë nga një letër dërguar radio Tiranës në vitin 2000, me mallin e zjarrtë e tundimet e mërgimeve të gjata, por do të thosha se i tërë libri është një vals i bukur i emigrantit dhe poetit Festim Liti në tërë skajet e kontinentit. E të vazhdosh të vallëzosh deri në fund të jetës me bukurinë e fjalës dhe të tingujve të jetës është një gjë e bukur, çka do të thotë se jeta edhe në hallet e mergimtarit ka bukuritë e veta e mbi të gjitha e ka një kuptim madhështor, ajo që dikur më ka shkruar në një letër Festim Liti për kohën kur ka qenë në Frankfurt e ku u thoshte punëdhënësve “Zotërinj, jam i fuqishëm. E shes lirë krahun tim. Por shpirtin tim nuk e shes!” Poeti Festim Liti e ruajti shpirtin e tij kudo ku punoi e u robëtua si emigrant, e mblodhi copëza- copëza me fjalë e me vargje, me bulëza vese e djerse, e plot nostalgji e dashuri e solli dhe e vendosi si buketë me lule në parzmin e Atdheut të vet.

19 shtator 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Festim Liti, Kolec Traboini, VALSI POETIK I EMIGRANTIT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4394
  • 4395
  • 4396
  • 4397
  • 4398
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT