Nga Marjana BULKU/ New York/
Festat familjare mbartin gjithmonë gëzimin dhe emocionin e takimeve të përmallta me miq të familjes, të njohur dhe të panjohur. Po po , të panjohur, sepse ndodh që edhe pse të një gjaku të mos njihesh. Tingëllon apsurde në fakt,por apsurdi e pushton shpesh botën tonë reale që e mbështjellë me këtë lloj tisi ,bëhet e huaj, e largët e ftohtë , si ndonjë planet tjetër që pret ta shkelësh edhe pse nuk guxon dot me kërshërinë e një fëmije që nuk rritet dot atje larg pa rrëfimet e largëta të gjyshes…
Nuk më kishin munguar ato,,,më rrëfenin ende që ja :” ajo kodra e gjelbër atje që duket më mirë nga këtu , kur është natë dhe dritat atje vezullojnë më fort,,,ishte Shqipëri, flitet ende shqip, kemi shumë të afërm atje,por nuk i njohim, nuk na njohin,nuk mund ti shohim sepse…
Arsyjet nuk i kuptoja dot, isha vetëm një fëmijë,por rrugën për të parë dritat që vezullonin Dibrën e Madhe e gjeja lehtësisht, nuk di pse kisha mall, dëshirë ,kureshtje për të njohur atë pjesë tonën të familjes që dukej kaq e përgjysmuar…dhe vetëm me ca vezullime të largëta dritash më shfaqte emra pa imazhe, Remzi, Ismet,Sofi, Kujtime….e plot të tjerë emra.
Duke udhëtuar drejt Staten Island, New York, në një gëzim familjar m’u duk se do” zbuloja” atë”botë” të panjohur të familjes që prej dekadash jeton këtu në SHBA dhe pjesërisht atje në Dibrën maqedonase. Nuk isha më ai fëmija i vogël me kujtesën brilante,por kërshëria ime kishte mbetur ende fëmijë . Salla është plot dhe gëzon e tëra duke festuar dibrance ardhjen në jetë të dy vogëlushëve binjakë. Ritme të njohura muzikore, hapa të njëjtë vallesh, veshje të bukura plot shije e delikatesë, burra që i nderojnë dhe respektojë gratë, për pak m’u duk se jam në Dibrën e përtej kufirit të cilën që prej pas viteve 90 -të e vizitonim shpesh…
Akujt e distancave ,ngrohtësia e gjakut të përbashkët i shkrin lehtësisht, jemi ata të Dibrës së Shqipërisë dhe kaq mjafton për tu shtrënguar,përqafuar, pyetur … Këtu rrëfimet e gjyshërve dhe prindërve vlejnë,,,nuk ke nevojë pyesësh për emrat kur din historitë për ta, nuk ke nevojë të dish e kujt është Marjana, ajo i ngjan kaq shumë Sofijes, Kizes dhe ata të rrethojnë me pyetje, dashuri ,mall, edhe lotë.
Stërgjyshja, gjyshja, nëna e tyre Sofi ishte martuar në Dibër , që më pas ishte e andej kufirit dhe kur kishte ndërruar jetë , i kishin ”zgjedhur” si banesë të fundit një copë vend nga ku Zerqani, vendlindja e saj dukej qartazi…madje edhe varret e nënës , babait, njërit vella,,,ndërsa tjetri, ah tjetri në Norvegjinë e largët…E kaluara jonë ka kaq shumë padrejtësi saqë duket se na ka paralizuar të ardhmen. Të flasësh për të këtu do të thotë të mos shijosh asgjë nga ky organizim i bukur dhe i kushtueshëm që është realizuar me kaq shumë punë. Por e ndjen thellë se ajo është aty në këtë sallë, ka shtegëtuar me ne, shtegëton me ne, atje,këtu, gjithmonë.
Nuk kishim kohë të pëfshiheshim në biseda të largëta në kohë, as të pëloteshim për njerëz që i kemi larg,ka kaq shumë gjallëri,rini, bukuri dhe freski ,saqë pyetjet rreth këtij brezi të tretë që po rritet këtu nuk mbarojnë kurrë…
Dibranët festojnë bukur, dhe kur lindin fëmijë bëjnë dasëm ku traditat e veshjes,gatimit, arredimit, higjenës shembullore,respektimit të tjetrit ,duket se nuk shuhen asnjëherë.
M’u duk se kalova një mbrëmje atje te vendi ku pasi binte nata dhe dritat ndizeshin ,unë ”takoja” ata që dikur ishin mister me emra të përvetshëm ,,,ndërsa tani, mes tyre këtu në Amerikë, ata janë kaq të afërt ,kaq të dashur, kaq të pandashëm nga ne. E kaluara që na ndante kur ishim vetëm 30 minuta larg dhe gëzimi që na bashkoi këtu në Amerikën e largët, sa afër janë ndonjëherë: një cast meditimi,një akt reflektimi,një valle gëzimi dhe një takim paharrimi!
Marjana BULKU (korrik 2014)
“MONSTRA” DHE…LOGJIKA E NJË “MESELEJE”
Rasti “Monstra” si paralele me atë vakinë a meselenë politike (shqiptare) të viteve gjashtëdhjeta, gjegjësisht me demonstratat e Tetovës të motit 1968/
Nga Fadil LUSHI/ Tetovë/
Secili prej nesh, që do të bëjë përpjekje ta anashkalojë paralelizmin logjik mes protestave paqësore që u organizuan në Shkup e gjetiu (po edhe me ato që do organizohen edhe në të ardhmen.., si “kundërpërgjigje gjykimit të montuar” ku gjashtë shqiptarë u dënuan me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”), me atë vakinë a meselenë politike (shqiptare) të viteve gjashtëdhjeta gjegjësisht me demonstratat e Tetovës të motit 1968, besojmë se që në fillim do të zhgënjehet dhe do të gabohet. Jo pse do t’i mungojnë provat, jo pse do i mungojë kujtesa pamore a edhe ajo dëgjimore, jo pse që në fillim do ngatërroj folkpatriotizmin me nocionin e atdhetarisë, jo pse do ngatërroj kohën e tashme me atë të kaluarën, por pse do “ngaterrohet” me patetizmin dhe subjektivizmin e tij.., pavarësisht se protestat paqësore në Shkup dhe gjetiu (sikur) që në fillim nisën paksa së prapthi.., me një “skenografi” që pak fare kishte të përbashkët me shqiptarë.., me pankarta të shkruara në alfabetin arab, me flamuj të shteteve të huaja, me ato brohoritjet.., me pjesëmarrjen e ca njerëzve të dyshimtë e tjerë. Parashtrohet pyetja, pse fillimisht, protestat nuk kishin Këshill Organizativ Koordinues dhe as kryesues.., pse që në fillim nuk i kishin të definuar qartë kërkesat e tyre, pse që në fillim nuk u akuzuan drejtëpërdrejtë individë a parti politike shqiptare po edhe maqedonase. Pse dikush, me aq “vonesë, deshi t’u dal zot” këtyre protestave sa humane, ligjore po aq edhe emancipuese.., pse filozofisë dhe moralit të këtyre protestave (mbase nuk ishin protesta mëhallash) që në fillim i’u vu kleçka, a mos vallë kjo u bë qëllimisht.., dhe atë për një “palë opinga allafrënga e të fëlliqura!?”. Me vazhdimin e protestave, do punë do fillojnë të “sqarohen dhe definohen paksa më ndryshe”, me çka edhe do të formohet Këshilli organizativ me kryesues. Ky këshill organizativ koordinues (me të drejtë) do të paraqes këto kërkesa:
1. “Shpallja e të dënuarve të “Monstrës” për të pafajshëm dhe lirimi i menjëhershëm i tyre..,
2. Shkarkimi i menjëhershëm i prokurores dhe gjykatës përgjegjëse për rastin “Mo-stra” dhe ndjekja e tyre për keqpërdorim të detyrës..,
3. Dorëheqja e ministres së punëve të brendshme për shkak të..,dhe,
4. Lirimin e menjëhershëm të gjithë të arrestuarve në protestat në Shkup dhe Tetovë.., derisa nuk plotësohen këto kërkesa protestat nuk do ndërpriten deklaruan organizatorët”. Në këto “kërkesa” çuditërisht nuk do të përmenden dhe nuk do të akuzohen lidershipët e as partitë politike shqiptare, qofshin ato në pushtet a në opozitë. Për ç’arsye nuk u “përgojuan” ne këtë nuk e dijmë!?
Meqenëse kanë kaluar shumë vite nga meseleja, e cila për kryefjalë kishte demonstra-tat e Tetovës të vitit 1968, nuk mund të përjashtohet mundësia karshi ndërtimit të një paralelizmi logjik me protestat e Shkupit. Ne besojmë, se në këtë paralelizëm ka arsye, pavarësisht se ato në aspekt të organizimit ndodhën në periudha të ndryshme kohore. E para do të ndodhë në hapësirat e ish Jugosllavisë dhe e dyta në ato të Republikës a shtetit të Maqedonisë. Demonstratat e Tetovës, me 22 dhe 23 dhjetor të vitit 1968 (me plotë të drejtë), do të karakterizohen me tre palë histori.
me atë të lavdatës
Kjo Histori e lavdatës do të shkruhet nga vet organizatorët dhe pjesëmarrësit e saj.., nga kryeorganizatori i këtyre demonstratave gjegjësisht nga studenti nga Beogradi, Faik Mustafa (i cili, do të dënohet me 5 vjet heqje lirie). Mandej do të dënohen edhe këta atdhetarë: Memetriza Gega, Beqir Berisha, Ramadan Sinani, pedagog i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Ismail Memeti, pedagog i Gjuhës dhe Letërsisë Agleze, Hysnixhevat Kalishta, Abdylselam Selami, Abdylmenaf Rustemi (i dënuar bashkë me babain e tij edhe në Shqipëri) Abdulla Kalishta, Abdulla Jusufi, Dr. Mahmut Bajraktari, Dr. Harun Jakupi, Salajdin Hyseini dhe shumë tetovarë të tjerë. Në Shkup do të dënohet Sejdi Kryeziu 5 vjet, në Strugë Irfan Vllashi, Tosun Roçi, Syria Qura. Në Kërçovë Sali Ramadani, në Gostivar Imer Imeri dhe të tjerë nxënës nga Tetova, të cilët do të burgosen dhe më vonë edhe do të përjashtohen nga gjimnazi “Kiril Pejcinoviq”: Islam Beqiri, Rafi Halili (i cili më vonë do të dënohet bashkë me nënën dhe motrën me gjithsej 17 vjet heqje lirie), Hamit Saliu, viti i tretë, Ahmet Zeqiri, maturant, Rexhep Hasani, maturant, Sefedin Halimi dhe Fadil Lushi.
me atë të akuzës
Demonstratat e vitit 1968 nga ana e pushtetmbajtësve do të perceptohen si…” armiqësore dhe me kërkesa irredentiste për bashkim politik të shqiptarëve në Jugosllavi, për bashkim me Kosovën…” me shtetin amë si dhe me trojet tjera me frymëmarrje shqiptare, me të vetmin qëllim për të krijuar Shqipërinë natyrale. Përkundrazi, demonst-ratat e Tetovës të vitit 1968, ishin thjesht shprehje apo rezultat i një akumulimi të dufit shqiptar ndaj padrejtësive që i bëheshin.
c) me atë të harresës..,
Kjo do të duhet të jetë historia më e dhimbshme e demonstratave të vitit 1968, pasi që nga historianët tanë paksa më të moshuar, fare pak është diskutuar dhe trajtuar si pjesë a një kaptinë e veçantë e trashëgimisë sonë kombëtare. Është një ngjarje, që dita-ditës humb shkëlqimin, duke kaluar në pronësi të harresës sonë kolektive. Është një ngjarje që thjeshtë do të dehumanizohet dhe deemancipohet. Një ngjarrje që do karakterizohet me një retrospektivë të lavdishme, por po aq edhe të dhimbshme të popullatës shqiptare këtej Shqipërisë politike.
Që të jemi korrekt deri në fund ndaj të vërtetës të të dënuarve shqiptarë (dënime këto që dolën nga proceset në fjalë, ku u dënuan më shumë se 100 demonstrantë), do na duhet të themi se asnjëri prej këtyre të dënuarve të lartëpërmendur, asnjëherë nuk ëndërroi karrierën politike, po as që përfitoi dot gjë në aspekt social.., në aspekt material as që bëhej fjalë. Në vend të këtij “përfitimi ata hëngrën kokat e tyre?”. Kemi përshtypjen, se edhe protestat paqësore të Shkupit po edhe demonstratat e Tetovës të vitit 1968, gjithësesi se kanë një të përbashkët, atë kërkimin e lirisë së vonuar, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, kanë pjesën e errët të tyre, ku njerëz të sëmurë për karrierë politike do t’u vardisen dhe ashtu pamëshirshëm do ua denigrojnë moralin dhe filozofinë e së vërtetës kolektive. Nëse do të na lejohet, ne në fund të këtij vështrimi gazete, do të parashtrojmë një “pyetje hipotetike”: A mos vallë në këtë verë përvëluese a edhe në një të ardhme të afërt, protestat e Shkupit (nuk) do t’i harrojmë (si ato demonstratat e Tetovës), a mos vallë (nuk) do t’i keqpërdorim(n), a mos vallë, nga ato (nuk) do të “prodhojm(n)ë” ndonjë parti të re politike shqiptare, këtu në Shkup, në Tetovë dhe rreth e rrotull saj!? Ku ta dijë njeri, po mbase ka njerëz që janë në dijeni të kësaj. Mendimtari grek, Pitagora, dikur kishte thënë: “Lojrat olimpike, zakonisht frekuentohen nga tre lloj njerëz: nga garues, nga spektatorë dhe nga tregtarë” flamurësh.., hajt, mos të themi edhe nga profiterë politikë!?
A VLEN MORALI NË POLITIKË ?
Nga Eugjen Merlika/Itali/
Në panoramën tepër të trazuar të ngjarjeve ndërkombëtare të këtyre ditëve, kur temperatura politike rrezikon të arrijë pikën e vlimit në zonat nevralgjike të Lindjes së Mesme, lajmi që befason më shumë e që të detyron të përsiatësh gjatë, për të veçantën e tij, edhe pse nuk përmban jetë njerëzore të asgjësuara barbarisht, është njoftimi për shtypin, i datës 10 korrik, i zëdhënësit të Kancelares gjermane, Stefen Seibert, mbi kërkesën drejtuar shefit të CIA-s në Berlin, për t’u larguar nga territori i shtetit gjerman. “Kërkesa është paraqitur – tha ai – në dritën e hetimit në vazhdim të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të çështjeve të ngritura prej muajsh në lidhje me veprimtarinë e Shërbimeve të fshehta amerikane në Gjermani.”
Njoftimi na kthen mbrapa në kohë, kur Evropa ishte e ndarë në Lindje e Perëndim, kur të tillë ishin lajme të zakonshme, të cilët nuk përbënin më as lajm. Është e para herë në historinë e Evropës së mbas luftës së dytë botërore, që një dukuri e këtillë shfaqet ndërmjet dy Vendeve kryesore të NATO-s. Njoftimi, më shumë se një rrufe në qiell të kthjellët, ishte një ripohim i një proçesi sa të habitshëm aq dhe shqetësues në marredhëniet mes aleatëve perëndimorë, ndërmjet dy më të rëndësishmëve të tyre. Habia rrjedh nga fakti se përballohemi me një fakt, deri para më pak se një viti të padëgjuar, atë të përgjimeve të shërbimeve të fshehta në vetë NATO-n, ndërmjet Vendeve të saj.
Kur në tetor 2013 u bë e njohur se edhe telefoni vetiak i Kancelares gjermane, Angela Merkel, ishte nën kontrollin e shërbimeve të fshehta amerikane, goditja psikologjike për cilindo që i ka besuar vlerave të botës perëndimore, sidomos për ata shumë milionë që jetonin në anën tjetër të “perdes së hekurt” ishte me të vërtetë e madhe. Atëherë Presidenti Obama u mundua t’a mbulojë me një tis parëndësie dukurinë skandaloze, duke premtuar solemnisht se ajo ishte një “incident i rastit”, që nuk kishte peshë në marredhëniet mes dy Vendeve e që nuk do të përsëritej më. Kanë kaluar vetëm dhjetë muaj e në Gjermani arrestohen dy vetë që punojnë në shërbimet e fshehta gjermane e që paditen se kanë dhënë dokumenta atyre amerikane. Pra çështja vazhdon të ketë zhvillimet e veta, ashtu siç ndodhte më shumë se njëzet vite më parë ndërmjet BS dhe Vendeve të NATO-s.
A është praktikë normale e punës së shërbimeve të fshehta veprimtaria e tyre ndërmjet aleatëve ? Fakti se në dhjetë muaj nuk u bë asgjë për të shmangur dukuri të tilla në marredhëniet mes SHBA dhe Gjermanisë, vërteton se konsiderohet e tillë, së paku nga ana amerikane. Më e pakta që mund të thuhet në lidhje me këtë dukuri të pazakontë është se ajo mbjell farën e mosbesimit ndërmjet aleatëve, me një dëm shumë të madh, jo vetëm për funksionimin e Aleancës, në të cilën bëjmë pjesë edhe ne, por edhe për pasojat që do të ketë në rrëzimin e disa bindjeve, të ngulitura thellë mbi etikën dhe moralin e politikës.
A mos vallë mosbesimi ndaj disa aspekteve të politikës gjermane, si kundërshtimi ndaj ndërhyrjeve në Irak apo në Libi e një lloj përparësie marredhënieve gjermano-ruse kanë krijuar tek Administrata amerikane idenë se aleati evropian nuk është më i besueshëm ? Nëse ishte kështu a nuk mund të diskutoheshin këto probleme ndërmjet drejtuesve të shteteve, në frymën e mirëkuptimit e të besimit të ndërsjelltë, pa vënë nën kontroll telefonin e Kancelares gjermane e pa rekrutuar si agjentë punonjësit e shërbimit të fshehtë t’atij Vendi ?
Thuhet se në Uashington janë tepër të habitur e të zemëruar me veprimtarinë e shërbimeve të fshehta. “Është gjëja më e marrë e kryer nga një agjensi spiunazhi, prej budallenjsh të vërtetë” shkruhet në artikullin kryesor të Washington Post. Por nuk kuptohet mirë nëse zemërimi i Shtëpisë së Bardhë rrjedh nga dështimi dhe zbulimi i operacionit, apo nga zbatimi në mënyrë të pavarur nga organet e CIA-s. Në të dy rastet Presidenti Obama dhe vartësit e tij nuk bëjnë një figurë të bukur në opinionin publik botëror, kryesisht n’atë gjerman.
Nëse e vërteta është se shërbimet kanë vazhduar praktikën në kokën e tyre (gjë vështirësisht e besueshme), faji nuk kalon thjesht tek ndonjë shef që mund të largohet nga shërbimi, por përgjegjësia bie drejt për së drejti mbi organet e larta drejtuese, pa përjashtuar as Presidentin që duhej të ishte treguar shumë herë më i vëmëndshëm mbas skandalit të tetorit 2013 me celularin e Merkel-it. Nëse, në të kundërt, nuk bëhet fjalë për “pakujdesi”, por për një vijë politike që mëton t’i verë Shtetet e Bashkuara në një pozitë mbizotërimi, deri në fyerje, kundrejt aleatëve, megjithë meritat e mëdha e të padiskutueshme të tyre në mbrojtjen e botës së lirë e në zhvillimin e saj gjatë shumë dhjetëvjeçarëve, mendoj se gjindemi para një sinjali tepër shqetësues, jo vetëm për Aleancën atllantike, por për gjithë njerëzimin.
Edhe duke mbajtur parasysh të veçantën e 11 shtatorit 2011, mbas të cilit “bota nuk do të ishte më ajo e para”, pra ndikimin tejet të fuqishëm në mendësinë, zgjedhjet politike e strategjinë globale të SHBA-ës, shfaqja e arrogancës kundrejt aleatëve, në çfarëdo forme nuk mund të përligjet. Lufta kundër terrorizmit, në të gjitha shfaqjet e tij, është një detyrë e gjithë botës së qytetëruar dhe aleatët e Amerikës, prej vitesh, po qëndrojnë në të njëjtën llogore me të në Afganistan, por fakti që “kryetari” i sotëm i “Kalifatit” siro – iraken, ka qenë për katër vjet në burgjet e CIA-s në Irak dhe është lënë i lirë, tregon mangësi në vetë sistemin amerikan.
Nuk kuptohet përse Shtëpia e Bardhë ka bërë veshin e shurdhër, gjatë gjithë këtyre muajve, kundrejt kërkesës gjermane për të nënëshkruar një “pakt për mos spiunim të ndërsjelltë”, pakt të cilin SHBA e kanë nënëshkruar vetëm me Australinë, Britaninë, Kanadanë dhe Zelandën e Re. Si duket, Evropa vazhdon të shihet me dylbitë e gjysmës së parë të shekullit XX nga Administrata amerikane.
“Besimi ynë në Shtetet e Bashkuara del thellësisht i tronditur nga kjo çështje” u shpreh Ministreja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen, sepse agjentët amerikanë duhet të kuptojnë “se jo çdo gjë që është e mundur është politikisht e pranueshme”. Besoj se është një sintezë mjaft e goditur e thelbit të problemit deklarata e ministres gjermane. Politika me hipokrizinë e saj do të gjejë mënyrën për t’i vënë kapakun atij e me ndonjë sakrificë të ndonjë “koke turku” do të arrijë t’a mbyllë. Problemet e botës janë kaq të shumta e të mprehta, bashkëpunimi mes SHBA dhe Gjermanisë është kaq i domosdoshëm sa që përpjekjet e të dy palëve për normalizim zyrtar do të jenë të dukshme, por rikthimi i besimit të ndërsjelltë do të jetë një proçes i gjatë e i vështirë.
Po ashtu, e vështirë do të jetë edhe për vëzhguesin e thjeshtë, sidomos për atë që vjen nga përvoja e shoqërive komuniste, që gjatë gjithë jetës ka krijuar në mëndje një klishe për Amerikën, atë të një Vendi të madh, i cili jo vetëm ka shpëtuar botën nga rreziku nazifashist, por ka qenë edhe mburoja më e sigurtë e lirisë dhe demokracisë në përballjen me të keqen e shekullit të shkuar, komunizmin. Në këtë klishe Vendi simbol i demokracisë ishte dhe “zëdhënësi” i Ungjillit të ri të shoqërisë njerëzore bashkëkohore.
Ngjarja për të cilën fola ndihmon fuqimisht në fashitjen e përfytyresës idealiste mbi sistemin e vlerave t’asaj shoqërie, në shëmbjen e iluzioneve me të cilët kemi jetuar gati një gjysëm qindvjeti. Ajo na kthen në një realitet të zymtë, në të cilin një pjesë e tabuve të krijuara në një jetë të mbyllur e që shërbenin për të ushqyer shpresat e mbijetesës, janë të prirura për t’u braktisur. Ky fakt mund të ketë vlerën e tij, sepse na kthen në banorë të tokës nga ëndërrimtarë të qiellit. Më mirë vonë se kurrë.
Korrik 2013
Në Los Angeles hapet dyqani i “ilaçit jeshil” Marihuanës
LOS ANGELES : Kultivuesit e marihuanës në disa shtete në SHBA, tashmë lidhen drejtpërdrejt me konsumatorët e saj nëpërmjet marketit të ri të hapur qëllimisht për tregtimin e kanabisit, në Los Angeles, Kaliforni. Dyqani është i pari i llojit të tij në Kaliforni dhe ka kopjuar modelin e ngjashëm që funksionon prej vitesh në Uashington dhe Kolorado, dhe disa vende të Europës, ku është lejuar përdorimi i saj.
Drejtuesja e këtij dyqani, që luan më tepër rolin e një farmacie bimore, shprehet se arsyeja e hapjes së tij ishte për të krijuar një eksperiencë më personale të blerjes se marihuanës dhe për të pasur çmime më të ulëta, për të gjithë personat të cilët kanë nevoja mjekësore në përdorimin e saj.
Por, natyrisht kjo duket si anormale krahasuar me përvojën që është krijuar në Shqipëri me këtë produkt, ndërkohë që në shumë vende të botës – tashmë i ashtuquajturi “Ilaçi jeshil” Kanabis Stativa ose Marihuana është e legalizuar dhe përdoret si trajtim mjekësor për disa lloj sëmundjesh, duke e konsumuar atë nëpërmjet pirjes së tij si çaj ose edhe si cigare duhani simbas rekomandimeve të mjekëve.
Duke e parë në këtë këndëvështrim duket se fenomeni Lazarati në Shqipëri – u shfrytëzua nga pushtetarët e sotëm për të bërë një “show” të madh politik, pikërisht në prag të marrjes së statutusit të kandididatit të BE-së nga Shqipëria.
Në një kohë që shumë vende të Europës e kan të legalizuar atë dhe në SHBA çdo ditë po shtohen shtetet që po e legalizojnë, ndodh që në Shqipëri, të bëhet “luftë” kundra marihuanës e cila tashmë konsiderohet një nga bimët mjekësore, nga më të nevojshmet për kurimin e sëmundejeve kanceroze.
Në SHBA një prej tregtuesve të marihuanës thotë se fakti që të gjithë prodhuesit e saj janë mbledhur në një dyqan nga qindra kultivues të zonave të ndryshme e bën këtë eksperiencë shumë më të lehtë dhe praktike, si për blerësit ashtu dhe për shitësit.
Ky treg kontrollohet nga Programi Mjekësor i Marihuanës dhe përdor një sistem regjistrimi nëpërmjet kartave të identitetit, ku bazuar në rekomandimet e mjekut, çdo kush që figuron në atë listë mund të marrë dhe të konsumojë sasi të caktuara kanabisi në bazë të recetës së përcaktuar./Beqir SINA/
Nënë Tereza në Republika Srpska
Nga Uk Lushi/New York/
“Të gjithë sa ishim të ulur në karriget e teatrit të Banja Llukës- boshnjakë, kroatë, serbë, maqedonë dhe shqiptarë- brofëm në këmbë dhe filluam të duartrokasim të ngazëllyer. Sikur të kishe qenë me ne, do ta kishe provuar atmosferën e mrekullueshme vetë miku im i dashur. Një sukses i madh i Nënë Terezës!”— po më thoshte ambasadori shqiptar në Bosnjë e Hercegovinë, Flamur Gashi, përmes Viber-it; unë në New York, e, ai në Sarajevë.
Ambasadori Gashi, një diplomat yni i klasit të parë, e kishte fjalën për shfaqjen “Majka Tereza- Svetica Tame” (Nënë Tereza- Shenjtëresha e Errësirës), e cila pas një premiere të jashtëzakonshme në Teatrin Popullor të Sarajevës me 19 qershor, ishte ftuar të paraqitej edhe para publikut të kryeqytetit të Republika Srpska me 15 korrik 2014. Drama e frymëzuar nga jeta e bamirëses me famë është një produksion i Shoqërisë Kulturore “Napredak” me regji të kroatit nga Bosnja Gradimir Gojer, bazohet në tekstin e maqedonasit Venko Andonovski dhe në të interpretojnë aktorë nga Bosnja-Hercegovina, Kroacia dhe Kosova. Rolin e Nënë Terezës e luan Kostadinka Velkovska, artiste e njohur e teatrit Kerempuh në Zagreb, ndërkaq ekipi realizues një rol i ka dhënë edhe aktorit shqiptar nga Prishtina Ilir Tafa. Projekti multinacional, multikonfesional dhe multikulturor prej nisjes së tij është mbështetur nga ambasadat e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë në Bosnje- Hercegovinë. Të dyja premierat, si në Sarajevë ashtu edhe në Banja Llukë, janë parë nga personalitete kulturore, diplomatike dhe intelektuale. Pritet që pjesa teatrore për fituesen shqiptare të Nobelit për Paqe do të nisë së shpejti një turne ballkanik dhe mbase do të inskenohet edhenë Republikën e Shqipërisë dhe Kosovës.
Në tetor të vitit 2011 në teatrin beogradas Bitef u dha performansa postmoderne “Patriotic Hypermarket”, një pjesë teatrale e përbashkët e artistëve ballkanas nga Beogradi, Prishtina, Shkupi dhe Tirana. Brenda dhe jashtë ndërtesës ishin të pranishme forca të shumta policore të cilat u desh të siguronin trupën teatrore nga sulme të mundshme prej radikalëve nacionalistë serb. Në fakt, në dy raste — me 2008, gjatë ekspozitës së veprave të artistit shqiptar Dren Maliqi, dhe— me 2013, gjatë ekspozitës së dëshmive të vrasjeve të familjes Bogujevci nga paramilitarët serb “Škorpioni”në Podujevë me 1999, policia u detyrua të ndërhynte për të zbythur egërshanët dhe vandalët. Në ekspozitën e Maliqit ata shqyen një punim ku portretizohej Adem Jashari, kurse në ekspozitën që rrëfen vizualisht masakrimin e 14anëtarëve të familjes Bogujevci nga perspektiva e përjetimeve të pesë të mbijetuarve, shovinistët provuan ta digjnin godinën.
Fatmirësisht shfaqjet apo prurjet kulturore serbe apo tjera ballkanike që janë paraqitur para publikut shqiptar, (kudo në trojet tona), nuk janë pritur me kanosje dhune. Shumica e tyre kanë arritur dhe vajtur pa marrë vëmendjen e merituar dhe tek-tuk iu është hedhur ndonjë sharje nacionaliste primitive. Duke e pas përjetuar pushtimin serb dhe diskriminimin e disa popujve sllav që na kanë bërë shqiptarëve me dekada, e kuptoj shumë mirë hezitimin dhe zemëratën e bashkëkombësve tonë kur vjen puna te shkëmbimet dhe qarkullimet e vlerave me popujt joshqiptar në gadishullin tonë, e posaçërisht me serbët. Kjo u pa sidomos me rastin e paraqitjes së një muzikanti serb në një televizion të Tiranës para ca muajsh, paraqitje kjo redaktoriale e dështuar ndërsa u vendos që serbi të këndonte në një emision dedikuar melosit shqiptar, mirëpo, në anën tjetër, prezantimi i artistit serb është plotësisht i arsyetueshëm nga aspekti i njohjes kulturore të tjetrit. Si shpesh herë, disa hamulitës shqiptarë nuk elanë pa e shfrytëzuar precedentin dhe bile tentuan të nxisnin urrejtje duke përhapur gënjeshtra mbi gjoja dallimet e shkallës së patriotizmit midis Tiranës dhe Prishtinës. Padrejtësitë që na janë bërë shumicës dërmuese nga ne duhet të dritësohen duke ndjekur rrugët legale dhe duke kërkuar shpagim financiar për dëmet materiale dhe humbjet e dhimbshme njerëzore, ama ndërshkëmbimet me kombet tjera nuk duhet të ndalen.
Ka mjaft radikalë edhe në popullin tonë të cilët dëshirojnë dhe barabar punojnë që të mbyllemi nga marrje- dhënia me popujt tjerë. Veçimin ata e arsyetojnë zakonisht ose me argumentin e ruajtjes së “pastërtisë” së kulturës dhe civilizimit shqiptar, ose me argumentin se popujt tjerë ballkanik nuk na i duan vlerat tona sa ne të tyret dhe së këndejmi, sy për sy e dhëmb për dhëmb, edhe ne duhet t’i refuzojmë të tyret.
Kjo mënyrë e të rezonuarit është edhe e paleverdishme edhe shenjë inferioriteti pikësëpari për kombin i cili vendos ta praktikoj atë. Pjesëtaret e një kombi të ditur duhet të orvaten të jenë prodhues të sa më shumë vlerave, siç duhet të jenë kërkimtarë të jenë edhe konsumues të vlerave të veta dhe të të tjerëve. Duke qenë edhe krijues edhe nevojtarë të vlerave, kombet e zgjuara e dinë që vlera fisnikërohet kur vihet në ballafaqim me vlerat më inferiore apo superiore të të tjerëve. Kombet moderne bashkëpunojnë me të tjerët sepse ashtu e ngritin cilësinë e vlerave të tyre ndërsa konsumojnë madje edhe vlerat, që, për arsye të përparësive krahasuese apo çfarë do qofshin arsyet, nuk i kanë apo nuk mundi krijojnë. Dikush mund të thotë, po, ja filan kombit ballkanik nuk i interesojnë vlerat tona. Mirëpo humbja është e atyre që nuk interesohen, ngase ti ja njeh avantazhet dhe disavantazhet tjetrit dhe gjithsesi do të përfitosh nga kjo njohje, kurse ai nuk i njeh tuat. Nuk duhet ndier i frikësuar e as inferior për t’u hedhur në logun e vlerave dhe dallimeve rajonale dhe globale. Secili komb ka diçka të shkëlqyeshme për të ofruar dhe secili komb ka nevojë për të marrë diçka të shkëlqyeshme nga të tjerët. Dallimi se ku gjendet një komb në rangimin e arritjes përcaktohet shumë nga pranimi i këtij ligji të pashkruar lidhur me dobinë e shkëmbimeve kulturore, shkencore, sportive…, e deri gjenetike.
Para 86 vitesh, që të kthehemi te fillimi, me 1928, një vajzë e ndruajtur 18 vjeçare e quajtur Agnes Gonxhe Bojaxhiu vendos të lëshojë Shkupin e saj, të lë prapa nënën e ve dhe të niset për Irlandë në Misionin e Motrave Loretto për të mësuar mbi jetën. Një vit më vonë ajo shkon për herë të parë për të shërbyer në Darjeeling të Indisë ku nis përkushtimin e saj të devotshëm për t’i ndihmuar të varfrit e botës dhe fillon të njihet si Nëna Tereze. Brenda 68 vitesh, bija e brishtë shqiptare e Nikollë dhe Drane Bojaxhiut shndërrohet në simbol planetar i të tashmes dhe ardhmes njerëzore. Ndonëse tërë jetën përballë errësirës, Nënë Tereza kishte hapur shpirtin dhe mendjen kundrejt njerëzve tjerë dhe duke shkëmbyer vlerat e saj me të tjerëve, ajo mbërriti t’i jepte kombit shqiptar një vlerë universale të përhershme. Prandaj, “Majka Tereza- Svetica Tame”, me 15 korrik natyrisht që do të ngriste në këmbë së bashku boshnjakë, kroatë, serbë, maqedonë dhe shqiptarë midis Republika Srpska, ku deri para disa vitesh boshnjakët, serbët dhe kroatët priteshin e vriteshin me njëri- tjetrin thua se fati i universit varej nga lufta, e jo paqja mes tyre. Urat janë më të dobishme dhe rëndësishme se sa kufijtë dhe kudo ka njerëz mendjehapur dhe zemërgjerë është e mundshme të hiqet një copë kufi dhe të ndërtohet një urë, derisa, ndoshta,një ditë, jo fort të largët, të mos ketë kufij fare.