• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VIKTIMAT E KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI NUK KA KUSH T’I KUJTOJË …

August 24, 2014 by dgreca

… PS DHE PD JANË ANËT E SË NJËJTËS MONEDHË/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Në Shqipërinë e cila përjetoi për gjysmë shekulli diktaturën më mizore të Europës nuk kujtohet dita ndërkombëtare e viktimave të komunizmit, e njohur si Dita e Fjongos së Zezë. Kryeministri i Shqipërisë shkroi diçka në Facebook, që nuk ka asnjë sens kur gjithë Europa kujton Ditën e Memories, ndërsa Shqipëria rezulton të jetë pa memorie, në gjendje konfuzioni dhe kaosi.
Në Shqipëri nuk ka asnjë shenjë për të treguar se jemi populli të cilin diktatura e përçundoi. Në Shqipëri nuk ka asnjë muzeum të krimeve të komunizmit, nuk ka asnjë ditë të kujtesës, nuk ka asnjë përmendore, ku qytetarët të vendosin lule dhe kurora. Në Shqipëri nuk ka mbetur asnjë shenjë që të dëshmojë se në këtë vend shqiptarët janë futur në burgje, janë pushkatuar, varur në litar, janë dërguar familjarisht nëpër Lagerat e diktaturës, ndërsa fëmijët e të dënuarve kanë mbetur pa shkollë, pa të ardhme, duke vuajtur ekskomunikimin nëpër kampe përqëndrimi ku ju mohohej e drejta e jetës.
Në Shqipërinë e tiranisë komuniste që e vrau elitën, dhe shqiptarët i ktheu në armiq të njëri-tjetrit nuk ka kujtesë, nuk ka memorie për të blatuar nderim ndaj viktimave të pafajshme të diktaturës. Janë sheshuar deri burgjet kur të dënuarit kanë vuajtur.
Viktimat e komunizmit kujtohen në Washington D.C., kujtohen në Europë, veç në Shqipëri nuk kujtohen.
Hebrejtë kanë Muzeumin e Yad Vashemit, i cili është ngritur duke patur katër qëllime themelore 1.Për të kujtuar dhe mos harruar; 2. Për të dokumentuar atë që ka ndodhur; 3.Për qëllime studimi dhe hulumtimesh; dhe 4.Për të edukuar brezat.
Bota e qytetëruar bashkë me hebrejtë kujtojnë çdo 27 janar Shoahun, Holokaustin, si një gjëmë të njerëzimit.
Në Shqipëri, klasa politike hipokrite dhe mizerabël kujton gjoja Holokaustin, ndërsa ka mbuluar në harresë Holokaustin që u shkaktoi diktatura gjysmë shekullore shqiptarëve.
Klasa politike postdiktaturë është përgjegjëse e harresës kolektive për atë që ngjau në Shqipëri.
Në 3 Qershor 2008 me iniciativën e Vaclav Havel dhe Joachim Gauck u nënshkrua Deklarata e Pragës, e cila i bënte thirrje gjithë Europës t’i dënojë krimet e komunizmit. Por Shqipëria nuk e nënshkroi këtë Deklaratë.
Në 25 shkurt 2010 u nënshkrua po në Pragë Deklarata e Krimeve të Komunizmit, ku që në pikën e parë të saj shkruhet se “regjimet komuniste në të gjitha vendet e Europës Qendrore dhe Lindore kanë kryer krime kundër njerëzimit”. Duke vendosur shenjën e barazimit midis Shoah dhe metodave të shfarosjes që janë përdorur nga regjimet totalitariste. Këtë deklaratë e kanë nënshkruar midis personaliteteve të njohura të Europës, Presidenti aktual i Gjermanisë Joachim Gauck dhe simboli i disidencës europiane Vaclav Havel. Por Shqipëria jo.
Ishte nisma e Parlamentit Europian 2008/2009 që 23 gushti të jetë Dita Europiane e Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, ose Dita e Fjongos së Zezë – Black Ribbon Day për të mos harruar viktimat e shkaktuara nga regjimet kriminale si komunizmi, stalinizmi, fashizmi dhe nazizmi, e cila u mbështet edhe nga Deklarata e Vilnusit më 2009 dhe nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së. U zgjodh kjo datë që na kthente prapa në kohë kur më 23 gushtin 1939 u nënshkrua Pakti Molotov-Ribbentrop, ku Hitleri dhe Stalini u morën vesh që të ndanin Europën Lindore midis tyre.
Dita e Fjongos së Zezë u vendos si Dita e Memories për të mos harruar kurrë viktimat, dëbimet masive dhe shfarosjet, me qëllim promovimin e vlerave demokratike, si dhe forcimin e paqes dhe stabilitetit në Europë.
23 Gushti njihet si Dita e Memories jo vetëm nga shtete të BE-së por nga shtete jashtë BE siç janë SHBA, Kanadaja dhe Gjeorgjia. Por jo nga Shqipëria!
Prandaj themi se viktimat e komunizmit nga kjo klasë politike nuk ka kush t’i kujtojë.
PS është vazhduese e Partisë Komuniste e cila pretendon të reformohet. Por si mund të refomohet duke mbuluar me harresë atë që ka ndodhur. E si mund të reformohet duke patur si gazetë të partisë Zërin e Popullit krijuar nga vetë diktatori stalinist.
Viktimat e komunizmit e kishte si obligim t’i kujtonte PD, sepse ky ishte misioni i saj, prandaj u mbështet prej popullit, që me rrëzimin e diktaturës, të rehabilitonte viktimat, të zbardhte krimet dhe të promovonte shtetin e së drejtës.
Sali Berisha tha “bashkvuejtës- bashkfajtorë”! E si mund të jenë viktimat bashkëfajtorë me persekutorët e tyre!
Ne shohim sot se si në Europën ish-komuniste drejtësia ndëshkon të inkriminuarit e regjimeve diktatoriale. Por në Shqipëri jo.
Pas rënies së shtetit më 1997, PS, me t’u rikthyer në pushtet, e zhburgosi dhe e rehabilitoi kastën e nomenklaturës, ku eksponentët e diktaturës ishin të dënuar për abuzime shpenzimesh për kafe dhe lëngje frutash, duke i dëmshpërblyer për tri-katër vitet e burgut.
Ndërsa edhe sot e kësaj dite PD i ka lënë viktimat e diktaturës të parehabilituara, të pa dëmshpërblyer as materialisht dhe as moralisht.
Viktimat e djeshme të diktaturës Hoxhiste tani janë viktima të PS-PD.
Prandaj themi se nuk ka se kush t’i kujtojë në Shqipëri viktimat e komunizmit.
Në PD-në e sotme nuk ka asnjë figurë që të ketë përjetuar persekutim nga diktatura. Asnjëri prej tyre nuk e ka njohur vuajtjen. Të gjithë do të duhej të ishin anëtarë të PS edhe de jure. Vetëm Jozefina Topalli e cila i ka prerë lidhjet me shtresën që ka përfaqësuar. Ajo ka idol Sali Berishën në vend që të ketë Pjetër Arbnorin.
Që PD kishte hequr dorë përfundimisht nga idealet antikomuniste, kjo u pa qartë kur, në rikthimin e saj më 2005, kjo parti hoqi nga listat e deputetëve Pjetër Arbnorin, i cili jo vetëm që kishte përjetuar burg më tepër se Mandela, por përfaqësonte një nga figurat më emblematike të viktimave të diktaturës.
Pjetër Arbnorin – PD e zëvendësoi me njerëz me lidhje me Komitetin Qendror të Partisë të cilët i lançoi Ramiz Alia, por që janë figura pa kurrëfarë identiteti dhe kanë mbetur të pakonvertuar dhe mjeranë.
Me këtë kastë PD e ka kthyer në strategji harresën e periudhës më tragjike të kombit. Siç e patë PD nuk ka nënshkruar asnjë nga dokumentat e mësipërme të cilat datojnë në periudha kohe kur ajo ishte në qeverisjen e Shqipërisë.
Por kjo histori nuk mund të vazhdojë më.
Të harruar do të jenë ata që janë përpjekur të fshijnë nga memoria kolektive tragjedinë kombëtare, e cila duhet të kujtohet jo si hakmarrje, por si domosdoshmëri, sepse nuk mund të retushohet dot historia. Viktimat presin drejtësi!
Ndërsa historinë e retushojnë vetëm diktatorët dhe regjimet rogue.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Pd e Ps, viktimat e Komunizmit

Megalomania kjo korsi e gabuar e rrugës njerëzore

August 24, 2014 by dgreca

Nga Oralda Lahe/
Njeriu nga natyra është egoist por më e keqja mbetet megalomania. Nuk mund të bëhemi moralistë jemi në një varkë të gjithë. Fatkeqësisht ndjeshmëria më shumë seç duhet të bën të vuash. Njeriu i brishtë, i egër, tinzar, i moralshëm, i pamoralshëm, krenar, i urtë. Ja që ekziston nuk mund ta mohojmë por veset, eh si t’i ndryshojmë. Njerëzit nga vetë natyra priren të kenë ego por kur ajo bëhet pjesë e megalomanisë është e dëmshme. Përpjekja për të realizuar qëllime, dëshira të çon në korsinë e gabuar gjë që dëmton. Në profesionet që kemi apo nga e thënë ndryshe në jetë përballemi me natyra të shumta njerëzore. Nuk besoj se nuk keni takuar të paktën një person të tillë pa përmendur emra por duke u ndalur tek vesi që e shoqëron fenomenin. Çudërisht ky i fund lind bashkë me natyrën njerëzore por dukja më tepër merr një tjetër përcaktim. Të jesh i zoti, i vlerësuar në jetë dhe profesion nuk është asapk e lehtë. Kërkon punë dhe zotësi të bësh sikur je i tillë është thjesht megalomania. Të jesh i vlerësuar nuk nevojitet mburrja apo disa ide që bluhen në kokat tona. Mund të jetë një moment i delirit por është e pafalshme të bëhet lajtmotiv i ditës apo jetës së përditshme. Pushteti i fjalës ka rëndësië por kur ka vetëm mburrje atëherë ka zhvlerësim të saj. Megalomania nuk është asgjë tjetër veçse një ves që shoqëron personat e të gjitha shtresave sociale. Dëshira për të bërë më të mirën mbetet një përpjekje e cila kërkon një mundim të madh drejt rezultatit. Ne njerëzit jemi të tillë, përpiqemi të kemi vlera por gabojmë duke zgjedhur korsinë e gabuar në momentin kur devijojmë nga sjelljet pozitive. Të gjitha veset janë shqetësuese por ekzistojnë dhe nuk mund t’i mohojmë apo zhdukim me anë të fjalëve. Dyzimet e veseve të cilat përbëjnë dhe sinonime në gjuhën shqipe është vështirë t’i ndash, Në këtë diktonomi është vështirë të bësh dallime pasi ndryshimi mbetet vetëm gjuhësor. Në këtë rast nuk na nevojitet niveli dhe analiza gjihësore por vesi i përmendur megalomania. Vetë veset lulëzojnë nuk mund të themi se janë shtuar apo zvogëluar. Janë të pranishme në çdo kohë dhe epokë. Askush nuk i shpëton veseve megjithatë sa të ketë njerëzim do të ekzistojnë. Njerëzit dhe veset bashkëjetojnë nuk shpiken apo largohen. Ekzistojnë kudo me praninë e tyre të shtuar apo disi të zbehur. Tanimë megalomania është një korsi e gabuar e rrugës njerëzore.

Filed Under: ESSE Tagged With: korsi e gabuar, megalomania, Orlanda Lahe

EKSTREMIZMI FETAR TROKET NE PORTAT TONA

August 24, 2014 by dgreca

Nga Sami Repishti/
“Kujtojeni humanizmin; dhe, harrojini te tjerat!”-Russell-Einstein Manifesto,(1955)/
Ridgefield, CT. USA.-Shtypi i hapesines shqiptare ne Ballkan dhe ai nderkombetar njoftojne se nji vale e padeshirueshme “vullnetaresh” shqiptare, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia, udhetojne drejt fushe-betejave vella-vrasese te Sirise dhe Irakut Perendimor dhe i bashkohen te ashtuquejtunit “xhihad”, te vete-quejtunit “Kalifat”, nen drejtimin e nji te vetequejtuni “Kalif”, Abu Baker al Baghdadi.
Qarqet e mireinformueme amerikane e pershkruejne kete “kalif” te improvizuem:” (Kur u zu rob, 2004) ai ishte nji vagabond rrugaç…Ashte eveshtire te mendosh se ai do te bahej kryetar i ISIS” (Shteti Islamik i Sirise dhe Irakut). Tashti ai nxite fushaten e dhunes per debimin dhe asgjasimin e pakicave fetare, siç jane shiate dhe jazidite, akte qe jane denue edhe nga vete udheheqsit e Al Kaides. Pretendimet e tia jane aq ekstravagante sa te reklamoje se vjen nga fisi Kurejshi,i Profetit Muhamed….!” Ne kete kaos qe ka prue kaq shume vdekje dhe shkaterrim, bajne pjese edhe afersisht 160 shqiptare myslimane, ekstremiste deri ne ate pike sa te perqafojne “kultin e vdekjes”
Sot, me miljona refugjate- burra, gra e sidomos femije- vuejne tmerret e luftes, dhimbjene vrasjes se te dashtuneve te tyne, kercenimin e vazhdueshem te smundjeve, dhe ditet e gjata pa buke, pa uje, ne hapesinat e shkretueme te zonave pa jete bimore. Sot, perballohemi me nji situate qe ofendon dhe turpenon çdo qenie njerezore me nji zemer qe ndien, dhe nji mendje qe gjykon….!
Keto ditet e fundit, Policia e Republikes se Kosoves njoftoi arrestimin e 40 shqiptareve myslimane te dyshuem per pjesemarrje ne luftimet qe zhvillohen ne Siri dhe Irak, dhe te akuzuem per vepra penale “…organizim dhe pjesemarrje ne grupe terroriste, nxitje te urrejtjes perçarese ose mosdurimit (intolerance) kombetar, racor, fetar apo etnik, rekrutim per terrorizem, mbajtje ne pronesi, posedim apo shfrytezim te pa autorizuem te armeve”. Gjate arrestimeve, Policia njofton se me perjashtim tedy rasteve, te gjithe familjaret kane ndihmue Policine ne aktin e arrestimit te te akuzuemeve, dhe ky ashte nji zhvillim i mire. Policia ka arrestue edhe Imamin e xhamise El Kuddus te Gjilanit, Zekeria Qazimi, i cili dyshohet se ashte nji nder frymezuesit kryesor te xhihadit…(Ai) dyshohet per veprat e rekrutimit per terrorizem, organizim dhe pjesemarrje ne grupe terroriste etj. Gjithashtu ashte arrestue edhe Imami i Xhamise se Madhe te Prishtines Shefqet Krasniqi, ne banesen e te cilit jane gjete arsenale armesh ushtarake.
Deri tashti, numerohen 16 shqiptare myslimane, shumica kosovare, te vrame ne Siri e Irak. “Imamet” qe indoktrinuen kete rini me frymen e urrejtjes fetare jane plotesisht pergjegjes per humbjen e tyne. Sepse devocioni per fene –ketu ashte feja islame- ashte nji qendrim per levdate; por, me ndihmue ekstremistet myslimane ne kryemjen e akteve terroriste gjenocidale, ne emen te Zotit, ashte nji krim qe duhet denue nga te gjithe, dhe publikisht.
Para nji situate te ketill thellesisht te padeshirueshme, Bashkesia Islamike e Kosoves ka ba thirrje per kundershtim te atyne qe perkrahin e nxisin gjuhen e urrejtjes, interpretimin e ngushte te mesimeve fetare, dhe poshtenimin e besimit islam. Bashkesia u ban thirrje te gjithe besimtareve moste bien pre e individeve te papergjegjshem e te pa adrese qe manipulojne besimin islam jo per qellime humane, dhe ne veçanti u ban thirrje te mos bien pre e grupeve te ndryshme qe deklarohen ne emen te te ashtuquejtunit “xhihad”, e te nji fare “kalifati”, simbas “Zerit te Amerikes”. Gjithashtu, tre kryetaret e institucioneve fetare te Kosoves,- mysliman, katolik dhe orthodox- ne nji deklarate te perbashket denojne aktet e elementeve te indoktrinueme dhe bajne thirrje per vellaznim dhe mirekuptim reciprok, e paqe ne Kosove. Nji thirrje e ketill ashte ba edhe nga Komiteti Nderfetar i Shqiperise, i cili shprehu solidaritet me njerezit qe vazhdojne te perndiqen per bindjet e tyne fetar kudo qofshin ne bote. Dhe kjo na gezon!
Siç shkruente edhe editori i gazetes Illyria (N.Y.) Ruben Avxhiu, “…disa nga vullnetaret shqiptare qe shkuen ne Siri u radikalizuen…Ata shkuen per te ndaluar krimet dhe u kthyen vete ne pjese te nji seriali te tmerrshem krimesh qe eshte bere i njohur nga e gjithe bota. Shkuan mbase per te luftuar ne emer te fese- dhe po njollosin imazhin e fese se tyre…Çfare vendi mund te kene ne shoqerine tone moderne te kohes sone, njerez si ai qe pozonte me koken e prere te nji njeriu? Dhe, cfare pervoje sjellin keta njerez kur kthehen nga lufta ku ishin, ne se kane marre pjese ne formacione qe kane therur gra e femije, qe kane konvertuar njerez me dhune, e kane masakrue ata qe nuk kane mundur (te konvertojne)?
Po krijohet nji “bote e re”, nji perbindsh qe perjashton çdo gja njerezore, dhe ne emen te Zotit (sic!), nji bote kunder vete Zotit, dhe mesimeve te Tij; nji bote e çthurun, ku çdo njeni ashte i lire me veprue papengese dhe pa kufi…simbas deshires se tij, e pa pergjegjsi! Gjithçka ashte harrue…shkaterrohen monumente historike, qendra te shenjtenueme, institucione kulturore, digjen kisha e xhamia e libra e biblioteka….Si rrjedhim, kemi perseritjen e Auschwitz-it dhe te Hiroshimes! Kemi injorancen e plote dhe indiferencen vrastare qe mbretnojne mbi nji bote pa vlera dhe kunder vlerave themelore te qytetnimit njerezor! Slogane pa kuptim, thirrje histerike per gjakderdhje te popullsive te pafajshme…dhe e gjithe kjo si pergjigje e tyne pyetjeve te medha te ekzistences sone, fillimin e mbarimin e jetes, e pergjegjsine tone ne kete bote. Per plotesimin e botes se absurdit thirret ne ndihme “Feja”, ne kete rast Islamizmi, qe ashte anti-teza e tezes kriminale te “kultit te vdekjes”.
Jeta e ketyne ekstremisteve ashte thjeshte nji udhetim ne erresinen e pafund qe kane perqafue e qe i dergon kah vdekja e paevitueshme dhe e pa lavdishme. Ne kete delir te papermbajtun, ata jane ne gjendje me mbulue peshen e krimit te kryem, punen e xhelatit te pa fre, qe u jep atyne sensin e epersise falso mbi viktimet e pa faj, te pafte me u mbrojte…kujtim i rande i dhomave naziste te gazit ne kampet e çfarosjes! Si qenie njerezore, si shqiptar, dhe si mysliman, i pafte me veprue e me pengue zhvillimin e kesaj kasaphaneje makabre, une e ndiej veten te vrame dhe te poshtenuem…!
***
Si “europiane” na ndiehemi “te ndryshem” nga banoret e vendeve me kultura te ndryshme. Ne thelb, kultura perfaqesohet nga gjuha, besimi fetar, vlerat morale baze te shoqenise ku jetojme, traditat, doket e zakonet dhe ne nji perqindje te madhe edhe aspiratat tona. Si “europiane” jemi kryenalte te zhvillimit shkencor, teknologjise moderne, industrializimit te gjithanshem, jetes se organizume urbane, dhe perparimeve ne arsim, dhe arte te bukura; dhe njikohesisht, gjykohemi nga te tjeret si arrogante dhe te rrezikshem kur flitet per pasunite tonate grumullueme me djersen e te tjereve. Nji pjese e mire e mireqenjes sone materiale shikohet sikur rrjedh nga shfrytezimi i popujve tjere gjate dekadave te kolonializmit qe nga shekuli 18 e deri ne vitin 1960, kur formalisht u shperba kolonializmi ne Afrike e Azi. Por metodat e shfrytezimit nukpushuen; per vuejtesit ata jane te gjalla edhe sot.
Pothuesje te gjitha “vatrat e konfliktit te nxehte” ne keto dy kontinente jane rezultat i qeverisjes se keqe dhe shfrytezimit te kapitalit europian. Qytetnimi e kultura nuk vendosen, as zhvillohen me urdhena e dekrete. Ata kerkojne nji proceste gjate e te kontrollluem; alfa dhe omega e ketij procesi ashte shenjtenia e jetes se njeriut. Persa kohe qe ky koncept themelor nuk bahet pjese e natyreshme e jetes shoqenore te nji vendi, çdo perparim ose bahet i pamundun, ose ashte artificial dhe nuk mund te qendroje. Ne Siri dhe ne Irak, kemi te bajme me dy “shtete” te krijuem artificialisht mbas L1B, jo per plotesimin e aspiratave popullore, por me kenaqe interesat e ish-fuqive koloniale, France e Britania e Madhe.
Zhvillimet e mavoneshme, mbas vitit 1918, tregojne se “pushteti” ka qene gjithehere ne duert e “kolaboracionisteve” vendas, ose ne raste revoltimi ne duert e diktatoreve absolut qe mbajten pushtetin vetem me “grushtin e hekurt”.Liria, kjo lule qe sjelle jeten me dinjitet e te deshirueme nga te gjithe, nuk u lejue asnjihere me u zhvillue. Familja Asad ne Siri dhe Sadam Hysejni ne Irak jane pergjegjsit kryesore, dy elemente qe nuk kuptuen asnji here kohen ne te cilen jetuen, dhe nuk pranuen asnjihere vlerat e qytetnimit perendimor qe perfaqesonte “ish-kolonializmi shtypes”. Sot, ekstremizmi islamik tregon –me nji ashpersi edhe ma te madhe – kete pa aftesi me i u pershtate “kohes”. “modernitetit”, dhe si reagim, kthen syte kah e kaluemja e shekullit shtate…1,400 vjet mbrapa! Sikur asgja nuk ka ngja ne keto 14 shekuj me rradhe!
Trashegimia klasike greko-latine, filozofi e ligje; qytetnimi i krishtenimit perendimor- kryesisht katolicizmi dhe protestantizmi- dhe kontributi i tyne ne zhvillimin e nji bashkesie ne mes te popujve te krishtene; gjuhet europiane, si mjeti ma i forte i komunikimit shoqenor; ndamja e autoritetit shtetnor nga ai kishtar, “Zoti dhe Cezari”; sundimi i ligjit, Non sub homine, sed sub Deo et lege (jo nen sundimin e njeriut, por nen Zotin dhe ligjin); pluralizmi social dhe shoqenia civile; ngritja e grupeve shoqenore te perzieme dhe me sjellje te qytetnueme; pushtet perfaqesues; individualizimi, randesia e cilido individ (me paraqite vetem elementet e qytetnimit simbas Samuel Huntington) nuk ekzistojne ne vendet sot te turbullta, dhe fitohen vetem me kalimin e kohes. Nuk ashte nji akt, ashte nji procesi gjate dhe i mundimshem!
Jo vetem qe zhvillime te ketilla nuk gjeten mirepritje ne Siri dhe Irak, por shkaktuen nji reagim kundershtar; ata u pane si “helmi” i shoqenise arabe, dhe moren emnin “Westoxification” Nji prirje me u kthye ne zanafille, d.m.th. ne fillimet e “Islamizmit” u ba epiqendra e drejtimit te vendeve arabe, qe mbahet- me te drejte- kryenalte me “qytetnimin arab” te pre-Mesjetes: Bagdad, Damask, Aleksandria, Cordova, Sevilla etj.i cili neesence, ishte zbulimi dhe studimi i njohunive te Greqise Antike dhe avancimi i tyne ne nivele ma te nalta,- dhe jo refuzimi i tyne qe deshmojme na sot.
***
Por kjo dileme nuk paraqitet per ne shqiptaret, ne Shqiperi, ne Kosove, Maqedoni, Presheve dhe Mal te Zi. Me gjithe te kaluemen -te larget e te afert- tonen, dhe vuejtjet e pesueme, shqiptaret kane pase gjithehere nji orientim te caktuem: Europen! Na kemi pervetesue shkencen dhe teknologjine europiane, por mbi te gjitha kemi çmue pasunine intelektuale dhe artistike te Perendimit dhe e kemi perqafue ate, jo luftue. Per ma teper, historia bashkekohore ka tregue se Perendimi sot nuk ashte “njerka” e jone, e se ne ditet e veshtira ashte rreshtue krah nesh ne konflikte qe kane rrezikue vete ekzistencen tone. Dhe ne Kosove ma shume se ne çdo vend tjeter! Akoma i kemi te fresketa imazhet e fitueme nga fotografite dhe ekranet televizive te ushtareve te NATO-s qe hyne triumfalisht ne Kosove (qershor 1999) dhe pergatiten terrenin per pavaresine e plote, nxorren Serbine jashte Kosoves, njihere e pergjithemone, dhe prune pavaresine e saj (17 shkurt 2008).
Si ashte e mundun qe toka kosovare te nxjerre keto elemente kaq buke-shkale sa te sakrifikojne jetet e tyne ne nji konflikt jo-parimor, kriminel, vella-vrases i forcave te erresines, i “kultit te vdekjes”?
Ne maj 2012,mendimtari i ndjere Arben Xhaferi, shkruente:”…Te disa qarqe islamike ne bote, pas deshtimit te komunizmit ekziston tendenca per vazhdim te misionit te kesajideologjie totalitariste, por me nje dallim esencial: totalitarizmi fetar eshte me i rrezikshem, nga qe legjitimitetn e vet e mbeshtete mbi nje ide te pakontestueshme, ate te Zotit. Çdo aksion qe ndermerret, me cinizem arsyetohert me vullnetin e Zotit. Ata qe rezistojne te pranojne kete lloj manipulimi masiv kercenohen me vdekje dhe lloje te ndryshme te presionit. Armiku me i madh i kesaj utopie te re, ketij totalitarizmi eshte dyshimi, mendja kritike…!” Dhe shton me optimizem:” Jam i bindun se e gjithe kjo politike nuk do te arrije te shnderroje shqiptaret ne fundamentaliste por do te rrise vigjilencen, dhe vetevetiu do t’i kendelle mendjet e kontaminuara nga nji fundamentalizem i ri…” I ndjeri Arben Xhaferi shihte perspektiven shqiptare tek europianizimi i shoqerise sone, tek humanizmi europian –tolerance e arsye –shtet ligjor, demokraci etj.
Per fat te mire, zane te arsyeshme e tolerante fetare jane ndigjue keto ditet e fundit. Imam Naim Ternava, kryetar i BI te Kosoves , ne nji interviste me “Zerin e Amerikes”, deklaroi se mbeshtet aksionin policor ne Kosove dhe arrestimin e te dyshuemeve. Ai tha se terrorizmi dhe ekstremizmi nuk kane asgja te perbashket me besimin islam, dhe premtoj se do te bashkepunoje me bashkesite tjera fetare qe te ruhet toleranca ne mes te besimtareve te ndryshem. Imam Ternava shtoi se te ashtuquejtunit “imame” te arrestuem nuk jane “imame” te konfirmuem me vendim te Bashkesise Islame te Kosoves.
Me te njajten fryme u shpreh edhe Myftiu i Zones Shkoder, Imam Muhamed Sytari, per te cilin: “fanatizmi eshte nje entuziasem qe djeg, jo nje e vertete qe ndriçon”, dhe spjegon:” Ne Islam, besimi i sakte eshte fryt i vullnetit te lire,” dhe perfundon:”Zot, ki meshire per myslimanet e pafajshem ne Gaza, per te krishteret e pafajshem ne Musil, per jezidet e pafajshem ne Sinxhar, per myslimanete pafajshem ne Turkmenistanin e larget… per te gjitha krijesat e Tua te pafajshme ne mbar boten, qe vriten, ndeshkohen, qe shkelen e dhunohen nga injoranca dhe fanatizmi afetar, shpesh i veshur me rroben e fese, ciles do fe”. Dhe shton: “Shqiperia sot ashte nje vend qe aspiron te aderoje drejte Bashkimit Europian. Eshte e vertete se ka nje rrugetim te luhatshem ne kete drejtim, ama e ka te qarte vendin e saj”.
Pak kohe ma pare, famullitari katolik Dom Gjergj Meta, ne pergjigje te atyne qe akuzojne Islamizmin per mospranim ne Bashkimin Europian, shkruente se ne se kjo ishte e vertete, pa vellaznit e motrat tona myslimane nuk duem te hyjme ne Bashkimin Europian…!
Qendrime te ketilla, nga dy klerike te breznise se re, pergatisin epoken e vellazenimit, lirise individuale e tolerances ne shoqenine tone pluraliste shqiptare, dhe jane te mireprituna! Une i pershendes.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ekstremizmi fetar, Sami repishti, troket

Në Uashington – është kujtuar 23 gushti “Dita e Shiritit të Zi”

August 24, 2014 by dgreca

NGA BEQIR SINA, New York/
“Ne jemi krenar që sot mbas 23 vjetë së shëmbjes së komunizmit, jemi në gjendje të paraqesim para ligjvënësit amerikanë, këtë grup të veçantë të të viktimizuarve në disa vende komuniste – 30 biografitë shquar tënjerëzve nga 16 vende evropiane,(përfshirë, edhe Shqipërinë) që kanë vuajtur nën tiraninë e diktaturave totalitare. Sot, ne kemi nevojë për të bashkuar përpjekjet tona ndërkombëtare për të parandaluar kërcënimet e ndryshme ndaj demokracisë. Duke kujtuar dhe mësuar nga jeta e viktimave është një hap i parë shumë i rëndësishëm, “thotë presidenti Platforma Göran Lindblad.
Washington, DC, 23 gusht 2014. Në Uashington , kjo datë është përkujtuar së bashku me anëtarët e, Memorialit dhe Fondacionit të Viktimave të Komunizmit si dhe Komitetit Kombëtar të Përbashkët i vendeve të Platfomrës së Baltikut në Amerikë, duke kujtuar 23 gushtin si “Dita e Shiritit të Zi” në Amerikën e Veriut.
Kjo, datë është përkujtuar në 75-vjetorin e këtij viti – kohë kur Qeveria Rama – është duke u përgatitur për të festuar ardhjen e komunizmit në Shqipëri. 75 vjetori i kësaj date përkon me atë të paktit Hitler-Stalin të1939, dhe është kujtuar me anë të një rezolute të shtuquajtur si “Platforma Reader”, e cila dje u është shpërndar të gjithë 541 anëtarëve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe 100 anëtarëve të Senatit.
Por, për inoni të kohës as që është kujtuar në Shqipëri, megjtihëse Shqipëria kaloi për 47 vjet të sundimit komunist një nga diktatura totalitare me tiranike.
Më 22 maj 2014 në Shtetet e Bashkuara — Kongresi – Dhoma e Përfaqësuesve, kaloi rezolutën HR 4435, e cila ka përcaktuar 23 gushtin, si :”Dita e Shiritit të Zi” e cila i “pllakoset” nënshkrimit të paktit Hitler-Stalin e vitit 1939.
Nëse, edhe Senati – kalon një rezolutë të tillë – atëhere dhe Shtetet e Bashkuara, do të u bashkohen vendeve të tjera të botës në shënimin 23 gushtit si :”Dita e Shiritit të Zi” në përkujtimin e miliona viktimave tëregjimeve naziste dhe komuniste në Evropë.
Anëtarët e Platformë-së amerikano veriore, Fondacioni i Memoriali i Viktimave të Komunizmit dhe Komitetit Kombëtar Baltik në Amerikën e Veriut, organizuar dje një kujtimore në nderim të 23 Gushtit – “Dita e Shiritit të Zi”, duke vendosur kurora me lule të freskëta në një ceremoni në kujtim të viktimave të komunizmit anembanë botës, në permendoren e dedikuar viktimave të komunizmit në Uashington, DC.
Me këtë rast, Fondacioni i Memorialit të Viktimave të Komunizmit dhe Baltik Komitetit Kombëtar në Amerikën e Veriut, në një dekleratë për shtyp thotë se ua ka shpërndar të gjithë senatorëve dhe anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve, nga një kopje të Platformës Reader, dhe një video (DVD) me titull: “Mos të harrojmë! Kujtojmë totalitarizmin në Evropë “.
“Ne jemi krenar që sot mbas 23 vjetë së shëmbjes së komunizmit, jemi në gjendje të paraqesim para ligjvënësit amerikanë, këtë grup të veçantë të të viktimizuarve në disa vende komuniste – 30 biografitë shquar tënjerëzve nga 16 vende evropiane,(përfshirë, edhe Shqipërinë) që kanë vuajtur nën diktatura totalitare. Sot, ne kemi nevojë për të bashkuar përpjekjet tona ndërkombëtare për të parandaluar kërcënimet e ndryshme ndajdemokracisë. Duke kujtuar dhe mësuar nga jeta e viktimave është një hap i parë shumë i rëndësishëm, “thotë presidenti Platforma Göran Lindblad.
Dita Evropiane e përkujtimit për viktimat e stalinizmit dhe nazizmit, i njohur si Dita e Shiritit të Zi në disa vende, e cila është caktuar më 23 gusht, është dita ndërkombëtare përkujtimi për viktimat eideologjive totalitare, veçanërisht komunizmit / stalinizmit, fashizmit dhe nazizmit.
Ajo ishte caktuar fillimisht nga Parlamenti Evropian në 2008/2009 si “një ditë në mbarë Europën në Përkujtimin për viktimat e të gjitha regjimeve totalitare dhe autoritare, që do të përkujtohet me dinjitet dhe paanshmëri,” dhe është prezantuar nga organet e Bashkimit Evropian që nga viti 2009 me anë të Rezolutës 2009.
Parlamentit Europian iu bë thirrje për zbatimin e Rezolutës në të gjithë Evropën, dhe i u kërkua simbas kësaj Rezolute që të reflektoi mbi ndërgjegjen evropiane ndaj totalitarizmit. Rezoluta ishte bashkë-sponsorizuar nga Partia Popullore Evropiane, Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Europën, Aleanca e Lirë të Gjelbrit-evropianë, dhe Bashkimi i Kombeve për Europën e Bashkuar
Krijimi i 23 gusht si një ditë ndërkombëtare për të kujtuar, viktimat e totalitarizmit u mbështet edhe nga Deklarata e Vilniusit 2009 të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
23 gusht u zgjodh për të përkuar me datën e nënshkrimit të Paktit Molotov-Ribbentrop, në të cilën Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania naziste kishin rënë dakord për të ndarë Evropën Lindore mes tyre. Një ngjarje kjo që upërshkrua nga ish- presidenti i Parlamentit Evropian Jerzy Buzek në vitin 2010 si ” marrëveshje e fshehtë e të dy formave më të këqija të totalitarizmit në historinë e njerëzimit.
23 Gushti në origjinën e saj në kujtim të saj nisur të kujtohet për herë të parë me protestat e mbajtura në disa qytetet perëndimore, kundër krimeve sovjetike dhe pushtimit në vitet 1980, të iniciuar nga emigrantët politik në Kanada dhe SHBA nga vendet e pushtuara nga Bashkimi Sovjetik, dhe që arriti kulmin në lëvizjen historike” Rruga Baltike”, një demonstrim më i madh gjatë historisë në Revolucionet e 1989 -91- që kontribuan nëçlirimin e shteteve baltike. Dhe në të ashtuquajturën “”domino” arriti deri në Shqipëri, e cila ishte e fundit që rrëzoi komunizmin megjithëse kaloi një nga rregjimet më të egra të kohërave.
Qëllimi i Ditës së përkujtimit është për të ruajtur kujtimin e viktimave të dëbimeve masive dhe shfarosjet, duke promovuar vlerat demokratike me qëllim forcimin e paqes dhe stabilitetit në Evropë.
23 gushti është gjithashtu e njohur zyrtarisht nga Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara ku ajo është e njohur si Dita e Shiritit të Zi dhe përkujtohet me shënim e saj me ceremoni të ndryshme.
Ndërkohë, dje në Shqipëri, Dita Europiane e Nderimit të Viktimave të Komunizmit shërbeu për të rihapur edhe një herë debatin për ligjin e shumëpërfolur të lustracionit, i njohur ndryshe si ai i dosjeve.
Në një postim të saj në rrjetin social, në këtë ditë, ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka kërkuar publikisht që qeveria të paraqesë në Kuvend, ligjin e Lustracionit, duke theksuar se dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare mbetet diçka e parealizuar. “Sot, është Dita Europiane kur nderohen viktimat e komunizmit. Në Shqipëri pati: 6109 të pushkatuar e të vdekur në burgjet e komunizmit, mes tyre 89 gra;
17900 të dënuar politikë, mes tyre 450 gra; 9052 të vdekur në burgje, 30383 të internuar, 23 burgje në të gjithë vendin, 48 kampe internimi. Rreth 70 mijë persona ndiqeshin çdo vit nga sigurimi i shtetit.
‘Dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare edhe sot mbetet një Amanet i papërmbushur”, shkruan ish Ministria e Integrimit Majlinda Bregu.
Duke shtuar se: “Sa herë kemi çuar ligjin e Lustracionit në Parlament, nuk është votuar. Meqë mazhoranca sot nuk ka asnjë problem me numrat për të votuar ‘reforma të ndritshme’, le ta fillojë këtë sesion parlamentar si Aleanca e Shqipërisë Europiane, duke votuar ligjin e Lustracionit si shenjë që çdo regjim që dhunon qytetarët nuk ka të drejtë të ekzistojë. Drafti është gati, 29 Nëntorin e kanë para”, shkruan Bregu në Facebook.
Ndërsa deputetja Mesila Doda shprehet se “ne s’do harrojmë kurrë…. viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe bashkë me to groposjen e të gjithë vlerave morale njerëzore. Shoqëria shqiptare ka nevojë për të vërteta dhe për ringritje morale. Kjo fillon nga mësimi dhe dënimi i të vërtetave të hidhura të së kaluarës”.

Filed Under: Kronike Tagged With: - është kujtuar 23 gushti, "Dita e Shiritit të Zi", Beqir Sina, ne Uashington

SHUHET MËSUESJA ELENI STEFA

August 23, 2014 by dgreca

Është ndarë sot nga jeta në moshën 102 vjeçare “ Mësuesja e Popullit “, Eleni Jançe Stefa , një personalitet i shquar në fushën e arësimit.
Mësuesja e Popullit Eleni Stefa , ishte modeli i gruas se sakrifices nder dekada,Është nga plejada e artë e mësueseve që kanë pergatitur me dijen e tyre, dhjetëra breza intelektualësh, ishte Mësonjësja që meriton mirënjohjen e gjithkujt krejt botës shqiptare perjetesisht. E thjeshtë, e Bukur, e Guximëshme, e Mënçur, Krenare, Modeste dhe e Pabujë, Jeta e Nënë Eleni Stefës , është shëmbulli i Përkryer i Simbolit të Dashurisë dhe Dhimbjes Njerëzore – duke e portretizuar si një mësuese të përjetshme të brezave, për gjithë ato vlera të lartë njerëzor! Ajo është bashkëudhetarja e denjë e Martirit të Demokracisë Kostaq Stefa, -dëshiroj t’ju them se respekti i qytetareve të Beratit ndaj Kostaqit, ështën jo thjesht dhe vetëm për flijimin e tij , duke u ekzekutuar padrejtesisht nga diktatura komuniste, -por kjo mirënjohje e bashkëqytetarëve është ngjizur edhe nga respekti nënë Eleni, për fisnikërinë e gjithëanshme qytetare, që ajo rrezatonte/ Mësuesja e Popullit Eleni Stefa është edhe Nëna e Shkrimtares dhe Humanistes-Vitore Stefa Leka! Ajo së bashku me bashkëshortin e saj janë personazhet kryesorë në librin “The Secret Rescue” (Shpëtimi Sekret) -të autores amerikane Cate Lineberry
Lamtumirë përçuesja e Dijeve e Dritës në Shumë Breza, Eleni Jançe Stefa !
Lamtumirë Nënë dhe Bashkorte fisnike!
U prehsh në Paqen e Amëshuar! Të Qoftë Dheu i Lëhtë.
I përjetshëm Kujtimi dhe Drita e Veprës Tuaj, që ju latë pas!
Nga Raimonda MOISIU

Filed Under: Kronike Tagged With: ELENI STEFA, Raimonda Moisiu, SHUHET MËSUESJA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4449
  • 4450
  • 4451
  • 4452
  • 4453
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT