• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FULLANOMANIA

September 6, 2014 by dgreca

Nga Roland Gjoza/ New York/
Bankierin Santo e vrane se s’ishte si Fullani, Fullanin e burgosen se s’ishte si Santo. Banka eshte shpirti i mekanizmit, motori i makines shteterore. S’duhet nje Santo, po nje Fullan, qe perdoret. Prandaj i dyti s’u vra se ishte ne sherbim, ndersa i pari u vra se ka kundershtuar, ose ka tradhtuar klanin e zhyer ne krim. Gjerat s’do te dalin. E gjithe kjo qe po ndodh eshte nje tymnaje, gazmuese ne fillim per burgosjen e Fullanit, po zhgenjyese ne fund kur, prej malit te korrupsionit, do te dale nje mi. Asnje emer s’ka per te dale, vetem nje; Fullani. Po Fullani eshte kthyer ne Fullanomani. Nje tjeter Fullan do te vije, dhe pas tij serish nje tjeter. Fullanomania do te vazhdoje gjate. Po ajo garderobe, po nderron vec firma, nga Guci ne Kalvin Klejn. Ceshtje shijeje. Po bomba e fillimit vlen, pastaj mendjet topiten. Hallku i gezon gjate faktit qe Fullani u rras brenda. Kjo i kenaq se tepermi instinktet, se turma instinkt ka, por jo mendim. Dhe pastaj hallku harron, se ne Shqiperi perdite ka ngjarje me spikame te forte. C’u futen brenda me bubutime e uturime, dolen jashte; kjo brendajashte eshte ne natyren e korrupsionit gri, domethene korrupsionit gjitheperfshires, vertikalisht dhe horizontalisht. Dhe ne shqipot jemi mesuar me pak. Dhe nje luge na ngop. Ja, luga, Fullani, qe do ta vjellim neser me ate Fullanin tjeter. Se horrat qe perdoren Fullanin e pare, do te gjejne shpejt Fullanin e dyte, prere me gersheret e tarafit.
Tani jemi ne fazen e festes, se nje drite ne fund te tunelit, ngaqe ne tunel mbetem, po feks me shprese. Hajt, per hajer, themi, te lodhur dhe te rraskapitur nga kjo demokraci e vjedhjes dhe e krimit. Po them; pikerisht nga kjo levizje qe u be, arrestimi i Fullanit, dicka mund te pritet, per mendjet e prira per mire, po dyshuesi i sprovuar ne humbjen e shpreses, i shkaterruar prej plojes se pervojave te keqija, do te thote se mbyllja brenda e Fullanit eshte mbyllja e gojes. C’emra prisni, c’arrestime jashte bankes, lart ne kupole, as mos t’ju shkoje mendja se do te kete nje gje te tille, vec ne e shpikshim nje lloj drejtesie te rrepte e te vertete, se kjo qe ngjau ishte thjesht nje levizje per te qetesuar gjakrat para vizites se Papes. Dhe te vjen jashtezakonisht keq, nese keto pandehma prej nje dyshuesi, kthehen ne ca te verteta te hidhura. Tani po i meshohet frikes per ndonje akt terrorist, njera pale pohon pasigurine, tjetra sigurine e plote, lesharapnaja e terrorizmit si ide perzjehet me krimet e perditshme njeri me i percudshem se tjetri. S’kane fund krimet, sikur te mos na kishte dhene njeren dore Europa dhe Shqiperia te mos propozohej per Mis turizmi boteror, me gjithe malin e plehrave dhe detet me mut dhe shurre. Perse ndodhin kaq shume krime? C’pyetje! A behen keto pyetje ne prag te vizites se Papes? Mos u merr me ceshtje te vogla, o njeri, po kapu pas brireve te kaut, Rilindja po i jep shenjat; e beri gjyqin per kater te vraret e 21 janarit, sic premtoi me zulme te madhe, e beri gjyqin per vjedhjen e detit, e beri gjyqin per Gerdecin, per rrugen e Kombit, per vjedhjen e votave per Bashkine e Tiranes, per importin e plehrave nga Italia, i beri gjyqet, per majen e majes se korrupsionit dhe tani na kishte mbetur Fullani pa gjyq. T’ia bejme dhe Fullanit gjyqin qe Europa te na jape te dyja duart. Prandaj vjen Papa, per ato te shkreta duar. Lereni Rilindjen te punoje, mos i vini qerres shkopinj nen rrota. Te shohim, pasi te ike Papa, c’do te ndodhe me Fullanomanine. Them se ajo do te kete sukses te madh, se universitetet tona kane kohe qe pergatisin Fullaner dhe mbyllja e disave prej tyre ishte per shkak te teprise. E bete bajat, s’na duhen kaq shume Fullane dhe kaq shume Mon Kukaleshe, se s’kemi ku t’i cojme, mbajeni doren. Po zyrat kane oreks per ta. Shtohen zyrat per Fullane e Mon Kukaleshe, po do te kete dhe Kac Islamer dhe Ngjelka dhe nje aradhe te madhe te pakenaqurish e vicklahedhsish, bicim emigrantesh brenda partive, qe vec majekrahu dine te bertasin, pa gjetur kurrsesi karrigen e vet. Dhe c’pret, c’pret, o milet, prej kesaj loje me letra ku vec derri te bie e asnjehere asi spathi. Rrokupuje qerrja dhe kamxhiku mbi gerdallen, mileti e ndjek, mileti heq e vuan, te shkoje dhe vapa me gushtin, grrap e grrup, prej Evrope do te kete qene Sizifi, se ngjit e zbrit me goxha mal korrupsioni mbi shpine, qep e shqep, e aty mbet, mbi kocke e mbi plage. Te presim sa te mbije bari, o gomar..

Nju Jork, Shtator 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Fullanomania, roland Gjoza

Nga Trashegimia e Faik Konices: ZAKONI I SKLLAVERISE….

September 6, 2014 by dgreca

Vetëm të larkmët duhet të dinë një gjë: skllevët që përmentmë, spiunë të mbetur nga regjimet e shkuara të Shqipërisë, s’kanë të bëjnë fare me VATREN. Vërtet lehin, lëpijnë, futin hundën në çdo deriçkë, – po as një në dhjetë s’ësht’ anëtar i Federatës që kam nderin të kryesoj. Dhe në qofshin shtat’ a tetë gjithsej, jan’ asish që hyjnë të pavënë re nga dera kur e gjejnë të hapur, po dalin me elegancë nga penxheria kur zbulohen prej kujdestarëve të shtëpisë…/
SHKROI: Faik KONICA/
Skllavëria, si çdo pësim tjatër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në funt një zakon i pëlqyer, dhe ata që e mbajnë mi xverk e durojnë me gëzim. Veçan atyreve që lindin skllav, u është skllavëria si një natyr’ e dytë dhe ata jo vetëm s’marin vesh çdo me thënë liri, po ndiejnë një farë urrejtje për mprojtësit e lirisë dhe ushqejnë respektin më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit dhe të zinxhirit.
Këto që thomi s’janë theori të thata. Kemi fakte historike që i provojnë. Dini të gjithë se që më 1861 e gjer më 1865, u-bë n’Amerikë një luftë civile e madhe në mes të Shteteve të Veriut e të Shteteve të Jugës. Veriu, me Lincolnin si President, i qojti gjithë skllevët të lirë. Juga nuk pëlqeu këtë veprim. Juga deshi t’a mbajë skllavërinë si një institutë legale, dhe u-nda nga Veriu duke u-prokllamuar një republikë më vete me Jefferson Davis-in si President. Fundin e di çdo njeri: Juga u-munt, Amerika u bashkua përsëri, dhe skllaveria u-çduk për gjithënjë. Lincoln-i u-vra në mbarim të luftës. Davis-i rojti gjer më 1889, si njeri prevat, -dhe bukuria është se çngjau kur vdiq ky njeri që kish derdhur aqë gjak për të mprojtur skllaverinë: ngjau kjo gjë e çuditshme, që dymij ish-skllev vazhduan duke qarë qivurin e Davis-it! Shikoni forcën e zakonit: skllavi i çliruar kish zemrën dhe dashurinë të lidhur me armikun e çlirimit.
Kur qenka ashtu natyra e njeriut, a është çudi që një shumicë Shqipëtarësh të kenë në shpirt të tyre adhurimin e zgjedhës? Bij, nipër, stërnipër skllevësh, skllev vetë, fjala liri nuk është për ta veç se një gjë misterioze dhe e rezikshme, e cila duhet ose lëftuar ose pritur me të ftohtë. Çudia është se kemi dhe n’Amerike një shumicë nga këta skllev qesharakë dhe të poshtër. Të lirë nga krahët, truri i tyre është i lidhur me zinxhirë. Dhe është bukuri të vazhdojë njeriu sielljet e kësaj kopeje. Posa u tepëron pakë kohë nga puna, ata nukë dalin të marrin erën e paqme që të qërojnë mëlçit’ e tyre nga mikrobi i oftikës, – po venë si gjërpërinj nga “konak” në “konak” dhe nga dyqan në dyqan dyke bërë propagandë kundër Fushatës.
– “Ç’ësht’ ajo parti liberale?” thonë skllevët.
“Ne kemi një guvernë, dhe duhet t’a mprojmë. Ato që bën guverna janë të mira. Populli në Shqipëri ësht’ i kënaqur. Mos dëgjoni çpifjet, se paratë do t’ju venë humbur”. Dhe fjalët e tyre gjejnë përkrahje nga një turm’ e errët spiunësh dhe larosh, – pseudotregëtarë gjysmë t’egër që janë në të dhënë faliment e sipër, batakçinj t’ardhur në mes të Shqipëtarëve s’dihet nga ku dhe me ç’porosi, varangjelistë të paqytetëruar me kurrizin “den-baba-den” të zbutur nga shkopi, kumarxhinj, dembelë, etj. Kjo turme, e palarë në gjithë kuptimet e fjalës, ka disa qëllime të fshehta, – dhe një qëllim sheshit, që është: të mos bëhet Shqipëria një Shtet modern i shtënë në themele të shëndosha, po të mbetet një vent i turbull dhe i dobët, i lehtë për të përmbysur kur lakmia e fqive të gjejë rastin.
Vetëm të larkmët duhet të dinë një gjë: skllevët që përmentmë, spiunë të mbetur nga regjimet e shkuara të Shqipërisë, s’kanë të bëjnë fare me VATREN. Vërtet lehin, lëpijnë, futin hundën në çdo deriçkë, – po as një në dhjetë s’ësht’ anëtar i Federatës që kam nderin të kryesoj. Dhe në qofshin shtat’ a tetë gjithsej, jan’ asish që hyjnë të pavënë re nga dera kur e gjejnë të hapur, po dalin me elegancë nga penxheria kur zbulohen prej kujdestarëve të shtëpisë.
Puna është sheshit. VATRA ka lëftuar dhe lëfton për një Shqipëri moderne, serioze dhe të nderuar. Partia liberale që u-organizua në Shqipëri, do t’mundohet të fitojë shumicën në zgjedhjet, që të vërë në veprim idealet e VATRES. Ju pëlqen ky mendim? Përkraheni me sa ju mundet Partine Liberale duke mos u vënë veshin larove, të cilët pa fjalë do të bëjnë zanatin e tyre.

DIELLI- Botuar më 1923

Filed Under: ESSE Tagged With: Faik Konica, Zakoni i Skllaverise

KRISTO KIRKA- Me mision në Stamboll

September 6, 2014 by dgreca

Nga Uran BUTKA*/
Shpallja e Kishës Autoqefale Shqiptare ishte një arritje kombëtare. Por, sipas rregullave kishëtare, duhej të njihej edhe nga Patriarkana. U vendos që një përfaqësi e Kishës Autoqefale të Shqipërisë të shkonte për bisedime me patriarkun e Kishës Ikumenike në Stamboll. Një komision kleriko-laik me në krye at Vasil Markon, kryetar i Këshillës së Lartë Kishëtare dhe i përbërë prej kryetarit të bashkisë së Korçës, Vasil Avramit, at Harallamb Tarkës, Thoma Orollogait, Dhosi Havjarit, Simon Shuteriqit dhe deputetëve Kristo Kirka e Dhimitër Kacimbo, u zgjodh për të shkuar atje. Delegacioni kishte një përfaqësi të gjerë, sipas kërkesës së Patriarkut të Stambollit, që delegacioni të kishte edhe përfaqësues të shtetit.
Korçë, më 24 mars 1923
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë
Këshilla e lartë Kishëtare
Zotit Kristo Kirka
I nderuar Zot,
Ju bëjmë të njohur se Këshilla e Lartë Kishëtare, në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme, që bëri më 14 të këtij muaji për punën e zgjedhjes së komisionit, i cili do të dërgohet këto ditë në Patriarkin Ikumenike, për të bërë përçapjet e duhura përsa i përket çështjes së kishës sonë, e pa të pëlqyer t’ju zgjedhë anëtar të këtij komisioni.
Besojmë se kini për ta pranuar këtë detyrë të shenjtë dhe se do të përpiqi me tërë fuqitë tuaja, duke mbrojtur interesat e kësaj kishe, në bazë të statutit të Beratit, të siguroni për Kishën tonë Autoqefale nga Kisha e Madhe gjithë sa kanë siguruar edhe kishat e tjera simotra të Ballkanit.
Përfundoj me bekime dhe duke pritur përgjigjen tuaj,

Kryetari i Këshillës së Lartë Kishëtare
Ikonom at Vasil Marko

Ministri i punëve të Jashtme, Pandeli Evangjeli, e pajisi Kriston me pasaportë diplomatike si deputet, për të udhëtuar për në Kostandinopojë.
Facsimile 11( Kopje e pasaportës)
Kristoja pranoi me kënaqësi të madhe, sepse ky do të ishte hapi i fundit për kurorëzimin e Kishës së Pavarur Ortodokse Shqiptare.

“Ishte një veprim i guximshëm, me kokën në torbë, si i thonë fjalës, në gojën e ujkut, – kujtonte Kristo Kirka. – Aty ishte strofka e armiqve tradicionalë të Shqipërisë, nga ishin thurrur aq shumë intriga e platforma antishqiptare. Udhëtuam me vapor. Ishte një udhëim i bukur, por kur hymë në lagjen e Fanarit, ndjemë një pështjellim të rëndë. Godina e madhe e Patriarkanës, sikur të shtypte me ato mure të lartë e të heshtur, që mbanin brenda tyre aq shumë të fshehta të frikëshme.
Na futën në një sallë të madhe, zhytur në një gjysmerrësirë. Ishte një atmosferë e zymtë, angushti. Ajri ishte i rënduar nga era e temjanit dhe e qirinjve të djegur. Në krye, në një poltronë të lartë, rrinte Patriarku Ikumenik, i rrethuar nga shumë klerikë të lartë dhe priftërinj shërbestarë.
At Vasil Marko, në emër të Këshillës së Lartë Kishëtare, i paraqiti kërkesën për njohjen e kishës sonë autoqefale, duke parashtruar argumentet, si edhe dokumentet e Kongresit të Beratit dhe të dekretimit nga ana e shtetit shqiptar.
Patriarku na dëgjoi me vëmendje, mandej, me mospërfillje, na u përgjigj:
“Keni vepruar në kundërshtim me vullnetin e Zotit dhe urdhrat tona, kështu që ne nuk e njohim kishën tuaj të vetëshpallur. Autoqefale mund të jetë, vetëm nëse e dekretojmë ne me Tomos të veçantë. Ndryshe, është sakrilegj.”
Kjo përgjigje na indinjoi, por e mbajtëm veten. Sotir Peci e mori fjalën dhe foli me një urtësi e kulturë të admirueshme. Ai foli për vlerat universale të krishtërimit dhe për detyrat e kishës për t’i përcjellë ato tek njerëzit. Po shqiptarët nuk e kuptojnë gjuhën greke, nuk i marrin vesh predikimet kishëtare në atë gjuhë, as ungjillin, as meshën, as pagëzimin, as kurorëzimin, as përshpirtjen. Përse të mos i bëjmë në gjuhën tonë këto rite, për të qenë të krishterë të devotshëm?
Unë fola pak për themelimin e kishës shqiptare në Amerikë dhe për shërbimet që u solli ajo shqiptarëve ortodoksë. “Jemi kthyer në Shqipëri për ta vazhduar këtë mision të shenjtë. Tani që kemi shtetin tonë të pavarur, duhet të kemi edhe kishën tonë të pavarur, siç e kanë edhe vendet e tjerë” – përfundova unë.
Po Patriarku sërish mohoi. Mund të bisedojmë për një autonomi të kishës, por jo autoqefali, – tha ai.
Atëherë, at Vasili nuk vonoi: “Hirësi, ne erdhëm në selinë e shenjtë me mendimin se do të kishit mirëkuptim për çështjen tonë të drejtë. Por ju, për interesa jashtëfetare dhe në kundërshtim me nomet dhe frymën e besimit tonë të krishterë, po vazhdoni me historinë e vjetër. Por kohët kanë ndryshuar. Duhet ta dini mirë se kisha jonë tanimë është autoqefale dhe do të jetë e tillë në jetë të jetëve. Meqenëse ju po thoni se nuk na njihni, edhe ne po ua themi troç, që në këto kushte, edhe ne nuk ju njohim!”
Kjo ishte një shuplakë e fortë, për ata që ishin mësuar me bindje dhe nënshtrim të verbër. U kthyem shpinën dhe ikëm nga ajo botë e errësirës dhe e mallkimit. Por, gjithsesi, vizita dhe fjalët tona nuk mbetën në ajër, ato e bënë efektin e tyre dhe, në mos ai patriark, tjetri që do të vinte pas tij, do ta njihte faktin e kryer. Ne e bëmë detyrën tonë”
Për këtë akt kombëtar, Kisha Autoqefale Ortodokse e Shqipërisë e dekretoi Kristo Kirkën dhe pjesëtarët e tjerë të Komisionit kishëtar që shkoi në Stamboll, me një dekoratë të veçantë nderi.
* Fragmenti eshte marre nga libri”Kristo Kirka” i autorit Uran Butka, Fitues i çmimit “Penda e argjendtë” për esenë në vitin 2012- Vepra eseistike “Kristo Kirka”, me motivacionin:-“Për zbulimin dhe portretizimin e një prej figurave më të spikatura të botës shqiptare.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Kristo Kirka-Me sherbim, ne Stamboll, Uran Butka

DJALI DHE PLEPI

September 6, 2014 by dgreca

Tregim nga Vjollca Tiku Pasku/
Ai ishte vetëm nëntë vjeç dhe mblidhte kanaçe. Kishte një biçikletë të vjetër, ku zhurmonte tringëllima e zinxhirit të ndryshkur, sikur të ishin zorrët e një endacaku të uritur. Kur kanaçembledhësit e mëdhenj e takonin shikonin në rrugë, e vështronin me përçmim dhe e shanin, sepse u kishte hyrë në pjesë. Hija e tij e vogël tkurrej më shumë dhe i jepte me shpejtësi biçikletës, të dilte jashtë rrezes së trazuar me vranësira .Ishte i shkurtër i dobët, ezmer, me dy vetulla që rrinin përherë të mbledhura, si dy shpate mali që ciknin majat e njëra-tjetrës. Flokët e zinj me baluke mbi ballë, sytë e vëmendshëm dhe veshët që reagonin ndaj çdo tingulli të vogël metali, të linin përshtypjen e një djali të vogël, që fati e kishte paracaktuar të bëhej i madh, duke mbajtur përgjegjësi të rëndë mbi supet e brishta, të siguronte ushqimin për pesë motrat dhe nënën e sëmurë. Pluhuri i rrugës, djersa dhe era e keqe e shoqëronin nëpër labirintet e orëve të ditës. Babai i tij ishte një pijanec i alkolizuar dhe asnjëherë nuk dihej ku ndodhej. Ai lypte dhe ato pak para që mblidhte, i blinte alkol. Djali i vogël jetonte në mes të botës së ëndrrave fëmijërore dhe realitetit të ashpër. Ah sikur të mund të ndryshonte fatin e tij, pikërisht si me shkopin magjik të Zanës, të jetonte në një shtëpi të bukur dhe me ushqim të bollshëm. I dukej shumë herë, se qielli disa i mbante me hatër, kurse atë e kishte dënuar. Njëherë tjetër mendja e tij prej fëmije imagjinonte, sikur biçikleta e tij të fluturonte dhe të ishte një magnet që të tërhiqte çdo metal në kazanët e mbeturinave. Në të dalë të qytetit, pikërisht atje ku shinat e trenit kishin marrë ngjyrën e lëkurës së gjarprit, kur e zhvesh dhe e lë në pluhurin e fatit, ishin katër kazanë të mëdhenj… Ishin thuajse bosh, sepse plehrat përreth tyre, përhapeshin nga qentë e natës. Kjo zonë, më parë i përkiste fshatit, ndërsa tani qytetit. Në të djathtë, pesëdhjetë metra më tej, kishte disa plepa të vjetër. Tek një plep i përkulur si ombrellë, djali ulej dhe çlodhej. I pëlqente të shikonte gjethet shtrirë, rrezet që depërtonin nga sytë jeshil të gjetheve dhe të kaltrën e dritës qiellore. Drejtonte gishtin tregues lartë dhe vizatonte konturet e gjetheve dritën, hijet e gjithçka që imagjinonte mendja e tij e vogël… Gjithmonë i mërmëriste plepit: “A ka djalë tjetër që vuan kaq sa unë?… Sa më pëlqen të shkoj në shkollë, të kem libra, ngjyra, të të pikturojë ty, të loz me top me shokë!….Por ah..duhet të punojë” Më pas vazhdonte ecejaket me biçikletë në kërkim të tingullit të artë, derisa dielli fshihej pas shallit të vjetër të horizontit. Peshonte kanaçet e vogla, merrte paratë dhe shkonte tek minimarketi i lagjes. Aty përherë blinte bukë, një kulaç të kuq për vete, pesë karamele për të pesë motrat dhe pak djathë të lirë. Shkonte te markato e madhe, sepse ishte koha kur pastrueset shkarkonin koshat me frutat dhe zarzavatet gjysmë të kalbura. Mund të mblidhte disa, që nëna e tij mund t’i gatuante. Të paktën këtu nuk kishte konkurrencë dhe sharje, por vështrime keqardhëse. Në darkë nëna i puthte duart dhe ia lante me lot dashurie. Motrat e vogla e rrethonin dhe e puthnin në shenjë falënderimi. Atëherë, gjithë mundimi dhe lodhja i largoheshin dhe ky ishte një çast që nuk e ndërronte me asgjë në botë.
-Vëlla, do më blesh një kukull me shtëpi kur të teprojnë lekët?-u dëgjua zëri i Mikenës trevjeçare.
-Do të blej ndonjë ditë -i tha i vëllai. Ajo iu hodh në qafë dhe i tha:
-Të kam shumë xhan…
-Edhe unë Genush…
Të nesërmen drita e bardhë e agimit, nuk e po e zgjonte s’i zakonisht, kur kërcente nga dritarja tek sytë e tij. Koha ishte e vranët. Megjithëse ishte mesi i korrikut, miniatura e ditës ishte pikturuar me bojën e errësirën së natës. Ai veshi këmishën e vjetër mori biçikletën dhe u nis. Mornica të ftohta i shkonin nëpër trup. Baraka e tyre e vjetër me zor mbahej në këmbë dhe purtekat prej balte ishin plasaritur. E gjithë bryma e ftohtë e natës depërtonte si një hije e lagësht brenda saj. ”Jam ftohur” mendoi djali dhe vazhdoi me zor rutinën e zakonshme. Një erë e marrë i uturinte tek veshët sikur donte t’a shurdhonte. Kur kaloi pranë kazanëve të mbeturinave në të dalë të qytetit, i zuri syri copëza të vogla tullash plastike të një shtëpie lodër të shpërndara sa andej–këndej. Qeskën me mbeturina e kishin hedhur fluturimthi, ndaj dhe lodrat gjysmat ishin jashtë dhe gjysmat brenda kazanit… Iu kujtua motra e vogël dhe filloi t’i mblidhte… Era pushoi dhe qetësia e stuhisë po e maste vendin pash më pash. Djali shikoi brenda kazanëve dhe në fund të tij pa kukullën. Zgjati shkopin e tij ta tërhiqte por ajo binte poshtë si për inat. Shiu kishte nisur të binte me flluska , dhe po e shtonte nxitimin e lojës së lagësht. Djali zgjati dorën në drejtim të kukullës dhe një “Ooooh!” e zgjatur i doli nga fyti. Ra duke u palosur më dysh brenda dhe goditi kokën. Trupi i tij i kequshqyer nuk mundi t’i bënte asnjë rezistencë forcës së rëndesës. U mblodh kruspull nga dhimbja dhe bota po i rrotullohej brenda atij kazani të qelbur. Dhimbja në kokë me erën e keqe i trazoi stomakun. Volli me shpërthim, duke nxjerrë thartirën e zorrëve nga goja dhe hunda njëherësh. Për momentin i bëhej sikur një qenie e padukshme po i priste dhe i tërhiqte gjithë zorrët e barkut. Nuk po mundej të frymonte. Hapi gojën dhe u përpoq të merrte frymë me gojë, por shukat e ajrit të ndotur nuk ia furnizonin dot trupin e sëmurë. Bota e madhe ishte zvogëluar brenda një drejtkëndëshi të qelbur. U mundua të ngrihej, por rrëshqiste në metalin e qelbur e lagështitur nga kalbja e mbeturinave. Rrebeshi ia shtoi dozën torturuese viktimës së tij. Teksa përpiqej për të dalë jashtë këtij kazani, djali ishte bërë qull nga shiu dhe më shumë dukej si një amfib i stërmadh në gjolin e plehrave. E gjithë bota përqark ishte shpopulluar nga qeniet njerëzore dhe ai po ndjente vetëm dhimbje vuajtjesh. Ethet e asaj dite dalëngadalë po i përpinin kockat, nëpërmjet dridhjeve gjarpëruese dhe kërcitjeve së dhëmbëve. Temperatura i shpërndau frymën e zjarrtë brenda lëkurës së drobitur… I dha edhe fuqitë e fundit trupit të vet, duke mbajtur kukullën me dhëmbë, dhe u zvarrit me duar derisa doli jashtë asaj vorbulle të tmerrshme. Tërhoqi këmbët e lagura me mundim deri tek plepi për t’u mbrojtur nga stuhia. Me sytë gjysmë të mbyllur, vuri re disa degë plepi që u përkulën për t’a mbrojtur nga stuhia. Për një çast, nuk ndjeu asnjë dhimbje. U ngrit lartë, i lehtë, si pupël ajri. Stuhia, shiu nuk e pengonin dot. Ai mund të fluturonte. Ndjesi të lumtura, kurrë s’i kish provuar më parë. Nuk e dinte në ishte zog, shpirt, apo engjëll, por dinte që kishte një impuls lumturie, një sinjal ekstaze, dhe do kishte vazhduar… Por dikush po përpiqej t’i hapte dorën që shtrëngonte kukullën…Një vajzë pothuaj në moshën e tij përpiqej t’i shkulte gishtërinjtë, për ti marrë kukullën. Ai hapi sytë duke vështruar rreth e përqark. Stuhia ishte fshehur dhe dielli me shigjetat e zjarrta kishte fshirë çdo gjurmë të saj. Djali nuk e lëshonte kukullën dhe po shikonte me hapi vajzën teksa klithte:
-Më jep kukullën time!… Ai më mori kukullën!- ajo filloi të qante… Një djalë tjetër i rritur me fytyrën më të zezë se katrani, i mori biçikletën dhe u bë erë. Një kalimtar i rastit, po i shikonte një copë here dhe vazhdoi rrugën e vet në heshtje…

Filed Under: Featured Tagged With: DJALI DHE PLEPI, Vjollca Pasku

DHJETË KËSHILLAT E PAPËS PËR TË QENË I LUMTUR

September 6, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Pak para disa ditësh lexova në median amerikane njoftime në lidhje me një intervistë që Papa Françesku kishte dhënë muajin e kaluar për gazetën Viva të Argjentinës, gjatë së cilës ai kishte rekomanduar dhjetë këshillat e tija bazuar në përvojën e tij, që ai thotë se po ti zbatojmë, do jemi më të lumtur në jetë. Ndonëse është fund jave dhe jemi si të thuash në vigjiljen e vizitës historike të Papa Françeskut në Shqipëri më 21 shtator, thashë me vete t’i ndajë me lexuesit, të cilët ndoshta nuk i kanë lexuar deri tani këto dhjetë këshilla të Papës, për të qenë i lumtur në jetë, pasi në fund të fundit, kush prej nesh nuk dëshiron të jetë i lumtur .
Me këshillat e tija, Papa në përgjithësi përpiqet të inkurajojë njerzit të kenë një qëndrim më pozitiv në jetë dhe të jenë më bujarë dhe zemërgjërë ndaj të tjerëve.
Këshillon gjithashtu familjet që të mos shikohet aq shumë televizion pasi nuk u jep antarëve të familjes mundësinë për të komunikuar me njëri tjetrin dhe propozon që njerzit të kërkojnë mënyra më të mira për të kaluar kohën e lirë. Ai tha se është zhdukur kënaqësia për të lexuar libra, njerëzit nuk lexojnë më, fatkeqsisht. Papa, madje rekomandon që të ndalohen përpjekjet për të bindur njerëzit që të përqafojnë
fenë tënde. Rekomandon që për arsye të jetës moderne shumë të ngjeshur, që të pushojmë më shumë, dhe të kalojmë më shumë kohë me familjen dhe të punojmë për paqë,sipas mediave të ndryshme amerikane që kanë botuar intervisten me këshillat e Papës për njerzit që duan të jenë më të lumtur në jetë. Disa prej këshillave të tjera përfshijnë mundësinë për të ndihmuar njerzit që kanë nevojë dhe
thotë se lumturia nevojitë përpjekjet e shoqërisë dhe të politikës për punësimin e të rinjve duke u gjetur atyre punë të dinjitetshme. Dhe mbi të gjitha, një ndër këshillat e Papës për të qenë i lumtur në jetë, është e nevojshme dhe rëndësishme që të respektohet besimi i të tjerve.
Ja edhe 10 këshillat e Papës dhënë gazetës argjentinase Viva, të përkëthyera shqip për ata, që sipas tij, dëshirojnë të jenë më të lumtur në këtë jetë:
1. Jeto jetën tënde ashtu si dëshiron vet, por lejo që edhe të tjerët të jetojnë si pas dëshirës së tyre. Të gjithë, tha Papa, duhet të udhëzohen dhe të jetojnë në bazë të këtij parimi.
2. Të jeshë bujar e zemërgjërë me të tjerët. Është e nevojshme, tha Papa, që njerëzit të jenë të sinqertë dhe bujarë ndaj të tjerëve. Në të kundërtën, shtoi ai, njerëzit rrezikojnë të bëhen egocentrik, duke u përqëndruar vetëm në nevojat e veta dhe askujt tjetër.
3. Përpiqu të jeshë i qetësuar në jetë. Reflekto mbi të kaluarën për të parë se si e ke kaluar jetën.
4. Që njeriu të ketë një kuptim më të shëndosh për pushim, për më shumë kohë të lirë. Papa tha se konsumarizmi i tepëruar ka sjellur shqetësime në shoqëri dhe u rekomandon prindërve që të caktojnë
kohë të posaçme për të luajtur me fëmijtë e tyre dhe që të mbyllin televizorin kur ulen rreth tavolinës për të ngrënë.
5. E Djela duhet të jetë ditë pushimi. Puntorët duhet të pushojnë të djelën, pasi sipas tij, e “Diela është për familje”.
6. Të gjënden mënyra të reja inovuese për të krijuar vende pune me dinjitet për të rinjët e të rejat. Duhet të jemi më të interesuar dhe më krijues për tu përballur me nevojat e rinisë, tha Papa për gazetën argjentinase, Viva.
7. Respekt dhe përkujdesje për natyrën. Degradimi i mjedisit, shtoi Papa Françesku, është një prej sfidave më të mëdha me të cilat përballet njerëzimi. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetvetes, tha ai, është nëse, “njerëzimi po bën vetvrasje me përdorimin tiranik të natyrës dhe të burimeve të planetit, pa marrë parasyshë pasojat.”
8. Të mos jeshë negativ ndaj të tjerëve. Nevoja për të folur keq për të tjerët është në të vërtetë shënjë e mos respektit për vetveten, tha Papa. “Heqja dorë nga ndjenjat dhe qëndrimet negative ndaj të tjerëve sa më shpejt që të jetë e mundur, është shumë e shëndetshme për individin dhe njëkohsisht e bën njeriun më të lumtur, tha ai.
9. Mos u përpiq të këthesh dike në fenë tënde ose që të tjerët të pranojnë me doemos pikpamjet tua. Respekto besimin e të tjerëve!
Gjëja më e keqe, tha Papa, janë përpjekjet e tepëruara për të këthyer dike në fenë tënde. (“Don’t Proselytise: respect others’ beliefs”, ishin fjalët e Papës të përkthyera anglisht). Të tjerët tha ai, mund të frymëzohen nga shëmbulli ynë, po të duan. Çdo person, tha ai, dialogon duke filluar nga identiteti i vetvetes dhe se katolikët duhet të dialogojnë edhe me ata që nuk ndjekin besimin e tyre.
10. Puno për paqë. Jetojmë në një periudhë luftërash e konfliktesh dhe si përfundim duhet të ngrejmë zërin lartë në mbështetje të paqës.
Paqa nganjëherë le të nënkuptohet se është e qetë, por ajo në të vërtetë nuk është kurrë e qetë, tha Papa. Paqa është gjithmonë proaktive dhe dinamike, përfundoi Papa, duke u bërë thirrje njerëzve që të luajnë një rol më aktiv dhe më dinamik në zgjidhjen e konflikteve, anë e mbanë botës.
Këto ishin 10-këshillat e Papa Françeskut, dhënë azetës Viva të Argjentinës, për një jetë më të lumtur në këtë botë plot probleme. Por si individë kalimtarë në këtë botë edhe nëqoftse zbatojmë madje edhe vetëm një prej këtyre këshillave – përfshirë edhe ata që ndoshta nuk duan t’i marrin parasyshë seriozisht këto rekomandime pasi vijnë nga Papa – besoj se do të bëhemi njerëz më të mirë, jo vetëm për veten tonë, për familjen dhe shoqërinë ku jetojmë, por edhe për mbarë familjen e racës njerëzore dhe në proces, si përfundim, do të kontribojmë drejtë një jete më të lumtur, më të pasur dhe më të doemethënse për të gjithë.
Fund jave të këndshëm dhe jetë të lumtur, gjithmonë!

Filed Under: ESSE Tagged With: DHJETË KËSHILLAT E PAPËS, Frank shkreli, I LUMTUR, PËR TË QENË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4422
  • 4423
  • 4424
  • 4425
  • 4426
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT