• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gazetarit nuk i lejohet te shtrembërojë realitetin

August 28, 2014 by dgreca

“Jam miku i Platonit, por ca më tepër mik i së vërtetës”-Sokrati/
Nga PjetërJaku/
Me datën 23 Gusht 2014, në “The Imperial House” promovohet ACTV, i cili kalon në pronësi të biznesmenit Ndue Ftoni. Më pare kjo vale televizive me një orë program në ditë ishte në pronësi të Armando Shtizes.
Moderatori i këtij takimi, Zef Përgega mbajti fjalen mbi historikun e mediave në Komunitetin Shqiptar të Detroitit.
Nuk i falet gazetarit Pergega të mos di se:
Me Gjon Lulgjurajn dhe Radion “ Zani i Komunitetit Shqiptar në Detroit”, para Kujtim Qafes e Julian Çefës kanë punuar Gjergj Dedivanaj e Nikollë Pashku.
Në shtëpinë e piktorit Ndue Gjelaj, Mark Prelë Gjokaj dhe Rrok Kalaj ( së bashku me Nduen) botuan Revisten “Arbri”, të parën revistë shqiptare ne Michigan.
Në Michigan, për më shumë se dy vjet transmetoi rubrika shumë interesnate dhe cilësore, sidomos konkursin historik, TV “ A-2” me pronar Agustin Shqalsin dhe kryeredaktor të talentuarin Bardhyl Ukcamaj.
Gazeta “Tema Shqiptare” me pronar Adritaik Shekon u publikua po këtu.
Gazeta e njohur Illyria e pati botuesin Ekrem Bardha nga komuniteti ynë dhe në mesin tonë.
Gazeta më e vjetër shqiptare “ Dielli” për dy vjet u botua në Detroit.
Është e pamundur kur flet për mediat të lësh pa përmendur klerikun dhe dashamirësin e letërsisë e historisë shqiptare, Imam Vehbi Ismailin, i cili ribotoi në kushte shumë të vështira, duke i radhitur libra të tërë me makinë shkrimi, vepra nga më të njohurat të Letërsisë Shqipe, që regjimi hoxhian i kishte ndaluar.
Zef Paloken, gazetarin e njohur të Televizionit Shqiptar, i cili ndihmoi në hapjen e televizionit te pare në komunitetin tonë, me parametrat cilësor të kohës, duke realizuar, falë punës së tij “ Miss Shqiptaren në Michigan”, për të vetmen here deri më sot, s’ke si e harron!
Patjetër që ka dhe emra, të cilët duhen nderuar e për të cilët duhet shkruar.
Harresa është tjetër gjë me mospërmendjen e qëllimshme. E rëndësishme është e vërteta! Gazetaria nuk shkruhet me inate. Ngjarjet nuk deformohen, pse ato i priu dikush qe nuk te pëlqen ty. A-ja e gazetarit është e vërteta. Në shumë raste ndodh që historianët t’i referohet një kronike, e si do të shkruhet historia kur kronikat janë të pavërteta? A nuk u mbush historia jonë me të pavërteta, që sot e kësaj dite po na kushtojnë rëndë?!
Kronikanët pushtues dhe vendas i shkruan kronikat, ashtu siç i donin eprorët e tyre, ndaj dhe Shqipëria mbeti e copëtuar kështu siç është. Shumë data i fiksuam gabim, duke i kthyer deri në festa kombëtare, siç është, fjala vjen, dita e mësuesit. Thua se shkolla e pare shqipe të jetë vetëm pak më shumë se 100 vjet më parë, kur shekuj më parë Durrësi kishte universitet!
Gazetari Përgega “ harron” të përmend Revistën “ Kuvendi” të printuar me më shumë se 150 faqe në muaj, në të cilën ishte editor, “funksion” që e shënoi dukshëm në ndonjë kopertinë libri të tij, ose kur i nevojitej.
Kjo nuk përbën asnjë rëndësi për Revisten Kuvendi, u tha apo s’u tha nga Zef Përgega në një takim si ky.
Gazetarët kanë sakrifikuar jetën për të vërtetën, e jo të mos e shkruajn saktësisht një periudhë të caktuar të një komuniteti, në të cilin kanë jetuar.
E, kur “harron veten”, s’ke se si të mos harrosh të tjerët!
Revista Kuvendi u publikua e printuar rregullisht per 12 vjet pa ndërprerje. Në gushtin e vitit 2012 u ndalua sa për të marrë frymë për një nisje të re, por nuk u deklarua e mbyllur asnjëherë, pasi këtë vjeshtë do të rinis prapë me një drejtim tjetër publikimi i saj, për here në vazhdim të atij Kuvendi, me të cilin për më shumë se një dekadë u përcollen aktivitete, jo veç të komunitetit shqiptar në Amerikë, por edhe disa here ngjarjet dhe historinë, kulturen dhe arritjet e shqiptarëve kudo që ishin dhe janë.
Para se të merrte përsipër raportin e mediave, duhet t’i ishte drejtuar , së paku librit arshivë: “Shqiptarët në Detroit”, ose botimeve të tjera të Shoqërisë Botuese “ Kuvendi”, të cilat edhe jashtë deshirës së tij ekzistojnë. “Dielli nuk mbulohet me shoshë”, – thotë populli.
Ky shënim është vetëm një kujtesë miqësore, jo vetëm për rastin konkret, por të gjitha mediat dhe gazetarët që punojnë për to, të mos harrojnë në punën e tyre të thonë vetëm të vërtetën, ashtu siç ndodh. Në një kronikë gazetari s’ka pse të bëj komente nga vetja.
Me këtë rast, i urojmë pronarit të ri të Televizionit të Komunitetit Shqiptar të Detroitit ( ACTV ), Ndue Ftoni suksese dhe kurajo në pasqyrimin e saktë dhe në kohë të jetës së këtij komuniteti vital.

Filed Under: Featured Tagged With: gazetari, Pjeter Jaku, realiteti, shtremberim, Zef Pergega

“GRACKA” E MERGIMIT

August 27, 2014 by dgreca

DUKE MENDUAR SE JETOJMË PËRKOHËSISHT NË MËRGIM, PADASHJE NE BIEM NË NJË GRACKË QË NUK E KE IDENË SE EKZISTON DHE NUK SHEH NJË KTHIM PRAPA–thotë mësuesja Ermira Morina, që mban mësimin e Gjuhës shqipe në shkollën shqipe në Athinë/
Nga Sokol Demaku/
Duke menduar që jetojmë përkohësisht këtu, padashje bie në një grackë që nuk e ke idenë se ekziston dhe krejt befasisht sheh që as nuk kthehesh dot mbrapa (sepse ke fëmijë), por as nuk ikën dot, se ke humbur shumë nga të dyja anët. Fatkeqësisht shteti grek ofron shumë pak deri asgjë për për të huajt.
Për sa i përket organizimit të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në kurset e tjera, bëhet si një aktivitet i disa shoqatave që kanë ndërmarrë këtë nismë në mënyrë private. Kurset hapen pasi merret leje e posaçme nga organet lokale, bashkia apo komunat. Funksionojnë më tepër si kurse të gjuhës shqipe dhe vetëm një herë në javë.
Përsa i përket jetës kulturore të mërgatës sonë këtu, mund të them se organizohen shumë aktivitete, si nga shkollat ashtu edhe nga shoqatat e ndryshme dhe ambasada jonë këtu, në të cilat përpiqem të jem e pranishme.
Kush është Ermira Avdiaj Morina?
Prindërit e mi e filluan jetën në qytetin e Kukësit, pasi babai im punonte si drejtues minierash në Kalimash, Fanë të Mirditës e zona të tjera të veriut. Banuan atje rreth 15 vjet. Atje lindën dy motrat e mia më të rritura dhe unë. Vëllai që është më i vogli, lindi në Bajram Curr. Kur mbusha 5 vjeç u transferuam në Tropojë, ku edhe kreva arsimimin 8-vjeçar e të mesëm. Shkollën e lartë e mbarova në qytetin e Shkodrës dega Cikli i Ulët.
Në fillim të vitit të fundit të Universitetit u fejova. Mbarova shkollën dhe aplikova për punë. Fatkeqësisht nuk kishte asnjë vend të lirë në profesionin tim. Kështuqë fillova të punoj si mësuese histori-gjeografie në fshatin Llugaj. Në pushimet verore të atij viti u martova. Me sa duket martesa më solli fat, pasi po atë vit u emërova në profolin tim në qytetin e B.Currit në shkollën “Asim Vokshi”. Në të njëjtën shkollë ku im shoq jepte lëndën e Kulturës Fizike. Punuam për afër dy vjet në atë shkollë.
Pak trazirat e asaj kohe, pak fakti që po largoheshin të gjithë miqtë tanë, na bënë që të merrnim vendimin të emigronim në Greqi për pak vite. Sa të mblidhnim ndonjë lek për të blerë shtëpi në Tiranë e të ishim afër me njerëzit tanë. Pse në Greqi?- do thoni ju. Në Greqi kishte punuar burri për nja 6 muaj para se të martoheshim. Kështu që ishte më e lehtë. Shumë shpejt u bëra nënë. Sot jam nëna e dy djemve 19 dhe 11 vjeç.
Përsa i përket punës mund të them që jam e shumëpunësuar. Puna bazë nga ku marr dhe sigurimet shoqërore është nënpunëse zyre në një biznes privat ku punoj dy-tre herë në javë. Por, duke qenë se nuk i dilet me kaq, bëj dhe punën e baby sitter, të përkthyeses, kur del dhe të shtunë e të diel punoj si mësuese në Shkollën Shqiptare të Athinës, tetë vitet e fundit. Tash një vit jam dhe drejtuese-administratore e kësaj shkolle.
E lindur në Kukës, rritur në Tropojë, ku keni bërë edhe shkollimin tetëvjeçar dhe atë të mesëm, cfarë mund të na thoni për këtë kohë të jetës suaj?
Pavarësisht se në adoloshencë, ku nuk mungonte ankthi dhe frika se si do vlerësoheshim dhe në çfarë niveli do arrija, mund të them se janë vitet më të bukura të jetës sime, sidomos vitet e shkollës së mesme. Nga këto vite gjithçka mbaj mend është pozitive. Duke filluar nga shoqëria e pastër dhe e sinqertë e deri tek kujdesi, mbështetja, nxitja e sigurisht dhe kërkesa e llogarisë që kishin mësuesit ndaj nesh, aktivitetet e konkurset e shumta që organizonte shkolla, bukuritë e natyrës, ajri i pastër. Ekskursionet më të bukura i kam bërë në këtë moshë, por më i bukuri ka qënë ai në Luginën e Valbonës e cila është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare. Kam kujtime të bukura nga jeta konviktore, por që nuk më dukej dhe aq si konvikt pasi kisha dhe motrën time në dhomë e në klasë. Kështu që për mua ishte si një familje e madhe. Kam shumë mësues, mësuese, shokë e shoqe me të cilët mbaj kontakt ose kam dhe miqësi të ngushtë deri sot.
Keni studjuar në Universitetin e Shkodrës nëdegën Cikli i Ulët. Çfarë mund të na thoni për kohën e studimeve tuaja atje?
Viti i parë ka qënë shumë i vështirë për shkak të trazirave të asaj kohe (vitet ‘90) Kishim frikë të dilnim në rrugë. Ishte një periudhë tranzicioni në përgjithësi. Asgjë nuk ishte e qartë. Nuk dinim se çfarë do ndodhte të nesërmen, kështu që dy muaj para se të përfundonte shkolla u mbyll dhe vajtëm vetëm për provime. Nuk është nevoja ta analizoj se të gjithë i kemi jetuar ato vite të vështira. Dhe për ne ishin edhe më të vështira pasi ishim larg familjes. Pastaj, në vitin e dytë gjendja ishte më e mire dhe gjithçka rrodhi normalisht. Bëra shoqe të reja. Mund të them që ishin vite të bukura pa kokëçarje, detyrime e rutinë.
Pas studimeve në Shqipëri ju keni punuar mësuese për tri vite më radhë në vendlindje. Çka mund të na thoni për këtë kohë të kaluar në punë?
Më e bukura e atyre vitve ishte njerëzillëku, sinqeriteti, çiltërsia që kishin njerëzit jo vetëm në punë, por edhe në rrugë. Gatishmëria që tregonin kolegët për të të ndihmuar si mësuese e re. Gjithashtu fakti që punoja në të njëjtën shkollë me tim shoq bën që të kem vërtetë kujrime të bukura.
Ka kohë që jetoni në Greqi, nga viti 1995. Çfarë mund të na thoni për jetën këtu, a i ndihmon shteti të huajtë këtu dhe si ndiheni?
Duke menduar që jetojmë përkohësisht këtu, padashje bie në një grackë që nuk e ke idenë se ekziston dhe krejt befasisht sheh që as nuk kthehesh dot mbrapa sepse ke fëmijë, por as nuk ikën dot, se ke humbur shumë nga të dyja anët. Fatkeqësisht shteti grek ofron shumë pak deri asgjë për për të huajt. Shumë nuk kanë dokumente qëndrimi ose rrezikojnë t’i humbasin, vetëm e vetëm se janë të papunë. Në përgjithësi shteti grek ka treguar një mpirje fillimisht, pra ishin fare të papërgatitur për legalizimin e të huajve e më pas një dobësi për të trajtuar e për të marrë masa efikase për integrimin e emigrantëve.
Si e kalon një ditë Ermira në mërgim?
Një ditë e imja këtu do të thosha që dominohet më shumë nga orët e punës, pasi siç thashë edhe më parë bëj dy punë që të mund të ndihmoj familjen. Po kështu edhe bashkëshorti im. Vetëkuptohet që në darkë i përkushtohem plotësisht familjes.
Edhe këtu ju i jeni kthyer profesionit tuaj të çmuar, mësuese e fëmijëve shqiptar në mërgim. Si e keni organizuar punën me fëmijët e mërgimtarëve tanë këtu në shkollën tuaj? A ka interes nga prindërit dhe fëmijët për këtë shkollë? Po në qytetet e tjera të shtetit helen a ka shkolla të tilla, ku fëmijët e emigrantëve shqiptarë mësojnë gjuhën shqipe?
Unë punoj si mësuese e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Shkollën Shqiptare të Athinës këtu e 8 vjet, që është e vetmja shkollë autonome, pasi mësimet zhvillohen në ambiente tepër komode, që deri para 2 vjetësh kanë qenë pjesë edhe e biznesit privat familjar të çiftit Lorenc e Orjeta Koka. Kjo autonomi na ka ndihmuar të mundemi të organizojmë punën pedagogjike në një standart të lartë, në bashkëpunim shumë të mirë edhe me koleget e mia. Kështu që mësimet këtu zhvillohen të shtunë e të djelë dhe mund të zhvillohen edhe në ditë të tjera të javës, nëse ka interes. Gjithashtu kjo autonomi na bën edhe të brishtë, pasi mungon mbështetja financiare, qoftë nga shteti amë, qoftë nga individë të veçantë. E vetmja mbështetje e shkollës sonë është Unioni për Bashkëpunimin Shqiptaro-Grek, nën kujdesin e së cilës funksionon shkolla dhe natyrisht edhe mbështetja e prindërve, që nuk na ka munguar asnjëherë. Duke ditur numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë në Greqi mund të them që nuk ka interes të madh për të ardhur në shkollë e për të mësuar shqip. Për arsye të krizës dhe për arsye se kthimi mbrapa është një opsion i mundshëm për të gjithë ne, ka bërë që interesi nga prindërit dhe fëmijët të jetë më i madh në krahasim me vitet e tjera.
Për sa i përket organizimit të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në kurset e tjera, bëhet si një aktivitet i disa shoqatave që kanë ndërmarrë këtë nismë në mënyrë private. Kurset hapen pasi merret leje e posaçme nga organet lokale, bashkia apo komunat. Funksionojnë më tepër si kurse të gjuhës shqipe dhe vetëm një herë në javë. Kurse të tilla janë hapur pothuajse në të gjithë Greqinë, si në: Athinë, Korinth, Kallabaka, Volos, Lamia, Tinos, Siros, etj. Të gjitha këto kurse funksionojnë nën kujdesin e Lidhjes së Mësueseve Shqiptarë të Greqisë, anëtare e së cilës jam edhe unë.
Si janë kushtet për të jetuar e punuar këtu? A mund të na bëni një krahasim me ato në vendlinje?
Pavarësisht se nuk arrij të ushtroj profesionin tim plotësisht, kushtet e punës e të jetës për mua këtu janë më të mira se në Shqipëri.
A ju merr malli për të afërmit, si e ndjeni veten këtu në një vend të huaj? Sa të shpeshta janë kontaktet e Ermirës me vendlindjen?
Sigurisht që më merr malli për të afërmit. Atje kam prindërit, vëllain me familjen e tij e shumë të afërm të tjerë. Tashmë, me ndihmën e teknologjisë kontaktet e mia me të afërmit e mi janë pothuajse të përditshme. Kurse për të shkuar, shkoj një herë në vit. Detyrimet e shumta nuk i mundësojnë udhëtimet e shpeshta për në vendlindje.
Sa ka arritur Ermira të krijojë shokë apo shoqe në një mes të ri, në një vend me kuturë dhe traditë tjetër nga ajo që ne kemi?
Në fakt nuk do të thosha se ka ndryshime të mëdha mes traditës e kulturës greke dhe asaj shqiptare. Kështu që nuk kam pasur pengesë të madhe për të krijuar shoqëri e miqësi me vendasit. Pengesa më e madhe do të thosha është thjesht ideja se jam nga vend tjetër, pra jam e huaj. Pas kaq vitesh të qëndrimit tim këtu do të thosha se nuk e ndjej më veten aq të huaj.
Sa ka arritur Ermira të përshtatet me klimën dhe në natyrën greke?
Nuk kam pasur asnjë problem të përshtatem me klimën dhe natyrën greke, pasi ndryshimet me vendlindjen janë shumë të vogla.
Një i mërguar kërkon të jetë pothuajse për gjithçka i informuar. Kjo ka të bëjë kryesisht me natyrën e personit. Thjesht doja një përgjigje të shkurtër.
Përpiqem të qëndroj në kontakt të vazdueshëm me vendlindjen dhe të gjitha zhvillimet që ndodhin atje, qoftë politike, ekonomike, sociale, etj.
Si është nga natyra Ermira?
Jam qetë dhe me karakter të qëndrueshëm. Pastaj veret nga rrethanet që krijohen. Në përgjthësi jam tolerante e madhe,por kur është nevoja jam e rreptë dhe e vendosur.Jam besnike dhe e besës. Logjika është ajo që mbizotëron pothuajse gjithmonë në veprimet e mia.
Ka kohë që jetoni këtu, sa të shpeshta janë kontaktet tuaja me shqiptarët këtu? A keni miq dhe a shoqëroheni dhe si është e organizuar jeta kulturore e mërgatës sonë këtu?
Vetë fakti që ushtroj profesionin e mësueses në një shkollë shqiptare dhe që jam anëtare aktive e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, më ndihmon të jem në kontakte të shpeshta me shqiptarët që jetojnë këtu. Nga natyra nuk bëj lehtë miq. Kam shumë të njohur, por miq kam pak. Siç themi nga anët tona: “Pak e saktë!”.
Përsa i përket jetës kulturore të mërgatës sonë këtu, mund të them se organizohen shumë aktivitete, si nga shkollat ashtu edhe nga shoqatat e ndryshme dhe ambasada jonë këtu, në të cilat përpiqem të jem e pranishme.
Nëse mësuesia nuk do të ishte profesioni juaj, në çfarë profesioni do e gjente veten Ermira?
T’ju them të drejtën, i vetmi profesion ku unë gjej veten është profesioni që kam zgjedhur, mësuesia.
Nëse do te kishe mundësi te jepje ndihmësen tënde në realitetin që jetojmë ne shqiptarët sot, ku mendon se konkretisht duhet ndryshuar diçka ne?
Jo kudo ku ka shqiptarë ka dhe probleme serioze që presin një zgjidhje urgjente, por është realitet që në disa vende problemet që shqetësojnë emigrantët janë tepër serioze dhe pengesë për të arritur gjëra krejt elementare. Kriza globale financiare, disa vende sidomos europiane e ballkanase i ka paralizuar plotësisht dhe ka krijuar një problem të dyfishtë tek emigrantët që jetojnë në këto vende. Besoj se nëse do kishte një Ministri emigracioni që do merrej ekskluzivisht me problemet e emigrantëve do ishte një fillim
i mirë për trajtimin e çështjeve që janë më urgjente.
E lexoni revistën në shqip “Dituria”, që botohet në Skandinavi? Çka mund të na thoni për të?
Mund t’ju them se kjo revistë më ka rënë në duar këto kohët e fundit. Më pëlqen fakti që kjo revistë u drejtohet shumë grupmoshave dhe bashkombësve që jetojnë në mërgim. Me interes më janë dukur temat që kanë të bëjnë me vendlindjen dhe trojet shqiptare.
Planet tuaja për të ardhmen, çka Ermira mendon dhe ka në fokus?
Një shprehje e bukur greke thotë: “Kur njeriu bën plane, Perëndia qesh!”. Siç mund ta kuptoni, nuk planifikoj gjëra të mëdha për të ardhmen, por kjo nuk do të thotë se nuk ëndërroj dhe nuk punoj për diçka më të mirë. Momentalisht përveç detyrimeve personale, fokusoj në mbarëvajtjen dhe vazhdimësinë e mësimdhënies në Shkollën Shqiptare të Athinës. Fakti që jemi autonom na ka siguruar disa favore që nuk i kanë shkolla të tjera, por na ka vendosur në një pozitë të vështirë ekonomike që kur u largua Z. Lorenc me familjen e tij për në Kanada, i cili ishte sponsorizuesi i kësaj shkolle. Gjithë stafi i shkollës punon në këtë drejtim. Në kontekst të kësaj interviste gjej rastin tu bëj thirrje organizatave bamirëse, shoqatave , biznesmenëve e akoma individë që e kanë mundësinë ekonomike për një mbështetje financiare. Dhe për këtë mbështetje do të jemi mirënjohës jo vetëm stafi i shkollës dhe fëmijët që frekuentojnë shkollën tonë, por dhe fëmijët që do munden ta frekuentojnë në të ardhmen.
Çka ju bën të lumtur dhe çka ju mundon më së shumti?
Si çdo nënë, ajo që më lumturon më së shumti është lumturia e fëmijëve dhe e familjes sime. Në ditët e sotme ajo çka më mundon më së shumti është lehtësia me të cilën disa njerëz përdorin dhunën për të zgjidhur kontraditat e tyre dhe aq më keq kur kjo dhunë përdoret mbi trupat e njomë të fëmijëve.
Si e kalon kohën e lirë?
Fatkeqësisht koha e lirë është shumë e kufizuar. Kur ndodh që të kem kohë, mund të lexoj një libër, të dal shetitje, të shkoj në kinema ose në teatër. Pothuajse gjithmonë me familjen. Por, mund të dal për kafe me shoqe e miq.
Po të kishit mundësinë të zgjidhni, ku do kishit jetuar?
Natyrisht do të më pëlqente shumë të jetoja në Shqipëri, por për hir të së vërtetës, mometnalisht është e pamundur të jetoj atje, pasi jeta ime dhe e familjes sime është e lidhur ngushtë me Greqinë.

Filed Under: Mergata Tagged With: Ermira Avdiaj Morina, Gracka e Mergimit, Sokol Demaku

Në Çikago vdiq veprimtari i diasporës shqiptare, HIDAI BREGU

August 27, 2014 by dgreca

*Për gjashtë dekada ai ishte një luftëtar i vendosur i Cështjes Shqiptare jashtë Atdheut!
*Shënim i editorit të Diellit per Hidai Bregun si Vatran/
Nga Skënder KARACICA/
Në Çikago vdiq veprimtari i diasporës shqiptare Hidai Bregu,njeriu që për gjashtë dekada qendroi jashtë atdheut në vendet e Evropës dhe në Amerikë.Nëpër këto vite ai ishte në rreshtat e parë të diasporës për zgjidhjen e të drejtës kombëtare shqiptare në Ballkan dhe për lirinë e Kosovës.Ditët e kurbetit,thoshte shpeshherë Hidaiu,janë si muzgu në Çikago.Tashti janë bërë gjashtë dekada në dhe të huaj dhe është e vështirë udha e mërgimit.Mërgimi kjo plagë e rëndë shqiptare,të gërryen nga brenda pak nga pak.Me shihni mua,u thoshte djelmenisë shqiptare,nuk qahem për pasuri,por pasuria nuk e përmbush dot boshëllekun shpirtëror,ndonëse me mungon atdheu im Shqipëria!Hydi që e thërrsinim në shenjë respekti,e thoshte me shpirt:Po jam munduar që të shkoj gjithmonë andej nga shkojnë shqiptarët në trojet tona entike për të mirën e kombit.
Jeta e veprimtarit të diasporës në Amerikë është e mbushur me ngjarje dhe kronikat e kohës.Hidai Bregu ka qenë nxënës i Shkollës Normale në Elbasan.I pati mësues shkolle Aleksandër Xhuvani dhe Simon Shuteriqi,që me diturinë e librit shqip ia trasuan rrugën e jetës me testamentin pedagogjik se si duhet bërë atdheu.Veprimtari nga Çikago ishte protogonist në kohën kur Italia fashiste invadoi në Shqipëri dhe ai bashkë me brezin e të rinjve shqiptarë kërkonin armë për të mbrojtur atdheun,por regjimi i kohës nuk iu dha armët.Po në këto vite ai ishte në rreshtat e parë të demonstratës kundër hordhive fashiste italiane më 28 nëntor 1939 në Elbasan dhe për pak sa nuk pati rënë në duart e internimeve.Mirëpo,kur filloi lufta vëllavrasëse në mes ballistëve e komunsitëve,Hidai Bregu largohet nga atdheu për të marrë në sy udhët e botës deri në Amerikën e largët ku e gjeti vdekja.
Për herë të parë në vitin 1991,veprimtari i diasporës nga Amerika viziton Shqipërinë për të qendruar për pak ditë,por sikur nuk u ngop me mallin dhe dashurinë që kishte për tokën shqiptare.Për herën e dytë shkoi në prag të zgjedhjeve të lira demokratike.E tërë kjo katrahurë jete klonte me ofshamen e tij:Shqipëria,ah Shqipëria jonë…!Në vend që të kishte ecur përpara,ajo ishte kthyer prapa.Për këto orët e jetës shqiptare ai ishte zhgënjyer aq shumë,saqë netë të tëra nuk kishte bërë gjumë në sy.Dëshira e vetme e Hidai Bregut ishte që popullin shqiptar të shohë ne vendin e vet në liri e demokraci dhe të bashkuar në një Shqipëri Etnike dhe të organizuar sa më mirë.E pati gëzuar shumë pavarësia e shtetit të Kosovës që ishte ëndrra shekullore e qindra brezave shqiptarë.
Shënim i editorit të Diellit per Hidai Bregun si Vatran
I ndjeri Hidai Bregu ishte një veprimtar i shquar, një donator bujar, një vatran i dimrit dhe beharit, që deri në castet e fundit të jetës së tij nuk i shkëputi lidhjet me Federatën Vatra dhe Gazetën Dielli. I ndjeri Hidai Bregu e mbështeti Diellin me të gjitha mundësit e tij financiare edhe në pleqërinë e vonë. Kur unë e mora drejtimin e Gazetës DIELLI në vitin 2009 i ndjeri Hidai Bregu më dërgoi një letër të ngrohtë, ku përcillte mesazhin se Dielli, kjo gazetë-kujtesë e historisë shqiptare në SHBA, duhej të jetonte në përjetësi sepse ishte shërbyer si udhërrëfyes për shqiptarët e Amerikës. Ishte regjistri më i vjetër i botës Shqiptare, prandaj duhet të jetë i përjetshëm sepse e përjetshme është raca shqiptare. Letra e ketij memedhetari te eprkushtuar shoqerohej edhe me nej Chgek prej $1,200.00. Kur i kerkova et shkruaja dicka per bujarine e tij, ai refuzoi: Jo, mor djale, s’ka nevoje. Nuk dua te dukem. Dua et ndihmoj se Dielli e meriton!
I ndjeri Hidai Bregu ishte një zë i fuqishëm i cështjes Shqiptare në SHBA. Ai ishte sponsor i kongresmenëve, senatorëve dhe presidentëve që mbështesnin cështjen shqiptare. Emri i tij gjendet shpesh nëpër regjistrat e fushatave elektorale në SHBA.
Faleminderit për c’ka ke bërë për cështjen Shqiptare i nderuar atdhetar!
Të qoftë i lehtë Dheu’ i kësaj toke të bekuar!Shpirti ne Paqe!

Filed Under: Kulture, Vatra Tagged With: dalip greca, Hidai Bregu, nderroi jete ne Cikago, shenim i editorit te Diellit, Skender Karacica

DOLI NUMRI I RI- I NËNTË ( 9 ) I REVISTËS ”MALËSIA”

August 27, 2014 by dgreca

Doli nga botimi numri i 9 i revistës për kulturë, shkencë dhe çështje shoqërore Malësia“ në Podgoricë, Mali i Zi, me një përmbajtje të pasur të punimeve shkencore dhe artikujve studimorë nga mbarë hapësira shqiptare dhe më gjerë. Në këtë numër kanë bashkëpunuar studiues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Kroacia, Bullgaria, Italia dhe Mali i Zi.
Në rubrikën “kulturë” punimet e veta i kanë prezantuar 21 autorë: Akademik Aleksandër Stipçeviq ”Shqiptarët për Arbreshët e Zarës”; Akademik Gjovalin Shkurtaj “Jup Kastrati, ky bir i madh i Shkodrës (1924-203 )”; Prof dr. Matteo Mandala ”Revista Hylli i dritës dhe Arbëreshët”; Prof. Dr. Anton Nikë Berisha ”Jerina ase Mbretnesha e luleve-një kryevepër poetike e Fishtës”; Prof. Dr. Valter Memisha “Matteo Mandala për leksikografinë në mjedisin arbëresh të Sicilisë “; Prof. Dr. Shaban Sinani “Motivi i krijuesit të rruzullimit: Prej P. Bogdanit e N. Ketës tek Pjetër Zarishi e At Gjergj Fishta“; Prof. Dr. Shpresa Hoxha “Gjuha Shqipe në qendrat tona televizive“; Prof. Dr. Zeqirja Neziri “Procesi i globalizmit dhe studimet historike letrare shqiptare“; Prof. dr. Josif Mita “Mbërritje të veçanta dhe të rëndësishme të gjuhtarëve Mazin & Savoia“; Prof. Dr. Fatbardha Hoxha “Afirmimi i identitetit etnokulturor dhe kombëtar të shqiptarëve“; Prof. as. Muharrem Jakupi “Romani “Kronikë në Gurë“; Prof. as. Dr. Mimoza Priku “Gjuha shqipe dhe sfidat e saj përballë multilinguizimit“; Dr. Griselda Doka “Realiteti jetësor në poezinë e Ali Podrimjes“; Dr. Zamira Shkreli “Faza të përvetsimit të leksikut nga të vegjlit“; Mustafa Spahiu “Kur kjason qumshti i kulluar i fëmijërisë“; Ma. Gabriela Minkova “Autori anonim ka vrarë protagonisten e veprës së tij. Protagonistja jo anonime ka vrarë krijuesin e saj“; Mr. Ragip Gjoshi “Shkolla e Stubës fillimi i arsimit shqip në Kosovë“; Ma. Luljeta Dushi “Fjalori Italisht-Shqip- I Luca da Monte iove“(Dorëshkrimi i vitit 1848. ); Mr. Majlinda Bushaj-Mr.Marjan Lulgjuraj “Prof. David Luka-personalitet i shquar i gjuhës shqiptare“; Hilmi H. Kryeziu “Mustafa Spahiu, burim i pashtershëm mirësie…“.
Në rubrikën nga „historia“ janë prezantuar tri studime shkencore: Prof. dr. Emine Bakalli “Revolucioni Kombëtar Shqiptar: Reflektime për lëvizjen e armatosur kombëtare për autonominë e Shqiprisë të vitit 1912“; Prof. Dr. Lush Culaj “Vrasja e Luigj Palajt sipas burimeve malazeze të vitit 1913“; Prof. Neki Babamusta “Çameria, problem ndërkombëtar që kërkon zgjidhje“.
Një rubrikën “ çështje shoqërore“ janë botuar artikujt shkruar nga: Dr. Ermira Babamusta “Dita Botërore Humanitare: Homazh në përkujtim të masakrave në Kosovë“; Prof. dr. Kaloyan Metodiev “Gjenerata e vitit 1968: nga rebelimi i të rinjëve deri në politikë“; Mr. Danja Sinanaj “Kisha dhe eutanazia-një konflikt modern“; Nora Kalaja „Kongresi Amerikan nderon Ermira Babamusten “Gruaja Humanitare Ndërkombëtare“.
Ky mumer mbyllet me recensione ose shqyrtime për disa botime aktuale të autorëve nga Shqipëria, Kosova, Kroacia dhe Mali i Zi, trajtuar nga Prof. dr. Simë Dobreci, Prof. dr. Halil Halimi, Prof. dr. Fiorella De Rosa, Dr. Vilma Proko, Dr. Kastriot Marku, Dr. Albana Aliu, Mr. Marash Dukaj, Mr. Sheremet Krasniqi dhe publicisti Sokol Demaku.
Redaksinë e revistës e përbëjnë një numër i njohur i intelektualësh nga rajonet e ndryshme shqiptare dhe me gjerë ballkanike: Ruzhdi Ushaku, Gjovalin Shkurtaj, Shpresa Hoxha, Zeqirja Neziri, Zef Mirdita, Rusana Bejleri, Emil Lafe, Emine Bakalli, Riza Rexha, Tomor Osmani, David Kalaj, Begzad Baliu. Kryeredaktori i revistës është Nikë Gashaj.(e-mail:malesia@t-com.me)

Filed Under: Kulture Tagged With: DOLI, Malesia-Dielli Gazeta, numri 9, revistes

KISHA KATOLIKE NE LURE DHE BIZNESMENI DOD DOÇI

August 27, 2014 by dgreca

BIZNESMENI BAMIRËS DOD DOÇI ME NGRITJEN E KISHËS KATOLIKE SHËN MARIA DHE LURA E TIJ JANE NJË SHEMBULL I BASHKËJETESES FETARE PËR BOTËN/
Nga Ramiz LUSHAJ/
1. -Zoti, patjetër, ishte artist, kur me shpirtin e dorën e tij hyjnore e krijoi Lurën kaq të bukur në luginë e mes maleve, me liqene…- pohon me të madhen dashuri për vendlindjen, Dod Doçi, një nga biznesmenët e fuqishëm të kohës shqiptare, i cili e ka themelue lartësisht edhe një tjetër Lurë në bregdet, fshatin turistik “Lura” në Gjinin e Lalëzit në Durrës.
Aty, tek një nga liqenet e Lurës, në mbi 1.700 m. lartësi mbidetare, e shpreh një dëshirë të dlirtë: Pse Lura të mos jetë një vend turistik botëror si principata e Andorës në një luginë midis Francës e Spanjës, me sipërfaqe rreth katër herë ma të madhe se Lura?! Gjithësesi mbetet i mendimit se Lura mund të ketë shembullin e vet në botë, me emrin e vet: Lura.
Doçi ndjen dhimbje teksa i sheh pyjet e vendlindjes, të shkatërruara nga flaka e sakica, nga masakra mjedisore, pasi ato dekada ma herët ishin përplot me lisnajë, pisha të gjelbërta. Edhe mua të porsa ardhurin aty më helmatis ky realitet i hidhur, pasi tek “Parku Kombëtar i Lurës” ka një punë antikombëtare. Pushtetarët vargavijë në vite, si aty e në rrethet fqinjë, si kryekomunarë, kryepolicë, kryespecialistë të pyjeve e të mjedisit, kryeprokurorë, etj. kanë lejue kit’ masakër në sytë e tyne e të kohës, ndokush ndoshta edhe i klucun me rrfanë prej vetes e nga të tjerët. Në Lurë njerëz të varfër apo të babëzitur, barbarë vendali e të ardhun kahmos, prej tre dekadash, edhe sot, kanë “liçencë” me i shkrumue e shkretanue përditë pyjet – “mushkëritë” e veta, të Shqipërisë, Europës e Botës.
I lurasi dinjitar, Dod Doçi, djali i fisnikut Llesh Zef Doçi i Lurës, flet me dije e shpresë se për Lurën ka një mastër-plan qeveritar të mirë prej se nga viti 1996 që do t’ia kthente ndryshe faqen krahinës së tij, do të ndryshonte rrjedhën e pasojat e saj. Sivjet, pohon ai, Ministria e Mjedisit e Lefter Kokajt në Tiranë ka akordue një fond të madh për pyllëzimet. Për pos kësaj, biznesmeni vizionar Dod Doçi ka edhe idetë e tij mjaft origjinale për Lurën turistike, të cilat do të ishte me interes t’ia dëgjonin e reflektonin edhe Qeveria e Tiranës, edhe Bashkimi Europian.
Ai sadoqë ka maraze e merake, prapëseprapë e ka devizën e tij: “Si Lura, vend tjetër s’ka”!
Edhe shteti ma i lodhur do ta bante Lurën një vend turistik të rrallë. Çdo shtet i kuq, blu apo rozë qyshse nga ngritja e Flamurit Shqiptar në Vlorë e deri në marrjen e statusit vend kandidat për në BE, nuk është lodh’ aq fort për Lurën. Tue ecë rrugës për në Lurë përjetova tmerret: “infrastrukturë e shkatërruar”,”shfrytëzim çnjerëzor”, etj. Prej n’dalje të Rrëshenit e deri brenda në komunën e Lurës rruga është si të ketë dalë nga ndonjë luftë botërore! E pabesueshme. Rruga kalon nëpër miniera bakri të shumta si ato të Perlatit…, kah fabrika e pasurimit të bakrit në Kurbnesh, e ngritur që më 1959, që edhe në vitin e skamjes 1990 përpunonte 800 mijë tonë bakër, etj. çka do të thotë se kjo rrugë do të ishte shtrue krejt me flori e jo ma me asfalt! Ing. Redrit Baholli, më tronditi me thanien e tij: këtu malësorët hynin fëmijë e vdiqnin të rinj, se mosha e tyre mesatare ishte 40 deri 55 vjeç. Po askush nuk paska respekt as për jetë-vdekjet e tyre për t’ua çue rrugën kah oborret e vorret e tyre?! Apo duan që banorët e Lurës të shpërngulen si Mërkurthi fqinjë ku nuk tymon astenji shtëpi, edhe pemët po iu bahen të egra, edhe lumi vetëm në pjesën e këtij fshati e kishte tha shtratin e vet në kit’ gusht?! Lurasit presin. Zoti sheh… Rruga rrangalle e rrgalle një ditë ka me i gjuejt qeveritë e veta me gurët e vet!
Lura është një mjaltë i shijuar nga pak kush. Nuk e kam fjalën vetëm për të quajturin “Mjalti i njëmijë luleve” që e shijuam tek kulla mbi shekullore “Monument Kulture” e atdhetarit Bibë Kolë Doçit, tek mikpritësi Zef Doçi, kryekomunar demokrat i shembulltë në Balldre të Lezhës, që ka ardhë me pushime në trollin e vet. Një mjaltë të tillë nuk mund ta prodhonte as mbreti Gent, që shpiku ilaçin tremijë vjeçar Gentianus, pasi ai është vetëm i markës “Lura”, vetëm i vendit të saj.
Lura me shtatë liqenet e saj mund të priste mijëra turistë jo veç në pak muaj të verës. Po ti kishte kësisoj ndonjë krahinë në Çeki do të kishin jo veç rrugë me shumë kalime e tunele, po edhe teleferik e deri linjë ajrore, do iu vinin turistë nga Australia e Amerika.
Lura mund të ketë edhe turizmin e gjelbër, edhe të bardhë, edhe verës, edhe dimrit. Një i luras emigrant, Hajri Kaci, më thotë se Lura mund të kthehet në një vend ideal për ski, pasi edhe vet është i apasionuar pas këtij sporti në Itali. Lura me bukuritë e mrekullitë e saj është një ftesë e hapur me dyer të mbyllura nga shteti i vet(!)
I madhi Gjergj Fishta kur e vizitoi Lurën në kohën e tij patë thanë: Kush nuk njeh Lurën nuk njeh Shqipërinë”. Kjo vlen edhe për politikën e sotme e të nesërme shqiptare, për biznesmenët kombëtar shqiptar, për ndërkombëtarët e Bashkimit Europian. Për të gjithë.
2.I përkushtuari ing. Dod Doçi, që se ndali kurrnjiherë hapin, po më duket si misionar në Lurë, vendlindjen e tij, të cilës nuk ka ndërmend me ia kthye shpinën, edhe në koft se ndokush don me ia kthye pranverat në dimër. Ai ka ardh’ edhe sot në Lurë, bashkë me zonjën e tij të nderuar, Alda Laçi-Doçi, dibrane dinjitare në vetvete e në genet e saj prindërore dhe financiere universitare.
Ka ardh’ me tre nga arkitektët emër njohur të kompanisë “Lura”, etj.
Ai don me dhanë sa të mundet nga shpirti i tij, sadopak nga financat e tij, të familjes e firmës së tij “Lura Group”, për me i dhanë sa ma shumë e sa ma mirë shpresë, forcë e madhështi tokaqiell Lurës së tij.
Mësuesi doktorant, poeti i këtij vendi poetik, Llesh Doçi, na e thotë publikisht tek një nga liqenet e Lurës: “Dod Doçi është një “kishë” ku jemi “falur” ne lurasit, po nuk e kemi dit’ e prit që do të vinte kjo ditë me e ngrit edhe kishën Shën Maria në Lurën tonë”.
Sigurisht për Dod Doçin, njeriun bajemirë e të nderave të mëdha e të shumta për Lurën e lurasit, për gjithë ata bashkvendas nga fise të ndryshme të saj. patjetër kyendera e bamirësisë së tij është “Shtëpia e Zotit”, kisha Shën Mëria e Lurës. Është një nder, një rast unikal, që e vno’ Dod Doçin për mirë në kryevend. Shqiptarët filantropist e të thjeshtë kanë dhanë mijëra dollarë e euro sponsorizime për ngritje të kishave katolike jo vetëm në Shqipëri, po astenji e asnjerë nuk ka ndodh kësisoj:
E para: Me e nxjerrë vet’ lejen për kishën tek dioqeza e Rrëshenit e interesue deri në Selia Metropolite – Kryedioqeza Tiranë-Durrës, ku nuk e lè pa ia permend emnin për mirë ndihmatarit fisnik, don Gjergj Meta.
E dyta: me shkue vetë e me e blè edhe me mirëkuptime rrethatimin e tokës së bekuar të kishës, pasi kisha katolike e Lurës së shpejti do të ketë edhe një oborr të madh, edhe livadhin e vet të gjelbërt. Me t’u kënaq syni e shpirti.
E treta: me lyp e me pa projekte të kishave katolike nga shumë vende të botës. Ing.Doda e vet/përzgjedhi një model prej tyre. Po jo vetëm kaq. Me shkue me grupin e arkitektëve në Lurë, me të cilët ka ardhë edhe sot me i ndjek punimet drejt përmbylljes së tyre. Aty panë trollin e kishës, luginën, malet, ndërtimet e krahinës. E të tre së bashku, si ekip, ark. Blerta Foto, ark. Dea Gora, ing. Redrit Baholli, me përvojën e vet të vyer banë një punë të shkëlqyer. Një projekt të vetin të veçantë, ku gjen edhe antiken, edhe modernen. Origjinal. I tipit alpin. I rrallë. Ndoshta i vetmi si ky.
E katërta: ia zbuloi themelet kishës katolike të moçme. Ia ka lanë ashtu, të paprekuna, nëse jam i sakt nja 50 cm mbi tokë, po brenda kishës së re. Jo siç ndodh rëndom: mbi themele të së vjetres me e ngrit’ një të re. Edhe brenda do të jenë së bashku: kisha e moçme dhe e sotme.
E pesta: i ka sjell këtu edhe mjeshtrit që dinë e janë marrë me ndertime kishash katolike. I sjell gurët e skalitshëm nga Rubiku. I gdhendin edhe aty, edhe në lartësim të murit të kishës katolike. Gurët janë të bukur, krejt të veçantë. Kanë koston e vet të transportit. Ing. Baholli, demokrat idealist, më flet për njëzet rrugë transporti vetëm për një muaj e disa makina të dëmtuara pjesërisht nga rruga e tepër e keqe. Kumona e kishës po vjen nga Italia, nga një firmë e njohur në kit’ lami. Paraprakisht ka ardhë nga Milano specialisti shqiptar Hysni Balliu për me e pa vendin e vendosjes së këmbanës., konsultohet aty me i projektuesit e zbatuesit e kishës, flasin për akustikën e saj të jehonshme, etj.
Këmbana e kësaj kishe do të ketë mbishkrimin e vet kushtimor: “KISHA SHËN MËRIA. DHURATË KOMUNITETIT. DOD LLESH ZEF DOÇI. LURË, 2014”. Ajo, tekeshumta, sot dy javë, është në vendin e vet. Këto porosi të largëta në Rubik e deri në Itali kanë kostot e veta. Gjithçka e vetdinë shefi bamirës, misionari Dod Doçi. Kisha së shpejti do të jetë gati për përurim. Doda pyet shumë mendje e ecë me mendjen e vet. Po kjo ka të bajnë edhe me disa të veçanta.
E gjashta: Përurimi i kishës do të jetë në kuadrin e veprimtarive të vizitës historike të Papa Françeskut në Shqipëri? Kisha e Lurës a do të ketë (krye)datën e vet të përurimit? Diçka është e sigurt: në një nga ditët e shtatorit 2014, Dod Doçi, presidenti i kompanisë së madhe shqiptare “Lura”, do t’i ketë në dorë çelsat e kësaj kryevepre të tij e të komunitetit katolik në Lurë.
Kit’ të shtatën deshta ta marrin vesh gjithë bota. Kështu i thashë me mesazh në fb edhe mikut tim luras, Bardhok Zef Rajta, që i dveta atje në Lurë disa luras trojenik, kishën e re, malet e reja, lisnajat e reja: ku e ka trollin e kullën ky burrë i mirë, i derës së mirë. Kujt ka me ia dhanë çelsat misionari bamirës, Dod Doçi? Kushërinit të tij musliman, Sali Doçi, një luras flokë bardhë, që po punon prej disa kohësh të ndërtimit të kishës katolike si “kryepunëtor” i kishës, kryekordinator dorator për mjeshtrit e saj, etj.
Ky, muslimani Sali Doçi, ka një kontratë pune për 10 vjet me Dod Doçin, sipërmarrës i kësaj (krye)vepre bamirëse: do të paguhet për kishën, do të jetë kujdestar i saj edhe pasi të vijnë prifti i saj aty. Ai do të kujdeset për mirëmbajtjen e kishës në dimër e verë, për vorret rreth saj, për oborrin e livadhin e saj. Për gjithçka. Ky është një rast i rrallë.
Këta shtatë hapa të misionarit bamirës Dod Doçi për ndërtimin e kishës katolike nuk i gjen askund në trevat shqiptare në Ballkan, as ndër shqiptarët në botë. Unë nuk e njoh krejt botën e madhe të sotme me iu thanë se nuk ka askund një rast të tillë, veç di t’iu them këtë: Dod Doçi i jep një shembull të mirë shqiptar botës në shek. XXI. Do dëshiroja të isha një këmbanë fjale që të më dëgjonin të gjithë. Kudo.
3.Lura e lurianëve, Lura e Dod Doçit, përsa i përket anës etno-fetare të saj, është një monument i madh politik e kulturor i Shqipërisë dhe për botën në këta tre shekujt e fundit kalendarik. Një shembull i përkryer që i peshon e rrezaton edhe Vatikanit në thesarin e propogandën e tij, veçse kjo i duhet ba ma shumë e ma mirë e njohur vet Shkelqësisë së Tij – Papa Françesku para apo gjatë vizitës historike në Tiranë.
Lura i ka pasë në trojet e veta priftërinjtë misionarë qyshse në shekujt e parë pas Krishtit, të cilët kur përndiqeshin nga perandorë romakë të Romës apo Konstadinopojës gjenin aty strehë e kryenin predikime fetare, etj. Nëse ndokund tjetër jetonin në shpella, në Lurë me rrethina bashkëjetonin në vatrat e malësorëve të atyshëm.
Lurasit besonin shumë tek Zoti dhe tek njerëzit e Zotit. Albanologu Johan Georg von Hahn, i cili e ka vizitue edhe Lurën, në veprën e tij: “Udhëtime nëpër viset e Drinit e të Vardarit” dokumenton: “Lurasit ia dëgjojnë fjalën vetëm famulltarit të tyre…”.
Lura ka tre kisha të kahershme. Kisha e Shën Marisë, pothuaj në qendër të Lurës, të cilën po e ndërton si vepër dhuratë Dod Doçi i Lurës, i Lurës në rrethin e Dibres, i Lurës në rrethin e Durrësit, i Lurës në rrethin e Tiranës. Tjetra është kisha e Shën Nikollit (Shën Kollit) në hymje të Lurës, kur vjen prej Mirdite, që pas rikonstruksionit është e hapur për besimtarët e saj. Kisha e Shënpremtja (Shnaprenda), në krahun tjetër të Lurës, një kishë tashma e heshtur. Flasin rrënojat e saj. Mund të ketë pasë edhe kisha të tjera. Ne kaq dijmë në ditë të sodit.
Në biseda me lurasit më thonë Kisha Shën Mëria është ma e vjetra. Edhe unë kështu kisha me thanë. Do shtoja edhe diçka tjetër: sipas një fakti që kam gjet’ më del se kjo u lartangrit në Lurë në vitin 1418. Boll e moçme. Kështu qoftë.
Veçse po shtoj edhe diçka tjetër: tek Kisha Shën Mëria edhe kur ishte me themele të mblueme nëntokë vinin njerëzit edhe prej largtit deri aty. E kanë përcjellë në breza besimin ndaj saj si një Vend i Shenjtë.
Edhe vepra bamirëse e Dod Doçit është e shenjtë, ka shenjtërinë e saj.
Në listën me 275 kisha të hershme, që na i paraqet albanalogu Fulvio Cordignano, 143 kisha, mbi gjysma e tyre, iu përkasin katër shenjtorëve: Shën Maria, Shënpremtja, Shën Kolli (Nikolla) e Shën Gjergji. Ndër këto 275 kisha katolike shqiptare renditen: 42 janë kisha Shën Mëria, 41 janë kisha Shën Nikolli dhe 34 janë kisha Shënpremtja.
Të tre këto kisha katolike kanë rranjë prej hejcekurit në Lurë: Edhe kisha Shën Mëria, edhe kisha Shën Kolli (Shën Nikolla), edhe kisha Shënpremtja. Komuna e Lurës me sipërfaqe tanësore 125.5 km2 i ka këto tre kisha që në emër të Zotit i ka zgjedh shpirti i madh e i mirë i besimtarëve të saj në shekuj.
4.Lura ka lidhjet e saj besimtare shqiptare me këto tri kisha.
Së parit, me kishën Shën Maria. Shën Konstandini i Madh, perandori romak me origjinë ilire – i lindur në Nishin shqiptar të Dardanisë, e shpalli Krishtërimin Fe Zyrtare. Një akt i përbotshëm nga një shqiptar ndër dhjetë ma të mëdhenjtë e historisë botërore, që disa enciklopedi të kohës së sotme e renditin edhe pas Krishtit e Muhametit, e cilësojnë edhe “I barabartë me Apostujt”, etj. Nana e tij, Shën Elena e ka zbulue Varrin dhe Kryqin e Krishtit, një arritje e pamatë për Krishtërimin e derisotëm. Përpos kësaj duhet të kujtojmë se Maria, përndryshe: Shën Maria, ishte Nana e Jezu Krishtit. E, në vijim të kësaj lidhjeje, sado (i)ndirekte, të largët apo të afërt në kohë, vjen edhe kjo tjetra: Shënpremtja (Shnaprenda) ishte hyjni parakrishtere e, vetëm tevona, u njejtësue me Nanën e Shën Maria, u pagëzue Shenjtore e Krishtërimit. Në kit’ linjë vjen lidhja tjetër krejt simbolike me Shën Nikolli (Shën Kolli).
Këta shenjtor kishin ditët e tyre të kthyera në festa tradicionale për Lurën, si e Shën Marisë, Shën Kolli, Shën Gjergji, Shënpremtja, etj. të cilat në shekujt e fundit i kanë festue bashkarisht edhe katolikët, edhe myslimanët.
Historianët e studiuesit dhe vet fetarët si At Loro Mihaçeviq, At Domeniko Pazzi, akademik Kristo Frashëri, akademik Mark Tirtja, doktorant Nikollë Loka, Agron Tufa, Xheladin Tollja, Ahmet Përleka, Hysen Dervishi e të tjerë thonë se lurasit myslimanë shkonin sëbashku me katolikët në kishë për Krishtlindje e Pashkë, po edhe lurasit katolikë shkonin sëbashku me myslimanët në xhami për Bajramin e Madh dhe për Bajramin e Vogël.

Në të gjithë Shqipërinë, shkruan poeti e shkrimtari, përkthyesi e studiuesi Agron Tufa, është përhap legjenda se gratë e krishtera janë gatuar në të njëjtin kazan si mishin e deles dhe mishin e derrit dhe gjatë ngrënies ua kanë ndarë në sofër sipas përkatësisë fetare të secilit.
Një thesar dinjitar që i vlen edhe Qiellit, edhe Tokës, edhe krejt Botës.
Ky është një model i jashtëzakonshëm i bashkëjetesës shqiptare në Lurë, në shekuj.
-Atë ditë kur filluam çplimin e themeleve të kishës së vjetër të Shën Mëria e ngulëm themelet e kishës së re, po më kallxon biznesmeni bamirës Dod Doçi, ishte Ditë Ramazani. Po vjen aty Sheh Haliti. E mirëpritëm vllaznisht. Plot mirënjohje. Na uroi: Ju priftë e mira në ndërtimin e kësaj “Shtëpie të Zotit”! Ta gëzojmë bashkarisht gjithë Lura jonë”.
Dhe iku fytyrqeshur. Kjo nuk ndodh shpesh. Kudo.
Ky është një akt tjetër shembull për botën e sotme, ku misionari biznesmen Dod Doçi, djali i fisnikut Llesh Zef Doçi, i hedh themelet e kishës Shën Maria edhe me bekimin e Shehut të Lurës, Sheh Halitit.
Ndokush me e kuptue ma plotësisht kit’ mesazh, kit bashkëjetesë, kit akt, duhet të dijnë edhe këto fakte historike. Lura vetëqeverisej nga “Kararet e Lurës” (kanuni i saj, ligjet e saj), që zbatoheshin nga 12 pleq, 12 çekiç dhe 6 dhetarë. Kararet e Dheut të Lurës u shenjtëruan me duvanë e Teqesë së Murat Dedës para rreth dyqind vjetësh nga Sheh Murati i Parë, rreth vitit 1800 kur filloi procesi i islamizimit në Lurë, i kthimit në kushte normaliteti të katolikëve në myslimanë. Me kit’ ndërhyrje edhe në Të Drejtën Zakonore krahinore të Lurës duhet thanë se Teqja e Cerenit u legjitimua në Lurë si një institucion ma i randësishëm se vet Kisha, ishte faktor shoqëror i madh prej atëherit e deri më sot, në shek. XXI. Kaq i madh ishte ky ndikim saqë edhe në raste të mos shkyemjes të menjëhershme të Sheh-ut në vendin e ngatërrëses të dy lurasve (qoftë edhe të besimeve të ndryshme) dhe ai për arsyet e tij të moshës etj. në koft se i çonte tespijet e shkopin e tij aty njerëzit bindeshin menjëherë, ulnin gjakrat e arnët, ia fillonin prapë bashkëjetesës në komunitet. Pajtimi ishte krye përgjithnji, për mirë, për mbarë.
5.Lura ka edhe disa lidhje të tjera të bashkëjetesës fetare ndërveti.
Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu i cilësuam “Kalorës i Krishtërimit” dhe “Atlet i Krishtit”, ka qënë edhe në Lurë. Djaloshi i fismë e i muskultë i Lurës, Hekurani, njëherash shoferi i parë tek firma “Lura”, më tregon vendet ku ka qëndrue e nga ka kalue Skënderbeu si “gjurmët e kalit të tij n Qafë Lurë”, se si e sillte një pjesë të madhe të ushtrisë së tij në Lurë në kohë dimni pasi e shihte si vend shumë të sigurtë e plot bujari, si i farkëtonte armët në Livadhin e Xharrit, etj.
Tradita iu dijenon breznive, se një nga paraardhësit ma të hershëm të Derës së Doçëve, të biznesmenit humanitar Dod Doçi, Prengë Nikollë Doçi ka marrë pjesë në Kuvendin historik të Beslidhjes së Lezhës më 1444.
Kjo është një lidhje e shumëfishtë, tejet e hershme, mjaft dinjitare për Dod Llesh Zef Doçin e Lurës e të Shqiptarisë.
Don Nikollë Kaçorri është i luras, prej Krej-Lure, i cili e kishte babën katolik e nanën myslimane, ndërsa vet u
shkollua prift, ishte një përfaqësues i Kataloçizmit Shqiptar në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorën e 1912-tës dhe nënkryetar i Qeverisë së Ismail Qemalit.
Ky është një tjetër shembull i lartë i bashkëjetësës
fetare në Lurë.
Dod Doçi nuk është rastësisht një bamirës i ndërtimit të kishës katolike Shën Maria në Lurë, pasi ai, më 19 tetor 2003, ishte në Romë, në ceremoninë e Lumturimit të Nanë Terezës nga Papa Gjon Pali II. Nuk ishte vetëm, po me 50 vetë nga kompania “Lura”. Ai na tregon për ato ditë në Selinë e Shenjtë në Vatikan, për bisedat me Imzot Rrok Mirdita, Dom Marjan Paloka, e të tjerë.
Në Lurë më rrëfejnë se në vitin 1992 ishte edhe At Zef Pëllumbi e na japin detaje tejet interesante të takimeve të tij me Sheh Muharremin, si ia respektoi besimin e ritin e tij. Kjo ndikoi, më thotë Llesh Doçi i penës shqiptare e biznesit lokal që të nesërmen në meshë tek kisha të mos shkonte vetëm Sheh Muharremi po 300 luras.
Dera e parë e Doçit, kusherinjtë e parë të Dod Llesh Zef Doçit të Lurës, pikërisht ata të kullës lurase, monument kulture, ku hangrëm “mjaltin e njëmijë luleve”, Bibë Kolë Doçi me djemtë, Zefin (krebashkiak), Gjonin (poet) e Lleshin bashkëjetonin me kushëririn Hazis doçi e fëmijët e tij. Akademik Mark Tirtja e doktorant Nikollë Loka dëshmojnë se kjo familje e madhe me 31 vetë kur u ndanë në vitin 1966 kishte në trungun e vet 14 myslimanë e 14 katolikë.
Ky shembull luras në Derën e Parë të Doçit rrallëkund ndodh në botën e sotme, në kohën e sotme.
6.Ky shembulli i biznesmenit Dod Doçi me aktin e tij bamirës për ngritjen e kishës katolike Shën Maria në Lurë tregon shkallën e zhvillimit e të emancipimit të vet shoqërisë kapitaliste shqiptare. Kur biznesmenët të fillojnë e të ndërtojënë shkolla, spitale, kisha, qëndra kulturore, korpus me vepra letare të të mëdhenjëve të kombit, etj. atëherë duhet t’i gëzohemi ma shumë e ma mirë të ardhmes, pasi shoqëria nuk bie në konflikt pronësor, politik e ideologjik me biznesmenët e vet, siç ndodh jo rrallë në histori. Këto raste nuk i kemi të shumtë. As të përditshëm. Sidoqoftë t’iu japim mirënjohje. E meritojnë ata dhe shoqëria e sotme kapitaliste demokratike shqiptare.
Akti i biznesmenit humanist Dod Doçi për ndërtimin plotor të kishës katolike Shën Maria dhe Lura e tij e bashkëjetesës së jashtëzakonshme për mirë e mbarë ndërmjet feve katolike e myslimane janë një shembull i rrallë e i madh që Shqipëria i jep botës së sotme, të nesërmes të njerëzimit, demokracisë në glob. Një shembull thesar për kohërat, epokat.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4440
  • 4441
  • 4442
  • 4443
  • 4444
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT