Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” uron të gjithë bashkatdhetarët e besimit Islam, kudo ku jetojnë, në Trojet etnike apo në Mërgatë: GËZUAR KURBAN BAJRAMIN!
Sjelltë begati, lumturi dhe harmoni për çdo familje shqiptare!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo jetojnë!
FABIO STRINATI- NJË MIK I MIRË I SHQIPËRISË

Fabio Strinati ka lindur në San Severino Marche, Itali, më19 janar 1983.
Është poet, shkrimtar dhe esperantist italian. Shkruan gjithashtu edhe aforizma.
Është autor i shumë përmbledhjeve poetike, bashkëpuntor i revistës Etnie, organ që i dedikohet popujve minoritarë. Është studiues i gjuhëve rajonale e minoritare, i thelluar në dialektin algerez, në gjuhën katalane, nëpërmjet studimit të librave të Carles Duarte i Montserrat dhe veçanërisht i gjuhës arbëreshe – minorancë etno-gjuhësore shqiptare historikisht e ngulur në Italinë e jugut dhe ishullore. Fabio Strinati është lexues studiues i pasionuar ndaj veprave të Shpend Sollaku Noè-së, dhe përpiqet të njohë shqipen dhe Shqipërinë nëpërmjet veprës së këtij autori. Në vitin 2019 i dedikon Sh.S. Noè-së disa poezi të përkthyera nga E. Salla, të botuara disa në organe, ndër të cilat edhe Dielli. Vargjet dhe shkrimet e Strinatit janë përkthyer e botuar në gjuhë të ndryshme, ndër të cilat edhe katalançja, kroatishtja, gjermanishtja, spanjishtja, gjuha bosnjake dhe shqipja.
Edhe kjo poezi e re e Fabio Strinatit i është dedikuar shkrimtarit, poetit, gazetarit dhe veprimtarit të shquar shqiptar Shpend Sollaku Noè.
DUE GIORNI D’ESTATE
A Shpend Sollaku Noé
S’affrettano le onde sul mare,
fin sulle campagne, gli alberi da frutto
l’aria carica di sale.
Nel vento, dialogano musiche,
parole incise nel pennello;
vecchie storie sotto un sole
che spella, in alto lassù e nel vuoto,
transitano nuvole, come navi
solcano il cielo nella perfezione
armoniosa e siderale, per due giorni d’estate, s’innamorano le donne.
Në dy ditë të verës
kushtuar Shpend Sollaku Noè-së
Nxitojnë dallgët mbi det,
gjer tek rrafshira e drurët e frutshëm
e ajri i ngarkuar me kripë.
Në gjirin e erës dialog melodish,
fjalë të regjistruara në penel;
histori të vjetra në diellin
që rrjep, në boshin dhe në kulmin
udhëtojnë re, si anije lërojnë qiellin në përsosjen
harmonioze yllësore,
në dy ditë të verës gra të dashurara.
Fabio Strinati
Përgatiti e përktheu: E. Salla
Apologji për komunitetin dibran në Shkodër*

Trajtimi i temave që kanë të bëjnë me popullsinë e një mjedisi janë intriguese për studiues të profileve të ndryshme, ku vend të veçantë ka popullsia e ardhur në atë mjedisqë ka të bëjë me kohën e vendosjës dhe integrimin e tyre, ku dibranët janë shëmbull i veçantë në qytetin e Shkodrës, si në të kaluarën dhe në ditët tona.

Shkruan: Nail Draga

Migrimi i popullsisë nuk është dukuri e panjohur e as kohës së re. Janë pikërisht qendrat e mëdha të cilat kanë qenë motivuese, për qytetarët e ndryshëm në sajë të zhvillimit të përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik. Në këtë aspekt në hapësirën etnogjeografike shqiptare në Veriun shqiptar, Shkodra ishte qytet i veçantë, duke qenë adresë e preferuar për popullsi të ndryshme nga areali shqiptar por dhe me gjerë.
Kujtojmë me këtë rast vitin 1479, kur qyteti i Shkodrës nga ana e Venedikasve iu dorëzu Perandorisë Osmane, me ç’rast qytetin e lëshuan rreth 1/3 e popullsisë duke u vendosur në Venedik e gjetiu. Nga ajo kohë e më pas në qytetin e Shkodrës janë vendosur popullsi nga rrethina e saj e më gjerë, duke u bërë një dekompozim antropolgjik e demografik. Në këtë aspekt si dëshmi janë rreth 400 patronime të familjeve të sotme shkodrane, të cilat dëshmojnë origjinën e tyre nga vendbanimet e rethinës apo të zonës së saj gravituese e më gjerë.Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe dibranët të cilët kanë bërë emër kryesisht në fushën e ndërtimit, duke qenë sinonim i kësaj veprimtarie.
Lidhja e dbranëve me shkodranët nuk është e kohës së re, ajo është e hershme, duke filluar nga mesjeta e më pas. Dhe nuk kishte si të ishte ndryshe, sepse Shkodra si qyteti kryesor i Veriut shqiptar, ishte qendra e zhvillimit ekonomik e shoqëror, politik e ushtarak. Shkodra ishte qyteti i shqiptarizmës, ku merreshin vendime të mëdha, ku hartoheshin peticionet dhe memorandumet, mblidheshin patriotët e zonave veriore e verilindore. Qëllimet e përbashkëta për çlirim e bashkim kombëtar i forcuan në vazhdimësi lidhjet e tyre.
Kujtojmë me këtë rast ndihmën e dibranëve në mbrojtje të kufinjëve verior në hapësirën etnogjeografike shqiptare në vitet 1879 e 1880 në luftërat për mbrotjën e Plavës(Nokshiqi), pastaj në Grudë(prill 1880) e përfundimisht në mbrojtje të Ulqinit(nëntor 1880).Ndërsa në mënyrë veçantë duhet cekur angazhimi i tyre në mbrojtjën e Shkodrës(tetor 1912-prill 1913) kundër malazezëve e serbëve, duke mbetur shëmbull i ndihmës vëllazërore për misionin e çlirimit edhe të bashkimit kombëtar.
Angazhimi i dibranëve në mbrojtje të trojeve shqiptare në regjionin e Shkodrës nuk mbeti me kaq, sepse u dëshmuan në mbrojtje të Dibrës në vitin 1912, nga pushtuesit serb. Kemi të bëjmë me kohën e luftërave ballkanike, ku aleanca ortodokse ballkanike si mision kishte pushtimin e territorëve shqiptare. Dhe gjatë kësaj lufte dibranët ndonëse treguan heroizëm në mbrojtje të atdheut, ata përjetuan gjenocid nga pushtuesit serb, dhe nga një gjendje e tillë u detyruan të shpërngulën ne mjedise të tjera të Shqipërisë si në Tiranë, Elbasan e gjetiu.
Ndërsa më pas dibranët përjetuan tragjedinë e përcaktimit të kufinjëve nga ana e Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, ku hapësira dibrane u nda në dy pjesë. Kështu nga vendimi i tillë Dibra (qyteti) iu dhurua Serbisë, ndërsa pjesa tjetër e zonës rurale u përcaktu të mbetëjnë Shqipëri. Ishte ky një veprim kriminal i kësaj konferencë me pasoja kombëtaredhe nga ajo kohë u paraqit emërtimi tjetër Dibra e vogël, për Peshkopinë, që më vonë bë qendër e re për këtë regjion.
Në vazhdën e migrimeve të popullsisë nga viste e tjera shqiptare në qytetin e Shkodrës, vend të veçantë zënë dibranët e ardhur në fund të shek.XVIII dhe në fillim të shek.XIX e më pas. Ata zunë vend në disa lagje të qytetit, por disa qindra çadra dibranësh u vendosën në një vend, që në atë kohë u quajt “Sheshi i dibranëve”,të ish Fusha e Çelës. Dibranët e ardhur në Shkodër kanë origjinën nga fise e fshatra të ndryshme nga Dibra e Madhe dhe Gollaborda. Ata duke qenë me origjinë të përbashkët duke punuar së bashku me kohë humbën mbiemrin e tyre familjar por më pas u identifikuan me mbiemrin e përbashkët Dibra, duke iu mbetur trashëgim deri në ditët tona. Por, në këtë aspekt ka edhe përjashtime, se disa familje mbajnë ende mbiemrat e mëhershëm, duke i mbetur besnik trashëgimisë familjare.
Po ashtu duhet cekur se në kuadrin e popullsisë dibrane që janë vendosur në Shkodër, bëjnë pjesë edhe shqiptarët e komunitetit ortodoks nga Reka e Epërme e Dibrës. Kujtojmë me këtë rast familjen e poetit Migjeni, përkatësisht gjyshin e tij muratorin Nikolla Dibrani që ishin vendosur në Shkodër në pjesën e dytë të shek.XIX.
Migrimi i popullsisë dibrane dhe vendosja e tyre në Shkodër e gjetiu është bërë kryesisht për shkaqe ekonomike, sociale si dhe mungesa e infrastrukturës. Dibranët me veprimtarinë e tyre kanë qenë të dalluar si mjeshtër në ndërtimtari, zejtari e tregti. Madje profesioni i ndërtimtarisë u bë sinonim i dibranëve të ardhur në Shkodër, ku si dëshmi janë objektët e ndërtuara, që ishin model për kohën. Ndërtimet që ato kanë lënë ruajnë kujtimet mjeshtërore, artistike e estetike të shumë objektëve që jetojnë deri në ditët e sotme. Dibranët me mjeshtri ndërtonin banesa të tipave të ndryshme, ura, kisha, manastire, xhami, teqe, hamame etj. Ata punonin skalitjen e gurit, përfundonin çatitë e banesave, prodhonin dyert, dritarët, portat, divanët, musandrat, tavanet e drurit etj., duke qenë vepra artistike për kohën dhe në ditët tona.
Dibranët Shkodrën nuk e kishin zgjedhur rastësisht, sepse ajo nga shek.XVIII-XIX kishte marrë hov në zhvillimin e përgjithshëm ekonomiko-shoqëror por edhe kulturor duke u bërë qëndra kryesore në Veriun shqiptar. Dhe në rrethana të tilla shoqërore, Shkodra ishte bërë qendër gravituese për popullsinë e rrethinave, por edhe më gjerë, sidomos për profesionet e ndryshme ku fusha e ndërtimit ishte në vend të parë. Dibranëve të ardhur në Shkodër, më pas iu janë bashkangjitur edhe të tjerë, duke formuar komunitetin e tyre që nderohej nga shkodranët, në sajë të punës, qendrimit dhe raportët shoqërore me popullsinë vendase.
Sot shkodranët me prejardhje dibrane përbëjnë një nga komunitetet më të mëdha të ardhur në Shkodër krahas Bushtlinjve dhe Kranjanëve, autorja e dëshmon më të dhënën nga regjistri zgjedhor në zgjedhjet lokale në Shkodër në vitin 2011, ku në listën zgjedhore, pas atyre me mbiemrin Bushati, numri i zgjedhësve me mbiemrin Dibra ishte në vendin e dytë. Po kështu në shkallë kombëtare mbiemri Dibra zë vendin e 9 në mes 100 mbiemrave me të njohur në Shqipëri, duke lënë pas mbiemrin Bushati(vendi 31) dhe Kraja(vendi 14), që në Shkodër janë në numër më të madh se mbiemri Dibra.
Mbiemrin Dibra, si patronim familjar, përveç në Shkodër e kemi të pranishëm edhe në Anë të Malit, Ulqin e Tivar, nga del se ata ishin me origjinë nga ajo zonë, që këtu janë vendosur nga shek.XIX e më pas. Duhet thënë me këtë rast se mbiemri Dibra, është shkruar në origjinal, pa prapashtesën sllave-viq, sikurse ka ndodhur me mbiemrat e familjeve tjera shqiptare. Mbetet të hulumtohet për mundësinë e vazhdimësisë se lidhjeve e kontaktëve të tyre me dibranët e Shkodrës, ku ishte vendosur numri më i madh i tyre, që janë të pranishëm edhe në ditët tona.
Nocioni i mjeshtrisë së dibranëve, nuk ishte i lokalizuar dhe i njohur vetëm në qytetin e Shkodrës, por më gjërë në zonën e saj gravituese si në Anë të Malit, Krajë e Ulqin, sepse deri në Luftën e Dytë Botërore, mjeshtritë dibranë kanë qenë të pranishëm në ndërtimin e objektëve të banimit edhe në këto mjedise, duke mbetur në kujtesën e popullsisë si punëtor e mjeshtra cilësor. Duhet cekur me këtë rast se për për profesionin e ndërtimtarisë, emërtimi mjeshtër u zëvëndësu me sinonimin dibranë, që ishte i rrallë për atë kohë që vazhdon edhe sot në këtë regjion.
Dibranët e ardhur në Shkodër me kalimin e kohës u integruan në jetën e këtij qyteti,duke bërë lidhje martësore apo bashkëpunime të ndryshme me shkodranët. Ishte ky një proces i natyrshëm, në mjedisin e ri, duke u vazhduar edhe në vitët vijuese, në sajë të respektit të ndërsjellë në qytetarinë shkodrane.
Autorja librin e ka konceptuar ne katër kapituj, ku përveç të dhënave për disa fise dhe familje dibrane në Shkodër, pjesa kryesore ka të bëjë me kontributin e dibranëve për Shkodrën në fushat e ndryshme si ndërtimi, shkenca, arsimi,shëndëtësia etj., duke evidentuar persona të ndryshëm të fushave përkatëse, që paraqet një leksikon me interes jo vetëm për dibranët në veçanti por edhe për qytetarët e Shkodrës në përgjithësi, duke qenë pjesa më e rëndësishme e këtij botimi.
Dhe në fund duhetë thënë se autorja e librit“Dibranët e Shkodrës”, ka bërë një punë me vlera të mëdha njohëse për komunitetin e dibran në Shkodër, duke iu kujtuar se origjina e çdo individi apo familje mbetet çështje jo vetëm personale por është pjesë e kujtesës historike, si kudo në vendet e qytetëruara.
Nuk ka dilemë se një botim i tillë është më vlera shoqërore jo vetëm për qytetarët e Shkodrës, por për të gjithë ato të cilëve iu intereson mozaiku i popullsisë së vendosur në Shkodër, andaj si i tillë mund të shërbejë si model edhe për qytete të tjera në hapësirën etnogjeografike shqiptare.
(Korrik 2020)
* Zenepe Dibra, DIBRANËT E SHKODRËS, Botoi:”Shkodra”, Shkodër, 2019
Kosova në 24 orë 16 humbje jete nga pandemia

-Në Kosovë 16 humbje jete nga pandemia në 24 orë, më i madhi numër deri tani. Numri total i rasteve pozitive është 8.104 nga 36.050 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 196 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri sot është gjithsej 4.463 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.429/
PRISHTINË, 30 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë numri i jetëve të humbura nga pandemia në 24 orët e fundit është 16, më i madhi deri tani, sipas raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, i cili sot raporton për gjithsej 212 raste të vdekjes derisa dje bilanci i përgjithshëm ishte gjithsej 196 – pas 4 rasteve në 24 orët paraprake.
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 480 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 258 raste pozitive.
Raportohet se, numri total i rasteve pozitive është 8.104 nga 36.050 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 212 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 196 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 4.463 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.429.
Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 53 raste, komuna Pejë 28 raste, komuna Gjilan 24 raste, komuna Ferizaj 18 raste, komuna Fushë Kosovë 15 raste, komuna Podujevë 15 raste, komuna Viti 13 raste, komuna Gjakovë 12 raste, komuna Prizren 12 raste, komuna Vushtrri 11 raste, komuna Lipjan 9 raste, komuna Mitrovicë 9 raste, komuna Dragash 7 raste, komuna Skenderaj 6 raste, komuna Drenas 4 raste, komuna Malishevë 3 raste, komuna Shtime 3 raste, komuna Deçan 2 raste, komuna Istog 2 raste, komuna Kamenicë 2 raste, komuna Klinë 2 raste, komuna Kllokot 2 raste, komuna Obiliq 2 raste, komuna Suharekë 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Han i Elezit dhe Rahovec.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës apelon:
Të nderuar qytetarë!
Virusi është kudo! Ju lutemi përmbajuni rekomandimeve!
Virusi vret!
Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.
BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!
Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.
Vendimet e Qeverisë duhet të zbatohen dhe janë garancë për uljen e lakores. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve.
Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.
Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve.
Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe maskat!
Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda!
Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm!
Ju lutem të keni kujdes, sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve!
NE PO PUNOJMË PËR JU, ANDAJ NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!
Ju faleminderit për mirëkuptim!
FLET PER GAZETEN DIELLI NGA STAMBOLLI DR.BELISA KALECI(PILAFI)

SHQIPTARËT NË STAMBOLL DHE TURQIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19-

Dr. Belisa Kaleci (Pilafi) lektore dhe kërkuese shkencore në Fakultetin i Mjekësisë Cerrahpaşa në Departamentin e Histologjisë dhe Embrijologjisë në Stamboll, Turqi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, rreth zhvillimeve më të fundit të pandemisë globale nëTurqi dhe sidomos gjëndjen e komunitetit shqiptar në Stamboll. Me Dr. Belisa Kaleci (Pilafi)bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

TURQIA NË BETEJËN NDAJ COVID -19
Sipas të dhënava të fundit publikuar nga Ministria e Shëndetësisë numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus është 228.924. Një total prej 212.557 pacientësh, nga të cilët 1.092 i përkasin vetëm 24 orëve të fundit janë shëruar dhe janë larguar nga spitalet që nga fillimi i pandemisë. Ndërkohë nga 1.280 pacientë që trajtohen nën kujdes intensiv, vetëm 403 prej tyre janë të intubuar.Gjithashtu ditën e fundit nga45.712 teste të kryera vetëm 942 kan rezultuar pozitivë. Përsa i përket numrit të vdekjeve kemi një total prej 5.659rastesh nga nga të cilat 14 i përkasin 24 orëve te fundit.Referuar statistikave të ministrisë, Turqia aktualisht renditet e 6-ta në botë për numrin më të vogël të të prekurve në çdo 1 milion banor dhe e 4-ta për numrin më të ulët të vdekjeve në1 milion banorë. Përsa i përket shpejtësisë së rritjes së rasteve aktualisht duket në rënie. Mund të thuhet se Turqia ka qenë e sukseshme në menaxhimin e situatës falë shërbimit shëndetësor cilësor edhe strategjive për menaxhimin e situates si: Për të parandaluar përhapjen në kulmin e pandemisë zgjodhi skemën e veçantë të izolimit social duke përfshire grup moshën nën 18 vjeç të klasifikuar si supër mbartësit ( pa simptoma) dhe izolimin e moshës mbi 60 vjeç si grup më vulnerabël. Qeveria ka pasur reagim të shpejtë duke rritur kapacitetet pritëse të spitaleve shtetërore gjithashtu në skemën emergjencës qeveria ka përfshirëedhe një numër të madh spitalesh privategjë që ka bërë të mundur mbajtjen e situatës nën kontroll.
STAMBOLLI SOT
Pavarsisht se mbart rreth 46% e të gjithë rasteve të konfirmuara pozitivë, jeta në Stamboll por edhe Turqi sot dukete se i është rikthyer normalitetit. Por duhet theksuar se flasim për normalitet të ri pas pandemisë. Një realitet ku maska është detyrim ligjor dhe respektimi i rregullave të higjenës dhe distancës sociale falë mesazheve sensibilizuese tëMinistrisë së Shëndetësisë dhe mediave duket se po rrënjoset në ndërgjegjen e qytetarëvë.
KOMUNITETI SHQIPTAR NË TURQI
Statistika të të infektuarve shqiptarë në Turqi nuk ka në dispozicon por nga komunikimet që kemi komuniteti shqiptar nuk ka shumë te prekur. Në Turqi jetojnë nje numër i madh studestësh shqiptar të cilët pas mbylljes së universiteteve dhe kalimittë mësimit online janë larguardrejtë Shqipërisë.
PASOJAT QË KA LËNË COVID-19
Ndoshta pasojat në shëndetin mendor do i shikojmë më qartë në periudhën në vazhdim por diçka është e sigurt qëCovid-19 ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën tonë tëjetesës. Ka ndryshuar mënyrën se si sillemi me të afërmit, miqtë, fqinjët, kolegët. Ka ndryshuar mënyra se si bëjmë pazarin apo edhe si pimë kafen. Pjesa më e madhe e punëve tashmë po kryen nga shtëpia. Tani veç mësimit edhe praktikat po i kryejmë online. Po shkojmë drejtë një realiteti dhe normaliteti të ri të mirat dhe pasojat e të cilit do na i tregojë koha.
PËRJETIMI SI MJEKE NË BETEJËN NDAJ COVID-19
Si mjeke në shkencat bazë nëfillimet e pandemisë mendova se pozicioni im është larg në luftën ndaj Covid-19. Dhe përballjen e vërtetëe pata kur mora propozim nga një kolege për të bërë një studim në lidhje me Covid – 19. Ndjeva dëshirë, emocion por edhe frikë. Megjithatë për as një moment nuk ngurova dhe për ditë të tëra kam jetuar në laborator me Covid- 19 me shpresën dhe detyrimin si mjeke për të bërë diçka përballësëkeqes.
MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA
Të nderuar lexues situata duhet vlerësuar, të jemi tëkujdesshëm për vete, familjen dhe njerëzit që na rrethojnë. Mbajtja e maskave dhe respektimi i distacës sociale nuk na bën frikacakë por na bën më të ndjeshëm dhe më me respekt për jetën tonëedhe të tjetrit. Shumë prej nesh sot mund të mos e ndjenë veten grup risku dhe regullat mund t’ju duken të tepruara por të mos harrojmëse pakujdesia jonë mund të bëhet shkak për humbjen e jetës së tjetrit. Mbajtja e maskave dhe respektimi i rregullave e distancës sociale është edhe altruizëm. Të mos harrojmëse Covid-19 nuk mund të jetë më i fuqishëm se masat që ne mund të marim kundër tij. Ju uroj ditëplotë shëndet.
KUSH ËSHTË DR. BELISA KALECI (PILAFI)

Dr. Belisa Kaleci (Pilafi) është diplomuar si mjeke stomatologe në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në 2010. Në vitet 2012-2018 ka qenë studente me kohë të plotë në Programin e Doktoraturës pranë Universitetit të Stambollit, Instituti i Shkencava Mjeksore, Departamenti i Histologjisë dhe Embrijologjisë. Nga 2018 pas marjes së titullit Doktor Shkencash (PhD) dhe aktualisht është lektore dhe kërkuese shkencore në një ndër fakultetet më me emër të Turqisë, Fakulteti i Mjekësisë Cerrahpaşa në Departamentin e Histologjisë dhe Embrijologjisë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 447
- 448
- 449
- 450
- 451
- …
- 5724
- Next Page »