• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHBA E BE, QENDRIM TË QARTË PËR SITUATËN ALARMANTE NË KOSOVË

September 18, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Është e rëndë ta thuash këtë fakt, por kjo është e vërteta nën dritën e diellit. Hashim Thaçi ka 7 vjet që e keqqeveris Kosovën dhe ndërsa ka humbur zgjedhjet e 8 qershorit, është duke i zvarrisur të gjithë qytetarët zhag me pretendime që mund t’i kenë vetëm diktatorë të kalibrit të Koresë së Veriut.
Gjatë qeverisjes së tij për dy mandate rresht demokracia në Kosovë u kthye në një përbindësh, ku Thaçi dhe njerëzit e tij morën nën kontroll të gjitha pushtetet, eleminuan lirinë e shtypit dhe e përdorën pushtetin politik për t‘u pasuruar, ndërkohë që varfëria në Kosovë vazhdon të mbetet 70%, një kërcënim real për sigurinë kombëtare të vendit.
Gjatë regjimit të tij në Kosovë lulëzoi dhe u importua një lloj islamizmi brutal, jo shqiptar, i cili filloi ta përdorte fenë si ideologji ekstremiste, duke i konvertuar shqiptarët e Kosovës në ushtarë mercenarë të grupeve terroriste në Siri.
Megjithëse të gjithë ekspertët konstitucionalistë hedhin dritë dhe thonë se nuk ka asnjë arsye për ngërç institucional, Hashim Thaçi me institucionin e kapur të Gjykatës Kushtetuese, arriti që të vonojë konstituimin e institucioneve të reja të Kosovës. Dhe Kosova, edhe katër muaj pas zgjedhjeve, ka mbetur një vend pa shtet dhe në anarshi të plotë.
SHBA dhe BE kanë 15 vjet që mbulojnë Kosovën dhe përmes organizmave të tyre ia kanë mësuar politikanëve të Kosovës alfën dhe betën e funksionimit të shtetit, ndërsa tani janë duke heshtur dhe nuk kanë shprehur asnjë qëndrim përpara kësaj katrahure që po ndodh në Kosovë. Nga kjo heshtje përfiton Hashim Thaçi që të nëpërkëmbë edhe më votën e Sovranit, i cili e ka nxjerrë në opozitë.
\Kemi një anëtar të Gjykatës Kushtetuese që e dha dorëheqjen si pasojë e degradimit të institucionit të lartë të drejtësisë, drejtuar nga Enver Hasani, një marionetë e Hashim Thaçit, që e nxori ilegjitime procedurën e zgjedhjes së kryetarit të parlamentit të Kosovës, votuar prej shumicës, me qëllim që t’i jepte kohë ish-kryeministrit, kohë e cila de facto dhe de jure i është djegur.
\Nga ana tjetër, edhe institucioni i Presidentes të Republikës është kthyer në një kukull, e cila gjatë kësaj kohe është marrë vetëm me heqjen e dhjamit të tepërt dhe as nuk i bëhet vonë për popullin që vuan dhe për Kosovën që dergjet.
\Kur Hashim Thaçi arriti që të krijojë maxhoranca, gjatë dy mandateve të tij të para, askush nuk ia mori në diskutim pushtetin. Ky ishte fati dhe fataliteti i Kosovës. Ndërkohë për të sqaruar opinionin publik, asnjëherë partia e tij nuk i ka fituar më shumë se 190 mijë vota, ndërsa tani që i është larguar Nisma, PD nuk i ka më tepër se 150 mijë vota, nga 1 milionë e 800 mijë votues, prej të cilëve më tepër se 700 mijë morën pjesë në votimet e 8 qershorit. Pra Hashim Thaçi e ka qeverisur Kosovën gjithmonë nga pozitat e një partie me elektorat të kufizuar.
Dy mandatet e para Hashim Thaçi është mandatuar si kryeministër i Kosovës sepse ka mundur të krijojë aleanca, një herë me klanin e LDK-së, pastaj me Bexhet Pacollin me shokë, por tani kur askush nuk pranon të bashkëqeverisë dhe të krijojë aleanca me të, ai s’ka shans tjetër vetëm të largohet, sepse koha që ka qëndruar është thjesht një shkelje e Kushtetutës dhe me pasoja për Kosovën.
Dhe meqë ai nuk largohet në mënyrë kushtetuese, dhe meqë ai kërkon me çdo kusht pushtet dhe mandat të tretë, ndërsa ka filluar t’i ndërsejë zagarët e tij të kërcënojnë popullin e Kosovës me Drenicën e pushkës, ka ardhur momenti që SHBA dhe BE të dalin hapur dhe qartë me qëndrimet e tyre.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, per situaten ne Kosove, qendrim te qarte, SHBA dhe BE

Shqipëria nderon martirë të kombit dhe fesë

September 18, 2014 by dgreca

Nga Frank SHKRELI/
Tre ditë para se të shkelë në tokën arbërore për vizitën e tij në Tiranë, Papa Francesku ka përshëndetur gjatë një meshe në Vatikan, shqiptarët dhe ka falenderuar popullin shqiptar për përgatitjet që ka ndërmarrë për ta pritur atë sa më mirë me rastin e vizitës së tij në kryeqytetin e shqiptarëve, ndërsa ka theksuar edhe njëherë shembullin e tolerancës fetare ndër shqiptarët, si një prej arsyeve kryesore të vizitës së tij në Shqipëri, duke thënë tekstualisht këto: “Të dielën, me ndihmën e Zotit do të shkoj në Shqipëri. Kam vendosur ta vizitoj këtë vend, sepse ka vuajtur shumë për shkak të një regjimi të tmerrshëm ateist dhe tani po mundësojnë një bashkëjetesë paqësore midis besimeve të ndryshme fetare. Përshëndes popullin shqiptar dhe i falënderoj ata për përgatitjet për vizitën time. U kërkoj të gjithëve që të më shoqërojnë me lutje”, ka thënë Papa disa ditë para udhtimit të tij drejtë Tiranës.
Në pritje të Papa Françeskut, rrugët e Tiranës, në mënyrën më dinjitoze janë dekoruar me flamujt e kombit shqiptar dhe të Vatikanit, ndërkohë që bulevardi i “Dëshmorëve të kombit” ku do të kalojë Papa për të shkuar tek Sheshi “Nënë Tereza”, është mbuluar në të dy anët me portretet e disa dyzina klerikësh katolikë, të vrarë mizorisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Siç duket nga përgatitjet shtetërore dhe qeveritare, kjo vizitë e Papës do të jetë tepër dinjitoze, ashtu siç duhet dhe siç e kanë traditë shqiptarët. Megjithëse Papa Françeskut i pëlqen thjeshtësia, është me vend që kjo pritje të reflektojë dëshirën e Papës që ai ka shprehur se me vizitën e tij do të kujtojë vuajtjet e popullit shiqptar. Andaj kjo vizitë, ndër të tjera, duhet të jetë një dëshmi e tragjedisë së klerit katolik shqiptar gjatë regjimit komunist, e këtyre viktimave të pafajshme të vrarë nga një dorë e pamëshirshme e një shteti terrorist. Duhet të jetë një dëshmi jo vetëm për vet shqiptarët, por dhe për botën e cila këtë të djelë do të jetë e pranishme aty në mes të Tiranës, nepërmjet më shumë se 1600 gazetarëve. Sepse, megjithëse Shqipëria e vogël në krahasim me shtetet e tjera ish-komuniste ku gjithashtu persekutohej feja, numri i klerikëve katolikë shqiptarë të vrarë, proporcionalisht, duhet të jetë numri më i madh në krahasim me numrin e viktimave të klerit katolik në ish vendet komuniste të Europës Lindore, gjë që e bën tragjedinë, e jo vetëm të klerit katolik –por edhe atij mysliman dhe ortodoks shqiptar — si një ndër terroret dhe masakrat më të egëra komuniste, që ka njohur bota.
Shpresohet që kjo ekspozitë e mrekullueshme në qëndër të Tiranës, përveç dëshmisë që tregon, të jetë njëkohsisht edhe fillimi i përjetsimit të kujtimit të tragjedisë së këtyre viktimave të pafajshme — dhe jo vetëm tragjedisë së tyre por edhe fatit dhe historisë moderne të kombit. Sepse me vrasjen e këtyre klerikëve nga regjimi komunist, u zhdukën ato që Ernest Koliqi i pat cilësuar ata në një shkrim si, “Rreze Qytetnie të Fikuna”, duke përmendur poetnit dhe shkrimtarët e njohur klerikë, si Vinçenc Prenushi, Anton Harapi, Bernardin Palaj, Lazer Shantoja, Ndre Zadeja, Nikoll Gazulli, Aleksandër Sirdani e shumë e shumë të tjerë. Ishin këto viktima të komunizmit, portretet e të cilëve janë vendosur në qëndër të Tiranaës me shumë të tjerë, të cilët Ernest Koliqi i kishte njohur personalisht, e të cilët sipas tij, “Ishin Artista të fjalës, që ndërsa e holluen shqipen tue ia shtue mjetet shprehëse, ata synojshin rritjen e breznive të reja në zjarmin e idealit kombëtar.” Koliqi vazhdon shkrimin e tij me rastin 20-vjetorit të fillimit të tragjedisë së klerikëve shqiptar që u shlnua këtu në Amerikë më 1966, duke thënë se, klerikët e martirizuar, “Na çilën sytë me pa shkëlqimin e trashëgimit tonë stërgjyshor. Ndikuen në shpirtin tonë krenarinë e emnit shqiptar. Fetarë po, dhe të përpikshëm, por edhe atdhetarë të qitun.”
Periudha e komunizmit si në gjithë botën tjetër, për nga egërsia me të cilën trajtonet kundërshtarët, ishte një kapitull i historisë së Shqipërisë dhe të shqiptarve me të cilën nuk mund të ndjehet askush krenar. Përveç tjerash, zhdukja fizike e këtyre klerikëve dhe eliminimi i veprave të tyre letrare dhe kombëtare ka varfëruar përgjithmonë edhe vet historinë dhe kulturën kombëtare të shiqptarëve. Ndoshta ky ishte edhe qëllimi i atyre që ndërmorën këtë vëllavrasje me urdhëra të të huajve, fillimisht nën urdhërat e jugosllavëve e më vonë të rusëve, qëllimi i të cilëve ka qenë gjtihmonë që të ndalonjnë zhvillimin dhe prirjet përparimtare perëndimore ndër shqiptarët, dhe njëkoshisht të zhdukin edhe ndjenjat kombëtare të shqiptarëve. Ishin këto krime çnjerzore të ndërmarra nga një regjim i tërbuar me ideologjinë komuniste sllavo-aziatike i cili nuk kishte asgjë të bënte me kombin shqiptar dhe as nuk i shërbente interesave të tij.
Por fatbardhsisht planet e tyre, megjithse e çuan shumë mbrapa kombin shqiptar nuk dolën me sukses. Kujtimi i këtyre viktimave të komunizmit siç pasqyrohet nga përgatitjet për vizitën e Papa Françeskut në Tiranë nga qeveria, nga shteti si edhe nga besimtarët e tre besimeve fetare dhe i mbarë populli shqiptar këtë djelë, vërteton fjalët e poetit kombëtar At Gjergj Fishtës kushtuar dëshmorëve:
“….E kur Shqyptari ndër ma të largtat mote
Nepër të cilat do të endet jeta e njerit,
Kur të këndoj Shqyptari m’ato kangë kreshnike
Sa gjaku e mundi kje prej jush dikue
Për me u ndërtue Atdheu i tij Shqypnia:
-O të lumtë ata, ka me brohoritë me vedi
Që flija e Atdheut e ban, e tue dhanë jetën,
Liri Atdheut e të ambël jetë i suellën.
E ai vorret tua atëherë ka me kërkue
E ka me i gjetë, e ka me i ruejt, si ruhet
Altari i Atdheut: e me kunora të blerta
Ka me i lulëzue, e mbasandej ju besën
ka për tua dhanë mbi vorr, se kurr për së gjallit
s’ka me e koritun namin tuej e nderen
Se ka me dekë për Atdhe si desin burrat,
Si diqët — qe– ju për një Shqypni të lirueme”
Në Shqipëri dhe ndër shqiptarët kudo ndihet një shprehje krenarie për pritjen që po i bëhet Papa Françeskut në vizitën e tij Tiranë të djelën që vjen si dhe kujtimit që me këtë rast po u bëhet të viktimave të regjimit komunist të klerit katolik. Ndoshta kjo vizitë e Papës është edhe një rast i mirë për tu zotuar se shqiptarët sot e tutje — këtyre dhe të gjitha viktimave të komunizmit shqiptar të të gjitha feve e të gjitha krahinave — s’ka “me ua koritur namin e as nderin”, pasi këta si viktima të pafajshme, humbën jetën për lirinë që gëzon sot Shqipëria dhe kombi shqiptar. Ky është një obligim jo vetëm fetar e moral por edhe atdhetar, një angazhim ky që më në fund do të sjellë paqë e pajtim dhe do të çojë në një manifestim të shërimit të plagëve kombëtare.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, martirë, Shqipëria nderon, të kombit dhe fesë

Është Shpallë Republika e Iliridës

September 18, 2014 by dgreca

Nevzat Halili me disa bashkëpunëtorë të tij kanë shpallur sot Republikën e Iliridës në Maqedoni. Qytetarët e mbledhur në Sheshin Skënderbeu në Shkup kanë nënshkruar pajtimin e tyre për shpalljen e kësaj republike.
Sot ne shpallim Republikën e Iliridës ndërsa Maqedonia duhet të rregullohet si shtet i Unionit Iliridë-Maqedoni. Nuk jemi për ndryshimin e kufijve të jashtëm të Maqedonisë, mirëpo duhet të definohen kufijtë administrativ të Unionit të Iliridës dhe Maqedonisë. Kjo duhet të jetë sipas modelit që kishin para disa viteve Serbia dhe Mali i Zi dhe Belgjika që ka tani. Nëse nuk merren parasysh këto kërkesa, nëse këto kërkesa tona injorohen nga institucionet ekzistuese të Maqedonisë atëherë do të organizojmë referendum. Ne shqiptarët kemi 400 mijë vota në Maqedoni”, deklaroi sot Nevzat Halili, president i Republikës së Iliridës.
Ai tha se Republika e Iliridës do të përfshijë pjesën veriperëndimore të Maqedonisë, gjegjësisht kjo republikë do të shtrihet nga Kumanova deri në Manastir, ndërsa kryeqyteti i Iliridës do
të jetë Shkupi. Halili thotë se Republikën e Iliridës do ta jetësojnë me mjete demokratike dhe paqësore. Sipas tij, Republika e Iliridës do ti ketë të gjitha institucionet e një republike.
Halili tha se presin mbështetjen e faktorit të brendshëm si dhe bashkësisë ndërkombëtare. Halili tha se për shpalljen e Republikës së Iliridës janë njoftuar të gjitha institucionet relevante të vendit si dhe faktori ndërkombëtar.
“Presim përkrahjen e SHBA-ve, Shqipërisë, Kosovës, Turqisë, Gjermanisë si dhe të gjitha shteteve tjera mike për Republikën e Iliridës”.
Nevzat Halili tha se motoja e Republçikës së Iliridës është “Vetvendosje dhe paqe”. Ai më tej përmendi Deklaratën e pavarësisë së SHBA-ve e cila hapet me këto fjalë: “Çdo kush, çdo qenie njerëzore në botë ka të drejtën e qeverisjes me vetveten dhe të vetvendosjes’, si dhe deklaratën e ish presidenti amerikan Woodru Wilson i cili në konferencën e paqes në Versaj të Parisit 1919 tha se “çdo popull ka të drejtën e vetëvendosjes”.
“Statusi i shqiptarëve në këto troje as ka qenë as do të jetë shprehje e realitetit historik, sepse këtu injorohet ekzistenca mbi 30 shekullore, harrohen luftërat shumë shekullore të shqiptarëve, injorohet hiseja e shqiptarëve në kryengritjen e Ilindenit, Krushevës…Shqiptarët të pakënaqur nga debati publik i Kushtetutës së parë pluraliste të Maqedonisë nuk dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991 ku thuhej: A jeni për Maqedoni të pavarur dhe sovrane, me të drejtë bashkangjitje një shteti apo bashkësie shtetesh të federatës jugosllave”, deklaroi mes tjerash presidenti i Republikës së Iliridës, Nevzat Halili.

Filed Under: Rajon Tagged With: Është Shpallë, Republika e Iliridës

Enveri vdiq, kujdes metastazat e tij!

September 18, 2014 by dgreca

Nga Marjana Bulku/New York/
Edhe pse vitin 1985 e lamë pas e bashkë me të portretin, botimet, përmendoret e tij ,,,duket sikur dicka ështe ngurtësuar ndër ne , ajo që ndoshta nuk arriti të shembej kurrë, një kult, një filozofi, ajo e nënshtrimit ndaj të keqes ,si dorëzim ndaj saj, pa e kundërshtuar, refuzuar, mohuar.
Rëndom lexoj se si të guximshmit , ”trimat”, apo protagonistët e momentit ngrihen mbi vdekjen si ngadhnjimtarët e filmave që koha e tij dirigjoi , duke harruar se Enveri ka lënë pas metastazat kudo në mentalitetin tonë , atë shoqëror, kulturor, ekonomik, politik, infrastrukturor,madje deri në mjediset e ngushta ku debati të shpall mik ose armik, ku fjala tjetërsohet, ku liria ,qoftë kjo edhe e mendimit dënohet dhe cfarë është më e keqja ku mendimi i lirë censurohet nga : nihilizmi, injoranca dhe militantizmi i sëmurë .
Kur përmendoret e tij shembeshin nga po ai popull që pranoi ti ndërtonte, nderonte ato, mendoj se nëpër mendjet tona të skllavëruara qenkërka ndërtuar një sistem mjaft imunitar që nuk ditkërka të reagojë përballë sistemeve që gjenerojnë padrejtësi.
Enveri vdiq,por kur dëgjoj të permendet kaq dendur filloj të besoj në pavdekësinë e tij.
Mjaft më!!!! (ndjesë për urdhëroren, krejt jasht natyrës time) Por ndjehem e lodhur nga ironitë, paroditë, politikat e varfra , ndoshta qëllimisht ,që na e sërvirin kaq shumë , qoftë edhe si luftëtarë të paepur të tij. Sejcili me sjellje dhe mendim, me akte dhe reflektim, me debate dhe ndërveprim mund të ndikonte ,të ndikojë sadopak që metastazat e tij kancerogjene të neutralizohen.
Urrejmë njëri -tjetrin për përkatësi të ndryshme politike, fetare, shoqërore, gjeografike???
Dhunojmë pronën e tjetrit, varrosim mendjet dhe stimulojmë padrejtësisht e në mënyrë preferenciale?
Nuk kuptojmë se konkurrenca kur ajo është e lirë dhe bazuar në rregulla është liri???
E ke të pamundur të dëgjosh dikë që edhe pse nuk të pëlqen apo s’je dakort ,prapë është më mirë ta dëgjosh sesa tia dhunosh lirinë duke e shpallur të padëshiruar???
Fjala transparencë , konsesus, janë gjithmonë e më të rralla ndërsa si praktikë tingëllojnë të huaja????
Kush po e ringjall Enverin sot??? Të më falin nostalgjikët ,por e di se edhe ata e kuptojnë më së miri se cfarë nga qënia dhe vepra e tij i shkaktoi kancer këtij vendi dhe popullit të tij.Imituesit e tij apo viktimat?! Imituesit e tij janë shumë dhe ngado ,”pushtetin me cdo mjet edhe pse rrënon dicka apo gjithcka përreth” tingëllon si parrullë fitrjesh. Ndërsa viktimat,,, gjithashtu shumë janë gjithmonë të pafat, por fati i tyre është shpesh herë varri i diktatorëve ndoshta edhe përjetësia e tyre. Koha do ta vlerësojë!
Mjaft përmendët Enverin , personalisht më shkaktoni lodhje dhe neveri, dikujt tjetër zemërim dhe i zgjoni inate e mëri apo edhe revansh. Do doja të mos ia pëmendja emrin,por ja që edhe unë e bëra.Ai ka vdekur krejt natyralisht nën rrëketë e lotëve hipokritë, formalë, ndoshta edhe realë por deri në dalldisje alla shqiptare.Ka dicka tjetër që duket se u ringjall ndërsa ai jepte shpirt : Imituesit e tij. Ndërsa viktimat rënkojnë dhe heshtin po njësoj,ikin dhe harrojnë pa kërkuar shpagim ,por deri në mos harrim. Zërat e tyre si jehonë flasin ,rrëfejnë, tregojnë për ato metastaza që ndërprenë jetë.
Që metastazat e tij të vdesin gjithashtu na servirni me ndershmëri për cdo ditë dicka tjetër ,modelin e një realiteti të shëndetshëm ,pa na e imponuar, pa u rebeluar nga kundërshtimi, pa u hakmarrë nga refuzimi ,pa na mashtruar se jemi një fanar që ndricon botën.Edhe gënjeshtrat dhunojnë. Vërtet nuk guxoni të artikuloni se cfarë po ringjallet në këtë vend?! Apo pushteti ju ka errësuar arsyetimin dhe guximin. Shkaku ishte enveri, pasoja është indiferenca që nëpër konferenca dhe komisione nuk është gjë tjetër vecse show i rradhës. Drejtoni sytë nga viktimat , ato që heshtën , ato që u varrosën si qytetërimet e vjetra nën gërmadha jetësh , nëse doni të dërrmoni pëfundimisht metastazat e kancerit të tij le të flasin viktimat dhe jo vetëm xhelatët.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enveri Vdiq, Marjana Bulku

Nji tjetër Puthje e Shenjtë, për Tokën Arbnore…

September 18, 2014 by dgreca

Refleksion nga Jozef Radi/
*Mbi vizitën e Papa Françeskut të Parë me 21 shtator 2014/
* Ardhsh i Bardhë, Papa Françesk në tokën e Arbërve të Lashtë!/
Në ma pak se 22 vite, mbas puthjes së Papës “legjendë”, Gjon Pali i Dytë, asht Papa Françesku i Parë, i dyti Papë që puth tokën shqiptare, dhe prej atherë shumë gjana kanë ndryshue për mirë ndër shqiptarë…
Sigurisht, kjo ngjarje historike që po afron në kohë të vështira, e ka nji mesazh të randsishëm që do lexue me kujdes, (jo veç prej atyne që besojnë në Zot), e do përcjellë me shpirtgjanësi, duke pasë gjithnji parasysh se Papa asht Bariu Shpirtnor i ma shumë se nji miliard e 200 milion njerzve të shpërndamë në mbarë Botën, pra i ma shumë se nji të pestës së saj… Edhe pse Shqipnia s’asht vend i nji shumice katolike, po asht nji udhkryq i feve dhe besimeve fetare, nji vend ku ende ruhen të gjalla si gjurmat ma të hershme të paganizmit, po edhe kthetrat ma të egra të ateizmit; si shpirti madhështor i Martirëve të Fesë e të Gjuhës Shqipe po edhe barbaria e pashembullt e pushtuesve; si mirkuptimi dhe harmonia fetare ndër njerëz po edhe fryma që nxit përçamje e politikave… të gjitha këto në shpirtin e këtij populli, në dukje i vogël, i tkurrun e pambrojë, po i madh në mbijetesë, në shpirtmadhsi e me shembujt ma të naltë të humanizmit dhe sakrifikimit.
Ardhja e Bariut të Shenjtë, Simbolit të fesë Katolike, në kët kohë të vështirë konfliktesh dhe kërcënimesh për mbarë botën, sigurisht sjell me vedi mesazhe të qarta, pra ka tekst të lexueshëm të plotë e të kthjellët për gjithkend, po njiherit ka shumë edhe nëntekst, edhe shikim në prespektivë, besoj edhe shumë vëmendje, mos me e lanë kët Botë me rrëshqitë edhe ma poshtë në theqafjet tragjike të historisë dhe konflikteve…
Puthja e tokës së Arbërit, prej nji Ati të Shenjtë, nuk asht thjesht nderim për kët vend, po ngrihet si nji vlersim që i bahet krejt historisë dhe traditave të këtij vendi, asht vlerësim për krejt komunitetet e besimeve të tjera në Shqipni, të cilat deri sot e kanë gjetë gjuhën e përbashkët të dashnisë e mirkuptimit të ndërsjelltë, po që duhet ta dëshmojnë edhe ma tej, jo veç në solidaritet me ardhjen e Papa Françeskut të Parë, por duhet që atë çka vetë populli shqiptar e ka kultivue ndër shekuj, e që sot quhet pasuni e njerzimit e shembull harmonie midis feve, t’u lihet e pacënueme brezave që vijnë, dhe jo vetëm atyne, po edhe mbarë botës si nji dëshmi kulmore: se harmonia dhe respektimi i njerzve edhe me besime edhe mbrenda nji familje asht e mundun… e pra ne shqiptarët deri sot e kemi… dhe pa frikë duhet me e quejtë si vlerë e madhe e humanizmi!
S’asht i paqëllimtë fakti pse Papa ka zgjedhë Shqipninë, me përcjellë kët mesazh të vlerave morale, në nji kohë të egër kjo e sotmja, në të cilën po bjerren me shpejtësi vlera njerzore dhe qytetnime. Njeriu i sotëm po shfaqet gjithnji e ma shpesh i pangopun prej fitimit e gryksisë; prej qejfeve e luksit të shfrenuem; prej pushtetit e mashtrimit; prej asgjasë që sa hap e mbyll sytë bahet gjithçka… Kjo e ka vu në dilemë Njeriun, Familjen, Shoqninë, Shtetin, Fenë, Botën Mbarë! E shqiptarët janë të sapodalun prej nji shtypje të pashembullt njerzore dhe fetare; prej nji dhunimi të paprecedent historik dhe ideollogjik; prej padrejtësish cinike të jashtme dhe krimesh të mbrendshme të pandëshkueme kërrkund me ligj; e kur në të njejtën kohë ata i jepnin botës nji Nanë Terezë; e kishin lanë vedin nën kthetrat e nji Diktatori nga ma të egrit e Botës. Në kët çerek shekulli liri, toka e shqiptarëve asht në përpjekje titanike me u çue në kambë e me e gjetë vedin atje ku i takon: midis Qytetnimit.
Sot asht edhe nji Shqipni tjetër, nji Shqipni e shpërndane në krejt botën, e që asht pjesë e Qytetnimi të Madh, sigurisht me vlerat dhe difektet që përcjellin ata njerëz që ikin natën prej Shtypjes ma të Egër… Ata janë pjesë integrale e Botës që ecën përpara, në përpjekje me e kapë kohën e humbun dhe ritmet që Botës i erdhën natyrshëm… Po asht edhe ajo nji Shqipni që ndjen e që vuen, që vuen ndoshta edhe ma shumë at zhgënjim që sjellin politikat që mendojnë veç Pushtetin dhe sundimin dhe aspak Njeriun e humanizmin…
Sigurisht, mikpritse e Papa Françeskut të Parë asht politika e sotme shqiptare, ajo që ndokush e quen edhe vazhduese e së djeshmes, e cila do të përpiqet me e shfrytëzue imazhin e kësaj vizite të përcjellun nga mbarë bota, me sistemue disi tualetin e saj, e me i dhanë siguri vedit për gjithçka ndodh… Unë mbetem i sigurt, se pakon e vlerave morale që Papa Françesku ka me e dëshmue haptas, ma së pari ka me e shkelë në thù krejt ato politika, që po e shtojnë në progres gjeometrik vorfninë dhe keqtrajtimin e Njeriut në mbarë Botën dhe bashkë me vorfninë ata po ndikojnë dukshëm edhe në bjerrjen e vlerave morale e humane! E politika shqiptare e derisotme s’mundet kurrsesi me i bishtnue këtij mesazhi!!!
Edhe komuniteti katolik shqiptar, i cili flamurin e kuq me shqipe e ka të gdhendun në shpirt me shembuj e histori, përgjat rrugës së vet të lavdishme ka dëshmue jo vetëm tolerancë dhe dashuni, po me vetëdije asht flijue në altarin e atdheut duke shndërrue binomin “fe e atdhe” nji fjalë të vetme, duke u murosë me dinjitet e lavdi në themelet e historisë së shtetit shqiptar si garant i bashkjetesës dhe harmonisë, që mbetet çelsi i lavdisë së këtij vendi.
Prandej, Mirseardhja e Papa Françeskut të Parë, s’duhet të jetë thjesht falenderuese e protokollare, po e ndjeme thellë, ajo do të mbesë si nji dëshmi që çdo shqiptar duhet ta mbajë me vedi, pse i përkasim nji qytetnimi të lashtë e fisnik, dhe se asgja barbare as e ka sundue dhe as ka për ta sundue shpirtin tonë, edhe pse pësimet ma tragjike të historisë, ende randojnë mbi ne…
Ardhsh i Bardhë…!
Veç ne shqiptarët e përdorim kët shprehje Papa Françesk, dhe s’e themi thjesht për ardhjen tande si simbol bardhësie, po asht e thanun prej kur s’mbahet mend, qyshse Miku i largët e ka msy ma së pari portën tonë… e sot në kët ditë të Madhe kjo shprehje s’i përket askujt ma shumë se Ju!
Ardhsh i Bardhë, Papa Françesk në tokën e Arbërve të Lashtë!
* E dërgoi për DIELLIN autori. Faleminderit Jozef!

Filed Under: ESSE Tagged With: Jozef Radi, Nji tjetër Puthje e Shenjtë, për Tokën Arbnore...

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4397
  • 4398
  • 4399
  • 4400
  • 4401
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT