REFLEKSIONE MBI NOVELËN “PSE U DASHUROVE TEK UNË” të Sabije Dervishi Veselit/
Shkruan Violeta Allmuça*/
STRUGE : Shqiptarja Sabije Dervishi Veseli është një shkrimtare me origjinë nga Struga e cila ka botuar 5 libra në gjuhën angleze në SH.B.A. Veprat e saj kanë tërhequr vëmendjen e publikut amerikan ku autorja shpalos ngjarje të atdheut të shqiptarëve, të luftrave për liri, dashurive dhe sekreteve njerëzore të cilat përbëjnë histori horror. Lufta dhe vdekja nëpërmjet ëndrrave përcaktojnë temat e këtyre veprave ku eksplorohet jeta njerëzore. Autorja punon e jeton në New Jersey.
Qenia njerëzore edhe në gjendje të ëndërrt jeton emocione të veçanta duke përjetuar një frymëzim deri në shkrimin e fjalëve që në ngrehinën e tyre shënojnë një vepër të mirëfilltë letrare, ku ëndrra bëhet po aq reale dhe udhërrëfyese si vetë jeta njerëzore. Afëria e lidhjeve shpirtërore me fjalën ka qenë një komunikim i shkrimtares Sabije Dervishi Veseli me jetën, në veçanti me vendlindjen nga ku i merr ngjarjet e novelës “Pse u dashurove tek unë”. Lexuesi e kupton që në krye të librit se ka të bëjë me një vizion për jetën, dhimbjen për atdheun, njeriun e botën, i cili shfaqet nëpërmjet një fantazie të brendshme edhe jashtë autores. Duke na sjellë këtë libër të vërtetë për ngjarjet njerëzore që ndodhin në kohën e jetës, me të shkuarën dhe të ardhmen e tyre, apo në kthimin përmes misionit të ëndrrës që e çon autoren m’u aty tek dheu i të parëve, lyer me ngjyre gjaku nga betejat për liri, autorja arrin në kthimin nga jetë-vdekja, në ringjalljen, ku vetë ëndrra përbën fabulën e kësaj novele.
Kam besuar se jeta fillon me një ëndërr, e cila lind në kohë të çuditshme, po aq sa e vërtetë vjen në sistemin e mendimit njerëzor me shpejtësinë dhe thellësinë e krijimit, duke menduar, se një ëndërr mund të ruhet brenda vetes si pjesë e saj. Kjo ka ndodhur sigurisht edhe me Sabije Dervishi Veselin që duke u mbështetur tek ëndrrat ka nxjerrë nga trupi gjithçka të shenjtë mbi letrën e bardhë të shkrimit. “Të shkruarit nuk është asgjë më shumë se sa një ëndërr e udhërrëfyer” shkruan Jorge Luis Borges. Autorja beson tek ëndrrat dhe ka një dashuri të veçantë për ruajtjen e tyre në memorien e njeriut duke besuar në të vërtetën, po aq sa kthehet në një aleate, e cila e lidh me vendlindjen, traditat, krenarinë, dëshmitë, besën, lirinë dhe luftërat në Ballkan si pjesë e tij. Autorja e di se bota e njeriut fillon tek vetvetja, ndaj nuk harron se krijimi i një vepre letrare përfundon tek lexuesi. Arti i shkrimit të një historie, për ta njohur edhe njerëzit përreth si histori të lindur nga një ëndërr, para lexuesit bëhet gjithsesi një realitet i prekshëm, ndonëse arsyeja e brishtë e kohës së ëndërrt mund të jetë një gjendje amshimi që ndodh tek njerëzit edhe pse në formë të ëndërrt vetëm në kujtesë.
Autorja i ruan si një trashëgimi idetë e saj për të vërtetën. Në novelën “Pse u dashurove tek unë” ajo i vendos ngjarjet në një vend me fuqi për paqen, ku personazhet edhe pse të pajetë dalin të vështrojnë botën e të gjallëve, pra personazhet janë të zhveshur nga pajetësia e tyre duke u bërë pjesë e jetës që kaplon të gjallët para varreve në thelbin e të cilave jeta ka një formë tjetër. Udhërrëfyesja e kësaj historie vetë shkrimtarja Sabije Dervishi Veseli, na tregon se jeta kurrë nuk mbetet në harresë, por një arsye për ta veshur me petkun jetësor. Dialogu mes jetëve të ndryshme nga i vdekuri tek i gjalli apo nga i gjalli tek i vdekuri shkrihet në një dialog shpirtëror, ku flasin vetë shpirtërat e personazheve. Në hapësirën e jetës dhe të vdekjes edhe pse dilema mes të gjallëve dhe të vdekurve është zbuluar, dilema e shpirtërarve ende është një realitet ku njerezit e botës së gjallë i besojnë shpirtrave të ikur.
Me këtë përjetim autorja shkon deri në botën tjetër me të cilën e lidhin ëndrrat e hershme. Dilema tjetër e shkrimtares Veseli: Pse ekziston lufta? i përket një ideje të drejtë të saj, siç i përket edhe njerëzimit, ku atdheu i vërtetë kthehet në një shpirt të vërtetë. Duke krahasuar botën e të vdekurve me botën e të gjallëve, Vukovarin me vendlindjen e autores për të përcjellë një amanet njerëzor, një realitet i kahershëm i shqiptarëve i njohur në traditën e popullit tonë, përshkruar bukur edhe në veprën e Ismail Kadaresë “Kush e solli Doruntinën” mbetet edhe tek kjo shkrimtare ideja e besës së dhënë që përshkon librin deri në fund të tij. Kjo traditë e veçantë e shqiptarëve të cilët betoheshin për “besën” si para flamurit kuq e zi është një nyje interesante që autorja e përcjell nëpërmjet linjës së dashurisë shpirtërore. Edhe pse njeriu në kohë përjeton ngjarje të mëdha në jetën e tij, dilema e rrëfimit frymor mes shpirtërave në dy botë të kundërta duket sikur është një rrëfim aq sa jetësor edhe horror. Duke u ndodhur mes dy të kundërtave Sabije Dervishi Veseli rrëfen jetësoren edhe kur kalon ditën apo natën duke rrëfyer për një hero të kohës së shkuar të cilin lufta e ka kthyer në viktimë.
Teksa përjeton një ngjarje të frikshme në kohët moderne dhe dëgjon lutjet e një shpirti të ringjallur që do t’i takojë të përjetshmes ne lidhemi me ndjesinë e dashurisë për jetën. Autorja e shfaq personazhin e veçantë të novelës oficerin nga Vukovari me një botë të brendshme dhe të thellë, i cili në netët e kthyera në terr, dëgjon zërin e rrëfimtarit që kërkon të ndizet një qiri për shpirtin e tij. Pyetja e çiltër, “Pse u dashurove tek unë” ka kuptimin e kahershëm se njeriu nuk mund të jetojë pa dashuri, pasi në botë gjëja më e bukur që i ndodh njeriut është vetë dashuria. Udhëtimet e personazheve novelistike si të ishin në një realitet të ngjashëm me të shkuarën, na sjellin kohën e tashme, ku historia sipas autores përsëritet dhe ku ushtarët e luftës kthehen në viktima duke u lutur të mbizotërojë paqja, jo lufta.
Kjo histori nën refleksin e ëndrrës kthehet në faqet e librit si një lutje e përbotshme në fushat e betejave. Nën këtë refleks solemn, amaneti dhe besa e dhënë për ta qetësuar shpirtin e heroit, i cili fitoren e sheh si ringjallje të çdo shpirti të të rënëve në tokat e huaja deri tek kthimi i përjetshëm në tokën e tij, mbetet një porosi shpirtërore. Drejtimi i erës së lirisë drejt hapësirave, ku është toka e shpirtit të humbësve bëhet një lutje e përditshme për kthimin në tempullin e vogël të një varri, tek i cili duhet të prehet përjetësisht njeriu.
Gjuha emocionale që shoqëron novelën “Pse u dashurove tek unë” mbetet një gjuhë frymëzuese, e cila na bën të besojmë se autorja ka dashur të përdorë gjuhën e bukur të atdheut të saj për të na dhënë një vepër me vlera, duke filluar nga gjuha e rrjedhshme deri tek frazat e ndërtuara thjesht dhe bukur, që na shfaqin një kompozicion me strukturë të plotë të diskursit novelistik bashkëkohor. Mbyllja e novelës me mbajtjen e besës së dhënë të shqiptarit, tregon se kjo shkrimtare së pari shqiptare e pastaj me vlera të përbotshme na zbulon më thellë në kohë identitetin tonë kombëtar si një komb që mbetet i etur për lirinë.
TË DIELËN E FUNDIT TË GUSHTIT…TEK SHTËPIA E LONGFELLOUT
Nga ROZI THEOHARI, Boston/
Në Nju-Ingland, ku banoj, përmenden një numër i madh poetësh amerikanë që kanë lindur ose banuar këtu e që janë bërë të famshëm në letërsinë amerikane, si:poetja Emili Dikenson (1830-1886), poetët Robert Frost (1874-1963), Henri Longfellou (1807-1882), Fillis Uitli (1753-1784),Viliam Brajant (1794-1878), Xhon Grinlif (1807-1892), Ralph Waldo Emerson (18003-82), Edgar Allan Poe (1809-1849) që
cilësohet autori më popullor i Amerikës, Edvin Arlington Robinson (1869-1935), Emi Lovell (1874-1925), Edna St.
Vincent Millaj (1892-1950), E.E.Kamings (1894-1962),Elisabeth Bishop (1911-1979) dhe një numër i pambarim poetësh që janë gjallë edhe sot, poezitë e të cilëve janë përfshirë në antologji voluminoze që mbushin bibliotekat.
Emili Dikenson (1830-1886) ka lindur në Amherest të Massachusettsit. Ajo është e përmendur për jetën e saj të vetmuar: përveç kohës së studimeve në shkollë, shumë rrallë u largua nga shtëpia. Jetonte vetëm me prindërit e saj dhe me një motër të vogël. Njëzet vjetët e fundit të jetës nuk doli as te
pragu i derës. Ajo vishej me rroba të bardha, besonte shpirtërisht në botën e përtejme dhe i pëlqente ta kalonte ditën në bahçe, mes barit dhe drurëve, ku edhe shkruante poezitë, me një stil origjinal e të papërsëritshëm. Kur vdiq, i gjetën 1775 poezi, nga të cilat në gjallje i ishin botuar vetëm 7, por anonime.
Poezitë e saj, me nota të theksuara romantike e melankolike, të një shpirti që fërgëllon në vetmi, e befasojnë lexuesin me mesazhet largpamëse për jetën, të cilën ajo e njeh aq mirë, megjithse pa lëvizur nga pragu i shtëpisë. Sa më shumë t’i lexosh vargjet saj të thyera, me fjalë të kursyera, aq më thellë
tërhiqesh prej shprehjeve të figurshme e me ngarkesa emocionale. Me poezitë e saj Emilia ndërtoi botën e saj, meditimin e qetë e vetjak, me imagjinatën e saj krijoi një botë pasionante. Me tri botimet e veprave të saj pas vdekjes, mes viteve 1890 dhe 1896, ajo fitoi vlerësimin që i mungonte në gjallje.Ndërsa botimi i veprave me 1914 e bëri të njohur si poete e formuar dhe e rëndësishme, që ndikoi me stilin e saj mbi poezitë radikale të fillimit të shekullit të kaluar. Idetë e saj ishin të mprehta, rebele dhe origjinale, me një stil që e dallon nga të tjerët, duke u bërë i pakrahasueshëm.
Nuk e harroj, njëherë në shtëpinë – muze në Amherest pashë një nga fustanet e bardha të Emilisë, me mëngë të fryra, i ngushtë në bel dhe i gjerë përfundi, që ishte zverdhur pak nga koha. Zgjata dorën ta prekja dhe ndjeva fëshfërimën e gjetheve të verdha të vjeshtës në kopshtin e saj.
Robert Frost (1874-1963) ka lindur në Kaliforni, por qysh në fëmijëri erdhi në Nju-Ingland dhe u shkollua në Harvard.
Gjatë jetës bëri punë të ndryshme, disa vjet i kaloi në Angli, u kthye përsëri në Nju Ingland, ku punoi në fermën e vet në Nju- Hempsher. Kishte kohë që botonte librat e tij me poezi,ishte një poet i sukseshëm në Angli e në Amerikë dhe mori nofkën “poeti-fermer.” Vite më vonë e la fermën dhe u bë pedagog në universitet. Ndër poezitë që botoi, dallohen edhe ato me karakter humoristik e satirik. Botoi shumë libra:“Mountain Interval”, “A Boy’s Will”, “North of Boston”, “New Hampshire” etj. Ai fitoi katër çmime “Pultizer”. Çmimin e katërt e fitoi për librin “A witness Tree.” Në dy dekadat e fundit të jetës u bë një figurë e njohur popullore dhe cilësohej si poeti më i mire pas Walt Witmanit.
Frosti provoi të shkruante në stile të ndryshme si: “realizëm”, “sentimentalizëm” e “imagjinacion”. Poeti e gjeti frymëzimin në karakterin dhe objektet familjare të shoqërisë së Nju- Inglandit. Ai ishte një recitues i shkëlqyer i poezive të tij dhe nëpërmjet leximeve kolektive vite me radhë ai fitoi simpatinë e lexuesve për krijimtarinë e vet. (Ai ka recituar edhe para presidentit Kenedi.)
Kur po kthehesha nga një udhëtim nëpër Nju-Ingland, mikja dhe pedagogja ime e kolegjit, Maurin Lynch Edison më tha se ishim në qytetin Akton, ku Robert Frosti ka shkruar disa nga poezitë e tij të pavdekshme. Ne të dyja zbritëm nga makina e duke ecur në plisat e barit të njomë Maurini kujtoi diçka nga viti 1955. Ajo ishte studente në universitetin e Filadelfisë në kursin e poezisë dhe në një takim me Robert Frostin, poeti i madh u kishte dhënë dorën të gjithë studentëve. Maurini, nga gëzimi, e ruajti dorën pa lagur disa ditë… Eca më tej në lëndinë, këputa disa fije bari e mblodha disa lule gonxhevogla blu e të kaltra dhe bëra me to një tufë jo dhe aq të bukur. E frymëzuar nga bari jeshil mes të cilit poeti ishte shtrirë dikur pas një udhëtimi të gjatë (siç shkruan ai te poezia “Telefoni”, 1916), e tërhequr nga lulet e egra gjithë aroma, të cilat ai i kishte prekur, thërmuar e hedhur nëpër vargje e kishte biseduar me to në fshehtësi, rrugës kur po ktheheshim, skicova disa vargje kushtuar Frostit. Poezinë e mbarova natën vonë dhe shpirti më ra në qetësi.
Nuk më besohet se diku, disa kilometra pranë qytetit ku banoj, kanë jetuar gjithë këta poetë, shumica nga më të dëgjuarit e letërsisë amerikane. Ata janë frymëzuar nga studimet në universitetin e Harvardit, nga natyra e bukur e Nju- Inglandit dhe nga traditat e pilgrimeve të parë të ardhur në Nju-Ingland në fillim të shekullit të 17-të dhe kanë shkruar vargje të ndjera e tërë kolorit, vargje me mesazhe filozofike,
me temperament, meditim e me një vizion të qartë për botën.
x x x
Përballë portit të Bostonit, në oqeanin Atlanik, qëndron madhështor ishulli i Nahantit, i përmendur për klimën e shëndetshme dhe plazhet me rërë të dendur e të imët, i lakmuar prej dekedash si vend verimi për të pasurit dhe personalitetet e vendit. Çdo të diel shkoj në Nahant me shoqen time Eliena, në kishën e vjetër protestane, e tërhequr më shumë nga natyra e veçantë e ishullit dhe nga takimet me banorët nahantas, të sjellshëm e zemërbardhë. Shumë nga familjet janë trashëgimtarë të evropianëve të parë që erdhën për të banuar në ishull në shekullin e 17-të. Më ka lënë mbresa njohja dhe shoqërimi me një nga këta pinjollë, zonjën e moshuar Kelenta Sears, e cila ka qenë presidente e “Nahant Historical Society”
në vitin 1975 dhe vazhdon e sot të jetë përgjegjëse e muzeut të qytetit. Ajo më tregonte një ditë emrat e personave të rëndësishëm dhe familjeve të tyre që vinin për të veruar në plazhet e Nahantit. Midis tyre përmendi dhe emrin e poetit Henri Longfellou. M’u kujtua në çast poezia “Skënderbeu”, që ka shkruar Longfellou për heroin tonë kombëtar dhe Fan Noli i nderuar e ka përkthyer në shqip me 1916, përkthim që ua ka kushtuar emigrantëve shqiptarë bashkëkohës. Ja disa vargje:
Nga kështjella shpejt ka rënë Flamuri me gjysmë-hënë
Edhe populli shikon
Që në vent të tij valon
Flamuri i Skënderit n’erë
Shkab’ e Zezë me dy krerë.
Dhe një thirrje lart u ngrit,
Se çdo zemër e çdo shpirt
U mërzit nga Turku i lik,
Që e bëri atë Krujë
Zi, murtaje dhe rrëmuje.
Ay zeth me gas me bujë
Q’oshëtin nga brek në brek
Është: “Rrofsh, o Skënderbeg!”
Poezia “Skënderbeu” është botuar në një nga veprat më të dëgjuara të poetit: “Tales of a wayside Inn.”
Lindur në Portland, Maine, me 1807, Longfellou vijoistudimet në kolegjin Bowdoin. Mbasi fitoi gradën shkencore, u emërua profesor kolegji, bëri një udhëtim në Evropë, ku dhe u martua me gruan e tij të parë. Më vonë ai zuri vend në kolegjin e Harvardit, në Kembrixh, si pedagog dhe shkrimtar. Si poet
botoi disa libra me poezi, ndër të cilat, vëllimin e parë “Voices of the Night” e botoi me 1839, “Ballads and Other Poems” me 1841, “Poems on Slavery” me 1842 që u pasua nga “The Spanish Student” me 1843. Një vëllim i rëndësishëm i botuar me 1846 “The Belfry of Bruges and Other poems” përmban
poezi që ilustrojnë familjarizimin e poetit me kulturën evropiane. Me 1847 ai botoi poemën e gjatë “Evangeline”, e cila i dha një popullaritet të madh. Me këtë poemë, nëpërmjet përshkrimit të gjallë e të kapshëm të bukurive të natyrës dhe aftësise së rrëfimit, poeti dha një kontribut të çmuar për
themelimin dhe zhvillimin e epikës në letërsinë e vendit të tij.
Ka një histori ura më e gjatë mbi lumin Carles, që lidh Bostonin me Kembrixhin. Tek udhëtoja një ditë me një kruiz turistik, që lundronte në Carles, guida na tha se ura e gjatë, poshtë së cilës po kalonim, ka marrë emrin e Longfellout, sepse ai shëtiste përditë mbi atë urë, ndonjëherë edhe recitonte nën
zë, me ritmin e hapave, duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve.
Përfytyrimi im atë çast fluturoi mbi urë… një hije e gjatë burri ecte me hapa të shpejtë buzë parmakëve të hekurt të urës,ndërsa jehona më përplaste në veshë copëra vargjesh të prera, të marra nga era…
Kelenta më tregonte se aty nga mesi i shekullit të 19-të, përveç pasanikëve amerikanë që vinin për të veruar në Nahant, filluan të dukeshin edhe intelektualët e profesorët e Kembrixhit.
Henri Longfellou zakonisht vinte me dekanin e universitetit të Harvardit. Pasi i vdiq gruaja e parë, poeti u martua me vajzën e një pasaniku nga Bostoni. Megjithëse i vjehrri ishte pasaniku më i madh i Bostonit, nuk e ndihmoi dhëndrin të ndërtonte a të blinte një shtëpi në Nahant, as edhe më vonë, kur familja e
tij u bë me dy fëmijë. “Ai banonte në vilën e familjes Xhonson,sepse, megjithëse kishte një grua të pasur, nuk kishin të holla të blinin një shtëpi”, – thotë Kelenta.
Gjatë verës Longfellou shëtiste i vetmuar në bregun e oqeanit, duke ndjekur varkat e vogla e të shpejta, që nganjëherë i merrte dallga e i përplaste me zhurmë pas shkëmbinjve, shihte i përhumbur velat e bardha të anijeve të vogla, që spikasnin në kontrast me blunë e thellë të oqeanit, kurse ndajnatëherave,
në verandë, bisedonin për librat e poezitë, me të zotët e shtëpisë.
Vajza 26-vjeçare e Xhonsonit shkruante vetë poezi, kështu,darkëherat ishin mjaft interesante me diskutime e recitime vargjesh.
Ditën poeti notonte në oqean bashkë me djemtë e vegjël, Carlin dhe Ernestin, i pari 6 dhe tjetri 5 vjeç. Tok me ajrin e kripur të ujit ata thithnin aromën velese të trëndafilave të egër buzë oqeanit, të cilët, nga vapa, lëshonin avuj dehës. Longfellou ëndërronte të kishte një shtëpizë të vetën, shtëpiza e poetit,
buzë oqeanit, me shumë ballkone prej nga mund të shihje lindjen dhe perëndimin e diellit, të shihje hënën, qiellin, furtunat dhe pamjet e pafund të horizontit, tek ndodhte çdo minutë ndryshimi i dritës dhe kombinimi i ngjyrave e reflekseve të oqeanit e të qiellit mbi të. Megjithatë, shtëpia e Xhonsonëve
filloi të quhej “shtëpia e Longfellout” dhe i zoti i saj e ndiente veten të nderuar e kryelartë. Poeti botoi në atë kohë librin “The Seaside and the Fireside” (1850), me rrëfimin “Ndërtimi i vaporit”, që është një lutje apo kërkesë e fuqishme lidhur me nevojën e unitetit të kombit amerikan për të përballuar krizën
që u shfaq para luftës civile.
Kur vinte në Nahant miku i tij i ngushtë, Carli Sumner, Longfellou nuk ishte më një poet i vetmuar. Sumneri ishte një orator i mirë, një bashkëfolës i shkëlqyer. Zakonisht ai fliste me një zë të ngrohtë e miqësor që e shoqëronte me një buzëqeshje të lehtë e dashamirëse. Ata e kalonin një pjesë të mirë të kohës së bashku duke shëtitur buzë detit apo duke u çlodhur në verandën e madhe të shtëpisë. Dita e diel ishte dita kur Sumneri e shoqëronte Longfelloun në kishë, për të dëgjuar predikimin e
një prifti ardhur nga Nju-Jorku. Ky i përgatiste mirë fjalimet që mbante në kishë gjatë stinës së verës, mbasi e dinte se aty vinin për të veruar shumë njerëz të rëndësishëm e të famshëm.
Sidoqoftë, vëmendjen e Longfellout nuk e tërhiqte predikimi i priftit. Atij i pëlqente të vinte në kishë, sepse rruga kalonte përmes fushës së bukur me bar, dhe rrethohej nga drurët e dushkut gjethemadh. Siç duket, këtë lloj druri ai e pëlqente,mbasi edhe kabinën e zhveshjes buzë oqeanit e kishte zgjedhur
mes drurëve të dushkut.
Poeti e mbaronte sezonin e plazhit të dielen e fundit të çdo gushti. Zakonisht, javën e fundit moti ftohej dhe atij i pëlqente të vizitonte me dy djemtë e vet guvat e shpellat e frikshme nëshkëmbinjtë masive të Nahantit, buzë oqeanit, për të cilat
vendësit kishin thurur legjenda dhe, me siguri, ato kanë shërbyer edhe si burim frymëzimi për legjendat që ai ka shkruar.
Longfellou gjithnjë e ka parë Nahantin nëpërmjet vezullimit të poezive të tij. Kur erdhi verën e fundit në Nahant, solli një tufë me poezi për t’ua lexuar miqve. Njerëzit tashmë ishin mësuar të masnin pulsin e tij nga përmbajtja e vargjeve. Në qoftë se atij i kishte ardhur damari për poezi heroike, pinte çajin e pasdites me ish presidentin e Amerikës, Adams, ose me sekretarin e shtetit, Webster, të cilët gjithashtu vinin me pushime në Nahant. Në qoftë se ishte i zhytur në mendime, siç i ndodhte shpesh, ai shkonte i vetëm në portin e vogël ku ankoroheshin anijet me avull, porti ku herët ose vonë erdhën të gjithë evropianët dhe të cilin vendësit e quanin “zgjerimi i Nahantit”. Aty te porti priste profesorët e Harvardit kur ktheheshin nga shëtitjet me barka me vela.
Disa miq të Harvardit e shihnin Nahantin si vendin më të përshtatshëm për peshkim. Poeti, që u bënte shoqëri, rrinte me ta në portin e vogël duke ndjekur peshkatarët që ktheheshin me varkat e rënduara nga peshqit. Ai habitej nga llojet e ndryshme të gjallesave që kishte oqeani; shihte me pasion
peshqit, fosilet, karavidhet, llojet e ndryshme të specieve detare, krijesa të çuditshme të oqeanit.
Nahanti ishte mbushur plot me njerëz që frymëzoheshin dhe shkruanin poezi apo prozë. Atë verë erdhi për verim edhe drejtori i shtëpisë botuese që botonte librat e Longfellout, James Fields. Ai lexoi dorëshkrimin e fundit të poetit “Legjenda e artë”, të cilin Longfellou e kishte shkruar në Nahant. Ishte një tregim për një njeri të pasur, të sëmurë nga lebra, i cili mund të shpëtonte nga vdekja e sigurt vetëm nga dëshira e një vajze të virgjër, që do të sakrifikonte jetën për të.
Sa i pëlqenin poetit netët me hënë të gushtit, sidomos kur hëna ishte e plotë. Ai rrinte me orë të tëra në breg të oqeanit duke soditur në pafundësi. Shumë faqe librash me poema e legjenda e kanë zanafillën në ato qëndrime të gjata buzë detit me hënë.
Me gjithë hovin e madh dhe energjinë për të shkruar pa pushim, disa herë poetin e pllakoste plogështia. Atij nuk i pëlqente “arkitektura” që kishte skicuar për ndonjë poemë, por ndiente lodhje të kthehej prapë nga fillimi. Por kjo nuk i ndodhte gjithnjë. Ditës tjetër e shihje jo duke shkruar, por duke
lexuar në breg. Ngjarjet e vogla të ditës ndikonin shumë në gjendjen e tij shpirtërore. Një natë ai mori vesh se djali i fqinjit që ishte shok me djemtë e tij, zuri krevatin, i sëmurë. Natën tjetër, kur po kthehej nga një darkë me miqtë e tij, u afrua te shtëpia e komshiut dhe pa se dritarja e dhomës së fëmijës ishte
pa dritë. Ai e dinte ç’donte të thoshte kjo. Të nesërmen e gjithë familja Longfellou shkoi në varrimin e djalit. Kjo ngjarje e dëshpëroi pa masë poetin prind.
x x x
Vera e fundit e Longfellout në Nahant mbaroi të dielën e fundit të gushtit 1851. Atë ditë poeti shkoi në kishë dhe dëgjoi një predikim energjik e virtuoz nga prifti, Mr.Kirk. Pasdite ai shkroi diçka që e kishte lënë përgjysmë që të djeshmen.
Ndajnatëhere, me mikun e tij, shkuan e u ulen në shkëmbinjtë,të ndiqnin “splendor sky”, vezullimin lëbyrës të qiellit gjatë perëndimit të diellit. Në darkë miku e la dhe ai ndenji i vetmuar deri sa hëna perëndoi e u fsheh prapa shkëmbinjve.
Një lamtumirë, “Fine” e verës së Nahantit.
Ishte 29 gusht 2004, e diela e fundit e muajit. Mbasi dolëm me Kelenta Searsin nga shërbesa e kishës së Nahantit, iu luta asaj që të vizitonim shtëpinë e Longfellout. “Me kënaqësi, mund të shkojmë, – tha ajo, – veç ta dini se shtëpia është djegur,s’mbahet mend që kur, dhe aty janë vetëm themelitë.”
Dita ishte plot diell, qielli i paskajshëm kaltëronte pa asnjë re dhe në rrugën ku ecnim ngadalë binte hija e drurëve të dushkut. Ecnim po në atë rrugë ku një shekull e gjysmë më parë kishte ecur edhe poeti, por tani rruga është e asfaltuar, jo me bar. Në një kthesë zonja nahantase ndali hapat e tregoi me dorë: “Ja, aty…, – tha ajo, – ku mbaron pylli e fillon oqeani…,por unë nuk mund të eci dot nëpër shkurre…”
E falenderova dhe e përshëndeta Kelenten e i thashë se aty mund të shkoja vetëm. Mbasi kalova me vështirësi midis drurëve shekullorë të pishave, dola në një lëndinë të ndriçuar nga dielli, me bar të gjatë e të pakositur, me një pjerrësi të butë që mbaronte në breg të oqeanit. Përballë, tutje, shfaqej Bostoni,
si në pasqyrë. Një dru i vjetër dushku, me lëkurë të ashpër e të çarë vende-vende, lëshonte hije mbi themelet e shtëpisë, si ndonja një metër e gjysmë mbi bregun e oqeanit. Largova barin dhe u ula mbi një gur. Vend ideal nga mund të shihje lindjen e diellit dhe perëndimin e tij. Vija jeshile e lëndinës me bar
vazhdohej më tej nga vija blu e oqeanit, ndërsa dallgëzat e bardha e të lehta, herë të bashkuara, herë veç e veç, ngjanin si vargje të lira poezish. U ktheva në drejtim të pyllit. Mos vallë, këtu e ka shkruar poeti “Evangelinën”? Nxora librin nga çanta dhe lexova, duke qëndruar vazhdimisht në drejtim të drurëve.
Me një shkrim shkarravinë fillova të përktheja disa vargje nga fillimi:
Ja dhe pylli i lashtë
Me murmurima pishash dhe me fierin e blertë,
Me petkun e rëndë jeshil dhe me mjekra lemashku
Varur kuturumthi nëpër trungje…
Drurët si Druidet kanë qëndruar,
Këta priftërinj të moçëm keltikë
Me zërin e tyre të trishtuar e profetik…
Në anglisht poezia është shkruar me metrin daktil, leximi i vargjeve rrokje për rrokje tingëllon si muzika e një valsi, ashtu siç vallëzonin valëzat e oqeanit atë çast, por unë nuk munda ta jepja në përkthim. M’u kujtua profesori ynë mjekërbardhë Xho, i cili drejton klubin e poetëve të kolegjit. Ai i reciton bukur
poezitë e Longfellout. Ai kujton kohën kur ishte i vogël, në shkollë, mësuesja e ngrinte gjithë klasën në këmbë dhe nxënësit recitonin vargjet e Longfellout, të rrokëzuara e me ritëm, e dukej sikur këndonin këngë, sikur tregonin një histori, sepse Longfellou është më tepër një poet tregimtar e popullor. Ai
është cilësuar “bard i kombit” e “humanist kombëtar” dhe këtë nder e meritoi deri në fund të jetës, duke i dhuruar lexuesit volume të tëra me lirika, tregime e kritika letrare. Veprën e fundit “In the Harbor” e botoi me 1882, në vitin kur vdiq.
Longfellou përdori stilin “didaktik”, “sentimentalist” e “romantik,” duke mos iu ndarë traditës dhe kujtesës së popullit amerikan. Aftësia e tij për të dhënë vargje narrative në baladat,për popullarizimin e epikës kombëtare dhe për natyralizimin e temave të huaja dhe të formave poetike, lidhet me virtytet,
cilësite dhe dhembshurinë e zemrës së poetit, me karakterin e tij si njeri dhe si shkrimtar.
…Çdo të diel kur shkoj në kishën e Nahantit, ngadalësoj hapat para shtëpisë së Longfellout dhe duke parë gurët e themelit që qëndrojnë gjithnjë aty, të heshtur, të rëndë,shekullorë, si gurë varri, sjell ndër mend dhe përkthej disa vargje nga poezia e Longfellout,
“Qimitiri i çifutëve në Njuport”:
Sa të huaj duken këta hebrenj—këtu varrosur
Kaq pranë rrugës së zhurmshme të qytetit-port…
Dhe këta gurë varri të vjetër e të irnosur,
Sikur prej malit, nga Moisiu janë zvarrosur…
Boston. 2004
FALEMINDERIT ÇEZAR NDREU!
FUSHATA E VATRËS: ÇEZAR NDREU E DHA SHEMBULLIN, DHUROI $ 1,500.00/
Pas rikonstruksionit që iu bë ndërtesës së Vatrës, veçanërisht zyrës dhe sallës së madhe të katit të parë nga biznesmeni dhe aktivisti i njohur i komunitetit shqiptar, bashkatdhetari nga Kosova, anëtar i këshillit të Vatrës, z. Rrustem Gecaj, Kryesia e Vatrës ka propozuar hapjen e një fushate për mobilimin e zyrave, plotësimin e rafteve të bibiliotekës dhe kornizimin e fotografive historike. Para Kuvendit fushata kishte nisë prej anëtarit të Këshillit të Vatrës, Ahmet Hoti dhe Ndrec Gjergji.
Një dhurim i veçantë ishte ai që u bë të Shtunën e 31 majit 2014 në Vatër nga një nga vatranët e rinj, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Vatrës,i rritur në kampet e internimit të Vlorës,Çezar Ndreu. Çezari i qe lutur editorit të Diellit, që të mos e publikonte dhuruesin, duke dashur që të mbetej anonim.” Nuk po e bëj për t’u dukur, tha atë kohë, thjesht e ndjej se duhet bërë dhe kaq mundësi i kam. Vatra dhe Dielli meritojnë përkrahjen e çdo shqiptari të Amerikës.”
Dhurata e tij ishte një kompjuter i ri, prodhim i fundit dhe një printer, Scaner, fotokopje, me vlerë përmbi $ 1,500.00. E falenderojmë Çezarin dhe i kërkojmë ndjesë që nuk e ruajtëm anonimatin. Le të shërbejë shembulli i tij si nxitje edhe për vatarnët e tjerë. Çezari nuk është i pasur, ai e siguron jetësën me mundim, por ëshët bujar, prandaj nga kursimet e hequra mënjanë dha kontributin e tij pa u ndjerë. Vatra ka nevojë për kontributin e çdo vatrani, kudo ku jeton, e çdo shqipatri të Amerikës! Ta mbajmë gjallë tarditën dhe histporinë tonë në SHBA. Kush do ta ndjekë Çezarin? Dielli do të publikojë emrat e dhuruesëve siç ka bërë për më shumë se një shekull jetë të Vatrës dhe vetë gazetës. Faleminderit Çezar!
ALEKSANDRI -MISTERI I VARRIT NË AMFIPOLI…
Në shekullin e 8-të dhe të 7-të pes Amfipoli sundohej nga fiset ilire/
Nga Gëzim Llojdia*/
1.Amfipoli sot është një komunë në njësinë rajonale Serres e Greqisë ku selia e komunës është Rodolivos. Mori emrin Amfipoli (fjalë për fjalë, “nëpër qytet”), një emër që është objekt i debateve shumë për leksikografiSë. Thukididi pretendon emri vjen nga fakti se Strymon rrjedh “rreth qytetit” në dy anët,por një shënim në Suda ofron një shpjegim të ndryshëm të dhënë me sa duket nga Marsyas, bir i Periander: se një pjesë e madhe e popullsisë ka jetuar “rreth qytetit”. Megjithatë, një shpjegim më i mundshëm është ai i dhënë nga Julius Pollux: që emri tregon afërsinë e një isthmus. Për më tepër, Etymologicum Genuinum jep përkufizimin e mëposhtëm: një qytet i athinasit ose të Trakës, e cila u quajt dikur Nëntë Rrugët, për shkak se ajo është e rrethuar dhe i rrethuar nga lumi Strymon. Ky përshkrim korrespondon me faqen aktuale të qytetit dhe në përshkrimin e Thukididit.
Kjo qendër sot ndodhet pranë një zbulimi historik të lashtësisë. Në kohët e lashta, ishte një qytet në rajonin dikur të quajtur donisë në rajonin e sotme e Qendrore të Maqedonisë. Ajo është në një distancë prej rreth 5 km nga brigjet e Detit Egje.Thuhet nga të dhënat arkeologjike se daton rreth viteve 3000 pes. Për shkak të vendndodhjes strategjike të vendit u fortifikuar shumë herët. Në shekullin e 8-të dhe të 7-të pes, vendin e Amfipoli sundohej nga fiset ilire. Kserksit I i Persisë ka kaluar gjatë pushtimit të tij të Greqisë në vitin 480 pr. Krishtit dhe ka varrosur të gjallë nëntë të rinj dhe nëntë vajza si një sakrificë për zotin e lumit, në afërsi të vendit të mëvonshme të Amfipoli, Alexanderi I mundi ushtrinë e Kserksit në vitin 479 pr. Krishtit. Historia e saj bëhet më tej interesante.
Amfipoli më pas u bë baza kryesore fuqia e athinasve në Thrakë dhe, rrjedhimisht, një objektiv i zgjedhur për kundërshtarët e tyre spartan. Popullsia athinas mbeti snë pakicë brenda qytetit. Një forcë e re athinas nën komandën e Cleonka dështuar edhe një herë në 422 para Krishtit, gjatë një beteje në të cilën të dy Cleon dhe Brasidas humbën jetën. Brasidas ka mbijetuar kohë të mjaftueshme për të dëgjuar të humbjes së athinasit dhe u varros në Amfipoli me madhështi mbresëlënëse. Që nga ai moment ai ishte konsideruar si themelues të qytetit dhe i nderuar me lojëra vjetore dhe sakrificave. Qyteti në vetvete ka mbajtur pavarësinë deri në mbretërimin e mbretit Filipi II megjithë disa sulme të tjera të Athinës, veçanërisht për shkak të qeverisë së Callistratus të Aphidnae.
2.Zbulimi.Mediat botërore të shkruara dhe ato që përhapen ne eter kanë kthyer sytë nga ky zbulim i kohëve me mjegull.
Arkeologu Katerina Peristeri tha ANA-MPA se “pasi ajo tashmë është njoftuar hyrja e varrit është i ruajtur nga dy sfingave, dy metra i gjatë, ndërsa 497-metra të gjatë p varri me një luan 30-metra-i gjatë në krye, na çojnë të besojmë se ky është një monument spektakolar. Dy sfingave në hyrje janë të datës mes 325BC dhe 300 para Krishtit “.
Nuk është sekret që arkeologët shpresojnë se kanë ngecur mbi varrin e Aleksandrit të Madh.
“Varri ndoshta ka fshehur diçka krejtësisht të papritur”, thotë arkeologu i famshëm britanik Nicholas Saunders .Gërmimet e vazhdueshme në varrin e Amfipoli, nga KH Ephorate të Antikiteteve prehistorike dhe klasike, për të zbuluar monumentin e varrimit vijonë.Reporter shkruan se :Një historian i shquar grek pretendon se është e mundur që Muzeu Louvre në Paris për të posedojnë objekte nga varri të lashtë grek që është duke u zbuluar nga arkeologët në Amfipoli, Greqi. Fama e thesareve të lashta greke të fshehura në varr Amfipoli ka ngritur kohët e fundit shqetësimet se monumenti do të gjendet i paprekur, ose në qoftë se ajo ishte plaçkitur në të kaluarën. Historiani, SARANTIS Kargakos, duke folur për Antena TV, tha se varri është plaçkitur në të kaluarën dhe se pjesa e brendshme e monumenti nuk do të jetë e paprekur. “Në vendin ku njihej Amfipoli e lashtë është gjetur, një fshati, me emër Neochorion, ku bullgarët e kanë përdorur për të jetuar, u shkatërrua në 1941-1944. Banorët shkatërruan 20% të shtëpive të tyre, ndërkohë që është e mundur që në të njëjtën kohë ata plaçkitën varrin, duke gërmuar një vrimë në Amfipoli. Një tjetër skenar është se varri ishte plaçkitur nga zyrtarët francezë, që ishin në këtë zonë gjatë Luftës së Parë Botërore, të cilët ka përdorur gurët që gjenden rreth varrit të lashtë të ndërtuar, “vuri në dukje Kargakos.
Një shkrim interesantë është ai i Christopher Klein :Varri që daton nga koha e Aleksandrit të Madh, gjetur në Greqinë Veriore shkruan ai. Për dy vitet e fundit arkeologët kanë gërmuar një kompleks masiv një tumë varrimit pranë qytetit të lashtë të Amfipoli në rajonin verior të Greqisë. Të martën, Kryeministri grek vizitoi vendin arkeologjik 370 kilometra në veri të Athinës dhe njoftoi që ai të jetë një “zbulim shumë i rëndësishme” zbulimi daton nga epoka e Aleksandrit të Madh, që ishte shkas për spekulimet në lidhje nëse një nga komandantët ushtarakë Aleksandrit apo anëtarët e familjes është varrosur brenda. Sipas Samaras, që nga koha kur arkeologët filluan punën gërmues në vitin 2012, ata kanë zbuluar një tumë varrimi masive rrethuar nga një murr 1600-këmbë-gjatë, 10-këmbë të lartë rrethore të ndërtuara nga mermer të bardhë të importuara nga ishulli i afërt i Thassos. Një rrugë e gjerë, pesë-oborr të gjerë të çojnë në hyrje varrit, e cila është ruajtur nga dy sfingave pa kokë. Dekoratave mermer dhe muret e vizatuar zbukurojnë varrin, i cili u shkatërrua pjesërisht gjatë pushtimit romak të Greqisë, por me sa duket i ka mbijetuar pa grabitjet për më shumë se 2.000 vjet. Arkeologët besojnë luani mermer i Amfipoli, i cili u zbulua pak kilometra larg në shtratin e lumit Strymonas në vitin 1912.
Katerina Peristeri daton varrin e varrimit në mes të viteve 325 BC dhe 300 pr Krishtit, në epokën në fund të mbretërimit të Aleksandrit të Madh, maqedonas luftëtar-mbret i cili u ngrit nga vendi përreth e verilindje Greqisë për të krijuar një perandori të lashtë që preku tre kontinente dhe shtrihej nga lumi Danub në Indi. “Ai duket si varri i një maqedonas të shquar të asaj kohe,” tha një zyrtar nga ministria e kulturës për Reuters. Siti i sapo zbuluar i varrimit besohet të jetë varri më i madh i lashtë zbuluar ndonjëherë në Greqi, , duke përfshirë edhe babait të Aleksandrit Philip II, varrosur më shumë se 100 kilometra në perëndim të Amfipoli në qytetin e vogël të Vergina. tha Peristeri Agence France-Presse. “Luani i Amfipoli” statujë, fillimisht pjesë e kompleksit të varrit, e cila u zbulua në vitin 2012.Varri nuk është pothuajse me siguri vend pushimi i Aleksandrit të Madh, i cili vdiq në Babiloni, në Irak, në vitin 323 para erës sonë. Ai besohet të ketë qenë varrosur në Egjipt, pasi trupi i tij ishte vjedhur në rrugën për në vendin e tij nga Ptolemeu, një nga ish-gjeneralët e tij. Disa kanë spekuluar, megjithatë, se varri Amfipoli mund të ishte ndërtuar fillimisht me qëllim të mbajtjes së trupit Aleksandrit. Një shpjegim më shumë gjasa është që varri i madh është ndërtuar për një nga komandantët e Aleksandrit apo anëtarët e familjes. Perandoria Aleksandri u shpërbë shpejt në fraksione ndërluftuese pas vdekjes së tij, dhe gjaku përmbyt kodrat e thatë të Maqedonisë .Amfipoli, një ish-koloni athinas pushtuar nga Philip II në 357 para Krishtit, nuk i ka shpëtuar dhunës. Ajo ishte atje që gruaja e Aleksandrit, Roxana, dhe djali i tij dhe trashëgimtari i ligjshëm i fronit, 12-vjeçar Alexander IV, u vranë nga Cassander në 311 pr Krishtit Është e mundur se varri është ndërtuar për njërin ose të dy prej tyre. Një tjetër teori është se varri masiv i përkiste një prej gjeneralëve të shumtë të Aleksandrit dhe admiralët që banonin përreth Amfipoli. Monumente me Luan shpesh janë përdorur për të përkujtuar ushtarët e vdekur, dhe disa kanë teorizuar se Luani i Amfipoli shënoi varrin e Laomedon Mytilene, një nga komandantët ushtarakë të Aleksandrit që qeverisen Sirinë, pas vdekjes së mbretit.
Arkeologët kanë shpresë për të hyrë në varrin deri në fund të gushtit për të përcaktuar saktësisht se kush është varrosur brenda.Puna arkeologjike vazhdon nën roje të shumtë të policisë. Arkeologët shpresojnë që tokë e lashtë e Maqedonisë mban të paktën një surprizë më shumë dhe se së shpejti do të zbulohet thotë Christopher Klein në shkrimin e tij.
*studiues
Hije e “rëndë” të “Blirëve të Pejës”
Romani “Blirët e Pejës” të Fatmir Terziut/
(esse)/
Nga Përparim Hysi/
Sado pak i “lodhshëm” për mua që të qëndroj paksa gjatë në poltronin para kompjuterit, por, në fund të fundit, ia vlejti. Ma kish dërguar qysh në “llixha” me postë e elektronike, Fatmir Terziu, romanin e tij të fundit, por nuk më premtoi aq koha për t’u marrë me të. Kur u ktheva në Tiranë, zura që të “hipja” në këta “Blirët e Pejës”. Zura të hipja dhe tek, sa “zbrisja”, zura të “rihipja” sërish. Dhe kështu: hip e zbrit dhe zbrit e hip, pothuajëse, u “lodha”. Për t’u “çlodhur”, u shtriva nënë hijen e madhe të këtyre blirëve dhe, për çudi, hija e tyre qe e “rëndë”. A kini provuar që gjatë gjumit, sa zgjoheni, ndjeni një trysni, pesha specifike e sëcilës, është tepër e rëndë? Kështu ndodh me çdo lexues që tenton që t’u ngjitet këtyre blirëve historikë të Pejës.
Pyetjes se përse ndodh kështu, nuk është aq e lehtë që të përgjigjesh. Se autori nuk ka shkruar një roman ku ngjarjet të trajtohen vetëm artitikisht dhe aq? Jo. Përkundrazi: tek hipën e zbritën në këta blirë, has në një mori ngjarjesh edhe rrethanash. Sado që autori nuk shkruan me apriori, por bazohet në një ngjarje reale të vitit 1936 ( pothuajëse në qiejtë e Evropës dhe botës po ravijëzohen re të zeza që sollën luftën e dytë botërore). Hasë në një ngjarje dramatike, por Terziu nuk është kronikan apo gazetar që vetëm ndal tek ngjarja. Jo. Ai, si një investigues serioz, kërkon jo vetëm të tregojë, por dhe ta formojë lexuesin: me shkakun dhe me pasojat. Në fund të fundit, në optikën time, Fatmir Terziu na ka dhënë një roman jo vetëm artistik, po dhe me vlera të tjera aq të çmuara sa nuk ke pse bën sikur nuk e vë re.
Evidentimi i këtyre vlerave, siç mendoj unë, është në radhë të parë objekt i kritikës së mirëfilltë letrare, por, ndërsa kritika e mirëfilltë letrare në gjithë “kontinentin letrar shqipfolës e shqipshkruar” i ngjan atij gjumit dimror të ariut (pra: më shkoqur fle gjumë), unë do mundohem të jap opinionin tim rreth romanit “Blirët e Pejës”.
* * *
Fatmir Terziu është krijues disaplanësh. Gjeografia krijuese e tij është aq e gjërë, sa nuk është fare e lehtë që ta hedhësh në “hartë”. Sikur në këtë “hartë” të përdorësh simbole ngjyrash, këto simbole nuk dalin. Nodh që mbarohen “ngjyrat” dhe “peneli” të mbetë në dorë. Ndodh kështu se Fatmri Terziu lëvron edhe prozën, edhe poezinë. Siç di të shkruaj me lehtësi një tregim, po aq lehtësi ka për të shkruar një poezi.
Di të shkruaj një novelë, por dhe një roman. Sa lehtë e ka për një poezi, po aq mund të shkruaj një poemë. Di të shkruaj si gazetar, po aq mirë di të bëj dhe një skenar apo një dokumentar (sidomos me metrazh të shkurtër). Si kritik letrar është për mua në hierakinë e Kritikës Letrare Mbarësshiptare! Nuk dua të flas për të, si erudit e me formim të tillë sa ka arritur statusin e Akademikut. Dhunti të tilla atij nuk i kanë rënë nga qielli, por në optikën time (gjithmonë i hamendësoj gjërat si nga fshati, se fshatar jam), ai më ngjetë me atë kaun punëtor që kur një ditë e pyetën: se pse e kish qafën aq të rrjepur, u përgjigj: – Se zgjedhën e mbaj vet. Edhe Fatmiri “zgjedhën ” e ka mbajtur vet dhe ky njeri me kaq atribute, në dijen time ( qofsha unë i gabuar), nuk di të jetë vlerësuar ashtu siç meriton. Kur shkruaj kështu, kam parasysh se kam parë lloj-lloj vlerësimesh të pamerituara, sa zënë e më fryhen mushkëritë aq sa mund të pëllcasë. Është njësoj që në një pyll lisash, të barazosh lisat me shkurret. Po. Po. Shkurret kanë marrë lartësitë. Dhe ky “inflacion antivlerash” ka marrë aq lartësi, sa nuk iu lë gjë mangut atyre “diplomave fallco” të univeriseteve që shesin e blejnë si sharlatanë të vërtetë , dëshmi e një kazme gjigande që i bëri gropën arsimimit e kulturës. Por të heqësh petet e një lakrori të tillë nuk është objetkti i kësaj essesë sime modeste. Në u ndala paksa gjatë,e bëra se dua që haka të shkojë tek i zoti. Shkurt: Fatmir Terziu meriton nga të parët që t’i fitojë ato atribute që janë bërë sikur nuk i kanë vënë re.
Fatmir Terziu është investim me vlera deri tani të mohuara. E, sa për mua, me që po ndalem pak gjatë, them se kushdo që investon vetëm me nismën e vet në fushën e letërsisë, kuturës dhe artit, duhet vlerësuar. Gjeografia e investuesëve të tillë është e gjërë dhe shtrihet në të gjitha anët e globit. Pa shikoni se sa “Website” janë hapur dhe administrohen, pa qenë i zoti që t’i lakoj të gjithë, unë mendoj se misionarë të kulturës, letërsisë e shtypit si: Agron Cami në Amerikë, Fatmir Terziu e Gëzim Marku në Angli; Skënder Buçpapa në Zvicërr; Paul Tedeskini në Itali, Ajet Nuro në Kanada. Petraq Pali në Amerikë ,Preng Jaku e Rush Dragu në Amerikë e për mos vazhduar me të tjerë, patjetër që duhet të jenë në optikën e vlerësimeve të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Kulturës.
* * *
Pse ndalem tek “Blirët e Pejës”? Ndalem me këtë roman jo se si temë qëndrore e tij është një dramë alla kanun, por ajo që i jep vlera të epërme romanit është fakti investigues i autorit: cilat janë shkaqet që ndodhi kjo dramë dhe kush janë autorët në sipërfaqe dhe në të. “Loja” gjakësore, potuhuaj, zhvillohet në “kuinta”, në surdinë: pas perdeve. Aty, pas perdeve, autori kthehet në një Shorllok Holms mitik. Hulumton dhe zhbiron. Gjurmët të çojnë në “qelë”. Jo në atë “qelën” e kishës ku rrëfehehn besimtarët, po në atë “kupolën” shtetërore ku bëhen plane ogurzeza për të shfarosur e dëbuar shqiptarët nga trojet e tyre. Kjo është merita e autorit. Vrasja e vëllezërve Brahimoviç dhe e motrës së tyre, Zade, nga ana e Suloviç e Co…., nuk është aq sinjifikative për këdo lexues që njeh sadopak ato “nene” të Kanunit që, ndonjëherë, “lexohen” dhe zbatohen anapolla. “Banja e gjakut”, po të shprehem kështu, sado që ka përngjasim me ato tragjeditë e Shekspirit, e rrit densitetin e saj duke kërkuar shkaqet. Këto po: janë rrënqethëse. Lexo aty dhe gjithë “shpura” me hetues, gjyqtarë, prokurorë e njerëz të “drejtësisë” është e mbushur me sërbë që duan si e si të vërtetat të humbasin mjegullave. Dhe vërtet që kështu ndodh. Por Fatmir Terziu nuk e kthen veprën e tij në një “pastë të thatë”. Se si autor, futet tutje në “surdinë” e pas “perdeve” dhe ta jep në pëllëmbë të dorës atë që fshihet: as ka rëndësi në cilin hotel apo kafene ku përgatitet “skenari”, por ti, pasi lexon, shikon açik: luftohet për ta shpopulluar Kosovën (një formë: duke blerë tokat e kosovarëve nga sërbë). Ky mision i kamufluar i shtrin panxhat deri në jug: në Sarandë. Rush Dely, ky gjasme agronom, u shkruan atyre në Beograd: “… kujdes, se këtej nuk asht si në veri…”.
* * *
E lexon romanin dhe ndeshesh me një fakt historik. Marveshja Zog-Pashiq në 1924. E shkruar e zezë mbi të bardhë kjo marveshje, tregon se sa në thellësi ka hulumtuar Terziu kur e ka shkruar romanin. Majfton të presësh ca faqe të kësaj dëshmie ogurzezë dhe të vesh e ta vendosësh jo më larg, po përmbi bustin aq të “merituar” të Zogut që njihte, tjetërsimin e pavarësisë së Shqipërisë në favor të Pashiqit e Co dhe. veç kësaj, edhe të Kishës së Pavarur dhe kulteve të tjera.
Nga ana tjetër, Fatmir Terziu, duke patur një formim goxha të lakueshëm, zë dhe hamendëson në roman, edhe në një fushë paksa të njohur, siç është filozofia. Aludimet në roman përmjet Sokratit, Aristotelit, Platonit dhe duke zbritur ca më afër me Ajnshtajnin e Zhan Pol Sartrin, flasin për një penë që nuk shkruan revan. Mshimi që i bën asaj thënies proverbiale të Sartrit që armiku është “Tjetri”, është shumë domethënës. Aq është marrë me këtë “risi” në roman, sa, ndonjëherë, autori bie në “grackën e dijeve të veta”. “Harron” se me kë i shkëmben batutat filozofike ( kam parasysh batuta dajo-Suleviç, ku lakohet Aristoteli).
Ka dhe diçka që nuk dua ta lë pa nënvizuar: nga romani mund të mbushin “trastat” plot të gjithë ata që qëmtojnë për doket e zakonet tona. Riti i lopës apo i bletëve që zë vënd në roman, dëshmon për një hulumtues të mirëfilltë në ritet e herëshme. Dhe me Terziun nuk është herë e parë që ndodh kështu. E kam hasur tek ai atë ritin për korbat tek “Grykës” apo atë të kaut. Pra, është ndryshe. Fare ndryshe ky roman i Terziut. Aty sa ka art e letërsi, ka dhe histori e gjeoografi. Po ka dhe filozofi. Ka dhe dhimbje. Të gjitha këto nuk janë pak që mos ia zbukurojnë ballin autorit.
Duke përfunduar, i uroj atij krijimtari të mbarë!
Tiranë, 29 gusht 2014