Nga ROZI THEOHARI, Boston/
Në Nju-Ingland, ku banoj, përmenden një numër i madh poetësh amerikanë që kanë lindur ose banuar këtu e që janë bërë të famshëm në letërsinë amerikane, si:poetja Emili Dikenson (1830-1886), poetët Robert Frost (1874-1963), Henri Longfellou (1807-1882), Fillis Uitli (1753-1784),Viliam Brajant (1794-1878), Xhon Grinlif (1807-1892), Ralph Waldo Emerson (18003-82), Edgar Allan Poe (1809-1849) që
cilësohet autori më popullor i Amerikës, Edvin Arlington Robinson (1869-1935), Emi Lovell (1874-1925), Edna St.
Vincent Millaj (1892-1950), E.E.Kamings (1894-1962),Elisabeth Bishop (1911-1979) dhe një numër i pambarim poetësh që janë gjallë edhe sot, poezitë e të cilëve janë përfshirë në antologji voluminoze që mbushin bibliotekat.
Emili Dikenson (1830-1886) ka lindur në Amherest të Massachusettsit. Ajo është e përmendur për jetën e saj të vetmuar: përveç kohës së studimeve në shkollë, shumë rrallë u largua nga shtëpia. Jetonte vetëm me prindërit e saj dhe me një motër të vogël. Njëzet vjetët e fundit të jetës nuk doli as te
pragu i derës. Ajo vishej me rroba të bardha, besonte shpirtërisht në botën e përtejme dhe i pëlqente ta kalonte ditën në bahçe, mes barit dhe drurëve, ku edhe shkruante poezitë, me një stil origjinal e të papërsëritshëm. Kur vdiq, i gjetën 1775 poezi, nga të cilat në gjallje i ishin botuar vetëm 7, por anonime.
Poezitë e saj, me nota të theksuara romantike e melankolike, të një shpirti që fërgëllon në vetmi, e befasojnë lexuesin me mesazhet largpamëse për jetën, të cilën ajo e njeh aq mirë, megjithse pa lëvizur nga pragu i shtëpisë. Sa më shumë t’i lexosh vargjet saj të thyera, me fjalë të kursyera, aq më thellë
tërhiqesh prej shprehjeve të figurshme e me ngarkesa emocionale. Me poezitë e saj Emilia ndërtoi botën e saj, meditimin e qetë e vetjak, me imagjinatën e saj krijoi një botë pasionante. Me tri botimet e veprave të saj pas vdekjes, mes viteve 1890 dhe 1896, ajo fitoi vlerësimin që i mungonte në gjallje.Ndërsa botimi i veprave me 1914 e bëri të njohur si poete e formuar dhe e rëndësishme, që ndikoi me stilin e saj mbi poezitë radikale të fillimit të shekullit të kaluar. Idetë e saj ishin të mprehta, rebele dhe origjinale, me një stil që e dallon nga të tjerët, duke u bërë i pakrahasueshëm.
Nuk e harroj, njëherë në shtëpinë – muze në Amherest pashë një nga fustanet e bardha të Emilisë, me mëngë të fryra, i ngushtë në bel dhe i gjerë përfundi, që ishte zverdhur pak nga koha. Zgjata dorën ta prekja dhe ndjeva fëshfërimën e gjetheve të verdha të vjeshtës në kopshtin e saj.
Robert Frost (1874-1963) ka lindur në Kaliforni, por qysh në fëmijëri erdhi në Nju-Ingland dhe u shkollua në Harvard.
Gjatë jetës bëri punë të ndryshme, disa vjet i kaloi në Angli, u kthye përsëri në Nju Ingland, ku punoi në fermën e vet në Nju- Hempsher. Kishte kohë që botonte librat e tij me poezi,ishte një poet i sukseshëm në Angli e në Amerikë dhe mori nofkën “poeti-fermer.” Vite më vonë e la fermën dhe u bë pedagog në universitet. Ndër poezitë që botoi, dallohen edhe ato me karakter humoristik e satirik. Botoi shumë libra:“Mountain Interval”, “A Boy’s Will”, “North of Boston”, “New Hampshire” etj. Ai fitoi katër çmime “Pultizer”. Çmimin e katërt e fitoi për librin “A witness Tree.” Në dy dekadat e fundit të jetës u bë një figurë e njohur popullore dhe cilësohej si poeti më i mire pas Walt Witmanit.
Frosti provoi të shkruante në stile të ndryshme si: “realizëm”, “sentimentalizëm” e “imagjinacion”. Poeti e gjeti frymëzimin në karakterin dhe objektet familjare të shoqërisë së Nju- Inglandit. Ai ishte një recitues i shkëlqyer i poezive të tij dhe nëpërmjet leximeve kolektive vite me radhë ai fitoi simpatinë e lexuesve për krijimtarinë e vet. (Ai ka recituar edhe para presidentit Kenedi.)
Kur po kthehesha nga një udhëtim nëpër Nju-Ingland, mikja dhe pedagogja ime e kolegjit, Maurin Lynch Edison më tha se ishim në qytetin Akton, ku Robert Frosti ka shkruar disa nga poezitë e tij të pavdekshme. Ne të dyja zbritëm nga makina e duke ecur në plisat e barit të njomë Maurini kujtoi diçka nga viti 1955. Ajo ishte studente në universitetin e Filadelfisë në kursin e poezisë dhe në një takim me Robert Frostin, poeti i madh u kishte dhënë dorën të gjithë studentëve. Maurini, nga gëzimi, e ruajti dorën pa lagur disa ditë… Eca më tej në lëndinë, këputa disa fije bari e mblodha disa lule gonxhevogla blu e të kaltra dhe bëra me to një tufë jo dhe aq të bukur. E frymëzuar nga bari jeshil mes të cilit poeti ishte shtrirë dikur pas një udhëtimi të gjatë (siç shkruan ai te poezia “Telefoni”, 1916), e tërhequr nga lulet e egra gjithë aroma, të cilat ai i kishte prekur, thërmuar e hedhur nëpër vargje e kishte biseduar me to në fshehtësi, rrugës kur po ktheheshim, skicova disa vargje kushtuar Frostit. Poezinë e mbarova natën vonë dhe shpirti më ra në qetësi.
Nuk më besohet se diku, disa kilometra pranë qytetit ku banoj, kanë jetuar gjithë këta poetë, shumica nga më të dëgjuarit e letërsisë amerikane. Ata janë frymëzuar nga studimet në universitetin e Harvardit, nga natyra e bukur e Nju- Inglandit dhe nga traditat e pilgrimeve të parë të ardhur në Nju-Ingland në fillim të shekullit të 17-të dhe kanë shkruar vargje të ndjera e tërë kolorit, vargje me mesazhe filozofike,
me temperament, meditim e me një vizion të qartë për botën.
x x x
Përballë portit të Bostonit, në oqeanin Atlanik, qëndron madhështor ishulli i Nahantit, i përmendur për klimën e shëndetshme dhe plazhet me rërë të dendur e të imët, i lakmuar prej dekedash si vend verimi për të pasurit dhe personalitetet e vendit. Çdo të diel shkoj në Nahant me shoqen time Eliena, në kishën e vjetër protestane, e tërhequr më shumë nga natyra e veçantë e ishullit dhe nga takimet me banorët nahantas, të sjellshëm e zemërbardhë. Shumë nga familjet janë trashëgimtarë të evropianëve të parë që erdhën për të banuar në ishull në shekullin e 17-të. Më ka lënë mbresa njohja dhe shoqërimi me një nga këta pinjollë, zonjën e moshuar Kelenta Sears, e cila ka qenë presidente e “Nahant Historical Society”
në vitin 1975 dhe vazhdon e sot të jetë përgjegjëse e muzeut të qytetit. Ajo më tregonte një ditë emrat e personave të rëndësishëm dhe familjeve të tyre që vinin për të veruar në plazhet e Nahantit. Midis tyre përmendi dhe emrin e poetit Henri Longfellou. M’u kujtua në çast poezia “Skënderbeu”, që ka shkruar Longfellou për heroin tonë kombëtar dhe Fan Noli i nderuar e ka përkthyer në shqip me 1916, përkthim që ua ka kushtuar emigrantëve shqiptarë bashkëkohës. Ja disa vargje:
Nga kështjella shpejt ka rënë Flamuri me gjysmë-hënë
Edhe populli shikon
Që në vent të tij valon
Flamuri i Skënderit n’erë
Shkab’ e Zezë me dy krerë.
Dhe një thirrje lart u ngrit,
Se çdo zemër e çdo shpirt
U mërzit nga Turku i lik,
Që e bëri atë Krujë
Zi, murtaje dhe rrëmuje.
Ay zeth me gas me bujë
Q’oshëtin nga brek në brek
Është: “Rrofsh, o Skënderbeg!”
Poezia “Skënderbeu” është botuar në një nga veprat më të dëgjuara të poetit: “Tales of a wayside Inn.”
Lindur në Portland, Maine, me 1807, Longfellou vijoistudimet në kolegjin Bowdoin. Mbasi fitoi gradën shkencore, u emërua profesor kolegji, bëri një udhëtim në Evropë, ku dhe u martua me gruan e tij të parë. Më vonë ai zuri vend në kolegjin e Harvardit, në Kembrixh, si pedagog dhe shkrimtar. Si poet
botoi disa libra me poezi, ndër të cilat, vëllimin e parë “Voices of the Night” e botoi me 1839, “Ballads and Other Poems” me 1841, “Poems on Slavery” me 1842 që u pasua nga “The Spanish Student” me 1843. Një vëllim i rëndësishëm i botuar me 1846 “The Belfry of Bruges and Other poems” përmban
poezi që ilustrojnë familjarizimin e poetit me kulturën evropiane. Me 1847 ai botoi poemën e gjatë “Evangeline”, e cila i dha një popullaritet të madh. Me këtë poemë, nëpërmjet përshkrimit të gjallë e të kapshëm të bukurive të natyrës dhe aftësise së rrëfimit, poeti dha një kontribut të çmuar për
themelimin dhe zhvillimin e epikës në letërsinë e vendit të tij.
Ka një histori ura më e gjatë mbi lumin Carles, që lidh Bostonin me Kembrixhin. Tek udhëtoja një ditë me një kruiz turistik, që lundronte në Carles, guida na tha se ura e gjatë, poshtë së cilës po kalonim, ka marrë emrin e Longfellout, sepse ai shëtiste përditë mbi atë urë, ndonjëherë edhe recitonte nën
zë, me ritmin e hapave, duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve.
Përfytyrimi im atë çast fluturoi mbi urë… një hije e gjatë burri ecte me hapa të shpejtë buzë parmakëve të hekurt të urës,ndërsa jehona më përplaste në veshë copëra vargjesh të prera, të marra nga era…
Kelenta më tregonte se aty nga mesi i shekullit të 19-të, përveç pasanikëve amerikanë që vinin për të veruar në Nahant, filluan të dukeshin edhe intelektualët e profesorët e Kembrixhit.
Henri Longfellou zakonisht vinte me dekanin e universitetit të Harvardit. Pasi i vdiq gruaja e parë, poeti u martua me vajzën e një pasaniku nga Bostoni. Megjithëse i vjehrri ishte pasaniku më i madh i Bostonit, nuk e ndihmoi dhëndrin të ndërtonte a të blinte një shtëpi në Nahant, as edhe më vonë, kur familja e
tij u bë me dy fëmijë. “Ai banonte në vilën e familjes Xhonson,sepse, megjithëse kishte një grua të pasur, nuk kishin të holla të blinin një shtëpi”, – thotë Kelenta.
Gjatë verës Longfellou shëtiste i vetmuar në bregun e oqeanit, duke ndjekur varkat e vogla e të shpejta, që nganjëherë i merrte dallga e i përplaste me zhurmë pas shkëmbinjve, shihte i përhumbur velat e bardha të anijeve të vogla, që spikasnin në kontrast me blunë e thellë të oqeanit, kurse ndajnatëherave,
në verandë, bisedonin për librat e poezitë, me të zotët e shtëpisë.
Vajza 26-vjeçare e Xhonsonit shkruante vetë poezi, kështu,darkëherat ishin mjaft interesante me diskutime e recitime vargjesh.
Ditën poeti notonte në oqean bashkë me djemtë e vegjël, Carlin dhe Ernestin, i pari 6 dhe tjetri 5 vjeç. Tok me ajrin e kripur të ujit ata thithnin aromën velese të trëndafilave të egër buzë oqeanit, të cilët, nga vapa, lëshonin avuj dehës. Longfellou ëndërronte të kishte një shtëpizë të vetën, shtëpiza e poetit,
buzë oqeanit, me shumë ballkone prej nga mund të shihje lindjen dhe perëndimin e diellit, të shihje hënën, qiellin, furtunat dhe pamjet e pafund të horizontit, tek ndodhte çdo minutë ndryshimi i dritës dhe kombinimi i ngjyrave e reflekseve të oqeanit e të qiellit mbi të. Megjithatë, shtëpia e Xhonsonëve
filloi të quhej “shtëpia e Longfellout” dhe i zoti i saj e ndiente veten të nderuar e kryelartë. Poeti botoi në atë kohë librin “The Seaside and the Fireside” (1850), me rrëfimin “Ndërtimi i vaporit”, që është një lutje apo kërkesë e fuqishme lidhur me nevojën e unitetit të kombit amerikan për të përballuar krizën
që u shfaq para luftës civile.
Kur vinte në Nahant miku i tij i ngushtë, Carli Sumner, Longfellou nuk ishte më një poet i vetmuar. Sumneri ishte një orator i mirë, një bashkëfolës i shkëlqyer. Zakonisht ai fliste me një zë të ngrohtë e miqësor që e shoqëronte me një buzëqeshje të lehtë e dashamirëse. Ata e kalonin një pjesë të mirë të kohës së bashku duke shëtitur buzë detit apo duke u çlodhur në verandën e madhe të shtëpisë. Dita e diel ishte dita kur Sumneri e shoqëronte Longfelloun në kishë, për të dëgjuar predikimin e
një prifti ardhur nga Nju-Jorku. Ky i përgatiste mirë fjalimet që mbante në kishë gjatë stinës së verës, mbasi e dinte se aty vinin për të veruar shumë njerëz të rëndësishëm e të famshëm.
Sidoqoftë, vëmendjen e Longfellout nuk e tërhiqte predikimi i priftit. Atij i pëlqente të vinte në kishë, sepse rruga kalonte përmes fushës së bukur me bar, dhe rrethohej nga drurët e dushkut gjethemadh. Siç duket, këtë lloj druri ai e pëlqente,mbasi edhe kabinën e zhveshjes buzë oqeanit e kishte zgjedhur
mes drurëve të dushkut.
Poeti e mbaronte sezonin e plazhit të dielen e fundit të çdo gushti. Zakonisht, javën e fundit moti ftohej dhe atij i pëlqente të vizitonte me dy djemtë e vet guvat e shpellat e frikshme nëshkëmbinjtë masive të Nahantit, buzë oqeanit, për të cilat
vendësit kishin thurur legjenda dhe, me siguri, ato kanë shërbyer edhe si burim frymëzimi për legjendat që ai ka shkruar.
Longfellou gjithnjë e ka parë Nahantin nëpërmjet vezullimit të poezive të tij. Kur erdhi verën e fundit në Nahant, solli një tufë me poezi për t’ua lexuar miqve. Njerëzit tashmë ishin mësuar të masnin pulsin e tij nga përmbajtja e vargjeve. Në qoftë se atij i kishte ardhur damari për poezi heroike, pinte çajin e pasdites me ish presidentin e Amerikës, Adams, ose me sekretarin e shtetit, Webster, të cilët gjithashtu vinin me pushime në Nahant. Në qoftë se ishte i zhytur në mendime, siç i ndodhte shpesh, ai shkonte i vetëm në portin e vogël ku ankoroheshin anijet me avull, porti ku herët ose vonë erdhën të gjithë evropianët dhe të cilin vendësit e quanin “zgjerimi i Nahantit”. Aty te porti priste profesorët e Harvardit kur ktheheshin nga shëtitjet me barka me vela.
Disa miq të Harvardit e shihnin Nahantin si vendin më të përshtatshëm për peshkim. Poeti, që u bënte shoqëri, rrinte me ta në portin e vogël duke ndjekur peshkatarët që ktheheshin me varkat e rënduara nga peshqit. Ai habitej nga llojet e ndryshme të gjallesave që kishte oqeani; shihte me pasion
peshqit, fosilet, karavidhet, llojet e ndryshme të specieve detare, krijesa të çuditshme të oqeanit.
Nahanti ishte mbushur plot me njerëz që frymëzoheshin dhe shkruanin poezi apo prozë. Atë verë erdhi për verim edhe drejtori i shtëpisë botuese që botonte librat e Longfellout, James Fields. Ai lexoi dorëshkrimin e fundit të poetit “Legjenda e artë”, të cilin Longfellou e kishte shkruar në Nahant. Ishte një tregim për një njeri të pasur, të sëmurë nga lebra, i cili mund të shpëtonte nga vdekja e sigurt vetëm nga dëshira e një vajze të virgjër, që do të sakrifikonte jetën për të.
Sa i pëlqenin poetit netët me hënë të gushtit, sidomos kur hëna ishte e plotë. Ai rrinte me orë të tëra në breg të oqeanit duke soditur në pafundësi. Shumë faqe librash me poema e legjenda e kanë zanafillën në ato qëndrime të gjata buzë detit me hënë.
Me gjithë hovin e madh dhe energjinë për të shkruar pa pushim, disa herë poetin e pllakoste plogështia. Atij nuk i pëlqente “arkitektura” që kishte skicuar për ndonjë poemë, por ndiente lodhje të kthehej prapë nga fillimi. Por kjo nuk i ndodhte gjithnjë. Ditës tjetër e shihje jo duke shkruar, por duke
lexuar në breg. Ngjarjet e vogla të ditës ndikonin shumë në gjendjen e tij shpirtërore. Një natë ai mori vesh se djali i fqinjit që ishte shok me djemtë e tij, zuri krevatin, i sëmurë. Natën tjetër, kur po kthehej nga një darkë me miqtë e tij, u afrua te shtëpia e komshiut dhe pa se dritarja e dhomës së fëmijës ishte
pa dritë. Ai e dinte ç’donte të thoshte kjo. Të nesërmen e gjithë familja Longfellou shkoi në varrimin e djalit. Kjo ngjarje e dëshpëroi pa masë poetin prind.
x x x
Vera e fundit e Longfellout në Nahant mbaroi të dielën e fundit të gushtit 1851. Atë ditë poeti shkoi në kishë dhe dëgjoi një predikim energjik e virtuoz nga prifti, Mr.Kirk. Pasdite ai shkroi diçka që e kishte lënë përgjysmë që të djeshmen.
Ndajnatëhere, me mikun e tij, shkuan e u ulen në shkëmbinjtë,të ndiqnin “splendor sky”, vezullimin lëbyrës të qiellit gjatë perëndimit të diellit. Në darkë miku e la dhe ai ndenji i vetmuar deri sa hëna perëndoi e u fsheh prapa shkëmbinjve.
Një lamtumirë, “Fine” e verës së Nahantit.
Ishte 29 gusht 2004, e diela e fundit e muajit. Mbasi dolëm me Kelenta Searsin nga shërbesa e kishës së Nahantit, iu luta asaj që të vizitonim shtëpinë e Longfellout. “Me kënaqësi, mund të shkojmë, – tha ajo, – veç ta dini se shtëpia është djegur,s’mbahet mend që kur, dhe aty janë vetëm themelitë.”
Dita ishte plot diell, qielli i paskajshëm kaltëronte pa asnjë re dhe në rrugën ku ecnim ngadalë binte hija e drurëve të dushkut. Ecnim po në atë rrugë ku një shekull e gjysmë më parë kishte ecur edhe poeti, por tani rruga është e asfaltuar, jo me bar. Në një kthesë zonja nahantase ndali hapat e tregoi me dorë: “Ja, aty…, – tha ajo, – ku mbaron pylli e fillon oqeani…,por unë nuk mund të eci dot nëpër shkurre…”
E falenderova dhe e përshëndeta Kelenten e i thashë se aty mund të shkoja vetëm. Mbasi kalova me vështirësi midis drurëve shekullorë të pishave, dola në një lëndinë të ndriçuar nga dielli, me bar të gjatë e të pakositur, me një pjerrësi të butë që mbaronte në breg të oqeanit. Përballë, tutje, shfaqej Bostoni,
si në pasqyrë. Një dru i vjetër dushku, me lëkurë të ashpër e të çarë vende-vende, lëshonte hije mbi themelet e shtëpisë, si ndonja një metër e gjysmë mbi bregun e oqeanit. Largova barin dhe u ula mbi një gur. Vend ideal nga mund të shihje lindjen e diellit dhe perëndimin e tij. Vija jeshile e lëndinës me bar
vazhdohej më tej nga vija blu e oqeanit, ndërsa dallgëzat e bardha e të lehta, herë të bashkuara, herë veç e veç, ngjanin si vargje të lira poezish. U ktheva në drejtim të pyllit. Mos vallë, këtu e ka shkruar poeti “Evangelinën”? Nxora librin nga çanta dhe lexova, duke qëndruar vazhdimisht në drejtim të drurëve.
Me një shkrim shkarravinë fillova të përktheja disa vargje nga fillimi:
Ja dhe pylli i lashtë
Me murmurima pishash dhe me fierin e blertë,
Me petkun e rëndë jeshil dhe me mjekra lemashku
Varur kuturumthi nëpër trungje…
Drurët si Druidet kanë qëndruar,
Këta priftërinj të moçëm keltikë
Me zërin e tyre të trishtuar e profetik…
Në anglisht poezia është shkruar me metrin daktil, leximi i vargjeve rrokje për rrokje tingëllon si muzika e një valsi, ashtu siç vallëzonin valëzat e oqeanit atë çast, por unë nuk munda ta jepja në përkthim. M’u kujtua profesori ynë mjekërbardhë Xho, i cili drejton klubin e poetëve të kolegjit. Ai i reciton bukur
poezitë e Longfellout. Ai kujton kohën kur ishte i vogël, në shkollë, mësuesja e ngrinte gjithë klasën në këmbë dhe nxënësit recitonin vargjet e Longfellout, të rrokëzuara e me ritëm, e dukej sikur këndonin këngë, sikur tregonin një histori, sepse Longfellou është më tepër një poet tregimtar e popullor. Ai
është cilësuar “bard i kombit” e “humanist kombëtar” dhe këtë nder e meritoi deri në fund të jetës, duke i dhuruar lexuesit volume të tëra me lirika, tregime e kritika letrare. Veprën e fundit “In the Harbor” e botoi me 1882, në vitin kur vdiq.
Longfellou përdori stilin “didaktik”, “sentimentalist” e “romantik,” duke mos iu ndarë traditës dhe kujtesës së popullit amerikan. Aftësia e tij për të dhënë vargje narrative në baladat,për popullarizimin e epikës kombëtare dhe për natyralizimin e temave të huaja dhe të formave poetike, lidhet me virtytet,
cilësite dhe dhembshurinë e zemrës së poetit, me karakterin e tij si njeri dhe si shkrimtar.
…Çdo të diel kur shkoj në kishën e Nahantit, ngadalësoj hapat para shtëpisë së Longfellout dhe duke parë gurët e themelit që qëndrojnë gjithnjë aty, të heshtur, të rëndë,shekullorë, si gurë varri, sjell ndër mend dhe përkthej disa vargje nga poezia e Longfellout,
“Qimitiri i çifutëve në Njuport”:
Sa të huaj duken këta hebrenj—këtu varrosur
Kaq pranë rrugës së zhurmshme të qytetit-port…
Dhe këta gurë varri të vjetër e të irnosur,
Sikur prej malit, nga Moisiu janë zvarrosur…
Boston. 2004