• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRIZA E ARTISTIT DHE SUPERKRIZA E KULTURËS

September 12, 2014 by dgreca

Nga KOLEC TRABOINI/
Është krejt e natyrshme që në këtë demokraci të pambrrime, kur Shqipëria është në anarki dhe artistët në pikë të hallit, kur arti mezi merr frymë, të kemi dilema e zhgënjime të mëdha dhe të revoltohemi, të shprehemi edhe ashpër përtej etikës intelektuale publike, duke i hapur udhë kësisoj padurimit dhe zemërimit të pafre që është një hap larg nga kriza e personalitetit si shprehje e mjerimit social të artistit.
Maks Velo është artist dhe si gjithë artistët ka dilemat e veta, pakënaqësitë e mërzitë te cilat i shpreh në intervistën e vet dhënë gazetarit Alfred Lela, çfarë ka sjellë një reagim masiv të pakontrolluar nga vetëdija mbi gjëndjen e mjeruar të krijuesve shqiptarë. Ka plot të tilla ngjarje në jetën e artistëve jo vetëm pse kështu është natyra e tyre, por edhe sepse e tillë është koha në të cilën jetojmë. Një kohë që nuk është ashtu siç do të donte Maks Velo dhe intelektualët e tjerë shqiptarë të ishte.
Është krejt e kuptueshme që Velo është i zhgënjyer, por edhe ne jemi të zhgënjyer. Maksi ka shumë të drejtë të jetë jo vetëm i zhgënjyer, por edhe i lodhur, madje edhe të thojë se ky vend kësisoj, jo që nuk po bëhet, por edhe po çbëhet. Edhe këtu ka të drejtë. Është e lehtë t’i themi Maksit se gabove dhe t’i lëshohemi me breshëri fjalësh që tregojnë jo vetëm intolerancën, por edhe injorancën tonë publike. Por është më e vështirë, nga ana tjetër, të rrimë e të mendojmë e analizojmë se pse shkojnë intelektualët deri në këtë zgrip mohimi e urrejtjeje? Maks Velo ka të drejtë sepse janë të shtrembra shumë zgjidhje që janë bërë në këtë Shqipërinë tonë të vogël me sipërfaqe, por me halle të mëdha sa për një kontinent. Sepse ka shkatërrime marramendëse dhe është çudi si ende ky popull mbahet në këmbë. Ka të drejtë, se këtu është në modë shprehja, të vrasin e nuk të paguajnë, çfarë do të thotë se kalon në rrugë e vjen tjetri e i bie artistit Agron Aliaj dhe e vret në mes të bulevardit, në qendër të Tiranës ku nuk ka asnjë shkak të qarkullojnë mbi 100 mijë makina gjatë 24 orëve, kancer i gjallë në mushkëritë e kryeqytetasve dhe askush nuk thotë kurrgjë, e quajnë jetë moderne të kalosh në qendër të Tiranës makari për tangërllëk, për t’u pa. Po kështu në Durrës vjen një shofer dhe pa një pa dy e godet e vret në mes të rrugës shkrimtarin Perikli Jorgoni. Këta janë të njohur, po sa të panjohur prej egërsisë së njerëzve me vetura shkojnë me jetë të humbura. Ndoshta kjo duket pa lidhje, por një lidhje e ka, se jemi në firo të madhe me etikën e me kulturën qytetare dhe nuk ka pse t’i kërkojmë Maksit të jetë një engjëll, kur në rrugë përditë takon veç djaj, kur realiteti është një pisllëk i madh, ku etika është degraduar sa njeriu i kulturuar e ndjen vetën ngushtë, e kjo mungesë kulture e mediokriteti jo vetëm qytetar, por edhe institucional. Le të shkojmë më tej e të shohim si shihen shkrimtarët dhe artistët nga shteti shqiptar, çfarë përkujdesje tregohet ndaj tyre që bashkë me luftën për të mbijetuar në këte kaos bëjnë edhe artin, krijojnë vepra kur shpërblimi për këto është një hiçmosgjë. Po këtu në këtë Shqipërinë tonë halleshumë shkrimtarëve dhe artistëve u është marrë nga qeveria e mëparshme edhe selia e tyre që e kanë mbajtur dekada në diktaturë dhe me një të rënë të lapsit nxirren shkrimtarët e artistët në rrugë. Vjen qeverisja e re dhe as e vë ujin në zjarr kur paradoksalisht Kryeministri është një artist. Shkatërrohet Kinostudio nga qeverisja e mëparshme, po kjo qeverisja e re as që dëgjon fare kur protestojnë kineastët dhe kërkojnë që Kinostudio të kthehet në identitet si pjesë e traditës kulturore shqiptare, si një muze e tempull arti e jo siç është katandisur, rrëmbe kush të rrëmbejë si një mall pa zot. As nuk flasin fare. Bëjnë sikur nuk dëgjojnë, sepse aty janë mpleksur interesat e të dy partive që i duan televizionet që kanë pushtuar Kinostudion si megafonë personale. Politikë, politikë, politikë. Asgjë tjetër nuk prodhohet në këtë vend. Kultura është një handikap social dhe më kot përpiqen të na rrejnë sikur jemi inkluduar në ca marrëveshje kulturore paneuropiane kur arti, kultura e letërsia shqiptare janë në mjerim të plotë.
Edhe Maks Velo këtë bën, megjithëse revoltën kësaj radhe e ka paraqitur si një urrejtje. Po a nuk e dimë se një poet i madh amerikan i Beat Generation, Allen Ginsberg në revoltë e sipër, sepse gjërat nuk shkonin siç ai dëshironte, shprehet në një poezi “Fuck You America!”, por nuk u ngrit njeri me histeri ta linçonte poetin.
Jo vetëm Maks Velo, por të gjithë ne jemi të lodhur deri në rraskapitje. Këtu njeriu nuk ka vlerë. Këtu të hakërrehen në rrugë, këtu po të jesh artist pensionist duhet të shkosh në çdo 6 muaj të lëshosh një vërtetim se ende nuk ke vdekur, këtu marrëzirat kthehen në normë, por pse jo edhe në ligje, këtu subjektet reale janë në përmasa mitike. Çfarë janë “Shpirtrat e vdekur” të Gogolit përpara të gjallëve tanë që konsiderohen të vdekur. Dhe Çiçikov në këtë rast është shteti.
Si shoqëri shqiptare jemi tmerruar e traumatizuar edhe nga çfarë bën një islamik nga Kosova Lavdërim Muhaxheri duke prerë koka njerëzish, mirëpo kjo disave u duket si diçka e largët, që ndodh diku tjetër e nuk na përket neve e nuk ka të bëjë me ne, madje nuk u dashka folur për këtë se disave u preket sedra prej muslimani. Mirëpo a nuk i preu kokën Aishes një përbindësh si Shaban Norja? Dhe jo larg në Siri, por këtu diku në mes Durrësit e Tiranës. Veç nuk e fotografuan kokën e prerë të vajzës, nuk e pamë dhe e përjetuam ngjarjen me fjalë. Gjithsesi kritizerët e anatemuesit duhet të dinë se artistët kanë veçori se duke qënë më të ndjeshëm i përjetojnë ngjarjet në shoqëri në mënyrë emocionale të fuqishme dhe reflektojnë, nuk heshtin. Artistët kanë shpirt të madh human. Prandaj dhe vihen re të reagojnë aq ashpër sepse nuk pajtohen me një realitet absurd.
Në shumë pikëpamje Maks Velo është i motivuar në reagimin e tij dhe i motivuar në dilemat e tij. Nuk ka pse t’i japim pozicionit të tij ngjyrime antikombëtare, sepse nuk janë të tilla. Maks Velo është shqiptar dhe e do atdheun madje shumë më tepër se ata që e kritikojnë për t’u dukur, që janë lëshuar të gjithë njëzëri si në kohën e monizmit kur linçohej njeriu që nuk mendonte siç donte e urdhëronte partia. E do shumë më tepër sesa ata që thonë se gjithçka në Shqipëri shkon mirë e bukur, kur ne jemi me të vërtetë vendi i pesë anarkive, të cilat atdhetari i madh Fan Noli i shpalosi në parlamentin shqiptar më 27 Shtator 1923:
“1- Anarkia Fetare: Katër fe të ndryshme që nuk kanë zënë vend në zemrat e një populli pagan.
2-Anarkia Sociale: Këtu ska as klas bejlerësh as klas bujqësh as klas burzhuazie, këtu bujku është më be se beu dhe beu më bujk se bujku .
3-Anarkia Morale: Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen , qullosën dhe ndërrojnë formë e ngjyrë nga dita në ditë si në kaleidoskop .
Këtu ambicjet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.
4-Anarkia Patriotike: Këtu brënda një dite si për magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kaperdisen si patriotë të mëdhenj ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose që janë puthur me andartet e i kanë ndihmuar të shënjtërojnë anë e mbanë Toskërinë. Këtu siç më thoshte një mik është më mirë që njeriu të jetë tradhëtar e të shikojë interesat e tij sepse kështu do të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh .
5- Anarkia e Idealeve: Këtu idealet e shtrëmbëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit të Buharesë përfyten e përleshen për jetë a vdekje me idealet e gjalla, me elegantet e më të ndritshmet e perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë , që rritën në plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, kërpusha që mund ti copëtosh, por jo ti shqitesh nga trupi që kafshojnë dhe thëthijnë. Herodi tregon se në betejen navale të Salaminës , një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ja prenë e atëherë e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, e atëherë e kapi me dhëmbë e s’e lëshoi gjersa i prenë kokën.
Sikur të ngjallej Herodi, përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që ti shqitesh këta tanët nga kolltuku duhet ti presësh jo vetëm duart e kokën por edhe këmbët dhe trupin.”
Po ta shohim gjëndjen sotme të Shqipërisë, Kosovës dhe tërë trojeve shqiptare në Ballkan do të vëmë re se këtyre anarkive mund t’u shtosh edhe pesë apo shtatë anarkive të tjera.
E si të mos mërzitësh pra kur sheh se pas afro një shekulli që Noli i madh i ka konstatuar këto fenomene negative në shoqërinë e shtetin shqiptar ato jo që nuk janë zhdukur, por janë thelluar e shumuar. Prandaj dhe duhet t’i jepet të drejtë Maks Velos në mllefin e tij ndaj të këqijave me të cilat ai dhe të gjithë ne përplasemi përditë. Mirëpo Maks Velo përpiqet që të keqen ta lokalizojë, të mos e paraqesë si fenomen social e psikologjik gjithëshqiptar, por e adreson në rajone të caktuara, sikur të këqijat tona të jenë thjesht epidemi provincash apo rajonesh. Mirëpo kjo nuk është e vërtetë. Këtu ai gabon në referimet e veta. Maks Velo përmend Laçin, por e keqja nuk është se përmend Laçin sepse laçjanëve u ka dalë vërtet nami për një lloj ashpërsie që degradon në dhunë e cila sigurisht buron nga papunësia e varfëria, por se me këtë i fut të gjithë Gegët në një thes. Maksi këtu e ka gabim fund e krye edhe sepse kështu dënon padrejtësisht edhe ata njerëz që ndajnë me të pakënaqësitë prej kësaj kohe mediokre. Ai është në të drejtën e tij të urrejë gjendjen, por jo ta përcaktojë këtë gjendje si rezultat i prapambetjes së zonave të veriut, për të cilën fajtor nuk ka si të jenë vetë banorët. Nga ana tjetër Maksi shfaqet si një adhurues i Kryeministrit. Dhe e shpreh këtë. Po Maksi duhet ta dijë se adhurimi për pushtetarët nuk është cilësi fort e dallueshme tek artistët e vërtetë. Po çfarë të bëjë Maksi që i duhet kryeministri!? Gjithkujt i duhet dikush në këtë vend, sepse pa mbështetje politike apo pushtetare nuk bën dot anjë punë, nuk boton asnjë libër, nuk hap dot asnjë ekspozitë. Ne jemi shembuj të gjallë të këtij absurdi të ushtruar prej nënpunësish e qeveritarësh mediokër. Dhe ta kesh mirë me kryeministrin do të thotë se Ministria e Kulturës të bëjë kujdes për Maksin për t’i krijuar lehtësira që në të vërtetë atij i takojnë, por që edhe mund të mos ia japin. Edhe në këtë vështrim Maks Velo është brenda dilemës së artistit. Por dihet një gjë, që ne verioret e dimë mirë, por edhe Maksi duhet ta dijë me shkakun se është nga bastioni i komisarëve, që pas vitit 1944, “Jugu” e ka sunduar me egërsi dhe urrejtje Veriun për 50 vjet, e jo sunduar, por vrarë e prerë, torturuar në mënyrën më mizore, sepse falangat e Enver Hoxhës, të quajtura forcat e ndjekjes kanë qenë mbushur me “toskë” të tipit Toger Baba, madje për dijeni, kur kanë hyrë brigadat e kuqe, në mes të qytetit që quhej Fushë Qelë, partizanët kanë hedhur valle me këto fjalë të cilat shkodranët kurrë nuk i harrojnë: “Kur e futi Toska këmbën mirë ja q… Gegës nënën”.
Tani ne mund t’i mohojmë këto, mund t’i quajnë qëllimkëqija e përçarëse, por ama janë të vërteta, jo vetëm se na i kanë thënë në fëmijëri ata që i kanë përjetuar këto ngjarje, por edhe pse një dëshmitar si Prenk Gruda i ka shkruar në librin e tij “Ditar i një zemre të lëndueme”. Por ne Gegët, ani pse i dimë si kanë qënë punët, kurrë nuk bëjmë marrinë të themi se i urrejmë Toskët. Kurrë! Kemi vuajtur shumë, por edhe jemi shumë fisnikë në përballimin e vuajtjes me dinjitet, At Zef Pëllumbi e zbulon këtë mrekullisht, gjithashtu njohim edhe institucionin e faljes. Jo ne nuk i urrejmë Toskët, nuk e fusin popullin në një thes me banditët e vrasësit se të tillë kudo ka.
Maks Velo bën një mëkat të madh që me tone urrejtje i vë gisht viktimës së komunizmit, Veriut, edhe për faktin se jugori, toska pra, erdhi një ditë që u bë viktimë e nuk mendojmë kurrë se kanë qënë gegët që e kanë rrasur në burg. Komunizmi dhe natyra policore nuk ka qenë në axhendën e gegëve, madje ata janë shquar për antikomunizëm.
Përsa i përket raportit me Islamizmin të cilin e urren hapur e pa mëdyshje Maks Velo, ai ka parasysh të gjithë ata që e përdorin fenë për qëllime të mbrapshta për terror e vrasje, por edhe ata që mbetën nën ndikimin e fesë dhe zhyten në një injorancë totale duke mos pranuar të qytetërohen. Sepse kemi edhe fakte tronditëse që meqë ngjasin përditë jemi mësuar tashmë si me çdo absurditet tjetër mbi këtë tokë. Sepse dalin me mijëra vetë në mes të Tiranës me të prapme përpjetë që nuk është kjo asnjë lloj kulture qytetare tradicionale. Nuk mund që kulti i fesë të cënojë kulturën qytetare laike. Secili ka shtëpi apo objekt kulti ku mund të kryejë ritualet e veta, dhe jo të na shfaqet asisoj në publik. E në këtë vështrim Maksi ka të drejtë në kundërshtinë e vet ndaj gjërave që nuk duhet të ngjasin e që nuk ka asnjë shkak t’i tolerojmë si qytetarë. Mjaft më, nuk shkohet më tej me ato të bërtitura me altoparlante nëpër minaretë e xhamive se po lemerisim njerëzit me arabishte sikur jemi në Jemen. A ka të drejtë Maks Velo, ky artist që ka kaluar përmes kalvarit të Spaçit, të kërkojë që Shqipëria të ketë identitetin e vet, të shprehë kulturën e vet perëndimore, që të mos jetë anëtare e Konferencës Islamike, që të mos na zymtësohet e ardhmja me pasthirrma orientale( po as greke e asnjë gjuhë tjetër) se kemi gjuhën tonë të bukur shqipe. Ne nuk mund ta pranojmë as revanshin babist e as regresin me injorancën e fanatizmin e tërbuar që kërkon të imponohet. Si të mos mërzitet kur shteti i skëterrës së Kalifatit Islamik (IS) e vë Shqipërinë e Kosovën në axhendën e vet për ta kthyer tokën e shqiptarëve në skëterrën e fanatizmit me të tërbuar që ka parë historia. Patjetër që do të mërzitet, do të lodhet madje edhe do të urrejë Maks Velo, po edhe ne do të mërzitemi edhe do të urrejmë gjithçka që kërkon shprishjen e kombit shqiptar e kthimin në errësirën mesjetare.
Ne mund të mos jemi të një mendje me mënyrën se si i shpreh Maks Velo mendimet e veta të ashpra, por nuk mund të mos e vrasim mendjen se përse shprehet ky artist kështu, dhe ku qëndron thelbi i të vërtetës për dilemat dhe urrejtjen e Maks Velos, që mund ta quajmë vërtet një krizë të artistit, por që shtrihet e mbivendoset në mjedisin e një superkrize të kulturës shqiptare që cënohet e rrezikohet gjithandej prej mendjelehtësisë së qytetarëve dhe mendje shkurtësisë së qeveritarëve që nuk po arrijnë të kuptojnë se “Hallallët” me mjekërr e kanë mbushur Tiranën, se fshatrat e Librazhdit kanë dalë nga shteti e zotërohen nga imamët e xhamive të paligjshme me predikime radikale vehabiste që njëjtësohen me Kalifatin Islamik. Pasi ta bëjmë këtë analizë për çka ndodh e bëjmë sikur nuk dimë gjë, mbase gjërat do t’i gjykojmë pak më ndryshe dhe do të nxjerrim dhe përgjegjësinë tonë historike se pse Shqipëria e Kosova ende janë në një gjendje të mjeruar, dhe sado me fjalë të bukura ta mbulojnë realitetin, ai është tmerrësisht i zymtë dhe këtë realitet të shëmtuar nuk mundesh të mos e urresh bashkë me të gjitha ata njerëz apo faktorë që i sollën shqiptarët deri në këtë zgrip të lemeritshëm.
E për të gjitha këto nuk është fajtor Maks Velo, dhe urrejtja e tij ndaj të këqijave të këtij vendi nuk është vetëm urrejtja e tij, dhe linçimi publik që po i bëjnë Maks Velos nuk shpreh asgjë tjetër veçse e vërteton më së miri kaosin tonë, mungesen e tolerancës, të etikës që nuk njihet fare, shfrimin e urrejtjes dhe mediokritetin publik me një superkrizë të kulturës, kulturë të cilën më së shumti e përdorim vetëm sa për maskë, se gjoja ne që e gjuajmë me gurë Maks Velon qenkemi engjëj të pamëkatë. Kujt ia shesim këto dokrra?!

Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Traboini, Kriza e artistit, superkriza e Kultures

Idealet e pushkatuara të Azem Hajdarit!

September 12, 2014 by dgreca

Shkruan: Dr. Bislim AHMETAJ/
Përditshmëria jonë e mbushur me ngjarje të rëdomta ka sjellë një zvetënim vlerash të përmasave të tilla, aq sa përpjekja njerëzore për ta përmirësuar jetën tënde dhe të atyre që të besojnë përmes punës, fjalës, dijes, solidaritetit social duken si kohë të mbuluara me ndryshk.
Ndaj edhe sot në përvjetorin e gjashtëmbëdhjetë të pushkatimit të Princit të Mendjeve të Lira, Azem Hajdarit, gishtat e mi kur rrahin mbi tastierën e compjuterit ndjehen të rraskapitur, të mpitë, zbardhur prej topitjes dhe indiferencës . I frikësuar se s’kam për kë ti shkruaj këta rrjeshta pasi idealet për të cilat luftoj deri ditën që u pushkatua mu në zemër të Kryeqytetit Azem Hajdari , janë pushkatuar njëlloj si ai , bartësi i tyre.
Ideal i pushkatuar(I) !
Ai I priu Lëvizjes Studentore, lëvizje që solli përmbysjen e diktaturës dhe lindjen e pluralizmit politik, edhe pse në krye të këaj përmbysje historike ,ai nuk shfaqi për asnjë moment të jetës së tij të vrullshme politike urrejtje apo revansh për komunistët e ndershëm, sepse të tillë kishte edhe në familjen e tij (I ati partizan në Luftën e Dytë, I vëllai komunist). Dialogu, e verteta, programet dhe alternativat ishin armët e tij për konkurence dhe zgjidhje me kundërshtarët. Këto “armë” tani janë varur në muzeun e pluralizmit politik. Në familjen e tij politike kishte pronë fjalën e lirë dhe lidhjet me njerëzit. Tani nga qëndra e Tiranës dhe në të katër cepat e Shqiprisë politikeka gjen vec parulla, fasada, deklarata dhe kunderdeklarata. Pluralizmi politik ka marrë ngjyrat e kryetarëve të partive, kush e lyen rrotën i bahet qerrja Ferrari, kush e lëpin rrotën i behët qerrja Mercedes, kush e shtyn qerren ose lyp me e rregullue qerren vdes për një copë bukë, pikë. Një palë qenë lehin, pala tjetër e qenve shkon përpara, qytetarët mbetën në vend apo shkojnë poshtë e më poshtë, prapë pikë. Në më të parën ëndërr për të cilën luftoj dhe veproj Azem Hajdari për të ndërtuar një shoqëri politike perendimore , ku idetë, e verteta, ballafaqimi me dialog i tyre dhe gjetja e zgjidhjeve më adekuatë për të mirën e shumicës së mundëshme është pushkatuar…
Ideal i pushkatuar(II)!
Ai I doli në krah shtypit të lirë në kohën kur po lindte dhe segmente të mazhorancës së asaj kohe po ja zinin frymën. ( Azem Hajdari Kryetar I Këshillit Botues të gazetës opozitare “Koha Jonë”) Më vonë kur ndërruan mazhorancat do të ngujohej në uri para Televizionit Shtetëror, këtij zëdhënësi bajat të mazhorancave që kur është themeluar dhe deri sot në mëngjes. Koshient ai merrte mbi vetë një barrë e mision vizionar për të cilin bashkëmoshatarët e tij të Lëvizjes Studentore kishin rrezikuar edhe jetën në emër të fjalës së lirë, në emër të së vertetës. Ai dilte në mbrojtje të martirëve të fjalës së lirë që kishin sakrifikuar jetën dhe kaluar rininë burgjeve për lirinë e fjalës dhe peshën e saj. Sot media e shkruar dhe elektronike në masën 90% të saj është shndërruar në një instrument fitim prurës për poseduesit e tyre që janë një grushti biznesmeno-politikanësh apo politikano-biznezmenësh.
Ideal i pushkatuar (III)!
Ai ju doli në krahë dhe u bë një me ta, shtresës së të përndjekurve politik prej regjimit komunist , duke u përleshur me policinë dhe shtetin e mazhorancës që e kishte themeluar dhe drejtuar vet në fillesat e saj në dhjetor të 90-tës në mbrojtje të së drejtës së tyre. I bindur se kësaj shtrese shteti shqiptarë vecmas ajo mazhorancë i kishte borxhe të pakompensueshme morale dhe financiare. Morale se ishte “rezervat” i sigurtë votash , financiare se ishin ata njerëz që me punën dhe gjakun e tyre kishin tharë dhe shndërruar në tokë bujqësore qindra mijëra hektarë tokë, mund , gjak dhe djersë që u shpërnda me ligjin 7501 njerëzve që u gjetën duke e rrënuar dhe plackitur atë tokë në vitin 90- 92, ata kishin ndërtur dhjetra vepra inxhinjerike që prodhonin luks për elitat komuniste dhe para për bunkerët e ‘sigurisë’ se jetëve të tyre dhe sot e kësaj dite para për buxhetin e shtetit shqiptarë(Areoporti I Rinasit). Për fat të keq edhe sot në këtë përvjetor të mbrojtësit dhe avokatit të të drejtave të kësaj shtrese, ata janë në gjendje të mjerueshme dhe të paintegruar. Për më tepër sot shihen edhe si armiq e raksionare pasi në pushtet janë rikthyer bijtë dhe nipat e partisë që e drejtoj dhe e realizoj ndarjen e popullsisë në të shtypur dhe shtypës.
Ideal i pushkatuar (IV)!
Ai mbeshteti, inkurajoj dhe doli në krye të sindikalizmit shqiptarë, këtij segmenti jetik të shoqërive demokratike përëndimore. Pa eksistencën e sindikalizmit përëndimi nuk do të ishte ky që është sot, vendet e Bashkimit Europian nuk do ta kishin shtresën e mesme në masën 60 deri 80% të popullsive të tyre, atë bërthamë që I bën këto vende të forta, të qëndrueshme dhe konkuruese. Realiteti i sotshëm i sindikalizmit shqiptarë na thotë se ai kishte të drejtë edhe pse nuk ja doli ta fitonte betejën. Paraqitja sociale e vendit tonë me 55 miliarderë dhe mbi një miljion njerëz në kufijt e varfërisë tregon se sa të drejtë kishte Azem Hajdari kur luftonte dhëmbë për dhëmbë me qeverinë e tij për të themeluar sindikalizmin në Shqipërinë e postdikatturës komuniste.
Ideal i mbijetuar në agoni (V)!
Ylli polar I veprimtarisë politike e shoqërore të Azem Hajdarit ishte dhe mbet deri ditën e fundit të jetës së tij ceshtja jonë kombëtare. Kontributet e tij në këtë fushë janë të njohura dhe të vlerësuara kombëtarisht. Kosova shtet I pavarur , i njeh mirë dhe ja ka vlerësuar në maksimum kontributet për këtë realitet të ri të saj, shqiptarët e Maqedonisë dhe faktori politik atje rezervojnë respektin dhe krenarinë maksimale për vlerat dhe kontributet e tij në zgjimin, inkurajimin dhe mbështetjen e tyre për të qënë të barabartë në shtetdrejtimin e një shteti maqedon që akoma s’po gjen qasje në rrjedhë as me vetën e tij. Ëndrra për Bashkim Kombëtar është akoma gjallë në mendjet dhe zemrat e bashkëidealistëve të Azem Hajdarit të cilët për hirë të së vertëtës duhet thënë që në këto kohë shtrigash dhe krizash morale dhe ekonomike janë duke jetuar si “gaca nën prush”. Kjo ëndërr vazhdon të jetë e gjallë për një arësye krejt të thjeshtë, pasi për momentin nuk prodhon para për oligarkët e politikës dhe për arësyen tjetër aspak të thjeshtë se ka pas saj një aleat të madh që ka prodhuar liri për shume kombe të shtypura dhe të ndara në botë.
Në mbyllje të kësaj kronologjie për njërin prej njerëzve më karizmatik dhe më të rëndësishëm për shqiptarët në shekullin e njëzetë, shekulli që zgjoj dhe ngjizi shtetin shqiptarë , shekulli që na bëri me mbretëri, diktaturë komuniste,( diktaturë që e rrezoj Azem Hajdari studentët e dhjetorit, qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë) dhe këtë lloj demokracie që sigurisht që s’ka të krahasuar me diktaturën sic edhe nuk i krahasohet me demokracitë e vendeve ku kemi 24 vite që po synojmë të integrohemi, dua të apeloj individë dhe organizata që ta “trashin” zerin dhe veprimtarinë e tyre që idealet e pushkatuara të Princit të Mendjeve të Lira të ringjallen për të mirën tonë të përbashkët dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë të cilët do na anatemojnë nëse do ti ngujojmë sërish në diktatura oligarkësh si ajo e Putinit apo putanave të tjera që po I prodhojmë me indiferencën dhe heshtjen tonë.

Filed Under: ESSE Tagged With: bislim ahmetaj, Idealet e pushkatuara, të Azem Hajdarit!

Me mësuesit e diasporës në Beratin historik

September 11, 2014 by dgreca

Berati qytet i fisit ilir dasaret që nga shekulli i shtatë para KrishtitN.Mustafa: “Pa dyshim kurora e shenjtërisë së shkollës shqipe është shkolla shqipe në diasporë…”F.Nasufi:” “…është shumë privilegje për ne që t’u kemi në Berat.” E.Koleci:”Të lexuarit është një nga detyrat parësore të arsimit…”
Reportazh nga Hazir MEHMETI, Vjenë/
Qytetimbamendë shekullor ishte nikoqir i seminarit të dhjetë shënues të mësuesve/ve mërgimtarë/e nga e gjithë globi. Këtu kudo që shkel këmba e njeriut ke diçka përkujtuese epokash e kohësh të jetës qytetëruese të shtresuara në mure e themele. U ngrit, u rrënua, dhe mbi te ngritje kohe me gjurmë nga pushtimet herë nga lindje, herë nga perëndimi.
Seminarin u organizua nga të dy ministritë e arsimit të dy vendeve, Shqipërisë e Kosovës. Përfaqësuesit e tyre znj.RozalbaMerdani dhe z.NuhiGashiishin bartësit e realizimit të konceptit dhe programit të punës. Morën pjesë mësues nga shumë vende ku zhvillohet mësimi i gjuhës shqipe. Kishte përfaqësues nga të dy ministritë e arsimit dhe M e D, mes tyre ishte z.NehatMustafa, Zv.ministër i Arsimit të Kosovës, Bexhet Arbana, nga MA e Shqipërisë. Z.YmerAvdiu, Drejtor në Ministrinë e Diasporës; SelmanHodaj, Drejtor i Arsimit të Beratit etj.
Në Pallatin e Kulturës seminari u hap me programin artistik të organizuar enkas për seminaristët nga Liceu Artistik “Ajet Gjindole” i qytetit të Beratit në kujdesjen e drejtorit Prof.AdrianHoxhaj. Orkestra e Liceut nën dirigjimin e Fatbardh Dervishit përcolli me mjeshtri disa këngë beratase dhe këngën simbolike e të dashur “Mësuesi im i parë” i kënduar nga Dhimitër Dushi me zërin e tij të mrekullueshëm.Zamira Gjini, drejtore në Ministria e Arsimit dhe Sporteve të Shqipërisë mes tjerash tha:”Ky vit për Shqipërinë është vit vendimtar në reformat arsimore duke përfshirë atë para universitar… Të vendet tona realizuan në qershor një marrëveshje historike- unifikimin e kurrikulave mes dy vendeve tona… Faleminderit që kontribuoni në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe vetëdijes kombëtare. Tani më është krijuar një traditë që pasurohet vit pas viti në saje të punës tuaj me profesionalizëm”
Azem Guri, përfaqësues i MASHT së Kosovës në përshëndetjen e seminaristëvenë emër të Ministrit z.Ramë Buja, mes tjerash tha:”Diaspora e jonë me punën e saj po përpiqet të mbaj gjallë edukimin e brezave në frymën kombëtare, prandaj të dy ministritë tona po koordinojnë punët e tyre në hartimin e planeve dhe programeve të përafërta karshi vendeve të Bashkimit Evropian… Seminari i mësuesve në diasporë i organizuar në Beratin e bukur e historik është një thesar i kombit tonë dhe ka një rëndësi për mbajtjen e qenies kombëtar si dhe për lehtësimin e punës suaj që po bënë në vende të ndryshme…Ne si qeveri e ministri duhet të bëjmë më shumë për fëmijët tanë në diasporë. Të dashur mësues! Takimi me ju na kujton rrugëtimin dhe fatin e shkollës shqipe që nga shkolla e parë shqipe e Korçës dhe rritja e saj deri në ditët tona…Ju të dashur vëllezër e motra na keni mbështetur në ditët më të vështira materialisht e moralisht për ta përballur shtypjen e gjenocidin e paparë serbosllav dhe për ta mbajtur gjallë frymën e shkollës shqipe.Ju jeni ata që gjithandej Evropës po i përhapni shkëndijat e gjuhës shqipe dhe çdo herë do të jemi krah e dorë si ministri dhe si qeveri në përkrahje të kërkesave të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë..”
Z.FadilNasufi, kryetari i Bashkisë së Beratit duke përshëndetur të pranishmit në emër të nikoqirit mes tjerash shtoi: ” Pa dyshim është shumë privilegje për ne që t’u kemi në Berat dhe veç vlerës programore të seminarit ju do njiheni me Beratin dhe do jeni promotor të turizmit, njohjes së qyteteve të vendlindjes. Berati daton si vendbanim shtatë shekuj para lindjes së Krishtit si qytet ilir i fisit dasaret. Berati u pushtua nga disa pushtues duke i dhënë secili emra të veçantë deri tek pushtimi bullgar të cilit i jepet që mban edhe sot. Në shekullin e pesëmbëdhjetë Berati u shndërrua në Principatë e udhëhequr prej muzakajve.
Në seancën e kryesuar nga z,Bexhet Arbana dhe z.NuhiGashi mbajtur në Shtëpinë e Kulturës në një ambient përvëlues u paraqitën me kumtesat e tyre disa ligjërues nga fushat e ndryshme socio-gjuhësore. EridaKoleci (IZHA): “Zhvillimi i të lexuarit në gjuhën shqipe” Citat: “Fëmijët që lexojnë janë të shoqërueshëm, ndihen të sigurt dhe marrin pjesë në diskutime. Është e kundërta me fëmijët që nuk lexojnë. Të lexuarit është një nga detyrat parësore të arsimit dhe i shoqëron fëmijët gjatë gjithë arsimit dhe do thosha gjatë gjithë jetës”.Liri Qoshi (IZHA): Ndërtimi i këndit historik të familjes” Një temë interesante rreth origjinës farefisnore, por me “një gjuhë të nivelit të lartë dhe jo adekuate për nivelin e auditorit” siç u cilësua nga moderatori i seancës. Blerat Avdiu (Tr): “Njohja e trashëgimisë përmes lojërave”Arian Melonashi, Abdurrahim Ashiku: Film nga mësimi i zhvilluar në dy ishuj të Greqisë në kushte specifike nga mësuesja “Vera – mësuesja e dy ishujve”.Dr.GertiJanaqi, drejtor IZHA: “Unifikimi i kurrikulave të arsimit parauniversitar mes Shqipërisë dhe Kosovës”.RagipGjoshi (Prishtinë) “Gjuha shqipe në plan programet shkollore në Kosovë”. Arian Melonshi me kamerën e tij tani është bërë syri i shumë aktiviteteve kulturore dhe tëmësuesve në disa shtete. Kemajl Çollaku: “Dokumentar-Ekskursioni mësimor”. RifatHamiti:”Mësimi si lojë-loja me zare”; “Efektet e lojës janë të gjithanshme dhe mund të zbatohet në përforcim, shtjellim dhe në të gjitha nivelet mësimore”. Flutura Tafilaku,, mësuese nga Greqia paraqiti temën “Mësimdhënia…”; Driton Kajtazi , bashkëthemelues dhe drejtor i ISEAL-it në Lozanë, mbajti kumtesën: “Përkthimi dhe komunikimet… Me kumtesë u paraqitë Ina Arapi nga Vjena, Fatmira Xhemajli (Tiranë), Yllka Spahiu (Tiranë), Albana Tahiri (Tiranë), KristinaGjokaj (Tiranë). U promovuan tri monografi: “Shkolla Shqipe e Selanikut” nga Abdurrahim Ashiku, “Shqiptarët e Zvicrës 1001 pamje” nga gazetari i njohur Rexhep Rifati dhe “Mësimi shqip në Austri” nga HazirMehmetiNehatMustafa, zv.minister në MASHT të Kosovës mbajti fjalën përmbyllëse të seminarit.”Ne do jemi të gatshëm të ndihmojmë mësuesit në diasporë me ato materiale që kemi. Ky seminar do të ndryshon nga ritmi i njëjte dhjetëvjeçar dhe kjo varet nga mendimi juaj në debatin e hapët që herët përmes postës elektronike…Pa dyshim kurora e shenjtërisë së shkollës shqipe është shkolla shqipe në diasporë…Ju përgëzoj për punën e juaj që bëni”.
Vizitat – Seminaristët vizituan ekspozitën e pikturave në qendrën kulturore, qytetin e vjetër dhe kalanë e lashtë me ndërtesat e saj shekullore, objekte kulti, muzeun etnografik i pasur me shumë materiale që nga shekulli i katër Para Krishtit.
Berati- Qytet i fisit ilir dasaret që nga shekulli i shtatë para Krishtit.. Përjetoj pushtime duke lënë gjurmë shekullore tri perandori: romake, bizantine dhe otomane. U pushtua kohë pas kohe edhe nga sllavet dhe grekët. Në Berat janë të shprehura disa religjione: islame, bektashi, katolike, ortodokse dhe sekti rufai. Veprat e kultit fetar, ndërtesat e banimit dhe vepra tjera të artit e bëjnë Beratin një margaritar kulture me vlera botërore. Janë ruajtur dy ungjijtë më të vjetër të krishterimit, Ungjilli Mateo dhe Ungjilli i Shën Palit, që janë vetëm pesë të tilla në gjithë botën. Epitafi i Gllavenicës i vitit 1373, një vepër e famshme e artit mesjetar. SabataiZevi hebre i cili në Stamboll mes vjetëve 1640-50 e shpall veten Messi me ndikim tek gjithë hebrenjtë besohet se ka qëndruar në Berat. Gjatë Luftës së Dytë Botërore familjet beratase strehuan hebrenj në mbrojtje nga nazizmi.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Berat, Hazir Mehmeti, mesuesit e diaspores, Seminar

Fideli

September 11, 2014 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Një mbrëmje shkurti të vitit 2012, Fidel Ylli do gajaste Kuvendin e Shqipërisë duke kënduar kinezçe. Në fakt qe një miks provincial i një deputeti me sharm, pasi Sali Berisha kishte folur për një bashkëpunim ekonomik me vendin aziatik. Por edhe për futjen e gjuhës kineze në tekstet e shkollës. Performanca ia arriti qëllimit. U shkrinë së qeshuri.
Mirëpo tani, sot, opozita nuk ndodhet në Kuvend që t’i kthejë reston Fidelit. Do të ishte dita më e volitshme . Shqiptarët do të kuptonin kështu hendekun midis të thënës dhe të bërës. Por opozita mungon.
Ky detaj ka edhe një rëndësi tjetër. Hapat e shkurtër të memories civile.
Ndofta një ballafaqim ironish, sulmesh midis opozitës dhe pozitës, nga e shkuara mund të na japi mundësinë ku të shohim si në një ekran të madh, butaforinë, apo fallcitetin politik në kontekst me rrugën reale që duhet ndjekur. Shumë nga ne mendojmë se politikanët tanë e dine, jo se nuk e dine. Ata e bëjnë qëllimisht këtë, pasi kështu ndodh në politikë.
Por, edhe ky përfundim është I gabur.
Gjithsesi…, t’i kthehemi bashkëpunimit me Kinën. Vendi gjigand është bërë sot kantieri i botës. Pavarsisht politikës dhe të drejtave të mungura të njeriut, partia aktuale erdhi në pushtet permes një lufte të përgjakshme civile. E vetmja aleancë politike, nëse mund ta quajmë kështu, që njeh historia moderne kineze, ka ndodhur gjatë luftës së dytë botërore. Kur, Japonia sulmoi Kinën. Më pas, vendi i lodhur iu nështrua diktatit komunist.
Sot Kina, vazhdon kështu. Megjithatë, është tregu më prodhues. Aq sa edhe një nga superfuqitë e botës, Amerika, është debitor tek ajo.
Por ne si Shqipëri jemi në kushte të tjera. Në të njëjtë kohë, jemi njohje e vjetër.
Aq sa edhe unë kam pasur fatin, kur një fëmijë dhjetëvjeçar,të shikoja se si mbushej një pallat me njerëz si kukulla.
Ishte koha e bashkëpunimit të madh. Po ndërtonim ekonominë vendit, bazuar në dy shtylla kryesore. Punën vullnetare dhe punën e detyruar.
Metoda të cilat edhe Kina vet i kishte zbutur.
Megjithatë, shumë vende nga bota bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh, për sa I përket politikës dhe të drejtave të njeriut. Uzurpimit të Tibetit, apo
kurseve abstenuese të Kinës në OKB.
Kështu që nuk bëjmë keq edhe ne. Të paktën të jemi një here pragmatistë.
Sot të takosh e bashkëpunosh me një qytetar kinez, të duket sikur je pranë një roboti. Pak emotive, shumë racional, dhe aspak efuforik. Edhe pse janë kulti i punës.
Do të ishte mire që Kryeministri ynë, të kishte marrë me vete edhe Fidelin.
T’ia dëgjonim sërish zërin, edhe sot.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fideli, Ilir Levonja

“A janë Rruga e Arbërit dhe Autostrada Shqipëri-Maqedoni e njëjta gjë?”

September 11, 2014 by dgreca

Nga Dr Gëzim Alpion/Birmingham, Angli/
Vetëm online, peticioni për ndërtimin e Rrugës së Arbërit tani ka më shumë se 6,500 nënshkrues. Bashkë me nënshkrimet në formularë, ky projekt ka 8,500 përkrahës.
Këto ditë disa media në Tiranë kanë raportuar se gjatë vizitës në Kinë, Kryeministri Edi Rama ka siguruar fondet për ndërtimin e Rrugës së Arbërit.
Po qe se kjo është e vërtet, ky është një lajm shumë i mirë. Megjithatë, theksojmë, “po qe se është e vërtet”.
Eksperienca na ka mësuar gjatë dy dekadave të fundit se disa politikanë dhe media bëjnë deklarata në tym. Nuk themi se ky është rasti edhe tani, por gjatë vizitës në Tiranë në maj të këtij viti, një anëtar i Qeverisë na garantoi se nënshkrimi i marrëveshjes me kinezët ishte iminent. Kjo nuk ndodhi sepse në bisedimet në Tiranë pala shqiptare dhe kineze nuk ranë dakord.
Përpara se ta konsiderojmë Rrugën e Arbërit “të ndërtuar”, siç po bëjnë disa militantë partiak, le të presim të dëgjojmë se çfarë do të thotë z. Rama kur të kthehet në Tiranë.
Nga informacioni që kemi, Rruga e Arbërit, që z. Rama u premtoi dibranëve para zgjedhjeve se do ta ndërtonte brenda mandatit aktual, dhe Autostrada Maqedoni-Shqipëri, për të cilën po flitet publikisht ditët e fundit, mund të mos jenë e njëjta gje. Megjithatë, urojmë që ta kemi gabim.
Po qe se z. Rama do të prononcohet se vërtet arriti të siguroj fondet për Rrugën e Arbërit, ne do te kemi kënaqësinë ta përgëzojmë të parët, pavarësisht se ka më se një vit që po na trajton pa kortezi.
Megjithatë, për ne sigurimi i fondeve nuk do të thotë mbyllje e peticionit. Ne do ta vazhdojmë lobimin po kaq intensivisht në mënyre që fondet të mos përfundojnë në xhepat e zyrtarëve në Tiranë apo të pushtetit lokal, si dhe për t’u siguruar se asnjë devijim nuk do të bëhet nga projekti i aprovuar nga Qeveria në vitin 2005.
Siç kemi premtuar më 18 Mars 2013, peticioni do të qëndroj i hapur deri në inagurimin e Rrugës së Arbërit.
Ju lutem nënshkruani peticionin në linkun që vijon:
https://www.change.org/p/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Alpion, Kryeminsitri rama, Rruga e Arberit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4411
  • 4412
  • 4413
  • 4414
  • 4415
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT