• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tirana do të ketë monumentin kushtuar viktimave të komunizmit

August 23, 2014 by dgreca

Bashkia e Tiranës, konkurs për monumentin kushtuar viktimave të komunizmit/
Së shpejti, Tirana do të ketë monumentin kushtuar viktimave të komunizmit.
Për këtë qëllim, Bashkia e Tiranës ka shpallur konkursin për realizimin e monumentit kushtuar viktimave të komunizmit.
Në fazën e parë të këtij konkursi do të përzgjidhet punimi i bocetit më të mirë, duke vlerësuar punën artistike si dhe impaktin visual në raport me evidentimin e këtij fenomeni që damkosi për disa dekada me radhë realitetin dhe historinë e shoqërisë shqiptare.
Sipas njoftimit të bashkisë së Tiranës, artistët pjesëmarrës duhet të paraqesin bocetin, së bashku me CV e tyre profesionale. Afati i dorëzimit të bocetit është 3 muaj nga data e sotme. Ndërsa boceti duhet të jetë jo më i vogël se 25 cm dhe jo më i madh se 50 cm (material variabël).
Të gjithë artistët pjesëmarrës në konkurrim duhet të paraqesin bocetin për “Monumenti për viktimat e komunizmit”, pranë drejtorisë së Artit dhe Kulturës në Bashkinë e Tiranës.(Sipas ATSH)

Filed Under: Kronike Tagged With: bashkia e Tiranes, Konkurs, krimet e komunizmit

EZOPI SHQIPTAR…

August 23, 2014 by dgreca

Bisedë me fabulistin e shquar shqiptar, tepelenasin Ferit Lamaj/
Që prej shekujsh rron e thëna:/ “Qengj i urtë pi dy nëna”. /Por nuk dini më të renë:/ “Pi servili gjithë kopenë!” (F.Lamaj)…/
Si prezantim për Fabulistin Lamaj po sjellë vetëm vlerësimin e Artistit të Popullit Kadri Roshi i cili thotë: “Më kanë pëlqyer përherë fabulat e Ferit Lamajt, këtij Ezopi shqiptar. Kam patur kënaqësinë e rrallë të interpretoj në moshën 75-vjecare në një film televiziv pjesë nga krijimtaria fabuleske e Lamajt. Më duket se jam rilindur. Faleminderit, Ferit”!
Ju jeni një ndër fabulistët tepër seriozë edhe pse fabulat nuk mund të konceptohen pa humorin, ironinë tallëse, sarkazmën therrëse, kur keni filluar të shkruani fabulën e parë dhe cila është konkretisht, çfarë ju motivojnë më shumë në shkrimin e fabulave?
Mëse e vërtetë. Humori ironizues, sarkazma, paradoksi, alegoria kanë qenë veçori karakterizuese të zhanrit fabulesk qysh në kohët ezopiane e më pas me Fedrin, La Fontenin, Krillovin, Trilusën, për të ardhur gjer në ditët tona.
Me fabulën jam dashuruar herët, në vitet ’70. Sapo kisha kryer studimet e mesme dhe bashkëpunoja me revistën e mirënjohur satiro-humoristike “Hosteni”. Fabula e parë e botuar titullohet “Fleta e pemës”, një krijim katërvargësh.
Konciziteti në krijimtari më ka pëlqyer e tërhequr vijimësisht. Pak vargje, pak radhë, por që të shpërfaqin qartë e saktë mendimin dhe idenë artistike.
Motivimi në fabul është vetë përditshmëria që jetojmë, kohë e mbarsur prej vesesh e fenomenesh regresive. Kafshët e shpendët veprojnë, gjestikulojnë, tingullimitojnë, grinden, dredhojnë, kacafyten, përleshen, gërvishten e gjakosen, fitojnë e munden. Por a nuk ndodh kështu edhe me njeriun? Morali kryesor, jo i një fabule të veçantë, por i të gjitha fabulave, nga më e hershmja deri te e pashkruara ende, është ky: “Në këtë botë të trazuar me virtyte e vese kafshët kanë gojë e flasin. Por ato flasin që të dëgjojmë ne, njerëzit. Ato flasin përmes artit të qëndisur metaforik.”
Qëllimi finalizues stilistik është pikërisht goditja, fshikullimi i vesit dhe stimulimi i virtytit. Të ndihmojë sadopak në korrigjimin e balancës ves – virtyt.
Fabulat tuaja janë tepër të dallueshme sepse të japin kënaqësi estetike, larg moralizimeve dhe shumë prej tyre mësohen përmendsh, konkretisht fabulën që kam përzgjedhur më lart është më se e përdorshme kur lypet nevoja në mjedise të ndryshme, edhe pse ju e keni zgjeruar me dy vargje më shumë kohët e fundit mos gaboj?
Fabulat e bukura dhe të arrira artistikisht ngelen gjatë në trurin e vëmendshëm të lexuesit, ndaj edhe mësohen përmendsh. Fabula është magjike, të ngjizet në shpirt, të pushton. Të josh me përjetësinë e saj. Fabula bën çudira. Të ledhaton, por edhe ta ngul. Fabula ndjek jetën. E lufton vesin shoqëror përmes groteskut, lakonizimit, befasisë e mbi të gjitha, me filozofinë e saj. Fabula është filozofike.
Fabula është pronë e të gjitha moshave dhe profesioneve. Le të perifrazoj shprehjen e shkrimtarit Dritëro Agolli në përathënien e një libri tim: “Fabulën e do edhe gjyshi, edhe nipi, edhe shkencëtari, edhe bariu. Prandaj fabula ka jetë të gjatë në gjirin e lexuesit.”
Artistë të Popullit dhe shumë personalitete të kulturës dhe artit ju kanë vlerësuar maksimalisht, por Kadri Roshi e ka më të spikatur duke ju quajtur Ezopi shqiptar, si ndiheni përballë vlerësimit maksimal nga këto personalitete?
Nuk ke si të mos ndihesh mirë, kur njerëz të shquar të artit dhe të letërsisë të përkrahin shpirtërisht e çiltërsisht me vlerësimet e tyre. Kadri Roshi, Roland Trebicka, Bedri Dedja, Dritëro Agolli, Margarita Xhepa, Astrit Bishqemi etj. kanë qenë jo vetëm dashamirës sqimatarë të fabulës sime, por edhe nxitës e inkurajues të zellshëm për ta përvijuar më tej misionin jo pak të vështirë, por aq të këndshëm të këtij zhanri.

Ndërkohe Ezopi ka qenë skllav, por ju si jeni ndjerë si shkrimtar, fabulist gjatë sistemit komunist dhe postkomunist?

Të shkruaje fabula para viteve ’90 s’ishte dhe aq e lehtë, ndaj edhe fabulistët e ahershëm thuajse numëroheshin me gishtat e njërës dorë: Nonda Bulka, Spiro Çomora, Tonin Miloti, Gjikë Kurtiqi, Jani Duri. Duhet të ishe mjaft i vëmendshëm në thumbimin artistik, pasi mund të të kthehej në bumerang. Më kujtohet si sot porosia e satiristit të shkëlqyer Dionis Bubani, teksa shkelja për herë të parë ne redaksinë e Hostenit: “Duhet të mendohesh mirë, djalosh, para se t’i hysh shkrimit të humorit e të fabulës. Është thikë me dy presa.”
Nëse para ‘90-s kishte rrallësi fabulistësh, pas ’90-s autorët e fabulave mbinë si kërpudhat pas shiut. Dhjetëra të tillë shkruajnë fabula, më së shumti krijime pa nerv artsistik, pa gjetje inrtiguese, pa humor origjinal e të qenësishëm. U kalua nga skaji në skaj. Liria e të shprehurit i çeli udhë mediokritetit, vargëzimit kilometrik, bejtes së mirëfilltë. Vërtet sot nuk të pengon kush të satirizosh fort me armët e mprehta të humorit, madje shumë lart, por kjo s’do të thotë që të bjerresh, të varfërohesh në ngjyresat stilistike.
Çfarë ka ndikuar më shumë nëshkrimin e fabulave dhe cila është kultura konkrete që ju keni marrë gjatë studimit në cikle të ndryshme shkollore?
Në formimin tim si fabulist natyrshëm ka ndikuar kultura letrare humoristike shqiptare dhe ajo botërore. Jam rritur në një kohë kur libri dhe sporti qenë të vetmit mjete argëtimi të moshës. Fillimisht e kam shfaqur talentin në rrethin letrar të pallatit të pionierëve, të cilin e drejtonte shkrimtari dhe studjuesi Rinush Idrizi. Më tej, gjatë viteve të shkollës së mesme dhe sidomos asaj të lartë për gjuhë-letërsi, kam bashkëpunuar me shtypin letrar të kohës, revistën “Hosteni’, gazetat “Drita” e “Zëri i Rinisë”.
Çarja e kufijve ideologjikë e fizikë me botën natyrisht solli ballafaqimin e kulturave dhe të llojeve letrare. Kësisoj edhe të fabulës. Kam marrë pjesë në shumë veprimtari, kongrese e konferenca letrare, por edhe në trajnime në fushë të fabulës. Kam prekur, si të thuash, përbotshmërinë e fabulës në vende të ndryshme, si në Itali, Gjermani, SHBA, Greqi, Francë, Egjipt, Bullgari, Rumani etj.
Fabulat tuaja janë ekranizuar në TV të ndryshme, ekrane etj, nga artistë të shquar, cilat jane disa nga kujtimet më të spikatura më këta aktorë pas intepretimit të fabualave të ndryshme?

Aktorët janë miqtë e mi më të mirë, bashkëpunimet me ta kanë qenë mjaft të frutshme. Fabula ka marrë forcë shumëfishuese nën zërin e magjishëm të mjeshtrave të skenës dhe të ekranit K. Roshi, R. Trebicka, M. Xhepa e L. Filipi. Kujtimet me ta përgjatë ditëve të filmimit do të mbeten të pashlyera në kujtesën time. Por le të përmend vetëm çastet e mbrëmjeve në Divjakë, me të paharrueshmin Kadri Roshi. Më thoshte: “Ferit, fillo të recitosh fabulat që do të kemi nesër në sheshxhirim.” Përskuqesha nga turpi: “Unë të recitoj përpara Jush?!”. “Mos humb kohë, – insistonte, – dua të prek shpirtin tënd, se je krijuesi i fabulave. Dua të marr nga shpirti yt. Nuk më lejohet të turpërohem tani, në moshë të thyer.”

Cilat janë librat e botuar në shqip, gjuhë të ndryshme dhe çmimet ndërkombëtare që keni marrë?

Librat e botuar janë shumë, plot njëqind. Libri i parë, i botuar në vitin 1977, titullohet “Në verë dhe në dimër”. Vetëm këtë vit janë botuar 5 libra, më i fundit prej tyre, “Masterchef” në 4 gjuhë të huaja (anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht).
Si librin më të suksesshëm do të veçoja “Dhelpra e Trojës”, që ka patur 3 ribotime e së shpejti do të ripublikohet. Botimet fabuleske kanë qenë të larmishme edhe përsa i përket formës. Vitet e fundit lexuesi ka mirëpritur variantin e formatit të vogël “Fabula xhepi 1, 2, 3, 4”. Këtë vit rezultuan gjithashtu me sukses edhe fabulat e shkruara si kartëvizita, të ndërfutura në kopertinën-kuti.
Çmimet kombëtare e ndërkombëtare kanë qenë të vijueshme, ku do të veçoja ato të fituara në Itali, Kinë, çmimin “La Fonten” të akorduar nga Ambasada Franceze, etj.

Cilat janë disa nga momentet më të bukura dhe më të dhimbshme gjatë krijimtarisë suaj?

Krijimi vetë është moment i i bukur, por i dhimbshëm. Çastet e kapjes së idesë, të stërholljes, të gjetjes së figuracionit stilistik janë plot magji e kënaqësi, por edhe aq të stërmundimshme. Të vërtitet në mendje një tallaz i fuqishëm deti, të cilin duhet ta qetësosh e ta ledhatosh si një krijesë të bindur.
Ndërsa për t’iu përgjigjur më drejtpërdrejt pyetjes tuaj, çasti më i bukur është sjellja e një libri të ri fabulesk në jetë, ndërsa çasti më i dhimbshëm është ikja e një njeriu të mirë nga kjo jetë.
Në vitin 2000, në Tepelenën tonë, Shtëpia e Kulturës organizoi një veprimtari për krijimtarinë time letrare, ku morën pjesë edhe miqtë e mi: Kadri Roshi e Steve Williams,
përkthyesi i fabulave. Mes të tjerash, në skenar qe futur edhe spektakli “Mis Kafshët”. Në skenë, me fashën përkatëse, hyn Mis Dhelpra, e cila ishte një dhelpër e gjallë. Kënaqësi e rrallë për të gjithë auditorin. Nuk do ta harroj kurrë.

Ju jeni me origjinë nga Tepelena, Tepelena poetike do ta quaja sepse jane disa poetë të mirënjohur në mbarë trullin shqiptar duke filluar me poetin më të vjetër nga mosha Agim Shehun dhe për më tepër nuk ka qenë rastësi që një poet botëror si Bajroni u përul përballë kalasë, u magjeps me natyrën dhe mikpritjen e Ali PashëTepelenës, sa është frymëzuese ky qytet magjik për ju?
Sot s’përbën më ndonjë çudi e s’hyn në gjërat e rralla, që kafen e mëngjesit mes miqsh e shokësh ta shoqërosh, jo vetëm me të kthjelltin “ujë Tepelene”, por edhe me të mençurën “poezi Tepelene” apo me sarkastiken “fabul Tepelene”. Tepelena, ky qytet i vogël buzë Vjosës e rrëzë kalasë së Ali Pashait, ta lëmë mënjanë modestinë, shquhet edhe për numrin jo të vogël të poetëve dhe fabulistëve për metër katror. Në burimet, krojet, puset e çezmat tepelenase kanë pirë ujë dhe kanë freskuar muzën e tyre krijuese poetë e fabulistë të tillë si: Agim Shehu, Petrit Ruka, Ilirjan Zhupa, Qazim Shemaj, Novruz Shehu, Izet e Rezo Çulli, Kozeta Zylo, Shkëlqim Hajno, Pandeli Koçi, Ilia Laska e të tjerë. Qyteti, por edhe Izvori e Rabija, fshatrat ku kanë lindur prindërit e mi, më kanë frymëzuar, më kanë dhënë polenin e parë fabulesk. Që i vogël, tok me vëllezërit e mi, shkoja për verim në fshat, ku mahnitesha e përshtatesha në çast mes jetës baritore. Një pjesë leksiku dhe terminologjie labe në krijimet e mia është pikërisht frut i përvojës akumuluese të moshës fëminore në ato zona. Falë edhe mençurisë së spikatur të njerëzve dhe traditave aq të pasura e të vyera të tyre. Kam parasysh sidomos dasmat: nuset me duvak mi kalë, burrat mysafirë që tërhiqnin për rripi qengjin apo kecin, gratë me tepsi bakllavaje a revanije mbi kokë dhe ne fëmijët që fluturonim nga gëzimi.( Bisedoi Keze Kozeta Zylo)
Staten Island, New York
Gusht 2014

Filed Under: Interviste Tagged With: Ezopi Shqiptar-, ferit Lamaj, Kadri Roshi, Keze Zylo

PËRSE SHQIPTARËT E SHAJNË SHQIPËRINË…?

August 23, 2014 by dgreca

NGA KRISTO ZHARKALLIU/Athine/
Lexova një shkrim të gazetarit të njohur Ahmet Shqarrit nga Amerika. Me sa më kujtohet ky gazetar është shumë i njohur në vendin e (tij) Shqipëria, si komentator i zoti i sportit. Sigurisht në se ky shkrim do të kishte të bënte me dobësinë e sportit shqiptar nuk do të më bënte aspak përshtypje, sepse vitet e fundit jemi mësuar të mos dëgjojmë asgjë për ekzistencën e këtij sportit, kryesisht futbollit shqiptar, por edhe se nuk është një fushë e njohur prej meje. Veçse gazetari në fjalë bënte “krahasime” midis vendit më të zhvilluar në botë me Shqipërinë ballkanike. Vitet e fundit jemi mësuar të lexojmë vazhdimisht shkrime përçmuese për Shqipërinë, deri në ofendim nga vetë shqiptarët. Asnjëherë nuk ndeshemi me fjalë të mira si në shtyp ashtu dhe në masmediat elektronike, thua se ai vend është i mallkuar dhe urrehet nga vetë banorët e tij. Ahmet Shqarri thotë se në Shqipëri ka plehra, në Amerikë jo, në Shqipëri ka vjedhës (!) në Amerikë jo, në Shqipëri ka kriminalitet (!) në Amerikë jo dhe së fundi arrin në korrupsionin shqiptar, duke sjellë si shëmbull Bankën e Shqipërisë ku u vodhën 8(tetë) milionë dollarë dhe akoma nuk u është prerë koka fajtorëve si do të ngjiste, fjala bie, në Amerikën engjëllore… duke mos harruar të na përmende dhe…Al Kapone, (sikur ky të kishte qënë shqiptar…por ku ta dish?) Sigurisht të gjitha këto të këqia i ka Shqipëria, ndoshta akoma dhe më shumë, por si bëhet krahasimi me Amerikën e largët ku banon e bija e zotit Shqarrit? Të gjitha këto dallime i konstatoi brenda një muaji që ai jeton si mysafir tek e bija?NUk paska vjedhje dhe kusarë në Amerikë? Nuk paska kriminalitet? Nuk ka …plehra? Sigurish si një nga vendet më të zhvilluara e më të pasura në botë, Amerika ka marrë masa që ujrat e zeza të mos derdhen në det, po a është i sigurtë edhe për këtë zoti Ahmet? Udhëtoi ai në të gjithë Amerikën (SHBA nënkuptojmë se sa për Amerikën latine jugore e qëndërore, le të mos kërkojmë krahasime me Shqipërinë se në shumë raste janë shumë më prapa nga vendi i përbuzur i Ahmetit tone) Por ne do të pranojmë të gjitha vërejtjet, ndoshta dhe “brengën” e gazetarit, prandaj vendosëm të flasim pak për vjedhjen e Bankës Shqiptare, gjë që, sipas Ahmetit nuk do të ngjiste askurrë në Amerikën e Al Kapone të dikurshëm. Afërmendsh se për Amerikën e madhe dhe të pasur tetë milionë dollarë nuk janë asgjë, madje nuk do të ishte bërë kurrsesi çështje kombëtare një “vjedhje” e tillë. Por duket se diçka harron zoti Ahmet Shqarri: Bankën e Lemon’s Brother e cila pothuajse hodhi në erë të gjithë sistemin banker jo vetëm të Amerikës por dhe të Europës e më tej. Nga skandali i tmerrëshëm i bankës në fjalë filloi dhe kriza bankare dhe ekonomike akoma dhe në Europë… Këtu nuk bëhej fjalë për disa miliona të krrimbura por për shumë miliarda!Dhe ç’u bë? Sa nga drejtuesit e kësaj banke janë në burg, sa nga këta humbën pasurinë që kishin bërë në mënyrë të paligjëshme? Le ta kërkojë gazetari shqiptar, i cili me kaq përbuzje flet për vendin e tij, dhe të na sqarojë… Sepse është tjetër gjë të shikosh çdo gjë në vendin tend në mënyrë negative dhe të përpiqesh të bësh krahasime me dukuritë pozitive të vendeve të tjera dhe tjetër gjë të dish të dallosh atë që të ndan si nga vendi yt ashtu dhe nga vendet e tjera të pasura të botës, shi Amerikën.
Nuk kam asgjë me gazetarin e lartpërmendur, e solla thjesht si shëmbull se si shqiptarët në përgjithësi përbuzin vendin e tyre dhe admirojnë vendet e tjera. Shumica e emigrantëve-jo vetëm ata që shkruajnë- flasin me përçmim kur i pyet për Shqipërinë. Rrallë, shumë rrallë dëgjon ndonjë fjalë të mire ose nostalgjike. Madje shumica dërmuese e tyre pushimet i bënin në ishujt grekë dhe në vendin e tyre shkonin vetëm për një vizitë të shpejtë për t’u “çmallur” jo me vendlindjen por me njerëzit që kanë lënë prapa. Sigurisht me krizën ekonomike dhe me papunësinë në Greqi,nuk kanë mundësi më të bëjnë pushime luksoze si bëjnë të pasurit shqiptarë dhe një ish kryeministër që i pëlqen shumë Halkidiqi dhe jo reviera shqiptare (duket se në Halkidiqi ka shërbim më të kulturuar veçse shërbyesit janë bashkatdhetarë të ish kryeministrit tone!). Prandaj shumë syresh kthehen në vendlindje (nuk them atdhe se ata nuk e ndiejnë kështu!) me gjysmë zemer që të bëinë diku njëfarë pushimesh…Nuk do mend se fajin kryesor për këtë nuk e kanë hallexhinjtë të emigracionit por vetë masmediat e vendit të cilat nuk i kanë borxh asnjë fjalë të mire Atdheut të tyre. Të gjithë dine të kritikojnë, të gjithë dine të përbuzin çdo dukuri shqiptare, çdokush din të dallojë anët negative dhe askurrë nuk gjen diçka të mire, diçka lavdëruese në trojet arbërore.
Për Anën, fqinjia ime e bukur nga Shqipëria, e cila punon në një furrë pranë shtëpisë sime, kam shkrojtur dhe here tjetër. Ajo ka disa vite që banon me familje në Athinë. Megjithse shumë e re, ka dy djem mjaft të rritur. I shoqi është shofer profesionist..Vite me radhë bënte pushime në Greqi-si bënte një udhëtim të shkurtër ku vizitonte të afërmit e saj në Kolonjë dhe Korçë. Sivjet më tha e gëzuar se do të bënin pushimet në Shqipëri, madje në plazhin më verior të Adriatikut, në Velipojë. Pak gjëra kisha dëgjuar për Velipojën dhe ato që kisha lexuar ose pare kishin të bënin për gjëra negative-jo për ndotësi, për ndonjë tel që varej nga një pemë, ose për një mbytje në det. Është shumë e çuditëshme, por shqiptarët i kujtojnë vëndet e tyre më të bukura, kur kanë diçka të keqe të thonë për to. P. sh. Bregdeti i Vlorës tregohet në televizion ose në gazeta kur Rama jep urdhër të shëmbet ndonjë ndërtesë të paligjëshme ,kur bëhet ndonjë vrasje makabre dhe, sikgurisht kur bëhet ndonjë grabitje ose ndonjë aksident rrugor ose detar. U fol për Ksamilin se shumë pushues po ktheheshin mbrapsht se nuk gjenin ndonjë dhomë ose hotel për të pushuar, por u fol vetëm me sy kritik se si po lodheshin pushuesit që nuk gjenin vend dhe nuk u tha asgjë se si sa pushues të tjerë, vendas dhe të huaj kishin vërshuar në bregdetin e mrekullueshëm të Ksamilit!
Patjetër nuk duhet të heshtet kur ndeshemi me dukuri negative, sidomos në plazhet e bukura shqiptare. Por, nga ana tjetër, nuk kishim dëgjuar asnjëherë të na nxisnin, të lavdëronin plazhin për të shkuar nga Greqia për pushime atje, prandaj u habita pak me vendimin e shqiptarkës së re.Veçse Ana jonë u kthye e entusiazmuar si nga plazhi, nga çmimet, shërbimet ashtu dhe nga pastërtia e ujit të detit. Më foli me kënaqësi për rrugët-sidomos për tunelin që lidh Elbasanin me Tiranën, por kryesisht për ato ditë të bukura që kaloi në plazhin e Velipojës. Dhe vetë shprehte habinë se si shqiptarët nuk rekllamojnë aspak-përkundrazi i shajnë- plazhet e tyre. Duke dëgjuar vrejtjet e saj m’u kujtua se si grekët lavdërojnë çdo ditë plazhet e vendit të tyre-të gjitha kanalet televizive private u kushtojnë përditë pjesën më të madhe të “lajmeve” duke treguar se sa bukur kalojnë të huajt dhe vendasit në plazhet greke, se si zbaviten të rinjtë e çlodhen të moshuarit. Krenaria e tyre është kaq e madhe deri në bezdi, por nuk mund të mos i admirosh për kurajon dhe këmbënguljen e tyre se vendi i tyre është më i miri, më i bukuri në botë dhe le të kalojë një krizë të tmerrëshme ekonomike. Akoma dhe sërbët e “shkupjanët” krenohen me vendet e tyre që të mos flasim për Malin e zi që krekoset jo vetëm me të kaluarën por edhe për “përparimet” që ka arritur në atë cope të vogël toke me rreth gjysmë milion banorë, prej të cilëve as gjysma nuk janë malazezë të vërtetë. Dhe shqiptarët çfarë bëjnë? Shahen midis tyre, shajnë vendin e tyre, përbuzin akoma dhe historinë e vendit. Por e keqja më e madhe është se kjo nuk ngjet vetëm me shqiptarët e Shqipërisë. Ata që janë jasht kufijve shtetërore janë akoma më keq. Shqiptarët që përbëjnë afro dyzet përqind të popullsisë së FYROM, janë përçarë ndërmjet tyre, kanë formuar nja dhjetë parti dhe, kështu i japin fuqinë sllavit t’u rrijë në zverk dhe sikur të mos mjaftonte kjo, mbiu dhe fara e keqe e islamizmit ekstremit tp xhihadistëve. Në Malin e zi rreth tridhjtë mijë shqiptarë kanë njizet parti! Nga ana tjetër askush nga këta nuk shpreh dashuri ose admirim për vendin amë…Po Kosova? Atje po bëhen menjimënd gjëra për të qeshur e për të qarë. Komuniteti ndërkombëtar ndihmoi shqiptarët e Kosovës që të krijojnë shtetin e tyre demokrat, duke besuar se UÇK-ja kishte marrë armët për çlirim kombëtar. Nuk ka dyshim se shumica e luftëtarëve kishin besuar në çlirim dhe bashkim kombëtar, veçse krerët e tyre tregojnë se qëllimi i tyre ishte pushteti! Ajo që ngjet në Kosovë muajt e fundit është qesharake, madje po vertetojnë ato që thoshin shovinistët se shqiptarët nuk janë të aftë të vetqeverrisen! Ku është pare e dëgjuar që të bëhen kaq dallavere për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve? Pse me çdo kusht dhe me çdo “komplot” duhet të mënjanohet partia kryesore e vendit? Dhe si ja mban zëmra një “gjeneralit legjendar”(!!!) të UÇK-ëse të dojë të rrëmbejë kryeministrinë megjithse në zgjedhje nuk mori as dhjetë përqind të votave? Domethënë për këtë luftoi ai, për të marrë pushtetin? Por kësisoj nuk mirret por uzurpohet pushteti. Shqiptarët nuk kanë vene mend se për gjysmë shekulli popullin e qeveriste dhe e shtypte një pakicë të papërfillëshme partiakësh të cilët lane prapa tyre mallkimin e një vendit të prapambetur dhe të përçarë…
Të gjitha këto pra na brengosin. Ahmet Shqarri nuk bëri asgjë më tepër nga sa bëjnë shqiptarët në përgjithësi. Bëjnë krahasime ku gjithnjë Shqipëria del e humbur. Akoma dhe diktaturën komuniste e krahasojnë me atë të Rumanisë, Jugosllavisë ose të Kinës së Maos dhe na del se shqiptarët na qënkeshin më të këqij nga të gjithë! Pse ky vet fshikullim? Por le të kthehemi tek plazhet…Sa kemi dëgjuar për plazhin e Shëngjinit, të Velipojës, të Divjakës (për këtë dëgjuam kur ra aeroplani i drogës!) të Semanit, akoma dhe të Vlorës e më tej të Himarës dhe deri në Ksamil, akoma dhe të Pogradecit? Çfarë dime për hotelet dhe për dhomat që jipen me qera, çfarë dime për çmimet dhe për shërbimet? Për Sarandën u bë kaq zhurmë për skandalin e një nëpunësit të poshtër, por për të mirat e bregdetit sarandiot dime gjë? Shumë turistë nga Korfuzi duan të hidhen në bregun e Sarandës por ngurrojnë se kujtojnë se Shqipëria është akoma si në kohën e diktaturës? Pse ngurrojnë shqiptarët të lavdërojnë vendin e tyre? Shqipëria ka 25 vjet që quhet…demokraci, qoftë demokraci të cunguar berishiane, por njerëzit lëvizin lirisht, flasin lirisht dhe jetojnë sipas shijeve të tyre.
Më vjen keq që e them dhe një here, por kam përshtypjen se shqiptarët urrejnë vendin e tyre. Askujt nuk i hyjnë në punë krahasimet banale- ndokush do të thotë se Shqipëria ka mbetur prapa se nuk ka dërguar njeri në hënë si Amerika! Nëqoftëse vetë shqiptarët nuk do të duan vendin e tyre, askush nuk mund t’i ndihmojë dhe t’i respektojë. Shqiptarët edhe njëherë nuk kanë veçse të marrin shëmbull nga popujt fqinjë se si krenohen me vendet e tyre dhe të kuptojnë se me pëbuzje dhe nënvleftësim nuk fitohet asgjë.
Kristo Zharkalli, Athinë 22 gusht 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: KRISTO ZHARKALLIU, PËRSE SHQIPTARËT E SHAJNË SHQIPËRINË…?

Më mirë në birucë, pak bukë – thatë dhe pastaj në Shqipëri…

August 23, 2014 by dgreca

Nga Albert Z. ZHOLI/
Mora pasaportën te polici i shërbimit dhe u nisa për në shtëpi. Ato dy ditë brenda rajonit të policies më kishin tjetërsuar fare. Koha e verifikimit të dokumentave kishte zgjatur sikur të ishin qindra vetë. Polici që më dha pasaportën, jashtë natyrës së edukates sime, nuk më përshëndeti fare. Doja të fitoja edhe të qindën e sekondës për të qenë jashtë asaj biruce ku ndenja padrejtësisht 48 orë. Sa dola nga porta e policies eca me nxitim pa vënë re se ç’bëhej rreth meje. Desh u përplasa te kthesa e rrugës me një patrullë policie, që kish venë në mes tre djem 20-25 vjeçarë. Njëri prej tyre nuk m’i ndau sytë deri te kthesa. Që ishin shqiptarë nuk kisha mëdyshje, por atë që më shihte nuk e njihja. Me këto mendime mbërrita te stacioni i autobuzëve në “Sintagma.
U ula te stolat e stacionit. Ishte e diel dhe në stacion u gjend vetëm një mesoburrë, i dobët, i parruar e i veshur keq. Shqiptar duhet të jetë-thashë me vete. Hamendja nuk më gënjeu. Në xhepin e këmishës i dilte pasaporta e kuqe, që kish dale jashtë funksionit, por bashkëatdhetari im ndoshta e mbante si relikë apo për ndonjë hall-shqiptari. Rrinte ulur, me shikimin drejt përpara, pa lëvizur as qerpikët.
-Prisni njeri këtu?-e pyeta.
Ai ndenji edhe disa sekonda në atë drejtim pa lëvizur, pastaj me një ngadalsi bezdisëse, foli:
-Jo, pres veten time.
-Më fal por unë nuk lashë të kuptonit se po tallem, ju pyeta njerëzisht.
-Pse unë po tallem?-foli normalisht.
-Por, ja…
-Jo, jo zotëri, nuk po tallem. Po them një të vërtetë: Pres veten time. Nuk e di ku jam, nuk edi kush jam. Ndonjëherë harroj dhe emërin tim. Sa herë kam gjetur punë të rastit, aq emëra të rinj më kanë venë pronarët grekë. Kur harroj kush jam, nxjerr nga xhepi këtë palo pasaportë, që ka dale nga përdorimi. Rrapo Mali më quajnë, he, he(qeshi).
-Punon?
-Kam ditë pa punë. Të kisha punë të vazhdueshme nuk do të kisha kohë të harroja veten time. Papunësia t’i sjell të gjitha: të çburrëron, të verbon, të bën shurdh e ç’nuk të bën… Kam njëzetë e pesë ditë pa punë. Më pushuan se nuk kisha dokumenta. Edhe nga banesa më zbuan se nuk kisha mese të paguaja qeranë. Në Shqipëri, gruaja dhe dy fëmijët presin nga unë, po unë nga kush të pres?!
-Tani ç’do bësh?
-Ç’të bëj? Ditën kërkoj punë te Omonia, natën bredh rrugëve të Athinës të më zerë policia. U dal përpara policëve por ata kthejnë rrugë ose bëjnë sikur nuk më shohin. Më pandejnë për ndonjë drogaxhi. Kësaj ç’i thua. Kur do edhe policët nuk të kapin, kur nuk do, të gjejnë edhe në vrimë të halesë.Mos di ti ndonjë rajon policie?
-Po, tani sapo dola andej. Më mbajtën 48 orë për verifikim dokumentash., – dhe i tregova rajonin.
-Faleminderit, faleminderit shumë, më ke bërë nder. Më mirë në birucë, pak bukë – thatë dhe pastaj në Shqipëri. Të më shohin fëmijtë të paktën, të mos mendojnë ndryshe…

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Xholi, Më mirë në birucë, ne Shqiperi, pak bukë - thatë dhe pastaj, Une dhe ai

Ferdinad Cami, shqiptari parë zëvendës president i super-kompanisë L-Discovery

August 23, 2014 by dgreca

LDiscovery ka qenë e njohur si një nga kompanitë me një rritje më të shpejtë në Amerikë, e krijuar nga dy kompanitë gjigande Inc Magazine (Inc 5000) dhe Deloitte (Deloitte Fast 500)/
NGA BEQIR SINA, New York/
CHICAGO ILLINOI : Duke shfletuar directorin më të njohur në internet ZoomInfo – e cila i dedikohet më së shumti njerëzve të biznesit dhe profileve profesionale, që përfshijnë informacionin e vërtetuar tek të dhënat, e të dëshmuar në biografi, histori të punës, përkatësitë dhe më shumë, thuhet se :”Ferdinad Cami, një 33-vjeçarë shqiptaro amerikan, me origjinë nga Dibra e Madhe, i cili jeton prej vitesh në Çikago së bashku me familjen e tij, është emëruar zëvendës president i kompanisë L-Discovery me bazë në Chicago”.
Ai është i njohur mirë si një investitor dhe aktivist që ka një sukses të madh në këtë lëmi mbasi ai është i dyti në botë në krye të kësaj kompanie, shkruan Zominfo.
Si Drejtor i Shërbimeve në LDiscovery, Hosted z. Cami zhvillon mënyrat e rritjes së suksesit të LDiscovery; krijon, mban dhe ruan bazat e të dhënave, në shqyrtimin e dokumentave; dhe i plotëson ato me më të kërkuart në bazë të kërkesave të prodhimit. Ndërsa, është i njohur edhe në menaxhimin e web-faqeve në internet, ato të shërbimeve në Chicago-. Z. Cami, ka njohuri të gjerë, më të planifikuar të të gjitha platformave në internet, në skemën kCura, në bazë të dhënave; Relativitetit, Përputhja, iConectNXT / Xera, Equivio Zoom dhe një shumëllojshmëri të zonave të tjera.
Simbas ZoomInfo, thuhet se para se t’i bashkohej LDiscovery, z. Cami, ishte një analistë dhe administrator i Lartë, i web-faqes ky shfrytëzohen Baza e të dhënave dhe të dhënave në ONSITE3.
Z. Cami mori në manexhim administratën e hostedit – Relativiteti Certified “RCA” dhe u certifikua në vitin 2010 si një specialist i avancuar në SQL. Ai ka marrë një çertifikatë nga Universiteti DePaul në 2009, si një i trajnuar, dhe si një analist në sistemin dixhital mjeko-ligjor, si dhe një administrator i bazës së të dhënave, Z. Cami mori një certifikim tjetër në vitin 2008, në Access Data Certified (“ACE” ) dhe e mbylli suksesin e tij me një diplomë në Certified Examiner në 2010. Ai merr pjesë rregullisht në një shumëllojshmëri të programeve të trajnimit për të rinovuar dhe për të ruajtur aftësitë e tij kundrejt teknologjisë dixhitale mjeko – ligjore, jo vetëm në SHBA, por në bazë të dhënave në të gjithë botën.
Ferdinand Cami, i cili ka lindur, në Nju Jork,(22 gusht 1981), është i biri i veprimtarit të dalluar në SHBA, Fanol Cami, nga Dibra e Madhe, dhe nënës së tij Diana. Ai ka dy motra Rajmonda, Shkelqesa dhe vëllanë Osmanin. Ai është i martuar me shqiptare Arlinda Ahmetin dhe ka një vajzë dy vjeçare me emrin Leona.
Babai i tij Fanol Cami në një postim në profilin e tij në facebook shkruan” Djali I babit, me këtë provim ti jo që gëzove familjen tënde, po i gëzove të gjithë Shqiptaret në botë. Babin, mamin dhe mbarë familja Cami në Dibër të Madhe, dhe SHBA, se të gjithë sot krenohemi me punën tande. Gëzuar nga zemëra dhe me këtë rastë të gjithë dëshërojmë sukses të matejshme” L-Discovery :
LDiscovery është një kompani lider në zgjidhje të menaxhimit L-Discovery, duke siguruar fonde në shërbime këshilluese, dixhitale në teknologjinë më të sofistikuar në botë mjeko ligjore të quajtur AmLaw 200 – firma të ligjit, Ajo ka kooperim me më shumë se 500 korporatat, dhe agjencitë qeveritare. Themeluar në vitin 2005 dhe me seli në McLean, Virgjinia, LDiscovery është rritur shpejt në një nga kompanitë më të mëdha për përdoruesit e e-Discovery, në rangë kombëtar, me zyra në Nju Jork, Filadelfia, Çikago, Atlanta, dhe San Francisco.
Ajo është mjaft e kërkuar për përpunimin e të plotë në të dhënat e relativitetit – hosting – me zyrë edhe në Londër për të lehtësuar rishikimin e të dhënave, për të gjithë ata që banojnë brenda BE.
Simbas ZoomInfo, thuhet se para se L-Discovery, kompania në të cilën numeri 2 i saj është ky shqiptarë i amerikës, Ferdinad Cami – rekruton, trajnon dhe stafin dhe avokatët më të mirë dhe të zgjuarit, inxhinierë në industrinë, analistët të sistemit dixhital të mjekësisë ligjore, dhe përgatit profesionistët dhe mbështetësit të sistemit kombëtar gjyqësore .
Kjo kompani thotë se :Për shkak se një pjesë e rëndësishme e LDiscovery është me punonjës në pronësi, ne jemi në gjendje për të garantuar standardet më të larta të cilësisë dhe mbështetjen e klientëve. “Standardet tona kan orë mbështetëse, thonë ata duke shtuar se janë të hapur dhe operojnë në sistemin elektronikë internet . në platformën dixhitale 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, 365 ditë në vit. Ekipi ynë, thkeson L-Dicovery kombinon arsimin, përvojat, risit, dhe përkushtimin për të zhvilluar procese të reja dhe mjetet me një qëllim të njëjësimit në mendje – për ju, klientit tonë që të sigurojë, të dhënat me të sakta, e argumentuar, ato me një kosto-efektive ” shkruan eDiscovery.
LDiscovery ka qenë e njohur si një nga kompanitë me një rritje më të shpejtë në Amerikë, e krijuar nga dy kompanitë gjigande Inc Magazine (Inc 5000) dhe Deloitte (Deloitte Fast 500). Përveç kësaj, LDiscovery është një-nivel me Orange Relativiteti kompani e mirë në shërbimin me partner, ajo është një Premium i Relativitetit Hosting Partner, dhe qendra e të dhënave të saj është SSAE 16 / ISO 9001.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, Ferdinad Cami, i super-kompanisë, L-Discovery, shqiptari parë zëvendës president

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4450
  • 4451
  • 4452
  • 4453
  • 4454
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT